30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Dënim absurd për Chapecoensen

I pabuesueshëm lajmi që vjen nga Brazili. Chapecoense, klubi që humbi pjesën më të madhe të skuadrës në atë aksident tragjik të pak ditëve më parë në Kolumbi, është dënuar nga Komisioni i Disiplinës në Konfederatën braziliane të Futbollit për mosparaqitje në ndeshjen e fundit të Brasilieros ndaj Atletico Mineiros. Një vendim shumë i diskutueshëm dhe mbi të gjitha absurd ky i marrë nga një komision juridik. Vendimi i Disiplinës ka qenë humbje 3-0 në tavolinë për të dyja skuadrat, -2 pikë në tabelën e klasifikimit dhe gjobë në vlerën 100 mijë reais, rreth 28 mijë euro si për Chapecoensen edhe për Atletico Mineiron. Pas incidentit tragjik që ndodhi në datën 28 nëntor ku humbën jetën 71 persona, mes tyre pothuajse edhe i gjithë stafi teknik dhe pjesa më e madhe e futbollistëve të Chapecoenses, presidenti i klubit brazilian Minas Gerais vendosi që skuadra e tij të mos e luante sfidën e fundit ndaj Atletico Mineiros.
Kjo ndeshje nuk kishte aspak rëndësi për të dyja skuadrat sepse të dyja klubet e kishin siguruar kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Copa Libertadores, por ky dënim është absurd për faktin se Chapecoense nuk kishte mundësi për ta luajtur sfidën për faktin se nuk i ka aktualisht në dispozicion 11 lojtarë. Gjithsesi konfederata braziliane i kishte kërkuar Chapecoenses që në nder të viktimave ta luante këtë sfidë me skuadrën e të rinjve, por presidenti i klubit nuk pranoi. Gjithsesi dy skuadrat nuk u paraqitën në fushë teksa dyert e stadiumit qëndruan të mbyllura dhe për këtë arsye Chapecoense dhe Atletico Mineiro u dënuan nga Komisioni i Disiplinës në Konfederatën braziliane të Futbollit pasi në stadium u paraqitën vetëm 4 arbitrat që do të gjykonin këtë sfidë. Pak ditë më parë Chapecoenses në nder të viktimave dhe me kërkesë të klubit kolumbian Atletico Nacional iu dorëzua zyrtarisht trofeu i Copa Sudamericana nga konfederata amerikanojugore e futbollit Conmebol.

Tevez vendos Superklasiken

2 gola për t’u shndërruar në heroin e Boca Juniors. Ishte Carlos Tevez njeriu që vendosi fatet e superklasikes së futbollit argjentinas. Falë Apashit, Boca Juniors kaloi në ekstazë pasi mposhti 4-2 me përmbysje brenda në El Monumental, rivalët e urryer të River Plate. Tevez realizoi dy gola fantastikë duke udhëhequr skuadrën e drejtuar nga trajneri Barros Schelotto drejt një fitoreje shumë të rëndësishme në atë që konsiderohet sfida e ndjerë dhe më e rivalizuar e futbollit argjentinas dhe atij amerikanojugor.
Në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të të kampionatit Boca arriti të realizonte 4 herë në portën e River-it duke u ngjitur në krye të kampionatit në kuotën e 28 pikëve. Ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh, në minutën e 14 me Bou që i asistuar nga Tevez nuk fali. Megjithatë Los Millinarios nuk u dorëzuan duke kthyer gjithçka në favor të tyre në pjesën e parë. Në të 34-tën Druissi barazoi shifrat, ndërsa 6 minuta më pas, Lucas Alario u dha epërsinë të zotëve të shtëpisë. Vetëm kaq për River-in sepse në pjesën e dytë Carlos Tevez ishte thjesht i papërmbajtshëm. Apashi barazoi rezultatin në minutën e 62-të, ndërsa në të 81-tën realizoi një gol gjenial, për avantazhin e Bocës. Në fund kishte vend edhe për finalizimin e Centurion që i çoi shifrat në 2-4. Me këtë humbje River Plate mbeti në kuotën e 19 pikëve.

Ambasadori italian: Ndryshojnë rregullat për call center-at

Kompanitë call center që operojnë në Shqipëri nuk rrezikojnë të mbyllen, por do të funksionojnë me rregulla të reja. Kështu deklaroi ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo nga Shkodra, ku ndodhej për një aktivitet të përbashkët me ministren e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi.
Sipas ambasadorit, me ndryshimet në ligjin e miratuar javën e kaluar nga Senati italian, një qendër thirrjeje e njohur si “call center”, mund të trajtojë telefonata për jashtë, për brenda ose mund të jetë një kombinim i të dyjave. Në rastin e Shqipërisë, kompanitë “call center” funksionojnë kryesisht “outband”.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi tha se 95% e kompanive të call center në Shqipëri nuk preken nga ligji i miratuar në Itali. “Edhe ai 5 për qindësh që preket ka kohë mjaftueshëm për t’u ristrukturuar dhe për të mos u mbyllur edhe pas nisjes së zbatimit të ligjit”.
Nga ana tjetër, ministrja Ekonomi deklaroi se janë duke negociuar me Italinë në mënyrë që Shqipëria të përjashtohet nga efektet e këtij ligji. Nga prilli i vitit 2017, italianët do të jenë ata që do të vendosin nëse do të duan të komunikojnë me italianë apo me një operator që flet nga jashtë.
Ndryshimet ligjore që u miratuan zyrtarisht në datë 7 dhjetor, i detyrojnë kompanitë që të bëjnë të ditur më parë vendin se nga bëhet telefonata dhe të vënë në dispozicion një operator nga Italia (ose nga një vend i BE-së) nëse do të kërkohet.
Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi 90 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë ka sqaruar se sektori i call center shfrytëzon koston e lirë të punës dhe kjo ka bërë që delokalizimi i tyre të jetë një fenomen i përhapur gjerësisht. Si në rastin e Shqipërisë.
E në rast se kompanitë nuk do të arrijnë që t’i përshtaten ndryshimeve të reja ligjore ato do të gjobiten me 50,000 euro në ditë.
Sqarohet se nga ana e shërbimit që përftohet nuk do të ndryshojë asgjë duke qenë se shqiptarët flasin një italishte tepër të saktë. Ajo që do të ndryshojë ka të bëjë me kompanitë që e ofrojnë këtë shërbim në Itali. Jo rastësisht këto amendime njihen ndryshe si “Ligji Almaviva”, si një nga kompanitë që ka lobuar më fort, e cila parashikon mbylljen e rreth 2,500 vendeve të punës në Romë e Napoli, për shkak të humbjeve.
Ligji i ri parashikon edhe shmangien e telefonatave “shqetësuese” ose atyre që njihen si “telemarketingu i egër”.
Në Itali numërohen 1.515.000 numra që janë në dispozicion për këtë shërbim që përfaqësojnë një të dhjetën e 13 milionë përdoruesve të telefonatave fikse.

Vendim për djegien e plehrave në Tiranë, pasojat katastrofike

Kryeministri Rama rikthen pas 12 vitesh planin e Fatos Nanos, për të djegur plehra në kryeqytetin shqiptar. Në mbledhjen e fundit të qeverisë, ditën e mërkurë më 7 dhjetor mes vendimeve të tjera të firmosura nga Rama gjendet edhe ai për, “Miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë për dhënien me koncesion për ndërtim landfilli e inceneratori dhe rehabilitim të venddepozitimeve ekzistuese, Tiranë”.
Vini re! Në këtë koncesion, përveç ndërtim landfilli dhe përpunim të mbetjeve, parashikohet edhe ngritja e një inceneratori ose e thënë shqip, një furrë gjigante ku do të digjen plehrat, me shumë gjasa jo vetëm ato të Shqipërisë nëse rrëzohet dekreti i presidentit, për ligjin e importit të tyre.
Por përveç kësaj, sipas kësaj VKM-je zbulohet, edhe se kush do të jetë ky koncesionar i ri. Bëhet fjalë pikërisht për kompaninë italo-shqiptare, të krijuar së fundmi nga Erion Veliaj, fillimisht vetëm për menaxhimin dhe përpunimin e plehrave në Tiranë “Integrated Energy B.V”. Kjo kompani pavarësisht se zyrtarisht nuk është shpallur fituese, me firmën e Edi Ramës merr paradhënie një bonus prej 8% të pikëve, duke u diferencuar nga çdo subjekt tjetër, që mund të jetë i interesuar të konkurrojë.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 25, të Ligjit nr. 125/2013, ‘Për koncesionet dhe partneritetin publik privat’, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi:
Miratimin e bonusit prej 8 (tetë)% të pikëve, që i jepet shoqërisë ‘Integrated Energy B.V.’, shpk, për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të Tiranës”, thuhet në këtë VKM, e cila u mbajt e fshehtë për disa ditë dhe vetëm ditën e djeshme është publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.
Por çfarë fshihet pas këtij koncesioni të ri, këtë radhë i dhënë për biznesin e mbetjeve, fushë kjo që Edi Rama së fundmi është investuar fuqishëm?
Përpara pak kohësh një kompani italiane fitoi tenderin publik, për përpunimin e plehrave në landfillin e Manzës në Durrës. Bëhet fjalë për kompaninë “Kinexia”, me seli në Milano, e cila do të përpunojë 1.9 milionë tonë mbetje, në bashkëpunim me kompaninë shqiptare “Albania Landfill Energy”. Atëherë në njoftimin e saj zyrtar, u tha se kompania do të investojë 20 milionë euro për këtë projekt dhe “Volterio Energie S.p.A” që ka në pronësi kompaninë “Kinexia”, do të veprojë si kontraktor kryesor. Një impiant i ngjashëm kërkon të marrë jetë në Fier, por po has në kundërshtimin e fortë të banorëve.
Kompania që ka marrë bonuse në VKM-në e fundit të qeverisë Rama, “Integrated Technology Service”, ka administrator dhe ortak të vetëm Klodian Zoton, i cili bashkëpunon me shoqërinë italiane, “Energy 2SRL”. I gjithë ky rrjet është i ndërlidhur dhe synimi kryesor është djegia e miliona tonë plehrash, në trekëndëshin Tiranë-Fier-Durrës. Dhënia e këtyre koncesioneve është bërë paralel, me krijimin dhe miratimin urgjent të ligjit për importin e plehrave, te i cili specialistët e fushës zbuluan, se nuk përjashtohet importi i tyre edhe për qëllim djegie në vendin tonë.
Pra, Rama tani pas 12 vitesh në fund të mandatit të tij të parë, po realizon atë që donte të bënte Nano në vitin 2004, plan që dështoi pas reagimit të ashpër të shoqërisë civile, medias, ndërkombëtarëve dhe medias.

Por cili ishte ky plan Nano-Fino, që Rama e ka nxjerrë nga sirtarët dhe çfarë synonte?

Në muajin maj të vitit 2004, u bënë për herë të parë publike negociatat mes Fatos Nanos dhe kompanisë italo-shqiptare, “Albania-Beg”.
Ishte gazeta “Shekulli” që zbuloi një projektvendim të qeverisë, që hidhte dritë mbi negociata të fshehta mes qeverisë shqiptare dhe firmës italiane “Albaniabeg Ambient” për nënshkrimin e marrëveshjes koncesionare të formës BOO, me qëllim ndërtimin e një impianti për përpunimin e mbetjeve të ngurta urbane të qarqeve, Tiranë dhe Durrës, në Kashar. Firma në fjalë kishte si kusht kryesor që 39 për qind e kapacitetit të saj, të shërbente për përpunimin e plehrave të importuara nga Italia.
Në rastin e vendimit të Ramës, ky kusht nuk ekziston në letër, por ligji i fundit që ai ka miratuar në Parlament për lejimin e importit të tyre, e mundëson, madje pa kufizim.
Projektvendimi ngjalli mjaft debate në publik në atë kohë, madje Nano pati kundërshtime të forta edhe brenda vetë kabinetit të tij. Pati përplasje mes tri ministrive: Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit. Relacioni paraprak, që tre ministritë hartuan për t`ia përcjellë mbledhjes së qeverisë ku do të shqyrtohej projektvendimi ishte firmosur vetëm nga ministri Bashkim Fino, ndërsa dy ministrat e tjerë Ben Blushi dhe Ethem Ruka nuk e kanë firmosur, duke shfaqur rezerva për përmbajtjen e marrëveshjes koncesionare të sipërpërmendur.
Tashmë dihet se si u mbyll kjo histori, e cila është rihapur sërish nga Rama, duke rikthyer planin e dështuar të Nanos së bashku me biznese të dyshimta në këtë biznes në Itali; vend ky që gjithmonë ka synuar të depozitojë dhe djegë mbetjet e saja të shumta në Shqipëri.

SYRI.net

Përmbytjet në Tiranë-Vorë, dëmet arrijnë 10 milionë euro

Prej disa javësh, moti është i ftohtë dhe i thatë, por gjurmët e shirave të furishëm të mëngjesit të 8 nëntorit janë ende të dukshme në pjesën më të madhe të bizneseve të segmentit të autostradës Tiranë-Vorë. Ndërsa sipërmarrësit vijojnë të bëjnë llogaritë e dëmeve, ata rrinë me sytë nga qielli, me frikën se një përsëritje e përmbytjeve do të ishte fatale për ta.
Dhe nuk mjaftoi vetëm egërsia e natyrës, ata tashmë po përballen me një goditje tjetër edhe më të rëndë e të hidhur: indiferencën e pushtetit vendor të Vorës e Tiranës dhe institucioneve qendrore. Kur ka kaluar një muaj nga vërshimi i ujërave me rrëmbim brenda pak minutash, askush nuk është afruar të bëjë një vlerësim të shkaqeve që çuan në këtë katastrofë, nëse ishin thjesht natyrore, për shkak të infrastrukturës kulluese të amortizuar apo dhe gabim njerëzor në hapjen e rezervuarëve. Por ajo që i shqetëson më shumë sipërmarrësit është fakti që nuk po punohet për të rregulluar kanalizimet e autostradës apo infrastrukturën mbështetëse kulluese në të gjithë zonën ku ndodhi përmbytja, ndërsa ndarja e re territoriale ka shkaktuar një rrëmujë totale në kompetencat e pushtetit qendror dhe atij lokal.
Të gjendur përballë kësaj shurdhërie totale, teksa vëmendja e investimeve publike po shkon për fasadat e Rilindjes urbane, sipërmarrësit, pasi tentuan pa sukses të veçuar të tërhiqnin vëmendjen e pushtetit lokal e qendror, kanë krijuar Bashkimin e Bizneseve Vorë-Tiranë.
Në datën 18 nëntor, ata i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, kreut të Bashkisë së Tiranës, Bashkisë së Vorës, ministrave të Ekonomisë, Bujqësisë, Mjedisit, Financave e drejtoreshës së Tatimeve, ku kërkojnë:
– marrjen e masave urgjente për rikthimin e infrastrukturës në gjendjen e mëparshme, në mënyrë që të shmangen fenomene të tilla në të ardhmen. Për këtë kërkojmë që në mënyrë urgjente të fillojë pastrimi dhe rehabilitimi i gjithë infrastrukturës së ujërave dhe aksesi i bizneseve (kanalet kulluese, përroi i Kasharit, nënkalimi i Kasharit, kanalet ujore nën trasenë e autostradës në këtë segment, deri në derdhjen e tyre në lumë etj).
– evidentimin dhe formalizimin e dëmit total aktual dhe potencial, përfshi edhe fitimin e munguar.
– Duke pasur parasysh që çdo gjë ndodhi në vetëm 5 minuta, do të kërkonim asistencën tuaj në zbardhjen e shkakut të kësaj përmbytjeje. Sipas vlerësimit tonë, përmbytja nuk është shkaktuar nga reshjet natyrore, por si pasojë e hapjes së portave të rezervuarëve të zonës (liqeni Gjokaj, Picar dhe rezervuari Kashar).
– Është fakt që në mënyrë individuale, shumë biznese kanë komunikuar formalisht me disa institucione, por fatkeqësisht akoma nuk vërehet një reagim serioz për zgjidhjen e problemit.
Në letër paralajmërohet se “situata e bizneseve është tepër kritike dhe kërkon reagim serioz dhe konkret nga ana juaj. Në këto kushte, çdo vonesë mund të shoqërohet në mbyllje biznesesh dhe jo vetëm të huaja, por edhe vendase”.
Shkresa është e firmosur nga drejtuesit e 32 bizneseve në zonën e autostradës Tiranë-Vorë.
Arti Elezaj i kompanisë “Artgres”, i cili është përfaqësues i autorizuar i Këshillit të Bashkimit të Bizneseve Vorë-Tiranë tha për “Monitor” se e vetmja përgjigje që kanë marrë nga kryeministri ishte një shkresë që e përcillte shqetësimin tek institucionet përkatëse, që atyre iu duk më shumë një reagim sa për të kaluar radhën. “Ndihemi të ofenduar e të braktisur nga ky pushtet, pasi askush nuk erdhi të pyesë se çfarë ndodhi e çfarë problemesh kemi, ndërsa taksat i kërkojnë një më një. Nuk pati asnjë reagim, as nga pushteti lokal dhe as nga ai qendror. Sot po detyrohemi që kanalet t’i hapim vetë”.
Institucioni më i disponueshëm ka qenë ai i Prefekturës së Tiranës, ndërsa nga të dy bashkitë, si ajo e Vorës, ashtu dhe e Tiranës nuk ka pasur asnjë interesim dhe askush nuk ka ardhur të shikojë nga afër situatën, pavarësisht se u është kërkuar shumë herë. Pjesa më e madhe e subjekteve janë nën juridiksionin e Bashkisë së Vorës, ndërsa pak prej tyre, por gjithsesi më të mëdhenjtë, janë nën atë të kryeqytetit.
Arjan Mene, administrator i “Deka”-s, thotë se përpara se të bashkohej me bizneset e tjera, ai iu drejtua fillimisht Bashkisë së Vorës për të raportuar dëmet. Në këtë Bashki ai u has me një rrëmujë totale, ku zyra e Emergjencave Civile ishte ende në krijim e sipër, me disa punonjës të rinj, që nuk dinin të jepnin drejtim për asgjë, madje institucioni nuk kishte as vulën përkatëse.
“Kjo është një klimë tepër e papërshtatshme për të bërë biznes”, thotë z. Mene. “Nuk kemi asnjë fjalë dhe asnjë mbështetje nga institucionet shtetërore, lokale apo qendrore”.
I revoltuar është dhe administratori italian i kompanisë “APG”, Ciro Donzella. Teksa ka mbi 20 vjet që jeton në Shqipëri dhe e ka mësuar mirë edhe gjuhën, ai nuk e kursen ironinë kur thotë se “këtu në Shqipëri kur është puna për të ngrënë, vijnë të gjithë, ndërsa kur ke një hall të gjithë largohen”. Ai llogarit një dëm prej 50 milionë lekësh për kompaninë e tij.

Reagimi i bizneseve

Bizneset janë ende në fazën e vlerësimit të dëmeve, por nga disa llogaritje paraprake ato i kalojnë 10 milionë euro. Kompania e prekur më shumë është “Alumil Albania”, që gjendet nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës, e cila ka llogaritur paraprakisht një dëm prej rreth 2.5 milionë eurosh, në materiale, por dhe prishjen e katër robotëve me vlerë 500 mijë euro secila.
Mene i “Deka”-s thotë se dëmi në kontabilitet, i konfirmuar dhe nga tatimet është 54 milionë lekë, ndërsa dëmi total, edhe nga fitimi i munguar e kosto oportune i kalon 100 milionë lekë. Në nëntor, kompania realizoi vetëm 30% të shitjeve të zakonshme mujore, duke lëshuar terren për konkurrencën. “Uji erdhi si dallgë nga muri rrethues dhe u përmbyt gjithçka brenda 5-10 minutash”, tregon Mene. Kompania është detyruar të blejë një copë tokë aty afër, që të mundësojë kalimin e makinave e të njerëzve, pas shkatërrimit të infrastrukturës.
Elezaj i “Artgres” pohon se dhe në kompaninë e tij, dëmi i kalon 50 milionë lekë. Aktiviteti ka rifilluar, pasi përndryshe nuk mund të mbijetonte dhe punonjësit kërkojnë pagesat, por shenjat e ujit kanë mbetur në katin e parë.
Sajmir Preni, administratori i “EN&SHI 2007”, që tregton tapete e dyshekë, thotë se ai është përmbytur katër herë në ditët famëkeqe të nëntorit, teksa tregon fotot pak pas përmbytjes, ku uji në magazinat tri metra të larta, i ka zaptuar mbi dy metra. Edhe ai përllogarit një dëm rreth 35 milionë lekë.
Në total, siç kanë saktësuar dhe në shkresën dërguar kryeministrit, bizneset që janë prekur nga përmbytja kanë investime prej mbi 150 milionë eurosh dhe kanë rreth 2000 të punësuar, kryesisht nga zona aty rrotull. Në listë ka kompani të njohura e të mëdha, si “Alumil”, “Mercedes Benz”, “Deka”, “Olim”, “Artgres”, “Koral Sole”, “Millicolor”, “Shegatrans”, “Novatex”, “Concept Design”, “Euroclima”, “Global-gaz” etj.

Basha shpall transformimin e thellë të Partisë Demokratike dhe të politikës në vend

Mesazhet e 26 vjetorit të krijimit të pluralizmit dhe të Partisë Demokratike

Mirë se keni ardhur në shtëpinë e Partisë Demokratike.
Ju uroj të gjithëve gëzuar ditën e lindjes së pluralizmit. Gëzuar festën e Partisë Demokratike.
Për ne demokratët është burim krenarie që Partia Demokratike lindi nga e njejta aspiratë dhe nga e njejta ëndërr me të cilën lindi liria dhe pluralizmi.
Për ne është kumptimplotë që Partia Demokratike mori jetë nga e njejta përpjekje dhe nga të njejtët njerëz që u ngritën kundër diktaturës: nga studentët e dhjetorit, qytetarët e thjeshtë dhe intelektualët që para 26 vitesh u bashkuan me njëri-tjetrin dhe vranë frikën për të kërkuar liri, demokraci dhe Shqipëri europiane.
Nga ky shesh dua t’u shpreh secilit prej tyre mirënjohjen e thellë për dritën dhe shpresën që ata zgjuan në zemrat e një populli të shtypur e të vuajtur.
Partia Demokratike lindi e madhe nga zgjimi dhe revolta e shqiptarëve kundër shtypjes, varfërisë dhe izolimit komunist, nga ëndrra e tyre për liri, demokraci dhe dinjitet, nga aspirata e tyre e flaktë për t’ju bashkuar Europës së kombeve të lira.
Gjithë këtij vlimi të rrallë popullor i dhanë shprehje politike me mençuri, me guxim dhe në kushte shumë të vështira themeluesit – studentët e Lëvizjes së dhejtorit, intelektualët që u bashkuan më ta, Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko të gjithë ata që janë sot e do të jenë përgjithmonë në panteonin e demokracisë shqiptare.
Partia Demokratike lindi e madhe, por atë e kanë mbajtur të madhe veprat e saj në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve; Këtë çerek shekulli, Partia Demokratike ndërmori disa nga reformat më kurajoze dhe më të thella për çlirimin e njerëzve, liberalizimin e ekonomisë dhe hapjen e Shqipërisë, vendit më të izoluar në botë ku për 50 vjet nuk depërtonte liria, dija, përparimi njerëzor. Partia Demokratike ishte faktor kyç për ndërtimin e institucioneve të tregut, të infrastrukturës, të lëvizjes së lirë, të integrimit europian, të anëtarësimit në NATO.
Po! Partia Demokratike me përpjekjet e saj u solli shqiptarëve më shumë liri, më shumë demokraci dhe i afroi ata më shumë me Europën.
Por nderimi për të shkuarën dhe respekti për arritjet tona nuk mund të na bëjnë të verbër ndaj të tashmes ku jemi dhe të ardhmes ku duam të shkojmë.
Çfarëdo që ne kemi bërë mirë, nuk mund të fshehë apo justifikojë ato që nuk kemi bërë, apo ato që kemi bërë gabim.
Të dashur miq,
Shqipëria e vitit 1990 dhe kjo e vitit 2016 janë sigurisht larg njera- tjetrës por kanë edhe të përbashkëta.
E kam fjalën për kalbëzimin. 26 vjet më parë Shqipëria ishte në fundin e një sistemi të kalbëzuar, të dështuar që po mbyllej me ikjen e shqiptarëve nga sytë këmbët, ku ti çonte anija e verbër e fatit.
26 vjet më vonë Shqipëria është përsëri në fundin e një politike të kalbëzuar dhe një qeverisje që ka në themel interesat e një kaste politike-ekonomike dhe kriminale në krye të pushtetit, ka korrupsionin në sistem, ka drogën në sistem, ka sundimin në sistem, ka blerjen e votës në sistem.
Ky është mocali, ky është kalbëzimi që ju vështirëson dhe ju nxin jetën çdo ditë shqiptarëve, që ju vret shpresën dhe i shtyn në arrati, njësoj si 26 vjet më pare.
Mungesa e llogaridhënies dhe mosndëshkueshmëria e ka shtyrë politikën e kalbëzuar drejt çdo lloj mjeti e mekanizmi të paligjshëm dhe kriminal për të siguruar dhe mbajtur pushtetin.
Ortakëria mes politikanëve dhe klientëve të partisë ka shkatërruar çdo mundësi për një ekonomi të lirë të tregut. Ortakëria mes politikanëve dhe medias e shoqërisë civile ka dobësuar mekanzimat e mbikqyrjes dhe kontrollit ndaj qeverisë. Etja për të marrë pushtetin me çdo kusht, e shtyu politikën në kthetrat e krimit dhe solli kriminelët në majat e pushtetit.
Viktimat e kësaj politike janë njerëzit e thjeshtë, të cilët janë sot të tradhtuar dhe të braktisur në varfërinë dhe pamundësinë e tyre.
Prandaj sot sfida jonë më e madhe, sfida vendimtare e Partisë Demokratike është kthimi i besimit të njerëzve tek politika, që është kusht për të kthyer besimin e njerëzve tek e ardhmja.
Me këtë barrë të rëndë jemi sot të gjithë bashkë në këtë përvjetor.
Parti të mëdha janë ato që dinë të kuptojnë dhe të përballen me sfidat e popujve të tyre.
Ne sot ndeshemi sërish me një tjetër moment të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët të cilët kërkojnë ndryshimin rrënjësor të politikës.
Partia Demokratike ka kurajon dhe largpamësinë të përballet me këtë sfidë: ne do të ndryshojmë veten sot, që të ndryshojmë nesër Shqipërinë. Ne duhet dhe do të bëjmë sot atë që bëmë një 26 vjet më parë: të jemi partia e mundësive për të gjithë.
Ka vetëm një rrugë për ta arritur këtë: ajo është rruga e lirisë, demokracisë dhe e vlerave europiane. Partia Demokratike duhet dhe do të jetë një parti e lirisë së mendimit, e mundësive për të gjithë dhe e vlerave të përbashkëta.
Muajt e fundit kam biseduar e diskutuar me mijëra demokratë kudo në Shqipëri dhe me forumet drejtuese të partisë për këtë sfidë që shtrihet para nesh. Për hapjen e Partisë Demokratike në kuptimin me të gjere të fjalës. Hapjen e mendjeve, hapjen e radhëve, hapjen ndaj aleatëve dhe aleancave, hapjen ndaj shoqërisë, hapjen ndaj vlerave, hapjen ndaj rregullave, hapjen ndaj garës, hapjen ndaj mendimit të lirë.
Duhet t’u ofrojmë e mund t’u ofrojme shqiptarëve një model të ri politik e shoqëror, ku pushteti do të jetë i kufizuar dhe qytetari do të jetë i fuqizuar. Ku deputetët do të zgjidhen përmes vendimmarrjes me anëtarësinë dhe votuesit, që nesër ata të jenë përfaqësues në radhë të parë të qytetarëve dhe jo të partisë. Ku instrumentet e kontrollit të pushtetit të mos jenë thjeshtë figurina, e Parlamenti thjesht një noter i kryeministrit, por të jenë përfaqësues të qytetarëve dhe llogarikërkues të qeverisë së ardhshme dhe ku levat më të fuqishme të kontrollit që ka një demokraci, opozita e ardhshme, mediat dhe shoqëria civile, do të kenë të gjithë hapësirën dhe mundësitë të kontrollojnë përmes transparencës, kritikës, denoncimit çdo vendim të qeverisë së ardhshme.
Duhet tu ofrojmë e mund tu ofrojmë shqiptarëve një model të ri të politikbërjes, që nuk mbeshtetet në furinë e paradave, fasadave dhe propagandës, por mbështetet në punën dhe interesin publik, mbështetet në transparencën e vërtetë, mbështetet në respektin e thellë ndaj qytetarëve të shprehur përmes konsultimit të tyre për çeshtje të rëndësishme.
Jam i lumtur që ne jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe të vendosur për hapat që duhet të hedhim. Për hapjen, për lirinë dhe demokracinë e brendshme, për mundësitë që duhet të jenë të cdo anëtari dhe jo vetëm të një grushti drejtuesish.
1. Ne do të krijojmë mundësitë për konkurrencën e alternativave brenda partisë. Ne do të shkurtojmë kohëzgjatjen e mandatit të kryetarit dhe drejtuesve në dy vjet. Në këtë mënyrë, çdokush që ka një vizion apo një alternativë tjetër, do të ketë mundësinë të konkurrojë që vizioni i tij apo i saj të bëhet vizioni i partisë.
2. Vendimet e rëndësishme do t’i besohen anëtarëve, duke e lidhur fatin politik dhe karrierën politike të çdokujt me anëtarët dhe jo me kryetarin. Jo vetëm kryetari dhe drejtuesit e lartë do të zgjidhen me votën e të gjithë anëtarësisë, por edhe të gjithë kandidatët që konkurojnë për funksione publike, përfshirë kryetarët e bashkive dhe deputetë, do të përzgjidhen me një anëtar një votë.
Ne do të punojmë që në zgjedhjet e ardhshme për përzgjedhjen e kandidatëve përmes votës së anëtarëve në disa zona elektorale, për ta shtrirë më vonë në të gjithë vendin.
Le ta dijnë të gjithë: përfaqësimi politik i PD do të vendoset nga anëtarët e saj.
3. Ne do të krijojmë një strukturë partiake perëndimore, të çliruar nga ofiqet dhe pushtetet, duke ndërtuar një platformë moderne që ka për qëllim ti ofrojë mundësitë cdo anëtari dhe cdo anëtare për karrierë dhe garë elektorale, por jo të ushtrojë pushtet mbi anëtarësinë.
Partia Demokratike është e vendosur të ndryshojë sot veten dhe kështu të ndryshojë nesër gjithë Shqipërinë.
Unë e ndjej që sot ka kudo dëshpërim dhe mosbesim. Ajo që unë ju kërkoj të gjithë qytetarëve, jo vetëm demokratëve por çdokujt, nuk është të besoni verbërisht tek premtimet e mia, por të bëheni pjesë e këtij ndryshimi duke kontribuar me pjesëmarrjen tuaj, përfshirjen tuaj, idetë tuaja, aktet tuaja publike.
Ndokënd e ka zënë meraku se kush i ka thënë këto i pari. Sot ju them se këto vlera janë te vjetra sa vetë demokracia. Sfida nuk është kush i thotë i pari. Por kush ka kurajon dhe forcën ti bëjë realitet.
Ndaj ju kërkoj të bëheni nxitës dhe mbështetës të ndryshimit, nga i cili do të përfitojë e gjithë Shqipëria.
Një Parti Demokratike e hapur dhe e lirë është një e mirë publike për të gjithë shqiptarët. Nëse edhe partitë e tjera hapen dhe ndahen nga autokracia e brendshme kjo do të jetë një arritje e madhe për Shqipërinë.
Unë isha 17 vjec kur lindi Partia Demokratike. Sot jam kryetar i saj. Ndihem pafundësisht i privilegjuar dhe thellësisht i përunjur para kësaj përgjegjësie. Por unë jam i vetëdijshëm se kam arritur këtu vetëm sepse Partia Demokratike në momente të caktuara kuptoi rëndësinë e hapjes së saj ndaj njerëzve dhe vlerave që ata sjellin. Nëse ka dicka që unë jo vetëm besoj por edhe jam provë e gjallë e saj është se hapja sjell fryte, liria sjell mundësi.
Tani është rradha ime jo vetëm të kontriboj për të hapur Partinë Demokratike por për të garantuar që ajo do të jetë përherë e hapur dhe përherë e lirë: një parti ku të gjithë ata që duan të kontribuojnë në politikën dhe qeverisjen e vendit do të gjejnë përherë një mundësi dhe ku fati dhe karriera e tyre do të varet vetëm nga aftësia, talenti dhe kontributi i tyre.
Kështu do të jetë. Partia Demokratike e Shqipërisë, lindi e madhe prej rrethanave. Qëndroi e madhe prej punëve të mira në dobi të Shqipërisë dhe demokracisë. Do të bëhet edhe më e madhe prej hapjes, prej bashkimit, prej ndryshimit dhe modernizmit të saj.
Kështu Partia Demokratike do të jetë gjithmonë ajo që u krijua: Partia e Lirisë, Partia e mundësive, Partia e të gjithë njerëzve.
Dua ta mbyll me disa fjale thene dje nga Donald Trump: Me te vertete po jetojme ne nje kohe ndryshimesh te medha. Skenari nuk është shkruar akoma. Nuk e dime se cfare do te sjelle e nesermja. – por per te paren here pas nje kohe te gjate, e dime se autor do te jete secili prej jush. Ju, populli do ta keni ne dore. Zeri juaj, deshirat tuaja, shpresat dhe endrrat tuaja, kurre me nuk do te bien ne veshe te shurdher – ju do te jeni zotet e fatit tuaj.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët.
Fjala e Lulzim Basha ne 26 vjetorin e krimit të Partisë Demokratike, 11 Dhjetor 2016

Duam të bëhemi si Europa?

Hamit TAKA

E nisëm historinë e re, rilindjen e vërtetë në dhjetorin e vitit 1990, me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ishte një lëvizje sa rinore, sa intelektuale aq edhe popullore, por jo gjithëpërfshirëse, siç ishte në Çekosllovaki, ku gjithë udhëheqja komuniste dha dorëheqjen dhe kërkoi ndjesë publikisht në sheshin qëndror të Pragës, para një mitingu qindramijësh, për rrugën e gabuar në të cilën e kishte drejtuar popullin. Kjo lëvizje, disi amorfe, me pikënisje lirinë dhe të drejtat e njeriut, që konvergoi në ndryshimin e regjimit, e pa të domosdoshme krijimin e një partie, për të organizuar e realizuar objektivat madhore, rrëzimin e regjimit despotik dhe futjen e vendit në shinat e demokracisë drejt Europës, që aspironim. Kjo ishte partia e parë opozitare pas diktaturës së proletariatit, që mori emrin kuptimplotë, Partia Demokratike Shqiptare, e cila u bë truri dhe shpresa e së ardhmes së shqiptarëve, kudo që ndodheshin.
Ajo që do të veçonte çdo shqiptar mendjeçelur si arritja e parë madhore e Partisë Demokratike, ishte vrasja e frikës që na kishte futur komunizmi në bark dhe dalja e gazetës së parë opozitare, Rilindja Demokratike, si pishtar i fjalës së lirë, e cila ishte kërcënuar e vrarë nëpër burgje politike e plumba kokës. PD hapi rrugën e krijimit të partive të tjera opozitare, si dhe partizave e partiçkave “opozitare”. PD imponoi edhe makiazhimin e Partisë së Punës si parti liberale, e cila, posa ndërroi emrin, u hodh në sulm me propagandën mashtruese e dhunuese, po aq me zhargonin e vjetër, duke e quajtur parti fashiste, parti e borgjezisë dhe bejlerëve, e shitur te kapitalizmi e lloj-lloj etiketimesh. Koha tregoi se PD ishte partia që do ta çonte Shqipërinë drejt progresit, duke e bërë pjesë të shumicës së strukturave euroatlantike politike, ushtarake dhe ekonomike. Brenda një katërvjeçari ajo e bëri Shqipërinë pjesë integrale dhe inkadeshente të Europës.
Sot, kushdo që ka qenë pjesëmarrës në atë lëvizje të madhe intelektuale, studentore, rinore, punëtore, mbarëpopullore, krenohet me identitetin e vet në atë polifoni zërash e polifoto të madhe historike. Edhe ndonjë që ka parë nga ballkoni i pallatit apo nga dritarja e ndonjë lokali protestat studentore, grevën e urisë, rrëzimin e monumentit të diktatorit, gjen rastin për të nxjerrë diku kokën, në ndonjë ekran, në ndonjë faqe gazete apo para mikrofonit të ndonjë radioje, për të thënë: kur isha unë… Më e çuditshme është mania e ndonjërit nga këta, që kërkon me ngulm statusin e protagonistit dhe panteonin e historisë.
Sot nuk shtrohet më ideja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Sot, shtrohet problemi ta bëjmë Shqipërinë si Europa. Vërtetë “e para erdhi fjala”, por më pas vijnë bëmat. Pra është koha e materializimit të ideve në vepra konkrete e jo e rënie së gjoksit. Dhe nëse duam të bëhemi si Evropa, le të mësojmë së pari prej tyre, pastaj ta bëjmë. Jo se nuk kemi mësuar asgjë e nuk kemi bërë mjaft. Bile në një periudhë jo fatlume, por në kohën e krizës globale.Nuk është nevoja të tregojmë e të numërojmë. I di edhe më naivi, i di edhe më pesimisti, i di edhe më fanatiku, i di edhe më nostalgjiku i diktaturës. E di secili kush ka bërë më shumë e kush më pak. Kush ka ecur përpara e kush ka bllokuar. Kush ka ndjekur kurbën e përparimit e zhvillimit dhe kush ka parë greminën. Kush ka bërë punën e kush i bie gjoksit. Problemi është te egoja, te protagonizmi, te panteoni i lavdisë personale, ndërsa duhet të jetë te lavdia e Shqipërisë, te e mira e shqiptarëve.
Demokracia, mbi të gjitha është shteti ligjor, ajo ka ligje detyrimisht të zbatueshme. Nëpërkëmbja e një ligji të vetëm është hapi i parë drejt diktaturës. Demokracia avancon me politika largpamëse, me programe vizionare dhe projekte zhvillimi në kahun e mirëqënies materiale dhe shpirtërore të popullit. Jo me propaganda mashtruese, manipuluese e dhunuese. Por demokracia ka edhe standarde kulturore dhe etike, që realizojnë harmonizimin e marrëdhënieve sociale, lejojnë diversitetin dhe unifikimin e vlerave kombëtare. Gjejmë sa e sa shembuj që flasin për standarde ndryshe në një vend demokratik me standardin tonë në startin demokratik.
Një nga standardet që u bie në sy europianëve dhe gjithë shqiptarëve, sidomos emigrantëve, që jetojnë në këto vende demokratike, është kontrasti midis kapadaillëkut të qeveritarëve e pushtetarëve tanë dhe thjeshtësisë së politikanëve, qeveritarëve dhe pushtetarëve të atyre vendeve. Kapadaillëku dhe pompoziteti i mjaft prej politikanëve, qeveritarëve dhe pushtetarëve tanë, sidomos në vizitat jashtë vendit, në takimet me të huajt, në shfaqjet mediatike apo në përvjetorët solemne të vendit e deri në jetën e përditshme është i dukshëm dhe në kontrast të thellë me thjeshtësinë e lidershipit në vendet perëndimore, por edhe më shumë me thjeshtësinë dhe varfërinë e shqiptarëve të zakonshëm. Kultura dhe etika është promovimi i parë i personaliteteve qeveritare. Jo rrallë kjo kulturë dhe etikë stonon me atë që duhet dhe lë përshtypje të keqe tek opinioni ynë dhe ai i huaj.
Gjuha e Ezopit në ligjërimin politik (sa mirë do të ishte me kaq), me fyerje vulgare dhe etiketime të opozitës apo zërave të shoqërisë civile, që bien ndesh me sjelljet dhe bëmat e pozitës, si: “injorant”, “agjent i Shqup-it,” “keqdashës,” “fodull,” “baltaxhi”, apo një sërë etiketimesh të tjera përçmuese, nuk krijon akses tek njerëzit normalë, përkundrazi i distancon prej tyre. Fyerja e opozitës çdo ditë, mburrja me togfjalëshin “për herë të parë” u bë kjo apo u realizua ajo, sikur në 2013 ne vinim nga kuota zero, siç bënte Enver Hoxha me mbretin Zog, krijon ilaritet e nervozizëm tek përkrahësit dhe kundërshtarët e qeverisë. Sot mund të themi pa rezerva se kemi një degjenerim total të shoqërisë, që nga semaforët e Europës, motelet e kapove vendali, droga e krimi në rrugë e brenda familjes dhe deri te më tragjikja, largimi i brezit të ri nga sytë këmbët. Opozita në çdo vend të botës është monitorizuesja e qeverive për realizimin e programit qeverisës.
Nuk e di se deri ku arrin perversiteti mediatik proqeveritar, sepse egërsia deri në kanibalizëm, realisht kanibalizëm, delinkuenca, mashtrimi, mohimi i vlerave, ka një masë të matur tanimë dhe të dokumentuar në kurriz të opozitës dhe të një populli që s’mundet të jetojë lirinë e vet në kuptimin “ të flerë i qetë dhe i ngopur në shtëpinë e vet”. Mjeshtrat e baltatriçes janë në punë e sipër me mediat elektronike, gazeta, faqe interneti, portale e gjymyrë të tjerë të fshehura mes fjalëve të përroit të tyre psiqik, sa do t’u vinte turp edhe mediave në vendet diktatoriale afrikane apo latinoamerikane, siç do t’u vinte turp nga harta e bujqësisë me drogë në të gjithë vendin. Dikush më thoshte një ditë: “Një gjë është e sigurtë, Perëndia gjithmonë e ka gjetur ilaçin”. Iu përgjigja me qetësi: Ilaçin do ta gjejmë vetë ne shqiptarët.

8 Dhjetor ’90: Azem Hajdari dhe autoçensura

Mitro ÇELA

Vajza e Azemit.
Më 10 shtator 1999, shkova në shtëpinë e Azem Hajdarit, së bashku me Besnik Mustafain. Shtëpia është më shumë se një muzeum. Foto. Libra. Kompjuteri. Djali i vogël, që nuk ka mbushur vitin, të kujton më shumë se kushdo babain, sepse edhe emrin e ka Azem. Fatmira kur mendon për shkollën e Kirit në Francë, ëndërron të jetë një Azem i dytë. Po vajza?
Besniku:- Vazhdon të shkruash?… Ajo:- Po… Besniku:- Kur të mbarosh ndonjë cikël me vjersha, dua t’i lexoj…
Ajo:- Nuk bëj më vjersha. Po shkruaj kujtime për babin…
Ishte një bisedë e thjeshtë, që për një çast më ngacmoi. Por vetëm një çast, sepse duke vështruar disa foto të vjetra, biseda e Besnikut me vajzën e Azemit, më doli nga mendja. Vetëm kur u ktheva në shtëpi truri im u vu në lëvizje. Si e tha? Si shkruan? Çfarë mund të shkruajë një adoleshente!? Raporti midis vajzës dhe babait… Eskili… Kompleksi i Edipit… Krimi.
Si e parafytyron një fëmijë ndëshkimin? Hapa kompjuterin. Nisa të shkruaj me mendjen tek vogëlushja: Ishte një ëngjëll që më nxiti idenë për të bërë një libër për Azem Hajdarin…
Një pjesë të shënimeve i kam botuar, të shpërndara në kronika të ndryshme. Nuk më pëlqyen të shpërndara, ndaj i bashkova. Shto ujë e shto miell dhe janë bërë nja 100 faqe. Po më tej? Nuk është kaq e lehtë që ato që shkruan t’i botosh në një libër!…Të pengon autoçensura…Pse ka autoçensurë në demokraci?
Unë do të dëshiroja të “imitoja” librin e Fan Nolit “Betoveni dhe revolucioni”. Noli shkruan se Betoveni, më i madhi i muzikantëve që ka nxjerrë bota, ishte i shëmtuar, shurdh, pijanec, qeflli grash, kurnac, vuante nga sifilizi… Siç tregon vetë Noli, një kritik i paska thënë: “Pse duhet të “pikturosh” antiportretin e Betovenit? Ai është gjeni…” Noli i është përgjigjur: “Po të mos kishte Betoveni “antiportertin si muzikant”, ndoshta botës do t’i mungonte simfonia numër nëntë!”…
Pas Dhjetorit ’90 së bashku me Azemin kemi ndenjur ditë e netë të tëra. Kemi shkuar disa herë në Romë dhe Athinë. Jo rrallë, të kemi pirë sa jemi bërë “thumb”!… Pse, mund të pijë një Hero si Azemi, mund të më qortoi ndonjë militant?…
Unë, siç dihet, kam dobësi për bjondet edhe pse jam i martuar me një ezmerkë! Kur ishim të dy na kalonte ndonjë bjonde e kolme, koka më vinte vërdall si “lule dielli”. Azemi më thoshte: “Nuk je pa shije, skuth!”…Pse mund të bisedoi për femrat një Hero si Azemi, do të vërë kujën ndonjë demokrat i orëve të para!…
Një burrë i mirë, në vitin 1999-të donte të bëntë një libër për Azemin. I thashë se duhet të takonte edhe Arben Imamin, Neritan Cekën, Genc Pollon, Maks Haxhinë a Arben Likën…Ata kanë shumë kujtime të bukura nga jeta e Azemit. “Je në vete,- më tha! Ka mundësi një Hero si Azemi të ketë pasur miqësi me “tradhëtarë” të tillë të PD-së!…”
Po unë pse nuk e botoj librin? Fatkeqësia qëndron brenda meje: Pena ime nuk mund të “matet” me kollosin e letrave shqiptare, me Nolin e madh, që të “guxoj” ta përshkruaj Azemin si student i ardhur nga një provincë e largët, si politikan, si tribun, si qytetar, si njeri i zakonshëm, si hero! Ndaj edhe një pjesë e mirë e shënimeve për Azem Hajdarin “flenë” në kompjuter!… Presin kur të më “dali lepuri nga barku”, kur të “pushkatoj autoçensurën”, dmth. kur lexuesit të kuptojnë se Herojtë e Demokracisë si Azem Hajdari nuk kanë asgjë të përbashkët me heronjtë e realizmit socialist: Të bukur, të gjatë, gjithë muskuj, trima, të mençur, filozofë, të “virgjër” nga çdo ves… si personazhet e librit sovjetik: “Si u kalit Çeliku!”…

Përse italianët refuzuan Renzin

“Monitor”

Me zë të ngjirur dhe me sy të skuqur, Matteo Renzi do të deklaronte: “Ishte një rezultat jashtëzakonisht i qartë”. Plani i tij për të reformuar Kushtetutën italiane më 4 dhjetor nuk u refuzua me një diferencë prej 5 apo edhe 10%, sikurse sondazhet treguan; hendeku midis “Jo-së” dhe “Po-së” ishte me 20 pikë.
Shifrat zyrtare treguan se mbështetësit e “Jo-së” fituan 60 me 40% në Italinë metropolitane, si dhe 59 me 41% të votave të hedhura nga italianët që jetojnë jashtë. Pjesëmarrja ishte shumë më e lartë nga sa ishte parashikuar, për të cilën këshilltarët e Renzi-t besonin se do t’i ndihmonte në këtë kauzë. Mposhtja erdhi pas një fushate 66-ditore, në të cilën kryeministri u përfshi me të gjithë forcat e tij. Ai nuk pati zgjidhje tjetër, veçse të jepte dorëheqjen përballë një rezultati të tillë të papritur, shkruan “The Economist”.
Argumentimi i Renzi-t ishte se reforma qe thelbësore për të bërë Italinë më eficiente në qeverisje dhe më të përshtatshme për reformat strukturore. Populistët kundër BE-së udhëhoqën fushatën për të votuar “Jo”, megjithëse në të ishin bashkuar figura si Mario Monti, ish-kryeministër, i shqetësuar për forcimin e pushtetit të ekzekutivit të kërkuar nga Renzi nëpërmjet kombinimit të ndryshimeve kushtetuese me një ligj zgjedhor të njëanshëm, që garanton shumicën për paritë e mëdha.
Çfarë është shkruar më parë në lidhje me referendumin është reflektuar, përveç humbjes së thellë të Renzi-t. Destabiliteti politik mund të menaxhohet në afat të shkurtër. Pasojat financiare, veçanërisht në sektorin e dobët bankar italian dhe efekti që mund të kenë në stabilitetin e Eurozonës mund të jetë i vështirë për t’u kontrolluar. Në tregjet e huaja të këmbimit, euro ra me 1.5%, niveli më i ulët i 20 muajve të fundit, duke u këmbyer 1 EUR = 1.0503$, përpara se të rimëkëmbej lehtë. Edhe aksionet e bankave italiane ranë me hapjen e bursave të hënën në mëngjes, por u rikuperuan me shpejtësi pas humbjes.
Renzi ishte i detyruar të thërriste presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, më 5 dhjetor për t’i dorëzuar formalisht dorëheqjen, e cila u ngri deri në momentin e votimit të buxhetit të mërkurën e më pas Renzi e dha përfundimisht dorëheqjen.
Mattarella, detyra e të cilit është që të zvogëlojë pasigurinë politike, shpresonte që me ndodhinë e humbjes, kryeministri italian do të bindej që të formonte një qeveri të re me mandat të kufizuar, që do të reformonte ligjin zgjedhor italian dhe do të zhvillonte zgjedhjet e reja. Fakti është se, ka një ligj më vete për Dhomën e Deputetëve dhe një ligj më vete për Senatin.
Por, pas pranimit të humbjes, Renzi menjëherë largoi dyshimet se një skenar i tillë mund të realizohet. Në vend të kësaj, Mattarella po pret që të bisedojë me përfaqësuesit e partive politike për të krijuar një qeveri teknike. Kjo qeveri mund të udhëhiqet nga anëtarë të qeverisë në largim, sikurse është ministri i Financave, Pier Carlo Padoan, ose ministri i Arteve dhe Trashëgimisë, Dario Franceschini, apo dhe prej figurave publike të respektuara gjerësisht. Emri më i lakuar është ai i Piero Grasso, ish-prokuror i Antimafies dhe kryetar i Senatit. Por, termat si ‘gjerësisht i respektuar’ dhe ‘figurë publike’ kanë një tjetër kuptim sot pas votës së Brexit dhe fitores së Donald Trump në Amerikë.
Demokracia ka fituar, deklaroi Beppe Grillo, komediani që udhëheq partinë e dytë më të madhe politike Lëvizja e 5 Yjeve. Ai kërkoi zgjedhje të menjëhershme të përgjithshme nën ligjet aktuale, të cilat favorizojnë partinë e tij. Edhe lideri Ligës së Veriut, parti populiste e krahut të djathë, Mattei Salvini kërkoi të njëjtën gjë. Sondazhet kanë treguar se shumica dërrmuese e konsideruan referendumin si një mundësi për të dhënë verdiktin e tyre në lidhje me performancën e qeverisë Renzi dhe në veçanti të ecurisë ekonomike.
Kjo do të varet edhe nga lideri i tretë i opozitës italiane, ish-kryeministri famëkeq, Silvio Berlusconi. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm se partia e tij Forza Italia, është shumë më e dobët se në 2013-ën, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit.
Monitoruesit e kanë pritur votën “JO”, edhe pse ngushtë, si dhe tregjet kanë reflektuar rrezikun në çmim. Por, humbja përkeqëson problemin e sistemit bankar të Italisë, veçanërisht të bankës problematike Monte dei Paschi, banka e tretë më e madhe në vend. Qeveria u ka bërë thirrje investitorëve institucionalë për të rikapitalizuar MPS, por shumë prej tyre kishin vënë kusht votën “Po” për të investuar. Disa mund ta marrin rezultatin si një provë se Italia nuk është e aftë që të reformojë. Italia shumë shpejt mund të përballet me një zgjedhje midis tre opsioneve.
Një prej tyre mund të jetë shtetëzimi i bankës Monte dei Paschi. I dyti do të jetë shpëtimi i saj nën ligjet e reja të Bashkimit Europian që do të grumbullonte humbjet tek investitorët. Përballë perspektivës për t’u varfëruar të këtyre votuesve, qeveria thjesht mund të zgjedhë që të thyejë ligjet, me çfarëdo lloj kostosh ndaj besueshmërisë së monedhës së përbashkët dhe bashkimit bankar të sapokrijuar.

Rënia e së majtës

Michael Barone

Ka qenë një dekadë e vështirë për të majtën politike. Tetë vite më parë, kopertina e revistës “TIME” portretizonte Barack Obamën si Franklin Roosevelt, së bashku me cigaren e tij të famshme dhe një kryetitull që shkruante: “Marrëveshja e Re”. Në faqen e parë të Newsweek deklarohej: “Tani jemi bërë të gjithë socialistë”.
Historia e sotme është tërësisht e kundërta. “TIME” ka deklaruar si ç’pritej se personi i vitit 2016 është Donald Trump. Nuk përmenden më as Marrëvesha e Re dhe as socializmi. Nuk ishte e çuditahme përse kryeredaktorët e shtypit kombëtar prisnin që situata të spostohej në të majtë. Historia që u është mësuar nga admiruesit e Marrëveshjes së Re, të influencuar nga doktrinat e Karl Marxit, tregon se pakënaqësia ekonomike i çon votuesit drejt kërkesës masive për një qeveri më aktive.
Ka edhe disa prova empirike që të çojnë drejt këtij konkluzioni. Recesioni i shkaktuar nga kriza financiare e viteve 2007-2008 ishte më i thelli që është përjetuar ndonjëherë nga secili individ që është aq i vjetër sa për të mbajtur mend vitet 1930. Barack Obama u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara me 53 për qind të votave – më shumë se çdo kandidat që në vitet 1980 – dhe demokratët kishin fituar zgjedhjet e kongresit me një rezultat të ngjashëm gjatë viteve 2006 dhe 2008.
Gjërat kanë ndryshuar tërësisht, jo vetëm për shkak se Donald Trump është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara. Tashmë është bërë e qartë se shumica e votuesve i kundërshtojnë politikat e mëdha të qeverisë dhe jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në shumicën e vendeve demokratike në të gjithë botën. Politikanët e majtë mendonin se votuesit e zakonshëm me të ardhura modeste që po përballen me vështirësi të mëdha prej kohësh, do të besonin se rregullat dhe rishpërndarja do t’i ndihmonte. Duket qartë se mendonin gabim.
Kundërshtimi iu bë i qartë në vitin 2010 dhe në zgjedhjet e mëpasshme të kongresit. Republikanët kanë fituar mazhorancën e kongresit në 10 nga 12 zgjedhjet e fundit, me përjashtim të viteve 2006 dhe 2008. Askush nuk e dëgjonte Hillary Clintonin kur fliste gjatë fushatës për lavdinë e Obamacare apo marrëveshjen bërthamore me Irakun dhe sulmet e saj kundër Trumpit nuk i preknin aspak individët me të ardhura modeste në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara.
Suksesi i republikanëve ka qenë veçanërisht i madh në qeverisje e zgjedhjet legjislative, deri në pikën që demokratët tashmë kanë qeverisjen vetëm të Kalifornisë, Havait, Delauerit dhe Rod Ajlendit. Tetë vite pas presidencës së Obamës, demokratët tashmë mbajnë më pak poste qeverisese se në çdo kohë që prej viteve 1920.
Situata duket e ngjashme edhe përtej Shteteve të Bashkuara. Konservatorët e Britanisë u rikthyen në pushtet në vitin 2010 dhe janë në pozicion drejtues kundrejt partisë luburiste. Presidenti i majtë francez, me një normë një-shifrore mbështetjeje, refuzoi të kandidonte për një mandat të dytë. Partitë social demokrate të Europës kanë kohë që humbasin vota dhe pësuan një goditje të fortë në referendumin italian të 4 dhjetorit. Në Amerikën Latine dhe Azi, e majta po pëson rënie të vazhdueshme dhe është kthyer në pozicion mbrojtjeje.
Në përgjithësi, historia nuk po tregohet e butë kundrejt qeverive në pushtet. Populli nuk po e pranon më mbytjen e pushtetit kombëtar në vorbullën e madhe të institucioneve ndërkombëtare. Shteti dhe kombi është fokusi kryesor i popullit dhe në një kohë vështirësh ekonomike dhe kulturore, politikat madhore e gjithëpërfshirëse të qeverive kanë rezultuar tepër të pasuksesshme.
Barack Obama duket se nuk e kishte vënë re këtë trend, por e kuptoi gjatë mbrëmjes së ditës së zgjedhjeve. Politikanët mendjemprehtë të qendrës së majtë që kanë treguar se dinë si të fitojnë zgjedhjet, kanë arritur ta bëjnë. Bill Clinton e nxiti bashkëshorten e tij që të shkonte në zonat rurale për të biseduar rreth shqetësimeve të votuesve. Gjenitë 30-vjeçarë që ajo kishte vendosur si menaxherë të fushatës, mendonin ndryshe.
Ish-kryeministri britanik Toni Blair, teksa fliste në Washington këtë javë tha: “Duhet të tregojmë vëmendje ndaj kulturës dhe identitetit” dhe argumentoi se në kundërpërgjigje të ekstremizmit islamist, “Protokolli politik nuk duhet të bëhet pengesë”. Një këshillë e tillë sugjeron një distancim të madh nga strategjia e majtë, e cila përfshin “politikë të identitetit” duke tërhequr minoritete dhe përkulje ndaj entiteteve të mëdha si konferenca e ndryshimit të klimës të Parisit dhe Bashkimi Europian.
Për të majtën, tendenca drejt nacionalizmit duket vetëm si një hap larg nazizmit. Edhe kjo është e gabuar. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara është krujuar për të afruar kornizën e garantimit të të drejtave dhe votuesit mund të zgjedhin politikën që i përshatet më shumë prejardhjes dhe besimeve të tyre. Fitorja e Trumpit tregoi qartë se e majta nuk mund t’ia imponojë dot politikat e saj një kombi të tërë dhe i jep incentivin për të zhvilluar politika të pranueshme, jo vetëm për votuesit që përbëjnë bazën e saj të mbështjetjes, por për të gjithë popullsinë, shumica e së cilës është ndjerë e lënë pas dore dhe e harruar nga e majta.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI