Luka Modriç është kundër që rastet e dyshimta të përsëriten dhe më pas të marrë ose të ndryshoi vendimin gjyqtari. Dje dhe sot për herë të parë gjyqtarët kanë shfrytëzuar rregullin e ri nga FIFA, ku në rastet e dyshimta mund të shikojnë videon e përsëritur.
Për herë të parë u përdor në ndeshjen Nacional – Kashima, ku gjyqtari Kassai akordoi penallti pas dy minutave që ishte kryer aksioni, pasi pamjet filmike treguan se kishte ndërhyrje. Një konfuzion u pa edhe në ndeshjen e sotme ndërmjet Club America – Real Madrid që përfundoi 0:2, ku pasi që shënoi Ronaldo, gjyqtari përdori pamjet filmike për të parë nëse ishte pozitë jashtë loje, ku skuadra për disa minuta nuk mund të festonte golin.
Kjo nuk i ka pëlqyer Luka Modridit, i cili shpreson se ky rregull nuk do të zbatohet në ligat kombëtare dhe në Ligën e Kampionëve, pasi kjo nuk ka të bëjë asgjë me futboll. “Ky rregull nuk më pëlqen. Krijon konfuzion dhe nuk ka të bëjë asgjë me futbollin. Shpresoj se nuk do të vazhdojë edhe pas këtij kampionati ky rregull”, tha Modriç pas ndeshjes.
Modriç shpërthen kundër FIFA’s
Reali në finale!
Rezultat maksimal me sforcon më minimale të mundshme. Në “International Stadium” të Yokohamas në gjysmëfinalen e dytë të Botërorit të Klubeve, Reali i Madridit mposhti me rezultatin 2-0 meksikanët e Club Americas, duke arritur kështu të kualifikohet në finalen e madhe të kompeticionit. Minutat shtesë të të dyja pjesëve ishin vrastare për klubin nga Meksiko City, sepse golat e fitores së Realit u realizuan në limitet e çdo fraksioni loje. Karim Benzema zhbllokoi shifrat në fundin e pjesës së parë, duke i hapur rrugën fitores së Los Blancos, ndërsa goli i Ronaldos në të 93-ën u akordua falë ndihmës së moviolës në fushë, për të zeruar kështu një pozicion inekzistent jashtë loje të dhënë nga gjyqtari anësor.
Sistemi Video Asistent Referee po përdoret për herë të parë, pikërisht në Botërorin e Klubeve dhe deri tani po jep rezultat. Publik i shumtë në shkallët e stadiumit, por pak emocione në Yokohama. Reali i Madridit ia doli të fitonte pa shpenzuar shumë energji, në një ndeshje ku rastet për gol numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Në pjesën e parë për t’u përmendur vetëm shtylla e Cristiano Ronaldos në të 26-ën dhe goli i avantazhit i realizuar nga bomberi francez Karim Benzema në minutën e dytë shtesë. Finalizim shumë i bukur ai i ish-sulmuesit të Lyonit. Për të vulosur fitoren e madrilenëve mendoi fituesi i “Topit të Artë” me Ronaldon që shfrytëzoi një asist të James Rodriguez, për të mposhtur sërish portierin e Club Americas. Gjyqtari paraguaian Caceres fillimisht e akordoi të rregullt golin e portugezit, ndërsa më pas anuloi, duke e cilësuar sërish si të rregullt pas përdorimit të moviolës. Në finalen e të dielës, Reali i Madridit do të ketë përballë skuadrën japoneze të Kashima Antlers.
Pioli për Gabigol: Nuk më intereson sesa ka kushtuar
Stefano Pioli rikthehet të flasë për çështjen Gabigol. Sulmuesi brazilian edhe pse i ka kushtuar Interit rreth 30 milionë euro, ka luajtur në total vetëm 16 minuta këtë sezon në ndeshjen ndaj Bolognas. Në një prononcim për mediat italiane ku foli për shumë tema lidhur me aktualitetin zikaltër, Pioli u ndal edhe te 20-vjeçari Gabriel Barbosa. “Mendoj se është një futbollist me një talent të madh dhe po bën të gjitha përpjekjet për të kuptuar metodat e reja të punës dhe mbi të gjithë mentalitetin e ri, por unë nuk mund të mendoj se sa para ka paguar klubi për një futbollist përpara se të bëj formacionin”, theksoi Stefano Pioli.
“Gabigol duhet të këtë durimin e mjaftueshëm dhe të tregojë që di të luajë futboll, sepse me kualitetet që ka do të gjejë me siguri hapësira, mund të rritet bashkë edhe ne edhe për faktin se ai mund të luajë përkrah Icardit”, shtoi në vijim trajneri i Interit. Marcelo Brozoviç është një nga lojtarët që po spikat më shumë në shtëpinë zikaltër gjatë ndeshjeve të fundit. Një mendim i Piolit shkoi edhe për mesfushorin kroat. “Marcelo po më jep përgjigje pozitive, është i ri dhe ka shumë kualitet edhe pse mendoj se mund të përmirësohet shumë më tepër”. Nga Brozoviç te Banega e Joao Mario. “Janë dy mesfushorë të shkëlqyer të orientuar më shumë drejt fazës ofensive sesa asaj difensive deklaroi ish-tekniku i Lazios. U kam dhënë besim të gjithë futbollistëve që kam në skuadër, por duke i njohur më mirë më duhet të bëj disa zgjedhje”, nënvizoi në fund trajneri 51-vjeçari.
Barça garanton të ardhmen me fëmijët e Mesi, Suarez e Pique
Janë vogëlushë, vetëm 3-vjeçarë, por përfaqësojnë të ardhmen e Barcelonës. Prej baballarëve që janë yje të futbollit botëror kanë ADN-në e kampionëve dhe kjo i mjaftoi katalanëve që të përfshijnë në Akademinë e klubit. Bëhet fjalë për Thiago Mesi-n, Benjamin Suarez dhe Milan Pique, të cilët nisën zyrtarisht aventurën në futboll, pas iniciativës së vetë drejtuesve të klubit.
Djemtë e tre prej lojtarëve më të rëndësishëm të Barçës u përfshinë në projektin e ri të katalanëve FCB Escola, kursi ku fëmijëve u mësohet menjëherë stoli i lojës “blaugrana”, me shpresën se ata do të përbëjnë brezin e ardhshëm të yjeve.
Përfshirja e vogëlushëve Mesi, Suarez dhe Pique në Akademinë e futbollit tërhoqi vëmendjen e mediave, gazetarëve, por edhe të tifozëve. Për Lionel Mesin dhe Gerard Pique bëhet fjalë për një “deja-vù”, sepse ata së bashku i kanë kaluar të gjitha nivelet e “canterës” së famshme të Barcelonës, duke mbrojtur ngjyrat e skuadrës nga nivelet e moshave dhe tashmë që janë në ekipin e parë.
Tani kjo rrugë mund të ndiqet edhe nga Milan dhe Thiago, të cilëve u shtohet edhe Benjamin Suarez. Të tre kanë nisur shkollën “blaugrana” për t’i shndërruar futbollistët e vegjël në kampionë të mëdhenj të së ardhmes.
ADN-ja që trashëgojnë është një garanci dhe nëse 3-vjeçarët do të arrinin në nivelet e prindërve të tyre, te Barcelona mund ta bëjnë gjumin të qetë edhe për 30 vitet në vazhdim.
Suarez të premten firmos rinovimin
Pas disa muajsh bisedimesh është arritur më në fund marrëveshja mes Luis Suarez dhe drejtuesve të Barcelonës për rinovimin e kontratës. Tashmë është një fakt i kryer. Këtë të premte “El Pistolero” do të firmosë zyrtarisht kontratën e re që do ta mbajë të lidhur me Barçën deri në verën e vitit 2022. Në këtë mënyrë, duke patur parasysh edhe faktin që në janar, Suarez do të mbushë 30 vjeç, uruguiani me nënshkrimin e marrëveshjes së re mund të vendosë t’i japë fund karrierës te Barcelona, pasi kur t’i përfundojë kontrata do t’i ketë mbushur 35 vjeç.
Një kontratë e re afatgjatë në terma më të mirë ekonomikë. Gjithçka e merituar për Suarez, pasi “El Pistolero” është një nga sulmuesit më produktivë në historinë e Barcelonës. Në 2 sezone e pak me Barcën, Suarez ka zhvilluar në total 116 ndeshje, duke realizuar plot 96 gola. Rinovimin me sulmuesin uruguaian deri në vitin 2022 e kishte paralajmëruar pak ditë më parë presidenti i skuadrës katalanase Josep Maria Bartomeu dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi që do të vijë këtë të premte. Për momentin nuk bëhen të ditura termat ekonomikë, që do të përfitojë bomberi 29-vjeçar nga marrëveshja e re.
Barça ia hedh me gjobë gjyqit
Gjyqi i parë mes Barcelonës dhe zyrës së taksave në Spanjë, sa i përket transferimit të Nejmarit, është mbyllur të mërkurën. Edhe pse ishin ngritur akuza ku kërkohej burgim deri në shtatë vite për drejtuesit Sandro Rosell dhe Josep Bartomeu, asnjëri prej tyre nuk është ndëshkuar, duke mos u cilësuar si përgjegjës për fshehjen e të ardhurave.
Gjykata vendosi që klubi katalanas të paguajë një shifër prej 5.5 milionë eurosh si taksa të pashlyera, për shkak të kontratave që nuk ishin deklaruar.
Ndërkohë, as Nejmar dhe babai i tij nuk janë marrë në procedim fare. Por, është për t’u theksuar që bëhet fjalë vetëm për gjyqin e parë, pasi është një tjetër që po zhvillohet aktualisht për të njëjtat akuza. Në të rrezikohet akoma më tepër që të ketë masa ndëshkuese për zyrtarët apo vetë sulmuesin.
Topalli: SHBA kushtëzon marrëdhëniet me arrestimin e Balilit
Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të Kuvendit, deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli tha se kryeministri Rama nuk foli asnjë fjalë për të shumëkërkuarin Klement Balili, i cili cilësohet nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”.
Topalli u shpreh se ndërkombëtarët po kushtëzojnë marrëdhëniet me Shqipërinë në lidhje me arrestimin e Klement Balilit, për të cilin policia ka nisur operacion prej disa ditësh për kapjen e tij.
Topalli tha se shoqëria është zhytur në depresion, ndërsa ata që janë në burg për drogë janë ata që punojnë për bukën e gojës, pasi bosët e tyre janë të lirë.
“Brezi i ri duket si brez i djegur që ka si alternativë vetëm emigrimin kur nuk i del Lotaria Amerikane. Ata ikin për punë, punë quajnë drogën, zhyten në punë të këqija, ku burgu do të ishte finalja më e keqe. Përpiquni të mendoni dhembjen e prindërve, motrës për të afrimin që mbetet burgjeve. Aty janë më të varfrit që kanë humbur në rrugën e tyre, shumica e tyre janë në burg për hashash, janë ata që paguhen si skllevër e bëjnë për të marrë një rrogë, për të mbajtur frymën. Bosët e tyre janë krejt afër nesh dhe të lirë. Njëri prej tyre është Klement Balili për të cilin kryeministri nuk gjeti një fjalë, pasi dhe ndërkombëtarët kushtëzojnë marrëdhëniet me ne për të.
Shoqëria është zhytur në depresion, se pushteti ka dështuar të japë minimumin e jetesës, një rreze të vogël shprese. Ne jemi në krizë po rrezikojmë ta shikojmë. Shqipëria humbi shansin e hapjes së negociatave”, tha Topalli.
Blushi: Dako sekser i Ramës tek lirimi i Lul Berishës
Deputeti Ben Blushi, kryetar i Partisë Libra, tha se qeveria që pretendon se ka fituar zgjedhjet në Kolonjë dhe Dibër ka humbur në Bruksel, duke theksuar se Shqipëria nuk ka një datë për hapjen e negociatave dhe vitin tjetër kjo datë mund të përfundojë në shtigje të panjohura.
Duke u ndaluar tek rasti i Lulzim Berishës, Blushi tha se lirimi i tij u bë me ndërmjetësimin e Vangjush Dakos, fytyra e rilindjes siç theksoi ai, duke e konsideruar sekser midis gjykatës dhe të akuzuarit për pesë vrasje.
“Pse kërcënohet drejtësia në Shqipëri? Kërcënohet nga Gjykata Kushtetuese? Qeveria thotë po! Nuk është vetëm kaq! Duhet të marrim rastin që ndodhi në Durrës. U lirua njëri që ka vrarë 5 vetë, kreu i Bandës së Durrësit. Pse u lirua ky njeri? U lirua sepse një kryetar bashkie me mandat politik që është fytyra e vërtetë e rilindjes i dha një vlerësim pozitiv dhe bëri sekserin mes gjykatës dhe vrasësit.
Kjo do të thotë pra, se është politika mbas shumicës së vendimeve. Si ka mundësi? Si shumicë, Rilindja e ka të përsëritur këtë gjë me kryetar bashkie që ndërhyjnë për të shpëtuar nga burgu. Nuk flas për gjynahqarë që hyjnë në burg për 5 mijë lekë. Rasti i Kavajës është i përsëritur. Për të mos folur për shumë deputetë këtu që i kap procesi i dekriminalizimit. Çfarë ndodhi në Durrës?
Gjykata kërkoi mendim tek bashkia dhe i tha këtë vrasësin mund ta nxirrni sepse i siguroj punë. Ndërkohë që më përpara tha se këtë vrasësin mund ta nxirrni se qenka i sëmurë. Kë do të marrë në punë? Njërin që është vrasës apo atë që është i sëmurë? Do ta çojë në punë vullnetare për të pastruar bulevardin e Durrësit. Kushdo që e mbron këtë rast ka diskredituar procesin e Vettingut, reformën në drejtësi dhe kjo është arsyeja që nuk morëm statusin.
Çmimi i Gjushit të Durrësit, Arben Nokës, Klement Balilit, Elvis Rroshit. Ky është çmimi. Nuk hyjmë në BE për shkak të miqësive që kryeministri ka me këta tipa. Kjo është arsyeja sepse gjykatat nënshtrohen, Vettingu nuk funksionon, Vettingu nuk ka për të funksionuar sepse gjykatat kanë frikë nga qeveria.
Në qoftë se Vettingu është bërë që gjykatat të kenë edhe më shumë frikë ndaj kësaj qeverie apo qeverive të tjera, sigurisht do të ndodhë prapë Durrësi. Elvis Rroshi është në detyrë. A ka mundësi që një parti normale në Evropë të mbajë në punë një njeri që gjykatat e kanë pezulluar nga puna dhe ai shkon e firmos në Kavajë? Gjushi vjen pas tij. Ka deputetë këtu që kanë vrarë dhe erdhën e votuan buxhetin para dy javësh. Ku mund të ndodhë kjo? Besoni se shqiptarët do ta besojnë se procesi i Vettingut është serioz”, tha Blushi.
Dule: Rama, dështim i dështimeve
Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka fajësuar kryeministrin Edi Rama, dikur aleat i tij për mosçeljen e negociatave të Shqipërisë me BE për anëtarësimin. Nga foltorja e Parlamentit, Dule deklaroi se sa kohë qeveris Rama nuk do të ketë asgjë pozitive.
“Politikat që po ndjek qeveria, nuk i shërbejnë integrimit. Rama e çoi vendin në dështimin e dështimeve. Ai e çoi vendin në dështimin e prioriteteve. Rama duhet të drejtojë gishtin nga vetja. Rama është përgjegjës para popullit dhe historisë. Vendi do të kishte marrë statusin, ishte gati për negociata. Dështimi për negociatat ka vetëm një emër, Edi Rama”, tha kreu i PBDNJ-së.
Ai u shpreh më tej se, situata në vend është aq e rëndë sa që është e pashmangshme shitja e votës që qytetarët të sigurojnë të ardhmen.
“Dështimi nuk po i çon në reflektim, po në arrogancë. Sa kohë qeveris Rama, nuk mund të presim asgjë pozitive. Rama s’mund të tallet duke thënë ‘jetojmë në parajsë’. Kjo nuk ka se si pranohet, se si kapërdihet dhe se si mund të tolerohet. Po, kemi shumë përgjegjësi ne të gjithë. Të mazhorancës po se po, por edhe të opozitës dhe ne të tjerët që jemi me statusin e të pavarurit. E kemi çuar situatën deri aty sa shitja e votës është e pashmangshme, për shkak të nevojës që ka qytetari për të siguruar të ardhmen e familjes dhe fëmijëve”, tha Dule.
300 milionë euro të tjera për Rrugën e Kombit
Qeveria shqiptare miratoi kontratën e koncesionit të rrugës Milot–Morinë, me konsorciumin e kompanive “Catalyst Viva Das General Contracting, LLC – Salillari, Shpk – BEE TECH – Violiap Ateve – Kastrati, ShA”, një koncesion që pritet t’i kushtojë shqiptarëve mbi 300 milionë euro në 30 vitet e ardhshme. Njoftimi i qeverisë u publikua në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, ndërsa kontrata nuk është publike.
Sipas dokumenteve të tenderit, kompania koncesionare premton të investojë për përfundimin e disa segmenteve të rrugës, si dhe për mirëmbajtjen e saj në këmbim të një pagese vjetore për rreth 13 vjet prej 5 milionë eurosh në vit. Gjithashtu, trafiku aktual i rrugës prej 4,200 mjetesh në ditë pritet t’i japë kompanisë koncesionare mbi 6 milionë euro në vit, ndërkohë që rritja e trafikut përgjatë dekadave të ardhshme pritet të japë të ardhura shtesë për kompaninë.
Kontrata koncesionare iu dha fillimisht një konsorciumi tjetër, por Komisioni i Prokurimit Publik vendosi shfuqizimin e vendimit të shpalljes fitues dhe nxori fitues konsorciumin aktual.
Vendimi për dhënien me koncesion dhe vendosjen e pagesës mbi autostradën Milot–Morinë ka shkaktuar disa protesta nga banorët e zonës së Kukësit, të cilët i frikësohen dyfishimit të kostos së udhëtimit drejt Tiranës.
Rruga Milot–Morinë nisi të ndërtohet në vitin 2007 pas një tenderi të shumëdebatuar. Kostoja totale e rrugës vlerësohet në mbi 1 miliard euro, dy herë më shumë nga sa qe planifikuar fillimisht. Megjithëse janë shpenzuar mbi 1 miliard euro, një pjesë e rrugës, veçanërisht një numër urash në segmentin Kukës–Morinë kanë mbetur të papërfunduara për shkak të mungesës së parave.
Ky është një nga shumë koncesionet që qeveria aktuale ka miratuar dhe që përfshijnë pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit. Qeveria ka nënshkruar apo pritet të nënshkruajë kontrata koncesionare me vlerë 65 miliardë lekë. Bashkë me koncesionin e Rrugës së Kombit, kostoja e këtyre koncesioneve mbi buxhetin e shtetit pritet të arrijë në mbi 73 miliardë lekë.