37.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Mjekët në protestë kundër koncesionit të laborantëve

Teknikët e laboratorit mjekësor të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë protestuar sërish kundër partneritetit me privatin për shërbimin e tyre. Laborantëve dhe mjekëve iu janë bashkuar edhe studentët.
Sipas tyre dhënia me koncesion e laboratorit do të rrezikojë edhe praktikën universitare që ata bëjnë gjatë viteve të shkollimit. Teknikët e laboratorit kanë ngritur sërish shqetësimin për vendin e punës, të cilin nuk e kanë të sigurtë pas nënshkrimit të kontratës.
Janë 18 laboratorë mjekësor dhe 700 teknikë në të gjitha spitalet rajonale që përfshihen në këtë partneritet. Ministria e Shëndetësisë më herët është shprehur se vetëm 150 mjekë do të kenë një kontratë me shtetin.

Edhe mësuesit në protestë për shpërblimin

Mësuesit në Shkodër kanë protestur dje para Drejtorisë Arsimore për mosmarrjen e shpërblimit të fundvitit. Mësuesit të përfaqësuar nga Sindikata e Arsimit, kërkuan dhe pagesën për transportin mbi 5 km apo orët shtesë, ndërsa paralajmëruan përshkallëzim të protestës, nëse kërkesat e tyre  nuk merren parasysh.
Siç kishte paralajmëruar Sindikata e Pavarur e Arsimit në Shkodër, protestoi para Drejtorisë Arsimore, duke kërkuar shpërblimin e fundvitit, i cili prej 3 vitesh u është mohuar arsimtarëve. Duke i kujtuar Ministrisë së Arsimit se përfitimi i shpërblimit është i sanksionuar në kontratën kolektive, drejtuesit e sindikatës paralajmëruan grevë 1 orëshe në të gjitha shkollat. Ata kërkuan dhe pagesën për transportin mbi 5 km apo orët shtesë të mësuesve. Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar protesta edhe në Tiranë tek Ministria e Arsimit.

Kriza e depresionit, vetëvrasje në Skrapar

Një tjetër vetëvrasje ka ndodhur të shtunën në Skrapar, në fshatin Selan. 34-vjeçarja M.Y., në banesë, në kushtet e depresionit është vetëvarur. Ka qenë i shoqi dhe fëmijët ata që kanë gjetur trupin e pajetë të së resë.
Gruaja mësohet se prej kohësh ishte në gjendje të rënduar psikologjike, çka mendohet se e ka shtyrë drejt aktit fatal. Sipas dëshmive të të afërmve, e ndjera nuk kishte probleme familjare, por se gjithçka mendohet të ketë ndodhur në gjendje të rënduar psikologjike. Lidhur me këtë rast për ndjekje të mëtejshme, materialet iu referuan Prokurorisë së Beratit. Gjatë ditëve të fundit, janë shënuar disa ngjarje të ngjashme.

Përmbysje veneciane e kapjes së drejtësisë

Endrra e Edi Ramës për të futur në dorë sistemin e drejtësisë mori një goditje jo të vogël dje nga një institucion ndërkombëtar siç është Komisioni i Venecias. Veglat e tij të vendosura në institucionet e shtetit, në pjesën dërrmuese me axhendë të paracaktuar dhe në kundërshtim me ligjin, nuk do të jenë ata që do të kenë në dorë fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të këtij vendi. Ato do të vazhdojnë të ngelen kompentencë e grupit të punës, që do të ngrihet për këtë qëllim nga organet kushtetuese të këtij vendi, siç janë Presidenca dhe Kuvendi i Shqipërisë.
Komisioni i Venecias ka rrëzuar pikën kyçe të Vettingut përmes të cilës Rama synonte të kapte drejtësinë duke kontrolluar prokurorët dhe gjyqtarët përmes institucioneve të ekzekutivit. Vendimi i Venecias thotë se këto institucione të ekzekutivit duhet të jenë nën kontrollin e institucionit kushtetueses. “Për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë në dispozicion të tyre”, tha deputeti Bylykbashi.

Kontroll i plotë i institucioneve kushtetuese

Partia Demokratike përshëndet miratimin e shpejtë të Opinionit të Komisionit të Venecias për 4 pyetjet që i ka drejtuar Gjykata Kushtetuese për vettingun. Opinioni i Komisionit të Venecias përbën kontribut për shqyrtimin e shpejtë dhe objektiv të çështjes nga Gjykata Kushtetuese. Komisioni i Venecias, në paragrafin 64, ka shprehur qartë opinionin se, grupi i punës i përbërë nga organet që janë nën varësinë apo ndikimin e Kryeministrit (siç janë DSIK, SHKB në Ministrinë e Brendshme, DPPPP, etj), duhet të jetë domosdoshmërisht nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e plotë të Komisionit të Pavarur të Vettingut. Konkretisht, paragrafi 64 thekson se: “Për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë në dispozicion të tyre”, thotë deputeti i PD-së. Më tej, ai shton se ky konkluzion është pikërisht ai që kish luftuar deri më tani dhe Partia Demokratike. “Ky konkluzion themelor i Komisionit të Venecias konfirmon tërësisht qendrimin e Partisë Demokratike, se; procesi i kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting) duhet të bëhet vetëm nga organet kushtetuese të rivlerësimit, dhe se çdo organ tjetër qeveritar duhet të veprojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese të rivlerësimit (Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve dhe Kolegji i Apelimit). E thënë qartë, paragrafi 64 i Opinionit të Komisionit të Venecias, sanksionon se vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet jo nga Kryeministri, por nga organet kushtetuese të rivlerësimit.
Komisioni i Venecias në paragrafët 46 dhe 58 çmon se është Gjykata Kushtetuese që duhet të vlerësojë nëse organet kushtetuese të rivlerësimit, kanë kontrollin e plotë mbi organet qeveritare, si kusht që ligji të jetë në përputhje me nenet 6 dhe 8 të KEDNJ-së. Ne nxisim Gjykatën Kushtetuese që të përfundojë në një kohë të shkurtër shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit të vettingut, sipas të gjithë çështjeve të ngritura në kërkesën e Partisë Demokratike. Komisioni i Venecias shprehet qartë në paragrafin 15, se nuk merr përsipër të analizojë përputhshmërinë e ligjit me Kushtetutën dhe legjislacionin e brendshëm. Kjo detyrë i takon vetëm Gjykatës Kushtetutese, e cila duhet të garantojë që ligji i vettingut të jetë në përputhje me Kushtetutën.
Vettingu, sipas Kushtetutës është garancia e vetme për largimin nga sistemi të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar‎. Vettingu, sipas ligjit antikushtetues të Edi Ramës mbron të korruptuarit dhe kriminelët në pushtet”, thotë deputeti i PD-së.

Reagimi i Bylykbashit

Kryeministri Rama paska filluar të interpretojë materien e komplikuar juridike dhe paska dalë në konkluzione që s’të linin shteg. Tashmë të rrimë të qetë se reforma është në rrugë të drejtë. Madje po i jepte me ton leksione edhe Gjykatës Kushtetuese se si ta përkthente opinionin e Komisionit të Venecias. Boll ta lexosh atë që thotë dhe e kupton se ata që ia kanë përkthyer Opinionin janë ata që deklaruan se ishin gati ta votonin Kushtetutën edhe pa e lexuar fare! Shpjegim i thjeshtë për një materie të komplikuar për Kryeministrin: Komisioni i Venecias nuk ka thënë në asnjë rresht që ligji i vetting-ut është Kushtetues. Të sfidoj të lexosh 65 paragrafet e Opinionit dhe po e gjete, e pranoj që jemi përballë një ngjarje historike. Madje, Komisioni ta thotë troç që kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese. Paragrafi 64 ta thotë troç se çështja thelbësore është që organet qeveritare që ti kontrollon duhet të veprojnë vetëm nën drejtimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese e të pavarura të vetting-ut dhe çdo prove apo dokument që kanë organet e tua, duhet t’ia dorëzojnë patjetër organeve të pavarura të vetting-ut. Pikë! Këtë ta thotë edhe në paragrafet 35, 54, 55 dhe 58. Bëje një sforco dhe lexo sa më sipër dhe besoj do të kuptosh që je ngatërruar nëpër pyll. Ky është thelbi i asaj që i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese dhe këtë mbështet edhe Venecia. Vettingu kushtetues që qëron me rrënjë korrupsionin në drejtësi është ky dhe jo ai që do të bësh ti për të vënë gjyqtarët e prokurorët që do të të mbyllin çështjet që do të të përndjekin ty dhe ministrat apo kryebashkiakët e tu. Zoti Kryeministër, Venecia i ka dhënë një udhërrëfyes Gjykatës dhe nuk i ka shkruar një vendim. I ka treguar limitet se si interpretohet më qartë Konventa e të Drejtave të Njeriut, se Kushtetutën e dinë ata vetë. Komisioni i Venecias i ka dhënë Gjykatës rrugën që e mbron nga presioni yt dhe garanton Kushtetutën e 22 korrikut. Pyet ndonjë profesionist që ke pranë se do të të thotë të njëjtën gjë. Mos pyet ata që intrigojnë për të kapur drejtësinë apo që votojnë pa lexuar. Dhe diçka të fundit; mos i bëj presion Gjykatës Kushtetuese. Ajo deklaratë e jotja sot, në një vend normal do të mjaftonte për të të filluar procedimin penal. Gjykata do të marrë vendim shpejt. Me siguri do mbroje vetting-un siç e miratuam më 22 korrik dhe sa më shpejt e fillojmë ta zbatojmë dhe të korruptuarit të shkojnë prapa hekurave, gjyqtarë, prokurorë e ministra. T’i bëj vetëm një gjë: mos e mero kriminelët që ke në grupin parlamentar në Komisionin Ad Hoc parlamentar që do përzgjedhë komisionerët e vetting-ut. Këtë test ke përpara ti.

Kundërshtimi i PD, kërkonte të njëjtën gjë si Venecia

Por si kërkonte Rama që të kryente procesin e vettingun me anë të veglave të tij në institucionet shtetërore?. Duke përfituar nga pozitat e tyre, siç mund të jenë fjala vjen, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DISK Drejtoria e Pastrimit të Parave. ILDKP apo dhe Shkolla e Magjistraturës apo Drejtoria e Ministrisë së Brendshme, ashtu siç është formuluar ligji, duket se këto institucione do të jenë ato që vendosin për fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në fakt kërkesa për çdo prokuror apo gjyqtar duhet të dërgohet tek këto institucione nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit apo dhe Komisionerë publikë, ndërkohë që ligji siç kërkon ta bëjë Rama me rekomandimin e Xhafës parashikon fillimin e hetimeve në mënyrë të pavarur nga vetë institucionet. Gjithashtu, procesi i vlerësimit profesional i hiqet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe i kalohet Shkollës së Magjistraturës. Kjo shton dhe më tej dyshimet se hetimi mund të bëhet selektiv, dhe sipas dëshirave të kryeministrit, duke deformuar rezultatin e tyre. Eshtë pikërisht ky amendament që kish kërkuar opozita 24 orë përpara miratimit në seancë plenare të këtij ligji. “Roli aktiv dhe përcaktues që kanë organe të kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv (ILDKPKI dhe DSIK), pas sjell kontroll tërësor të qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit (veçanërisht, tek komponenti i kontrollit të pasurisë dhe kontrollit të figurës). Ndërkohë, që testimi, sipas rastit, për konfirmimin në detyrë të gjyqtarëve/prokurorëve, bëhet nga Shkolla e Magjistraturës, jashtë çdo kontrolli apo drejtimi nga organet e vettingut. Ky fakt, bie ndesh me pikën 5, të nenit 179/b, ku specifikohet se rivlerësimi kryhet nga KPK. Gjithashtu, kjo bie ndesh me pikat 3 dhe 4 të Nenit  të Aneksit të Kushtetutës, ku qartësisht specifikohet se KPK apo Kolegji, sipas rastit përmes personelit të tyre, Komisionerit Publik ose vëzhguesve ndërkombëtarë, shqyrton deklaratën e subjektit për të shkuarën e tij”, thuhet në kundërshtimin e PD.

Emërimi i Hysenajt në krye të DPPP

Një hallkë tjetër, e cila është mjaft e rëndësishme në këtë proces është dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave. Pra është drejtoria që do të hetojë pasuritë e gjyqtarëve, përgjatë gjithë kohës që ata kanë ushtruar këtë funksion. Në qershor të këtij viti, Ministria e Financave që në krye ka një tjetër yes man të Ramës, Arben Ahmetaj, hapi procedurat për vendin vakant të drejtorit të Pastrimit të Parave. Në fakt deri në atë kohë këtë post e mbante Genti Gazheli një financues i PS-së, i cili u emërua ambasador në Turqi. Lideri global, kishte piketuar për këtë post Alket Hysenajn, i cili deri në atë kohë mbante kryetarin e garancive statuore në PS. Ishte pikërisht njeriu, i cili do ta kthente garën për kreun e PS-së, mes Ramës dhe Blushit, në një referendum që s’merrej vesh se ku donte të dilte. Natyrisht që në fund fitoi Rama, i cili ju shmang garës. Në PS, Hysenaj njihet si adhurues i kryetarit dhe vegël e bindur e urdhrave të tij. Kushdo mund ta kujtojë, emocionin e tij të thellë, kur lajmëroi tërë emocion fitoren “publishitare” të liderit në referendumin e stisur. Edhe në rastin e emërimit të Hysenajt, Rama sërish do shkelte e shpërfillte ligjin. E para, sepse procedurat për vendin vakant nuk mund t’i hapë Ministria e Financave, por Departamenti i Administratës Publike. Nga ana tjetër, sipas Ligjit të Nëpunësit Civil, drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, është Trupë e Nivelit të Lartë Drejtuese (TND), dhe ligji e përcakton qartë se në këtë post duhet një person që e gëzon këtë status. Alket Hysenaj, gëzon vetëm statusin e besimit të liderit, i cili në luftën për pushtet nuk pyet për ligje, por e trajton administratën si të ishte në çifligun e babait skulptor. Detyra e Hysenajt, është të gjejë gjilpërën në kashtë, pra të gjejë motivacion për të shkarkuar gjyqtarë ose prokurorë që nuk e kanë pëlqimin e kryetarit, por kurrsesi zbatimin e ligjit.

Emërimi i Sadushit në krye të Magjistraturës

Në dhjetor të  2014-ës, u krijua një zallamahi me emërimin e Sokol Sadushit, në krye të Shkollës së Magjistraturës. Eshtë pikërisht shkolla, që përgatit gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm pas përfundimit të sistemit trevjeçar dhe master në juridik. Ligji përcaktonte që kjo e drejtë për emërimin e drejtorit të kësaj shkolle, i takonte KLD-së. Në këtë vend, ai do të zëvendësonte Neshat Fanën i zgjedhur në këtë post vetëm diçka më shumë se një vit më parë sipas ligjit nga KLD. Por dhe këtu ndërhyri Xhafa, i cili me Sokol Sadushin ka dhe lidhje familjare, pasi është kunati i tij dhe me forcën e kartonit, kjo e drejtë emërimi dhe shkarkimi ju hoq KLD-së, dhe ju kalua Këshillit Drejtues,i cili brenda një mbledhjeje shkarkoi Fanën dhe emëroi Sadushin drejtor. Aso kohe, nuk ju vu shumë rëndësi, pasi vala e shkarkimeve nga Rilindja, e sapoardhur në pushtet ishte e madhe dhe një drejtor më shumë apo një më pak në opinionin publik nuk “ngrinte kandar”. Por petët lakrorit do i zbuloheshin pikërisht në momentin kur do të flitej për rivlerësimin e gjyqtarëve ose me vettingun e famshëm.
Shkolla e Magjistraturës në ligjin e vettingun është ajo që do të marrë në “provim” gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve. Nga kryetarët e gjykatave dhe deri tek gjyqtari më i thjeshtë, nga kryetarët e prokurorive të të gjitha niveleve dhe deri tek prokurori më i thjeshtë. Nuk janë pak, por 850 gjyqtarë dhe prokurorë të sistemit që në vlerësimin profesional do të varen nga dëshirat e Sokol Sadushit, kunatit të Fatmir Xhafës dhe njeri i besuar i Edi Ramës. Njeriu, i cili kontribuoi fort për hartimin e këtij drafti  dhe për hir të tij, Xhafa bllokoi reformën në korrik të këtij viti. Pra është një proces, i cili lë shumë shteg për manovrat e vlerësimit në fushën e jurisprudencës. Ai do të vendosë kush do të kalojë, dhe kush jo në testin profesional. Ai do të jetë ai që do të rekomandojë emrat, për zëvendësimin e atyre gjyqtarëve që me hir apo me pahir do të lenë punën, sepse kështu urdhëron lideri suprem. Më tej, është po Sadushi që prej kohësh në shkollën që e ka shndërruar në një çerdhe të rilindjes, do të rekomandojë emrat për gjyqtarë të të gjitha shkallëve.

Krimi i Ramës, zhduku 620 milionë euro fatura të CEZ

Rama ka tentuar të manipulojë Avokatin e Shtetit për aferën e CEZ duke i kërkuar atij që të bëjë një raport të ndryshëm nga ai që kishte paraqitur, ku argumentonte se çështja ndaj kompanisë CEZ fitohej në Gjykatën e Arbitrazhit. Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje këtë aferë, për të cilën ai tha se ekzistojnë dokumente, të cilat ai i disponon. Ndërmjetësi i kësaj afere të pistë për të manipuluar edhe avokatin ka qenë ministri i Energjetikës Gjiknuri. “E dini premtimin që i ka bërë me Gjiknurin? Rama është gati të bëjë dhe intervista vetëm na bëj një raport të ndryshëm nga ky. E dini kë mbroni, një kriminel. Një raport që të dalë pala shqiptare në disfavor, natyrisht që do të shpërblente avokatin me dhjetëra milion dollarë. Avokati qëndroi i palëkundur”, tha Berisha. Dëmi i shkaktuar shtetit nga pazari i pistë i Ramës me CEZ arrin në 620 milionë euro. “Janë 620 milionë euro fatura që CEZ kishte detyrime ndaj shtetit shqiptar, ndërkohë që Rama i ka falur ato në një marrëveshje të pistë dhe korruptive”, tha Berisha. Ish-Kryeministri deklaroi para Komisionit Hetimor se CEZ arriti të korruptojë Ramën dhe një sasi më të vogël ka përfituar nga ky korruptim edhe Gjiknuri. “E gjitha kjo është bërë në këmbim të zgjidhjes së marrëveshjes me CEZ me negociata dhe jo përmes vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit”, tha Berisha. Ai kujtoi se për të fshehur këtë krim që ka bërë në zhdukjen e 620 milionë eurove, Rama vendosi edhe pikën në marrëveshjen e miratuar në Parlament ku nuk lejonte asnjë lloj hetimi për këtë aferë.
Berisha ka evituar të gjitha pyetjet e ndërhyrjet e Ballës duke e konsideruar atë një shpifës ordiner dhe duke e evituar në mënyrë de fakto nga drejtimi i Komisionit. “Je vetëm mender shpifës”, i drejtohej Berisha Ballës sa herë ai e pyeste.
“Ai që kryeson komisionin është një shpifës ordiner, i dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës, nenin e shpifjes së ndyrë, me 10 mln lekë dëmtim. Dhe është konflikt interesi. Të paktën 5 herë brenda në sallë tha se nuk jam dënuar asnjëherë, duke dëshmuar se i urdhëruar nga Edi Rama është i aftë të pështyjë, të nxijë, të denigrojë veten, si një njeri që nuk është rritur në këtë tokë, që nuk ka familje, që nuk ka miq, nuk ka nder, dinjitet, nuk ka asgjë. Kjo u faktua”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri tha se kryetari i Kuvendit Meta ka larë duart në mënyrë të padrejtë nga vendimi që duhet të merrte në rastin kur Komisioni drejtohet nga një njeri në konflikt interesi.
“Nëse shërbimet e Kuvendit do të vendosnin që pavarësisht nga përcaktimi i ligjit të Kodit të Procedurës Penale, i cili është i qartë për përjashtimin e konfliktit të interesit, në rast se ato do të vendosnin në këtë mënyrë, ose cilido të jetë vendimi i tyre unë do e miratoj. Sot në orën 2 e ca, kryetari i Parlamentit ka larë duart në mënyrë, për mendimin tim të padrejtë dhe ka thënë këtë vendim ta marrë komisioni. Në komision këta kishin shumicën dhe unë bëra një vendim, thashë të vij, dhe çdo fjale të tij t’ia përplas akuzat shpifës dhe i pafytyrë. Çdo njeri publik, që del para shqiptarëve dhe thotë 5 herë që s’jam i dënuar, tregon që nuk ka një nanogram dinjiteti njerëzor. Duhet t’u kërkonte falje qytetarëve. Ai nuk e bëri këtë gjë, ndaj edhe siç e dëgjuat në çdo pyetje pati një përgjigje standarde”, tha Berisha.

Berisha: Rama dënohet me 35 vite burg, Balla, mender shpifës

Berisha: Nuk mundet kurrë të përdhoset betimi para një shpifësi ordiner. Nuk ka autoritet, moral, kredenciale të marrësh asnjë betim derisa je i dënuar me vendim të formës së prerë.
Balla: Gjeneralitetet nuk i thoni dot. Interpretimi i dhënë nga kreu i Kuvendit është shumë mirë i hartuar. Kuvendi ka një praktikë të konsoliduar për këtë çështje në një komision tjetër hetimor parlamentar në 2006, ku hetohej Prokurori Dhori Sollaku, i cili ka kërkuar përjashtimin e zotit Astrit Patozi.
Berisha: Në çdo fjalë vetëm shpif, je fytyra e vërtetë e Edi Ramës.
Balla: Kam fytyrën që më kanë dhënë prindërit e mi dhe jam krenar për ta.
Berisha: Po lexon shpifje dhe trillime me të cilat ka një qëllim, të shpëtojë Edvin Kristaq Ramën nga sëpaku 35 vjet kalbje në burg për vjedhjen monstruoze që u ka bërë shqiptarëve, duke përjashtuar çdo procedurë dhe firmosur marrëveshjen për të ndarë me CEZ 620 milionë euro, për vjedhjen monstruoze me të cilën i fali CEZ 3.2 miliardë dëme Shqipërisë dhe ekonomisë shqiptare. Ky që flet është shpifësi ordiner.
Balla: Zoti dëshmitar a keni dijeni që ka filluar procedura e privatizimit pa bërë kuadrin rregullator gati, pa bërë legjislacionin gati dhe pa ditur vlerën e asetit publik që po privatizohej?
Berisha: Je i dënuar me nenin për shpifje të ndyra.
Bode: Në paranjoftuam se e gjithë kjo që bëni me zotin Berisha është tërësisht manovër politike që synon të devijojë hetimin në një Komisioni tjetër që e ngritët ju paralel me Komisionin tonë. Ju sot nuk jeni duke bërë pyetje për të marrë sqarime për çështje që është në dijeni. Me audite të turpshme dhe bëni pyetje të kundraligjshme, që nuk përputhen me ligjin. E pyesni dëshmitarin a ke dijeni për humbje apo shkelje, për borxh të keq. E dini që këto pyetje janë të jashtëligjshme?
Balla: Ku e bazon këtë?
Bode: Ligji i privatizimit. Ai thotë që vlerën e humbjeve në rrjet do ta përcaktojë një audit ndërkombëtar i pranuar nga të dyja palët, qeveria dhe ai që erdhi të blejë pasurinë. Nuk je ti që përcakton se kush është humbja.
Balla: Dakord. Çojeni dhe këtë në Kushtetuese. Citoni nenin e ligjit për komisione hetimore, ku kjo që thoni ju bazohet.
Bode: Të citoj ligjin e privatizimit.
Balla: Unë atë po hetoj.
Bode: Po heton ligjin ti?
Balla: Po hetoj gjithë procedurën, përfshirë dhe ligjin.
Bode: Jo t’i nuk mund të hetosh ligjin, duhet të hetosh zbatimin e ligjit dhe po të them që pyetjet e tua i ke antiligjore.Nuk mund të impresionosh me asgjë. E di t’i që muajin e kaluar KESH-i jot me reformën e madhe e ka borxhin e keq 25%? Dhe ti bëke çudi.
Balla: Nuk është procedurë kjo që po bën.
Bode: Pyetjet e tua janë të jashtëligjshme.
Balla: Një sekondë, do të thërrasim dhe ty në seancë dëgjimore.
Berisha: Shpifësi po kavardiset në shpifjet e tij. Kërkon të shpëtosh kryehajdutin Edi Rama nga vjedhja më e madhe në historinë e Shqipërisë, 620 milionë euro fatura të çertifikuara një më një nga kompani ndërkombëtare. Por nuk shpëtoni dot, aq sa shpëtove t’i nga shpifjet. More atë që meritove, aq do të shpëtojë ai pa u kalbur në 35 vjet më thonë specialistët e penales, më së paku për dëmin e tmerrshëm, gjobën që i ka bërë çdo qytetari shqiptar me të paktën 3000 euro.
Balla: Këtë nuk e kuptova.
Berisha: Nuk ka gjë, ti të kuptosh? Ku mund të kuptosh ti?
Balla: Keni ndonjë opinion për këtë?
Berisha: Nuk mund të kuptosh ti.
Balla: Keni qenë në këtë mbledhje qeverie? Ministri i Financave ju ka thënë jeni duke bërë gabim.
Berisha: Sa të qëndrosh në atë karrige e di si ngjason ti apo jo? Si një grumbullshpifës.
Balla: Dakord, kalojmë tek pyetja tjetër.
Ristani: Nuk keni të drejtë të deformoni shprehjen që po i referoheni, më gjeni ku e ka thënë ministri i Financave që po veproni gabim, sapo e thatë ju tani. Pse deformoni fjalët dhe flisni të pavërteta?
Balla: Lëreni dëshmitarin.
Berisha: Është shpifës.
Balla: A keni deleguar që të flasë ministri Ruli në lidhje me privatizimin e OSSH-së më 2006 me Nuel Kalaj?
Berisha: Shpifësi është shpifës dhe vetëm kaq. Edvin Kristaq Rama kërkon që me shpifje të mbulojë vjedhjen e madhe që u bëri qytetarëve shqiptarë. Por të harrojë, ka 35 vjet burg.
Balla: E njihni Hamza Merxhanin?
Berisha: Shpifësi është shpifës dhe vetëm kaq. Mender shpifës.
Balla: A jeni takuar ndonjëherë me të?
Berisha: Shpifësi është shpifës dhe mender shpifës.
Balla: A e njihni Rebeka Gaskin, drejtoreshën e DIA?
Berisha: Shpifësi është shpifës dhe mender shpifës.
Balla: A jeni takuar në zyrën tuaj me Rebeka Gaskin?
Berisha: Shpifësi është shpifës dhe vetëm mender shpifës.
Balla: Një dëshmitar tjetër në këtë Komision, Romeo Karaj, ka deklaruar se Nuel Kalaj ka përfituar një ryshfet 2.6 milionë euro nga përfshirja në privatizimin e OSSH-së. A keni dijeni për këto çështje?
Berisha: Shpifësi është shpifës dhe vetëm mender shpifës.
Balla: Kush ka qenë personi që ka organizuar takimin mes teje dhe Nuel Kalajt?
Berisha: Shpifësi është shpifës dhe mender shpifës.
Balla: A ka qenë Kastriot Ismailaj personi që e ka negociuar këtë takim?
Berisha: Shpifësi është shpifës dhe mender shpifës.
Balla: A ka ndikuar ky takim në lidhjen e kontratës mes DIA dhe CEZ?
Berisha: Shpifësi është i pafytyrë si ti.
Balla: A ka lidhje ky fakt me dëshminë e Josef Hejsek, ish-drejtori i CEZ Shpërndarje me Bujar Nepravishten, ish-kryetarin e ERE?
Berisha: Shpifësi është shpifës dhe vetëm kaq, mender shpifës.
Balla: A e njihni Elvis Mataj, ish-drejtorin Ekzekutiv të DIA-s në Shqipëri?
Berisha: Një shpifës i vërtetë nuk meriton asnjë përgjigje.
Balla: Elvisi?
Berisha: Ju, ju. Këtu je vetëm ti shpifës.
Balla: A ka punuar si këshilltari juaj vëllai i Elvis Matajt, Endri Mataj?
Berisha: Shpifësi meriton vetëm përçmim dhe neveri.
Balla: A ka ndikuar tek ju në emërimin e Elvis Mataj si drejtor ekzekutiv i DIA-s në Shqipëri vëllai i këtij dhe këshilltari juaj?
Berisha: Shpifësi është shpifës dhe vetëm shpifës.
Balla: A kanë ndikuar këto raporte me Ismailaj, Gaskin, Mataj etj., në nxjerrjen e VKM numër 329 dt. 17.05.2011 për rishpërndarje fondesh brenda programeve në buxhetin e 2011 miratuar për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit për përdorimin e tyre për pagesën e detyrimeve të energjisë elektrike të shoqërive të ujësjellësave që ka bërë të mundur pagesën e 573 milionë lekëve në favor të CEZ ku gjysmat e tyre i merrte DIA në bazë të kontratës së saj me CEZ?
Berisha: Shpifësi është shpifës dhe vetëm shpifës.
Ristani: Ka një manipulim të madh dhe me pyetjet.
Berisha: Nuk është gënjeshtër, është shpifës. Mos e nderoni me gënjeshtër.
Ristani: Këto janë trillime. Mund t’ia bëni pyetjet me shkrim dhe të merrni një përgjigje që t’ua thotë të shkruar dhe këtë pjesë.
Berisha: Edi Rama bëhet Kryeministër dhe merr këto letra nga arbitri: Zotëri shanset i kemi ne të fitojmë, mos bëj asgjë. Përpiqet të korruptojë avokatin. E dini premtimin që i ka bërë me Gjiknurin. Rama është gati të bëjë dhe intervista vetëm na bëj një raport të ndryshëm nga ky. E dini kë mbroni, një kriminel. Një raport që të dalë pala shqiptare në disfavor, natyrisht që do të shpërblente avokatin me dhjetëra milion dollarë. Avokati qëndroi i palëkundur. Jo tha, kam bindjet e mia, pala shqiptare ka të drejtë, fiton. Kam dhe dokumente për këto. Prandaj bëhet ai ashtu, pështyn veten. I thashë që ke fytyrën e Edi Ramës, është Edi që e detyron atë. Në këtë revansh hajdutët jo vetëm vodhën, por vunë dhe nen në ligj që drejtësia të mos mund t’i trajtojë. Nuk ka kontratë që është ligj.
Berisha: Ato para do të gjenden, bindja është e hekurt. Paratë i transferoi, disa thonë se po i  investon në qytete të caktuara me të vëllanë, pa të vëllanë. Megjithëse për para nuk njeh dinë as imanë. Është i papërmbajtur, është i çmendur.
Balla: Ti e di mirë këtë.
Berisha: Me këtë ves po merr në qafë Shqipërinë. Jo me të tjera.
Balla: Kthehu në objekt tek Vettingu.
Berisha: E përshëndes Komisionin e Venecias. Meqenëse e do.

Enton DACI

Kujdes Edvin se mund të shkosh në p.s!

Rama është frikacak edhe kur keqpërdor policinë. Nuk kishte faj. Çonte policë për shoqërimin e Berishës atje ku ai nuk ishte. Berisha ishte në zyrë, Rama ja dërgonte shkresën në adresën e shtëpisë. Më ka çuar nëna me larë gojën, i thonë kësaj. Megjithatë mirë ka bërë sepse Rama e di se ku mund të përfundojë me këto shkelje të ligjit dhe nuk i bëjnë punë as mercenarët e krimit që mban rreth vetes dhe as makina e blinduar.
Një shkresë e Ministrisë së Brendshme për Kryesinë e Kuvendit dhe deputetin Taulant Balla është bërë publike, në të cilën shkruhet se një grup policësh shkuan në shtëpinë e ish-Kryeministrit Berisha. Komisariati nr.1 ka marrë një kërkesë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit përmes të cilave u kërkohej të bëhej shoqërimi me forcë i Kryeministrit Berisha për në Kuvend.
Policët nuk kanë gjetur njeri në shtëpi dhe kanë lënë kërkesën në duart e rojes së Gardës. Në fakt Berisha ka qenë në zyrë vetëm pak metra larg shtëpisë dhe policët nuk kanë shkuar atje.
Kërkesa për shoqërim me forcë është konsideruar e paligjshme nga zyrtarët e lartë të PD-së.
“Kjo është shkresa me të cilën Policia e Shtetit tregon se ka pranuar të marrë me forcë një deputet të Kuvendit, në zbatim të urdhrit antikushtetues të lëshuar nga disa deputetë të mazhorancës!
Ndërkohë, neni 73, pika 2 e Kushtetutës parashikon se:
‘2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit’.
Pra, Kushtetuta ndalon shprehimisht që deputetit t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme, qoftë edhe në formën e shoqërimit të detyrueshëm.
Eksperiment mizor i Edi Ramës për të provokuar shqiptarët nëse janë nostalgjikë për diktaturën e para 25 viteve!
Vetëm një pjellë e sistemit komunist dhe kulturës së diktaturës mund ta bëjë këtë! Vetë gjyqtar, vetë prokuror, vetë polic, vetë drogën, vetë koncesionet, vetë pasurinë publike, vetë Vetting-un! Gjithçka për vete dhe burgun për kundërshtarët!”, deklaron sekretari për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj.

Arben SHAHINI

Gruevski fiton zgjedhjet, por i duhen votat e Ali Ahmetit

VMRO DPMNE-ja e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski ka fituar ndaj LSDM-së në zgjedhjet e së dielës, por me një dallim të ngushtë prej rreth 15 mijë votave.
Kështu bëhet e ditur nga rezultatet e para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. VMRO-ja ka fituar rreth 450 mijë vota, apo 38 për qind, kurse LSDM-ja 436 mijë apo rreth 37 për qind, megjithëse ende nuk ka një rezultat sa i përket ndarjes së mandateve.
Tek partitë politike shqiptare, BDI-ja e Ali Ahmetit ka marrë më shumë vota, rreth 86 mijë, apo rreth 7 për qind, ndërsa e dyta është renditur Lëvizja BESA, me afër 57 mijë vota apo rreth 5 për qind.
KSHZ ka bërë të ditur rezultatet zyrtare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kështu del se VMRO-DPMNE ka fituar 51 deputetë, LSDM-ja 49, BDI-10, Lëvizja BESA-5, “Aleanca për Shqiptarët”-3 dhe PDSH-ja 2 deputetë.
Sipas KSHZ-së, në votime kanë dalë 67.66 për qind e trupit të përgjithshëm votues prej 1.8 milionë qytetarë me të drejtë vote.
Në mungesë të rezultatit zyrtar dhe diferencës së ngushtë mes partive politike, Lidhja Social Demokrate dhe VMRO DPMNE-ja kanë shpallur fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës, që kaluan në atmosferë kryesisht të qetë dhe korrekte, me disa parregullsi që besohet të mos kenë ndikuar në rezultatin zgjedhor.
“Ju keni shkruar historinë, do të keni se çfarë t’u tregoni fëmijëve tuaj, nipërve tuaj. Unë krenohem me ju, Maqedonia krenohet me ju. Regjimi u mposht, fitoi e ardhmja. Këto janë momente historike, dëshmuam dhe me shumë përkushtim i treguam gjithë botës se mundemi. Maqedonia do të jetë e lirë, demokratike dhe më përparuese”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate.
Pak më vonë fitoren e ka shpallur edhe VMRO DPMNE-ja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. “Sot fitoi VMRO DPMNE dhe koalicioni “Për Maqedoninë më të mirë”. Sot fitoi edhe Republika e Maqedonisë. Kjo është fitorja e dhjetë me radhë e VMRO DPMNE-së. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë votuan për vizionin tonë, ekipin dhe mënyrën se si punojmë dhe planifikojmë të punojnë në të ardhmen”, ka deklaruar Gruevski.

Shqiptarët, të humburit e mëdhenj

Sa i përket bllokut politik shqiptar, ata kanë shënuar rezultat shumë më të dobët nga zgjedhjet e kaluara, duke humbur një numër të madh të mandateve. Këtë e ka pranuar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, duke fajësuar për këtë numrin e madh të partive politike. Pavarësisht kësaj, edhe partitë shqiptare kanë shpallur veten si fituese të zgjedhjeve.
“Me hidhërim e them se shqiptarët kanë humbur mandate. BDI-ja ka fituar zgjedhjet, por mua më ka interesuar që në radhë të parë të fitojnë shqiptarët dhe nuk më gëzon fitorja e Bashkimit Demokratik për Integrim. BDI-ja do të mbetet e vendosur në drejtim të mbrojtjes së doktrinës së vet të paraqitur para shqiptarëve të Maqedonisë”,ka deklaruar kryetari i partisë, Ali Ahmeti.
Lëvizja Besa, subjekti më i ri politik shqiptar, që edhe ka paraqitur befasinë më të madhe për humbjen e votës shqiptare, ka fajësuar politikat e BDI-së që kanë çuar në dëshpërimin e madh të shqiptarëve.
“Në këto zgjedhje ka humbur BDI-ja dhe kanë fituar shqiptarët. Ata prej nesër – shqiptarët e Maqedonisë – do të kenë përfaqësimin e tyre në institucionet e këtij shteti, në Parlamentin e Maqedonisë dhe do të jenë krenarë me përfaqësuesit e tyre në institucione”, ka deklaruar Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.
Humbjen e thellë në zgjedhje e ka pranuar Partia Demokratike Shqiptare, e cila tani radhitet si forca e fundit politike ndër shqiptarë. Kryetari i saj, Menduh Thaçi, tha se fituese e zgjedhjeve është Lëvizja Besa dhe humbëse BDI-ja e Ahmetit.
“Kjo është një betejë e humbur, megjithatë, më lejoni të theksoj se zgjedhjet shpallën fituesit e vërtetë tek shqiptarët. BDI-ja i ka humbur zgjedhjet në mënyrë katastrofale. Zgjedhjet tek shqiptarët i fitoi lëvizja Besa, në koalicion me RDK-në, dhe unë personalisht ju uroj fitoren dhe u dëshiroj suksese”, ka deklaruar Thaçi, duke i ofruar të gjithë mbështetjen pa kushtëzime subjektit të ri politik.
Zgjedhjet e së dielës janë vlerësuar si historike, për shkak të krizës së gjatë politike në të cilën ndodhet Maqedonia, për shkak të aferës së përgjimeve, që ka përfshirë zyrtarët më të lartë shtetëror. Procesi zgjedhor është mbikëqyrur nga rreth 8 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilat gjatë ditës së hënë pritet të dalin me vlerësimin paraprak mbi rrjedhën e procesit zgjedhor.

Kur do të krijohet qeveria e re?

Sipas nenit 63 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, përbërja e re e Kuvendit të Maqedonisë do të mbajë mbledhje konstituive më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Mbledhjen konstituive e thirr kryetari i Kuvendit nga përbërja paraprake. Nëse seanca nuk caktohet në afatin e paraparë, deputetët grumbullohen vetë dhe e konstituojnë Kuvendin në ditën e 21-të nga dita e përfundimit të zgjedhjeve, shkruan Gazeta “Lajm”.
Sipas nenit 90 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Maqedonisë është i obliguar që në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit, t’ia ndaj mandatin për themelimin e  qeverisë së re kandidatit të partië, respektivisht partive që kanë fituar shumicën e vendeve në Kuvend. Mandatori në afat prej 20 ditëve nga dita e marrjes së mandatit, Kuvendit ia prezanton programin dhe propozon përbërjen e qeverisë.
Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, zgjedh qeverinë.
Kjo do të thotë se, qeveri të re do të kemi më së voni pas 40 ditëve, por vetëm në rast se shumicën e nevojshme e siguron mandatori i parë që do të marrë mandatin për formim të qeverisë. Në rast se, mandatori i parë nuk arrin brenda 20 ditëve të sigurojë përkrahje të nevojshme të deputetëve, atëherë mandatin ia kthen presidentit dhe procedura 20 ditore kthehet në fillim.

Pjesëmarrje e lartë në zgjedhje

Maqedonia ka mbyllur vendvotimet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, me një pjesëmarrje të qytetarëve që vlerësohet të jetë e lartë. Në bazë të njoftimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në ora 17:00, mbi 60.39% e qytetarëve me të drejtë vote kanë marrë pjesë në zgjedhje.
Krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të prillit të 2014, pjesëmarrja e votuesve është për 7% më e lartë.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Çiçakovski, tha se pjesëmarrja më e madhe është shënuar në rajonin e juglindjes, në Strumicë dhe Kavadarci, me rreth 67 për qind të zgjedhësve – ku po zhvillohet beteja ndërmjet liderit të partisë në pushtet, VMRO DPMNE, dhe liderit të opozitës LSDM.
Numri më i vogël i votuesve të regjistruar u shënua në njësinë e gjashtë zgjedhore (Tetovë dhe Gostivar) me 48.82 për qind, ndërkohë që në Shkup kanë votuar mbi 66 për qind e votuesve.
Kryetari i KSHZ-së, Çiçakovski, tha se zgjedhjet kryesisht janë realizuar në frymë demokratike, megjithëse mbi 300 ankesa të qytetarëve i janë drejtuar Komisionit për, siç thuhet, shkelje të të drejtës së votës.
Organizatat joqeveritare që kanë vëzhguar procesin zgjedhor kanë raportuar për një varg parregullsish, të cilat e kanë përcjellë procesin e votimeve.
“Mbi 2 mijë qytetarë nuk kanë arritur të realizojnë të drejtën e votës, sepse nuk kanë figuruar në regjistrin zgjedhor”, ka deklaruar drejtori i Qendrës Civile për Liri, Xhabir Deralla.
Sipas tij, “Komisionet Zgjedhore vazhdojnë të shkelin procesin zgjedhor”.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Maqedoni janë hapur gjithsej 3,480 vendvotime kurse në garë kanë qenë 6 parti politike dhe pesë koalicione me gjithsej 1,092 kandidatë.

Partitë vlerësojnë procesin zgjedhor

Partitë politike kanë dhënë vlerësimet e para për zgjedhjet e së dielës, të cilat sipas dy partive politike kryesore maqedonase, kanë kaluar në atmosferë të qetë, por me parregullsi që kanë qenë të pranishme edhe në ciklet e kaluara zgjedhore.
“Qytetarët e Maqedonisë kanë dëshmuar se duan ndryshime”, ka thënë Damjan Mançevski nga LSDM-ja opozitare. Megjithatë, ai ka shtuar se, pushteti edhe kësaj radhe nuk është përmbajtur nga presionet e shumta ndaj votuesve për të votuar kundër bindjeve të tyre. Nga VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit gjithashtu kanë folur për proces demokratik zgjedhor, por pa hyrë në detaje lidhur me pritjet në rezultatin zgjedhor.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim është shprehur me vlerësime pozitive lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Çdo herë kur BDI-ja organizon zgjedhje, ato janë të lira dhe demokratike”, ka deklaruar zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani.
Por, nga lëvizja Besa, subjekti i ri politik në këto zgjedhje kanë denoncuar një sërë parregullsish zgjedhore si presione ndaj votuesve, votime të dyfishta, fshirje nga lista e votuesve e të tjera. “Pavarësisht këtyre presioneve, qytetarët ishin të vendosur për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje”, kanë deklaruar nga lëvizja Besa.

Përse u acaruan liderët kinezë me Trumpin?

TIME
Donald Trump sugjeroi të dielën se Shtetet e Bashkuara mund të mos ndihen të lidhur në të ardhmen me bindjen se Tajvani është pjesë e “Kinës”, duke hedhur kështu dyshime mbi atë që ka qenë pjesa kryesore e marrëdhënieve kinezo-amerikane për dekada me radhë dhe duke kërcënuar të tensionojë marrëdhëniet dypalëshe.
Ditën e hënë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze tha se qeveria e tij është “seriozisht e shqetësuar” për komentet e bëra nga presidenti i zgjedhur dhe se zhvillimi i marrëdhënieve do të varej nga shtrati politik mbi të cilin do të ruheshin marrëdhëniet kinezo-amerikane.
Në një editorial të mëparshëm në gazetën kineze të lidhur me shtetin “Global Times”, flitej me gjuhë akoma më të egër dhe thuhej se: “Në kundërpërgjigje të provokimeve të Trumpit, Pekini mund të ofrojë mbështetje, madje edhe asistencë ushtarake për armiqtë e Shteteve të Bashkuara”. Një verison në gjuhën kineze i të njëjtit artikull shtonte se Trumpí kishte “njohuritë e një fëmije për çështjet e politikës së jashtme”.
Kina dhe Tajvani janë ndarë efektivisht pas luftës civile të Kinës më 1949, kur nacionalistët u arratisën përmes Ngushticës së Tajvanit drejt ishullit. Që në atë kohë, Pekini e ka konsideruar Tajvanin një provincë tradhtare, e cila do të duhet të merret me forcë nëse do të lindë nevoja. Më 2 dhjetor, presidenti i zgjedhur amerikan i acaroi liderët kinezë duke pranuar një telefonatë nga presidenti i Tajvanit, kontakti i parë i drejtpërdrejtë ndërmjet një lideri amerikan dhe ishullit të vetëqeverisur që pas shkëputjes së marrëdhënieve formale diplomatike në vitin 1979.
Trump nuk është shfaqur aspak i penduar për telefonatën dhe ditën e dielë i acaroi akoma më shumë gjërat tek “Fox News” duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta njohin Tajvanin si pjesë të Kinës nëse bëhen lëshime të konsiderueshme nga Pekini. “E kuptoj më së miri politikën e ‘Kinë së Bashkuar’, por nuk e kuptoj përse duhet të jemi të lidhur prej kësaj politike në rast se nuk bëjmë marrëveshje me Kinën për çështje të tjera, përfshirë edhe tregtinë”, tha Trump për “Fox News”.
Presidenti Trump tha se Kina nuk kishte bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara për sa i përket vlerësimit të monedhës së saj, për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut dhe për zgjidhjen e pretendimeve territoriale në Detin e Kinës së Jugut. Ai tha gjithashtu se askush nuk mund t’i diktojë se me kë mund të flasë në telefon.
Sipas profesorit Wang Yiwei, drejtues i Institutit Ndërkombëtar të Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin e Pekinit, tha se kërcënimet e Trumpit nuk ishin të rrezikshme. “Nuk besoj se ai do të njohë Tajvanin si shtet të pavarur”, tha ai për revistën “TIME”. “Ndoshta po përpiqet të negociojë më shumë avantazhe për çështjen e tregtisë dhe ekonomisë, kështu thotë gjëra serioze për Tajvanin për të frikësuar lidershipin kinez. Mendoj se kjo është strategjia e tij diplomatike”.
Natyrisht, reagimi i Pekinit mund të jetë një goditje tjetër në kundërpërgjigje. Tregtia dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është vlerësuar me 558 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe Kina është zotëruesja më e madhe në botë e bonove të thesarit të Shteteve të Bashkuara me vlerë 1,19 trilionë dollarë. Edhe Tajvani është i lidhur ngushtë me Kinën, e cila merr dy të pestat e eksporteve të tij, duke i dhënë në këmbim 130 miliardë dollarë në vit.
“Është shumë i rrezikshëm”, thotë profesor Nick Bisley, një ekspert i Azisë në Universitetin La Trobe të Australisë, duke komentuar “bastin” e Trumpit, siç e quan ai. “Ka arsye përse liderët e tjerë nuk e kanë bërë këtë në të shkuarën. Tajvani është një çështje nevralgjike, një çështje tepër e ndjeshme për kinezët”.
Sipas Sheng Jiuyuan, dekan i Qendrës së Kërkimeve të Tajvanit në Akademinë e Shangait për Shkencat Sociale, komentet e Trumpit do të kenë një impakt serioz në marrëdhëniet kinezo-amerikane, pasi politika e “Kinës së bashkuar” është guri i themelit që ruan stabilitetin. “Trump është duke përdorur truket e biznesit për të trajtuar çështje të rëndësishme politike”, thotë ai. “Por kjo mund të sjellë një përballje ndërmjet Kinës dhe Tajvanit. Trumpi do të duhet të mbajë përgjegjësinë e kësaj ngjarjeje në rast se ndodh”.
Bisley beson se Trump po ndjek strategjinë e Luftës së Ftohtë të ish-presidentit Ronald Reagan, i cili vendosi në gatishmëri Forcat e Armatosura amerikane përpara se të hynte të negociata me Rusinë sovjetike. Presidenti Trump premtoi gjatë fushatës që do të shtojë shpenzimet ushtarake deri në gjysmë trilioni dollarë.
“Trump po përpiqet të jetë më vetëbesues dhe më i guximshëm me pozicionin që synon të mbajnë Shtetet e Bashkuara në marrëdhënie me Kinën”, vazhdon Bisley. “Kinezët deri tani janë treguar të zgjuar për të mos ta kapur karremin, për shkak se Trumpi nuk është ende president dhe politika e jashtme amerikane nuk ka ndryshuar akoma”.

Portugalia nuk ka shpëtuar nga kriza

Në letër të gjitha duken shumë mirë: ekonomia e Portugalisë po rritet sërish. Në tremujorin e kaluar madje ekonomia e Portugalisë u rrit më shumë se e çdo vendi tjetër anëtar të Eurozonës – me 0,8 për qind në krahasim me tri muajt e shkuar. Një vlerë më të lartë rritjeje pati vetëm Sllovenia. Për këtë, qeveria socialiste e Portugalisë është e gëzuar. Lëvdata vijnë edhe nga Komisioni i BE.
Në verë, në Portugali u krijuan shumë vende pune të reja – megjithatë ato ishin kryesisht vende pune të përkohshme në sektorin e turizmit. Francisco Alfonso, një nga punëtorët sezonalë punoi gjithë verën si kamerier në qytetin Peniche. Ai thotë se shumë si ai merren në punë vetëm në verë, për tri muaj.
“Shumica e restoranteve atëherë nuk paguajnë as kontribute për sigurimet shoqërore. Por kur duam të punojmë, duhet ta pranojmë këtë – nuk kemi alternativë”.
Tani që ka kaluar vera, Francisco kërkon sërish punë, po në ndonjë fabrikë. Po pikërisht në këtë fushë, në industri, Portugalia edhe më tej nuk ka shumë çfarë të ofrojë. Aurora Teixeira, profesore e ekonomisë në Universitetin e Portos paralajmëron: vendi nuk duhet të bazohet në turizëm – sipërmarrjet duhet të prodhojnë dhe eksportojnë më tepër mallra.
“Politika financiare nuk funksionon – dhe kjo prej shumë vitesh. Familjet dhe shtetet futen gjithnjë e më thellë në borxhe. Dhe bankat i kanë përdorur për të blerë borxhe, megjithëse kjo ka qenë e ndaluar”.
Prandaj bankat kanë në librat e tyre plot elementë toksikë, duke bërë që të mos i përgjigjen detyrës së tyre të mirëfilltë: huadhënies për sipërmarrjet.
Prandaj janë para së gjithash sipërmarrjet e vogla dhe të mesme që e kanë të vështirë të marrin kredi. Gjithsesi, bankat portugeze sot kontrollohen më rreptë se në periudhën e krizës. Dhe shumë ekspertë thonë se ndërkohë janë të përgatitura më mirë për vështirësi eventuale.
Por problematik mbetet borxhi i lartë shtetëror i Portugalisë. Ai ka arritur në 130 për qind të produktit kombëtar bruto. Për krahasim: në Gjermani ky borxh është në kuotën 70 për qind. Interesat bankare, që Portugalia duhet të paguajë për paratë që merr hua po rriten gjithnjë e më shumë. Qeveria socialiste e ka të qartë që kjo duhet të ndryshojë, në mënyrë që vendi të ketë mundësi të investojë sërish.
Profesorja e ekonomisë Aurora Teixeira mendon se për këtë Portugalia duhet t’i paguajë të gjitha borxhet, edhe po të kërkojë kjo shumë kohë. Sipas saj, kjo do të kërkojë masa të tjera shtrënguese për popullatën – por qeveria nuk guxon që ta përcjellë te njerëzit këtë lajm.

Itali, Paolo Gentiloni do të formojë qeverinë e re

Presidenti italian, Sergio Mattarella zgjodhi Paolo Gentilonin të formojë një qeveri të re pasi udhëheqësi reformator Matteo Renzi humbi referendumin për reforma kushtetuese.
Zoti Gentiloni pritet të mbajë postin deri në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2018. Pas njoftimit, ai premtoi të lëvizë “brenda të njëjtës kornizë” si qeveria në largim e zotit Renzi.
“Jo me zgjedhje, por me një ndjenjë përgjegjësie, do të formoj një qeveri bazuar në shumicën që po largohet”, tha zoti Gentiloni.
Njoftimet bëjnë të ditura se udhëheqësi i ri pritet të paraqesë një listë me emrat e ministrave tek presidenti Mattarella të hënën.
Anëtari 62-vjeçar i Partisë Demokratike dhe një aleat i ngushtë i zotit Renzi, dhe një ish-gazetar tha në një deklaratë të shkurtër se ka një “nevojë urgjente për një qeveri plotësisht funksionale” në mënyrë që të përqendrohemi tek çështjet ekonomike dhe sociale.
Të gjitha partitë kryesore kanë bërë thirrje për zgjedhje sa më shpejt që të jetë e mundur, por propozimi është refuzuar nga presidenti italian.
Renzi ishte kryeministër për gati tre vjet. Ai dha dorëheqjen pasi votuesit kundërshtuan një paketë që rriste pushtetin e tij për të shtyrë reforma ekonomike që ai thoshte se do të sillnin stabilitet politik në Itali.