Arsenali nuk arriti të marrë kreun e renditjes në Premier League pasi u mund 2-1 në “Goodison Park” me Ashley Williams që ishte protagonisti i kësaj ndeshjeje me golin e tij në minutën e 86. Mbrojtësi i Evertonit e mbylli mbrëmjen me një autogol dhe një gol, duke korrigjuar madje dhe momentin e pafat të pjesës së parë, kur Arsenali mori epërsinë pikërisht si pasojë e një devijimi të tij pas goditjes së Alexi Sanchezit.
Arsenali nuk arriti të mbyllë ndeshjen në momentin e tij më të mirë, me Evertonin që para fundit të pjesës së parë arriti të barazojë me Colemanin. Barazimi i dha zemër për pjesën e dytë formacionit të Koemanit që rrezikoi disa herë për të marrë epërsinë. Gjithsesi pas një goditje këndi në të 86-tën Williams arriti t’i japë epërsinë të tijve. Emocionet megjithatë në këtë sfidë nuk kishin përfunduar pasi në të 94-trën, e gjitha mbrojtja e liverpulasve e rreshtuar te vija e portës arriti të largojë rrezikun duke rikthyer te suksesi Evertonin pas 6 javësh, ndërsa për “Topçinjtë” ishte vetëm humbja e dytë sezonale dhe e para pas 14 ndeshjesh.
Evertoni, leksion Arsenalit
Dele Alli, i premton besnikëri Tottenhamit
Mesfushori i Tottenham, Dele Alli, i premton besnikëri fanellës së “Spursave”. 20-vjeçari, i cili sapo ka rinovuar kontratën me skuadrën e drejtuar nga Mauricio Pochettino, theksoi se nuk arrin ta imagjinojë dot veten larg “White Hart Lane”. Ai theksoi se Tottenhami është skuadra e duhur që ai të rritet dhe të përmirësohet akoma më shumë si futbollist.
Paco Alcacer drejt largimit nga Barcelona
E ardhmja e Paco Alcacer po projektohet larg Barcelonës. Sulmuesi ndihet i eklipsuar nga treshja Messi-Suarez-Neymar dhe për këtë arsye mund të vendosë të ndryshojë ambient gjatë merkatos së dimrit. Ish-futbollisti i Valencias, sipas mediave spanjolle, do të ishte një sulmues i përkryer për skuadra si Real Sociedad, Las Palmas, Espanyol e Celta Vigo. Gjithsesi në janar pritet të vendoset se ku do të luajë 23-vjeçari për pjesën e mbetur të sezonit.
Ronaldo mund të vishet zikaltër
Joao Mario bën të ëndërrojnë tifozët e Interit. Mesfushori portugez i zikaltërve, një mik i Kristiano Ronaldos, është shprehur për mediat italiane se mund ta bindë sulmuesin e Realit që në të ardhmen të transferohet tek Interi. “Nëse një ditë Ronaldos i duhet të largohet nga Reali dhe do të mendojë të luajë në Serinë A, mendoj se do të isha në gjendje ta bindja që të vishte fanellën ziklatër”, u shpreh Joao Mario.
Një lëvizje e tillë vështirë se mund të ndodhë pavarësisht dëshirës së tifozëve të Interit për ta parë CR7 me ngjyrat ziklatër. “Për Interin do të ishte krenari të firmoste me Ronaldon, por ne e dimë që ai sot është lojtar i Realit të Madridit. Luan dhe po fiton atje prej shumë kohësh dhe është simbol i skuadrës”, tha ai.
Nga ëndrrat për Kristiano Ronaldon tek aktualiteti zikaltër. Joao Mario e sheh të mundshëm klasifikimin në treshen e parë të Serisë A në fund të kampionatit. “Championsi është i mundur, edhe matematika na e lejon. Duhet të zhvillojmë një fazë të dytë perfekte. Sassuolo dhe Lazio? Duhet të zbresim në fushë sikur të mos ketë një të nesërme, pa duhet të fitojmë 4-5 ndeshje radhazi për të rigjetur besimin”, tha portugezi i Interit.
23-vjeçari dalëngadalë po imponohet me lojën e tij në formacionin zikaltër, por ai shton se ka ende vend për përmirësim dhe këtë ia lejon edhe mosha e re.
Mashtrimi i Ramës me pakënaqësinë ndaj qeverisë së tij
Silvi BARDHI
Edi Rama vazhdon të luajë rolin e spikerit me promter, në leximin e teksteve të gjetura gati dhe të transmetimit të fjalës me tendencën e të dukurit sportiv, moskokëçarës dhe aktrues. Një rol që ai di ta luajë bukur, me shpikjen e re të monologut të çdo të diele pasdite, në zyrën e ngrohtë, në kolltukun e rehatshëm.
Këmbanat që shoqërojnë siglën e metodës së re të propagandës, trokitjet e akrepave simbol i paralajmërimit të një lajmi jo të mirë, nuk kanë asgjë të përbashkët me optimizmin që kërkon të imponojë kryeministri. Nuk ka asgjë optimiste, kur reagimi i komentuesve është kundrapesha më e fortë që i bëhet delirit. “Nuk kemi bukë të hamë”, “Si do i festojmë festat?”, “Lëri reklamat, na gjej punë”, “Hë dole edhe sot?”, “Kthyet luftën e klasave”, “Zoti Kryeministër nuk kemi nevojë të na recitosh”, “Realiteti nuk është ashtu si e sheh”. Ne të moshës 59 vjeç pse na i hoqe kartat e shëndetit, duke na hequr nga sistemi, nuk kemi lekë të bëjmë analiza”.
Në monologun e fundit, Edi Rama foli për arsimin. Me të njëjtin ritëm mbrojtës e kokëfortë ndaj skandaleve në arsim. Mjafton të kthehemi pak në kohë. Prindërit ishin të parët që denoncuan dhjetëra skandale në tekstet shkollore të nxënësve të shkollave fillore, 15-vjeçarëve, për të cilët Rama mburrej.
Në tekstet shkollore të Rilindjes u mësohej fëmijëve 7-8 vjeç të klasës së dytë, që të tresnin shkumësin në ujë. “Po, po! Treteni shkumësin në ujë, pijeni dhe do ju rritet temperatura!”, thuhej në tekst. Një tjetër rast skandaloz, por që për Ramën dhe Nikollën është krenari, ishte përshkrimi i jetës së të një alkoolizuari i cili i kërkonte para familjes, por pas problemeve me policinë ai përfundoi në burg, fëmijët i la jetimë dhe këta të fundit krijuan urrejtje për të atin.
Një tjetër tekst skandaloz, për të cilën Rama dhe Nikolla janë krenarë, duke krijuar një “revolucion” në arsim, e duke parë më në fund dritën në tunel. “Ti dukesh si një princ i vërtetë, por ti je fare toç. Dhe pas kësaj, ata nuk u martuan”. Tek “Probabilitetet & Statistika e zbatuar”, studentët duhet të zgjedhin nëse duhet të vdesin para apo pas motrave të tyre. “Nëqoftëse ju zgjidhni i pari, sa është probabiliteti që ju nuk do të vdisni, po qe se motra juaj dihet se nuk do të vdesë?” Turp! Studentëve të mjekësisë u mësohet ende se sistemi radiologjik është ngritur nën kujdesin e Partisë. Tek epidemiologjia, thuhet se fëmijët duhet t’i ekspozohen më shumë muzikës së Bujar Qamilit, sepse u rrit inteligjencën. Muzika e tij është vërtetë për t’u admiruar, por në këtë rast kemi të bëjmë me një skandal pedagogjik.
Në një libër të fizikës, gjatë një problemi duhet të llogaritet frekuenca e zërit të studentit, kur djallin i cili rri pezull në humnerë. Të përcaktohet rrahja e zemrës së studentit, kur djalli i kalon përballë. Përveç se skandaloze, rastet e publikuara nga studentë, nxënës dhe prindër, nuk përfundojnë me kaq. Media ka raportuar tekstin e Hyrjes në Informatikë, për vitin e parë të degës së Informatikës, me përkthime nga Google Translate.
Gabimet ortografike, shenjave të pikësimit, sintaksës janë raportuar mjaft të shpeshta në tekstet e rilindjes në arsim. Ku mund ta gjejë krenarinë kryeministri pas këtyre fakteve, të cilat kanë bërë të reagojnë mësues e pedagogë, pavarësisht presionit për vendin e punës? Nëse kjo është mënyra e edukimit të gjeneratës tjetër, atëherë je në misionin e gabuar zoti kryeministër, aq më tepër të mënyrës së shpëlarjes së memories dhe logjikës së një populli. Të mos qenit i kënaqur as me qeverinë e as me veten, nuk të purifikon as si lider, as si vizionar. Është thjesht një kamuflim që i bëhet dështimit si pretendent për ndryshimin famëkeq të sistemit në Shqipëri. Përulësia nuk është veti e jotja, por një metodë e diktuar, e cila po aktrohet keq!
Vetëm bëni sikur…
Hasan KOSTRECI
Tema që para pak ditësh shtjelloi në studio drejtuesja e emisionit televiziv, “Ora News”, Ilva Tare, “Ç’farë bëmë me demokracinë”, ishte interesante, por edhe pjesëmarrësit e ftuar në atë emision, duke qenë jo vetëm gazetarë apo analistë të njohur, por edhe të pjekur në mendime, pyetjes iu përgjigjën saktë dhe me mjaft seriozitet.
Megjithatë këdo që ata fajësuan, për mos mbarëvajtjen e proceseve demokratike në këto njëzet e gjashtë vjet, si mentaliteti i prapambetur i popullit tonë, i cili vjen nga një diktaturë e gjatë dhe e egër komuniste, varfëria, mediokriteti apo kryeneçësia e politikanëve e të tjera që u përmendën aty, qëndrojnë, por nuk e tha, si të thuash hapur ajo që, për mendimin tim, është më kryesorja dhe e rëndësishme.
Kur Napoleon Bonoparti pyeti një nga gjeneralët e vet se pse e kishte humbur një betejë? Ai iu përgjigj; Për shumë arsye madhëri. E para, na u mbarua municioni. Mjaft, ndërhyri perandori, sepse nuk ka nevojë më për të tjerat’. Pra, nëqoftëse politikanëve u ka munguar dëshira dhe vullneti, që ne si shoqëri të ecim përpara e të integrohemi, të tjerat janë sekondare.
Po të vihet re, gjithashtu, se që të gjitha ngjarjet e ndodhura gjatë këtyre dy dekadave e gjysëm, si ‘97–ta, 21 Janari ose ndryshe siç është quajtur Ngjarja në Bulevard”, rasti i Komunës së Fierit, që u përmend edhe aty, vërtet qesharake, por dëmi qe tepër i madh, bojkotimet herë pas here në Parlament nga të dyja palët, greva e socialistëve përpara universitetit të tjera si këto, të cilat duke u bërë edhe në disa momente kyçe dhe tepër delikate, të bën të dyshosh se nuk ka qenë edhe aq për të kundërshtuar njëra-tjetrën si parti, se sa me një qëllim të përbashkët, për të prishur imazhin e Shqipërisë. E njëjta gjë është bërë edhe me sjelljen brutale ndaj disa biznesmenëve të huaj që vijnë për të investuar miliona dhe ikin për të mos u kthyer më kurrë.
Por edhe antagonizmi që po shohim aktualisht midis politikanëve nga të dyja partitë për Reformën në Drejtësi, të duket më tepër si falsifitet, bile ndonjëherë, dëshiroj që të jem i gabuar, si teatër dhe nëse tensioni herë bije dhe herë ngrihet sipas rastit, më tepër për ta bërë atë sa më interesante dhe tërheqëse për publikun, ndërsa skenari mbetet i njëjtë dhe ashtu siç është lënë amanet nga Ramiz Alija, “Vetëm bëni sikur”.
Pra, kontradita, në realitet për të gjitha problemet e ngritura, ku dhe kjo është një tipar themelor i demokracisë, po a janë ato realisht apo vetëm në dukje, sepse me “Vetëm bëni sikur”, është praktikuar edhe për ligjin e ilustracionit, për ligjin e pronave, për hapjen e dosjeve, të dekomunizimit e të tjera si këto dhe si përfundim të gjitha kanë mbetur zvarrë dhe asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar.
Oferta e ish-kancelarit gjerman, Shtraus në tetëdhjet e pesën, kur gjendja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve ishte katastrofale, nga regjimi i atëhershëm u refuzua kategorikisht dhe arsyeja e vetme, sepse atyre u rrezikohej pushteti. Mos ka të ngjarë që ky fenomen po përsëritet edhe tani që ne asnjëherë të mos integrohemi në Europë!
Është thënë se gjenerata e re dhe sidomos ajo studentore nuk duket edhe aq intelektuale, e pjekur dhe si rezultat edhe e paaftë për të marrë në dorë fatet e shoqërisë. Pra, del që shanset edhe kjo t’i ketë që nesër të katandiset më shumë në një turmë, se sa popull. E kujt atëherë i leverdis ky fenomen.
Edhe ndonjë veprim që ata në mënyrën e tyre të pjekur apo të pa pjekur, bëjnë, quhet ekstremizëm dhe bombardohet nga opinioni dhe media aq shumë, sa ata paralizohen. Ekstremizëm u quajt gjithashtu edhe veprimi para disa vitesh e një ish-të burgosuri, i cili protestën e tij e shprehu, duke u vetë djegur. A mos është ky një mentalitet i mbetur nga komunizmi, që ‘Murit nuk i bihet me kokë’. Jemi në demokraci dhe duhet pasur kurajo për të kundështuar çdo gjë që duket e padrejtë, ndryshe teoria e R. Alisë, “Vetëm bëni sikur” do të vazhdojë ende gjatë, ndofta edhe për njëzet e pesë vjet e më shumë të tjera.
Kreu i BDI, Ali Ahmeti refuzon Ramën
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka refuzuar takimin e kërkuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me krerët e partive shqiptare në Maqedoni.
Mediat në Maqedoni njoftuan se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ftuar në takim në Tiranë liderët e katër partive politike shqiptare dhe dje ka takuar liderin e Lëvizjes Besa, Bilal Kasami dhe liderin e LR-PDSH-së, Ziadin Sela, ndërsa pritej të takonte edhe kryetarët e BDI-së, Ali Ahmeti dhe atë të PDSH-së, Menduh Thaçi.
Dje Rama, pas takimit me krerët e partive politike në Maqedoni, tha: “Meqë Maqedonia është në përfundim të një procesi zgjedhor, shqiptarët duhet të përfitojnë nga ky rast për t’i përgëzuar të gjithë të zgjedhurit pa përjashtim, por ata shqiptarë në mënyrë të veçantë se ata do të gjejnë forcën të çojnë një axhendë përpara për të bashkëjetuar demokratisht me maqedonasit, për ta rivendosur në axhendat e tyre partiake Marrëveshjen e Ohrit, si emërues i përbashkët dhe të kërkojnë me një zë që programi i qeverisë së re, të futet në kornizën e Marrëveshjes së Ohrit.
Partitë shqiptare në Maqedoni nuk janë të detyruara të pajtohen me gjithçka, por janë të imponuara nga interesi i shqiptarëve, që të flasin me një zë për të vetmen gjë që nuk mund të ndahen”.
Moody’s: Shqipëria vendi më problematik për kreditë e këqija
Sistemi i brendshëm bankar i Shqipërisë është i ngarkuar me kredi të këqija, të cilat arritën në gjysmën e parë të vitit në mbi 20% të totalit, pak poshtë nivelit 23.5% në fund të vitit 2013, teksa shihet se niveli i huave të këqija ka pësuar ulje në Serbi dhe Bosnje për të njëjtën periudhë.
Në analizën e posaçme për Shqipërinë, Agjencia e Vlerësimit të Riskut të Borxhit, Moody’s vë në dukje se, në gjysmën e parë të këtij viti, kreditë me probleme pësuan rritje vjetore me 1.17 pikë përqindje.
Ky nivel i kredive me probleme e bën vendin me renditjen më të keqe në rajon për NPL-të, shprehet Moody’s.
Pjesa më e madhe e kredive me probleme janë brenda filialeve të bankave greke, dy prej të cilave, Alpha Bank dhe Tirana Bank, kanë raporte të NPL-së afër 40% të totalit të kredisë që kanë dhënë. Për këtë arsye bankat greke janë tashmë objekt i kërkesave të larta për kapitalin minimal dhe mbikëqyren ngushtësisht nga Banka e Shqipërisë.
Kreditë për individët kanë një cilësi më të përmirësuar në raport me totalin e NPL-së, me vetëm 12% nga 15% që ishte ky tregues më 2015.
Megjithatë, shumë kredi me probleme kanë të bëjnë me pasuritë e trashëguara, për të cilat autoritetet po shtyjnë reformat për të lehtësuar ristrukturimin e këtyre kredive.
Përveç kësaj, autoritetet kanë përgatitur një plan veprimi për adresimin e 35 korporatave kredimarrëse të këqija, të cilat janë përgjegjëse për rreth 50% të vlerës së NPL-ve, thotë Moody’s. Por Agjencia e Vlerësimit të Borxhit analizon si pengesë për reduktimin e kredive të këqija përqendrimin e kolateralit në disa sektorë, të tilla si pasuri të patundshme, ku mungesa e një sistemi funksional të ekzekutimit rrit kompleksitetin dhe pasigurinë që rrethon këtë proces.
Vendi me sistemin më të prapambetur të pagesave
Vendet e rajonit të ECA ku përfshihen 12 shtete të Europës Përendimore, Ballkanit dhe Azisë Qendrore kanë ende hapësira të mëdha për të zhvilluar biznesin e shërbimeve të pagesave. Një studim i posaçëm i Bankës Botërore tregon se vendet kanë akses të ulët në këto shërbime dhe veçanërisht Shqipëria paraqitet shumë dobët.
Siç shihet nga të dhënat krahasuese, Shqipëria ka numrin më të ulët të pikave të shërbimit për pagesa ndër 12 vendet e rajonit ECA, madje me diferencë shumë të madhe. Gjithashtu vendi ynë ka numrin më të ulët të ATM-ve. Situata dramatikisht ndryshe në aksesin në pagesa lidhet me faktin se institucionet e pagesave nuk janë të pranishme në zonat rurale të vendit tonë. Madje ato janë shumë të kufizuara jashtë rajonit Tiranë–Durrës.
Ekspertët ndërkombëtarë kanë analizuar se pagesat elektronike ofrojnë potencial të madh për të integruar familjet me të ardhura të ulëta. Nga këto shërbime prodhuesit bujqësorë, shitësit dhe segmente të tjera të margjinalizuara të ekonomisë do të ulnin kostot.
Zgjerimi i shërbimeve të pagesave është gjithashtu instrumenti më efektiv për të formalizuar ekonominë. Me zgjerimin e pagesave jo cash qeveritë mund të kenë një pasqyrë më të saktë për zhvillimet në ekonominë reale dhe mund të shfrytëzojnë këtë panoramë për të mbledhur më shumë taksa.
Por, përdorimi i gjerë i pagesave elektronike kërkon përmirësime financiare, infrastrukture komunikimi, ligjore dhe rregullative.
Po bëhen përpjekje në disa vende të ECA-s për të përmirësuar ligjet dhe kuadrin rregullator. Por transformimi i infrastrukturës së pagesave mbetet një sfidë e madhe. Infrastruktura financiare në shumicën e vendeve të ECA-s është e lidhur me shërbimet tradicionale bankare.
Por ekspertët sugjerojnë se përhapja e gjerë e transaksioneve elektronike kërkon shërbime të lehta për t’u përdorur, terma dhe kushte tërheqëse dhe të përshtatshme.
Ligj për ndërhyrje të jashtëzakonshme në banka
Në Komisionin e Ekonomisë u miratua Ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”. Ai u hartua për të garantuar ndërhyrjen në banka në rast se do të ketë ngjarje të jashtëzakonshme. Me ndryshime të vogla, Komisioni kaloi 89 nenet pa shumë diskutime. Ligji pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ai vendos në dispozicion të Autoritetit Mbikëqyrës, Bankës së Shqipërisë, një tërësi instrumentesh ligjore për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshëm e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha ose në gjendje kolapsi, në mënyrë që të sigurohet vijueshmëria e funksioneve financiare dhe ekonomike me rëndësi kritike të bankës, gjithmonë duke minimizuar efektin që ka kolapsi i saj tek ekonomia dhe sistemi financiar.
Këto instrumente sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps të tillë të jenë aksionerët dhe pas tyre kreditorët, me kusht që asnjë kreditor të mos mbartë humbje më të mëdha se humbjet që do të pësonte nëse banka do të ishte likuiduar sipas procedurës së zakonshme të likuidimit të detyruar në zbatim të Ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.
Për këtë, ligji parashikon krijimin e një fondi me kontribute kryesisht të vetë bankave, i cili synohet të konsolidohet në disa vjet dhe në rast të një rreziku në përputhje me kushtet e përcaktuara në ligj të përdoret “për të shpëtuar” një apo disa banka. Ky fond do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave.