19.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Kompania e koncesionit të plehrave u krijua dy javë pasi fitoi tenderin!

Open Data Albania mbi Regjistrin Koncesionar ka zbardhur kontratat koncesionare të Qeverisjes Lokale në lidhje me impiantin e plehrave në Fier. Konkretisht bëhet fjalë për koncesionin e Ndërtimit e Administrimit të Impiantit të Trajnimit të mbetjeve Urbane të Qarkut Fier dhe Prodhim Energjie.
Pas shpalljes së fituesit të prokurimit për koncesionin konkretisht bashkimi i operatorëve Integrated Technology Services si shoqëri shqiptare dhe Energy2 srl si shoqëri e huaj, në datën 15 shtator 2016, fituesit kanë proceduar me themelimin e kompanisë koncesionare që është Integrated Technology Waste Treatment Fier me NIPT L62205045F.
Kompania Koncesionare është themeluar në datën 3 tetor 2016, me formën shoqëri me përgjegjësi të kufizuar shpk, me kuota ortakësh të ndara 80 me 20% ndërmjet Integrated Technology Services si shoqëri shqiptare dhe Energy2 srl. Në total kapitali themeltar i shoqërisë është 100 mijë lekë, plus të drejta mbi një kontratë të veçantë koncesionare.
Objekti i Punës së kompanisë koncesionare të sapokrijuar është i lidhur me Objektin e Koncesionit: Ndërtim, administrim, operim dhe transferim i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë tek Autoriteti Kontraktues, ku përfshihet financimi, ndërtimi, vënia në punë, prodhimi, furnizimi, transmetimi, shpërndarja, shitja dhe eksportimi i energjisë elektrike, në zbatim të kontratës së koncesionit apo projektit në tërësi.
Brenda muajit tetor, të dy ortakët e kompanisë kanë bërë shitje të 30% të kuotave me vlerën 30 mijë lekë të reja. Konkretisht shoqëria italiane Energy 2 srl ka shitur të plota 20% të kuotave të saj, ndërsa Integrated Technology Services ka shitur 10% të kuotave të kompanisë. Të dy shitjet janë bërë në favor të shoqërisë aksionare Ndërtim Montimi Patos. Kompania në fjalë, me aksioner të vetëm zotin Flamur Kollozi është tashmë zotëruese e 30% të kuotave të shoqërisë koncesionare, me të drejta edhe mbi kontratën e koncesionit.

Gjysma e Tiranës pa energji elektrike

Prej disa ditësh disa lagje të Tiranës ndodhen pa energji elektrike. Konkretisht, zonat pa energji elektrike janë Lapraka, zona përballë rrugës së Spitalit Ushtarak dhe zona tek Pazari i Ri.
Pas ndërprerjes së energjisë tek Pallati me Shigjeta, dje pati ndërpreje të energjisë edhe në zonën e Kopshtit Botanik në kryeyqtet. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njofton për kufizime të furnizimit me energji të disa zonave në kryeqytet për shkak të disa investimeve që po kryhen nga OSHEE.
Si rezultat i vendosjes së rrjetit të ri 20 Kv dhe vendosjes së pajisjeve të automatizuara, sot prej orës 06:00 e mëngjesit dhe deri në 10:00 të paradites, energjia elektrike do të mungojë, si masë sigurie për punimet që po kryhen. Ndërkohë edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme në këtë zonë nuk kishte energji elektrike.

Edhe Fieri probleme me energjinë
Banorët e lagjes Mbrostar Ferko në Fier, ngrenë shqetësimin e luhatjes së tensionit të energjisë elektrike. Sipas tyre mbingarkesa 120 volt u ka dëmtuar pajisjet elektroshtëpiake. Problem nga tensioni i ulët kanë edhe fëmijët që u duhet të studiojnë pothuajse në monofazë. “Dobët, sidomos në darkë, kur takojmë dushin rrimë në errësirë. Ka gati 7-8 muaj që është kjo situate”, u shpreh një banor.
Banorët thonë se shkak është amortizimi i rrjetit të energjisë elektrike. Ndërkohë OSHEE në Fier pohon se së shpejti do të ndërhyhet në rrjet dhe do të futet sistemi 20 kilovolt. Lagja Mbrostar Ferko përbëhet nga 3500 banorë dhe ndodhet vetëm 500 metra larg qendrës së qytetit Fier. E kontaktuar, OSHEE në Fier, pohon se së shpejti rrjeti elektrik i kësaj lagje do të futet në sistemin 20 kilovolt.

Basha–Palmer: Garantimi i zgjedhjeve sfida më e madhe

“SHBA kanë gjithmonë nën vëmendje dhe monitorim proceset zgjedhore dhe garantimin e zgjedhjeve të lira”. Kjo është deklarata e drejtorit për Çështjet e Europës Jugqendrore në Departamentin amerikan të Shtetit, z. Mathew Palmer në takimin me Kryetarin e PD, Lulzim Basha.
Kryetari i opozitës ndau vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i japin Shqipërisë e po ashtu ndau edhe shqetësimet për situatën aktuale në Shqipëri. Basha shprehu shqetësimin për sfidat e mëdha që po has Shqipëria, mbi të gjitha me çështjet që kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin, me drogën, me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me dekriminalizimin.
Kryetari Basha tha se, Partia Demokratike ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të vendit. Ai shprehu mbështetjen e opozitës dhe Partisë Demokratike për Reformën në Drejtësi që në hapat e parë, si një projekt thelbësor për të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë të Shqipërisë dhe si një instrument për të luftuar disa nga problemet madhore që Shqipëria ka.
Basha theksoi faktin se, ajo që Shqipëria ka nevojë është një drejtësi të pavarur dhe jo e kapur nga qeveria apo kryeministri; sepse një sistem gjyqësor i kapur është një sistem gjyqësor i korruptuar, në shërbim të krimit dhe politikanëve të korruptuar. Moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit si provë e mungesës së vullnetit për t’u ndarë me krimin dhe për të respektuar sundimin e ligjit është një problem i madh për demokracinë dhe shtetin ligjor, u shpreh zoti  Basha, duke shtuar se individë me rekorde të rënda kriminale, të denoncuar nominalisht, me emër, me pozicione dhe me fakte, edhe nga ambasadori Lu, janë sot në krye të bashkive të vendit, në Parlamentin shqiptar dhe në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste. Futja e personave me precedentë kriminalë në politikë, administratë publike dhe vendimmarrje, ka ndikuar gjithashtu që droga të kthehet në aktivitetin më të madh prodhues në vend, duke sjellë investimin e krimit të organizuar në një infrastrukturë të tërë të prodhimit dhe trafikimit të drogës dhe mosveprimi i shtetit ndaj trafikantëve nga ana tjetër, janë indikacione të qarta të rolit nxitës dhe mbrojtës për këtë aktivitet nga segmentet më të larta shtetërore, theksoi kreu i opozitës.
Sfida më e madhe sot është garantimi i zgjedhjeve të lira në kushtet, kur procesi zgjedhor kërcënohet nga droga dhe kriminelët me mbështetje qeveritare, u shpreh zoti Basha. Nga ana e tij, zoti Palmer, e falënderoi zotin Basha për bashkëpunimin e deritanishëm dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndjekin me shumë kujdes zhvillimet në Shqipëri dhe se ata kanë gjithmonë nën vëmendje dhe monitorim proceset zgjedhore dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

23-vjeçari nga Berati i jep fund jetës për shkak të varfërisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në një fshat të Beratit ku një 23-vjeçar i ka dhënë fund jetës për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike. Policia bën me dije se i riu me inicialet J.A është gjetur i vetëvarur pranë banesës së tij nga familjarët në fshatin Lybeshë. Nga hetimet paraprake dyshohet që 23-vjeçari të jetë vetëvrarë për shkak se nuk u bënte dot ballë kushteve të rënda ekonomike.
I riu jetonte në varfëri dhe të vetmin burim të ardhurash kishte punën në pllakat e gurit në malin e Tomorrit. Gjithashtu, dyshohet se i ndjeri vuante edhe nga depresioni dhe kishte një gjendje të rënduar psikologjike për shkak të kushteve të këqia në të cilat jetonte.
Varfëria ekstreme dhe mjerimi që ka pllakosur të gjithë vendin, por sidomos në zonat rurale janë shkaqet kryesore që e ka çuar shoqërinë shqiptare në një depresion shokues. Në fakt kohët e fundit është rritur së tepërmi krimi brenda familjes si dhe vetëvrasjet për shkaqe të rënda ekonomike. Përditë ndodhin vrasje e vetëvrasje, ndërsa qeveria jo vetëm që nuk siguron bukën e gojës, por nuk jep asnjë zgjidhje për njerëzit e pashpresë dhe të dëshpëruar nga mosgjetja e një rruge për të mbijetuar.
Rritja e papunësisë dhe korrupsioni qeveritar ka humbur shpresën tek shqiptarët dhe ka çuar në dëshpërim mijëra vetë. Duke qenë në mjerim dhe në mungesë të një shprese për të mbijetuar, qytetarët ndërmarrin akte barbare përtej njerëzores.
Një grusht njerëzish në pushtet dhe miqtë e tyre pasurohen me korrupsion dhe duke plaçkitur gjithçka nga pasuria shtetërore aq sa nuk dinë ku t’i çojnë paratë, ndërsa populli ropatet në varfëri e mjerim. Askush nuk kujtohet nga qeveritarët për ata familjarë që zgjohen në mëngjes dhe nuk kanë me çfarë t’i ushqejnë fëmijët e tyre. Qeveria kujtohet vetëm t’u presë edhe dritat dhe t’u heqë përkrahjen sociale atyre familjeve që jetojnë në kushte mjeruese.

Ndezi kartona për t’u ngrohur, digjet në banesë i moshuari

Një 94-vjeçar ka humbur jetën në Tiranë, pasi banesa e tij u përfshi nga flakët. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në mëngjes rreth orës 08:05, në rrugën “Niko Avrami”. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë me dije se si pasojë e asfiksimit ka humbur jetën i moshuari me inicialet Izet Xhuti.
Nga hetimet paraprake dyshohet, se 94-vjeçari ka ndezur disa kartona në mes të banesës për t’u ngrohur, të cilat kanë shkaktuar djegien e disa orendive të ndryshme, duke sjellë më pas dhe asfiksimin e viktimës. I moshuari jetonte i vetëm, pasi gruaja i kishte vdekur, ndërsa vet vuante nga skleroza. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po punon për sqarimin e plotë të rrethanave.

Vret veten me automatik, plagos gruan e xhaxhait aksidentalisht

Një 40-vjeçar në Tropojë ka humbur jetën, ndërsa është vetëvrarë me armë zjarri automatik. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të martën në fshatin Kovaç, ndërsa viktima është shtetasi me iniciale K.H. E gjithë skena e krimit ka ndodhur në banesën e viktimës, ku ka qenë e pranishme dhe gruaja e xhaxhait të tij, që gjithashtu ka mbetur e plagosur.
Policia thotë se H.H, 54 vjeçe është plagosur aksidentalisht teksa ka tentuar për t’i marrë armën viktimës dhe për të ndaluar vetëvrasjen. Ajo është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet paraprake dyshohet se viktima e ka kryer këtë akt në gjendje depresive. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar, 1 armë zjarri automatik, 1 krëhër me 11 copë fishekë, një granatë dore, të cilën e kishte në xhep të xhupit, viktima.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake e municionit”.

Plagoset me thikë një 26-vjeçar në Shkodër

Një 26-vjeçar është plagosur me thikë pasditen e djeshme në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 në fshatin Barbullush, ku mbeti i plagosur E.V. Sipas policisë, autorët e kësaj ngjarje mendohet të jenë 2 persona. Menjëherë pas ngjarjes, policia është vënë në kërkim të shtetasve Gj.M. 28 vjeç dhe Gj.M. 32 vjeç, të dy banues në fshatin Barbullush, të cilët për motive të dobëta dyshohet se kanë plagosur shtetasin E.V.
I plagosuri u dërgua menjëherë në Spitalin Rajonal Shkodër, dhe ndodhet jashë rrezikut për jetën. Policia njofton se janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve të dyshuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Shpërthen në flakë makina në ecje

Një makinë ka marrë flakë paraditen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas burimeve, një makinë tip “Peugeot” është përfshirë nga flakët në pjesën e përparme të saj, ndërsa drejtuesi i mjetit ka shpëtuar, pasi është hedhur nga makina.
Burime nga Policia e Tiranës, bënë me dije, se pas hetimeve është zbuluar se bëhej fjalë për një defekt teknik. Policia gjithashtu ka zbuluar se automjeti “Peugeot” ka qenë edhe me impiant gazi.
Drejtuesi i mjetit e ka pikasur herët defektin dhe ka dalë shpejt nga automjeti. Kjo ngjarje ka shkaktuar radhë të gjata, rreth 1 km, në autostradën Tiranë-Durrës. Ditët e fundit kanë qenë të shumta rastet kur automjetet, që kanë të instaluara impiantin e gazit kanë marrë flakë në ecje.

200 kg drogë me gomone nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi

Policia greke sekuestroi në orët e parë të mëngjesit të djeshëm 200 kg drogë në Igumenicë, e cila ishte nisur me gomone nga Shqipëria dhe vuri në pranga një shqiptar. Bëhet e ditur se 40-vjeçari shqiptar, i njohur me pseudonimin “Laço” ka rënë në pranga në Igumenicë, ndërsa është sekuestruar një sasi droge. Burime zyrtare nga Policia e Igumenicës bëjnë me dije se shqiptari Vladimir Meçe, banues në fshatin Çiflik të Sarandës është kapur në Sivota, ndërsa rezulton i dënuar dhe më parë në shtetin grek për trafik droge.
Të njëjtat burime theksojnë se, Meçe është kapur me një gomone, me të cilën kishte mbërritur në orët e para nga Shqipëria dhe kishte shkarkuar drogë që mendohet të jetë rreth 200 kg marijuanë. Fill pas kësaj është njoftuar policia e Athinës dhe siç raportohet ka arritur të kapë dy makinat që kishin ngarkuar drogën nga gomonia. Ndërkohë, operacioni vijon ende.
Po ashtu, raportohet se në shkurt të 2010 në stanin e 40-vjeçarit në Çiflik u gjetën 240 kg marijuanë, por për ngjarjen u dënua vetëm babai i tij, Mehmet Meçe, në atë kohë 70 vjeç me 4 muaj burg për “moskallëzim krimi”. Ndërkaq, në nëntor të 2013-ës Meçe u kap në Sajadhe të Igumenicës bashkë me dy të tjerë me një gomone me 374 kg marijuanë.

Drogë nga Shqipëria në Greqi në furgonin me gurë
Policia greke sekuestroi dje 135 kilogram marijuanë të fshehur në një furgon të ngarkuar me gurë, ndërsa në pranga ka rënë shoferi shqiptar rreth 36 vjeç. Sipas policisë greke, furgoni u ndalua në aksin rrugor Kakavijë-Janinë, rreth 3 kilometra nga dogana e Kakavijës. Pas kontrollit të ushtruar nga policia greke në furgon u gjetën 121 pako me 135 kg 600 gram marijuanë.
Lënda narkotike ishte fshehur në kabinën e shoferit. Në operacion kanë marrë pjesë dhe forcat europiane te FRONTEX, pasi ditët e fundit zona Janinë-Igumenicë është bërë problematike për policinë greke për shkak të transportimit të lëndëve narkotike që kalojnë nga Shqipëria.

Sekuestrohen 51 kg drogë në Verona
Një shqiptar u kap me 51 kg marijuana nga policia italiane në Verona. “Ansa.it’ raporton se bëhet fjalë për shqiptarin Elvin Cakoni, 32 vjeç dhe të dashurën e tij moldave, Julia Lesku, 31 vjeç, ndërsa të dy jetonin në Monza të Italisë. Ata u arrestuan në një rrugë, mes Peschiera-s dhe Veronës, pasi në bagazhin e mjetit të tyre kishin fshehur dy çanta me drogë. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet se droga ishte menduar të shitej në Scala, ndërsa vlera e lëndës narkotike mendohet se shkonte 80 mijë euro.
Policia italiane në Nereto ka arrestuar një shqiptar, pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike. Në pranga ka rënë 37-vjeçari, Lulzim Cakmashi, i cili ishte i papunë, por me leje qëndrimi të vlefshme. Gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e 37-vjeçarit, policia ka gjetur 40 gram kokainë, e cila ishte e fshehur në bodrum. Sipas mediave italiane droga ishte e ndarë në doza.

Vrasja e Çollakut, Prokuroria dërgon dosjen në Gjykatë

Dosja për vrasjen e Gazmend Çollakut është dorëzuar sërish në Gjykatë nga organi i akuzës. Nën akuzë janë Denis Shtraza dhe oficeri i policisë, Ervin Dalipaj. Sipas Prokurorisë, të dy këta persona, rrëmbyen Gaz Çollakun dhe gjatë kohës që e mbajtën peng e torturuan deri në vdekje.
Një nga akuzat që rëndon ndaj Denis Shtrazës dhe Ervin Dalipajt është “për mbajtje pa të drejtë të uniformës”, dhe tjera është “për armëmbajtje pa leje”. Akuza e parë vjen për faktin, se sipas Prokurorisë “Gazmend Çollaku u rrëmbye nga njerëz me uniformë”.
Ky i fundit u rrëmbye në mes të Durrësit më 6 janar, dhe më pas u gjet i vrarë me disa plumba në një rrugë në Fushë-Krujës, ndërsa duart i kishte të lidhura. Mësohet se Prokuroria kishte kërkuar edhe 2 muaj kohë për hetimet, ndërsa më 16 nëntor të këtij viti u vendos që afati do të jetë 1 muaj e 15 ditë. Avokati i Shtrazës, Alban Qafa theksoi se kanë kaluar mbi 9 muaj nga hetimet për klientin e tij dhe se Prokuroria kishte pasur kohën e nevojshme në dispozicion. Shtraza akuzohet se së bashkë me persona të tjerë, ai rrëmbeu Çollakun mbrëmjen e 6 janarit, ndërsa mëngjesin e ditës tjetër, ai u gjet i vrarë me 4 plumba në kokë.
Në vitin 2009, 33-vjeçari Denis Shtraza u ekstradua nga Gjermania, pasi akuzohej për dy plagosje në Durrës. Në shkurt të vitit 2013, ai u plagos rëndë në qendër të Durrësit, ndërsa në prill të vitit 2014 u arrestua, pasi nën efektin e alkoolit shkatërroi lokalin e një shtetasi. Shtraza njihet edhe si një njeri me lidhje të forta me persona të tjerë të inkriminuar.
Shtraza është pjesë e të njëjtës bandë të trafikimit të lëndëve narkotike që është edhe Emiljano Shullazi. Njëkohësisht Shtraza është edhe mik i Shullazit.