21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Kapet në Port kamioni me 30 kg heroinë gati për t’u nisur në Itali

Në një kamiom që do të nisej drejt Barit janë gjetur 52 pako heroinë, me peshë totale 30 kg është bllokuar në Portin e Durrësit. Kamioni tip SCANIA me targa AA 618 JR dhe rimorkio ADR 186, me drejtues shtetasin Aurel Kryemadhi 45 vjeç u ndalua nga shërbimet e Policisë që kanë dyshuar se në brendësi të mjetit mund të kishte lëndë narkotike. Menjëhere shërbimet e Policisë e kanë shoqëruar kamionin për tek Skaneri ku ka rezultuar se në tavanin e karrocerisë kishte disa  pako.
Hetimet për 30 kilogramë heroinë që u e gjet e fshehur në kamionin me dru janë zgjedhur, janë pasuar me detaje të reja. Mësohet se nga hetimet paraprake, në polici kanë përfunduar edhe 4 persona të tjerë, mes tyre edhe pronari i firmës së druve të zjarrit. Sipas policisë, këta persona kanë dijeni për drogën dhe prandaj janë ndaluar.
Nga ana tjetër, shoferi është shprehur se nuk kishte asnjë dijeni për drogën që kishte në kamion. Ai mësohet se është shprehur se ka marrë mjetin dhe është nisur për në destinacionin që kishte, duke mos e pranuar se po transportonte drogë. Por policia thotë se ai ka pasur dijeni për drogën, që ka origjinën në Turqi dhe do të përfundonte në Itali.

Skandal, gjykohet viktima, lihen të lirë agresorët

Stafi i emisionit investigativ “Stop”, në Televizionin “Klan”, ka udhëtuar drejt qytetit të Laçit, aty ku në 3 dhjetor 2015, Markeljan Stojani mbeti i plagosur në një pikë servisi. Ai u godit me mjete të forta, por edhe me pistoletë në njërën këmbë. Stojani nuk e mban mend se kush e ka dërguar në spital, por di vetëm që pas dy ditësh, në kushte të rënduara, policia e ka marrë në pyetje dhe më pas e ka dërguar në burg. Pasi doli nga burgu, atij iu vu masa “arrest shtëpie”, ndërsa 3 personat që e plagosën u lanë të lirë.
Për “Stop”, Markeljan Stojani tregon se ditën e parë ka qenë i pamundur të dëshmojë dhe nuk e ka idenë se për çfarë kanë shkruar oficerët e Policisë Gjyqësore. Ndërsa kur ai ka deklaruar gjithçka, kjo nuk është marrë parasysh. Pas seancave gjyqësore maratonë, ku paraqitet vetëm Stojani, ky i fundit po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa vetëm njëri nga agresorët po përballet me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe dy të tjerët janë hequr nga hetimet.
Markeljan Stojani: Mbrëmjen e 3 dhjetorit, duke kaluar pranë servisit u afrua një makinë “Audi” ngjyrë gri me targa NA 908 FF. Zbresin tre persona. Ervisjon Lleshaj që ishte me armë në dorë, vëllai i tij Elson Lleshaj dhe djali i xhaxhait të tij me dru në dorë. Dy persona më godisnin me levë dhe dru dhe Ervisjon gjuan me armë zjarri dhe më pas jam shtrirë në tokë, nuk mbaj mend asnjë gjë.
Gazetarja: Kush të dërgoi në Spitalin e Tiranës?
Marigleni: Në letra thuhet se më çoi Hasan Derica.
Gazetarja: Mban mend gjë ti, të të ketë dërguar ky zotëria?
Markeljani: Nuk mbaj mend asnjë gjë.
Markeljani u plagos tek gjuri, por çfarë ndodhi më pas?
Në momentin që Markeljani ishte në gjendje kome dhe i shtruar tek Spitali Ushtarak, pas dy ditësh shkon policia në spital dhe kur e pyet, ai u thotë që nuk mbante mend asgjë. Menjëherë pas kësaj, policia dhe Prokuroria e Laçit e padit për moskallëzim krimi.
Gazetarja: Ka një kallëzim ndaj teje për moskallëzim krimi? Është e vërtetë që ti nuk e ke kallëzuar krimin?
Markeljan Stojani: Nuk është e vërtetë, pasi unë nuk kam qenë në gjendje të flas. Ata më kanë marrë në pyetje në spital dhe më pas më kanë çuar në burg. Unë kam dalë nga burgu në fund të dhjetorit, pas tre muajsh më kanë marrë në pyetje përsëri dhe kam thënë të njëjtën gjë në deklaratë. Ekspertiza ligjore e ka nxjerrë plagosje të lehtë, 9 ditorshe, ndërkohë që unë jam akoma me hekura në këmbë.
Gazetarja: Ti ke që dhjetor të 2015 dhe deri më sot, që jemi në shtator të 2016, të kanë marrë në pyetje? Çfarë është bërë?
Markeljan Stojani: Pas tre muajsh e kam thënë deklaratën time.
Gazetarja: Çfarë është bërë me këta persona?
Markeljan Stojani: Vetë Ervisjoni është në kërkim, ndërsa Elsoni dhe Ervini nuk janë të përfshirë. Prokuroria i ka hequr ata të dy nga hetimi dhe ka shpallur në kërkim vetëm Ervisjonin dhe akuzohet për armëmbajtje pa leje. Unë jam i dëmtuar dhe po vuaj arrest shtëpie. Unë kërkoj drejtësi.
Në muajin tetor, Markeljanit i hiqet masa “arrest shtëpie”, por historia nuk mbaron këtu. Prokurori Arben Nika e akuzon Ervisjon Lleshin vetëm për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që duhet të akuzohet për plagosje të rëndë me dashje.
Gazetarja: Si është gjendja jote pas një viti?
Markeljan Stojani: Jam akoma me hekura, dhe këmba më dhemb akoma shumë.
Gazetarja e “Stop”, së bashku me Markeljanin udhëtojnë drejt spitalit për të pyetur doktorin se në çfarë gjendje është këmba e tij, pasi ekspertët e kanë cilësuar vetëm plagosje e lehtë dhe ka nevojë vetëm për 9 ditë që të shërohet. Por mjeku në spitalin e Kurbinit, edhe pas një viti shprehet se ai ka ende nevojë për kurim, pasi plaga ka rrjedhje dhe nuk është mbyllur akoma nga plagosja me armë zjarri.

Vritet me armë zjarri 55-vjeçari në Përmet

Një krim ka ndodhur në orët e natës, ku një person është vrarë me armë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Mbrezhdan të Këlcyrës në Përmet. Kanë qenë banorët që kanë gjetur trupin e pajetë të personit, ende i paidentifikuar. Trupi i tij është gjetur në një stallë bagëtish në vendin e njohur si fusha e Grabovës. Pranë trupit u gjet edhe një armë tip kallshnikov. 55-vjeçari Moisi Karaj, sipas policisë, ishte një i emigrant i sapokthyer nga Greqia. Sipas policisë dyshimet e para flasin për një vetëvrasje. Megjithatë kjo ngjarje vazhdon të hetohet deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe të shkaqeve të saj.

Të shtëna me kallashnikov në drejtim të një palestre në Burrel
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar rreth orës 13:25 të ditës së djeshme në lagjen “Pjetër Budi” në qytetin e Burrelit. Disa të rinj kanë qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të bordurës së tarracës së një palestre, në pronësi të B.S. Sipas policisë, shkaku i këtij veprimi nuk ka lidhje me pronarin e palestrës, por dyshohet për një konflikt për motive banale të djalit të tij gjimnazist me disa bashkëmoshatarë.
Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar apo dëme materiale, pasi është qëlluar në drejtim të tarracës së godinës. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe për kapjen e 5 të rinjve si të përfshirë në këtë ngjarje.

Shoqata e Gjyqtarëve: Policia nuk procedoi vrasësin e gruas në Fier

Pas ngjarjes së Fierit që tronditi opinionin publik, kur bashkëshorti dhunoi dhe hodhi gruan e tij të zhveshur nga dritarja e pallatit, ka reaguar Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve. Shoqata është shprehur se, për këto ngjarje faji nuk i duhet drejtuar vetëm gjyqësorit, pasi përgjegjësinë kryesore e ka policia që nuk e procedoi vrasësin. Në një deklaratë për mediat, Shoqata e Gjyqtarëve ngre disa pyetje në lidhje me rastet e dhunës në familje: “Pse nuk janë siguruar qendra sociale për strehimin e viktimave nga ministritë e linjës, pse Policia e Shtetit nuk kryen detyrën e saj, duke filluar procedimin penal ndaj autorit të dhunës në familje, apo pse nuk sigurohen banesa sociale për personat që vendosen të largohen nga banesa”.
“Konstatojmë me keqardhje që për një periudhë të gjatë kohe nga faktorë të ndryshëm të vendit, kryesisht ata politikë, po hidhet baltë në mënyrë të parreshtur ndaj pushtetit gjyqësor. Një sjellje e tillë armiqësore e ka paraprirë nisjen e procesit të shumëpritur të Reformës në Drejtësi dhe po e shoqëron atë. Klima e nderë dhe e tensionuar që ekziston ndërmjet pushtetit politik dhe atij gjyqësor, por mbi të gjitha mosbesim i qytetarëve në organet shtetërore, rëndohet edhe më tepër nga deklarata të tilla dashakeqe, të pabazuara dhe arrogante që kryhen ndaj sistemit gjyqësor”, thuhet në reagimin e Shoqatës.
Shoqata e Gjyqtarëve shprehet më tej se, problematikat që kanë lindur në lidhje me dhunën në familje, si një fenomen antisocial, edhe pse janë përpjekur të trajtohen si nga Shoqëria Civile, por edhe nga institucionet përkatëse shtetërore nuk kanë gjetur kurrë zgjidhje të përshtatshme. Zgjidhjet e pjesshme që janë ofruar, më tepër kanë çuar në rëndimin e fenomenit sesa në shërimin e tij. Si rrjedhojë, të gjithë ne, si pjesëtarë të shoqërisë, jemi përgjegjës për situatën aktuale të dhunës në familje, duke përfshirë institucionet ligjvënëse, ligjzbatuese, por edhe publikun e gjerë. Është e papranueshme që për një akt kriminal të fajësohet vetëm pushteti gjyqësor.
“Krimi në përgjithësi dhe krimi në familje, në veçanti, nuk ndodh vetëm, sepse Gjykata nuk jep gjykimin e kërkuar. Krimi është një sjellje antihumane dhe antiligjore, që ka shkaqet dhe pasojat e tij, e si i tillë duhet të trajtohet në mënyrë integrale. Referuar çështjes së rëndë të ditëve të fundit, askush nuk analizon shkaqet pse një krim i tillë ndodhi, por shumë syresh mundohen të varin në xhaketë medaljen e mbrojtësit të vlerave dhe denoncuesit të së keqes ose të lajnë duart, duke e hequr përgjegjësinë nga vetja”, thuhet në deklaratë.
Nëse edhe gjyqësori do të reagonte me një shkallë të tillë papjekurie, atëherë ne do të shtronim pyetjet: pse nuk janë siguruar qendra sociale për strehimin e viktimave nga ministritë e linjës, pse Policia e Shtetit nuk kryen detyrën e saj, duke filluar procedimin penal ndaj autorit të dhunës në familje, apo pse nuk sigurohen banesa sociale për personat që vendosen të largohen nga banesa, si pasojë e marrjes së masave kundër dhunës në familje.
“Pyetje të tilla sigurisht që do të mbeteshin pa përgjigje, pasi siç u theksua problemi është shumë më kompleks nga sa trajtohet. I ftojmë të gjithë aktorët dhe faktorët shtetërorë, median, por edhe opinionin publik, që nga ngjarje të tilla kriminale të nxjerrim mësimet e duhura dhe secili prej nesh të kërkojë përgjegjësitë e veta. Gjithashtu, i ftojmë që problemin ta trajtojnë me gjakftohtësi dhe të mos hedhin akuza përbaltëse ndaj sistemit gjyqësor. Në të njëjtën kohë, i kujtojmë funksionarëve ekzekutivë dhe politikë që gjykatat janë të pavarura dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Çdo përpjekje për të cënuar këtë pavarësi vjen në kundërshtim me vlerat më të larta demokratike, të cilat synojmë t’i mbrojmë dhe promovojmë. Në fund na lejoni t’iu ftojmë për të qenë më të përgjegjshëm në trajtimin e rasteve të ngjashme dhe të mos nxitohemi për të hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit. Kjo, jo vetëm që nuk do ta zgjidhte problemin, por nga ana tjetër, do ta rëndonte atë dhe do të acaronte klimën tashmë të tendosur ndërmjet pushtetit politik dhe atij gjyqësor. Në këtë kontekst, një sjellje e tillë do të minonte një nga reformat më të rëndësishme që po kryen vendi ynë në këtë çerekshekull demokraci, atë në sektorin e drejtësisë, duke i dhënë sakaq ngjyrime të gabuara, të cilat do ta dëmtonin në themel besimin reciprok dhe çka është më e rëndësishme besimin e publikut në organet shtetërore, çka përbën gurthemelin e ndërtimit të shtetit të së drejtës”, përfundon deklarata e Shoqatës së Gjyqtarëve.

14 miliardë lekë për zyrat, 530 milionë për kondicionera

Buxheti i Ramës për Kryeministrinë kalon të gjitha parashikimet. Me paratë e taksapaguesve edhe në fillimin e vitit 2017 pritet të bëhet një rikonstruksion tjetër i zyrave të Ramës dhe institucioneve në varësi të tij, duke arritur shumën rekord të 3 miliardë lekëve, ndërsa vetëm për kondicionera do të shpenzohen 530 milionë lekë.
Buxheti është i shfrenuar në shpërdorimin e parave të shqiptarëve ku në krye të të gjitha institucioneve është kryehajduti Rama. Pas Ramës vijnë me radhë edhe institucionet e tjera. Pothuajse të gjitha kanë parashikuar investime në luksin e zyrave dhe rikonstruksione të fasadave. Ajo që bie në sy është një tjetër rast flagrant ku vetëm për rikonstruksionin e një vile qeveritare do të shpenzohen nga paratë e taksapaguesve plot 860 milionë lekë e barabartë në fakt me ndërtimin e një pallati 6 katësh. Ndërsa kulmi tjetër arrin në zyrat e ALUIZNI-t, ku vetëm për një shtesë kati do të shpenzohen 2.7 miliardë lekë ose afro 2.2 milionë dollarë, shifër kjo e barabartë me ndërtimin e një kulle 9 katëshe.
Vetëm për dy gjëra ka menduar qeveria kur ka hartuar buxhetin për vitin tjetër; për të joshur qytetarët në këtë vit zgjedhor me rritje rrogash dhe pensionesh dhe për veten, duke planifikuar miliarda për zyrat, makinat dhe vilat qeveritare. Nga ana tjetër vijon shtrëngimi i investimeve kapitale, sidomos ato për infrastrukturën rrugore.
Sa i përket Presidencës, qeveria ka parashikuar vetëm financimin e një automjeti me vlerën e 5 milionë lekëve të rinj, ndërsa ka refuzuar të marrë në konsideratë kërkesat e saj për pajisje zyrash dhe kompjuterë. Ndërkohë që nuk ka ndodhur kështu me Kuvendin, i cili për vitin e ardhshëm do të ketë financimin e blerjes së automjeteve për institucionin në vlerën e 12 milionë lekëve. Në tabelën që shoqëron projektbuxhetin e këtij institucioni nuk përcaktohet nëse bëhet fjalë për një automjet për kryetarin e Kuvendit apo për disa automjete për institucionin. Po ashtu për Kuvendin qeveria ka akorduar edhe 18 milionë lekë për blerje pajisje zyre.

Kryeministria

Një shumë të konsiderueshme për shpenzime operative qeveria ia ka dhënë edhe vetes së saj. Vlera totale për investime të brendshme për Kryeministrinë shkon në 304 milionë lekë të rinj ose 3 miliardë lekë të vjetër. Ndërsa vlera e përgjithshme e Kryeministrisë dhe institucioneve të vartësisë direkte të saj për shpenzime të brendshme shkon në 1 miliard e 41 milionë lekë, nga të cilat: rikonstruksion godine 108 milionë lekë, blerje pajisje 10 milionë lekë, ndërtimi i sistemit të sigurisë 50 milionë lekë dhe ndërtimi i sistemit të kondicionimit 53 milionë lekë. Ndërkohë që për ASPA-n janë akorduar 13 milionë lekë të rinj për rikonstruksion godine, pajisje zyrash dhe kondicionim.

Ministria e Brendshme

Një pjesë e madhe e fondeve për investime të brendshme i kanë përfituar ministritë, ku duket se sërish kampione është Ministria e Brendshme. Në tabelën që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2017 janë parashikuar blerje pajisje përgjimi për SHÇBA në vlerën 200 milionë lekë të rinj. Projekti ka filluar këtë vit, ku janë akorduar 50 milionë lekë dhe duhet të mbyllej vitin e ardhshëm. Për vitin 2017, Ministria e Brendshme ka parashikuar të shpenzojë nga buxheti i vet plotë 50 milionë lekë.
Në tabelën që shoqëron projektbuxhetin theksohet se, pjesa e mbetur prej 100 milionë lekësh që duhet për të realizuar këtë projekt do duhet të kalojnë përtej vitit 2017. Jo vetëm kaq, por në këtë projektbuxhet janë parashikuar edhe blerje programi për analizimin e informacionit SHÇBA në vlerën e 300 milionë lekëve, nga të cilat 100 milionë për vitin 2016 dhe 200 milionë për vitin 2017.
Gjithashtu, për këtë ministri është parashikuar edhe blerje kompjuteri dhe aparatit fotografik digjital për IKMT në vlerën e 120 milionë lekëve. Edhe kjo blerje, ka nisur të bëhet në vitin 2016 gjatë të cilit janë akorduar 70 milionë lekë dhe duhet të përfundojë në vitin 2017, ku është parashikuar të paguhet dhe pjesa tjetër prej 50 milionë lekësh.
Në tabelë është pasqyruar edhe blerje automjetesh për SHÇBA në vlerën e 320 milionë lekëve, por parashikimi është që blerja e automjeteve të nisë në vitin 2018 dhe të përfundojë në vitin 2019. Për Ministrinë e Brendshme janë parashikuar edhe blerje pajisje zyre për aparatin e Ministrisë me kosto totale prej 1 miliard e 720 milionë lekë, nga të cilat 780 milionë lekë janë dhënë gjatë vitit 2016 dhe 90 milionë janë parashikuar të jepen në vitin 2017, ndërkohë pjesa tjetër për vitet vijuese.

Ministritë e tjera MMSR

Një tjetër ministri që ka përfituar mbështetje buxhetore për shpenzime për rikonstruksion godine është edhe Ministria e Mirëqenies Sociale. Kështu në projektbuxhet është parashikuar rikonstruksion i pjesshëm i godinës së MMSR në vlerën e 300 milionë lekëve nga 500 milionë lekë që është i gjithë projekti.
Ndërkohë që MMSR ka kërkuar 300 milionë lekë për blerje automjetesh për aparatin, kërkesë e cila nuk është marrë parasysh për vitin e ardhshëm dhe do të nisë të zbatohet në vitin 2018.
Po ashtu një nga inspektoratet në varësi të kësaj ministrie siç është ai i punës ka kërkuar 700 milionë lekë për blerje automjetesh për ISHP. Për Ministrinë e Mjedisit janë akorduar 60 milionë lekë të rinj, nga të cilat 50 për orendi dhe pajisje dhe 10 milionë për rikonstruksion godine.
Për Ministria e Energjisë janë dhënë 190 milionë lekë për rikonstruksion godine për vitin 2017 nga 330 milionë që është i gjithë projekti. Ministria e Financave ka akorduar gjithashtu një shumë të madhe lekësh edhe për nevojat e saj të brendshme, siç janë ato për pajisje zyre, kompjuterë etj.
Në projektbuxhet është parashikuar mbështetja financiare për rikonstruksionin e zyrave dhe rrjetit LAN të MoF në vlerën e 50,000 milionë lekëve të rinj, blerje pajisje zyre 4.3 milionë lekëve, blerje pajisje kompjuterike në vlerën e 17 milionë lekëve, krijimin e një dhome konference në vlerën e 7.7 milionë lekëve, krijimin e një dhome e monitorimit dhe networku me vlerë 15 milionë.
Gjithashtu janë dhënë 39 milionë lekë për blerje pajisje zyre dhe elektronike për tatimet. Për Ministrinë e Drejtësisë është parashikuar mbështetja financiare për rikonstruksionin pjesor të godinës me vlerë 30 milionë lekë dhe blerje pajisje zyre dhe pajisje elektronike me vlerë 14 milionë lekë.
Ministria e Jashtme ka parashikuar blerje pajisje kompjuterike dhe zyre me vlerë 8 milionë lekë dhe rikonstruksion godine me vlerë 20 milionë. Ndërkohë për Ministrinë e Energjetikës janë dhënë 14 milionë lekë për modifikimin e sistemit ngrohje-ftohje dhe aspirim, 19 milionë për rikonstruksion godine dhe 4.5 milionë për blerje pajisje zyre dhe kompjuterike.

2.7 miliardë lekë për shtesë kati të ALUIZNI-t

Ministria e Zhvillimit Urban ka përfituar mbështetjen financiare të rikonstruksionit të godinës së saj në vlerën e 262 milionë lekë për vitin 2017 nga 320 milionë lekë në total.
Ndërkohë që Rivitalizimi i Monumentit Natyror “Syrit i Kaltër”, i cili është atraksion për mijëra turistë vendas dhe të huaj, nëpërmjet ndërhyrjeve në mobilim urban është një projekt që është parashikuar të vlejë 250 milionë lekë, por që qeveria nuk e ka parë të arsyeshme ta vlerësojë për ta financuar.
Siç parashikohet në projektbuxhet, ky projekt do të duhet të presë për t’u financuar përtej vitit 2019. Ndaj edhe për disa vite të tjera një nga pikat më të bukura dhe më të vizituara nga turistët në Shqipëri do të jetë e vështirë për t’u aksesuar për shkak të rrugës së paasfaltuar dhe mungesës së çdo elementi tjetër urban.
Ndërkohë nga ana tjetër po në buxhetin e kësaj ministrie është parashikuar që në vitin 2017 të financohet ndërtimi i një kati shtesë në godinën e përgjithshme të ALUIZNI-t në vlerën e 270 milionë lekëve (të reja) ose 2.7 miliardë lekë.
Një investim ky që vjen në një kohë kur misioni i ALUIZNI-t po vjen duke u reduktuar për shkak se procesi i legalizimeve është konceptuar të jetë i përkohshëm dhe të mbarojë shumë shpejt.
Po ashtu, po kjo ministri ka parashikuar që për blerje pajisje zyre AKPT, AQTN, AZHT, ALUIZNI të shpenzojë 230 milionë lekë. Por ndërsa ka refuzuar të financojë projektin e Syrit të Kaltër, qeveria ka vendosur të shpenzojë një shumë të konsiderueshme lekësh për rikonstruksionin dhe mobilimin e vilave qeveritare.
Kështu në projektbuxhet është parashikuar rikonstruksioni dhe mobilimi i pjesshëm i Vilës 30, në Tiranë me 65 milionë lekë të rinj, të gjitha të programuara për t’u shpenzuar në vitin 2017.
Gjithashtu është parashikuar studim projektimi për rikonstruksionin dhe mobilimin e pjesshëm të vilës 30, në Tiranë në vlerën e 21 milionë lekëve po për vitin 2017. Ndërkohë që 210 milionë lekë qeveria shpenzoi edhe gjatë vitit 2016 për rikonstruksionin e vilës qeveritare në Dhërmi.

Ristani kërkon nga Kryetari i Kuvendit shkarkimin e Ballës

Taulant Balla deputet i Librazhdit nuk ka nevojë për vendim gjykate për të vërtetuar para opinionit publik që është një shpifës sa herë ia kërkon interesi Edi Ramës, por edhe kur kjo vërtetohet me vendim gjykate, ai mundohet t’i shmanget. Taulanti, i njohur për pasionin që ka për orat 70 mijë euro, pasionin për të parë live “Bayern Mynih” në Gjermani, apo dhe jetën mondane pas ardhjes në kryeqytet, vazhdon të drejtojë Komisionin Hetimor për çështjen e CEZ megjithëse akoma nuk ka shlyer detyrimin prej 1 milion lekësh të reja, që Gjykata ia ka ngarkuar për shkak se është shpifës. Kjo shmangie nga detyrimet ligjore ka detyruar Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristanin, t’i drejtojë një letër kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, ku kërkon dorëheqjen e kreut të Komisionit parlamentar Hetimor për CEZ.

Letra

Dje, ishte thirrur për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për çështjen e CEZ ish-kryeministri Sali Berisha. Një mbledhje më parë, më datë 23 nëntor Berisha do të deklaronte se s’mund të dëshmojë para një kryetari, i cili nuk respekton vendimet e gjykatave, dhe rezulton debitor. Për këtë çështje, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ristani, i ka kujtuar kryetarit të Kuvendit se komisionet hetimore funksionojnë mbi bazën e parimeve kushtetuese “hetimi parlamentar, njëlloj si hetimi penal, udhëhiqen nga parimi i rëndësishëm i paanësisë dhe parimi i procesit të rregullt ligjor. Për këtë shkak, rregullat mbi papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesit të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, janë njëlloj të vlefshme edhe për rastin e anëtarëve të Komisionit Hetimor parlamentar, në mungesë të rregullave specifike apo të kundërta në Ligjin Nr. 8891/2002. Kjo bëhet e detyrueshme po të mbahet në konsideratë edhe pika 1 e nenit 4 të Ligjit Nr. 8891/2002 ku specifikohet se: 1 Komisionet Hetimore të Kuvendit ngrihen dhe funksionojnë mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe rregullave të përcaktuara në këtë ligj”, argumenton Ristani. Sipas tij, është i njohur fakti se Taulant Balla është dënuar me vendim të formës së prerë “në rastin konkret është i njohur fakti se kryetari i Komisionit Hetimor zoti Balla është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për shpifje ndaj djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhe njëkohësisht është debitor ndaj tij në vlerën e 1 milion lekëve. Konkretisht, me vendimin nr. 1419 të Gjykatës së Apelit është vendosur lënia në fuqi e vendimit nr. 5245 datë 13.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Tiranë, me ndryshimin në vlerën 1 milion lekë për dëmin jashtëkontraktor të shkaktuar”, thuhet në letrën e dorëzuar në Kuvend.

Enton DACI

I paprekshmi i Ramës, nuk lejohet të hetohet

Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, Shkëlqim Ganaj nuk lejohet të hetohet. Me urdhër të Ramës, dy shkallë të gjyqësorit në Tiranë kanë vendosur të pengojnë një hetim të Prokurorisë për Ganin e ILDKPI. Ky i paprekshëm do të përdoret nga Rama për Vettingun.
Ndërkohë, Prokuroria do të ankimojë vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila tre ditë më parë rrëzoi urdhërin e Prokurorisë për sekuestrimin e disa materialeve nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit. Një muaj më parë, akuza e kryeqytetit nisi një hetim për zyrtarët e këtij institucioni pas dyshimeve se në dy vjet nuk u verifikua pasuria e asnjë zyrtari të lartë.
Burime nga Prokuroria konfirmojnë se, rekursi në Gjykatën e Lartë do të dorëzohet sapo të zbardhet vendimi i Gjykatës së Apelit të Tiranës. Për Prokurorinë, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe ai i Apelit për të hequr vendimin e sekuestros për regjistrat dhe të dhënat e serverit ka penguar punën hetimore.
Sipas vendimit të Gjykatës, Prokurori i çështjes nuk ka të drejtë t’i kërkojë ILDKPKI-së asnjë të dhënë për llogari të hetimit. Gjykatat në këtë rast i dhanë të drejtë inspektoriatit, duke shënuar kështu rastin e parë në historinë e drejtësisë shqiptare që Prokurorisë, i mungohet e drejta kushtetuese për të kryer hetime, edhe pse ka dyshime të forta për shkelje të ligjit nga një institucion i krijuar për të luftuar korrupsionin tek zyrtarët e lartë.
Prokuroria dyshon se asnjë zyrtar i lartë nuk ka qenë subjekt i një kontrolli nga ILDKPKI, ndonëse ligji parashikon që çdo dy vjet, pasuria e këtyre zyrtarëve duhet të kalojë në sitën e inspektoratit.
Dy shkallë të gjyqësorit në Tiranë kanë vendosur të pengojnë një hetim të Prokurorisë për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit. Në fillim Shkalla e Parë dhe më pas Apeli rrëzuan urdhërin e Prokurorisë së Tiranës për sekuestrimin e disa materialeve, si pjesë e një hetimi të nisur për shkak se Inspektoriati nuk kishte verifikuar pasurinë e asnjë zyrtari të lartë në dy vjet dhe nuk kishte bërë referime në organin e akuzës.
Më 7 nëntor, Prokuroria e Tiranës sekuestroi disa dosje deputetësh dhe i kërkoi Inspektoriatit t’i niste edhe praktikat për vitet 2015-2016. Në kohën, kur hetuesit ishin në pritje të praktikave, institucioni që drejtohet nga Shkëlqim Ganaj depoziton në Gjykatën e Tiranës një ankim për heqjen e sekuestros.
Gjykatat i japin të drejtë, duke shënuar kështu rastin e parë në historinë e drejtësisë shqiptare që një hetim i Prokurorisë, organit të vetëm në Shqipëri të ngarkuar nga Kushtetuta për të kryer procesin hetimor, pengohet të ushtrojë funksionet me vendim gjykate.
ILDKPKI kishte ankimuar heqjen e sekuestros për regjistrat dhe të dhënat e serverit. Prokuroria ka këmbëngulur edhe në Gjykatë se kërkesa e saj për sekuestrimin e kopjeve të regjistrave dhe të dhënave në server nuk e pengonte punën e institucionit. Arsyeja pse kërkohej që të bëhej ky veprim hetimor ishte fakti për të patur një pasqyrim të punës së Inspektoriatit për dy vitet e fundit.
Kjo kërkesë është bërë pas dyshimeve se për dy vitet e fundit, ILDKPKI nuk ka vepruar siç duhet në disa raste të deklarimit dhe kontrollit të pasurive të zyrtarëve të lartë, duke mos proceduar me referime në Prokurori.
Prokurorët kanë argumentuar se fotokopjet e regjistrave dhe të dhënave të serverit u kërkuan me qëllim që t’u hiqej mundësia personave të tjerë të ndërhynin në këto dokumenta, duke plotësuar të dhëna që mund të mungonin.
Prokuroria ka dyshime se zyrtarët e ILDKPI-së kanë shpërdoruar detyrën, pasi asnjë zyrtar i lartë nuk ka qenë subjekt i një kontrolli nga ILDKPKI, ndonëse ligji parashikon që çdo dy vjet pasuria e këtyre zyrtarëve duhet të kalojë në sitën e Inspektoratit. Me vendimet e tyre, Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit në Tiranë, e kanë vënë Prokurorinë e Tiranës në kushtet e pamundësisë për të hetuar mbi veprimet dhe praktikat e LKDIKPI-së, pavarësisht se ato mund të jenë në shkelje të ligjit.

Presioni i Ramës ndaj gjyqtarëve liroi Lul Berishën

Ndonëse i dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe krijim organizate kriminale, Lul Berisha është liruar me një vendim të çuditshëm të Gjykatës së Apelit Durrës, pasi ka bërë vetëm 10 vite burg. Po 15 vitet e tjera ku kanë shkuar? 10 vite i janë njohur si kohë paraburgimi gjatë kohës që vijonin proceset gjyqësore, ndërsa 5 vite të tjera i janë falur kriminelit të Durrësit të angazhuar në manipulimin e zgjedhjeve për llogari të Ramës. Po si mund të falen 5 vite dënim burgu? Kjo është merita e presionit të Ramës me vettingun politik që ka ushtruar prej ditësh ndaj gjyqtarëve. Këta të fundit nën kërcënimin direkt të ministrit të Brendshëm, Tahiri morën vendimin për lirimin e Lul Berishës. Rama i ka bërë të qartë gjyqtarëve përmes kërcënimeve se në rast se nuk do të lironin Lul Berishën, atëherë Vettingu politik që ai shpreson të realizojë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve përmes tre drejtorëve të tij do t’i fshinte nga drejtësia.
Një vendim i dhënë nga Gjykata e Apelit Durrës, për të liruar Lulzim Berishën ka nxjerrë në pah dhe një herë pasojat që po i sjell i ashtuquajturi vetting i kapur politikisht, gjyqësorit shqiptar. Burime për gazetën thanë se gjyqtarëve prej kohësh i është bërë presion nga qarqe të ndryshme qeveritare për të liruar një prej kreut të bandave më famëkeqe në Shqipëri. Anëtarët e gjyqësorit janë habitur se si tre gjyqtarë me eksperiencë, mund të arrijnë deri aty sa t’i japin lirinë një njeriu që akuzohet për krijim të një organizate kriminale dhe vrasje, dy veprat të rënda që sanksionohen nga Kodi ynë Penal. Në fakt ska asgjë për t’u habitur. Edi Rama në kulmin e debatit për vettingun për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka ushtruar presion prej ditësh gjyqtarët që të marrin një vendim të tillë. Prej ditësh jo vetëm gjyqtarët e Durrësit, por e gjithë kasta e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë vënë nën një presion të madh nga ana e Ministrisë së Brendshme, e cila pa hyrë ende vettingu në fuqi kanë vënë në vëzhgim gjyqtarët që nuk kanë pëlqimin e Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit. Kësaj i është bashkuar dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave, ku drejtor është vegla tjetër e Edi Ramës, Alket Hysenaj, që në kundërshtim me ligjin po kërkon gjilpërën në kashtë. E gjitha kjo për të plotësuar tekat e Edi Ramës dhe enturazhit të tij politik, që kanë hyrë në këtë ndërrmarje me skenarin e qartë për të kapur gjyqësorin dhe çimentuar më pas pushtetin me anë të tij. Dhe rezultati i parë ishte lirimi i Lul Berishës, që u bë për dy arsye. E para, për të pasur të garantuar angazhimin e Lul Berishës dhe bandës së tij në zgjedhjet e përgjithshme, dhe e dyta për të justifikuar vettingun politik të Ramës përpara qytetarëve për të etiketuar në publik gjyqësorin si të korruptuar. Jo më kot do të ishte Sajmir Tahiri, një ministër i Brendshëm që ka sulmuar në mënyrën më të paprecedentë sistemin gjyqësor, ai që do të sillte në vëmendjen e publikut menjëherë pas këtij akti, nevojën për rivlerësim të trupës gjyqësore dhe prokurorëve. Më tej, korri do të plotësohej nga papagajtë e brendshëm dhe të jashtëm mbështetës të liderit global.

Gjykata e Shkallës së Parë refuzoi lirimin e vrasësit

Fillimisht kërkesa e tij ishte rrëzuar në Gjykatën e Shkallës së Parë, por më pas ka qenë Apeli që ka vendosur që Lul Berisha të lejë qelinë e të qëndrojë në shtëpi, në përgjithësi Gjykata e Apelit nuk i rrëzon vendimet e Shkallës së Parë, përse Lul Berisha duhej të bënte përjashtim? Por kush janë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Durrës, të cilët kanë vendosur për lirimin e Lul Berishës, banda e të cilit akuzohet për një sërë vrasjesh dhe trafik droge?. Arben Vrioni ka qenë kryesues i trupës gjykuese që ka shqyrtuar ankimimin e Lul Berishës, ndërsa anëtarë kanë qenë gjyqtarët Petrit Çeno dhe Anita Mici. Sipas vendimit të tyre, siç bëhet me dije Lulzim Berisha është liruar me kusht me arsyetimin se ka kryer 3/4 e dënimit me 25 vite burg si dhe për sjellje të mirë. Në sajë të këtij vendimi, Lulzim Berisha duhet të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës, shkruan BalkanËeb. Ndërkohë, Arben Vrioni ka një karrierë të gjatë në gjyqësor, më herët ka qenë edhe kryetar i Gjykatës së Elbasanit. Sa i takon Petrit Çenos, ai është më i njohur për publikun për shkak se ka qenë edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Ndërkohë që më herët kapobanda kishte kërkuar lirinë me arsyetimin se “vuante nga një sëmundje e rëndë dhe i rrezikohej jeta po të qëndronte në qeli”. Berisha, një prej njerëzve më të rrezikshëm të botës së krimit në Shqipëri, është liruar të martën më 6 dhjetor nga Gjykata e Apelit Durrësit në një proces larg vëmendjes së mediave dhe ndaj tij është vendosur “lirim me kusht” për 5 vitet e mbetura të dënimit.

Arben SHAHINI

Vetëm 10% e shqiptarëve kursejnë për pleqërinë

Vendet me popullsi relativisht të re, ku përfshihet edhe Shqipëria, e konsiderojnë të pazakontë të kursejnë për moshën e pleqërisë. Banka Botërore, duke iu referuar Global Findex i vitit 2014, në një studim të fundit të saj, vëren se vetëm 10% e familjeve në Shqipëri kursejnë për moshën e pensionit.
Të rriturit me të ardhura të ulëta kanë shumë gjasa për t’u përballuar me mungesë totale të kursimeve pas daljes në pension. Në vendet e varfëra zakonisht jo më shumë se 8% e familjeve mendojnë të kursejnë për pleqërinë.
Studimi sheh një lidhje më të madhe që vendet me popullsi të plakur kanë më shumë prirje të kursejnë për moshën e pensionit.
Përqindja e të rriturve, të cilët kursejnë për moshën e vjetër është 22% në Bjellorusi, 18% në Hungari, dhe 15% në Federatën Ruse. Por në vendet me popullsi relativisht të re, kursimet për pension janë relativisht të pazakonta. Vetëm 5% e të rriturve në Republikën e Kirgistanit, dhe vetëm rreth 10% në Shqipëri dhe Turqi, kursejnë për moshën e vjetër.
Në përgjithësi, ekziston një nevojë për të rritur kursimet e daljes në pension në rajon. Kursimet e ulëta mund të rrisin vulnerabilitetin dhe të krijojnë një ekspozim më të lartë ndaj krizave të mundshme-vë në dukje Banka Botërore në analizën e saj.
Plakja e popullsisë në rajonin e Europës Qendrore dhe në Ballkan po çon në rënie të të ardhurave për skemat e pensioneve. Ndaj Banka Botërore sugjeron se politikëbërësit duhet të gjejnë mënyra të reja për t’u kujdesur për të moshuarit. Krizat e viteve 1990 dhe ajo e vitit 2008 kanë bërë që rajoni të braktiset nga moshat e reja.
Mesatarja e kursimit për moshën e vjetër në rajon është vetëm 12%, më pak se gjysma e këtij treguesi në vendet e zhvilluara.
Skemat aktuale të pensioneve sigurojnë kthime të ulëta në pleqëri, ndaj pensionistët do të duhet të punojnë më gjatë, sugjeron BB.

4550 biznese shtohen si borxhlinj në tatime

Numri i bizneseve që janë klasifikuar si tatimpagues të këqinj në tatime vijoi të jetë i lartë edhe këtë vit. Sipas të dhënave në Web-in zyrtar të tatimeve u pa se në periudhën dhjetëmujore, bizneset që nuk respektuan afatet për pagesën e taksave arritën në 4550 subjekte. Ky numër ishte i lartë po ta krahasojmë me vitin e kaluar, ku për të gjithë vitin, bizneset borxhlinj që iu shtuan rishtas listës së zezë ishin 3489.
Siç shihet nga lista, bizneset që nuk kanë paguar detyrimet, janë persona fizikë, një tregues ky që biznesi i vogël dhe sidomos tregtia me pakicë, është duke përjetuar një krizë për ekzistencë prej konsumit të dobët dhe përqendrimit të shitjeve në qendrat tregtare dhe supermarkete.
Sipas të dhënave nga tatimet, bizneset borxhlinj, të cilat do t’i nënshtrohen mbledhjes me forcë të detyrimeve, arritën në 19144 në fund të tetorit.
Legjislacioni tatimor, e cili shërben si bazë ligjore për marrjen e masave të sigurimit dhe fillimin e procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimeve ndaj tatimpaguesve që kanë detyrime të papaguara, përcakton se, nëse tatimpaguesi nuk paguan në datën e caktuar detyrimin tatimor, në përputhje me nenin 89 të këtij ligji, detyrimi tatimor i papaguar sigurohet në favor të administratës tatimore mbi të gjithë pasurinë e tatimpaguesit, në masën e nevojshme, për të përmbushur detyrimin tatimor të tij.
Masa e sigurimit të detyrimit tatimor të papaguar mund të jetë, sipas rastit, barrë siguruese dhe/ose barrë hipotekore. Vendimi për të vendosur një barrë siguruese dhe/ose barrë hipotekore mbi pasurinë e tatimpaguesit bëhet me shkrim nga drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore apo drejtuesi i njësisë së ngjashme me të ose titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore.
Para vendosjes së një barre siguruese dhe/ose barrë hipotekore mbi pasurinë e tatimpaguesit, ky i fundit duhet të njoftohet me shkrim. Njoftimi duhet të përmbajë të gjithë informacionin lidhur me to.