Presidenti i zgjedhur, Donald Trump u takua me drejtues të disa prej kompanive më të mëdha teknologjike amerikane, shumë prej të cilëve ishin ndër kritikët më të ashpër të tij gjatë fushatës elektorale. Por, gjatë diskutimeve në takim nuk pati shenja të kësaj armiqësie. Zyra e zotit Trump tha se ai dëshiron të fillojë një dialog dhe një partneritet për të nxitur novacionin dhe për të krijuar më shumë vende pune.
Në takimin në shtabin në Nju Jork të zotit Trump merrnin pjesë drejtorja e operacioneve të firmës “Facebook”, Sheryl Sandberg, drejtori i firmës “Amazon”, Jeff Bezos, drejtori i firmës “Tesla”, Elon Musk, si dhe bashkëthemeluesi i firmës “Google”, Larry Page.
Zoti Trump përdori një ton të përzemërt dhe pajtues në fillim të takimit. “Janë të pashoq njerëzit që ndodhen në këtë sallë… Ne duam që të vazhdoni me novacionin tuaj të jashtëzakonshëm. Do t’ju ndihmojmë me gjithçka që mundemi”, tha zotit Trump.
Zoti Trump u kërkoi drejtuesve t’i telefonojnë drejtpërsëdrejti sa herë dëshirojnë të bisedojnë dhe sugjeroi që të takohen rregullisht, ndoshta çdo tremujor.
Zyra e Presidentit të zgjedhur tha se ai ishte i hapur dhe dëgjoi me vëmendje gjatë diskutimit dhe se kjo përqasje e tij u vlerësua së tepërmi nga drejtuesit e kompanive teknologjike.
Asnjë nga drejtuesit nuk foli pas takimit me gazetarët, por zoti Bezos qarkulloi një deklaratë ku diskutimi përshkruhej si shumë produktiv.
Ai njoftoi se pati ndarë pikëpamjen e tij që administrata duhet ta shndërrojë novacionin në një nga piketat e saj kryesore, si diçka që do të krijonte vende të shumta pune në të gjithë vendin, jo vetëm në teknologji, por edhe në të gjithë sektorët – në bujqësi, në infrastrukturë, në manifakturë dhe kudo tjetër.
Shumë nga drejtuesit e firmave teknologjike patën përpara zgjedhjeve mosbesim të fortë rreth presidencës Trump, për shkak të kritikës së tij të fortë ndaj Kinës, kërcënimeve për të anuluar marrëveshjet e tregtisë dhe planet për të ulur emigracionin, gjë që do të ulte numrin e punonjësve të kualifikuar për kompanitë teknologjike.
Dje, një letër e hapur drejtuar zotit Trump, e nënshkruar prej punonjësve të mbi 200 kompanive teknologjike, deklaronte zotimin e tyre për të mos e ndihmuar administratën e tij për krijimin e një regjistri njerëzish sipas përkatësisë së tyre fetare apo për t’u përdorur për deportimin e tyre.
Gjatë fushatës, zoti Trump u përplas shpesh me kompanitë e Silicon Valley. Ai u bëri thirrje votuesve të bojkotojnë kompaninë “Apple” për shkak të qëndrimit të saj rreth privatësisë, si dhe premtoi që kjo firmë do të fillojë të prodhojë kompjuterat dhe celularët iPhone në territorin amerikan.
Ai u përball me drejtorin e firmës “Facebook”, Mark Zuckerberg, për çështjen e emigracionit dhe akuzoi zotin Bezos që po e përdor gazetën në pronësi të tij, “The Washington Post”, si një skemë për të shmangur taksat. E përditshmja me influencë ka kritikuar zotin Trump në faqen e saj editoriale.
Zoti Trump u premtoi drejtuesve të kompanive të teknologjisë se do të hartojë marrëveshje tregtie të drejta, të cilat do t’ua lehtësojnë atyre tregtinë me vende të tjera.
Përpara takimit, drejtuesja e kompanisë “Oracle”, Safra Catz, tha se nëse zoti Trump do të mundet të reformojë kodin e taksave, të pakësojë rregullat shtrënguese dhe të negociojë marrëveshje më të mira tregtare, atëherë komuniteti i teknologjisë në SHBA do të jetë më i fortë dhe më konkurrues se kurrë më parë.
Zoti Trump emëroi zyrtarisht ish-guvernatorin republikan të Teksasit, Rick Perry, dikur kundërshtar i tij politik, për të drejtuar Departamentin e Energjisë, për të cilin zoti Perry pati thënë se duhej shkrirë.
Në fillimet e hershme të garës presidenciale, zoti Perry e pati quajtur zotin Trump “një kancer të konservatorizmit”. Por, pasi u largua vetë nga gara, e mbështeti kandidaturën e zotit Trump, duke e quajtur “zgjedhjen e popullit”.
Departamenti i Energjisë mbikëqyr arsenalin bërthamor të SHBA-së dhe nxit zhvillimin e projekteve në mbrojtje të mjedisit.
Kritikët thonë se zoti Perry do ta heqë vëmendjen e departamentit ndaj energjisë së rinovueshme dhe do ta rikthejë tek nafta dhe burimet e ngurta energjetike, të cilat zoti Perry i promovoi në shtetin naftëmbajtës Teksas, të cilin e shndërroi njëkohësisht edhe në prodhues kryesor të energjisë nga era.
Presidenti i zgjedhur gjithashtu emëroi Ronna Romney McDaniel, kryetaren e Partisë Republikane në Miçigan, për të drejtuar Komitetin Kombëtar Republikan, që deri tani drejtohej nga Reince Priebus, i cili do të bëhet shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Zonja McDaniel është mbesë e ish-kandidatit republikan për president, Mitt Romney, i cili ishte ndër kandidatët për sekretar Shteti. Ajo do të jetë gruaja e parë kryetare që do të mbajë këtë post pas 40 vitesh, që nga viti 1974 kur ishte kryetare Mary Louise Smith nga shteti Iowa.
Zoti Trump mendohet se do të emërojë gjithashtu ligjvënësin republikan Ryan Zinke nga shteti Montana, një ish-anëtar i forcave speciale të Marinës, për postin e sekretarit të Brendshëm.
Gazeta “The Washington Post”, thotë se zoti Zinke ushtron prej kohësh gjuetinë dhe peshkimin, dhe se mbështet mbajtjen e tokës publike nën pronësinë e qeverisë federale. Kjo do të krijojë kundërshti mes tij dhe anëtarëve të Partisë Republikane që mbështesin privatizimin e tokave federale apo vendosjen e tyre nën kontrollin e shteteve amerikane.
Zoti Trump gjithashtu është shprehur kundër kalimit të tokës federale nën kontrollin e shteteve amerikane.
Kompanitë e teknologjisë së lartë ndryshojnë qëndrim
SHBA, kundërpërgjigje për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje
Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Shtetet e Bashkuara do të “ndërmarrin aksion” kundër Rusisë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale.
Në intervistën për Radion Publike Kombëtare, të publikuar mbrëmë vonë, zoti Obama tha se kishte folur “direkt” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për këtë çështje.
“Mendoj se nuk ka dyshim se kur një qeveri e jashtme përpiqet të ndikojë në integritetin e zgjedhjeve tona… ne duhet të ndërmarrim aksion dhe do ta bëjmë këtë, në kohën dhe vendin që ne do ta zgjedhim. Diçka nga kjo do të jetë e qartë dhe e publikuar, diçka ndoshta jo. Por, zoti Putin është tejet i vetëdijshëm për ndjenjat e mia për këtë, pasi unë fola direkt me të për këtë”, tha Barack Obama.
Këto komente u bënë derisa Shtëpia e Bardhë i ka shtuar sugjerimet se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, personalisht i ka urdhëruar sulmet kibernetike dhe rrjedhjen e e-mail-eve të demokratëve, në përpjekje për ta ndihmuar Donald Trumpin, që të triumfojë ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton.
Më herët, zëvendëskëshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Ben Rhodes, i tha rrjetit “MSNBC” se, “nuk mendoj se gjërat në qeverinë ruse të kësaj rëndësie ndodhin pa dijen e Vladimir Putinit… kur ju bisedoni për ndërhyrje kibernetike sikur kjo, ne flasim për nivelet më të larta të qeverisjes”.
Këto komente të tij u bënë pas raporteve aktuale në media ku janë cituar zyrtarë të paemëruar të inteligjencës amerikane, që kanë thënë se vlerësimet e CIA-s kanë përcaktuar se synim i Rusisë ishte me të vërtetë ta ndihmojë presidentin e zgjedhur, Donald Trump, që t’i shkaktojë disfatë rivales demokrate, Hillary Clinton, në zgjedhjet e 8 nëntorit.
Presidenca e Rusisë dhe Donald Trump i kanë hedhur poshtë këto akuza.
Në muajin tetor, Barack Obama, e ka autorizuar drejtorin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe Departamentin e Sigurisë së Brendshme, për ta publikuar deklaratën ku thuhej se ata janë “të sigurt” se qeveria e Rusisë i ka “udhëhequr” sulmet kibernetike kundër e-mail-eve të Komitetit Kombëtar Demokratik dhe fushatës Clinton, pos të tjerash.
E-mail-et e rrjedhur nga këto ndërhyrje janë parë gjerësisht se e kanë dëmtuar zonjën Clinton në zgjedhje.
Në deklaratën e muajit tetor nuk është përmendur presidenti rus, Vladimir Putin, ose nuk ishte sugjeruar se përpjekjet e dyshuara ruse kishin për qëllim ta ndihmonin Trumpin, i cili ka shprehur përkushtim për synim të afrimit me Moskën, pas tensioneve të ashpra ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, për shkak të konflikteve në Ukrainë dhe Siri.
Komentet e zotit Rhodes u bënë më pak se 24 orë pasi në një raport të rrjetit “NBC News” thuhej se zyrtarët e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara besojnë me “nivel të lartë të sigurisë” se Putini personalisht ishte i involvuar në përpjekjet ruse për ndërhyrje në zgjedhje.
Dmitry Peskov, zëdhënës i Putinit, u tha gazetarëve se Kremlini konsideron se raporti është “marri qesharake”.
Duke mos e dënuar në mënyrë të qartë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ishte “i tronditur” nga raporti dhe shtoi se “në pikëpamjen time, budallallëku dhe dështimi absolut i një përpjekjeje për ta bindur dikë për këtë është i qartë”.
Më vonë agjencia “Reuters” i ka cituar tre zyrtarë të paidentifikuar të Shteteve të Bashkuara që kanë thënë se Putin i ka mbikëqyrur sulmet kibernetike të agjencive të inteligjencës ndaj zgjedhjeve amerikane dhe e ka ndryshuar qëllimin – nga diskreditimi i demokracisë së Shteteve të Bashkuara në dhënien e ndihmës për Trumpin.
Rusia, SHBA të japë prova për ndërhyrjen në zgjedhje
Kremlini ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të paraqesin prova për akuzat për përzierje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke thënë se Uashingtoni duhet të tregojë prova ose të heshtë.
“Është e domosdoshme që ose të ndalet të flitet për këtë ose të tregohet ndonjë provë”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
“Në të kundërtën, duket krejtësisht jopërkatëse”, tha Peskov.
Këto komente u bënë dje në Tokio të Japonisë, ku presidenti Putin mban një samit me kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe.
Këtë deklaratë Peskov e bëri një ditë pasi presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Shtetet e Bashkuara do të “ndërmarrin aksion” kundër Rusisë për ndërhyrje në zgjedhje.
Iniesta zbulon mashtrimin e Ronaldinjos
Ronaldinjo do të mbetet gjithmonë një nga lojtarët më të dashur te Barcelona, pasi me të u kthye futbolli i bukur të katalanasit, nën drejtimin e Frank Rajkard. Braziliani ishte një personazh i veçantë jo vetëm me atë që jepte në fushën e lojës, por edhe si e jetonte jetën jashtë saj dhe lidhjen që kishte krijuar me të gjithë shokët e skuadrës.
“Mundo Deportivo” ka publikuar sot një anekdotë të jetës së tij, të treguar nga Andres Iniesta, i cili zbuloi një mashtrim të jashtëzakonshëm që Ronaldinjo u kishte bërë shokëve të skuadrës para “El Clasico”, por me qëllime të mira…
“Pak ditë para ‘El Clasico’ më telefonon në shtëpi Ronaldinjo pas mesnatës. Më thotë ‘Andres, e di që është ora 3 e mëngjesit, por dua të të them diçka. Në qershor largohem nga Barça. Vëllai im po mbyll një marrëveshje me Real Madrid. Janë shifra të pabesueshme, të atij lloji që nuk mund t’u them jo. Ti je i ri, mund të më kuptosh… por të lutem, mos ia thuaj askujt. Ti je ai tek i cili kam më shumë besim’.
Të nesërmen, në fushën stërvitore ishte një qetësi e çuditshme. Të gjithë silleshin në mënyrë të çuditshme, përqafonin Ronaldinjon siç nuk kishin bërë asnjëherë më parë. Vjen dita e ‘El Clasico’ dhe në dhomat e zhveshjeve të ‘Santiago Bernabeut’, Dinjo merr fjalën dhe thotë: ‘Djem, sot luajmë një ndeshje të rëndësishme. Ata janë të fortë, por unë kam zbuluar se jemi si një familje. Ju kam telefonuar secilit prej jush në mes të natës dhe u thashë që largohem, por askush nuk foli. E kuptova që jemi gati të vdesim, duke i mbajtur gjërat brenda para se të tradhtojmë njëri-tjetrin. Do të qëndroj këtu për shumë vite… Tani të dalim në fushë dhe t’u japim një leksion futbolli këtyre të Real Madridit”.
Atë natë, Ronaldinjo luajti një nga ndeshjet më të mira në “Bernabeu” dhe shënoi dy gola. Kur doli nga fusha e lojës, i gjithë stadiumi u çua në këmbë për ta duartrokitur.
Revolucion te Bajerni
Për Bajernin është një statistikë shqetësuese. Observatori i Futbollit, i cili në një studim të fundit përcaktoi moshën mesatare të 5 kampionateve kryesore të Europës nga më i riu te më i vjetri, i renditi gjermanët në vend të 86-të nga 98: mosha mesatare e skuadrës së Ançelotit është 28.15 vjeç. Ndërsa 33-vjeçari Frenk Riberi, ka rinovuar deri më 2018-ën dhe Arjen Robenin (32 vjeç) në prag të kontratës së re, edhe e ardhmja e Ksabi Alonsos (lojtari më i vjetër në klub 35 vjeç) është e hapur. Sipas informacioneve të “Sport Bild”-it, drejtuesit e Bajernit duan që ta vënë në dijeni menaxherin e spanjollit se atij do t’i ofrohet një kontratë 1-vjeçare, por me kusht. Kjo është një shenjë që klubi po mendon për të ardhmen dhe zëvendësimin e veteranit, i cili nga kontrata aktuale përfiton 6.5 milionë euro në sezon dhe pritet t’i bëhet e njëjta ofertë. “Unë nuk kam ende plane”, shpjegon Alonso.
Vendimi pritet të merret në pranverë dhe një alternativë tërheqëse do të ishte edhe transferimi në SHBA. Një rikthim i tij në Spanjë për momentin duket i pamundur, duke qenë se Prokuroria e Madridit ka ngritur akuza për evazion fiskal. Shteti kërkon 2.3 milionë euro gjobë së bashku me 400 mijë euro interesa. Por avokatët e tij do të kenë shansin të thonë fjalën e tyre në Apelin e 22 dhjetorit.
Por a është efikas vazhdimi i bashkëpunimit mes tij dhe klubit gjerman? Statistikat thonë se ai fiton 55.4% të dyluftimeve dhe gabon vetëm 11% të pasimeve. Këto janë statistika të pjesshme, por fatale. Ish-trajneri i Bajernit, Otmar Hicfeld, thotë se ai duhet të rinovojë me një kusht: që të luajë. “Ançeloti duhet të flasë qartë çfarë plani ka. Sepse, nëse Alonso rinovon, atëherë ai duhet të luajë. Ai nuk është një lojtar që mund të ulet në stol. Ai duhet të luajë rregullisht për të qenë në ritëm”, thotë Hicfeld.
Por sido që të vendoset për Alonson, një lojtar për ta zëvendësuar do të kërkohet. Një kandidat ndodhet në skuadër, Xhoshua Kimish. Por klubi do të kërkojë një tjetër mesfushor, nëse Alonso largohet në 2017-ën, sepse duhen bërë llogaritë edhe për atë që do të zëvendësojë kapitenin Lahm në mbrojtje. Adrien Rabiot i PSG-së është një kandidat që është monitoruar nga gjermanët.
Por dëshira e Ançelotit vijon të mbetet një tjetër lojtar i PSG-së, ish-mesfushori i tij Marko Verrati. Rekordmenët janë duke monitoruar edhe zhvillimin e talentit të Dortmundit, Julian Vaigël. Për pasuesin e Lahmit, një kandidat është talenti i Leverkusenit, Benxhamin Henriks dhe Sead Kolashinac i Shalkes.
Bajerni është në kërkim të një mbrojtësi për të zëvendësuar kapitenin Lahm, që nuk e ka vendosur nëse do të tërhiqet në fund të këtij sezoni, apo kur t’i skadojë kontrata në vitin 2018. Por në Angli janë të sigurt se gjermanët po e kërkojnë zëvendësin e yllit të tyre në Premier Ligë. Ai është Erik Daier i Totenhemit, për të cilin interesohet edhe Çelsi.
22-vjeçari është i shqetësuar se mungesa e një vendi fiks në formacionin e Spërsave mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e potencialit të tij, duke i vënë në rrezik edhe vendin në kombëtare. Daier ishte një nga lojtarët më të mirë të “Tre Luanëve” në Europian dhe ai vlerësohet për polivalencën, pasi luan si në krah të mbrojtjes, ashtu edhe në qendër të saj.
“Çmenduri” për Mesin, 100 milionë në sezon
“Çmenduritë” nga Kina nuk kanë të sosur. Në Lindjen e Largët kërkojnë të pushtojnë skenën e futbollit botëror me shifra të çmendura. Tentativa e fundit ka vënë në shënjestër atë që konsiderohet si lojtari më i talentuar në botë Lionel Mesi. Bëhet fjalë për skuadrën e Hebei Fortune, që sipas “Sky Sports” është gati ta peshojë argjentinasin në ar, për ta marrë në kampionatin kinez. Pas kalimit të Carlos Tevez në Kinë, për një kontratë dy vjeçare që do t’i japë Apashit plot 80 milionë euro, aziatikët kanë vendosur të tentojnë edhe Lionel Mesin. Ylli argjentinas është duke zhvilluar bisedime për rinovimin e kontratës me Barcelonën, por Hebei Fortunë, skuadër që drejtohet nga një emër i njohur i futbollit europian, ish-trajneri i Real Madrid dhe Manchester City, Manuel Pellegrini, ka vendosur t’i prishë mendjen Mesit, duke i vënë në tavolinë një ofertë për një kontratë 5-vjeçare me pagë 100 milionë euro neto në sezon, të gjitha për t’u futur në xhep, pa përfshirë këtu taksat.
500 milionë euro në një kontratë janë diçka në kufijtë e të paimagjinueshmes, por Hebei nuk është se e ka për të parën herë që bën kontrata faraonike, duke qenë se ka angazhuar Ezequiel Lavezzin, me një pagë prej 13 milionë eurosh në vit, ndërsa ish-futbollistin e Romës, Gervinho e mori me një akord për t’i paguar 150 mijë euro për çdo ndeshje. Tani ëndrra e tyre është Mesi, të cilit i skadon kontrata në vitin 2018, me Barcelonën që i ofron për rinovimin një rritje të ndjeshme të pagës, duke e çuar atë në 35 milionë euro në sezon, nga 24 milionë euro që merr argjentinasi aktualisht.
Shangai Shenua 80 milionë euro për Tevez
Carlos Tevez tundohet nga milionat e eurove. Kur ish-sulmuesi i Juventusit u largua nga Torino në vitin 2015, ai kishte vetëm një skuadër në mendje, atë të Boca Junior, ekip ku kishte nisur hapat e tij të parë si futbollist profesionist dhe ku dëshironte që të mbyllte karrierën e tij. Por, në ditët e sotme, kur në sportin e futbollit, qarkullojnë miliona euro është e vështirë t’i rezistosh tundimit e një gjë e tillë i ka ndodhur sulmuesit argjentinas. 80 milionë euro në dy vite është shuma që i është ofruar, Tevezit nga ekipi i Shangai Shenua.
Nëse transferimi i 32-vjeçarit realizohet, Boca Junior do të përfitojë 16.5 milionë euro, një shifër e konsiderueshme, duke patur parasysh që Apashi ka një kontratë me ekipin argjentinas që skadon më 2018, shto këtu edhe moshën e tij. Arsyet që e kanë bindur Tevezin për të pranuar ofertën është se ai ndihet i lodhur nga futbolli argjentinas. Këtë e pohojnë dhe miqtë e tij të afërt, madje edhe ai vetë disa herë ka lënë të kuptohet se një aventurë e re në kampionatin kinez do t’i pëlqente. Nga ana tjetër, duket se tifozët do të bëjnë gjithçka për ta bindur sulmuesin të mos largohet, por kampionati kinez po e thërret, bashkë me milionat e eurove. Një ofertë të tillë vështirë t’i thuash jo.
Venger “tallet” me Manchester Cityn
Të dielën në orën 17:00 në “Stadiumin Etihad” do të zhvillohet dueli i javës në Premier League, takim ku ekipi i Arsenalit do të bëj çmos për të ruajtur ndaj Manchester City-t ecurinë pozitive në përballjet ndërmjet tyre, që në fakt zgjat prej plot 6 ndeshjesh. Një sfidë tepër e veçantë për fansat e këtyre dy klubeve, për vetë rrethanat, sidoqoftë trajneri i “topçinjve” Arsene Venger mundohet t’i thjeshtojë gjërat, duke shpjeguar pak a shumë atë çfarë nevojitet për të bërë mirë në një ndeshje të tillë.
“Ndeshje të mëdha me Sitin? Duhet që të mbrojmë mirë, që të gjithë së bashku dhe të mos kemi ndrojtje, çdo herë që kemi topin, duke u përpjekur për të sulmuar, sepse kjo është filozofia jonë dhe mbi të gjitha është pikërisht gjëja që nevojitet në një ndeshje të tillë, megjithatë nuk duhet të harrojmë gjithashtu që City është një skuadër tepër e fortë kur luan në sulm, ndoshta akoma më shumë tani me Guardiolën, kështuqë duhet të jemi të përqendruar për t’u mbrojtur sa më mirë”, u shpreh Venger.
67-vjeçari nga Alsasa foli gjithashtu edhe për periudhën e ngjeshur të dy skuadrave, duke patur parasysh edhe impenjimet e shumta në Kupat e Evropës. “Unë besoj se në Premier League çdo takim është i vështirë dhe në çdo ndeshje përballesh me të panjohura. Çdo takim duhet konsideruar si betejë më vete dhe skuadrat që janë të përfshira në Champions League, siç është rasti ynë, janë më të ekspozuara gjatë kësaj periudhe, për shkak të ndeshjeve të mesjavës. Ndaj Evertonit ne paguam shtrenjtë faktin që 3 nga 4 ndeshjet e fundit i kemi luajtur jashtë fushës sonë, pak a shumë njësoj si edhe për kundërshtarët tanë kur duhet të luajnë në Premiership, pasi që të gjithë ekipet në aspektin fizik janë në nivelin më të lartë”, tha ai.
Të dy ekipet kanë stil të përafërt, përsa i përket mënyrës sesi luajnë dhe veterani francez me shaka i etiketon drejtuesit e Sitit si “klientë të mirë”, duke patur parasysh transferimet e futbollistëve të tillë si: Bacary Sagna, Kolo Toure, Gael Clichy, Samir Nasri dhe Emmanuel Adebayor, ndërkaq Wenger nuk beson se Guardiola do të hasë shumë vështirësi në ishull, gjatë periudhës më të ngjeshur të vitit. Jo, për shkak të futbollistëve që ka në dispozicion, pasi bëhet fjalë për lojtarë të Premier League-s, që e dinë shumë mirë se është koha e Krishtlindjes, periudhë vërtet shumë e veçantë”, tha trajneri i Arsenalit.
Fitore ndaj Romës
Në prag të supersfidës mes Juventusit dhe Romës, trajneri i bardhezinjve Masimiliano Alegri u shfaq përpara mediave, për të bërë komentin e tij në lidhje me këtë duel. Sipas teknikut toskan, skuadrën e tij e pret një 90 minutësh shumë i vështirë, ku futbollistët duhet të japin maksimumin. Gjithashtu ai foli dhe për 11-shen e titullarëve që do të zbresin në fushë.
Gonzalo Higuain do të aktivizohet që nga minuta e parë, ndërsa se cili do të jetë partneri i tij, kjo mbetet për t’u parë. “Na pret një ndeshje e vështirë, ku sigurisht nevojitet një punë e madhe nga të gjithë nëse duam të fitojmë. Në sulm do të jetë Higuain, por ende nuk e kam vendosur për shokun e tij të repartit. Mund të luajë Mandzukiç ose Dybala, por të tre bashkë është e pamundur. Do të shikoj se si do të ecë seanca e fundit stërvitore dhe më pas do të vendos”, u shpreh Alegri.
Më tej, Alegri deklaroi se do të luajë edhe Miralem Pjaniç, një ish-futbollist i Romës. Për verdhekuqtë, kreu i stolit bardhezi theksoi se gjatë viteve të fundit, Roma ka treguar se është një kundërshtar i vështirë për t’u mundur.
“Vitet e fundit Roma ka qenë rivali ynë për titullin kampion. Është një skuadër e fortë, e organizuar mirë dhe lojtarë shumë cilësorë. Ndryshe nga fillimi i kampionatit ata po tregohen më të kujdesshëm në mbrojtje. Është një sfidë që nuk vendos kampionatin. Personalisht nuk dua barazimin. Pjaniç do të luajë. Pavarësisht se ai ka qenë një ish-lojtar i Romës, ky fakt nuk e shqetëson atë”, tha Alegri.
Juventusi pas kualifikimit për në fazën e 1/8 në Champions, kërkon ta mbyllë vitin me një bilanc pozitiv, ku përveç 3 pikëshit kundër Romës do të kërkohet dhe triumfi në Superkupën e Italisë kundër Milanit, ndeshje që do të luhet më 23 dhjetor, në Doha të Katarit.
Ky sezon po shkon në mënyrën më të mirë për bardhezinjtë, të cilët përveç se kryesojnë kampionatin e mbyllën në vend të parë edhe fazën e grupeve në UEFA Champions League. Në një intervistë presidenti i kampionëve të Italisë thuri elozhe për skuadrën që drejtohet nga Masimiliano Alegri, ndërkohë që foli me superlativa për këtë Juventus, madje duke thumbuar në njëfarë mënyre edhe skuadrat rivale dhe të gjithë ata që lobojnë negativisht ndaj skuadrës së Masimiliano Alegrit.
“Kanë bashkuar forcat dhe të gjithë janë kundra nesh, principi është se nuk ka rëndësi kush fiton, e rëndësishme është të mos fitojë Juvja. Ky është ambienti që na rrethon, ne duhet të luftojmë për t’u mbyllur gojën edhe dashakeqëve. Duam të vazhdojmë të fitojmë, jemi Juventusi dhe ekzistojmë për të fituar”, deklaroi fillimisht Andrea Anjelli. Më tej numri 1 i klubit bardhezi shtoi: “Kemi dy rrugë përpara, titullin e 6-shtë radhazi në Itali dhe Champions Leaguen. Duhet të marrim si shembull Usain Bolt dhe të shndërrohemi në një legjendë”. Fitimi i një tjetër kampionati mund të rezultojë thjesht një formalitet për Juventusin në këtë sezon, por skuadra e Alegrit me lojtarë si Higuain, Dybala, Mandzukiç, Bonucci e Pjaniç ëndrron të fitojë edhe në Europë, pra të ngrejë lart trofeun e UEFA Champions League, një mision i vështirë, por jo i pamundur për këtë Juventus.
39 paund në minutë, Oskar është më i paguari në botë
Mesfushori brazilian i Çelsit, Oskar, nga janari e më tej do të jetë futbollisti më i paguar në botë. Ai do të transferohet nga blutë e Londrës drejt Kinës te ekipi i Shangai SIPG. Nga ky transferim Çelsi pritet të përfitojë 52 milionë paund, një shumë e konsiderueshme të ardhurash.
Por ai që do të përfitojë më shumë nga ky transferim është vetë futbollisti, i cili do të shndërrohet në më të paguarin në botë. Plot 400 mijë paund në javë, ose 20.8 milionë paund në vit do të paguhet braziliani nga ekipi kinez ku luan dhe bashkëkombasi i tij, Hulk, i cili paguhet 317 mijë paund në javë.
Sipas përllogaritjeve matematikore, paga e Oskarit do të jetë 57,143 paund në ditë ose 2,381 paund në orë, ose 39 paund në minutë, shifra vërtet marramendëse. Me këtë kontratë, braziliani do të lerë pas vetes emra si Kristiano Ronaldo, Mesi apo Bejl.
Për shkak të kontratës së Oskarit me Shangai SIPG, sulmuesi uruguaian i Barcelonës, Luis Suarez, i cili sapo ka rinovuar kontratën e tij me një pagë 240 mijë paund në javë, nuk mund të futet në listën e 10 futbollistëve më të paguar.