39.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Lavrov, vizitë zyrtare në Beograd

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, do të qëndrojë dy ditë në Beograd.
Ditën e parë të vizitës, janë paraparë takime me udhëheqësit kryesorë të shtetit serb, ndërsa ditën e dytë do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të kryediplomatëve të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi.
Sipas njoftimit që në fund të muajit shtator e kishte dhënë shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, në takimin e 13 dhjetorit do të marrin pjesë mbi 10 ministra të Jashtëm ku përpos Lavrovit, do të marrë pjesë edhe kryediplomati turk, Mevlut Çavushoglu.
Gjatë vizitës në kryeqytetin serb, Lavrov do të takohet me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç, kryeministrin Aleksandar Vuçiç dhe kryediplomatin serb, Ivica Daçiç. Me udhëheqësinë serbe, siç është raportuar, Lavrov do të bisedojë për ngjarjet aktuale nëpër botë, si dhe për situatën në rajon.
Lavrov do i drejtohet opinionit edhe përmes një konference me gazetarë, të cilën do e mbajë krahas Daçiç, mbrëmjen e të hënës.

Trump kritikon përfundimet e CIA-s për sulmet kibernetike

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka kritikuar konkludimin e Shërbimit amerikan të Inteligjencës, CIA, se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, duke thënë se kjo po përdoret nga demokratët amerikanë “si një tjetër justifikim” për humbjen e Hillary Clintonit.
Komentet e Trumpit janë bërë në kohën kur janë rritur shqetësimet nga zyrtarë të lartë të Kongresit për hetim më të thellë rreth sulmeve kibernetike të Rusisë dhe qëllimeve të këtyre sulmeve.
Deklarimet e Trump janë bërë dy ditë pasi zyrtarë të inteligjencës amerikane janë cituar duke thënë se ata “kanë besim të lartë” se, “hakerët” rusë nuk i kanë pasur cak vetëm organizatat e Partisë Demokratike dhe udhëheqësit e saj, por e kanë pasur qëllim që edhe të minojnë Clintonin.
“Unë mendoj që kjo është qesharake. Mendoj që kjo është vetëm një justifikim tjetër. Nuk e besoj”, i ka thënë Donald Trump televizionit amerikan, “Fox News”.
Trump ka një kohë të gjatë që thotë se shteti prapa sulmeve kibernetike mund të jetë Kina apo ndonjë “haker” i rastësishëm që ka kryer sulmet derisa ka qenë i ulur në divan.
Gazeta amerikane, “The Washington Post”, më 9 dhjetor ka raportuar se “hakerët” rusë kanë ndërhyrë në zgjedhje për të ndihmuar Donald Trump që të fitojë presidencën dhe jo vetëm për të minuar besimin në sistemin zgjedhor amerikan.
“Është vlerësimi i komunitetit të inteligjencës se qëllimi i Rusisë ka qenë që të favorizojë një kandidat, për të ndihmuar Trumpin që të zgjidhet”, gazeta në fjalë e ka cituar të ketë thënë një zyrtar i lartë amerikan, që ka folur në kushte anonimiteti.
I njëjti ka thënë se është informuar gjatë një prezantimi të të dhënave sekrete që iu është bërë senatorëve.
Ndërkaq, gazeta “The New York Times” raporton se zyrtarët e inteligjencës kanë arritur në përfundimin se “hakerët” rusë kanë ndërhyrë edhe në kompjuterët e Partisë Republikane, por ata nuk kanë publikuar asnjë e-mail dëmtues apo ndonjë material të tyre, njëjtë, siç besojnë shumë njerëz, se ata bënë me të dhënat e demokratëve.
Kjo ka shtyrë analistët të besojnë se qëllimi i “hakerëve” rusë në fakt ka qenë që të ndihmojnë Trumpin të fitojë Shtëpinë e Bardhë, shkruan më tej “The New York Times”.
Por, udhëheqësi i Komitetit Kombëtar Republikan, Reince Priebus, i cili do të jetë shefi i stafit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, për televizionin amerikan “ABC” ka thënë mbrëmë se asnjë kompjuter i partisë apo informacion tjetër nuk ka qenë viktimë e sulmeve kibernetike.
Sipas tij, kjo është konfirmuar edhe nga FBI-ja.
Një grup i senatorëve demokratë, gjatë javës së kaluar, i ka bërë thirrje presidentit Barack Obama që të ofrojë më shumë detaje rreth sulmeve potenciale kibernetike ruse.
Obama duket se është pajtuar me kërkesën, pasi më 9 dhjetor ka njoftuar se ai ka urdhëruar një rishikim të madh të sulmeve kibernetike gjatë fushatës, por duke paralajmëruar se kjo nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë apo zgjedhjet.
Ndërkohë, katër senatorë, dy prej të cilëve janë republikanë me pozita udhëheqëse, raportin për sulmet kibernetike ruse e kanë quajtur alarmues, ndërsa kanë bërë thirrje për hetim që e ka miratimin e dy palëve, republikanëve dhe demokratëve.
“Për vite të tëra, armiqtë e huaj kanë bërë sulme kibernetike ndaj infrastrukturës fizike, ekonomike dhe asaj ushtarake amerikane, duke vjedhur pronën tonë intelektuale”, thuhet në komunikatën e 11 dhjetorit, të nënshkruar nga senatorët republikanët, John McCain dhe Lindsey Graham dhe demokratët, Jack Reed dhe Chuck Schumer.
“Tani, institucionet tona demokratike janë sulmuar. Raportimet e fundit të ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet tona duhet të alarmojnë çdo amerikan”, thuhet më tej në këtë deklaratë.
McCain dhe Graham janë të zëshëm në kritikat e tyre ndaj Kremlinit dhe politikat e jashtme të presidentit rus, Vladimir Putin, një qëndrim i kundërt me atë që e ka mbajtur Donald Trump.
Schumer, ndërkohë, është demokrati kryesor në Senat, ndërsa Reed është demokrati kryesor në Komitetin e Senatit për Shërbimet e Armatosura, krahas McCainit dhe Grahamit, që gjithashtu janë në të njëjtin komitet.

Guterres, njeriu që i nevojitet OKB-së

Të hënën, Antonio Guterres bëri betimin si sekretar i Përgjithshëm i OKB-së. Ai është njeriu i duhur.
Merrini seriozisht fjalët e këtij burri! Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së synon “që t’u vërë emrin që kanë dhe të luftojë populizmin politik, racizmin, armiqësinë ndaj të huajve dhe ekstremizmin radikal”. O burra, Antonio Guterres! Deklaratat e tij premtojnë shumë. Biografia e tij është universale. Puna e tij është e pamundur. Po kjo nuk ka rëndësi.
Një sekretar i Përgjithshëm i OKB-së është njeriu më pa pushtet në skenën ndërkombëtare. Ai ka vetëm një shans: ai duhet të jetë në gjendje të mbajë fjalime. T’i zgjojë njerëzit me fjalët e tij. Të kërkojë. Të bëjë thirrje. Të ngacmojë nervat. Dhe Antonio Guterres është në gjendje të t’i ngacmojë nervat. Ai ka edhe nerva. Ban Ki Moon-in, aziatikun që buzëqeshte miqësisht pa zë e pason tani një mjeshtër i vërtetë i retorikës.
Ban Ki Moon ishte fytyra miqësore e çorientimit të bashkuar të këtij komuniteti ndërkombëtar. Ky burrë gjithmonë synimet i kishte të mira. Askush nuk e kundërshton këtë. Por ky burrë qe i padukshëm. I padëgjueshëm. Jo spektakolar. Një diplomat i qetë në vend të gabuar. Çfarë do të mbetet pas dhjetë vjetësh Ban Ki Moon? Një marrëveshje për klimën – testamenti i tij, për aq kohë sa atë ta grisë Donald Trumpi. Një luftë në Siri, e cila është kthyer në një plagë ulçeroze të botës.
Një Këshill Sigurimi të OKB-së, i cili duket se merret me bllokimin e vetes. Një komunitet ndërkombëtar, i cili për dhjetë vjet Ban Ki Moon nuk arriti të reformojë veten dhe atë forum të 15 kombeve së bashku me të drejtën e tij për veto. Një ushtri helmetkaltërish, emri i së cilës është dëmtuar, mandati i së cilës është i kufizuar dhe stërvitja e së cilës është e diskutueshme.

Njerëzimi ka nevojë për OKB-në
Tani kemi pra, një sekretar të ri të Përgjithshëm të OKB-së. Ai nuk do ta shpikë nga e para botën. Ai do të ndeshet me kufij. Ai do të dëshpërohet me këtë Këshill Sigurimi për t’i qarë hallin. Po ai do ta thotë. Ai do ta tregojë. Ai është shpresa në kohë shumë të errëta. Ai që thotë sot se këto Kombe të Bashkuara nuk i duhen më kujt, ai e ka shumë gabim. Çdo njeri, njerëzimi në tërësi ka nevojë më shumë se kurrë për këtë organizatë që mezi lëviz, të orientuar nga konsensusi, burokratike.
Sepse bota është një grumbull gërmadhash. Populizmi i djathtë është moda e re. Faktet janë të interpretueshme. Luftërat janë jetë e përditshme. Dhe vetëm kur politika i ka shkatërruar të gjitha, atëherë ata kërkojnë ndihmën e OKB-së: “Pse nuk na ndihmoni?” Antonio Guterres e njeh këtë lojë të mjerueshme. Ai mundet dhe duhet të bëhet prishës i haresë së të tjerëve. Bota ka nevojë për zërin e tij. Tani. Për dhjetë vjet nga sekretariati i Përgjithshëm i OKB-së u dëgjua vetëm një mërmëritje e butë.
Tani vjen Guterresi. Pas zgjedhjes së Donald Trumpit bota mbajti e frikësuar frymën, u mbush me frymë dhe në mënyrë fatale vendosi që edhe një njeri i tillë meriton një shans. Shansi ynë dhe përgjigjja si komunitet ndërkombëtar prej sot është: Guterres. Jepini një shans këtij burri. Për hir të neve njerëzve. Ne kemi vetëm atë.

Kundër Saint Etienne do të jetë e vështirë

Jose Mourinho është natyrisht i kënaqur me shortin e Manchester United për 1/16 e Europa League, që i vë “Djajtë e Kuq” përballë francezëve të Saint Ettiene. Goglat gjithashtu rezervuan për Paul Pogba përballjen me të vëllain e tij Florentin, dhe trajneri portugez e mirëpret edhe këtë kryqëzim të fatit.
“Është diçka e këndshme, Pual ishte duke qeshur dhe padyshim edhe vëllai i tij do të jetë duke qeshur. Është e këndshme, ndodh pak herë në futboll ndaj është diçka e tillë. Pastaj gjëja e mirë është distanca e udhëtimit. Ne ishim shumë pa fat në fazën e grupeve dhe na u desh të udhëtonim larg për në Turqi dhe Ukrainë. Tani do të shkojmë në Francë, një fluturim i lehtë në një periudhë si shkurti kur ka shumë ndeshje, ndaj kjo është padyshim diçka e mirë”, u shpreh Murinjo.
Manchester United është një ndër skuadrat favorite për të ngritur lart trofeun këtë edicion, por Mourinho nuk harroi të vlerësonte rivalët francezë, edhe pse në letër nuk mund të krahasohen me Manchester United. “St Etienne është një klub me histori që mbart shumë traditë. Njerëzit e brezit tim kurrë nuk e harrojnë skuadrën e Michel Platini. Do të jetë e vështirë për ne, pasi çdo skuadër tani është një kundërshtar i fortë në kompeticion, veçanërisht përballë emrave të mëdhenj dhe sigurisht që Manchester United është një ndër emrat e mëdhenj të këtij kompeticioni. Do të jetë e vështirë”, tha ai.
Skuadrave italiane nuk i ka buzëqeshur fati si United, por gjithsesi te Roma e Fiorentina drejtuesit mbeten besimplotë. Verdhekuqtë gjejnë përballë Villarealin, por Antonio Tempestili, drejtori organizativ i verdhekuqëve u shpreh.
“Kemi gjetur një skuadër me eksperiencë në Europë, do të jetë e vështirë, por dhe ne kemi armët tona. Nëse jemi të detyruar të fitojmë? Besoj se një klub si i yni, duhet të vendosë objektiva dhe t’i arrijë. Ka dhe skuadra të tjera që duan ta fitojnë kompeticionin, nuk është e lehtë. Ne kemi një strukturë të mirë dhe mund t’i shkojmë Europa League deri në fund”, tha Murinjo.
Edhe te Fiorentina, drejtori i përgjithshëm Andrea Rogg vlerëson Munchengladbach, por pa harruar të shtojë se në klubin vjollcë Europa League është një ndër prioritetet e këtij sezoni.
“Do të jetë një ndeshje stimuluese kundër një skuadre që vjen nga Championsi. Edhe ne mund të themi tonën. Vitin e kaluar kishim një kundërshtar të vështirë, këtë vit një kundërshtar që meriton respekt. Ambicia mbetet e njëjta, të japim gjithçka për të qenë gati në përballjen e dyfishtë. Europa League është një ndër objektivat sezonalë, nuk e kemi mohuar kurrë, pasi i pëlqen shumë si klubit ashtu dhe tifozëve. Ne jemi një skuadër që na pëlqen të luftojmë”, përfundoi Murinjo.

Ançeloti: Duel i fortë

Legjenda e futbollit spanjoll, Emilio Butragenjo, ka komentuar shortin e Ligës së Kampioneve që ka vënë klubin e Real Madrid, ku ai është drejtor i marrëdhënieve institucionale, përballë Napolit, duke e cilësuar ndër më të vështirët e mundshëm. “Do të jetë një përballje shumë e vështirë. Më kujtohet sfida e vitit 1987, kundër Napolit të Maradonës. U kualifikuam atëherë, por më kujtohet një ndeshje me shumë vështirësi, ashtu siç do të jetë edhe këtë radhë”, tha ai.
“Në Ligën e Kampioneve nuk ka asgjë të lehtë, diskutim që vlen sidomos kur bëhet fjalë për skuadra italiane. Napoli ka një trajner të madh dhe një përbërje të mirë, por ne jemi Real Madrid dhe duam të arrijmë një rezultat të mirë për të ecur përpara. Do të kemi motivim të lartë, ashtu si edhe ne. Duam të bëjmë një rezultat të mirë në “Santiago Bernabeu” për të mos rrezikuar në takimin e kthimit në ‘San Paolo’”, theksoi Butragjenjo, i cili beson se këtë duel do e zgjidhë skuadra dhe jo individët.
“Unë mendoj gjithmonë për skuadrën, jo për elementët në veçanti, edhe pse në fakt jam i lumtur për Kajehon. Ne te Reali kemi individë të jashtëzakonshëm, por duhet të përqendrohemi vetëm te grupi”, deklaroi ish-sulmuesi.
Në Angli shpresojnë te kthesa e fatit. Në rrjetet sociale, që kur dy skuadrat mbyllën grupet në vazo të ndryshme, të gjithë ishin thuajse të bindur se goglat e shortit do të vinin përballë Arsenalin dhe Bajern Mynihun. Një duel i tillë ka qenë i zakonshëm në vitet e fundit, gjithmonë duke parë “topçinjtë” të largohen kokëulur.
Por këtë radhë, anglezët shpresojnë që fati të ndryshojë dhe më në fund t’u buzëqeshë atyre. “Jemi për herë të 17 radhazi në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve, që është një dëshmi e gjallë e asaj që ka sjellë Arsen Venger dhe lojtarët gjatë këtyre viteve”, deklaroi Devid Majls, sekretari i Arsenalit. “Tifozët do të mendojnë se përsëri kemi qenë pa fat në short, por në një pikë të caktuar, duhet të vijë edhe kthesa dhe ne do të arrjmë t’i mundim”, ishin fjalët e tij pas përfundimit të ceremonisë së shortit.
Nga ana tjetër, Karlo Ançeloti e ka vlerësuar këtë duel si shumë interesant dhe shpreson që të vazhdojë serinë pozitive të bavarezëve ndaj klubit anglez. “Presim me padurim dy ndeshje mjaft interesante. Unë kam besim te skuadra ime dhe shpresoj që të mund të arrijmë çerekfinalet. Arsenali ka një skuadër shumë të mirë aktualisht dhe një trajner për të cilin unë kam vlerësimin maksimal”, deklaroi trajneri italian.

Luis Enrike parashikoi shortin e Champions

Luis Enrike kishte parashikuar që 6 ditë më parë se kush do të ishte kundërshtari i Barcelonës në Ligën e Kampioneve dhe klubi katalanas ka publikuar dje “provat”. Pasi Barcelona mbylli ndeshjet e saj në grupin e Ligës së Kampioneve, duke u kualifikuar si e para, trajneri u pyet në konferencë për shtyp se kush mendonte se do të ishte rivali i radhës. “Nuk do të jetë një short i komplikuar. Do të na vihet përballë, ekipi i dytë më i vështirë ose ai që ka më shumë pikë nga skuadrat e vendit të dytë. Kaq”, tha Enrike duke qeshur para gazetarëve.
Duke llogaritur se skuadra më e fortë e vazos së dytë cilësohej Bajern Mynih, PSG mund të klasifikohet si e dyta më e fortë, pasi kishte arritur 12 pikë, po aq sa bavarezët në grup. Ndaj kur goglat e shortit kanë nxjerrë PSG si kundërshtare të Barcelonës, parashikimi i Luis Enrikes u plotësua.
Vetë klubi katalanas, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e ka kujtuar këtë deklaratë të trajnerit dhe ka publikuar videon e asaj konference shoqëruar me frazën “…dhe Luis Enrike nuk gabohej”.

Hidhet shorti i Champions League, PSG-Barça, Bayern-Arsenal

Short drithërimash në Nyon të Zvicrës për fazën e 1/8-ve të UEFA Champions League. Shumë ndeshje interesante dhe dy superpërballje që janë ato Bayern-Arsenal dhe PSG-Barcelona. I pafat Napoli që peshkoi kampionët në fuqi të Realit të Madridit me Elseid Hysaj mbrojtësin e kombëtares shqiptare që do të ketë detyrën e vështirë për të markuar Cristiano Ronaldon. Më i lehtë shorti për Juventusin që do të sfidojë Porton, ndërsa 4 përballjet e tjera të raundit të 1/8-ve janë Sevilla-Leicester, Bayer Leverkusen-Atletico Madrid, Benfica-Borussia Dortmund dhe Manchester City-Monaco.
Si për ironi të fatit, Bayerni dhe Arsenali do të përballen për herë të 4-t mes tyre në këto 5 sezonet e fundit të Championsit pikërisht në fazën me eliminim direkt me ndryshimin e vetëm që këtë herë ndeshja e parë do të luhet në Mynih, pasi ishte Arsenali kokë grupi. Paris Saint Germain-Barcelona është një tjetër sfidë spektakolare, të cilën e kemi hasur shpesh në këto vitet e fundit. Favorit për të kaluar edhe këtë herë mbeten blaugranat e Luis Enriques, që ndeshjen e kthimit do ta luajnë në shtëpi. Short i përballueshëm në letër për Manchester City-in e Pep Guardiolës, që do të sfidojë në 1/8-at Monacon e Leonardo Jardim.
Ashtu si në sezonin 2014-2015, Atletico e Madridit do të ndeshet me Bayer Leverkusen. Porto, pasi eliminoi Romën në play-off do të kërkojë të surprizojë edhe Juventusin, por pavarësisht gjithçkaje bardhezinjtë janë dukshëm favoritë për të avancuar më tej. Një sfidë e barabartë mund të konsiderohet ajo mes Sevillas dhe Leicester-it edhe pse skuadra spanjolle ka shumë më tepër eksperiencë në kompeticionet europiane se kampionët e Anglisë që drejtohen nga Claudio Ranieri. Kuadri i raundit të 1/8-ve kompletohet me përballjen Benfica-Dortmund, ku skuadra e Thomas Tuchel, në letër hyn si superiore.

Nedved: Një gabim dhe je jashtë
Zëvendëspresidenti i Juventusit, Pavel Nedved, ka komentuar shortin e Ligës së Kampioneve, ku bardhezinjtë kanë evituar përballjet më të forta, duke peshkuar Porton. “Nuk e dimë atë që na pret. Të gjithë presin që ne të kalojmë turin dhe të fitojmë titullin pa u lodhur, por nuk do të jetë kështu”, tha ai.
“Evituam Realin? Është e vështirë të buzëqeshësh kur ke për të përgatitur dy ndeshje të Ligës së Kampioneve. Sapo nënvlerëson diçka, je menjëherë jashtë. Champions është i veçantë. Porto ka eliminuar Romën, do të jenë ndeshje të vështira. Nuk duhet nënvlerësuar Porto”, deklaroi ish-mesfushori i njohur çek.

Hysaj kundër Ronaldos
Elseid Hysaj do të provojë magjinë e stadiumit legjendar “Santiago Bernabeu” në Ligën e Kampioneve, pasi shorti i fazës tjetër të turneut e ka vënë përballë Real Madridit të Kristinao Ronaldos. Ky nuk mund të cilësohet një short me fat për skuadrën e mbrojtësit shqiptar, pasi mund të kishte peshkuar gjithsesi disa ekipe më të lehta në turin tjetër.
Ndërkaq, vazot e shortit kanë vënë kundër njëra-tjetrës disa prej ekipeve pretendente për fitoren e turneut. Arsenali ka qenë pa fat edhe si e parë e grupit, duke u ndeshur me Bajern Mynihun në turin tjetër. Këto dy ekipe janë ndeshur tre herë në katër edicionet e kaluara. PSG dhe Barcelona do të vihen kundër njëra-tjetrës, në një duel të kthyer në klasiken e re të turneut.
Me fat mund të cilësohet shorti i Juventusit, që do të ndeshet me Porton, ndërsa edhe Mançester Siti i Guardiolës duhet të kënaqet me faktin se ka një rrugëtim më të thjeshtë se shumë të tjerë, sepse do të ndeshet me Monakon.

Garë për shërbimet e mbrojtësit shqiptar

Elseid Hysaj çmend anglezët. Pas Manchester United dhe Chelsea-t, në garën për shërbimet e mbrojtësit shqiptar është futur edhe një tjetër emër i madh i Premier League-s. Sipas britanikes “Daily Star” bëhet fjalë për Manchester City-n e drejtuar nga Pep Guardiola. Klubi i sheikëve është gati të hyjë në ankandin për 22-vjeçarin nga Shkodra, për një betejë të zjarrtë me rivalët për titull në merkaton e janarit. Përpara hapjes së afatit të transferimeve të dimrit, Manchester United vazhdon të shfaqë interes për mbrojtësin e djathtë, duke ofruar deri në 30 milionë euro, plus mbrojtësin Matteo Darmian, që pëlqehet shumë nga Napoli.
Megjithatë, Jose Mourinho ka konkurrencë, pasi Hysaj admirohet edhe nga Antonio Conte, i cili ka qenë dëshmimtar i rritjes së kuqeziut në Serinë A dhe po e monitoron me kujdes situatën e lojtarit. Në anën tjetër, Pep Guardiola është vënë në kërkim të një mbrojtësi të nivelit botëror në krahun e djathtë dhe i është bashkuar garës për shërbimet e Elseid Hysajt. Humbjet e fundit të Manchester City-t, paraqitjet jo të kënaqshme nga Bacary Sagna apo Pablo Zabaleta në krahun e djathtë, e kanë bindur teknikun spanjoll të shpenzojë në merkato.
Disa muaj më parë, nga Anglia, Hysajn e vëzhgonte edhe Arsenali, me trajnerin Arsene Wenger që e cilësonte si zëvendësuesin ideal të Hector Bellerin, por interesi u zbeh pas rinovimit të mbrojtësit spanjoll. Interesi për Hysajn në Premier League mbetet i madh, por me kualifikimin në Champions, duket e vështirë që Napoli të pranojë të hyjë në bisedime. Duke parë edhe forcën financiare të klubeve më të mëdha angleze, e vetmja mënyrë që mbrojtësi i kombëtares të largohet është pagesa prej 50 milionë eurosh, e parashikuar në klauzolën për prishjen e kontratës në “San Paolo”.

United gjen fitoren

Manchester United i jep fund krizës në kampionat me një fitore morali ndaj Tottenham në “Old Trafford”. 4 barazimet e javëve të fundit dhe 2 muaj pa fitore në shtëpi tashmë mund të konsiderohen histori për ekipin e Jose Mourinhos që rikthehet të buzëqeshë në Premier League. Mjaftoi një gol i armenit Henrikh Mkhitaryan për të thyer skuadrën e Pochetinos që bëri shumë pak për të dalë me të paktën një pikë nga teatri i ëndrrave. Dominim në lojë dhe disa raste të pastra për të dyfishuar, Manchester United tashmë duket në rrugën e duhur, ndërsa “Spurs”-at në krizë identiteti po vuajnë mungesën e efikasitetit në sulm dhe fantazinë në mesfushë. Ndeshja u ndez që në minutën e dytë me Pogba që testoi reflekset e Hugo Lloris, ndërsa Mkhitaryan u shfaq i rrezikshëm me një goditje të befasishme pa arritur të zhbllokojë rezultatin. Kur duhej edhe një minutë nga gjysma e parë e orës, Ander Herrera tregoi një vizion të madh loje me një top të pasuar në perfeksion për Henrikh Mkhitaryan, i cili u shfaq i ftohtë përballë Lloris, duke kaluar në avantazh “Djajtë e Kuq”.
5 minuta më vonë Zlatan Ibrahimoviç doli në skenë me një goditje që shënjestroi pjesën e majtë të portës së Tottenham, por Lloris priti pa shumë probleme. Gjatë minutave në vijim dy skuadrat u përgjumën. Tottenham nuk arriti të gjente hapësira në mbrojtjen e ekipit të Mourinhos dhe ishte sërish Pogba që në të 63-ën e stampoi topin në tranversë. I pafat sërish francezi pak sekonda më vonë vuri sërish në provë portierin francez të londinezëve. Shkëndijën e parë të vërtetë të ndeshjes Tottenham e dha në minutën e 70 kur Erikssen ishte shumë pranë golit të barazimit, por De Gea ngrohu dorezat me një pritje vendimtare. Kaq mjaftoi për të mbyllur skenarin e një ndeshjeje të dominuar nga Manchester United që ngjitet në kuotën e 24 pikëve, 3 më pak se Tottenham dhe 6 larg zonës Champions League.
Ish-mesfushori i Borussia Dortmund, Henrikh Mkhitaryan, nuk bënte shumë në planet e Jose Mourinhos në muajt e parë të Premierligës, duke mos u aktivizuar as si zëvendësues. Por, në ndeshjet e fundit, Mkhitaryan ka qenë titullar dhe përveç që është shpallur më i miri në ato ndeshje, ai arriti që t’ia sigurojë edhe tri pikë Manchester Unitedit kundër Tottenham, ku shënoi golin e vetëm dhe të fitores.
Legjenda e Liverpool, Jamie Redknapp, mendon se Mourinho ka gabuar me mosaktivizimin e Mkhitaryan, që i ka kushtuar “Djajve të Kuq” me humbje të disa pikëve.
“Nuk është argument se Mkhitaryan ka nevojë për kohë që të adaptohet në Premier Ligë”, tha fillimisht ai për “Daily Mail”. “Nëse ai do të startonte më parë, më besoni se Unitedi do të kishte gjashtë ose shtatë pikë më shumë”, shtoi Redknapp. “Ai është si Philippe Coutinho ose Mesut Ozil, sheh gjëra që të tjerat nuk i shohin dhe pason atje ku askush nuk mund ta imagjinojë”, theksoi mes të tjerash Redknapp.

Juventus fiton derbin me një super Higuain

Juventusi fitoi 1-3 derbin me Torinon dhe e çon në +7 diferencën me Romën dhe Milanin, që e luajtën këtë të hënë ndeshjen e tyre për javën e 16 të Serisë A. Gonzalo Higuain me një dygolësh dhe Miralem Pjaniç në kohën shtesë zhvlerësuan finalizimin e Belottit që në minutën e 16-të. El Pipita përfitoi nga një pasim i saktë i Mandzukiç në minutën e 28-të për golin e 1-1. Kur Torino ishte hedhur në sulm për golin e fitores, argjentinasi shënoi golin e dytë personal, për avantazhin 1-2 të Juventusit. Në kohën shtesë pas një aksioni të gjatë të bardhezinjve Pjaniç mbylli llogaritë për rezultatin përfundimtar 1-3.
Napoli shpërtheu 0-5 në fushën e Cagliarit në një ndeshje pa shumë histori. Në pjesën e parë për të besuarit e Sarrit realizuan Mertens e Hamsik, ndërsa në fraksionin e dytë e gjetën golin Zielinski dhe dy herë të tjera Mertens, që meritoi ta merrte në shtëpi topin e takimit.
Me Etrit Berishën të padisponueshëm për arsye dëmtimi Atalanta u mposht 1-3 në shtëpi nga Udinese. Zapata u dha avantazhin friulanëve në fund të pjesës së parë, ndërsa Kurtic barazoi përkohësisht sapo nisi fraksioni i dytë, pasi Fofana dhe Thereau shënuan dy gola të tjerë për Udinesen.
Ndërkohë përfundoi në barazim pa gola sfida e D’Alaras mes Bolognës dhe Empolit.