30.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Kapen në Holandë me 330 kg kokainë 2 shqiptarë

Në Roterdam të Holandës janë sekuestruar rreth 330 kg kokainë, ndërsa në pranga janë vënë 2 shqiptarë. Sasia rekord e drogës llogaritet të ketë një vlerë 20 milionë euro. Policia nisi dyshimet, pasi u zbuluan dy shqiptarë në pjesën e sigurisë së lartë, ku zbarkohen konteinerët. Menjëherë policia kontrolloi sektorin ku u arrestuan shqiptarët, duke zbuluar dhe sasinë e madhe të drogës. Shqiptarët janë të moshës 25 dhe 35 vjeç. Identiteti i tyre nuk bëhet i ditur.
Në pranga është vënë edhe një tjetër person. Mësohet se kokaina vinte nga Amerika e Jugut, por nuk bëhet i ditur destinacioni. Sipas autoriteteve holandeze, kjo ngjarje është provë e fuqizimit të kriminelëve shqiptarë në këtë vend. Ndërkohë, para disa ditëve një postbllok policie është sulmuar. Forcat e rendit kanë reaguar, duke qëlluar në ajër. Mendohet që incidenti ka lidhje, pasi për disa ditë ka pasur informacion që mund të vinte një sasi e madhe droge në Rotterdam. Ditët e fundit janë sekuestruar 25 kilogramë të tjera kokainë në të njëjtin port të fshehura në konteinerë frutash.

Shqiptarja kapet me 3.8 kg kokainë

Një 25-vjeçare shqiptare është arrestuar nga policia italiane në Peruggia, pasi është kapur me rreth 4 kg kokainë. Droga ishte fshehur në çantën e djalit të saj 4-vjeçar. Gruaja është mbajtur nën vëzhgim sapo ka dalë nga një ndërtesë në pronësi të një çifti shqiptar, me gjithë djalin e saj. Prania e fëmijës nuk i ka penguar policët të ushtrojnë kontroll ndaj 25-vjeçares.
Forcat e policisë kanë gjetur në brendësi të çantës së saj, një tjetër çantë shpine që kishte brenda 3 kg e 800 gram kokainë, të ndarë në 3 pjesë në formë drejtkëndore, secila me peshë rreth 1.1 kg dhe të mbështjella me letër celefoni si dhe 7 topa të tjerë me peshë 500 gram gjithsej.
25-vjeçarja shqiptare, e cila ishte e papunë kishte edhe 3400 euro me vete që dyshohet se vinin nga aktiviteti ilegal i trafikut të drogës.
Ajo është arrestuar në flagrancë dhe është dërguar në paraburgim, ndërsa i biri është marrë nga shërbimet sociale. Dje në mëngjes, kur është bërë edhe seanca për vlerësimin e arrestit për 25-vjeçaren ajo është nxjerrë në arrest shtëpie pikërisht për shkak të domosdoshmërisë për t’u kujdesur për të birin.

Maskat grabisin 800 mijë lekë në dyqan në Tiranë

Një grabitje me armë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Sipas burimeve, ngjarja ndodhi në rrugën “Kongresi i Manastirit”në kryeqytet”, në një dyqan interneti. Burimet e policisë bënë të ditur se, një person i maskuar dhe i armatosur ka hyrë në qendrën e internetit dhe nën kërcënimin e armës i ka marrë operatorit të shitjes shumën monetare rreth 80,000 lekë të reja. Burimet e policisë bënë të ditur se grabitësi është rreth të 25-ve, dhe pas marrjes së parave është larguar në drejtim të paditur për policinë. Policia tha se, grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj vepre kriminale.

Do të prishim paktin e krimit me politikën

Lulzim Basha

Nuk mendoj se ka shumë vend për koment. Ne si Parti Demokratike kemi që prej fillimit të kësaj qeverie që kemi denoncuar si problem kryesor të saj, lidhjen me krimin. Kjo është prova më e qartë e mënyrës se si krimi ka kapur politikën, si krimi ka kapur shtetin.
Në qoftë se ka një gjë të re këtu, është se lidhja krim-politikë ka dalë haptas.
Dy raste ka kur lidhjet dalin haptas. Një është rasti i automjetit të ministrit të Brendshëm të vënë në dispozicion të një tjetër bande të rrezikshme të vendit, bandës së Habilajve për narkotrafikim.
Dhe ky është rasti i dytë ku kemi një dokument zyrtar të firmosur nga kryetari i Bashkisë, i cili i ofron një vend pune në Bashki, si një kusht për lirimin e Lul Berishës të dënuar përjetë, si një nga kokat kryesore të krimit të organizuar, për pesë vrasje dhe terrorizim jo vetëm të Durrësit, por të gjithë Shqipërisë.
Pra, çfarë komenti mund të bëjmë këtu, nuk është rasti i vetëm, kishim rastin e Klement Balilit para dy ditësh, kemi rastin e Armando Prengës.
Ky njeri është arrestuar në vitin 2006 pas një përpjekje titanike të policisë gjatë qeverisjes tonë, sepse ky njeri bënte ligjin. Ka qenë një nga figurat e denoncuara me emër e mbiemër gjatë opozitës së Partisë Demokratike 2001-2005, ndoshta edhe më herët.
Është arrestuar në Maqedoni, që tregon që shteti shqiptar ka bërë një përpjekje ekstra për arrestimin e një prej kokave kryesore të krimit në Shqipëri dhe rajon. Është dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykatat e vendit nga të njëjtat gjykata.
Çështja qëndron këtu: Zv/kryeministri i Ramës në Parlament tha: “Çfarë të keqe ka t’i jepet mundësia si çdo qytetari tjetër të bëjë punë vullnetare në bashki?!”.
E para, bëhet fjalë për një nga kokat e krimit të organizuar, i dënuar për këtë çështje. E dyta, çfarë do të thotë kjo, që Lul Berisha do të mbledhë kanoçe në plazhin e Durrësit?! Ka njeri që e beson këtë? Pra, ka njeri që të besojë se e kanë nxjerrë nga burgu që të ndihmojë Vangjush Dakon të pastrojë plazhin e Currilave apo plazhin e Durrësit?!
Pse kemi ardhur këtu, sepse janë gjykatat, janë të njëjtit gjyqtarë që e kanë dënuar përjetë më 2006 Lul Berishën. Çfarë ka ndryshuar, çfarë ka ndryshuar që mes të të njëjtëve gjyqtarë, të të njëjtës trupë, që atëherë patën guximin pasi policia e arrestoi, të bënin një proces të rregullt gjyqësor, ta dënonin dhe këtyre sot, që me një letër të kryebashkiakut të Durrësit, që njihet si njeri shumë i afërt i kryeministrit, ta lirojnë?
Kjo është pjesa kryesore e çudisë, sepse ndahen në dy pikëpamje: A është drejtësia e korruptuar, nëna e politikës së korruptuar apo bija e politikës së korruptuar?! Unë besoj se drejtësia e korruptuar është produkt i politikës së korruptuar. Politika e korruptuar, politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin kanë nevojë për një drejtësi të kapur, të korruptuar, të shantazhueshme, për një drejtësi që t’i diktojnë vendime, siç është ky vendim.
Politikanët nuk u korruptuan sepse kemi gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, politikanët investuan për gjyqtarë dhe prokurorë të kapshëm, të shantazhueshëm, të korruptueshëm dhe ky është një nga frytet e këtij bashkëpunimi midis politikës së inkriminuar dhe të korruptuar dhe segmenteve të korruptuara të gjyqësorit.

Në lidhje me aktivitetin opozitar të PD-së

Kjo është një opozitë me produkt thelbësor dhe ndoshta ndër më të suksesshmet në historinë e vendit. Pavarësisht se nuk kemi numrat në Kuvend, ne kemi arritur si fitore kauza për shqiptarët siç është çështja e dekriminalizimit, reforma në drejtësi që nisi si përpjekje për të kapur drejtësinë, por falë ndërhyrjes së Partisë Demokratike më 22 korrik u përmbyll si një reformë e standardeve evropiane, në sensin kushtetues. Është çështja e drogës që kur ne nisim ta denonconim me protesta, me denoncime konkrete, të shumtë ishin ata dhe në media na përqeshnin, bënin humor me mushkonja.
Këto janë çështje të interesit publik dhe pa denoncimin tonë dhe pa rolin tonë aktiv asnjë prej këtyre çështjeve nuk do të kishte arritur aty ku është sot.
Qytetarët kanë pritshmëri ndaj opozitës. Kjo është një shenjë që shqiptarët duan ndryshim. Dhe unë i kuptoj këto pritshmëri ndaj opozitës. I mirëkuptoj. Mirëkuptoj edhe skepticizmin, mirëkuptoj edhe mosbesimin. Fakti që këta kanë bërë këto, që kanë bërë këto 3 vite nuk vjen si avantazh për opozitën.
Pasi kjo ka zhbërë besimin te politika si instrument ndryshimi. Dhe të shkatërrosh besimin te politika, si instrument ndryshimi në demokraci, do të thotë të shkatërrosh besimin tek e ardhmja. Sepse rrugë tjetër për të ndryshuar në demokraci përveç politikës që i shërben interesit publik, nuk ka.
Padyshim që opozita përdor edhe instrumentin e protestës. Dhe shumë prej këtyre protestave janë edhe përballje force.
Pa dyshim që protesta mbetet një teknikë e opozitës, por nuk është qëllim në vetvete. Qëllim në vetvete është që t’i shërbejë interesit publik duke frenuar arrogancën, arbitraritetin, abuzimin dhe duke hapur shtigje të një politike në shërbim të qytetarit.
Në fund të fundit, ideja se opozita ka një shkop magjik, është një ide për mendimin tim irreale. Shkopin magjik e kanë qytetarët. Quhet votë. Opozita ka detyrën që qytetarëve t’u ofrojë alternativën për të votuar. Ne këtë kemi bërë.
Ke nga njëra anë Elvis Rroshin, Armando Prengën, Klement Balilin, Lul Berishën e shumë e shumë dhe Edi Ramën që i mban bashkë. Ke një opozitë që ka dalë qartë kundër tyre. Me ligj, me qëndrime dhe me alternativë.
Ke një Shqipëri të mbuluar me drogë. Ke një opozitë, e cila ka dalë me një alternativë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo fatkeqësi. E para, duke prishur paktin e krimit me politikën. Po nuk prishëm paktin e krimit me politikën, problem i drogës do të jetë edhe më i madh.
E dyta, duke rivendosur kontroll të rreptë të kufijve tanë, duke përfshirë moratoriumin, i cili funksionon.
E treta, duke i dhënë mundësi fermerëve dhe të gjithë atyre që sot bukën e fëmijëve të tyre nuk kanë ku ta sigurojnë, prandaj kthehen te droga, që të kenë mundësi të krijojnë mirëqenie përmes djersës së punës së tyre, duke mbështetur bujqësinë me subvencione.
Partia Demokratike ka detyrën të frymëzojë shpirtin e protestës. Të frymëzojë shpirtin e përballjes. Dhe kjo është një detyrë shumë e vështirë në rrethanat e sotme. Se ju përballeni përditë edhe si njerëz të medias, me çfarë regjimi hibrid po përballemi.
Kjo është detyra ime si opozitar. Është detyrë e juaja. Detyra juaj është të ndihmoni këtë përpjekje. Jo të bëni opozitën e opozitës. Se unë e kam thënë edhe më parë: Opozita e opozitës është vija e fundit e mbrojtjes së qeverisë.

Në lidhje me Vettingun

Vettingu është mbyllur më 22 korrik. Vettingu është kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në parim ne e mbyllëm më 22 korrik. Në momentin që është në Kushtetutë ajo do të zbatohet dhe nuk ka diskutim. Dhe si u fut në Kushtetutë? U vendos një trupë e kualifikuar prej 12 vetash të përzgjedhur me ndihmën e BE-së, do të bëjnë kontrollin e figurës së gjyqtarit dhe prokurorit.
U vendos me konsensus, u votua. Këta janë të pavarur nga politika, janë me kritere, janë seleksionuar nën vëzhgimin e  BE-së. Pasi ramë dakord me këtë, del Edi Rama dhe këta dhe bëjnë një ligj dhe thonë Vetting-un do ta bëjnë drejtori i kryeministrit në Kryeministri, drejtori i Sajmir Tahirit në Ministri të Brendshme, drejtori i Arben Ahmetaj në Ministrinë e Financave.
Kjo është e papranueshme sepse kjo ka për qëllim t’i ruajë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe t’i përdorë për të liruar Lul Berishën. Kjo nuk do t’i japë shqiptarëve drejtësinë e pakorruptuar. Ata gjyqtarë që janë sot i futën në burg këta, kur ishim ne në qeverisje, sepse politika e korruptuar pjell sistem drejtësie të korruptuar.
Ne do të zbatojmë Kushtetutën.
Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar do të largohen. Politikanët e lidhur me krimin socialistë dhe demokratë të djeshëm, të sotëm apo të nesërm do të përballen me ligjin.

Në lidhje me biznesin dhe koncesionin e laboratorëve

Taksat tona të ulëta, me 9% taksën e sheshtë, me uljen e 15% të TVSH, me këto shqiptarëve iu kthehen 1 miliard euro në xhep në vit, është 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto që ne do t’jua kthejmë me taksa të ulëta. Ekonomia do të zhvillohet se nuk do të jetë në kontrollin dhe dëshirën e Kryeministrit, kryedoganierit, inspektorit. Njerëzit do të jenë të lirë të punojnë me djersën e ballit, Shqipëria kështu eci, nga vendi më i varfër në Europë deri këtu ku është sot, por sot ka një fatkeqësi të madhe. Se nuk ecën dot përpara sipas meritës, sipas ideve, sipas kapitalit.
Por sepse vendos kryeministri cili biznes do të ecë përpara e cili jo, vendos doganieri, tatimori, kush do të ecë përpara e kush jo. Kjo do të marrë fund. Inspektoratët, tatimorët, doganierët do të futen në kazerma, në zyra, nuk do të jenë duke terrorizuar biznesin gjithë ditën. Sipërmarrjes qeveria e ardhshme do t’i bëjë të mundur t’i lehtësojë kushtet dhe t’i krijojë kushtet për të punësuar më shumë, fermerët do të marrin subvencione. 140 milionë dollarë nuk do t’i marrin 11 miqtë e Lulzim Bashës, por do t’i marrin fermerët.
RAPISCAN-i është një koncesion, i cili nuk do të anulohet sepse i shërben sigurisë së kufijve dhe veçanërisht sot nuk do të anulohet. Është mënyra se si e bëjnë një shtet të korruptuar. Por po të kesh kryetarët e bashkive që lirojnë kriminelë ç’pret nga punonjësit e RAPISCAN-it?! Shteti është i kriminalizuar dhe të punojnë punonjësit e RAPISCAN-it, kur kryeministrin e ke duke drekuar dhe darkuar me banditët. Çështja është këtu. Qëndrimi ynë është kundër koncesionit të laboratorëve pasi është vazhdim i skemave korruptive të shëndetësisë që po u kushtojnë shqiptarëve. Partia Demokratike do të anulojë këto koncesione dhe do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe financiare ata që kanë abuzuar.

Për hapjen e PD-së

Partia Demokratike, ka një model transformimi, i cili është model modern, europian. Në bazë të saj është vota. Vota e anëtarësisë sot, vota e qytetarëve nesër. Dhe mundësia që çdokush të konkurrojë në bazë të aftësive dhe vlerave të veta.
Edhe unë jam produkt i hapjes së PD-së. Unë jam produkt i hapjes së Shqipërisë, që më dha mundësinë të shkoja në një vend perëndimor. Të merrja edukim në një vend perëndimor. Dhe së dyti, jam një produkt i hapjes së Partisë Demokratike që në një moment të caktuar, kuptoi rëndësinë e hapjes ndaj njerëzve, të cilët i kanë ndërtuar vlerat e tyre jashtë politikës, por që duan t’i ndajnë këto vlera për të ndryshuar Shqipërinë.
Kam qenë 17 vjeç kur është themeluar Partia Demokratike. Kam qenë 19 vjeç kur jam larguar nga Shqipëria. Sot jam kryetari i Partisë Demokratike. Dhe sot është radha ime të bëj jo thjesht çfarë është bërë dje. Për të hapur më shumë Partinë Demokratike. Për të hapur mendjet, jo thjesht për të hequr gardhin. Dhe për t’i dhënë Partisë Demokratike frymëmarrje moderne perëndimore. Ky është shërbimi që i bën Partia Demokratike interesit publik.

Në lidhje me drogën

E para, është prishja e paktit të politikës me krimin që do të thotë largimin e personave me rekorde kriminale nga çdo nivel vendimmarrës, Kuvendi, bashkitë, policia, taksat, tatimet, inspektoratet!
Pa u bërë kjo, asnjë përpjekje nuk do të ketë sukses! Nuk ka ushtri europiane apo amerikane të asgjësojë problemin e drogës në Shqipëri në qoftë se ne nuk prishim paktin e politikës me krimin.
Së dyti, një sërë hapash që kërkojnë vullnet politik! Vendosje të moratoriumit mbi mjetet lundruese edhe një herë deri në kurimin e këtij problemi, vendosje dhe rivendosje të plotë të kontrollit të territorit dhe të kufijve edhe përmes strukturave të specializuara për të cilat Departamenti i Sigurisë në Partinë Demokratike ka një propozim solid dhe serioz që kam patur rastin ta konsultoj javën e shkuar me ekspertë të sigurisë të Komisionit Europian duke iu kërkuar edhe ndihmë financiare!
Bëhet fjalë për xhandarmërinë kombëtare, e cila do të ketë në dispozicion mjete të mjaftueshme për të kontrolluar të gjithë territorin. A do ta bësh është çështje vullneti, ndarja e politikës me krimin është pjesë e vullnetit. Do të ndahemi me krimin! Nuk është e vërtetë që droga ka sjellë përparim në Shqipëri, një grusht bosësh ndoshta janë bërë të pasur, shumica e shqiptarëve janë bërë më të varfër! Tepelenësit, gjirokastritët!

Aleppo, dështimi i madh i komunitetit ndërkombëtar

Gjendja në Aleppo është dramatike. Në intervistë për “DW”, Conny Lenneberg nga World Vision ngre akuza të rënda kundër OKB-së. Conny Lenneberg-ut i lexohet tronditja në fytyrë, zëri i saj dridhet, ajo përpiqet ta mbajë veten nën kontroll. Lenneberg punon si drejtore rajonale për Lindjen e Mesme në organizatën e ndihmës World Vision. Që prej 25 vjetësh ajo punon në sektorin e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin. Ajo që po ndodh aktualisht në Aleppo e ka shtangur atë:
“Gjendja atje është aktualisht katastrofale, nuk ka asnjë spital funksionues, nuk ka asnjë përkudjesje mjekësore, në pjesën më të madhe nuk mund të garantohet as furnizimi bazë me ujë e ushqime”.
Aleppo konsiderohej si bastioni i fundit i rebelëve sirianë. Ndërkohë ushtria siriane me mbështetjen e Rusisë dhe të Iranit pothuajse e ka rivendosur nën kontroll qytetin. Nën presionin e Rusisë dhe të Turqisë udhëheqja siriane në fillim të javës u shpreh e gatshme për armëpushim. Por që nga 14 dhjetori megjithatë sërish ka pasur luftime. Gazetarët në terren e paraqesin qytetin në rrënoja.

Frikë për popullsinë civile
Organizata e ndihmës World Vision është aktive prej vitesh në Siri. Kjo nuk është një detyrë e lehtë. Conny Lenneberg synon në radhë të parë që të sigurohet furnizimi bazë me ujë dhe ushqime. Ajo preokupohet për popullsinë civile.
“Ne kemi frikë të madhe se çfarë po ndodh me popullsinë civile. Fakti, që fëmijët, gratë e burrat, të cilët nuk kanë të bëjnë me konfliktin e armatosur, por ndodhen midis dy fronteve, nxjerr në pah dështimin e plotë të bashkësisë ndërkombëtare”.
Vazhdimisht janë shuar shpresat për një paqe të qëndrueshme. Se sa e turbullt është situata dhe sa e përçarë bashkësia ndërkombëtare në konfliktin e Sirisë kjo u duk qartë në vjeshtë: Në fillim të tetorit SHBA i pezulloi bisedimet direkte me Rusinë për armëpushimin në Siri.
Kësisoj lufta civile vazhdon të gjëmojë në Siri me të gjithë forcën e saj. Që prej shpërthimit të saj në vitin 2012 miliona njerëz kanë rënë viktimë.

Një popull në arrati
Mizoria e luftimeve i detyron njerëzit të marrin arratinë. Në të gjithë vendin që prej shpërthimit të luftës ndodhen 12 milionë njerëz në arrati. Këta janë më shumë se gjysma e popullsisë siriane. Conny Lenneberg në sfondin e shifrave tronditëse e shpreh hapur indinjatën e saj për paaftësinë e bashkësisë ndërkombëtare.
“A e dini, unë si fëmijë jam rritur me histori nga Lufta e Dytë Botërore. Gjyshja ime gjithmonë më ka treguar, se si ajo, një nënë e re me katër fëmijë, kishte marrë arratinë. Në mes të dimrit, pa e ditur, se ku po shkon, ku mund të jetë streha më e afërt e ku mund të gjente diçka për të ngrënë. Pas luftës OKB-ja u themelua pikërisht për një arsye: që të parandalojë përsëritjen e një vuajtjeje të tillë”. “Në Siri, sipas Lenneberg tërësisht e dëshpëruar, “ne shohim prej katër vjetësh, që bashkësia ndërkombëtare nuk është në gjendje t’i përgjigjet detyrimit të saj”.

Gjermania deporton refugjatët afganë

Autoritetet gjermane hodhën poshtë kërkesat për strehim të 30 refugjatëve afganë. Refugjatët ishin të parët në mesin e 12 mijë afganëve, që qeveria gjermane ka në plan t’i kthejë me forcë në Afganistan, sipas një marrëveshjeje dypalëshe.
Zyrtarët gjermanë thanë se emigrantëve ju dhanë urdhra deportimi dhe në fillim të janarit pritet që një tjetër avion me emigrantë të kthehet në Afganistan.
Emigrantët afganë që mbërritën në Aeroportin e Kabulit shprehën zhgënjim për dëbimin e tyre, pasi kishin jetuar në Gjermani për disa vjet.
Ata u kthyen në Afganistan, ku që nga dhjetori i vitit 2014, situata e sigurisë atje u keqësua, pasi forcat ndërkombëtare u tërhoqën nga vendi.
Mijëra afganë ju bashkuan azilkërkuesve nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe zona të tjera, të cilët që nga viti 2015 hynë në Europë dhe kërkuan strehim.
Zyrtarët gjermanë thonë se afganët ishin grupi më i madh i azilkërkuesve në Gjermani në vitin 2016, pas sirianëve.
Në fillim të javës, në Kabul u kthyen edhe mbi 20 afganë, të cilëve nuk u ishte dhënë strehimi në Norvegji dhe Suedi.

Presidenti rus Putin për një vizitë në Japoni

Presidenti rus, Vladimir Putin ka shkuar në Japoni për dy ditë bisedime me kryeministrin Shinzo Abe, lidhur me disa mosmarrëveshje territoriale, që i kanë penguar dy vendet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje, e cila do t’i jepte fund zyrtarisht armiqësive të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.
Zotin Putin e çuan me autokolonë në një pikë termale në Nagato, vendi i të parëve të kryeministrit japonez.
Para se të fillonin diskutimet, kryeministri japonez Abe u tha gazetarëve, se shpresonte që burimet e nxehta termale, do t’i lehtësonin bisedimet:
“Këto burime termale të ndihmojnë të marrësh veten nga lodhja. Pra, edhe nëse lodhemi shumë pas bisedimeve, unë premtoj se do të rifreskoheni plotësisht”.
“Është shumë mirë që burimet e nxehta termale të ndihmojnë të marrësh veten. Por mendoj se më e mira është të mos lodhemi nga këto bisedime”, u përgjigj zoti Putin.
Udhëheqësit do t’i japin fund bisedimeve të premten në Tokio.
Kryeministri japonez shprehu shpresën për zgjidhjen e fatit të katër ishujve në brigjet veriore të vendit, që njihen si Territoret Veriore në Japoni dhe Kurilet Jugore në Rusi.
Ishujt u pushtuan nga forcat sovjetike në vitin 1945, duke detyruar largimin me forcë të rreth 17 mijë banorëve japonezë. I ati i kryeministrit japonez, që nuk jeton më, ish-ministri i Jashtëm Shintaro Abe, u përpoq pa sukses të negocionte me Moskën për ishujt, tri dekada më parë.
Zoti Putin nuk pritet të bjerë dakord për t’i kthyer Tokios kontrollin e katër ishujve. Por vëzhguesit thonë se ai kërkon gjithashtu të sigurojë investime japoneze në Rusi, për të zbutur ndikimin e sanksioneve ekonomike të ndërmarra nën udhëheqjen amerikane për shkak të rolit të Moskës në krizën e Ukrainës.

Rinovohen sanksionet e BE-sё ndaj Rusisё

Sanksionet e vendosura pёr shkak tё krizёs nё Ukrainё do tё vazhdojnё edhe pёr gjashtё muaj. BE-ja e akuzon qeverinё nё Moskё, se mbёshtet separatistёt nё Lindje tё Ukrainёs. Sanksionet qё ka vendosur BE-ja ndaj Rusisё pёr shkak tё konfliktit nё Ukrainё do tё shtyhen edhe pёr gjashtё muaj. Pёr kёtё ranё dakord nё samitin (15.12) nё Bruksel kryetarёt e shteteve dhe tё qeverive tё vendeve tё BE-sё, njoftojnё agjencitё e lajmeve.

Sukses pёr Berlinin dhe Parisin
Kryesisht Gjermania dhe Franca u angazhuan qysh pёrpara samitit pёr zgjatjen e sanksioneve. Meqenёse zbatimi i marrёveshjes sё Minskut nё konfliktin e Ukrainёs “po realizohet me shumё vёshtirёsi” do tё jetё “e domosdoshme qё tё shtyhen edhe njё herё sanksionet ndaj Rusisё”, deklaroi kancelarja Angela Merkel (13.12) nё kuadёr tё takimit me presidentin francez, Francois Hollande.
Sanksionen janё njё reagim ndaj aneksimit tё gadishullit tё Krimesё nga Rusia, si dhe mbёshtetjes qё u jep Moska separatistёve pro rusё nё lindje tё Ukrainёs. Krahas bllokimit tё pasurive dhe udhёtimeve ndaj protagonistёve tё krizёs sё Ukrainёs qё nga viti 2014, BE-ja ka vendosur sanksione tё zgjeruara ekonomike ndaj Rusisё.

Kosova zyrtarisht me kodin telefonik 383

Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, (ITU) i ndau ditën e enjte Kosovës zyrtarisht kodin e saj telefonik 383. Lajmi u mirëprit në Prishtinë. Kosovës edhe zyrtarisht nga ditën e enjte (15.12) iu nda kodi telefonik 383. Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit e vendosi Kosovën në listën zyrtare të shteteve që kanë kode telefonike dhe e publikoi në faqen e vet zyrtare. Ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, e cila ishte tash e gjashtë vjet pjesë e këtyre bisedave me Serbinë, tha se ky lajm përbën një arritje historike për Kosovën. “I bëjmë me dije opinionit se ITU në pajtim me marrëveshjen e telekomit ka publikuar kodin telefonik për Kosovën. Ky lajm përbën një arritje historike për fushën e telekomit dhe fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, tha në një reagim të parë të saj, ministra Edita Tahiri.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. “Kosova ka shënuar një arritje të madhe duke bërë një hap të rëndësishëm në kompletimin e elementeve të shtetësisë. Ndarja e kodit telefonik ndërkombëtar e forcon sovranitetin dhe subjektivitetin e shtetit”, tha kryeministri Mustafa. Ndarja e kodit telefonik për Kosovën u bë e mundur pas një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Serbia është pajtuar që mos ta pengojë Kosovën në marrjen e kodit të saj telefonik, ndërsa, Kosova tash është e obliguar që t’ia lejojë shërbimet në Kosovë një kompanie serbe, por që kjo kompani të regjistrohet me rregullat dhe ligjet e shtetit të Kosovës.
Kjo kompani, “do të veprojë me leje të plotë për shërbimet telefonike në Kosovë dhe do të marrë autorizimin e përkohshëm për telefoninë mobile”. Kosova që nga paslufta vazhdon të shfrytëzojë tri kode telefonike, 381 që ishte pronë e ish-federatës jugosllave, kodet për telefoninë celulare, 377 kodin telefonik të Monakos dhe 386 kodin telefonik të Sllovenisë. Zyrtarë të lartë nga Posta dhe Telekomi i Kosovës, thanë se që nga paslufta, Kosova duke shfrytëzuar kodet e huaja telefonike është detyruar të paguajë mbi 200 milionë euro. Sipas tyre kodi i ri 383 telefonik i Kosovës, do të fillojë të aplikohet nga janari i vitit 2017 dhe përfitimet e Kosovës për një periudhë të caktuar sipas tyre do të jenë mbi 100 milionë euro.