30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Një rend i ri botëror?

Fundi i globalizimit, fillimi i epokës Trump

Eric X. Li

Nga shiu në breshër. Pas Recesionit të Madh, krizës së eurozonës, marrëveshjeve tregtare të ngrira, rritjes së konflikteve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, revoltave elektorale kundër elitës politike europiane dhe në fundit Brexit, evente që ndoqën pas krizën financiare globale të vitit 2008, u bë e qartë se globalizimi po kthehej në një eksperiment të dështuar. Megjithatë, shumë pak njerëz besonin se një prej kundërshtarëve të globalizimit do të fitonte postin më të rëndësishëm të botës, presidencën e Shteteve të Bashkuara.
Fuqitë botërore tani po vrasin mendjen si të reagojnë ndaj zgjedhjeve që ndryshuan kursin e historisë. Kryeministri japonez Shinzo Abe, pasi kishte shprehur vazhdimisht shqetësimin e fitores së presidencës nga Donald Trumpi dhe pasi ishte takuar vetëm me Hillary Clintonin përpara zgjedhjeve amerikane, nxitoi menjëherë të vizitonte New York-un për t’u takuar ballë për ballë me presidentin e ri të zgjedhur.
Liderët europianë janë shfaqur më të matur dhe kancelarja gjermane madje ka folur për kushtet e bashkëpunimit me Trumpin. Rusët janë ata që shfaqen më të kënaqur se kushdo tjetër. Në një deklaratë përgëzimi, presidenti rus Vladimir Putin u shpreh se fitorja e Trumpit mund të sjellë një dialog konstruktiv ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit mbi principet e barazisë, respektit reciprok dhe konsideratës.
Janë mendimet dhe ndjenja e fuqisë botërore ndoshta më të rëndësishme – Kinës – ato që vazhdojnë të mbeten të paqarta. Gjatë fushatës, Kina ka qenë shënjestra kryesore e Donald Trumpit për pakënaqësinë e shprehur në lidhje me tregtinë. Megjithatë, refuzimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Partneritetit Trans-Paqësor (TPP) do të sillte avantazhe të menjëhershëm për Kinën. Për arsye që duken mëse të qarta, qëndrimi i Trumpit kundër ndërhyrjeve të Shteteve të Bashkuara në politikën e jashtme, përshtatet më së miri me ambiciet kineze. Tani për tani, të vetmet shenja që mund të interpretohet tregojnë se Pekini është duke e përpunuar këtë zhvillim të madh global dhe po e kalkulon me kujdes përgjegjen e tij.
Bën mirë të shpejtojë ritmin! Në epokën e re të nxitur nga fitorja e Donald Trumpit, kinezët janë ata që mund të përfitojnë, ose humbin më shumë se të gjithë të tjerët. Si ekonomia e dytë më e madhe e botës dhe si vendi më i madh tregtues, kundërpërgjigja e Kinës mund të sjellë diferencën ndërmjet begatisë dhe stanjacionit, madje edhe ndërmjet luftës dhe paqes nëpër botë.

Ngritja dhe rënia e globalizimit
Globalizimi nisi si një koncept i pafajshëm gjatë viteve 1970. Bota ishte bërë tepër e ndërlidhur përmes tregtisë, investimeve, udhëtimit dhe informacionit. Por pas Luftës së Ftohtë, globalizimi u injektua së bashku me një komponent ideologjik. Në ditët e sotme, nuk arrin dot ta bësh më dallimin ndërmjet përfitimeve dhe ideologjisë së globalizimit.
Globalizimi është rrënjosur në doktrinën neo-liberale të Konsensusit të Uashingtonit, e cila u krijua nga presidenti i parë pas Luftës së Ftohtë, Bill Clinton dhe u vazhdua më pas administrata pasuese të George W. Bush dhe Barack Obama. Ideja kishte në themel vizionin e një bote që ecte pazgjidhshmërisht drejt adoptimit të rregullave dhe standardeve të unifikuara në ekonomi, politikë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Kufijtë kombëtarë do të humbisnin gradualisht vlerën e tyre, madje një ditë do të zhdukeshin. Ndryshimet kulturore do të zëvendësoheshin nga vlerat universale. Demokracia elektorale dhe kapitalizmi i tregut do të përhapeshin në të gjithë botën. Në fund, të gjithë vendet e botës do të mund të qeveriseshin pak a shumë në të njëjtën mënyrë.
Procesi do të mbështetej nga pushteti i fortë dhe i butë i Shteteve të Bashkuara. Ishte pjesërisht për shkak të kësaj logjike që pasardhësit e neo-liberalizmit, neo-konservatorët dhe intervencionistët liberalë e futën Amerikën në luftë me Afganistanin dhe Irakun. Pikërisht këtu fshihet edhe problemi: globalizimi ishte Kali i Trojës. Ideologjia politike që iu vesh e gërryu nga brenda globalizimin dhe e ktheu në një forcë që fillimisht u duk e pandalshme, derisa u rrëzua nga vetë pesha e saj.
Në Perëndim, disiplinat drejtuese të globalizimit u bënë edhe përfitueset më të mëdha. Pasuria dhe pushteti i përqendruar në majë, i ndarë ndërmjet zotëruesve dhe zhvilluesve të kapitalit, të cilët favorizonin tregtinë e lirë, multikulturalizmin, institucionet e shumë-anshme, madhe edhe ndryshimin e regjimeve dhe ndërtimin e shteteve në toka të huaja. Por vizioni i tyre dëmtonte pjesën më të madhe të popullsisë që përbënte shtresën e mesme. Vetëm një brez pas fitores së Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara përjetuan një gërryerje të bazës industriale, infrastruktura u zhyt në dëshpërim, sistemi i edukimit u përkeqësua dhe kontrata sociale u shkatërrua.
Përtej dëmit ekonomik, ndyshimet e vlerave sociale të propaganduara nga globalizimi kërcënuan edhe kohezionin social. Shkencëtari politik, Robert Putnam e ka trajtuar këtë proces në librin e tij më të rëndësishëm “Bowling Alone” në të cilin përshkroi me detaje të dhimbshme rënien e komuniteteve amerikane. Me pak fjalë, në emër të globalizimit, elitat amerikane kishin ndërtuar perëndoritë e tyre në kurriz të të gjithë kombit.
E njëjta gjë ndodhi edhe në Europë. Teknokratët në Bruksel, së bashku me aleatët e tyre në kryeqytete, promovuan një grup standardesh të Bashkimit Europian gjithnjë në zgjerim, duke i shkarkuar pasojat në kurriz të interesave të popujve në vendet anëtare. Në disa vende europiane, papunësia e të rinjve arriti dhe qëndroi në normën 50 për qind. Sot, elitat globaliste po rrëzohen një nga një nga të njëjtat kuti votimi që u përdorën për të ruajtur sundimin e tyre.

Pamja nga Pekini
Kina, më shumë se çdo vend tjetër në zhvillim, ka përfituar nga globalizimi. Ky vend ka përjetuar transformimin e jashtëzakonshëm nga një ekonomi e varfër agrare në një superfuqi globale industriale, duke hequr më shumë se 600 milionë njerëz nga varfëria. Megjithatë, Kina vendosi të angazhohej me globalizimin sipas kushteve të saj, duke përqafuar ndërlidhjen, por duke refuzuar me bindje ideologjinë politike. Kështu, Kina pati mundësinë të forconte sistemin e saj politik një-partiak dhe të hapë tregjet e saj sipas prioriteteve kombëtare të vetcaktuara.
Ndoshta duke kuptuar këtë strategji të Kinës, Trump e ka fajësuar atë për shumë sëmundje të Shteteve të Bashkuara. Duket disi e padrejtë. Liderët kinezë në fakt kanë zgjedhur të ushtrojnë përgjegjësinë që kanë për të bërë më të mirën për popullin e tyre. Do të vepronin gabim, nëse do të kishin bërë të kundërtën. Megjithatë është mëse i kuptueshëm dhe i justifikushëm fakti që Trump kërkon sot të bëjë më të mirën për popullin amerikan dhe – siç thuhet në slloganin e tij – ta vendosë “Amerikën të parën”.
Në vend që të ndihet e zhgënjyer apo e tradhëtuar, Kina duhet ta shfrytëzojë këtë moment. Zgjimi i papritur i pjesës më të madhe të popullsisë amerikane nuk duhet parë si një refuzim i hapur ndaj Kinës apo si pararendëse e konflikteve të mëdha e të pashmangshme ndërmjet palëve. Në fakt, epoka e re e Donald Trump duhet parë si mundësi për të studiuar të gjitha mundësitë që mund të ofrojë kjo erë e re amerikane.
Leksionet vijnë në një moment shumë të rëndësishëm. Opinionistët kinezë kanë tendencën ta marrin nga elitat amerikane informacionin për Shtetet e Bashkuara. Në këtë mënyrë, ata janë tërësisht të shkëputur nga Amerika e shtresës së mesme, ashtu siç janë edhe vetë ekspertët dhe opinionistët e Shteteve të Bashkuara. Kjo është arsyeja përse ata i shikojnë mbështetësit e Trumpit si “të mjerë”, si çka thënë edhe Hillary Clinton përpara se të humbte garën presidenciale, njerëz racitë, seksistë dhe të paedukuar. Ky është gjykimi më i gabuar i bërë nga mediat amerikane deri më sot.
Kina do të bënte mirë të shihej në pasqyrë për të kuptuar mënyrat se si Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë duke ndryshuar përgjithmonë. Kinezët kanë qenë zërat më të lartë, të cilët kanë kritikuar ideologjinë bazë të globalizimit, sipas së cilit një lloj regjimi ideal është i përshtatshëm për çdo vend të botës, dhe ka bërë shpesh thirrje që kombet të lejohej t’i zgjedhin vetë rrugët e tyre drejt zhvillimit. Siç ka thënë edhe presidenti kinez Xi Jinping: “Vetëm duke i veshur, mund të kuptosh nëse një palë këpucë janë të përshtatshme për ty”.
Donald Trump duket se është i gatshëm të provojë një palë këpucë të reja në Ammerikë. Donald Trump e ka quajtur si ide tepër të rrezikshme përpjekjen për t’i kthyer në demokraci perëndimore ato vende që nuk kanë asnjë interes të jenë të tilla dhe qëndrimi i tij kundër ndërhyrjes amerikane nëpër botë, duhet të jetë mëse i mirëpritur në Kinë.
Nuk ka asnjë dyshim se do të ketë konflikte, ndërkohë që Trump ndjek interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara, por pakënaqësitë popullore që mundësuan ngritjen e tij në pushtet, meritojnë vëmendjen dhe respektin e Kinës dhe botës. Nëse Trump vendos të jetë më pak miqësor me Kinën për çështjet e tregtisë, ashtu siç pritet, Kina bën mirë të ushtrojë një dozë të madhe vetpërmbajtjeje. Në rast se kundërpërgjigja e Pekinit do të ishte “sy për sy, dhëmb për dhëmb”, rreziqet e konfliktit gjeopolitik do të ishin reale. Në një skenar të tillë, si Kina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, do të humbnin.

Mundësi manovrimi
Liderët kinezë që janë treguar të mençur dhe të matur gjatë gjithë këtyre viteve, nuk duhet të injorojnë mundësitë e jashtëzakonshme që mund të ofrojë Amerika e re e Donald Trumpit. Idetë e Kinës janë thelbësisht të ngjashme me vizionin e Trumpit. Shtetet e fuqishëm sovranë janë themeli i sistemit ndërkombëtar të shëndetshëm. Primacia e kulturës duhet të njihet dhe vendosja e rregullave uniformë nuk do të ketë përparësi kundrejt konsideratave kombëtare. Institucionet e shumëanshme nuk duhen përdorur për të shtypur angazhimet dypalëshe, por këto të fundit janë më efektive. Secila prej këtyre fjalive mund të kishte dalë lehtësisht nga goja e Trumpit apo e Xi-së.
Në nivelin praktik, ekziston një gamë e gjërë politikash që mund të sjellin përfitime si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Kinën. Një nga iniciativat më të rëndësishme të Trumpit është rindërtimi i infrastrukturës së plakur të Shteteve të Bashkuara. Ai ka premtuar se do të dedikojë 1 trilionë dollarë në shpenzime. Qëllimi i tij për t’u lavdëruar mund t’i sjellë ekonomisë amerikane gjallërinë aq të domosdoshme, duke krijuar vende të reja pune dhe duke ndërtuar, rrugë, aeroporte, ura dhe duke rinovuar ato ekzistueset. Megjithatë, sfidat që burojnë nga kufizimet financiare dhe kapaciteti industrial, nuk do të jenë të lehta për t’u kapërcyer.
Kina ka njohuri të mira për ndërtimin e infrastrukturës dhe siç kuptohet nga shumë fjalimet e tij gjatë fushatës, edhe Trump ka njohuri mjaft të mira. Gjatë fushatës, Trump ka thënë vazhdimisht se, krahasuar me Kinën, infrastruktura e Amerikës krahasohej me atë të “botës së tretë”. Kina mund të ofrojë kapacitete të mëdha për Shtetet e Bashkuara. Si fillim, mund të afrojë Shtetet e Bashkuara me Bankën e Investimeve të Infrastrukturës së Azisë (AIIB) dhe të ofrojë kapacitete industriale me kushte të favorshme dhe shpejtësi të madhe. Kjo do të ishte në avantazhin e Kinës, e cila ka nevojë të dërgojë jashtë vendit kapitalin dhe kapacitetin e tepërt dhe nuk ka vend më të mirë për ta bërë këtë se sa tek partneri i saj më i madh i tregtisë.
Në sferën e gjeopolitikës, ka gjithashtu interesa të përbashkëta të dukshme. Si Trumpi ashtu edhe Kina janë të ndërgjegjshëm për kërcënimin e rëndë kundër paqes në botë që vjen nga aktorët joqeveritarë. Një nga dëmet më të mëdha që globalizimi i ka shkaktuar botës ka qenë dobësmi i shtetit dhe rritja e terrorizmit. Duke fshirë kufijtë shtetërore dhe duke dobësuar pushtetin e qeverive kombëtare, globalizimi ka krijuar një botë më të rrezikshme. Gjatë kursit të viteve, globalistët e kanë akuzuar Kinën për kokëfortësinë e saj në mbrotjen deri në ekstrem të sovranitetit kombëtar, por duket qartë se Kina ka bërë një punë shumë herë më të mirë me mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve të saj krahasuar me shumë vende të tjera. Kina dhe Amerika e Trumpit mund të gjejnë shumë qëndrime të përbashkëta në këtë çështje.
Edhe për sa i përket tregtisë, ka një konvergjencë të madhe ndërmjet dy vendeve. Narrativa e elitës së globalistëve përfaqëson një ndarje ndërmjet tregtisë së lirë dhe proteksionizmit. Kushdo që guxon të sfidojë standardizimin global rrezikon të etiketohet si proteksionist, madje Kina është akuzuar shpesh për një qëndrim të tillë. Por ndarja e promovuar nga globalistët është e pavërtetë. Për shembull, propozimet e Kinës për zgjerimin e tregtisë në Paqësorin Aziatik, Partneriteti Kombëtar Gjithëpërfshirës Ekonomik (RCEP), lejon diferencime të shumta të tarifimit dhe standardeve të industrisë, në bazë të kushteve të ndryshme ekonomike dhe politike të secilit shtet anëtar.
Në të kundërt, TPP-ja e Obamës ishte krijuar vetëm për të imponuar një grup rregullash uniformë pa marrë në konsideratë kërkesat dhe nevojat e vendeve të ndryshme si dhe stadet e ndryshme të tyre të zhvillimit. Ironikisht, janë vetë amerikanët që tashmë e shikojnë këtë marrëveshje si të papërshtatshme për vendin e tyre. Teksa Kina ristrukturon ekonominë e saj për të qenë më pak e varur tek eksportet dhe më shumë nga kërkesa e brendshme dhe shërbimet e industrisë dhe teksa Shtetet e Bashkuara punojnë për të rindërtuar kapacitetin prodhues, të dy vendet do të ndodhen në pozicion të mirë për të eksploruar qasje të reja për zgjerimin e tregtisë ndërmjet tyre.
Në fundi, Trump është i vetmi lider që ka kuptuar dhe shprehur dëmin që i është bërë Shteteve të Bashkuara nga ajo që historiani Paul Kennedy e ka quajtur “qëndrimi imperial”. Dëshira e elitës amerikane për të rindërtuar botën përmes imazhit të vendit të tyre i ka kushtuar shumë Shteteve të Bashkuara dhe botës. Shtetet e Bashkuara kanë më pak se pesë përqind të popullsisë së botës dhe rreth 20 për qind të GDP-së globale, por 40 për qind shkojnë për shpenzime ushtarake. Trump ka thënë se ka ndërmend ta frenojë këtë çmenduri ndërhyrëse të Shteteve të Bashkuara dhe elitat amerikane kanë nxituar ta quajnë atë një politikan që kërkon ta izolojë vendin.
Kjo nuk është e vërtetë, sepse nëse Shtetet e Bashkuara fillojnë të mos i tregojnë vendeve të tjera se si duhet të qeverisen, kjo nuk do të thotë se do të shkëputen plotësisht nga çështjet ndërkombëtare. Për shembull, Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të angazhohen me çështjet e Lindjes së Mesme, por t’i japin fund përpjekjeve për të kërkuar ndryshimin e regjimeve apo të ndërtimit të shteteve atje sipas standardeve të tyre.
Është në interesin e Kinës që të inkurajojë distancimin e Trumpit nga këndvështrimi i drejtuar nga ideologjia. Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, Kina ka kontribuar mjaft në ruajtjen e stabilitetit global. Këtë mund të vazhdojë ta bëjë, duke moderuar vetë qëndrimin e saj në Paqësorin Aziatik dhe të promovojnë paqen rajonale, siç ka bërë me ishujt Filipine. Kina mund të ndajë edhe barrën e rëndë të Lindjes së Mesme, ku po kthehet në importuesin më të madh të naftës në rajon dhe ka interesa afatgjatë për stabilitetin e zonës.

Një rend i ri botëror?
Fitorja e Trumpit nuk ndodhi aspak rastësisht. Ishte kulminacioni i ndryshimeve strukturore brenda shoqërisë amerikane, një ndryshim që elitat kishin zgjedhur ta injoronin për vite me radhë. Këto forca do të vazhdojnë t’i shtyjnë Shtetet e Bashkuara dhe botën drejt një rruge të re, ndryshe nga ajo e ndjekur këtu 25 vitet e fundit. Ka rëndësi të madhe që liderët kinezë të kuptojnë këtë ndyshim dhe të përgjigjen siç duhet.
Nëse Kina jep përgjigjen e gabuar, luftërat tregtare, përballjet gjeopolitike madje edhe konfliktet ushtarake mund të vijnë njëri pas tjetrit. Shtetet e Bashkuara kanë arsye legjitime të ndjekin së pari interesat e tyre teksa trajtojnë çështjet globale. Kina, më shumë se çdo shtet tjetër, është e aftë ta kuptojë këtë. Kina, përsëri më shumë se çdo shtet tjetër, mund t’i ofrojë Amerikës së Trumpit hapësirën e nevojshme për të përshtatur prioritetet kombëtare.
Fundi globalizimit nuk do të sjellë aspak fundin e të gjithë konceptit, të paktën jo të konceptit fillestar të tij. Në të kundërt, ndërlidhja e vendeve do të vazhdojë të rritet për shkak të trendeve laike të teknologjisë dhe ekonomisë. Qeverisja e suksesshme globale, me fjalë të tjera, nevojitet sot më shumë se kurrë, por nuk mund të bazohet më në narrativën e globalizimit.
Bota ka nevojë për një rend të ri botëror të ngritur jo mbi bazat falco ideologjike të shekullit XX, por duke respektuar diversitetin e çdo shteti individual, sovranitetin kombëtar dhe integritetin kulturor. Në vend që të përpiqen ta drejtojnë botën me një grup të standardizuar rregullash globale, shtetet duhet të bashkëpunojnë lirisht në mënyrat që i përshtaten më mirë rrethanave të veçanta. Vetëm shtetet e forta sovrane mund të arrijnë të bashkëpunojnë me suskes, duke dobësuar vetëm kur është e nevojshme sovranitetin e tyre për interes të rendit botëror.
Nëse kërkojmë një shekull XXI të begatë dhe paqësor, Kina duhet të bashkëpunojë me Amerikën e Trumpit për të zhvilluar të ardhmen e re. Edhe pse konkurrenca ndërmjet dy fuqive të mëdha është e pashmangshme, këndvështrimet e tyre të përbashkët për botën dhe interesat e ngjashme peshojnë më shumë se mosmarrëveshjet e tyre. Në fakt, liderët kinezë do të bënin mirë të dëgjonin fjalët që Presidenti Trump ka thënë për politikën e jashtme gjatë muajit prill: “Ne dëshirojmë të jetojmë në paqe dhe miqësi të plotë me Kinën dhe Rusinë, ne kemi mosmarrëveshje serioze me këto dy vende dhe duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin me shumëkujdes, por nuk dëshirojmë të jemi armiq. Duhet të gjejmë një rrugë të përbashkët bazuar në interesat tona të ngjashme”.
Me kaq shumë parashikime negative të hiperbolizuara, për atë që mund t’i ndodhë Amerikës dhe Botës, nevojitet një dozë e fortë optimizmi. Kina nuk ka asnjë synim të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara si superfuqia dominante e botës, por kërkon të rimarrë pozicionin e lidershipit të fqinjësisë së saj, ndërsa Amerika duhet të përqendrohet në rindërtimin e vetes. Nëse të dy vendet kanë zgjuarsinë dhe pragmatizmin e nevojshëm për të bashkëpunuar, për të jetuar dhe për t’i lënë të tjerët të jetojnë, mund të gjejnë patjetër konsensusin e duhur në qeverisjen globale që do të na çojë drejt një bote më të qëndrueshme. Globalizimi ka kryer vetvrasje. Rendi i ri botëror është duke lindur dhe duhet të angazhohemi menjëherë.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Europa në duart e së Djathtës

Conrad BLACK

Është një fenomen i ngjashëm me atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara. Teksa Donald Trump vazhdon të fitojë mbështetjen popullore – përmes emërimeve inteligjente të grave të kualifikuara dhe njerëzve jo kaukazë në pozicionet kyçe – dhe të rrëzojë të gjithë fushatën Clinton-Obama kundër tij për thirrje “raciste dhe seksiste”, eventet shumë të debatuara të fushatës presidenciale kanë filluar të avullojnë.
Rihapja e mijëra vendeve të punës nga ana e tij në Carrier për Indianën i la kundërshtarët e Trumpit gojëhapur. Trump po sillet dhe po flet si një president i vërtetë dhe ish-kundërshtarët konservatorë, të cilët ishin shfaqur haptazi kundër tij, si Daniel Henninger i “Wall Street Journal” shkruajnë me admirim për performancën profesionale të ekipit të tranzcionit që po nxjerr përpara kandidatë të shkëlqyer në postet më kryesore.
Konservatorët që ishin betuar se nuk do të mbështesnin kurrë Trumpin nuk kanë filluar të pranojnë gabimin dhe nuk kanë shfaqur shenja pendimi. Paaftësia e medias për të pranuar gabimet e veta dhe tradhëtitë ideologjike të bëra gjatë kësaj fushatë është e jashtëzakonshme dhe ndëshkimi do të jetë padyshim me rënie të ndjeshme të kredibilitetit të tyre.
Fitorja e madhe e Donald Trumpit nuk është triumfi i reaksionarëve, injorantëve, racistëve dhe të mjerëve. Është marrja në dorë e pushtetit nga njerëz të kualifikuar që po përgatiten të implementojnë politikat që Trumpi i ka artikuluar me gjuhë që ishte tepër e ashpër për shijet e shumëkujt, por rezultoi të ishte mëse e qartë për bazën e mbështetjes që tërhoqi, një bazë e mjaftueshme për të rrëzuar të gjithë klasën politike të 30 viteve të fundit: Bushët, Klintonët, Obamat, së bashku me mediat e tyre të zbutura, sondazhet e paguar dhe tufën e lobistëve. Në të gjithë Perëndimin, pasoja nuk ka qenë aspak përhapja e ksenofobisë që i frikësoheshin të gjithë, por ngritja e individualizmit të shëndetshëm.
Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria e Theresa Mayt është tërësisht e absorbuar teksa pret që Gjermania dhe Franca të ulin barrierat e ngritura në Bruksel për samitin që presidenti i Bashkimit Europian, Jean-Claude Juncker, i ka thënë Donald Trumpit  se duhet të kalojë të paktën dy vitet e ardhshme, duke studiuar Europën. Europa pritet t’i bëjë Britanisë një ofertë serioze për të hyrë brenda tregut të përbashkët, por duke qëndruar larg bashkimit politik federal.
Kjo ishte prikërisht, ajo që ka kërkuar liderja më e madhe e Britanisë së Madhe pas Churchillit, Margaret Thatcher, dhe pikërisht ajo që kërkojnë sot pushtetarët në Londër, edhe pse atëherë partia e goditi Thatcherin me thikë pas shpine, sepse ishte tepër novatore për kohën e saj. Laburistët e opozitës dhe partitë liberale demokratike janë shkatërruar dhe tashmë drejtohen nga diletantë, por konservatorët në pushtet tashmë kanë një mazhorancë mbështetësish që kërkojnë të dalin jashtë Bashkimit Europian, por edhe një mazhorancë anëtarësh të parlamentit që duan të qëndrojnë.
Theresa May po pret që Franca dhe Gjermania ta bëjë sa më të lehtë dhe pa debate të mëdha largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian, si dhe të zëvendësojnë idiotësitë që Britania ka refuzuar deri tani nga Brukseli me një propozim të denjë për t’u marrë në konsideratë. Francezët dhe gjermanët ndodhen në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në pranverën e vitit 2017.
Në Francë, parashikohej se Fronti Kombëtar i Marine Le Pen, një parti politike e karakterizuar nga skepticizmi kundrejt elitave, emigracionit, multinacionalizmit dhe një urrejtje të hapur kundrejt komunitetit mysliman të zgjeruar deri në 5 milionë individë në Fracë (rreth 8 për qind e popullsisë së Francës), mund të kalonte në qendër të skenës, madje edhe të fitonte zgjedhjet. Këto parashikime ishin tepër të hiperbolizuara e të gabuara dhe tani duket se janë zbehur shumë.
Golistët kanë përzënë nga gara elektorale dy prej kandidatëve kryesorë – shërbëtorin e mediokritetit të disa dekadave, Alain Juppe dhe ish-presidentin e shfrenuar, Nicolas Sarkozy – dhe ia kanë besuar kandidaturën anglofilit François Fillon, një ish- kryeministër i talentuar dhe ish-ministër i Shkencës dhe Edukimit. Socialisti në pushtet, François Hollande, prezanca e të cilit si kreu i shtetit është demonstrimi më qartë i paaftësisë qeverisëse, i bëri vendit nderin më të madh duke u tërhequr nga gara, me një normë mbështetjeje historike prej vetëm 4 për qind në vend.
Kështu, e majta që ka fituar tre nga dhjetë zgjedhjet në historinë e Republikës së Pestë (që pas vitit 1958) në Francës, tashmë ka marrë fund. Gara presidenciale do të zhvillohet ndërmjet Golistëve, vazhdimësia legjitime e traditës së themeluesit të Francës së Lirë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe të Republikës së Pestë, Charles de Gaulle, dhe një versioni të ri dhe më të inatosur të konservatizmit.
Fillon e quan veten “kandidati i duhur për të djathtën”, duke e injoruar plotësisht demagogjinë e Marine Le Penm, e cila duket se e ka pastruar ndjeshëm ideologjinë krahasuar me atë të pesë viteve më parë. Me nxjerrjen nga loja të kandidatëve Juppe dhe Sarkozy, teksa Hollande zgjodhi të dilnte vullnetarisht në pension, Fillon ka arritur të bëjë ekuivalentin e saj që ka bërë Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, duke nxjerrë jashtë lojë familjet politike Bush, Clinton dhe Obama.
Tani ka mbetur me një version të keq të Cruzit për të konkurruar dhe pritet të fitojë pa shumë mundim. Në Francë, zgjedhja nuk është më ndërmjet Golistëve dhe të majtës, tani është ndërmjet Golistëve dhe të së djathtës populiste. Ky ndryshim i menjëhershëm i Francës drejt së djathtës është i njëjtë me atë që ndodhi në Shtetet e Bashkuara gjatë zgjedhjeve presidenciale.
Ky trend, së bashku me shkatërrimin e plotë të Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe dhe rikthimin e saj drejt të majës së largët përpara epokës së Tony Blair. Tregojnë qartë se Europa po shkon drejt së djathtës së përgjegjshme, që është edhe territori që po udhëhiqet nga Donald Trump. Edhe mënyra e ndryshimit është e ngjashme me atë të Shteteve të Bashkuara, ku republikani Trump mori pozicionin më tradicional, duke sulmuar për çështjet e tregtisë dhe emigracionit.
Të tre vendet kanë hyrë tashmë në vorbullën e njëjtë të qendrës së majtë të pas-Reaganit dhe pas-Thatcherit. Gjermanina është një pushtet më i madh se Franca dhe Britania e Madhe, por tradicionalisht gëzon më pak influencë në Europë dhe përtej saj, sepse ka qenë politikisht më pak e angazhuar dhe nuk ka zgjedhur të ushtrojë influencë të madhe krahasuar me atë të francezëve dhe britanikëve.
Edhe në Gjermani, njëlloj si në Britaninë e Madhe, opozita është duke u përçarë. Edhe pse kristian demokratët e Kancelares Angela Merkel po mbyten nën presionin e pranimit të mbi një milion emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika, ajo duket e pandalshme, me rreth 35 për qind të votuave në favor të saj në garë ku drejton SDP-në me 15 për qind të votave dhe ku katër parti të tjera, dy të djathta dhe dy të majta, gëzojnë rreth 5 deri në 15 për qind të votave në zgjedhje.
Ndoshta do t’i nevojitet të përfshijë edhe dy parti të tjera për të qeverisur, por Angela Merkel duket mëse e predispozuar për të fituar mandatin e saj të katërt dhe të barazojë kohën në pushtet të Helmut Kohlit dhe të kalojë atë të ish-themeluesit të Republikës Federale, Konrad Adenauer, si kancelarja që ka qeverisur më shumë që nga koha Bismarkut, i cili nuk ka vepruar në një shtet demokratik dhe nuk ka fituar asnjë zgjedhje. E majta dhe e djathta e moderuar janë të forta dhe të gatshme për të siguruar pushtetin.
Ndër demokracitë kryesore atlantike, vetëm Italia, sistemi i së cilës nuk ka qenë kurrë i qëndrueshëm apo i respektueshëm, po lundron ende në pasiguri. Reformat e shumëpërfolura kushtetuese u rrëzuan bindshëm dhe vendi duket thellësisht i ndikuar nga narrativa absurde e Beppe Grillos dhe opozitës së tij të Lëvizjes me Pesë yje që mendohet të gëzojë 25 për qind të elektoratit. Qendra e djathtë e pamposhtur e Berlusconit mund të ketë 30 për qind të mbështetjes, njëlloj si qendra e majtë e goditur së fundmi, por të dy koalicionet e tyre e kanë pothuajse të pamundur të qeverisin.
Partia e vjetër komuniste italaine, e cila në vitin 1948 fitoi pothuajse një të tretat e votave, kur Piu XII kërkoi të votohej akti i vet-shkishërimit për këtë parti, dhe arriti të fitojë rreth 34 për qind në vitin 1976, kur u maskua si një parti pothuajse demokratike. Tani nuk po shfaq më shenja gjallërie.
Askush në Europë – përveç një fashistëve të apasionuar pas Musolinit në vitet XX – nuk i ka kthyer kurrë sytë nga Italia për të kërkuar një formë të denjë lidershipi që pas rënies së Perandorisë Roamke gjatë shekullit të V. Italia është një shtet tepër i rëndësishëm, por nuk është apsak e aftë të drejtojë Europën.
Në Britani, Francë dhe Gjermani, e majta është tepër e dobët dhe e copëtuar, ndërsa e djathta e moderuar po bëhet më mbizotëruese këto kohë. Në Shtetet e Bashkuara, e djathta e moderuar nën drejtimin e Donald Trumpit arriti të rrëmbejë të gjitha vitet e të djathtës populiste dhe demokratët janë përçarë ndërmjet të majtës së moderuar të Hillary Clintonit dhe të mjatës së largët të Sandersit.
Edhe në një vend tepër të qendrueshëm siç është Kanadaja, ku trazirat e vetme të 50 viteve të fundit kanë qenë ato të vullkanit tashmë të shuar të separatizmit franko-kanadez, qendra e majtë ka mposhtur qendrën e djathë, por duke bërë këtë, ka arritur ta gjunjëzojë tërësisht të majtën e vendit.
Ka disa shqetësime për të djathtën me tendenca jo të moderuara në Poloni, Spanjë dhe Hungari, ku kanë pasur shpesh histori aspak të kënaqshme, edhe pse është herët për të lëshuar paralajmërime. Por në Amerikën Veriore dhe në tre fuqitë e mëdha europiane, qendra dhe e djathta e moderuar janë tepër të forta dhe do ta ruajnë gatë pushtetin e tyre.
Frikat e përhapura për të fitoren e Trumpin u zhdukën shumë shpejt dhe jehona e së djathtës është duke e frikësuar Le Penin, partinë e pavarur të Britanisë së Madhe dhe partinë alternative të Gjermaninë, të cilat po fillojnë të ndjejnë dështimin e tyre të shpejtë. Nëse ka diçka të qartë për zgjedhjet që nga viti 2015 e deri tek ato që do të zhvillohen në vitin 2017, është që qendra dhe e djathta do të mbajnë pushtetin.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Sheiku i rilindjes, 30 milionë euro shpenzime luksi në 2017-ën

Armand MAHO

Jo më shumë se 19 vjet më parë bridhte rrugëve të Parisit. I palarë, me thonj të paprerë (siç do e përshkruante Fatos Nano) dhe me disa ikona të futura kontrabandë nga vendi i tij, të cilat i shiste andej këtej në ndonjë galeri të varfër arti për një copë bukë. Bohemi, i dikurshëm i denjë për personazhet e Hygoit jetonte një jetë pa pretendime…. Ne rininë e hershme kish pasur përherë mbështetjen e të atit skulptor të apasionuar pas busteve të diktatorit, anëtar i nomenklaturës komuniste, që duke ditur se aftësitë dhe talentet e të birit orientoheshin drejt hiçit, duke përdorur lidhjet me sistemin i kish dhënë një shkollë pikture, duke i siguruar më pas dhe një vend si pedagog tek Akademia e Arteve. Por tashmë, që kjo mbështetje i kish rënë ai kish mbetur në mes të hiçit, ashtu siç ishin dhe aftësitë e tij! Tentativat për të hyrë në jetën politike të vendit rreth viteve ‘90-të kishin rezultuar të pasuksesshme. Kjo për një sërë arsyesh e zhvillimesh, por më kryesorja do të ishte ajo e çrregullimeve psikologjike të tij dhe shpërthimeve të pakontrolluara të karakterit, sindromë e njerëzve me frustime personaliteti. Në këto kushte, herë ngrënë e herë pa ngrënë një ditë diku nga viti 1998 do të mblidhte ato pak rroba në një valixhe dhe do të udhëtonte drejt Shqipërisë. Ylli më në fund i kishte ndritur….Historia e patreguar asnjëherë e plotë e Edi Ramës (kompleks që i vjen nga e shkuara) ka pasur një fund të shkëlqyer për të, por jo për shqiptarët. Pas spërdredhjeve politike, aleancave, korrupsionit në Bashkinë e Tiranës dhe në  Ministrinë e Kulturës, ish-bohemi i  dikurshëm prej tre vitesh është kryeministër i Shqipërisë. Një karrierë e shkëlqyer për një njeri që në jetën e tij ska bërë asgjë, një happy end për të, por një fat shumë i keq për shqiptarët. Ai që dikur mundohej të gjente ndonjë cep muri  rrugëve të Parisit ku mos e fshikte era e dimrit, sot harxhon 40 mijë euro në vit vetëm për kravatat. Ai që dikur bridhte rreth bulevardit Hosman në Paris, duke admiruar vitrinat, sot në këtë bulevard porosit tek rrobaqepësit më të mirë francezë kostumet e tij “su misura”, që shkojnë qindra mijëra euro të tjera. Ai që flinte poshtë urave, ngre në një kohë rekord (me projekt sipas konceptit të tij të shpërqendruar psikologjik) sarajet më të shtrenjta që një kryeministër i këtij vendi ka pasur ndonjë herë. Sot bohemi i dikurshëm  sipas një raporti të OSBE rezulton me një pasuri rreth 200 milionë euro të fshehura pas kompanive offshore në kontinetin amerikan…

Shpenzimet e luksit
Nuk mbeten më shumë se 20 ditë, kur shqiptarët do lenë pas vitin 2016, dhe do hyjnë në një vit tjetër. Situata nuk është shumë premtuese. Vendet e punës vazhdojnë të shkurtohen, pagat dhe pensionet nuk rriten prej tre vjetësh. E vetmja gjë që vazhdon të rritet, është një pasion tjetër i kryeministrit e zbuluar pas ngjitjes së tij në pushtet, mania për të shtuar luksin. Deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Islami, në një postim të tijin në rrjetet sociale bën një zbulim tronditës. Në vendin më të varfër të Evropës, atje ku njerëzit po vrasin veten nga varfëria, kryeministri do të harxhojë rreth 30 milionë euro për shpenzime luksi të institucionit të tij. Ose më saktë, në bazë të numrit të punonjësve që ka atje rreth 43 mijë euro në vit për çdo punonjës. Sipas tij, kjo shumë do të ishte e barabartë me pagën vjetore të 1145 pensionistëve, ose me rreth 10 mijë bursa studentësh, sa gjysma e atyre që shkelin në një vit në auditore. Shifrat janë kokëforta dhe kjo është pasqyruar dhe në buxhetin e botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, e cila drejtohet nga një tjetër i ngjashëm i kryeministrit, Arben Ahmetaj. Ky i fundit i përfolur që në vitet 2004 për korrupsion me telefoninë fikse, në kohën kur ishte zëvendësministër. Për vitin 2017, Kryeministri do të shpenzojë 530 milionë lekë (të vjetra) ose 350 mijë euro vetëm për blerje kondicionerësh. Një shumë kjo e pamenduar për këtë produkt, por të kemi parasysh çmimet e tyre në tregun vendas, që një kondicioner normal nuk kushton më shumë se 300 euro. Për çfarë i duhen kryeministrit kondicionerë kaq luksozë, ndërkohë që Kryeministria është e pajisur me to. Por për këtë vit, nga buxheti i shtetit, nga taksat e qytetarëve kryeministri do të shpenzojë rreth 6.7 milionë euro për tavolina e karrige, pra për arredimin, dhe një milion euro të tjera për blerje makinash, të cilat sipas deputetit të PD-së do të mjaftonin për blerjen e 20 makinave luksoze të markës “Mercedes Benz”. Shuma astronomike për një vend si i yni, kur njerëzit rrojnë me 5 euro në ditë sipas Bankës Botërore.

18 miliardë euro në tre vjet asnjë investim
Deputeti i PD shkon dhe më tej në analizën e tij. Duke iu referuar buxhetit dhe shifrave zyrtare, Islami bën me dije se në këto tre vjet nga të ardhurat qeveria ka arkëtuar apo ka pasur në dispozicion rreth 18 miliardë dollarë. Pyetja që natyrshëm do të shtronte çdo kush do të ishte; Ku janë? Investime nuk shihen kurrkund, as në rrugë, as në shëndetësi, as në energjetikë. Rritje rrogash ska pasur, as rritje të pensioneve?! Atëherë ku kanë shkuar…. Shpjegimin Islami e jep më poshtë “Është marrë borxh në masën 2.1 miliardë dollarë dhe janë rritur taksat me ndikim prej 1.5 miliardë dollarë, thjesht për të qenë rehat me të ardhurat nga tatimet dhe doganat, sepse askush nuk e ka vrarë mendjen për të rritur performancën fiskale, për më tepër që evazioni ka lulëzuar dhe korrupsioni është historik në këto, administrata përderisa mungojnë rreth 1 miliard dollarë nga të ardhurat nga doganat e tatimet. Shpenzimet janë rritur vetëm për luks, ndërkohë që as pagat dhe as pensionet s’janë rritur, madje rritja e çmimeve me më shumë se 10 për qind në katër vite, i ka zhytur këto grupime në varfëri e mjerim. Klasa e mesme është këputur në mes, duke e detyruar ose të emigrojë ose të zhytet në varfëri. Barra fiskale ka goditur fuqimisht bizneset e vegjël dhe të mesëm deri në mbyllje. Investitues të huaj s’kanë ardhur për shkak të taksave të larta dhe ndjehen të pasigurtë me borxhin e lartë. Një pjesë të shpenzimeve e ka zënë pagesa e borxhit të lartë. Rrugët, arsimi, shëndetësia, janë të nën financuara krahasuar me më parë. Alarmante është gjendja e mbrojtjes, duke rrezikuar rolin e vendit si kontribuese e NATO për të mos thënë se vendi është kthyer në hallkën më të dobët të NATO-s”, thotë Islami….

Një histori borxhi!
Ku kanë shkuar?! Ndoshta përgjigja do të gjendej mes shifrave të buxhetit. Ndoshta mes jetës luksoze të kryeministrit, ndoshta nga bilancet e kompanive kliente të tij apo nga bilanci i shfrenuar i luksit. Njeriu që ankohet se i kanë lënë një mal me borxhe paska luksin të shpenzojë 30 milionë euro vetëm për institucionin e tij?! Në fakt për ata që kuptojnë nga ekonomia borxhi që ai pretendon se është në shifra astronomike është vetëm 500 milionë dollarë, (aq sa ka hedhur në erë Beqja me koncensionet e famshme), të cilat janë investuar në rrugë, energjetikë e të tjera si këto. Faktet janë kokëfortë dhe shpenzimi i tyre mund të faktohet lehtësisht. Kjo është një proçedurë normale për çdo qeveri, që detyrimet e një viti më parë ja kalon vitit tjetër, vetëm se kishte menduar se ky borxh do të kalonte në dorën e një qeverie makute si ajo e Ramës.  Ndërkohë që në emër të këtij borxhi, Rama ka marrë borxh të jashtëm rreth 2.1 miliardë dollarë, pa llogaritur të ardhurat e brendshme nga tatimet e doganat. Nga ana tjetër, në një vend ku nuk investohet asgjë, ku nuk rriten rrogat dhe ku abuzohet me 18 miliardë dollarë, si ka mundësi që kjo qeveri nuk paguan dot as 2.5% të kësaj shume në tre vjet, kur ska bërë asnjë investim tjetër?! Si do e shpjegojë Rama, rritjen e shpenzimeve për luksin e tij çdo vit me nga 8 apo 10 për qind të buxhetit?!. Pa folur këtu për koncesionet, apo për ndonjë cep rruge që kushton deri në 10 milionë euro kilometri, siç është rasti i segmentit nga Iba deri në Sauk, që deri më tani në një terren kodrinor prej shtufe, 13 kilometra kanë kushtuar 120 milionë euro, aq sa ka kushtuar hapja e njërit krah të tunelit prej pesë kilometrash.

Nën pushtetin e rilindjes
Nuk do shumë mend për t’u kuptuar, se në këto tre vjet është kryer një masakër me paratë e shqiptarëve. Nuk do shumë mend për ta kuptuar, se nga vijnë paratë për jetën luksoze të Ramës, ministrave të tij dhe deri tek Taulant Balla, një deputet i njohur për mentalitetin provincial që shfaq. Nuk do as shumë mend për të kuptuar, se përse Rama e donte me aq ngulm pushtetin në vitin 2013. Nuk është normale, për një opozitë në asnjë vend të botës të degradojë në atë fare feje siç degradoi selia mavi në ato vite. Por, kjo vlen për ato parti që e duan pushtetin për t’i shërbyer popullit të tyre. Rilindja me sa shihet kishte ardhur me objektiva të tjera…. Taksat e shqiptarëve për ta ishin vetëm një mjet për të shtuar dhe më tej luksin për vete, por edhe për enturazhin klientelist të tyre. Nuk u mjaftuan, por shtuan taksat, rritën energjinë elektrike, rritën naftën shtuan varfërinë. Nën një propagandë boshe, përditë e më shumë i bien tupanave, duke dashur të na mbushin mendjen se kjo qeveri, kjo farë qeverie, po vë shtetin në shina. Në fakt, në shina spo vë gjë tjetër, vetëm se pasurinë personale, dhe jetën prej sheiku me paratë e të varfërve grushti i njerëzve që ka zaptuar pushtetin dhe hajdutët e tjerë që e rrethojnë.

Edhe policia me konçesion, shërbime kundrejt tarifave

Edhe policia po jepet me konçesion. Një projektligj i ri parashikon që ajo të kryejë shërbime kundrejt pagesave. Policia e Shtetit ka gjetur një mënyrë për të krijuar të ardhura financiare, me të cilat do të mund të paguhen 100 për qind orët e punës jashtë orarit për çdo punonjës policie.
Policia pritet të ofrojë shërbime shtesë për persona apo institucione, publikë apo privatë, kundrejt pagesës.Ky është thelbi i një projektvendimi të Këshillit të Ministrave, i cili është në fazën e konsultimit mes institucioneve. Së fundmi, Ministria e Brendshme e ka përcjellë atë për mendim në Ministrinë e Drejtësisë. Projektvendimi “Për miratimin e llojeve të shërbimeve shtesë që ofron Policia e Shtetit, për personat juridikë e për ata fizikë, publikë ose privatë, dhe tarifave të pagesës për këto shërbime”, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, radhit një listë me shërbimet shtesë që do të kryejë Policia e Shtetit mbi kohën normale të punës.
Mes këtyre shërbimeve janë edhe sigurimi i aktiviteteve kulturore e sportive, kombëtare e ndërkombëtare, apo edhe sigurimi i transportit të vlerave monetare të bankave të nivelit të dytë në vend.
Shërbimet shtesë me pagesë nga strukturat e Policisë së Shtetit do të ofrohen bazuar në kërkesën e personave juridikë e fizikë, publikë ose privatë dhe do të mbulohen me punonjës policie jashtë kohës normale të punës/shërbimit.
Sipas draftit, angazhimi i Policisë në shërbime shtesë nuk do të cenojë shërbimet e planifikuara për përmbushjen e misionit dhe përgjegjësive institucionale për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit.

TARIFAT DHE FITIMET
Në projektvendim është përllogaritur edhe tarifa financiare për punonjësit e policisë, sipas gradës, për çdo orë pune në shërbimet shtesë.
Sipas tabelës që shoqëron projektaktin, grada “Inspektor” do të paguhet 597,24 lekë për orë, grada “Nënkomisar” 766.31 lekë për orë, grada “Komisar” 834.32 lekë për orë dhe grada “Kryekomisar” 1060 lekë për orë.
Të ardhurat që realizohen nga kryerja e shërbimeve shtesë të përcaktuara në këtë vendim, përdoren në masën 90 për qind nga Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe trajtohen si të ardhura jashtë limitit, me qëllim përdorimin e tyre për të përballuar pagesat e mbikohës së punës për punonjësit, që do të angazhohen në detyra mbështetëse, sipas akt-marrëveshjes dhe 10 për qind derdhen në Buxhetin e Shtetit.
Kjo mund të jetë edhe dora e fundit e rrënimit të funksionimit të policisë së shtetit. Ajo çfarë pritet të ndodhë është që qytetarët do të duhet të blejnë dyfish shërbimin e policisë, një herë si taksapagues dhe një herë tjetër përmes pagesës ekstra që Rama kërkon ta venosë me ligj.
Nuk do të kemi më një polici shteti, por një polici private. Drafti do të sjellë më shumë korrupsion dhe më shumë abuzime. Ky ligj është vetëm legalizim i korrupsionit në polici. Të presim dhe të shohim se kush do të jetë njeriu që më do të përfitojë edhe policinë me konçesion. Natyrisht konçesione të tilla jepen më shumë se 15 vite.

Enton DACI

Çmendet Velina, 30 mijë lekë taksë për çdo familje për banesën

Bashkia e Tiranës rrit tarifat ndaj familjeve që banojnë në pallate. Erjon Veliaj bëri të ditur se, Bashkia bëri të ditur se do të emërojë 5 mijë administratorë pallatesh në Tiranë dhe tarifat nga 7 mijë lekë që janë shkojnë në 30 mijë lekë.
Figura e administratorit ekziston vetëm në një pjesë të pallateve të reja, ndërtuar pas ‘90-ës, ku vetë banorët me konsensus kanë zgjedhur përfaqësuesin për administrimin e punëve kolektive, si pastrimi i shkallëve, ndriçimi, ashensori, shërbim që kushton nga 500 deri në dy mijë lekë të reja në muaj. Sipas Bashkisë së Tiranës, për çdo 20 administratorë pallatesh do të ketë një ndërlidhës, i cili do të jetë ura e komunikimit mes Bashkisë dhe qytetarëve. Asambletë e banorëve të pallateve, të cilët do të trajnohen paraprakisht nga Bashkia dhe më pas do të marrin licencën për këtë detyrë.
Administratorët e afër 5000 pallateve që ka Tirana do të duhet që sipas ligjit të raportojnë për problematikat në njësitë vendore. Tarifa e administrimit për secilin bashkëpronar do të përcaktohet bazuar në shpenzimet e administrimit dhe në kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi të pronarëve të njësive në përputhje me numrin e kateve dhe për masën e përdorimit të objekteve të veçanta. Nga një vlerësim paraprak, fatura mujore për familje që do t’i shkojë administratorit vlerësohet të jetë nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë të rinj në varësi të pallatit dhe të zonës së banimit.
Në rast se një bashkëpronar nuk e paguan tarifën e administrimit në kohën e caktuar, për çdo muaj vonesë, ai do të paguajë një kamatë 10% të tarifës, ndërsa për banorët që refuzojnë pagesën 3 muaj rresht ndërhyn Gjykata dhe Përmbarimi.

Terrori godet sërish Turqinë

Dy shpërthime të fuqishme kanë tronditur Stambollin mbrëmjen e sotme. Gjithçka ka ndodhur pranë stadiumit “Besiktash”, vetëm disa minuta pas ndeshjes Besiktas-Bursaspor.
Së paku 13 persona kanë vdekur në sulmin me makinë bombë që ndodhi sonte në Stamboll, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Televizioni turk NTV, raportoi se në shpërthimin e makinës bombë objektiv ishte një autobus me policë. Shpërthimi ka ndodhur dy orë pas përfundimit të ndeshjes se futbollit të zhvilluar në stadiumin e Beshiktashit, ku sulmi ndodhi pranë këtij stadiumi.
Pas shpërthimit, ministri i Brendshëm turk, tha se nuk ka informacione nëse ka të vdekur dhe se informacionet e para tregojnë për policë të plagosur. AP ka njoftuar se pas shpërthimit, janë dëgjuar edhe të shtëna me armë, ku sipas këtij burimi dëshmitarët kanë treguar për një sulm të armatosur mbi policinë.
Pak më parë ishte njoftuar se kishte vetëm 20 policë të plagosur, por më vonë fatkeqësisht bilanci tragjik u rrit me 13 viktima.
Sipas ministrit të Brendshëm turk, dyshohet për autobombë. Mes të plagosurve sipas tij ka edhe policë.
“Dyshohet se ka qenë një autobombë në vendin ku po dilte autobusi i forcave policore, pranë daljes së tifozëve të skuadrës Bursaspor. Ka rreth 20 të plagosur. Nuk kam informacion për dëshmorë. Shpresoj që të mos ketë”, thotë ministri Soylu.
Ndërkohë Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Brendshme Süleyman Soylu dhe prefektin e Stambollit, Vasip Şahin ku ka marrë informacione mbi ngjarjen.
Këshilli i Radio Televizionit Kombëtar të Turqisë (RTÜK), ka njoftuar se është vendosur për ndalimin e publikimeve në lidhje me shpërthimin e ndodhur në afërsi të stadiumit të Beşiktaş-it.

4 ton drogë në 2 ditë në Itali, vetëm Rama nuk e pranon

Partia Demokratike ka reaguar dje për tonelatat e drogës që kalojnë nga Shqipëria në Itali. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj u shpreh nëpërmjet një deklarate për mediat se, rreth 4 ton drogë janë kapur në dy ditët e fundit në Itali, drogë e mbjellë, e magazinuar, e transportuar nga Shqipëria. “Këto ngarkesa të mëdha dëshmojnë edhe një herë se Shqipëria me Edi Ramën u bë hambari i Europës për drogën, dhe për këtë arsye prej kohësh bien këmbanat e alarmit. Qartazi, e shkruar dhe në raportet europiane dhe në qëndrimet e tyre, droga i ka zënë rrugën vendit tonë drejt Bashkimit Europian. Vetëm Edi Rama refuzon ta njohë këtë realitet”, u shpreh Alibeaj.
Edhe pse në brigjet italine dhe në Greqi pothuajse çdo ditë mbërrin një ngarkesë me tonetala me drogë, Rama sërish thotë nuk ka drogë. “Një trafik i tillë i organizuar nuk kapet asnjëherë nga autoritetet tona, por vetëm nga policitë e vendeve fqinje. Kjo dëshmon qartë se, karteleve të drogës u ofrohet lehtësia dhe bashkëpunimi i duhur në këtë biznes kriminal”, tha Alibeaj.
Alibeaj tha më tej se, me Edi Ramën dhe Sajmir Tahirin, Shqipëria është kthyer në oazin e bosëve të drogës. “Me Partinë Demokratike, Shqipëria do të pastrohet nga droga, trafikantët do të shtypen me forcën e ligjit dhe Shqipëria do t’i kthehet shqiptarëve të ndershëm që duan dhe do të jetojnë me punë të ndershme”, përfundoi Alibeaj.

1.5 ton drogë në Bari
Policia italiane sekuestroi para tre ditësh në Bari një gomone 10 metra të gjatë të nisur nga Shqipëria, në të cilën ishin ngarkuar 1.5 ton marijuanë. Në pranga kanë përfunduar tre skafistët shqiptarë.  Guardia di Financa u vu në ndjekje të gomones të nisur nga Durrësi dhe ka arritur ta bllokojë atë. Sipas mediave të shtetit fqinj, në operacion ka marrë pjesë dhe një helikopter i Agjencisë Europiane, Frontex. Në gomone u gjetën 78 pako drogë, operacioni i cili u publikua dje nga mediat italiane, ka ndodhur tre ditë më parë.
Gomonia ishte modifikuar dhe i ishin vendosur tre motorë të fuqishëm, ndërsa për shqiptarët e arrestuar dihet vetëm mosha e tyre, 34, 26 dhe 42 vjeç. Gjatë kontrollit është gjetur dhe një pistoletë dhe disa plumba. Nëse do ishte hedhur në treg, droga e sekuestruar do të jepte një fitim prej 15 milionë eurosh. Gjatë vitit 2016 janë më shumë se 10 ton marijuanë e sekuestruar në det nga Guardia di Finanza në Puglia.

7.6 kuintalë drogë në Leçe
Një gomone me ngarkesë prej 761 kg kanabis sativa e nisur nga brigjet shqiptare është bllokuar të premten nga policia italiane në Leçe. Bëhet e ditur se, Guarda di Finanza nga Bari dhe nga Leçe u sinjalizuan për një gomone të ngarkuar me drogë dhe u vunë në kërkim të mjetit lundrues. Pas ndjekjes, skafi 8 metra i gjatë me ngarkesën e kanabisit u ndalua 10 milje larg Sant Andreas në Leçe. Policia arrestoi 29-vjeçarin me iniciale E.M nga Vlora dhe një shtetas italian. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Policia bëri të ditur se ka asistuar në operacionin antidrogë. “Pas sinjalizimit nga Policia e Shtetit nëpërmjet Zyrës Interforcë dhe Nuklit detar në Durrës të Guardia di Finanza, reparteve operative të Guardia Di Financës në Bari dhe Leçe iu deshën rreth 3 orë për ta interceptuar mjetin lundrues të ngarkuar me lëndë narkotike, i cili u kap 10 milje afër Sant Andreas në Leçe”, bën të ditur policia shqiptare.

1 ton marijuanë në Katania
1 ton marijuanë nga Shqipëria u sekuestrua para katër ditësh në Katania. Droga, e cila nëse do të hidhej në treg do të jepte një fitim prej më shumë se 3 milionë eurosh vinte nga Shqipëria. Policia italiane ka bërë të ditur për mediat, se kjo është sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar brenda vitit 2016 në Siçili. Ndërsa para dhjetë ditësh, Policia italiane sekuestroi në Bari një gomone me 1.6 ton marijuanë dhe arrestoi tre skafistët, dy prej tyre nga Vlora. Mediat italiane raportuan se, Guardia di Finanza zbuloi një gomone 10 metra të gjatë, që udhëtonte në brigjet mes Monopoli dhe Mola.

241 kg drogë nga Shqipëria në Greqi
Tre raste të trafikut të drogës nga Shqipëria janë goditur nga policia greke ditën e djeshme, gjatë kontrolleve në kufirin me Shqipërinë. Në Janinë, janë ndaluar dy automjete, në fshatin Kallpaq, ku nga kontrollet në njërin prej tyre u gjetën 104 kg 350 gramë marijuanë. Droga u gjet e fshehur në mjetin e parkuar, ndërsa mjeti tjetër, sipas policisë greke, shërbente për kontrollin e rrugës.
Në një tjetër kontroll të ushtruar në fshatin Ambelona të Filatit, në Igumenicë, u kapën nga policia dy shqiptarë teksa kalonin me këmbë kufirin, duke transportuar 4 çanta me 87 kg marijuanë. Në Kristalopigi, po në Igumenicë, u kapën duke ecur në këmbë 4 shtetas shqiptarë, duke transportuar një çantë me 2 kg 120 gram marijuanë.
Po ditën e djeshme, Policia e Janinës zhvilloi dje një operacion antidrogë në Athinë, ndërsa u sekuestrua një sasi lëndësh narkotike dhe përfundoi në pranga një 51-vjeçar. Mësohet se aksion u zhvillua në Tavro, pasi sasia e drogës kishte kaluar përmes kufirit shqiptar në shtetin helen, ndërsa shqiptarit iu gjetën 38 pako me 41 kg 230 gram marijuanë, 227 gram metadon dhe sasi të vogla kokaine dhe heroine. Po ashtu, trafikantit, emri i të cilit nuk dihet, iu sekuestruan dhe 180 euro.

Maskat terror, grabitje në Tiranë, Laç dhe Vlorë

Vetëm ditën e djeshme u kryen tre grabitje nga persona të armatosur dhe me maska në Tiranë, Laç dhe Vlorë. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm persona të armatosur dhe të maskuar janë futur në një banesë në Paskuqan dhe duke ushtruar dhunë dhe terror ndaj familjarëve kanë arritur të grabisin një shumë parash dhe një makinë që ndodhej në oborrin e shtëpisë. Burime nga policia thanë se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:56 minuta të mëngjesit të së shtunës në Paskuqan 2, pranë një karburanti. Sipas policisë, tre persona të armatosur me armë zjarri, kanë hyrë në banesën e qytetarit me inicialet K. P.
Këta persona, kanë kontrolluar banesën dhe kanë vjedhur, tre aparate telefonik, shumën monetare prej 32.000 lekë të reja dhe automjetin tip “Volksvagen”. Rreth orës 03:50, automjeti është gjendur i braktisur tek diga e Liqenit në Paskuqan.
Sipas rrëfimit të çiftit të grabitur, autorët kanë qenë tre persona të maskuar me bluze me kapuç. Për disa minuta, agresorët kanë terrorizuar çiftin e të moshuarve që jetonin me vajzën e tyre të paralizuar. Autorët kanë mundur t’i marrin çiftit, një shumë prej rreth 30 mijë lekësh të reja, një sasi bizhuterishë dhe një veturë “Volksvagen”, të cilën e braktisën pranë rezervuarit të Paskuqanit.
Shkurte Kurbibaj, rrëfeu momentet e tmerrit për Televizionin “Klan”. “Pasi ka rënë dera e ballkonit u ngrit burri, ndezëm dritat këtu brenda, sepse jashtë i mbajmë fikur ngaqë nuk duam të harxhojmë. Ndezëm dritat këtu, pa kaluar 5 minuta ra dera tjetër. Thyen atë derë pastaj erdhën dhe thyen edhe derën tjetër… na kanë kërcënuar me tre pistoleta tek koka”, rrëfen gruaja e moshuar.
Në momentin e grabitjes në banesë ndodheshin vetëm çifti i të moshuarve dhe vajza e tyre e paralizuar. Policia tha se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, por deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk u arrit të zbulohen dhe arrestohen autorët. Dyshimet e para të policisë janë se autorët mund të jenë banorë të zonës, të cilët njohin çiftin dhe se kanë dijeni mbi faktin se djali i tyre është emigrant në Angli.

Maskat marrin peng rojen dhe grabisin firmën
Një tjetër grabitje ka ndodhur, por këtë herë ngjarja ka ndodhur në Laç. Burime zyrtare nga policia thanë se tre persona të armatosur dhe me maska kanë mbajtur peng fillimisht rojen dhe më pas kanë grabitur firmën. “Në një firmë materiale ndërtimi në pronësi të qytetarit me inicialet M. V., tre persona të maskuar, pasi kanë mbajtur pa e dhunuar fizikisht rojën e objektit, kanë hapur me forcë qepenat dhe kanë vjedhur disa materiale”, thanë burime nga policia. Pas grabitjes të maskuarit janë larguar, ndërsa policia është njoftuar nga roja. Policia tha se është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Grabitet me armë një karburant në Vlorë
Tjetër grabitje me armë, këtë herë bëhet fjalë për një karburant që është sulmuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burime nga policia thanë se, “në orët e para të ditës së shtunë, konkretisht rreth orës 04:35, në rrugën “Transballkanike”, në një pikë karburanti, 3 persona të maskuar, me thikë dhe mjete të forta, i kanë marrë 300 mijë lekë punonjësit të karburantit, me inicialet B. Xh.”.
Fatmirësisht punonjësi i karburantit nuk ka reaguar, duke shpëtuar i pa plagosur. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet në lidhje me identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj grabitjeje.

Llogaria e kasapit

Nuk ishte parë kurrë një gjë e kësaj natyre, as në një vend të mësuar me prapaskenat si Afganistanin. Në shtator, Presidenti demokratikisht i zgjedhur Ashraf Ghani dhe zotëria i luftës Gulbuddin Hekmatyar, kanë nënshkruar solemnisht një marrëveshje paqeje. Ghani në pallatin presidencial në Kabul, Hekmatyar, në lidhje video nga vendstrehimi i fshehtë i tij, ka mundësi në kufirin me Pakistanin. Me sa duket, kushtet janë diktuar në pjesën më të madhe nga Hekmatyar, i cili ka siguruar një post jo fort të saktësuar “ceremonial”, një vilë në Kabul dhe një rentë milionëshe. Janë arkivuar të gjitha proceset kundër tij dhe rreth 20000 milicëve të Hezbi Islami, Partisë së Zotit, ndërsa njerëzit e tij të burgosur do të lirohen. Ghani është shprehur i gatshëm që të japë një “tabelë afatesh për tërheqjen e të gjitha trupave të huaja”. Kushti i vetëm i imponuar nga Ghani ka qenë impenjimi për të respektuar Kushtetutën dhe braktisja e luftës së armatosur. Një marrëveshje avantazhuese për Hekmatyar, “kasapin e Kabulit”, që ka mundësi në Afganistan ka mbi ndërgjegjen e tij më shumë të vdekur se kushdo tjetër. Por akoma më shumë se ky rehabilitim, befasojnë reagimet që ai ka ngjallur. Vetëm Human Rights Watch ka protestuar kundër marrëveshjes, duke e quajtur një “ofendim për viktimat”, ndërsa politikanët afganas janë përshëndetur me Presidentin, që ka marrë duartrokitjet e Parisit, Londrës, dhe Berlinit. Deri Shtetet e Bashkuara e kanë quajtur marrëveshjen një “gurthemel”, megjithëse Hezbi Islami është përgjegjës për vdekjen e shumë ushtarëve amerikanë. Përpara se të transferohet në Kabul, Hekmatyar pritet që të hiqet nga lista e terroristëve ndërkombëtarë të Uashingtonit. Por ndoshta do të qëndrojë në hije derikur në Shtëpinë e Bardhë të mos hyjë Presidenti i ri. Në fund të fundit, qysh përpara se të zgjidhej, Donald Trump kish deklaruar se do t’i tërheqë trupat nga Afganistanin, duke e braktisur vendin. Marrëveshja midis Ghani dhe Hekmatyar mund të jetë një model edhe për talebanët? Lëvizja e Ghani është një akt dëshpërimi i diktuar nga dobësia apo një zgjedhje e kalkuluar? Vërtet Hekmatyar e meritonte vërtet një mundësi e dytë?

Miq perëndimorë
Herën e parë që e takova Hekmatyar qe në mesin e viteve Tetëdhjetë. Pushtimi sovjetik i Afganistanit në fund të 1979 e kishte përmbysur politikën ndërkombëtare, por as Shtetet e Bashkuara, as muxhahedinët afganas nuk donin të dorëzoheshin. Shtatë liderë rebelësh, midis të cilëve Hekmatyar, u bënë aleatë kundër fuqisë pushtuese. Edhe pse alternoheshin çdo 3 muaj në krye të aleancës, raportet midis forcave të rezistencës qenë menjëherë të qarta. Myslimanët e moderuar në mërgim nuk mund të konkurronin me fondamentalistët. Nëpërmjet ISI-t (shërbimeve sekrete pakistaneze), CIA kishte filluar të furnizonte rebelët me armë për një vlerë prej disa qindra milionë dollarësh dhe Arabia Saudite, kishte premtuar të bënte njëlloj. Pjesa më e madhe e këtyre ndihmave do t’i takojë Hekmatyar dhe trupave të tij. “Pse pikërisht ju?”, e pyeta në shtabin qendror shumë të survejuar të tij afër Peshavarit në Pakistan. “Sepse unë jam kundërshtari më i fuqishëm i rusëve. Dhe i vetmi që nuk është korruptuar”, m’u përgjigj. Hekmatyar ishte një burrë i gjatë dhe i hollë, me një mjekërr të gjatë të zezë dhe sytë e hirtë të ftohtë. Më rrëfeu krenar për takimet e tij të shpeshta me Bill Casey, drejtorin e CIA-s, dhe me Princin Turki al Faisal, kreun e shërbimeve sekrete saudite, por në zërin e tij ndjehej një përçmim i caktuar. “Derikur t’i bëjnë mirë kauzës së çlirimit, pranojmë ndihma të çdo lloji. Objektivi ynë është të vrasim numrin më të madh të mundshëm të pushtuesve dhe t’i detyrojmë që të tërhiqen”.
Kur ishte fëmijë Hekmatyar, që vjen nga një familje e shtresës së mesme, ishte magjepsur nga shkrimet e Vëllazërisë Myslimane, organizatë e themeluar nga egjiptiani Sayyid Qutb. Kërcënonte që t’u hidhte acid në fytyrë grave që guxonin të shfaqeshin pa perçe. Vrau një shok universiteti maoist dhe përfundoi në burg, por doli pas pothuajse 2 vjetësh. Xhihadi ishte vokacioni i tij, por pa arsim dhe pa paraishte edhe mundësia e vetme e tij. Hekmatyar udhëhoqi personalisht disa aksione të rrezikshme guerrilase kundër rusëve në malet qendrore të Afganistanit. Për politikanët perëndimorë, kushdo që luftonte kundër rusëve ishte hero. Hekmatyar shkoi në Gjermani dhe u prit nga liderët e të gjitha partive. Në Kongresin e Shteteve të Bashkuara ai dhe aleatët e tij u krahasuan deri me Etërit Themelues amerikane. Por Hekmatyar i zhgënjeu mbrojtësit e tij: refuzoi për të marrë pjesë në një takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, sepse shfaqja bashkë me Ronald Reagan do ta kishte diskredituar luftën e tij për pavarësi. Me t’u kthyer në atdhe, dënoi me vdekje dy gazetarë të huaj që i konsideronte prosovjetikë. Nisi të bashkëpunojë me një saudit, të cilin e konsideronte si mjeshtër: Usama bin Laden. Në 1989, kur Ushtria e Kuqe u tërhoq nga vendi, brutaliteti i Hekmatyar nisi të drejtohej nga ish aleatët e tij. Kreu një fushatë të pamëshirshme ndaj cilitdo që pengonte ngjitjen e tij në pushtet dhe amerikanët konkluduan se as ata nuk mund ta kontrollonin më. CIA e konsideronte Hekmatyar si një të çmendur që kishte maninë e pushtetit, por u demonstrua më largpamës se amerikanët. Në fillimin e viteve Nëntëdhjetë, në kulm të luftës civile, kreu i Hezbi Islami përdori armët e dhëna nga Shtetet e Bashkuara për të mbjellë terror midis civilëve. Viktimat qenë me mijëra. Për disa muaj, Hekmatyar qe kreu i qeverisë në Kabul dhe vendosi rregulla të hekurta. Gratë duhej të dilnin krejtësisht të mbuluara, vajzat nuk mund të shkonin më në shkollë. Deri qeveria pakistaneze, që e kishte mbështetur pa kushte Hekmatyar, u çorientua nga ekstremizmi i tij. Islamabadi nisi të mbështesë një forcë të re: talibanët, “studentët e Kuranit” e arsimuar në medresetë pakistaneze. Islamabadi mendonte se mund t’i kontrollonte lehtësisht, por gabohej. Në shtator të 1996 talibanët pushtuan Kabulin dhe ndaluan edhe muzikën dhe vallëzimin. I dhanë strehim bin Ladenit e al Qaedas dhe siguruan bazat për të organizuar atentate jashtë vendit. Hekmatyar nuk kishte më asnjë rol. E kishte humbur luftën për pushtet dhe u largua në Iran.

Një mërgim borgjez
Në tetor të 2001, pak kohë pas sulmit ndaj World Trade Center, e takova sërish Hekmatyar. Amerikanët sapo kishin nisur të bombardonin Afganistanin. Një mik më çoi në vendstrehimin e fshehtë e Hekmatyar, një shtëpi në periferi të Teheranit: lule dhome, tenda të qendisura, një shami mbi komodinë dhe sipër, si libër i vetëm, Kurani. Një mjedis pabesueshmërisht mikroborgjez për një revolucionar. “Amerikanët duan të vendosin në Kabul një regjim kukull, atentatet e Nju Jorkut janë vetëm një pretekst”, më tha. “Duan ta bëjnë Afganistanin një Izrael tjetër në Azinë Qendrore. Mund ta bombardojnë sa të duan, nuk do të arrijnë ta bëjnë kurrë. Kanë rënë në kurth si rusët apo ndoshta edhe më keq. Do të kenë nostalgji për Vietnamin”. Hekmatyar e quajti bin Ladenin “një luftëtar të drejtë dhe një shok të mirë”. “Sot nuk turpëroheni që keni pranuar ndihmat e CIA-s, kur luftonit kundër sovjetikëve?”, e pyeta. “Absolutisht jo”, m’u përgjigj. “E kam thënë gjithmonë se i konsideroja të pabesa Shtetet e Bashkuara dhe të fëlliqur po aq sa Rusia, por në Uashington shtireshin sikur nuk dëgjonin”. E përfundoi bisedën me tonin e ftohtë të zakonshëm, duke shtuar se shpejt do ta linte Iranin për t’u kthyer në atdhe: të gjithë afganasit duhej të bashkoheshin kundër armikut të huaj.
Afërsisht 3 muaj pas 11 shtatorit, talebanët u përzunë nga Kabuli dhe Shtetet e Bashkuara instaluan një qeveri properëndimore të drejtuar nga Hamid Karzai. I interesuar për rënien e talebanëve dhe që të ruante marrëdhënie të mira me fqinjët, Irani i kërkoi Hekmatyar ta linte Teheranin. Amerikanët kërkuan me çdo mënyrë ta neutralizonin. Në maj të 2002 një raketë Hellire e dështoi për pak objektivin. Në 2003, Uashingtoni vuri një çmim prej 5 milionë dollarësh për Hekmatyar, i cili sapo kish apeluar xhihadin kundër Shteteve të Bashkuara dhe shpallur aleancën me bin Ladenin. Më pas u mburr se kishte marrë pjesë në një operacion dramatik për të ndihmuar liderin e al Qaedas, që të largohej nga shpellat e Tora Boras. Por në vitet më pas, organizata e tij humbi influencë. Herë pas here Hezbi Islami kryente ndonjë sulm spektakolar kundër ushtarëve amerikanë apo përfaqësuesve të pushtetit në Kabul, por talebanët u bënë forca dominuese e guerriljes dhe përfunduan duke e prishur aleancën.
Atëhere Hekmatyar adoptoi një strategji të dyfishtë: e ndau organizatën e tij në një krah ushtarak dhe në një politik. Nga fillimi i kësaj dekade, eksponentët e Hezbi Islami mund të kandidojnë në Parlament dhe të marrin poste qeverisëse. Njëri është bërë deri ministër Arsimi. Tani Hekmatyar ka hequr dorë formalisht nga armët, por a është e mundur t’i besohet atij? Do ta pranojë faktin që në Kabul gratë mund të mbajnë poste të larta dhe në disa rajone vajzat frekuentojnë shkollën me të njëjtat të drejta si djemtë?
Jo gjithçka nuk shkon keq në Afganistanin e ri. Gjatë 15 viteve të fundit mosha mesatare është rritur nga 45 në 65 vjeç dhe vdekshmëria foshnjore është ulur nga 25 në 10 për qind. Megjithatë, pjesa më e madhe e 60 miliardë dollarëve ndihmë të huaj kanë përfunduar në xhepat e politikanëve. Në Treguesin e Korrupsionit të hartuar nga Transparency International, Afganistani është në vendin e 166-të, përpara vetëm Somalisë dhe Koresë së Veriut. Ndihmat ushtarake kanë qenë akoma edhe më të mëdha dhe kanë dhënë rezultatet akoma edhe më brengosëse. Kabuli është bërë një qytet më i hapur e më tolerant, por siguria e qytetarëve është katastrofike: në çdo moment, përpara çdo zyre apo komisariati policie, mund të shpërthejë ndonjë bombë. Kohët e fundit talebanët kanë sulmuar konsullatën gjermane në Mazar-i-Sharif dhe bazën ushtarake amerikane në Bagram. Sipas Kombeve të Bashkuara, 2015 ka qenë viti me numrin më të lartë të viktimave civile të pasluftësa: 11002 të vdekur. Nëse një vend ka përjetuar kaq shumë kriza, nëse një qeveri gjendet me shpatulla pas muri, mund edhe të rriskojë një hap të pazakontë si i bërjes së një pakti me djallin. Hezbi Islami mund të ndjekë rurgën e IRA-s irlandeze, krahu politik i së cilës, Sinn Féin, është transformuar në një parti të respektuar. Shpresa e Presidentit Ashraf Ghani është që rehabilitimi i Hekmatyar të mund të lehtësojë traktativat me pjesën e moderuar të talebanëve. Sipas më optimistëve, në fund të këtij procesi mund të arrihet në një konferencë të të gjitha forcave afganase dhe në një qeveri të unitetit kombëtar.

Optimizëm i dëshpëruar
Nga një oportunist i paskrupull si Hekmatyar mund të pritet çfarëdo lloj surprize. Por objektivi i parë i tij do të jetë tërheqja e forcave të huaja dhe rikthimi i Afganistanit afganasve. Për sa shumë prej bashkëkombasve të tij e urrejnë dhe ia kanë frikën, kërkesa e tij prek një nerv të zbuluar. Pjesa më e madhe e afganasve nuk e ka ndjesinë se mund ta vendosë fatin e vet. Edhe ata që frymëzohen nga demokracia perëndimore e konsiderojnë arrogante tentativën e imponimit të një modeli të huaj. E dinë që në vendin e tyre për të qenë i mbështetshëm një sistem qeverisës, ai duhet të mbajë parasysh traditat. Nuk e kuptojnë se pse ndihmat e Perëndimit përfundojnë gjithmonë tek politikanët e korruptuar dhe asnjëherë tek shoqëria civile. Kështu që anipse sulmet e talebanëve shkaktojnë frikë, afganasve u ka ardhur në grykë nga “dëmet kolaterale”. NATO-ja ka vrarë padashje qindra njerëz dhe ka bombarduar gabimisht ceremoni martese. Me 3 tetor 2015 një sulm i pashpjegueshëm ajror amerikan kundër një spitali të Mjekëve Pa Kufi në Kunduz, ka vrarë 42 njerëz. Por edhe duke dashur ta konsiderosh rehabilitimin e Hekmatyar në optikën e realpolitikës, është gjithsesi kthimi i një vrasësi dhe kjo ngre pikëpyetje që shkojnë përtej situatës afganase: Kush përveç Hekmatyar duhet të gjykohet nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës? Në Kabul, pritja përzihet me frustrimin, me frikën dhe me atë dritë shprese që afganasit duket se nuk e humbasin kurrë. “Lufta sjell vetëm shkatërrim”, thotë Ahmed Gailani, Presidente i High Peace Council, i ngarkuar me traktativat me talebanët. “Të gjitha grupet që luftojnë kundër qeverisë duhet të marrin shembull nga Hezbi Islami dhe t’i bashkohen procesit të paqes”. Një shprehje që tingëllon dëshpërueshmërisht optimiste.

Biografia
◆ 1947 U lind në provincën e Kunduzit.
◆ 1972 Arrestohet për vrasje.
◆ 1975 Themelon grupin xhihadist Hezbi Islami.
◆ 1979 Merr pjesë në rezistencën antisovjetike.
◆ 1993 Bëhet kryeministër.
◆ 1997 Arratiset në Iran.
◆ 2002 I përzënë nga Irani, kthehet në Afganistan dhe bëhet aleat me talebanët.
◆ 2016 Nënshkruan një marrëveshje paqeje me qeverinë afganase.

(Erich Follath për Die Zeit)

Përgatiti
ARMIN TIRANA