Por nuk është vetëm Kryeministri që ka frikë të përballet me Komisionin Hetimor. Dy ditë më parë ministri i Energjetikës është përfshirë në një skandal të vërtetë, duke gënjyer Kuvendin e Shqipërisë e duke i thënë se nuk mund të merrte pjesë e të dëshmonte në Komisionin Hetimor për aferën CEZ të qeverisë Rama, sepse nuk ndodhej në Shqipëri. Por një dokument të siguruar nga “Syri.net” i nxjerr gënjeshtrën ministrit. Ai vërtet ka qenë për fundjavë jashtë shtetit, por Damian Gjiknuri ka ardhur në Rinas mëngjesin e të hënës në orën 08:06 minuta me një nga kompanitë ajrore që operojnë në vend. E për të thelluar edhe më shumë skandalin, burimet thanë për “Syri.net” se, ministri Damian Gjiknuri gjatë paradites të së hënës ka qenë i pranishëm në zyrën e tij, ndërkohë që duhet të ishte në Komision. Për shkak të mashtrimit të ministrit Damian Gjiknuri, Komisioni Hetimor që është ngritur për të hetuar aferën CEZ të qeverisë Rama, nuk është zhvilluar. Një seancë më parë, ministri i Energjetikës pranoi faktin se marrëveshja me CEZ për t’i dhënë qindra milionë euro u bë pas një vendimi politik të Edi Ramës. Ky vendim ishte marrë në kundërshtim të rekomandimeve që kishte bërë avokati i kontaktuar nga qeveria shqiptare për ta dërguar çështjen në arbitrazh dhe për të fituar!
BE nuk hap Negociatat me Ramën, të fala Visit!
Ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak në një konferencë për shtyp në Bruksel, duke folur për Shqipërinë është shprehur se po ndiqen me vëmendje zhvillimet. Pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së ai tha se, nga Shqipëria kërkohen fakte dhe prova që është bërë progres.
“Do të shohim nëse Shqipëria i përmbush kushtet. Duhet të presim raportin e ardhshëm të Komisionit. Nuk kemi ende një datë, por do të shohim progresin”, tha ministri sllovak në konferencë për shtyp.
Lajçak gjithashtu shtoi se shumë gjëra janë në lojë, sidomos kur bëhet fjalë për Reformën në Drejtësi. Ai bëri thirrje që, Shqipëria duhet të adaptojë reformat dhe të nisë sa më shpejt zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Kriter i rëndësishëm për progresin e vendit sipas Lajçak janë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Ministrat e Jashtëm janë mbledhur në Bruksel për të finalizuar përgatitjet për dokumentin e datës 15 dhjetor të Këshillit Europian. Në këtë dokument do të publikohet qëndrimi i KE-së në lidhje me zgjerimin EU2017, si dhe për kornizën financiare 2014 – 2020. Emigracioni, siguria, ekonomia, zhvillimi social dhe politikat e rinisë, por edhe marrëdhëniet e jashtme do të jenë temat kryesore që do të trajtohen nga Këshilli Europian në datë 15 dhjetor. Në të do të vendoset edhe në lidhje me rekomandimin e dhënë nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, e cila ishte e kushtëzuar nga Reforma në Drejtësi, si dhe nga përmbushja e pesë prioriteteve.
Në një intervistë për të përditshmen boshnjake “Nezavisne novine”, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn tha se: “njerëzit dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë të njëjtën kulturë, identitet, histori, si dhe ata të shteteve të BE-së. Pa këtë rajon, Bashkimi nuk do të jetë kurrë i plotë”.
Hahn deklaroi gjithashtu se: “Ekonomia e BE-së dhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor është e ndërlidhur. Ne kemi qëllime të përbashkëta në lidhje me zhvillimin e ekonomisë dhe kjo është edhe arsyeja se përse BE-ja është angazhuar që këto vende të mund të ndërlidhen me mirë ekonomikisht dhe të jenë gati që t’i bashkohen asaj. Natyrisht ka edhe sfida të përbashkëta që duhet të adresohen, siç është: terrorizmi, lufta kundër krimit të organizuar, emigracionit etj”.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian konsiderojnë, se Shqipëria duhet të përmbushë më shumë se 5 kritere për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Disa prej tyre janë shprehur qartë mbi plotësimin e të gjitha kritereve para takimit të tyre në Bruksel, ndërkohë që Komisioneri Johannes Hahn është shprehur se do të gjendet një zgjidhje në interesin e popullit shqiptar, i vetëdijshëm se proçesi vështirësohet pas kërkesës së shteteve anëtare për plotësimin e më shumë se 5 kritereve për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Didier Reynders, ministri i Jashtëm belg: Vendi duhet të përmbushë tërësinë e kushteve që janë mbi tryezë para se të hapen negociatat e anëtarësimit. Më pas ne do të ekzaminojmë mbi bazën e raporteve të Komisionin Europian, se cilat janë mundësitë për të avancuar me Shqipërinë. Ne kemi këtë qasje me shumë vende partnere. Mendoj, se do të na duhet të avancojmë gjithnjë e më shumë me një Europë me shpejtësi të ndryshme.
Michael Rott, minister gjerman Për Çështjet Europiane: Ne duam të dërgojmë sinjalin, se perspektiva e zgjerimit me vendet e Ballkanit është aty dhe ajo vlen për të gjitha vendet e rajonit. Ne kemi formuluar qartë pritshmëritë tona për rezultate në reformet e forcimit të shtetit ligjor dhe demokratizimit të këtyre vendeve. Eshtë gjithashtu e rëndësishme që Serbia dhe Shqipëria të kuptojnë, se kanë mbështetjen tonë për avancimin e mëtejshëm në integrimin europian dhe janë bërë reforma të rëndësishme nga këto vende.
Ioanis Kasoulidis, ministër i Jashtëm i Qipros: Ne e mbështesim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe ne shpresojmë që proçesi të progresojë sipas vendimeve të Bashkimit Europian.
Komsionieri Johannes Hahn: Do të gjejmë një mënyrë për të avancuar në interesin e popullit shqiptar. Pika e zgjerimit ka qenë e para që është diskutuar në tyrezën e ministrave të Jashtëm. Nuk pritet që të ketë ndryshime në konkluzionet për Shqipërinë krahasuar me draftin e aprovuar nga ambsadorët e përfaqësive të përhershme të BE-së.
Greqia: Tirana të plotësojë 5 kushtet
Ministri i Jashtëm i Greqisë, pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, ka thënë se Shqipëria duhet të përmbushë 5 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Nikos Kotzias përshëndeti gjithashtu edhe faktin që Komisioni pranoi propozimet e Greqisë në lidhje me raportin për 5 kushtet. Në veçanti, ministri Kotzias u ndal tek lufta kundër krimit e korrupsionit dhe respektimi i të drejtave të minoritetit në Shqipëri.
Për këtë fundit, Kotzias ka reaguar disa herë gjatë javëve të kaluara pas tensioneve mes dy shteteve dhe retorikës politike nga të dyja palët. Me respektimin e të drejtave të pakicave në Shqipëri, Kotzias i referohet minoritetit grek në Himarë, duke akuzuar qeverinë shqiptare se po shemb banesat e tyre.
Ministrat e Jashtëm të BE-së në mbledhjen e djeshme ranë dakord me rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave, por kjo do të varet nga zbatimi i 5 prioriteteve kyçe. Nëse Shqipëria i përmbush, KiE vlerësoi se është i gatshëm të mblidhet kurdoherë.
CDU/CSU: Largoni kriminelët nga qeveria dhe Parlamenti
Pasi Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian mbështeti rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, reagoi edhe grupi parlamentar më i madh në Gjermani, CDU/CSU.
Në deklaratën e tyre thuhet se përpara se Parlamenti gjerman të marrë një vendim, CDU/CSU ka përcaktuar një listë prioritetesh me pritshmëri të qarta.
“Kërkesa kryesore është zbatimi i plotë i reformës në drejtësi, të miratuar tashmë. Vetëm kështu mund të sigurohet që gjykatat dhe njerëzit e drejtësisë kanë integritet. Është e domosdoshme që 800 gjyqtarë dhe prokurorë t’i nënshtrohen procedurës së verifikimit. Nëse ata janë të korruptuar ose të njëanshëm, nuk mund të marrin miratimin”.
“Shqetësim përbën për grupin parlamentar CDU/CSU edhe përparimi i ngadalshëm i drejtësisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Nuk duhet në asnjë rast që politika shqiptare të jetë e përfshirë në ekonominë e zezë ose ta mbulojë atë. Përpara se BE të nisë negociatat me Shqipërinë, prodhimi dhe trafiku i drogës duhet të frenohet në mënyrë dramatike. Për të përmirësuar sundimin e ligjit është i nevojshëm edhe funksionimi i mirë i Parlamentit, qeverisë dhe administratës publike. Gjyqësori nuk duhet të jetë objekt i ndonjë kontrolli politik. Në Parlament dhe qeveri nuk duhet të ketë zyrtarë që janë dënuar apo për të cilët kërkohet arrestimi. Një tjetër pikë në listën e prioriteteve është edhe reforma zgjedhore dhe ajo e administratës publike, zbatimi i të drejtave të pronësisë dhe respektimi i të drejtave të njeriut”.
“Në rrugën drejt Bashkimit Europian, Shqipëria nuk duhet të favorizohet. Para se Bundestagu të bjerë dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit, duhet të plotësohet një numër kushtesh. Në përmbushjen e kritereve, Shqipëria mundet në çdo kohë që të llogarisë mbështetjen e Gjermanisë dhe të grupit parlamentar të CDU”.
Rama takim me Putin? Dokumenti sekret i NATO-s
Dokumenti i besueshëm i NATO-s për sigurinë në Ballkan, të cilin e ka parë e përditshmja kroate “Vecernji list”, është miratuar në takimin e shefave të diplomacive gjatë këtij muaji.
NATO është e gatshme të ndërhyjë operacionalisht në Ballkan kurdo është e nevojshme për të parandaluar konfliktin ndëretnik dhe për të promovuar siguri dhe stabilitet, shkruan në dokumentin sekret të NATO-s mbi situatën në Ballkanin Perëndimor, thekson gazeta kroate.
Dokumentin, të cilin “Vecernji list” ekskluzivisht e ka parë në Bruksel, fillimisht është shqyrtuar e më pas është miratuar në takimin e ministrave të Jashtëm gjatë këtij muaji. Në të njëjtin dokument janë përshkruar në detaje dy lloje të kërcënimeve me të cilat përballen vendet fqinje të pjesës juglindore kroate: sjellja destabilizuese e Rusisë dhe rritja e ekstremizmit dhe radikalizmit si pasojë e kthimit të luftëtarëve të huaj nga Siria dhe Iraku.
Mirëpo në dokumentin sekret nuk tregohen detaje se çfarë do të thotë ndërhyrja operacionale që aleanca është e gatshme të bëjë në Ballkan, por sipas burimeve jozyrtare thuhet se theks i veçantë i jepet promovimit të sigurisë dhe stabilitetit. Këto burime thonë se kjo nuk mund të shihet si kërcënim, por si mesazh për parandalimin e kërcënimeve të mundshme në qoftë se ndodhin.
Në dokument thuhet se “rreth 260 luftëtarë të huaj”, të cilët janë nga Bosnja dhe Hercegovina shkuan të luftojnë në anën e organizatës terroriste të Al-Kaedës dhe ISIS-it në Irak dhe Siri. Këto të dhëna janë nga fundi i 2015.
Kur bëhet fjalë për problemin tjetër në Ballkan, aty përmendet shqetësimi i NATO-s me praninë e shtuar të Rusisë.
“Arsyeja e dytë është se vendet anëtare të NATO-s shprehin shqetësim për situatën në Ballkanin Perëndimor. Ky shqetësim vjen nga prania e Rusisë, e cila më së shpeshti është e drejtuar aty ku ka popullsi serbe në rajon”, thuhet në dokument. NATO sheh “rritje të aktivitetit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe sjelljen destabilizuese”. Pjesa e dokumentit që flet për Serbinë, thotë se mbështetja e serbëve për aleancën ushtarake është shumë e ulët, e cila është sigurisht rezultat i bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë para përfundimit të sundimit të Sllobodan Millosheviçit.
Mesazhi i shefit të CIA-s për Ramën
Gjashtë ditë pas deklaratës së Ramës se ai ishte i gatshëm që të takohej me Putin dhe pas vizitës në Moskë të ministres së Kulturës, Tiranën e vizitoi kreu i CIA-s, Brennan. Ai ka patur një takim kokë më kokë me Ramën në të cilin i ka dhënë një mesazh të fortë. Pas atij takimi ka ardhur edhe reagimi i NATO-s. Që pas mesazhit të marrë nga takimi kokë më kokë me kreun e CIA-s Rama është bërë si pulë dhe nuk ka dalë nëpër media të deklarojë se është i gatshëm që të vallëzojë me Putinin sikurse tha më 1 dhjetor.
Drejtori i CIA-s, John Brennan vizitoi Shqipërinë në mënyrë të befasishme pa ndonjë njoftim paraprak.
Sipas ambasadës amerikane në Tiranë, kreu i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane u takua me krerët e lartë të shtetit, si me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bujar Nishani dhe ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Në qendër të diskutimeve, sipas njoftimit, ka qenë siguria rajonale, bashkëpunimi kundër terrorizmit, shkëmbimi i informacionit, etj.
Njoftimi i plotë i ambasadës: Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) John Brennan vizitoi Shqipërinë për t’u takuar me drejtues të ndryshëm dhe për të diskutuar një gamë çështjesh përfshi sigurinë rajonale, bashkëpunimin kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, si dhe çështje të tjera dypalëshe. Gjatë vizitës së tij, drejtori Brennan u takua me Kryeministrin Rama, Presidentin Nishani, ministren e Mbrojtjes Kodheli, dhe drejtues të komunitetit të inteligjencës.
Rama më 1 dhjetor: Ftoj Putinin të vallëzojmë së bashku
– Pse ne rusët aty i radhisim?
Rusët nuk janë antishqiptarë. S’kanë asnjë lidhje me ndonjë vokacion antishqiptar. Unë kam mbajtur pozicione koherente. Nëse gjeni në historinë e jetës time politike deklarata nacionaliste, zjarrvënëse apo zjarrnxitëse, atëherë flasim. Krahasimi që më bëhet me Saliun është shumë simplist, pasi nuk ka asnjë lidhje.
– Këtu më dukeni si Donald Trump, që thoshte kur fliste se në kohën që këtej ka kaos, Putin është i qartë në qëndrimet e tij.
Unë nuk thashë që këtej ka kaos, unë thashë që strategjia e Rusisë është koherente dhe këmbëngulëse në çdo veprim dhe kjo duket qartë edhe në Ballkan.
– Ju si do ta përballonit si kryeministër i një vendi të vogël ku ndikimi rus nuk është se është larguar, përkundrazi, aktiviteti diplomatik i Federatës Ruse është shtuar së fundmi. Ju si do ta përballonit?
Shqipëria ka qenë një ndër vendet anëtare të NATO-s që brenda aleancës ka mbështetur qasjen e re të samitit të fundit në raport me Rusinë, që është shtrëngim dhe dialog. Ne e kemi mbështetur këtë qasje dhe ne nuk kemi armiqësi me Rusinë, përkundrazi dhe fakti që jemi tërësisht të orientuar në vijën tonë drejt Perëndimit, nuk na pengon që me Rusinë të kemi një dialog. Megjithatë, këtë nuk e vendosim ne, pasi duhen dy për të hedhur një valle.
– Në kuadër të dialogut, ju do ta takonit Vladimir Putinin?
Nuk ka qenë asnjëherë në rendin e ditës një gjë e tillë, por nëse do të vendosej, nuk do të kisha asnjë ngurrim që ta takoja.
Rama refuzon të pyetet për aferën me CEZ
Megjithëse kryetar ka vënë Taulantin e Librazhdit, megjithëse hiqet si trim kur bie fjala për të burgosur fukarenjtë, sërish i druhet ligjit si djalli temjanit. Ai që sot duhet të jetë Kryeministri ynë ka një fobi të kahershme me komisionet hetimore, që kur ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës. Dhe atëherë në pushtet ishte dhe nuk linte arsye pa nxjerrë që të mos paraqitej në komisionin hetimor, megjithëse në pushtet ishin sivëllezërit e tij socialistë. Por edhe sot që është vetë në pushtet dhe kur në krye të tij vendos Taulantin që kërkon të bëjë si Arianit Çela në vaft, sërish e zë paniku nga një dëshmi e thjeshtë. Deklarata e vasalit e tij Gjiknuri, i cili në një moment sinqeriteti u shpreh se marrëveshja e mirëkuptimit me kompaninë çeke CEZ që i kushtoi shqiptarëve 630 milionë euro ishte një vullnet politik, duket se e ka futur në siklet kokën e karvanit. Deklarata e ish-Kryeministrit se kryerilindasi ynë mund të dënohet më së paku 35 vjet burg nga kjo aferë, ka bërë që të gjejë lloj-lloj arsyesh për t’ju shmangur përgjegjësisë….
Letra
Më datë 16 dhjetor, ditën e premte, në kalendarin e punës së Komisionit ishte parashikuar që të vinte të dëshmonte Edi Rama, një kërkesë kjo e bërë nga deputetët e opozitës në Kuvend. Por ditën e djeshme në Kryesinë e Kuvendit është dërguar një letër nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilën gazeta “RD” e disponon të plotë, ku fillimisht pranohet se më datë 1 të këtij muaji është pranuar kërkesa për t’u paraqitur në Komision, por më pas shton se, “Duke ju konfirmuar disponibilitetin e Kryeministrit për të marrë pjesë në këtë seancë dëgjimore, ju informojmë se, në datën e paracaktuar më 16 dhjetor, Kryeministri e ka të pamundur pjesëmarrjen për shkak të një impenjimi tjetër institucional”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Më pas, Agaçi i kërkon Kuvendit një datë tjetër, ku të bihet dakord që të gjendet një datë tjetër e dakordësuar me qëllim që Kryeministri të jetë i lirë dhe të shkojë të japë dëshminë e tij në Komision. Pak i habitshëm ky justifikim i Kryeministrit, duke pasur parasysh kohën që ai shpenzon me ditë të tëra, si fjala vjen për të hapur ekspozitat e tij, që nuk i hyjnë në punë askujt dhe nuk gjen një orë kohë për të dhënë sqarime se si është abuzuar me 630 milionë euro nga një marrëveshje të urdhëruar prej tij.
A do e shoqërojë Taulanti me forcë kokën e karvanit?
Tani pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë simboli i intelektualizimit dhe qytetërimit të Rilindjes, Taulant Balla ndaj shefit dhe idhullit të tij. A do të kërkojë dhe në këtë rast shoqërimin për në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të kreut të karvanit? Në fakt duhet sqaruar qysh në fillim se, Taulanti deputet i Librazhdit, ende nuk ka dhënë një sqarim a është dënuar nga gjykatat e këtij vendi për shpifje dhe a i ka borxh njeriu nja 10 milionë lekë të vjetra? Gjithsesi, edhe po nuk e sqaroi këtë pikë sërish kjo nuk e pengon që të dërgojë letër në komisariatin e policisë që dëshmitari Edi Rama të vijë me forcë në ambientet e Kuvendit. Apo është thjesht një dakordësi me shefin e tij që të shtyhet sa më shumë, duke ditur se Kuvendi mbyll punimet e kësaj legjislature dhe pak ditë? Gjithsesi dhe në rast se nuk e bën Taulanti deputet i Librazhdit, sërish nuk përjashtohet që këtë veprim ta kërkojnë deputetët e opozitës, në rast se Rama vazhdon me justifikimet e tij “për mungesë kohe”, pasi një Kryeministër që lundron tërë ditën në Facebook dhe që përgjatë 3 viteve e ca nuk ka bërë asgjë, por i ka rënë më qafë atij institucioni, nuk e ka problem të gjejë një orë kohë që të dëshmojë se ku kanë shkuar 630 milionë euro të shqiptarëve. Kjo sepse ka fjalë që jo vetëm është përzier kokë e këmbë në këtë megaaferë korrupsioni, por sepse zëra të tjerë flasin dhe si një “nder” që ja ka kërkuar liderit global Kryeministrit të Çekisë, Bohuslav Sobotka për arsye që koka e karvanit do të mund t’i sqarojë më mirë në deklaratat e tij.
Pse ka të drejtë Berisha për shkarkimin e Ballës?
Nga Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI
Hetimi parlamentar është një ndër mjetet kryesore që Kushtetuta i njeh Kuvendit, si organi më i lartë vendimmarrës dhe mbartës i sovranitetit shtetëror. Neni 77 i Kushtetutës përcakton, që:
“1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme, si dhe mund të caktojë komisione të posaçme.
2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen Prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.
3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj”.
Sipas përcaktimit të këtij neni, në thelb, rezultatet e hetimit mund të shërbejnë si bazë për Prokurorinë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore, ose më saktë mund t’i shërbejnë ndër të tjera që të vendosë kryesisht regjistrimin e një procedimi penal.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë ndalesë që Gjykata të vlerësojë rishtazi në tërësi këto përfundime, apo t’i marrë ato si përfundimtare në rastet e pamundësisë së administrimit rishtas të tyre për shkaqe që njeh procedura penale. Gjithashtu, vetë Ligji Nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, parashikon në pikën 2 të nenit 4 “Rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale për hetimin zbatohen drejtpërdrejt nga komisionet hetimore të Kuvendit, për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
Ndërkohë, përtej formulimeve të këtij ligji, apo nenit 77 të Kushtetutës, e Drejta Kushtetuese “Për proces të rregullt ligjor” (neni 42), dhe një seri të drejtash të tjera themelore të njeriut, gjejnë zbatim ‘për se’ edhe në procedurën hetimore parlamentare. Madje, kjo gjë bëhet edhe më e qartë, po të mbahet parasysh ndikimi që mund të ketë nga pikëpamja penale, pyetja dhe përgjigjja e një personi të thirrur për të dëshmuar para një Komisioni Hetimor.
Në fakt, përmbajtja e ligjit dhe vetë situatat e krijuara së fundi, nxjerrin në pah qartë që ligji ka mungesa dhe gabime mbi statusin e personit që mund të thirret në komision. Kjo, pasi hetimi parlamentar sikurse çdo hetim tjetër, apo procedurë ligjore, e konfirmuar kjo edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, duhet të respektojë të drejtën për proces të rregullt në lidhje me personat që marrin pjesë. Këto të drejta përfshijnë edhe të drejtën për t’u përfaqësuar me avokat dhe për të mos u përgjigjur personalisht apo për të kërkuar përjashtimin e një gjyqtari, prokurori etj, që për paralelizëm në këtë situatë nënkuptojnë edhe të drejtën për të kërkuar përjashtimin edhe të një anëtari të një komisioni hetimor parlamentar. Kjo e drejtë, nënkupton rrjedhimisht edhe të drejtën për të refuzuar dhënien e dëshmisë në kushtet që parashikon Kodi i Procedurës Penale. Rrjedhimisht, në situatën që po flasim, kjo nënkupton që bazuar në rregullat e procedurës penale, Komisioni merr atributet e një organi ‘quasi’ gjyqësor dhe iu nënshtrohet të njëjtave rregullave të Kodit të Procedurës Penale jo vetëm për mënyrën e marrjes në pyetje të personave të thirrur, por edhe në lidhje me kërkesat e neneve 15-18 të Kodit të Procedurës Penale. Në thelb, këto rregulla zbatohen rrjedhimisht edhe ndaj kryetarit, apo anëtarit, të një Komisioni Hetimor, pasi pjesëmarrja në kushtet e parashikuara nga këto nene, jo vetëm që cënon objektivitetin e hetimit që duhet të kryejë komisioni, por bëhen shkak edhe për shkeljen e të drejtave të personave pjesëmarrës në procedurën hetimore parlamentare.
Gjithashtu, situata e krijuar së fundmi me liderin historik të opozitës së sotme parlamentare, zoti Berisha, tregon qartazi që hetimi parlamentar duhet të zbatojë rreptësisht ligjin procedural dhe Kushtetutën e RSH dhe nga një shfaqje mediatike të kthehet në një mekanizëm funksional për ushtrimin e kontrollit parlamentar. Sigurisht, në kuptim të këtyre rregullave, kërkesa e zotit Berisha për përjashtimin e kryetarit të Komisionit Parlamentar, ishte e drejtë dhe e mbështetur në ligj, për pasojë Komisioni s’mund të vepronte dhe as të thërriste atë për të dëshmuar nëpërmjet kryetarit ndaj të cilit ishte depozituar më parë kërkesa për përjashtim. Kjo situatë ligjore, duhet të adresohet edhe me një amendim të këtij ligji.
Respektimi i K.Pr.P. dhe i normave të tjera ligjore nga Komisioni është kërkesë thelbësore e ligjshmërisë dhe e procesit të rregullt ligjor, por mund të çojë edhe në shkeljen e rëndë të së drejtave të personave pjesëmarrës, si dhe mund të përbëjë elementë të mjaftueshëm për ekzistencën e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” për shkelësit e rregullave, pasi në thelb shpërdorimi i detyrës sipas Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës nënkupton kryerjen ose moskryerjen me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”. Pra është e qartë, që procedimi para Komisioneve Parlamentare mund të çojë në dëmtimin me dashje të interesave të ligjshme të shtetit, të shtetasve etj… Në këto kushte, është momenti që Kuvendi dhe anëtarët e tij të reflektojnë mbi mënyrën sesi duhet të organizohen dhe funksionojnë Komisionet Hetimore, për të mos i shndërruar ato sikurse ka ndodhur gjatë dy dekadave në një farsë mediatike dhe politike.
Shanset e tua për kryeministër? Sa të Armando Prengës për Nobel!
Ristani i përgjigjet Ramës:
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, ka ironizuar sot Edi Ramën, i cili gjatë një takimi me ambasadorët u shpreh i sigurt se “do e gëzojë dhe një mandat tjetër”. Ristani me anë të një postimi të tij në Facebook shkruan se, “Këto janë ditët e fundit të Edi Ramës në pushtet. Aq sa i ka shanset Armando Prenga të marrë çmimin Nobel për paqen, aq i ka dhe ai për një mandat të dytë. Le t’i gëzohet bandës së vet edhe për pak kohë”, thotë ai, ndërsa poston edhe fotomontazhin ku shihen bashkë Edi Rama, Elvis Roshi, Armando Prenga, Sajmir Tahiri dhe Emiljano Shullazi. Të gjithë këta njihen si bashkëpunëtorë të “preferuarit” e kryeministrit përgjatë tre vjetëve qeverisje. Gjithsesi, me afrimin e zgjedhjeve është shtuar dhe më shumë delirimi i kryeministrit, duke folur për punë dhe vende pune që nuk shihen kurrkund. Me sa shihet si informacion për gjendjen në vend, ai ka vetëm duartrokitjet që merr nga fakirët e paguar në Facebook. Kjo ka sjellë dhe një gjendje të rënduar të kreut të karvanit, i cili bind veten çdo ditë e më shumë se di ta bëjë atë punë dhe se shqiptarët e duan dhe do e votojnë sërish, duke mos ditur të ndajë kështu fantazinë nga realiteti shenja nga të cilat preken më së shumti diktatorët e vendeve komuniste.
Kush do të jetë Sekretari i ri i Shtetit?
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump njoftoi se ka emëruar drejtorin ekzekutiv të firmës ExxonMobil, Rex Tillerson në postin e sekretarit të Shtetit. Pa përvojë diplomatike dhe me marrëdhënie që shumë i kanë cilësuar si tepër të afërta me Rusinë, kandidatura e zotit Tillerson pritet të ndeshë në rezistencë në Senat gjatë procesit të konfirmimit.
Rex Tillerson, 64 vjeç, është me profesion inxhinier dhe ka filluar punën për firmën Exxon menjëherë pas mbarimit të Universitetit të Teksatit në Austin. Gjatë katër dekadave që pasuan, ai u ngjit në karrierë. Ai kishte në plan të largohej nga kompania vitin e ardhshëm kur të mbushte moshën 65-vjeçare të pensionit të detyrueshëm në kompani.
Ai njihet për aftësinë e arritjes së marrëveshjeve me vende të tjera dhe thuhet se ka marrëdhënie të mira me një sërë krerësh shtetesh në mbarë globin, që janë diçka me rëndësi për një diplomat.
ExxonMobil është kompania e pestë më e madhe në botë, për nga vlera e saj në treg. Megjithëse të ardhurat e kompanisë u ulën disi vitin e kaluar për shkak të rënies së çmimit të naftës në tregjet botërore, ajo është ende një firmë shumë fitimprurëse. Rex Tillerson, paga e të cilit bazohet në ecurinë e kompanisë, fitoi 27 milionë dollarë vitin e kaluar, nga 42 milionë që kishte qenë kompensimi i tij në vitin 2012.
Rex Tillerson duhet të konfirmohet nga Senati dhe procesi pritet të jetë i vështirë. Bazuar në përbërjen e tanishme të Senatit, nëse të gjithë demokratët votojnë kundër tij dhe nëse dy ose tre republikanë bashkohen me ta, kandidatura e presidentit mund të rrëzohet.
Të shtunën, kur dolën njoftimet e para rreth kandidaturës së tij për postin e sekretarit të Shtetit, disa senatorë, mes tyre edhe republikanë, ngritën shqetësime rreth lidhjeve të zotit Tillerson me Rusinë.
Në vitin 2013, Presidenti rus, Vladimir Putin i dha zotit Tillerson “Medaljen e Miqësisë”, për marrëveshjet e firmës ExxonMobil me kompanitë ruse për kërkim dhe shfrytëzim nafte dhe gazi në territorin rus, si dhe për kundërshtimin që u ka bërë sanksioneve ndaj Rusisë.
Të hënën Kremlini e përshëndeti kandidaturën e tij duke e cilësuar atë si një kandidaturë “shumë profesionale”.
David Hamre, presidenti i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se zoti Tillerson, i cili është anëtar i kësaj qendre, “ka patur më shumë kontakte me presidentin Putin se ndoshta çdo amerikan tjetër, me përjashtim të Henry Kissingerit”.
Duke folur në fillim të vitit në Universitetin e Teksasit, zoti Tollerson e pranoi se “kam patur marrëdhënie të ngushta” me presidentin Putin, duke e njohur udhëheqësin rus prej 15 vjetësh.
Kjo marrëdhënie është “një çështje shqetësuese”, u shpreh senatori John McCain, kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura.
Senatorë të tjerë republikanë, si Lind Lindsey Graham dhe Marco Rubio, po ashtu kanë lënë të kuptohet se janë të shqetësuar nga marrëdhëniet e tij me Rusinë.
Senatori demokrat, Robert Menendez tha se me Tillersonin si shef të diplomacisë “administrata e presidentit Trump pothuajse ka garantuar se Rusia do të ketë një bashkëfajtor të vullnetshëm që do të drejtojë politikën e jashtme të vendit”.
Përvoja si biznesmen krahasuar me atë të diplomacisë
Ndërsa disa kritikë i vënë në pikëpyetje aftësitë e zotit Tillerson për të qenë kryediplomat, zoti Trump tha në një intervistë të djelën se marrëveshjet globale të zotit Tillerson e bëjnë atë “një lojtar të klasit botëror”.
“Ai i njeh shumë prej lojtarëve dhe i njeh mirë”, u shpreh zoti Trump.
Profesori Henry Hale, ekspert i Euroazisë në Universitetin George Washington i tha “Zërit të Amerikës” se, “biznesi në botë nuk është i njëjtë me zhvillimin e politikës së jashtme”. Por ai shtoi se, “të gjithë sekretarët e Shtetit mësojnë në punë e sipër në njëfarë shkalle”.
Zgjedhja e zotit Tillerson ëshë në përputhje me preferencat e zotit Trump për të patur drejtues të ushtrisë dhe biznesit në kabinetin e tij.
“Përvoja e zotit Tillerson dhe njohja prej tij e formalitetit organizativ e pajisin atë me aftësi të veçanta për të drejtuar Departamentin e Shtetit, i cili për nga kultura është i ngurtë për të vepruar”, thotë Bob Tippee, redaktor i revistës “Nafta dhe Gazi”.
Donald Trump fitues pas rinumërimit të votave
Rinumërimi i votave ka konfirmuar përfundimisht zgjedhjen e Donald Trumpit si president në shtetin e Uiskonsinit. U deklarua më në fund se kandidati republikan e ka mundur rivalen e tij demokrate Hillary Clinton me më shumë se 22 mijë vota, i njëjti numër i regjistruar në numërimin origjinal të votave.
Tre milionë vota të hedhura në të gjithë shtetin u riekzaminuan me kërkesë të Partisë Jeshile dhe kandidates Jill Stein, por sipërmarrja e jashtëzakonshme e rinumërimit solli një diferencë prej vetëm 0,06 për qind, në favor përsëri të presidentit të zgjedhur, të cilit i takonin edhe 162 vota të tjera. Auditi u finalizua në të njëjtën ditë që gjyqtari federal refuzoi kërkesën e mbështetur nga Partia e Gjelbërt për të rinumëruar fletët e votimit në shtetin e Pensilvanisë dhe që të skanoheshin një pjesë e sistemeve zgjedhore të disa konteve për të zbuluar gjurmë të hakimit të sistemit.
Stein, e cili pagoi për procesin e rinumërimit të votave duke mbledhur mbi 7 milionë dollarë nga donatorë të ndryshëm, bëri disa tentativa të ndryshme për të nxitur rinumërimin edhe në shtete të tjera si Pensilvania dhe Miçigani, të cilat u bllokuan menjëherë nga gjykata.
Kërkesa e saj për të kontrolluar çdo fletë të vetme votimi me dorë në të gjithë shtetin e Uiskonsinit, kërkesë e cila u mbështet edhe nga Hillary Clinton, u refuzua gjithashtu. Në një deklaratë të lëshuar ditën e hënë, zj. Stein falënderoi punonjësit shtetërorë të procesit zgjedhor pasi kishin punuar shumë për të mbyllur procesin e rinumërimit deri në afatin e ditës së martë të imponuar nga qeveria federale, datë në të cilët duhet të ishin zgjidhur të gjitha konfliktet zgjedhore.
Megjithatë, ajo tha se refuzimi i disa prej konteve për të zhvilluar procesin e rinumërimit ka ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me integritetin e procesit. “Ky proces rinumërimi nuk u nis për të ndryshuar rezultatin zgjedhor, por për të vërtetuar votat dhe të rikthyer besimin e amerikanëve dyshues tek sistemi ynë zgjedhor. Rinumërimi në Uiskonsin ka ngritur shumë çështje të rëndësishme që lidhen me integritetin e procesit zgjedhor që kërkojnë vlerësime të mëtejshme dhe hapa konkretë për të garantuar atë integritet dhe besim në sistemin zgjedhor që kërkojmë të gjithë”, tha ajo gjatë deklaratës.
Një padi e ngritur nga fushata e zj. Stein pretendonte se kishte pasur parregullsi në numrin total të votave të zgjedhjeve të Uiskonsinit, që tregojnë se mund të ketë pasur manipulime potenciale në sistemin e votimit elektronik. Zj. Stein, e cila arriti të sigurojë vetëm 1 për qind të votave në çdo shtet ku Donald Trumpi ka pasur fitore të ngushtë, argumentoi se makineritë e votimit në të tre shtetet ishin të dobëta përballë një hakimi potencial.
Në Pensilvani, gjyqtari federal Paul Diamond tha se ekzistonin të paktën gjashtë arsyetime ligjore që e detyronin atë të refuzonte padinë e Partisë së Gjelbërt, e cila është kundërshtuar edhe nga presidenti i ri Trump, nga Partia Republikane e Pensilvanisë dhe zyra e prokurorit të Përgjithshëm të Pensilvanisë.
“Fakti më i rëndësishëm është se nuk ka asnjë provë të besueshme që mund të ketë ndodhur një hakim dhe nuk ka prova që të tregojnë se sistemi zgjedhor i Pensilvanisë është manipuluar në njëfarë mënyre”, shkroi gjyqtari Diamond në arsyetimin e tij. Ai tha gjithashtu se kishte pasur një pritje të pajustifikuar dhe paragjykuese nga ana e Partisë së Gjelbërt përpara se të ngrinte padinë, pra katër javë pas zgjedhjeve të 8 nëntorit.
Partia e Gjelbërt është përplasur me barriera të shumta në gjykatat e kontesë dhe shteteve të ndryshme që në kohën kur filloi të kërkonte rinumërimin e votave. Një avokat i Partisë së Gjelbërt tha ditën e hënë se ishin shumë të zhgënjyer dhe e kishin të pamundur të deklaronin nëse do ta apelonin apo jo vendimin e gjykatës.
“Një gjë është e sigurt”, tha avokati i partisë Ilann Maazel. “Sistemi zgjedhor i Pensilvanisë nuk është i drejtë për votuesit dhe votuesit nuk e dinë nëse vota e tyre vlen apo ajo. Ky është një problem i madh”. Në Pensilvani, Donald Trumpi e mundi rivalen Hillary Clinton me rreth 44 mijë vota nga 6 milionë të hedhura. Një gjyqtar federal e ndaloi procesin e rinumërimit në shtetin e Miçiganit javën e kaluar pas tre ditësh. Donald Trump ka fituar në Miçigan me më pak se 11 mijë vota nga 4,8 milionë të hedhura.
Vuçiçi i zemëruar me Kroacinë, largohet nga Brukseli
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç bojkoton takimet në Bruksel, për shkak të bllokadës së Kroacisë. Vuçiçi kërcënon, ndërsa Berlini nuk është dakord me bllokadat.
Vuçiçi do të bojkotojë ceremoninë e hapjes së kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, në qoftë se Kroacia vazhdon me bllokimin e hapjes së kapitullit 26 (për arsim dhe kulturë), njofton agjencia gjermane e lajmeve “DPA”. “Mjaft më me kushtëzime”, tha Vuçiçi, i cili bëri të ditur se do të largohet nga Brukseli dhe do të kthehet në Beograd.
Zagrebi ka kërkuar përmirësimin e pozitës së minoritetit kroat në Serbi, në veçanti të lëndës mësimore në shkolla. Vuçiç e konfirmoi vendimin e tij pas takimit që zhvilloi me kreun e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.
“DPA” njofton se kancelarja gjermane, Angela Merkel në mënyrë indiskrete e ka “paralajmëruar” të hënën (11.12) kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, se çështjet bilaterale duhet të zgjidhen me marrëveshje bilaterale mes vendeve dhe jo në nivelin e BE-së. Kështu është shprehur Merkel në konferencën për shtyp, pas takimit në Berlin me kryeministrin kroat.
“Vuçiçi ka humbur nervat”, e komentojnë mediat kroate sjelljen e kryeministrit serb në Bruksel, duke e quajtur atë si “hap të befasishëm”, shkruan “DPA”. Të martën (13.12) në Bruksel, në kuadër të negociatave të Serbisë me BE-në do të duhej të hapen kapitujt 5 (furnizimet publike) dhe 25 (shkenca dhe hulumtimet). Ndërsa kapitulli 26 sipas të gjitha gjasave nuk do të hapet.
Vuçiçi ka deklaruar para disa ditësh se llogarit me futjen e “vendit të tij të varfër” në BE deri në vitin 2025. Agjencia “DPA” deri tani është e vetmja nga hapësirat gjermanfolëse, të cilat i kanë kushtuar vëmendje kësaj çështjeje.