29.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Ekipi antiJuventus

Roma ndjek e vetme Juventusin. Verdhekuqtë fituan 1-0 sfidën direkte me Milanin duke qenë të vetëm në vendin e dytë në klasifikim. Një sukses i vuajtur për formacionin e Spallettit pas një ndeshje ku Milani mund të kishte marrë diçka më shumë nëse nuk do të kishte qenë për një 11-metërsh të humbur të Niangut në pjesën e parë. Roma në ndryshim nga Milani këtë përballje mëse të ekuilibruar pati meritën se e zgjidhi atëherë kur ishte e nevojshme me Naingolanin që shënoi një gol të madh për një ndeshje të madhe në minutën e 62-të. Me këtë fitore Roma ruan diferencën prej katër pikësh me Juventusin kryesues, ndërsa Milani pavarësisht humbjes tregon se nuk është rastësisht në të tilla pozita në klasifikim, por i mungon ndoshta ende përvoja e duhur e lojtarëve të saj për të zgjidhur të tilla ndeshje të mëdha në momente kyçe.
Në takimin tjetër, Fiorentina iu afrua zonës europiane me fitoren e dytë radhazi pasi mundi 2-1 në shtëpi Sassuolon. Skuadra vjollcë ju fal Kalinicit që realizoi dy herë në pjesën e parë për ekipin vjollcë. Në pjesën e dytë Sassuolo shkurtoi diferencën me Acerbin, por 3 pikët gjithsesi në fund shkuan për Fiorentinën.
Ndërkohë, Interi është ringritur pas disfatës së rëndë në Napoli. Skuadra e Stefano Piolit tregon muskujt në përballjen e “San Siros” kundër Genoas duke fituar 2-0 në një ndeshje ku diferencën e bëri cinizmi i skuadrës zikaltër. Ishte Marcelo Brozovic njeriu i ndeshjes me dy golat që vendosën drejtësi në stadiumin milanez, ku Genoa shpërdoroi shumë përballë Interit të lëkundur në fraksione të ndryshme të ndeshjes. Takimi nisi menjëherë në sulm për Genoan që mori kontrollin e lojës dhe rastin e parë të vërtetë e krijoi në të 19-ën me Darko Lazovic, i cili kaloi portierin, por jo mbrojtësit zikaltër. Sërish Genoa 7 minuta më vonë me Lucas Ocampos që vuri në provë Samir Handanovic. Në momentin më të mirë të miqve, Interi doli në skenë me një goditje kirurgjikale të Brozovic nga jashtë zonës. Kroati u tregua i ftohtë në finalizim duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Perin.
I njëjti skenar edhe me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës. Genoa më këmbëngulëse iu afrua golit të barazimit në minutën e 53, por sërish Handanovic në rolin e heroit ndali Darko Lazovic. Në krahun tjetër, kundërsulmi i shpejtë i zikaltërve shpërbleu skuadrën e Piolit me një tjetër gol që erdhi sërish nga këmbët e mesfushorit kroat, të cilit trajneri italian i besoi një rol titullari në këtë ndeshje.
Gol që shuajti shpresat e skuadrës ligure, e cila humbi kontrollin dhe rrezikoi të pësonte të tretin 11 minuta nga fundit pasi Miranda nga një distancë e afërt nuk arriti t’i jepte fuqi goditjes me kokë. 120 sekonda më vonë ishte radha e Nagatomos për të provuar goditjen e nokdaunit, por pa ia dalë mbanë. Fitorja ndaj Genoas e ngjit Interin në vendin e 8 me 24 pikë, ende shumë larg zonës Champions që është edhe objektivi i zikaltërve këtë sezon.

Dëmtimi, Mustafi nuk luan më këtë vit

Shkodran Mustafi pritet t’i mungojë Arsenalit së paku deri në fund të këtij muaji, pas dëmtimit muskulor që pësoi në ndeshjen kundër Stok Sitit të shtunën. Qendërmbrojtësi i kombëtares gjermane la lojën në minutën e 25-të dhe në përfundim të ndeshjes Arsen Venger pranoi se bëhej fjalë për një tërheqje muskulore serioze.
Trajneri francez ka frikë se kampioni i botës nuk do të ketë më mundësi të luajë këtë vit për “Topçinjtë”. “Minimumi për një dëmtim të tillë është 21 ditë, çka do të thotë se ai do të kalojë një Krishtlindje të qetë”, tha menaxheri francez.
Ndërkohë, “Julian Draxler nuk është në shitje dhe nuk kemi vendosur asnjë çmim për kartonin e tij”. Janë këto fjalët e drejtuesve të klubit për fantazistin gjerman, i cili pritet të largohet në merkaton e janarit çka është edhe dëshira e tij. Wolfsburgu për momentin nuk pranon të negociojë për 23-vjeçarin, i cili u ble më 2015 për 36 milionë euro.

Kandidatët pas Messit e Ronaldos

Messi dhe Ronaldo. Ronaldo dhe Messi, si mund të dilet nga ky çift monopolizues që zgjat pa u ndërprerë që nga 2008. A ka ndonjë shpresë për të parë dorëzimin e “Topit të Artë” te ndonjë lojtar tjetër, deri në momentin që Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo do të jenë në aktivitet? Deri më tani është vetëkandiduar vetëm Mario Balotelli duke u shprehur se është i bindur se mund t’ja dalë nëse do të ketë një sezon pa dëmtime. Dikë tjetër e tundon ideja Pogba, por që në Manchester duket se po humbet shkëlqimin e tij. Është vërtet interesante të gjesh se cilët mund të jenë kandidatët për të marrë trashëgiminë e Messit dhe Ronaldos në të ardhmen e afërt me mediat ndërkombëtare që provojnë të gjejnë se cilët mund të jenë ata.
Radha fillon natyrisht me futbollistë me nivel të lartë teknik, në krye të saj qëndron sigurisht Neymar që sapo ka shprehur potencialin e tij të plotë, ndërkohë që nuk është se mbeten pas edhe emra si Gareth Bale, Eden Hazard, Marko Reus apo Alexis Sanchez. Ka edhe futbollistë që kanë përpara një marzh të konsiderueshëm përmirësimi si për shembull, Paulo Dybala, ndërsa mbetet për t’u kuptuar nëse edhe emra si Coutinho apo Mahrez mund të bëjnë një hap të konsiderueshëm cilësor për të patur ambicien e një misioni të tillë.
“Topi i Artë” mund të shkojë edhe te një super goleador, një nga ata që të bindin duke shënuar 30 apo 40 gola në një sezon, në këtë rast mund të jetë radha e njerëzve si Suarez, Lewandowski, Aguero, Higuan, Griezman, Cavani apo Diego Costa. Natyrisht që nga koha e nderimit me këtë çmim të Lew Yashin, “Topi i Artë” është një “Mollë e ndaluar” për portierët dhe dikush si Neuer ka më pak shanse, edhe pse mbron portën e Bajernit dhe kombëtares gjermane. Edhe mbrojtësit nuk janë ata që merren shumë në konsideratë, i fundit që e ka fituar trofeun është Fabbio Cannavaro pas triumfit të Italisë në Botërorin 2006, por ç’mund të thuhet për Sergio Ramos? Mes Realit të Madridit dhe Spanjës, mund të ketë gjithmonë vend për një goditje me kokë që vlen një trofe, ndaj dhe ai e meriton të paktën të përmendet.

“Topi i Artë” është i Ronaldos

Cristiano Ronaldo “Topi i Artë” 2016. Portugezi dhe këtë vit fitoi trofeun më prestigjioz në planet për të katërtën herë në karrierë, duke u shpallur fitues nga prestigjiozja franceze “France Football” që këtë vit çmimin e dha pa bashkëpunimin e FIFA-s. Një trofe i pritshëm ky për portugezin që arriti të fitojë gjithçka brenda një viti kalendarik duke triumfuar fillimisht në Champions League me Realin e Madridit në finalen e Milanos dhe më pas me Portugalinë, Kampionatin Europian. Pas tij u renditën rivali i tij i përjetshëm, Lionel Messi dhe francezi Antoine Griezmann. Me 51 gola të shënuar në 55 ndeshje përfshi ekipin kombëtar dhe Realin e Madridit, Ronaldo shihej që më parë nga të gjithë si pretendenti kryesor për fitimin e çmimit, “Topi i Artë”.
Finalja e “Stade de France” e fituar nga Portugalia e tij, ku ai u largua që në fillim, por duke qenë një frymëzues nga stoli për të tijtë ishte kurorëzimi për këtë çmim prestigjioz pasi pati fituar dhe UEFA Champions League. Sezonin e kaluar, Ronaldo arriti të shënojë në total 16 gola në këtë kompeticion duke qenë dhe kryegolashënues, ndërsa në Europian ishte Këpuca e Argjendtë e kompeticionit me 3 gola. Lionel Messi ndërkohë u penalizua nga dëmtimet e shumta, por dhe fakti që nuk arriti të fitojë Copa America me Argjentinën duke humbur sërish në finale përballë Kilit. Antoine Griezmann ndërkohë pavarësisht se ishte shënuesi më i mirë i Europianit u penalizua nga humbja në dy finale, atë të Euro 2016, por dhe UEFA Champions League. Për 31-vjeçarin ky ishte Topi i tij i 4-tërt i Artë pas atyre të fituar në vitet 2008, 2013 dhe 2014.
Vetë portugezi u shpreh mjaft i emocionuar për fitimin e këtij trofeu, duke theksuar se për të është njësoj sikur po e fiton për herë të parë, ndërsa theksoi se fitimi i këtij çmimi individual nuk do të kishte qenë i mundur pa sukseset e Realit të Madridit dhe kombëtares së Portugalisë, kështu që “Topi i Artë” i përket dhe dy skuadrave të tij, ndërsa si trofeun më të rëndësishëm në karrierën e tij cilësoi fitimin e Europianit francez.

Leku forcohet ndaj dollarit dhe euros

Mbifurnizimi i tregut me valutë në prag të festave e ka forcuar më tej vlerën e lekut gjatë ditës së djeshme në kursin e këmbimit.
Sipas të dhënave në Bankën e Shqipërisë një lek është këmbyer me 135.57 euro, duke u forcuar me 0.15 pikë në krahasim me një ditë më parë. Monedha vendase u forcua edhe në këmbim me dollarin. Një dollar kushtoi 127.7 lekë me një rënie 0.27 pikë në krahasim me ditën e mëparshme.
Ekspertët e tregut të këmbimeve valutore rreshtojnë dy arsye kryesore për forcimin e lekut.
E para, lidhet me prurjet valutore nga jashtë në prag të festave. Dhjetori është një sezon remitancash për shkak të rikthimit të emigrantëve për të festuar pranë familjeve të tyre. Këto prurje kanë rritur ofertën për valutë e për rrjedhojë edhe vlerën e lekut.
Arsyeja e dytë lidhet me afrimin e datës së pagesës së tatimit mbi fitimin. Shumë biznese i kanë likuiditetet në valutë dhe kur ofrohet data e pagesës së detyrimeve tatimore ato i konvertojnë rezervat e tyre në lekë për të paguar taksat. Kjo sjellje çon në vlerësimin e lekut shpjegojnë ekspertët e këmbimeve valutore.
Monedha vendase forcoi prirjet mbiçmuese këtë vit edhe pse deficiti tregtar i vendit u thellua.
Sipas një analize të Bankës së Shqipërisë tremujori i tretë i vitit është karakterizuar nga mbiçmimi i monedhës vendase kundrejt të gjitha monedhave të partnerëve kryesorë tregtarë.
Megjithatë, ky mbiçmim është shfaqur me ritme më të moderuara se në pjesën e parë të vitit. Mbiçmimi vjetor i lekut në terma nominalë efektivë kulmoi në 4.1% në muajin korrik, nga 3.3% që shënonte mesatarisht në gjysmën e parë të vitit.
Më pas, ky mbiçmim u moderua në 3.1% në muajin gusht dhe në 1.8% në muajin shtator. Ecuria e kursit real ka qenë e ngjashme me atë të kursit nominal. Pasi regjistroi vlerën maksimale prej 5.2% në muajin korrik, mbiçmimi vjetor i indeksit të kursit real efektiv u zbut në 4.3% dhe 2.9% në muajt gusht e shtator.
Teksa shihet se në prag të festave të fundvitit leku ka nisur mbiçmimin ndaj dy valutave kryesore, euros dhe dollarit.

Bizneset u përmbytën nga shkarkimi i rezervuarve

Autoriteti Rrugor u ka kthyer përgjigje bizneseve lidhur me arsyet e përmbytjeve në autostradën Tiranë-Vorë, ku më datën 8 nëntor u dëmtuan mbi 30 biznese.
Si arsye kryesore që shkaktoi përmbytjen masive, ku sipas vlerësimeve paraprake të bizneseve, dëmi ka qenë mbi 10 milionë euro, vlerësohet shkarkimi i ujëmbledhësve të zonës për të shmangur përmbytjet, konkretisht shkarkimi i rezervuarit të Kasharit, liqenit të Gjokës dhe liqenit të Kusit.
Sipas vlerësimit të kompanisë konsulente të kontraktuar nga autoriteti “Pozicioni gjeografik i të tri këtyre ujëmbledhësve është në të majtë të superstradës dhe shkarkimet prej tyre bënë që e gjithë zona poshtë këtyre liqeneve të përmbytet dhe uji të drejtohet në sasi të mëdha në drejtim të autostradës duke bllokuar trafikun dhe duke u penguar nga trafikndarësja”.
Volumi i madh i ujit nuk u përballua nga sistemi i mbledhjes dhe i shkarkimit të superstradës, pasi kanalet dhe tombinot nuk janë llogaritur për këto sasi prurjesh, thuhet më tej në relacionin e hartuar nga firma konsulente.
Gjithashtu, arsye të tjera në relacion thuhet se kanë qenë intensiteti i lartë i reshjeve, si dhe realizimi i kanaleve kulluese jashtë kushteve teknike.
Në përgjigje të bizneseve, Autoriteti Rrugor Shqiptar, shkruan se për zgjidhjen përfundimtare të situatës do të hartohet një projekt i mirëfilltë, ku do të jepen zgjidhjet teknike.
Më herët, kryetari i Bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili, i kontaktuar nga “Monitor”, mohoi të ketë pasur hapje të rezervuarëve, ndërsa nga Bashkia Tiranë bizneseve u kanë thënë se ata nuk i kanë marrë ende në dorëzim rezervuarët.
Një vendim i Këshillit të Ministrave i datës 30 dhjetor 2015 ka urdhëruar transferimin nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave tek bashkitë, të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të personelit dhe të aseteve të luajtshme e të paluajtshme të bordeve rajonale të kullimit. Liqeni i Kasharit i përket tashmë Bashkisë Tiranë, ndërsa të tjerët Bashkisë Vorë.

Qeveria projekt për mbylljen e mediave, OSBE dhe BE heshtin

I frikësuar nga mediat online, kryeministri Rama po përgatit një projektligj “të errët” për të censuruar fjalën e lirë dhe për t’i mbyllur gojën kundërshtarëve të tij. Pa asnjë transparencë dhe i futur në fshehtësi në Komisionin për Reformën Zgjedhore, projektligji synon që të gjitha portalet elektronike që nuk janë të regjistruara dhe nuk njihen nga Bordi i Monitorimit të Mediave, nuk do të lejohen të bëjnë fushatë elektorale.
“Ndalohet përdorimi i portaleve elektronike të pakontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Mediave për propagandë zgjedhore. Autoritetet shtetërore marrin masa për mbylljen gjatë fushatës zgjedhore të portaleve elektronike të paregjistruara, të cilat përhapin propagandë zgjedhore, zhvillojnë sondazhe pa respektuar rregullat e këtij kodi apo kalojnë kufirin e informimit dhe konsiderohen propagandë zgjedhore”, thuhet në nenin 10 të amendamenteve të dorëzuara nga bashkëkryetari i komisionit të reformës, Taulant Balla.
Kjo është një tentativë e kryeministrit piktor, i cili për fushatën e tij kërkon të mbështesë mediat që i kanë nën hyqmin e vet. Njësoj si në zgjedhjet e kaluara, fushata do të mbizotërojë nga materialet që dërgohen nga partitë politike, të montuara dhe kuruara në çdo detaj që propoganda qeveritare të bëjë lavazh në trurin e qytetarëve.
Për këtë arsye, kërkesa e PS për t’i mbyllur ato gjatë fushatës zgjedhore është tërësisht e bazuar në qëllime politike. Ajo është një tentativë e pastër e kryeministrit Rama dhe mazhorancës që ai përfaqëson për t’u mbyllur gojën mediave kritike që nuk ka arritur t’i vërë nën kontroll, me leje ndërtimi, tendera, koncesione e shpërndarje të parave publike.
Përpjekjet e kreut të qeverisë për të zhdukur portalet që e kritikojnë kanë nisur prej disa muajsh. Ai ka përdorur italianin kontrovers Carlo Bollino, që të mbyllë portalin #hashtagalbania.com, një portal opozitar që ka çorientuar jo pak herë qeverinë aktuale. Por Bollino arriti të censurojë edhe faqen Lolita në Facebook, ndërsa ka hapur edhe procese gjyqësore ndaj disa gazetarëve.
Liria e medias u kritikua edhe nga progres raporti i BE për Shqipërinë, ku shprehte qëndrim të fortë kundër censurës së fjalës së lirë dhe ndikimit të zyrtarëve në mediat kryesore në vend. Rasti më flagrant është ai i mbylljes së emisionit investigativ “Publicus” pasi hetoi vdekjen e një të mituri në kompaninë që trajtonte mbeturinat në Sharrë. Ndërkohë po për këtë çështje u shkarkua nga puna edhe drejtoresha e “A1 News”, Alida Tota.
Në një tjetër nen PS kërkon të mos publikohen exit poll 5 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. “Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 5 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit”, thuhet në pikën 4 të nenit 10 të propozuar nga Partia Socialiste. Arsyet e kësaj kërkese nuk janë shpjeguar.

“Komunistët” e OSBE-së

Pak ditë më parë, misioni i OSBE në Tiranë publikoi një anketë të quajtur “Njohuritë dhe perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste në Shqipëri dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen”. Nga anketimi rezultoi se 45% e shqiptarëve gëzojnë mendim pozitiv për ish-diktatorin Enver Hoxha, ndërsa 42 për qind negativ.
Por ky anketim i çuditshëm i OSBE-së po u jep zemër “komunistëve” në pushtet, të cilët kërkojnë të censurojnë fjalën e lirë dhe të shpalosin propogandën pa asnjë pengesë. Nga ana tjetër, OSBE me këtë anketim përçon një mesazh tek qytetarët, që ata duhet të jenë kokulur dhe jo reagues.
Absurd është fakti se misioni diplomatik në Tiranë i OSBE-së bën anketime për komunistët, por nuk thotë asnjë fjalë për censurën e mediave dhe lirinë e fjalës. Kryeministri Edi Rama flet gjithmonë për “kazane mediatike” duke fshikulluar të gjithë gazetarët, të cilët rropaten për të transmetuar fjalën e tij, por OSBE “mbyll sytë” përpara këtij fakti.
Asnjë reagim, asnjë raport dhe asnjë sinjal nuk ka bërë OSBE ndaj mazhorancës që së fundmi i ka shpallur luftë të hapur portaleve online. Në të njëjtë linjë heshtjeje është edhe ambasada e Bashkimit Europian në Tiranë.
Një kërcënim tjetër “serioz” për lirinë e medias u shfaq në kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë disa javë më parë. Bëhet fjalë për një ndryshim në kodin civil të njohur si “amendamenti Bregu”.
Amendamenti u propozua fillimisht në prill 2015, u rrëzua si një nismë e palogjikshme dhe e pavlefshme dhe u harrua për një vit e gjysmë para se të rishfaqej si fantazmë e një nisme të harruar me dëshirë edhe nga vetë propozuesja, e cila as nuk e ka tërhequr propozimin dhe as nuk dëshiron ta çojë përpara.
Kërcënimi akoma më serioz i qeverisë ndaj medias qe nisma e kryeministrit Edi Rama për kriminalizimin e shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë dhe dënimin me tre vjet burg. Kjo u zbulua nga media në mesditën e 11 nëntorit 2015 ndërsa i mbijetoi zemërimit të publikut dhe të organizmave ndërkombëtare vetëm 12 orë.
Mëngjesin e 12 nëntorit, Rama vetë deklaroi në Facebook se do ta tërhiqte projektligjin për “ta përmirësuar”.
Dhe megjithëse kanë kaluar sakaq një vit nga koha kur projektligji u “tërhoq për përmirësim”, ai ka mbetur aty, në ndonjë raft të Kryeministrisë ku ka zënë pluhur pa mundur të riciklohet.
Nuk dihet sesa serioz do të jetë ky propozim i fundit i Partisë Socialiste për të mbyllur portalet online, por propozimi bëhet më qesharak kur vjen nga partia e një kryeministri që rri gjithë ditën në mediat sociale dhe i përdor për propagandë papushim.

“Boldnews”

Me Trump bursa ka fituar 1000 miliardë dollarë kapitalizim

1000 miliardë dollarë kapitalizim të kompanive të kuotuara në bursë në një muaj. Si ju duket se Donald Trump qëndron në Wall Street? Jashtëzakonisht mirë dhe tashmë e kanë harruar nga ato anë se sa dhe si e kanë mbështetur fushatën e Hillary Clinton, pasi shohin se po formohet një qeveri shumë business friendly, siç e ka thënë vetë presidenti i sapozgjedhur në një intervistë të dhënë të dielën në mbrëmje për “Fox News”. Ama business friendly nuk ka të bëjë vetëm me kolosët e financave dhe të biznesit, por edhe me botën e biznesit të vogël e të mesëm, që më së fundi po fillon të marrë frymë. Është e sigurtë që Trump do ta eliminojë xhunglën e rregullave dhe taksave të epokës Obama, e konsideruar si më armiqësorja e historisë së Amerikës ndaj biznesit dhe në të cilën për herë të parë ka më shumë më tepër biznese nga sa janë hapur. Synoni që të shkatërroni gjithçka që ka bërë Obama? Është pyetja e bërë nga drejtuesi i emisionit të “Fox News” dhe Donald Trump, në mënyrë të pazakontë dhe jo rastësisht i qetë, përgjigjet: “Aspak, do të bëj vetëm atë që është e drejtë të bëhet”. Ama tek Puna ka zgjedhur Andrew Putzer, biznesmenin e fast food, kundërshtar i madh i rritjes së rrogës minimale për arsyet kuptimplota se kështu bllokohen punësimet dhe inkurajohet automatizimi.
Tek Mjedisi shkon Scott Pruitt, Attorney General i shtetit Oklahoma, Scott Pruitt, armik i betuar, aq sa do të çojë në gjykatë agjencinë e mjedisit EPA, i rregullave mjedisore të vendosura nga Obama, edhe në këtë rast të akuzuara se bllokojnë rritjen e vendeve të punës. Tom Price, i zgjedhur tek Shëndetësia, i urren publikisht prej vitesh rregullat burokratike që sipas tij pengojnë biznesmenët e vegjël të afirmohen.
Trump sqaron se në fakt nuk e ka me mbrojtjen e mjedisit, pasi ka folur gjatë për problemin me Al Gore dhe me aktorin Leonardo di Caprio, por ama nuk ka ndërmend të lejojë që biznesmenët të presin 15 vjet dhe pastaj ta shikojnë veten të refuzuar për faj të burokracisë së mjedisit. “Nuk mund të lejojmë që gjithë këto pengesa burokratike të bllokojnë vendet e punës. Procedurat duhet të jenë të thjeshta e të shpejta, nëse diçka nuk shkon mirë, nuk miratohet, por nevojitet një pastrim i mirë”. Marrëveshja e Parisit lidhur me klimën? Presidenti i zgjedhur po e studion, ama “nuk kam ndërmend që kjo marrëveshje të na vendosë në kushte të dizavantazhuara në konkurrimin me vende të tjera, këtu dikush po na ha mëngjesin”.
Nuk do të shkatërrojë gjithçka që ka bërë Obama, siç thekson, duke treguar një fytyrë qetësuese Trump, por po përpiqet të krijojë – dhe pothuajse e ka përfunduar ta bëjë – një kabinet revolucionar, jashtëzakonisht jokomod për të gjithë botën politike, edhe atë republikane, që ndjehet e privuar, pasi profesionistët e politikës janë lënë paksa mënjanë.
Jo vetëm gjeneralët me 4 yje në poste kyçe, i konfirmuar edhe Mattis tek Mbrojtja, jo vetëm tweet që komunikojnë ndryshime drastike, dje kanë komunikuar refuzimin e avionëve F35 shumë të kushtueshëm dhe të kotë, por emërime “bombë” si ai i Rex Tillerson, kryeshefit të kompanisë ExxonMobil, në postin e sekretarit të Shtetit, ka mundësi i shoqëruar si zëvendës i fuqishëm nga John Bolton, i cili qe ambasador i George W. Bush në Kombet e Bashkuara dhe gjatë këtyre ditëve ka nisur të bëjë deklarata publike lidhur me aferën Rusi–CIA.
Aferë krejtësisht e përfshirë tek emërimi, pasi nëse zgjedh si shef të diplomacisë dhe figurën më të rëndësishme të qeverisë tënde të ardhshme një njohës të mirë dhe vlerësues të deklaruar të Vladimir Putinit, nëse e bën pikërisht në ditët në të cilat del një seri deklaratash nga ana e CIA-s ku theksohet se hakerat rusë kanë punuar që Trump të fitojë presidencën, atëherë gjurulldia e afërt është e sigurtë.
Ose mund të jetë që zërat e pakontrolluara dhe për momentin jo të demonstruara nga CIA kanë rrjedhur me art për të dëmtuar raportet e reja më konstruktive dhe më pak konfliktuale që Trump, edhe nëpërmjet Tillerson, synon që të rivendosë me Rusinë dhe atëherë ka të drejtë Bolton kur deklaron se CIA e Obamës është bërë një agjenci politikisht e infiltruar.
Apo ende ka një përleshje midis FBI-së dhe CIA-s që masin reciprokisht pushtetin e ardhshëm, duke qenë se FBI-ja e kishte mbyllur një hetim lidhur me Rusinë dhe hakerat në fushatë elektorale pa gjetur asnjë provë të akuzave.
Kemi një agjenci të shërbimeve sekrete që i frikësohet stilit të ri e të drejtpërdrejtë të presidentit të sapozgjedhur, Donald Trump e të enturazhit të tij në menaxhimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Së fundi, është tentativë më e përgjithshme për të arritur më 20 janar me një presidencë të delegjitimuar.
A duket i preokupuar Donald Trump? As edhe një çikë dhe jo vetëm prej karakterit të vendosur si pak njerëz që tashmë po fillon të bëhet i njohur, jo vetëm pse stili postpolitik dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët amerikanë ka qëndruar në këmbë si gjatë fushatës elektorale, por edhe pse po formon një qeveri shumë të fortë në të cilën personazhe të nivelit shumë të lartë vënë në lojë fytyrën e tyre.
Mund të vendoset të besohet se gjëja më e rëndë është një konflikt interesi i supozuar i një Tillerson, që për më tepër është dorëhequr nga të gjitha postet apo mund të vendoset të besohet se është mësuar të bëjë tratativa pa ju dridhur qerpiku me eksponentët më të rëndësishëm të pushtetit botëror. Mund të vendoset të besohet se një gjeneral prej kohësh në lirim, i emëruar tek Mbrojtja, përfaqëson një interferencë të botës ushtarake në botën civile, por veç në rast se dëshirohet të poshtërohet forca e demokracisë amerikane, kjo nënkupton mbi të gjitha se në krye të ushtarakëve është një njeri që i njeh dhe tek i cili njohin veten.
Afera e CIA-s, që ka të bëjë me burime që u referohen disa senatorëve se hakerat rusë e kanë favorizuar Trump pasi megjithëse kanë arritur të penetrojnë në kompjuterët e Komitetit Kombëtar Republikan, kanë shpërndarë informacione vetëm mbi atë demokrat, është e destinuar të zgjasë edhe pak për disa arsye të caktuara.
Ndërkaq ka senatorë republikanë, të kryesuar nga i zakonshmi John McCain, i cili po perëndon në mënyrë të shëmtuar dhe vazhdon ta urrejë presidentin megjithëse është rizgjedhur falë mbështetjes së tij, që janë bërë aleatë me kolegët demokratë dhe me segmente të CIA-s, por edhe të Foggy Bottom, mjedisit magnatik të Departamentit të Shtetit, i destabilizuar dhe i irrituar nga zgjedhjet e sekretarit të ri dhe nga metoda krejtësisht e re, pasi Donald Trump thotë qetësisht, për shembull, se Kina nuk është një e vetme, sidomos deri kur të mos ndryshojë metodë tregtare dhe në të drejtat e njeriut.
Pastaj janë rusët, të cilëve nuk u duket e vërtetë të vazhdojnë ta tërheqin prej hunde demokracinë e madhe amerikane, duke parë se mbahen ende të gjalla polemika të lidhura me gjëra të vjetra, ka vërtet të drejtë “Wall Street Journal” që shkruan se Putini qesh kur shikon rrëmujën që u ka kombinuar amerikanëve.
Në çfarë aspekti Rusia e ka favorizuar Trump? Duke mos përhapur informacione për republikanët dhe duke përhapur në fakt për demokratët. Sigurisht që do të kishte dalë se të parët komplotonin keqazi kundër Donald Trump, i cili në fund ka fituar. Kurse demokratët komplotonin për të favorizuar emërimin e Hillary Clinton kundër Bernie Sanders dhe ia kanë arritur.

E-mail-et në drejtim të familjes Clinton

Shefi i fushatës së Clinton, John Podesta, shkruante e-mail-e në të cilët tregonte se kandidatja e tij ishte një lloj Ledi Makbeth e sëmurë nga uria për pushtet, se e bija Chelsea një budallaqe e sëmurë, Bill ngathtësira e zakonshme tashmë paksa i rrjedhur, katolikët amerikanë njerëz të prapambetur që nuk lahen.
Është faji i Rusisë nëse ka qenë fushata më e çmendur presidenciale dhe se jemi në epokën e internetit? Gjithçka për të kërkuar më kot eliminimin e Trump, i cili është zemëruar vërtet dhe ka bërë një tweet të rëndë, që lexon: “CIA? E njëjta që kishte gjetur armët inekzistente të shkatërrimit në masë të Saddam Hussein”. Dhe ka shtuar, duke e drejtuar gishtin nga bota e kapitalit: kërkojnë një pretekst të ri çdo javë.
Tani, mbi mashtrimet e CIA-s do të kishte qenë më mirë të heshtej, pasi janë të njëjtit agjentë që do të duhej ta mbrojnë dhe ta informojnë si president, por objektivisht provokimi është i fortë dhe është e padurueshme tentativa konstante e deligjitimimit të këtij presidenti nga ana e Uashingtonit, nga ana e mediave dhe e disa kancelarive ndërkombëtare, si ajo franceze, që delironte për masat fiskale europiane kundër Amerikës. Ama sytë nga të famshmet tregje dhe tek populli tjetërkund i injoruar: Trump është mjaft i fortë.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Biznesi në revoltë ndaj korrupsionit në dogana

Sekretariati i Këshillit të Investimeve ka evidentuar në një raport të fundit disa gjetje lidhur me problematikat e të bërit biznes në Shqipëri, gjatë anketimeve me bizneset dhe takimet me fokus grupet. Ankesa të shumta ka pasur për përdorimin e çmimeve të referencave në dogana, ndërsa fasoni është shprehur i shqetësuar për gjobat si rrjedhojë e kodeve të materialeve.

Referencat në dogana, shkak për korrupsion

Disa biznese paraqitën komente lidhur me zbatimin e çmimeve të referencës në disa degë doganore, si për mallra të ardhura nga vendet e BE, ashtu edhe për mallrat e importuara nga vende jashtë saj. Pretendimi i këtyre bizneseve është se edhe në rastet kur ato disponojnë të gjithë dokumentacionin justifikues të transaksionit (përfshirë edhe faturat e rregullta, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme nga administrata doganore shqiptare nëpërmjet shkëmbimit të informacionit me administratat doganore të vendeve eksportuese), sërish kanë qenë të detyruar të paguajnë TVSH-në në doganë mbi çmimin e rivlerësuar në bazë të listave të çmimeve të referencave sipas metodave alternative të vlerësimit. Sipas këtyre bizneseve mosnjohja e çmimit real të transaksionit/faturës nga doganat dhe zbatimi i metodave alternative shton mundësitë për korrupsion, duke qenë se rrit kontaktet e drejtpërdrejta të operatorëve ekonomikë me doganierët, krijon konfuzion, mungesë stabiliteti dhe lë hapësira për interpretime evazive. Në një vështrim më të gjerë kjo e bën të vështirë për vetë biznesin për të siguruar pajtueshmëri fiskale dhe financiare.
Sipas administratës doganore, në fillim të këtij viti është krijuar dhe është bërë funksional DataBase Kombëtar i vlerësimit sipas rekomandimeve të OBD-së. DataBase Kombëtar i Vlerësimit unifikon vlerësimin doganor në degë të ndryshme doganore, si dhe siguron trajtim të barabartë të të gjithë operatorëve në mbarë vendin. Bazuar në legjislacionin në fuqi, lidhur me vlerësimin doganor të mallrave, rivlerësimi i tyre bëhet në ato raste kur ka dyshime të arsyeshme. Pavarësisht kësaj, detyrimi i administratës doganore është që t’i argumentojë këto ndërhyrje.
Sipas DPD, përdorimi i metodës së transaksionit ka ardhur në rritje. Aktualisht metoda e transaksionit përdoret për rreth 88% të deklarimeve. Metodat alternative përdoren kryesisht për mallrat me origjinë jashtë EU. Lista me të dhëna të disponueshme ka ardhur duke u zvogëluar në numër artikujsh. Për vitin 2015 janë hequr nga lista 92 artikuj dhe për 2016 janë hequr 83 artikuj.

Gjoba për procedurat doganore/kodet doganore

Disa kompani (fason) kanë qenë subjekte të gjobave me argumentin që kodi i materialit në deklaratën doganore ka qenë i gabuar, bazuar në një vlerësim të laboratorit të doganës, i cili sipas bizneseve, nuk ju është dorëzuar. Edhe pas ankimit administrativ, nuk i është vënë në dispozicion përgjigjja e laboratorit dhe “përgjigjja ndaj ankesës nuk ishte e qartë, por kishte vetëm referenca ligjore”. Sipas bizneseve – vendosja e kodit doganor bëhet nga doganat e shteteve të tjera (për shembull, Itali) dhe ndryshimi i tyre nuk mbart asnjë efekt financiar për doganën, sepse janë kode për mallra të përpunimit aktiv, të cilat nuk janë objekt në asnjë rast i taksës doganore. Për pasojë, gjobat e vendosura konsiderohen prej tyre të tepruara.
Sipas DPD-së, sqarohet se bizneset duhet të pajisen me përgjigjen e laboratorit. Konkretisht, bazuar në Udhëzimin 8909/1 Prot. Datë 10.04.2014, pika 6.2/a përcaktohet shprehimisht se, “Laboratori i dërgon 2 kopje të Çertifikatës së Degës Doganore. Degët Doganore kanë detyrimin, që ‘Çertifikatën e Verifikimit të llojit të mallit dhe Klasifikimit Tarifor’ të lëshuar nga Laboratori Doganor t’ia bashkëngjisin praktikës doganore. Degët Doganore, çertifikatën tjetër origjinale ia dërgojnë subjektit ose përfaqësuesit të tij për njoftim në lidhje me konkludimin e nxjerrë nga Laboratori Doganor”. Gjithashtu nga DPD bëhet me dije se Ministria e Financave ka propozuar që pjesë e Paketës Fiskale 2017 të jenë edhe ndryshimet në ligjin për tarifat doganore, në të cilën është propozuar që për një listë të konsiderueshme produktesh, të cilat përdoren nga industria e fasonëve, tarifat doganore të bëhen 0%, duke filluar nga data 1 janar 2017.

Problem mosçlirimi i garancive doganore

Ndonëse evidentohet një situatë e përmirësuar e procedurave doganore (e konfirmuar edhe nga Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë së Gjirokastrës, Durrësit, etj.) mbetet problem mosçlirimi i garancive doganore të vendosura me kërkesë të administratës doganore. Nga takimet (dy-tre raste) u raportua se edhe pse kishte kaluar afati konkret 6-mujor i kërkuar i garancisë nga administrata doganore dhe kjo e fundit kishte kryer kontrollin përkatës mbi mallrat e zhdoganuara, sërish nuk ishin çliruar garancitë doganore edhe pas kërkesave të vazhdueshme të bizneseve. Për më tepër nuk kishte një përgjigje të këtyre kërkesave. Këto biznese e perceptonin këtë fakt me nevojën e doganave përkatëse për të rritur të “ardhurat e realizuara”.
Nga verifikimi i kësaj problematike me DPD, nga kjo e fundit bëhet me dije se: “Këto raste lidhen me garancitë që mbajnë degët doganore kur pranojnë transaksionin si vlerë doganore deri në verifikimin e faturës. Ka raste që përgjigjja nga doganat homologe nuk vjen brenda afatit 6-mujor dhe dogana kuptohet që nuk çliron garancinë. Kjo çështje nuk ka lidhje me të ardhurat doganore, pasi garancitë janë një shumë e ngurtësuar në bankë që nuk përdoret as nga dogana dhe as nga biznesi”.

“Monitor”

Berisha: Në Venecia u rrëzua projekti i PS

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi mbrëmë se Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë të plotë pretendimeve të opozitës për të mos lejuar kapjen e procesit të Vettingut nga qeveria.
“Partia Demokratike ka dhënë kontribut historik në këtë reformë. Kjo reformë arriti standardet ndërkombëtare falë PD. Nuk u rrëzuan draftet e PD në Venecia. Atje u rrëzuan projektet e PS dhe atyre që mbështeten PS“, thotë ai.
Por cilët janë mbështetësit e PS?
“Dihen! Nuk ka nevojë! Ata që vunë vulën, firmën. Dihet kush janë. Ekspertët tanë dërguan atje edhe mendime. Po të lexosh nenet e saj i jep 100 përqind të drejtë PD. Parimi kryesor, juristët mund të kapin dhe i kanë pasion detajet. Parimi që u ankuam ishte që ky ligj të bëhet nga trupa kushtetues e zgjedhur dhe jo nga institucionet mafioze të një qeverie që është për mua organizatë kriminale. Përsa i përket përfshirjes së organeve në kontrollin e ekzekutivit, tregon që pavarësisht përfshirjes së institucioneve në procesin e investigimit dhe në kërkimin fillestar të provave, është me komisionin e pavarur dhe dhomën e apelit që kanë fuqinë të verifikojnë për vetë provat“, thotë Berisha.
Sipas Berishës është Partia Demokratike që ka përcaktuar kusht bashkëpunimin dhe dërgimin e materialeve në Venecia. Ai vetë thotë se pret që Gjykata Kushtetuese të zbatojë rekomandimin e Venecias.
“Venecia thotë që gjykata duhet të përcaktojë nëse trupi kushtetues ka fuqi të plotë për të kontrolluar të gjitha institucionet e qeverisë. Ne presim që gjykata të zbatojë rekomandimin e Venecias”, tha ai.

Tentativa për grusht shteti

“Kam shprehur dhimbje dhe keqardhje për ata njerëz, por institucioni nuk dorëzohej nga Sali Berisha. Ishte zgjedhje e gabuar nga Edi Rama. Ishte jashtë diskutimit që unë të lëshoja zyrën time. Kam shprehur dhimbjen më të madhe për viktimat, por as 1, as 3, as 300 nuk do të pushtonin zyrën time”, tha ai.
Ish-Kryeministri tha se asnjëherë nuk ka parë kundërshtarët e tij politikë si armiq. Për të ka patur vetëm një armik.
“Në politikë në 26 vite kam konsideruar një armik të egër dhe asnjë tjetër dhe ai ka qenë Sllobodan Milloshevic. Nuk isha i sigurtë nëse të tjerët ndajnë këtë mendim. Pashë më 21 Janar Ramën që ushqente urrejtje dhe armiqësi sa donte të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës time dhe ndjeva keqardhje që ka mbartës të një diversiteti armiqësor. Unë pavarësisht nga qëndrimet e tij, në publicistikën e tij kishte edhe qëndrime shumë të drejta. Armik e kam shumë të vështirë të konceptoj kundërshtarin”, deklaroi Berisha. Ai akuzoi pasardhësin e tij se më 21 Janar u soll si armik.  “Qëndrimi i tij më 21 Janar ka shënuar një pikë kthese në qëndrimin e jetës time sepse nuk e kisha konceptuar kurrë si armik. Ai u soll si armik më 21 janar”, u shpreh ai.
Berisha nuk e quajti sulm ndaj kryeministrisë 14 Shtatorin.   “Atë se ka sulmuar kurrë Sali Berisha. S’e sulmoj dhe nuk e sulmoj ndonjëherë unë. 14 Shtatori ishte një ngjarje që jo ne, por ministrat e Jashtëm të BE-së thanë që vendi ishte në prag të luftës civile. Ishte një zemërim i pakontrolluar i njerëzve. U kam kërkuar që të largohen me çdo kusht dhe kundërshtarët e mi e pohojnë këtë”, vijoi ai.

Azem Hajdari ishte një vullkan

Berisha u pyet në lidhje me akuzat e ish-truprojës së tij, Izet Haxhisë, që thotë se ish-Kryeministri është përgjegjës dhe i përfshirë në ngjarjet që vranë Azem Hajdarin. “Ky është njëri nga vrasësit e akuzuar nga Sali Berisha. Ka një dëshmi të dorëzuar tek prokurori ndërkombëtar dhe prokurorit të vendit, që e dorëzoi menjëherë në media. Ambasadori amerikan ja dha prokurores norvegjeze dhe një tjetër Arben Rakipit. Ai e nxorri në treg dhe bëri gjithcka për ta sabotuar. Por prokurorja norvegjeze bëri të kundërtën. Vëllai i tij qëndroi dhe vuajti dënimin, u tregua burrë, ndërsa ky ja mbathi. Edi Rama nuk ja çon dosjen në Strasburg për të bërë pikërisht këto deklarata që bën”, u shpreh ai. Por a ka Berisha një peng të pathënë për Azem Hajdarin.
“Në marrëdhëniet që kemi patur është ndarë nga jeta dhe Sali Berisha me ndjenjat më miqësore dhe më njerëzore që kishte kush. Por Azemi ishte vullkan. Nëse dikush e merrte ndryshe nuk e njihte. Ishte një kafshë politike në kuptimin e mirë. Një njeri me instikte politike të jashtëzakonshme dhe në këtë mes kundërshtitë ishin normale, por asnjëherë me mbetje prapa apo akumulim. Ai udhëhoqi Komisionin e Sigurisë Kombëtare që e dëshi vetë dhe në dijeninë time nuk ka patur dëshirë për të qenë anëtar në kabinet dhe vetë zgjodhi komisionin e sigurisë”, deklaroi ish-Kryeministri.

Frikë nga hetimi?

Sali Berisha ka pranuar të dëshmojë, ka dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit para prokurorve të huaj, ndërsa iu shmang hetimit për ngjarjet e Tropojës. A ka frikë ai nga hetimi?
“Asnjëherë! Unë dëshminë time për vrasjen e Azemit e kam bërë me vullnet të plotë. Nuk ja kam bërë Arben Rakipit. Ai ishte avokati i krimit në atë kohë. Dëshmia ime dhënë ambasadorit amerikan që ai e dorëzoi tek prokurorja ishte këmbëngulja jonë hetimi ndërkombëtar dhe ata erdhën dhe dënuan disa prej atyre. Të tjerët i eleminuan nga dosja. Vrasësit direkt të Azemit morën ndëshkim, organizatorët nuk ishte në dorën tonë. Unë dhashë të gjithë dhe dija jo pak“, u përgjigj ai.

Top STORY