Shqipëria mbajti vlerësimin B1 të borxhit nga agjencia e vlerësimit Moody’s, por vendi mbetet para sfidave të mëdha të menaxhimit të borxhit për shkak të madhësisë së tij, thotë raporti i shërbimit të investitorëve të Moody’s. Agjencia e ka lënë të pandryshuar vlerësimin për borxhin e Shqipërisë.
“Ne presim që raporti i borxhit të qeverisë së Shqipërisë të arrijë në 69% të PBB-së në vitin 2017″, thotë Evan Wohlmann, asistent i zëvendëspresidentit në Moody. “Shqipëria gjithashtu përballet me kërkesa të konsiderueshme për huamarrje bruto”, shtoi ai
Për më tepër, qeveria vazhdon të mbështetet me likuiditet nga sistemi bankar vendas, i cili tashmë është i rënduar nga kreditë me probleme për të financuar veten.
Megjithatë, përpjekjet e vazhdueshme për reforma administrative dhe në drejtësi duhet të përmirësojnë dukshëm mjedisin e biznesit në vend, vlerëson Moody.
Rekomandimi i Komisionit Europian për të hapur formalisht negociatat, i kushtëzuar nga zbatimi i reformës gjyqësore, reflekton progresin e Shqipërisë në adresimin e korrupsionit dhe përparimin e reformës së sektorit publik.
Për më tepër, vazhdimi domethënës i progresit në sektorin e energjisë, me mbështetjen e Bankës Botërore, pritet të parandalojë rikrijimin e detyrimeve të prapambetura në këtë sektor dhe të mbështesë rritjen ekonomike në afatin e mesëm, sipas agjencisë vlerësuese.
Konsolidimi fiskal dhe ripagimi i pagesave të prapambetura në bazë të marrëveshjes tre vjeçare me Fondin Monetare Ndërkombëtare vazhdon të rimëkëmbë fuqinë fiskale pas përkeqësimit të shpejtë në prag të zgjedhjeve të qershorit 2013, përfundon Moody’s.
Moody: Borxhi i lartë sfidë për Shqipërinë
Botërori me 48 skuadra prej 2026
Xhani Infantino ka treguar me detaje planin e tij për të zgjeruar formatin e Botërorit. Presidenti i FIFA-s dëshiron që të bëjë një turne, ku nga 32 kombëtare që marrin pjesë në fazën finale të shkohet në 48 skuadra. Plani është që formati aktual me 8 grupe me nga 4 ekipe të shndërrohet në 16 grupe me nga 3 ekipe, çka do të thotë se grupet do të shkojë deri në gërmën P.
Një lajm i agjencisë AFP raportonte se Infantino dëshiron që ta prezantojë revolucionin e tij në Kupën e Botës, duke nisur nga kompeticion i vitit 2026. Presidenti i FIFA-s do ta dorëzojë propozimin e tij të fundit në takimin që do të mbajë Këshilli i FIFA-s në Zyrih gjatë 9-10 janarit. Anëtarët e Këshillit kanë marrë një rekomandim nga organi qeverisës i futbollit, i cili ka përpiluar 4 formate propozimi, përfshirë edhe atë të Botërorit që do të vazhdojë të jetë me 32 skuadra.
Një tjetër version është ai i një kupe bote me 40 skuadra. Në propozimin e Botërorit me 48 kombëtare, dy skuadrat e para të grupit do të kualifikohen në fazën me eliminim direkt të 1/16-ve. Italiani e hodhi për herë të parë propozimin e ndryshimit të formatit të turneut më të rëndësishëm të futbollit në tetor, duke u argumentuar kritikëve se një kompeticion me më shumë skuadra, jo domosdoshmërisht do të thotë se ai do të jetë më i dobët.
Kupa e Botës u organizua për herë të parë në Uruguaj, në vitin 1930. Në Botërorin e parë morën pjesë 13 kombëtare. Ky numër u rrit në 16 në Kupën pasardhëse të Botës (1934) dhe qëndroi i tillë për 48 vitet e ardhshme. Në vitin 1982, 8 shtete të tjera iu shtuan formatit të finaleve, duke e dërguar numrin në 24 ekipe në total. Për herë të tretë dhe të fundit, formati i zgjerimit të Botërorit u ndryshua në “Francë 1998”, ku u kualifikuan 32 skuadra.
Një grup me 3 skuadra e bën turneun të hapur drejt skenarëve të kompromisit, sepse një rezultat specifik në ndeshjen e fundit në grup do mund t’u shkonte për shtat të dyja skuadrave. Një situatë e tillë ka ndodhur në Botërorin “Spanjë 1982”, e cila sot njihet si “Turpi i Gijonit”, kur Austria dhe Gjermania Perëndimore e dinin se një fitore me një apo dy gola e Gjermanisë Perëndimore do të siguronte kualifikimin e tyre për në raundet me eliminim direkt.
Zizu drejt një rekordi
Zinedine Zidane është vetëm 90 minuta larg udhëheqjes së Realit të Madridit drejt një rekordi të ri pamposhtmërie. Kur francezi zëvendësoi Rafael Benitezin në mesin e sezonit të kaluar, ish-mesfushori i paeksperiencë në drejtim pati një fillim të shkëlqyer me një fitore 5-0 ndaj Deportivo La Coruna. Plot 11 muaj më vonë dhe me një titull më shumë Championsi, Reali do të përballet sërish me Deportivon në “Bernabeu” të shtunën, me mundësinë për të tejkaluar rekordin në fuqi të ndeshjeve pa humbur, që prej themelimit të klubit në vitin 1902.
Të mërkurën, Reali barazoi rekordin prej 34 ndeshjesh pa humbje, të vendosur në vitin 1989 nën drejtimin e trajnerit Leo Beenhakker, kur barazoi 2-2 me Borussia Dortmundin në ndeshjen e fundit në grupet e Championsit. Pas asaj ndeshjeje, Zidane u shpreh se, “ishte e rëndësishme të vazhdojmë të shkruajmë historinë dhe të vijojmë pse jo me ecurinë tonë të shkëlqyer”. “Nuk mendoj se është më e rëndësishme për mua që të lë gjurmë këtu. Ajo që më intereson më shumë është të vazhdoj me këtë ecuri pozitive, në të cilën gjendemi aktualisht”, tha trajneri francez.
Sezonin e kaluar, kur presidenti i Realit, Florentino Perez zgjodhi Zidanen për të drejtuar një ekip që kishte shumë probleme, vendimi u shoqërua me ndjenjën e dëshpërimit. Zidane ishte promovuar nga pozicioni i trajnerit të ekipit të rezervave, për të drejtuar tashmë një ekip me yje, por që po kalonte nga një episod shqetësues në tjetrin. Zidane, eksperienca më e rëndësishme në stolin drejtues e të cilit ishte ajo e ndihmësit të Carlo Ançelotit deri atëherë, tashmë ka siguruar një ecuri tejet pozitive në një periudhë prej thuajse 50 ndeshjesh. Prej tyre ai ka arritur 37 fitore, 11 barazime dhe vetëm dy humbje. Humbja tjetër ishte ajo me Atletico Madridin në muajin shkurt.
“Këtu duhen falënderuar futbollistët. Janë ata që zbresin në fushë, që vrapojnë, luftojnë dhe shënojnë gola”, tha Zidane. “Duhet të falënderojmë gjithashtu tifozët tanë, të cilët na qëndrojnë gjithnjë besnikë dhe na mbështesin. Sigurisht që një pjesë e meritës është edhe e atyre për këtë që po arrin ekipi”. Nuk do të jetë krejtësisht e lehtë në 90 minutëshin e programuar ndaj Deportivo La Coruna-s këtë të shtunë. Reali i Madridit nuk do të ketë 3 futbollistë me shumë influencë në sfidën e programuar në La Liga, aty ku shpreson që të qëndrojë deri në fundin e kampionatit në vendin e parë, pavarësisht kërcënimeve nga Barça dhe Atletico.
Cristiano Ronaldo do të jetë mungesa e madhe. 31-vjeçarit që i duhet vetëm një gol për të arritur shifrën impresionuese të 500 rrjetave në karrierë, është lënë pushim nga trajneri Zinedine Zidan, për të qenë i freskët dhe në formë optimale për botërorin e klubeve javën e ardhshme. Por jo vetëm kaq.
Sulmuesi Karim Benzema dhe mesfushori Luka Modriç kanë mbetur gjithashtu jashtë seleksionit zyrtar për sfidën ndaj galicianëve, duke shtuar emergjencën që rëndohet edhe nga mungesa e gjatë e Gereth Bale. Tashmë në opsionet sulmuese të trajnerit Zinedine Zidan janë vetëm Morata, Lucas Vazquez dhe Diaz.
Pse Xhaka s’bëhet kapiten i Bazelit
Taulant Xhaka rinovoi kontratën e tij me Bazelin edhe për pesë vite. Kështu ai do të jetë pjesë e skuadrës kampione të Zvicrës deri në 2021. Ofertat për shqiptarin nuk munguan, mirëpo drejtuesit e Bazelit blinduan menjëherë të ardhmen e mesfushorit grintoz. Megjithatë, duket se as besnikëria që ai ka treguar për ekipin, nuk i ka mjaftuar që të marrë në krah shiritin e kapitenit dhe gradat në skuadër.
“Nuk e kam aspak të vështirë që të mendoj ta mbyll karrierën time te Bazeli. Të largohem jashtë vendit? Më duket mendim shumë, shumë i largët”, ishte deklarata e Taulant Xhakës në verë për mediat zvicerane, ndërkohë që për të kishte shumë skuadra që interesoheshin. Pavarësisht faktit se ai ishte edhe pjesë e Kombëtares shqiptare në skenën e rëndësishme futbollistike, atë të “Euro 2016”, mesfushori nuk e braktisi skuadrën me të cilën kishte nisur karrierën dhe kishte arritur deri në këtë pikë të formimit të tij.
Përballja me Granitin për herë të tretë nuk rezultoi e suksesshme për vëllanë e madh të Xhakave, pasi mesfushori i Arsenalit mundi sërish vëllanë e tij në Ligën e Kampionëve, brenda të njëjtit vit. Ndryshe nga Graniti, Shaqiri dhe shumë të tjerë, Taulanti është sërish pjesë e Bazelit dhe një nga shtyllat më të rëndësishme të skuadrës. Por, çfarë i mungon për t’u bërë kapiten?
Në një deklaratë të dhënë për mediat helvete, drejtori Sportiv i Bazelit ka lënë të kuptohet se pikëpyetja mbi të ardhmen e futbollistit ka qenë shkaku që nuk i ka lënë atij të gradohet. “Xhaka është një futbollist i shkëlqyer. Ai ka treguar prej kohësh se është një futbollist i përgjegjshëm. Ka një sens mjaft të mirë të diskutimit të gjërave me të gjithë skuadrën.
Gjatë verës, qëndrimi i tij nuk ishte fort i sigurt dhe për shiritin e kapitenit, siguria mbi të ardhmen është çështje e rëndësishme”, ka deklaruar Xhorxh Heitz për “NZZ.ch”.
Ai është një nga futbollistët që nuk preferon daljet e shpeshta në media dhe për këtë çështje është mjaftuar vetëm me një deklaratë të shkurtër: “Më pyesni pas dy apo tri vitesh për këtë gjë”.
Mustafi, idhulli i ri i tifozëve të Arsenalit
Shkodran Mustafi në zemrat e tifozëve të Arsenalit. 24-vjeçari, i cili u transferua gjatë verës nga Velencia tek “Topçinjtë” e Londrës, është shndërruar në një emër shumë të rëndësishëm në repartin e prapavijës. Pavarësisht kësaj, mbrojtësi deklaron se puna e tij duhet të jetë akoma edhe më e madhe, duke dhënë maksimumin në fushe, si shpërblim për tifozët, të cilët mbeten shumë të rëndësishëm për çdo ekip.
“Tifozët janë pjesa më e rëndësishme për një klub. Ata janë të pranishëm gjithnjë. Në ditë të mira dhe të këqija. Ata janë gjithmonë aty, krah nesh, edhe në transferta larg Anglisë, duke shpenzuar shumë para për të na dhënë kurajë. Në çdo moment nuk ngurojnë të na tregojnë dashurinë që kanë për ne dhe ti je i detyruar t’ua kthesh respektin duke fituar. Personalisht në çdo ndeshje do të japë maksimumin tim”.
Shkodran Mustafi foli edhe për garën në Premier League, duke e cilësuar si një kampionat shumë të vështirë dhe me shumë rivalitet. Pavarësisht konkurrencës ai është i mendimit se skuadra e tij i ka të gjithë elementët e duhur, për ta fituar këtë garë. Momentalisht Arsenali ndodhet në vendin e dytë në kuotën e 31 pikëve, me një distancë prej 3 pikësh nga Chelsea kryesues.
Manchester United pas Fenerbaçe
Fenerbahçe i rrëmben vendin e parë të Grupit A, Manchester United, ndërsa Feynoord eliminohet nga Europa League. “Djajtë e Kuq” kaluan me vështirësi 2-0 në transfertën e ftohtë të Zryas me gola të Mkhitaryan dhe Ibrahimoviç, duke arritur në fazën tjetër të kompeticionit. Gjithsesi, skuadra e Jose Mourinhos e mbyll fazën e grupeve në vendin e dytë, pasi turqit e Fenerbahces kaluan 1-0 Feynoordin në “De Quip”. Golin vendimtar e realizoi Moussa Soë në minutën e 22, duke i dhuruar ekipit nga Bosfori një 3 pikësh shumë të rëndësishëm. Në Grupin B, Apoel Nicosia fitoi 2-0 sfidën direkte me Olympiacos, duke rrëmbyer vendin e parë të grupit me 12 pikë, ndërsa bardhekuqtë nuk e rrezikuan kualifikimin. Në sfidën tjetër, Young Boys shkatërroi 3-0 Astanan, por nuk u ngjit më shumë se vendi i tretë, pasi Olympiacos favorizohet për shkak të avantazhit në ndeshjet direkte me zviceranët.
Surpriza vjen nga Grupi C, ku Mainz mbeti jashtë, pavarësisht fitores 2-0 ndaj Kabalas. Gjermanët e mbyllin këtë fazë me 9 pikë në vendin e tretë, pasi Saint Ettiene triumfoi 3-2 në fushën e Anderlecht. Vendasit shënuan dy herë në portën e francezëve, por nuk arritën të ruanin avantazhin, pasi në pjesën e dytë, Alexander Soederlund dy herë dhe Monnet-Paquet arritën të kthenin ndeshjen, duke siguruar një fitore historike që i katapulton në fazën tjetër. Në Holandë, AZ Alkmaar kaloi 3-2 Zenitin për t’u ngjitur në vendin e dytë. Fillimisht vendasit realizuan dy gola në portën e skuadrës ruse që rihapi llogaritë në pjesën e dytë, por goli i Tankoviç siguroi fitoren e AZ Alkmaar, pavarësisht autogolit të pësuar 10 minuta nga fundi.
Në përballjen tjetër të grupit D, fitorja 2-1 e Maccabi Tel Aviv ndaj Dundalk nuk shërbeu për asgjë, pasi skuadra izraelite e mbyll aventurën europiane në fazën e grupeve. Në Grupin E, Roma dhe Astra ndanë një barazim pa gola, duke siguruar që të dyja kalimin në fazën tjetër, ndërsa Viktoria Plzen ktheu disavantazhin e dy golave ndaj Austrisë së Vjenës për të kthyer në 3-2 ndeshjen edhe pse kjo ndeshje nuk shërbeu për asnjë prej dy skuadrave që eliminohen në fazën e grupeve. Në Grupin E, llogaritë ishin mbyllur pavarësisht barazimit 1-1 mes Rapidit të Vjenës dhe Athletic Bilbaos. Austriakët eliminohen ashtu si Sassuolo, që nuk e luajti ndeshjen me belgët për shkak të mjegullës së dendur në Emiglia Romagna. Kjo sfidë do të luhet të premten në orën 12:30.
Nuk ndryshon asgjë në Grupin I, ku Schalke u mund 2-0 nga Salzburg, por austriakët nuk kishin asnjë shans kualifikimi, pasi Krasnodar që u mund 2-1 në transfertën e Nice, e kishte siguruar kualifikimin. Francezët pa asnjë detyrim për fitore e mbyllën aventurën europiane me një sukses që nuk vret as skuadrën ruse që vazhdon për më tej bashkë me “blutë mbretërorë”. Në Grupin K, Southampton barazoi 1-1 Hapoel Ber Sheeva. Izraelitët eliminojnë anglezët dhe fitojnë të drejtën për të vazhduar, pasi në përballjet direkte kanë avantazhin e golit në fushën kundërshtare edhe pse kanë të njëjtën kuotë pikësh me anglezët, ndërsa në Milano, Sparta Praga e kualifikuar u mund 2-1 nga Interi. Dy golat e Eder rikthyen te fitorja skuadrën e Stefani Piolit, i cili karikon me moral grupin zikaltër që po kalon momente negative në kampionat. Ajax dhe Celta Vigo janë skuadrat e kualifikuara nga grupi G. Holandezët e vendit të parë barazuan 1-1 ndaj Standard Liegge, duke e lënë skuadrën belge jashtë kupave të Europës, ndërsa Celta Vigo arriti një fitore bindëse 2-0 në Athinë ndaj Panathinaikos për ta mbyllur këtë fazë në vendin e dytë dhe me një biletë në xhep.
Kontestohet Interi
Pakënaqësia te tifozët e Interit ka filluar të rritet. Pas vërshëllimave në stadiume, tani ka ardhur radha e protestave të dukshme edhe në arenën ndërkombëtare. Si rrjedhojë, tribuna e veriut ku qëndrojnë zakonisht ultrasit e skuadrës zikaltër në “San Siro”, ishte e boshatisur në momentin që skuadra hyri në fushë për nxemjen para ndeshjes së Ligës së Europës ndaj Spartës së Pragës, në një turne ku italianët kanë regjistruar eliminimin që në takimin e mëparshëm.
Në vend të mbështetësve, aty gjendej një parullë që i drejtohej ekipit. “4 humbje në 5 ndeshje, kjo është ajo që meritoni për përkushtimin e pahijshëm. T’ju vijë turp”, shkruhej në këtë parullë.
Trajneri i Interit, Stefano Pioli, para ndeshjes, deklaroi se mirëkuptonte vendimin e tifozëve. “Është e drejtë, duhet të japim më shumë. Na jepet mundësia që të tregojmë se jemi një skuadër konkurruese dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë edhe në fushë, të tregojmë edhe aty atë që provojmë gjatë javës në stërvitje. Merkato? Nga tani, deri më 31 dhjetor kemi edhe katër ndeshje, pastaj do të ketë kohë për të bërë vlerësimet e duhura. Më pas, do të jetë edhe koha për të rregulluar ekipin”, tha ai.
Zëvendëstrajneri i kombëtares shqiptare, Paolo Tramexani, ka komentuar në emisionin “Zona 11 PM” në televizionin “Rai Sport 1” ndeshjen e djeshme të Interit në Ligën e Europës, ku zikaltërit fituan me rezultatin 2-1 ndaj Spartës së Pragës.
“Interi eksperimentoi me mbrojtjen me 3, edhe sepse kishte mungesa, por rikthimi i Medelit në mesfushë në krah të Melos do të jetë shumë i rëndësishëm. Medeli më pëlqen shumë si mesfushor qendre dhe këtë pozicion ai e ka bërë dhe në kombëtaren e tij. Në një mesfushë me 4 rritet edhe rëndësia e Melos. Duke i bashkuar dhe Banegën me Zhoao Marion, ky ekip mund të shprehet shumë mirë në fushë”, tha Tramexani.
Ndërkohë, agjenti i Elseid Hysajt, Mario Xhiufredi, ka folur sërish rreth të ardhmes së mbrojtësit shqiptar të Napolit. “Hysaj është shumë i kënaqur, por të njëjtën gjë mund të them edhe pasi fola me protagonistë të tjerë të skuadrës”, u shpreh menaxheri italian gjatë një interviste për “Radio Kiss Kiss”. Xhiufredi foli edhe për Andrea Kontin, mbrojtësin e Atalantës, të cilin gjithashtu e ka në menaxhim. 22-vjeçari mund të ketë lidhje të tërthortë me të ardhmen e Hysajt.
“Konti është një tjetër lojtar me të ardhme të ndritur. Vetë Hysaj më ka folur për cilësitë e shkëlqyera të tij dhe unë i thashë që ai duhet të shkojë në një tjetër ekip për t’i bërë vend Kontit te Napoli. Sigurisht, që nuk do të ishte shumë e mençur për një agjent të vërë në konkurrencë dy lojtarë të tij në të njëjtën skuadër”, shpjegoi Mario Xhiufredi.
Baloteli: Ndihem mirë në Francë

Rikthehet Mario Baloteli. Pas një periudhe jo shumë pozitive te Liverpooli dhe Milani, duket se sulmuesi ka rigjetur formën e tij më të mirë fizike si dhe rrugën e rrjetës, duke u shndërruar në protagonist absolut tek skuadra e tij Nice në kampionatin francez. SuperMario është rikthyer dhe deri më tani, ai ka arritur të realizojë 6 gola, 1 në çdo 85 minuta lojë. Shifra të kënaqshme për një futbollist, i cili deri para pak kohësh ishte një lojtar stoli.
Gjatë një interviste, italiani i ka treguar gazetarëve se cili është shkaku i rikthimit të tij në nivele të kënaqshme. “Sezonin e kaluar nuk luajta shumë, kështuqë nuk arrita të shënoja gola. Më pas, pësova dhe një dëmtim të rëndë që më la jashtë fushave për një kohë të gjatë, por tashmë kjo është pjesë e së shkuarës. Kur ndihem mirë, arrij të jap maksimumin për skuadrën. Në Francë ndihem mirë. Gjithashtu, skuadra ku unë luaj është duke kaluar një moment pozitiv. Kemi ende shumë ndeshje për të luajtur, sidoqoftë unë dhe shokët e mi të ekipit do të përpiqemi të japim më të mirën në çdo takim”, shprehet Baloteli.
Më pas, Baloteli foli dhe për garën e fituesit te “Topit të Artë”. SuperMario nuk ka dyshime, Lionel Mesi dhe Cristiano Ronaldo janë më të mirët, por nuk harroi të shtonte se dhe për të fitimi i këtij trofeu nuk është një mollë e ndaluar.
“Sigurisht që Mesi dhe Ronaldo janë më të mirët. Askush nuk i ka cilësitë që kanë ata. Nëse unë zhvilloj një sezon të mirë, pa dëmtime dhe do të jem i përqendruar maksimalisht, atëherë një ditë ai trofe do të jetë edhe i imi”, tha Baloteli.
26-vjeçari nuk e harron dashurinë e tij të vjetër, Milanin. Ai shprehet se nëse një ditë do të kthehet në Itali, pa dyshim që ai do të donte të ishte sërish pjesë e kuqezinjve.
Guardiola: Respekt për Ranierin dhe Leicesterin
Leicester City do të presë këtë të shtunë në “King Power Stadium” Manchester City-n, për me shpresën për t’i dhënë fund një serie të gjatë ndeshjesh pa fitore në Premier League. “Dhelprat” po përjetojnë momentin më të keq të sezonit, çka pranohet edhe trajneri Claudio Ranieri. Italiani në konferencën për shtyp para takimit u shpreh se ka besim se futbollistët e tij do të dijnë si të reagojnë, por nga ana tjetër e pranoi se skuadra ka nevojë për një analizë të thellë sapo të mbyllet 2016-ta.
Casper Schmeichel, i cili është i dëmtuar në dorë, mbetet e vemtja mungesë në radhët e Leicesterit, ndërsa nga Cityzens nuk janë të disponueshëm Aguero, Fernandinho dhe Otamendi të pezulluar, Kompany mbetet i dëmtuar, ndërsa Sterlingd është në dyshim. Pavarësisht se rezultatet me luhatje, për spanjollin është më e rëndësishme ruajtja e nivelit të lartë të lojës.
“Rezultatet janë të rëndësishme, por unë dua që skuadra ime të luajë mirë. Shpesh ndodh që edhe pse meriton të fitosh, nuk merr maksimumin e pikëve. Nëse luajmë ashtu siç luajtëm ndaj Chelseat dhe Celtikut, do të arrijmë gjëra të mira”, u shpreh Guardiola.
Humbja e thellë e Leicesterit në Champions ndaj Portos, sipas Guardiolës nuk mund të jetë pikë referimi për përballjen e Premier Leagues. “Leicesteri mbetet një skuadër e mirë. Për Ranierin kam shumë respekt, ajo që bëri skuadra e tij sezonin e kaluar ishte e mrekullueshme. Ata e mbyllën të parët fazën e grupeve në Champions e ndoshta nuk kanë qenë të fokusuar te ndeshja e fundit”, përfundoi Guardiola.
Nejmar fushatë për Mesin: Meriton çmimin e FIFA-s
Mediat spanjolle janë të sigurta se “Topi i Artë” këtë vit shkon për Cristiano Ronaldon, nisur dhe nga rituali i përvitshëm i realizimit të setit të fotove për ceremoninë me ekipin e France Football, por ndërkohë braziliani Neymar bën fushatë për shokun e tij të skuadrës Lionel Mesi, që të fitojë çmimin e “Lojtarit më të mirë të FIFA-s për vitin 2016”. Argjentinasi është mes tre kandidatëve finalistë për këtë çmim, bashkë me Antoine Griezmann dhe rivalin e tij të përjetshëm Ronaldo. Neymar edhe pse e di se triumfi në Champions dhe në Euro 2016, i jep një shtysë të konsiderushme portugezit 31-vjeçar, beson se Çmimin e FIFA-s e meriton vetëm një futbollist.
“Unë nuk e di se kush do të fitojë, por për mua është vetëm njëri që mund të konsiderohet më i miri, dhe ai është Mesi. Ronaldo është një lojtar i madh, ai ka klas botëror dhe e ka treguar këtë për shumë vjet dhe unë e respektoj, por Mesi është ai që meriton çmimin, sipas meje”, u shpreh Neymar.
Mesi dhe Neymar ndihmuan Barcelonën të fitonte La Liga-n dhe Kupën e Mbretit këtë vit. Argjentinasi ka shënuar tanimë 20 gola në 18 ndeshje të luajtura në sezonin e ri, ndërsa për Kombëtaren e Argjentinës ka dërguar 8 herë topin në rrjetë në 2016, duke parakaluar Gabriel Batistutën, për t’u bërë golashënuesi më i mirë në gjithë historinë e La Sellecion. Çmimi i FIFA-s për futbollistin më të mirë të vitit, do të shpallet në ceremoninë që do të mbahet në Zyrih në 9 janarin e ardhshëm.
Rusia: Qeveria siriane ka ndërprerë sulmet në Aleppo
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se qeveria siriane ka ndërprerë të gjitha veprimet në Aleppon Lindore, para një takimi të ekspertëve ushtarakë amerikanë e rusë mbi situatën në qytetin e shkatërruar.
Të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, shfaqi shpresën për një “marrëveshje të mundshme për armëpushim me Rusinë për t’u dhënë fund luftimeve në Aleppo.
Pas takimit me Lavrovin në Hamburg, Sekretari Kerry tha se ishte duke pritur për “informacione të reja”, por pa dhënë më shumë hollësi.
Ministri i Jashtëm rus tha se, “një marrëveshje është arritur që ekspertët tanë ushtarakë dhe diplomatët të takohen të shtunën në Gjenevë për të përfunduar punën që është bërë gjithë këto ditë për hartimin e një dokumenti që përcakton rrugët dhe mjetet për një zgjidhje përfundimtare pë Aleppon Lindore, sipas të cilit, të gjithë luftëtarët duhet të largohen sikundër edhe civilët që duan ta bëjnë një gjë të tillë”.
Në New York, i dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, mirëpriti deklaratën ruse, por u tha gazetarëve se nuk mund të vërtetojë në mënyrë të pavarur nëse luftimet janë ndalur dhe nëse civilët janë evakuuar. Kombet e Bashkuara do të jenë pjesë e bisedimeve të së shtunës në Gjenevë, tha ai.
Deklarata ruse u bë gjatë një takimi me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha de Mistura. Ambasadori rus nuk u tha anëtarëve të Këshillit se sa do të zgjasë pezullimi i luftimeve në Aleppo, tha një zyrtar i OKB-së.
Sa i përket evakuimit nga Aleppoja, de Mistura tha se, “shifrat që janë përmendur mund të përfshijnë rreth 8 mijë civilë”.
Tërheqja e luftëtarëve nga Aleppoja Lindore mund të përfshijë grupin që deri vonë njihej si Jabhat al-Nusra, u tha gazetarëve de Mistura, përfshirë edhe grupet tjera të armatosura.
“Fakti që po diskutohet se si të ndodhë kjo në mënyrën e duhur dhe të sigurt, është një zhvillim i rëndësishëm”, tha ai.
Megjithatë, kryengritësit në Aleppo, kanë bërë thirrje për një armëpushim pesë ditësh për të siguruar evakuimin humanitar të civilëve, para çfarëdo bisedimesh për të ardhmen e Aleppos.
Në Siri, Presidenti Bashar al-Assad, tha se ushtarët e tij do të vazhdojnë luftimet deri në përfundimin e luftës pesëvjeçare. Ai nuk përmendi bisedimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Rusisë e OKB-së, por tha se nuk mund të ketë armëpushim derisa kryengritësit mbeten në Aleppo.
Ai i bëri këto komente në një intervistë të publikuar të enjten në gazetën qeveritare al-Watan. Dje ushtria siriane me mbështetjen e Rusisë mori kontrollin e pjesës më të madhe të pjesës të vjetër të Aleppos, e cila që nga viti 2012 ka qenë nën kontrollin e forcave kryengritëse.
Jan Egeland, këshilltar i lartë i të dërguarit të OKB-së, tha se Siria i ka dhënë leje OKB-së që të hyjë në Aleppon Lindore, por organizata e ka të pamundur të dërgojë ndihma atje përderisa nuk ndërpriten luftimet.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, tha se ka evakuuar 150 civile në nevojë urgjente mjekësore nga spitali në qytetin e vjetër të Aleppos.
Dhjetëra mijëra civilë kanë mbetur të ngujuar në Aleppon Lindore me gjithë valën e refugjatëve që gjatë dy javëve të fundit ka kaluar në pjesën relativisht më të sigurt në Aleppon Perëndimore të kontrolluar nga qeveria. Vëzhguesit vlerësojnë se gjatë javës së shkuar 18 mijë civilë kanë kaluar në pjesën Perëndimore, dhe mbi 9 mijë në pjesën e kontrolluar nga kurdët.
De Mistura beson që më pak se 100 mijë veta kanë mbetur nën rrethim në Aleppon Lindore.