18.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Manaj kthehet te Interi në janar?

Mund të përfundojë pas vetëm 6 muajsh aventura e Rey Manajt te Pescara. Edhe pse drejtuesit e klubit abrucez e mohojnë diçka të tillë sa herë që u jepet rasti, sipas mediave italiane dhe më konkretisht faqes së specializuar “Tuttomercattoweb”, gjasat më të mëdha janë që 19-vjeçari shqiptar të largohet nga stadiumi “Adriatico” në merkaton e janarit. Raporti midis Rey Manajt dhe trajnerit Massimo Oddo nuk është më i njëjti dhe kuqeziu nuk preferohet më si zgjedhje e parë nga ish-lojtari i Milanit dhe Lazios për sulmin. Në këtë kontekst me shumë mundësi Manaj do të rikthehet te Interi në janar, pasi zikaltërit janë klubi që zotërojnë kartonin e tij.
Do të jetë e vështirë që 19-vjeçari nga Lushnja të qëndrojë te skuadra e Stefano Piolit dhe në këtë mënyrë gjasat më të mëdha janë që Manaj të huazohet në një tjetër skuadër. Fillimi i sezonit ka qenë shumë pozitiv për talentin shqiptar, i cili pasi shkëlqeu në miqësoret e verës ka arritur të realizojë 2 gola me fanellën e Pescarës në Serinë A. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i presidentit të klubit abrucez, Sebastiani, por edhe ky i fundit e vlerëson maksimalisht Rey Manajn, vështirë se 19-vjeçari do të vazhdojë të jetë pjesë e Pescarës deri në fund të këtij sezoni.

Mziu përuron punimet në segmentin e tretë të rrugës “Demokracia”, 7 km në Paskuqan

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, përuroi nisjen e punimeve në segmentin e tretë të rrugës me gjatësi 7 km “Demokracia” në Paskuqan. Kështu, me nisjen e këtyre punimeve përmbyllet i gjithë procesi për investimin kryesor të Bashkisë Kamëz në vitin 2016. Edhe një herë, z. Mziu bën realitet premtimin e bërë në zgjedhjet e fundit vendore, duke bërë të mundur zgjidhjen e një prej çështjeve më të debatuara në territorin e Bashkisë së re Kamëz, së cilës i është bashkëngjitur ish-komuna e Paskuqanit pas reformës administrative-territoriale.
Mziu konfirmoi përpara banorëve të Njësisë Administrative të Paskuqanit se me gjithë pengesat burokratike nga ana e strukturave të qeverisjes qendrore u bë e mundur që krahas këtij segmenti rrugor, të zhbllokohet situata edhe për dy segmentet e tjera, duke plotësuar të gjithë investimin për rrugën “Demokracia”, e cila ka një gjatësi të konsiderueshme, rreth 7km.
Kryebashkiaku Mziu theksoi në fjalën e tij se nëpërmjet këtij investimi janë përfitues rreth 50.000 banorë të Paskuqanit, por edhe një pjesë dërrmuese e banorëve të Tiranës. Gjithashtu, realizimi i këtij investimi madhor nxit edhe një herë klimën favorizuese për biznesin, çka do të thotë rritje e të punësuarve. Krahas këtyre, kreu i Bashkisë theksoi se nesër miratohet buxheti për vitin 2017, në të cilin është planifikuar që 60% e tij të shkojë për investime. Ndërkaq, 60% e këtyre investimeve do të jenë përsëri në Njësinë Administrative të Paskuqanit, për të përafruar standardet e kësaj njësie me Bashkinë Kamëz.

“Make America Great Again”, zoti Ambasador!

Bledi KASMI

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu rrëfeu dje një të vërtetë të dhimbshme. Ai tha se prej shtatë muajsh i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, ministrit të Drejtësisë dhe Kryeprokurorit që të arrestojnë Eskobarin e Ballkanit, Klement Balili dhe ai nuk është arrestuar ende.
Pasi ka pritur për shtatë muaj që Balili të arrestohej ambasadori Lu ka folur publikisht dhe ka pranuar se mos arrestimi i tij është një dështim i madh i policisë dhe gjithë sistemit të drejtësisë.
Ku po shkojmë?
Shqiptarët gjithmonë kanë qenë me sytë tek Amerika. Mesazhet nga ai vend kanë qenë konsideruar si të shenjta. Diktatura ra duke dëgjuar “Zërin e Amerikës”. Këtu nuk kishte ambasadë amerikane në atë kohë. Kishte vetëm disa valë të dobëta pa imazhe që dëgjoheshin në radiot shkataraqe “Iliria”. Imazhet më pas krijonin në imagjinatën e secilit prej nesh superfuqinë dhe përballë asaj superfuqie regjimi më barbar në Europën Lindore na dukej si një tigër letre.
Mjaftonin ato valë pa figurë për të na frymëzuar që të kërkonim lirinë, që të dilnim në rrugë dhe të përlesheshim me policinë, ushtrinë e Sigurimin e Shtetit, pa marrë parasysh rreziqet. Po tani një çerek shekulli pas atyre ngjarjeve të Dhjetorit ’90 çfarë po ndodh?
Ambasadori amerikan, që atëherë na mungonte, del sot më zë dhe figurë dhe deklaron se ka shtatë muaj që i flet qeverisë dhe i kërkon arrestimin e një kryetrafikanti ndërkombëtar droge dhe askush nuk e dëgjon. Si është e mundur kjo?
Si ka mundësi që 26 vjet më parë përmes valëve të radios “Zëri i Amerikës” në Shqipëri ndryshohej regjimi barbar, ndërsa sot megjithëse me një qëndrim të prerë politik të ambasadorit amerikan, një palo qeveri me palo ministra nuk pranojnë të arrestojnë një trafikant droge?
Si duhet ta kuptojmë një ndryshim të tillë?
Është e thjeshtë. 26 vjet më parë valët e radios “Zëri i Amerikës” nuk i drejtoheshin qeverisë, por i drejtoheshin qytetarëve. Edhe atëherë, në rast se “Zëri i Amerikës” do t’i drejtohej Ramiz Alisë, as busti i diktatorit nuk do të ishte rrëzuar dhe as burgjet politikë nuk do të ishin hapur. “Zëri i Amerikës” i foli atëherë njerëzve që dëgjuan dhe vepruan.
Ky është një leksion historie që duhet të përsëritet nga etërit tek bijtë. Leksioni i një Amerike të madhe.
Ne nuk duam sot të shikojmë që ambasadori amerikan në vendin më pro amerikan në Europë të presë shtatë muaj dhe prap ministrat e një organizate kriminale të mos e arrestojnë një trafikant ndërkombëtar droge. Ne duam të besojmë se Amerika duhet të gjejë rrugën e shkelur edhe më parë për të vendosur kredibilitetin dhe për këtë mjafton t’i drejtohet qytetarëve.
Kjo nuk është vetëm nostalgji.
Prandaj duhet “Make America Great Again” në Shqipëri, zoti ambasador, që krimbat të kuptojnë.

Eurostat: Shqipëria vendi i dytë më i varfër në Europë

Shqipëria është vendi i dytë më i varfër në Europë, me të ardhura për frymë vetëm sa 30 për qind e mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian. Në qoftë se një vend si Greqia, si vend anëtar, të ardhurat  mesatare në familje i ka 400 euro, shqiptarët duhet të jetojnë me 125 euro gjithë familja, që tradicionalisht këtu është më e madhe se një familje greke. Diskriminimi para fqinjëve është në maksimum, pa treguar më tej për vuajtjen njerëzore të njeriut të uritur.
Eurostat, që ka lëshuar këto statistika, dhe që e vendos Shqipërinë në vend pas Bosnjës, është një instrument statistikor i Bashkimit Europian. Zyra e Eurostat ndjek progresin ose prapambetjen e vendeve kandidatë, edhe të vendeve aspirantë, për t’u bërë anëtare të BE. Me një fjalë Eurostat është organ i ligjit në BE. Eurostat siguron asistencë për vendet kandidate dhe aspirantë për BE për plotësimin e të dhënave mbi zhvillimin ekonomik e financiar, ose edhe në fusha të tjera të zhvillimit të popullsisë.
Kësaj here Eurostat e gjeti Shqipërinë me  30 për qind të mesatares së të ardhurave të një vendi evropian, ndërsa Bosnjë- Hercegovina u “kap” me 28 për qind.
Këtu rëndon varfëria, që nga Sarajeva në Tiranë. Në vitin 2015, nivel më të ulët mirëqenieje sesa ky kishte vetëm Bosnja, ku të ardhurat ishin sa 28 për qind e mesatares së BE-së, ndërsa në të gjitha vendet e tjera standardi i jetesës është më i lartë.
Por niveli i ulët i të ardhurave nuk është shqetësimi i vetëm. Kriza ekonomike ka ndaluar përafrimin e mirëqenies së Shqipërisë me Bashkimin Europian- sipas Eurostat.
Sipas “Eurostat”-it, nga viti 2004 deri në 2010,  të ardhurat për frymë në Shqipëri ndaj mesatares së BE-së u rritën me 10 për qind, ndërsa gjithë këto vite rritet vetëm 1%. Jemi dhjetë herë më të varfër se në vitin 2010.
Në vitin 2015, nivel më të ulët mirëqenieje sesa ky kishte vetëm Bosnja, ku të ardhurat ishin sa 28 për qind e mesatares së BE-së, ndërsa në të gjitha vendet e tjera standardi i jetesës është më i lartë.
Por niveli i ulët i të ardhurave nuk është shqetësimi i vetëm. Kriza ekonomike ka ndaluar përafrimin e mirëqenies së Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Shqipëria, me vdekshmërinë e fëmijëve më të lartë në Ballkan

Open Data Albania ka përditësuar të dhëna lidhur me vdekshmërinë e fëmijëve të moshës 0 deri 5 vjeç me vitet 2013-2015. Këto të dhëna janë marrë nga databaza e Bankës Botërore dhe raportojnë normën e fëmijëve që vdesin në këtë moshë në raport me çdo njëmijë lindje. Në Shqipëri norma e vdekshmërisë së fëmijëve 0-5 vjeç ka ndjekur trend rënës në harkun kohor të 25 viteve. Nëse në vitin 1990 humbitnin jetën 41 fëmijë për çdo 1 000 lindje, në vitin 2015 ky indikator shënon 14 fëmijë.
Krahasuar me vende të rajonit, Shqipëria ka pasur në vitin 2015 normën më të lartë të vdekshmërisë për fëmijë të moshës 0 deri 5 vjeç. Në çdo 1 000 lindje janë shënuar 14 raste të fëmijëve nën 5 vjeç që kanë humbur jetë. Krahasuar me Serbinë, vendi tjetër me vdekshmëri të lartë, Shqipëria është dy herë më shumë raste fatale për fëmijë deri 5 vjeç. Kroacia ka indikatorin më pozitiv në rajon me 4.3 raste për çdo 1000 lindje. Ky vend ka lënë pas edhe Greqinë, shtet që paraqiste treguesin me të mirë në vite të mëparshme.
Nëse do të konsiderojmë rënien me bazë vjetore të këtij treguesi, si një element që tregon përmirësim të kujdesit dhe sigurisë së fëmijëve nën 5 vjeç, shohim se Shqipëria ka shënuar një rënie me bazë vjetore të numrit të vdekjeve prej 3.6%. Maqedonia është shteti me rënien më të madhe vjetore të indikatorit të vdekshmërisë së fëmijëve të grupmoshës 0-5 vjeç.Ky shtet ka pësuar rënie të këtij indikatori me mesatarisht 9.7% në vitin 2015 krahasuar me 2014. Sa më e lartë të jetë kjo normë, aq më i madh është përmirësimi vjetor i treguesit. Mali i Zi ka gjithashtu një përmirësim të lartë të këtij treguesi, duke shënuar një rënie mesatarisht 7.7% në vit. Ndërkohë që në botë vdesin çdo vit rreth 3.8% fëmijë më pak, në Shqipëri vdesin 3.6% me pak çdo vit.
Vdekshmëria e fëmijëve duket të ecë në përpjesëtim të zhdrejtë me mirëqenien e një vendi. Vendet me të ardhura të larta kanë një normë të ulët të vdekshmërisë foshnjore, dhe anasjelltas.
Në vitin 2015 norma e vdekshmërisë së fëmijëve nën 5 vjeç (për 1 000 lindje) në vendet me të ardhura të larta ishte 5.5, në ato me të ardhura të mesme 39.9 dhe në vendet me të ardhura të ulëta.

SHBA: Mos arrestimi i Balilit, dështimi më i madh i Policisë

Ambasadori Amerikan ne Tirane, Donald Lu dhe Interior Minister Saimir Tahiri, gjate nje aktiviteti te organizuar ne sheshin “Nene Tereza”, me rastin e 7 vjetorit te anetaresimit te Shqiperise ne Aleancen e Atlantikut te Veriut, NATO. /r/n/r/nUS Ambassador in Tirana, Donald Lu and Interior Minister Saimir Tahiri, during an event organized in the "Mother Teresa" square, on the occasion of the 7th anniversary of Albania's membership in the North Atlantic Alliance, NATO.

Ambasadori amerikan në Tiranë deklaroi dje se kishte kërkuar prej 7 muajsh arrestimin e Eskobarit të Ballkanit, Klement Balili, por askush nuk e ka arrestuar. Kjo për ambasadorin nënkupton dështimin më të madh të policisë dhe gjithë sistemit të drejtësisë.
Ndërsa Drejtësisë i gjendet solucioni me Reformën në Drejtësi dhe procesin e Vetingut, pyetja që shtrohet është se çfarë do të bëjmë me ministrin e policisë? Ndërsa konstatohet se ky ministër nuk mund të arrestojë një baron droge për shkak të lidhjeve të tij me krimin, atëherë çfarë mund të shpresohet tek ky ministër? Ka shumë pyetje të tjera që ngrihen edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Tahiri është zhdukur, por a do të mund të mbështetet ai prej tyre në javët dhe muajt në vijim?

Reagimi i ambasadorit

Shqipëria do të ishte vend më i mirë nëse politikanët nga e majta dhe nga e djathta nuk do t’i shërbenin interesave të fuqishme të biznesit të korruptuar, trafikantëve dhe kriminelëve të mëdhenj. Ndryshe, si mund ta shpjegojmë faktin se Klement Balili është ende i lirë? Sipas medias, ai ka shmangur 200 policisë gjatë një ndjekjeje. Sipas të vëllait, ai lëviz lirisht në rrugët e Tiranës.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk kishte urdhëruar, arrestimin e tij deri të premten e kaluar. Mosarrestimi i ish-zyrtarit të Sarandës, Klement Balili është dështim i madh i policisë dhe gjithë sistemit të drejtësisë.
Klement Balili, ish-zyrtar në Sarandë, përfaqëson një dështim të madh të policisë dhe të sistemit të drejtësisë. Kanë kaluar 7 muaj që kur policia në Greqi arrestoi trafikantët e drogës të lidhur me Balilin. Që prej 7 muajsh, policia greke e ka shpallur në kërkim Balilin. Kanë kaluar 7 muaj, që kur Ministria e Drejtësisë shqiptare dërgoi persona në Greqi për këtë çështje. Tani kanë 10 mijë faqe dokumente. I kam kërkuar prej 7 muajsh zyrës së prokurorit ta arrestojnë.
Kam nxitur prej 7 muajsh ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë dhe Kryeprokurorin që ta arrestojnë Balilin.
Nëse Shqipëria nuk mund ta kapë Balilin dhe peshqit e tjerë të mëdhenj, kush do të donte të punonte me Shqipërinë? Kush do të besonte se është një vend serioz? Kush do ta besonte se ky është një vend serioz në luftën kundër trafikut të drogës?
Agjencitë ligjzbatuese të SHBA i kanë thënë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm ta arrestojë Balilin. Për shtatë muaj kam nxitur policinë, ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm që ta arrestojnë.
Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Shqipërisë se bashkëpunimi ynë i ardhshëm kundër narkotikëve është i kushtëzuar nga arrestimi dhe procedimi penal i peshqve të mëdhenj nga ana e Shqipërisë, përfshirë edhe Klement Balilin”.

Ku shkuan 7.7 milionë eurot amerikane për drogën

Më 23 korrik të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara konstatuan si shqetësim në rritje trafikun e drogës dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri. Vendimi ishte që Departamenti i Shtetit dhe agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit të instaloheshin edhe zyrtarisht në Shqipëri për të qenë pjesë e luftës ndaj krimit dhe trafikut të drogës.
Po këtë ditë, Parlamenti miratoi paketën amerikane për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit, e cila parashikonte një fond prej mbi 7.7 milionë dollarësh.
Risia e kësaj marrëveshjeje të miratuar nga Parlamenti kishte të bënte me aktorët që do ta zbatonin atë. Sipas atij vendimi marrëveshja do të zbatohej nga Byroja e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Departamentin amerikan të Shtetit.
Diplomatë amerikanë thanë në atë kohë se kjo marrëveshje konsiderohej mjaft e rëndësishme dhe madje mund të çonte deri në kufizim të mbështetjes amerikane në rast të dështimit të qeverisë në luftën ndaj trafikut të drogës. Marrëveshja ishte një tregues i qartë i vullnetit të Shteteve të Bashkuara për të asistuar dhe ndërhyrë ligjërisht në luftën kundër trafikut të drogës.
Një vit pas kësaj marrëveshjeje të miratuar në Parlament, realiteti në Shqipëri është më shumë se i trishtë. Qeveria e ka injoruar tërësisht atë marrëveshje dhe vendi sot është i mbuluar me drogë nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim.
Qeveria dhe faktorët e tjerë, si përshembull ata ligjvënës, duhen të japin një përgjigje sot për atë Marrëveshje të miratuar në Parlament një vit më parë për paketën amerikane për kontrollin e lëndëve narkotike. Rama dhe askush tjetër nuk mund të tallet me ato 7.7 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë dhe nuk mund t’i konsiderojë ato si tenderat e Sadriut apo koncesionet e Vilmës.
Ato janë para të taksapaguesve amerikanë të dhëna jo për qoka politike, por për një qëllim prioritar të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri sikurse është lufta ndaj krimit dhe trafikut të drogës. “Shqipëria vijon të mbetet një vendburim për marijuanën në tregjet evropiane, si dhe shërben si rrugë tranziti për trafikun e kokainës dhe heroinës”, thuhet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Arben SHAHINI

Qeveria po trajtohet si diktaturë afrikane

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi dje se Rama nuk merr përgjegjësi për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa duke komentuar konkluzionet e Këshillit Europian, ai tha se gjendja në vend është shumë e rëndë.
“Këshilli Europian i ka publikuar tashmë konkluzionet e veta. Konkluzionet e Këshillit Europian tashmë nuk lënë shteg për interpretime. Gjendja në vend është shumë e rëndë, siç e njohin, siç e prekin shqiptarët dhe jo siç është përpjekur ta shesë qeveria, kryeministri. Eshtë një provë për fat të keq se as populli dhe as Europa nuk gënjehet me lugën bosh të propagandës dhe të mashtrimeve”, tha Basha.
Vendimi i Brukselit për Bashën nënkupton hapjen e një rruge të re të marrjes së përgjegjësive për reformat e mëdha që kërkohen.
“Lajmi i mirë këtu është se Europa, duke mos lënë asnjë shteg për interpretim, çmonton spekulimet dhe mashtrimet e deritanishme mbi problemet e rënda me të cilat po përballet Shqipëria dhe shqiptarët, dhe hap rrugën për marrjen e përgjegjësive.
Duke mohuar problemet e rënda; me drogën, me krimin, me korrupsionin, me moszbatimin e ligjit për dekriminalizimin, dhe mosmarrjen e përgjegjësive për zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveria, z.Rama faktikisht kanë refuzuar të marrin përgjegjësitë për daljen nga kjo situatë”, tha Basha.
Për kryetarin e opozitës konsiderohet si një rast i paprecedentë që gjashtë muaj para zgjedhjeve Shqipëria trajtohet si një diktaturë afrikane.
“Eshtë turp për Shqipërinë dhe për shqiptarët, që në fund të vitit 2016, në vend të lajmit pozitiv për hapjen e negociatave, të marrin një vlerësim të denjë për vende diktatoriale të Afrikës.
Asnjëherë në 26 vite, dhe për herë të parë në këto 26 vite, gjashtë muaj para zgjedhjeve, Bashkimi Europian i jep këtë shuplakë qeverisjes, duke e kujtuar se nuk ka plotësuar asnjë nga 5 prioritetet kyçe dhe se ka probleme të rënda me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, me luftën kundër krimit dhe drogës në veçanti, dhe me luftën kundër korrupsionit”, tha Basha.
Kryetari i opozitës ka dhënë garanci të plota se PD do të marrë përgjegjësi të plota për zbatimin e ligjit të Vettingut dhe Reformës në Drejtësi. “Nga njëra anë kemi kryeministrin, i cili edhe mbrëmë refuzoi të pranojë këtë të vërtetë, që tashmë nuk e thotë vetëm qytetari shqiptar, media shqiptare, por e thotë institucionalisht Bashkimi Europian.
Nga ana tjetër, dua t’i siguroj shqiptarët se unë dhe Partia Demokratike do të marrim përgjegjësitë e plota për zbatimin e ligjit të Vetingut dhe Reformës në Drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese, për largimin e kriminelëve nga politika sipas ligjit të dekriminalizimit, për luftë pa kompromis kundër drogës, krimit dhe korrupsionit, dhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme  për shqiptarët. Ne do t’i heqim këto pengesa për integrimin e vendit, që janë njëkohësisht edhe pengesa kryesore për mirëqenien e shqiptarëve sot”, tha Basha.

Balili u njoftua, Prokuroria nis hetimet ndaj policisë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet ndaj Policisë së Sarandës për dekonspirimin e aksionit për arrestimin e Kelment Balilit. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se, njeriu më i kërkuar i momentit në Shqipëri, dyshohet të jetë njoftuar nga efektivë policie për aksionet që do të kryheshin në zonën e Sarandës dhe Delvinës për arrestimin e tij. Ka dyshime të arsyeshme se punonjës të Komisariatit të Sarandës të kenë njoftuar të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit” ose të afërm të tij.
Hetimi ka nisur pas disa indicieve konkrete dhe në sitën e hetuesve do të kalojnë tabulatet telefonike të disa oficerëve të policisë. Prokuroria dhe policia kanë bindjen se Balili ndodhet ende në territorin shqiptar. Specialistë të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pritet të verifikojnë veprimet e disa punonjësve të policisë lokale, që kanë qenë në dijeni se nga Tirana do të niseshin FNSH-ja dhe RENEA për prangosjen e Balilit.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, Balili informohej nga dy oficerë lidhur me operacionet që zhvilloheshin për kapjen e tij. Përveç oficerit për të cilin kanë nisur tashmë hetimet, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, mësohet se verifikime po bëhen për të gjithë grupin e përfshirë në operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve për arrestimin e Klement Balilit.
Operacioni i katërt për arrestimin e tij, është shtrirë në Sarandë, Gjirokastër, Ksamil e Durrës, por deri më tani nuk ka patur rezultat. Po kështu edhe tre tentativat e mëparshme për arrestimin e tij kanë dështuar.
I pari operacion është zhvilluar në verë, gjatë kohës kur ka qenë piku i turistëve në Sarandë. U tentua të arrestohej, por operacioni dështoi, pasi ai u informua. Operacioni i dytë është bërë diku rreth datës 20 tetor. U dërgua skuadra speciale nga Tirana për të mos patur dekonspirim të operacionit, por në momentin kur u ngrit prita, ai la makinën dhe u largua. Në mjetin e blinduar ai la celularin për të shmangur arrestimin.
Tentativa e tretë u bë tre ditë më vonë. Pati informacion se ai do të ishte në një stadium ku luante Delvina. Duke përfituar nga fakti se në stadium ka shumë njerëz, aty u dërgua sërish nga Tirana skuadra speciale, e kamufluar si tifozë, civilë. Por ai nuk shkoi në stadium. Pas ndeshjes është kontrolluar makina e kryetarit të Bashkisë, por ai nuk u gjet. Klement Balili akuzohet për trafik ndërkombëtar narkotikësh, ndërsa në dosjen voluminoze të dërguar nga qeveria greke kërkohet edhe hetimi pasuror për 44-vjeçarin.

SHISH në gjurmët e Balilit

Edhe Shërbimi Informativ Shtetëror përfshihet në kërkimet për të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit”. Prej dy ditësh, SHISH ka kaluar në shërbim të përforcuar sidomos në kryeqytet, ku dyshohet se fshihet Klement Balili. “Vizion Plus” ka mësuar se, Shërbimi Inteligjent po mban në mbikëqyrje të plotë të gjithë familjarët e po kështu edhe miqtë e tij më të ngushtë. SHISH ende nuk ka mundur të zbulojë vendndodhjen e trafikantit të drogës. Sipas procesverbaleve, ai nuk është pikasur në ambientet publike. Hetimet greke, kishin zbuluar më herët se Balili kishte ndërruar emrin.
Ndërkohë burime të rezervuara pohojnë se, Balili mund të ketë ndryshuar edhe pamjen e tij të jashtme. Nga ana tjetër, ka nisur një hetim për dekonspirim të operacioneve. 3 janë efektivët, të cilët janë pezulluar nga puna deri në përfundim të hetimeve, ndërsa Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm mbetet i rezervuar në dhënien e informacioneve për këtë çështje. 44-vjeçari Klement Balili akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në Greqi e po ashtu edhe me vendet e BE-së.

Revoltë në Librazhd, 900 mësues pa marrë rrogat

Rreth 900 mësuesit e rrethit të Librazhdit nuk kanë marrë ende pagat e muajit nëntor, ndonëse kanë kaluar 15 ditë nga afati. Në të dyja bashkitë Librazhd dhe Prrenjas japin mësim rreth 890 mësues, por deri ditën e djeshme atyre nuk u janë kaluar pagat. Janë 12 gjimnaze dhe 60 shkolla 9-vjeçare që japin mësim këta mësues, por këto ditë ndodhen në vështirësi ekonomike për shkak të mos marrjes së rrogave. Shumica e mësuesve udhëtojnë në zona shumë të thella malore, por e kanë të pa munduar për të udhëtuar, pasi nuk kanë para për të paguar shoferët e linjës që i transportojnë në vendet e tyre të punës.
Njëri nga mësuesit thotë se, jemi burrë e grua që mbahemi me rrogat e arsimit, kemi edhe dy fëminjë në fakultet që duan paguar lekët e shkollës dhe nuk dimë se si të veprojmë. Një mësues tjetër thotë se ka kredi në Bankë dhe ka rritje të interest për mos shlyerje të këstit mujor. “Çdo ditë banka më telefonon, madje më kanë kaluar dhe interesat për mos shlyerje kredie”, thotë i dëshpëruar ai.
Një tjetër mësues thotë se, i kanë prerë energjinë elektrike, sepse nuk ka shlyer në kohë faturën. Disa të tjerë thonë që duhet ë blejnë dhe drutë e zjarrit që janë me çmim të kripur, por nuk munden, pasi nuk kanë marrë ende rrogën e muajit nëntor. Pra, anomalia në mësuesit e Librazhdit vazhdon të jetë prezente dhe pakënaqësitë çdo ditë e shtohen.
Ja si shkruan një nga mësuesit në rrjetet sociale: “Jemi njohur dhe kemi marrë letrën përshëndetëse të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Ajo na vlerësonte si vlera të qenësishme në fushën e mësimdhënies. Por të më falin të gjithë mësimdhënësit dhe ministrja, nëse ajo e di ose ka njohuri se përse ne në Librazhd pagat i marrim me shumë vonesë. Paraja nuk është gjithçka, por ne jemi nevojtarë”.
Pjesa dërrmuese e mësuesve janë revoltuar dhe kanë ngritur zërin, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Drejtoria Arsimore. Bëhet e ditur se përgjegjësja e Zyrës Arsimore, financieri kanë mbyllur edhe telefonat nga kërkesat dhe shqetësimet e mësuesve. Ndërsa një pjesë tjetër e mësuesve kanë frikë të flasin se ju shkurtohet vendi i punës.
Bëhet e ditur se, shkaku i mos marrjes së rrogave është punësimi mbi normën i militantëve të PS në Arsim dhe për këtë shkak janë harxhuar fondet. Mjaft militantë socialistë janë emëruar me urdhër të deputetit të PS, Taulant Balla në arsim mbi normën, ndërsa ata janë paguar jashtë planifikimit të pagave.
Kryetarja e Sindikatës, Mirela Kuka thotë se, mësuesit do të hidhen në protestë. Sot të gjithë mësuesit e Librazhdit dhe të Prrenjasit do të bojkotojnë mësimin dhe do të protestojnë për të marrë pagat.
Ndërkohë, bëhet e ditur se edhe mësuesit e Shkodrës nuk kanë marrë ende pagat e muajit nëntor. Tre ditë më parë, mësuesit në Shkodër kanë protestur para Drejtorisë Arsimore për mosmarrjen e shpërblimit të fundvitit. Mësuesit të përfaqësuar nga Sindikata e Arsimit, kërkuan dhe pagesën për transportin mbi 5 km apo orët shtesë, ndërsa paralajmëruan përshkallëzim të protestës, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Mësuesit kanë kërkuar shpërblimin e fundvitit, i cili prej 3 vitesh u është mohuar arsimtarëve. Duke i kujtuar Ministrisë së Arsimit se, përfitimi i shpërblimit është i sanksionuar në kontratën kolektive, drejtuesit e sindikatës paralajmëruan grevë 1 orëshe në të gjitha shkollat. Ata kërkuan dhe pagesën për transportin mbi 5 km apo orët shtesë të mësuesve. Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar protesta edhe në Tiranë tek Ministria e Arsimit.