Banorët e fshatit Sheqeras në Korçë kanë protestuar dje kundër ndërtimit të TEC atje, pasi ndot ambjentin dhe rrezikon jetën e tyre. Banorët janë ngritur në këmbë, pasi ky projekt i qeverisë është ndërmarrë për interesa klienteliste dhe nuk është konsultuar me ta.
Ky projekt i qeverisë do ta bëjë zonën të pabanueshme dhe do t’i detyrojë banorët të shpërngulen. Mirëpo banorët e zonës u shprehën sot se nuk do ta lejojnë këtë plan korruptiv e klientelist që bëhet për pasurimin e disa njerëzve në kurriz të qytetarëve.
Partia Demokratike ka mbështetur kërkesat e banorëve. Ervin Salianji ishte dje në këtë protestë dhe u shpreh se qeveria nuk i sheh fermerët e kësaj zone si banorë dhe t’u vijë në ndihmë për hallet që kanë, por i sheh si instrument për t’i shfrytëzuar për bizneset e saj klienteliste.
PD me banorët e Sheqerasit kundër TEC-it
Mësuesja i përgjigjet ministres: Po pagën e 13 pse na e hoqët?
Përgjigja dinjtoze e mësueses dhënë ndrikull Nikollës për letrën e saj elektorale, të neveritshme, hipokrite, me dashuri e përqafime, që nuk shkruhej as gjatë diktaturës. Duke përgëzuar mësuesen dinjitoze ju ftoj të dashur miq të lexoni letër përgjigjen e Zonjës Alketa. sb
Ja si i përgjigjet mësuesja nga Fieri, letrës së ministres Nikolla drejtuar mësuesve: Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla me rastin e festave të fundvitit i ka dërguar një letër përshëndetëse dhe falënderimi të gjithë mësuesve të arsimit shqiptar, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e tyre në rritjen e nivelit të mësimdhënies në shkolla, por njëkohësisht ka marrë përsipër edhe defektet dhe përgjegjësitë për përmirësimin e arsimit në të ardhmen. Teksti i letrës është i njëjtë për të gjithë, por ndryshon vetëm emri që i është drejtuar letra, por pas kësaj kanë nisur dhe reagimet në rrjetet sociale, duke e quajtur ministren të dështuar.
Letra e ministres Lindita Nikolla:
Më poshtë përgjigja që i jep një mësuese nga Fieri Ministres
Në përgjigje të letrës “personale” (lexo: joprofesionale ) të zonjës ministre të Arsimit:
Së pari, do të dëshiroja të më drejtoheshit me “zonja Alketa” dhe aspak “e dashur Alketa”, sepse në këto tre-katër vite, “reformat” tuaja arsimore, jo vetëm nuk më kanë qenë të afërta dhe të kujdesshme sa komunikimi ynë të ishte i llojit personal e shoqëror, por përveç stresit që më kanë sjellë (siç e pohoni edhe vetë), më kanë zvjerdhur përfundimisht shpresën se në këtë vend mendon dikush për të vlerësuar moralisht e materialisht profesionistët dhe intelektualët.
Ju mburreni se keni larguar 600 tekste me probleme të rënda dhe keni futur tekste të standardeve europiane dhe harroni të theksoni se thjesht latë në qarkullim një pjesë të teksteve që ishin dhe çliruat prej konkurrencës dhe favorizuat disa shtëpi botuese të privilegjuara. Harruat se këtë vit mësimor, vetëm për tekstin e gjuhë-letërsisë për klasat e dhjeta u imponua “Albass” si alternativa e vetme në përzgjedhje ?!
Ju, zonja ministre mburreni se iu kundërvutë ndikimit të politikës dhe të korrupsionit në emërimet në arsim; por mund t’ju ketë zënë amnezia nëse nuk kujtoheni se, “konkurset” tuaja për drejtorë shkollash, nëndrejtorë etj., “i fituan” anëtarët e kryesive dhe eksponentë të PS dhe LSI; dhe se pavarësisht testimit kombëtar, për një vend pune si mësues, fituesve të këtij testimi u duhet të kalojnë nëpër “dyer” të tjera.
Së fundi, më thoni se vitin që vjen do të më rrisni pagën me 10%, por nuk më qani hallin se kjo shtesë nuk më indekson as inflacionin e katër viteve të qeverisjes suaj, as më zëvendëson pagën e 13-të që më premtuat, madje as 10 mijë lekëshin shpërblim në fund të vitit, që e kisha dhe ju ma vodhët ….Në vend të përshëndetjes, doja t’ju uroja që Krishtlindjet dhe Vitin e Ri t’i kaloni me mbetjet e një page mujore prej 45 mijë lekësh të reja!
Mirë u dëgjofshim në 18 qershor 2017!”
Mediu takime me senatorë e kongresmenë: Ka shqetësim për Shqipërinë
Kryetari i Partisë Republikane zoti Fatmir Mediu, është takuar në Uashington, me personalitete të larta të Kongresit dhe Senatit amerikan. Në takimet në Kongres, u diskutua situata e rëndë që po kalon Shqipëria, jo vetëm në planin ekonomik, por dhe përdorimin e pushtetit për interesa klienteliste korruptive.
Të gjithë bashkëbiseduesit theksuan se: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht dhe detyrim për një demokraci funksionale.
Proçeset e manipuluara nga qeveria, vërejtjet e OSBE/ODHIR janë dhe qëndrim i SHBA. Ata shprehën shqetësimin për forcën e krimit në Shqipëri, trafikun e drogës dhe sidomos involvimin e qeverisë në kultivimin e marijuanes për qëllime politike.
Takimet në Dhomën e Përfaqësuesve u zhvilluan me Kongresmenin Danna Rohrabacher, Kryetari për Europën dhe Azinë, një nga kandidaturat e konsideruara për Sekretar Shteti nga Presidenti Trump, Kongresmenët Robert Aderholt, John Rottcklife, David Jolly, Senatorët Jim Inhofe, Tom Cotton dhe Ben Sasse.
Gjithashtu me Presidentin e Heritage Foundation, Jim DeMint për vazhdimin e projektit për ndërtimin dhe bashkëpunimin me Balkan Heritage and Policy Foundation. Jim DeMint i shprehu kënaqësinë zotit Mediu, duke e bërë pjesë të Presidential Club të Heritage Foundation. Me Presidentin e CNP Bob MCween organizata më e fuqishme konservatore.
Një takim i veçantë ishte me z.Lee Edwards, Presidenti i Fondacionit për krimet e komunizmit, i cili shprehu interes për të kontaktuar me të përndjekurit politik të Shqipërisë.
Shqipëria e fundit në Ballkan për të ardhurat për frymë
Shqipëria shihet të ketë ritmet më të ulëta të konvergjencës (ritmi i rritjes të të ardhurave për t’u përafruar me BE-në) se sa vendet e tjera të rajonit, raportoi agjencia e vlerësimit të borxhit Moody’s në raportin e zgjeruar me rastin e dhënies së vlerësimit B1 për borxhin e Shqipërisë.
Analistët e Moody’s kanë vënë në dukje se konvergjenca e të ardhurave në Shqipëri mbetet nga më të ulëtat në rajon, duke lënë pas vetëm Bosnjën. Kjo do të thotë se të ardhurat për frymë në raport me PBB në vendet e tjera të rajonit po rriten me ritme më të shpejta se sa në Shqipëri për të kapur nivelin e vendeve të BE-së.
Pak kohë më parë, në një vlerësim të ngjashëm, FMN vlerësoi se midis viteve 1995 dhe 2008, të ardhurat në të gjithë rajonin po arrinin drejt së njëjtës linjë me të ardhurat mesatare të Bashkimit Europian në një normë prej rreth 1 pikë përqindjeje në vit, nga rreth 35% në gati 50%. Megjithatë që nga kriza financiare 2008 është bërë pak progres, në krahasim me disa ekonomi të tjera në zhvillim.
Moody’s vë në dukje se Shqipëria ka të pashfrytëzuara potencialet e saj në bujqësi dhe turizëm. Sektori bujqësor i Shqipërisë, i cili përfiton nga një klimë e butë dhe burime të bollshme ujore, punëson rreth 40% të fuqisë punëtore dhe kontribuon me një të pestën e PBB-së së vendit.
Zhvillimi i bujqësisë në Shqipëri është i mbështetur në një vlerë të ulët të shtuar, me një fokus të veçantë në blegtori, bimët e arave dhe frutat. Sektori i bujqësisë shihet të ketë edhe konvergjencën më të ulët edhe në raport me vendet e tjera të rajonit. Moody’s vë në dukje se, sektori vazhdon të pengohet nga copëzimi i lartë i tokës bujqësore, depërtimi i ulët teknologjik dhe mungesa e infrastrukturës dhe ujitjes, të cilat janë rënduar nga mungesa e kredisë dhe konkurrenca e sektorit joformal.
Në mënyrë të ngjashme, sektori i turizmit mbetet nën potencialin e tij për shkak të infrastrukturës së pazhvilluar të Shqipërisë dhe vështirësive në marrjen e lejeve të ndërtimit. Sipas raportit të 2015-ës të Forumit Ekonomik Botëror të Turizmit, Shqipëria renditet në vendin e 106 nga 141 vende të botës, me rezultate e dobëta në mbrojtjen e të drejtave pronësore, kohën e nevojshme për të marrë lejet e ndërtimit dhe përqendrimit të tregut.
Nga zgjedhja e Azemit tek krijimi i PD
26 vite më parë, Tirana ishte e rrethuar. Një mori spiunësh të Sigurimit të Shtetit, policë, ushtarë dhe tetarë ishin bashkuar për të mbrojtur me dhunë diktaturën. Një grusht studentësh, në krye të të cilëve qëndronte Azem Hajdari kishin vendosur të përballeshin me makinën e dhunës të një regjimi, që po ndjente se i kishte ardhur fundi.
Në 8 dhjetor 1990, studentët vendosën të bojkotonin mësimin dhe të protestojnë kundër regjimit, fillimisht për ndërprerjen e energjisë elektrike, kushtet e vështira ekonomike që po kalonte Shqipëria në ato momente, kushtet tepër të vështira që kishin studentët në konvikte e në shkolla. Ata organizuan një protestë, në të cilën ndodhi edhe një incident: policia e ushtria përdorën dhunën për të shpërndarë studentët dhe disa protestues morën plagë nga dhuna që përdorën forcat e pushtetit komunist. Kjo do të sillte dhe irritimin e mëtejshëm të studentëve dhe kërkesat e tyre u zgjeruan. Përveç kërkesave për plotësimin e kushteve të jetesës, ata kërkuan lejimin e pluralizmit, si dhe dënimin e dhunuesve të studentëve.
Ndërsa në Tiranë luhej ndeshja Partizani-Dinamo, kryeqyteti ishte rrethuar i tëri. Studentët qëndronin tek Liceu Artistik. Policia ndryshon itinerarin e lëvizjes së qytetarëve të Tiranës. Frika u kishte hyrë deri në palcë. Një bashkim i banorëve të Tiranës me studentët do të sillte revoltën e madhe, shumë më shpejt nga sa mund të mendohej. Në Rrugën e “Elbasanit” për të parën herë shfaqen policë me skafanda dhe mburoja. Të gjithë të armatosur. Nuk lejonin kalimin përtej Rrugës së “Elbasanit”, pasi tek Liceu Artistik ishin studentët. Atëherë lëvizja e mijëra e mijëra tifozëve u spostua për nga Piramida. Në rrugë dëgjoheshin thirrjet e studentëve. Ata nuk tërhiqeshin. Ata këndonin “Eja, mblidhuni këtu, këtu”. Megjithatë, bashkimi i banorëve të Tiranës me studentët nuk ndodhi në atë moment, por në darkë. Studentët goditen dhe dhunohen në mënyrë çnjerëzore nga policia e Ramiz Alisë. Tirana zgjidhet dhe vendos të identifikohet me studentët. Në darkë me mijëra të rinj, ngjisnin kodrat e Qytetit “Studenti” nga të gjitha anët. Sigurimi i Shtetit dhe policia ishin shpërndarë në rrugët kryesore për të penguar bashkimin e madh. Por, ishte e pamundur. Për në Qytetin “Studenti” kishte me dhjetëra rrugë që të çonin atje. Askush nuk mund ta ndalte më Tiranën të ishte pjesë e Lëvizjes Studentore. Askush nuk mund t’i ndalte më studentët, që pas atij bashkimi të 9 dhjetorit mori fuqinë për të rrëzuar diktaturën.
Ngjarjet rrodhën shumë shpejt dhe pas shumë protestave, ku zëri kryesor që dëgjohej ishte “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”, një përfaqësi studentësh e kryesuar nga Azem Hajdari, iu drejtua më 11 dhjetor 1990, Pallatit të Brigadave, ku priteshin në takim nga Sekretari i Parë i Partisë së Punës të Shqipërisë, Ramiz Alia, njëkohësisht edhe President i vendit. Ky është dhe momenti më kyç i Lëvizjes Studentore. Në atë mbledhje, Ramiz Alia, duke parë që studentëve u ishin bashkëngjitur tashmë edhe qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria dhe pushteti nuk kishte më fuqinë t’i bënte ballë Lëvizjes për Demokraci, pranoi pa kushte pluralizmin politik në Republikën e Shqipërisë.
Lëvizja Studentore shqiptare lindi si rezultat i një serie protestash studentore e demonstratash, që u përshkallëzuan në një konflikt të hapur me sistemin totalitar e partinë-shtet. Ndërmjet arritjeve të shënuara të kësaj lëvizjeje janë mbajtja e zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri, formulimi i qartë i kërkesave politike që sollën pluralizmin në Shqipëri, galvanizimi i masave të popullit në mbështetje të forcave politike opozitare që lindën më pas, organizimi i grevës së urisë, që çoi në rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës dhe kontributi i jashtëzakonshëm në shmangien e luftës civile, në një moment shumë kritik të tranzicionit të Shqipërisë prej sistemit totalitar.
Sot, pas 21 vitesh, ne jetojmë në një vend të lirë e demokratik dhe për këtë një meritë të padiskutueshme ka Lëvizja Studentore e 8 dhjetorit të vitit 1990, e kryesuar nga lideri i demokracisë, “Nderi i Kombit”, Azem Hajdari, si dhe mijëra studentët e intelektualët që me uraganin studentor përmbysën regjimin më gjakatar që kishte njohur Europa.
8 dhjetori i vitit 1990, kjo datë historike, do të mbetet në memorien e shqiptarëve si prelud i ndryshimit të sistemit shoqëror në Shqipëri, nga komunizmi njëpartiak në demokraci pluraliste.
8 Dhjetor, Ora 10:00
Kryeministri Çarçani shkon pa njoftuar për vizitë tek studentët në Qytetin “Studenti”. Kalimi i tij nga godina 27-28 krijoi ilaritet të madh, pasi baltës nuk i rezistuan as çizmet që Çarçanit ia dërgoi me shpejtësi policia. Në godinën 10-11, ai priti një grup studentësh. Gjysma e sallës ishte mbushur me sampistë. Studentja A.B. iu drejtua Çarçanit me fjalë dhe tone të ashpra. Ajo tha se, “unë nuk mund të lind kurrë fëmijë për ju dhe partinë tuaj…”
Ora 20:30
Kabina elektrike në Qytetin “Studenti” merr flakë. Gjithçka fillon nga e para. Fillojnë parrullat kundër diktaturës, të thirrurat dhe të sharat ndaj qeverisë komuniste dhe thirrjet për të lëvizur të organizuar. Për herë të parë u këndua nga të gjithë kënga: “Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri/ O djem rrëmbeni pushkët/ Ja vdekje, ja liri”! Pastaj u hodhën parrullat: “Poshtë komunizmi” dhe “Komunistët në litar”.
Ora 21:00
Nga godina 20-21 erdhën thirrjet për t’u mbledhur të gjithë. Brenda 10-15 minutave u mblodhën rreth 200-300 studentë, të cilët filluan marshimin drejt drejtorisë. Kur u arrit tek godina 17, u pa se i gjithë trupi pedagogjik i universitetit kishte ardhur i shoqëruar me autoblinda të policisë në përpjekje për të ndërprerë demonstrimin. Meqenëse sheshi para drejtorisë ishte i mbushur plot vetura qeveritare, studentët morën rrugën për në Sheshin që sot quhet “Demokracia”.
Ora 21:00
Në përpjekje për të pasur sa më shumë solidaritet, demonstruesit shkuan drejt godinës 15 për të kërkuar bashkimin e tyre. Ndërkohë, dritat kishin ardhur, por askujt nuk i binte ndërmend për to. Pas godinës 15, studentët shkuan tek godina 14. Aty një moment qetësie u kërkua që dikush të zgjidhej për drejtues. Ishin 6-7 djem të tillë. Si më i vjetri, si i vetmi prind u zgjodh pa asnjë diskutim Azem Hajdari. Pastaj itinerari për solidaritet kaloi godinat 6, 13, 11, 12, 9-10, 7-8, dhe uragani i studentëve mori drejtimin e bulevardit qendror të daljes nga rruga e “Elbasanit”, me synimin për takim me R.Alinë ose demonstrim në Sheshin “Skënderbej”.
Ora 22.00
Në hyrje të lagjes, afër çerdhes, policia kishte vënë postbllok. Aty foli Pirro Kondi. Dikush e goditi me kokrrat e pemës zbukuruese, të tjerët fishkëllyen. Dikush e pyeti Pirron se sekretari i cilës parti ishte.
Ora 24.00
Tek studentët shkon Hekuran Isai, i cili filloi të qeraste studentët me cigare. I bombarduar me pyetje provokuese, ai u acarua së tepërmi më shumë se një herë. Në këtë orë, 14 studentë u nisën për takim me R.Alinë. Delegacionit iu la afat 30 minuta për kthim, ndryshe ata do të ishin të arrestuar.
Ora 01.10, 9 dhjetor
Nisi dita e re. Delegacioni u kthye nga Alia me premtimin se policia nuk do të përdorte forcën me studentët dhe të nesërmen ose do të priste 300 studentë në Qytetin “Studenti”, ose 3000 në Pallatin e Sportit “Partizani”. Ata komunikuan kompromisin, i cili nuk u pranua dhe u vërshëllye nga studentët demonstrues, numri i të cilëve ishte 2000-2500 vetë. Studentët kërkuan të ecin drejt sheshit. 5-6 vajza që ishin dolën përpara demonstruesve. Acarimi arriti kulmin.
Ora 01.20
Hekuran Isai, improvizoi një humbje të pistoletës të një oficeri dhe dha tre herë urdhër: “Bjeruni, bjeruni, pastroni sheshin!”. Njëri nga studentët e kapi nga dy duart Hekuran Isain dhe u kujtoi premtimin e Alisë se s’do të përdorej dhuna. Isai nuk reagoi, atëherë studenti e shtyu dhe e hodhi ministrin e Brendshëm të PPSH në grumbullin e ferrave anash rrugës.
Ora 01.35
Pas demonstrimit të përleshjes, të plagosur, të irrituar, të baltosur dhe me urrejtje të madhe kundër komunistëve, duke thirrur parrulla të ashpra, studentët u kthyen në Sheshin “Demokracia”. U debatua pak, nëse do të vazhdohej natën apo të nesërmen, u la për në orën 7.30 të mëngjesit.
Ora 8.00
Vetëm në atë orë u mblodhën grupet e para. Në godina ishte nxjerrë një njoftim dore për bojkotim mësimi. Megjithëse e dielë, ishte mësim, pasi zëvendësohej një ditë pas festave të nëntorit. Disa studentë i kishin prerë rrugën atyre që shkonin në fakultete dhe u bënin thirrje për solidaritet. Më të pabindurit ishin FSHN dhe Juridiku.
Ora 9.00
Në Qytetin “Studenti” shkon A.H. Djemtë e Inxhinierisë, që i rrinin pranë dhe në një farë mënyre ishin organizatorët e ditës. Ndërkohë, sheshi i mbushur plot mori itinerarin Kinostudio-Filologjik-ambasada amerikane-Sheshi “Skënderbej”. Të gjithë protestonin ndaj R.Alisë që s’mbajti premtimin dhe të gjithë besonin se ishin arrestuar studentë mbrëmjen e parë. Tashmë ishin 5-6 mijë demonstrues. Afër ambasadës amerikane policia i ndau në dysh. Grupi i parë vazhdoi deri afër Liceut. Aty, policia e frymëzuar nga Lenini dhe Stalini që vigjëlonin në muze anash, bllokoi rrugën dhe filloi të merrte masa që studentët të mbeten të izoluar nga qytetarët e Tiranës.
Ora 9.30:12.30
Në Qytetin “Studenti” shkuan dhe ikën të deleguarit e Alisë. Nuk u arrit asnjë kompromis. Studentët tashmë kishin avancuar në kërkesat politike, thirrjet dhe organizim.
Ora 13.10
Pas një vese të hollë shiu, doli dielli. Policia mori urdhër për veprim, katër herë dështuan. Herën e pestë, pas një sprapseje ata u vërsulën fuqishëm mbi studentët. Ishte një masakër e vërtetë. Rreth 20 të arrestuar, 60 të plagosur dhe qindra të tjerë të vrarë në shpirt e në zemër. Për t’i shpëtuar shkopinjve të gomës, u strehuan tek familjarët e lagjes. Gjithçka vazhdoi e tillë në ankthe e pritje, derisa në orën 14.00 shkoi tek studentët Prof. Dr. Sali Berisha, dhe u premtoi atyre se do të bënte të pamundurën se do të lironte studentët e arrestuar. Por atë pasdite do të zgjidhej një komision përgjegjës, i cili kishte mandat për përfaqësimin e mendimeve të studentëve. Policë e ushtarakë u larguan nga Qyteti “Studenti” dhe brenda ditës, dhjetra kujdestarë e punonjës u zëvendësuan me efektiva të 326 ose të Sigurimit të Shtetit.
10 dhjetor ora 9.00:10.00
Studentët u grumbulluan në Sheshin “Demokracia”. U deklarua bojkotimi i mësimit dhe në mënyrë të përgjithshme u përvijuan kërkesat e peticionit që iu dërguan R.Alisë.
72 autoblinda ushtarake të mbushura me studentë të Shkollës së Bashkuar, që mbante emrin e E.Hoxha, me urdhër të Kiço Mustaqit ishin nisur për në rrethinat e Qytetit “Studenti” në pritje për ndërhyrje. Në mesin e rrugës, disa prejt tyre kishin filluar të bërtisnin pro studentëve, shkak që e detyroi atë kolonë të kthehej pas. “Dezertorët” u përjashtuan 10 ditë më pas. Në Qytetin “Studenti” arritën banorët e rinj. Ata ishin studentët e familjeve tiranase dhe punëtorë. Tashmë, sheshi ishte i mbushur për të mos u zbrazur më. Ndërkohë në mikrofonë dhjetra liderë të ardhshëm shprehnin solidaritetin me studentët dhe i jepnin opsione të zgjidhjes. Pasdite filloi një shi i tmerrshëm, megjithatë studentët nuk u larguan. Të detyruar nga kushtet, komisioni i studentëve (deri atë natë u bënë dy komisione) i ftoi studentët në mencën e studentëve 7-1 dhe u dha variantet e takimit me Presidentin Alia. Të gjithë kërkuan dhe ranë dakord për takim me R. Alinë ose në Qytetin “Studenti”, ose me 3000 studentë në Pallatin e Sportit “Partizani”.
11 dhjetor ora 9:00
Filloi mitingu i ditës. Pjesëmarrje e jashtëzakonshme, sepse tashmë Qyteti “Studenti” ishte çliruar nga komunizmi. U komunikua se R.Alia priste një përfaqësi prej 30 vetësh në takim, në mbrëmje. Çdo fakultet do të zgjidhte përfaqësuesin e vet.
Ora 10:00-16:00
Vazhdoi zgjedhja e delegatëve nëpër fakultete.
11 dhjetor ora 18:00
Arriti autobusi dhe në mënyrë madhështore u bë nisja e studentëve dhe pedagogëve për takim me Presidentin komunist Alia.
Ora 20:00
Nëpërmjet RTV u komunikua deklarimi i pluralizmit politik dhe shkarkimet në Byronë Politike të KQPPSH.
Ora 21:00
Delegacioni u kthye me një pritje entuziaste e madhështore. Delegacioni i cilësoi bisedimet të suksesshme dhe u tha se do të formohej opozita e parë. Pati disa propozime për emrin e partisë së re dhe u la për të nesërmen në mitingun e madh të pasdites.
12 dhjetor, ora 9.00
U mbajt mitingu i parë i punëtorëve në Qytetin “Studenti”, ndërkohë që prej darkës së parë në godinën 15 vazhdonte hartimi i dokumentave prezantuese të PD. U mblodhën 365 nënshkrime të domosdoshme për themelimin e një partie, nga të cilët 194 ishin studentë.
Ora 16.00
Në një miting historik madhështor u shpall themelimi i PDSH, si forca e parë opozitare antikomuniste e demokratike dhe u komunikua programi minimal i PDSH.
Arben SHAHINI
Azemi: “Përpara studentëve, diktatura ishte një leckë e dalë boje”
– Si personazh kryesor i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, çfarë është për ju 8 Dhjetori 1990?
8 Dhjetori ’90, jo vetëm për mua, por për të gjithë ne shqiptarët është një nga ditët më të shënuara. Mori fund kapitulli i frikës. Njerëzit janë të vendosur në rrugën e lirisë, këtë rrugë, për fat po e udhëhiqnin studentët. Përpara vizionit të tyre të lirisë, diktatura e PPSH-së ishte vetëm një leckë e dalë boje, siç thotë poeti Migjeni.
8 Dhjetori shënon hapin më progresiv politik të popullit tonë, në gjysmën e dytë të shekullit 20-të, i cili i hap rrugë pluralizmit politik, gjunjëzon mekanizmin e komunizmit si doktrinë dhe si praktikë në Shqipëri.
– Historia e solli që nga një qytetar i thjeshtë, nga një student “rebel”, të ktheheshit në një lider lëvizjeje të fuqishme antikomuniste. Si është përjetuar ky transformim në botën shpirtërore të Azem Hajdarit?
Kjo ka një kuintinitet shpirtëror tek unë. Tash katër breza, ky ideal gatuhet në linjën e gjakut tim. Isha një student i zakonshëm që ushqehesha me lata. Aspiratat e mia të lirisë ishin të pranishme kudo. Dalja ime në krye të Lëvizjes Studentore nuk ishte rastësi. Unë doja që t’i falja jetën Shqipërisë dhe atdheu im ma pranoi. Fati e solli që unë të jem përsëri gjallë dhe alternativa e lirisë të ketë fituar.
Për mua, ky ka qenë një kalim njerëzor në shërbim të njeriut dhe lirisë së tij. Ky ka qenë thjesht një kontribut i imi minimal në shërbim të atdheut.
– Si e shihni pas 5 vjetësh (më 1995) realizimin e idealeve të Dhjetorit?
Shqipëria është ashtu siç deshëm ne në Dhjetor, e integruar në Europë. PD-ja është në Unionin Demokratik Europian. Shqipëria është faktor stabiliteti në rajon. Shqipëria është e angazhuar në strukturat e NATO-s; ajo është ndarë përgjithmonë nga orientalizmi që gjendet vetëm tek opozita shqiptare.
– Jeni kryetar i Komisionit Nismëtar të PD-së, si e shihni sot (më 1995) këtë parti?
PD është kthyer në një parti e fuqishme të modelit perëndimor, që drejtoi një reformë të madhe, e cila do të mbetet në histori. Ajo, sot, është forca më dinjitoze, progresive që ka të drejtën morale për të kërkuar edhe njëherë drejtimin e shoqërisë shqiptare.
– Çfarë mesazhi do t’u dërgonit sot (më 8 Dhjetor 1995) bashkëluftëtarëve të t’u të Dhjetorit ’90?
Të luftojnë përsëri dhe me të njëjtin guxim për fitoren e ardhshme të PD-së.
(Intervistë e liderit të Dhjetorit, dhënë gazetës “RD” më 8 Dhjetor 1995)
Rama kërkon të zgjasë agoninë me të inkriminuarit
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD Bylykbashi deklaroi dje se PD ka dorëzuar që më 17 maj platformën që i jep zgjidhje problemit të zgjedhjeve. “PD ka kërkuar në mënyrë shumë të qartë të kriminalizohet shitblerja e votës, të merren të gjitha masat që kjo të bëhet e pamundur dhe një nga këto masa do të ishte votimi elektronik dhe identifikimi biometrik i zgjedhësve”, tha Bylykbashi.
Megjithësë kanë kaluar 7 muaj nga dorëzimi i platformës së PD përgjigja që ka ardhur nga qeveria ka qenë vetëm zvarritja dhe bllokimi i Reformës Zgjedhore. Qëllimi është i qartë tejkalimi i të gjitha afateve ligjore brenda së cilës ajo duhet të ishte realizuar.
Një pikë tjetër të cilës nuk i jep zgjidhje është dekriminalizimi. Rama nuk i largon kriminelët megjithëse ligji është aty, sepse shpresa e fundit dhe e vetme e tij në zgjedhjet e vitit të ardhshëm janë grabitja e votave përmes të fortëve.
Deklarata e Bylykbashit
Partia Demokratike ka prezantuar që më 17 maj të këtij viti një platformë të plotë për Reformën Zgjedhore. Eshtë një platformë, e cila trajton në mënyrë shteruese të gjitha shqetësimet e rënda konstatuar OSBE-ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias në zgjedhjet e fundit dhe që janë të domosdoshme për t’u trajtuar në mënyrë që zgjedhjet e 2017 të jenë të lira dhe të ndershme. Eshtë një platformë, e cila ka marrë vlerësimin më të mirë dhe më të madh nga partnerët ndërkombëtarë dhe për rrjedhojë, nga 17 maji e deri më sot, po bëhen 7 muaj gjatë të cilave mazhoranca, Edi Rama, kjo qeveri ka sabotuar në mënyrë të qëllimshme procesin e Reformës Zgjedhore vetëm e vetëm që të vijmë në këtë pikë, ku janë dekretuar zgjedhjet, ka filluar procesi i hartimit të listave, procese të tjera zgjedhore dhe asgjë, si asnjëherë më parë, në qeverisjen e Edi Ramës nuk është bërë për Reformën Zgjedhore edhe pse zgjedhjet janë tek porta.
Platforma e Partisë Demokratike ka kërkuar në mënyrë shumë të qartë të kriminalizohet shitblerja e votës, të merren të gjitha masat që kjo të bëhet e pamundur dhe një nga këto masa do të ishte votimi elektronik dhe identifikimi biometrik i zgjedhësve. Pikërisht për të bllokuar këtë, e bllokoi procesin e Reformës Zgjedhore. Kemi kërkuar financim 100% nga burime shtetërore të partive politike dhe fushatës zgjedhore për të hequr korrupsionin zgjedhor që vjen nga paraja e krimit dhe korrupsionit qeveritar. Kemi kërkuar një numër masash të tjera që garantojnë barazinë në media dhe zhdukin problemet që OSBE-ODIHR-i ka konstatuar.
Nëse platforma e paraqitur nga Partia Demokratike nuk merret në shqyrtim urgjentisht pa vonesa të mëtejshme nuk ka asnjë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në 18 qershor të vitit të vjen. Prandaj ne do të insistojmë që kjo platformë të shqyrtohet dhe të trajtohet sa më parë. Të gjitha pretendimet apo propozimet që bëjnë partitë e mazhorancës nuk kanë asnjë lloj synimi për të trajtuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Edi Ramës ia kanë thënë në Berlin, Kancelarja Merkel, ia kanë thënë në Bruksel dhe do vazhdojnë tia thonë edhe këto ditë, dhe ia ka thënë edhe Uashingtoni zyrtar që duhet zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, i cili po bën një vit që është miratuar, dhe ndërkohë kemi Rroshin në detyrë dhe Balilin e emëruar nga kjo qeveri, ende duke mos iu dorëzuar drejtësisë, por mbrohet nga Edi Rama. Këto janë prova që ligji i dekriminalizimit është bllokuar nga Edi Rama. Po kështu, këto qendra të vendimmarrjes botërore i kanë kërkuar Edi Ramës që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk i shpëton dot këtyre kërkesave dhe për rrjedhojë, sa më shumë e zgjat, zgjat edhe agoninë e tij. Shqiptarët patjetër duhet të kenë zgjedhje të lira e të ndershme.
Enton DACI
Si Tahiri kërkon përgjimin masiv të shqiptarëve në internet
Një projektligj i hartuar nga ministrat Tahiri-Harito parashikon një akses të pakufizuar të policisë në të dhënat personale të përdoruesve të internetit dhe llogarive të lidhura me shërbimin e internetit në kompjuter ose telefon.
Ky lloj aksesi ndërhyn menjëherë në llogaritë personale dhe komunikimet që qytetarët kryejnë nëpërmjet aplikacioneve (Facebook, Whatsap, Viber, Gmail, etj) në telefona.
Projekti Tahiri-Harito ka hasur në rezistencën e Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka bërë një raport të detajuar mbi kanosjen e të drejtave të qytetarëve nëse projektligji miratohet.
Hashtag.al e ka siguruar raportin e ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë, e cila gjykon se projektligji ka kaluar pa asnjë konsultim me aktorët e tjerë publikë, ndërsa paralajmëron rrezikun se plani Tahiri-Harito mund ta kthejë Policinë Gjyqësore në një organ me akses të pakufizuar në të dhënat personale të qytetarëve, pa u kontrolluar dhe mbikëqyrur nga institucione të tjera.
Raporti i plotë i Ministrisë së Drejtësisë:
Ligji për komunikimet elektronike, si një pjesë e legjislacionit shqiptar e përafruar me të drejtën e BE-së, nuk mund të shërbejë si bazë ligjore për t’i dhënë organeve policore dhe atyre të inteligjencës të drejtën e aksesit dhe informimit mbi këto të dhëna tejet sensitive (skedarët) pa asnjë garanci procedurale dhe kontroll nga organet e parashikuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni procedural penal, pasi kjo do të sillte një përkeqësim të pariparueshëm të nivelit të ruajtjes së fshehtësisë së komunikimeve dhe të të dhënave personale, për sa kohë që aksesi u jepet organeve ekzekutive të emëruara pa asnjë ndërhyrje nga organet kushtetuese, apo përcaktimit të një regjimi të saktë të kushteve kur dhënia e këtij informacioni do të duhej të ishte e përligjur. Nga ana tjetër, nëse do të duhej një ndërhyrje në legjislacionin që përcakton detyrimet dhe të drejtat e organeve në kuadër të ruajtjes së sigurisë kombëtare apo dhe parandalimit të krimit, do të duhej një diskutim shumë më i gjerë me përfshirjen e të gjitha institucioneve që kanë kompetenca të caktuara në këtë fushë.
Ky projektligj nuk parashtron rregulla të qarta dhe të sakta për përcaktimin e shkallës së ndërhyrjes së Policisë Gjyqësore në ushtrimin e të drejtave themelore të parashikuara në nenet 8 të Konventës dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Si rrjedhim, këto parashikime krijojnë hapësirë për një ndërhyrje të gjerë dhe serioze në këto të drejta themelore brenda rendit juridik, duke mos e kufizuar ndërhyrjen nëpërmjet parashikimeve të qarta që sigurojnë ushtrimin e saj vetëm në ato raste kur paraqitet tejet e nevojshme, apo vetëm për ato vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Këto parashikime nuk vendosin kërkesën për ekzistencën e një lidhjeje midis të dhënave për të cilat kërkohet ruajtja dhe rrezikut që kërcënon sigurine publike, dhe në mënyrë të veçantë nuk e ka kufizuar detyrimin e ruajtjes së të dhënave në lidhje me (i) të dhëna që i përkasin një periudhe të caktuar kohore dhe/ose një zone të caktuar gjeografike, apo ndaj një rrethi të caktuar personash që janë të predispozuar për t’u përfshirë në një mënyrë ose në një tjetër, në një krim të rëndë, ose (ii) në lidhje me persona, ruajtja e të dhënave të të cilëve, për arsye to tjera, mund të kontribuojë në parandalimin, zbulimin ose hetimin e veprave penale të rënda.
Për më tepër, ky projektligj nuk vendos kushte substanciale dhe procedurale lidhur me marrjen e këtyre to dhënave të autoriteteve kompetente kombëtare dhe përpunimin e mëtejshëm të tyre, pasi nuk përcaktohet shprehimisht që përdorimi i mëtejshëm i të dhënave në fjalë, duhet të kufizohet rreptësisht me qëllimin e parandalimit dhe zbulimit të veprave penale të mirëpërcaktuara, nuk përcaktohen procedurat që duhet të ndiqen dhe kushtet që duhet të plotësohen në mënyrë që të sigurohet aksesi në të dhënat e ruajtura në përputhje me kërkesat e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit.
Gjykojmë që duhet të ishin parashikuar llojet e veprave penale për të cilat mund të kërkohen këto të dhëna, pasi në të kundërt gjithë procesi rrezikon të kthehet në abuziv, nisur nga fakti se për çdo dyshim apo të dhënë lidhur me një lloj vepre penale, propozohet të jepet e drejta për të kërkuar këtë information.
Sa më sipër, e gjejmë të paqartë gjithashtu dallimin midis pikës 6 dhe 7 të nenit 3 të projektligjit.
a) Cilat janë ato raste apo vepra penale për të cilat të dhënat kërkohen brenda 24 orëve dhe cilat janë ato vepra penale për të cilat mund të presin deri në 7 ditë për marrjen e të dhënave që ruhen në skedar?
b) Cili është organi që e bën vlerësimin që këto të dhëna janë të ngutshme dhe duhet të jepen brenda 24 orëve?
c) Gjithashtu cili është organi apo autoriteti që e bën vlerësimin e ligjshmërisë së kësaj kërkese paraqitur nga Policia Gjyqësore dhe gjykon nëse është ose jo rasti për marrjen e këtyre të dhënave?
Ndërhyrja në këto të dhëna vetëm me kërkesën e Policisë Gjyqësore, pa patur kurrfarë vlerësimi apo kontrolli nga një autoritet tjetër, mund të përbëjë shkak për abuzim dhe nuk do t’i shërbente qëllimit për të cilin është krijuar kjo normë juridike. E thënë me terma konkretë, në çdo rast, me justifikimin në kuadër të një operacioni apo parandalimin e një vepre penale, Policia Gjyqësore mund t’i kërkojë këto të dhëna nga operatori, i cili nuk ka as kompetencën dhe as kapacitetin e duhur për të bërë vlerësimin që kjo kërkesë është e bazuar në ligj, ose jo.
Për më tepër, zgjerimi i autoriteteve kompetente dhe rrjedhimisht shtimi i numrit të personave të cilët (në pikën 8, përveç Policisë Gjyqësore, shtohen edhe autoritete të tjera) do të merrnin të dhënat personale, do të bënte të vështirë për të mos thënë të pamundur administrimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave sipas standardeve më të larta. Marrja e të dhënave në vijim të nenit 3 të projekt-ligjit do të sillte shumëpak, për të mos thënë aspak ndihmesë në parandalimin e një vepre penale. Gjithashtu, zgjerimi i rrethit të personave për të marrë (në momentin që bëhet ky parashikim në ligj, operatorët telefonikë janë të detyruar t’i japin të dhënat) këto të dhëna do të shtonte mundësinë për keqpërdorimin e tyre, veçanërisht kur mungon një mekanizëm procedural kontrolli.
Në përfundim, duke qene se ky projektligj prek një çështje sensitive, siç është ajo e lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës, garantuar në nenin 36 të Kushtetutës, nuk rezulton nga përmbajtja e relacionit t’i jetë nënshtruar një procesi konsultimit të gjerë me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit, në zbatim edhe të Ligjit Nr. 146, datë 30.10.2014, “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.
Në vijim të argumenteve të parashtruar më sipër, vlerësojmë se nuk mund të shprehemi mbi përmbajtjen e dispozitave konkrete të projektaktit.
Përfundimisht: Nga shqyrtimi në tërësi i projektaktit, sugjerojmë rivlerësimin e nismës për sa i përket nenit 3 të projektligjit, në përputhje me rendin juridik të brendshëm dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në mënyrë që të ruhet proporcionaliteti midis mbrojtjes së të drejtave individuate, ruajtjes së rendit publik dhe shkallës së ndërhyrjes në privatësinë e korrespondencës së individëve.
“Hashtag.al”
PD hap dyert nesër për të gjithë demokratët
“Jeni të gjithë të mirëpritur në ditën e lindjes së pluralizmit dhe Partisë Demokratike”, ky është mesazhi që Kryetari i PD Basha ka shpërndarë përmes rrjeteve sociale për të gjithë demokratët. Basha ka menduar një mënyrë të veçantë për të kujtuar krijimin e të parës parti opozitare në Shqipëri që shkatërroi diktaturën komuniste. Ceremonia nuk do të zhvillohet në sallat luksoze, por në shtëpinë e të gjithë demokratëve që është selia e PD në Tiranë. Askush nuk do të jetë i përjashtuar për të marrë pjesë në këtë ceremony. Të pranishmit do të kenë mundësi që të vizitojnë zyrat e punës në selinë e PD dhe të gjitha ambjentet ku zhvillohet vendimmarrja e më të madhes parti opozitare në vend.