Me numrin 14 mbi shpinë, Johan Krujf revolucionarizoi futbollin dhe shkroi me germa të arta historinë e Ajaksit. Prandaj, klubi nga Amsterdami ka vendosur ta nderojë legjendën holandeze që u nda nga jeta më 24 mars të këtij viti. “Harkëtarët” do ta quajnë “Johan Krujf” stadiumin e tyre, që aktualisht mban emrin “Amsterdam Arena”. Drejtuesit e Ajaksit janë në bisedime me familjen Krujf, e cila nuk dëshiron emrin e ndonjë sponsori përkrah atij të Johanit në të ardhmen.
Besiktas në gjurmët e Hykës
Besiktasi në gjurmët e Jahmir Hykës. Ky është lajmi i bujshëm nga Zvicra, ku gazeta prestigjioze “Blick” shkruante se mesfushori i kombëtares shqiptare është një prej lojtarëve që ka tërhequr më tepër vëmendjen te Luzerna. Për shërbimet e 28-vjeçarit përflitet se ka një interesim konkret nga Superliga turke, më saktësisht nga gjigantët e Besiktas. Duke qenë se kontrata e kuqeziut te Luzerna përfundon në fund të sezonit, me paraqitjen e një oferte në tryezën e bisedimeve, klubi zviceran do të ishte gati ta shesë futbollistin menjëherë.
Kjo lë të hapur mundësinë që Jahmir Hyka të largohet prej merkatos së janarit, si mënyra e vetme që Luzerna të mos e humbasë mesfushorin me parametër zero në fund të sezonit. Nëse transferimi te Besiktasi do të realizohej, klubi turk do të bëhej stacioni i katërt i rëndësishëm në karrierën e lojtarit. Në sezonin 2005-2006 Hyka iu bashkua norvegjezëve të Rosenborgut, pa mundur të lërë gjurmë në skuadër, për dy sezone lojtari militoi te gjermanët e Mainz-it, me të cilët luajti edhe në Bundesligë dhe u largua në vitin 2010 për t’u transferuar për një sezon te Panionios në Superligën greke.
Jahmir Hyka ka qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Luzernës në këtë sezon, duke realizuar 6 gola në 15 ndeshje të Superligës zvicerane. Në 12 raste mesfushori shtatshkurtër ka qenë titullar, duke dhënë kontributin që skuadra të pozicionohet e katërta në renditje, vend që siguron biletën e fundit drejt kupave të Europës.
Barça kërkon Taulant Xhakën
Luis Enrique hedh sytë nga Taulant Xhaka. Ky është titulli i një lajmi sensacional për tifozët shqiptarë i portalit “Sportskeda”, që u referohet zërave të merkatos. Diçka e vështirë për t’u besuar, por që gjithsesi mbetet intriguese nga argumentet që paraqet ky portal. Barcelona ka patur probleme të vazhdueshme në krahun e djathtë, ku është aktivizuar veçanërisht Sergi Roberto, por edhe Alex Vidal. Mirëpo Enrique dëshiron me çdo kusht të ketë një tjetër alternativë të besueshme në këtë pozicion për fazën mbrojtëse dhe sheh te lojtari kuqezi profilin e futbollistit që i duhet për këtë rol.
Taulant Xhaka, sipas “Sportskeda”, është një lojtar që mund të luajë edhe në mesfushë në rolin e shkatërruesit dhe i ka treguar cilësitë e tij me Baselin sidomos në përballjet e Championsit. Statistikat e shqiptarit janë të krahasueshme me ato të Ngolo Kante të Chelsea-t.
Kartoni i 25-vjeçarit, vlerësohet nga 20 deri 25 milionë euro dhe tashmë Enrique, sipas “Sportskeda”, thjesht duhet të bëjë ofertën e duhur për ta patur në dispozicion të tij mesfushorin polivalent shqiptar. Pas vëllait të vogël Granit, edhe Taulanti përfundon në merkaton e klubeve të mëdha.
Ndaj Atalantës përqendrim maksimal
Me Superkupën e Italisë vetëm pak ditë larg, trajneri i Milanit, Vinçenco Montela nuk dëshiron që skuadra e tij të mendojë për duelin me bardhezinjtë, pasi këtë të shtunë, kuqezinjtë sfidojnë Atalantën. Dueli me bergamaskët është shumë i rëndësishëm për klasifikimin dhe Montela mbetet 100% i fokusuar.
“Kjo është një ndeshje që mund të na ndihmojë ta mbyllim vitin në vendin e tretë, prandaj për ne është shumë e rëndësishme dhe ky fakt do të na ndihmojë të mos mendojmë përpara kohe për ndeshjen e Dohas”, u shpreh Montela.
Edhe pse Milani u mund nga Roma, Montela kërkon të veçojë gjërat pozitive që skuadra e tij tregoi në fushën e lojës.
“Ndeshja e radhës vjen në një moment shumë të rëndësishëm, pasi duhet të japim një sinjal të vërtetë. Si ne dhe Atalanta jemi mundur në sfidat e fundit, por nuk merituam të dilnim pa pikë. Më vjen mirë që e kaluam pa shumë pasoja humbjen ndaj Romës pasi skuadra është e vetëdijshme që mund të jetë konkurruese. Jemi më të vetëdijshëm për forcat tona dhe nëse do të kishim luajtur edhe në derbi në atë mënyrë, do të kishim fituar”, tha trajneri i Milanit.
Me grupin janë rikthyer Bacca dhe Bonaventura. Dy lajme pozitive për stafin drejtues të skuadrës, por në krahun tjetër, Niang mbetet në dyshim.
“Vuan problemet virale dhe ka humbur shumë energji. Penalltitë? Nëse Bacca është në fushë do t’i gjuajë ai, por nëse nuk do të luajë, Niang nuk është zgjedhja e parë. Merkato? Mendoj vetëm për lojtarët që kam në dispozicion. Shikoj shumë pak skuadra sipër nesh dhe shumë që na ndjekin”, përfundoi Montela.
Pse jemi prapa?
“Monitor”
Të enjten e javës së kaluar nuk punuam, se festuam Ditën e Rinisë (festë zyrtare), dita e nisjes së protestave studentore për demokraci kundër komunizmit.
Megjithëse kemi ndryshuar shumë që atëherë, e ndiejmë që jemi shumë larg vendeve që aspirojmë.
Por a e kemi aftësinë intelektuale si komb për të kuptuar arsyet? Nuk flasim për inteligjencën natyrore në AND-në tonë si shqiptarë, por për atë të kultivuarën.
Bota na vlerëson të dobët. Dhe ja se si:
– Instituti i Prosperitetit Martin, kur mati Indeksin Global të Kreativitetit për këtë vit, na renditi të 116-t mes 139 ekonomive botërore, si më pak kreativët.
– Edhe për Standard & Poor’s, Shqipëria është ndër vendet më analfabete në fushën e njohurive financiare, pasi vetëm 14% e të rriturve kanë njohuritë e duhura. I vetmi vend që mbetet pas nesh në listën botërore është Jemeni.
Dhe padyshim që në renditje jemi edhe poshtë vendeve të tjera të Ballkanit, ku më mirë janë malazezët me performancën dy herë më të lartë se ne.
– Duke vlerësuar cilësinë e kapitalit social, Indeksi i Prosperitetit 2016 i publikuar nga Instituti britanik Legatum, e rendit Shqipërinë të 106-n nga 149 vende të analizuara. Në total, duke vlerësuar cilësinë ekonomike dhe mjedisin, Shqipëria zë vendin e 74-t, pra poshtë gjysmës së vendeve që, megjithëse ka bërë përmirësime në mënyrën si e ndan prosperitetin, sërish ka ecurinë më të keqe në Europë.
Një arsye që e shpjegon këtë vlerësim kaq të ulët për shqiptarët është cilësia e dobët e arsimimit.
“Pisa 2015”, program vlerësimi ku është anëtarësuar edhe vendi ynë, këtë vit i vlerësoi nxënësit në vend të 51-të nga 72 vende të shqyrtuara ose më poshtë se të gjitha vendet e OECD-së. Megjithëse ka një ngjitje nga vlerësimi i vitit të kaluar – statusi i një vendi të dobët, me cilësi të dobët arsimimi, pak kreativ dhe mangësi të thella njohurish veçanërisht financiare – ende e mbajnë Shqipërinë jashtë garës për t’u zhvilluar dhe për të ecur përkrah shumë vendeve të Europës, së cilës themi se i përkasim.
Qeveritë e dhëna më shumë pas treguesve të përgjithshëm të rritjes ekonomike, duket se na kanë zhvlerësuar si kapital human të paçmuar. Dhe ja cili është rezultati:
Shqipëria renditet nga fundi në renditjen sesi PPB-ja mbështet kreativitetin dhe inovacionin. Indeksi i publikuar nga INDIGO thotë jemi të 79-t nga 152 vende të krahasuar. Ky tregues do të thotë se kemi siguruar bukën, por jo prospektin tonë njerëzor që, në fakt, janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Studimet ndërkombëtare vlerësojnë se vendet nuk mund të mbështeten vetëm te projeksioni i PPB-së për të parashikuar performancën ekonomike të së ardhmes, pasi ajo bazohet në aktivitetin e njerëzve që janë të ndikuar nga shumë faktorë ekonomikë dhe socialë. Në mënyrë që të rritet konkurrueshmëria, një vendi nuk i mjaftojnë burimet natyrore, por infrastruktura shoqërore që i mundëson çdo njeriu të kuptojë potencialin intelektual.
Në vend të mbylljes:
Por, duke na “gënjyer” me copëza të vogla PPB-je, qeveritë, në fakt, që nga dhjetori i ‘92-shit kur studentët protestuan për liri, mundën të qeverisin mbi varfërinë tonë, por nuk kanë mundur ende të garantojnë prosperitetin tonë. Ndaj, shumë prej nesh, mund të mos e kuptojmë pse jemi ende kaq mbrapa.
Vendimi i BE: Zgjedhjet e dekriminalizimi, kushte
Këshilli Evropian mblidhet sot në Bruksel në një takim që ndër të tjera do të ketë në axhendë dhe çështje të zgjerimit të Unionit.
Kjo mbledhje e liderëve të qeverive të vendeve anëtare vjen vetëm dy ditë pas takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, që miratuan të pandryshuara draft-konkluzionet e adoptuara nga ambasadorët e përfaqësive të përhershme të BE-së për Shqipërinë javën e shkuar.
Në konkluzionet finale, ministrat e Jashtëm nënvizuan se para hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, duhet siguruar zbatimi gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm i 5 prioriteteve kyçe.
Ata specifikuan nevojën për rezultate konkrete në zbatimin e reformës së drejtësisë me fokus ligjin e Vettingut, luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, çmontimin e grupeve kriminale, trajtimin e prodhimit dhe trafikut të drogës, si dhe forcimin e drejtave të njeriut dhe minoriteteve.
Përveç 5 prioriteteve, në konkluzionet e ministrave të Jashtëm kërkohet zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, përfundimi i reformës zgjedhore, zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe marrëdhënie të mira fqinjësie.
Mbledhja e sotme e Këshillit Evropian është parashikuar në orën 12:30. Shtetet anëtare janë të përçara mbi mundësinë e hapjes më 2017 të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Momenti më i përshtatshëm, sipas shumë shteteve anëtare, do të jetë pranvera e vitit 2018.
Pathyeshmëria e habitshme e korrupsionit në Shqipëri
Është ironike që çdo herë që një parti politike fiton zgjedhjet në Shqipëri, e bën këtë duke ngritur zërin në luftën ndaj korrupsionit dhe fuqizimin e veprimit të ligjit. Një premtim për të luftuar korrupsionin e ndihmoi krahun e djathtë të fitojë zgjedhjet në vitin 2005 dhe krahun e majtë të fitojë në vitin 2013. Ende, edhe pse Shqipëria është një vend kandidat për në BE, korrupsioni është aktiv dhe i shëndetshëm.
Vetëm 3 vjet nga qeverisja e kësaj administrate, të paktën 2 ministra janë akuzuar për korrupsion, që arrin shifra prej dhjetëra miliona euro të humbura. Faktet që dalin nga një akuzë e tillë janë të qarta dhe tregojnë se korrupsioni është shndërruar në rutinë në Shqipëri. Në ditët e fundit janë bërë përpjekje nga grupe të Shoqërisë Civile të nënvizojnë korrupsionin dhe mënyrat e paraqitjes së tij. Së fundmi, disa gazetarë investigativë në mënyrë të suksesshme kanë zbuluar disa skandale korruptive të rëndësishme dhe shkalla e kriticizmit si në gazeta dhe në televizione po ngrihet.
Ndërkohë që presioni shoqëror për të nxjerrë skandalet korruptive, shpesh e më shpesh, akademikë, Shoqëria Civile dhe qytetarë të thjeshtë diskutojnë për efektet gërryese të korrupsionit në jetën publike. Edhe pse mendohet se ka ligje që ndalojnë konfliktin e interesit, duket se zyrtarë të lartë, veçanërisht në ekzekutiv dhe legjislativ, kanë arritur që t’i shpëtojnë llogaridhënies. Edhe pas 25 vjet demokraci, asnjë ministër nuk është akuzuar me akuzën e korrupsionit. Qeveria e tanishme ka premtuar një reformë të thellë në sistemin gjyqësor, e cila, sipas kryeministrit, do të vendosë rregull në gjykata dhe do të ndihmojë të çrrënjosë korrupsionin në të gjitha nivelet. Megjithatë, skeptikët thonë se për të çrrënjosur korrupsionin kërkohet vullnet politik, jo vetëm reforma ligjore. Shumë persona pyesin se çfarë e ndalon kryeministrin për të shkarkuar të paktën dy ministrat e akuzuar për korrupsion e pasi akuzat të jenë qartësuar ai mund t’i verë sërish në postet e tyre.
Megjithatë, reforma gjyqësore është një hap i mirë dhe grupet e Shoqërisë Civile kanë qenë shumë aktivë në zbulimin dhe raportimin e korrupsionit. Fondacioni për Shoqërinë e Hapur është marrë me analizat e gazetave për reformën gjyqësore dhe në veprimtarinë e krimit të organizuar. Ky fondacion ka paraqitur raportin ku theksohet se korrupsioni në polici, gjyqësor dhe Prokurori lejon krimin e organizuar të shkojë kundër shtetit. Shumë prej informacioneve kanë dalë prej agjencish të specializuara dhe shoqatave nën to. Këtë vit ky fondacion do të eksplorojë lidhjet mes krimit të organizuar dhe partive politike gjatë zgjedhjeve.
Mundimet nuk mungojnë, por korrupsioni ende është i fortë. Edhe pse themi se reforma e gjyqësorit është një hap i rëndësishëm, mbetet të shikohet se në çfarë gjerësie kjo reformë do të zbatohet në praktikë, ose në të kundërt do të mbetet thjesht e njëjta retorikë.
Përgatiti: Redin Hafizi
Rama, inkurajuesi i krimit, BE i ka mbyllur dyert
Zgjidhja e çdo problemi fillon me njohjen dhe pranimin e problemit, fshehja dhe manipulimi i realitetit vetëm e përkeqëson atë.
Prej muajsh kreu i qeverisë po zbaton një fushatë të gjerë për të fshehur realitetin e rrezikshëm të krimit të organizuar, prodhimit dhe trafikimit të drogës dhe të kapjes së shtetit nga krimi.
Akoma më keq, Rama po përpiqet me çdo mjet dhe shërbëtor të tij të fshehë faktin se lufta kundër korrupsionit, krimit e drogës dhe zgjedhjet e lira janë kushte kyçe që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave.
Nga manipulimi i realitetit përfitojnë vetëm kriminelët, trafikantët, të korruptuarit dhe Edi Rama. Qëndrimet e Kryeministrit janë mesazh i qartë, inkurajues për kriminelët, që të vazhdojnë të patrazuar, pasi shteti nuk e ka prioritet luftën kundër tyre.
Të vazhdojnë të qetë, se Edi Rama nuk do thotë kurrë një fjalë të keqe për ta. Kështu ai jo vetëm po e inkurajon krimin duke e fshehur atë, por po e mbron me veprime konkrete. Veprimet e Edi Ramës dhe pushtetarëve të tij i dhanë lirinë një krimineli si Lulzim Berisha. Mosveprimet e Edi Ramës kanë lënë jashtë burgut Klement Balilaj dhe po mbajnë në pushtet një kriminel si Elvis Rroshi. Mbështetja e Edi Ramës po i mban kriminelët në politikë.
Me Edi Ramën Shqipëria është pronë e kriminelëve dhe jo e njerëzve të thjeshtë. Me Edi Ramën dyert e Bashkimit Europian do të mbeten të mbyllura për Shqipërinë.
BB: Shqiptarët pagesat më të shtrenjta për shëndetësinë në Europë
Në një studim të fundit Banka Botërore e theu mitin për shëndetësinë falas, teksa publikoi së fundmi një raport në të cilin u gjet se shqiptarët kryejnë pagesat më të larta nga xhepat e tyre për shërbimet shëndetësore se në të gjitha vendet e Europës.
Sipas Bankës Botërore shqiptarët paguajnë me cash nga të ardhurat e tyre rreth 49.9 për qind të kostove totale për kujdesin shëndetësor. Në vende të tjera të rajonit dhe Europës këto pagesa janë shumë të ulëta.
Në Turqi pagesat cash nga xhepi për shëndetin janë 17.8% e kostove totale, në Greqi janë 34.9 për qind.
Në Maqedoni këto pagesa janë 36.7%, në Malin e Zi janë 42.8%, në Serbi 36.6% dhe në Bosnje 27.9%. Në vendet europiane këto pagesa janë shumë të ulëta mesatarisht nën 15 për qind e të gjithë kostos.
Në këto matje, Shqipëria ofron përqindjet më të larta në rang europian dhe është e krahasueshme me vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë.
Në shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme ku përfshihet edhe Shqipëria shpenzimet nga xhepi për kujdesin shëndetësor janë të larta dhe mund të jenë një rrezik i madh financiar për të varfrit, lajmëron Banka Botërore.
Edhe pse me shpenzime të larta, shqiptarët kanë barrën e sëmundshmërisë më të lartën në rajon. Sipas statistikave vendase vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Europës Juglindore.
Gjithashtu, Shqipëria është vendi i vetëm në rajon, i cili ka pësuar një rritje të nivelit të vdekshmërisë, nga sëmundja ishemike e zemrës dhe sëmundjet cerebrovaskulare gjatë dy dekadave të fundit, duke dëshmuar për një fazë të hershme në evolucionin e epidemisë koronare, e cila ka qenë e pranishme shumë dekada më parë në vendet perëndimore.
Gjithashtu ka një evidencë të një rritjeje graduale në nivelin e vdekshmërisë nga neoplazmat në Shqipëri në të dyja gjinitë. Megjithatë, në vitin 2010, niveli i vdekshmërisë nga neoplazmat në Shqipëri ishte më i ulëti në rajonin e Evropës Juglindore (Barra Globale e Sëmundjeve, 2010). Kjo mund të lidhet me prevalencën jo aq të lartë të duhanpirjes në të kaluarën, e cila aktualisht po rritet dhe do të ketë pasoja shëndetësore negative.
Biletat me Wizz Air nisin nga 30 euro
Wizz Air, kompania ajrore hungareze me kosto të ulët do të nisë fluturimet pothuajse gati paralelisht nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, si dhe nga ai i Prishtinës “Adem Jashari”. Nga i pari fluturimet pritet të nisin në datë 5 prill, ndërsa nga i dyti në datën 7 prill. Biletat tashmë janë në shitje me një çmim prej 29.99 euro. Nga Shqipëria do të fluturohet çdo të mërkurë dhe të dielë, ndërsa nga Prishtina nga çdo të hënë dhe të premte.
Me Shqipërinë kompania ajrore e nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit më 30 nëntor.
Mësohet se deri më 30 nëntor 2016, Wizz Air ka transportuar më shumë se 22.4 milionë pasagjerë duke stimuluar kështu tregun lokal të punës në fushën e aviacionit, mikpritjes dhe sektorët e turizmit dhe në mbështetje të mbi 16.800 vendeve të punës në industritë e ndërlidhura.
George Michalopoulos menaxheri tregtar i Wizz Air, tha se kompania ishte në kërkim të një aeroporti siç është ai i Prishtinës. Ai tha se beson që kjo do të ndikojë në rritjen e turizmit.
Rrjeti i Wizz Air shtrihet në 59 destinacione në 28 vende dhe do të shërbejë si një lidhje e arsyeshme për në Evropë për udhëtarët e Kosovës. Linja ajrore e re do të lidhë të dy vendet direkt për herë të parë, duke nxitur turizmin në të dy drejtimet dhe duke krijuar lidhje të rëndësishme për tregtinë dhe biznesin mes Hungarisë dhe Kosovës.
Operimet e kompanisë ajrore Wizz në Evropë dhe më gjerë ofrojnë shërbime me kosto të ulët në 133 destinacione në 40 vende.