26.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Hausmann dhe llogaritë e fshehta bankare të Ramës

Peter TASE

Viti i Ri do të jetë vit zgjedhjesh në Shqipëri, ndërsa Edi Rama dhe njerëzit e qeverisë së tij kanë mbledhur shuma të mëdha parash në xhepat e tyre, duke planifikuar të futin edhe staf shtesë në zyrat e qeverisë, një veprim që do t’u kushtojë shtrenjtë taksapaguesve. Më 2017, vitin e fundit të tij në detyrë, Rama dhe njerëzit e tij pritet të vazhdojnë jetën luksoze (në vend dhe jashtë), ndërsa banorët e Shqipërisë jetojnë në kushtet më të këqija të këtyre 20 viteve tranzicion demokratik.
Parlamenti miratoi buxhetin 2017 dhe iu akordoi valixhe të tjera me para, përveç miliona eurove të gjeneruara nga kultivimi i marijuanës nga Vermoshi në Konispol, zotit Rama me ministrave të tij të korruptuar, që e kanë fshehur pasurinë jashtë dhe numërohen sot mes oligarkëve më të pasur të Evropës.
Sipas një vlerësimi të OSBE-së, Rama ka mbledhur 200 milionë dollarë pasuri, e cila u rrit proporcionalisht gjatë këtij viti të fundit si kryeministër, duke konsideruar se ai merr gati 20% për çdo projekt publik që miraton dhe ekzekutohet nga kompanitë e besuara private në infrastrukturë, punë publike, shëndetësi dhe teknologji informacioni. Sipas Panama Papers dhe burimeve të tjera të besuara, Rama e ka shpërndarë pasurinë në llogari bankare ndërkombëtare të hapura nga rrethi i tij familjar dhe miqtë e ngushtë që punojnë bashkë në projekte dhe që janë të lidhur me ekonomistin venezuelas Ricardo Hausmann, projekte që nuk kanë të bëjnë fare me përmirësimin e jetës së shqiptarëve.
Më 2017, Kryeministria do të numërojë 641 punonjës, kurse Parlamenti ka një staf me 405 nëpunës që organizojnë aktivitetet e 140 deputetëve. Kryeministria ka më tepër punonjës se Ministria e Ekonomisë (580 punonjës) apo e Transportit (440), e Punëve të Jashtme (506 përfshi misionet diplomatike). Ndërkaq, buxheti i Kryeministrisë është 27,6 milionë euro dhe për krahasim, buxheti i Presidencës është vetëm 1,5 milionë euro.
Jeta luksoze e kryeministrit shqiptar mbështetet jo vetëm te numri i madh i punonjësve, por edhe te shumat që shpenzon në një vit fiskal, gati 28 milionë euro, sa pagesa e 1200 pensionistëve apo sa 10 mijë bursa shkollore. Çdo person i stafit të Kryeministrit shpenzon 43,000 euro në vit, por Rama parashikon të shpenzojë edhe më.
Një milion euro janë planifikuar për qira makinash luksoze, një sasi parash me të cilat blihen 20 makina të brezit më të fundit nga “Mercedes Benz”, si dhe 6,6 milionë euro për orendi e rimodelime.
Ndërveprimi i qeverisë Rama me qytetarët është më i akullt se kurrë më parë, dëshmi kjo e qëndrimit të saj ndaj varfërisë në vend, një sjellje që shkel konceptin e Çalrs Horton Kulej të “Vetes që shihet nga pasqyra”, që do të thotë se Shqipëria përfaqëson një pasqyrë në të cilën shihet administrata e Tiranës, e cila rregullon sjelljen sipas sjelljes së anëtarëve të shoqërisë. Në nivelin marramendës të shpenzimeve të Ramës, kërkesat e qytetarëve duken të pakuptimta, lëre pastaj të jenë burim reflektimi.

Zoti Kryeministër, Vettingu duhet të fillojë nga ju

Nga Romeo Gurakuqi

Askush nuk e vë në dyshim se me ju Kryeministër, zoti Edi Rama, Shqipëria është bërë një vend më pak i jetueshëm për shtetasit, një vend me një shoqëri dhe ekonomi në depresion; një vend në të cilin varfëria ka arritur nivele të paimagjinueshme; një vend në të cilin klasa e mesme e shoqërisë, pësoi një zbritje të spikatshme në të ardhurat, sigurinë sociale dhe perspektivën jetuese e krijuese, në krahasim me situatën pararendëse; investimet e huaja dhe të diasporës po vijnë e reduktohen drejt shifrës zero; vendi është bërë, jo vetëm një hapësirë tranziti për krimin e organizuar, por edhe një strehë e ngrohtë e prodhimit dhe përpunimit të lëndëve narkotike; një vend nga ku rrjedhin pa kontroll, paraja ilegale drejt parajsave fiskale off shore; një vend që liria e një tregu e operuar mbi rregulla është zëvendësuar nga mbisundimi i monopoleve të licencuara dhe përforcuara edhe nga e kaluemja, i shërbimeve publike të dhëna në koncesion një grupi njerëzish, me CV të vetme ose afërsinë personale me ju i nderuar Kryeministër ose militantizmin në dy partitë e establishmentit të majtizmit ekstrem, jo social-demokrat mirëfilli europianist.
Nuk bëj çudi, se ju do të jeni Kryeministër i këtij vendi edhe në mandatin e ardhshëm, përderisa ju keni blerë lirinë e mediave, përmes favoreve dhe kërcënimeve individuale, të drejtpërdrejta ose përmes telefonimeve të koduara; keni “vdekur” nervin opozitarist të shoqërisë civile e intelektuale, që përkulet para jush në çdo rast ceremonial dhe në çdo kohë që ju ua kërkoni shërbimin e radhës propagandistik.
Ju mund të mbeteni sërish Kryeministër i këtij vendi, përderisa nuk keni bërë deklarim të ndryshëm të ardhurash nga ai deklarim zyrtar qesharak; derisa keni aq para të filtruara nga veprimtaritë ilegale dhe koncesionet legale të klientëve tuaj, derisa fitoni çdo zgjedhje edhe të parëndësishme për ju, derisa keni shkatërruar profesionalizmin e Policisë së Shtetit dhe depolitizimin e MpB, në krye të të cilëve, keni vendosur njerëz jo seriozë dhe të papjekur mjaftueshëm, pjesë e një kupole krahinore ushtarake e policore, që historikisht, në 50 vite diktaturë, ka ushtrue dhunën ndaj desidencës dhe krahinave të persekutueme të Shqipërisë.
E kuptoj: Ju do të jeni Kryeministër i Shqipërisë derisa përmes një skeme gjigante, përgjoni, privoni jetë private, kontrolloni çdo njeri që mendon ndryshe nga ju në Shqipëri, synoni të kontrolloni çdo rrjet informativ e social, në vend që këto skema, t’i aplikoni ndaj krimit të organizuar, vrasësve e atentatorëve të botës së lirë, afariste dhe intelektuale.
E pranoj: Ju do të jeni sërish Kryeministër, në qoftë se nuk do të detyroheni të ndryshoni Kodin Zgjedhor e do të lejoheni, nga mungesa e rezistencës e organeve kushtetuese, për të kryer procesin e organizimit të zgjedhjeve, të përgatitjes së listave zgjedhore dhe të ndërtimit të një liste tuajën të zgjedhësve të emigracionit shqiptar të pas korrikut 1990.
Ju do të bëheni Kryeministër në qoftë se opozita e djathtë, e qendrës dhe e majtë, nuk bashkohet në një skuadër politike të vetme: në një front të përbashkët të quajtur shtëpia e lirisë dhe e europianizimit të Shqipërisë, duke lënë mënjanë ndasitë, për hir të vendit dhe popullit të vet. Shtyllat e përbashkimit në këtë nismë janë të qarta e të thjeshta, po aq sa mekanizmi bazuar në sinqeritet, ekspertizë, ndershmëri dhe udhëheqësi.
Por nga ana tjetër e këndvështrimit, ajo e partizanëve të Ancient Regime: Ju duhet të jeni sërish Kryeministër, sepse misioni i Reconquista-s / Rilindjes së Pushtetit të Trashëgimtarëve që përjashtojnë, nuk mund të përfundohet në katër vite, pa fshirjen e plotë të çdo arritjeje të vërtetë që ia arriti të përftonte ky popull i mjerë dhe i varfër, në procesin e instalimit të një rendi kushtetues demokratik, që mbron liritë, respekton komunitetet dhe shpërndan njëlloj në territor, të mirat dhe shërbimet.
Dua ta përfundoj duke thënë se ju nuk u bëtë kurrë, ashtu siç premtuat dhe sikur ne ëndërruam pak çaste: Kryeministri i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve dhe prejardhjeve krahinore dhe kulturore.
Me ju Shqipëria u përça, me ligj administrativ, me shpërndarje të strukturës humane të administratës së lartë e shërbimit diplomatik, me planifikim të buxhetit të shtetit çdo vit nga mësuesët e anglishtes të shndërruem në kryefinancierë të ruajtjes të thesarit, me shpërndarje projektesh zhvillimore nga një zyrë që ndërron padronë dhe krah operacional, varësisht klimës politike në vend; Shqipëria në vend që të bëhej më liberale dhe demokratike, u bë më autoritare, më e bastardueme dhe karta e saj e lirive dhe shkelja e të drejtave të minoriteteve, arriti në përmasa të pakonceptueshme për bashkësinë e shtetasve normalë.
Unë nuk dyshoj, që në qoftë se ju do të mbyllni këtë mandat, në qoftë se nuk ju ndodhin papritur nga aleatët, prerjet e fijeve të parave tuaja të skutave të errëta e transfertave me aeroplane të posaçëm, në qoftë se ju do të liheni për të qenë “arbitri” e “garanti” i “zgjedhjeve të lira e të ndershme”, ju i nderuar KM, sigurisht do të jeni sërish shefi i ekzekutivit të Shqipërisë. Por tashmë do të jeni Kryeministër në një demokraci fasadë, plotësisht klienteliste, tërësisht të zhbalancuar krahinarisht, në një vend që njerëzit me arsye ikin çdo ditë dhe mbeten delet tuaja, që kanë nostalgji për diktaturën e Enver Hoxhës.
Shqipëria që doni ju zoti Edi Rama, nuk është Shqipëria që dua unë që po i shkruaj këto radhë dhe as ajo që duan pjesa më e madhe e shqiptarëve, që e fillojnë ditën duke menduar për të ardhmen e fëmijëve të tyre, në paqe, progres dhe edukim, një vend ku respektohet dinjiteti i njeriut, një strehë e dashur, mikpritëse dhe integruese për bashkatdhetarët tanë të dijshëm e patriotë. Ne e duam Shqipërinë vend të jetueshëm për të gjithë, kurse ju me veprime, fatkeqësisht jo.
Prandaj unë këmbëngul: Askush nuk duhet të ngatërrohet: në qoftë se ky vend dhe institucionet e tij, dëshirojmë t’i bëjmë më të pastra, të kemi më shumë shpresë dhe të mos gënjehemi nga propaganda e mëkatarëve, atëherë Vettingu duhet të fillojë nga ju, qeveria juaj dhe interpretet tuaj të flakës jakobiniste të komisioneve parlamentare.

Si u përgjua ambasada e SHBA me ‘Imsi Catcher’?

Shefi i sektorit për mbështetjen teknike shkencore pranë Policisë së Shtetit, Eduart Goga, ka pranuar dje para Komisionit Hetimor parlamentar, se pajisja IMSI CATCHER është përdorur disa herë për përgjime. Dje në Komisionin Hetimor parlamentar ishte thirrur për të dëshmuar edhe Ardian Çipa, drejtor i Hetimit të Krimit të Organizuar në polici, por ai refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve për futjen e pajisjes së përgjimit IMSI Catcher dhe mënyrën sesi u përdor për të përgjuar ambasadat dhe institucionet e tjera shtetërore. Ashtu si ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, Ardian Çipa ishte thirrur në Komisionin Hetimor për t’u pyetur si dëshmitar, por ai nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të kreut të Komisionit për këtë hetim, nën argumentin se, “për këtë po heton Prokuroria dhe unë deklarimet e mia i kam bërë atje”.
Kryetari i Komisionit Hetimor, Flamur Noka pyeti Çipën, a është në dijeni që pa firmën e Prokurorit është futur një pajisje e paligjshme në territorin e Shqipërisë, ndërsa ai u përgjigj se, “jam thirrur në Prokurori dhe jam shprehur për këtë çështje”. “Çmoj sugjerimin, por ky Komision nuk po kërkon që dëshmitarët të kthejnë përgjigjen që duam ne. Kanë për detyrë t’i kthejnë përgjigje Komisionit. Por nuk është etike, as morale dhe as ligjore kodi i heshtjes”, u shpreh Noka.
Noka u shpreh se, Ky ‘kod i heshtjes’ i aplikuar nga ministri dhe drejtues të Policisë së Shtetit, është kodi i mafies. “Për sa i përket ‘kodit të heshtjes’, të vendosur nga Saimir Tahiri, Haki Çako dhe Ardian Çipa, nuk është se e them unë, por duket. Është e rëndë të aplikohet ‘kodi i heshtjes’ nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit. Ky ‘kod i heshtjes’ i aplikuar nga ministri dhe drejtues të Policisë së Shtetit, është kodi i mafies”, u shpreh Noka.
Më pas, Komisioni Hetimor parlamentar ka thirrur për të dëshmuar edhe Artion Dukën, shefi i Forcave Operacionale dhe Eduart Gogën, Shef i Sektorit të Teknologjisë dhe Trajnimeve në Forcat e Posaçme Operacionale. Ky i fundit i mundësoi anëtarëve të komisionit përgjigje konkrete mbi pyetjet e tyre.
Rifreskuese ishte dëshmia e shefit të sektorit për mbështetjen teknike shkencore pranë Policisë së Shtetit, Eduart Goga, i cili pranoi se ka patur një aparaturë përgjimi e cila, sipas tij, ishte ofruar nga partnerët ndërkombëtarë. “Sektori jonë trajnohet në vazhdimësi nga partnerët ndërkombëtarë për përgjime. Kemi bërë trajnime të vazhdueshme me IMSI CATCHER. Ne ofrojmë ambientet ata ofrojnë pajisjet”, u shpreh Goga.
Goga tha më tej se, kjo pajisje ishte përdorur disa herë për trajnim. “E kemi përdoruar disa herë pajisjen e përgjimit për trajnim. Nuk kemi praktikë të njoftojmë Prokurorinë”, deklaroi Goga. Goga tha se, sektori i tij nuk ka kryer trajnime në ambiente burgjesh. Për rastet apo ambientet ku janë bërë trajnimet me pajisjen IMSI CATCHER, Prokuroria nuk është njoftuar, pasi sipas Gogës, nuk ekziston një detyrim ligjor për vënien në dijeni apo marrjen e lejes nga Prokuroria për raste trajnimi.
Pyetjes së kreut të komisionit Flamur Noka, lidhur me hyrjen e një makine në Burgun e Peqinit, më datë 11 qershor, shefi i Forcave Operacionale, Artion Duka tha se, “nuk është e vërtetë data dhe lloji i mjetit”. Por kjo deklaratë e tij nuk qëndron pasi, vetëm 6 muaj më parë, Prokuroria lëshoi urdhër për konfiskim të librit të hyrje-daljeve në burgje.
Në 12 qershor 2015, automjeti me targë AA 380 BD, mjet i cili një ditë më parë ndaloi në Burgun e Peqinit për 30 minuta, figuron të ketë hyrë për monitorim dhe matje të ajrit në paraburgimin “Mine Peza”.
Deputeti i PD, Asllan Dogjani i ka kërkuar Komisionit Hetimor që të verfikohen targat e Forcave Operacionale. “Të kërkojmë targat e forcave operacionale”, është shprehur Dogjani, por kjo kërkesë është kundërshtuar nga deputeti i PS, Pjerin Ndreu. Ndreu ka ndërhyrë në momentin që po fliste deputeti Dogjani, por ky i fundit i është kundërpërgjigjur se edhe ai ka qenë polic, por nuk ka hyrë në burg. Kur flas unë mos me ndërprit mua ti polic. Dhe unë polic kam qenë, por nuk kam qenë në burg si ty”, iu drejtua Dogjani Ndreut. Pas këtyre debateve, Pjerin Ndreu është larguar nga salla, duke braktisur mbledhjen e Komisionit Hetimor parlamentar.

R.POLISI

Hetimi ndaj Shullazit, Apeli do të rigjykojë ish-hotel Vollgën

Kolegji Administrativ në Gjykatën e Lartë rihap çështjen e pronësisë për ish-hotel Vollgën në Durrës, duke rikthyer për rigjykim në apel këtë çështje. Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme, kolegji ka vendosur të rikthejë çështjen në Gjykatën e Apelit në Durrës, aty ku kompania Saaudi Brothers pretendon se është bërë dhe padrejtësia.
Kolegji Civil ka gjetur shkelje në vendimin e Apelit dhe për këtë arsye, ka vendosur që procesi duhet gjykuar përsëri. Themeli i kësaj çështjeje do të jetë përsëri objekti i Apelit të Durrësit, që në vitin 2003 vendosi t’ia kalojë pronën Zanmir Hasës. Togat e zeza kanë lënë në fuqi vendimin për pezullimin e pronësisë së ish-hotelit dhe deri në përfundim të procesit nuk mund të kryhen transaksione me këtë pronë.
Për 11 vite kompania arabe “Saudi Brothers”, e cila e bleu ish-hotelin në vitin 1994 pretendonte pronësinë. Në vitin 2014 Gjykata e Lartë vendos pezullimin e regjistrimit të kësaj prone deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Po gjatë 2014, Gjykata e Durrësit me një vendim të dyshimte, sipas Prokurorisë, anashkalon Gjykatën e Lartë dhe prona regjistrohet në emër të kompanisë arabe. Pas këtij momenti 2/3 e pronës kalojnë tek shtetasit Fejzi dhe Marjeta Kodra për shumën e 671 mijë eurove. Pjesën tjetër kompania arabe me përfaqësues shtetasin Ylvi Beqja ia dhuron për mirënjohje Emiljano Shullazit.
Prokuroria ka dyshime se Fejzi dhe Marjeta Kodra nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një shumë të tillë dhe ka dyshime se kanë pastruar para. Por, Fejzi Kodra thotë se paratë i ka marrë nga miku i tij Luan Leka.
Veprimet e shitjes dhe dhurimit, thotë Prokuroria, janë kryer nga shtetasi Ylvi Beqja, i cili, pas arrestimit të Emiljano Shullazit mësohet të ketë deklaruar në Prokurori se dhurimin e kishte bërë nën kërcënim dhe se po nën kërcënimin e armëve i kishte dhënë edhe 550 mijë euro.
Nga këto veprime shkruan Prokuroria në dosjen hetimore, dyshohet se është kryer një vepër penale tjetër në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës siç është ajo e zhdukjes së origjinës së kësaj prone dhe regjistrimin e saj në emër të Emiljano Shullazit.
Ndërkohë që Gjykata e Lartë ka vendosur që kjo pronë të qëndrojë në masën e sigurisë për t’u mos u tjetërsuar, atë të sekuestros preventive për llogari të Prokurorisë së Durrësit, e cila ka nisur hetimet për mënyrën se si kjo pronë u tjetërsua nga pronarja e para diktaturës Alie Fortuzi tek Zamir Hasa, Saudi Brother, Ylvi Beqaj e në fund Emiljano Shullazi.

Hetimet

Bashkëpunëtori i drejtësisë Ylvi Beqja, ka rrëfyer me detaje para prokurorëve, të gjithë kalvarin e proceseve gjyqësore për të marr ish-hotel Vollgën si përfaqësues i kompanisë arabe. Si dhe ka treguar njohjen dhe takimet me Emiljano Shullazin dhe dhunën e kërcënimet që ky i fundit i ka bërë, duke detyruar të paguaj në formë gjobe rreth 550 mijë euro cash.
Burimet thonë se biznesmeni tashmë i mbrojtur, ka treguar se si pasoj e kërcënimeve dhe dhunës është detyruar t’i paguajë Shullazit dhe pjesëtarëve të bandës së tij rreth 400 mijë euro cash. Para këto që janë provuar se i ka tërhequr nga bankat e nivelit të dytë në disa raste, duke ia dorëzuar pjesëtarëve të bandës së Shullazit. Por, pas dorëzimit të kësaj shume, Beqja ka treguar se për të lënë gjurmë, ka kërkuar që pagesat e tjera të bëheshin me çeqe me arsyetimin se nuk e lejonte kompania që të tërhiqte para CASH. Të ndodhur në këto kushte, Shullazi ka pranuar kërkesën e tij, duke ia dorëzuar tre emrat e të besuarve të tij, si personat në emër të cilëve do kalonin parat.

Dekonspironte operacionet, informatori i Balilit brenda radhëve të Policisë

Operacionet për arrestimin e Klement Balilit, të cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”, duket se nuk po realizohen në fshehtësinë që e kërkon detyra. Ashtu si edhe në tre tentativat e mëparshme për kapjen e tij, kanë qenë informatorët ata që e kanë njoftuar Balilin; po njësoj ka ndodhur edhe në aksionin e nisur më 10 tetor.
Teksa vijon aksioni i policisë për kapjen e “Eskobarit të Ballkanit”, është dërguar për verifikim nga SHKB një oficer i Policisë së Sarandës, i cili dyshohet se ka ndihmuar Balilin. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Balili informohej nga dy oficerë lidhur me operacionet që zhvilloheshin për kapjen e tij.
Përveç oficerit për të cilin kanë nisur tashmë hetimet, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, mësohet se verifikime po bëhen për të gjithë grupin e përfshirë në operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve për arrestimin e Klement Balilit.
Operacioni i katërt për arrestimin e tij, është shtrirë në Sarandë, Gjirokastër, Ksamil e Durrës, por deri më tani nuk ka patur rezultat. Po kështu edhe tre tentativat e mëparshme për arrestimin e tij kanë dështuar.
I pari operacion është zhvilluar në verë, gjatë kohës kur ka qenë piku i turistëve në Sarandë. U tentua të arrestohej, por operacioni dështoi, pasi ai u informua.
Operacioni i dytë është bërë diku rreth datës 20 tetor. U dërgua skuadra speciale nga Tirana për të mos patur dekonspirim të operacionit, por në momentin kur u ngrit prita, ai la makinën dhe u largua. Në mjetin e blinduar ai la celularin për të shmangur arrestimin.
Tentativa e tretë u bë tre ditë më vonë. Pati informacion se ai do të ishte në një stadium ku luante Delvina. Duke përfituar nga fakti se në stadium ka shumë njerëz, aty u dërgua sërish nga Tirana skuadra speciale, e kamufluar si tifozë, civilë. Por ai nuk shkoi në stadium. Pas ndeshjes është kontrolluar makina e kryetarit të bashkisë, por ai nuk u gjet.
Klement Balili akuzohet për trafik ndërkombëtar narkotikësh, ndërsa në dosjen voluminoze të dërguar nga qeveria greke kërkohet edhe hetimi pasuror për 44-vjeçarin.

Vrasja në Sarandë, lirohen të shoqëruarit, autorët ende të lirë

Ndonëse dy ditë nga vrasja e Agron Xhezairit, babai i të shumëkërkuarit nga policia Albi Xhezairi, i cili akuzohet për vrasjen e Aleksandër Bardhit, ende nuk ka një të dyshuar për ngjarjen. Burime zyrtare nga Policia e Ksamilit bënë të ditur se të gjithë personat e shoqëruar dje, mes të cilëve dhe familjarë të Aleksandër Bardhit, të cilët u morën në pyetje dhe janë lënë të lirë. Të njëjtat burime theksuan se nuk ka asnjë të shoqëruar aktualisht në komisariat.
Hetimet që po bëhen nga policia në lidhje me vrasjen e Agron Xhezairit, kanë dalë në përfundimin se autorët mund të jenë vrasës me pagesë. Vrasja e babait të Albi Xhezairit, i cili është i shpallur në kërkim si i dyshuar në vrasjen e Aleksandër Bardhit në Sarandë, ndodhi mbrëmjen e 2 ditëve më parë, ndërsa nuk ka asnjë person të ndalur.
Dyshohet se autorët e ngjarjes së rëndë, pas krimit janë larguar për në Greqi, për shkak edhe të afërsisë së zonës me kufirin. Nga dëshmitë e marra mësohet se kanë qenë më shumë se dy persona në këtë krim, por vetëm një person ka qëlluar ndaj Xhezairit.
Krimi i rëndë ndodhi të dielën ku 53-vjeçari Agron Xhezairi është vrarë me breshëri arme, ndërsa burime të BalkanWeb thonë se ka dyshime të forta që vrasja mund të jetë bërë për hakmarrje, pasi djali i tij është personi kryesor i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit më 24 shtator në fshatin Shëndëlli. “Rreth orës 17:40, është qëlluar me armë zjarri një shtetas, i cili ka gjetur vdekjen.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se në fshatin Ksamil të Sarandës, persona të pa identifikuar ende kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin A.Xh., rreth 53 vjeç, banues në Ksamil, i cili për shkak të plagëve të marra në trup ka ndërruar jetë disa minuta më vonë.
Ngjarja ka ndodhur në oborrin e banesës së këtij shtetasi, ku dyshohet se krimi është kryer me armë zjarri të llojit “Automatik”.

S’ka shpërblim për festat e fundvitit, mësuesit në protestë

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Mungesa e shpërblimit të fundvitit është një ndër arsyet kryesore që do t’i mbledhë mësuesit e Tiranës, por edhe të rretheve përpara godinës së Ministrisë së Arsimit të premten, në orën 14:00.
Disa kërkesa kryesore, që ia kanë përcjellë më herët në një letër ministres Lindita Nikolla, veçanërisht në lajmërimin e tyre, Sindikata e Pavarur e Arsimit rendit një sërë kërkesash: shpërblimi i fundvitit, respektimi i normave të punës, pagesa e orëve mbi normë, qëndrueshmëria e reformave, transparenca në emërime, vendime, kurrikula e të tjera.
Me disa prej tyre, Ministria e Arsimit është njohur nëpërmjet një letre të nisur që më 22 nëntor, ku Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë konstaton se partneriteti me MAS nuk po funksionon siç është parashikuar në kontratën kolektive të punës. Nisur nga kjo, parashtrohen disa shqetësime që kërkojnë zgjidhje:
1. Formatizimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar të Arsimit parauniversitar dhe të këshillave vendorë të arsimit parauniversitar.
2. Pagesa e transportit të mësuesve, duke e llogaritur largësinë e vendit të punës nga qendra e njësisë administrative ku banojnë.
3. Pagesa e orëve mbi normë, të provimeve të fundvitit, të maturës shtetërore e të tjera.
4. Shpërblimi prej 10 mijë lekësh për çdo mësues në fund të vitit si detyrim ligjor që rrjedh nga
Kodi i Punës, neni 114, pika 2 dhe neni 10.11 i kontratës kolektive të punës.
Protestat e vazhdueshme e madje edhe bojkoti i mësimit janë dy mjetet që sindikata ka përdorur që zëri i mësuesve të dëgjohet. Shpesh ata i kanë paraqitur kërkesat e tyre në formë shkresash ministrisë apo edhe i kanë shprehur në komisione parlamentare. Të parët që u prinë protestave në rang vendi ishin mësuesit e Shkodrës, të cilët protestuan një ditë më parë përpara shkollave. Ata pretendojnë se shpërblimi i fundvitit është paracaktuar në buxhet dhe nuk është dhënë që prej më shumë se tri vitesh. Përpara pak ditësh, Ministria e Arsimit u ka nisur të gjithë mësuesve një letër për fundvitin, në të cilën i uron e i motivon ata për punën e tyre.

Policia në aksion për të mbushur arkën e shtetit, në 1 orë, 1500 gjoba

POLICIA GJOBA PER KUNDRAVAJTESIT - Oficere te Policise Rrugore, duke i vendosur gjoba makinave te parkuara pergjate bulevardit Deshmoret e Kombit, prane Kuvendit te Shqiperise.

Policia e Shtetit ka zhvilluar në mesditën e djeshme operacionin e koduar “Blici rrugor”, të shtrirë në 12 qarqet e vendit, në akset kryesore dhe zonat urbane. Operacioni nisi në orën 12:00 dhe zgjati deri në orën 13:30 minuta. Policia e Qarkullimit Rrugor është mbështetur nga Policia e Rendit, FNSH e Shqiponjat.
Në këtë operacion blic u angazhuan rreth 1200 punonjës policie në total. U ngritën dhe funksionuan 280 pika kontrolli në gjithë vendin. Aksioni synoi goditjen e paligjshmërisë, kryesisht atë që lidhet me zbatimin e nenit 170 të Kodit Rrugor, për mos vendosjen e rripit të sigurimit.
Në total në të gjithë vendin u vendosën 1495 masa administrative: Nga këto 950 për mos vendosje të rripit të sigurimit, si dhe për shkelje të tjera u vendosën 545 masa administrative.
Operacioni i zhvilluar kishte për qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e vendosjes së rripit të sigurimit, por edhe të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor në tërësi.
Policia Rrugore edhe në ditët në vijim do të vijojë me intensitet punën për ndëshkimin e çdo shkelje të kodit rrugor, duke u fokusuar më shumë në drejtim të ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve që përdorin pije alkoolike, që përdorin celularin dhe nuk respektojnë normën e vendosjes së mjeteve të fiksimit.

Aksidentohet furgoni me nxënës në Fushë Krujë, lëndohen 7 fëmijë

Një furgon që transportonte nxënës shkolle është aksidentuar në afërsi të fshatit Bilaj në Fushë Krujë pak pas mesditës së djeshme. Si pasojë e aksidentit janë lënduar 7 fëmijë, nxënës të shkollës 9-vjeçare nga të cilët dy janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në Spitalin e Traumës në Tiranë. Humbja e kontrollit të mjetit dyshohet të ketë qenë shkak për aksidentin e rëndë, ndërkohë që drejtuesi i tij është shoqëruar në polici.
Një fëmijë që udhëtonte në furgon i ka thënë gazetarit tonë se në makinë ndodheshin rreth 30 fëmijë në momentin e aksidentit, mbi kapacitetin që mban mjeti, dhe askush prej tyre nuk ka qenë i lidhur me rripin e sigurimit.
Aksidenti vjen pikërisht në ditën që Policia Rrugore ndërmori një aksion mbarëkombëtar në të gjithë vendin për të sensibilizuar drejtuesit të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Policia informon: “Më datë 13.12.2016, rreth orës 14:30, në fshatin Bilaj, Fushë-Krujë, mjeti tip “Furgon” me targa AA 580 FE, me drejtues shtetasin G.N., i cili transportonte nxënës shkolle, ka dalë nga rruga. Për pasojë, vetëm një nxënës ka fraktura në krah, i cili është jashtë rrezikut për jetën”, njofton Policia e Durrësit. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve.

Përplasen dy makina në Vlorë, plagoset rëndë një vajzë

Përplasja e dy automjeteve në hyrje të qytetit të Vlorës, ka shkaktuar plagosjen rëndë të një 26-vjeçareje, ndërsa momentet fill pas aksidentit kanë qenë të mbushura me tension. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale duket vajza që nxirret nga makina, ku dëgjohen të bërtitura dhe thirrje për ndihmë: “Kush ka ujë, na duhet një bidon me ujë?”
Situata tensionohet më shumë kur bëhet thirrje që vajza të nxirret sa më shpejt, pasi makina po merr flakë. “Mori flakë makina po nxirreni shpejt!” Policia e Vlorës bëri me dije se, aksidenti ndodhi rreth orës 17:50, në hyrje të Vlorës, pranë vendit të quajtur “Pusi i Mezinit”, ku automjeti tip “Nisan” autoveturë, me targë AA 879 JX, me drejtuese shtetasen J.L., 26 vjeçe, banuese në Vlorë, është përplasur me një mjet tjetër “Nisan” karoceri, me targë AA 294 MZ, me drejtues shtetasin Xh.Sh., rreth 45 vjeç, banues në Vlorë.
Për pasojë është dëmtuar rëndë shtetësja J.L, e cila ndodhet në Spitalin e Vlorës, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër, 45-vjeçari Xh.Sh është shoqëruar në polici për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Blutë e qytetit bregdetar vijojnë ende hetimet për ngjarjen.
Ndërkohë, një aksident ku janë përfshirë 5 makina ka ndodhur mesditën e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës. Përplasja e mjeteve ka ndodhur në kilometrin e 7-të. Sipas burimeve paraprake bëhet me dije se arsyeja ka qenë shpejtësia e lartë dhe mos respektimi i distancës nga ana e mjeteve të përfshira në aksident.