19.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Rekursi i Prokurorisë: Lul Berisha të kthehet në qeli

Prokuroria e Apelit Durrës ka dorëzuar dje në Gjykatën e Lartë rekursin kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, e cila vendosi lirimin me kusht për të dënuarin Lulzim Berisha. Akuza argumenton se Lulzim Berisha duhet të kthehet në qeli dhe nuk mund të përfitojë nga dënimi me kusht, për disa arsye.
Sipas Prokurorisë, veprat për të cilat është dënuar Lulzim Berisha janë mjaft të rënda dhe ai nuk mund të përfitojë nga lirimi para kohe. Ai u arrestua në prill të vitit 2006, në Tetovë, pasi ishte shpallur në kërkim për 5 vrasje dhe krijim të një organizate kriminale.
Gjithashtu në rekurs, Prokuroria e Apelit Durrës sqaron se uljet e dënimit ndër vite për Lulzim Berishën kanë qenë të pajustifikuara nga togat e zeza. Prokuroria dyshon se koha e llogaritjes së kohës së burgimit nuk është e saktë.
Rekursi në Gjykatën e Lartë vjen një ditë, pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zyrtarisht se kishte nisur një hetim për mënyrën si u lirua Berisha. Në sitën e hetuesve do të kalojnë veprimet e disa gjyqtarëve. Të njëjtën vepër dyshohet se kanë konsumuar edhe zyrtarë të Bashkisë Durrës, që kanë garantuar punësimin e tij, duke favorizuar lirimin me kusht.
Lulzim Berisha ka përfituar nga një seri e gjatë vendimesh gjykate për ulje dënimi. Ai u dënua fillimisht me burg përjetë, më pas vendimi u ul në 25 vjet, por kreu i “Bandës së Durrësit” bëri vetëm 10 vjet burg dhe u lirua me kusht 5 vjet përpara se t’i përfundonte afati i dënimit.
Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun funksiononte prej vitit 1994 në qytetin bregdetar dhe merrej me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Banda është autore e një sërë vrasjeve dhe krimesh të tjera të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 deri në 2008. Banda e Durrësit akuzohet për 6 vrasje. Vrasja e Dritan Sallakut më 17 tetor 1998 në qytetin e Durrësit, vrasja e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit. Vrasja e Marsel Sotirit, 22.08.1999 në plazh, Durrës; Vrasja e Dritan Dishës, 09.07.2000 në Shënavlash, Durrës; Vrasja e Ervin Lames, 14.01.2002 në lagjen numër 3, Durrës.
12 vjet pasi qëndroi në qeli, kreu i bandës së Durrësit, një nga bandat më të përgjakshme në vend, kërkoi lirinë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës dhe ajo e Apelit. Berisha kërkoi në bazë të nenit 478 të Kodit të Procedurës Penale lirimin e tij nga burgu me arsyetimin se “vuan nga një sëmundje e rëndë dhe i rrezikohej jeta po të qëndrojë në qeli”. Prej vitit 2015, Lulzim Berisha vuante dënimin në burgun e sigurisë së zakonshme në Durrës, ndërsa më 5 dhjetor u lirua nga burgu.

R.POLISI

Parking në vend të kampusit universitar, masakra e Velinës

Betonizimi i Tiranës në mënyrë masive filloi pas vitit 2000, kur Edi Rama mori pushtetin. Përgjatë fushatës elektorale ekranet u mbushën me spotin e njeriut që i kërkonte qytetarëve të Tiranës, të provonin atë si administrator, duke i premtuar një qytet më të gjelbërt, me hapësira më shumë për fëmijët e tyre e të tjera si këto… Deri në atë kohë shumë pak ndërtime ishin kryer në Tiranë, por pas ardhjes në krye të Bashkisë të Edi Ramës, qytetarët panë me sytë e tyre se pak nga pak e ditë për ditë gjelbërimi po ja linte vendin betonit. U zhdukën sipërfaqe të tëra gjelbërimi, terrene sportive, oborre shkollash, kinematë. Të gjitha u dhanë për ndërtim klientëve të ish-kryetarit të Bashkisë dhe nga Tirana e dikurshme nuk po mbetej më asgjë. Paraja që prodhohej dhe pastrohej nga ky aktivitet ishte e madhe. Aq e madhe sa në vitin 2009, Rama nuk pranoi të hiqte dorë nga Bashkia, por deklaroi se do të ishte dhe kryeministër dhe kryetar bashkie… E si mund të ndodhte ndryshe. Ai institucion i dha atij Partinë Socialiste, i siguronte lidhjet me krimin e organizuar, me bandat dhe mafian që operonte në fushën e trojeve. Dhe ai e donte sërish atë me çdo lloj forme dhe çdo lloj mjeti. Në zgjedhjet e vitit 2015, atij i duhet në krye të saj një Yes man, lehtësisht i korruptueshëm dhe që mund të fshinte çdo lloj pisllëku që ai do të linte mbrapa. Zgjidhja nuk ishte dhe aq e vështirë e ku do të gjente njeri më të përshtatshëm dhe servil se Erion Veliaj, i njohur për makutërinë e tij që nga koha kur ishte në krye të “Mjaft”….

Betonizimi

Kërcënimi që i bëri Emiljano Shullazi, kandidatit për rektor të atëhershëm Mynyr Koni nuk ishte i rastësishëm. Më 3 qershor të vitit 2015, u organizua një konkurs për masterplanin e Qytetit “Studenti”, ku veç rikonstruksionit të përgjithshëm të godinave një pjesë të rëndësishme zinte dhe fusha e këtij qyteti. Sipas asaj çka u reklamua me bujë nga qeveria dhe Bashkia do të ndërtoheshin godina të reja, salla bibliotekash, fusha futbolli dhe tenisi. Projekti do të kushtonte 23 milionë dollarë dhe do të fillonte në vitin 2015. Por çfarë po ndodh në fakt? Nga një hulumtim që gazeta “RD” ndërmori, rezultoi se aty ku do të ndërtohej ndërtesa qendrore sipas masterplanit, Erion Veliaj ka filluar ndërtimin e një parkimi. Bëhet fjalë për pjesën e fushës përballë Fakultetit Ekonomik. Madje tenderi për ndërtimin e tij është zhvilluar që në gusht të këtij viti, fiks një vit pas masterplanit të organizuar nga Rama. Tenderi ka kushtuar rreth 38 milionë lekë dhe është fituar nga “Kola Invest” SHPK. Ndërkohë që pjesa tjetër, një sipërfaqe prej dhjetëra hektarë rezulton të jetë lënë qëllimisht e braktisur. Fushat që shërbenin për lojëra volejbolli, basketbolli dhe futbolli tashmë janë shkatërruar plotësisht. Ende nuk dihet se përse ka devijuar masterplanin Erion Veliaj, por burime bashkiake shprehen se aty vetëm korpus universitar nuk do të ndërtohet. Toka në fakt është në pronësi të Rektoratit të Tiranës dhe në mars të këtij viti në media u përfol se ishin pikërisht këto hektarë tokë, të cilat çuan dhe në kërcënimin e rektorit Koni nga ana e Emiljano Shullazit, i cili me ardhjen e rilindjes në pushtet, synimi i tij ka qenë kryesisht biznesi imobiliar, por me metodat siç di ai. Emërimi i këshilltares socialiste bashkiake në krye të Rektoratit, do ja lehtësonte punën shumë Erionit për të kryer pisllëkun e radhës me këto troje publike. Dihet që synimet e tij “ekspansioniste” në këtë zonë janë të mëdha, pasi pak pas ardhjes në pushtet ish-protestuesi i djeshëm nuk ngurroi të firmoste një leje ndërtimi në Parkun Kombëtar, përballë Fakultetit Ekonomik. Pak metra më larg vendit ku Tahiri me urdhër të Edi Ramës, hidhnin në erë me dinamit shtëpitë me leje të qytetarëve të Tiranës, duke na ofruar pamje si të ishim vend në konflikt. Kjo bëhej në emër të “të bërit shtet”….

Kulla shumëkatëshe, por jo kampus

Kampus për studentët nuk ka… Do të ketë qendra tregtare apo kulla, por jo kampus. Po ndërhyhet për të ndërtuar një parkim, i cili mesa shihet do ja hapë rrugën kullave shumëkatëshe në Qytetin “Studenti”. Një aferë e pastër me trojet publike që i ofrohet klientëve të qeverisë për t’i ndërtuar dhe më pas fitimi dihet si ndahet. Në rast se dikur Rama mjaftohej me 20 për qindëshin e lejes së ndërtimit, tashmë që ka marrë dhe Kryeministrinë duket se oreksi i është hapur dhe po i kthen trojet publike në private. Ashtu siç ndodhi dhe në rastin e stadiumit kombëtar, ku në truall publik u gjet mënyra që të ngrihej një qendër tregtare. Ashtu siç po veprohet me Sheshin Skënderbej apo me troje të tjera, kryesisht në qendra që në pronësi të tyre kanë dhe anekset sportive. E tillë është hapësira mbrapa stadiumit “Selman Stërmasi”, ku dhe aty Erioni e filloi me parkim, por ka lënë të hapur mundësinë për pjesën e fushës së futbollit, që enkas e ka lënë në degradim e sipër. Dhe aty fjalët janë se do të përdoret për një tjetër megaaferë me trojet shtetërore, duke ditur se trualli ndodhet në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, në mos më e shtrenjta. Një gjë është e sigurt me ardhjen e Erionit në krye të Bashkisë dhe me bekimin e Ramës në krye të qeverisë, hapësirat e gjelbërta sa do të vijnë e do të ngushtohen dhe do ja lenë vendin betonizimit dhe kullave që po i marrin frymën qytetit.

A po përdoren trojet publike të Tiranës për pastrimin e parave të drogës?!

Në fakt, Edi Rama s’e ka për herë të parë që të dorovisë krimin e organizuar me troje publike dhe sheshe ndërtimi për të shmangur kështu ndonjë nga ish-pronarët e bezdisshëm që mund t’i bëjnë ndonjë të pabërë me gjykatat. Për shembull, ish-fushën e stërvitjes së ekipit “Dinamo” mbrapa stadiumit “Qemal Stafa” ia ka dhuruar djemve të Hajredin Shytit, drejtues të organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”. Një fakt ky i denoncuar nga ish-Kryeministri Berisha. Edhe aty një sipërfaqe e konsiderueshme ku pritet të ndërtohet një ose më shumë kulla shumëkatëshe. Madje ditën e djeshme, aty ishte përqendruar INUK dhe Policia Bashkiake për të prishur dhe ndërtesën e fundit, që do i hapë rrugën mesa duket ndërtimit të kullës ku ortakë pritet të jenë dhe vëllerëzit Shyti. A mund të vihet më shumë se kaq në funksion të krimit i gjithë shteti?! Të gjitha trojet e sipërpërmendura ndodhen në zonë ku një metër katror e kalon shifrën e një mijë eurove për metër katror. Viti që po lemë pas ishte ndër më të begatët për sa i përket mbjelljes dhe eksportit të hashashit, kjo për atë pjesë të trafikantëve që kanë lidhje të ngushta me pushtetin. Eksperiencat e mëparshme kanë treguar se paraja e fituar nga droga mënyra më e mirë për t’i pastruar është sektori i ndërtimit dhe kryesisht Tirana dhe bregu i detit, pasi si çmimi ashtu dhe kërkesa është më e lartë. Pyetja që shtrohet është, a po përdoren trojet publike të Tiranës, nga krimi i organizuar dhe trafikantët për të pastruar paratë me anë të ndërtimit?!

Terrorizmi dhe trafiqet, Nishani me zyrtarin e Departamentit të Shetit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim Ndihmës Sekretarin për Çështjet Ndërkombëtare dhe Krye Zyrtarin Diplomatik të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, Alan Bersi.
Në takim u shkëmbyen pikëpamje mbi situatën në rajon si dhe në zonat e konflikteve, kjo e fundit nisur edhe nga pozicioni gjeografik i vendit tonë, si një urë lidhëze midis rajoneve të Azisë dhe kontinentit evropian.
Biseda mes Presidentit Nishani dhe Ambasadorit Bersi u fokusua te forcimi i kontrollit të kufijve për të përmirësuar në maksimum luftën kundër terrorizmit dhe trafiqeve të të gjitha formave.
Gjithashtu Presidenti Nishani vlerësoi bashkëpunimin dhe asistencën amerikane në këtë aspekt duke inkurajuar një rritje akoma më të madhe të kësaj ndihmese në të ardhmen.
Presidenti i Republikës e garantoi zyrtarin amerikan se institucionet ligjzbatuese të vendit ruajnë vlerësime maksimale për këtë bashkëpunim si dhe janë të gatshëm në çdo kohë për ta zhvilluar dhe mirëpritur ndihmën e tyre në çdo kohë.

Neranxi: Shtatë ligjet që vërtetojnë kapjen e shtetit

Nikollaq Neranxi, nga Shoqata e Tregtarëve thotë se, kohët e fundit janë miratuar së paku 7 ligje që shkojnë në favor të lobuesve për interesa të ngushta dhe janë kundër interesit publik dhe një zhvillimi vizionar të vendit

-A ekziston në Shqipëri fenomeni i kapjes së shtetit, nëpërmjet bërjes së ligjeve që favorizojnë grupe të caktuara në dëm të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit?

Fenomeni i kapjes së shtetit, ose “state capture”, nënkupton një lloj sistemi politik të korruptuar në të cilin interesat private influencojnë në mënyrë të ndjeshme procesin e vendimmarrjes shtetërore në favor të interesave të tyre nëpërmjet rrugëve të fshehta, që mbulohen me miratimet e ligjeve. Këto fenomene vërehen kur elita që udhëheq një vend manipulohet nga biznesmenë të fuqishëm në zbatimin e politikave ekonomike dhe tregtare. Një ndër faktorët që nxisin forcimin e këtij fenomeni në vend është dhe centralizimi i theksuar i autoritetit. Në një ekonomi ku është prezent fenomeni i kapjes së shtetit, krijohet një rreth vicioz që vë në kurth politikat institucionale dhe reformat shtetërore, duke i përdorur vetëm në dobi të përfitimeve të firmave të fuqishme dhe të pushtetarëve. Në këtë vështrim të përgjithshëm, ekonomia shqiptare është dukshëm e përfshirë nga fenomeni i kapjes së shtetit.

-A mund të na thoni disa raste që keni vënë re?

Së pari, do të përmendnim rastin e ndikimeve të interesave personale ekonomike të klaneve të lidhura ngushtë me pushtetarët kundër interesave të qytetarëve të Himarës. Politikat e ndjekura në lidhje me këtë territor të çmuar të vendit, duke planifikuar shpronësime, shkatërrime dhe ndërtime të reja, tërësisht sipas vlerësimit të lirë të hartuesve të projekteve, pa marrë parasysh interesat e personave që ndikohen drejtpërdrejt nga këto ndryshime, tregojnë një cenim të të drejtave të qytetarëve të garantuara me Kushtetutë.
Së dyti, miratimi me një numër të ulët deputetësh i Ligjit Nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 10463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, edhe pas kundërshtimeve dhe protestave të vazhdueshme të individëve dhe të Shoqërisë Civile, lë të nënkuptohet një interes ekonomik madhor të fshehur në objektin e këtij ligji. Për më tepër, në ushtrim të detyrave të tij, Presidenti i Republikës nuk e dekretoi ligjin me argumentin se bie ndesh me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare. Pasojat që vijnë nga ndryshimet e miratuara nga legjislatori ndikojnë ndjeshëm në mjedisin tonë dhe rrjedhimisht në shëndetin tonë në mënyrë të pajustifikuar, kundrejt përfitimit klientelist që kanë individë të caktuar për shkak të shoqërive që do të menaxhojnë këto mbetje. Dihet që në të gjithë botën biznesi i plehrave është monopol i mafies.
Së treti, me Ligjin Nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” janë miratuar dispozitat që parashikojnë financimin nga Buxheti i Shtetit për institucione të arsimit të lartë jopublik. Pa marrë në konsideratë protestat studentore dhe pa dëgjuar kërkesat e ngritura nga ta, në vitin e parë të aplikimit të reformës në arsimin e lartë u duket qartë favorizimi i sistemit të ri në dobi të interesave klienteliste të universiteteve private, fakt ky që konkludohet edhe me financimet që këto universitete kanë përfituar nga buxheti shtetëror. Në një kohë kur deri dje, ky buxhet financonte vetëm universitetet publike, në ditët e sotme, kjo passjell edhe reduktimin dhe tkurrjen e financave të universiteteve publike për këto shkaqe. Financimi i universiteteve private nga buxheti publik është i papranueshëm për faktin se universitetet private, janë nisma tregtare me qëllim përfitimi pasuror dhe nuk shikohen arsye se pse shteti duhet të financojë një nismë tregtare përveç se arsyeve klienteliste.
Së katërti, ndryshimet që priten të vijnë nga miratimi i Ligjit Nr. 19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike” cenojnë të drejtat thelbësore të individit, ndër to, edhe të drejtën e mbrojtjes së jetës private. Një parashikim i marrjes së masave shtesë së sigurisë për një grup të gjerë subjektesh, duke detyruar këta të fundit të përballojnë vetë shpenzimet e konsiderueshme për zbatimin e dispozitave ligjore (për vendosjen dhe mirëmbajtjen e kamerave etj.), kapërcen objektin e vetë ligjit. Në thelb, realizohet një mbikëqyrje e gjithanshme e individëve në kundërshtim me të drejtat e tyre të garantuara nga Kushtetuta, në veçanti të drejtën e jetës private, duke passjell një kontrollim të vazhdueshëm e të qëndrueshëm në kohë të çdo veprimi të secilit subjekt të ligjit. Këto shkelje ndërmerren për të kënaqur interesa të tjerë që bien ndesh me interesin e përgjithshëm publik, pasi individët kufizohen në të drejtën e tyre të privatësisë.
Së pesti, Ligji Nr. 93/2015 “Për turizmin”, ndër të tjera përjashton nga procedurat e prokurimit publik programet për realizimin e projekteve në fushën e turizmit të financuara nga buxheti i ministrisë përkatëse. Presidenti i Republikës ka kundërshtuar edhe pjesë të tjera të këtij ligji, siç janë parashikimet e vënies në dispozicion të pasurive të paluajtshme për një afat 99 vjet për ndërtimin e strukturave akomoduese në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit. Duke cenuar të drejtat e pronësisë së pronarëve të ligjshëm dhe parimet e rregullave të konkurrencës, normat e reja shfaqen të paqarta si rezultat i abuzimit të qëllimshëm të pushtetit ligjvënës.
Së gjashti, Ligji Nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” krijon mundësi abuzimi në vendimmarrje, duke parashikuar mundësi për dhënie koncesioni pa konkurrim të pasurive kombëtare. Sipas dispozitave të këtij ligji, për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve strategjike lejohet shpronësimi për interes publik i pronarëve të pasurive të paluajtshme pronë private. Për më tepër, shteti favorizon këta investitorë të veçantë, duke u detyruar t’u ofrojë atyre ndihmë në infrastrukturë. Shihet qartë, rëndësia që i jepet interesave ekonomike të këtyre grupimeve në disfavor të individëve.
Së fundmi, Ligji Nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat” i ndryshuar, po rezulton një mjet efikas për realizimin e interesave pasurore të segmenteve të caktuar të pushtetit qendror. Shembulli më i mirë është në koncesionin e hemodializës, koncesionin i kontrollit të check-up, koncesionin e laboratorëve të qendrave spitalore. Është qartazi e dukshme që këto marrëdhënie shtet-privat mbartin në vetvete një devijim nga funksioni i interesit të përgjithshëm publik, duke rezultuar në një interes të pastër personal ekonomik. Pasi sikundër rezulton, kompanitë private kanë rezultuar të pasuksesshme në ofrimin e shërbimit të tyre, dhe jo më kot këto koncesione mbeten shumë të kontestuara.

-Çfarë pasojash kanë këto ndikime në interesin e përgjithshëm publik?

Përfitimet personale të klaneve klienteliste të lidhur me pushtetin kalojnë nga përvetësimi i të drejtave mbi pronat publike e private te mbrojtja e të drejtave të caktuara të individualizuara. E gjithë kjo realizohet në shkelje të të drejtave të individëve të njohura me Kushtetutë. Në rastet e sipërcituara, individi privohet nga e drejta e jetës, e drejta e pronës, e drejta për t’u arsimuar, e drejta e mbrojtjes së jetës private, e drejta e ushtrimit të lirë të veprimtarisë ekonomike, e drejta e barazisë etj. Ky fenomen rëndon edhe mbi biznesin, i cili nuk mund të mbijetojë në një ekonomi të bazuar në kapjen e shtetit nga politikanët e korruptuar. Lista e mësipërme nuk është shteruese, por tregon vetëm disa raste të këtij fenomeni në Shqipëri.

“Monitor”

Berisha, takim me Kryetarin e BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti

Mbrëmë ish-Kryeministri Berisha priti në një takim Kryetarin e BDI-së në Maqedoni, zotin Ali Ahmeti, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorë të tij. Në këtë takim zoti Berisha përgëzoi kryetarin e BDI-së, Ahmeti, për zgjedhjet e përgjithshme dhe fitoren në këto zgjedhje të BDI, si parti politike me mbështetje më të gjerë nga shqiptarët në Maqedoni.
Zoti Berisha gjithashtu shprehu keqardhjen për humbjen e 9 vendeve në Parlament nga zgjedhësit me origjinë shqiptare për shkak të përcaktimeve ligjore në dëm të tyre.
Ai shprehu vlerësimet për të gjitha arritjet e BDI, shqiptarëve dhe kontributin e tyre thelbësor në zhvillimet në Maqedoni.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të përpjekjeve të forcave politike shqiptare në Maqedoni për një horizont të ri në zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe zhdukjes së çdo forme diskriminimi të shqiptarëve në Maqedoni, gjë që do ta bëjë këtë vend më të lirë dhe më stabël.
Në këtë takim u theksua gjithashtu domosdoshmëria e investigimit, dokumentimit të genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera në të shkuarën ndaj shqiptarëve, pasi heshtja ndaj tyre nuk premton të ardhme të qartë. Takimi ishte i hapur dhe kaloi në frymë të plotë mirëkuptimi.

Studio e Ramës 51N4E tek Sheshi me ofertën më të lartë

Emri i studios belge 51N4E ngjan i lidhur pandashmërisht me projektin pedonal të Sheshit “Skënderbej”. Ajo është studioja që bëri projektin e rehabilitimit si pjesë e planit urbanistik, në kohën kur Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Së fundi, 51N4E është shpallur fituese e tenderit për mbikëqyrjen e punimeve të fazës së parë të sheshit. Është përzgjedhur, duke skualifikuar 6 kompani në garë, edhe pse kishte ofertën më të lartë.
AIS një OJF promotore e Open Data Albania raporton se për fazën e parë të punimeve për Rikualifikim të Sheshit “Skënderbej”, vlera është 527.5 milionë lekë dhe kompania fituese Fusha shpk.
Por për mbikëqyrjen e punimeve të kësaj faze është zhvilluar gjithashtu një tender dhe “u shpall fituese kompania me ofertën më të lartë, përkatësisht 51N4E, duke refuzuar/skualifikuar gjashtë kompanitë me renditje më të favorshme sipas ofertës”.
AIS një OJF promotore e Open Data Albania, për Shqipërinë ju fton të monitoroni prokurime publike për Punë, Shërbime dhe Furnizime Publike të Institucioneve pjesë e Qeverisjes Vendore Bashki. Të dhënat janë për çdo prokurim të realizuar nga 61 Bashkitë e reja nga korrik 2015 dhe në vijim.
“Konkretisht ditët e fundit në faqen tonë Prokurime Transparente janë krijuar pasaporta për disa tender të rëndësishëm në vlerë dhe impakt infrastrukturor. Një prej tyre ishte edhe Faza e II e punimeve për Rikualifikim Urban të Sheshit “Skënderbej”. Fondi limit i këtij tenderi është 979 884 648 (nëntëqind e  shtatëdhjetë e nëntë milionë lekë e tetëqind e tetëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind e dyzet e tetë lekë) pa TVSH”, thuhet në Open Data.
Ndërkohë për fazën e parë të punimeve për Rikualifikim të Sheshit “Skënderbej”, vlera është 527.5 milionë lekë dhe kompania fituese Fusha shpk. Për mbikëqyrjen e punimeve të kësaj faze është zhvilluar gjithashtu një tender, në të cilin morën pjesë 7 kompani dhe u shpall fituese kompania me ofertën më të lartë përkatësisht 51N4E, duke refuzuar/skualifikuar gjashtë kompanitë me renditje më të favorshme sipas ofertës. Motivi i skualifikimit, mungesa e kapaciteteve teknike. Ky është tenderi i dytë që fiton Fusha shpk dhe shpallet fitues për mbikëqyrje punimesh po 51N4E. Edhe punimet për parkingun nëntokësor kanë të njëjtën kompani implementuese dhe të njëjtën kompani mbikëqyrëse.
Vetëm një investigim i shkurtër në faqen e kompanisë 51N4E na jep qartë arsyet e këtij favorizimi të turpshëm. Në këtë faqe, pa ndryshuar asnjë presje thuhet: “Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni kanë nisur zyrtarisht (are officially kicking off) Atelier Albania. Kjo platformë, e propozuar dhe zhvilluar nga 51N4E dhe IABR, është caktuar nga qeveria e re shqiptare në bashkim të kujdesshëm me gjithë politikat që ata zhvillojnë”.

SHBA përgatitet për ceremoninë e inagurimit të Trump

Një nga veçoritë e demokracisë amerikane është një tranzicion paqësor i pushtetit nga presidenti në largim tek pasardhësi i tij. Janë vite të tëra planifikimesh që bëjnë të mundur transformimin e kryeqytetit Uashington në një paradë televizive globale, një detyrë tepër e vështirë për nga përmasat. Me një hartë gjigante përpara, udhëheqësit ushtarakë bëjnë planet për këtë ditë të rëndësishme.
Një hartë e madhe është version i vogël i kryeqytetit Uashington DC. Pikërisht këtu zyrtarët nga i gjithë vendi planifikojnë paradën e 58-të të inaugurimit të presidentit: “Ka shumë pjesë të lëvizshme. Ka një hapësirë të ngjeshur ku po punojmë rreth zonës së Kongresit. Në një kohë të shkurtër duhet të sigurojmë gjithë këto aktivitete që duhet të përfundojnë me sukses atë ditë”.
Për t’u përgatitur, forcat e armatosura shpalosin një hartë 12 me 18 metra të Uashingtonit. Harta nënvizon rrugën e paradës dhe logjistikën për partnerët ushtarakë, federalë dhe zyrtarët vendas: “Jemi të kënaqur që si ushtri duhet të kemi partneritet bashkëpunimi me agjenci të tjera federale në qytet, pasi kemi të bëjmë me shumë njerëz”.
“Kemi pothuajse 7 apo 8 mijë ushtarë që vijnë nga 40 shtete të cilët duhet t’i sjellim këtu dhe t’i shpërndajmë ku duhet për të kryer misionin e tyre ditën e inaugurimit. Pastaj duhet t’i kthejmë në vendet e tyre brenda 72 orësh”.
Janari në Uashington është zakonisht me temperatura të ulta. Një tjetër faktor për një tranzicion të qetë:
“Nuk mund t’i mbash njerëzit e ushtrisë atje më gjatë nga ç’është e nevojshme.” Dita e Inaugurimit më 20 janar është e premte. Dhe të premtet janë zakonisht të qeta në Uashington. Por me zgjedhjen e një presidenti vërtet të veçantë, planet në realitet mund të ndryshojnë nga ato në letër.

Protesta në Maqedoni ndaj Komisionit Zgjedhor

Qindra mbështetës të partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE-së të drejtuar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, po protestojnë përpara Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).
Komisioni po shqyrton ankesat e parashtruara nga partia maqedonase në opozitë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, për parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve dhe veçanërisht për procesin e numërimit të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor.
“Planifikojmë të qëndrojmë këtu derisa anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të mos i verifikojnë rezultatet e fitores së VMRO DPMNE-së me dy deputetë në epërsi kundrejt LSDM-së”, është shprehur një nga protestuesit e sotëm para KSHZ-së.
Ndryshe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka punuar mbrëmë deri në orët e hershme të mëngjesit me protestuesit – përkrahës të VMRO DPMNE – që në vazhdimësi kanë brohoritur thirrje kërcënuese dhe fyese ndaj shqiptarëve si: “shqiptarë të mallkuar!”, për shkak se opozita maqedonase ka siguruar një numër të konsiderueshëm të votave nga elektorati shqiptar.
Njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se pas gjuhës së shprehur të urrejtjes nga simpatizantët e partisë maqedonase VMRO DPMNE, kjo parti duhet të kërkojë falje publike, ndërkohë që organet e gjyqësisë duhet të nxjerrin përpara drejtësisë ata që nxisin gjuhë të urrejtjes.
“Çdo parti politike shqiptare para se të fillojë bisedimet për çfarëdo lloj koalicioni të përbërjes qeveritare duhet të kërkojë nga VMRO DPMNE të kërkojë falje, sepse gjatë tërë kohës ka bërë fushatë bazuar në albanofobi, gënjeshtra për shqiptarët dhe të gjitha këto janë bërë zyrtarisht”.
Ky është minimumi që duhet të bëjë VMRO DPMNE, është të detyrohet të kërkojë falje. Gjuha e shprehur e urrejtjes në Maqedoni paraqet vepër penale dhe organet e drejtësisë duhet sa më parë të veprojnë në këtë drejtim”, vlerëson për Radion “Evropa e Lirë”, Ramadan Ramadani, aktivist për të drejtat e njeriut, drejtues i organizatës joqeveritare NISMA.
Masës së tubuar gjatë natës së kaluar para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i janë drejtuar edhe zyrtarë të lartë të VMRO DPMNE-së, të cilët janë kërcënuar me zemërimin e popullit nëse anëtarët e KSHZ-së siç janë shprehur “nuk e respektojnë fitoren e VMRO DPMNE-së”.
“Nuk do të lejojmë që në tavolinë të gjelbërt dikush t`ia vjedh fitoren VMRO DPMNE-së”, ka theksuar Ilia Dimoski zyrtar i lartë i VMRO DPMNE-së.
Temellko Ristevski, profesor universitar, konsideron se është parë qartë se protestat para KSHZ-së në formë të drejtpërdrejtë janë të drejtuara nga partia e Nikola Gruevskit, por ky veprim jo vetëm që krijon presion ndaj KSHZ-së, por do të dëmtojë në masë të madhe vetë partinë, tha ai.

Qeveria nuk zgjidh kërkesat, mësuesit nisin grevën të martën

Është viti i katërt që mësuesit nuk marrin shpërblimin e fundvitit. Për këtë dhe kërkesa të tjera, arsimtarët nga i gjithë vendi protestuan dje përpara Ministrisë së Arsimit. Për mijëra mësues nga i gjithë vendi, edhe këtë fundvit duket se nuk do të ketë festë. Sindikata e Pavarur e Arsimtarëve protestoi dje përpara Ministrisë së Arsimit.
Mësuesit u shprehën se, rritja e pagës me 10% është thërrime nga mungesa e rritjes së pagës për 4 vite. “Po nëpërkëmbni të drejtat tona. Ky është vit i dramave sociale, na detyruat të vijmë në këtë protestë që do e zgjerojmë në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh një nga mësuesit në protestë. Mësuesit paralajmëruan se të martën do të zhvillohet grevë një orëshe për të vijuar më pas me greva pa afat. “Vendosni dialogun me ne se, kemi dy vite që nuk komunikojmë. Nuk dimë si i zgjodhët mësuesit ekselentë fshehtas në çdo shkollë. Kërkojmë të paguhemi sipas kontratës kolektive të nënshkruar”, apeluan ata.
“Rritja e pagës 10% është thërrime krahasuar me mungesën e rritjes së pagës për 4 vite. Po nëpërkëmbni të drejtat tona. Ky është viti i dramave sociale. Na detyruat të vijmë në këtë protestë që do e zgjerojmë në gjithë Shqipërinë. Të martën do të mbajmë grevë njëorëshe dhe do të vijojmë më pas grevë paafat, nëse kërkesat tona nuk plotësohen. Vendosni dialogun me ne, se kemi dy vite që nuk komunikojmë. Nuk dimë si i zgjodhët mësuesit ekselentë fshehtas në çdo shkollë. Kërkojmë të paguhemi sipas kontratës kolektive të nënshkruar.
Duam të dimë ku shkuan paratë për 4 vite, ku u grabitën? Në cilat xhepa qeveritarësh shkuan? Sqaroni përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit. Na lini takim të na sqaroni”, thanë mësuesit gjatë protestës.
Ministrja Lindita Nikolla nuk denjoi as dje të presë në takim përfaqësuesit e Sindikatave të arsimtarëve për zgjidhjen e kërkesave të tyre legjitime. Nuk pranoi bashkëbisedim kjo ministre që për kolltuqet dhe zyrat e saj dhe të zyrtarëve të ministrisë shpenzoi 1 miliard e treqind milionë lekë! Kjo ministre që bën propagandë për rritjen e nivelit të shkollave dhe deklaron me mburrje në media se vajzën e saj e ka dërguar për t’u arsimuar në Perëndim.
Krahas kërkesës për shpërblimin e fundvitit, pagesës për orët shtesë dhe pagesën e transportit, qindra mësues kanë edhe vonesë në rroga. Arsimtarët paralajmëruan ministren Nikolla se, nëse ajo nuk ulet në takim për të diskutuar këto probleme, ata do të nisin grevën një orëshe, për ta përshkallëzuar atë në ditët në vijim në grevë pa afat.
Në kërkesat e saj, Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë, (SPASH) kërkon respektimin e normës mësimore dhe pagesën e orëve mbi normë të mësuesve, pagesën e transportit të arsimtarëve, duke i llogaritur distancën nga vendi i punës, si dhe shpërblimin e fundvitit prej 10 mijë lekësh.
Pasi i kanë paraqitur këto 4 kërkesa për Ministrinë e Arsimit, mësuesit thonë se do ta zgjerojnë protestën në të gjithë Shqipërinë, ndërsa paralajmërojnë se të martën do të zhvillojnë një grevë njëorëshe, e më pas grevë pa afat, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.
Ndërkohë, 920 mësues të Librazhdit dhe Prrenjasit nuk kanë marrë ende rrogën e muajit nëntor. Tre ditë më parë, mësuesit e shkollave të Librazhdit dhe të Prrenjasit u hodhën në protestë, por ende nuk i kanë marrë rrogën e prapambetur. Mësuesit janë grumbulluar para zyrës së Arsimit në Librazhd dhe kanë kërkuar paratë e tyre. Në të dyja bashkitë Librazhd dhe Prrenjas japin mësim rreth 890 mësues, por deri ditën e djeshme, atyre nuk u janë kaluar pagat. Janë 12 gjimnaze dhe 60 shkolla 9-vjeçare që japin mësim këta mësues, por këto ditë ndodhen në vështirësi ekonomike për shkak të mos marrjes së rrogave. Shumica e mësuesve udhëtojnë në zona shumë të thella malore, por e kanë të pamunduar për të udhëtuar, pasi nuk kanë para për të paguar shoferët e linjës që i transportojnë në vendet e tyre të punës.

I pritet fyti taksistit e i grabitet makina

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur si pasojë e krizës së depresionit nga varfëria dhe papunësia. Një taksist 65-vjeçar është therur me thikë në fyt vetëm për 20 mijë lekë dhe më pas i është grabitur makina. Sipas burimeve të policisë, taksisti Idriz Karriqi është marrë nga 24-vjeçari Musa Saraçi për të bërë një rrugë jashtë qytetit. Por, tragjikisht kjo rrugë ka qenë e fundit për taksistin nga Kavaja, i cili është qëlluar disa herë me thikë brenda në makinë nga i riu në grykëdedhje të Shkumbinit, në zonën e vilë-Bashtovës. Pas vrasjes, 24-vjeçari ka lënë trupin pa jetë në zonën e thellë ku kishte kryer vrasjen dhe ka marrë makinën në brendësi të të cilës kishin mbetur njollat e gjakut të taksistit. Gjatë largimit nga vendngjarja, i riu ka përplasur makinën dhe më pas e ka çuar në një pikë servisi. Kanë qenë punëtorët e kësaj pike, të cilët, pasi kanë konstatuar njollat e gjakut e kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit ka bërë prangosjen e 24-vjeçarit, i cili më pas ka treguar dhe vendin ku kishte kryer krimin dhe kishte hedhur trupin në zonën e Grykëderdhjes së Shkumbinit.
Të mërkurën, Idriz Karriqi ishte denoncuar i zhdukur nga familja e tij. Saraçi nuk ka treguar panik kur mori taksinë dhe u ul në sediljen e pasme. Kërkesën e bëri në sy të banorëve. Viktima, baba i dy vajzave në emigracion jetonte në një pallat në qytetin e Kavajës. Tashmë ata kryejnë ritet e fundit të ceremonisë mortore. Kurse në familjen e autorit ka dramë. Prindërit e të riut vrasës, Dhurata dhe Ramiz Saraçi, thonë se djali i tyre ishte një i papunë, por jo i droguar.
Vrasësi 24-vjeçar u ka thënë hetuesve se e kishte vrarë Idriz Kariqin, për t’i marrë lekët. Ai e ka qëlluar disa herë me thikë, duke i prerë dhe fytin. Musa Saraçi, 24-vjeçari nga Gosa e Kavajës tregoi që e vrau taksistin për 30 mijë lekë.
Dëshmia e vetë autorit të ngjarjes para hetuesve, tregon sesa gjakftohtë ka qenë ai gjatë kohës kur ka kërcënuar e më pas vrarë 65-vjeçarin Idriz Karriqi. “I thashë taksistit të më çonte në fshatin Greth. Taksistin e çova në një rrugë të ngushtë fshati. Më kërkoi më shumë lekë se ndryshova rrugën. I thashë do të vras, nëse nuk më jep 30 mijë lekë. Taksisti m’u lut disa herë që të mos e vrisja. U kthyem nga rruga dhe u nisëm për në Kavajë. E detyrova të zbriste nga makina, ecëm në këmbë. E qëllova disa herë me thikë në një kodër me shkurre. E lashë aty viktimën, mora makinën, por rashë në kanal”, ka rrëfyer Musa Saraçi. Saraçi ka rrëfyer se donte vetëm t’i grabiste taksistit paratë që mbante me vete, që sipas familjarëve, kanë qenë 2 mijë lekë të reja. Pasi e ka qëlluar disa herë me thikë në pyll, 24-vjeçari i ka marrë taksistit edhe sendet personale dhe automjetin. Policia ka arrestuar në të njëjtën kohë edhe Alush Batushën nga Rrogozhina, pasi është personi që ka blerë mjetin e viktimës kundrejt shumës 30 mijë lekë. Batusha e mori këtë makinë pa asnjë dokumentacion nga autori i vrasjes.

Familjarët: E vranë për 20 mijë lekë

Familjarët e Idriz Karriqit, shoferit të vrarë nga një 24-vjeçar, kanë hapur dje dyert e mortit. Mes dhimbjes dhe lotëve, ata shprehen të tronditur nga ngjarja e rëndë. Teksa thonë se një krim i tillë nuk ishte dëgjuar në qytetin e Kavajës, të afërmit e 65-vjeçarit shprehen se gjithçka ka ndodhur për 20 mijë lekë të vjetra, që ai kishte me vete dhe makinën.
Të afërmit thanë se, lajmin e kanë mësuar pas mesnatës së shkuar. Qytetarë të shumtë të Kavajës i drejtohen banesës së Idriz Karriqit, për t’u shprehur ngushëllime familjarëve për humbjen e rëndë, ndërsa thonë se një “krim i tillë monstruoz, i mori jetën babait të dy fëmijëve”.
Idriz Karriqi vuante nga sëmundjet e zemrës, dhe vetëm vitin e shkuar i ishte nënshtruar një ndërhyrje, “by pass”, por për shkak të mungesës së të ardhurave ishte i detyruar të punonte. Vetëm prej pak kohësh, ai kishte dalë në pension, por paratë nuk i mjaftonin për të përballuar shpenzimet e përditshme.
Familjarët e Idriz Karriqit kanë njoftuar policinë në datën 14, të shqetësuar për faktin se pjesëtari i familjes së tyre nuk u kthye në banesë si çdo mbrëmje. Menjëherë pas denoncimit, Prokuroria dhe Policia e Kavajës nisi hetimet për ngjarjen, dhe shumë shpejt ra në gjurmën e autorit të dyshuar për ngjarjen.