21.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Nishani pret kreun e BDI, Ahmeti

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti dje dhe zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, zotin Ali Ahmeti. Biseda mes Kreut të Shtetit shqiptar dhe zotit Ahmeti u përqendrua kryesisht tek procesi zgjedhor në Maqedoni dhe rezultatet e partive politike shqiptare.
Presidenti Nishani, pasi e uroi zotin Ahmeti për fitoren e subjektit të tij politik në zgjedhje, vlerësoi angazhimin dhe kontributin e të gjitha subjekteve politike shqiptare në procesin zgjedhor si dhe në proceset demokratizuese dhe integruese të Maqedonisë.
Kreu i Shtetit nënvizoi prioritetin që Shqipëria u jep marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe partneritetit me Maqedoninë, duke theksuar rëndësinë që ka garantimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni si një komponent shtetformues dhe garantues i stabilitetit atje. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se proceset e integrimit euro-atlantik janë thelbësore dhe përfaqësojnë interesin më madhor të të dyja vendeve, por edhe të rajonit në tërësi.

Reagimi i Ramës në takimin me Merkel si i sëmurë psikik

Sali BERISHA

“Asnjë mandat deputeti apo zyrtari të qeverisë nuk duhet të ekzistojë nëse ndaj tij ka urdhër-arresti apo tashmë është dënuar. Të tjera pika në listën e prioriteteve janë reforma në sistemin zgjedhor dhe administratën publike, respektimi i të drejtës së pronës dhe respektimi i të drejtave të njeriut”. Pra, asnjë Armando Prengë etj. Dhe Edi Rama shkon e ulet si një gënjeshtar dymetërlik para kryeministrave të Europës, dhe kur i thonë ata se nuk mund ta pranojnë një gjë të tillë ky (Rama) i thotë se në grupin tim parlamentar nuk ka asnjë Armando Prengë të betohem, duke shkaktuar me këtë vetëm një përçmim të tyre ndaj tij.
Në deklaratën e tyre ka një gjë tjetër shumë të rëndë: “Shqipëria nuk duhet të pësojë rënie në rrugën drejt Bashkimit Europian. Para se Bundestagu të jetë dakord për hapjen e negociatave, duhet të plotësohen shumë kushte. Megjithatë, Shqipëria mund të mbështetet kurdoherë në përkrahjen e Gjermanisë dhe të grupi parlamentar CDU-CSU”.
Çfarë bëri Edi Rama, i cili e kishte paraqitur Berlinin se do të ishte nëntori i katërt për Shqipërinë, se do t’i jepej sihariqi i madh?! Mirëpo për fat të mirë Europa është transparente, Europa merr informacione. Së pari, kancelarja para se të hynte në takim e të humbiste një orë në takim me të, i bëri një urim të përzemërt shqiptarëve për festën e pavarësisë dhe të çlirimit. Së dyti, u tha gjermanëve dhe shqiptarëve se ne kërkojmë zbatimin e 5 prioriteteve. Se përveç zbatimit të 5 prioriteteve duhen zgjedhje të standardeve ndërkombëtare. Gruaja më e fuqishme e planetit foli gjithsej një minutë, por në atë minut, ajo arriti të thotë çdo gjë.
Ato që tha në konferencë shtypi, ato dhe vetëm ato mund të ishin axhenda e bisedimeve të kancelares me njeriun që e mashtronte sy më sy dhe që mendonte se e mashtronte. Çfarë bëri Edi Rama?! Insistonte si i sëmurë patologjik për t’i dhënë datën e negociatave! Përgjigja ishte: Karton i kuq! Insistonte si i sëmurë patologjik për t’i dhënë modelin serb! Karton i kuq ishte përgjigja! Insistonte në mënyrë patologjike për t’i dhënë datë për raportin tjetër. Karton i kuq sërish!
Gjermanët të vendosur në vlera, qëndruan fuqishëm në 5 prioritetet, qëndruan fuqishëm tek dekriminalizimi, qëndruan fuqishëm tek zgjedhjet, sepse e dinë që me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Ia njohin.
Merre pak çfarë tha përfaqësuesi i CDU këtu për zgjedhjet: Probleme shumë të mëdha ka pasur, tha. Nëse këtë e thonë si gjë kryesore, e thonë me një keqardhje shumë të madhe, sepse nëse një vend bën zgjedhje të standardeve më të paqena, ai nuk ka rrugë evropiane, mirëpo ata janë dakort që Shqipëria të ketë rrugë europiane.
Së fundmi, Edi Rama nxori kartën e të atit. “Kancelare, – tha, – Faktori i Tretë është operativ në Ballkan!” Po duhet të jesh budalla të thuash një gjë të tillë. Mirëpo ajo, pikërisht atë që ky quan faktor i tretë po ja fut këmbët në një këpucë, po e mbyt me sanksione Putinin. Ajo spo pyet për Putinin, jo për Edvinin! Më erdhi mirë që erdhi i bërë pulë në kuptimin e keq të fjalës ose më saktë i bërë si këlysh i rrahur, në fjalimin që mbajti në takimin me diplomatët e hoqi fjalën “Faktori i Tretë”. “Jo, -tha, – s’kemi punë me Faktorin e Tretë”. Pra, ky është dështimi total i Edi Ramës. Kthehet nga Berlini ku kishte premtuar sihariq dhe nëntorin e katërt dhe mban 20 minuta fjalim kundër opozitës. Që ta dini ju pse e mbajti fjalimin. E mbajti, sepse i thotë Fugës dhe këtyre mashtruesve që kishte me vete, thoni se më thanë se opozita është problem i madh dhe në këto marrëdhënie nuk hapen negociatat.
Unë po ja u them juve këtu me përgjegjësi absolute, përveç asaj që është thënë në konferencë shtypi se marrëdhëniet politike të brendshme duhet të jenë të tjera, se bashkëpunimi midis pozitës dhe opozitës është thelbësor për axhendën e reformave që kanë të bëjnë me BE. Ky është thelbi.
E dini si jeni ju o zotërinj. Në vitet ’60 Stanley Milgram, ka bërë një eksperiment shumë interesant. Ju nuk jeni njerëz të indoktrinuar, por çfarë jeni ju. Milgram, i sponsorizuar nga Universiteti i Yale mori një grup të gjërë njerëzish dhe u dha të plotësonin një formular. Një pjesë e mirë e formuluan si duhet, një pjesë e tyre e formuluan me gabime. Drejtuesi i studimit i dikton një që e plotësoi mirë dhe një që e plotësoi me gabime. Dhe u jep këtyre nga një aparat elektroshoku. Dhe u thotë se këtyre që bënë gabime do t’u jepni nga një shkarkesë elektroshoku, dhe përcaktoni vet shkallën. Çfarë doli? 67% u dhanë shkarkesa maksimale. Pse ndodhi kjo, si ka mundësi kaq barbarë, ç’ishte ky akt? Këta e bënë për dy arsye. E para, se drejtuesi i studimit u dukej njëri kompetent, siç ju duket juve ky (Rama). Dhe nga Milgram kam kuptuar sjelljen tuaj. Së dyti, ata dhanë elektroshokun maksimal, sepse ishte Yale University dhe ishte autoritet. Njësoj edhe ju. Meqë është qeveria le të bëjë çtë dojë, edhe ju jeni personazhe të eksperimentit të Milgram.

Pengesat e Ramës, kushte të BE

Kastriot ISLAMI

Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE s’do të hapen as këtë vit. Ky është lajmi i keq, dëshpërues e madje poshtërues për shqiptarët. Kurse Rama dhe ministri i tij i Jashtëm përmes një llogoreje mashtrimesh dhe gënjeshtrash përpiqet t’i mbushë mendjen shqiptarëve se nuk na kanë vënë kushte, por kritere e madje në ndonjë rast bëhet fjalë për prioritete. Dhe pas këtyre mashtrimesh, kërkojnë tju provojnë shqiptarëve se qeveria e ka bërë detyrën e saj dhe i vetmi kusht është “vetingu” që e mban  peng opozita. Por si është e vërteta. Ose ndryshe përse ministrat e Jashtëm të BE s’kanë pranuar të hapin edhe këtë vit negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE?
Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE deklaruan se, hapja e negociatave me Shqipërinë do të shqyrtohet kur të ketë progres për ato pika, të cilat janë kthyer në pengesë për të marrë një vendim pozitiv në mbledhjen e Këshillit Europian në 15 dhjetor 2016. Pengesat janë disa, nuk është vetëm “vetingu” siç kërkonte të mashtronte shqiptarët Rama. Për më tepër, s’ka as datë për hapjen e negociatave, megjithëse Rama u përpoq para disa javësh të bindte shqiptarët se negociatat do të hapen këtë vit dhe madje shkoi deri atje sa të tentonte të fuste një datë në deklaratën e ministrave të Jashtëm, duke i kërkuar atyre të adoptonin “modelin serb” të hapjes së negociatave dhe e gjitha kjo thjesht për të mashtruar shqiptarët.
Pengesat e ngritura nga Rama janë veçse kushte të rënda të vendosura nga BE për shqiptarët, 5 kushtet e vjetra për të cilat nuk ka progres të shënueshëm dhe disa kushte të reja që do të turpëronin çdo vend europian. Cilat janë pengesat e krijuara nga Rama që BE i ktheu në kushte? Rama i quan kritere apo prioritete, kjo ska asnjë rëndësi! Dhe kush realisht i ka krijuar këto pengesa apo kush mban përgjegjësi për krijimin e këtyre pengesave? Nuk ka më asnjë dyshim se, hapja e negociatave është në duart e shqiptarëve në kuptimin që ata duhet të zgjedhin qeverinë e tyre që ju mundëson apo garanton progresin e kërkuar nga BE. Përveç 5 kushteve të përcaktuara në Raportin e Komisionit Europian, në dokumentin e ministrave të Jashtëm të vendeve të BE ekzistojnë edhe disa kushte/kritere/prioritete të reja që lidhen vetëm me pengesat e krijuara pas marrjes së statusit të vendit kandidat, pra pas vitit 2013, kur Rama u ul në kolltukun e kryeministrit:

1. Ndarja e krimit nga politika….
BE kërkon qartas largimin e individëve me rekorde kriminale, të dënuar apo arrestuar për krime të rënda, nga qeverisja, nga Kuvendi, nga Administrate Publike. Ata e kanë tashmë të qartë se kriminalizimi i organizuar i mazhorancës është ideuar e realizuar nga Rama për të fituar postin e kryeministrit. Ky kusht/kriter/prioritet do të mund të realizohet vetëm nëse Rama do të largohet nga drejtimi i qeverisë, përndryshe negociatat për anëtarësim në BE nuk do të mund të hapen për Shqipërinë. Ky është edhe kushti më i turpshëm për Shqipërinë, kusht që nuk e ka pasur asnjë vend tjetër kandidat për në BE…

2. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme…
Zgjedhjet e lira e të ndershme mbeten kusht/kriter/prioritet kryesor për hapjen e negociatave. Madje, ky është kushti që ka lënë hapjen e negociatave pa një datë të përcaktuar, sepse gjithçka varet nga cilësia e zgjedhjeve të ardhshme. Nëse në zgjedhjet e ardhshme do të evidentohen blerje e votës dhe kërcënimi i zgjedhësve, përfshirje e individëve me rekorde kriminale në listat e kandidatëve për deputetë, përdorim i parave të pista të korrupsionit apo kanabisit për manipulimin e rezultatit zgjedhor e tjerë atëherë me shumë gjasa vendi do të zhytej në trazira sociale për shkak të zgjedhjeve dhe Parlamentit ilegjitim. Rama ka ndërtuar dhe testuar në tre zgjedhjet e fundit skema të ndryshme për manipulimin e zgjedhjeve dhe duket e pamundur që ai të heqë dorë nga fitimi i zgjedhjeve përmes manipulimit të rezultatit zgjedhor. Prandaj edhe ky kusht zorr se mund të realizohej pa larguar Ramën nga drejtimi i qeverisë…

3. Kultivimi masiv i kanabisit dhe trafiku i drogave të forta
Kjo është një dukuri e re e ideuar nga Rama dhe zbatuar me devotshmëri nga Tahiri përmes rrjetit të policisë dhe individëve me rekorde kriminale. Kjo dukuri është kthyer në një pengesë të re që mban peng hapjen e negociatave. Kjo pengesë e re do të vazhdojë të mbetet prezente përderisa Rama të arrijë të përdorë këtë dukuri për blerjen e votave dhe kërcënimin e zgjedhësve, pra për manipulimin e zgjedhjeve…

4. Korrupsioni ekstrem i nivelit të lartë
Kjo është një dukuri e vjetër, por e kthyer në sistem pas vitit 2013, duke u kthyer në një pengesë tjetër për hapjen e negociatave. Për më tepër, gjatë këtyre tre vjetëve qeveria Rama s’ka dhënë asnjë garanci se kjo dukuri do të luftohet apo nuk ekziston asnjë informacion se kjo dukuri është duke u tkurrur, përkundrazi ajo po rritet dhe sofistikohet. Numri i rasteve korruptive me fondet dhe asetet publike, veçanërisht me përdorimin e koncesioneve ku dyshohen Kryeministri dhe disa nga ministrat e Ramës është në rritje të frikshme…

5. Përkeqësimi i marrëdhënieve me fqinjët,
është kthyer nga qeveria Rama në një pengesë që nuk ka ekzistuar më parë. Marrëdhëniet janë të përkeqësuara me Greqinë. Me Maqedoninë është rritur mosbesimi në marrëdhëniet mes tyre. Shou në marrëdhëniet me Serbinë nuk ka mundur të ndryshojë/kompensojë perceptimin e përkeqësimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët dhe reagimi nga disa vende fqinje ka qenë i menjëhershëm. Shqipërisë i kërkohet një politikë konstruktive me fqinjë, dhe ky është kthyer në një kusht/kriter/prioritet për hapjen e negociatave.

6. Përfundimisht…
mund të thuhet se “perspektiva europiane për Shqipërinë dhe shqiptarët” është optimiste; kjo është gjuha me të cilën janë shkruar edhe raporti i Komisionit Europian dhe deklarata e ministrave të Jashtëm. Por negociatat s’janë hapur dhe hapja e tyre “qëndron tërësisht në duart e vetë shqiptarëve”, si përsa i përket datës ashtu edhe plotësimit të kushteve/krietereve/prioriteteve; thënë ndryshe, hapja e negociatave do të bëhet realitet vetëm atëherë kur BE të vlerësojë një progres të shënueshëm në ato kushte/kritere/prioritete që ka vendosur. Dhe kjo mesa duket s’ do të mund të ndodhë me Ramën në krye të qeverisë. Dhe kjo duket qartë po të kemi parasysh se këtë radhë s’ka një datë për hapjen e negociatave. Madje s’ka asnjë datë edhe se kur do të shqyrtohet raporti i ardhshëm vlerësues për detyrat e shtëpisë të lëna nga BE. Pengesat kryesore për hapjen e negociatave bëjnë përgjegjës vetëm Ramën dhe qeverinë e tij, pavarësisht nëse ai i konsideron këto pengesa kushte, kritere apo prioritete…

Ndaleni dorën barbare mbi Mat

Sami MILLOSHI

Kryetari i Bashkisë së Klosit, zoti Basir Cupa, na ka bërë një ftesë në Facebook në të cilën na kërkon të shprehemi për një projekt që paska Ministria e Mjedisit për ndërtimin e disa hidrocentraleve mbi lumin Mat në atë zonë.
Unë e përgëzova zotin Cupa, që projektet i diskuton edhe në Facebook me njerëzit që e kanë zgjedhur. E pyeta, gjithashtu se cili ishte mendimi i tij personal për atë projekt. Fakt është, se zoti Cupa, nuk iu përgjigj pyetjes sime, dhe jo vetëm mua. Edhe të tjerë e pyetën si unë, por ai zgjodhi të mos përgjigjej.
Para se të shpreh mendimin tim, e rilexova edhe një herë thirrjen e kryetarit Cupa. Më rezulton se projekti nuk është i tij, as i Bashkisë së Klosit. Projekti është i Ministrisë dhe nuk dihet nëse ajo e ka këshilluar me banorët e luginës së Matit, dhe veçmas, me qytetarët e Bashkisë së Klosit. Për këtë bindem qoftë edhe nga revolta tepër e justifikuar e mikut tim, personalitetit matjan, matematicienit dhe studiuesit të spikatur, Aqif Ymeri. Ai, as më shumë dhe as më pak, pasi shpjegon me argumente se është kundër projektit e quan “fashiste” një ndërhyrje të tillë në Mat.
Zotërinj të nderuar matjanë, i nderuar zoti Basri Cupa, edhe unë jam kundër. Eshtë projekt barbar. Unë, shkurtimisht do ta shoh projektin nga një këndvështrim tjetër nga ai që e sheh i nderuari Aqif Ymeri.
Zotërinj të projektit, mos harroni se lumi i Matit, ia ka dhënë dy bij të vet Shqipërisë, dhe këta janë Hidrocentrali i Shkopetit dhe ai i Ulzës. Janë mjaft. Janë tepër.
Së dyti, Mati është sakrifikuar shumë për Shqipërinë me qindra milionët e toneve të kromit që kanë mbajtur shtetin për 50 vjet, pa përfituar kurrgjë, përkundrazi, ka qenë kurdoherë i diskriminuari i jashtëzakonshëm në diktaturë. Asnjë kilometër rrugë nuk u shtrua, asnjë investim serioz nuk u bë. Edhe Uzina e Ferrokromit nuk u solli ndonjëherë mirëqenie matjanëve, përveçse ndoti edhe më shumë ambjetin.
Pas gjithë këtij kalvari vuatjesh, matjanëve përsëri, në vend që t’u ofrohen investime në infrastrukturë, iu ofrohen projekte që barbarisht do ta shkatërrojnë edhe me natyrën që mezi, ka filluar të ringjallet në këto dy dekada të fundit.
Si përfundim, unë personalisht e konsideroj të padrejtë një ndërhyrje tjetër në ekosistemin e luginës së Matit. Do të ishte fatale.
Prandaj, të ndalet dora barbare mbi Mat.

Masakrohet qytetari në Vlorë për parkimin e makinës

Një qytetar është masakruar barabrisht nga punonjësit e kompanisë “Tis Park” që ka marrë me koncesion parkinget e qytetit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:25, në rrugën kryesore të Bulevardit Vlorë-Skelë. Bëhet e ditur se, Edi Alikaj kishte parkuar makinën dhe kur ishte kthyer kishte gjetur gomën e bllokuar nga punonjësit e kompanisë që ka marrë me koncesion parkingjet. Ju ka kërkuar atyre shpjegim ligjor për bllokimin dhe se ku e kishin bazuar. Punonjësit kanë thirrur shefin, Fitim Veizajn, i cili ka ardhur i shoqëruar me vëllezërit e tij të cilët nuk janë punonjës të “Tis Park”.
Pasi e kanë ofenduar ata e kanë goditur Edin dhe njëri prej vëllezërve ka nxjerrë edhe thikën. Në ngjarje ka ndërhyrë kunati i Edit, i cili ja ka marrë thikën nga dora njërit prej vëllezërve dhe është përleshur me ta.
Qyteti i është dhënë me koncesion bandave, të cilat nëse nuk u bindesh, në rastin më të mirë të rrahin e në rastin më të keq të vrasin.
Policia bëri të ditur se ka shoqëruar autorin e dyshuar, shtetasin me iniciale H.D., 34 vjeç, banues në Vlorë, me të cilin po punohet për sqarimin e rrethanave të këtij konflikti. Dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të bllokimit të gomës së mjetit të autorit të plagosjes.

Mësuesit sot protestë para Ministrisë për shpërblimet

Mësuesit e shkollave të Tiranës dhe të rretheve do të protestojnë sot para Ministrisë së Arsimit. Pas kërkesës së sindikalistëve për takim me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, për të diskutuar për problemet që kanë arsimtarët, takim i cili nuk u realizua, ata kanë përcaktuar se ditën e premte më 16 dhjetor në orën 14:00 do të zhvillojnë protestën e parë.
Në kërkesat e saj, Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë kërkon respektimin e normës mësimore dhe pagesën e orëve mbi normë të mësuesve, pagesën e transportit të arsimtarëve si dhe shpërblimin e fundvitit prej 10 mijë lekë. Kryetarja e Sindikatës së Tiranës, Alma Lama, fton mësuesit t’i bashkohen protestës për më shumë dinjitet dhe t’i thonë jo paligjshmërisë. Ndërsa kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Nevruz Kaptelli tha se, në protestë do të marrin pjesë edhe mësuesit e shkollave të rretheve.
Sindikata e Pavarur e Arsimit rendit një sërë kërkesash: shpërblimi i fundvitit, respektimi i normave të punës, pagesa e orëve mbi normë, qëndrueshmëria e reformave, transparenca në emërime, vendime, kurrikula e të tjera.
Me disa prej tyre, Ministria e Arsimit është njohur nëpërmjet një letre të nisur që më 22 nëntor, ku Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë konstaton se, partneriteti me MAS nuk po funksionon siç është parashikuar në kontratën kolektive të punës. Nisur nga kjo, parashtrohen disa shqetësime që kërkojnë zgjidhje:
1. Formatizimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar dhe të këshillave vendorë të arsimit parauniversitar.
2. Pagesa e transportit të mësuesve, duke e llogaritur largësinë e vendit të punës nga qendra e njësisë administrative ku banojnë.
3. Pagesa e orëve mbi normë, të provimeve të fundvitit, të Maturës Shtetërore e të tjera.
4. Shpërblimi prej 10 mijë lekësh për çdo mësues në fund të vitit si detyrim ligjor që rrjedh nga
Kodi i Punës, neni 114, pika 2 dhe neni 10.11 i kontratës kolektive të punës.
Protestat e vazhdueshme e madje edhe bojkoti i mësimit janë dy mjetet që sindikata ka përdorur që zëri i mësuesve të dëgjohet. Shpesh, ata i kanë paraqitur kërkesat e tyre në formë shkresash ministrisë apo edhe i kanë shprehur në komisione parlamentare. Të parët që u prinë protestave në rang vendi ishin mësuesit e Shkodrës, të cilët protestuan një ditë më parë përpara shkollave. Ata pretendojnë se, shpërblimi i fundvitit është paracaktuar në buxhet dhe nuk është dhënë që prej më shumë se tri vitesh. Përpara pak ditësh, Ministria e Arsimit u ka nisur të gjithë mësuesve një letër për fundvitin, në të cilën i uron e i motivon ata për punën e tyre.
Mësuesit në Shkodër protestuan një ditë më parë, para Drejtorisë Arsimore për mosmarrjen e shpërblimit të fundvitit. Mësuesit të përfaqësuar nga Sindikata e Arsimit, kërkuan dhe pagesën për transportin mbi 5 km apo orët shtesë, ndërsa paralajmëruan përshkallëzim të protestës, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Siç kishte paralajmëruar Sindikata e Pavarur e Arsimit në Shkodër, protestoi para Drejtorisë Arsimore, duke kërkuar shpërblimin e fundvitit, i cili prej 3 vitesh u është mohuar arsimtarëve. Duke i kujtuar Ministrisë së Arsimit se, përfitimi i shpërblimit është i sanksionuar në kontratën kolektive, drejtuesit e sindikatës paralajmëruan grevë 1 orëshe në të gjitha shkollat. Ata kërkuan dhe pagesën për transportin mbi 5 km apo orët shtesë të mësuesve. Sindikata e Pavarur e Arsimit ka paralajmëruar përshkallëzim protestash.
Ditën e djeshme u hodhën në protestë mësuesit e shkollave të Librazhdit dhe të Prrenjasit pasi nuk kanë marrë ende rrogën e muajit nëntor. Mësueit janë grumbulluar para zyrës së Arsimit në Librazhd dhe kanë kërkuar paratë e tyre. Në të dyja bashkitë Librazhd dhe Prrenjas japin mësim rreth 890 mësues, por deri ditën e djeshme atyre nuk u janë kaluar pagat. Janë 12 gjimnaze dhe 60 shkolla 9-vjeçare që japin mësim këta mësues, por këto ditë ndodhen në vështirësi ekonomike për shkak të mos marrjes së rrogave. Shumica e mësuesve udhëtojnë në zona shumë të thella malore, por e kanë të pa munduar për të udhëtuar, pasi nuk kanë para për të paguar shoferët e linjës që i transportojnë në vendet e tyre të punës.

Mjekët kundër Beqajt për koncesionin e laboratorëve

Mjekët dhe laborantët e Spitalit “Nënë Tereza në Tiranë kanë zhvilluar një takim dje me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja për të kundërshtuar koncesionin e laboratorëve, por nuk është arritur asnjë marrëveshje. Mjekët janë shprehur se, nëse laboratorët do të kalohen në konçesion do të ketë ulje të standardit të analizave, rritje të kostos së tyre dhe shkurtim të vendeve të punës së tenikëve dhe laborantëve. Për teknikët dhe laborantët do të vendosë koncesionari dhe sipas tyre rreth 700 persona mund të dalin në rrugë. Monopolizimi sipas tyre shton pasigurinë në analiza dhe vendos në pikëpyetje diagnozën. Pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, punonjësit e mjekësisë laboratorike rrugën e vetme shohin protestën. Ata janë shprehur se do të vijojnë protestat.
Laborantët dhe teknikët shprehen se ministri Beqja ka përjashtuar nga Komisioni Drejtues i këtij koncesioni shoqatat e profesionistëve. Pas takimit në Ministrinë e Shëndetësisë kanë dalë në këtë konkluzion. Punonjësit e mjekësisë laboratorike kanë dhe një pyetje për përfaqësuesit e IFC-së në vendin tonë, hartues të studimit të fizibilitetit të këtij koncesioni.
Kundër këtij koncesioni është shprehur edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetari i Grupit parlamentar, Petrit Vasili, ka kërkuar që financimi në buxhetin e vitit 2017 për koncesionin e laboratorëve spitalorë të pezullohet, pasi konsultimet për të nuk kanë përfunduar ende dhe buxheti nuk mund të financojë një projekt të paplotë.
Koncesioni i fundit që ka planifikuar “Rilindja” për t’i dhënë një operatori privat të 18 laboratorët e spitaleve rajonale dhe atyre universitare ka shkaktuar një reagim të madh tek komuniteti mjekësor. Kjo ka nxitur edhe revoltën e madhe të punonjësve të laboratorëve. Për t’i qetësuar ministri i Shëndetësisë ka zhvilluar një takim me ta. Por, ai ka mbetur pa përgjigje përpara pyetjeve agresive të teknikëve të laboratorëve që shprehën shqetësimin se koncesionari i ri do t’i hedhë në rrugë pavarësisht nga eksperienca dhe formimi i tyre.

“Fusha e Aviacionit” në Tiranë dhe Lapraka, 4 ditë pa drita

Zona tek ish-“Fusha e Aviacionit” në Tiranë ndodhet pa energji elektrike prej katër ditësh. Qytetarët kanë bërë apel, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë nga OSHEE për kthimin e energjisë. Nisma “Thurje” ka publikuar mesazhin e një qytetari, i cili shkruan se Fusha e Aviacionit ka 4 ditë pa drita. “Ujë nuk ka, sepse nuk punojnë pompat dhe për rrjedhojë nuk lajmë dot as rrobat. Të moshuarit nuk dalin dot të blejnë ushqime, sepse nuk punon ashensori. Dhe këta kanë sy e faqe dhe dalin e flasin për arritjet e tyre? Viti 2017 po na gjen më keq se në Afrikë”, shkruan një qytetar, i cili kërkon të mbetet anonim, sepse ka frikë se e pushojnë nga puna.
Ndërkohë edhe zona që nga Lapraka dhe deri në hyrje të Rrugës së “Durrësit” ndodhet pa energji elektrike. Shkak është bërë dëmtimi i kabllos nga një firmë që po punon për kanalizimin e një blloku pallatesh. Menjëherë ka reaguar Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili njofton se po punohet për eliminimin e defektit të shkaktuar.
“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, njofton se një firmë private e nënkontraktuar nga Bashkia për sistemimin dhe kanalizimin e bllokut të pallateve në Laprakë ka dëmtuar kabllon 20 Kw të fiderit A7 n/stacioni rajonal që furnizon me energji gjithë zonën e Laprakës.
Aktualisht janë pa energji zona e Laprakës, që përfshin pallatet pranë Spitalit Ushtarak deri në hyrje të rrugës së “Durrësit”. Grupet e punës së avarisë janë në terren dhe po punojnë për gjetjen e më pas eliminimin e defektit të shkaktuar”, thuhet në njoftimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. OSHEE njofton se do të marrë të gjitha masat, duke kallëzuar penalisht subjektin përgjegjës për dëmin e shkaktuar kompanisë dhe abonentëve të saj.

Kapet 1 ton drogë në një tunel në Sarandë

Mbi 1 ton drogë është sekuestruar dje në Sarandë, ndërsa në pranga kanë rënë 9 persona, mes tyre 8 femra. Operacioni policor është realizuar pas kërkesës së Prokurorisë. Burime nga policia bënë të ditur se sasia e madhe e drogës është sekuestruar në një tunel në Qafe-Gjashtë, pranë vendit të quajtur “Nënstacioni”.
Mësohet se dy furgona policie janë ngarkuar plot me marijuanën e sekuestruar. Ndërkohë, personat e ndaluar janë shoqëruar në komisariat. Bëhet e ditur se në operacion kanë marrë pjesë edhe forcat e Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Sakaq, vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje si dhe identifikimin e personave të arrestuar.
Ende nuk ka asnjë njoftim për pronarët e sasisë së madhe të drogës. Policia nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për operacionin dhe sasinë e drogës së bllokuar.

Basha: Krimi ka kapur shtetin

Lulzim Basha flet për një Parti Demokratike tjetër. Në studion e emisionit “Të paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në News24, Basha përballë analistëve Fatos Lubonja dhe Andi Bushati do të përgjigjet për të gjitha çështjet e aktualitetit, deklaratat e tij për hapjen e PD-së, zgjedhjet e 2017-ës, procesin e integrimit dhe për koalicione parazgjedhore.
Por biseda ka nisur me një temë të ditës, siç ishte letra e kryebashkiakut të Durrësit drejtuar Gjykatës për Lulzim Berishën.
Basha tha se kjo është prova më e qartë që krimi ka kapur shtetin. Ai shtroi pyetjen: A do të mbledhë kanaçe Lul Berisha në plazhin e Durrësit?
Prezenca në emisionin ‘Të Paekspozuarit” në “News24” e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako ka krijuar ‘përplasja’ mes kreut të PD-së Lulzim Basha dhe drejtuesit të formatit, Ylli Rakipi.
Basha nuk ka pranuar që Dako të jetë në një studio paralele nga Durrësi, ku do t’i përgjigjej akuzave të liderit të opozitës sa i takon çështjes së përfolur të këtyre ditëve, lirimin e Lulzim Berishës, dhe punësimin e tij në Bashkinë e Durrësit. Ndër të tjera Basha teksa e cilësoi Dakon si ‘kryebandit dhe kriminel’ theksoi se nuk bën debat me një njeri që duhet arrestuar.
Lideri i PD nuk kurseu as ironitë, duke i thënë Dokos; “Suksese në jetë”. Fill pas kësaj moderatori i emisionit ka falënderuar Dakon, ndërsa më pas i ka ndërprerë atij lidhjen direkte.

Ylli Rakipi: Zoti Basha, ju sot keni shkuar personalisht vetë për të bërë një kallëzim tek Prokurori i Përgjithshëm, një koment…
Lulzim Basha: Nuk mendoj se ka shumë vend për koment. PD dhe unë kemi afro 2-3 vite që prej fillimit të kësaj qeverie që kemi denoncuar si problem kryesor të kësaj qeverisje lidhjen me krimin. Kjo është prova më e qartë se si krimi ka kapur shtetin. Nëqoftëse ka një risi këtu është se ka dalë haptas. Është edhe përdorimi i automjetit të ministrit nga banda e Habilajve dhe ky është rasti i dytë, ku kryetari i Bashkisë ofron punë si një kusht për lirimin e Lulzim Berishës. Nuk është rasti i vetëm. Kemi rastin e Klement Balilit dy ditë më parë; rastin e Armando Prengës.

-Për të qenë të vërtetë, ky njeri, Lul Berisha i liruar tani ka qenë edhe pjesë e PD.
Asnjeherë.

-Vite më parë ka rrahur Servet Pëllumbin.
Ky njeri është arrestuar në vitin 2006.

-Por ka rrahur edhe Servet Pëllumbin…
Sepse ky njeri bënte ligjin. Është arrestuar në Maqedoni, që tregon se shteti shqiptar ka bërë një përpjekje ekstra për arrestimin e një prej kokave të krimit. Është dënuar me burg të përjetshëm nga gjykatat e vendit. Çështja qëndron këtu. Ky thotë, e tha edhe Kryeministri sot në Parlament që një qytetari t’i jepet mundësia të bëjë punë vullnetare në bashki. Çfarë do të thotë kjo që Lul Berisha do të mbledhë kanaçe në plazhet e Durrësit?! Ka njeri që e beson këtë që Lul Berisha do të bëjë punë publike për Vangjush Dakon.

Andi Bushati: Zhurma që po bën PD rreth këtij fakti, të krijon përshtypjen sikur po bëjmë një shtrembërim të realitetit. Letra e Dakos është vetëm një pikë në puzzl-in gjyqësor. Kemi një sërë procesesh gjyqësore që tregon për një trupë gjyqësore të kapur nga krimi. U duk sikur PD do të fokusohej tek aspekti politik.
Nuk është ky rasti për të diskutuar qëndrimin e PD-së. PD ka qenë e qartë në qeverisjen e mëparshme, kur ka arrestuar këtë dhe shumë të tjerë dhe sot ka mbajtur një qëndrim. Cili është ndryshimi mes një trupe gjyqësore që e ka dënuar më parë. Patën guximin që, pasi policia e arrestoi të bënin një proces gjyqësor dhe tani e lirojnë me një letër të kryebashkiakut, që njihet si një njeri shumë i afërt me Ramën. Këtu ndahen dy pikëpamje. Drejtësia e korruptuar produkt i një politike të kapur.

Ylli Rakipi: Një moment interesant ishte PD në vitet 90’, çmendoni për PD në vitet 90’ dhe për PD sot?
Basha: Duhet pranuar se pas largimit të Berishës, PD u përball me një sfidë, pasi ai u identifikua me të. Nuk duhen mohuar meritat. Hapja e PD që unë po flas sot ka nisur prej 3 vitesh. Kryesia e re e PD përbëhet 50% nga zonja. Dua të them se transformimi ka nisur.

Ylli Rakipi: Si i mendoni ju figurat e PD të viteve 90’ me ata sot?
Basha: Po të marrësh figura historike si Pjetur Arbnori, Azem Hajdari, Genc Ruli, Arben Imami janë figura që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm.

DEBATI

Rakipi: Dako kërkon të hyjë në linjë në studio.
Basha: Merre në emision dhe të flas.
Rakipi: Ai kërkon të hyjë në linjë. Nuk është kriminel.
Basha: Ia kam thënë ballas; ti je kryekrimineli i Durrësit. Si trembem një kryebanditi si Dako.
Rakipi: Ai është njeri i rëndësishëm në PS.
Basha: Sill Ramën më mirë këtu të bëj debat.
Rakipi: Është një njeri i rëndësishëm në PS.
Basha: Atëherë vazhdo emisionin me Dakon. S’duhet të më kishe thirrur mua.
Rakipi: Ju jeni kreu i PD. Por nuk jeni Zeusi.
Basha: Nuk e përcakton ti se kush është raundi i Dakos. Ose ti merr vendimin tënd dhe unë timin.
Rakipi: Jo mo ska gjë, se ti do jesh i ftuari i emisionit.
Basha: Vazhdo emisionin.
Rakipi: Do ishte korrekte nga ana juaj që për atë që akuzoni ta lini të fliste se e keni akuzuar që është kryebanditi i Durrësit.
Basha: Thirreni këtu më mirë. Se kam problem unë të përballem me një model të krimit, por nuk të takon ty që të bësh këtë gjë. Nuk ke thirrur Berishën, por pengun e Lul Berishës.
Rakipi: Asi nuk vjen në studio, si ty është.
Basha: Unë vij në studio.
Rakipi: Ja do e shohim nëse do vish kur të zgjidhesh.
Basha: (Qesh) Do vi. Do e provosh.