24.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Anëtarësimi i Turqisë në BE, asnjë lëvizje për dy muaj të tjerë

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian deklaruan se blloku nuk do të hapë hapësira të reja për negociatat e anëtarësimit me Turqinë, por sfiduan thirrjet e Austrisë dhe ligjvënësve evropianë për të ndalur tërësisht procesin në formë proteste ndaj goditjes që mori situata e sigurisë në Ankara pas sulmit të dështuar të shtetit.
Blloku ka shprehur kritika ndaj Ankarasë për spastrimin gjithpërfshirës që pasoi puçin e dështuar, por është treguar i përmbajtur për të mos t’i acaruar së tepërmi marrëdhëniet për shkak të nevojës për bashkëpunim të saj për të frenuar valën e imigrantëve në drejtim të bllokut, si dhe kofliktin në Siri.
Gjermania ka folur qartë kundër një ngrirjeje zyrtare të bisedimeve të pranimit me Turqinë.
“Ja pse është e rëndësishme që të mos vendosim asgjë në pritje dhe duhet të jetë një sinjal i qartë nga Bashkimi Evropian. Ne duhet të vazhdojmë t’u dërgojmë sinjale qytetarëve turq që ndajnë vlerat tona evropiane, ne u detyrohemi dhe jemi të lidhur me këta njerëz”, thotë Michael Roth, ministri i Jashtëm gjerman.
“Negociatat e anëtarësimit kanë mbetur në vend prej muajsh dhe nuk shoh asnjë lëvizje as për dy muajt e ardhshëm”, thotë shefi i zgjerimit në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn.
Austria kërkon një politikë më agresive të Bashkimit Evropian ndaj Turqisë. Sebastian Kurz është ministër i Jashtëm i Austrisë.
“Turqia është larguar edhe më shumë nga Bashkimi Evropian në muajt e fundit, këto zhvillime janë rritur në terma të dramacitetit dhe shpejtësisë”.
Turqia burgosi 36 mijë persona në pritje të gjykimit, si dhe shkarkoi e pezulloi më shumë se 100 mijë nën dyshimin se kanë mbështetur komplotuesit. Bashkimi Evropian është i shqetësuar se Erdogan po përdor grushtin e shtetit për t’iu kundërvënë kritikëve të tij.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë pak gjasa të bien dakord për një ndalim zyrtar të procesit të anëtarësimit të Turqisë që do të ishte një shuplakë për presidentin turk, Tayyip Erdogan, në takimin e së enjtes në Bruksel. Diplomatët thonë se BE po mendon të zhvendosë fondet e para anëtarësimit dhënë Turqisë në drejtim të shoqërisë civile. Thuhet se procesi i pranimit do të mbërrijë në një fund të pashmangshëm nëse Ankaraja rivendos dënimin me vdekje.

Kukësin e ndal edhe Korabi në “transfertë”

Kukësi nuk i shpëton sindromës transfertë, edhe kur luan në shtëpi. Skuadra e Gjokës u ndal pikërisht atëherë kur se priste, në barazim 1-1 në “Zeqir Ymeri”, me Korabin me skuadrën e fundtabelës që surprizon sërish, duke frenuar pas Tiranës dhe kryesuesit e kampionatit. E të mendosh që e niste me një mungesë të rëndësishme, Gerd Haxhiu që humbiste në minutat e fundit Sebino Plakun duke futur një mesfushor, Gavazajn në vend të tij, te Kukësi, pa Lenën, Hallacin, Hasanin, dhe Shametin Gjoka luante me 4-4-2 me Eminin në mbështetje të Pero Pejiç. Siç edhe pritej Kukësi që në fillim në kërkim të fitores, veprim i bukur i Mathija Dvornekoviç në të 4-ën, goditi me takë kroatin me topin që harkohet rrezikshëm, duke u përplasur në shtyllë. 5 minuta më pas provon Izair Emini. me një silurë të vërtetë që Spahia arrin ta devijojë në goditje këndi. Në minutën e 15 është radha e Pero Pejiç që përfiton nga rrëmuja në zonën e Korabit pas krosimit të Kariokës, por tentativa e kroatit ndalet sërish te shtylla. Nuk mund të jetë i qetë Ernest Gjoka, që kërkon avantazhin dhe ka të drejtë, pasi Korabi nis të nxjerrë kokën përpara, pas gjysmë ore lojë, Peposhi godet nga e majta me Kolicin që dhe pse me vështirësi largon topin, në të 40’, tjetër tentativë e Pejiç, por është i pasaktë me kokë bomberi në krosimin e Pashajit. Befasia e madh ndodh kur pritej fundi i pjesës së parë, sulm i Korabit në minutën e 47’, me Gavazaj që kalibron të djathtën në kufijtë e zonës për të mposhtur Kolicin.
Shënon Gavazaj, duhet të ketë një arsye dhe në tekat e fatit që i mundësoi aktivizimin vetëm për shkak të mungesës së Plakut. Korabi në avantazh në fund të pjesës së parë, por gëzimi i dibranëve zgjat vetëm sa pushimi, pasi në rikthim, më saktësisht në minutën e 49’, është Kushtrim Lushtaku, që prodhon një goditje për t’u admiruar që sjell barazimin e Kukësit.
Rinis gjithçka nga e para falë supergolit të Lushtakut, vërtet e bukur goditja e tij dhe gjërat bëhen edhe më keq për Korabin, pasi dy minuta më pas, Spahia dëmtohet me Haxhiun që detyrohet të fusë në lojë në vend të tij Vujadinoviç. Zëvendësim që pasohet nga vendimi i kryesorit Juxhin Xhaja, për t’i dhënë të kuqen Spahias, pasi kishte dalë nga fusha. Korabi gjithsesi provon shanset para në të 54’, kur krijohet një situatë e vështirë në zonën e Kolicit që rrezikon në daljen me Zguron, por aksioni mbyllet me goditjen pa shënjestër të Kajës. Në të 59, Lushtaku provon bisin, por këtë herë gjen gati Vujadinoviç. Ka një pretendim për 11 metërsh të Pejiç në minutën e 66, por Xhaja vazhdon lojën. Kroati merr një top në pozicuion të favorshëm në zonë në të 68, por nuk arrin ta çojë topin aty ku duhet. Pas 3 minutash, Karioka kombinon bukur në zonë me Eminin, me tetovarin që gjuan, por shpëton portën me grushtimin e tij Vujadinoviç. Nuk arrin dot të prishë tersin Pero Pejiç, shikoni se çfarë humbet në minutën e 77 i vetëm para porte në krosimin e Lushtakut.

Gjyqtari gabon edhe me moviolë në fushë

Vjen rasti i parë në histori i një penalltie të akorduar në bazë të movioles. Në gjysmëfinalen e Botërorit për klube që po zhvillohet në Japoni mes Atletico Nacional dhe Kashima Antlers u verifikua dhe episodi i parë i këtij lloji, në minutën e 32 të pjesës së parë pas kontaktit mes Nishi dhe Berrio. Arbitri Kassai fillimisht nuk akordoi asgjë, por kur loja ishte ndalur, u afrua në anë të fushës pranë atij që quhet video asistant referece, apo shqip, arbitri ndihmës me imazhet dhe dekretoi penalltinë, të cilën 24-vjeçari Shoma Doi e shndërroi në gol. Megjithatë edhe pse rasti është i destinuar të hyjë në histori, nuk mungojnë polemikat, pasi edhe moviola nuk mundi të evitojë një gabim në gjykim. Siç bën të ditur spanjollja “AS”, në momentin kur kryhet faulli, Nishi që rrëzohet kishte qenë në pozicion jashtë loje, kur u nis loja nga goditja standard.
Kjo rrethanë i ka shpëtuar si gjyqtarit Kasai në fushë, ashtu edhe gjyqtarit që shfrytëzon imazhet filmike. I çuditshëm është fakti se tifozët e Atletico Nacional sinjalizuan me thirrjet e tyre se, Nishi ishte jashtë loje në episodin, kur fitoi penalltinë, ndërsa diçka e tillë konfirmohet si nga imazhet televizive ashtu dhe nga fotot që bëjnë gjithçka më të qartë. Përfundimi i rastit të parë të një penalltie të dhënë nga imazhet filmike në këtë mënyrë është se as moviola nuk mund të evitojë polemikat. Në përfundim japonezët e Kashimës fituan ndeshjen 3-0, duke siguruar biletën e parë të finales së Botërorit për klube.

Xavi: Mesi mbetet më i miri

“Topin e Artë e mori Cristiano Ronaldo, por më i miri mbetet gjithmonë Lionel Mesi. Ronaldo triumfoi për këtë çmim individual falë trofeve me Realin, por Leo është numri 1”. Këto janë fjalët e Xavi Hendandezit, ish-mesfushorit legjendar të Barcelonës, aktualisht pjesë e Al Sadd në Qatar. Qëndrimi i tij mund të pasohet me një tjetër reagim të ashpër të portugezit, sikurse ndodhi muaj më parë. Këto deklarata të 36-vjeçarit erdhën pas takimit që pati me ish-skuadrën e tij në Doha, ku u zhvillua miqësorja mes Barcelonës me Al Ahlin. Xavi u pa të fliste për një kohë të gjatë me Mesin dhe detajet e bisedes i zbulon vetë.
“Folëm për familjet tona. Nuk e di se çfarë do të bëjë në të adhmen, por e shoh shumë të lumtur në Spanjë. Shpresoj të qëndrojë për një kohë të gjatë te Barcelona”, tha Xavi. Xavi dha një opinion edhe për derbin e Katalunjës, duke kujtuar se do të jetë një ndeshje e vështirë për Barcën, pasi Espanjoli është përmirësuar shumë.

Tre mesfushorët më të mirë

Në lojën e futbollit mesfusha gjithnjë është pjesa më e rëndësishme e lojës së çdo ekipi. Futbollistët e këtij reparti janë përgjegjës për të lidhur lojën mes reparteve të mbrojtjes dhe të sulmit, por jo të gjithë mesfushorët arrijnë ta bëjnë këtë detyrë si duhet përmes pasimeve të tyre.
Sipas statistikave, tre futbollistët më të zotë në këtë punë kanë një saktësi të frikshme të pasimeve të tyre. Gjermani Toni Kros i Real Madridit kryeson listën me 92.7% të pasimeve të sakta. Po të njëjtën përqindje ka edhe mesfushori Elneni i Arsenalit, ndërsa i treti në podium është Tiago Mota i PSG-së me 92.6%.

Kapllani, bomber edhe te Elversberg

Thonë që klasi nuk bëhet ujë, dhe Edmond Kapllani e vërteton diçka të tillë duke treguar se pavarësisht viteve që kalojnë, nuk harron të bëjë atë që di më mirë, shënimin e golave. Ish-sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, që aktualisht militon në Regionalliga, Kategorinë e katërt të futbollit gjerman, ishte sërish protagonist në takimin e fundit të skuadrës së tij, Elversberg ku vulosi fitoren 0-2 në fushën e skuadrës së dytë të Kaizerslautern. Në minutën e 90 të takimit, Kapllanit i mjaftoi një krosim nga e majta për të bërë më pas gjithçka më së miri, me stopimin perfekt dhe një parabol që la të shtangur portierin kundërshtar, duke çuar topin në rrjetë.
Një ekzekutim për duartrokitje ky i 34-vjeçarit që demonstron se ruan instiktin prej bomberi edhe në perëndimin e një karriere për t’u vlerësuar brenda dhe jashtë vendit. Në këtë sezon të Regionalligas, Kapllani ka shënuar 10 gola, duke ndihmuar skuadrën e tij Elversberg që të kryesojë klasifikimin e vetme me një distancë komode prej 4 pikësh ndaj ndjekësve më të afrërt të Waldohlf.

Gjimshiti është për Serinë A

Presidenti i “Avelinos”, Valter Takone, ka reaguar ndaj akuzave të shumta që kishte marrë për numrin e madh të futbollistëve të huaj që ka afruar në skuadër për këtë sezon të Serisë B. “Nuk i kuptoj akuzat. Investimet që ne kemi bërë në verë për këta futbollistë janë shumë të rëndësishme. Cilësia e këtyre lojtarëve është e padiskutueshme. Për shembull, Berat Gjimshiti është një lojtar i nivelit të Serisë A”, është shprehur presidenti gjatë një emisioni sportiv në Itali.
Berat Gjimshiti u afrua në verë tek Avelino në formë huazimi nga Atalanta për shkak të mungesës së hapësirës në ekipin e Serisë A. Tek Avelino, ai është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm, duke rifituar dhe vendin në kombëtaren shqiptare.

Yaya Toure i hiqet patenta për 18 muaj

Yaya Toure i është hequr patenta për 18 muaj, si dhe do të paguajë një gjobë prej 54 mijë stërlinash, pasi u kap duke i dhënë makinës në gjendje të dehur 28 nëntorin e kaluar. “Gjithmonë e kam refuzuar alkoolin dhe për mua ishte e rëndësishme që ta bëja gjykatësin të kuptonte se nuk kisha pirë alkool me qëllim”. Ishin këto fjalët e mesfushorit të Manchester City-t që vendosi të mos apelojë, duke pranuar vendimin e gjykatësit, i kënaqur mesa duket nga paragrafi në sentencë ku pranohet se nuk kishte pirë me ndërgjegje, detaj ky i rëndësishëm për një futbollist që gjithmonë është shfaqur si një mysliman i devotshëm.
Pas një fillimi të komplikuar të sezonit, me grindjet e vazhdueshme të agjentit të tij dhe Guardiolës dhe rikthimit në skuadër me dygolëshin ndaj Crystal Palace, Toure përballet sërish me një problem, edhe pse duket çështja është drejt mbylljes. Toure deshi ta sqaronte pozicionin e tij me tifozët edhe për shkak të besimit nëpërmjet një postimi në Facebook ku shkruan.
“Në këto dy javët e fundit është krijuar pak konfuzion, mbi arsyen se përse u arrestova për drejtim të makinës në gjendje të dehur, duke qenë se është e ditur se si mysliman nuk pi. Gjithmonë kam refuzuar alkoolin. Ata që më njohin apo ndjekin futbollin e dinë që kam refuzuar edhe shampanjën që jepet kur cilësohesh si ‘Njeriu i ndeshjes’ për shkak të besimit tim. Gjithsesi ishte e rëndësishme për mua t’i sqaroja gjykatës se nuk kisha konsumuar alkool me qëllim. Gjykatësi në vendimin e tij e pranoi se nuk kisha pirë me qëllim. Drejtimi i makinës në gjendje të dehur është një krim i rëndë, edhe pse nuk kam konsumuar me qëllim alkool, e pranoj vendimin dhe kërkoj falje për këtë situatë të krijuar”.
Për sa i përket trajtimit të kësaj çështjeje nga ana e Manchester City-t, Guardiola preu shkurt në konferencën e shtypit, “Është i disponueshëm për të luajtur. Radhës tjetër nuk do t’i japë makinës, por do të marrë një shofer. Është pjesë e grupit, nuk ka asnjë problem me klubin dhe më takon mua të vendos nëse do të luajë apo jo”.

Në “Çatinë e Botës”

Ta mbyllë 2016 në “Çatinë e Botës”. Është ky objektivi i Realit të Madridit, kampion në fuqi i Europës pas triumfit në Champions, kryesues në Spanjë dhe që këtë të enjte zbret në fushë në Yokohama në orën 11:30 me atë shqiptare, kundër meksikanëve të Club America në gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve. Zinedine Zidane është optimist, por e di që kundërshtarët ëndërrojnë një arritje të madhe dhe do të bëjnë gjithçka për të ndalur Kristiano Ronaldon me shokë.
“Të gjithë e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje, jemi këtu për të fituar, arritëm në Japoni pak të lodhur, por kemi patur kohë për t’u stërvitur dhe ambientuar dhe jemi gati për gjysmëfinalen. U përballëm me një shfaqje afeksioni të pabesueshme nga ana e tifozëve japonezë dhe duam t’i shpërblejmë me një ndeshje të madhe”, u shpreh Zidane.
Zidane që për këtë ndeshje nuk do të ketë njeriun e minutës së fundit, Sergio Ramos, i cili nuk është stërvitur në Japoni për shkak të një problemi muskular siguron që Reali i njeh mirë kundërshtarët, llojin e lojës që aplikojnë, si dhe lojtarët që kanë në dispozicion.
“Duam të bëjmë një ndeshje të madhe. E di që meksikanët thonë se nuk mjafton emri për të fituar. Jam dakord me ta dhe e di që duhet të luftojmë për të arritur finalen, këtë e dimë si unë dhe lojtarët e mi. Për mua shanset për të avancuar janë 50 me 50. Lojtarët meksikanë kanë talent dhe mund të të vënë në vështirësi. Ne nën presion? Atë e kemi gjithmonë, nuk besoj se jemi favoritë dhe as që jemi ne ata që kemi më shumë presion”, tha trajneri i Real Madridit.
Si gjithmonë Zidane beson te Kristiano Ronaldo që do të luajë ndeshjen e tij të parë pasi fitoi për herë të katërt në karrierën e tij të pasur Topin e Artë.
“Ronaldo ka stimuj të jashtëzakonshëm, por ai dëshiron të fitojë dhe miqësoret, madje edhe ato në stërvitje me shokët e skuadrës. Nëse është ai më i miri në historinë e Realit? Askush nuk mund të fitojë ato që ka fituar ai, besoj se nuk është e ekzagjeruar të thuhet se është lojtari më i mirë në historinë e Realit. Ka fituar 4 Topa të Artë, por mund të fitojë edhe të tjerë”, përfundoi Zidane.

Ronaldo sfidon Mesin

Fitimi i Topit të Artë nga Kristiano Ronaldo ka ndezur sërish sfidën mes yllit të Realit të Madridit dhe Leo Mesit. Argjentinasi është sërish para dhe komandon me rezultatin 5-4 në garën se cili prej tyre ka fituar më shumë çmimin më prestigjioz individual në botën e futbollit. Dhe është padyshim interesante të dëgjosh Ronaldon teksa flet për rivalin e tij të madh, e madje lëshon edhe një provokim intrigues.
“Nëse do të kisha luajtur bashkë me Mesin, tani do të kisha fituar më shumë Topa të Artë. Do të ishte vërtet interesante ta shikonim njëri-tjetrin në të njëjtën skuadër. Mendoj se futbollistët e mëdhenj duhet të luajnë bashkë. Kështu që unë mendoj se nëse do të kishim luajtur bashkë do të kisha fituar më shumë unë se sa ai, por gjithsesi nuk do të kishte ndonjë distancë të madhe”, u shpreh Ronaldo.
Përtej sugjerimit të Ronaldos, lufta mes tyre vazhdon dhe portugezi pavarësisht vlerësimit dhe respektit për yllin e Barcelonës garanton se dueli mes tyre në distancë do të vazhdojë të dhurojë kënaqësi të mëdha për të apasionuarit pas futbollit. “E dinë të gjithë që Mesi është një lojtar i madh, ka fituar 5 herë Topin e Artë. Unë do të kërkoj ta parakaloj në sezonet e ardhshme. Do të jem aty për ta luajtur këtë sfidë, si gjithmonë”, tha portugezi.
Të dy do të gjenden sërish përballë njëri-tjetrit, më 9 janar, këtë herë për Çmimin Lojtari më i Mirë i Vitit nga FIFA, me Ronaldon që sërish mbetet favorit.