37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Zaev: Do marrim më shumë vota tek shqiptarët se BDI-ja

Kryetari i partisë opozitare në Maqedoni, LSDM, Zoran Zaev, në intervistën për Radion “Evropa e Lirë”, premton se nëse fiton partia e tij, do t’u konfiskohet prona të gjithë atyre që përfituan paligjshëm, ndërsa për çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, thotë se ligjet ekzistojnë, duhet vetëm zbatimi i tyre.

-Zoti Zaev përderisa ju e hapët si temë VMRO/DPMNE-së se po e shtyn fuqishëm çështjen e mbrojtjes së shtetit, duke i thënë ‘Jo’ federalizmit. A e keni atë përshtypje se praktikisht me hapjen e temës së gjuhëve, i hapët fushatë VMRO /DPMNE-së?
Ndoshta unë kam dhënë shkas, ose çfarëdo qoftë, por edhe sikur mos të jepja shkas, ata sërish do të shkonin me ndonjë retorikë nacionaliste dhe për këtë aspak nuk kam dilema. E mira është ajo që nuk kapërcen askund më.
Federalizimi është vetëm në kokën e Gruevskit. Kantonizimin që përmend, nuk e di nga i ka rënë në mend, me siguri mendon për konfiskimin. Konfiskimi do të ndodhë në Maqedoni, pas kësaj plaçkitjeje që ndodhi, por uniteti i shtetit garantohet vetëm me ngjeshjen e radhëve, me barazi. Me nacionalizma dhe ndarje të këtilla, uniteti rrënohet.

-Çfarë premtoni për përdorimin e gjuhëve?
Ligji është i qartë në Maqedoni dhe Kushtetuta jonë është evropiane dhe liberale-i garanton të gjitha të drejtat e qytetarëve, vetëm nevojitet zbatimi i tyre. As do të ndërrohet Kushtetuta, as ka nevojë për ndonjë zgjidhje ligjore. Kushtetuta e tanishme dhe ligjet e tanishme japin mundësi për realizim praktik të nevojave të qytetarëve rreth këtij aspekti. Ata vetëm këtë kërkojnë. Unë i dhashë shembujt – fëmija me talent në muzikë, thjesht, nuk mund të regjistrohet në shkollën fillore të muzikës për shkak se nuk ka profesor të teorisë së solfezhit.
Edhe Kushtetuta, edhe ligji këtë ta garanton. Pse nuk zbatohet? Gjyshja nuk mund të marrë kujdes nga person i tretë për shkak se ndokush nuk ka pasur qejf t’i përgjigjet në gjuhën shqipe në komunën ku ekziston dygjuhësia. Sot kemi shembuj eklatantë – Shuto Orizari me ligj ka të drejtë të flasë në gjuhën rome për shkak se ka mbi 20 për qind romë. Përse nuk zbatohet ligji? Krahas maqedonishtes, flasin dhe në gjuhën shqipe.

-Çfarë saktësisht parashihni për përdorimin e gjuhëve?
Asgjë jashtë Kushtetutës dhe Ligjit! Vetëm realizim praktik. Këta kuazi-patriotë nga të dy anët, kuazi-nacionalistë, ashtu i quaj unë, thjesht fshehurazi, nën tavolinë, bëjnë pazarllëqe për ligjet, që në fund asgjë të mos realizohet nga ato ligje. Për këtë shkak, qytetarë tanë të caktuar, nga bashkësitë etnike më të vogla, ndihen se ky shtet për disa është njerkë e për disa nënë. Jo! Shteti duhet të jetë nënë për të gjithë, në mënyrë të barabartë, i barabartë për të gjithë, që të mund ta duam, ta ruajmë, të luftojmë; kjo e përforcon karakterin unitar të Maqedonisë.

-Kjo do të thotë se nuk do të ketë ndryshim të Kushtetutës?
Jo. Nevoja për ndryshimin e Kushtetutës mund të ndodhë për ndonjë aspekt tjetër, për ambiente të tjera, por asesi lidhur me këtë. Shembull për këtë që po flas është shoqëria civile, avancimi i lirive dhe të drejtave, ndjekja e trendëve bashkëkohor demokratik, për modernizim të Kushtetutës, përmirësim të shoqërisë ku jetojmë. Në këtë aspekt, në pjesën e përdorimit të gjuhëve, në pjesën e kuazi-federalizimeve e kantonizimeve- asesi! Në asnjë mënyrë!

-Çfarë nëse rezultatet e zgjedhjeve çojnë në atë se duhet të bëni koalicion me BDI-në, ndërsa për ta tashmë keni bërë publike një pjesë të bisedave të përgjuara? A do të bëni koalicion me partinë e Ahmetit?
E dini, tashmë këto modele të koalicionimit, të cilat i njihet e kaluara, nuk do të jenë të njëjta. Përse? Për shkak se, ja, për shembull, shkaku se LSDM-ja do të marrë më shumë vota nga shqiptarët se sa BDI-ja. Le të presim që ta shohim këtë, por përkrah respektimit të shumicës së votës së bashkësive etnike më të vogla, veçanërisht të shqiptarëve, si e dyta për kah madhësia në Maqedoni, mbeten edhe disa parime, të cilat patjetër duhet t’i respektojmë. Me kriminelë e me banditë nuk hyjmë në koalicion.
Puna e dytë, parimet për të cilat angazhohemi si parti, në pajtim me partinë, për këtë shoqëri civile, të cilën duam ta krijojmë, patjetër duhet të jenë të ndërtuara së bashku dhe të pranuara nga të dy palët, nga cilado qoftë parti politike që do të ulet në tavolinë. Këtë ua kemi borxh qytetarëve.
Dhe, puna e tretë, nëse vazhdojnë me nacionalizmat e këtillë, duke e përdorur si levë për VMRO/DPMNE momentumin, absolutisht i humbin të gjitha shanset që të bisedojmë për çfarëdo koalicioni. Pa marrë parasysh çfarë shumice do të votojë këtu. Nëse duhet pasur parime të caktuara, të cilat shpien vetëm në nacionalizëm, në Maqedoni nuk besoj se ekziston as edhe shansi më i vogël për çfarëdo bashkëpunimesh të ardhshme.
Unë e zgjas dorën dhe bashkëpunoj me çdonjërin, çdonjërin që është i gatshëm për ta kthyer jetën në Maqedoni; çdonjërin që është i përgatitur në mënyrë direkte ta vë qytetarin, njeriun, individin në qendër të vëmendjes në qeverinë e ardhshme, në qeverinë ekzekutive në Maqedoni.

Intervistoi: Radio “Evropa e Lirë”

Qeveria nxit çmimet e lartë të ushqimeve për inflacionin

Rritja me ritme dyshifrore e çmimeve të fruta-perimeve dhe një rritje e pazakonte me mbi 5 për qind e sheqernave dhe ëmbëlsira ndikuan që inflacioni në muajin nëntor të arrijë në nivelin 1.9 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1%.
Duke raportuar ndryshimin e nivelit të përgjithshëm të çmimeve INSTAT njoftoi sot se, në muajin nëntor rritja është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,14 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,30 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme”, kanë kontribuar me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Veshje dhe këpucë kanë kontribuar respektivisht me +0,06 dhe +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me nga +0,03 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Argëtim e kulturë kanë kontribuar secili me nga +0,02 pikë përqindje, ndërsa çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar negativisht me -0,03 pikë përqindje.
Ndikimi i grupeve në ndryshimin vjetor. Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin nëntor 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,2%, pasuar nga grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,7%, grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, secili me nga 1,5%, grupet “Argëtim e kulturë” dhe “Veshje dhe këpucë” me nga 0,08% secili.
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 10,1%, pasuar nga nëngrupet “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 5,9%, “qumësht, djathë e vezë” me 4,9%, “peshk” me 3,7%, “zarzavate përfshirë patatet” me 2,7%, etj. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transport” me -0,5%.
Ndryshimi mujor i indeksit është + 0,1%. Krahasuar me muajin tetor 2016 rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0%. Ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije jo alkoolike” me 0,5%.

Bankat nuk i japin borxhin e kërkuar qeverisë

Interesi i letrave me vlerë të borxhit qeveritar ka nisur të rritet me shpejtësi në tre muajt e fundit. Bonot me afat maturimi 12- mujor u shitën në ankandin e fundit kundrejt një interesi 2,82 për qind. Kjo vlerë ishte 0.25 pikë përqindje më e lartë se ankandi paraardhës i datës 22 nëntor. Duke ju referuar ecurisë së interesave të këtij viti, bonot 12-mujore në ankandin e datës gjashtë dhjetor shënuan interesin më të lartë të vitit.
Të njëjtën sjellje patën edhe bonot me afat maturimi 6-mujor, interesi i të cilave më datën 6 dhjetor arriti ishte 1.99% ose 0.42 pikë përqindje më i lartë se ankandi paraardhës.
Shkaku themelor i rritjes së interesit shihet të jetë i lidhur me ofertën e ulët të bankave në monedhën vendase. Nga të dhënat e ankandit shihet se qeveria kërkoi të financohet me 6.7 miliardë lekë, ndërsa bankat ofruan vetëm 5.7 miliardë lekë.
I njëjti ngërç ishte edhe për bonot gjashtëmujore, ku oferta e bankave ishte gjithashtu më e ulët se kërkesa e qeverisë, ku qeveria kërkoi 2.5 miliardë lekë dhe bankat ofruan 2.3 miliardë lekë.
Raporti i mbulimit të kërkesës së qeverisë ka pësuar përkeqësim që nga fillimi i vitit. Në muajin janar, raporti i mbulimit ishte më i lartë se kërkesa e qeverisë  dhe kjo sjellje zgjati deri në muajin maj, ku më pas u vërejt një rënie graduale, e cila është përkeqësuar muajt e fundit.
Për të shmangur kostot në rritje të financimit të borxhit të brendshëm, qeveria po përdor instrumentin e financimit në valutë. Në datën 30 nëntor, qeveria realizoi me sukses ankandin e obligacionit 2-vjeçar me vlerë 35 milionë euro, ndërkohë që oferta e bankave ishte mbi 90 milionë euro. Mirëpo qeveria, duke grumbulluar likuiditet në valutë për financimin e borxhit të brendshëm, rrezikon nëpërmjet kursit të këmbimit. Por gjithsesi, momentalisht kursi i këmbimit është i favorshëm, por nëse leku dobësohet në vijim, kostot e këtij obligacioni rrezikojnë të rriten në vitin e dytë të maturimit.
Rritja e yield-eve ka qenë e përgjithshme, por ajo është shfaqur më e fortë në maturitetet 2, 7 dhe 10-vjeçare, çka është materializuar në rritje të nivelit dhe të pjerrësisë së kurbës së interesave.

Berisha: Azemi me studentët nënshtruan diktaturën

Ish-Kryeministri Berisha ka vendosur mbrëmë kurora me lule në shattiren e Azem Hajdarit. “Në ato ditë në çdo shesh dhe rrugë, Azemi mbillte shpresë dhe besim”, tha Berisha.
“Erdhëm për të bërë homazhe para shtatores së tribunit legjendar të lirisë së shqiptarëve, por dhe veprës epike të studentëve të dhjetorit të vitit 1990, të cilët me një guxim, që fatmirësisht sot, mendja e atyre që lindën në 90-tën nuk mund ta rrokë kurrësesi.
Me një trimëri të vendosur për të paguar çdo çmim për lirinë, u përballën në rrugët e këtij qyteti me diktaturën më të egër në Europë. Azem Hajdari, që udhëhoqi ata qindra studentë të natës së 8 dhjetorit të vitit ‘90 dhe ditëve në vazhdim që iu bashkuan, dolën në rrugë me një vendim, i cili mund t’u kushtonte atyre çdo gjë të shtrenjtë që ka njeriu, dolën për ta bërë këtë qytet rinor të lirë dhe ata në 24 orë shndërruan qytetin Studenti në kështjellën e parë të lirisë së shqiptarëve.
Azem Hajdari me studentët e tjerë që iu bashkuan, në një hark kohor të shkurtër gjunjëzuan nomenklaturën, klikën e Ramiz Alisë dhe imponuan pluralizmin politik.
Duke soditur së bashku me ju shtatoren e Azem Hajdarit çfarë më erdhi në mëndje. Më erdhi në mëndje një paralelizëm në të kundërt. Asokohe në çdo shesh mbillte tmerr dhe terror shtatorja e Enver Hoxhës. Në atë kohë, në çdo shesh mbillte shpresë dhe besim tribuni i lirisë Azem Hajdari, që do shkonte nga Jugu në Veri të Shqipërisë, nga Lindja në Perëndim për të trokitur, zgjuar në ndërgjegjen e qënieve tmerrësisht të shtypura, të indoktrinuara por dhe të poshtëruara, nga kulti i satanit për t’i zgjuar ata dhe dalë dhe një herë si njerëz të lirë.
Kështu që edhe dua të shpreh mirënjohjen më të thellë, respektin më të madh për Azemin por dhe ata bashkë studentë të tij, disa qindra më pas edhe mijëra, që u përballën në këtë shesh me regjimin më të egër, më diktatorial, regjimin që i vriste të rinjtë në kufi, regjimin që zvarriste kufoma në sheshet e qyteteve për të mbjellë tmerr tek qytetarët e tyre dhe bënë për lirinë e shqiptarëve më shumë se çdo kush tjetër. Nderim të madh atij dhe studentëve liberatorë”, u shpreh Berisha

Studenti: Më kërkuan 45 mijë euro për specializimin

Studente: Unë jam një nga ato studente që reforma në arsim më ka prekur shumë. Jam brezi që na dogji, na la pa shkollë. Ne e dimë që themelet e sistemit arsimor tashmë janë prishur. Gjendja është katastrofike, dhe jam e sigurtë që shumica këtu janë totalisht të rinj si unë, nxënës të gjimnazeve që kërkonin një të drejtë, një të drejtë për t’u informuar më shumë për reformën që po bënte ministria. Kur ne pyesnim se çfarë do të thonte reformë, zonja ministre na fliste për favorizime, por ne nuk kërkonim apo kërkojmë favor, e po çfarë na pret. Tani dua tju pyes ju zoti Basha, çfarë do të bëni ju për të rregulluar gjithë këtë gjendje në vitin 2017?

Basha: Rinia shqiptare meriton përpjekjen më të fortë të shtetit shqiptar për arsim sa më cilësor dhe të mirë, kjo është arsyeja sepse unë besoj fort në mbështetjen e fuqishme buxhetore të universiteteve publike, pa dyshim dhe në lirinë e universiteteve jopublike për të ofruar mbi rregullat e tregut, arsimin sipas mundësive të tyre. Cilësia arsimore po kështu është shumë e rëndësishme. Qeverisja ime do të investojë fuqimisht në universitetet publike. Do të investojë fuqimisht në infrastrukturë dhe në rritjen e cilësisë së pedagogëve dhe mësimdhënies. Asnjë i ri apo e re, nuk do të privohet nga e drejta e studimit për shkak të pamundësisë ekonomike. Shqipëria i ka mundësitë ta sigurojë këtë. Sot, Shqipëria nuk i siguron, sepse me ligjin e ri të Arsimit është bërë një mish mash i vërtetë, ku përfitojnë një grusht klientësh të kryeministrit dhe ku ndëshkohen siç u ndëshkuan këtë vit, mijëra maturantë. Kjo do të marrë fund. Ligji klientelist për arsimin e lartë do të anulohet. Paratë e prindërve tuaj do të shkojnë për të investuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies në universitetet publike shqiptare, tarifat do të jenë të përballueshme për familjarët tuaj, dhe do të kemi një skemë që do të mundësojë që çdo i ri i shkëlqyer të mos privohet nga e drejta e studimit për shkak të pamundësive ekonomike. Kjo nuk do të thotë që do të penalizojmë institucionet private apo publike të Arsimit të Lartë. Ne do të zbatojmë praktikat më të mira perëndimore të matjes së cilësisë së tyre të afishimit dhe bërjes së transparencës së cilësisë së tyre, për të dalluar ato institucione që ofrojnë me të vërtetë alternativa të mira. Universiteteve publike nuk do t’u mungojë mbështetja, por prioriteti numër një i qeverisë time do të jetë mbështetja totale e arsimit publik, rritja e cilësisë së arsimit publik dhe bërja e mundur e një numri sa më të madh të rinjve shqiptarë të studiojnë në universitete cilësore, me tarifa të përballueshme në degë nga të cilat mund të dalin njerëz të zot për ekonominë e tregut, inxhinierë, mjekë, juristë ekonomistë, shkencëtarë, duke rrëzuar sistemin e patronazhit, duke rrëzuar korrupsionin në arsimin e lartë dhe duke bërë të mundur që studenti më i shkëlqyer, studenti më i mirë, ta ketë të hapur rrugën që sipas studimeve të tij, sipas djersës së tij, sipas mundit të tij, të sigurojë punën, jetën, familjen, mirëqenien, lumturinë.

Studente: Unë quhem Ana Rama studente në Fakultetin e Drejtësisë. Realisht ndihem shumë e lumtur që gjendem mes kaq shumë të rinjsh që shpresën e tyre e gjejnë te PD. Pjesa më e madhe e të rinjve po mendojnë dita-ditës të largohen nga ky vend dhe shikoj shumë miq të mi që kanë humbur shpresën, nuk kanë optimizëm të qëndrojnë në këtë vend. Kisha dëshirë të dëgjoja nga ju se çfarë do të bëhet për këta të rinj që duan të largohen, sepse realisht janë premtuar 300 mijë vende pune, por çfarë po ndodh me të rinjtë shqiptarë në këta tri vite, në çfarë pozitash ndodhemi ne?

Basha: Shqipëria ka nevojë më shumë se për këdo tjetër, për të rinjtë, për energjinë e rinisë për kreativitetin e rinisë për talentin e rinisë. Në të njëjtën kohë, paradoksi qëndron që këta janë numri më i madh i atyre shqiptarëve që duan të largohen apo që largohen nga Shqipëria, të rinjtë pra, të aftët, talentet. Largohen, sepse atje ku shkojnë, shoqëria sistemi u jep mundësinë përmes talentit të tyre të ecin përpara, ndërsa këtu nuk të jepet kjo mundësi. Nuk ka rëndësi sesa mirë i ke mbaruar studimet, ska rëndësi sesa sipërmarrës i mirë je, rëndësi ka sot, kë njeh tek tatimet, rëndësi ka nëse ke lidhje me pushtetin. Rëndësi ka nëse ke mundësinë të paguash rryshfetin, gjobën.
Me këtë qeveri, me këtë pushtet, kjo ka marrë një dimension tragjik. Ardita që takova para disa ditësh në Tropojë, më tregoi se kishte mbaruar shkëlqyeshëm Infermierinë, por nuk merrte një vend pune që institucionet shëndetësore ishin  mbushur me të paaftë që ishin të afërm farefis të drejtorit, po që kishin paguar një tarifë të papërballueshme korrupsioni. E kështu, mund t’u tregoj me dhjetëra qindra shembuj që nuk ka nevojë, sepse ju i njihni fare mirë. Po nuk ndryshuam këtë, po nuk i dhamë mundësi çdo qytetari shqiptar, e në veçanti çdo të riu shqiptar, që të vejë përpara sipas aftësive dhe mundësive të veta, atëherë vendi do të zbrazet, rinia do të largohet. Unë dua tju them sot, nga ky shesh, se për mua nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa bashkë me ju të shembim këtë sistem të falimentuar të dështuar të korrupsionit dhe krimit, që i nderon të dënuarit për drogë, i bën deputetë e kryetarë bashkish, dhe i ndëshkon të aftët, të mirët, të zotët. Këtë mund ta bëjmë vetëm duke shembur kollonat e sistemit, duke shembur pushtetin e pakufizuar të qeverisë, duke i dhënë pushtet qytetarit të vendosë ai se kush do të jenë përfaqësuesit e tij.
Brenda Partisë Demokratike kjo do të thotë, t’i japim pushtet anëtarëve të Partisë Demokratike, të rinjve në PD, të vendosin, madje të diktojnë përfaqësuesit e ardhshëm demokratë në institucione ku merren vendimet për qytetarët, në Parlament, por dhe kudo tjetër, ku merren vendimet për jetën e shqiptarëve, për mirëqenien e tyre, për shëndetin e tyre, për arsimin e tyre, për shërbimin ndaj tyre. Po e bëmë këtë, jam i bindur që me ndihmën tuaj, me ndihmën e rinisë, do tia dalim me sukses, ta vendosim këtë standard evropian në PD, atëherë rruga është e hapur dhe besimi i shqiptarëve do të jetë i palëkundur, që të njëjtën gjë do të ofrojnë për ta në qeverisje. Një ekonomi e çliruar nga monopolet do të thotë një ekonomi që krijon më shumë vende pune, më shumë mundësi për të rinjtë që të gëzojnë jetën e tyre këtu në Shqipëri dhe jo t’i drejtohen alternativës së largimit, një politikë e çliruar nga krimi dhe korrupsioni do të thotë më shumë mundësi për rininë të sigurojë jo vetëm përfaqësim, por dhe vendimmarrje në institucionet shtetërore, jo sipas militantizmit, por sipas profesionalizmit, sipas meritës sipas aftësisë. Nuk ka rrugë tjetër. Asnjë shoqëri nuk ka bërë përpara, duke nderuar krimin, asnjë shoqëri nuk ka bërë përpara, duke kthyer drogën, aktivitetin kryesor ekonomik, asnjë shoqëri nuk ka bërë përpara, duke fuqizuar pushtetarët, e duke shfuqizuar qytetarët. Liria mua më dha mundësi, kur isha fare i ri, të shkoja në një vend perëndimor të studioja. Liria, hapja e Partisë Demokratike në 2005, më dha mundësinë të jap kontributin tim për ndryshimin e madh të vendit. Në vitin 2005, pra unë vetë e di, e kam provuar, e kam shijuar avantazhin e lirisë, dhe sot misioni im i shenjtë është që gjithsecili prej jush dhe çdo i ri shqiptar dhe çdo qytetar shqiptar, ta gëzojë avantazhin e lirisë, vlerën e lirisë, forcën e lirisë. Sot e gëzon vetëm një bllok, njësoj si blloku para 26 vitesh, vetëm ata janë të lirë të arrijnë cilindo vend pune që kërkojnë, vetëm ata janë të lirë të përcaktojnë se kush i merr paratë e shqiptarëve në  tendera e koncesione, vetëm ata janë të lirë të dërgojnë fëmijët e tyre për të studiuar në shkollat më të shtrenjta të Evropës dhe të Amerikës. Ky Bllok duhet të marrë fund, njësoj siç mori fund Blloku para 26 vitesh. Duhet ta themi hapur, pjesë e problemit është dhe antagonizmi politik, trajtimi i partive politike si prona që i kundërvihen njëri-tjetrit për pushtetin e njëri-tjetrit dhe jo për interesin qytetar. Krijimi i armiqve siç e kishte komunizmi, komunizmi vepronte mbi bazën e armikut, ku armiku duhej goditur, duhej burgosur, duhej poshtëruar duhej internuar, duhej vrarë dhe pastaj duhej sharë. Edhe sot, partitë politike që janë kthyer në instrumenta politike të fuqizimit të njëshit, të pasurimit të njëshit, të pushtetit të njëshit, kanë shpikur armiq, armiku është opozita, armike është media që thotë atë që nuk mendon njëshi. Armik është dhe populli, kur nuk pranon të hajë bar apo dogma apo gënjeshtra apo mashtrime. Kjo kulturë duhet të marrë fund, me shembullin tonë si një parti e vlerave, si një parti e lirisë, si një parti e demokracisë së brendshme, që kushdo që ka vlera ecën përpara dhe jo kushdo që thotë atë që do kryetari, por kushdo që ka vlera ecën përpara dhe merr përgjegjësi. Në këtë mënyrë do ndryshojmë.
Në këtë mënyrë do të shembim këtë kastë të korruptuar e të inkriminuar. Në këtë mënyrë do ta bëjmë ndryshimin e vërtetë, një ndryshim që ta prekë çdo shqiptar. Ne jemi parti e gjithë shqiptarëve, parti e gjithë Shqipërisë, do të thotë që nesër pushteti i demokratëve do të jetë pushteti i çdo shqiptari, pushtet i gjithë Shqipërisë.

Jurgen Malaj, ish-kryetar i Aleancës Studentore të Shqipërisë, kam mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës për Mjekësi të Përgjithshme. Punoj dhe jetoj si mjek në Suedi. Në fakt lavdi Perëndisë, Zoti e deshi sot që të mbërrija në kohë në këtë takim, pasi e pashë në “Facebook”, njoftimin.

Basha: Ku i mbarove studimet në Shqipëri apo në Suedi?
Jurgen Malaj: Në Universitetin e Tiranës, tani po specializohem në Malmoe të Suedisë.

Basha: Sa lekë pagove që të merrje specializimin në Malmo?
Jurgen Malaj: Asnjë lekë.

Basha: Nuk pagove ryshfet?
Jurgen Malaj: Këtu më kërkuan 45 mijë euro në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Kjo është diferenca. Por unë kam ardhur këtu dhe do të vij, pavarësisht se jetoj, punoj dhe kam familjen në Suedi, do të vij këtu të kontribuoj në mënyrën më të thjeshtë, më modeste, për Partinë Demokratike, për Shqipërinë, për shqiptarët. Programi i Partisë Demokratike do të bëhet nga të gjithë ne sëbashku. Suksese! Gëzuar! Sa më mbarë!

Basha: Jurgen Malaj, shqiptar, mbaron shkollën këtu, mbaron universitetin dhe shkon dhe specializohet dhe Suedia, një nga vendet me standardet më të larta i jep mundësinë një shqiptari që në bazë të aftësive të tij të specializohet në një disiplinë shumë të vështirë, shumë konkuruese siç është mjekësia, pa paguar asnjë lekë. Ndërsa këtu thotë, më kërkuan 45 mijë euro për specializim. Nuk dua të bëj moral, se morali është vetë këtu. Duhet t’u them me shembullin e Jurgenit, se ku jemi e ku duam të shkojmë, se ku jemi e ku duhet të shkojmë dhe po të jemi të gjithë të një mendje, se çelësi është, standardi i lirisë dhe i mundësive i të gjithëve në bazë të ligjit, nga këtu ku jemi me forcën e çdo shqiptari të ndershëm, me forcën e çdo të riu, jo vetëm duhet, jo vetëm duam, por do të shkojmë, dhe unë jam i vendosur të bëj gjithçka bashkë me ju që kur të mblidhemi këtu pas disa vitesh mos dëgjojmë më histori të tilla, por të dëgjojmë se si vajzat dhe djemtë shqiptarë, nuk ikin, por kthehen në një Shqipëri të mundësive për të gjithë.

Studente: Jam Edona dhe kam ardhur nga Shkodra. Kur them Shkodër kam thënë revolucion, kam thënë kryengritje, liri dhe demokraci. A mund të flasim sot në vitin 2016 për liri dhe demokraci? A mund të flasim sot për liri kur gjendemi përballë shkarkimesh masive, krizë morale, krizë indentiteti, të rinjtë humbin jetën plehrave të Sharrës, gropave të Lungomares, nëna që humbin jetën në pritje ambulancave, a është liri kjo? Kjo është thjesht një periudhë postkomuniste, asgjë tjetër. Por çdo gjë e ka një zgjidhje dhe zgjidhja është rinia. Angazhoi të rinjtë kryetar, jepu poste. E kemi vërtetuar që jemi të aftë me e nderu veten, pozicionin tonë. Jemi të mirëpërgatitur, jemi të arsimuar, jemi për ndryshim, promotorë të paqes, jemi ura lidhëse, jemi menaxhues shumë të mirë të konflikteve.

Basha: Edona të faleminderit për këtë reflektim. E pe që entuziazmi tek të gjithë të pranishmit nuk mungoi, kur ti bëre reflektimin tënd dhe u prezantove si përfaqësuese e rinisë shkodrane. Rinia shkodrane ka rolin e saj të patjetërsueshëm të nisjes së rrugës së lirisë, në vrasjen e frikës. Të gjitha problemet që përmende dhe gjithçka tjetër për të cilën ju protestuat sot dhe protestoni ditë për ditë, thelbin e kanë tek tjetërsimi i lirisë, tek privatizimi i lirisë. Zgjidhja është të përballemi, të luftojmë dhe të fitojmë lirinë për rininë, për Shqipërinë, për të ardhmen tonë. Unë nuk do të jap poste, ju do t’i merrni. Në Partinë Demokratike, unë do të krijoj kushtet që të rinjtë të marrin përgjegjësi. Ky është misioni im, kjo është përgjegjësia ime. Nuk jam unë i plotfuqishmi, i gjithëdituri, i dyti pas Zotit që përcakton si dhe kush. Unë kam një detyrë të shenjtë që ma keni besuar me votën tuaj, të përcaktojmë në Partinë Demokratike rregullat që do të mundësojnë që më të aftët, më të mirët, më të besuarit, më të përkushtuarit ndaj kauzës së shqiptarëve për liri dhe demokraci, për një Shqipëri si gjithë Europa, të marrin përgjegjësitë e të jenë përfaqësuesit e shqiptarëve në Parlament dhe kudo tjetër, në Bashki, në Këshilla Bashkiakë dhe për këtë sot nga ky shesh dua të përsëris për ty Edona dhe për këdo tjetër që, në Partinë Demokratike nuk do të ketë vend për rininë vetëm si mbushje, vetëm si flamurtare aksionesh, por si mbartëse të shpresës, duke e marrë e duke mbajtur përgjegjësi. 35% e grupit tonë të ardhshëm parlamentar do të përbëhet nga të rinjtë. Së paku 35%. Sepse ne kemi nevojë të ndryshojmë edhe në familjen tonë. Ne kemi nevojë që rininë tonë të mos e përdorim vetëm për të na dhënë entuziazëm, shpresë dhe forcë në ditë të vështira, por për t’i dhënë përgjegjësinë që të ndryshojë Partinë Demokratike dhe të ndryshojë Shqipërinë nesër. Nuk ka shpresë tjetër Shqipëria përveç rinisë. Nuk ka forcë më të madhe Partia Demokratike përveç rinisë, nuk kam mision më të madh unë si kryetar i Partisë Demokratike për ta bërë rininë, forcën përcaktuese sot në Partinë Demokratike dhe nesër në të gjithë Shqipërinë.

Muri i serbeve në Mitrovicë, rezultati i parë i dashurisë Rama -Vuçiç!

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar përpjekjet për ndarjen e Mitrovicës nga serbët, ndërsa deklaron se ky akt është shenja e parë e dashurisë mes Ramës dhe Vuçiçit. “Në përputhje me këtë projekt prej disa ditësh, ultranacionalistet serbë të Beogradit, në sy të autoriteteve të Kosovës, BE, OKB dhe të mbarë botës po lartësojne murin ndarës së Mitrovicës te Veriut, de facto të dhunimit flagrant të integritetit territorial dhe sovrantitetit te Republikës se Kosovës.
Me këtë akt, Beogradi sillet si pushtues i Kosovës, destabilizues i rajonit dhe varrmihës i marrëveshjeve të Brukselit. Ky akt akuzon gjithashtu direkt Edvin Kristaq Ramën, i cili në takimet e tij të shumta me Aleksander Vuçiç duket se ka gatuar pazare të pista!
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë veprim pushtues të Beogradit ndaj Kosovës, ju bëj thirrje autoriteteve dhe qytetarëve të Kosoves të përdorin të gjitha mjetet kushtetuese për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të dhunuar nga pushtuesit e djeshem serb të Republikës së Kosovës.
Ju bej thirrje komunitetit ndërkombetar, SHBA, NATO-s, Bashkimit Europian, OKB të marrin të gjitha masat për ndëshkimin e këtij akti agresiv të Beogradit, që dhunon integritetin dhe sovranitetin e një vendi të pavarur dhe rrezikon në menyrën më serioze paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë!”, shprehet Berisha.

PD: Ngritja e murit në Mitrovicë, provokim për paqen dhe stabilitetin në Ballkan

Partia Demokratike po ndjek me shqetesim aktin e ngritjes se nje muri ndares sipas nje linje te pretenduar etnike mes shqiptareve dhe serbeve ne veri te Mitrovices.
Po behen 48 ore nga fillimi i ngritjes se kesaj strukture dhe nga te dhenat e para, muri po ngrihet ne thyerje te plote te ligjeve te Republikes se Kosoves dhe ne dhunim te Marreveshjeve te arritura ne Bruksel.
Nga informacionet e deritanishme duket se muri po ndertohet i mbeshtetur dhe projektuar nga strukturat paralele serbe ne veri te Mitrovices.
Konsiderojme se ndertimi i nje strukture te tille eshte nje akt provokues dhe destabilizues per popullaten e Mitrovices, marredheniet dhe dialogun mes Serbise dhe Kosoves sikunder edhe ndaj klimes se paqes dhe stabilitetit ne Ballkan.
Nje akt i tille shkon ne te kundert te aspiratave te shprehura te vendeve te rajonit dhe perfaqesuesve te tyre per nje klime bashkepunimi ne perspektiven e integrimit europian te Ballkanit.
Partia Demokratike shpreh mbeshtetjen e plote ndaj popullit dhe institucioneve te Kosoves.
Partia Demokratike ju ben thirrje institucioneve te Kosoves qe ne bashkerendim te ngushte me partneret euroatlantike te ndermarrin cdo hap te nevojshem ne menyre te matur por te vendosur per te kthyer kete situate brenda parametrave te ligjit dhe ne respekt te marreveshjeve te arritura ne Bruksel.
Partia Demokratike i kerkon qeverise shqiptare te thyeje heshtjen dhe te ndermarre cdo hap proteste dhe sensibilizimi nderkombetar ndaj nje akti te tille qe rrezikon te provokoje klimen e bashkepunimit dhe paqes ne Ballkan.
Ky eshte rasti per te folur per Kosoven me force dhe ze te larte.
Partia Demokratike eshte ne krah te popullit te Kosoves dhe institucioneve te saj.
Partia Demokratike si ne cdo kohe edhe sot angazhohet se ne te gjitha kontaktet dhe nivelet e perfaqesimit te saj nderkombetar,do te denoncoje kete akt si dhe do te mbeshtese hapat institucionale te Qeverise se Kosoves per zgjidhjen brenda standarteve ligjore te kesaj situate.

Balili ka mbrojtjen e policisë, Krimet e Rënda nisin hetimet

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet ndaj Klement Balilit, pas mbërritjes nga Greqia në Tiranë të dosjes voluminoze për trafik ndërkombëtar droge. Bëhet e ditur se Krimet e Rënda do të hetojnë edhe pasurinë e “Eskobari i Ballkanit” në bazë të ligjit antimafia. Klement Balili zotëron kompleksin luksoz në Sarandë, “Santa Quaranta”, si dhe disa prona të tjera. Balili akuzohet zyrtarisht për veprën penale, trafikim të lëndëve narkotike në vendet e BE-së së bashku edhe me disa persona të tjerë shqiptarë të arrestuar më herët.
Në dosjen greke thuhet se, ka dyshime se 46-vjeçari ka ndryshuar identitet. Sipas hetuesve grekë, ai fshihet në zonën e Sarandës, duke pasur edhe mbrojtjen e policisë lokale. Për ta forcuar këtë akuzë, prokurorët grekë kanë shkruar në dosje se, të dielën e 16 tetorit 2016, Balili kishte kaluar drejt shtetit maqedonas nëpërmjet pikës kufitare të Tushemishtit, me kartë identiteti të ndryshuar, ndërkohë që ishte kthyer po atë ditë në mbrëmje në vendlindje.
Transporti i trafikantit të drogës ishte bërë me autobusin e linjës, duke mos tërhequr edhe vëmendjen e autoriteteve kufitare. Përveç kërkesës për arrestim ndaj Balilit, në fillim të muajit nëntor mbërritën në Tiranë edhe 2 prokurorë grekë, të cilët kanë kërkuar intensifikimin e hetimeve pasurore për familjarët e 46-vjeçarit që jetojnë në disa vende të BE, si Itali e Gjermani. Prej 6 muajsh, Klement Balili është shpallur në kërkim për trafik tonelatash droge drejt Bashkimit Europian dhe për këtë arsye ka edhe një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij konkretisht nga Interpoli.

Hetimet e Krimeve të Rënda

Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se ka angazhuar 3 prokurorë, të cilët do të merren me ndjekjen e hetimeve si dhe procedurat e kërkimit të Balilit nga drejtësia shqiptare. Burime nga akuza sqaruan se, Balili tashmë është shpallur në kërkim për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda me një mandat arresti të dhënë në mungesë ndaj tij nga pala greke, mandat ky i vlefshëm për territorin shqiptar. Në rast prangosje në Shqipëri, Balili do të gjykohet nga drejtësia shqiptare, pasi ekstradimi i tij është i pamundur në mungesë të marrëveshjes së ekstradimit ndërmjet dy vendeve.
Të njëjta burime sqaruan se sëbashku me dosjen hetimore të Balilit, ka mbërritur dhe të dhëna për pjesëtarët e dyshuar të grupit dhe sipas hetimeve të kryera nga pala greke rezulton se në këtë rrjet të trafikut të drogës ishin përfshirë 25 persona, shqiptarë, grekë, bullgarë, italianë, serbë dhe maqedonas. Sipas organit të akuzës, për arrestimin e Balilit është angazhuar sektori i operacionaleve në Policinë e Shtetit, të cilët prej muajit maj të këtij viti ka kryer me dhjetëra operacione, por pa mundur të finalizojë me kapjen e ish-zyrtarit të Transporteve të Sarandës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bën të ditur se, do të ndiqet e njëjta procedurë si me ish-deputetin Mark Frroku, ku dosja hetimore do të dërgohet në gjykatë dhe do të konvertohen nenet e Kodit Penal grek me ato shqiptar vetëm për masat e dënimit që do të aplikohen në rast fajësie. Në rast se ai do të mund të shmang arrestimin, atëherë pala greke do të duhet të mbyllë hetimet në Greqi për të dhe Klement Balili do të gjykohet në Shqipëri në mungesë.
Referuar sistemit TIMS në pikat e kalimit kufitar, Klement Balili, rezulton se ndodhet në territorin shqiptar dhe ligjërisht, ai nuk ka dalë jashtë vendit. Ndërkohë, në dosjen hetimore greke thuhet se, Balili ka shkuar në Maqedoni me pasaportë të falsifikuar. Prej 11 maj 2016 në të dhënat e Balilit është shënuar me kartelë të kuqe, person i kërkuar dhe nëse paraqitet pranë pikës së kalimit kufitar dhe të njoftohet menjëherë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Për goditjen e rrjetit të trafikut që sipas autoriteteve greke drejtohej nga Klement Balili konsideruar si “Eskobar i Ballkanit” u angazhua dhe Departamenti i Luftës ndaj Drogës i Shteteve të Bashkuara DEA si dhe operacione u kryen njëkohësisht në Belgjikë, Greqi, Itali, Bullgari, Maqedoni dhe Shqipëri.

Masakrohet nga policia, qytetari humb shikimin

Një punonjës policie në Korçë ka masakruar barbarisht një person për motive banale. Bëhet e ditur se punonjësi i policisë, Gjergji Gjorgji ka masakruar 59-vjeçarin Ilir Terolli nga Zvezda e Korçës. Ngjarja ka ndodhur në 18 nëntor, por megjithë denoncimin në polici dhe Prokurori nuk është marrë asnjë masë ndaj policit, i cili vijon ende punë në pikën e kalimit të kufirit në Goricë. Ilir Terolli ka patur miqësi me çiftin Gjorgji, por kjo nuk e ka ndihmuar. Njëri sy i është dëmtuar seriozisht. Por edhe pse polici u denoncua, familja Terolli vazhdon të persekutohet prej tij. Polici i pikës doganore të Goricës, Gjergji Gjorgji është proceduar penalisht në gjendje të lirë për rrahje me dashje, ndërsa vijon të mbetet në detyrë.
Në 18 nëntor, 59-vjeçari Terolli, i shoqëruar edhe nga persona të tjerë, në një kafene në qytetin e Kosturit në Greqi, ka dashur të paguajë kafen e bashkëshortes së policit dhe të një shoqeje të saj, meqë prej 15 vjetesh njihej me bashkëshortin e saj. Terolli në një prononcim për “Mozaik Media” tregon se, “disa ditë më pas u takova rastësisht me policin Gjorgji, të cilin e njihja prej 15 vjetësh, u habita kur m’u drejtua sikur unë paskam dashur të bëhesha ‘hamshori’ i gruas së tij. Më pas, më goditi me grusht në sy, më shtriu përtokë dhe me këpucë më godiste në fytyrë. Rashë pa ndjenja dhe u zgjova në spital. Hundën e kisha të thyer, kisha plagë, por më kryesorja është se kam humbur gjysmën e shikimit të njërit sy”, ka rrëfyer 59-vjeçari Ilir Terolli, i masakruar egërsisht nga polici i kufirit.
Nga ambjentet e Spitalit të Korçës, familjarët e Terollit kanë bërë denoncimin në polici. Por edhe pse në ambjentet e spitalin e kanë vizutuar mjeku ligjor, kryeinspektori i SHKB-së rajonale edhe Prokurori asnjë masë nuk është marrë ndaj policit Gjorgji. Mjeku ligjor dëmtimet i ka klasifikuar si rrahje me pasoja të lehta, ndërkohë që mësohet se inspektori i SHKB-së e ka lënë dosjen të flejë, duke mos e përcjellë tek eprorët e tij, ndërsa prokurori, Ilia Bano është shprehur se po e heton ende ngjarjen.
Por nga ana tjetër, polici Gjergji Gjorgji vazhdon presionin ndaj familjes Terolli për të tërhequr denoncimin. 59-vjeçari denoncon publikisht rastin, duke thënë se Gjorgji i ka kërcënuar bashkëshorten dhe nusen e djalit, që të tërheqin denoncimin. “Të gjitha këto, pasi unë kam refuzuar sekserët e tij, të cilët më ofruan 10 milionë lekë të vjetra për të tërhequr denoncimin”, shprehet Terolli.
Ndërkohë, burime nga policia bënë të ditur dje pasdite se inspektori Gjergji Gjorgji, me detyrë Ndihmës specialist kontrollor në SPKM Pustec është pezulluar nga detyra. Ndaj tij, zyra e SHÇBA së Korçës kishte marrë një kallëzim nga shtetasi I.T. për ushtrim dhune psikologjike dhe fizike. Nga veprimet e para hetimore është konkluduar se ka patur një konflikt fizik mes punonjësit të policisë dhe kallëzuesit, por në momentin e konfliktit, punonjësi i policisë nuk ka qenë në detyrë apo shërbim.
Konflikti fizik dyshohet se është provokuar nga motive të dobëta. Materialet me veprimet e para hetimore i kaluan Prokurorisë. Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, e cila ka regjistruar procedimin për veprën penale: “Plagosje e lehtë me dashje.
Gjendet i vdekur 40-vjeçari në Devoll
Një 40-vjeçar i deklaruar i humbur rreth dy javë më parë nga të afërmit që kishin denoncuar në polici, është gjetur i mbytur në lumin Devoll. Sipas të dhënave të para, trupi i pajetë është gjetur nga një banor i zonës në Gramsh, i cili ka lajmëruar policinë. Pas mbërritjes së policisë dhe nga këqyrja paraprake e kufomës është ngritur dyshimi se ai i përket një personi të zhdukur 14 ditë më parë dhe që rezultonte i sëmurë mendor. Policia vijon hetimet.

PD: Këshilltarëve të majtë nuk i intereson Shkodra!

Dega e Partisë Demokratike dhe grupi i këshilltarëve të djathtë në Këshillin e Bashkisë Shkodër reaguan ndaj këshilltarëve të majtë, të cilët u larguan nga mbledhja ku u bënë disa ndryshime në paketën fiskale dhe u miratua marrëveshja e financimit të përbashkët të Angjencise Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombetar GIZ dhe Bashkisë Shkodër. “Mbledhja e Këshillit Bashkiak e thirrur më 7 dhjetor jashtë radhe për miratimin e dy çështjeve të mësipërme, i ka paraprirë një proces studimi e konsultimi si me publikun ashtu edhe me këshilltarët e Bashkisë, kryesisht për ndryshimet në paketën fiskale, e thënë thjeshtë për nivelin e taksave dhe tarifave që aplikohen në Bashkinë Shkodër.
Projekti i paraqitur për miratim përmbante disa ndryshime në nivelin e taksave dhe të tarifave të aplikuara më parë duke bërë ulje të konsiderueshme të tyre në disa taksa dhe tarifa, por njëkohësisht aplikohej për herë të parë edhe një tarifë e re për një shërbim të ofruar qytetarëve kryesisht për mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimeve të ujërave teë bardha, për largimin e ujërave të shiut. Në një kohë kur të gjithë qytetarët tashmë janë të njohur me qendrimin e qeverisë në financimin e projekteve dhe me nivelin e ulët të investimeve nga buxheti i qeverisë në Shkodër, në një nivel shumë më të ulët se në bashkitë e tjera në vend, qytetarët panë qartë se edhe këshilltarët e majtë në Këshillin e Bashkisë u larguan nga salla e këshillit dhe nuk votuan ndryshimet në paketën fiskale, duke u përpjekur të bllokojnë punën e Bashkisë Shkodër për përgatitjen e buxhetit për vitin 2017, me qëllim që ta venë në vështirësi punën e administratës për realizimin e projekteve për të cilët është i interesuar opinioni publik”, thuhet në deklaratën e kshilltarëve të djathtë.
Shkodra dhe njësitë administrative që përbëjnë tashmë bashkinë e re jo në pak raste janë përballur me nivelin e lartë të ujërave gjatë reshjeve të zgjatura si edhe me përmbytje në disa zona. “Projekt vendimi që nuk u votua nga këshilltarët e majtë kishte të bënte pikërisht me vendosjen e një tarife prej 65 lekë në muaj për familje për mirëmbajtjen e kanalizimeve për largimin e ujërave të shiut, tarifë minimale dhe e përballueshme për të gjitha familjet, tarifë nga e cila përjashtohen familjet në nevojë dhe ju përgjysmohet invalidëve, të verbërve, të sëmurëve paraplegjikë e tetraplegjikë, pensionistëve pa persona madhore në përbërjen familjare, tarifë e cila do të shërbente për përmirësimin e largimit të ujërave të shiut nga zonat e banuara. Po kështu edhe projekt vendimi tjetër, i cili nuk u votua nga këshilltarët e majtë bënte fjalë për marrëveshjen ndërmjet Bashkisë Shkodër dhe GIZ për financimin e projektit “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimaterike në menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, Ballkani Perëndimor”.
Ky investim i përbashkët i Bashkisë Shkodër dhe GIZ do të adresohej në përballimin e kostove për pastrimin e kanaleve kryesore kulluese, investim i cili do të përmirësojë në mënyrë të dukshme punën e mirë të bërë deri më tash nga Bashkia Shkodër për uljen e rrezikut të përmbytjeve. Qendrimi i mbajtur nga këshilltarët e majtë tregon edhe një herë se qëllimi i tyre nuk është përmirësimi i administrimit të qeverisjes vendore, por pengimi i saj në ushtrimin e detyrës. Demagogjia e tyre tashmë shihet qartë nga të gjithë qytetarët e Bashkisë Shkodër, pasi realizimi i këtyre projekteve do i shërbejë të gjithë qytetarëve pavarësisht se për kë ata kanë votuar. Partia Demokratike dhe grupi i këshilltarëve të djathtë i garanton qytetarët e Bashkisë Shkodër se do marrë të gjitha masat e duhura për miratimin e këtyre dy projekt vendimeve të cilët hapin rrugën e investimeve për përmirësimin e cilësisë së jetës të të gjithë qytetarëve”, përfundon deklarata.