19.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Euro forcohet në bursa

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Në tregjet ndërkombëtare, euro, jeni dhe paundi u forcuan përkundrejt dollarit pas rënies me 3 pikë përqindje si reagim ndaj vendimit të Rezervës Federale, bankës qendrore të Shteteve të Bashkuara për të rritur normat e interesit në vitin e ardhshëm.
Në mëngjes, në Londër, euroja po këmbehej me 0.3 pikë përqindje më lart 1Eur=1.0442$.
Tregjet financiare globale kanë qenë të lëkundur që kur Rezerva Federale prezantoi normat më të larta të interesit. Kjo solli dhe forcimin e dollarit, i cili thuajse e barazoi euron.

“Politico”: Me Ramën Shqipëria 9 vite larg anëtarësimit në BE

Shqipëria nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Europian para vitit 2025 dhe shanset që kjo të ndodhë pas këtij viti janë 80 për qind. Kështu parashikon në një analizë revista e Bashkimit Europian, “Politico”.
Në argumentet e analizës së titulluar “Gara e anëtarësimit në BE”, thuhet se vendi ynë ka treguar aftësi për të ofruar reforma bipartizane, kryesisht ka shmangur luftërat jugosllave të viteve 1990, gjë që e ka lejuar të distancohet nga problemet e kandidatëve të tjerë rajonalë.
Negociatat formale nuk kanë filluar ende. Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten probleme serioze, teksa Komisioni Evropian ka kritikuar edhe politizimin e gjykatave të Shqipërisë. Sipas portalit të BE, vendet e Ballkanit Perëndimor e shohin veten si të rrënjosura në Evropë dhe paralajmërojnë se BE-ja do të dëmtojë veten nëse nuk përshpejton anëtarësimin.
“Politico” ka cituar edhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, sipas të cilit “për sa kohë do të jetë e qartë se askush nuk di të jetë në gjendje të bashkohet me Bashkimin Europian në të ardhmen e afërt, po aq do të ekzistojë rreziku që ky vakum të plotësohet nga Rusia”.
Kurse kryenegociatorja e Serbisë për anëtarësim, Tanja Mishçeviç, tha se, “sistemi Shengen nuk mund të funksionojë dhe bashkimi i energjisë nuk mund të përfundojë pa vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Politico” thekson se, unioni nuk ka oreks për zgjerim dhe se kjo epokë e artë ka përfunduar.
Anëtarësimi sipas saj për të gjitha vendet aspirante nuk do të ndodhë para vitit 2025 dhe se për disa vende, si për shembull Turqia kjo nuk do të ndodhë kurrë.
“Unë nuk do të vendos limite shpejtësie në rrugën europiane, secili kandidat e përcakton vetë këtë në bazë të meritës”, deklaron komisioneri i Zgjerimit, Jonanes Hahn, duke sugjeruar vendet kandidate të përqendrohen në përpjekjet për zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre dhe në luftën kundër korrupsionit.
Hahn nuk e ka fshehur as kundërshtinë e një pjese të mirë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian mbi planet e zgjerimin, gjë e cila mund të komplikojë edhe më shumë procesin. Megjithatë në renditje Shqipëria është në vendin e parë si kandidate me mundësi më të mira në rajon, si anëtare e NATO-s dhe vend me rol stabilizues në rajon.
Kosova radhitet në vendin e pestë me 30 për qind mundësi anëtarësimi në vitin 2027. Maqedonia duket e pozicionuar më keq, pas Kosovës, me një mundësi anëtarësimi më 2030, me 50 për qind shans. Më pas, radhitet Gjeorgjia, Ukraina, Turqia, etj.
“Politico”, organi zyrtar i Bashkimit Europian, ka publikuar arsyet se përse Shqipërisë iu refuzua hapja e negociatave. Shkrimi hedh dritë mbi arsyet e vendimit negativ që mori Brukseli për Tiranën.
“Negociatat formale nuk kanë filluar ende dhe korrupsioni e krimi i organizuar mbeten probleme serioze, sipas Komisionit Evropian. Komisioni ka kritikuar edhe politizimin e gjykatave të Shqipërisë”, thuhet në pjesën për Shqipërinë. Pavarësisht kësaj “Politico” e sheh perspektivën e Shqipërisë më të afërt se atë të vendeve të tjera, duke parashikuar një anëtarësim në BE në vitin 2025.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar u theksua disa herë nga zyrtarë të lartë të BE–së para vendimmarrjes për të mos i hapur negociatat. Këtyre fenomeneve BE u ka shtuar edhe kushtet për të luftuar trafikun e drogës, për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit dhe për të zhvilluar zgjedhje të lira e të drejta.
Pavarësisht këtyre qëndrimeve gjithnjë e më të qarta, për të shmangur përgjegjësinë për dështimin, kryeministri Rama vazhdon t’u tregojë shqiptarëve se kushti i vetëm i refuzimit është zbatimi i ligjit të Vetting-ut

“Politico”, media zyrtare e Bashkimit Europian

Ish-Kryeministri ka reguaar ndaj shkrimit të “Politico” duke kujtuar se kjo media është zëri zyrtar i Bashkimit Europian. “Në një artikull mbi zgjerimin e BE, organi zyrtar i tij ‘Politico’ shkruan se shkaku i moshapjes së negociatave me Shqipërinë qëndron në korrupsionin dhe krimin e organizuar që ka mbërthyer vendin, pra pavarësisht se çfarë mashtron dhe dërdëllit Rama se pengesë është vetëm ligji i Vettingut, ‘Politico’ informon se shkaku themelor qëndron në murin e korrupsionit dhe krimit të organizuar pra, pikërisht tek korrupsioni qeveritar dhe lidhjet e qeverisë me krimin. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe prioritetet e tjera, të cilat qeveria nuk i plotësoi dot për shkak të kapjes së saj prej tyre ishin dhe çështjet kryesore të debatit mbi Shqipërinë në takimin e ministrave të Jashtëm të BE. Në këto debate vend qëndror kishin lufta kundër trafikut të drogës dhe dekriminalizimi! sb
‘Negociatat formale nuk kanë filluar ende dhe korrupsioni e krimi i organizuar mbeten probleme serioze, sipas Komisionit Evropian. Komisioni ka kritikuar edhe politizimin e gjykatave të Shqipërisë, thuhet në pjesën për Shqipërinë’. Pavarësisht kësaj ‘Politico’ e sheh perspektivën e Shqipërisë më të afërt se atë të vendeve të tjera, duke parashikuar një anëtarësim në BE në vitin 2025″, shprehet Berisha në një postim në Facebook.

Dedja: Pushteti të heqë dorë nga presioni ndaj Kushtetueses

Në një intervistë në televizionin “Ora News”, kreu i Kushtetueses, Bashkim Dedja tha se nuk do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të pengojë procesin integrues të vendit. Dedja adresoi dhe një apel, kur tha se duhet të ndalen sulmet në adresë të Gjykatës Kushtetuese. Deklaratat, Dedja i bëri në përfundim të një aktiviteti të Avokaturës së Shtetit.

– Kur do të merret në shqyrtim nga Kushtetuesja ligji i Vetting-ut?
Të gjithë thonë se e ka sjellë Komisioni i Venecias, edhe sot e kësaj dite opinioni i Komisionit të Venecias nuk ka ardhur zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese. Akoma nuk kemi një përgjigje zyrtare ndonëse e ka botuar në faqen e saj elektronike. Ne kemi komunikuar dhe dje dhe sot me Komisionin e Venecias, para pak çastesh më është kthyer përgjigje që ka pasur një problem teknik nga Komisioni i Venecias që nuk e kanë dërguar dhe mund ta nisin që sot në rrugë elektronike dhe manuale. Jemi në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias zyrtarisht.
Vazhdimisht është sulmuar Gjykata Kushtetuese për zvarritje dhe vonesa në shqyrtimin e kësaj çështjeje, natyrisht që kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe e rëndësishme për reformën në drejtësi, është ligji bazë pas Kushtetutës që u hap rrugën të gjitha ligjeve të tjera për t’u zbatuar në praktikë, por dua të sqaroj opinionin se është shqyrtuar në një kohë rekord ky ligj nga Gjykata Kushtetuese. Pavarësisht se nuk është marrë akoma vendimi, procedurat paraprake kanë përfunduar dhe është në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias që pastaj të procedojmë vendimmarrjen. Në bazë të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese qoftë atij të vjetrit, qoftë atij që është në fuqi sot, neni 47 që është miratuar këtë vit dhe ka hyrë në fuqi para një muaji parashikon se vetëm procedura paraprake nga marrja e kërkesës deri në vendimmarrjen e Kolegjit ose mbledhjes së gjyqtarëve nëse do të kalojë për gjykim apo jo, ka tre muaj në dispozicion.
Kushtetuesja e ka shqyrtuar në kohë rekord. Kërkesa është regjistruar më datën 5 tetor në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji ka vendosur më 14 tetor duke e kaluar çështjen për gjyq, ndërkohë që është marrë vendimi për t’i dërguar Komisionit të Venecias më datë 25 tetor nga mbledhja e gjyqtarëve për t’i kërkuar mendim dhe seanca gjyqësore është bërë pa kaluar një muaj nga depozitimi i kërkesës. Nuk është Gjykata Kushtetuese që e pengon apo e ka zvarritur, përkundrazi ka punuar me shpejtësinë maksimale për t’i dhënë përgjigje sa më shpejt pretendimeve të ngritura të këtij ligji. Sepse gjykata fare mirë ishte komode, mund të zbatonte ligjin dhe nëse do të kalojë për gjyq apo jo mund të priste periudhën tremujore. Është krejtësisht e pabazë, të gjitha insinuata që ngrihen për zvarritjen e qëllimshme të këtij procesi.
Gjykata Kushtetuese po punon maksimalisht që t’i japë një përgjigje sa më të shpejtë me vendim përfundimtar kësaj kërkese që ka të bëjë me thelbin e reformës në drejtësi.
Gjykata Kushtetuese nuk është bërë dhe nuk do të bëhet kurrë pengesë për integrimin e vendit, për reformën në drejtësi. Përkundrazi është një kontribuese jashtëzakonisht e rëndësishme e reformës në drejtësi dhe e demokracisë në vend. Mjafton të kthejmë kokën pas dhe të shikojmë vendimmarrjen kushtetuese të kësaj gjykate, e cila ka dhënë vendime jashtëzakonisht të rëndësishme që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe balancimin e pushteteve apo integritetin kombëtar të këtij vendi.
Natyrisht që ajo do kohën e vet, por ne po punojmë me shpejtësi maksimale. Po hidhet baltë vazhdimisht mbi Gjykatën Kushtetuese, duke përfshirë dhe në kuadrin e besimit të ulët ndaj pushtetit gjyqësor. Jo vetëm publiku, por një pjesë e madhe e juristëve nuk e dinë që Gjykata Kushtetuese nuk bën pjesë në pushtetin gjyqësor. Ai perceptim që është për opinionin e ulët dhe besimin e ulët të Gjykatës Kushtetuese nuk është për Gjykatën Kushtetuese, por sistemin gjyqësor. Këtë e thonë të gjithë progres raportet për Shqipërinë nga 2005 që është në monitorim dhe Kushtetuesja. Në asnjë prej tyre Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur vlerësime negative, por pozitive.
I bëj thirrje politikës, pushtetit, mediave, kushdoqoftë që të heqin dorë nga presione që i bëjnë Gjykatës Kushtetuese, sepse si gjithë të tjerët dhe gjyqtarët e Kushtetueses janë shtetas të këtij vendi, njëlloj si gjithë qytetarët e tyre, janë të përgjegjshëm për detyrën e tyre, do të vendosim për më të mirën e asaj që kërkohet. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet Kushtetutës dhe do ta mbrojë atë sipas rregullave dhe ligjeve që janë në fuqi dhe konventave ndërkombëtare.

– Nga kush u është bërë presion zoti Dedja?
Nuk ka presion të drejtpërdrejtë, por fakti se çdo ditë në media, shtyp, Parlament apo portale, thuhet se gjykata qëllimisht po zvarrit reformën, është bllokuese e integrimit në BE, gjyqtarët janë të kësaj apo asaj natyre përfshi dhe deri tek kriminelë etj., ka një ligj që do t’i sqarojë këto gjëra bashkë me strukturat mbështetëse. Secili do të përgjigjet për gjithçka ka bërë dhe gjithçka është, duke filluar nga gjyqtarët kushtetues deri tek gjyqtari dhe prokurori më i thjeshtë. Ai që ia ka bërë vendin, ai që do të ketë përgjegjësi, do t’i nënshtrohet përgjegjësisë. Ai që ia ka bërë vendin të përgjigjet, të shkojë në ferr. Ai që është i ndershëm, që ka punuar me profesionalizëm dhe iu ka përkushtuar detyrës së tij patjetër që duhet të vlerësohet.

– Kur mund të kemi një vendim përfundimtar?
Sa i takon procedurave, e thashë që vetëm procedurat paraprake ligji i njeh tre muaj. Por zgjatja tërësore e procesit, edhe gjykimi, edhe vendimmarrja ligji ka parashikuar deri në një vit. Por kurrë ne dhe jam i bindur që kjo nuk do të ndodhë. Do të jetë një përgjigje në kohën sa më të shpejtë të mundshme, por se kur është e pamundur të përcaktohet dhe nuk është vetëm në dorën time, vendimi është kolegjial. Secili duhet të përgatitet dhe të jetë i bindur, i ndërgjegjshëm në atë që do të vendosë dhe do të jetë krejt i qartë në konkluzionet e tij.

19 milionë dollarë në vit për Vilmën

Albana VOKSHI

Meqenëse Kryeministrit i pëlqen t’i referohet raporteve të ndërkombëtarëve, të citojë edhe thënie të paqena nga Shën Tereza, Kanti etj… Meqenëse as i kupton, për të kënaqur kërshërinë e tij dhe të kolegëve deputetë, por edhe të qytetarëve që në këtë orë na ndjekin, do t’u referohem vetëm raporteve të fundit që për fatin e keq të Ramës janë me bollëk dhe mjafton t’u referohemi atyre si arbitër i paanshëm…
Raporti i para dy ditëve i Eurostat thekson që Shqipëria, nën qeverisjen, politikat dhe reformat e Ramës, është “suksesshëm” vendi i dytë më i varfër në Evropë, me të ardhura për frymë vetëm sa 30% e mesatares së vendeve të BE, duke lënë pas vetëm Bosnjen në vendin e fundit me 28%.
BERZH, në një studim që publikoi para disa ditësh ndalet në atë që Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit e që ai (korrupsioni) mbetet sfida më e madhe.
Po ashtu, Banka Botërore në Country Snap shot (Albania) (tetor 2016): Poverty rate – niveli i varfërisë në Shqipëri është 47.5%, ndërkohë që e lamë në nivelin 12.5% më 2013.
Dhe sot, ju qeveritarë, guxoni e na thoni që jeni solidarë… politikat tuaja janë solidare… Po ku është solidariteti kur ju jeni pasuruar shumë më shumë në vitet e fundit dhe qytetarët janë varfëruar shumë më shumë.
Po si mund të thoni sot që ju bëni politika solidare, kur qytetarët s’kanë me çfarë t’i ushqejnë fëmijët e tyre?
Kur 100 mijë fëmijë s’kanë vafte ngrënie të mjaftueshme?
Kur 50 mijë fëmijë shfrytëzohen për punë në rrugë?
Kur me politikat tuaja keni spastruar popullsinë, keni zbrazur fshatra të tëra, mbi 200 mijë shqiptarë janë larguar në dy vite.
Ndërkohë që 200 mijë të tjerë kanë aplikuar vetëm në një vit, pra gati 10% e popullsisë ose janë larguar ose po tentojnë të largohen.
Raportet e fundit të agjencive të mirënjohura ndërkombëtare tregojnë dështimin e reformave të qeverisë Rama. Sot Shqipëria është vendi më i varfër dhe më i korruptuar në Evropë. Ka dështuar totalisht në implemetimin e ligjit të dekriminalizimit dhe antikorrupsionit. Sot vendin e kanë marrë peng trafikantët dhe bandat. Sot shteti ligjor është nën kthetrat e kriminelëve që bëjnë ligjet.
Thoni 24 orë në ditë që doni Vetting. Shumë mirë! Edhe unë, edhe kolegët e mi jemi pro Vetting-ut, sa më parë! Shqiptarët duan dhe meritojnë drejtësi! Por nuk meritojnë drejtësinë e kapur nga Edi Rama, por atë që ata realisht meritojnë! Ndaj, dua t’i bëj një apel Ramës të mbajë duart larg drejtësisë! Pasi drejtësia e Ramës është e lyer me duart e bandave dhe kriminelëve!
Korrupsioni dhe bandat kriminale janë të këqijat më të mëdha të këtij vendi.
Rama së pari kriminalizoi Parlamentin, dhjetëra deputetë me probleme me drejtësinë shqiptare, por edhe ndërkombëtare.
Kriminalizoi administratën, dhjetëra drejtues u vërtetuan të kishin precedentë penalë e të dënuar.
Kriminalizoi ekonominë me paratë e drogës që mbushi tërë sipërfaqen e vendit.
Më pas krinimalizoi edhe votën duke humbur shpresën e shqiptarëve që vota e tyre do të shkojë e do të lexohet ashtu si duhet.
E përsëris: Shteti i së drejtës është marrë peng, ndaj edhe deklaratat e Ramës tashmë s’i beson më askush, refuzimi për hapjen e negociatave ka vetëm një përgjegjës dhe ai është Edi Rama!

Korrupsioni dhe krimi ka kapluar vendin!

Shëndetësia zë vendin e parë, por për korrupsionin që e ka pushtuar. Ministri i Shëndetësisë zë vendin e parë, por për të korruptuar dhe për figurë të urryer!
Korrupsioni tashmë i përhapur në çdo qelizë në shëndetësi, ka shkatërruar çdo shtyllë të saj, por ajo çfarë është shqetësuese është që po ju mohon qytetarëve atë çka atyre ua siguron Kushtetuta: të drejtën për shërbim shëndetësor.
Po si mund të marrin kurën mijëra pacientët me kancer te onkologjiku kur më shumë se 400 mln euro shkojnë për koncesionet e check up, sterilizimit, dializës e tani laboratorëve? Që 400 mln shkojnë për shoqen Vilma, për shokun Ilir (jo Beqaj), për pronarin e kafenesë në një rrugë të humbur në Berat,e tani për klientin që ju siguroj e ka gjetur prej kohësh Beqaj, sipas përmasave të fitimeve nga ai po qep koncesionin e laboratorëve.
Në media është vënë alarmi: çdo dy ditë vdes një pacient në spital për mungesë të barnave, kurave, dozat e nevojshme. Velcade quhet një kimiopreparat që mban peng dhjetëra të sëmurë në shërbimin e hematologjisë. Mungojnë nga antibiotikët te citostatikët, lista e medikamenteve që mungojnë është e gjatë, ato janë shumë të shtrenjta e nuk mund ta sigurojnë shpeshherë vetë pacientët: endoxan, Mabthera, etj.
Një zotëri, i cili ka 11 vjet spitaleve pasi e shoqja është e sëmurë, thotë që një dozë kushton 2500 euro, ndërkohë gruas së tij i duhen 3 doza. Ai merr vetëm 130 mijë lekë në muaj pension. Si mundet ai t’i sigurojë gruas së tij këtë medikament?
Pyes z. Ahmetaj, a është kjo qeveri solidare? Që Vilma merr 185 mln lekë në muaj pa bërë asnjë analizë, pa bërë asgjë, ndërkohë që një pacient në dy ditë mund të humbë jetën në spital?
“Jemi bërë të thërrasim: ku je Enver! Le të më vrasin, por të më japin të drejtën e 11 vite spitaleve. Çdo dy ditë vdes një pacient, dje vdiq një nga Saranda”, thotë familjari i pacientes të sëmurë me kancer (raporton gazeta “Shëndet+”).
Mendoni pak: diktatura, dhuna e ushtruar, shkelja e të drejtave nga qeveria Rama, është shumë herë më keq se dhuna më e egër e qoftëlargut!
Open data tregon që janë bërë 3 herë blerje nga QSUT për Velcade, por pacientët nuk e marrin atë ose e marrin vetëm ata që njohin ministrin apo pushtetarë, të tjerët thjesht mund t’i luten Zotit që t’i shpëtojë.
Pyes përsëri ministrin e Ekonomisë: a është qeveri solidare kjo? A është sociale? A e mbron të varfërin? A ia merr të pasurit për të ndihmuar të varfërin? Këto janë pyetje retorike gjithkush e di përgjigjen.
Po pse nuk ka barna, kura, terapi për pacientët? Pse nuk investohet në publik? Pse nuk mbështeten mjekët?
Të gjithë tashmë e dimë: Ministri nuk është më përfaqësues i qytetarëve, por është përfaqësues i klaneve e klientëve, 24 orë punon vetëm për ta, për veten dhe shefin e tij në qeveri.
Nuk e di si ndiheni ju kolegë deputetë të mazhorancës, por mua më vjen turp kur dëgjoj ministrin e Shëndetësisë që pa u zverdhur, skuqur, pa ju dridhur qerpiku, të pranojë publikisht e botërisht që ai shoqe Vilmës i jep çdo muaj para për 10000 analiza që ajo s’i bën kurrë, që çdo muaj 185 milionë lekë në muaj ose 2.5 miliardë lekë në vit, (ose 19 milionë USD) të taksave tona, taksapaguesve shqiptarë shkojnë në llogaritë e Vilmës? Ramës? Beqajt? Ndërkohë që pacientët çdo ditë mund të humbasin jetën për mungesë të Velcades apo barnave të tjera?
Sa spitale moderne, qendra shëndetësore mund të ishin ndërtuar me këto fonde? Sa pacientë mund të ishin kuruar apo shpëtuar nëse këto para s’do t’i jepeshin Vilmës apo Ilirit, po të bëheshin barna, pajisje, aparatura në spitale apo QSH?

 

Prodhimi i hashashit do pastrohet në ndërtime

Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie të fortë gjatë ditës së djeshme, duke zbritur në 135.07 lekë, 0.42 lekë më pak se një ditë më parë.
Ndonëse në bursat ndërkombëtare euro e ka marrë veten dje, pasi dy ditë më parë arriti në nivelin më të ulët të 13 viteve, në tregun e brendshëm ajo ka vijuar me nënçmimin e thellë, duke arritur në nivelin më të ulët që nga tetori i vitit 2009.
Aktorët e tregut pohojnë se rënia e euros gjatë ditës së djeshme ka qenë më shumë reflektim i efekteve sezonalë të brendshëm, si kërkesa e lartë për valutë nga bizneset, që këmbejnë euro për të paguar taksat.
Në fundjavë, thonë ata, ka përgjithësisht një kërkesë më të lartë për të blerë lekë, meqë janë përpara dy ditë pushimi.
Euro pritet të jetë e dobët dhe gjatë javës së ardhshme, si rrjedhojë e afrimit të datës 20, kur paguhen sigurimet, por edhe prurjeve sezonale nga emigrantët që pritet të vijnë për festa. Përgjithësisht, thonë aktorët e tregut, rënia e euros vijon deri nga datat 25-26 dhjetor. Më pas, janari tradicionalisht shënon forcim të euros.
Ndonëse këto janë faktorë që ndikojnë gjithmonë, sjellja e euros këtë vit është jashtë normalitetit të viteve të fundit, ku ndonëse dollari forcohej në bursat ndërkombëtare, euro mbetej e fortë tek ne dhe ndryshimi i kursit reflektohej përmes mbiçmimit të monedhës së gjelbër (vitin e kaluar për shembull, euro mbeti në nivelet e 140 lekëve, ndërsa dollari u ngjit mbi 130 lekë).
Mbetet e pamatshme se sa po ndikon euro që po hyn si rrjedhojë e shitjes së kanabisit në forcimin e pazakontë të lekut. Ndonëse sasia më e madhe e kësaj paraje vlerësohet të shkojë në ndërtim, sërish, një pjesë e saj kanalizohet në konsumin e përditshëm.
Hyrja e kësaj valute, konsiderohet nga disa ekspertë si arsyeja kryesore që po e zbret euron në nivelin më të ulët të 7 viteve.
Forcimi i monedhës së përbashkët është pozitiv për të gjithë kredimarrësit në euro, që kanë të ardhurat në lekë, por po rezulton tepër dëmtues për eksportuesit, që po arkëtojnë më pak para, për të njëjtën sasi të shitur.

Çim Selami, deputeti tjetër në trafikun e prostitutave

Një tjetër deputet i rilindjes ka rezultuar me rekorde kriminale dhe pritet që t’i hiqet mandati së shpejti, siç raporton portal Syri. Net. Kjo për shkakun se në formularët e dekriminalizimit nuk ka bërë publike një dënim të marrë në Itali në mesin e viteve ’90. Siç edhe bëhet e ditur në dokumentet e shtetit italian të siguruara nga SYRI.net, deputeti i LSI-së në Vlorë që tani është rreshtuar në krah të Edi Ramës, Shkëlqim Selami është i dënuar në Brindizi. Sipas dokumentit, Selami është i dënuar për “trafik të qenieve  njerëzore” si dhe për futjen në Itali të qytetarëve ekstrakomunitarë. E pikërisht këtë dënim të dhënë në 24 tetor 1994 ndaj tij, deputeti Shkëlqim Selami nuk e ka bërë publike. Por ky është vetëm fillimi i këtij skandali. Këto dokumente mësohet se janë në dorën e kryeministrit Edi Rama, i cili i ka përdorur si formë presioni ndaj deputetit Shkëlqim Selami gjatë muajit korrik, kur Rama kishte frikë së Ilir Meta ishte duke mbledhur vota për ta rrëzuar qeverinë. Mësohet se Rama i ka bërë presion Selamit me dokumentin dhe faktin e heqjes së mandatit të tij nga Kuvendi dhe më tepër dërgimin për ndjekje penale, nëse do të ishte në grupin e deputetëve që do të votonin për rrëzimin e tij nga pushteti. Skandali thellohet edhe më shumë, sepse burimet kanë bërë të ditur për SYRI.net se dokumentet janë edhe në dorën e Prokurorisë prej disa muajsh, por edhe ajo nuk ka bërë lëvizjet e duhura për të akuzuar Selamin për fshehje të informacionit në formularët e dekriminalizimit dhe ndalimin e tij.

Skeda e Shkëlqim Selamit

Emri i babai: Bashkim
Vendi i jashtëm ku është specifikuar lindja: Vlorë
Adresa: Rezident
Vendi: Shqipëri
Adresa: Lagjia “Osman Haxhiu”, rruga “Demokracia” 1118-Vlorë
Informacioni i policisë
Zyra sinjalizuese: Kuestura e Brindizit
Data e Komunikimit: 24.10.1994
Lloji i informacionit: Mandat arrestimi
Të dhënat për komunikimin
Lëshuar nga Kuestura e Brindizit
Data e Komunikimit: 24.10.1994
Gjendja e informacionit: Për tu ndjekur
Roli                                          Emri e Mbiemri                                  Vendi i Lindjes
Urdhër kërkimi                       Shkëlqim Selami                                 3/12/1967   Shqipëri

Shënime:
Gjykata e Brindisit. Urdhër ekzekutimi për dënim me burg nr. 953/94, e lëshuar në 03/10/1994 për “Krijim të organizatave kriminale” dhe “favorizim emigracioni” si dhe për favorizim dhe hyrje të paligjshme në territorin italian të qytetarë që vijnë nga vendet jashtë komunitare.
Për zbatimin e urdhrit ngarkohet Kuestura e Brindizit.

Era e re që po fryn do të të hedhë në Lanë!

Sjellja e Ramës me krerët e shumicës në Bundestag ka qenë ajo e një rrugaçi. Ish-Kryeministri ka zbadhur reagimet mjaft të ashpra të deputetëve gjermanë, të cilët janë detyruar nga Rama të reagojnë në mënyrë të tillë.
“Para tre javësh këtu erdhi një mision i Bundestagut. Ishte misioni i 10-të i Parlamentit gjerman në Shqipëri që nga viti 2012, dhe me një qëllim të vetëm; mbledhjen e fakteve për të formuluar qëndrimin e Bundestagut për integrimin e Shqipërisë. Këtë e kanë bërë me Serbinë dhe me çdo vend. Çështë e vërteta, dashje apo padashje, por Gjermania sot është superfuqia politike perëndimore e Europës, dhe jo vetëm e BE, por dhe e Europës. E vërteta tjetër është se ajo përbën përpjekjet më të mëdha dhe historike për paqen, çka i intereson kontinentit, ka shndërruar qytetërimin e saj në një investitor të madh mbi vlerat, çka është në të mirë të Europës dhe mbarë njerëzimit.
Çfarë bëri Edi Rama me ta. Ja u them këtu se, Rama është sjellë si një rrugaç në zyrën e tij ndaj përfaqësuesve të Bundestagut. Eshtë sjellë në mënyrë të atillë saqë ka detyruar reagime, të cilat ndonjëri prej tyre sdo ja kishte lejuar vetes kurrë. Eshtë sjellë në mënyrë të atillë, saqë në jetën e tyre, ai delegacion, vetëm një herë 30 vite më parë kishte rastisur të ulej me një bandit të një principate, që mund të krahasonin qëndrimin e Ramës ndaj tyre”, tha Berisha.
Dhe pasi deputetët gjermanë kanë reaguar mjaft ashpër Rama ka bërë servilin duke i shoqëruar deri tek dera e makinës. “Dhe ç’bëri pastaj? Bëri si pushka e plasur…mori doli deri tek shkallët e poshtme e i përcolli deri te dera e makinës. Pasi dolën prej tij, Edi Rama ndërseu rrugeçërit e zyrës së tij kundra tyre, në mënyrën më shpifarake, sikur të përfaqësonin diktatorin e Koresë së Veriut dhe jo Bundestagun gjerman. Ju nuk e njihni Bundestagun. Ju mendoni se grupet në Bundestag janë si puna juaj, skllevër të një njeriu. Po s’janë ashtu. Ata kanë ardhur 10 herë për të formuluar qëndrimin e tyre. Ata marrin të dhëna nga ambasadat, nga Brukseli, ata marrin të dhëna nga çdo burim. Ka dërguar 10 herë misionet e tyre këtu, dhe ti e quan raportin e tyre një fletrrufe të shkruajtur nga opozita dhe pastaj bëre dhjetëra gjëra të turpshme që s’mund të bëheshin kurrë.
Para se ata të vinin këtu, ata kishin bërë një seri takimesh. Mendoni ju se ai vinte për të shprehur mendime personale këtu? E keni gabim shumë. Ata kishin bërë një seri takimesh me faktorë relevantë që merren me rajonin. Dhe siç e shihni ja ku është deklarata e grupit të tyre parlamentar. Ai tha se fliste në emër të grupit, pasi kishte biseduar me kryetarin e grupit. Ja që doli dhe zëdhënësi i grupit pas mbledhjes së grupit. Do të dilni tani prap ta përgënjeshtroni? Pse heshtni, pse nuk flisni.
Ja çfarë thotë deklarata e grupit parlamentar të Bundestagut, CDU-CSU: “Shqipëria aspiron që të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Gjermania ka theksuar mbështetjen e saj në mënyrë të përsëritur. Megjithatë, vendi duhet të përmbushë të gjitha kriteret për anëtarësim. Për miratimin nga Gjermania, grupi parlamentar CDU-CSU në Bundestag ka përcaktuar një listë me prioritete. Kërkesa kryesore është zbatimi i plotë i Reformës në Drejtësi, tashmë i miratuar. Vetëm atëherë mund të sigurohemi se gjyqtarët janë profesionistë dhe me integritet. Në këtë kontekst është e domosdoshme që rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë do t’i nënshtrohen procedurës së verifikimit. Nëse rezultojnë të korruptuar, nuk do të miratohen që të qëndrojnë në sistemin gjyqësor. Pasuria e tyre duhet të verifikohet gjithashtu”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri deklaroi se kurrë nuk do të pranohet nga Europa që Vettingu ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të mund të bëhet nga gjeneralët politikë të Ramës.
“Ndërsa ju doni që këtë verifikim ta bëj Alket Hyseni i statutit të partisë, Sefer Shullazi i DSIK-së, por ja që Europa këtë nuk e pranon kurrë.
Vazhdon më poshte deklarata: ‘Grupi CDU-CSU shpreh shqetësimin edhe për përparimin e ngadalshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Para se BE të miratojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, prodhimi dhe trafiku i drogës në vend duhet të ulet në mënyrë dramatike’.
Unë kam një pyetje për secilin prej jush këtu, për krahun kanabist. Unë çështë e vërteta, përveç backgroundit tim nga shkencat  fizike, kam lexuar shumë për kanabisin dhe unë ja di të gjitha efektet. E di që edhe në SHBA ka shtete që e kanë legalizuar. Por tani do ju bëj një pyetje ju që e mbillni dhe e keni shndërruar në politikë qeveritare. A ka gjë më të verbër se kjo? Ju keni shndërruar krimin në politikë. Të supozojmë për një moment se ky parlament do të vendosë për legalizimin, ku do ta çojnë shqiptarët atë? Do të krijojmë Shqipërinë vendin e tregut ilegal më të madh në Europë, do ta damkosim Shqipërinë me këtë gjë, do ta vulosim atë si Kanabistan dhe Kolumbi.
Po këtu e keni çuar ju Shqipërinë sot. Ndaj lexojeni mirë deklaratën e Bundestagut. I pëlqen si pëlqen kujt, ata janë shtylla më kryesore e demokracisë në kontinent.
Çfarë thotë deklarata tyre për gjyqësorin: “Gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga ndikimet politike dhe të mos jetë objekt i asnjë kontrolli politik”. Ja pra zotërinj, ndërsa ju doni kontrollin me Hysenin e statutit dhe Seferin e Shullazit.
Në kohën time, në postin e Seferit të Shullazit ka qenë një njeri i emëruar qysh në kohën e socialistëve dhe unë se kam lëvizur atë fare. Ka qenë një njëri i emëruar nga PS. Po pse do ta lëvizja unë atë. Ai ishte një njëri që bënte detyrën dhe kaq. Kush ishte në larjen e parave? Një oficer policie gjithë jetën e tij. Kë vutë ju? Hajdutin e financave të PS dhe pastaj vutë Alketin e statutit. Me këtë do të kontrolloni drejtësinë? Po kurrën e kurrës, Europa nuk do jua lejoj ju këtë kontroll. Europa po kërkon me insistimin më të madh reformën, por ajo s’mund të pranojë kurrë reformën që ju planifikoni. Dhe unë ju garantoj se nuk do të ketë asnjë progres pa largimin e Edi Ramës!”, tha Berisha.

Tre vite pa asnjë qindarkë pensionistët

Sa për mashtrimet që tha Rama në fjalën e tij, njëri që s’di ato që flet. Unë absolutisht vlerësoj dhuratën në fund të vitit për pensionistët, ta gëzojnë, sepse e meritojnë njëqind herë, por dënoj qëndrimin cinik dhe shpirtkazëm të Ramës që tre vite i la pa një qindarkë, pa një kacidhe dhe tani del e mburret sikur po ja u jep nga xhepat e tij, në një kohë kur, sikur vetëm 1/10-ën e shpenzimeve që bën për zyrat e tij tja u jepte pensionistëve, ata do merrnin çdo ditë, siç morën 8 vite me radhë, dy herë nga 50 mijë dhe 6 herë të tjera 25 mijë, dhe do të kishin marrë sot në katër vjet jo 60 mijë, por fiks 120 mijë. Mirëpo këta janë bijtë  e etërve.
Besoj ju kujtohet disave se si në vitet ’70 morën dele nga Jugu dhe i çuan në Veri, çuan brucelozën dhe to dhe një këngë “dhamë e dhamë e dhamë e dhamë”. Po a mundet një kryeministër të bëjë takim me oficerët se ju ka rritur rrogat? Vetëm ky mund ta bëjë. Po ne ja u kemi rritur rrogat 110-120% dhe kurrë s’kemi bërë një takim me ta, sepse ajo është një normë. Sigurisht që këtë e bën një kryeministër që ka vetëm një mendësi, atë të Spiro Kolekës, që ndjek vetëm një rrugë; atë të etërve të tij.
Edhe një herë për ta mbyllur, u bëj thirrje shqiptarëve, mesazhi i Brukselit, mesazhi i Europës është një dhe vetëm një; E duam Shqipërinë të eci drejt nesh, me Edi Ramën ecni drejt Enver Hoxhës, nuk shkoni drejt Europës. 18 qershori është dita që shqiptarët do të votojnë për Europën. Era e re që po fryn do ta hedhi atë në Lanë!

Fletë-arresti që në maj për Balilin, policia s’e arrestoi

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër arresti që në muajin maj për Klement Balilin, por policia nuk e arrestoi. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se, “urdhër-arresti ndërkombëtar për Klement Balilin, i lëshuar në maj të këtij viti detyronte policinë të arrestonte të kërkuarin, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”. Edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi pak ditë më parë se, policia duhej ta kishte arrestuar që në maj Kelment Balilin, për të cilin kishte një urdhër arresti për trafik ndërkombëtar droge. Policia jo vetëm që nuk e arrestoi, por Ministria e Brendshme e mori në mbrojtje Balilin, duke përgënjeshtruar lajmet e mediave se ai ishte kreu i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Në fillim të majit, Policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane kreu një operacion masiv, duke konfiskuar më shumë se 1 ton marijuanë dhe duke arrestuar një numër të konsiderueshëm trafikantësh si pjesë e një hetimi ndërkombëtar të shtrirë në shumë vende. Media greke raportoi atëhere se kreu i organizatës kriminale ishte një zyrtar shqiptar, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë, por ky rezultonte figurë tepër e fuqishme për t’u arrestuar për shkak të lidhjeve të tij me qeverinë shqiptare. Autoritetet shqiptare heshtën, duke mos marrë asnjë masë për arrestimin e Balilit, ndonëse ai ishte në detyrë si drejtor i Transportit Rrugor në Sarandë. Jo vetëm kaq, por Ministria e Brendshme u përpoq të mbrojë veten, duke përgënjeshtruar lajmet e medias greke dhe duke argumentuar se kishte bashkëpunuar me operacionin ndërkombëtar, por sërish heshti në lidhje me Balilin. Përgjatë të gjithë ditës së 11 majit, ndërsa media greke raportonte mosveprimin e autoriteteve shqiptare për arrestimin e tij, ndërsa këto të fundit heshtnin, vetë Balili u shfaq në media duke deklaruar se është “i pafajshëm”, dhe se po “sulmohej politikisht”.
Pas këtyre deklarateve, mediat publikuan dokumentat e policisë greke, në të cilat Klement Balili, i njohur si “Eskobari i Ballkanit” rezultonte person i shpallur në kërkim, si financues dhe organizues i trafikut të drogës në sasi të mëdha. Sipas dokumenteve, sasi të mëdha marijuane niseshin nga zona e Sarandës në Shqipëri me det për mbi 100 kilometra deri në gjirin e Korinthit në Greqinë qendrore, nga ku dërgoheshin në vendet e Bashkimit Europian, duke përdorur kompani false transporti. Në Belgjikë, autoritetet zbuluan hallkën belge të drejtuar nga një shqiptar, i dyshuar dhe hetuar pa sukses më herët nga Prokuroria shqiptare për pastrim parash.

Prokuroria, procedim që në shkurt për Balilin

Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, në shkurt të këtij viti kishte regjistruar një procedim penal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike ndaj Klement Balilit, që në atë kohë mbante detyrën e drejtorit të Transportit Rrugor në Sarandë. Hetimi kishte nisur nga informacione të siguruara nga agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit dhe ishte i pavarur nga hetimi që po kryenin autoritetet greke të asistuara nga zyra e DEA-s amerikane në Athinë. Gjatë kësaj kohe, Prokuroria kishte siguruar dy numra telefoni që dyshohet se përdoreshin nga Balili, një numër shqiptar dhe një grek që funksiononte në territorin shqiptar me anë të shërbimit “roaming”.
Po ashtu gjatë kësaj kohe i dyshuari është mbajtur në vëzhgim, dhe ai është parë shpesh në shoqërinë e politikanëve të rëndësishëm. Kjo situatë mësohet se ka vijuar deri në muajin maj të këtij viti, kur autoritetet greke sekuestruan një ngarkesë me mbi 700 kg kanabis dhe arrestuan 15 persona, ndërsa u lëshua një urdhër-arresti ndërkombëtar edhe për Klement Balilin, i cili ishte ende në detyrën e drejtorit të Transportit Rrugor.
Në kohë rekord, Interpol Athina sinjalizoi selinë qendrore të Interpolit në Lion të Francës, i cili shpërndau urdhër-arrestin në të gjitha njësitë e Interpolit, përfshi edhe Tiranën. Interpol Tirana, pasi është vënë në dijeni ka njoftuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Po ashtu, Interpol Tirana ua ka përcjellë urdhër-arrestin të gjitha njësive të policisë vendore, të cilat kanë detyrimin të ekzekutojnë këtë urdhër-arresti, ose së paku të lokalizojnë vendndodhjen e të kërkuarit. Policia është e detyruar të kryejë ekzekutimin e tij dhe të njoftojë prokurorin, por nuk ndërmori asnjë veprim për arrestimin e Balilit.
Aktualisht, prokurorët e Task Forcës pranë Krimeve të Rënda po identifikojnë pasuritë e Klement Balilit dhe llogaritë e tij bankare për t’ju drejtuar më pas Gjykatës me kërkesën për sekuestro konservative deri në përfundim të hetimeve ndaj tij. Klement Balili është pronar i kompleksit turistik “Santa Quaranta”. Ky kompleks është ndër më luksozët dhe më modernët në bregdetin e Sarandës dhe më gjerë. Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës. Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë. Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës. Bëhet e ditur se, Balili zotëron edhe prona të paluajtshme si, apartamente dhe truall toke. Klement Balili ishte emëruar drejtor i Transportit në qytetin bregdetar të Sarandë, ndonëse në 2006, ishte arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të një aksioni antidrogë. Balili akuzohet zyrtarisht për veprën penale, trafikim të lëndëve narkotike në vendet e BE-së së bashku edhe me disa persona të tjerë shqiptarë të arrestuar më herët.

Prokurori amerikan në zyrën e Llallës për arrestimin e Balilit

Prokurori shqiptaro-amerikan, Gjon Juncaj ka shkuar dje që herët në mëngjes në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla për mosarrestimin e trafikantit të shumëkërkuar Kelment Balili. Nuk ka një njoftim zyrtar për takimin mes tyre, por biseda është fokusuar në procedurat për lëshimin e urdhrit të arrestit ndaj Balilit. Për më shumë se një orë e dhjetë minuta, prokurori Junçaj, ka biseduar me kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe drejtues të tjerë më të rëndësishëm në prokurori, për çështjen Balili.
Një ditë më parë, ambasadori amerikan Donald Lu, kritikoi ashpër policinë duke thënë se, ka dështuar për arrestimin e “Eskobarit të Ballkanit”. Ambasadori amerikan në Tiranë deklaroi të mërkurën se kishte kërkuar prej 7 muajsh arrestimin e “Eskobarit të Ballkanit”, Klement Balili, por askush nuk e ka arrestuar. Kjo për ambasadorin nënkupton dështimin më të madh të policisë dhe gjithë sistemit të drejtësisë.

Sekuestrohet dokumentacioni i “Santa Quaranta”

Me urdhër të Prokurorisë, policia ka sekuestruar dje dokumentacionin e pronësisë së restorit luksoz turistik “Santa Quaranta”, në pronësi të Klement Balilit. Ky veprim është ndërmarrë nga Prokuroria si pjesë e një hetimi të nisur për pastrim parash për të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit”, i shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge. Sipas Prokurorisë, dyshohet se kjo pasuri dhe të tjera në pronësi te 44-vjeçarit nga Saranda janë vënë me para të ardhura nga aktivitete kriminale.
Pas urdhrit të arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Klement Balili është në kërkim, por duket se policia nuk ka qenë e impenjuar për arrestimin e tij. Në maj të këtij viti autoritetet greke, pas një hetimi të përbashkët me DEA-n amerikane e përmendën emrin e tij si drejtuesin kryesor të një rrjeti të gjerë të trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Greqi e disa vende të tjera të Bashkimit Europian.

Dekonspirimi, “Thuaji të ikë, se po vijnë krushqit”

Një bisedë telefonike mes familjarëve të Klement Balilit e përgjuar nga Prokuroria ka zbuluar dekonspirimin e operacionit për arrestimin e “Eskobari i Ballkanit”. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se, telefonata është kryer në orën 02:00 të mëngjesit të datës 10 dhjetor, në kohën kur Forcat Speciale kishin në duar urdhër-arrestin nga Prokuroria dhe ishin nisur drejt Sarandës për të vënë në pranga Balilin.
“Alo, thuaj të ikë, po vijnë krushqit”, dëgjohet një prej pjesëtarëve të familjes së Balilit, të informojë të afërmit e tjerë, të cilët nga lokalizimi i telefonit rezulton se në momentet e kryerjes së telefonatës ndodheshin në banesën e tyre.
I paqartë për Prokurorinë mbetet fakti se kush e informoi të afërmin e Balilit që policia ishte nisur në drejtim të Sarandës. Dyshimet bien mbi punonjësit e Policisë së Sarandës, të cilët mbështetën në operacion Forcat Speciale që udhëtuan nga Tirana.

Ministri Manjani heq përgjegjësitë për mos arrestimin e Balilit

Një ditë pas deklaratës së ambasadorit Donald Lu, i cili e quajti dështim të policisë dhe drejtësisë mos arrestimin e Klement Balilit, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar dje duke kërkuar të mos barazohen përgjegjësitë. “Mostrajtimi apo trajtimi i gabuar i kësaj çështje nuk mund t’i barazojë institucionet e shtetit në përgjegjësi dhe as të luhet “ping-pongu” i radhës”, thotë Manjani duke nënvizuar: “Ligji shqiptar përcakton qartë se kush arreston, kush ndalon, kush akuzon dhe kush dënon persona të përfshirë në shkeljet e ligjit”.
Duke mbështetur plotësisht shqetësimin e shprehur ditën e djeshme nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Lu në lidhje me mos arrestimin e shtetasit Klement Balilit, Manjani bën të qartë detyrën e tij dhe nënvizon se është kryer sipas rregullave.
“Ministri i Drejtësisë vetëm ndihmon me transmetim letër- porosish dhe/ose përkthim zyrtar të dosjeve. Këtë detyrë e kemi bërë në kohë rekord. Kush ka kuriozitet mund të vijë më pranë institucionit t’i verifikojë, sipas rregullave të informacionit të klasifikuar”, vazhdon më tej ai.
Duke nënvizuar se ligji shqiptar përcakton qartë se kush arreston, kush ndalon, kush akuzon dhe kush dënon persona të përfshirë në shkeljet e ligjit Manjani thotë: “Ping-pongun e përgjegjësive e kam denoncuar gjithnjë si të keqen më të madhe që ka sot sistemi. Prandaj askush të mos fshihet pas alibive të sajuara, por të marrë përgjegjësitë që i jep ligji dhe t’i ushtrojë”.

R.POLISI

Vendimi i BE, tre kushte shtesë 5 rekomandimeve

Këshilli Evropian mblidhet sot ne Bruksel në një takim që ndër të tjera do të ketë në axhendë dhe çështje të zgjerimit të Unionit.
Kjo mbledhje e liderëve te qeverive të vendeve anëtare vjen vetëm dy ditë pas takimit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, që miratuan të pandryshuara draft-konkluzionet e adoptuara nga ambasadorët e përfaqësive të përhershme të BE-së për Shqipërinë javën e shkuar.
Në konkluzionet finale, Ministrat e Jashtëm nënvizuan se para hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, duhet siguruar zbatimi gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm i 5prioriteteve kyçe.
Ata specifikuan nevojën për rezultate konkrete në zbatimin e reformës së drejtësisë me fokus ligjin e Vettingut, luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, çmontimin e grupeve kriminale, trajtimin e prodhimit dhe trafikut të drogës, si dhe forcimin e drejtave të njeriut dhe minoriteteve.
Përveç 5 prioriteteve, në konkluzionet e Ministrave të Jashtëm kërkohet zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, përfundimi i reformës zgjedhore, zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare si dhe marrëdhënie të mira fqinjësie.
Mbledhja e sotme e Këshillit Evropian është parashikuar në oren 12:30. Shtetet anëtare janë të përçara mbi mundësinë e hapjes në 2017 të negociatave te anëtarësimit te Shqipërisë në BE. Momenti më i përshtatshëm, sipas shumë shteteve anëtare, do jetë pranvera e vitit 2018.

Business Insider: Enver Hoxha nga diktatorët më mizorë

Adolf Hitleri ka qenë diktatori më i egër në botë, por jo i vetmi. Business Insider ka bërë një renditje të diktatorëve më fatkeqë, mes të cilëve ka listuar edhe Enver Hoxhën.
Diktatori komunist i Shqipërisë promovoi një politikë si ajo e Koresë së Veriut. Gjatë sundimit të tij për rreth 40 vjet, Hoxha ndaloi fenë, urdhëroi ndërtimin e mijëra bunkerëve dhe ndërpreu marrëdhëniet me shtetet më të rëndësishme botërore.
Më shumë se 2 mijë persona u burgosën gjatën regjimit të Enver Hoxhës, shkruan Business Insider.
Një tjetër diktator është Carlos Osoria Arana që udhëhoqi Guatemalën pas grushtit të shtetit të vitit 1954. Rreth 20 mijë njerëz kanë vdekur apo janë zhdukur gjatë sundimit të tij.
Rafael Trujillo udhëhoqi Republikën Domenikane për më shumë se 30 vite. Djali i tij më i madh u bë kolonel dhe zhvilloi një fushatë të ashpër hakmarrjeje ndaj atyre personave që dyshonte se kishin lidhje me vrasjen e babait të tij.