21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Dekriminalizimi, droga e zgjedhjet në draftin e BE

Shtetet anëtare konsiderojnë se Shqipëria duhet të përmbushë 8 kritere para hapjes së negociatave të anëtarësimit. Kjo reflektohet në draft-konkluzionet e 28 ambasadorëve të përhershëm të BE-së, ku përveç përmbushjes së 5 kritereve kyçe nga KE-ja, shtetet anëtare kanë shtuar edhe kriterin për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare dhe marrëdhënie të mirë me fqinjët.
Shtetet anëtare sfidojnë qeverinë shqiptare dhe Komisionin Europian. Shqipëria ka më shumë se 5 kritere për të përmbushur për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE. Ky është qëndrimi i 28 shteteve anëtare i reflektuar në tekstin e draft-konkluzioneve të ambasadorëve të përhershëm të BE-së, që do të diskutohet nga ministrat e Jashtëm të BE-së në 13 dhjetor. Në versionin provizor të draft-konkluzioneve thuhet, se para hapjes së negociatave të anëtarësimit, duhet siguruar zbatimi gjithpërfshirës dhe i qëndrueshëm i pesë prioriteteve kyçe.
1. Së pari, Këshilli i Ministrave të BE-së i kërkon Shqipërisë zbatimin e Reformës së Drejtësisë për rritjen e profesionalizmit, pavarësisë dhe efiçencës së këtij sistemi, përfshirë gjykatat dhe ligjin e vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve. Vlerësohet drejtimi pozitiv për krijimin e një gjurme provash në hetimet, ndjekjet dhe dënimet përfundimtare, po kërkohen rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.
2. Këshilli i kërkon Shqipërisë të intensifikojë përpjekjet dhe arritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, të sigurohen arritje në shkatërrimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe të trajtohen problemet e prodhimit dhe trafikut të drogës. Për Këshillin, numri i ulët i dënimeve për raste e krimit të organizuar, përfshirë rastet e pastrimit të parave dhe trafikut të qenieve njerëzore mbetet një çështje për t’u trajtuar përmes masave si bashkëpunimi i zyrës së Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit. Këshilli sheh progres në luftën kundër radikalizimit dhe ekstremizmit.
3. Këshilli nënvizon rëndësinë e forcimit të masave për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të politikave antidiskriminuese, duke përfshirë trajtim të njëjtë për të gjitha minoritetet dhe aksesin e personave që i përkasin këtyre minoriteteve në gjithë Shqipërinë, si dhe zbatimin e plotë të ligjit të pronave. Në këtë kontekst, Shqipëria duhet të trajtojë boshllëqet në aspektin ligjor.
4. Këshilli mirëpret miratimin e ligjit për pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur, të emëruar apo që ushtrojnë poste publike dhe ndryshimet kushtetuese lidhur me këtë. Zbatimi i kësaj kornize që mundëson përjashtimin e personave të inkriminuar nga postet publike është kyçe për rritjen e besimit të qytetarëve të përfaqësuesit politikë apo institucionet publike.
5. Këshilli konsideron se Shqipëria duhet të përforcojë përpjekjet për të luftuar ekonominë informale për forcimin e klimës së biznesit dhe investimeve dhe të ndjekë në mënyrë rigoroze konsolidimin fiskal.
6. Këshilli konsideron, se dialogu midis qeverisë dhe opozitës për reformat e integrimit mbetet kyç për avancimin e vendit në integrimin europian. Një rëndësi të veçantë ka gjithashtu finalizimi i reformës elektorale, duke përmbushur rekomandimet e OSBE/ODHIR mjaftueshëm para zgjedhjeve parlamentare, në mënyrë që të sigurohen zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare.
7. Këshilli mirëpret qasjen konstruktive në politikën rajonale të Shqipërisë dhe thekson rëndësinë e sigurimit të fqinjësisë së mirë, që mbetet thelbësore. Aksione dhe deklaratat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet bilaterale duhen të evitohen.

PD: Rama e shpërbleu Lul Berishën për manipulimin e zgjedhjeve

Kryetari i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha dje se lirimi i Lulzim Berishës nga burgu, ka prapavijë politike. Sipas tij, pas këtij akti qëndron vetë Edi Rama. Sipas tij, heshtja e Ramës për këtë akt është një përkrahje e qartë për bandën e Durrësit. “Lirimi nga burgu i Lulzim Berishës është një zhvillim i rëndë, një hapësirë më shumë që merr krimi në kurriz të ligjit dhe rendit. Nuk ka asnjë dyshim, se pas kësaj qëndron Edi Rama, i cili jo vetëm nuk zbaton ligjin për dekriminalizimin, jo vetëm nuk bën asnjë përpjekje për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, jo vetëm nuk lufton drogën dhe kartelet e saj, por krejt në të kundërt me këto kërkesa të shqiptarëve, të ndërkombëtarëve, i ofron lirinë Lulzim Berishës, i njohur botërisht si kreu i bandës së Durrësit. Një bandë tashmë e provuar për krimet e shumta, për vrasjet, për trafikun e lëndëve narkotike, dhe për angazhimin serioz në krah të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës në zgjedhjet e fundit, duke kërcënuar qytetarët e dhunuar votën. Edi Rama ka bërtitur me të madhe kundër gjykatësve për gjëra shpesh edhe banale, ose për vendime që nuk i kanë pëlqyer, që kanë qenë kundër interesit të tij, por nuk thotë asnjë fjalë për lirimin e Lulzim Berishës, kreu i bandës famëkeqe të Durrësit. Pse hesht Edi Rama? Pse drejtësia qenka në rregull, kur lirohet banditi i tij që i siguron vota në Durrës, duke dhunuar qytetarët? Këto janë dy standardet e tij. Kjo është në fakt drejtësia që kërkon Edi Rama. Ta ketë nën kontroll, ta urdhërojë, të jetë nën shërbimin e tij, për interesat e tij, për banditët e tij”, tha Alibeaj.

“Droga”, Prokuroria, hetim pronave të Klement Balilit

Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistron dy procedime penale ndaj Klement Balilit, i cili akuzohet për trafik droge drejt vendeve të BE. Burimet nga Prokuroria bënë të ditur se, krahas procedimit penal për veprat e grupit të strukturuar kriminal dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, është regjistruar edhe një hetim i dytë sipas ligjit Antimafia për pasuritë e “Eskobarit të Ballkanit”, i shpallur në kërkim. Aktualisht prokurorët e Task Forcës pranë Krimeve të Rënda po identifikojnë pasuritë e Klement Balilit dhe llogaritë e tij bankare për t’ju drejtuar më pas Gjykatës me kërkesën për sekuestro konservative deri në përfundim të hetimeve ndaj tij.
Klement Balili është pronar i kompleksit turistik “Santa Quaranta”. Ky kompleks është ndër më luksozët dhe më modernët në bregdetin e Sarandës dhe më gjerë. Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës. Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë. Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës. Bëhet e ditur se Balili zotëron edhe prona të paluajtshme si, apartamente dhe truall toke. Klement Balili ishte emëruar drejtor i Transportit në qytetin bregdetar të Sarandë, ndonëse në 2006, ishte arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të një aksioni antidrogë.
Balili akuzohet zyrtarisht për veprën penale, trafikim të lëndëve narkotike në vendet e BE-së së bashku edhe me disa persona të tjerë shqiptarë të arrestuar më herët. Në dosjen greke thuhet se, ka dyshime se 46-vjeçari ka ndryshuar identitet. Sipas hetuesve grekë, ai fshihet në zonën e Sarandës, duke pasur edhe mbrojtjen e policisë lokale. Për ta forcuar këtë akuzë, prokurorët grekë kanë shkruar në dosje se të dielën e 16 tetorit 2016, Balili kishte kaluar drejt shtetit maqedonas nëpërmjet pikës kufitare të Tushemishtit, me kartë identiteti të ndryshuar, ndërkohë që ishte kthyer po atë ditë në mbrëmje në vendlindje.
Përveç kërkesës për arrestim ndaj Balilit, në fillim të muajit nëntor mbërritën në Tiranë edhe 2 prokurorë grekë, të cilët kanë kërkuar intensifikimin e hetimeve pasurore për familjarët e 46-vjeçarit që jetojnë në disa vende të BE, si Itali e Gjermani. Prej 6 muajsh, Klement Balili është shpallur në kërkim për trafik tonelatash droge drejt Bashkimit Europian dhe për këtë arsye ka edhe një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij konkretisht nga Interpoli.
Organizata ndërkombëtare e drogës e drejtuar nga shqiptari qarkullon miliona euro, saqë mediat greke flasin se, “Baroni” ka aq para sa të paguajë borxhin e Greqisë. Droga e kësaj organizate shitej në Ballkan për 2500 euro një kilogramë, ndërsa në shtetet Nordike 1 kg kanabis kapte shifrat e 17 mijë eurove. 700 kg kanabis që u kap para pak kohësh në Zakyntho të Greqisë ishte destinuar për t’u shitur në Norvegji.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se ka angazhuar 3 prokurorë, të cilët do të merren me ndjekjen e hetimeve si dhe procedurat e kërkimit të Balilit nga drejtësia shqiptare. Burime nga akuza sqaruan se, Balili tashmë është shpallur në kërkim për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda me një mandat arresti të dhënë në mungesë ndaj tij nga pala greke, mandat ky i vlefshëm për territorin shqiptar. Në rast prangosje në Shqipëri, Balili do të gjykohet nga drejtësia shqiptare, pasi ekstradimi i tij është i pamundur në mungesë të marrëveshjes së ekstradimit ndërmjet dy vendeve.
Të njëjta burime sqaruan se sëbashku me dosjen hetimore të Balilit, kanë mbërritur dhe të dhëna për pjesëtarët e dyshuar të grupit dhe sipas hetimeve të kryera nga pala greke rezulton se në këtë rrjet të trafikut të drogës ishin përfshirë 25 persona, shqiptarë, grekë, bullgarë, italianë, serbë dhe maqedonas. Sipas organit të akuzës, për arrestimin e Balilit është angazhuar sektori i operacionaleve në Policinë e Shtetit, të cilët prej muajit maj të këtij viti ka kryer me dhjetëra operacione, por pa mundur të finalizojë me kapjen e ish-zyrtarit të Transporteve të Sarandës.

Nishani-Szyd: Shembull nga Polonia për dekomunistizimin

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje, në një takim të veçantë, Kryeministren e Republikës së Polonisë, Beata Szyd?o, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti Nishani përshëndeti vizitën e Kryeministres polake në Shqipëri dhe e konsideroi këtë vizitë si një shprehje shumë domethënëse të marrëdhënieve tradicionalisht shumë të mira e miqësore mes dy vendeve. Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu prezencën e grupit të biznesit në delegacionin e Kryeministres së Polonisë dhe shprehu besimin se kjo vizitë do t’i japë një impuls të ri marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në aspektin ekonomik.
Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen, miqësinë dhe partneritetin që Polonia i ka ofruar Shqipërisë, si në kuadrin e anëtarësimit në NATO ashtu edhe përgjatë gjithë procesit të integrimit evropian, duke shprehur besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen. Presidenti Nishani e siguroi Kryeministren Syzd?o se Shqipëria dhe institucionet e saj janë të vendosura për të vijuar në rrugën e reformave dhe përmbushur të gjitha standardet dhe kriteret që në afat-shkurtër do të mundësojnë hapjen e negociatave të aderimit në Union në një të ardhme të afërt. “Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet objektimi ynë strategjik dhe më madhor” – u shpreh Presidenti Nishani.
Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, Presidenti i Republikës theksoi nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjithë sektorët që tashmë janë identifikuar nga ekspertët e të dy vendeve, ku bashkëpunimi në fushën ekonomike, të bujqësisë, turizmit, kulturës, arsimit, mbrojtjes e të tjera, duhet të shihen me shumë prioritet. Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu me shumë interes për institucionet shqiptare edhe eksperiencën polake për dekomunistizimin e vendit, përmes dënimit të krimeve të komunizmit dhe të ideologjisë përkatëse në mënyrë institucionale, duke nxitur bashkëpunimin e institucioneve të të dy vendeve edhe në këtë aspekt.
President Nishani evidentoi rëndësinë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit rajonal si dhe politikën e konsoliduar të fqinjësisë së mirë, duke vlerësuar gjithashtu kontributin e Polonisë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe theksuar se: “pavarësisht se që nga pavarësia e Kosovës rajoni ka zhvillime shumë pozitive drejt bashkëpunimit dhe pajtimit dhe të pakrahasueshme me të shkuarën, ende paqja dhe stabiliteti janë të kërcënuara nga faktorë të tjerë jashtë rajonit”. Të dy bashkëbiseduesit theksuan nevojën e bashkëpunimit për çështjet e sigurisë që shqetësojnë si rajonin e Ballkanit Perëndimor ashtu edhe në tërësi të hapësirës evropiane, ku dy vendet bëjnë pjesë.

Drejtori i Arsimit Lezhë, kërcënon mësuesit me votat

Ish-kryeministri Sali Berisha me anë të një postimi në Facebook, denoncon rekrutimin me dhunë dhe kërcënime me vendin të arsimtarëve në Lezhë. Në adresën e tij në Facebook, zotit Berisha i ka ardhur një mesazh, nga një qytetar i Lezhës, ku tregon për një mbledhje që drejtori i Arsimit të këtij qyteti ka zhvilluar me mësuesit atje. Sipas tij në rast se nuk do të angazhoheshin në fushatën zgjedhore për PS-në në zgjedhjet e ardhshme, atëherë do të jenë të detyruar të lëshojnë vendet e punës. Më poshtë postimi i plotë i ish-kryeministrit.
“Mësuesi dixhital denoncon: Anëtarësimin e arsimtarëve në PS me kërcënim për humbje të vendit të punës. Ky është fundi i një bande që ndjen katastrofën elektorale që e pret “Përshëndetje zoti Berisha! Dua tju bëj me dije se ditën e mërkurë ora 13:00 drejtori i Arsimit Lezhë ka zhvilluar një mbledhje me mësuesit dhe mësueset e gjimnazit të Lezhës dhe qëllimi i mbledhjes ishte që të lajmëroheshin se shumë shpejt ata mësues që janë definitiv do të kalojnë me kontratë. Por ka dhe një rrugë tjeter siç pohoi drejtori i Arsimit. Mobilizimi për t’u anëtarësuar në PS e për t’u bërë pjesë e fushatës elektorale të Partisë Socialiste që shkurt do të thotë të sigurojnë vota për partinë e Edvinit. Jam shumë i indinjuar nga ky drejtor që po kërcënon bukën e familjes sime, sepse kam bashkëshorten tek gjimnazi në Lezhë mësuese. Ju lutem denoncojeni, sepse kam besim tek zëri juaj doktor Berisha”.

Mashtruesi Balla mohon sërish dënimin nga gjykata

Në lidhje me këtë kërkesë, Ristani ka vënë në dijeni deputetin rilindas Taulant Balla, duke i kujtuar dhe një herë se ai nuk ka tagrin të thërrasë për të dëshmuar ish-kryeministrin, përderisa rezulton debitor ndaj tij. Tualanti, (i cili mashtrimin e ka parim të punës së tij) e ka mohuar këtë fakt, madje është ndjerë dhe i revoltuar, sikur vendimin ta kish dhënë Ristani dhe jo Gjykata e Apelit. Sërish si në mbledhjen e 23 nëntorit ka këmbëngulur se nuk ka qenë i dënuar nga Gjykata. “Ju jeni shpifarak i dënuar nga Gjykata, i konfirmuar me vendim gjyqësor. Gënjyet javën tjetër se s’ka një dënim të tillë, gënjyet edhe sot kur thatë se këtë e ka në dorë Gjykata. Jeni dënuar si shpifës me vendim gjyqësor. Dhe kjo është e mbyllur”, u shpreh Ristani. Seanca u mbyll, dhe u lajmërua data 12 për thirrjen e seancës tjetër, ku trimi Balla vazhdoi dhe një herë si herën e kaluar monologun për sjelljen me forcë të dëshmitarëve në seancë. Nga ana tjetër do të ishte deputeti Bode, ai që do i kujtonte Ballës, se qëndrimet e tij nuk janë të bazuara në fakte dhe prova. “Qëndrimet ndaj Berishës dhe familjes së tij nuk bazohen në prova apo fakte, por në pasionin tënd për ta sulmuar. I keni të gjitha bateritë kundër Sali Berishës”, tha Bode.

Mjekët sërish në protestë kundër koncesionit të laboratorëve

Mjekët dhe laborantët e laboratorit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë dalë sërish në protestë dje. Ata kundërshtojnë dhënien me koncesion të shërbimit laboratorik.
Punonjësit e mjekësisë laboratorike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë kundërshtojnë vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të dhënë me koncesion këtë shërbim.
Për teknikët dhe laborantët do të vendosë koncesionari dhe sipas tyre rreth 700 persona mund të dalin në rrugë. Monopolizimi sipas tyre shton pasigurinë në analiza dhe vendos në pikëpyetje diagnozën. Laborantët dhe teknikët kanë edhe një sugjerim.
Bashkë me punonjësit e mjekësisë laboratorike në protestë kishin dalë edhe studentë, të cilët janë të paqartë se çdo të ndodhë me arsimimin e tyre dhe praktikat mësimore nëse shërbimi laboratorik jepet me koncesion.
Tre ditë më parë mjekët dhe laborantët u hodhën në protestë njëkohësisht në 18 spitale publike të vendit, duke i kërkuar ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të tërhiqet nga dhënia me koncesion e laboratorëve. Mjekët dhe laborantët thanë se, po shkatërrohet një shërbim i mirëfilltë shëndetësor, duke u dhënë me koncension. Frika më e madhe për profesionistët e shëndetësisë është humbja e vendit të punës pas dhënies së laboratorëve privatit. Reagimi i laborantëve vjen vetëm pak ditë, pasi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqiti në Kuvend draftin për dhënien me koncesion 10-vjeçar të laboratorëve të 5 spitaleve terciare, 11 spitaleve rajonale dhe dy spitaleve bashkiake.
Për koncesionin e radhës sipas modelit PPP, Ministria e Shëndetësisë do t’i paguajë partnerit publik privat 800 milionë lekë të reja në vit, nga 600 milionë që shpenzon aktualisht nga buxheti i saj. Me paratë e shtetit, koncesionari premton të realizojë 160 lloje analizash kundrejt 96 të tilla që kryhen sot në QSUT, referuar kjo deklaratës së ministrit Beqaj bërë në Komisionin e Shëndetësisë. Mjekët dhe laborantët lajmëruan protesta të përditshme deri në anulimin nga ministri të procedurës së nisur.

Gomonia me 7.6 kuintalë drogë nga Shqipëria bllokohet në Leçe

Një gomone me ngarkesë prej 761 kg kanabis sativa e nisur nga brigjet shqiptare është kapur nga policia italiane në Leçe. Bëhet e ditur se, Guarda di Finanza nga Bari dhe nga Leçe u sinjalizuan për një gomone të ngarkuar me drogë dhe u vunë në kërkim të mjetit lundrues.
Pas ndjekjes, skafi 8 metra i gjatë me ngarkesën e kanabisit u ndalua 10 milje larg Sant Andreas në Leçe. Policia arrestoi 29-vjeçarin me iniciale E.M nga Vlora dhe një shtetas italian. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Policia bëri të ditur se ka asistuar në operacionin antidrogë. “Pas sinjalizimit nga Policia e Shtetit nëpërmjet Zyrës Interforcë dhe Nuklit detar në Durrës të Guardia di Finanza, reparteve operative të Guardia Di Financës në Bari dhe Leçe iu deshën rreth 3 orë për ta interceptuar mjetin lundrues të ngarkuar me lëndë narkotike, i cili u kap 10 milje afër Sant Andreas në Leçe”, bën të ditur policia shqiptare.
Një javë më parë u sekuestrua 1 ton marijuanë në Katania. Droga, e cila nëse do të hidhej në treg do të jepte një fitim prej më shumë se 3 milionë eurosh vinte nga Shqipëria. Policia italiane ka bërë të ditur për mediat, se kjo është sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar brenda vitit 2016 në Siçili. Ndërsa para dhjetë ditësh, Policia italiane sekuestroi në Bari një gomone me 1.6 ton marijuanë dhe arrestoi tre skafistët, dy prej tyre nga Vlora. Mediat italiane raportuan se, Guardia di Finanza zbuloi një gomone 10 metra të gjatë, që udhëtonte në brigjet mes Monopoli dhe Mola.

“Avioni” në Ishëm, Ministria e Mbrojtjes refuzon Prokurorinë

Ministria e Mbrojtjes ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të marrë në ruajtje avionin e drogës “Pieper”, i cili u rrëzua pak kohë më parë në Ishëm. Bëhet e ditur se, rrëzimi i avionit në Ishëm, që drejtohej nga piloti italian Guido Guidi, ka shkaktuar përplasje qëndrimesh mes Prokurorisë dhe ushtrisë. Bëhet e ditur se organi i akuzës ka kërkuar lëvizjen e avionit të rrëzuar në afërsi të fshatit Gotull. Në pretendimet e saj Shtabi i FA-ve pohon se avioni, i cili dyshohet se përdorej për transport të lëndëve narkotike, nuk mund të lëvizë, pasi mungon personeli teknik për çmontimin e tij.
Sakaq, ushtria thekson ndër të tjera se lëvizja e avionit mund të bëhet vetëm me kamion “Iveco” dhe vetëm kur moti të jetë i mirë. “Duhet të çmontohen krahët dhe bishti i avionit”, shprehet në qëndrimin e saj Shtabi i FA-ve.
Avioni ‘Piper Pa-32 Saratoga’ që ngeci në grykëderdhjen e Ishmit rreth 3 muaj më parë drejtohej nga piloti italian Guido Andrea Guidi, i cili sipas burimeve të pakonfirmuara thuhet se kishte pranuar një kontratë prej 20 mijë euro për të transportuar 200 kg marijuanë. Por në avion ishte ngarkuar më shumë drogë dhe si pasojë ai u rrëzua gjatë ngjitjes në fluturim.

200 kg drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi

Tre raste të trafikut të drogës nga Shqipëria janë goditur nga policia greke ditën e djeshme gjatë kontrolleve në kufirin me Shqipërinë. Në Janinë janë ndaluar dy automjete, në fshatin Kallpaq, ku nga kontrollet në njërin prej tyre u gjetën 104 kg 350 gramë marijuanë. Droga u gjet e fshehur në mjetin e parkuar, ndërsa mjeti tjetër, sipas policisë greke, shërbente për kontrollin e rrugës.
Sakaq, në pranga janë vënë 5 persona, 2 shqiptarë burrë e grua 26 dhe 21 vjeç, dhe tre shtetas grekë (dy femra 20 dhe 33 vjeç, dhe një burrë 33 vjeç). Nga kontrolli i ushtruar, atyre iu sekuestrua dhe një pistoletë. Droga ishte marrë në kufirin e gjelbërt shqiptaro-grek.
Në një tjetër kontroll të ushtruar në fshatin Ambelona të Filatit, në Igumenicë, u kapën nga policia dy shqiptarë teksa kalonin me këmbë kufirin, duke transportuar 4 çanta me 87 kg marijuanë. Policia greke arrestoi dy shqiptarët të moshës 30 dhe 34 vjeç, dhe sekuestroi lëndën narkotike. Ndërkaq, në Kristalopigi, po në Igumenicë, u kapen duke ecur në këmbë 4 shtetas shqiptarë 21, 22, 27, dhe 27 vjeç duke transportuar një çantë me 2 kg 120 gram marijuanë.

Shqiptari kapet në portin e Ankonës me 91 kg drogë
Punonjësit e Policisë Financiare kanë sekuestruar 90 kg marijuanë në portin e Ankonës. Mediat italiane raportojnë se droga ishte fshehur në bordin e një kamioni që kishte zbarkuar në Itali, ndërsa lënda narkotike vinte nga Shqipëria. Ndërkohë, në pranga ra drejtuesi i kamionit që transportonte rroba, një shqiptar, identiteti i të cilit nuk dihet ende. Mësohet se droga ishte fshehur në rimorkio, në 4 çanta, ndërsa ishte ndarë në 94 pako, e sipër tyre ishin vendosur rroba, të cilat kishin destinacion pjesën veriore të Italisë.
Ndërkohë, policia italiane ka arrestuar dje tre shqiptarë, të cilët akuzohen për trafik droge. “Ansa.it’ shkruan se shqiptarët, të moshave 34 dhe 37 vjeç konsideroheshin si “njerëzit e fortë” të drogës në zonën e Ternit.
Të njëjtat burime theksojnë se, ndonëse ata ishin dëbuar nga Italia, ata ishin rikthyer sërish në këtë zonë, ku jetonin në një shtëpi-fermë, mes Ternit dhe Spoleto-s. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, trafikantëve iu gjetën 20 gram kokainë, e më pas pranë një stalle derrash u gjetën edhe 60 gr të tjera kokainë.
Po ashtu, mësohet se një prej të arrestuarve ishte përfshirë më herët në një përplasje me armë në qendër të Ternit, pas konflikteve për kontrollin e shitjes së kokainës.