Edi Rama me amnistinë e tij po nxjerr nga burgu të gjithë kriminelët që kanë dhunuar zgjedhjet, mes tyre dhe të dënuar për vrasje. Dalja e Lul Berishës, kreu i bandës së Durrësit ishte sinjali i parë, por fushatës tashmë nuk do i mungojë as Armando Prenga, ish-deputet i PS-së i akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe plagosje me dashje. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, tha dje se ky është dhe qëllimi i faljes së dënimit të kriminelëve. “Edi Rama ka përgatitur një amnisti, e cila do t’u japë lirinë dhe do të falë kultivuesit e drogës, kriminelët që kanë tentuar të vrasin, kriminelët që kanë dhunuar zgjedhjet. Kur vendi ka nevojë të luftojë krimin që po shtie në dorë politikën, ekonominë, dhe gjithë shoqërinë, Edi Rama ka zgjedhur të falë kriminelët. Amnistia qeveritare do të falë Armando Prengën që tentoi të vriste dhe të tjerët si ai, por nuk do të falë qytetarët që protestuan kundër ndërtimit të paligjshëm të Parkut të Liqenit. Kjo është bërë me qëllim për të dhënë mesazhin se: Amnistia nuk përfshin qytetarët aktivë me qëllim për t’u thënë mesazhin e qartë të gjithë popullit: ata që do të guxojnë të ngrejnë zërin dhe të protestojnë kundër qeverisë do t’i presë burgu dhe gjobat”, tha Ristani. Më tej, deputeti i PD-së shtoi se amnistia do të qetësojë të gjithë kriminelët e politikës, duke dhënë dhe mesazhin se sa kohë Edi Rama të drejtojë qeverinë, asnjë prej tyre sdo i hyjë gjemb në këmbë. “Amnistia do të falë kriminelë me pushtet për t’i qetësuar të gjithë kriminelët e të tjerë në politikë se sa të jetë Edi Rama në pushtet nuk do të ketë dekriminalizim të politikës. Amnistia po fal kriminelët për t’u thënë atyre se, nëse i shërbejnë Edi Ramës, nuk do t’i gjejë kurrë gjë. Amnistia po fal kultivuesit e drogës për t’u dhënë mesazh të gjithë kultivuesve dhe trafikantëve se sa të jetë Edi Rama në pushtet ata mund të kultivojnë dhe trafikojnë drogë dhe nuk do t’i gjejë kurrë gjë. Amnistia po fal dhunuesit e zgjedhjeve për t’i dhënë mesazh të gjithë dhunuesve të votës së lirë se, nëse prishin zgjedhjet e ardhshme nën urdhrat e Edi Ramës, ata nuk do t’i gjejë kurrë gjë. Amnistia që po bën Edi Rama është goditje për qytetarët e ndershëm, është goditje për dekriminalizmin, është goditje për luftën kundër drogës, është goditje për zgjedhjet e lira. Partia Demokratike e dënon këtë amnisti dhe i bën thirrje deputetëve të ndershëm të mos e votojnë atë”, tha Ristani. Nuk është e rastit që në prag të fushatës elektorale, qeveria harton një amnisti të gjerë ku pritet të lirohen rreth 1 mijë persona dhe të përfitojnë katër mijë të tjerë. Në zgjedhjet e Dibrës, por edhe më herët u pa qartë mbështetja që rilindja kishte tek persona me rekorde kriminale. Nga ana tjetër, njihet ndjeshmëria e lartë që ka kryeministri sidomos për trafikantët shumë prej tyre janë dënuar për trafik të lëndëve narkotike një skemë ku dyshohet se do përqendrohet dhe fushata e ardhshme e rilindasve.
Topalli i mbyll gojën thashethemexhinjve
Jozefina Topalli ka sqaruar dje arsyen e mungesës së ditës së diel në festën e 26-vjetorit të partisë.
Me anë të një postimi në profilin e saj në FB, Topalli shkruan se e kishte të pamundur të merrte pjesë, duke renditur edhe arsyet, që sipas saj, nuk kanë asnjë lidhje me politikën e aq më pak me diferencat që ajo ka me Lulzim Bashën.
“Dje PD është bërë 26 vjeçe. Unë nuk e kisha të mundur të isha pjesë e këtij përvjetori të themelimit të partisë të parë opozitare, të partisë së lirive për arsye që nuk lidhen fare me politikën dhe aq më pak me diferencat që kam me Lulzim Bashën.
Unë prej disa ditësh nuk kam patur mundësi të jem as në seancë parlamentare sepse nëna ime është e sëmurë. Për 20 vite rresht duke ndjerë përgjegjësi në detyrat e mia unë nuk kam qëndruar gjatë as me fëmijët e mi, as me nënën time. Tani që ajo është në shtrat unë i rri tek koka dhe do të vazhdoj t’i rri për ta ndihmuar me sa të mundem.
Nuk do të kisha dasht fare të flas për një gjë krejt timen, private. Por duke parë titujt në disa media po e bëj këtë sqarim vetëm në respekt të demokratëve që kanë besuar e janë sakrifikuar në vite pa kërkuar asgjë; e bëj në respekt të miqve të mi.
Dhe uroj me gjithë zemër që partia e ëndrrave të kthehet në vlerat e saj e t’i dalë zot interesave të vendit me kurajo e sinqeritet. Neve nuk na lejohet më të ankohemi apo vetëm të kritikojmë qeverinë më të keqe të këtyre 25 viteve.
Ne duhet të ndryshojmë këtë politikë të kalbur nga korrupsioni, paaftësia e meskiniteti. Ne duhet t’i bëhemi digë asaj, për të mos lejuar politika që dëmtojnë ekonominë e vendit e të njerezve. Ne duhet të rrisim presionin e t’i kthejmë rrezen e diellit e këtë ta bëjmë me vepra e jo vetëm me fjalë. Vendi e njerëzit janë në dëshpërim.
Ne duhet t’i kthejmë shpresën; Ne duhet t’i bindim në fitore. Duke u kthyer në vlerat universale për të cilat PD u themelua ne do të ndalim rënien e do të ndryshojmë vendin. Unë besoj tek çdo demokrat, besoj tek ndryshimi e besoj se ky vend bëhet.
Duhet vetëm përkushtim e ndershmëri. Mirënjohje të thellë themeluesve të PD, atyre që iu gjendën asaj në kohë të vështira për ta ringritur nga hiri, mirënjohje çdo demokrati që e deshi dhe e mbrojti pa asnjë interes”.
Urimi i Meksit për 26-vjetorin e PD
Ish-Kryeministri Meksi ka uruar PD në 26-vjetorin e themelimit me një mesazh të veçantë: “Të dashur miq e dashamirës demokratë! Ju uroj 12 dhjetorin, ditën e themelimit të Partisë Demokratike! PD lindi si një parti opozitare e regjimit komunist, duke synuar një Shqipëri demokratike, të përparuar dhe europiane. Uroj e shpresoj që ëndrra e themeluesve dhe mbështetësve të saj një ditë të realizohet!”, përfundon urimin e tij ish-kryeministri Aleksandër Meksi.
Zgjedhjet dhe blerja e votave, sfidë mbi sfidat për Shqipërinë
– Vettingu ka ngecur, mazhoranca ju akuzon se jeni bllokues, nuk e doni ju Vettingun?
Për Partinë Demokratike çështja është e thjeshtë. Ne kemi votuar pro Vettingut më 22 korrik, pro formulës që SHBA dhe BE sollën bashkërisht në Tiranë dhe që është në përputhje me qëllimin tonë të vetëm, që Vettingu të bëhet i pakapur nga politika. Atë duhet ta bëjnë institucione të pavarura dhe jo kryeministri. Ne jemi pro Vettingut e largimit të çdo gjyqtari të korruptuar nga sistemi, ne jemi kundër Vettingut të kapur nga kryeministri.
– Ju bëtë publike gabime përkthimi në draft. Nuk e dinit ju cilin draft kishit në dorë ose ndryshe nuk ishte verifikuar që në fillim se cili ishte drafti përfundimtar?
Çështja e përkthimit është një çështje mes Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias. Tashmë është bërë publike, unë e di se palët kanë komunikuar dhe kanë shkëmbyer versionet zyrtare dhe ne presim që si Komisioni i Venecias ështu edhe Gjykata Kushtetuese të hedhin hapat përkatës sipas përgjegjësive që kanë. Kjo është në dorën e Gjykatës Kushtetuese, unë nuk mund të flas në emër të Gjykatës Kushtetuese, janë ata që do të marrin vendimin sipas procedurave ligjore që kanë.
Mazhoranca në mënyrë të njëanshme kaloi një ligj për Vettingun në kundërshtim me Kushtetutën siç kishim rënë dakord bashkërisht. Mazhoranca theu konsensusin e ç’është më e rëndësishme, ligji është antikushtetues. E përsëris, PD është pro Vettingut, pra pro pastrimit të sistemit nga të korruptuarit, nga gjyqtarët e korruptuar, nga ata që marrin tendera pranë qeverisë, nga socialistë, por edhe demokratë të korruptuar.
– Pse është antikushtetues ligji sipas jush?
Ligji që zoti Rama ka kaluar pa konsensusin e opozitës është antikushtetues, sepse vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve sipas këtij ligji, në vend që ta bëjnë institucionet kushtetuese, të mbështetura e të ndihmuara nga Bashkimi Europian do të bëjnë drejtorët e kryeministrit. Për këtë arsye ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
– A nuk mendoni se po bllokoni negociatat me këtë, më 15 dhjetor është afati i fundit për këtë shans, ndryshe pritet shtyrja edhe me një vit ndoshta?
Qëndrimi ynë ka qenë që Shqipërisë duhet t’i hapen negociatat, edhe në kushtet, kur kjo qeveri nuk ka realizuar asnjë nga pesë prioritetet. Siç është bërë e qartë nga personalitete politike të Bashkimit Europian, ne mendojmë se hapja e negociatave do të ndihmonte si një trysni shtesë në zgjidhjen e problemeve kryesore, luftën kundër krimit, luftën kundër drogës, korrupsionit, zbatimit të ligjit për dekriminalizimin, zgjedhjeve të lira e të ndershme. Por ky vendim nuk është në dorën e shqiptarëve, është në dorën e vendeve anëtare të BE-së. Një gjë është e qartë: Shqipëria ka shumë punë për të bërë për të pesë prioritetet. Sfidë mbi sfidat, siç e kujtoi edhe kancelarja Merkel gjatë prononcimit të shkurtër për shtyp, para takimit me kryeministrin, mbeten zgjedhjet e vitit të ardhshëm, për të cilat Shqipëria duhet të plotësojë të gjitha kushtet e rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të trajtojë në veçanti problemin dramatik të shitblerjes së votës.
– Ju e shprehët këtë shqetësim në zgjedhjet lokale. Ku e bazoni këtë?
Nuk është shqetësim i shprehur vetëm nga ne, por edhe nga OSBE/ODIHR-i, pra nuk është thjesht shqetësim i opozitës, por ndërkombëtar, mbarëkombëtar. Shitblerja e votës, ngritja e një sistemi të perfeksionuar për shitblerjen e saj, përdorimi i personave me rekorde kriminale për të kërcënuar e intimiduar votuesit janë konstatime faktike të raportit të OSBE/ODIHR-it, për zgjedhjet e vitit 2015. Këtu nuk kemi të bëjmë me mosplotësim standardesh, këtu kemi të bëjmë me kthim pas në kohët më të errëta të rënies së standardeve në zgjedhje në Shqipëri. Dua të përsëris thirrjen time ndaj mazhorancës për të zhbllokuar komisionin ad hoc për reformën zgjedhore, për të miratuar propozimet që PD prej majit i ka depozituar kundër shitblerjes së votës, për transparencën e financimit të partive politike, për garantimin e lirisë së medias e mbulimin proporcional të partive politike, për mospërdorimin e resurseve shtetërore për fushatë, jemi më vonë se kurrë më parë e kjo sinjalizon mungesën e vullnetit.
– Një problem tjetër është shtrirja e gjeografisë së kanabisit në të gjithë Shqipërinë. Ju e keni akuzuar qeverinë se e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi. Qeveria kundërshton duke theksuar numrin e lartë të aksioneve të policisë. Pse ky masivizim i drogës në vend?
Shqipëria është kthyer në vendin më problematik për mbjelljen e kanabisit, marijuanës, por edhe për trafikimin e drogës, rezultatet e këtij viti tregojnë një rritje masive të këtyre drogave, në kanalin Lindje-Perëndim. Problemi i kanabisit nuk ka lindur këtë vit, por ai është pesëfishuar e më shumë këtë vit. Nuk ka shqiptar që të besojë se kjo mund të ndodhte pa implikimin e segmentëve të politikës, policisë. Ka pasur investigime të medias, që tregojnë se si segmente të policisë janë të domosdoshëm për të garantuar kultivimin e trafikimin e kanabisit e se kjo ndodh me mbështetje e mbrojtje politike nga lart.
– Kundërshtarët tuaj politikë do t’iu thonë, se edhe në kohën tuaj lulëzoi Lazarati… e ishim ne që e shkatërruam atë…
Dhe ne e përshëndetëm, mos harroni, se kur u bë aksioni u gjetën stok 100 tonë drogë tre-katërvjeçare, kjo tregon që ata nuk arritën të nxirrnin dot drogën falë përpjekjeve tona, falë rrethimit e vendosjes së një regjimi që e bëri shumë të vështirë nxjerrjen e drogës nga Lazarati. Por ajo që ndodhi pas kësaj është lazaratizimi i gjithë Shqipërisë. Sot me përjashtim të Lazaratit, drogë gjendet kudo, e kjo nuk ka ndodhur thjesht si neglizhencë e qeverisë, por si produkt i aleancës së krimit me pushtetin. Sot kemi kryetarë bashkish, në territorin e të cilëve jo vetëm mblidhet drogë, por kanë edhe pista avioni, që transportojnë drogën, sot kemi anëtarë të Kuvendit me rekorde kriminale të dënuar për trafikim droge dhe ky konglomerat i të dënuarve për drogë, sot të veshur me pushtet dhe i një qeverie, e cila jo vetëm nuk lufton drogën, por e mohon dhe e minimizon problemin e drogës, ka sjellë në këto pasoja, e kanë evidentuar edhe mediat e huaja, se Shqipëria është kthyer në prodhuesin kryesor të drogës.
– Pse është kaq e lehtë të binden fermerët të mbjellin drogë?
E vërteta është se me mijëra shqiptarë nuk kanë pasur alternativë tjetër për shkak të mungesës së politikave sociale, politikave ekonomike, mbështetjes së fshatit.
Kështu njerëzit janë vënë para dy alternativave, buka e fëmijëve apo droga e për fat të keq kanë zgjedhur këtë të dytën. Pra, kemi të bëjmë me një problem social, problem politik, janë miliarda euro në duart e krimit të organizuar. Sot krimi i organizuar ka më shumë para se policia, ushtria, Prokuroria të marra së bashku dhe pyetja është se çfarë do të bëhet me këto para?
– Aludoni me këtë se këto para do të përdoren për të blerë politikën?
Pa dyshim, krimi i organizuar do të investojë për të ruajtur këtë status quo, për të mbajtur Shqipërinë si ngastrën e vet të drogës, për të mbajtur Shqipërinë jo vetëm si pikën e trafikut të marijuanës shqiptare, por edhe heroinës e kokainës e trafiqe të tjera, duke përfshirë edhe trafikun e armëve. Mungesa e kontrollit të kufijve dhe territorit është një shqetësim i madh, po ashtu edhe bashkëpunimi i segmentëve të caktuar me përkrahje politike me këta trafikantë. Sot droga është një problem politik, ka asgjësuar zgjedhjet, siç e pamë në Dibër e do të bëjë gjithçka për të asgjësuar ato të vitit të ardhshëm. I domosdoshëm mbetet ndërgjegjësimi i shqiptarëve para këtij rreziku.
– Një pamje e zymtë kjo për Shqipërinë. Por cila është alternativa që do të ofroni ju për të bindur shqiptarët, vitin e ardhshëm ka zgjedhje?
Shqipëria duhet t’i përgjigjet nevojave të njerëzve. Sot Shqipëria është vend i mundësive vetëm për një grup pushtetarësh dhe klientët e tyre që kontrollojnë ekonominë me monopole, me tendera që i marrin vetëm një grusht njerëzish.
Platforma jonë është konkrete me zgjidhje konkrete për probleme konkrete. Për fermerët qeveria ime do të ofronte 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta, familje për familje, pa asnjë kufizim sa i përket sipërfaqes së tokës që punojnë apo numrit të krerëve që mbarështojnë. Për sipërmarrësit një regjim fiskal, më të favorshmin në Ballkan, ne synojmë futjen e taksidarëve, inspektorëve të qeverisë në zyrë dhe jo si sot, banda që terrorizojnë nga mëngjesi në darkë biznesin, synojmë përmirësim themelor të shërbimeve sociale, e shumë vëmendje shëndetësisë, mbështetje e shtresave në nevojë, që sot marrin ilaçe më të shtrenjta se në Uashington, e të tjera. Ne duam Shqipërinë e mundësive për të gjithë në bazë të punës së ndershme e aftësive.
Tahiri, përgjime me pajisje të maskuara si matës lagështie
Një fakt skandaloz ka dalë për herë të parë dje në Komisionin Hetimor Parlamentar për përgjimet kur po pyetej drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Policia ka përgjuar ambasada të rëndësishme, institucione shtetërore dhe të burgosur “VIP”, nëpërmjet maskimit të një aparature përgjimi me atë të një tjetre, që është deklaruar si për matjen e lagështirës dhe regjistrimin e cilësisë së ajrit. Ky fakt ka dalë nga pyetja e kryetarit të komisionit Flamur Noka, i cili ka treguar edhe një rast, kur punonjësi i policisë Ention Xhelili, ka hyrë me makinën e tij dhe me pajisjen “mjedisore” në Burgun 312.
Gjithçka është e protokolluar nga punonjësit e burgut, por drejtori i Përgjithshëm Çako, nuk ka pranuar të përgjigjet për këtë çështje, duke deklaruar se, bëhet fjalë për informacion të klasifikuar, i cili është në dorë të Prokurorisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako nuk e ka mohuar këtë fakt skandaloz, i cili i jep një dimension tjetër, skandalit të përgjimeve të organizuara nga ministri Tahiri.
Vetëm shtatë muaj më parë, pranë të njëjtit institucion, por këtë herë në komisionin e përhershëm parlamentar për sigurinë kombëtare, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ashtu si kreu i Policisë Haki Çako, nuk nguruan në bashkëpunim, edhe pse proçedimi i Prokurorisë kishte nisur prej mbi dy javësh.
“Jam shumë i qartë kur them se Policia e Shtetit nuk ka pasur, nuk ka, dhe në bazë të ligjit nuk mund të ketë një pajisje përgjimi. Nuk ka kryer dhe nuk do të kryej përgjim të telekomunikimit”, u shpreh Çako më 19 maj 2016.
“Kjo pajisje që s’ka as mundësi fizike për përgjim është në përdorim nga punonjësit e policisë italiane, të cilët janë këtu dhe duhet t’i falënderojmë. Kjo pajisje nuk ofron përgjim, as nuk ka kapacitetin fizik të përgjojë”, ka deklaruar Tahiri në të njëjtën ditë me Çakon.
Përgjigjet shteruese të ministrit Tahiri dhe drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako, dashje padashje krijojnë edhe hapësirën për kakofoni mes anëtarëve të Komisionit Hetimor. Edhe pas 7 muajsh, historia e përgjimeve të paligjshme të policisë mbetet konsistente.
Tahiri refuzon të përgjigjet, braktis Komisionin Hetimor
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi ka refuzuar t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve në lidhje me pajisjen e përgjimit IMSI Catcher, është larguar nga Komisioni Hetimor parlamentar. Ai tha se nuk kishte kohë për të humbur dhe injoroi kërkesën e komisionit për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të dëshmitarëve.
Kryetari i komisionit, deputeti Flamur Noka, i ka drejtuar disa pyetje, në lidhje me deklaratat e bëra prej tij për pajisjen apo nëse kishte dijeni se për çfarë është përdorur kjo pajisje. Ministri ka refuzuar të përgjigjet, duke thënë se komisioni mund t’u referohet deklaratave të tij publike ose hetimeve të Prokurorisë dhe nëse ka rezerva, mund ta kallëzojë atë në Prokurori. “Kjo është pyetja ime për këtë pyetje dhe për çdo pyetje që vjen pas saj”, tha ai.
Prokuroria dyshon se IMSI Catcher është futur në Shqipëri në shkelje të ligjit dhe është përdorur po në shkelje të ligjit nga Policia e Shtetit për të kryer përgjime të paligjshme të krerëve të disa institucioneve. Përdorimi i kësaj pajisjeje në shkelje të ligjit përbën cenim të sigurisë kombëtare.
Sipas Prokurorisë, IMSI Catcher jo vetëm është futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, por është përdorur për të kryer hetime të paligjshme. Për këtë arsye, Prokuroria kërkoi pezullimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe arrestimin e dy oficerëve të policisë.
Gjykata e Shkallës së Parë e pezulloi Çakon, por vendimi solli një sulm të paprecedent të ministrit të Brendshëm dhe vetë kryeministrit Rama ndaj gjyqtarit që dha vendimin. Ndaj tij, menjëherë pas marrjes së vendimit, nisi edhe një hetim pasuror nga policia, një akt që u komentua si përdorim i Policisë së Shtetit nga ministri i Brendshëm për qëllime politike. Pas këtij sulmi, Gjykata e Apelit vendosi ta rikthejë Çakon në detyrë. Pajisja IMSI Catcher nuk është sekuestruar ende, pasi misioni italian Interforce, që e ka futur atë, nuk ka pranuar ta dorëzojë.
Çako si Tahiri, refuzon të përgjigjet për përgjimet
Ashtu si ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të Komisionit Hetimor parlamentar për futjen e pajisjes së përgjimit IMSI Catcher dhe mënyrën sesi u përdor. Çako iu shmang në të gjitha format, pyetjeve në Komisionin e Posaçëm Hetimor. Çako, ndryshe nga ministri, pyetjes së thjeshtë nëse kishte dijeni për futjen e asaj pajisjeje, nisi t’i përgjigjej duke lexuar një fashikull me referenca ligjore, por Flamur Noka, kreu i komisionit, e ndërpreu disa herë duke i thënë se përgjigjja ishte e thjeshtë fare: Po apo jo?
Dhe më interesante u bë përgjigjja e Çakos, kur iu ndërtua pyetja ndryshe: “Çfarë ka sekuestruar Prokuroria në polici?”
Përgjigjja e kryepolicit ishte se, “nuk e di çfarë ka inventarizuar Prokuroria, s’është puna ime” dhe ai nuk pranoi asnjëherë të përgjigjej thjesht, por kurdoherë e ka nisur fjalën me: “Procedimi penal me numër…., regjistruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë”.
Para Çakos, në komision ishte thirrur ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve, duke zgjedhur një përgjigje standarde për të gjitha: Drejtohuni Prokurorisë, nëse keni rezerva, më kallëzoni!
Në komision u zbulua nga Noka edhe fakti se pajisja ishte futur nga punonjësi i policisë, Ention Xhelili edhe në burgje me argumentin “për të matur lagështinë e ajrit në burgje”, por Çako tha se, kjo ishte sekret shtetëror. Noka sërish e pyeti: A mund të thoni nëse Ention Xhelili është punonjës i policisë, por nuk mori përgjigje: “Ju lutem, referojuni procedimit përkatës për këtë çështje!”.
Pas refuzimit të përgjigjeve nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kryetari i Komisionit, Flamur Noka, u shpreh se, ishte mëse e qartë porosia që kishin marrë Tahiri dhe Çako për të vënë atë “kasetë”.
R.POLISI
Revoltë në Korçë, banorët: Peleshi po na grabit tokën
Qindra banorë të Korçës janë hedhur në protestë për grabitjen e pronave të tyre që po u bëhet nga qeveria dhe deputetët e mazhorancës, në zonën e Porodinës. Banorët akuzojnë se, Niko Peleshi dhe Olta Xhaçka qëndrojnë pas kësaj skeme, që u heq atyre qindra hektarë tokë, pronë e tyre e njohur, në emër të një projekti për ndërtimin e një aeroporti.
Gjatë protestës që u mbështet edhe nga Partia Demokratike, qytetarët e zonës u kanë treguar përfaqësuesve të opozitës dokumentat që kanë. Sipas tyre, kjo është një tokë bujqësore, por me këtë projekt, ajo bëhet tokë truall, duke iu pesëfishuar vlera, po sigurisht për plaçkitësit e saj.
Të dhënat tregojnë se me ndikimin e Peleshit dhe Xhaçkës e gjithë kjo zonë i ka kaluar në pronësi një personi, i afërt me ta, dhe ndërkohë janë zhveshur nga pasuria e tyre të gjithë banorët e zonës.
Aeroporti nuk duket gjëkundi, por prona u është grabitur banorëve, duke iu nënshtruar këtij projekti. Qytetarët e zonës tregojnë dokumentat që kanë, dhe akuzojnë qeverinë. Kjo është një tokë bujqësore, por me këtë projekt ajo bëhet tokë truall duke iu pesëfishuar vlera, po sigurisht për plaçkitësit e saj. Partia Demokratike është në krah të banorëve dhe kërkesave të tyre. Salianji u shpreh se kjo padrejtësi bëhet në kurriz të qytetarëve për interesa klienteliste.
“Jemi këtu për t’ju mbështetur për tjetërsimin e pronës, për vjedhjen që po ju bën qeveria, Bashkia e Korçës, zv/kryeministri. Mos e kërkoni në asnjë vend. Ju e keni bashkëfshatare deputeten e zonës, ju ka ardhur t’ju marrë votat, pasi ka ardhur për t’ju marrë votat, tani po ju merr edhe pronën. Keni 26 vjet që e posedoni, keni edhe çertifikata pronësie, nuk mundet për një aferë të pisët korruptive të kalojnë para në një dore të vetme e t’u merret prona bashkëfshatarëve e t’i kalojë prona një njeriu të vetëm. E bëjnë vetëm për një arsye, sepse e kanë kaluar me vendim të Këshillit Bashkiak për të miratuar aeroportin. Projekt që nuk ju shërben ju, nuk ju trajton ashtu siç duhet, për të cilin nuk ju kanë marrë asnjë mendim”, tha Salianji.
Vendimi i Këshillit Bashkiak të Korçës për ndërtimin e një aeroporti civil në një zonë, që përfshin edhe pistën e aeroportit ekzistues, ka sjellë reagimin e banorëve që preken nga zbatimi i këtij projekti. Fermerët e fshatit Porodinë kanë kundërshtuar projektin e Bashkisë, i cili sipas tyre është një aferë e pastër korruptive. Banorët thonë se, tokat e tyre, për të cilat zotërojnë edhe çertifikata pronësie, kohët e fundit, me një vendim gjykate, i kanë kaluar në pronësi vetëm një personi, i cili pretendon të jetë pronari i kësaj sipërfaqe toke. Me këtë vendim gjyqësor, 28 familjet e Porodinës humbin edhe të drejtën e përfitimit të vlerës së shpronësimit.
Rajoni i Korçës, pasi u mashtrua dhe varfërua për 3 vjet rrjesht po tentohet të shkatërrohet përfundimisht edhe me ndërtimin e TEC-it të Maliqit. Para tre ditësh banorët e fshatit Sheqeras dhe zonave përreth u ngritën në protestë kundër ndërtimit të TEC-it të torfës. Qeveria merr 288 ha tokë që shfrytëzohet si tokë bujqësore nga banorët dhe e kthen tokën në zonë minerare. Fusha e Korçës me këtë akt kthehet në moçal të pajetueshëm. Këta pronarë tokash, njerëz që nxjerrin jetesën me tokën e tyre, ndërsa nuk i kërkojnë asgjë qeverisë vetëm i japin, i kthyen në instrumenta përfitimi, duke i vjedhur fshehtazi me vendime pa dijeninë e tyre, duke tentuar t’iu marrin edhe mundësinë e vetme për të jetuar. Korça me këtë TEC e humb edhe atraksionin turistik edhe punësimin në bujqësi.
Maskat, pistoletën në kokë rojes dhe grabisin pikën e karburantit
Një tjetër grabitje e armatosur dhe sërish objektiv ka qenë një pikë karburanti. Bëhet e ditur se, tre persona kërcënuan me armë dhe grabitën rojet e një karburanti pranë Mbikalimit të “Fllakës” në Durrës në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas policisë lokale, ngjarja ka ndodhur në orën 02:50 minuta, ndërsa grabitësit arritën të marrin xhiron ditore në vlerë afro 2 milionë lekë. Rojet kanë dëshmuar se vetëm njëri nga autorët ka nxjerrë pistoletën me të cilën kërcënoi rojen që ndodhej te arka e karburantit. Dy të tjerët kanë mbështetur veprimet e shokut dhe sapo kanë marrë paratë janë larguar me një makinë tip “Ford”. Policia ende nuk ka identifikuar grabitësit, por tha se është duke mbledhur të dhëna për të siguruar një informacion të plotë për ngjarjen.
Pikat e karburantit kohët e fundit kanë qenë objekt i grabitësve, sidomos ato që janë në autostradën Tiranë-Durrës, apo në Fushë-Krujë.
Të premten, maskat grabitën një pikë karburanti në Laç. Burime nga policia thanë se, tre persona të armatosur dhe me maska kanë mbajtur peng fillimisht rojen dhe më pas kanë grabitur firmën. Pas grabitjes të maskuarit janë larguar, ndërsa policia është njoftuar nga roja. Policia tha se është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Rreth dy muaj më parë në Sarandë, gjatë grabitjes së një karburanti u vra roja Artan Hoxha. Autori, Arqile Koçi, i cili mori nga arka 60 mijë lekë të reja, u arrestua disa orë më vonë. Për të shmangur ngjarje të tilla ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ka kërkuar vendosjen e automateve elektronike për pagesën, kamera me rezolucion të lartë si dhe të lidhin çdo pikë me sinjal alarmi me sallën e komandimit.
Ndërkohë, po të premten, persona të armatosur dhe të maskuar janë futur në një banesë në Paskuqan dhe duke ushtruar dhunë dhe terror ndaj familjarëve ku kanë arritur të grabisin një shumë parash dhe një makinë që ndodhej në oborrin e shtëpisë. Maskat kanë kontrolluar banesën dhe kanë vjedhur, tre aparate telefonik, shumën monetare prej 32.000 lekë të reja dhe automjetin tip “Volksvagen”. Sipas rrëfimit të çiftit të grabitur, autorët kanë qenë tre persona të maskuar me bluze me kapuç.
Vrasja për kanabisin në Sarandë, autorët ende të lirë
Ndonëse kanë kaluar 48 orë nga vrasja në Ksamil të Sarandës, policia ende nuk ka arritur të zbulojë dhe arrestojë autorët. Ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje ku 53-vjeçari Agron Xhezairi është vrarë me breshëri arme, ndërsa burimet bënë të ditur se ka dyshime të forta që vrasja mund të jetë bërë për hakmarrje, pasi djali i tij është personi kryesor i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit më 24 shtator në fshatin Shëndëlli.
Policia e Sarandës bëri të ditur se, ka shoqëruar familjarë, shokë dhe të afërm të Aleksandër Bardhit. Familjarët e Aleksandër Bardhit janë shoqëruar në polici pas ekzekutimit të Agron Xhezairit. Nga të dhënat e deritanishme ata nuk e kanë marrë përsipër vrasjen e 53-vjeçarit. Por policia ka dyshime për një hakmarrje midis familjeve për shkak se djali i viktimës, Albi Xhezairi është person në kërkim për vrasjen e Aleksandër Bardhit.
Madje për të thuhet se është larguar në drejtim të Greqisë dhe kjo shpjegon edhe arsyen pse shënjestër e ekzekutimit ishte prindi i tij. Agron Xhezairit i kishte shpëtuar një atentati në 30 tetor, por jo mbrëmjen e së dielës. Ai u qëllua me breshëri në derë të shtëpisë, në sy të kunatës dhe të mbesës së vogël. Sipas Policisë së Sarandës, njëri nga autorët ka qëlluar kurse tjetri ka ndihmuar që të dy të largoheshin me shpejtësi me motor nga vendi i ngjarjes.
Kurse Xhezairi u qëllua me automatik pasi, kishte dalë për të lidhur qenin. Ai tentoi t’u largohej atentatorëve, por ata e ndoqën deri edhe në korridor të banesës. Gjatë natës u bënë kontrolle të shumta, megjithëse autorët nuk janë kapur. Dyshohet që hasmit e Xhezairit të kenë vepruar me vrasës me pagesë. Përplasja mes dy familjeve deri më tani ka sjellë dy vrasje. Albi Xhezairi bashkë me dy persona të tjerë vranë Aleksandër Bardhin në 24 shtator të këtij viti. Kjo vrasje erdhi për shkak të konflikteve për kanabisin.
“Eskobari i Ballkanit”, oficerë policie dekonspiruan aksionin për kapjen e Balilit
Aksioni për arrestimin e Klemend Balilit është dekonspiruar nga Policia e Sarandës dhe Delvinës. Për këtë arsye, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka nisur një hetim për të verifikuar veprimet e disa punonjësve të policisë lokale. Burimet bëjnë me dijes se, ka indicie konkrete që oficerë kanë njoftuar Balilin për aksionet që do të kryheshin për prangosjen e 44-vjeçarit i kërkuar nga Greqia për trafik droge dhe krijim të organizatës kriminale.
Hetuesit kanë dyshime se, ndikimi i Balilit në policët e Sarandës dhe Delvinës është i madh dhe ai mund të jetë njoftuar për çdo lëvizje që kryhej nga blutë. Specialistët e Çështjeve të Brendshme pritet të kalojnë në sitë të gjitha veprimet e disa oficerëve të policisë, për të cilët ka dyshime konkrete se kanë komunikuar me të afërm të Balilit.
Pavarësisht operacionit të së shtunës për ndalimin e Balilit dhe hetimit të nisur, ai ende nuk është prangosur. Por, Prokuroria ka bindjen se ai ndodhet ende në territorin shqiptar. Në operacionin e fundit për prangosjen e Balilit u angazhuan 200 forca policie. Një bashkëpunëtor i 44-vjeçarit u arrestua për armëmbajtje pa leje.
Pak ditë pasi dosja mbërrin në Prokurori, në orët e para të mëngjesit të datës 10 dhjetor, rreth 200 forca të Policisë së Shtetit zhvilluan një operacion për kapjen e të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit”. Nga ky operacion u bë e mundur kapja e mikut të tij, 36-vjeçarit Berti Dosti, ndërsa u sekuestruan 2 armë.
Në maj të këtij viti, u zbulua se Klement Balili ishte një prej organizatorëve të trafikut të kanabisit nga Shqipëria drejt Greqisë. Në aksionin ku mori pjesë DEA amerikane dhe forcat e policisë greke u kapën 700 kilogramë hashash dhe u arrestuan të gjithë drejtuesit e organizatës kriminale, përveç Klement Balilit që fshihej në Sarandë.
Burime nga policia thanë se, Balili mund të konsiderohet një person në arrati, sepse nuk ka asnjë negociatë as me Policinë dhe as me Prokurorinë për t’u vetëdorëzuar. Zyrtarë të lartë të Policisë thanë se, nuk ka asnjë përpjekje të Klement Balilit, ish-drejtor i Transporteve në Sarandë për të bashkëpunuar me policinë apo organin e akuzës.
Prej 6 muajsh, Klement Balili është shpallur në kërkim për trafik tonelatash droge drejt Bashkimit Europian dhe për këtë arsye ka edhe një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij konkretisht nga Interpoli. Organizata ndërkombëtare e drogës e drejtuar nga shqiptari qarkullon miliona euro, saqë mediat greke flasin se, “Baroni” ka aq para sa të paguajë borxhin e Greqisë. Droga e kësaj organizate shitej në Ballkan për 2500 euro një kilogramë, ndërsa në shtetet Nordike 1 kg kanabis kapte shifrat e 17 mijë eurove. 700 kg kanabis që u kap para pak kohësh në Zakyntho të Greqisë ishte destinuar për t’u shitur në Norvegji.