24.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Zjarri shkrumbon Pallatin e Kulturës

Një shkëndijë elektrike dyshohet se u bë shkak për zjarrin që përfshiu në orët e para të mëngjesit të djeshëm Pallatin e Kulturës në Maliq. Flakët u shfaqën fillimisht në katin e dytë të ndërtesës, ndërsa më pas u përhapën edhe në katin e parë të saj. Konstruksionet me drurë në brendësi të ndërtesës bënë që zjarri të marrë përmasa të mëdha, duke djegur thuajse tërësisht gjithë objektet me vlerë të Muzeut Etnografik. Veshje, kostume tradicionale si dhe vegla muzikore të ruajtura për vite me radhë janë shkrumbuar.
Të vetmet që kanë mundur të shpëtohen janë instrumentat muzikore, ndërsa godina është shkrumbuar totalisht. Policia dhe zjarrfikësit po punojnë për të përcaktuar shkakun e aktivizimit të zjarrit, që konfirmohet se është aksidental, nga një shkëndijë elektrike. Pas ngjarjes ka reaguar kreu i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, i cili thotë se dëmi është kolosal dhe i ka bërë thirrje qeverisë për të ndihmuar në ringritjen e saj.
“Flakët janë konstatuar nga roja rreth orës 03:30. Zjarrfikësja ka mbërritur menjëherë, pavarësisht amortizimit të mjeteve ka bërë të pamundurën. Godina është ndërtuar prej vitit 1952 dhe është e tëra e ndërtuar me dru, çka e bën të vështirë shuarjen e flakëve. Dëmi është kolosal. Humbje morale, historike e kulturore. I bëj thirrje qeverisë për të na ndihmuar t’i kthejmë sërish Maliqit këtë godinë me të cilën identifikoheshim”, tha Topçiu.
Punonjësit e Pallatit të Kulturës u munduan të hapin me mjete rrethanore derën kryesore, ndërsa për të shuar zjarrin u dërgua fillimisht zjarrfikësja që siç duket edhe nga pamjet nuk është në gjendje të mbajë nën kontroll as tymrat që lëshon nga amortizimi. Më pas në vendngjarje u dërgua edhe një zjarrfikëse e dytë, e cila e pati të pamundur të vërë nën kontroll flakët që shkrumbuan tërësisht atë çfarë ndodhej në ndërtesë.

Skema Rama-Dako për lirimin e Lul Berishës

Agjencia e lajmeve BIRN ka zbuluar edhe skemën se si është liruar vrasësi Lul Berisha. Menjëherë sapo ka ardhur në pushtet me ndërhyrjen direkte të Ramës, Lul Berishës i është hequr burgimi i përjetshëm. Pas heqjes së këtij dënimi ka ardhur lehtësimi, duke e dënuar me 25 vite burg, ndërsa vetëm disa ditë më parë Lul Berisha është liruar pas garancisë së dhënë nga Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili njihet edhe si njeriu i afërt i Ramës. Po përse Dakos i interesonte të dalë garant për Lul Berishën? Kjo është fare e qartë. Arsyeja ka të bëjë me zgjedhjet. Rama po përgatitet që të përdorë terrorin me bandat e krimit në zgjedhjet e qershorit dhe grabitjen e mandateve të deputetëve më të fortë dhe para të krimit të organizuar dhe të drogës.

Aleksandra BOGANI
Besar LIKMETA

Investigimi

Bileta e parakohshme e lirimit nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u vulos më 5 dhjetor nga Gjykata e Apelit, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit të siguruar nga BIRN, trupa gjyqësore e kryesuar nga Arben Vrioni dhe me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin rendit nëntë argumente në favor të lirimit të Lulzim Berishës, ku më kryesori është kushti i kryerjes së ¾ të dënimit sipas përcaktimit të nenit 64 të Kodit Penal. [Kiko këtu për vendimin]
I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit llogaritet se ai ka shlyer 18 vjet, 9 muaj e 22 ditë nga dënimi i tij prej 25 vjetësh, pasi ka përfituar 3 ulje të mëparshme dënimi, një ulje të katërt nga amnistia e vitit 2012 dhe nga koha e gjatë e qëndruar në paraburgim.
Përveç matematikës së ditëve të burgut, Lulzim Berisha ka bindur Gjykatën e Apelit të Durrësit se “është arritur qëllimi për edukimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri”. Për këtë gjykim, treshja e gjyqtarëve është bazuar tek raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një karakteristikë familje të lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016.
“Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”, citohet shkresa e Dakos në vendimin e lirimit.
Më pas, gjyqtarët argumentojnë se “pozitiv vlerësohet fakti se aktualisht kërkuesi Lulzim Berisha ka një mundësi punësimi të garantuar nga Bashkia Durrës”.
Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka marrë gjithashtu vlerësimin se Lulzim Berisha “shfaq një gjendje shumë të rënduar psikologjike për shkak të kohës së gjatë të dënimit të vuajtur”, pendesën e tij për krimet dhe faktin se dy prindërit e tij janë të sëmurë rëndë dhe jetojnë vetëm.
Dako nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për të komentuar garancinë e tij për Lulzim Berishën. Mbi këtë çështje refuzuan gjithashtu të komentojnë edhe gjyqtarët Arben Vrioni dhe Petrit Çeno.

Uljet e dënimit

Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.
Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.
Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.
Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016. Në tre vendime të veçanta, Berisha përfitoi uljen e më shumë se 2 viteve burg, ndërsa një vendim i katërt i amnistoi atij edhe 1 vit e 6 muaj burg për shkak të amnistisë së vitit 2012.
Një tjetër faktor që ndikoi në reduktimin e dënimit të tij është zgjatja për vite të tëra e procesit gjyqësor, ku një ditë në qeli si i paraburgosur llogaritet me 1.5 ditë burg.
BIRN analizoi të gjitha vendimet e Gjykatës së Durrësit dhe arriti në përfundimin se ato janë kontradiktore, me bazë ligjore të diskutueshme dhe të mbivendosura në kohë.
Më saktësisht, në shtator të vitit 2015, me vendim të gjyqtares Shpëtime Pitaku, dënimi i Berishës për periudhën 2006-2015 është ulur me 1 vit e 11 muaj burg.
Më tej, më 19 prill 2016, me vendim të gjyqtarit Tritan Hamitaj, Lulzim Berisha ka fituar një ulje dënimi prej 90 ditësh për periudhën prill 2015 –prill 2016, edhe pse ligji parashikon se të dënuarit në burgjet e sigurisë së lartë nuk mund të përfitojnë më shumë se 45 ditë ulje dënimi gjatë një viti.
Më 11 maj të këtij viti, me vendim të gjyqtarit Fejzo Hysi, Berisha ka përfituar nga amnistia e vitit 2012 edhe 1 vit e gjysmë ulje dënimi, edhe pse ligji i amnistisë e mohon kategorikisht këtë të drejtë për të dënuarit me vrasje.
Ndërsa me 1 dhjetor, gjyqtarja Eda Kaja ka dhënë një vendim tjetër, duke i ulur edhe 45 ditë burg nga periudha e vuajtjes së dënimit Lulzim Berishës.
Vendimet e marra nga gjyqtarët Kaja dhe Hamitaj janë në kontradiktë me njëri tjetrin për masën e uljes së dënimit dhe të mbivendosura në kohë.
Lulzim Berisha e ka kërkuar lirinë me kusht që në mesin e vitit 2016, por Gjykata e Durrësit e ka hedhur poshtë më 28 korrik, duke argumentuar se ai nuk i kishte kryer akoma ¾ e dënimit prej 25 vjetësh, me gjithë uljet e përfituara deri në atë kohë.
Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi më 5 dhjetor se kjo kohë është përmbushur pas vendimit të uljes së dënimit me 45 ditë, dhënë më 1 dhjetor nga gjyqtarja Eda Kaja.
Sipas Gjykatës, në përllogaritjet e bëra me datë 2 dhjetor, me uljet e përfituara edhe nga vendimi i fundit i Shkallës së Parë, Berisha kishte vuajtur virtualisht 18 vite e 9 muaj heqje lirie dhe i mbeteshin edhe 6 vite 2 muaj dhe 22 ditë burg, duke përmbushur kriterin bazë të lirimit me kusht.
Në vendimin e lirimit, Gjykata e Apelit Durrës urdhëron Berishën që për një periudhë 5-vjeçare të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës, duke iu nënshtruar programit rehabilitues dhe kushtëzohet që të mos kryejë vepër tjetër penale.
Vendimi i lirimit të Lulzim Berishës shkaktoi reagime të ashpra në Tiranë nga politikanë të mazhorancës dhe opozitës si dhe nga ambasadori amerikan, Donald Lu.
“Të mërkurën, kreu famëkeq i krimit të organizuar Lulzim Berisha u lirua nga burgu për arsye të panjohura. Ai vuajti më pak se gjysmën e dënimit me 25 vite burg, për 6 vrasje, trafik droge dhe krim të organizuar. Të gjithë duhet të indinjohemi nga ky lajm dhe duhet t’u themi gjykatave të korruptuara se në një demokraci kjo është e papranueshme”, tha ambasadori Lu.

VOA: Lul Berishës iu hoq dënimi me burg të përjetshëm nga Rama

Më 5 dhjetor, ish-kreu i “Bandës së Durrësit” Lulzim Berisha, i dënuar për pesë vrasje dhe disa atentate u lirua me kusht nga Gjykata e Apelit Durrës.
I dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2012, dënimi i Berishës u reduktua në 25 vjet burg në vitin 2014 nga një vendim i Gjykatës së Lartë.
Por edhe nga ky dënim, i akuzuari për vrasje dhe pjesëmarrje në grupe kriminale, ka kryer fizikisht 10 vjet e tetë muaj burg që nga arrestimi i tij i 6 prillit 2006. Lulzim Berisha ka përfituar nga një seri e gjatë vendimesh gjykate të debatueshme dhe shpesh kontradiktore për ulje dënimi si dhe nga ligji i vitit 2012 për amnistinë.
Një tjetër faktor që ndikoi në reduktimin e dënimit të tij është zgjatja për vite të tëra e procesit gjyqësor, ku një ditë në qeli si i paraburgosur llogaritet me 1.5 ditë burg.
Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm në vitin 2014, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi.
Më saktësisht, në shtator të vitit 2015, me vendim të gjyqtares Shpëtime Pitaku, dënimi i Berishës për periudhën 2006-2015 është ulur me 1 vit e 11 muaj burg.
Më tej, me 19 prill 2016, me vendim të gjyqtarit Tritan Hamitaj, Lulzim Berisha ka fituar një ulje dënimi prej 90 ditësh për periudhën prill 2015–prill 2016, edhe pse ligji parashikon se të dënuarit në burgjet e sigurisë së lartë nuk mund të përfitojnë më shumë se 45 ditë ulje dënimi gjatë një viti.
Me 11 maj të këtij viti, me vendim të gjyqtarit Fejzo Hysi, Berisha ka përfituar nga amnistia e vitit 2012 edhe 1 vit e gjysmë ulje dënimi, edhe pse ligji i amnistisë e mohon kategorikisht këtë të drejtë për të dënuarit me vrasje.
Ndërsa më 1 dhjetor, gjyqtarja Eda Kaja ka dhënë një vendim tjetër, duke i ulur edhe 45 ditë burg nga periudha e vuajtjes së dënimit Lulzim Berishës. Vendimet e marra nga gjyqtarët Kaja dhe Hamitaj janë në kontradiktë me njëri-tjetrin për masën e uljes së dënimit dhe të mbivendosura në kohë.
Lulzim Berisha e ka kërkuar lirinë me kusht që në mesin e vitit 2016, por Gjykata e Durrësit e ka hedhur poshtë me 28 korrik, duke argumentuar se ai nuk i kishte kryer akoma ¾ e dënimit prej 25 vjetësh, me gjithë uljet e përfituara deri në atë kohë.
Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi më 5 dhjetor se kjo kohë është përmbushur pas vendimit të uljes së dënimit me 45 ditë në 1 dhjetor nga gjyqtarja Eda Kaja.
Sipas Gjykatës, në përllogaritjet e bëra me datë 2 dhjetor, me uljet e përfituara edhe nga vendimi i fundit i Shkallës së Parë, Berisha kishte vuajtur virtualisht 18 vite e 9 muaj heqje lirie dhe i mbeteshin edhe 6 vite e 2 muaj burg, duke përmbushur kriterin bazë të lirimit me kusht.
Trupa e udhëhequr nga gjyqtari Arben Vrioni si kryesues, dhe anëtarët Petrit Çano dhe Anita Mici ka vendosur ta lirojnë me kusht Berishën, pasi kanë gjykuar se i dënuari është rehabilituar, ka pasur sjellje shembullore në burg, dhe ishte në “gjendje të rënduar psikologjike për shkak të kohës së gjatë të vuajtjes së dënimit”.

Veliaj, 15 miliardë lekë për betonizimin e sheshit

Arkitektët italianë të ftuar nga Ahmet Zogu do e projektonin sheshin e qendrën e Tiranës në dy faza. I pari, Florestano di Fausto, kërkoi t’i jepte një harmoni shtëpive tradicionale tiranase me ndërtimet e stilit klasik, një frymë e cila sa kishte filluar të frynte në Shqipërinë e asaj kohe. Projekti i përpunuar u mbështet në planin rregullues të vitit 1926 dhe përmbledh të gjitha rrugët hyrëse në Tiranë sipas modelit të Romës dhe nga çdo pikë e tij mund të shihen kodrat e qytetit. Më tej, do të ishte arkitekti Gerardo Bozio në vitin 1939, i cili e përpunon dhe i rijep një pamje tjetër. Duke qenë një adhurues i stilit barok, forma ndryshon duke e bërë sheshin një vazhdim të shëtitores “Dëshmorët e Kombit”. Ndërtesat nuk do të ngriheshin në vijë të drejtë me xhaminë e E’them Beut, për të bërë diferencimin mes ndërtesës së re dhe të vjetër, por edhe si një ndërthurje mes kulturave romane dhe orientale të Shqipërisë së asaj kohe. Të gjitha ndërtesat, Banka e Shqipërisë, Bashkia dhe ministritë shërbenin si dekor i sheshit, i cili konsiderohej si “koka” e shëtitores perandorake. Pra, ishte një koncept kulturor i harmonizuar me historinë, kulturën dhe fene të ndërthurura mjeshtërisht nga arkitektët italianë…

Projekti i ndryshuar

Kjo hyrje shërben për të kuptuar se sa histori ka ai shesh, që sot është shndërruar në një gërmadhë nga ish-“shitësi i vogël i fiqve” sot kryetar i Bashkisë së Tiranës. Në fakt, shkatërrimi i sheshit filloi që nga dy idhujt e tij, ish-diktatori Enver Hoxha dhe Edi Rama, sot kryeministër asokohe kryetar i Bashkisë. I pari, e bënte për qëllime ideologjike pasi kërkonte t’i jepte fytyrën e një sheshi komunist sipas shembullit të Bashkimit Sovjetik dhe i dyti për qëllime të pastra korruptive. Me ardhjen e Erion Veliajt mori jetë dhe projekti i Edi Ramës, për ta shkatërruar këtë shesh dhe pse jo për të fituar disa miliona më shumë. Për shembull, sipas Open Data Albania, Bashkia ka hapur tenderin për fazën e dytë të punimeve të rikualifikimit të sheshit, me vlerë rreth 10 miliardë lekë apo 8 milionë dollarë. Kjo pason dhe 6 miliardë lekë të tjera, të shpenzuara në fazën e parë të punimeve për shndërrimin e tij në pedonale… Në fakt 6 miliardë lekë ose 4.5 milionë dollarë duhej të ishte vlera e rikualifikimit të tij, por me ndërhyrjen e Edi Ramës, u bë një ndryshim projekti edhe nga ai i projektuar nga firma belge “51N4E”, e cila dhe kjo është më vetë një histori e pastër korrupsioni dhe klientelizmi. Ndryshimi i projektit u bë me qëllim që t’i hapej rrugë ndërtimit të një parkingu nëntokësor, por edhe të një qendre tregtare mu poshtë Sheshit Skënderbej. Pra, e thënë më shkoqur, qytetarët e Tiranës do të paguajnë nga taksat e tyre plot 15-16 miliardë lekë që Erion Veliaj dhe Edi Rama të kenë një biznes të tyre mu në qendër të Tiranës.

Po pse pikërisht sheshi?!

Jo më kot, Veliaj vetëm pak muaj pasi erdhi në pushtet piketoi më së pari këtë shesh! E para, ka të bëjë me korrupsionin dhe milionat e eurove që do të hidhen aty, një buxhet i pakontrolluar. E dyta, për efekt propagande! Edi Rama nuk u kënaq me shumën e rreth 6 miliardë lekëve, por i shtoi asaj apriori dhe nja 10 miliardë të tjera, duke e çuar në 16 miliardë. Natyrisht për kokën e karvanit paratë e taksapaguesve janë thjesht para çifligu. Në të njëjtën kohë Rama, duke marrë kompentencat e Veliajt prezantoi se poshtë sheshit do të ndërtohej dhe parkimi nëntokësor, por dhe një biçim qendre tregtare. Akoma dhe sot kjo shtesë punimesh, pra ndërtimi i parkimit dhe qendrës tregtare nuk kanë leje ndërtimi, një arsye që nga ana e institucioneve duhet filluar dhe një hetim i zgjeruar. Nga ana tjetër duhet sqaruar që në krye se, Sheshi Skënderbej është më i favorshmi për synimet e tij, për arsye se nuk ka probleme me shpronësimin se ato i ka përfunduar me kohë ish-Mbreti Zog, qëkur projektoi ndërtimin e tij. Kjo shpjegon dhe faktin se përse, stadiumi “Qemal Stafa” apo dhe Sheshi Skënderbej janë projektuar dhe për kulla shumëkatëshe. Para e pastër, thjesht ndërto, shit dhe fito me paratë e taksapaguesve dhe në tokë të shtetit. Kjo gjithmonë në emër të zhvillimit dhe rilindjes urbane që mund të ndodhë vetëm me kryeministra si Edi Rama dhe vegla si Erion Veliaj.

Armand MAHO

Një bullgare në krye të Gjykatës Speciale në Kosovë

Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, Alexandra Papadopoulou, emëroi të mërkurën juristen bullgare Ekaterina Trendafilova në postin e kryetares së Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte në Kosovë.
Zonja Trendafilova kishte shërbyer nga muaji mars i vitit 2006 deri në mars të vitit 2015, si gjykatëse në Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Në fillim të muajit dhjetor, Holanda ratifikoi marrëveshjen për të qenë mikpritëse e Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte në Kosovë, e cila do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2017. Gjykata është e vendosur në Hagë, qytetin që është mikpritës edhe i tri gjykatave ndërkombëtare përfshirë edhe atë për krime lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Ideja për themelimin e Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick, raporti i të cilit i paraqitur në Këshillin e Evropës pesë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Në vitin 2011 Bashkimi Evropian krijoi një grup të posaçëm për të hetuar rreth akuzave të raportit Marty.
Kryeprokurori i parë, Clint Williamson, njoftoi në korrik të vitit 2014 se ai kishte gjetur mjaft prova për të ngritur akuza ndaj disa ish-drejtuesve të UÇK-së, që sipas tij, ishin përgjegjës për një fushatë të organizuar rrëmbimesh, arrestimesh të paligjshme, vrasje pa gjyq dhe dhunë seksuale.
Sipas tij, shumica e viktimave ishin pjesëtarë të grupeve të tjera pakicë në Kosovë serbë, romë e të tjerë, por edhe shqiptarë të konsideruar bashkëpunëtorë të serbëve ose kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së. Lidhur me supozimin për “trafikim organesh”, zoti Williamson vinte në dukje se nuk kishte gjetur mjaft prova sa për të ngritur akuza. Në maj të vitit të kaluar, kryeprokuror i posaçëm u emërua amerikani, David Schwendiman.
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, Parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin, dhomat e posaçme do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë. Gjykata e financuar nga Bashkimi Evropian do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Modest për Chelsin

I përulur dhe me ide të qarta. Ky është çelësi i suksesit të trajnerit të “Bluve të Londrës”, Antonio Conte, i cili të paktën deri më tani po tregon, se metodologjia e tij e lojës, po jep rezultatet e kërkuara te Chelsea. Nëntë fitore radhazi ka arritur skuadra e teknikut italian, që përkthehen me vendin e parë në tabelën e klasifikimit me 37 pikë të grumbulluara. Ndalesa e radhës është Sunderland, që pozicionohet në vendin e fundit. Një rival i lehtë në letër, por që gjithsesi duhet patur kujdes. Vetë Conte e pranon se nuk e priste këtë ecuri kaq pozitive të skuadrës së tij.
“Nuk e prisja që të arrinim vendin e parë. Jo se unë nuk kam besim tek skuadra ime, por sepse luajmë  në një kampionat shumë të vështirë, ku rivaliteti është shumë i madh. Në çdo takim të luajtur duhet të japësh maksimumin, nëse në fund të garës dëshiron të dalësh triumfues. Nuk jam i sigurt që do të vazhdojmë  me këtë ritëm deri në fund të kampionatit, unë shpresoj që një gjë e tillë të ndodhë edhe pse nuk do të jetë një mision i lehtë”, u shpreh Konte.
Kur kanë mbetur edhe pak javë nga fundi i 2016-ës, Conte bën një bilanc të vitit që po lëmë pas, për skuadrën dhe futbollistët. Sigurisht që i pari në këtë listë është sulmuesi Diego Costa, që po kalon një moment të shkëlqyer.
“Diego po kalon një formë të shkëlqyer. Golat e tij, po na japin një ndihmesë shumë të madhe e shpresoj që të vazhdojë kështu deri në fund. Përsa i përket të ardhmes se Fabregas, nuk mund të flas dot me garanci. Mund të them se është një element shumë i rëndësishëm për ne. Dua t’i komplimentoj të gjithë futbollistët, sepse janë duke dhënë maksimumin në çdo takim”, përfundoi Konte.
Ndërkohë, mesfushori i Çelsit, Oskar, do t’i bashkohet në janar klubit kinez të Shanghai SIPG, i cili do të paguajë rreth 52 milionë paund për futbollistin brazilian. Lojtari nuk po luan rregullisht me londinezët, që nga momenti kur drejtimin e skuadrës e mori Antonio Konte dhe që nga muaji shtator, nuk ka luajtur asnjë takim si titullar në kampionat. Ndaj, sipas mediave angleze, ai ka zgjedhur të largohet drejt një klubi, ku do të gjejë bashkëkombësin e tij, Hulk dhe ku trajner është portugezi Andre Vijas-Boas.
Sigurisht që rroga e tij në Kinë do të jetë shumë më e lartë se ajo që përfiton në Angli, ndërsa parashikohet që t’i afrohet asaj prej 320 mijë paund në javë që përfiton Hulk. Kina është kthyer në një destinacion të preferuar për lojtarët e Çelsit, duke llogaritur se atje luajnë aktualisht edhe Demba Ba e Ramires, pa harruar eksperiencat në të kaluarën të Didier Drogba dhe Nikolas Anelka.
Gjithsesi, duket ende e çuditshme se si futbollisti zgjodhi që në moshën 25-vjeçare, duke qenë pjesë e kombëtares braziliane, të largohet drejt Kinës vetëm për para, ndonëse kërkohet me ngulm nga shumë klube me emër. Gjatë verës, për futbollistin kishin shfaqur interes thuajse të gjitha klubet kryesore italiane apo edhe PSG, por ai zgjodhi që të qëndronte te Çelsi, duke shpresuar më kot që të gjente hapësira me Konten.

Angela Merkel në krye të botës së lirë?

Kancelarja gjermane, Angela Merkel e di ç’do të thotë të ndihesh e nënvlerësuar. Partia e saj politike, Bashkimi Kristian Demokrat, ishte si një klub ekskluziv meshkujsh kur ajo u anëtarësua në vitet 1990 dhe shumica e rivalëve përpiqeshin ta injoronin atë, vajzën e priftit të diplomuar në kimi, edhe pse ajo arriti t’i kapërcejë të gjithë njëri pas tjetrit. Ajo çfarë e shqetëson tani, më shumë se një dekadë pas fillimit të mandatit të saj të parë, është problemi i kundërt, të qenurit e mbivlerësuar.
Për këtë i detyrohet më shumë presidentit Barack Obama. Gjatë vizitës së tij të fundit zyrtare në Europë në mes të nëntorit, një javë pas fitores së Donald Trumpit, Obama kaloi orë të tëra duke e përgatitur Merkelin për epokën e presidentit të ri. Qëllimisht apo jo, presidenti aktual edhe për një muaj, dha përshtypjen sikur po i kalonte skeptrin e tij gruas që e quajti aleaten e tij më të ngushtë, duke e lënë atë në krye të mbrojtjes së botës së lirë. Shumë komentatorë filluan t’i referoheshin Merkelit si liderja e re e botës së lirë, një titull që ajo e konsideroi publikisht “grotesk” dhe “absurd”.
Nuk bëhej fjalë për modesti. Problemet që qeveria e saj ka brenda vendit – që nga integrimi i refugjatëve te ngjitja e populizmit të djathtë – nuk i lënë shumë fuqi kancelares gjermane për të mbajtur edhe Perëndimin të bashkuar. Ruajtja e pushtetit për një mandat të katërt gjatë zgjedhjeve të ardhshme do të jetë synimi i vërtetë i Merkelit, madje disa burime brenda qeverisë së saj kanë thënë për “TIME” se, nuk kanë mjetet dhe mentalitetin e nevojshëm për të marrë në dorë drejtimin. Por pavarësisht nëse është e përgatitur apo jo, roli mund t’i kalojë përsëri Merkelit në kurriz.
Vala e revoltave popullore kundër sistemit i ka goditur njëri pas tjetrit aleatët perëndimorë. Katër prej tyre janë rrëzuar vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit: presidenti frances, François Hollande, deklaroi këtë muaj se nuk do të rikandidonte; kryeministri britanik, David Cameron tha dorëheqjen në muajin qershor pasi Britania e Madhe vendosi të dalë nga Bashkimi Europian; kryeministri italian, Matteo Renzi u zotua të bëjë të njëjtën gjë pasi referendumi refuzoi reformat e tij kushtetuese këtë muaj; dhe fitorja më e jashtëzakonshme e vitit ishte ajo e Donald Trumpit që do të zëvendësojë së shpejti administratën Obama.
Tani ka mbetur vetëm Merkel, por edhe miqtë e saj kanë dyshime të mëdha në aftësinë e saj për të drejtuar botën e lirë. “Kjo është absurde”, thotë Elmar Brok, kreu gjerman i komitetit të çështjeve të jashtme në Parlamentin Europian, i cili e ka njohur Merkelin që kur ajo ka hyrë në politikë gjatë viteve 1990. “Gjermania nuk ka masën e mjaftueshme të pushtetit për të marrë përsipër rolin e liderit”.
Nuk është as e qartë nëse Merkel është mjaftueshëm e fortë, ndoshta edhe brenda vendit të saj, për të ruajtur vlerat liberale që shumë njerëz tashmë po pretendojnë prej saj. Vendimi i saj verën e kaluar për të mirëpritur qindra mijëra refugjatë nga bota myslimane ishte një triumf i lidershipit moral kundrejt llogarive politike dhe kjo ishte arsyeja përse revista “TIME” e zgjodhi atë personi i vitit 2015.
Por akti i kurajës pati një çmim mjaft të kripur. Konservatorët brenda koalicionit të saj drejtues u revoltuan ashpër kundër politikës së refugjatëve. Shumë prej mbështetësve të saj u arratisën drejt të djathtës ekstreme Alternative für Deutschland (AfD), platforma politike e së cilës pretendon se, “Islami nuk është pjesë e Gjermanisë” dhe bën thirrje për të ndaluar minaret dhe perçet që mbajnë gratë myslimane. Gjatë zgjedhjeve lokale të mbajtura në muajin shtator, AfD-ja arriti ta mposhtë partinë e Merkelit në vetë distriktin e saj të lindjes në Gjermaninë Veriore.
Ky poshtërim e detyroi kancelaren të rimarrë në dorë situatën dhe të rimbledhë votat që i kishin humbur për të djathtën radikale. Gjatë fjalimit të saj më 6 dhjetor gjatë konventës kombëtare të Unionit Kristian Demokrat, partia që ajo ka drejtuar për 16 vjet, Merkel tha se grave myslimane duhet t’i ndalohet, atëherë kur është ligjërisht e mundur, që të mbulojnë plotësisht fytyrën e tyre në ambiente publike. Ishte një kthesë e jashtëzakonshme për një lidere, emri i së cilës ishte bërë sinonim i “Willkommenskultur” ose “kulturës së mirëpritjes” kundrejt refugjatëve myslimanë dhe të cilën disa azilkërkues sirianë e quanin “Nënë”.
Partia e saj vazhdon të jetë më e mbështetura në vend, me një mbështetje prej 33 për qind në sondazhet e fundit dhe 64 për qind e të anketuarve mbështesnin vendimin e Merkelit për të kandiduar për herë të katërt si kancelare. Në një tjetër sondazh të publikuar muajin e kaluar, 59 për qind e gjermanëve kanë thënë se duan që vendi i tyre të marrë një rol më aktiv në lidershipin e Europës, por aleatët e Merkelit duket se nuk janë shumë të kënaqur me idenë e zgjerimit të këtij roli edhe në vende të tjera të botës. “Ky nuk është mentaliteti jonë”, thotë Norbert Roettgen, kreu i komitetit të çështjeve të jashtme në Parlamentin gjerman. “Kjo e tejkalon traditën tonë, i tejkalon mundësitë tona”.

Rruga e Putinit për në Shtëpinë e Bardhë

Në SHBA po rritet shqetësimi, se Putini në të ardhmen do të mund të ushtrojë ndikim të drejtpërdrejtë politik.
Shakaja më e fundit në Uashington: “Kush i fitoi zgjedhjet? Trumpi apo Clintoni? Putini, o idiot!”. Kjo është njëra prej atyre shakave, tek të cilat të mbetet e qeshura në fyt. Sepse që prej publikimeve të para të “Uashington Postit” në fundjavë, po shtohen zërat e personave të nivelit të lartë dhe personave të brendshëm, të cilëve mund t’u besosh, që thonë se Rusia nuk ka sulmuar përmes piratëve të internetit vetëm serverat e Partisë Demokratike. Kjo dihej prej muajsh. Por edhe serverat e republikanëve. Shërbimet e fshehta besojnë ndërkohë se Rusia nuk donte të dëmtonte vetëm Clintonin dhe demokracinë amerikane, por se ajo sulmoi për ta ndihmuar direkt të fitonte Trumpin.

Luftë në rrjet
Ekspertët ka shumë vjet që paralajmërojnë se luftërat e së ardhmes nuk do të zhvillohen në tokë, as në ujë dhe as në ajër, por në rrjet. Në kohën që thrillerat e blockbuster merren kryesisht me skenare, në të cilat piratët e internetit bllokojnë centrale atomike, këto ditë bëhet e qartë se është fjala për shumë më tepër, se sa për të ndikuar furnizimin me energji ose për të shkelur rregullat e ruajtjes së të dhënave. Nëse këto kritika dalin të vërteta, këto sulme i drejtohen bërthamës së demokracisë: zgjedhjeve të lira dhe të fshehta. Prandaj shqetësimi në SHBA është i madh. Dhe po kaq shokuese janë reagimet e Presidentit të ardhshëm, Donald Trump.
Në vend që të angazhohet menjëherë për një komision hetimor të pavarur, ai përpiqet që t’i fshijë kritikat me deklarata në Twitter. Argumentimi i tij: “Pse t’u besojmë shërbimeve të fshehta, kur u gabuan edhe atëherë me pohimin se Saddam Husseini zotëronte armë të shkatërrimit në masë”.

Bizneset e Trumpit me Rusinë
Ky sulm publik ndaj shërbimeve të fshehta peshon veçanërisht shumë, meqenëse presidenti i ardhshëm refuzon në vazhdimësi që të marrë pjesë në diskutimet e përditshme të gjendjes nga shërbimet e fshehta. Argumentimi i tij: ai e di më së miri se çfarë po ndodh dhe nuk ka nevojë që të dëgjojë përditë të njëjtat informacione.
Ky qëndrim është ose naiv, ose thuhet me qëllim biznesi. I rrezikshëm ai është në të dyja rastet. Është shumë e mundur që të jetë e saktë se biznesmeni Trump bën prej vitesh biznese me Rusinë dhe prandaj nuk do që të ndërhyjë njeri në punët e tij. Duket edhe bindëse, që Trumpi do ta bëjë ministër të Jashtëm drejtuesin ekzekutiv të ExxonMobil, Rex Tillerson, sepse përmes biznesit të gazit ai ka marrëdhënie të ngushta me Rusinë e Putinit. Të gjitha këto janë të padenja për postin politik më të rëndësishëm në botë. Dhe para së gjithash janë tepër të rrezikshme.

Përgjegjësi për republikanët
Nëse sulmet e piratëve të internetit do të konfirmohen si ndikim politik, atëherë janë sulmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Meqenëse presidenti i ardhshëm nuk duket në gjendje që ta kuptojë këtë dimension, tani duhet të jenë deputetët republikanë që të tregojnë se e marrin seriozisht detyrën e tyre demokratike. Ata duhet t’i japin përgjigje pyetjes, se kujt i përket besnikëria e tyre: Donald Trumpit apo sistemit elektoral amerikan dhe në këtë mënyrë demokracisë amerikane. Donald Trumpi mund të besojë se është në gjendje që t’i mbajë nën kontroll shërbimet e fshehta ruse. Por ky është një vlerësim me të cilin ai është krejt i vetëm.

Kush është Paolo Gentiloni?

I caktuari si kryeministër i Italisë, Paolo Gentiloni konsiderohet kandidat kalimtar – por shpresat ndaj tij janë të mëdha.
Në raportet e mediave atë e quajnë “kont proletar” dhe “xhentëlmen”. Me të vërtetë 62-vjeçari vjen nga dera e vjetër fisnike italiane Gentiloni Silveri. Por origjina aristokratike nuk e pengoi atë kurrë për të qenë i majtë. Në moshë të re ai madje ishte radikal i majtë. Pas dy poste ministrash, 2006-2008 si ministër i Komunikacionit dhe deri pak ditë më parë ministër i Jashtëm, Gentiloni e sheh veten si socialdemokrat.
Ai dhe mbështetësi i tij, kryeministri i dorëhequr, Matteo Renzi nuk mund t’i kenë më të ndryshme karakteret: Renzin me natyrë të hapur, me tendencë për të mbivlerësuar veten e pason punonjësi i qetë dhe besnik në sfond. Por që Gentiloni nuk është gjithmonë i butë, këtë e tregojnë deklaratat e tij si ministër i Jashtëm. Në shkurt 2015 ai tha në një intervistë televizivie: “Po të jetë e nevojshme, Italia do të jetë e gatshme të luftojë në Libi kundër Shtetit Islamik, sepse qeveria italiane nuk mund të pranojë, që vetëm pak orë me anije larg Italisë të sundojë sërish një kërcënim terrorist”.

Ai nuk i beson politikës gjermane të kursimit
Edhe përballë politikës së kursimit të kërkuar nga Gjermania, në një bisedë me gazetën “Die Welt” ai u tregua i paepur: “E di që në Gjermani shumë mendojnë se ne ndjekim këtu një politikë gazmore financiare. Por po të besojmë se do t’i shlyejmë borxhet e mbledhura për 30 vjet duke e mbytur Italinë, atëherë mbysim të gjithë ekonominë evropiane”.
Mënyra e qetë, pajtuese e Gentilonit është njëkohësisht një përparësi dhe një disfavor për Partinë Demokratike të përshkuar nga grindjet. Ai ka marrëdhënie të mira me krahët e ndryshëm të partisë dhe duhet të jetë njeriu i duhur për ta bashkuar partinë. Kështu besohet që e sheh edhe Renzi rolin e Gentilonit: konti le të qeverisë i qetë dhe t’ia mbajë të ngrohtë vendin deri në zgjedhjet e reja pas disa muajsh; po të dalë fitimtare në zgjedhje Partia Demokratike, Renzi mund të rikthehet në post.
Se kur do të mbahen zgjedhje të reja, kjo është e paqartë. Vetë Renzi tha në një intervistë me gazetën “Quotidiano Nazionale” se ai i pret ato në qershor. Dhe Gentiloni është sipas tij personi i duhur: “Ai e ka aftësinë, ai do të ketë sukses. I uroj shumë fat”. Por para zgjedhjeve qeveria duhet të përshtasë ligjin elektoral të diskutueshëm në pikëpamje juridike dhe politike. Kjo në një kohë kur lëvizja kritike ndaj Evropës Lëvizja Pesë Yje ndodhet në sondazhe në vend të dytë, menjëherë pas Partisë Demokratike.
Shumica e qeverive të BE e konsiderojnë se ai do t’i kryejë një shërbim vendit të tij dhe Evropës, po ta stabilizojë Italinë deri në datën e zgjedhjeve.

Merkel dhe Hollande, do të vazhdojnë sanksionet kundër Rusisë

Dy ditë para një takimi të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian për konfliktin në Ukrainë, Franca dhe Gjermania ranë dakord të vazhdojnë sanksionet kundër Rusisë, për shkak të mungesës së përparimit në zbatimin e një marrëveshjeje armëpushimi. Të dyja vendet janë përpjekur të zbatojnë marrëveshjen e Minskut për stabilizimin e Ukrainës, por pa sukses deri tani.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel foli me presidentin francez, Francois Hollande në Berlin, ku ai kishte shkuar për të marrë pjesë në një konferencë franko-gjermane mbi ekonominë dixhitale. Zonja Merkel tha se zbatimi i marrëveshjes së armëpushimit ka qenë shumë e ngadaltë.
“Do të jetë e nevojshme të vazhdojmë me sanksionet kundër Rusisë – edhe pse ne donim të shihnim përparime në zbatimin e marrëveshjes”, tha kancelarja gjermane.
Zoti Hollande pajtohet me fjalët e saj.
“Në Ukrainë duam që të zbatohet Marrëveshja e Minskut. Dhe në qoftë se nuk zbatohet do të vazhdojmë me sanksionet edhe në qoftë se nuk është një procedurë që mund të vazhdojë përgjithmonë. Por në qoftë se nuk ka asnjë përpjekje, atëherë pajtohem me kancelaren se sanksionet duhet të vazhdojnë”, tha ai.
Data e përfundimit të sanksioneve është ndryshuar disa herë dhe pritet të përfundojë në fund të janarit.
Kievi dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë për nxitjen e lëvizjes separatiste dhe ndihmë ndaj rebelëve.
Kremlini i mohon këto akuza dhe akuzon Ukrainën për vazhdimin e dhunës dhe shkelje të marrëveshjes së Minskut.
Në fund të muajit të kaluar, bisedimet katërpalëshe për përfundimin e konfliktit separatist përfunduan pa ndonjë përparim të madh.
Konflikti mes forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, ka marrë jetën e rreth 10 mijë personave që kur filloi në vitin 2014. Të enjten, udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë vazhdimin e sanksioneve, të cilët përfshijnë kufizime në qasje në financim ndërkombëtar dhe në bashkëpunim në fushat e mbrojtjes dhe energjisë me Rusinë.

Rifillojnë luftimet në Alepo, pa evakuime

Plani për evakuimin e civilëve dhe kryengritësve nga Alepoja është shtyrë të mërkurën dhe armëpushimi është prishur me rifillimin e luftimeve nëpër xhepat e fundit të kontrolluara nga kryengritësit.
Marrëveshja e së martës parashihte që evakuimet e para të fillonin në mëngjesin e hershëm të së mërkurës. Por, deri në mesditë u raportua për rifillim bombardimesh në Alepon Lindore ende të kontrolluar nga kryengritësit dhe Rusia akuzoi luftëtarët e opozitës për shkelje të armëpushimit duke sulmuar pozicionet e trupave qeveritare.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan akuzoi forcat qeveritare siriane për shkelje të armëpushimit, ndërsa theksoi se Turqia po vazhdon përpjekjet për të krijuar një korridor për të evakuar banorët nga Alepoja.
Hollësitë e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Turqisë dhe Rusisë janë ende të paqarta përfshirë është çështjen se ku do të shkojnë civilët dhe luftëtarët.
Plani, sipas ambasadorit rus në OKB, Vitaly Churkin, parasheh që luftëtarët opozitarë të shkojnë në Idlib, një qytet me 165 mijë banorë rreth 60 kilometra në jugperëndim të Alepos.
Churkin e përshkroi marrëveshjen si përmbyllje të një kapitulli shumë të vështirë për Alepon dhe tha se qeveria e tij shpreson që kjo do të çojë në “rihapjen e negociatave politike”.
Zëvendëskryeministri turk, Mehmet Simsek, shkroi në rrjetet sociale se vendi i tij është duke përgatitur një qytet tendash për mbi 80 mijë refugjatë që ikin nga Alepoja.
I dërguari i posaçëm i OKB-së, Staffan de Mistura, e përshkroi të martën gjendjen në Alepon Lindore si shumë “shqetësuese”.
Duke folur me gazetarët në New York, ai bëri thirrje për qasje të menjëhershme të OKB-së në Alepon Lindore për të konfirmuar marrëveshjen dhe për të mbikëqyrur evakuimin e civilëve.
Ai vlerësoi se mbi 50 mijë civilë kishin mbetur të martën vonë në xhepa të vegjël në Alepon Lindore bashkë me mbi 1 mijë e 500 luftëtarët kryengritës. Duke cituar burime të pakonfirmuara ai tha se mbi 30 për qind e luftëtarëve të mbetur janë xhihadistë të lidhur me Al-Qaidan dhe grupet e tjera ekstremiste.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, u tha 15 vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit se OKB-ja duhet të jetë e gatshme të ndihmojë zbatimin e marrëveshjes.
“U përkujtojmë të gjitha palëve detyrimet sipas ligjeve ndërkombëtare humanitare që të vënë në rend të parë daljen e sigurt të civilëve nga Alepoja Lindore dhe që të sigurohen se ata që janë dorëzuar apo kapur të trajtohen në mënyrë njerëzore në pajtim me ligjet ndërkombëtare”, tha Ban Ki-moon.
Në një takim emergjent të martën, të dërguarit perëndimorë kritikuan ashpër Rusinë për mbështetjen ushtarake për qeverinë e presidentit Bashar al-Assad dhe muajt e mizorive mbi banorët e Alepos.
“Vërtet nuk keni turp? Vërtet nuk ka asgjë që thjesht ju bën të ndjeheni me turp?”, pyeti ambasadorja amerikane, Samantha Power. “A nuk ka asnjë akt barbarie kundër civilëve, asnjë ekzekutim fëmije që mund t’ju rrëqethë sadopak? A ka gjë për të cilën nuk do të gënjeni dhe nuk do ta arsyetoni?”.
I dërguari britanik, Matthew Rycroft, u bëri jehonë fjalëve të sekretarit Ban Ki-moon, duke thënë se Këshilli i Sigurimit ka dështuar.
“Ka dështuar sepse Rusia e ka përdorur veton gjithnjë, madje edhe për të parandaluar një armëpushim shtatë ditësh”, ta Rycroft.
Ambasadori rus, Churkin, hodhi poshtë akuzat perëndimore për mizori në shkallë të gjerë duke i cilësuar ato si pjesë të “propagandës, dezinformimit dhe luftës psikologjike”.
Më herët në Gjenevë, zëdhënësi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Rupert Colville, i bëri thirrje Sirisë që të lejojë vëzhguesit e OKB-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq të kenë qasje të menjëhershme në Alepo.
“Civilët kanë paguar çmim brutal gjatë këtij konflikti dhe ne jemi të mbushur me parandjenja për ata që kanë mbetur ende në atë zonë skëterre të mbajtur nga opozita”, tha ai.
Ndarazi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, tërhoqi vërejtjen të martën se mijëra civilë kanë ngelur në Alepon Lindore “thjesht pa e ditur se ku të ikin” dhe u bëri thirrje palëve të përfshira që të mbrojnë civilët.