33.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Serbia, shteti i dytë në botë i armëve të jashtëligjshme

Në botë vetëm shtetasit e SHBA kanë më shumë armë se qytetarët e Serbisë. Me dekada të tëra Serbia është e paaftë për ta zgjidhur këtë problem. “Si mendon, prej nga më erdhi pistoleta në shtëpi? Ku di unë, ka ardhur disi, nga lufta. Babai ka qenë ushtar dhe ia kanë dhuruar. Nuk ka pasur leje, por në ato vite nuk ka pasur askush leje për armëmbajtje. Kohëra të vështira, është dashur të kesh diçka”. Për Mlladenin kjo është shumë e logjikshme – ishte luftë, babai ishte në luftë dhe është normale që të sjellë diçka si kujtim. Dhe këtë armë e mban në banesën e tij në Beograd – një armë të “Zastavës” me yllin pesërrembësh dhe shkronjat “SFRJ” (ish-RSFJ). “Babai ma ka treguar si duket, por nuk ma ka dhënë në dorë. Megjithatë unë kam mësuar shpejt të hap dollapin dhe kur kam qenë i vogël lavdërohesha para shokëve”, thotë Mlladeni (emrin e vërtetë e di redaksia), një njeri i moshës rreth 30 vjet.

Ndoshta na duhet…
Askush nuk e di sa ka armë ilegale në duart e qytetarëve të Serbisë. Autoritetet thonë se shifrat mund të jenë prej 200.000-900.000 pistoleta, pushkë, bomba, zolja… Ndërsa ekspertët vlerësojnë se në duart e qytetarëve janë rreth një milion armë ilegale, sa ka edhe armë me leje. Ndërkohë që rreth një milion armë ka policia dhe shërbimet private të sigurisë. Kjo do të thotë se çdo i dyti person i rritur në Serbi ka qasje tek armët e zjarrit. Revistat e huaja e vendosin Serbinë në vendin e dytë në botë, për nga numri i armëve në duart e qytetarëve, menjëherë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nuk ka dilemë që numri më i madh i armëve ka ardhur në Serbi gjatë kohës së luftërave në vitet ‘90-të. Armët thjesht janë marrë nga kazermat e Armatës Popullore të Jugosllavisë apo nga njësitë paramilitare. Në kohërat e gjakderdhjeve, askush nuk është kujdesur për regjistrimin e armëve. Të gjitha këto armë mund të përdoren, thotë Predrag Petroviç, drejtor i Qendrës për Politikë të Sigurisë.
Por edhe pas luftës janë marrë armë nga magazinat e policisë dhe ushtrisë. Për shembull, gjatë protestave të opozitës më 5 tetor, kur është rrëzuar regjimi i Millosheviçit, nga një stacion i policisë në Stari Grad janë marrë 500 copë armë, të cilat kanë përfunduar në duart e klanit të Zemunit, i cili më pas është akuzuar për vrasjen e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiç. Gjëra të tilla kanë ndodhur edhe më vonë, sepse në një kontroll të rregullt në nëntor në kazermën e ushtrisë në Ostruzhnicë është konstatuar se mungojnë 70 pistoleta, 5 pushkë dhe dy konteinerë me municion.
Përveç kësaj, Ballkani konsiderohet si bazë e kontrabandimit të shumë gjërave, ku nuk përjashtohen as armët. Armët e shitura më së shumti shkojnë në drejtim të Evropës Perëndimore për shkak të çmimeve më të larta, thotë Petroviç. Këtu pistoleta mund të blihet në tregun ilegal për 100-150 euro, ndërsa në Perëndim shitet për më shumë se 1.000 euro, që do të thotë se përfitimi është shumë i madh. “Ka pasur edhe raste kur ata që punojnë në vendet e tjera kanë marrë me vete nga 2-3 armë dhe kështu fitojnë disa mijëra euro”.
Armët e shitura ilegalisht përfundojnë zakonisht në duart e kriminelëve dhe madje terroristëve. Serbia në katër vitet e kaluara ka shitur armë të kalibrit kryesisht të vogël në Lindjen e Mesme në vlerë prej 194 milionë eurosh. Këto armë janë prezantuar edhe në lajmet e mediave botërore. Ato mund të shihen në fotografitë e xhihadistëve. Disa kallashnikovë të prodhimit të vjetër në Zastavën e Kragujevcit janë përdorur edhe gjatë sulmeve terroriste në Paris, ku janë vrarë 130 persona. Këtu është gjetur edhe një pistoletë gjysmautomatike “Zastava M92″, e cila para tre vitesh i është shitur firmës amerikane Century Arms.

Si në Teksas…
Gjatë bisedave fitohet përshtypja se ndaj armëve këtu ka një raport si në Teksas – më mirë ta kem, sepse kurrë nuk i dihet… Rreth 70% e qytetarëve ndjehen të sigurt në vendin e tyre, por tmerruese është që ata nuk e ndjejnë veten të sigurt për shkak të mbrojtjes nga policia apo institucionet e tjera, por për shkak të armës që posedojnë, për shkak të fuqisë së vet, ndihmës së fqinjve apo miqve… “Në këto hapësira ekziston kultura e mbajtjes dhe ruajtjes së armëve gjatë historisë – gjatë kryengritjeve dhe më pas”, thotë Petroviç. Një kulturë e tillë shihet edhe në festa, kur fillohet me të shtëna. Ky është një lloj simboli i statusit, sepse pistoleta dhe pushka tregojnë forcën!”
Petroviç shton se problemi është “mungesa e stabilitetit konstant” dhe konfliktet e shumta në hapësirat e ish-Jugosllavisë në 25 vitet e fundit. “Tani kemi edhe kërcënimet e reja me rrjedhën e migrantëve. Ndërsa mediat dhe autoritetet pohojnë se jemi të cenuar, se mund të ketë grusht shtet, se Serbia mund të destabilizohet. Kjo i frikëson njerëzit”. Në media shkruhet kryesisht për gjëra të këqija dhe përdorimin e armëve për sulm apo vetëmbrojtje.
Qendra për Hulumtimet e Politikës Publike ka analizuar vitin e kaluar 400 rastet e përdorimit të armëve në Serbi. Në 120 raste janë përdorur armë ilegale, ndërsa vetëm në 22 raste armë legale. Në 258 rastet e tjera nuk dihet prejardhja. “Këto të dhëna nuk janë të plota, por sinjalizojnë shumë qartë se në situata konfliktuoze shumë më shpesh përdoren armët e paregjistruara”, thonë përfaqësuesit e qendrës. Gjysma e 35 vrasjeve të femrave në familje gjatë vitit të kaluar është kryer me armë zjarri – kryesisht të paregjistruara.
Petroviç mendon se nuk mjafton vetëm legalizimi i këtyre armëve. “Nuk është problemi i posedimit të armëve, por përdorimit të tyre. Ndërkohë që një problem shumë i madh është edhe përdorimi i armëve të ftohta, që dëshmojnë edhe raportet e shumta në media. Nëse dikush do të bëjë keq, atëherë mund të përdorë çka t’i bjerë në dorë. Pra, nuk mjafton vetëm legalizimi i armëve, por kërkohet edhe vetëdijësimi i shoqërisë për heqje dorë nga dhuna”.

Aksionet e dobëta për legalizimin
Po si qëndron puna me legalizimet e famshme? Këtu më shumë bëhet fjalë për marrëveshjet që shteti u ofron personave që kanë armë ilegale. Gjatë procesit të legalizimit, që parimisht zgjasin disa muaj, të gjithë mund të dorëzojnë armët dhe kurrë nuk ndiqen penalisht për posedim armësh. Mund të kërkohet edhe regjistrimi sipas procedurës së rregullt, ku bëjnë pjesë orët e përdorimit të armëve, kontrolli i sigurisë, pagesat e taksave…
Ministria e Brendshme i përgjigjet “Deutsche Welles” se në shtatë aksionet e legalizimit nga viti 1992 deri më sot, janë legalizuar 100.000 copë armë. Aksioni më i suksesshëm ka qenë “Sablja” (“Shpata” – aksioni pas vrasjes së Gjingjiçit), kur qytetarët kanë dorëzuar 47.852 copë armë. Ndërsa 34.917 persona kanë kërkuar legalizimin e armëve. Janë kthyer edhe rreth dy milionë fishekë. Aksionet që janë zhvilluar më vonë, kanë qenë më të dobëta. Në vitin 2007 janë dorëzuar vetëm 8.445 armë. Ndërsa në tetë vitet e ardhshme shteti nuk ka bërë asgjë për mbledhjen e armëve. Vitin e kaluar janë mbledhur 7.545 armë, ndërsa këtë vit në procesin e legalizimit janë vetëm 1.410 armë. “Opinioni ka marrë vesh për aksionin vetëm nga një kumtesë e policisë në media. Nuk ka pasur ndonjë organizim të mirë”, kritikon qendra.
“Këto janë shifra modeste për 15 vite legalizimi. Duhet nisur një aksion i gjerë, ndoshta i përhershëm dhe duhet punuar në mënyrë intensive. Iniciativat duhe të jenë shumë të dukshme”, thotë Petroviç. Në disa vende të SHBA, personat janë paguar madje për të kthyer armët, por rezultatet kanë qenë modeste. “Personat, të cilët mbajnë armë me qëllim që t’i përdorin ndonjëherë, ata nuk i dorëzojnë ato. Ndaj në radhë të parë duhet punuar që këto armë të mos futen në kanalet ilegale”.
Mlladeni nga Beogradi thotë se babai i tij e ka regjistruar ndërkohë armën. Ajo edhe më tej mbahet në shtëpi, por tani në mënyrë legale. “Këtë armë nuk e kemi përdorur kurrë, por na jep siguri. E di ti se në çfarë kohërash po jetojmë?! Një herë kanë dashur të futen në shtëpi dhe të vjedhin. Kemi bërtitur: merre pistoletën, merre pistoletën… dhe ata kanë ikur”. Mlladeni mendon se pistoleta funksionon, por atë nuk e kanë provuar kurrë.

Vëzhguesit e BE-së komentojnë zgjedhjet në Maqedoni

Vëzhguesit e Bashkimit Evropian thanë të hënën se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Maqedoni ishin konkurruese dhe një hap thelbësor në zgjidhjen e krizës së thellë dyvjeçare. Ata thanë se zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis të karakterizuar me mosbesim të përhapur publik në institucionet dhe sistemin politik dhe ende mbeten sfidë çështja e mediave dhe regjistrimi i votuesve. Rreth 8 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë ndoqën votimet e së dielës në Maqedoni.
Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë dje se zgjedhjet e ditës së diel në Maqedoni ishin konkurruese dhe një hap thelbësor në zgjidhjen e krizës së thellë dyvjeçare.
Rreth 8 mijë vëzhgues ndoqën nga afër procesin, i cili u vlerësua i qetë dhe pa probleme të mëdha që do të mund ta dëmtonin atë.
Sipas vëzhguesve, zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis të karakterizuar me mosbesim të përhapur publik në institucionet dhe sistemin politik. Ata thanë po ashtu se me gjithë dakordimet për ndryshime ligjore për të siguruar zgjedhje të drejta, ende mbeten sfidë çështja e mediave dhe regjistrimi i votuesve.
Bashkërenduesi i posaçëm dhe kryesuesi i misionit afatshkurtër të OSBE, Roberto Batelli tha se dalja e lartë e votuesve në këto zgjedhje dëshmon se ata e kanë kuptuar rolin e tyre për të ardhmen e vendit.
“Partitë politike tani kanë përgjegjësi për t’i plotësuar këto pritje. Ata duhet të shfrytëzojnë këtë moment dhe mandatin që iu është dhënë për të vazhduar me reformat e nevojshme për të ardhmen e vendit”, tha zoti Batelli.
Udhëheqësja e ekipit vëzhgues të ODIHR-it, Tana de Zulueta tha se votimet dhe numërimi i votave ka qenë në përgjithësi i mirë dhe transparent.
“Disa nga procedurat, misionet dhe parregullsitë kanë qenë të njoftuara më herët nga vëzhguesit. Ne po ashtu kemi bërë të ditur se përfshirja e rëndësishme e partive politike dhe shoqërisë civile në dhënien e transparencës në proces, këta aktorë së bashku me Komisionin Zgjedhor dhe institucionet e tjera do të jenë jetike në përmirësimin e mëtejmë të zgjedhjeve në këtë vend”, tha ajo.
Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shkup, Jess Baily, në një konferencë për gazetarët përshëndeti qytetarët e Maqedonisë për zgjedhjet që i cilësoi konkurruese dhe tha se të drejtat e njeriut përgjithësisht janë respektuar. Ai nënvizoi shqetësimin e përbashkët me organizatat vëzhguese lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve dhe i bëri thirrje qeverisë së ardhshme që të përballet me sfidat për të siguruar zgjedhje të rregullta.
“Zgjedhjet e 11 dhjetorit ishin hapi i parë i rëndësishëm për ta larguar Maqedoninë nga kriza politike. Ne inkurajojmë partitë politike që do të formojnë qeverinë e re që të punojnë në mënyrë konstruktive me opozitën, që të miratojë reformat që do të shtyjnë më tej procesin e integrimeve euroatlantike, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit”, tha ambasadori Baily, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara së bashku me partnerët e tjerë do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë në këtë përpjekje.

Jan Oblak 3-4 muaj jashtë fushave

Nuk kanë të sosur lajmet e këqija për Atleticon e Madridit. Pas disfatës 3-0 të pësuar në “El Madrigal” nga Villarreali, mediat spanjolle bëjnë të ditur se Jan Oblak, portieri titullar i Atleticos duhet të operohet në shpatullën e majtë dhe do të jetë i padisponueshëm për 3 deri 4 muaj. Jan Oblak do të humbasë në këtë mënyrë me siguri etapën e parë të raundit të dytë të Champions, kundër Bayer Leverkusen në 21 shkurt dhe ndeshjen e 5 ditëve më pas me Barcelonën.
Oblak u dëmtua të hënën në ndeshjen me Villarrealin. Sllovenit iu desh të linte fushën në “El Madrigal” në minutën e 38-të, pasi nuk grushtoi si duhej një krosim të Patos. Slloveni u shtri në tokë, ndërsa dukej se kishte dhimbje dhe u vendos menjëherë të zëvendësohej. Më pas u dërgua në spital ku siç bën të ditur “Cadena Ser” u konstatua se ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale në shpatull, ndërsa Atletico pret ekzaminime të tjera mjekësore për të përcaktuar kohën e saktë të rikuperimit. Mediat iberike japin të sigurt ndërkohë se Oblak do të humbasë minimumi 13 ndeshje në rastin më të mirë të mundshëm, nëse ia arrin të jetë gati pas 3 muajsh.

U-19 dhe U-17 mësojnë rivalët në eliminatore

Shqipëria do të hapë dyert vitin e ardhshëm për dy turne të rëndësishëm në rang kombëtaresh. Bëhet fjalë për eliminatoret e Europianit U-17 dhe U-19 që do të luhen të gjitha në vendin tonë. Gjatë shortit të hedhur në Zvicër, kuqezinjtë e të dyja grupmoshave kanë mësuar emrat e kundërshtarëve. 19-vjeçarët janë shortuar në Grupin 12 bashkë me Ukrainën, Malin e Zi dhe Norvegjinë. Turneu eliminator do të zhvillohet nga data 4 deri në 10 tetor të vitit të ardhshëm. Ky do të jetë turneu i parë zyrtar për trajnerin Erjon Bogdani, i cili u ul në stolin e 19-vjeçarëve vetëm pak ditë më parë.
Ndërkohë, 17-vjeçarët e Xhemal Mustedanagiç janë shortuar në Grupin 2 dhe do të presin në vendin tonë Spanjën, Kroacinë dhe Lihtenshtejnin në datat 19 deri në 25 tetor. Një grup mjaft i vështirë ky për skuadrën e drejtuar nga trajneri boshnjak, ku iberikët dhe kroatët vlerësohen si favoritë për t’u pozicionuar në dy vendet e para, të cilat sipas rregullores garantojnë edhe kualifikimin në “Elite Round”. Në fazën tjetër të turneut, do të kalojnë edhe 4 ekipe të vendeve të treta, bazuar në ecurinë që do të kenë në ndeshjet direkte me skuadrat kryesuese të grupeve.
Në shortin e hedhur në selinë qëndrore të UEFA-s, mes 52 nga 54 vendet anëtare ishte edhe përfaqësuesja e 17-vjeçarëve të Kosovës, e cila do të debutojë në kualifikueset e kësaj grupmoshe. E pozicionuar në vazon e katërt, me një koeficient të ulët, shorti vendosi që Kosova të luajë në Grupin 9 me kundërshtarë mjaft të vështirë, si Holanda, Uellsi dhe Hungaria. Ndeshjet kualifikuese do të luhen gjatë vjeshtës së ardhshme, duke nisur prej datës 19 nëntor 2017.

Kryqëzohet Niang

Rikthimi në atë stadium që e bëri të famshëm ishte i hidhur për Vinçenco Montelën si trajner i Milanit, sepse teksa kishte mundësinë ta “pushtonte”, në fund e pa veten të mposhtur, në një ndeshje të mbushur me pengje të mëdha. Disfata 1-0 ishte dyfish e hidhur, sepse pas penalltisë së humbur të Niangut, e cila mund të kishte rezultuar decizive, kuqezinjtë shkëputen me tri pikë nga Roma dhe i lëshojnë vendin e dytë.
“Me përjashtim të 20 minutave të para ku taktikisht na bllokuan, ne e morëm menjëherë veten dhe madje u treguam aq të rrezikshëm, sa patëm mundësinë për të kaluar në avantazh. Niangu është goditësi i penalltive? Përpara ndeshjes po bisedoja me lojtarët e mi dhe u thashë se goditësi i parë i penalltive do të ishte sërish Niang, sepse i gjuan vërtet mirë. Ndërsa i dyti ishte Lapadula. Më vjen keq për Mbajenë, sepse është një djalë i shkëlqyer dhe një gabim i tillë mund të qëndrojë. Fundja, penalltitë i gabon ai që i merr përsipër që t’i gjuajë, askush tjetër, nënvizon Montela, i cili, duke i kujtuar gabimet e shumta të francezit, “aeroplani” e merr me ironi. A do të vazhdojë Niang që t’i godasë penalltitë? Statistikat i keni ju. Kështu që do të mendohem dhe që ju të mos mërziteni, ndoshta nuk do t’i gjuajë më ai”.
Në lidhje me skuadrën, e cila u pa pak e lodhur në fund, trajneri i Milanit shtoi: “Zëvendësimet mund të jenë dukur pak të nxituara, por e vërteta është që Lapadula dhe Bertolaçi shpenzuan shumë. Ata bënë një ndeshje vërtet të mirë, por në fund nuk po i punonin gjunjët siç duhen. Më vjen keq, sepse mora sërish sinjale pozitive nga ekipi. Tani ky Milan di si ta kërkojë fitoren, por lodhja bëri të veten dhe mbi të gjitha Roma nuk e meritoi fitoren. Thjesht Naingolan gjeti atë gol fantastik dhe na ndëshkoi”.
Mbaje Niang kërkon falje dhe ndoshta edhe dorëzohet për të qenë goditësi i parë i penalltive. “Për mendimin tim bëmë një ndeshje mjaft të mirë, por isha unë ai që e tradhtova skuadrën. Po jetoj një moment të vështirë, por ndoshta gabova duke marrë përsipër përgjegjësinë për të goditur penalltinë.
Edhe në këtë rast gjërat më ecën keq, por nuk duhet kurrsesi të demoralizohem dhe do të vazhdoj të punoj psikologjikisht për të dalë nga kjo situatë. Lapadula ma kërkoi penalltinë? Jo, këtë herë ai më karikoi përpara se ta gjuaja, tregoi besim, por unë e zhgënjeva atë dhe skuadrën. Prandaj, penalltinë e radhës do t’ia lejoj atij që ta godasë, sepse e meriton më shumë sesa unë”.

PSG këmbëngul për Mauro Icardin

Paris Saint Germain është vënë në kërkim të një qëndërsulmuesi dhe me shumë mundësi do të realizojë një transferim të bujshëm në rast se Edinson Cavani i jep lamtumirën ekipit parizien. Largimi i Zlatan Ibrahimoviç e ka dëmtuar jo pak ekipin e Unai Emery, që nuk arrin të gjejë vazhdimësinë në Ligue 1 dhe Champions League edhe pse Cavani po e gjen rrugën e rrjetës në vazhdimësi. Në këtë mënyrë, presidenti Al Khelaifi ka gati miliona euro për të kënaqur dëshirën e trajnerit spanjoll që në merkaton e dimrit.
Sipas “L’Equipe”, është Mauro Icardi emri që intrigon drejtuesit e klubit parizien. “Nëse shikojmë rendimentin e tij në Itali me Interin është shumë e vështirë të mendosh për një largim të mundshëm që në muajin janar, por nëse konsiderojmë edhe faktin që zikaltërit po zhvillojnë një sezon jo shumë pozitiv, atëherë kjo mund të ndikojë shumë në këtë çështje”, shkruan ndër të tjera prestigjiozja “L’equipe”. Në listën e gjatë të Paris Saint Germain figurojnë edhe alternativa të tjera si Carlos Bacca, Ciro Immobile, Iago Aspas, Carlos Tevez, Robin Van Persie dhe Rashford, por gjithsesi, argjentinasi i Interit mbetet alternativa më e pëlqyer në shtëpinë e kampionëve të Francës.

Qetësohen te Milani, mbërrijnë 100 milionë euro të tjera nga Azia

Shitja e Milanit drejt kompanisë kineze do të vijojë normalisht. Kjo tashmë është zyrtare, pasi pala kineze ka derdhur në llogarinë e kompanisë FININVEST një tjetër shumë prej 100 milionë eurosh për të vazhduar procesin e transferimit të aksioneve në pronësinë e tyre. Grupi “Sino Europe” ka derdhur sot rreth drekës këtë shumë të dytë dhe konfirmimi erdhi nga të dy palët, të cilat kanë caktuar mbylljen e transferimit të aksioneve më datë 3 mars 2017.
Me këtë pagesë, shkon në 200 milionë euro shuma që kompania kineze i ka paguar kompanisë së Berluskonit, për të blerë 99,93% të aksioneve të Milanit. Brenda datës 3 mars 2017, do të paguhen edhe 320 milionë euro të tjera për të mbyllur gjithçka dhe për të konfirmuar “Sino Europe” në krye të klubit italian.

Lewa tek Bayern deri më 2021

Robert Lewandowski rinovoi me Bajernin e Mynihut. Sulmuesi polak ka zgjatur dhe për dy vite të tjera kontratën e tij me bavarezët. Marrëveshja aktuale e Leëandoëskit me kampionët e Gjermanisë përfundonte në vitin 2019, ndërsa kontrata e re parashikon një zgjatje deri në vitin 2021. Rinovimi i polakut është dhe një sinjal i qartë, se ai nuk do të largohet nga “Allianz Arena” pavarësisht se vitet e fundit kërkesat për të kanë qenë të shumta. Lewandowski firmosi me Bajernin në 2014-ën dhe ka qenë sulmuesi kryesor i skuadrës që nga ajo periudhë.
28-vjeçari vjet realizoi 30 gola me bavarezët, duke qenë dhe kryegolashënues i Bundesligës, ndërsa në total në kampionat numëron 58 gola në 77 ndeshje. Falë realizimeve të tij në fundjavë Bajerni mundi 5-0 Wolfsburgun me Lewn që arriti kuotën e 11 golave në këtë kampionat. Falë këtij suksesi, Bajerni është dy fitore larg shpalljes kampion i dimrit në Bundesliga. Dy sfidat e fundit për këtë vit për bavarezët do të jenë ndaj Darmstadtit dhe ndaj Leipzig në javën e 17-të. Vetë Lewandowski u shpreh mjaft i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe faktin që do të qëndrojnë dhe për disa vite të tjera në “Allianz Arena” me besimin se do të dhurojë sërish gola të shumtë për tifozët e klubit gjerman. Pasi hodhi të zezën mbi të bardhë, sulmuesi tha: “Bayern me jep gjithçka që duhet për të realizuar ëndrrat e mia. Sfida të reja na presin! MiaSanMia”
Për rinovimin me Lewa-n foli edhe Shefi Ekzekutiv i Bayern, Rummenigge: “I lumtur që rinovuam me një sulmuesit më të mirë në botë dhe që do të jetë pjesë e skuadrës për shumë vite të tjera”.

Ironik me “Topin e Artë”
Sigurisht që Robert Lewandowski nuk priste të fitonte “Topin e Artë”, por mënyra e votimit dhe rezultatet përfundimtare i kanë bërë jo pak përshtypje bomberit polak. Nëpërmjet rrjetit social Twitter, sulmuesi i Bayernit të Mynihut ka ironizuar dhe ka shprehur zhgënjimin për mënyrën se si rrodhën gjërat. Vetëm tre vota të marra dhe vendi i 16 për numrin 9, i cili mendon se është vlerësuar pak për kontributin që ka dhënë në vitin 2016 me 26 gola të shënuar në 30 ndeshje të kampionatit, por edhe 7 në Champions League, 5 në Kupën e Gjermanisë dhe 8 me Poloninë.
Në total 46 gola dhe të arrish të bësh më mirë për një lojtar të nivelit të tij është shumë e vështirë. Fillimisht, ai ironizoi thjesht me disa ikona, ndërsa pak minuta më pas e cilësoi një kabare atë që po ndodhte. Disa prej ndjekëseve e çuan edhe më tej nivelin e ironisë, duke i kujtuar se gjatë vitit 2016 nuk arriti të shënonte 5 gola në 9 minuta siç bëri në 2015-ën, ndërsa disa të tjerë e pyetën nëse vërtet Pepe, Vidal dhe Rui Patricio grumbulluan më shumë vota se ai. Një fakt interesant është se Lewandowski u rendit edhe pas Aubameyang, të cilin e la pas në klasifikimin e golashënuesve gjatë sezonit të fundit. Në një intervistë të shkurtër, edhe agjenti i tij Maik Barthel ishte polemik, duke vënë në dyshim nëse votimi bëhej nga njerëz ekspertë apo nga patriotë francezë, pasi edhe francezët Pogba e Griezmann u renditën gjithashtu përpara polakut.

Villarreal “fundos” Atletiko Madrid

Atletiko e Madridit vazhdon të humbasë terren në garën për zonën Champions në Primera Division. Skuadra e Simeones u mund 3-0 nga Villarreal në një sfidë direkte për Europën mes dy ekipeve duke treguar dhe një herë paqëndrueshmëritë e mëdha që e kanë karakterizuar në këtë sezon. “Los Colchoneros” vuajtën sërish në mbrojtje, atë që ka qenë reparti i tyre më i fortë duke u ndëshkuar dy herë që në pjesën e parë, me “Nëndetësen e Verdhë” që diti të dalë në sipërfaqe atëherë kur ishte e nevojshme. Në “El Madrigal” vendasit zgjidhën ndeshjen në 10 minuta, me Trigueros që ishte i pari që ngriti siparin e golave në të 28-tën.
10 minuta më pas Villarreal mbylli ndeshjen me Dos Santos që u gjend në vendin e duhur për të devijuar për në rrjetë golin e 2-0. Në pjesën e dytë Atletiko u përpoq të rihapte ndeshjen, me Juan Fran apo Antoine Griezmann, por Villarreal jo vetëm që mundi të ruajë mjaft mirë rezultatin, por gjithashtu arriti të shënojë dhe golin e 3-të me Sorianon duke i bërë mbylljen më të mirë të mundshme kësaj sfide.

Mërgim Mavraj në formacionin e javës

Mërgim Mavraj sërish në formacionin më të mirë të javës në Bundesligën gjermane. Vijon forma fantastike e mbrojtësit të kombëtares shqiptare, i cili gjatë këtij sezoni është shndërruar në liderin e padiskutueshëm të prapavijës së Kolnit. Në sfidën e javës së 14-t ndaj Borussias së Dortmundit në “Rhein Energie Stadion”, takim i cili përfundoi në barazim 1-1, Mavraj bëri një paraqitje mbresëlënëse duke u treguar i sigurtë në çdo ndërhyrje të tij gjatë gjithë 90 minutëshit dhe nëse nuk do të ishte për atë gol të realizuar nga Marco Reus në fund, Kolni falë edhe 30-vjeçarit shqiptar do të kishte arritur një fitore shumë të rëndësishme.
Mavraj është përfshirë nga rrjeti televiziv gjerman “ARD” në 11-shen më të mirë të javës së 14-t përkrah emrave të rëndësishëm si Arjen Robben, Thomas Muller e Robert Lewandowski. Në seksionin e saj dedikuar sportit, “ARD” arsyeton edhe faktin se përse mbrojtësi shqiptar është pjesë e formacionit më të mirë të javës. “Mavraj ka patur një rol të rëndësishëm duke bërë që sulmuesi kryesor i Dortmundit dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit Pierre Emerick Aubameyang ta godiste vetëm 1 herë portën në këtë sezon dhe kjo ndodhi pikërisht në ndeshjen ndaj Koln-it. 30-vjeçari ka arritur të fitojë të gjitha duelet me kundërshtarët dhe ka qenë një nga lojtarët më të kompletuar në fushë për Koln-in”, shkruan rrjeti televiz gjerman për performancën e Mërgim Mavrajt.