Nëse doni të dilni në pension, në vende ku klima është dhe më e ngrohtë, duhet të merrni në konsideratë vendet e Europës Juglindore, si: Bullgaria, Maqedonia, Turqia dhe Greqia. Në këto vende mund të dilet në pension pas 31 apo 32 vitesh.
Në Shqipëri, individi pritet që të jetë aktiv në tregun e punës për 35 vite, në mënyrë që të përfitojë pension të plotë. Një shifër kjo që është më e lartë se Maqedonia, Greqia apo Turqia. Sipas raportit për 2015-ën të Eurostatit, periudha aktive në tregun e punës është më e shkurtra për italianët, nën 31 vite.
Në mbarë Europën, popullsia në plakje dhe presioni që i shkaktojnë arkës së shtetit, po detyrojnë shumë qeveri që të rrisin moshën e daljes në pension.
Megjithatë ka shumë diferenca sipas shifrave të dala nga zyra e statistikave e BE-së, i cili mati se sa gjatë do t’i duhet një individi të moshës 15 vjeç që të jetë aktiv në tregun e punës.
Malta, ku mosha e pensionit është rritur deri në 65 vjeç për të dyja gjinitë, e shtoi pjesën më të madhe të viteve të aftësisë për punë midis viteve 2005 dhe 2015. Në Maltë njerëzit duhet të punojnë rreth 5 vite më shumë se sa një dekadë më parë.
Disa vende europiane, përfshirë dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë, e kanë rritur moshën e daljes në pension me më pak vite, por për një moshë më të lartë. Të dalësh në pension në moshën 67 apo 68-vjeçare do të jetë ligj në vend në të ardhmen. Për më tepër, mosha e daljes në pension për burrat dhe gratë është në një linjë, duke i vendosur ato në një nivel fiks.
Islanda kryeson listën e vendeve europiane ku njerëzit duhet të punojnë më gjatë, afërsisht 46.6 vite punë, rreth 16 vite më shumë se italianët. Në Zvicër duhet të punosh më shumë se 42 vite.
Në Suedi jeta aktive në punë duhet të jetë jo më shumë se 41 vite. Më pas renditet Holanda, Danimarka, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, me një deri në tri vite më pak se Suedia.
Vendi ku rropatesh për të dalë në pension
Themistokli Gërmenji dekorohet me “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani vlerësoi gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar dje në institucionin e Presidentit atdhetarin dhe patriotin e shquar, Themistokli Gërmenji (pas vdekjes) me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Atdhetar i shquar, prijës i përmendur i lëvizjes patriotike kombëtare për Pavarësinë e Shqipërisë dhe çlirimin e trojeve të saj, kryesisht i përpjekjeve për shpalljen e Krahinës Autonome të Korçës”.
Kreu i Shtetit ia dorëzoi dekoratën e lartë Kryetares së Këshillit të Qarkut Korçë, Ana Verushi, e cila në prani të autoriteteve vendore, akademikëve e studiuesve dhe trashëgimtarëve të patriotit-simbol të identitetit kombëtar, u zotua se vlerësimi dhe dekorata do të ruhet dhe do të ekspozohet në shtëpinë-muze të Themistokli Gërmenjit.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani e cilësoi këtë ceremoni si shprehje të respektit ndaj një figure të shquar dhe unike të historisë së Shqipërisë: “Yll i ndritur i patriotizmit shqiptar, që edhe në fikje e sipër ndriçoi madhërishëm si një meteor i pashuar kombin e tij të vogël”.
“Është fjala për një figurë të shtrenjtë të panteonit tonë të heronjve kombëtarë si Themistokli Gërmenji, kujtimi i të cilit na ka mbledhur sot në këtë sallë. Emri dhe vepra e Themistokli Gërmenjit janë vlera jo vetëm të një kohe të asaj periudhe të turbullt dhe kanosëse që kaluan shqiptarët në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit të XX, por ato ende vazhdojnë të rrezatojnë fuqishëm në kujtesën tonë kolektive edhe në këtë epokë të globalizmit që ka përfshirë të gjithë botën. Ato janë para së gjithash simbole të rralla të identitetit tonë shtetëror me çelësin e të cilit, paraardhësit tanë hapën derën e Pavarësisë sonë prej nga vërshoi vrullshëm vullneti i këtij populli për të ngritur shtetin e ri, si të tilla emri dhe vepra e tij nuk i përkasin aspak dhe vetëm atij qyteti të mrekullueshëm, Korçës së vyer e të shtrenjtë, për të cilën thuri ëndrrat më të bukura, Ai nuk është thjesht biri i trevës së Korçës. Pikë së pari, ai është djali i adhuruar i të gjithë shqiptarëve të sotëm të brezave të shkuara, të tanishme dhe të atyre që do të vijnë, për arsye se ai mendoi e veproi, punoi e luftoi për një Shqipëri të lirë e të përjetshme që do ta gëzonin të tërë banorët e krahinave dhe trevave në mbarë territoret, ku flitet gjuha jonë e bukur shqipe”, tha më tej në fjalën e tij Kreu i Shtetit.
Presidenti Nishani vazhdoi më tej me përshkrimin e atyre ngjarjeve historike që shoqëruan Shqipërinë që nga fundi i shekullit XIX, kur fati i vendit u vu në pikëpytje nga shovinizmi ballkanik që synonte copëtimin integral të trojeve tona dhe zgjimit të ndjenjave atdhetare që erdhën prej shqiptarëve të emigruar të kolonisë së Bukureshtit. Mes tyre, spikati emri i Themistokli Gërmenjit, cili nga pronar i hotelit “Liria” në qytetin e Manastirit u bë një nga strategët e së ardhmes që u vu në krye të luftës së armatosur, atje ku e thërriste ndërgjegjja në vendlindje.
Kreu i Shtetit evidentoi rolin e Themistokli Gërmenji si arkitekti i Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin të Korçës kur më 28 nëntor 1912 ngriti flamurin kuq e zi dhe ku njohu autoritetin e qeverisë së re të Ismail Qemalit, emigrimin e tij të dytë në Bullgari pas pushtimit të vendit, aktivitetin e tij politik me botimin e revistës “Biblioteka Zëri i Shqipërisë” në Sofje, e cila u kthye në një tribunë e çështjes shqiptare, zëri i së cilës arriti të ngacmonte dhe vëmendjen e administratës së Presidentit Uillson.
“Pikërisht në kulmin e dyluftimit të ushtrive të huaja në Luftën e Parë Botërore në sajë të intensifikimit të mjeteve të transportit që u futën në Shqipëri u masivizua futja e kësaj reviste me cilësi profesionale në vend, që e ngriti reputacionin e Themistokli Gërmenjit në apoteozën e tij. Ishte ky nderim publik për të ngritur ngadalë në kuotat më të larta që përgatiti etapën e fundit më të lavdishme të karrierës së tij, por qe edhe faza e fundit finale tragjike e shtegtimit të jetës së tij që u ndërpre në mes, shoqëruar natyrisht me një trishtim tejet të thellë.
Erërat që frynin në motin e acartë të Luftës së Parë Botërore qenë aq të egra sa e goditën për vdekje Themistokli Gërmenjin, shtetarin e duhur shqiptar, që do të zbatonte kompromisin brilant të historisë mes trupave ushtarake franceze e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Korçë. Në sajë të punës e kontributit të tij, Krahina Autonome e Korçës ishte një etalon i aftësive shtetformuese shqiptare pikërisht në një zonë që ishte bërë prej kohësh një qendër e qytetërimit shqiptar”.
Shumë njerëz ndahen fizikisht, por të respektuar prej nesh, duke mos lënë asnjë gjurmë, por ka edhe të tjerë që enden në kujtesë si shenjtorë të lirisë. I tillë mbetet për Korçën dhe Shqipërinë, Themistokli Gërmenji, ky bir i përhershëm i Pavarësisë së shqiptarëve kudo ku ata gjenden, ndaj ai dhe kujtimi i tij do të jetojnë gjithmonë, duke qenë përjetë i pavdekshëm. Ndaj, është në nderin tim sot, që në cilësinë e Presidentit të Republikës, të vlerësoj patriotin e luftëtarin Themistokli Gërmenji (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Vlerësimi për ata që luftuan për këtë vend nuk do të rreshtë kurrë, dhe le të jetë kjo ceremoni një hap tjetër drejt nxjerrjes në pah të atyre që dhanë kaq shumë për Shqipërinë dhe të cilëve u detyrohemi për t’i nderuar!” – u shpreh Presidenti i Republikës.
OKB: Shqipëria të hetojë krimet e diktaturës
Shqipëria duhet të punojë në mënyrë të veçantë për rikthimin e të drejtave të viktimave të komunizmit, dëmshpërblimin e familjeve të internuara dhe kthimin e pronës, kështu shkruhet në raportin paraprak të publikuar dje nga grupi i punës së OKB-së.
Ekspertët tregojnë se, në vend ka mungesë të vullnetit politik për dënimin e krimeve të epokës së komunizmit, pasi sondazhet tregojnë se ende shumë njerëz e konsiderojnë si një periudhë pozitive.
Zyrtarët e të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara i kanë bërë thirrje Shqipërisë për të siguruar të drejtat e viktimave të regjimit brutal.
“Assosiated Press” shkruan se gjatë sundimit të Enver Hoxhës, Shqipëria u bë vendi më i izoluar në Evropë dhe me kushte të mjerueshme për jetesën. Rreth 6 mijë persona të zhdukur që nga viti 1944 deri në 1990-ën. Rreth 6 mijë të tjetër janë vrarë, 34 mijë janë burgosur dhe 50 mijë janë dërguar në kampe internimi.
Në raportin e OKB-së thuhet se, shumica e të zhdukurve mendohet se kanë vdekur edhe pse vendet e varrimit nuk janë gjetur. Në shumicën e rasteve familjarët e tyre kanë zbuluar varret e viktimave, duke u mbështetur në burimet e tyre financiare.
“Ka raste të ndryshme, ku dëshmohet mungesa e përgjegjësisë së plotë. Institucionet hetimore dhe prokuroriale nuk kanë marrë ndonjë iniciativë për të hetuar dhe për të sjellë rastet në Gjykatë. Vetëm kohët e fundit zhdukja me forcë është përfshirë në mënyrë të qartë në Kodin Penal të Shqipërisë”, shkruhet në raport
Në të dhënat e publikuara të sondazhit të bërë nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi tregohet se 35% e të anketuarve nuk e konsiderojnë të kaluarën komuniste si problematik, ndërsa 42% besojnë se Hoxha kishte një ndikim pozitiv në histori. Këto rezultate vijnë si pasojë e mungesës së një procesi të plotë de-komunizmi në këto 26 vitet e fundit.
Kompania e kancelarisë tek milionat e shëndetësisë
Kompania Marketing & Distribution shpk e sipërmarrëses Vilma Nushi është një nga kompanitë që ka përfituar më shumë nga koncesionet e dhëna nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Kompania e saj është një nga dy kompanitë – kompania tjetër është Trimed shpk, ku 50 për qind të aksioneve janë po nën pronësinë e zonjës Nushi – që kanë fituar koncesionin 10-vjeçar të Check-up-it, me vlerë prej 5,4 milionë eurosh, dhënë më 27 tetor 2014.
Por, përpara se të përfshihej në shërbimin shëndetësor, kompania Marketing & Distribution shpk ka qenë veçanërisht e suksesshme në furnizimin e qeverisë Rama me mjete kancelarie (letra, dosje, kapëse letrash, bojë printerash etj).
Po të vëzhgojmë pagesat e qeverisë pas zgjedhjeve të 2013-ës, vëmë re një rritje të rrufeshme në pagesat ndaj kompanisë së zonjës Nushi në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2014, pra në të njëjtën periudhë kur ajo fitoi dhe koncesionin e Check-up-it.
Ajo që vihet re nga grafiku i mëposhtëm është se përpara ardhjes në pushtet të kryeministrit Rama, zonja Nushi nuk ishte një furnizuese në sasi të mëdha e mjeteve të kancelarisë.
Duke parë faturat e qeverisë në vitet 2014-2015 për kompaninë e zonjës Nushi, vëmë re se pagesat më të larta, kompania Marketing & Distribution shpk i ka marrë pikërisht në muajin që ka fituar dhe koncesionin e kontrollit të popullsisë, në tetor 2014.
Përpara muajit korrik 2015 dhe pas muajit shtator 2015, kompania Marketing & Distribution shpk nuk ka qenë furnizuesja e qeverisë për mjetet e zyrës.
Pra, si është e mundur që papritmas, në verën dhe vjeshtën e vitit 2014 e gjithë qeveria bleu letra, kapëse letrash e bojë printerash nga zonja Nushi?!
Dhe nuk bëhet fjalë për pak institucione: Kompania Marketing & Distribution shpk furnizoi me mjete kancelarie Policinë e Shtetit; Këshillin e Ministrave; Ministrinë e Punëve të Brendshme; Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës; Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës; Ministrinë e Shëndetësisë; Ministrinë e Drejtësisë; Ministrinë e Ekonomisë; Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve; Shërbimin Sekret; INSTAT; Qendrën Kombëtare të Regjistrimit; Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Qendrën Shëndetësore “Nënë Tereza”; Drejtorinë e Burgjeve; Gardën e Republikës; Drejtorinë e Krimit të Organizuar, njësitë ushtarake e plot të tjerë.
Furnizimi me mjetet e kancelarisë, sipas ligjit, duhet të tenderohen me anë të një procesi prokurimi publik. Duket e pamundur që gjatë verës dhe vjeshtës 2014, papritmas, kompania e zonjës Nushi “mundi” të gjithë konkurrentët në çdo tender për çdo institucion. Por kjo është ekzatësisht ajo që të dhënat e shpenzimeve të qeverisë Rama na tregojnë.
Exit.al
BERZH: Shqipëria, vendi më i korruptuar në Europën Juglindore
Anketa më e fundit për Jetën në Tranzicion nga Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim tregon se korrupsioni vazhdon të mbetet sfidë në Europën Juglindore.
Shqipëria, nga të gjithë vendet e Europës Juglindore (EJL) ka përqindjen më të lartë të të anketuarve që janë përgjigjur se kanë bërë personalisht apo nga një pjesëtar i familjes së tyre pagesa nën dorë ose dhurata në 12 muajt e fundit në pothuajse të gjitha shërbimet publike, të cilat mbuloheshin nga pyetjet e anketës.
Ndërsa për sa i përket pyetjes në lidhje me mënyrat për të luftuar korrupsionin, 25% e shqiptarëve të pyetur kanë dhënë si zgjidhje raportimin në momentin që hasin me të, 21% e tyre kanë thënë se njerëzit e thjeshtë nuk mund ta zgjidhin korrupsionin dhe 40% japin si alternativë refuzimin për të paguar ryshfet si mënyrën më të mirë për të luftuar korrupsionin.
Në lidhje me korrupsionin në shëndetësi, mbi 32% e shqiptarëve të pyetur kanë pohuar se kanë përjetuar korrupsion për shërbimet shëndetësore dhe shprehen të pakënaqur nga shërbimet e marra.
Vendet e EJL, të cilat kryesisht po kalojnë një periudhë tranzitore, i kanë bërë këto pagesa ndaj deputetëve (47% e të anketuarve e kanë pohuar këtë fakt), zyrtarëve qeveritarë (42% e të anketuarve e kanë pohuar), pushtetit lokal (39% e të anketuarve) dhe inspektorëve tatimorë (39% e të anketuarve kanë pohuar faktin).
Anketa analizon se si korrupsioni gërryen besimin te njerëzit në institucione të ndryshme dhe pakëson nivelin e kënaqësisë me shërbimet publike. Gjithashtu bën një lidhje të qartë midis përjetimit të korrupsionit te njerëzit dhe sensin e përgjithshëm të optimizmit për të ardhmen.
Anketa tregon se perceptimi i njerëzve dhe eksperienca aktuale e korrupsionit është ulur që nga 2006, por ende mbetet shumë e lartë në krahasim me vendet perëndimore. Perceptimi i korrupsionit ka rënë në të gjithë rajonin përveç Turqisë, Europës Lindore dhe Kaukazit.
Anketa tregoi se frekuenca e pagesave jo të rregullta në sektorin e shëndetësisë dhe ryshfetet ndaj policëve të trafikut mbeten më të larta në pjesën më të madhe të rajonit.
Sipas gjetjeve të reja, njerëzit në përgjithësi priren që të besojnë në Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura, presidentin dhe kryeministrin, si dhe tek institucionet fetare, ndërkohë që vetëm dy të treta e të anketuarve kanë shprehur besim ndaj qeverisë së tyre.
Anketa nënvizon një lidhje të fortë midis nivelit të korrupsionit dhe progresit në fusha si liria e shtypit, efikasiteti i demokracisë, qeverisë dhe sundimit të ligjit. Të pyeturit në vendet demokratike raportojnë më pak përjetime të korrupsionit se sa të pyeturit në vendet më pak demokratike.
Duke zbuluar lidhjen midis korrupsionit dhe pikëpamjes së njerëzve për jetën, raporti i publikuar tregon se korrupsioni është i lidhur në mënyrë domethënëse dhe negative me lumturinë, besimin dhe optimizmin e njerëzve.
Në veçanti, njerëzit që besojnë se pagesat nën dorë apo dhuratat janë të nevojshme që t’iu kryhen shërbimet publike në mënyrë efektive janë 4 pikë përqindje më pak të mundshëm për të qenë të kënaqur me jetën e tyre, sipas raportit.
Rezultatet tregojnë se të anketuarit, të cilët janë të shqetësuar për korrupsionin kanë më pak gjasa që të krijojnë besim tek të tjerët dhe të jenë optimistë për të ardhmen. Rreth një e katërta e pagesave nën dorë në arsim duket se janë të motivuara nga dëshira për të shprehur mirënjohjen. Pagesat nën dorë ndaj policëve të trafikut, gjykatave administrative apo shërbimive të sigurisë sociale janë më së shumti të bërë prej kërkesave të shprehura apo të nënkuptuara.
“Monitor”
Qeveria rrit borxhin me 307 milionë euro në 9 muaj
Banka e Shqipërisë raportoi se qeveria mban peshën kryesore në stokun e Borxhit të Jashtëm Bruto (BJB). Në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me 10% dhe në fund të muajit shtator 2016 shënon 3,373 milionë euro.
Më tej, Banka Qendrore sqaron se, borxhi i qeverisë së përgjithshme përbëhet nga huatë afatgjata, obligacionet dhe dëftesat. Teprica e huave afatgjata u rrit me rreth 204 milionë euro dhe ajo e obligacioneve me 103 milionë euro – për zhvillime të ndodhura kryesisht në tremujorin e katërt të vitit 2015, ndërsa gjatë nëntëmujorit të vitit 2016 rritja ka qenë më e ngadaltë. Huatë e qeverisë së përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ‘90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësonin 1% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori.
Në fund të muajit shtator të vitit 2016, Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë shënoi rreth 7,924 milionë euro. Gjatë tremujorit të tretë të vitit stoku i BJB u zgjerua me rreth 44 milionë euro, ndërsa referuar të njëjtës periudhë të një viti më parë, stoku është rritur me 488 milionë euro.
Në rreth 77% të vëllimit BJB është në trajtën e borxhit afatgjatë – kryesisht në formën e huave të zotëruara nga qeveria e përgjithshme. Borxhi afatshkurtër zotërohet kryesisht nga bankat. Sektori i qeverisë së përgjithshme zotëron pjesën kryesore të BJB, me rreth 43% të vlerës. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis bankave (17%), sektorëve të tjerë (16%), autoritetit monetar (1%) dhe hua midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt (23%).
Stoku i borxhit të autoritetit monetar ose Bankës së Shqipërisë ra përgjatë vitit me rreth 17% si pasojë e shlyerjes së huave të garantuara nga qeveria dhe në fund të muajit shtator 2016 shënon 62 milionë euro. Në masën më të madhe ky borxh përbëhet nga alokimet e SDR-së (93%), ndërsa huatë afatgjata të akorduara nga FMN-ja zënë respektivisht 7%.
Në fund të periudhës, stoku i borxhit të jashtëm bruto të sistemit bankar shënoi rreth 1,367 milionë euro duke u rritur me 71 milionë euro me një vit më parë. Përbërësit kryesorë të borxhit të bankave mbeten “monedhat dhe depozitat” dhe “huatë”, të cilat përfaqësojnë përkatësisht rreth 83% dhe 12% të totalit të borxhit të bankave. Stoku i borxhit të sektorëve të tjerë shënoi 1,301 milionë euro, në rritje gjatë vitit me 2%. Borxhit të jashtëm në formën e huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt “investime direkte – huave ndërkompani” arriti nivelin prej 1,821 milionë euro, duke u zgjeruar në harkun kohor të një viti me 95 milionë euro.
Nga pikëpamja e instrumenteve financiare, akumulimi i stokut të borxhit të jashtëm vijon të mbetet i përqendruar në formën e “investimeve të tjera” (me 70% të stokut të borxhit), kryesisht “hua”. Ndërkohë, “Investimet direkte” – shprehur në formën e huave midis kompanive – dhe “investimet e portofolit” përfaqësojnë së bashku rreth 30% të totalit të borxhit të jashtëm. Në harkun kohor të një viti, stoku i borxhit në formën e “huasë” u rrit me 185 milionë euro dhe në fund të muajit shtator 2016 shënon 3,939 milionë euro. Në të njëjtën kohë, borxhi në formën e “monedhave dhe depozitave” shënoi rritje me 94 milionë euro dhe borxhi në formën e kredive tregtare u rrit me 19 milionë euro.
Vlera e përgjithshme e tërheqjeve ose fluksi i borxhit të ri gjatë tremujorit të tretë të vitit 2016 për të gjithë ekonominë ishte 103.4 milionë euro. Tërheqjet e borxhit të ri gjatë këtij tremujori për të dy sektorët, publik e privat, shënuan përkatësisht vlerat 60.5 dhe 42.9 milionë euro. Rreth 58% e vlerës së borxhit të tërhequr gjatë periudhës i përket qeverisë së përgjithshme, ndërkohë bankat kanë marrë rreth 37% të borxhit të periudhës.
Shërbimi i borxhit (pagesat e principalit dhe të interesit) për të gjithë sektorët e ekonomisë, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2016, shënoi vlerën 75 milionë euro, dhe ka ardhur në rënie krahasimisht me periudhën paraardhëse. Nga këto, rreth 31 milionë euro u paguan nga qeveria e përgjithshme, 10 milionë euro nga sektorët e tjerë, 23 milionë euro nga sistemi bankar dhe 10 milionë euro nga autoriteti monetar. Nga vlera gjithsej e shërbimit të borxhit gjatë periudhës rreth 82% ka shkuar për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe rreth 18% ka shkuar për shlyerjen e interesave.
Bankat mbajnë peshën kryesore në shlyerjet e principalit për tremujorin e tretë të vitit 2016, me rreth 23 milionë euro ose 38% të vlerës së përgjithshme të principalit, ndërsa qeveria e përgjithshme mban peshën kryesore në shlyerjen e pagesave të interesit, me rreth 12 milionë euro ose 89% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara nga ekonomia.
“Monitor”
Kush është Rex Tillerson, inxhinieri i Donald Trump?
Më së fundi. Më së fundi “ethja” për postin e sekretarit të Shtetit është zgjidhur dhe po t’u qëndrosh sa ka shkruar “Wall Street Journal”, ajo ka rënë mbi të parin e listës midis kandidatëve të shumtë. Midis emrave të njohur që Rex Tillerson ka kaluar kanë qenë Mitt Romney, sfidant në primaret republikane dhe i pëlqyeri i partisë, më pas protagonist takimesh të ndezura me presidentin e sapozgjedhur, shpresa e të gjithë atyre republikanëve që e kanë urryer Trump si kandidat. Pastaj David Petraeus, gjenerali intelektual i vlerësuar për të cilin ishte folur shumë këtyre ditëve të fundit dhe Bob Coker nga Tennessee, presidenti ekspert i Komisionit të Jashtëm të Senatit.
Është emërimi më trumpian i një qeverie ku nuk mungojnë, sidomos në pikat nevralgjike, elementë vijueshmërie me administratën Obama dhe duar të zgjatura ndaj establishmentit të urryer republikan. Zotëria i naftës që transformohet në krye të diplomacisë amerikane pa ditur asgjë lidhur me protokollet, por duke ditur goxha shumë për biznesin global dhe marrëveshjet transkombëtare me marzhe të mëdha fitimi, është një mishërim shumë i pastër i trumpizmit dhe i kontradiktave të tij. Është Tillerson që i takon detyra madhore e shkurtimit të urëve me gjeninë e famshme të politikanëve “all talk, no action” duke shëtitur botën për ta bërë të madhe Amerikën, ashtu siç e ka bërë të madhe kompania bijë e shtëpisë së njohur të Rockefeller. Në vitin 2015 Exxon ka arkëtuar pothuajse 269 miliardë dollarë.
Ironia është se më trumpiani i anëtarëve të ekzekutivit nuk e ka mbështetur gjatë fushatës elektorale, duke preferuar në vend të tij Jeb Bush që është “low energy” në skenë, por nga energjia kupton prej përkatësisë familjare. Për faktin që janë vëllezër nga Texas, të dy kuptohen dhe Tillerson merret vesh edhe me të gjithë kandidatët republikanë të establishmentit që i ka financuar bujarisht në vite.
Sekretari i Shtetit i administratës Trump është një mbështetës i Marrëveshjes së Parisit (Trump është kundër), është në favor të zonës së shkëmbimit të lirë të vendeve të Paqësorit (Trump është kundër), mbështet Common Core (Trump është kundër), gjykon kërcënimin e ndryshimeve klimaterike të shkaktuara nga njeriu si “real” dhe “serioz” (Trump po e mendon) dhe është një boy scout (Trump i ka bërë boy scout donacionin më të vogël të karrierës modeste të tij prej filantropi: 7 dollarë).
Disa vite më parë në Council on Foreign Relations ka ilustruar pozicionin e tij kundër izolacionizmit që predikon presidenti i sapozgjedhur: “Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë të ashtuquajturën pavarësi energjetike në një tentativë iluzive për ta izoluar vendin nga impakti i ngjarjeve globale mbi ekonominë apo duhet të ndjekin rrugën e përfshirjes ndërkombëtare, duke kërkuar rrugë të reja për të konkurruar në tregun global të energjisë? Besoj se duhet të zgjedhim një përfshirje më të madhe ndërkombëtare”.
Zgjedhja e Tillerson ka pamjen e një kthese ndaj pozicioneve realiste dhe pragmatike më shumë se të një koncesioni ndaj idealit të America First. Kanë qenë Steve Bannon dhe Jared Kushner, diarkia transversale që duhet vëzhguar në qoftë se kërkon të kuptosh trumpizmin, që kanë shtyrë për emërimin e supermenaxherit që njihet para së gjithash për lidhjet e tij me Vladimir Putin, çështje biznesi midis lojtarësh të mëdhenj të energjisë që kundërshtarët pëlqejnë ta paraqesin si një diçka perverse. John Hamre, administrator i deleguar i një think tank, në të cilin Tillerson është këshilltar, thotë se sekretari “ka kaluar më shumë kohë me Putinin se çdo amerikan tjetër përjashto Henry Kissinger” dhe fytyra e kënaqur e menaxherit në shoqërinë e Putinit në dhënien e një çmimi prestigjioz miqësie është përhapur kudo sapo emri i tij ka nisur të qarkullojë. Njeriu i tij i besuar në Kremlin është i kudondodhuri Igor Sochin, Presidenti i Rosneft dhe këshilltar që pëshpërit në veshin e Vladimirit indikacionet më konservatore. Po t’u besosh komenteve në Twitter të Michael McFaul, ish-ambasadorit amerikan në Rusi (një njeri që e ka gjuhën e gjatë dhe për këtë arsye i është ndaluar hyrja në Rusi), të dy menaxherët janë “shumë të afërt me njëri-tjetrin”.
Dy janë emrat për postin shumë të rëndësishëm të zëvendësit të tij. I pari është John Bolton, diplomat i linjës shumë të ashpër (zgjedhja më e mundshme sipas “NBC”-së): për shembull, është i bindur se zgjidhja e vetme në diskutimin me Iranin është ndërmarrja e rrugës për një regime change të ajatollahëve, jo maksimumi për një njeri që me hir apo me pahir do ta gjejë të arkivuar marrëveshjen me të cilën Presidenti në ikje Obama e ka rikualifikuar diplomatikisht Teheranin në shkëmbim të një ngrirjeje të programit bërthamor. Emri tjetër është ai i Richard Haass, drejtor i fuqishëm i Council on Foreign Relations, një prej intelektualëve të politikës së jashtme më të vlerësuar nga Trump.
Tillerson, që në kompaninë Exxon ka hyrë si inxhinier prodhimi në vitin 1975, ka qenë kreu i një dege ruse të kompanisë dhe ka negociuar kontrata eksploruese në zonat e Arktikut të kontrolluara nga Rusia, ka luftuar fort për revokimin e sanksioneve ndaj Moskës, instrument që në përgjithësi gjykohet si joefikas. Një ndarje e pastër me një administratë si kjo e Obamës që i ka menaxhuar raportet me kundërshtarët nëpërmjet sokëllimës së sanksioneve, me rezultate mjaft modeste. Askush nuk është më i përgatitur se ai për të rindërtuar raportet me Moskën, prioritetin gjeopolitik e administratës Trump.
Përgatiti: ARMIN TIRANA
Vendim politik i Brukselit, Rama i padëshëruar në BE
Askush në BE nuk është dakort që t’i hapë Ramës dritën jeshile të Negociatave. Vendimi është tërësisht politik. Të gjitha kriteret e shtuara dhe të vendosura nga Bashkimi Europian janë politike. Ato janë një tregues i fortë i krizës politike në të cilën është sot Shqipëria. Nuk janë më as shtatë, por tetë kushte, sepse edhe Greqia ka mundur që të shtojë kushtin e saj ndaj Ramës sipas të cilit, Negociatat do të varen edhe nga marrëdhëniet me vendet fqinje.
Kushtet e Bashkimit Europian janë boshti mbi të cilin Rama ka ngritur qeverisjen. Kërkohet largimi i kriminelëve nga Parlamenti, qeveria dhe administrata, sepse Rama i ka mbushur institucionet me vrasës, përdhunues, trafikantë droge dhe prostituash. Kërkohen rezultate në ndëshkimin e korrupsionit tek zyrtarët e lartë, sepse Rama është sot kampioni i korrupsionit jo vetëm në Europë, por në rang global. Vendoset si kusht zhvillimi i zgjedhjeve që të plotësojnë standardet, sepse Rama e ka kthyer në sistem blerjen e votës me paratë e krimit dhe korrupsionit. Ndëshkimi i Shqipërisë në rrugën e saj europiane është direkt një përgjegjësi e Ramës. Kreu i organizatës kriminale që drejton qeverinë po mban sot peng vendin.
Refuzimi i ministrave të BE
Komisionit Europian i është kërkuar gjithashtu të paraqesë një raport për Shqipërinë, kur ajo të ketë bërë përparim të mjaftueshëm në këtë drejtim.
“Këshilli vëren pozitivisht rekomandimin e Komisionit për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë, në varësi të një përparimi të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi, në veçanti të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thekson teksti për Shqipërinë, i cili u diskutua sot nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare.
Ajo çfarë është për t’u theksuar, lidhet me hapësirën që i lihet Komisionit, për të mos pritur kalendarin për Zgjerimin, por që të mund t’i drejtohet vendeve anëtare më parë, nëse vëren përparim. “Këshilli fton Komisionin të raportojë mbi Shqipërinë, përveç paketës së zgjerimit, dhe do të rimarrë në shqyrtim Shqipërinë, kur të jetë kryer progresi i mjaftueshëm”, thekson teksti. Këtë vuri në dukje në konferencën për shtyp në përfundim të takimit dhe ministri i Jashtëm sllovak Miroslav Lajçak, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së.
Clipp “Ka një marrëveshje të qartë. Ne nuk do të kemi nevojë të presim raportin e ardhshëm të komisionit, në pranverë të vitit 2018, por ka një angazhim të Komisionit që të informojë apo të rishqyrtojë ecurinë e Shqipërisë, sa me shpejt apo kur të ketë përparim të prekshëm. Pra, unë mendoj se ky është një rezultat i qartë dhe pozitiv dhe se Shqipëria duhet të jetë e kënaqur”.
Ndërkohë Këshilli, kërkon që vendi të vazhdojë me zbatimin e 5 përparësive kyçe të identifikuara që në vitin 2014. “Duke rikujtuar përfundimet e mëparshme të Këshillit, përfshirë ato të dhjetorit 2015, Këshilli thekson se zbatimi i qëndrueshëm, i gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës i të 5 prioriteteve kyçe, duhet të garantohet përpara hapjes së negociatave”, nënvizohet në pjesën për Shqipërinë.
Pikat e tjera ishin një përmbledhje e gjetjeve të Raportit të Komisionit Europian, ku sërish një theks i veçantë i vihet rëndësisë së miratimit të Reformës në Drejtësi. Reforma mbetet kyç për shtetin e së drejtës dhe mund të jetë transformuese edhe për fusha të tjera, ndërsa Komisioni ftohet të intensifikojë angazhimin e vet teknik me Shqipërinë në fushën e shtetit të së Drejtës. Po ashtu, Shqipërisë i kërkohet që “të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të sigurojë se rezultate në luftën kundër korrupsionit do të ketë dhe në nivele të larta, sikundër duhet të garantohen në mënyrë progresive dhe rezultate më efektive në shkatërrimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe trajtimin e çështjes së prodhimit të drogës dhe trafikimit”.
Në pjesën për Shqipërinë theksohet gjithashtu, se “dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për reformat që lidhen me integrimin europian mbeten kyç për avancimin e mëtejshëm të axhendës së reformave dhe e çon vendin më afër BE-së. Kjo do të jetë e një rëndësie të veçantë gjithashtu për finalizimin e Reformës Zgjedhore, në trajtimin e rekomandimeve të OSBE-së në një kohë të mjaftueshme para zhvillimit të zgjedhjeve për të siguruar që ato të mbahen në linjë me standardet ndërkombëtare”.
Tensionet e kohëve të fundit me Greqinë duket se kanë lënë gjurmë edhe në përfundimet e vendeve anëtare për Shqipërinë. Në paragrafin e fundit “Këshilli mirëpret vazhdimin e angazhimit konstruktiv në bashkëpunimin rajonal dhe nënvizon rëndësinë për të siguruar marrëdhënie të mira të fqinjësisë, çka është thelbësore. Veprime apo deklarata, të cilat ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore, duhet të shmangen”.
Përse hesht Rama për vendimin e Brukselit?
Asnjë koment në faqen e tij në Facebook. Asnjë fjalë për vendimin e Këshillit Evropian të BE-së. Asnjë rresht se çfarë do të bëhet tani e tutje me negociatat, se çfarë do të bëhet me zgjedhjet e lira që i janë vënë kusht Shqipërisë drejt rrugës së integrimit. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes hodhi një fotografi në rubrikën e tij Armarcord, ku komentonte personazhe të kohës së rilindasve, që ai me të padrejtë dhe turpërisht i ka vjedhur emrin. Njeriu që nuk lë komentues pa i kthyer përgjigje që krekoset si gjeli majë plehut për çdo deklaratë të ndonjë personaliteti ndërkombëtar të oborrit të tij për gjashtë orë hesht!. U mjaftua me disa video të hedhura nga një takim me ambasadorë, ku krenohej se do të ishte sërish kryeministër, ndërkohë që në Bruksel po diskutohej për fatet e vendit. Nuk kish se si?! Brukseli ja tha qartë e shkoqur?! Në rast se ti do të jesh sërish kryeministër me vota të vjedhura, atëherë nuk ka integrim. Në rast se do të jesh kryeministër i një vendi eksportues të drogës, atëherë ska integrim. Në rast se do të vijosh talljen, karagjozllëkun dhe shtypjen e qytetarëve që të besuan, atëherë ska integrim?! Nuk ka integrim në rast se do të jesh ti Kryeministër! Evropa e ngritur nga parimet e të drejtës dhe lirisë së zgjedhjes, nuk mund të shtrohet në bisedime me kryeministrin që burgos fukarenjtë se kërkojnë pak dritë për vogëlushët në shtëpitë e tyre dhe i hap rrugët e pushtetit trafikantëve dhe përdhunuesve të tipit Roshi, Bushi apo Prenga. Prandaj Kryeministri heshti. Dje, atë s’mund ta qetësonte askush, as Fuga i tij i bindur që ndejti me orë të tëra para ekraneve për të gjetur “fajtorët”, që ai i ka fort për zemeër. Kërkoi e rrëmoi por të gjitha të çonin tek një emër Edi Rama! Evropa i kish mbyllur derën, dhe në këtë rast atë s’ka “vetting” që e shpëton nga situata. Vendet partnere ia drejtuan gishtin fajtor është vetëm ai e askush tjetër. Ajo botë ku duam të integrohemi na pret pas 18 qershorit të vitit të ardhshëm, kur ky vend do i drejtohet kutive të votimit për të ndryshuar këtë realitet. Deri atëherë, mos prisni të flasë, por mos prisni dhe nga ndërkombëtarët asgjë!
Shtohen kushtet, nuk jepet data
Sali BERISHA
Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE, në dokumentin e tij të sotëm, pasi vlerëson përpjekjet dhe progresin e Shqipërisë konkludon:
– Nuk ka datë për hapjen e negociatave
– Nuk ka datë për një raport të dytë për Shqipërinë për hapjen e negociatave
– Në kushtet për hapjen e negociatave shtohen edhe 7 kushte të tjera
Kështu, në kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për hapjen e negociatave, përveç zbatimit të reformës në drejtësi dhe Vettingut, Këshilli i Ministrave shton edhe 5 kushtet e njohura të përcaktuara në mbledhjen e tij të dt. 15 dhjetor 2015, të cilat në vlerësimin e tij nuk janë plotësuar. Prandaj dhe në dokument thuhet se, “Duke rikujtuar përfundimet e mëparshme të Këshillit, përfshirë ato të dhjetorit 2015, Këshilli thekson se zbatimi i qëndrueshëm, i gjithanshëm dhe gjithpërfshirës i të 5 prioriteteve kyçe duhet të garantohet përpara hapjes së negociatave”, vijohet më tej në tekst.
Përveç pesë prioriteteve dhe zbatimit të reformës të drejtësisë në konkluzionet e ministrave të Jashtëm të BE kërkohet: a-zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, b-reforma zgjedhore dhe zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe c-marrëdhënie të mira fqinjësie.
Të dashur miq, kjo deklaratë nuk është një fletë-rrufe e shkruajtur nga opozita, siç e quajti Edvin Kristaq Rama për të mbuluar përgjegjësinë dhe dështimin dhe mashtrimet e tij deklaratën me të njëjtat pika, madje me një më pak, të kryetarit të Komisionit Europian të Bundestagut gjerman, Krichbaum, por është dokumenti i miratuar nga 28 ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian në Bruksel.
Duke shprehur keqardhjen e madhe për moshapjen e negociatave dhe mospërcaktimin e një date në të ardhmen për hapjen e tyre, për arsye që renditen më sipër, madje as dhe të një date për një raport të ri të afërt për shqyrtimin e hapjes së tyre, ju bëj thirrje shqiptarëve për të bashkuar çdo përpjekje për plotësimin e kushteve dhe rrëzuar muret që janë ngritur në rrugën e hapjes së negociatave!