30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Gjermani, CDU-ja kërkon anulimin e dynënshtetësisë

Deri në dhjetor 2014 pjesës më të madhe të fëmijëve me prindër të huaj u duhej të zgjidhte në moshën 18 deri 23-vjeçare nëse donin të mbanin nënshtetësinë gjermane apo atë të prindërve të tyre. Kjo kishte të bënte kryesisht me fëmijët me prindër turq.
Ky ligj u ndryshua në vitin 2014 pas bisedimeve të gjata mes partive të unionit CDU/CSU dhe SPD-së, që përbëjnë së bashku koalicionin e madh në Berlin. Që prej asaj kohe personat në fjalë mund t’i mbajnë në kushte të caktuara të dyja pasaportat – madje përgjithmonë.
As dy vjet më pas CDU-ja e bën nënshtetësinë e dyfishtë temë debati në kongresin e partisë në Essen. Grupi rinor i CDU-së “Junge Union” kërkoi anulimin e këtij ligji dhe pas një debati të nxehtë dhe plot diskutime, arriti një shumicë të vogël kundër dëshirës së Kancelares dhe të ministrit të Punëve të Brendshme. Pra çështja është kthyer në rendin e ditës.

CDU-ja i kundërvihet kancelares Merkel
Eva Högl zëvendëskryetare e grupit parlamentar të socialdemokratëve në Parlamentin gjerman tha në intervistë me “Deutsche Wellen” se është “me të vërtetë e tronditur me këtë vendim të CDU-së. Sepse me të partia i kundërvihet Kancelares Angela Merkel dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Thomas de Maizière.” Sipas saj, me këtë vendim CDU-ja nxit politikën e partisë radikale të djathtë, Alternativa për Gjermaninë.

Dynënshtetësia nxit integrimin
Ajo thotë se ligji për lejimin e dynënshtetësisë tregon respekt për faktin se gjithnjë e më shumë njerëz kanë biografi ndërkombëtare. Sipas saj, ata e pranojnë Gjermaninë dhe prandaj duan të marrin nënshtetësinë gjermane, por nuk duan që të humbasin as lidhjet me vendin e origjinës së prindërve dhe të gjyshërve dhe kjo është në rregull. Sipas Eva Hëgl, dynënshtetësia nxit integrimin dhe nuk është pengesë për këtë.

Kurs i rrezikshëm
Zëvendëskryetarja e grupit parlamentar të socialdemokratëve mendon se CDU/CSU-ja po orientohen nga e djathta dhe se duket se po i bien pas shpine kryetares së partisë CDU dhe Kancelares Angela Merkel. Në kongres delegatët vërtet e rizgjodhën atë si kryetare të partisë, por miratimi i kërkesës për ndryshimin e ligjit për nënshtetësinë tregon se ka mospërputhje mes partisë dhe drejtuesve të saj dhe se ky kurs është i rrezikshëm dhe se CDU-ja duhet ta mendojë mirë nëse ky është kursi i duhur.

Kinezët po blejnë Portugalinë

Pasi kanë shtënë në dorë sektorin e energjisë elektrike dhe të sigurimeve, investitorët kinezë u janë lëshuar tani bankave dhe mediave portugeze. Kina po blen thuajse gjithçka në Portugali: spitale, shoqëri sigurimi, gazeta dhe banka. Dhe ndërsa ekonomistët dhe madje edhe biznesmenët janë të alarmuar për shtimin e ndikimit kinez, kryeministri Antonio Costa e konsideron Kinën si shpëtimtare nga kriza dhe do ta zgjerojë edhe më tej bashkëpunimin.
“Bankat portugeze po ndjellin investitorë që nuk janë patjetër të dëshiruar”, paralajmëroi javën e kaluar Fernando Faria de Oliveira, ish-ministër i Ekonomisë dhe kryetar i Shoqatës së Bankave, pasi grupi kinez Fosun kishte blerë 16,7% të bankës BCP. Kjo bankë është banka më e madhe private në Portugali dhe kinezët që tani janë aksionerët më të mëdhej të kësaj banke, duan të blejnë rreth 30% të aksioneve të saj.

Blerje për rreth 13 miliardë euro
Që prej fillimit të krizës në vitin 2011, Republika Popullore e Kinës ka blerë në Portugali në mënyrë masive. Ajo kontrollon ndërkohë sipërmarrjen e energjetikës EDP si dhe ish-koncernin shtetëror të energjisë REN. Po ashtu, ajo ka blerë edhe shoqërinë e sigurimeve Fidelidade, si dhe një sërë spitalesh e klinikash. Dhe së fundi një investitor nga Macau, që deri në vitin 1999 ishte koloni portugeze, do të blejë shumicën e grupit mediatik Global Media, koncernit më të madh të gazetave portugeze.

Dera e Kinës në Evropë?
Në vend që të jetë i shqetësuar kryeministri portugez Antonio Costa vetëm se lavdëron miqësinë kinezo-portugeze. Gjatë vizitës së tij në Kinë në muajin tetor, ai tha se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një histori 500-vjeçare dhe tha se Portugalia ka nevojë urgjente për investitorë.
Tani investitorët kinezë kanë në shënjestër bankat dhe pas bankës BCP synojnë të blejnë edhe bankën “Novo Banco”. Profesori i ekonomisë João Duque thotë se “kinezët nuk punojnë patjetër sipas kritereve të ekonomisë së tregut” dhe se bankat portugeze nuk duhet të varen vetëm nga një investitor, edhe pse kanë nevojë për para.
Kina nuk e fsheh interesin e saj për ta kthyer Portugalinë në deriçkë për të depërtuar në Evropë. Dhe në kuadër të partneritetit strategjik mes të dy vendeve po vazhdon planet për të investuar në logjistikë, transport, bujqësi, turizëm dhe ndërtim.

Kadirov: Trupat çeçene, të gatshme të luftojnë në Siri

Udhëheqësi i rajonit rus të Çeçenisë, Ramzan Kadirov, vlerëson se trupat e vendosur në këtë zonë do të ishin të gatshëm që të luftonin kundër atyre që i ka quajtur “llum” në Siri, nëse këtë e dëshiron Presidenti rus, Vladimir Putin.
Kadirov ka reaguar ndaj raportimeve të mediave ruse që thonë se dy batalione të Policisë Ushtarake nga Çeçenia janë duke u bërë gati të nisen për në Siri, për të mbrojtur bazën ajrore ruse në shtetin e Lindjes së Mesme të shkatërruar nga lufta.
Kadirov nuk i ka konfirmuar këto raportime, por në rrjetin social, Instagram ka shkruar se trupat e stacionuar në Çeçeni, me dëshirë do të shkonin në Siri. Ai ka shtuar se edhe vet me dëshirë do t’i bashkohej luftës kundër “terrorizmit ndërkombëtar”.
“Do të isha i lumtur dhe krenar që menjëherë të nisem për në Siri, të luftojë llumin”, me urdhër të Putinit, ka thënë Kadirov.
Rusia, prej shtatorit të vitit 2015, ka nisur fushatë ajrore në përkrahje të presidentit sirian, Bashar al Assad, duke i ndihmuar forcat e këtij të fundit për të rimarrë territoret e humbura.
Kadirov nuk e ka sqaruar se kujt iu ka referuar si “llum”.
Qeveritë perëndimore thonë se sulmet ajrore ruse kryesisht kanë pasur cak luftëtarët kundër qeverisë e jo militantët e grupit, Shteti Islamik.
Kadirov, të cilin kritikët thonë se rregullisht abuzon me të drejtat e njeriut në rajonin çeçen, kryesisht të banuar nga myslimanët, së fundi i ka thënë televizionit shtetëror rus se ai ka dërguar çeçenë në Siri për t’u infiltruar brenda IS-it dhe për të mbledhur informacione.

Maqedoni: Shumë premtime në fushatën elektorale

Fushata elektorale në Maqedoni, që mbyllet të premten (09.12) karakterizohet prej akuzave të rënda mes partive politike e nuk mungojnë as tonet nacionaliste. Në mitingjet elektorale kryetari i VMRO-së, Nikolla Gruevski, fjalimet e tij i përqendron në akuzat drejtuar kreut të opozitës, Zoran Zaev. Gruevski thotë, se në rast të fitores së Zaevit, Maqedonia do të ndahet si shtet, gjuha shqipe do të bëhet zyrtare, e me këtë, sipas tij, do të rrënohet karakteri i shtetit unik. Lideri i opozitës Zoran Zaev, kësaj retorike të Gruevskit i është përgjigjur me vendosmërinë e tij për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë zyrtarët e inkriminuar. Analistët për çështje ndëretnike thonë, se retorika e tillë nacionaliste është si pasojë e mungesës së ofertave konkrete për zgjidhjen e problemeve të shumta, me të cilat përballen qytetarët e Maqedonisë. “Është evidente që partitë çdo herë gjatë cikleve zgjedhore paraqiten me retorikë nacionaliste. Si duket, partitë ende nuk kanë kuptuar se vota apo fitorja në zgjedhje nuk mund të arrihet me nxitje të tilla nacionaliste, që tanimë janë të lexuara nga populli dhe si të tilla nuk kalojnë”, thotë Vllado Dimovski, drejtues i Qendrës për Tolerancë Ndërentike.
Kreu i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, fton elektoratin që të dalin në votime dhe të mbështesin VMRO DPMNE-në, për të fituar 63 deputetë, si mënyra e vetme për të dalë nga kriza dhe për të ruajtur rendin kushtetues në Maqedoni, pasi, sipas tij, LSDM-ja pretendon të kundërtën. Zgjedhjet e 11 dhjetorit Gruevski i cilëson si referendum për shtet unik dhe të unifikuar, kundër dygjuhësisë dhe ripërcaktimit të shtetit. “Kushtetuta garanton, se Maqedonia është shtet unitar. Kushtetuta e garanton që maqedonishtja është gjuha e vetme zyrtare në të gjithë territorin e republikës. Është interesi ynë që maqedonishtja të mbetet gjuha e vetme zyrtare. Dygjuhësia që Zoran Zaev ia premton shqiptarëve nuk është dygjuhësi vetëm në vendbanimet shqiptare, por në tërë teritorin e vendit”, shprehet Gruevski.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, theksoi se në këto zgjedhje do të fitojnë qytetarët. Ai ftoi qytetarët të votojnë pa frikë dhe të lajmërojnë nëse dikush i kërcënon, apo u kërkon t’ua blejë votën.
“Në Maqedoni do të vlejë për të gjithë njëlloj ligji, ata që kanë bërë vepra kriminale dhe korrupsion do të japin llogari. Maqedonia nuk mund të vazhdojë me të pavërteta dhe gënjeshtra, ju premtoj se e gjithë e vërteta do të zbardhet deri në fund. Nuk mund të jemi shtet e të mos e dimë çfarë ka ndodhur në të vërtetë, të mos e dimë se kush i vrau katër djemtë e rinj në liqenin e Smillkovës, nuk mund të presim të jemi shtet si ato europiane, e të mos zbulohet e gjithë e vërteta e Lagjes së Trimave. Nuk mund të jemi të armiqësuar edhe me Greqinë, Bullgarinë, Shqipërinë, Kosovën e Serbinë. Këtu diçka kundërmon, diçka nuk është në rregull”, deklaron kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Partitë politike parlamentare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare, fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 dhjetorit e kanë vazhduar me premtimet për avancimin dhe mbylljen e çështjeve të pazgjidhura shqiptare. Në mitingjet elektorale drejtuesit e BDI-së kanë thënë, se në pushtetin e ardhshëm të gjitha vendimet do të merren me konsensus.
E sotmja ka shumë dallim nga e kaluara, shqiptarët tanimë ndihen të sigurt në vendin e tyre, gëzojnë të drejta të shumta, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tij, shqiptarët duhet të unifikohen dhe mos ta përçajnë votën, çdo votë që do të jepet për partitë oponente do të shkojë në dëm të shqiptarëve dhe do të defaktorizojë shqiptarët e Maqedonisë. “BDI është vlerë kombëtare dhe kjo vlerë duhet ruajtur e trashëguar nga brezat që vijnë, pasi në këtë parti militojnë njerëz, të cilët kanë dhënë shumë për këtë vend. Unë nuk ndjej asnjë shqetësim dhe frikësim, se dikush mund të sfidojë BDI-në, pasi fitorja më datën 11 dhjetor është e padiskutueshme”, ka deklaruar Ali Ahmeti.
Kreu i PDSH-së, Mendu Thaçi u zotua se do të angazhohet për të realizuar të gjitha të drejtat politike të shqiptarëve si dhe për të ndërprerë diskriminimin ekonomik. PDSH zotohet, se do të miratojë dy ligje për amnisti. Amnisti për të burgosurit në raste të pretenduara si raste të montuara dhe amnisti, apo falja e të gjitha borxheve që kanë shqiptarët ndaj shtetit.
“Ne e kemi ligjin për amnisti fisklale, me të cilin do t’i falim të gjitha borxhet që kanë shqiptarët ndaj shtetit. Shqiptarët do të fillojnë të paguajnë borxhe ndaj shtetit atëherë kur ky shtet do t’u jepë shqiptarëve borxhin e madh. Një miliard e shtatëqind milionë euro të buxhetit të shtetit duhet të vijnë te shqiptarët. Ligji i dytë për amnisti, që do të sillet është zbrazja e burgjeve që janë të mbushura me shqiptarë”, thotë Thaqi.
Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, tha se me ardhjen e tyre në pushtet, ky shtet do të ridefinohet si një shtet i barabartë si për maqedonasit ashtu edhe për shqiptarët. “25 vite politika na mashtroi, politika na uli dinjitetin tonë shiptar dhe ne nuk kemi kohë për të pritur. Prandaj ne ju garantojmë se të gjitha ato projekte, të cilat janë nevojë immediate do të realizohen. Vërtetë që këta shkatërruan gjithçka që ka të bëjë me shqiptarët dhe shqiptarinë, shkatërruan arsimin tonë, shkatërruan shëndetësinë shkatërruan ekonominë, kësaj gjendjeje do t’i themi stop më 11 dhjetor”, është shprehur Kasami.
Aleanca për shqiptarët vlerëson, se kriza politike dhe shkatërrimi i ekonomisë, janë pasojë e qeverisjes së gabuar nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. “Unë dhe të gjithë shqiptarët po të themi se t’i i dogje 153.000 vota, që i more në vitin 2014. Ndaj tani çdo votë që shkon për ty dhe BDI-në, është votë e djegur”, sipas Ziadin Sela kryetar i LR-PDSH-së. Sipas tij, institucioni që bën shqiptarët të barabartë në gjitha sferat, si në drejtësi, buxhet, zyrtarizim të gjuhës shqipe është institucioni i votës së lirë.

SHBA: Rusia të japë llogari për ndërhyrjen në zgjedhje

Ligjvënës amerikanë të të dyja partive politike, thanë së është borxh ndaj qytetarëve amerikanë një llogaridhënie e hollësishme për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar, ndërsa një përfaqësues i rëndësishëm republikan bëri thirrje për sanksione ndaj hakerëve rusë.
“Është e qartë që Rusia është përfshirë në zgjedhjet e fundit dhe ka mbledhur të dhëna për të dyja palët, ndërsa ka publikuar të dhëna vetëm për njërën palë (për të dëmtuar demokratët) në një përpjekje për të ndikuar zgjedhjet”, i tha “Zërit të Amerikës” kreu i demokratëve në Komitetin e Zbulimit, Dianne Feinstein.
Senatori republikan, Lindsey Graham, u pajtua.
“Ka shumë dëshmi që ata ndërhynë në zgjedhjet tona duke hakuar sistemet dhe duke i bashkuar forcat me të tjerët që të japin informacion që ishte i favorshëm për njërën palë kundër tjetrës”, tha tha Graham, duke shtuar se “ky është një precedent që nuk mund të lejojmë që ta kalojë pa u vërejtur”.
“Unë dua të gjejmë se çfarë kanë bërë, faktet kundrejt fiksioneve dhe të vendosim sanksione që do t’i shkaktonin dhimbje Rusisë – individëve në Rusi (përgjegjës për ndërhyrjet)”, theksoi Graham.
Pohimet e tilla mund të çojnë në përplasje me të mundshme me presidentin e sapo zgjedhur Donald Trump, i cili ka pohuar se zgjedhjet ishin të lira nga ndërhyrjet ruse.
Në një deklaratë të rrallë publike në tetor, zyrtarët e qeverisë së SHBA-së thanë se sulmet kibernetike mbi organizatat politike demokratike dhe emailet e personelit të ish-kandidates demokrate, Hillary Clinton, u drejtuan nga “zyrtarë të lartë rusë”.
Shumë demokratë nga të dyja dhomat e Kongresit i shkruan Shtëpisë së Bardhë me kërkesën që të bëhen të ditura më shumë informacione rreth kësaj çështjeje.
Feinstein nuk e kishte hedhur emrin e saj në letër, duke theksuar se tash për tash nevojitet më shumë durim.
“Hetime të caktuara janë ende duke u zhvilluar. Mendoj se ato duhet të kompletohen para se të dalin informacionet, tha Feinstein. “Një ditë të gjitha do të dalin në shesh”.
Ligjvënësit demokrat Eric Swalwell and Elijah Cummings, nxorën të mërkurën ligjin për krijimin e një paneli të të dyja partive për të hetuar ndërhyrjen ruse.
Republikani Graham tha se çështja nuk është partiake. Ndërsa demokratët ishin në shënjestër të këtij viti, republikanët mund të jenë në shënjestër të një vendi tjetër në zgjedhjet e ardhshme, tha ai.
“Çfarë nëse iranianët e bëjnë këtë? Nëse Trumpi do të jetë i rreptë me iranianët siç ka thënë se do të jetë, mund të shohim një ndërhyrje në palën republikane. Dhe kjo mund të çojë në kaos”, tha Graham.
Çështje e hapur mbetet se si arritën hakerët e huaj tek emailet e fushatës së zonjës Clinton dhe i publikuan ato nëpërmjet WikiLeaks në periudhën përmbyllëse të fushatës presidenciale.
Senatori demokrat, Ben Cardin, tha se pret që më shumë informacione të dalin në ditët në vazhdim nga administrata e Presidentit Obama.

Kroacia ndalon mbajtjen e të gjitha simboleve totalitare

Miratimi i një ligji në Kroaci që ndalon shfaqjen e të gjitha simboleve të totalitarizmit, lajmëruar nga kryeministri Andrej Plenkoviç të hënën përmban rreziqe të mundshme, thotë një ekspert.
Teksa ligji i ri do të ndalojë të gjitha simbolet totalitare, ka mundësi që të përfshijë edhe yllin e kuq, simbolin e partizanëve të ushtrisë komuniste jugosllave që luftoi fuqitë e Aneksit në Luftën e Dytë Botërore dhe që mori pushtetin në Jugosllavi në 1945.
Profesor Tihomir Cipek, nga Fakulteti i Shkencave Politike të Zagrebit, tha se nuk dihej me siguri se si një ligj i tillë mund të kalohej për shkak se mund të hapë një çështje kushtetuese.
“Nëse shihet si ndryshim i Kushtetutës, nevojitet një shumicë dy të tretat e deputetëve, gjë që është e pamundur”, tha ai.
“Por nëse kalohet vetëm si një ligj, që nuk ndryshon asgjë thelbësore, është e mundur që [partia në koalicion] MOST të mbështesë iniciativën”, tha ai.
Ai shpjegoi se Kroacia është ndërtuar nga aspekti kushtetues si pasuese e Këshillit Shtetëtor Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Kroacisë nga Lufta e Dytë Botërore.
Meqë ky organ drejtohej nga komunistët “këto të dyja nuk mund të ndahen plotësisht” dhe kriminalizimi i njërës do të çonte në kriminalizim të tjetrës”, tha ai.
Megjithëse një politikan i moderuar, partia në qeveri e qendrës së djathtë e Penkoviç, Bashkimi Demokratik Kroat, BDK, shpesh pretendon se Jugosllavia e drejtuar nga komunistët ishte një regjim totalitar, ashtu si entiteti i luftës i ustashëve drejtuar nga fashistët, Shteti i Pavarur Kroat.
Deklarata e Penkoviç të hënën pasoi një polemikë në Kroaci mbi ngritjen e një pllakade në bashkinë Jasenovaç, që ishte qendër e një kampi famëkeq të përqendrimit drejtuar nga ustashët ku rreth 83,000 serbë, hebrenj, romë dhe antifashistë u vranë nga viti 1941 deri në 1945. Pllakada shkaktoi kontraversitet sepse lidhej me sloganin ustash “Za dom spremni” (Gati për Atdheun).
Megjithatë, ngaqë pllakada u vu nga shoqata e ish-luftëtarëve të Forcave Kroate të Mbrojtjes, që u integrua në ushtrinë kroate në 1992, dhe ngaqë fraza është në uniformat e kësaj lidhje, Plenkoviç nuk pranoi ta dënonte pllakadën.
Cipek theksoi gjithsesi se, megjithëse të dyja sistemet totalitare ishin përgjegjëse për vdekjen e miliona vetëve, komunizmi nuk shkon drejtpërdrejt kundër vlerave të përgjithshme dhe nuk pretendon për shembull “se disa grupe njerëzish nuk janë aspak njerëz. Kjo është arsyeja përse simbole të tilla si ylli i kuq ose drapri dhe çekani nuk janë ndaluar në Europën Perëndimore”, vëzhgoi ai.
“Kjo qasje e barazimit të dy sistemeve totalitare, që vjen kryesisht nga Europa Verilindore, me anti-komunizmin e fortë të saj, rehabiliton qëllimisht ose jo një regjim totalitar dhe ky është fashizmi”, përfundoi ai.
Disa shtete europiane kanë ndaluar shfaqjen në publik të yllit të kuq, përfshirë Hungarinë, Letoninë, Lituaninë dhe Ukrainën. Të tjera po mendojnë të ndjekin shembullin.
Megjithatë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në 2008 vendosi në favor të një politikani hungarez, Attila Vajnai, që u prangos dhe u dënua në vitin 2003 për veshjen e yllit të kuq, duke thënë se ndalimi shkelte lirinë e tij të shprehjes.

Plan për rikthimin e Gruevskit

Ekziston marrëveshje e fshehtë mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për rikthim të Gruevskit kryeministër dhe Sasho Mijallkovit në postin e drejtorit të DSK-së edhe pse bashkësia ndërkombëtare është kundër një plani të tillë, thonë diplomatë të vendeve perëndimore në Shkup. Sipas tyre, këtë plan mund ta pengojnë vetëm shqiptarët, duke votuar kundër BDI-së. “Ndërkombëtarët janë munduar gjatë kohës ta çlirojnë Ahmetin nga kthetrat e Gruevskit, mirëpo si duket kryetari i BDI-së është futur shumë thellë. Rikthimi i Gruevskit në post kryeministri dhe i Mijallkovit në postin e drejtorit të DSK-së, me siguri do të pasohet edhe me zgjedhjen e Tarçullovskit ministër të Brendshëm. Ky skenar do t’i rrisë tensionet dhe ka gjasa të shkaktojë luftë qytetare në Maqedoni. Këtë skenar mund ta pengojnë vetëm shqiptarët. Nëse BDI merr më pak se 7 deputetë në zjedhjet e së dielës, atëherë Gruevski nuk mund të kthehet në post kryeministri, sepse partitë e tjera shqiptare janë deklaruar qartë se nuk do të bashkëpunojnë me të. Nëse BDI merr më shumë se 7 deputetë, Gruevski do të bëhet prap kryeministër me çka do të vazhdojë ngecja e procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, që do të përcillet me tensione të reja mes shqiptarëve dhe maqedonasve”, ka thënë për “Lajm” një diplomat perëndimor i akredituar në Shkup.

Të dielën zgjedhjet në Maqedoni

Ambasadat dhe diplomacitë e vendeve të huaja në Maqedoni kanë paralajmëruar shtetasit e tyre që të kenë kujdes në 11 dhjetor datë kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në vend.
Qytetarët nga jashtë të kenë kujdes më 11 dhjetor nëse ndodhen në Maqedoni. Kështu rekomanduan Ambasada e SHBA-së dhe përfaqësitë diplomatike të vendeve evropiane në Shkup. Në njoftimet e kumtuara, qytetarëve u rekomandohet t’i shmangen qëndrimet në grupe apo pjesëmarrjet në tubime politike. Por pavarësisht paralajmërimit, Ambasada amerikane në Shkup, e quan thjesht një procedurë standarde. “Është procedurë standarde dhe përmbushje e obligimit të ambasadës ndaj qytetarëve. Të dhëna për rrezik konkret nuk ka! Kjo nuk duhet të merret si koment mbi ecurinë e zgjedhjeve, por thjesht si detyrim i ambasadës ndaj qytetarëve të saj”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së. Ambasada e Francës ndan të njëjtin qëndrim.“Ky rekomandim është i karakterit të përgjithshëm dhe nuk ndërlidhet aspak me zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thanë nga Ambasada e Francës. Nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup informojnë qytetarët e tyre që ndodhen në Maqedoni se deri më tani ka pasur disa sulme në objekte të partive politike, andaj duhet të kenë kujdes.“Gjatë periudhës së zgjedhjeve, qytetarët britanikë duhet t’i shmang tubimet politike dhe çfarëdolloj tubimi tjetër”, njoftuan nga Ambasada e Britanisë së Madhe.

Dhjetor ‘90, pse u zgjodh Azemi në krye?

Errësirë brenda errësirës

Mitro ÇELA

8 dhjetor 1990. E shtunë. Punoja në gazetën “Bashkimi”. Katër vjet më parë më kishin vënë “drunë’ nga “ZP”-ja. Gjatë ditës, më shumë tunda derën. Një çaj mali në bufenë e gazetarëve. Kafe? Nuk kishte dollarë për të importuar?! U ktheva herët në shtëpi. Mora makinën e shkrimit. Boshllëk. Asgjë për të shënuar, pikërisht në çastin kur për vendin kishin nisur tallazet që do të shembnin një diktaturë, edhe pse shtëpia ime ndodhet 2 kilometra larg Qytetit të “Studentëve”. Pse?
Pas krizës së ambasadave. Pas arratisjes së mijëra shqiptarëve drejt Evropës, duke hyrë më 2 korrik 1990 në ambasada. Pas shembjes së Murit të Berlinit. Pas Gorbaçovit… Shqipëria nakatosej me ideologjinë marksiste. Kishte miq: Fidel Kastron e Kubës dhe Kim Ir Senin e Koresë së Veriut?! Errësirë brenda errësirës. TVSH dhe Radio Tirana-memece. “Zërin e Amerikës” – duke pasur lepurin në bark, e dëgjoje, por nuk e përtypje. E dëgjoje, por nuk e komentoje…
9 dhjetor 1990. E diel. Në mëngjes erdhi në shtëpi Irena. Studente.
-Mos ka pasur ndonjë rrëmujë nga Qyteti i Studentëve?- pyeta.
-Diçka kam dëgjuar. Por nuk di!
Ka të drejtë të mos dijë. Bota e saj është ushtari. E ka njohur që në shkollë të mesme. Sot? Ai është ushtar. Ajo studente. Kur studentët ngrenë krye, ajo është në krahët e ushtarit, nën kurorën e ndonjë pishe.
Lavdi Zotit edhe pyllin e ka afër…edhe jarani është në formë, sepse, për mungesë valute, nuk është importuar nga ajo esenca që hidhet në çaj dhe dobëson bateritë e ushtarëve…

Liria mbi barrikadë

11 dhjetor ‘90. E martë. Në mëngjes shkova në Qytetin “Studenti”. Grumbull djemsh e vajzash. Ishte improvizuar një podium. Flisnin oratorë të ndryshëm, secili për hesap të vet. Dikush më tregoi një djalë me baluke, me xhakavento të zezë: është Azem Hajdari…
M’u afrua një student: “Profesor (unë jepja ekonomi në kurset e gazetarisë), ju jeni me ne?” Instinktivisht iu përgjigja:
-Përderisa jam këtu?!
Ishte fraza më pa kuptim që mund të thuhej.
Pashë kryeredaktorin e “Zërit të Popullit” Spiro Dede. E kishin rrethuar studentë. Dukeshin armiqësorë. U afrova.
-Pse nuk botoni informacion për ne? Pse shqiptarët duhet ta dëgjojnë të vërtetën nga “Zëri i Amerikës”?
Në mikrofon u dëgjua një zë. “Është Sali Berisha, tha një student. – E njoh doktorin se jam student nga Tropoja”…“Kam ardhur këtu si miku juaj…” Midis studentëve pati shënja mosaprovimi…
Pastaj foli Hamit Beqja. Një fjalim i gjatë. Pa pika e presje. As mish, as peshk.
… “Xhaketë e kthyer, tha dikush… “Nuk u ngop së foluri ky njeri, xhanëm…”

Ramiz Alia përballë studentëve

11 dhjetor. E martë. Në orën 16:00 shkova në Qytetin e “Studentëve” i shoqëruar nga gazetari Gëzim Sinemati. Rrugës mora vesh se ishte mbledhur Plenumi i KQ të Partisë. Kishte pasur debate të forta. Ishin shkarkuar 7 anëtarë të Byrosë Politike. Me dy vota kundër-Spiro Koleka dhe Shefqet Peçi-Plenumi kishte vendosur të lejohej pluralizmi. Dhe së fundi nga radha, por jo nga rëndësia: Shoku Ramiz Alia do të takohej me një përfaqësi të studentëve.
Ora 20:00:
Në autobus hipën përfaqësuesit e studentëve. Ne shikonim gjithë ankth rrugën. Shoferi e preu timonin majtas. Në turmë u shtua ankthi. Pas disa minutash, dikush tha: “Autobuzi u fut në Pallatin e Brigadave”…Natë. Errësirë. Kallkan. Mijëra njerëz kodrave të Qytetit të “Studentit”. Shumica studentë. Bashkë me ta, prindër. Kishte punëtorë nga kombinati i autotraktorëve “Enver Hoxha”. Tipografë. Qytetarë nga Tirana, por edhe nga Durrësi, Shkodra, Kavaja… Thirrje në kor. Poshtë diktatura! Enver-Hitler! Poshtë dinastia! Nga parullat në këngë. Korale. Motive patriotike: “Se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri”…
Presidenti Ramiz Alia në mes. Në një krah Skënder Gjinushi, ministër i Arsimit. Në anën tjetër Lisen Bashkurti, Sekretar i Parë i Rinisë. Përballë studentë e pedagogë. Qetësi. Frymëmarrje të tensionuara. Akullin e theu Presidenti:
-Do më dëgjoni mua një herë dhe pastaj të flisni ju…Sot ishte një mbledhje e Plenumit të Partisë…Desha tju njoftoj për çka u vendos. Së pari, në qershor 1991 të mblidhet kongresi i 10-të i Partisë së Punës …Së pesti, të lejohet krijimi i organizatave politike të pavarura…
Pauze. I pari u ngrit Arben Demeti…Pastaj Arben Imami, Azem Hajdari, Zef Brozi, Tefalin Malshyti, Shenasi Rama, Arben Meçe, Blendi Goxhe, Ardian Petrollari, Edmond Budina, Mimoza Ferraj, Arben Lika…Kaluan rreth tre orë. Autobusi mori rrugën për në Qytetin e “Studentëve”. Në podium u ngjitën me radhë disa oratorë: Berisha, Imami etj. Kudo thirrje entuziazmi. Tha Pashko:
-Në magnetofon do të vëmë kasetën ku është incizuar biseda me Ramiz Alinë. Ju dëgjojeni!- tha.- Ne do të mblidhemi, sepse do të hartojmë programin e Partisë…
Ata kaluan para meje. Në fillim urova Pashkon. “Mitro, hajde! Do të punojmë për programin, më tha. – Mendoj se do të na nevojitet përvoja jote”. Pastaj takova Imamin, Berishën etj.
-Pse nuk shkon, më tha Gëzim Sinemati, m’u duk sikur të ftuan me gjithë zemër.
-Nuk kam të drejtë të shkoj! Këta kanë tri ditë që luftojnë. Ndërsa unë kam rrufitur kafe të ngrohtë…
Çfarë kishte ngjarë? Dy-tre javë më parë se të se të fillonte lëvizja studentore, në Qytetin “Studenti” qarkullonte një letër “top sekret”. Kishte dy qëllime. Së pari, të firmosej. Së dyti, të krijohej: “Organizata e studentëve dhe intelektualëve të rinj.” Këto ide, ishin hedhur nga një grup studentësh dhe pedagogësh të godinës 15-të. Javën e parë të dhjetorit 1990, ishin mbledhur tek shtëpia e Gramoz Pashkos: Eduard Selami, Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Azem Hajdari, Genc Ruli. Debate. Me bereqet dhe pa bereqet. Mbi të gjitha shkëlqeu një batutë e Aleksandër Meksit: “Lërini budallallëqet! Në asnjë vend të botës nuk ka parti studentësh…” U diskutuan dy variante: Parti Demokratike apo Lidhja Demokratike. Mbeti varianti i parë, sepse Lidhja Demokratike bënte një farë dualizmi me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Azem Hajdari, Kryetar i PD-së

12 dhjetor 1990. E mërkurë.
Ora 9. Mbledhje e tensionuar në redaksinë e gazetës “Bashkimi”. Një nga shefat e redaksisë, propozoi të merrnim në intervistë anëtarët e Byrosë Politike që u shkarkuan. Një tjetër tha të bëjmë një reportazh.
– Dërgojmë një gazetar në Qytetin “Studenti”, propozova unë. – Ai të japë vetëm informacion. Artikullin, para botimit, ta dërgojmë në sektorin e shtypit të KQ të Partisë. Në qoftë se ky informacion nuk botohet, atëherë unë do të jap dorëheqje si shef i sektorit të ekonomisë.
I thashë kryeredaktorit, Qemal Sakajevës, që për këtë vendim të vërë në dijeni sektorin e shtypit në KQ të Partisë. Dolëm nga mbledhja. Në korridor takova Sali Berishën.
-Doktor! Po të kini ndonjë problem me programin ekonomik, unë mund t’ju ndihmoj.
-Unë jam dakord! Por mos thotë gjë Gramoz Pashko…
-Nuk besoj, sepse ai më ftoi që mbrëmë…
Ora 11:30. Në klubin e gazetarëve hyri një djalë. M’u drejtua mua: “Të kërkon Sali Berisha”… Ngjitëm shkallët e godinës 15 në Qytetin e “Studentëve”. Atje u njoha edhe me Eduard Selamin dhe Edmond Trakon. Të dy pedagogë. “Kemi përgatitur programin e Partisë, më tha Berisha. – Kemi ngecur në një paragraf. Është fjala për qëndrimin ndaj tokës. Cili është mendimi yt?”…I hodha një sy statutit. Zgjedhja dhe mandati i Kryetarit të PD-së: “Zgjidhet për dy vjet me të drejtë rizgjedhje edhe një herë.”… Në dhomë hynë edhe disa gazetarë. Berisha, pasi përfundoi me mua iu drejtua atyre:
-Tani ju duhet të shpërndaheni kudo. Idetë e këtij programi të prekin mendjet e shqiptarëve. Nga shtypi nuk mund të presim asgjë: Ka çensurë! Këtë punë mund ta bëni vetëm ju…
-Problemi nuk është kaq i thjeshtë, ndërhyra unë. -Gazetarët nuk mund ta bëjnë hapur këtë mision. Ndryshe do të humbasin vendet e punës!
Pastaj i tregova për mbledhjen tonë në gazetë dhe për presionin që kishin bërë tipografët: Në qoftë se nuk botohej informacion nga Qyteti i “Studentëve”, ata nuk do të lejonin botimin e asnjë gazete!
-Lajm i mirë, tha Berisha…

“Keqardhja” e Nexhmie Hoxhës

U ktheva në shtëpi. Ra telefoni. Ishte kryeredaktori:
-Më mori në telefon Sofo Lazri, dora e djathtë e Ramiz Alisë… I tregova për vendimin e tipografëve. Pastaj për mbledhjen tonë.
-Po kush është ky shefi, që dashka të largohet nga puna,- pyeti shoku Sofo…
-Mitro Çela…Nuk hezitova, sepse kjo ishte edhe kërkesa jote.
-Po pse me zor qëndron shef ky Mitroja, -vazhdoi Sofo. -Në qoftë se ka mall të largohet, nuk e pengon njeri…
Pas pak ra telefoni… Jam Nexhmie Hoxha: Më fal, shoku kryeredaktor! Po si është puna e tipografëve?… Po gazetarët… diçka më tha Sofo Lazri… Mitro Çela? Po më habit! Ne kishim menduar që ai të bëhej deputet, si kandidat i Frontit Demokratik…

Ironi e fatit

13 dhjetor. E enjte.
Ora 15:00. Në shtëpi erdhi Guga, shofer i gazetës. Je i arrestuar, tha ai me humor.- Vishu! Në makinë gjeta Luçie Doçin (sekretare e kolegjiumit të gazetës), Genc Tiranën, Gëzim Sinematin dhe Arben Rukën. Të tre gazetarë. Më thanë se i kishte nisur kryeredaktori. Do të bëhej një mbledhje në Kinoteatrin “Studenti”.
Salla ishte plot. Në presidium dallova Pashkon, Berishën, Azem Hajdarin dhe Arben Imamin…Në rreshin e parë një burrë me mustaqe, veshur me xhakavento. Më shumë bënte shënja sesa fliste. Më thanë se ishte Aleksandër Meksi. Në fillim foli Berisha. Pastaj Azem Hajdari, Zef Brozi, Edmond Budina. Ishin përgatitur dokumentet për në Ministrinë e Drejtësisë. Duheshin edhe 300 firma për të legalizuar Partinë Demokratike.
-Sa të merren firmat në sallë,- tha dikush nga presidiumi,- do të zgjedhim një komision nismëtar. Mendohet të ketë 14 anëtarë: 6 studentë, po kaq intelektualë. Dy do të jenë nga klasa punëtore.
Po lexoheshin emrat e intelektualëve, me një karakteristikë të shkurtër. Kur përmendej emri, kandidati ngrihej në këmbë. Në fillim studentët: Azem Hajdari, Blendi Gonxhe, Edmond Budina, Shinasi Rama, Arben Lika, Alma Bendo.
Pas studentëve, intelektualët. U ngritën Sali Berisha, Gramoz Pashko, Eduard Selami, Aleksandër Meksi, Preç Zogaj… i fundit…
-Mitro Çela, gazetar dhe ekonomist i njohur. Punon në gazetën “Bashkimi”…
Instinktivisht u ngrita në këmbë. Buzëqesha dhe u ula, duke ngritur supet. “Sa i fshehtë”, -tha Gëzim Sinemati, duke më uruar.
Më shtrënguan dorën edhe të tjerët. Unë isha befasuar! Nuk dija gjë. Nuk më kishin pyetur!?
-Tani duhet të zgjedhim dy përfaqësues të punonjësve,-tha dikush nga podiumi.
Ra qetësi. Nuk ishim mësuar me këtë lloj demokracie. Kandidatët i gatuante piramida e Mihal Bishës, mjeshtri i madh i kuadrit. Kishte raste që nuk fuste duart Sigurimi i Shtetit. E vërteta ishte që vendimin e merrnin masat: Çdo partia bën populli…U ngrit një djalë i ri. Jam pedagog në Institutin Bujqësor. Quhem Eduard Zaloshnja. Unë do të bëj një propozim. Do të duket jashtë logjike: propozoj të zgjidhet motra ime, Merita Zaloshnja! Është ekonomiste në ndërmarrjen artistike “Migjeni”. Shkollën e ka mbaruar natën…
Pati ilaritet. Disa ngritën supet. Diçka ngeci. Por akullin e theu presidiumi. Le të vazhdojmë me kandidatura të tjera. Në fund janë votat ato që vendosin…Merita Zaloshnja fitoi. Së bashku me të edhe Ilir Myftari, inxhinieri në minierën e Valiasit…Më vonë, në komisionin nismëtar u shtuan edhe Arben Demeti, Arben Sula, Bardhyl Reso, Zenel Hoxha, Sokrat Nesuri, Petrit Dodbiba.
Sali Berisha propozoi që Azem Hajdari të ishte Kryetar i PD-së. Proceverbalet e mbledhjes i ka mbajtur studentja Ilenja Mëhilli. (Në mes të vitit 1991, Milenja emigroi në Itali, si shumë studentë shqiptarë.)

Pse u zgjodh Azem Hajdari kryetar?

Më parë kërkon përgjigje pyetja: Kush ishte Azem Hajdari? Deri më 8 dhjetor 1990-njeri i zakonshëm. Student si gjithë studentët e tjerë. Ndoshta diçka më pak: vinte nga provinca, nga Tropoja e largët.
Kur nisi shtrëngata: Azemi zgjohet. Ku ishte rreziku-printe Azemi. Me fjalën e Azemit-studentët vranë frikën. Me fjalimet e tij u ndezën qindra zemra. Ndoshta Azemi ishte pasardhësi i fundit i një plejade të tërë heronjsh, që me idealin e lirisë, i shkon për shtat fjalës së Fan Nolit: “Trimi i mirë duhet a të rrojë si burrë, a të vdesë si burrë”.
Tani le të kthehemi tek pyetja: pse u zgjodh Azem Hajdari kryetar i parë i Partisë Demokratike? Sipas pikëpamjes sime, për dy arsye. Së pari, e meritonte: ishte simboli i Idealeve të Dhjetorit. Së dyti, ishte një zgjedhje kompromisi (ku ka kompromis, ka demokraci). Kur nisi mbledhja e parë e komisionit nismëtar, zgjedhja e Azemit qetësoi, përkohësisht, gjakrat e trazuara të liderëve të ardhshëm të politikës shqiptare.

Vonesa e Edi Ramës

Fati e desh që ato ditë dhjetori, Edi Rama të ishte në Greqi. Në Tiranë mbërriti më 13 dhjetor. Kur arriti në Qytetin e “Studentëve”, ishte bërë zgjedhja e komisionit nismëtar. I vonuar, u fut në mbledhjen e parë të komisionit nismëtar. Gjëja e parë që bëri: Sherr me Berishën. Pas ndërhyrjes me takt të Pashkos, Edi Rama u largua nga mbledhja.
Rama bëri edhe përpjekje të tjera për t’u futur në drejtimin e PD-së. Kur dështoi, vendosi ta sfidojë PD-në, duke krijuar Partinë Popullore Fetare në bashkëpunim me Spartak Ngjelën, Ardian Klosin, Kasëm Trebeshinën dhe Gavrosh Lubonjën. Sipas platformës Rama, partia do të kishte disa fraksione, duke filluar me ballistë, zogistë, antikomunistë, demokristianë, ish të burgosur politikë etj. Pas shumë përpjekjesh, të ndihmuar edhe nga Sejfi Protopapa, emigrant në SHBA, në fillim të qershorit të vitit 1991, u bë mbledhja e parë e partisë në Pallatin e Kulturës në Tiranë.
Më 22 qershor 1991, ishte parashikuar që Tiranën do ta vizitonte Sekretari amerikan i Shtetit Bejker. Rama vendosi ta shfrytëzojë këtë shans, për të bërë presion për legalizimin e partisë. Rama propozoi të shkonte në takim Ardian Klosi, si njohës i mirë i gjuhës angleze. Mirëpo Klosi rridhte nga një familje e njohur komuniste. U ngritën të përndjekurit. Sha të shajmë… Normale. Jetonim në demokraci. Dhe Ardian Klosi u “përjashtua” nga takimi. Në këmbë të tij shkoi një i përndjekur, që bëri një vërë në ujë… Pas këtij dështimi erdhi goditja në Parlament. U diskutua ligji që ndalonte krijimin e partive me baza fetare. Dhe ëndrra e Edi Ramës për të drejtuar Partinë Popullore Fetare nuk u bë kurrë realitet…

Lajm mbi lajm

19 dhjetor. E mërkurë. Ora 16:30.
Salla e Pallatit të Kulturës “Studenti”. Konferencë shtypi. Në podium Preç Zogaj dhe Genc Pollo. Ishte konferenca e parë dhe bëhej për organizimin e shtypit. Mendimet ishin nga më të ndryshmet. Brenda dhe jashtë kohe. Racionale dhe irracionale. U ngritën edhe disa shkrimtarë.
-Nuk kemi folur kurrë shqip, tha një piktor i TVSH-së. -Kemi folur në të gjitha gjuhët, por shqip jo!
Dikush u afrua në presidium. “Më falni,- tha Preçi,- kemi një lajm të gëzuar: Në Ministrinë e Drejtësisë u bë legalizimi i Partisë Demokratike”.
Zhurmë. Britma. Lotë. Përqafime. Parulla. Pas tyre kënga… Oratorë që flisnin… Lajmi i madh i theu rregullat e demokracisë. Mbledhja u kthye në anarki…

Pjesë nga libri Dhjetor ’90-Olimpi i Demokracisë

BE paralajmëron shkallë për kalimin e Murit në Mitrovicë?

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Maja Koçijançiç, ka thënë se muri që u ndërtua në urën e Ibrit në Mitrovicë, do të lidhë unazën me zonën e këmbësorëve.
“Nuk do të jetë mur, por një shkallë që lidhë unazën me zonën e këmbësorëve. Gjatë bisedimeve të djeshme palët ranë dakord se do të ngrihen shkallët që sigurojnë lirinë e lëvizjes nga njëra anë në tjetrën”, ka thënë ajo, shkruajnë mediat serbe, transmeton Klan “Kosova”. Ndër të tjerash, Koçijançiç ka shtuar se Bashkimi Europian do të monitorojë me kujdes zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.

Muri në Mitrovicë po prishet

Punëtorët që kanë filluar të presin murin në lartësi prej 60-70 centimetra nuk po i tregojnë inspektorëve të MMPH-së në vend të ngjarjes, se për kë punojnë. Po ashtu të pranishëm janë edhe policia e Kosovës.
Edhe disa organizata joqeveritare do të zhvillojnë sot një performancë në Mitrovicë në shenjë mospajtimi, tek vendi i ndërtimit.
Ndryshe murin në afërsi të urës së Ibrit, para dy ditësh kanë filluar ta ndërtojnë serbët, duke ndarë kështu Mitrovicën.
Bëhet e ditur se në vendngjarje është edhe kryeinspektori i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimi, i cili thotë se muri do të rrënohet.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Urban në Kosovë të enjten urdhëroi ndërprerjen e ndërtimit të murit dy metra të lartë në anën veriore serbe të lumit Ibër në Mitrovicë. “Ministria vendosi të ndalojë ndërtimin e murit për shkak se ai është në kundërshtim me ligjet e Kosovës”, tha për BIRN Bedri Halimi, kryeinspektori në ministri.
Ndërtimi i murit ka zemëruar zyrtarët shqiptarë të Kosovës, edhe pse zyrtarët serbë në Mitrovicë këmbëngulin se ndërtimi është thjesht praktik dhe nuk nënkupton agresion.
Ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri këmbënguli të mërkurën se puna ndërtimore duhet të ndalojë dhe muri të rrëzohet, sepse ai është i paligjshëm.
“Ka ikur koha e mureve. Është kohë e lëvizjes së lirë dhe heqja e barrikadës së ndërtuar nga serbët nga ura e lumit Ibër në vitin 2014 i dha fund epokës famëkeqe të barrikadave”, tha ajo.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha të enjten megjithatë se ligji duhet të vendosë nëse muri është i paligjshëm apo jo.
“Muri do të trajtohet sipas ligjit. Ne nuk do të tregojmë muskujt, sepse muskujt i tregon ligji”, tha Mustafa.
Ndërtimi i barrierave në ose pranë urës së lumit Ibër është një çështje shumë e ndjeshme në qytetin e ndarë etnikisht.
Për disa vite me radhë, një barrikadë e madhe prej guri dhe rëre e ndërtuar nga serbët vendas – të njohur si “Rojtarët e Urës” – parandalonte lëvizjen e lirë të automjeteve mbi urë.
Ajo u hoq në qershor të vitit 2014 dhe tani ura pritet të hapet si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet me 20 janar 2017, si rezultat i një marrëveshjeje në gusht mes Kosovës dhe Serbisë.
Kur barrikada u hoq në qershor të vitit 2014, ajo u zëvendësua menjëherë me një të ashtuquajtur Parku i Paqes, i përbërë kryesisht nga dru halorë të mbjellë në vazo prej betoni.
Ky park u hoq në gusht 2015, kur filloi rinovimi i urës si një shenje se marrëdhëniet normale midis banorëve serbë dhe shqiptarë të qytetit mund të rivendoseshin.

Rakiç: Përfaqësuesit e BE janë mirëinformuar për murin

Zëdhënësja e Punëve të Jashtme e BE-së, Maja Koçijançiç tha se Brukseli po shqyrtonte raporte për ndërtimin e murit të ri për shkak se projekti për rinovimin e urës po financohej nga BE-ja, raportoi të enjten Gazeta Express me bazë në Prishtinë.
Tahiri tha se, muri i ri mund të dëmtojë marrëveshjen për urën dhe të rrisë tensione.
Kryetari serb i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiç, këmbënguli ai ishte një “mur mbështetës” për projektin e rivitalizimit.
“Ne nuk do ta shembim murin që është në ndërtim e sipër pranë anës veriore të urës mbi Ibër dhe Tahiri nuk do të vendosë se çfarë do të ndërtohet dhe çfarë jo në atë anë të qytetit”, tha Rakiç për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.
Ai pohoi se përfaqësues të BE-së, si dhe zyrtarë të Prishtinës, janë mirinformuar në lidhje me ndërtimin e murit. Ai tha se muri do të garantojë sigurinë e shëtitores pranë lumit dhe do të veprojë si një izolues zhurme.
Ndërkohë Ramush Haradinaj, kryetari i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kritikoi gjithashtu edhe zyrtarët në Prishtinë.“Para së gjithash, unë mendoj se muri si mur është gabim, por Prishtina po bën gjithashtu shumë lëvizje të gabuara në lidhje me veriun”, tha Haradinaj të enjten.