Mesfushori ka shfryrë pas ndeshjes, teksa ka deklaruar se njerëzit në kohët e futbollit modern harrojnë shumë shpejt lojtarët e rëndësishëm. Ai vulosi fitoren e dhjetë radhazi për blutë e Londrës dhe tani gjërat mund të ndryshojnë edhe sa i përket së ardhmes, pasi prej kohësh spanjolli është cilësuar si një lojtar me valixhe në dorë.
“Ishte një ndeshje e vështirë, por ne ia dolëm. A ishte një lehtësim për mua? Besoj që po. Duhet të jetë kështu… Njerëzit që po shijojnë futbollin modern harrojnë shumë shpejt se kush je, çfarë bën apo çfarë ke dhënë për futbollin. Por unë asnjëherë nuk jam dorëzuar”, tha ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Arsenalit.
Sa i përket ankthit që shkakton një ndeshje me rezultatin 1-0, Fabregas u përgjigj me sinqeritet: “Po, ndonjëherë është e sikletshme edhe për ne futbollistët që jemi në fushë, imagjinoni më pas për tifozët… Ishte një ndeshje e bukur dhe titulli mund të fitohet edhe duke i fituar shumë ndeshje 1-0, por ne duhet t’i mbyllim ndeshjet dhe të shënojmë edhe gola të tjerë kur na jepet mundësia. Gjithsesi tani do ta shijojmë këtë moment, sepse të jem i ndershëm asnjë nga ne nuk e kish imagjinuar dy muaj më parë se do të realizonim një seri prej 10 fitoresh radhazi…”.
Fabregas shfryn
Konte: Duhet t’i “vrasim” ndeshjet
Antonio Konte nuk ka qenë plotësisht i kënaqur nga mbrëmja e djeshme, edhe pse skuadra e tij siguroi fitoren e dhjetë radhazi. “Nuk mund të vuajmë aq shumë në një ndeshje. Ne duhet t’i mbyllim ndeshjet kur na jepet mundësia dhe jo të shpërdorojmë ashtu. Rezultati 1-0 nuk të jep asnjëherë qetësi dhe ndërkohë mban me shpresë të madhe gjithnjë kundërshtarin. Ishte një fitore që do të na shërbejë për të ardhmen, por në fund Kurtua na shpëtoi, sepse ndoshta edhe mund ta kishim pësuar. Shpresoj që në ardhmen të shmangim kësi rreziqesh në sekondat e fundit.
Fabregas? Ai është një lojtar i mirë dhe neve na shërben shumë për eksperiencën dhe cilësitë që ka. Në mesfushë kemi 4 lojtarë shumë të zotë dhe unë vlerësoj sipas rastit se cili prej tyre luan. Ndonjëherë nuk mjafton vetëm forma fizike, por edhe ajo psikologjike. A ardhmja e Ceskut? Nuk kam dëshirë të analizoj publikisht lojtarët e mi. Po e përsëris se është një futbollist cilësor dhe do të ketë hapësira të mjaftueshme edhe për të në të ardhmen. Nuk mund të flas me të, na lini t’i shijojmë festat që po afrojnë…”, deklaroi trajneri i Chelsea-t pas ndeshjes së djeshme.
Anjeli optimist!
Andrea Anjelli përcjell optimizëm te Juventusi. Ky sezon po shkon në mënyrën më të mirë për bardhezinjtë, të cilët përveç se kryesojnë kampionatin e mbyllën në vend të parë edhe fazën e grupeve në UEFA Champions League. Në një intervistë presidenti i kampionëve të Italisë thuri elozhe për skuadrën që drejtohet nga Massimiliano Allegri, ndërkohë që foli me superlativa për këtë Juventus, madje duke thumbuar në njëfarë mënyre edhe skuadrat rivale dhe të gjithë ata që lobojnë negativisht ndaj skuadrës së Massimiliano Allegrit.
“Kanë bashkuar forcat dhe të gjithë janë kundra nesh, principi është se nuk ka rëndësi kush fiton, e rëndësishme është të mos fitojë Juvja. Ky është ambienti që na rrethon, ne duhet të luftojmë për t’u mbyllur gojën edhe dashakeqëve. Duam të vazhdojmë të fitojmë, jemi Juventusi dhe ekzistojmë për të fituar”, deklaroi fillimisht Andrea Anjelli. Më tej numri 1 i klubit bardhezi shtoi: “Kemi dy rrugë përpara, titullin e 6-shtë radhazi në Itali dhe Champions Leaguen. Duhet të marrim si shembull Usain Bolt dhe të shndërrohemi në një legjendë. Fitimi i një tjetër kampionati mund të rezultojë thjesht një formalitet për Juventusin në këtë sezon, por skuadra e Allegrit me lojtarë si Higuain, Dybala, Mandzukiç, Bonucci e Pjaniç ëndrron të fitojë edhe në Europë, pra të ngrejë lart trofeun e UEFA Champions League, një mision i vështirë, por jo i pamundur për këtë Juventus.
Xhanluixhi Bufon analizon si gjithmonë me sinqeritet të plotë sfidat që e presin Juventusin e tij nga e shtuna e në vazhdim. Madje, portieri dhe kapiteni bardhezi flet edhe për datën e tërheqjes së tij, si dhe më në fund zbulon edhe arsyen e mustaqeve të tij, të cilat prej një jave janë bërë një çështje në Itali. Nga Roma e deri te tërheqja e tij, të gjitha këto 38-vjeçari i zbulon në një intervistë për rrjetin “Sky Sport”. “Unë them se ata, së bashku me Napolin janë dy skuadrat që u kanë dhënë jetë dueleve më të bukura të viteve të fundit në kampionat. Të dyja këto klube kanë ndërmarrë një proces fitues. Nuk bëhet fjalë për një surprizë fakti që Roma na ndjek nga pranë, surprizë është fakti që ata kanë ngecur në disa ndeshje që dukej se do t’i fitonin lehtë”, u shpreh Bufon.
Ai tha më tej se është me fat që luan në një tjetër rol kundrejt Totit. “Ai ka aq klas sa mund të vërë në siklet këdo që mund të ketë pozicionin e tij në fushë. Madje, mendoj se në disa aspekte i ka përmirësuar goditjet e tij. Ai është një pikë referimi për skuadrën dhe për të gjithë qytetin e Romës”, tha Bufon. Bufon foli edhe për Topin e Artë. “Pres të prek 39-vjetorin dhe të jem në këtë moshë mes 10 më të mirëve në botë, është një kënaqësi e veçantë. Gjithsesi, edhe kjo është një garë, ku ka nga ata që qeshin dhe nga ata që fitojnë. Me përjashtim të Kristiano Ronaldos, që e meritoi çmimin, ne të tjerët thjesht duhej të kënaqeshim me pjesëmarrjen”, tha Bufon.
Shkarkim Dakos, hetim atyre që liruan Lul Berishën
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka përdorur pushtetin dhe zyrën që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe ka terrorizuar qytetarët e Durrësit.
Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe kundër qytetarëve.
Për këtë arsye, këshilltarët dhe deputetët demokratë të Bashkisë së Durrësit kanë vendosur t’i kërkojnë Kryeministrit Rama shkarkimin e menjëhershëm të Vangjush Dakos, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
I kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm të fillojë menjëherë hetimet për konspiracion kriminal të kryebashkiakut Dako në favor të krimit.
Kur krimi bashkohet me politikën, vritet liria, shpresa dhe fatet e njerëzve. Shoqëritë ku politikën e dominon krimi janë shoqëritë ku njerëzit vdesin, vuajnë, mbeten injorantë dhe kërkojnë zgjidhjen vetëm në emigrim.
Sikurse e kanë treguar qartë rastet e Lul Berishës, Klement Balilit, Elvis Rroshit, Armando Prengës, Artur Bushit, Tërmet Peçit, etj., njerëzit dhe organizatat kriminale përbëjnë sot një nga shtyllat kryesore mbi të cilën mbahet në këmbë qeverisja e Edi Ramës.
Përditë e më shumë po bëhet e qartë, se Edi Rama ka humbur çdo lloj kontrolli mbi institucionet dhe pushtetin e ligjshëm dhe tashmë është vegël dhe peng i disa prej kriminelëve dhe interesave më të fuqishme kriminale në vend.
Edi Rama i përdori kriminelët për të marrë pushtetin politik, tani kriminelët po e përdorin Edi Ramën për të fuqizuar pushtetin e krimit. Të dy bashkë janë në simbiozë për të grabitur sa më shumë para dhe pushtet nga shqiptarët.
Veprimet që duhet të marrë në ditët e ardhshme do ta tregojnë qartë se çfarë është dhe kë përfaqëson Edi Rama.
Unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike të bashkohen për t’i bërë presion Edi Ramës për të marrë përgjegjësitë e vendit, ku është ulur për të luftuar krimin.
Krimi nuk njeh ngjyra, nuk njeh palë politike, vret dhe shkatërron njësoj si demokratët ashtu edhe socialistët.
I bëj thirrje faktorit ndërkombëtar dhe përfaqësuesve të tyre në Tiranë të ushtrojnë gjithashtu të gjithë trysninë që mundet ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Rama për ta detyruar atë të marrë veprime të menjëhershme kundër krimit të organizuar dhe për të filluar urgjentisht procesin e dekriminalizimit të politikës. Krimi i organizuar në Shqipëri është sot një rrezik për të gjithë.
Takimi me Llallën
Kreu i Partisë Demokratike ka qenë në Durrës, ku është takuar me strukturat e kësaj partie në qytetin bregdetar.
Menjëherë pas daljes nga mbledhja, Basha ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, lidhur me lirimin e Lul Berishës nga burgu.
Pas kësaj, ai i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme ku ka pasur një takim me kreun e këtij institucioni, Llalla.
Basha ka kërkuar nisjen e hetimeve për Vangjush Dakon, të cilin e ka kallëzuar penalisht.
Bylykbashi dorëzon në Kryeministri kërkesën për shkarkim
Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Opozita e akuzon si të implikuar në lirimin disa ditë më parë nga burgu të Lul Berishës, i njohur si kreu i bandës së Durrësit.
Kërkesën e dorëzoi në Kryeministri deputeti Oerd Bylykbashi.
Më herët, zoti Basha kishte dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal ndaj Vangjush Dakos, për të njëjtin motiv.
Vetë Dako i ka hedhur poshtë akuzat, duke e cilësuar procedurë rutinë ofertën e punësimit për Lul Berishën.
Dako “strehoi” në bashki edhe 30 të dënuar të tjerë
Skandali me Bashkinë e Durrësit, e cila i kërkoi gjykatës që të lirojë kreun e Bandës së Durrësit, Lul Berisha nuk mbaron me kaq.
Ashtu sikurse Bashkia Durrës dilte garant për punësimin e Lul Berishës pranë saj, këtë e ka bërë edhe me të paktën 30 të dënuar të tjerë.
Kështu, Bashkia e Durrësit ka dalë garant se do t’i punësojë pas lirimit nga burgu 30 të dënuarit.
Këto punësime kanë të bëjnë me kryerjen e shërbimit të provës në ndërmarrje të Bashkisë së Durrësit, si Ujësjellës-Kanalizimet, punë publike etj.
Vangjush Dako është vënë në qendër të vëmendjes dhe akuzave nga opozita dhe më gjerë për përfshirjen e tij në lirimin e Lul Berishës, i akuzuar për të paktën 5 vrasje.
Kjo u zbulua ditën e mërkurë nga një investigim i “BIRN” dhe VOA-s.
Gashi në garë për një jetër çmim në “MLS”
Shkëlzen Gashi në garë për një tjetër çmim individual në Major League Soccer. Sulmuesi shqiptar është nominuar për çmimin “MLS Soshies” nga Federata amerikane e Futbollit. Më tepër sesa me paraqitjet në ndeshje, trofeu lidhet me jetën e sportistëve jashtë fushës. “MLS Soshies” është çmimi për futbollistin më popullor në mediat sociale, që tërheq më tepër vëmendje nga tifozët sa herë që zhvillohen sondazhe apo edhe me fotografitë dhe videot që publikojnë.
Në edicionin e dytë të këtij çmimi, Gashi është në garë me mesfushorin e New York Red Bull, Dax McCarty dhe është dukshëm në avantazh për të kaluar në fazën çerekfinale të anketës. Pjesë e sondazhit të organizuar nga Federata amerikane e Futbollit janë edhe yjet e këtij kampionati, si David Villa, Didier Drogba dhe Sebastian Giovinco.
Pasi ishte protagonist në kualifikimin e Colorado Rapids deri në finalen e Konferencës së Lindjes, vlerësimet për Shkëlzen Gashin nuk munguan në sezonin që u mbyll në MLS. 28-vjeçari kuqezi u shpall fitues në garën për Golin më të Bukur të vitit në sezonin e rregullt, me rrjetën e realizuar nga goditje dënimi ndaj Vancouver Wihtecaps.
Në sezonin e parë në futbollin amerikan me skuadrën nga Denveri, Gashi fitoi edhe çmimin “Këpuca e Artë” te Colorado, si dhe çmimin “Lojtari i preferuar i tifozëve”.
Prokuroria nis hetimet për lirimin e Lul Berishës
Në Shqipëri, Prokuroria e Durrësit njoftoi dje se ka nisur me iniciativë të sajën, hetimin për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me praktikat gjyqësore, gjithashtu edhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana e drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha.
Prokuroria shpjegon më tej se, “në kuadër të këtij procedimi, po shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të dhëna në kohë të ndryshme për të dënuarin Lulzim Berisha nga gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, për përfitim të uljes së dënimit, përfitimit të amnistisë, si dhe ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga burgu i sigurisë së lartë në atë të zakonshëm. Prokuroria e Durrësit ka dyshime të arsyeshme që zyrtarë të caktuar mund të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, me qëllim krijimin e kushteve për pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha”.
Më herët gjatë ditës, ishte Partia Demokratike, e cila i kërkoi prokurorit të Përgjithshëm nisjen e hetimeve ndaj kryebashkiakut socialist Vangjush Dako, pas zbulimit të fakteve se Bashkia e Durrësit ofroi garanci për punësimin e ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, në procesin gjyqësor që çoi në lirimin me kusht të tij 10 ditë më parë. Letra e Bashkisë u bë publike nga “BIRN” dhe “Zëri i Amerikës” dy ditë më parë. Në vendimin e Gjykatës së Apelit shkruhet se, “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, shkoi vetë në zyrën e prokurorit të Përgjithshëm për të dorëzuar kallëzimin penal ndaj Dakos. Në përfundim të një mbledhjeje me këshilltarët demokratë të Bashkisë së Durrësit dhe deputetët e PD në këtë qytet, zoti Basha kërkoi dhe shkarkimin e kryebashkiakut socialist, i cili sipas tij “ka përdorur pushtetin dhe zyrën që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe ka terrorizuar qytetarët e Durrësit”, deklaroi zoti Basha, duke shtuar se, “Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe kundër qytetarëve”.
Nga ana e tij, kreu i Bashkisë së Durrësit dha dje një shpjegim jo bindës për rekomandimin e lëshuar për Lulzim Berishën, duke folur për një procedurë rutinë. “Ne i ofrojmë çdo të dënuari që dënohet me punë vullnetare në komunitet, i ofrojmë mundësi punësimi në ndërmarrjet tona, me punë vullnetare, që do të thotë ata punojnë pa shpërblim nga ana jonë sepse kanë dënim nga gjykata. Nuk jemi ne që vendosim. Gjykata i vendos në mënyrë të detyruar. Kërkesa ishte që familja ka apo jo sjellje të mirë në shoqëri. Ne pyetëm administratorët tanë dhe na thanë që nuk kanë probleme me komunitetin”, u shpreh Dako për gazetarët. Por shpjegimi i zotit Dako nuk përputhet me rastin e Lulzim Berishës. Ai është liruar me kusht dhe jo me detyrim për punë në komunitet, që përgjithësisht jepet për ata që kryejnë vepra penale që nuk paraqesin një rrezikshmëri shoqërore.
Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Durrësit, dorëzuan në Kryeministri kërkesën zyrtare për shkarkimin e tij. “Veprimet që duhet të marrë në ditët e ardhshme do ta tregojnë qartë se çfarë është dhe kë përfaqëson Edi Rama. Unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike të bashkohen për t’i bërë presion Edi Ramës për të marrë përgjegjësitë e vendit ku është ulur për të luftuar krimin”.
Zoti Basha u përqendrua vetëm të veprimet e kryebashkiakut Dako, ndërsa nuk përmendi një seri vendimesh të debatueshme të dhëna nga disa gjykata të vendit në favor të Lulzim Berishës, të cilat ngrejnë dyshime dhe për shkelje ligjore, që çuan fillimisht në ndryshimin e dënimit nga burg të përjetshëm, në 25 vite burgim dhe më pas reduktime të njëpasnjëshme deri në vendimin e 5 dhjetorit të këtij viti për lirimin e tij me kusht.
Rinovimi me Strakoshën, prioritet për Lazion
Rinovimi me Thomas Strakoshën është kthyer në një prioritet në shtëpinë e Lazios. Mediat që qëndrojnë pranë klubit bardhekaltër raportojnë se drejtuesit e Lazios po punojnë për të zgjatur marrëveshjen e bashkëpunimit me gardianin e talentuar shqiptar. Strakosha ka shkëlqyer me paraqitjet e tij në këtë sezon duke treguar formë fantastike në të gjitha ndeshjet që ka zbritur në fushë. Edhe pse ky është sezoni i tij i parë si protagonist në Serinë A, 21-vjeçari ka përcjellë shumë siguri mes shtyllave dhe me të në portë, Lazio ka marrë rezultate më të mira se me Marchettin.
Gjithsesi Strakosha ka një kontratë që i skadon me Lazion në verën e ardhshme dhe për këtë arsye drejtori sportiv, Igli Tare po bën gati kontratën e re nga e cila kuqeziu do të përfitojë një pagë disa herë më të lartë se ajo aktuale. Lazio rrezikon ta humbasë me parametër zero pas 6 muajsh, lojtarin dhe për këtë arsye drejtuesit nuk do të mundohem dy herë për t’i plotësuar të gjitha kërkesat 21-vjeçarit, i cili mund të konsiderohet edhe si zbulimi më i bukur i Lazios në këtë sezon.
Sipas asaj që raporton “LaLazioSiamoNoi”, shumë shpejt do të organizohet një takim mes drejtuesve të Lazios dhe Thomas Strakoshës me portierin që pritet të firmosë zyrtarisht marrëveshjen e rinovimit që me shumë gjasa do të zgjasë deri në vitin 2021. Me pak fjalë, rinovimi me 21-vjeçarin shqiptar është kthyer në një priortet absolut në shtëpinë e klubit kryeqytetas.
Politico: Kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE?
Shqipëria nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Europian para vitit 2025 dhe shanset që kjo të ndodhë pas këtij viti janë 80 për qind. Kështu parashikon në një analizë revista e bashkimit europian, “Politico”.
Në argumentet e analizës së titulluar “Gara e anëtarësimit në BE”, thuhet se vendi ynë ka treguar aftësi për të ofruar reforma bipartizane, kryesisht ka shmangur luftërat jugosllave të viteve 1990, gjë që e ka lejuar të distancohet nga problemet e kandidatëve të tjerë rajonalë.
Negociatat formale nuk kanë filluar ende. Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten probleme serioze, teksa Komisioni Evropian ka kritikuar edhe politizimin e gjykatave të Shqipërisë. Sipas portalit të BE, vendet e Ballkanit Perëndimor e shohin veten si të rrënjosura në Evropë dhe paralajmërojnë se BE-ja do të dëmtojë veten nëse nuk përshpejton anëtarësimin.
“Politico” ka cituar edhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, sipas të cilit “për sa kohë do të jetë e qartë se askush nuk di të jetë në gjendje të bashkohet me Bashkimin Europian në të ardhmen e afërt, po aq do të ekzistojë rreziku që ky vakum të plotësohet nga Rusia”.
Kurse kryenegociatorja e Serbisë për anëtarësim, Tanja Mishçeviç, tha se, “sistemi Shengen nuk mund të funksionojë, dhe bashkimi i energjisë nuk mund të përfundojë pa vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Politico” thekson se, unioni nuk ka oreks për zgjerim dhe se kjo epokë e artë ka përfunduar.
Anëtarësimi sipas saj për të gjitha vendet aspirante nuk do të ndodhë para vitit 2025 dhe se për disa vende, si përshembull Turqia kjo nuk do të ndodhë kurrë.
“Unë nuk do të vendos limite shpejtësie në rrugën europiane, secili kandidat e përcakton vetë këtë në bazë të meritës”, deklaron Komisioneri i Zgjerimit Jonanes Hahn, duke sugjeruar vendet kandidate të përqendrohen në përpjekjet për zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre dhe në luftën kundër korrupsionit.
Hahn nuk e ka fshehur as kundërshtinë e një pjese të mirë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian mbi planet e zgjerimin, gjë e cila mund të komplikojë edhe më shumë procesin. Megjithatë në renditje Shqipëria është në vendin e parë si kandidate me mundësi më të mira në rajon, si anëtare e NATO-s dhe vend me rol stabilizues në rajon.
Më pas radhitet Mali i Zi, i cili sipas Politicos nuk mund të anëtarësohet para vitit 2027, por shanset i ka me 90 për qind.
Serbia vjen në vendin e tretë me 80 për qind shanse në po të njëjtin vit, Bosnje Hercegovina gjithashtu parashikohet në 2027, por me 50 për qind mundësi.
Kosova radhitet në vendin e pestë me 30 për qind mundësi anëtarësimi në vitin 2027. Maqedonia duket e pozicionuar më keq, pas Kosovës, me një mundësi anëtarësimi në 2030, me 50 për qind shans. Më pas, radhitet Gjeorgjia, Ukraina, Turqia, etj.
Rashica shënon gol në fitoren e Vitesses
Milot Rashica ka shënuar gol në fitoren e Vitesses kundër Jodan Boys. Futbollisti i Vitesses, Milot Rashica, është shumë i lumtur që më në fund ka shënuar golin e parë me kokë. Rashica shënoi golin e katërt në fitoren 4:0 të skuadrës së tij kundër Jodan Boys në Kupën e Holandës. “Ndeshje e madhe sonte. I lumtur që shënova golin e parë me kokë”, shkruan Rashica në Twitter.
Koncesioni, në Tiranë do digjen 800 tonë plehra
Qeveria shqiptare ka gati planet për ndërtimin e një inceneratori të tretë për djegien e plehrave, pasi ka angazhuar deri tani 7.3 miliardë lekë për dy inceneratorë të tjerë në Elbasan dhe Fier.
Qeveria shqiptare miratoi javën e kaluar pranimin e një oferte të pakërkuar për koncesion dhe dhënien e një bonusi prej 8 pikësh për kompaninë “Integrated Energy BV”, Shpk, për “dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të Tiranës”.
Sipas një relacioni të Ministrisë së Mjedisit, i cili është publikuar jo në faqen e Ministrisë së Mjedisit, por në faqen e internetit të Ministrisë së Drejtësisë, kompania koncesionare, e cila nuk rezulton të jetë e regjistruar në Shqipëri, por në Holandë, është nën pronësinë e kompanisë shqiptare “Integrated Technology Services shpk” dhe kompanive “Paul Wurth Italia SPA” & “Energy Recuperator SPA”.
Qeveria e miratoi dhënien e bonusit për këtë kompani duke nënkuptuar hapjen e një tenderi, ndërkohë që analiza ekonomike dhe mjedisore e këtij projekti nuk është publike dhe nuk është konsultuar me publikun, duke shkelur Konventën e Aahrusit, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar në vitin 2001 dhe që kërkon që çdo projekt me impakt mjedisor të konsultohet paraprakisht me publikun e zonës së ndikuar nga ky projekt.
Relacioni i publikuar nga Ministria e Drejtësisë, i cili është një opinion mbi anën ligjore dhe jo ekonomike apo mjedisore, jep disa të dhëna mbi projektin. Ajo thotë se investimi i planifikuar është 140 milionë euro dhe afati i koncesionit është 30 vjet. Projekti premton mbylljen e venddepozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impianti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë në fazën fillestare me premtimin për ta shtuar kapacitetin, krijimin e një venddepozitimi të hirit të prodhuar nga djegia me kapacitet 1.8 milionë metra kub dhe një impiant të trajtimit të ujërave të ndotura që do të krijohen nga procesi i përpunimit të plehrave.
Koncesionari argumentohet se do t’i nxjerrë fitimet e tij duke arkëtuar një tarifë për depozitimin e mbetjeve nga bashkitë e qarkut të Tiranës, nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e plehrave, si dhe nga rekuperimi i materialeve të riciklueshme.
Qeveria shqiptare ka dhënë më herët edhe dy koncesione të tjera për ndërtim të impianteve të djegieve të plehrave në Elbasan dhe Fier, përmes dy kontratave koncesionare të financuara nga buxheti i shtetit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, inceneratori i Elbasanit do t’i kushtojë taksapaguesve 3.3 miliardë lekë për shtatë vitet e kontratës së koncesionit ndërsa inceneratori i Fierit do t’i kushtojë taksapaguesve 4 miliardë lekë përgjatë gjashtë viteve të kontratës së koncesionit. Inceneratori i Fierit duket se është i lidhur me të njëjtën kompani që ka bërë kërkesën për koncesion për inceneratorin e Tiranës.
Për të dyja projektet, informacioni i ofruar nga autoritetet është minimal dhe konsultimi publik para nënshkrimit të kontratave duket se nuk është kryer. Në Fier, banorët e zonës ku është planifikuar ndërtimi i inceneratorit, si dhe të vetë qytetit të Fierit protestuan ashpër gjatë muajve të fundit duke bllokuar efektivisht ndërtimin e tij.
Ndërtimi i inceneratorëve vjen në një kohë ku në Shqipëri vijon debati i ashpër mbi lejimin apo jo të importimit të mbetjeve në Shqipëri, ku aktivistët kanë shprehur shqetësimin se vendi ynë mund të kthehet në një gropë për plehrat e Europës. Ligji që lejon importin e mbetjeve “për rekuperim” në Shqipëri, ku rekuperimi përfshin edhe shfrytëzimin e përmbajtjes energjetike të mbetjeve përmes incenerimit, u rikthye në Kuvendin e Shqipërisë nga Presidenti Bujar Nishani në tetor dhe ka mbetur i bllokuar në Kuvend për shkak të protestave të shumta të aktivistëve mjedisorë.