28.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Zarfi i turpit, Rama kërkoi të blejë Negociatat

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar dje lojën e pistë të Ramës jo vetëm duke bllokuar Vettingun përmes procesit të kapjes politike të tij, por edhe aferat e ndyra përmes të cilave është munduar të korruptojë procesin e negociatave.
“Këshilli i Ministrave të Jashtëm vendos jo vetëm që të mos hapen negociatat, jo vetëm që të mos vendosë një datë për hapjen e negociatave, por vendos për t’u thënë shqiptarëve jo vetëm që vettingu nuk është kushti i vetëm, vendos për t’u thënë shqiptarëve jo siç u thotë Nastradini i tyre, që, në mungesë totale respekti ndaj qytetarëve dhe të vërtetës, mashtron në mënyrën më të shpërfytyruar dhe përpiqet të përdorë kamerat dhe mikrofonat për të mashtruar në mënyrë të paskrupullt, të papërgjegjshme të ulët qytetarët shqiptarë, për një nga çështjet më madhore, për proçesin më kardinal të të ardhmes së tyre siç është hapja e negociatave dhe ecja drejt integrimit në BE.
Pra, gjithçka tjetër përveç atyre që mashtron Edi Rama, që ka mungesën e plotë të përgjegjësisë, për të mos thënë dhe më shumë, të përpiqet të mbulojë dështimin e tij të plotë, me sharje dhe fyerje ndaj opozitës”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri ka zbardhur pikat më të forta të deklaratës së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE dhe ka evidentuar rolin pozitiv që ka luajtur opozita në këtë proces. “Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE, në deklaratën që u përpoq ta fshehë dhe t’u dezinformojë këtu piktori dështak, që nuk ka nocionet më elementare të atyre që flet dhe që është autor kryesor i këtij bllokimi, të procesit jetik të integrimit të vendit. Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve u shprehën se mirëpritën hapin e madh që bëri Shqipëria, duke adoptuar në mënyrë unanime amendamentet kushtetuese. Jeni dëshmitarë se çfarë përpjekjesh të shpërfytyruara, çfarë përpjekjesh demoniake bëri piktori juaj dështak për të përjashtuar me çdo kusht opozitën. Ju jeni dëshmitarë se si dy vite rrjesht, autor dhe arkitekt kryesor i drafteve të hedhura në kosh të plehrave, në 37 amendamente të të parit dhe 12 amendamente të të dytit nga Komisioni Venecias që donte me çdo kusht të kapte drejtësinë në duar. Ju jeni dëshmitarë se si dhe në minutën e fundit.
Ju jeni dëshmitarë sesi në minutat e fundit, pasi Kancelarja Angela Merkel përgëzoi botërisht liderin e opozitës, DASH me njërin prej zyrtarëve më të lartë bëri të njëjtën gjë. Po ashtu, edhe kryetari i radhës së BE, ministri i Jashtëm i Sllovakisë dhe Komisioneri Hahn dhe eksponentë të tjerë të Brukselit përgëzuan opozitën për qëndrimet dhe shpëtimin që i bëri reformës. Orët e fundit, minutën e fundit Edi Rama donte ta përmbyste, së bashku me ndonjë tjetër zemërthyer, që ka lidhur veten me Ramën dhe jo me Shqipërinë.
Jeni dëshmitarë që opozita s’u tërhoq dhe qëndroi e vendosur mbi vlerat dhe parimet e pavarësisë së drejtësisë dhe votoi këtu, dhe ja ku është, e vetmja dekoratë e vërtetë që merr Shqipëria është votimi unanim i amendamenteve kushtetuese.
Ju duhet ta dini të dashur qytetarë, se pasi u dakortësua çdo gjë për amendamentet, u ra dakord plotësisht mes tre liderëve kryesorë – dy të mazhorancës së qelbësirave (se e keni thënë vetë këtë nuk e kam thënë unë) dhe kryetarit të opozitës, se u ra dakord që 7 ligje të tjera të votohen me konsensus”, tha Berisha
Ish-Kryeministri tha se i kishte kërkuar ambasadorëve që kanë qenë pjesë e negociatave për ndryshimet kushtetuese që të zbardhnin marrëveshjen që ishte arritur mes pozitës dhe opozitës dhe u prish nga Rama në mënyrë të njëanshme me ligjin e Vettingut.
“Por, i  pabesë dhe i udhëhequr tërësisht nga urrejtja njerëzore ndaj opozitës, Edvin Kristaq Rama bëri çdo gjë për të përjashtuar opozitën, dhe këtu votuat ligjin e vettingut me të cilin doni të kapni drejtësinë, votuat ligjin me të cilin, me Alket Hysenin, shefin e statutit të PS doni të bëni ‘gjuetinë e shtrigave’ dhe jo Vettingun, me Seferin e Shullazit të DSIK-së, donit që Shullazi të bënte vettingun e atyre që patën guxim ta dënojnë.
Ndërkohë, në mbledhjen tjetër, në seancën para kësaj unë u bëra një thirrje, dhe sërish ju bëj një thirrje ambasadorëve që ishin kaq shumë të përfshirë në këtë proces; tregojuni shqiptarëve marrëveshjen që ka ekzistuar. Nuk ka nevojë ta mësoni në këtë mënyrë. Tregoni marrëveshjen se kush e ka shkelur. E them këtë, sepse kur ka ardhur puna për të fajësuar opozitën për atë çka nuk ishte, nuk keni hezituar për të thënë që po lëviz fjalë etj. Tani ju keni pranuar se ka marrëveshje, por këtë duhet t’ja u thoni shqiptarëve. Kam respekt për ju, por vendi nuk ndihmohet në këtë mënyrë. Ka patur një marrëveshje, dhe po të ishte zbatuar ajo marrëveshje, në mënyrë absolute vettingu do të kishte filluar dhe do të ishte në zbatim.
A i keni dëgjuar të dashur qytetarë këta mëkatarë, këta trafikantë, këta të korruptuar, këta bixhozxhinj, që një e dy nuk flasin gjë tjetër, por kërcënojnë gjykatësit me vettingun? A e shihni pra që këta s’duan gjë tjetër vetëm të fusin në dorë, të shtrijnë tek këmbët e tyre nëpërmjet Alket Hysenit, shefit të statutit të PS, nëpërmjet Sefer Shullazit, përgjegjësit të DSIK, madje dhe atij të larjes së parave. Pra, siç e dini e bllokuan dhe reformën”, tha Berisha.

Zarfet e Ramës

Ish-Kryeministri denoncoi një aferë skandaloze të Ramës, sipas të cilës ai kishte menduar se procesin e hapjes së negociatave ta blinte me zarfat e korrupsionit. Kjo ka qenë edhe pika më e fortë e deklaratës së Berishës në Parlament ditën e djeshme.
“Jam këtu për të denoncuar një përpjekje të turpshme, primitive dhe të pafytyrë të Edi Ramës, i cili në vend që të zbatojë standardet dhe të bëhet serioz në standarde ka menduar të realizojë integrimin, duke shpërndarë zarfe.
Po u them juve të dashur qytetarë, që një nga shkaqet madhore të kësaj përgjigje janë edhe reagim ndaj mendimit të një të sëmuri psikik që mendon të blejë Europën. Europa nuk shitet as nuk blihet, ajo qëndron në vlera. Dhe unë i them Edi Ramës se përpjekjet e tua në mënyrë absolute, jo që nuk lëkundën njeri, por more turpin që të takonte dhe për fat të keq dënimin e shqiptarëve”.
Berisha tha se përpara se vendet anëtare të BE të marrin vendimin për të kushtëzuar hapjen e negociatave me Shqipërinë, ministrat e Brendshëm të vendeve kryesore, si dhe ministrat e Jashtëm kanë pasur një informacion të plotë për problemet që ka sot Shqipëria me të inkriminuarit në institucione, drogën dhe azilkërkuesit.
“Çfarë thotë komunikata e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare: ‘Këshilli, duke rikujtuar konkluzionet e mëparshme, përfshi ato të dhjetorit të 2015, rithekson se zbatimi përfshirës, i gjithanshëm, i qëndrueshëm i 5 prioriteteve bazë duhet të garantohet përpara se të hapen negociatat me Shqipërinë’.
Pikërisht këtë fshehu Rama para jush. Por nëse Ligjin e Vettingut dhe Kushtetutën e falsifikuan në përkthim, këtë herë mori fund mundësia falsifikuese e juaja.
Pra, ja që nuk i keni plotësuar dhe zbatuar 5 prioritetet. Po si mund të mashtroni Europën ju. Edi Rama në të gjitha takimet e 3 muajve të fundit, me secilin counterpart i është shtruar çështja e dekriminalizimit. Dhe u ka thënë që unë në grupin tim parlamentar nuk kam të tillë, të kriminalizuar. Harroi Armado Prengën, harroi atë tjetrin që kishte, harroi dy famozët Bushin dhe Rroshin. Dhe e dini se çfarë ka ndodhur aty? E kanë parë me një përçmim të brendshëm të pakufishëm si një gënjeshtar 2 metra të gjatë. Po ja që ata kanë informacione të pafundme, dhe jo nga opozita. Gabim të mendojë njëri se një qeveri tjetër do të udhëhiqet nga opozita. Një qeveri tjetër, për të gjykuar një qeveri sigurisht dëgjon opozitën, por kurrë nuk merr një hap pa verifikuar çdo gjë. Ky është detyrimi. Ata kanë shërbime.
Po për të shpëtuar Saje Qorrin, nuk na duhet t’i përmendim ato. E vërteta është se janë raportet e disa ministri të Brendshme, të cilat u kanë thënë ministrive të tyre të Jashtme dhe qeverive, së pari, numrin e jashtëzakonshëm të azilkërkuesve, së dyti, krimin shqiptar që po bëhet famoz në vendet e tyre, dhe së treti, kanabizimin e Shqipërisë dhe shndërrimin  e saj në Kanabistan. Këto janë të pakapërcyeshme, dhe ndaj ju as nuk morët datë siç kërkuat, as nuk morët hapjen siç kërkuat, as nuk morët datë të avancuar siç kërkuat, as nuk morët raport me datë të caktuar siç kërkuat”, tha Berisha.

Problemet me vendet fqinje të Ramës

Me vendet fqinje çdo qeveri ka probleme, çdo vend ka probleme. Por përdoret për zgjidhje gjuha demokratike, format demokratike, dialogu. Po t’i bëni siç i bëtë ju, po i transformuat ju marrëdhëniet me Greqinë në marrëdhënie të Ramës me Dulen, e keni bërë atë një hero, se ai grek është me origjinë, se mohon, ai është krenar me origjinën e tij, pra e keni bërë atë (Dulen) një hero të helenizmit botëror, çka nuk pretendon as vetë të jetë. Dhe çfarë bëni me këtë? Lexoni raportin për të parë se çfarë po bëni.
Një gjë duhet ta keni të qartë. Absolutisht jam që çdo gjë të trajtohet me dinjitetin dhe seriozitetin më të madh, por jo me megafon. Megafoni nuk i shërben kujt. Në botën demokratike megafoni është një mjet i neveritshëm, jo i civilizuar, është një mjet që vjen nga Lufta e Ftohtë. Ku po shkojmë kështu? Po ju vazhdoni merrni ndonjë lavdërim poshtë e përpjetë mirëpo pastaj lexoni pak ato pikat në raport. Janë meritë e Edi Ramës ato.

Kërcim mbi akse

Frrok ÇUPI

Ndoshta kështu mund të konfigurohej “balerina” në momentet kur bota ndërton akset. Ja, jemi tani në këto orë kur bota po lëshon ura. Zgjedhjet presidenciale në Amerikë kanë zgjuar si të fjeturit edhe të pagjumët në gjithë botën. Po punohet ditë e natë për akset; edhe qeveritarët e rinj amerikanë po përzgjidhen nga burrat e gratë më të fuqishëm për të ndërtuar akse…. Çfarë bëjnë këta këtu të kupolës? Balerinën…
… Dje ka qenë një ditë famoze simbolikash; me siguri ka edhe ditë të tilla të simbolizmit “kërcimtar”, por dita dje sikur ishte bërë për të dëshmuar sa larg akseve botërore po kërcen shteti shqiptar. Dje ndodhën këto ngjarje: Media britanike- në fillim, e pastaj ballkaniket, thyen ekranet dhe portalet me lajmin se, “Rusia po vendos në Serbi armë bërthamore”. Këtë e konfirmuan si Rusia edhe Serbia. Ministri i Jashtëm serb tha se, “lidhjen ia kemi borxh Rusisë përjetë”. Ndërsa vetë kryeministri serb Vuçiç kishte bërë ftesën për raketat bërthamore. Vuçiç iu kthye dje Brukselit duke i thënë “do të të iki nga tavolina” nëse nuk përmban Kroacinë…
Çfarë ndodhi kështu, e shikoni?! Nuk kishte veçse pak kohë që ishin prerë baste vëllazërimesh të mëdha, me ne dhe rreth nesh. Kishim bërë vëlla kryeministrin e Serbisë. Kosovën- ashtu-ashtu, sepse doli më e rëndësishme Serbia. Kryeministri i Tiranës hyri garant si “lider global” se me Serbinë merrem “unë”. Më parë diplomacia evropiane dhe në përgjithësi perëndimore, ishte angazhuar për të lidhur vendet Lindore që nuk ishin të lidhur mirë, me qëllim që të krijohej një aleancë e vogël antiruse. Thërritja e “katër çunave” të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nga zonja Merkel, nuk kishte kuptim tjetër… Mirëpo ja ku përfundoi, ajo çfarë ndodhi dje…
Në fakt nuk ishte serbi Vuçiç- i pari nga “çunat” që e këputi kordonin e lidhjes. Ky, dihej se një sy e një gjysmë zemre i kishte në Rusi; dhe ja e tregoi dje. I pari ishte kryeministri i Tiranës, Rama. Ky kishte deklaruar sy për sy me zonjën Merkel se mund të “kemi edhe faktorë të tjerë”, veç Bashkimit Europian. Në një televizion në Tiranë, menjëherë pas kësaj tha se “mund të shkoj te presidenti Putin”. Në takim me kryeministren e Polonisë, në Tiranë, tha se sa nuk jemi në BE jemi të këndshëm, kur të jemi “në BE do të bëhemi të mërzitshëm”. Pak muaj më parë kishte deklaruar se do të rishikohen marrëdhëniet me Amerikën “në qoftë se fiton Donald Trump”. Ja ku Trump fitoi… Dje, gazetari Genc Mlloja shpërndau një intervistë me ambasadorin e Turqisë në Tiranë, i cili kishte thënë se “së shpejti Kryeministri i Shqipërisë Rama dhe autoritetet më të larta turke do të nënshkruajnë dokumentin mbi ‘Partneritetin e Përbashkët Strategjik’”. Këta kanë rrëshqitur në antiatlantizëm- aksi më i fuqishëm i kohës moderne…
Nuk ishte i pari Vuçiç i Serbisë mes “katër çunave” të Merkel që këputi kordonin e lidhjes së aleancës së “Lindjes së vogël” kundër Rusisë. Ai edhe pse doli, e kishte dhe e mbajti strehën: në Rusi; edhe pse BE nuk e dëbon ndonjëherë. Po ky këtu, që e theu i pari kordonin dhe doli fushës pa një fije bari ku të mbahet; kryeministri i Tiranës, domethënë ne? Ne ku jemi, në cilin aks? E gjeni dot? Nuk ka bir nëne që e gjen këtë. Tjetër janë akset, tjetër politika e këtyre të kësaj qeverie.
Shteti shqiptar, për arsye të politikës së padenjë, në këto momente po mbetet “jashtë”. As në BE, as në Rusi, as në Turqi, as në kordonin sanitar të Lindjes, as në dinastinë e lashtë Jagellone… Akset e politikave botërore, o nuk janë kuptuar, o nuk janë përshtatur, o nuk janë nevojitur për politikanët; dhe kjo “shije” e ka lënë shtetin jashtë.
Nuk janë nevojitur?… Ideja tragjike e mosnevojës për akset botërore mbolli në Shqipëri uri, vdekje, torturë, izolim, burgje dhe tru të shpëlarë. Kjo i përket periudhës së diktaturës komuniste. Autokratëve të kohës nuk u “nevojiteshin” akset, sepse në akse humbnin pushtetin e tyre. Edhe në këtë rast tani: Këta po mbyllin gjithçka brenda për brenda duke mos lejuar as zgjedhje të standardit të “akseve”. Mendojnë për jetëgjatësinë e tyre në pushtet dhe “luaje sa andej-këndej” me akset.
Nuk janë përshtatur akset? … Në këto momente po përdoret fiks skema e vjetër e strategjisë së akseve: Dy vjet me Jugosllavinë, tre vjet (deri në vitin ‘51 kur vdiq Stalini)- me Rusinë; dhjetë vjet me Kinën (duke pasur nëpër këmbë edhe Korenë, Vietnamin dhe Kamboxhian). Vetëm aty nga vitet ‘90 nisi era e rreshtimit me BE, e cila tani po vihet në dyshim serioz. Po kështu, kryetari i qeverisë ka vënë në pikëpyetje aleancën me Shtetet e Bashkuara- aleati që na e dhuroi më shumë natyra se vetë ne. “Balerini” i fundit dëshmon se nuk rri dot mbi akset, përsëri si në skemën e vjetër. Këta nuk bëhen dot pjesë e boshteve të qëndrueshëm; dhe për nga gjenetika nuk kemi “farefisni”- siç thotë studiuesi i famshëm Hantington për shqiptarët… Tjetër gjë ndodh me Rumaninë, me Hungarinë, me Poloninë- vende si edhe ne- Lindore. Aty njerëzit, gjenetikisht e konsiderojnë veten avampost të Europës Perëndimore, nuk ua prish dot akset “balerini”. Polakët që në shekullin 16 formuluan “res-publica” (gjëra të përbashkëta, Republika).
… Nuk janë kuptuar akset? Edhe kjo pyetje mund të bëhet, duke dashur t’i gjykosh më për mirë. Po si nuk kuptohen ato që përbëjnë themelin e jetës dhe të prosperitetit të popullit që ti thua se po e prin?! Megjithëse këtu ka vërtet një pengesë në të kuptuar. Le të bëjmë pyetje si e kuptuan ata që e kanë kuptuar dhe po e zbatojnë strategjinë e akseve.  Për shembull vendet balltike… Ato, të gjitha, edhe pse në dekada ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, sot janë vendet më “amerikane” mes gjithë vendeve të Europës Lindore. Ka këtu një çështje të të kuptuarit, vërtet. Ja cila është: Liderët e tyre kanë dituri dhe shije perëndimore, atlantizmi dhe amerikanizmi. Këta janë mësuar që në vegjëli me këtë frymë. Edhe kanë marrë këtë kulturë. Vaira Vike- Freiberga, për shembull, presidente e Letonisë, që luajti rol kryesor për pranimin në NATO, është rritur në shkollat e Montrealit. Presidenti i Estonisë, Toomas Hendrik Ilves, është rritur në New Jersey dhe shkolluar në “Columbia University”… Ja kështu… Po këta tanët? Këta gërricen me Vuçiç me të cilin kanë të njëjtën barsoletë. Këta kanë lindur në bllokun komunist dhe janë shkolluar: o për pikturë, o për gjuhë të huaj… domethënë, pa shkollë. Këta e kanë shijen te bunkerët; bunkerët janë simboli anti-akse… A nuk u çor dynjaja duke thërritur: “Mos i zgjidhni liderët nga komunistët e djeshëm”, por thatë “Hë mo, luftë klasash prapë?”.
Shteti po mbetet jashtë akseve; domethënë ne.

Tillerson raporte të shkëlqyera me Rusinë

Shefi i ExxonMobil, Rex Tillerson do të bëhet ministër i Jashtëm i SHBA. Ai ka kontakte të ngushta me Kremlinin. Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump e paraqiti të martën Tillersonin si kandidatin e tij të dëshiruar për postin me ndikim të ministrit të Jashtëm të SHBA. Emërimin e tij duhet ta konfirmojë edhe Senati.
Si gjithmonë në raste të tilla, Moska reagoi e përmbajtur dhe nuk u tregua shumë e gëzuar. “Përfaqësues rusë, jo vetëm Presidenti, kanë marrëdhënie të mira biznesi me këtë burrë”, tha një bashkëpunëtor i Kremlinit në një pozicionim të parë. Tillersoni vlerësohet prej të gjithëve si figurë solide me pikëpamje të vetat, tha zëdhënësi. Konstantin Kossaçev, kryetar i Komisionit të Jashtëm në Këshillin e Federatës ruse u shpreh në mënyrë shumë më optimiste.
Raporti me Rusinë ka qenë vendimtar në zgjedhjen e kandidaturës së Tillersonit si ministër i Jashtëm, shkroi ai në Facebook. “Trumpi është konsekuent dhe deklaratat e tij për Rusinë nuk ishin thjesht fushatë elektorale”. Vendimi për Tillersonin qe një sinjal ndaj elitave të SHBA, por edhe ndaj gjithë botës, duke përfshirë Rusinë. “Po vijnë kohë të reja”, kështu u shpreh politikani rus.
Në fakt në Moskë atmosfera duhet të jetë euforike. Diplomacia e SHBA do të përcaktohet në të ardhmen nga një burrë, i cili e njeh Rusinë që prej gati 20 vjetësh dhe i cili ka lidhje të shkëlqyera me qarqet më të larta drejtuese të Kremlinit. Presidenti rus, Vladimir Putin e dekoroi atë më 2013 me një urdhër miqësie. “Për një kontribut të konsiderueshëm për forcimin e bashkëpunimit në sektorin e energjisë”, shkruhej në argumentim.

Një shok i Putinit nga rrethi drejtues më i ngushtë
Kontaktet e Tillersonit me Rusinë e kanë fillesën që në fund të viteve ’90, kur Presidenti i Rusisë ende quhej Boris Jelzin dhe kur Moska ndodhej në një kurs properëndimor. Menaxheri i naftës nga Teksasi ishte përgjegjës për projektet e Exxonit në Rusinë e pasur me lëndë të para, fillimisht që nga ishulli Sachalin në Lindjen e Largët të Rusisë. Edhe në fushat e naftës në Siberi firma amerikane dhe ruse bashkëpunojnë ngushtë. Tillersoni 64-vjeçar është takuar disa herë me Putinin dhe është i ftuar i përhershëm në Forumin Ekonomik të Shën Petërsburgut, një projekt prestigjioz i Kremlinit.
Edhe më të ngushta duken marrëdhëniet e Tillersonit me shokun e tij Seçin të Rosneftit. Në kohët sovjetike, shefi i sotëm i koncernit udhëheqës në tregun rus ka qenë njësoj si Putini punonjës i shërbimit të fshehtë. Mediat ruse e përshkruajnë Seçinin si një biznesmen veçanërisht të suksesshëm, i cili bën pjesë në rrethin drejtues më të ngushtë pranë Putinit.

A do të shkrijë partneriteti i ngrirë?
Në një intervistë me revistën ekonomike ruse, “Wedomosti, në vitin 2005, Tillersoni tha se janë “aftësitë e tij menaxhuese” që e kanë bërë të suksesshme në Rusi firmën e tij. Si Seçini personalisht, ashtu edhe Rosnefti janë të prekura nga sanksionet e Perëndimit, të cilat janë vendosur për shkak të veprimeve ruse në Krime dhe në Ukrainën Lindore. Sipërmarrja ruse ka nevojë për kredi perëndimore dhe për njohuri për shpime në zona të vështira. ExxonMobil i llogariti humbjet e tij për shkak të sanksioneve në vitin 2015 në një miliard dollarë.

Reagime të ndryshme për emërimin e tij
Ka patur reagime të ndryshme lidhur me përzgjedhjen e presidentit të zgjedhur Donald Trump për detyrën e sekretarit të Shtetit. Disa e kanë vlerësuar drejtuesin e kompanisë ExxonMobil, Rex Tillerson, ndërsa të tjerë janë shprehur të shqetësuar për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Rusinë. Njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës” në Departamentin e Shtetit, Steve Herman.
Text: Në një deklaratë, presidenti i zgjedhur Trump tha se shefi i kompanisë së naftës Rex Tillerson është një zgjedhje e shkëlqyer për postin e sekretarit të Shtetit bazuar në këmbënguljen, përvojën ndërkombëtare dhe të kuptuarit e thellë të gjeopolitikës.
“Ai ka një përvojë menaxhuese të jashtëzakonshme që mendoj se do të jetë e dobishme. Por ai nuk ka përvojë në politikë”, thotë ambasadorja Barbara Bodine në Universitetin “Georgetown”.
Ndër të parat figura ndërkombëtare që vlerësuan zgjedhjen e zotit Trump ishte udhëheqësi i OPEC-ut, organizatës së vendeve eksportuese të naftës me 13 anëtarë. Ai e quajti zotin Tillerson “më tepër se të mbikualifikuar”.
“Ekziston një vijë e hollë ndarëse mes naftës, gjeopolitikës dhe diplomacisë”, tha sekretari i Përgjithshëm i OPEC-ut, Mohammad Markindo.
Por kjo vijë e hollë ndarëse, mund të jetë një sfidë për kandidatin kur ai të përballet me senatorët në procesin dëgjimor për emërimin e tij.
“Republikanë dhe demokratë po bëjnë pyetje lidhur me konfliktet e mundshme të interesit të zotit Tillerson, për marrëdhënien e tij të gjatë dhe të ngushtë me Vladimir Putinin dhe Rusinë. Ata pyesin dhe mbi aftësinë e tij për të balancuar kërkesën për të qenë diplomat dhe për të luftuar në mbrojtje të interesave amerikane, me përvojën e tij të drejtimit të një kompanie gazi e nafte me interesa dhe përparësi të ndryshme”, thotë senatori Chris Coons.
Zoti Tillerson ka qenë kritik i sanksioneve amerikane mbi Rusinë, të cilat kanë dëmtuar kompaninë e tij ExxonMobil.
“Duhet të presim që kandidati, zoti Tillerson të kërkojë çlirimin e Rusisë prej sanksioneve”, thotë James Goldgeier i Universitetit “American”.
Rusia akuzohet se është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale amerikane, të cilat u fituan nga zoti Trump. Ligjvënësit janë të shqetësuar edhe për aktivitetin ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe Siri.
“Çdo përpjekje për të ngrohur marrëdhëniet me Rusinë dhe që perceptohet si e bazuar në interes personal, do të krijonte probleme për Shtetet e Bashkuara dhe diplomacinë e saj”, shton James Goldgeier i Universitetit “American”.
Në Departamentin e Shtetit krijohet shqetësim sa herë ndryshon udhëheqja, por diplomatët veteranë nuk mendojnë se do të ketë një largim në masë të stafit të karrierës.
“Ata shpresojnë që sekretari i ri t’i shohë si profesionistë dhe t’i përdorë si të tillë e të bazohet në ekspertizën që ata ofrojnë. Askush nuk ka në plan të largohet”, thotë ambasadorja Bodine.
Sekretari i Shtetit, John Kerry e uroi zotin Tillerson për emërimin dhe premtoi mbështetjen e plotë të Departamentit të Shtetit për një tranzicion të qetë.

Çfarë pritet nga Samiti i BE-së?

Në Samitin e Bashkimit Europian janë hedhur në tryezë tema për bisedime që fillojnë nga Siria deri tek sanksionet kundër Rusisë. Por kërkohet mënjanimi i grindjes. Europianët po e shohin në sy pafuqinë e tyre lidhur me gjendjen tragjike në Siri. Në draftin e vendimeve të samitit shënohet mbi gjendjen në Siri një frazë boshe: të përdoren “të gjitha opsionet”. Ndoshta pas Samitit asaj do t’i shtohen fraza të reja, por kjo nuk e ndryshon atë që krerët e shteteve dhe qeverive europiane janë në këtë dramë, spektatorë të pafuqishëm.

Sanksionet kundër Rusisë
Gjermania dhe Franca, si përfaqësuese të BE për respektimin e marrëveshjes së Minskut do të raportojnë. Gjykimi i tyre për zhvillimet në Ukrainë është negativ. Armëpushimi shkelet rregullisht, rreziku i një shkallëzimi ushtarak nga ana ruse është ende prezent. Kriza është kthyer në një “konflikt të ngrirë”. Pritet që sanksionet kundër Rusisë të zgjaten edhe me një gjysmë viti.

Marrëdhënia me Turqinë
Zyrtarisht ende flitet se marrëveshja me Turqinë për refugjatët funksionon e të dyja palët i respektojnë ujditë. Prandaj edhe grindja me Turqinë nuk do të vihet në axhendë, as se si do të procedojë BE më tej me këtë vend nuk është vënë për diskutim. Premtimi për lehtësimin e vizave është shtyrë në vitin e ardhshëm. Austria kërkon hapur ngrirjen e bisedimeve me Turqinë.

Ukraina
Holandezët refuzuan me referendum marrëveshjen e BE me Ukrainën, prandaj Holandës do t’i ofrohen sqarime të tjera për marrëveshjen BE-Ukrainë, për këtë kanë punuar me vëmendje juristët e BE-së. Për Holandën sqarohet edhe një herë më mirë se çfarë nuk qëndron në këtë ujdi: Ajo nuk parasheh anëtarësimin e Ukrainës, as garanci për ndihmë, ukrainasit nuk kanë të drejtë të punojnë në BE. Holanda nuk duhet të paguajë ekstra për Ukrainën.

Brexit
Kryeministrja britanike, Theresa May nuk është ftuar për darkë me krerët e BE-së, aty do të flitet për Brexit pa praninë e saj. Në qendër janë çështje teknike: Kush nga BE do të lejohet të negociojë e çfarë do të negociohet? Në këtë çështje anëtarët e BE-së nuk kanë divergjenca. Pritet derisa britanikët të dalin me dëshirat e tyre, e kjo nuk ka për t’u realizuar para marsit.

Koreja e Veriut mund të shfrytëzojë vakumin e pushtetit

Koreja e Veriut do të provokojë edhe më tej, për aq kohë sa Presidenti i ri i SHBA nuk është në post dhe Koreja e Jugut nuk ka president. Qenë pamje marciale, ato që shpërndau në fundjavë agjencia koreanoveriore e lajmeve “KCNA”: topa artilerie hapin zjarr nga shpatet e maleve, duzina forcash speciale hidhen me parashutë. Ato sulmojnë një kompleks ndërtesash, i cili i ngjan deri në detajet më të vogla pallatit presidencial në Seul. Më vonë, ushtarët e Koresë së Veriut i vënë atij flakën. Në një fotografi duket diktatori Kim Jong Un me dylbi dhe me të qeshura tallëse. 32-vjeçari e pati vëzhguar manovrën që prej një postë roje. Kishim të bënim me një luftë ofensive, me një agresion të simuluar ndaj fqinjit jugor, e cila e ktheu rezidencën e Presidentit në Seul në “një det flakësh”, bëri të ditur “KCNA”.
Reagimi nga Koreja e Jugut qe i shpejtë. Po të hënën, Ministria e Mbrojtjes e Seulit kërkoi nga aleati i saj në Uashington që të dërgojë më shumë aparatura vëzhgimi dhe zbulimi në Korenë e Jugut. Veç kësaj, mediat lokale informuan se u stacionuan në Korenë e Jugut 40 “raketa që çajnë bunkerët”. Raketat e tipit KEPD-350 të prodhuesit bavarez të armëve Taurus kanë rreze prej 500 kilometrash dhe sipas një eksperti të armatimit të Forumit korean për Mbrojtje dhe Siguri “janë të përshtatshme për të goditur dhomën e punës së Kim Jong Unit”.

Strategjia e SHBA ndaj Koresë e paqartë
Pesha politike në Gadishullin korean ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Sanksionet e OKB-së kundër regjimit të Phenianit linin pak hapësirë veprimi për afrime reciproke të të dyja shteteve koreane.
Në fillim të nëntorit Donald Trump u zgjodh President i SHBA. Fituesi i papritur shkaktoi pakënaqësi me deklaratat e tij në fushatën elektorale. Trumpi për shembull kërcënoi se do t’i tërheqë rreth 30.000 ushtarët amerikanë të stacionuar në Korenë e Jugut, nëse partnerët e aleancës nuk do të marrin përsipër një pjesë më të madhe të shpenzimeve. Njëkohësisht ai shpalli se është i gatshëm në çdo kohë për bisedime direkte me diktatorin Kim Jong Un, për ta përgojuar atë pak më vonë, në mënyrë jo shumë diplomatike si “me të meta mendore”. “Trumpi me sa duket po shqyrton të gjithë spektrin, që nga bisedimet serioze deri në goditje ushtarake”, tha eksperti i njohur për Korenë e Veriut, John Delury në intervistë me shtypin e SHBA.
Pastaj pasoi kriza politike në Korenë e Jugut. Të premten, Parlamenti në Seul vendosi të nisë procedurën për largim nga posti të presidentes Park Geun-hye. Presidenti i përkohshëm i shtetit, Hwang Kyo-ahn konsiderohet si mbështetës i vijës së ashpër dhe konservator. Një orë pas marrjes së postit, në një mbledhje të kabinetit të tij, ai e detyroi atë të pranonte se nga Pheniani kërcënonte rrezik dhe që ai mund ta përdorte vakumin e përkohshëm të pushtetit në Seul. Në vitin 2016 regjimi koreanoverior pati kryer dy prova bërthamore dhe pati dërguar një satelit në hapësirë.
Por në Korenë e Jugut supozohet gjerësisht se në vitin 2017 presidenti i ri do të vijë nga opozita e majtë. Të gjithë kandidatët kërkojnë një kthesë në politikën e tanishme ndaj Koresë së Veriut. Njëri prej kandidatëve, Park Won Soon, aktualisht kryetar bashkie i Seulit kërkon afrim ekonomik dhe kulturor me Korenë e Veriut. Ai e ka quajtur Korenë e Veriut “urë për në Euroazi”. Opozita kërkon edhe që të anulohet vendosja e sistemit amerikan të raketave THAAD. Këtë e kundërshton edhe pjesa më e madhe e koreanojugorëve, sipas një sondazhi. Edhe Kina shikon te THAAD një sulm ndaj sovranitetit të saj.

Në luftën e Lindjes së Mesme i humburi është Riadi

Na ishin një herë sheshet arabe, lavdia dhe mallkimi i satrapëve lokalë. Të bëra pluhur nga shpërbërja e botës sunite, kjo ikonë nuk funksionon më, thotë Gilles Kepel: as si spektër i unitetit transkombëtar të ngritur kundër Perëndimit, as si e kundërta revolucionare e tij e manifestuar në vitin 2011. Islamisti i famshëm sapo ka botuar në Francë librin e tij të ri “La fracture” (shtëpia botuese Gallimard) dhe arsyeton për ndryshimet në zhvillim në bregun jugor të Mesdheut, një tërmet nga efektet e të cilin nuk do të qëndrojë e imunizuar Europa.

– Do të shpërthejë së fundi shumë e evokuara luftë midis sunitëve dhe shiitëve?
Çka ka ndodhur vitet e fundit në Lindje të Mesme ka rikthyer në skenë konfrontimin midis sunitëve dhe shiitëve në një nivel të tillë sa të tejkalojë atë tradicional midis Izraelit dhe botës arabe myslimane. Në udhëtimin tim të fundit në Izrael kam qenë në kufirin me Sirinë, 40 kilometrat e mbetur të qëndrueshëm deri më tani. Sot aty ekzistojnë 3 kufij: në veri ndodhet ushtria e Damaskut dhe Hezbollahu, në qendër ndodhet Al-Nusra, domethënë Al-Qaeda, kurse në jug është Daeshi. Janë të gjithë në luftë me njëri-tjetrin dhe asnjë nuk e sulmon Izraelin, që herë pas here ua hap dyert të plagosurve për të pasur informacione.

– Precedenti i vërtetë i kësaj përplasjeje është bota arabe sunite?
Deri më tani gjeopolitika shiite në rajon kishte lëvizur sipas aksit Teheran, Bagdad, Bahrein dhe më pas Damask, me një çikë mbështetjen e rusëve që nuk kishin zgjedhje tjetër. Nga ana tjetër ishte blloku sunit, domethënë arabët, plus Turqinë e Vëllazërisë Myslimane. Pas shkatërrimeve arabe, siç i quaj unë revoltat e 2011, ky bllok i dytë ka ardhur duke u shpërbërë nën shtytjen e Vëllazërisë Myslimane, atëherë fituese në Turqi, në Katar, në Egjiptin e Morsit, në Tunizi dhe pjesërisht në Libinë e Belhaj. Kur Vëllazëria ka rënë në Egjipt dhe është tërhequr në Tunizi, ku, njëlloj si në Marokun e Benkirane, kanë kuptuar se nuk mund të bëjnë pa borgjezinë laike dhe të francezizuar, Afrika Veriore ka marrë një rrugë të ndryshme nga ajo e Lindjes së Mesme, nga njëra anë marokenë e tunizianë dhe nga tjetra turq, kataras dhe mërgimtarët egjiptianë që në Europë, sidomos në Francë, po çojnë përpara një ofensivë të fortë kulturore mbi të rinjtë. Në mes është ripozicionimi i Egjiptit, vendi më i madh sunit, që si prej urrejtjes së Presidentit Al-Sisi ndaj Daeshit dhe Vëllazërisë Myslimane, po kthehet nga Irani: konfirmimi ka ndodhur kohët e fundit në Baku, ku në një kuvend të madh të islamit passovjetik dhe shiit ka marrë pjesë Universiteti Al-Ahzar i Kajros.

– Ngjarjet i pëson Irani apo ka një plan ekspansionist për to?
Neokonët amerikanë, të obsesionuar nga përgjegjësia saudite më 11 shtator, kanë mbështetur shiitët në Irak, duke e spostuar ekuilibrin në kampin shiit. Ka qenë goditja e parë ndaj fuqisë sunite dhe dhurata e pavetëdijshme e neokonëve për armikun e përbetuar të tyre iranian. Në fakt, humbja e revoltës sunite në Irak nuk është varur edhe aq nga ndërhyrja ushtarake e koalicionit sesa nga presioni i masave shiite të mbështetura nga Hezbollahu, që pasi u ka lënë sunitëve zonat pa naftë, kontrollojnë bashkë me kurdët Irakun e leverdisshëm. Është këtu që nis ekspansioni iranian. Në Bahrein popullsia shiite është “iranizuar” pas revoltave të 2011 të shtypura me ndihmën e ushtrisë së Riadit (që kaloi urën midis dy shteteve të hënën për të shmangur ngecjen e tankeve në trafikun e sauditëve që shkonin drejt bordeleve të Manamas). Presioni i Iranit mbi gadishullin arabik është real, por manifestohet në një kontekst të saktë.

– Çfarë vendi ka në këtë kontekst lufta në Jemen?
Njëherë e një kohë në Jemen kishte sunitë në jug, në veri, në male, ekzistonte zaidizmi, një sekt i tipit sunit, por i afërt me sunitët, në pikën që falen në të njëjtat vende. Gradualisht presioni i wahabizmit në veri i ka shtyrë zaidët në krahët e Iranit, duke i dhënë kështu jetë shiitizimit të sektit që më pas ka marrë emrin e familjes më të rëndësishme të tij, asaj Houthi. Sot houthitë janë një lloj Hezbollahu jemenas që përdor të njëjtat taktika “godit dhe largohu” për të sfiduar jo Izraelin, por Riadin. Princi saudit Bin Salman ka tentuar që ta ndërtojë legjitimitetin e tij me një aksion kundër houthive dhe tani aty ka një luftë të injoruar nga masmedia, por të tmerrshme. Kur më pas Al-Sisi ka ardhur në pushtet, Riadi ka shpresuar se mos imitonte Nasser dhe dërgonte ushtrinë në Jemen, por Presidenti egjiptian ka refuzuar.

– A korrespondon kriza e botës sunite me krizën e Gjirit?
Me rënien e çmimit të naftës, situata e brendshme në Arabinë Saudite është rënduar, kriza e fundit në sektorin e ndërtimeve ka parë të pushohen nga puna të huaj, por edhe sauditë. “Sistemi Gji”, që nga viti 1973 e ka pasur qendrën tek Riadi duke shërbyer si motor ekonomik i botës sunite, tani ka një problem shpërndarje të ardhure me të cilën është i lidhur edhe prapakthehu egjiptian. Besoj se nafta nuk do të kthehet kurrë në kuotën e 100 dollarëve, e vetmja me të cilën sauditët mund ta vinin në lëvizje mekanizmin. Sot Riadi shikon t’i largohen nga njëra anë Afrika Veriore dhe nga ana tjetër Vëllazëria, e përqendruar mbi Ankaranë dhe Dohan. Ikona e humbjes së pushtetit të sunitëve është Alepi. Rënia e Alepit do të jetë konsakrimi i humbjes saudite. Në sfond shfaqet një tjetër sfidë e madhe: “Vizioni 2030” i Bin Salman që synon të modernizojë vendin duke krijuar një borgjezi punëtore ka një limit të madh. Reformat e tij janë substanciale dhe është e vështirë që t’i bëjë të përkojnë me qëndrimin e wahabizmit. Domethënë drama e madhe e Lindjes së Mesme është copëzimi i sunizmit nëpërmjet axhendës së Vëllazërisë Myslimane, rënies së çmimit të naftës, nacionalizmit kurd, mendjemadhësisë së re amerikane ndaj sauditëve që i detyrohet naftës shistore. Situata është e rëndë, ama kujdes. Pavarësisht se sunitët po humbasin, masa demografike afatgjatë është sunite.

– Çfarë loje bën Turqia?
Për arsye jo të qarta, Ankaraja po kthehet nga Rusia. Sunizmi turk ka lëvizur gjithmonë mbi dy akse: atë të Erbakanit, që nuk e përfshinte borgjezinë dhe ajo përzierje Vëllazëri dhe jo Vëllazëri e përfaqësuar nga Erdogan dhe Gülen, që në fakt ka sjellë në pushtet AKP-në. Por tani Erdogan dëshiron ta eliminojë Gülen dhe për ta bërë ka rishpluhurosur aleancën midis Vëllazërisë dhe nacionalizmit turk. Si? Me çështjen kurde, pasi nga njëra anë shumë gülenistë si Said Nursi janë kurdë dhe nga ana tjetër tema e çimenton nacionalizmin. Për këtë arsye, për Erdoganin kurdët janë sot prioriteti absolut, shumë më tepër sesa rënia e Al-Assad. Thuhet se kthesa ka ndodhur në muajin mars, kur shërbimet sekrete turke kanë zbuluar se armët e dhëna nga Amerika për kurdët sirianë u kishin kaluar kurdëve të PKK-së dhe kanë vendosur të orientohen nga rusët.

– Aksi midis Riadit dhe Moskës është vetëm taktik apo mund të jetë edhe strategjik?
Asgjë nuk është e thënë, pasi ka një konvergjencë midis rusëve dhe sauditëve lidhur me çmimin e naftës. Të dyja vendet janë bërë aleatë kundër amerikanëve. Për sa i përket frontit të brendshëm të saj, Moska ka shfrytëzuar më së miri dobësitë e Perëndimit, Europën e përçarë, Francën pa President, Italinë konfuze, Brexit, opinionin publik perëndimor të “magjepsur” nga “putinizmi”, po në fund të fundit PBB-ja ruse është e barabartë me atë spanjolle, më e ulët se ajo franceze dhe italiane. Putini është lojtar, por në periudhë afatgjatë themelet ekonomike dhe politike nuk janë. I mbetet aleanca me Iranin që gjithsesi e ka një bazë të sajën, pasi armiku islamik i Putinit është Çeçenia sunite, spektri rus.

– Po Europa çfarë bën, rri duarkyq?
Sfida më e madhe e viteve të ardhshme është rindërtimi i Europës. Europa ka funksionuar gjithmonë me motorin franko–gjerman. Ardhja e Britanisë së Madhe në njëfarë mënyre ka qenë jofunksionale. Kushedi nëse Brexit mund të shërbejë për ta rivënë në lëvizje motorin. Pastaj është Lindja e Mesme, ku do të duhet të kuptohet se dobësia e Arabisë Saudite do të përkthehet në një ridimensionim të mendimit salafit. Ky i fundit është një çështje që ka të bëjë me Lindjen e Mesme, por edhe me ne, pasi kjo mënyrë të menduari islamin që refuzon përzierjen me shoqërinë europiane është e tmerrshme, sidomos në Francë, ku përzihet me frustrimin social të periferive, duke gjeneruar një rivendikim të ri, të cilin unë e quaj “islamo-majtizëm”.
(Nga “La Stampa”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Mësime të hidhura nga situata e Alepos

Megjithëse luftimet ende po vazhdojnë, regjimi i Sirisë arriti në Alepo me ndihmën ruse dhe iraniane një fitore ushtarake. Skandali është që bota i sheh duarlidhur masakrat, mendon Rainer Sollich. Ali Larixhani ishte njëri ndër të parët që dërgoi urime për çlirimin e Alepos. “Populli sirian” arriti atje një “sukses kundër terroristëve”, deklaroi Presidenti i Parlamentit iranian në bazë të agjencive të lajmeve.
Në të vërtetë kemi të bëjmë me një vetëlëvdatë të pacipë: fitorja ushtarake e regjimit të Assadit nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen masive të milicëve shiitë iranianë dhe të financuar nga Irani, si të Hezbollave libanezë. Dhe më e rëndësishmja nuk do të kishte qenë fare e mundur pa pjesëmarrjen aktive të Rusisë në formën e sulmeve më brutale ndaj kryengritësve të armatosur dhe të popullatës civile.

Jetët e njerëzve nuk luajnë asnjë rol
Deri vonë luftohej dhe luftohet edhe më tej, edhe bombardimet në Alepo vazhdojnë. Jetët e njerëzve për të dyja palët nuk kanë asnjë rëndësi. Puna është si të asgjësohet kundërshtari – pa pyetur për humbjet. Sipas OKB-së, në ditët e fundit kanë ndodhur masakra të tmerrshme. Dhe kur fitimtarët të arrijnë ta marrin edhe bllokun e fundit të shtëpive, ekziston frika për akte të tjera mizore.
Fitorja ushtarake e Assadit është e pandalshme, për aq kohë sa ai mund të mbështetet te aleatët e tij. Sapo i gjithë Alepo të ndodhet me të vërtetë nën kontrollin e regjimit, me siguri që Bashar al-Assadi do të vërë në shënjestër zonat e tjera që ndodhen nën kontrollin e kryengritësve në rajonin Idlib. Pra, lufta do të vazhdojë dhe do të kërkojë edhe shumë viktima të tjera. Kush ose çfarë mund ta ndalë ende Assadin?
Perëndimi ose e ashtuquajtura “bashkësi ndërkombëtare” me siguri që jo! Kombet e Bashkuara dështuan krejtësisht, siç pranoi sekretari i Përgjithshëm i OKB-së që po largohet, Ban Ki-moon. Bota e sheh masakrën në Alepo, si dhe në pjesën tjetër të vendit krejtësisht duarlidhur. Diplomacia vërtet që vazhdon në maksimum – por pas saj nuk fshihet gjë tjetër veç një pafuqie të madhe: askush nuk i ndihmon civilët në hall! Edhe me Presidentin e ardhshëm të SHBA, Donald Trump nuk do të ndryshojë asgjë.

Asgjë nuk bëhet më pa Rusinë ose Iranin
Krimet e luftës ia vlejnë – ky është mesazhi i hidhur i Alepos. Dhe një mesazh i dytë thotë: në Siri nuk bëhet dot më asgjë pa Rusinë dhe Iranin. Në Irak, në Liban dhe në Egjipt qeveritë mund të kenë simpati për një “rend” të tillë të ri në rajon. Por Arabia Saudite dhe emirate të tjera në Gji si zor që ta pranojnë këtë dhe do t’i armatosin në përputhje me këtë aleatët e tyre. Pra, masakrat do të vazhdojnë.

Ka nisur evakuimi në Alepo, përsëri ka probleme

Këshilltari i OKB-së për çështje humanitare, Jan Egeland ka thënë dje se ai është optimist për evakuimin e mijëra civilëve nga Alepoja Lindore, ndonëse kërkesa ruse për përfshirjen e OKB-së iu ka shkuar shumë vonë.
“Sapo e kemi marrë informacionin nga rusët që thonë se na duan të përfshirë në evakuim, por konfirmimi për këtë ka ardhur tani, këtë mëngjes, që është shumë vonë sepse procesi tashmë ka filluar dhe tani ka edhe incidente të sigurisë”, i ka thënë Egeland “Reutersit”.
“Mijëra njerëz kanë nevojë për evakuim, por gjëja e parë dhe më urgjente është që të largohen të lënduarit, të sëmurët dhe fëmijët, përfshirë edhe jetimët”, ka thënë ai dhe ka shtuar “mbetëm me shpresë sepse kjo është vonuar tejmase”.
Të dhënat e fundit janë se forcat aleate të regjimit sirian kanë shtënë drejt personave të përfshirë në evakuimin e njerëzve.
Nuk dihet se sa do të mbajë kjo marrëveshje pasi armëpushimi i parë u shkel pak orë pas arritjes.

Disa kuriozitete nga Futbolli

Futbolli është një prej sporteve më të dashur në Botë, dhe që padyshim ngjall interesin dhe kureshtjen te të gjithë të apasionuarit pas këtij sporti. Gjithsesi në këtë lajm nuk do të informojmë për ndeshje, por për disa fakte interesante dhe zbavitëse, që jo gjithmonë na rastis t’i shohim apo lexojmë.
1-A e dini se “Fenomeni” Ronaldo, në karrierën e tij ka luajtur së bashku me trajnerët aktualë të Atletico Madrid (Diego Simeone), Barcelonës (Luis Enrique) dhe Real Madridit (Zinedine Zidane)?
2- Henrikh Mkhitaryan është lojtari i parë armen që ka shënuar gol në Premier League.
3-Asnjë menaxher pa flokë nuk ka fituar asnjëherë një titull kampion në Premier League.
4-Alexis Sanchez është lojtari i vetëm që ka realizuar 3 golësh në Premier League, La Liga dhe Seria A.
5-Nuk ekziston stadiumi “Camp Nou” në FIFA 2017.
6-Argjentina dhe Ururguai janë dy Kombëtaret që mbajnë rekordin e përballjeve më të shumta mes dy vendeve. Të dyja skuadrat janë ndeshur më shumë se 200 herë.
7-Edinson Cavani ka shënuar vetëm 2 gola në 6 muajt e tij të parë si lojtar i Palermos.
8-El Shaarawy zgjodhi që të përfaqësonte Kombëtaren e Egjiptit, por u “injorua” nga drejtuesit e Federatës, të cilët i thanë: “Je i talentuar, dhe pas disa vitesh mund të bëhesh një nga sulmuesit më të mirë në Botë, duke iu bashkuar Kombëtares së Italisë, për një të ardhme më të shkëlqyer”.
9-Këngëtari i preferuar i sulmuesit të Borussia Dortmund, Marco Reus është Justin Bieber.
10-Sulmuesi i Juventusit, Moise Kean është lojtari i parë, i lindur në vitin 2000, që luajti në një ndeshje të Champions League.