22.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Europa pret nga ne ndryshimin

Nuk ka shpresë tjetër përveç rinisë

Lulzim BASHA

Zoti na ka falur sot një ditë kaq të bukur, të bukur në qiell edhe më të bukur këtu në sheshin “Demokracia”.
Dua t’ju falënderoj nga zemra për mundësinë që më jepni në ditën tuaj, në Ditën e Rinisë të bashkëbisedojmë dhe së bashku nga ky shesh i “Demokracisë” t’i çojmë çdo të riu shqiptar mesazhin që dëgjoi sot Tirana, Shkodra, Vlora, Korça, Durrësi,  Elbasani dhe Fieri, mesazhin e shpresës, mesazhin e bashkimit, mesazhin e lirisë, demokracisë dhe Europës që ka emrin e rinisë shqiptare, fytyrën dhe zërin tuaj.
26 vite më parë ky shesh kumbonte me thirrje “Liri, demokraci!”, “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa!”. Ndaj dhe mendimi im i parë, sikundër jam i sigurt i shumicës prej jush, shkon për studentët e Dhjetorit 1990, tek rinia shqiptare, tek një nga momentet më të mrekullueshme të historisë tonë, momentin kur rinia tha: “Boll!”, “Mjaft!”, vrau frikën dhe çeli rrugën e lirisë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.
Qëndronte prijësi i rinisë shqiptare, tek Azem Hajdari i pavdekshëm, tek ata dhjetëra qindra mijëra të rinj të Dhjetorit 1990, fjalët e mia nuk e përshkruajnë dot kurrë, nderimin dhe respektin që unë ndjej jo vetëm sot si kryetar i Partisë Demokratike, por edhe si 17-vjeçari i vitit 1990 këtu në këtë shesh.

Ata studentë, heronjtë e mi
Jeta i ka përplasur shumë prej tyre mes vështirësitë dhe zhgënjimeve, disa nuk janë më në Shqipëri, disa nuk janë më mes nesh. Por ata të gjithë, të gjithë pa përjashtim nga i pari tek i fundit janë heronjtë e mi, janë heronjtë e rinisë, janë heronjtë e Shqipërisë.
Si mundi, si mundi një grup të rinjsh të përballet me diktaturën më të egër në Shqipëri. Këtë pyetje nuk ia kam bërë vetes ato ditë, por i kam bërë vazhdimisht këto vite të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Cili ishte sekreti, pse kur shumëkush fshihej, trembej, rinia u ngrit dhe përcaktoi fatin e Shqipërisë, përcaktoi rrugën e re të lirisë? Si?! Pse?! Çfarë bëri?!
Vrau frikën me kurajo, nuk e vrau me armë, nuk e vrau me tanke. Frikën nga diktatura, frikën nga Sigurimi, frikën nga shtypja, frikën nga terrori, nuk iu kundërvu tankut me tank, zjarrit me zjarr, dogmës me dogmë. E vrau frikën siç është vrarë frika në tre mijë vite histori të civilizimit njerëzor; me forcën e idesë, me forcën e vlerës. Ideja, vlera, kishte dhe ka një emër, liri!
E vrau me vlerën e lirisë dhe liria u hap si një mundësi për të gjithë shqiptarët. Çfarë mësimi tjetër më të vyer mund të ketë një popull nga rinia e vet, sesa ky që përballë terrorit psikologjik, përballë dhunës të përditshme, përballë krimit dhe korrupsionit, më e fuqishmja armatë, forca më e madhe e papërballueshme e një shoqërie, është rinia që ngrihet dhe lufton për rini.
26 vite më parë ne kërkuam liri, demokraci dhe Shqipëri si gjithë Europa. Sot pas 26 vitesh, liria, demokracia dhe Europa mbeten aspirata të paplotësuara. Ndaj dua që sot në këtë shesh të historisë, që është dhe e ardhmja dhe nuk ka bukuri më të madhe sesa sheshi i “Demokracisë” të jetë e ardhmja e Shqipërisë europiane, të flasim së bashku me njëri-tjetrin, me rininë shqiptare, me shqiptarët kudo ku na ndjekin, për sfidat tona, për sfidat e shqiptarëve dhe për rrugën që do të përshkrojmë së bashku, të bashkuar të gjithë, të rinjtë në ballë dhe pas tyre e gjithë Shqipëria, të djathtë e të majtë për një Shqipëri europiane.
Pse pas 26 vitesh liria, demokracia dhe Shqipëria si gjithë Europa mbeten aspiratë?! Pse jemi të fundit?! Pse nuk jemi zotër të fateve tona, siç u bënë çekët, sllovakët, gjermanolindorët, hungarezët?! Çfarë duhet të bëjmë për të përshkruar rrugën që ka mbetur akoma pa u bërë, nga idealet e 8 Dhjetorit 1990, tek stacioni ynë për shqiptarët dhe Shqipërinë si gjithë Europën?!

Çfarë shkoi keq dhe si do ta ndryshojmë?!
Më lejoni të ndaj fare shkurt disa nga reflektimet e mia. Sepse njeriu duhet të reflektojë mbi atë çfarë ndodh, mbi atë çfarë bën gabim kundërshtari, mbi atë çfarë kemi bërë gabim vetë, në mënyrë që të korrigjojë dhe të ecë përpara!
Demokraci, sa fjalë e bukur dhe kuptimplotë. Demokraci, sundim i popullit, sundim i qytetarëve. Por sot nuk kemi demokraci, kemi autokraci. Një fjalë që flet vetë, sundim për veten tënde, pushtet i pakufizuar, në duart e kryeministrit, pushtet i pakufizuar në duart të një grushti njerëzish që ka zëvendësuar demokracinë me autokracinë, ekonominë e lirë të tregut me sipërmarrjen e bizneseve klienteliste të partive politike të pushtetit. Shoqërinë e pavarur civile me shoqëri të kapur, të joshur, e të trembur. Median e lirë dhe të pavarur, me median e nënshtruar, të trembur, të shantazhuar, të goditur dhe të blerë. Me ushtri dhe radha pseudoanalistësh, të cilët nuk përfaqësojnë më interesat qytetare, por interesat e partive, interesat e pushtetit, me një popull të tërë të skllavëruar nga nevojat themelore, nga frika e humbjes së gjërave bazike të bukës, të vendit të punës, të dinjitetit. Të një Shqipërie, pasuritë e së cilës nuk janë më për të gjithë shqiptarët, por vetëm për një grusht pushtetarësh, të një Shqipërie ku nuk ecën përpara i zoti, i afti, nuk ecën përpara talenti, nuk ecën përpara maturanti me mesataren më të lartë, nuk ecën përpara sipërmarrësi i ndershëm, ai që konkurron me shërbime dhe produkte më cilësore dhe me kosto më të mirë, por ecën përpara ai që përcakton njëshi, i forti i katundit, i forti i qytetit, i forti i Kryeministrisë, i plotfuqishmi që pushtetin që i takon qytetarëve e ka uzurpuar për veten e tij dhe e përcakton nga zyra e tij, nga telefoni i tij, se cili biznes do të ecë e cili do të ngecë, se ku do të shkojë taksidari e doganieri për të terrorizuar sipërmarrësit, se si mijëra studentë që shkëlqejnë nuk ecin përpara sepse u rriten tarifat. Vetëm një grusht klientësh, servilësh të kryetarit mund të bëjnë përpara.
Deputetë nuk bëhen ata që përfaqësojnë më së miri interesat e të djathtëve dhe të majtëve, por ata që përfaqësojnë interesat e kryetarit, bizneset e kryetarit, pasurinë e kryetarit, pushtetin e kryetarit. Një politikë pra, e kapur peng nga një grusht pushtetarësh që mendojnë vetëm për pushtet dhe për pasurinë e tyre, parti politike që mendojnë vetëm për pushtetin e tyre dhe jo për qytetarët. Një ekonomi kombëtare e rrënuar nga mungesa e konkurrencës, ku vlen kulti i të fortit, i atij që di dhe njeh gjuhën e allishverishit me taksidarin dhe doganierin. Kanë mbytur ëndrrën e sipërmarrjes së lirë, mbi meritën dhe aftësinë. Sot shqiptarët presin nga ky shesh jo mesazhin tim, por mesazhin tuaj siç e dhatë sot në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë. Mesazhin se ne: rinia shqiptare me këtë gjendje, refuzojmë të jemi skllevër të një autokracie të veshur si demokraci, të një ekonomie të kontrolluar nga pushteti dhe klientët e saj, të një vendi ku frikën nga terrori i diktaturës, i Sigurimit të Shtetit, i internimit, i burgosjes, e ka zëvendësuar frika nga taksidari që të vjen dhe të mbyll biznesin. Nga nëpunësi dhe drejtori i papërgjegjshëm që të heq ty apo të afërmin nga puna, për hiçgjë, për t’i hapur vendin dikujt që vjen me nepotizëm dhe pa meritë apo dikujt që nuk mendon njësoj si ty për Shqipërinë dhe zgjidhjet që do ta çojnë atë në Europë.
Frika se gjithçka është në duart e njëshit dhe asgjë nuk është më në duart e qytetarëve. Frika dhe terrori me të cilën sot kjo kastë e korruptuar dhe e inkriminuar sundon Shqipërinë, sundon ekonominë, sundon institucionet dhe përpiqet të sundojë mendjet dhe shpirtrat e shqiptarëve. Ky është armiku i vërtetë i çdo shqiptari të djathtë dhe të majtë, dhe unë jam i bindur se sot rinia demokrate dhe çdokush që u bashkua me ju, nuk u ngrit thjesht dhe vetëm kundër disa figurave që përfaqësojnë vesin më të keq të këtij pushteti të korruptuar dhe të inkriminuar, por dha sot më 8 Dhjetor 2016 shenjën, kushtrimin se rinia demokrate dhe rinia shqiptare kanë vendosur të ngrihen përsëri për të mposhtur frikën dhe për t’i kthyer të rinjve shqiptarë dhe çdo shqiptari atë që është e tyre, të drejtën për të jetuar në liri, të drejtën për të vendosur me demokraci, të drejtën për të ndjekur e për të arritur lumturinë siç e mendojmë ne, jo siç e përcakton njëshi në parti apo në Kryeministri.

Liria fillon nga shtëpia jonë
Në këtë bashkëbisedim, në këtë reflektim dua t’ju them se çfarë jam unë gati të bëj për të qenë në lartësinë e shpresës, ëndrrës dhe pritshmërisë së çdo të riu sot këtu në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë. Dua t’ju them nga ky shesh i frymëzimit për liri dhe demokraci se liria si zgjidhja për gjendjen e tmerrshme ku ndodhet vendi, fillon nga shtëpia jonë, nga liria për të shprehur pa asnjë kompleks mendimin tuaj, me zë të lartë, për të kritikuar këdo dhe për të ofruar zgjidhje siç ju i mendoni. Liria për të mos qenë servilë të kryetarit apo deputetit, liria për të qenë vetvetja, liria për të qenë forca më e madhe në Partinë Demokratike, forca e ndriçimit, forca e të nesërmes. Kjo nuk është një betejë thjesht dhe vetëm për të sjellë Partinë Demokratike në pushtet, sigurisht është edhe për këtë, kjo nuk është thjesht dhe vetëm një betejë për të më dhënë mua dhe ekipit tim, që do të stoliset nga bijtë dhe bijat më të reja e më të mira të shqiptarëve, mundësinë për të ndryshuar Shqipërinë! Kjo është beteja për t’i kthyer shqiptarëve shpresën, duke iu kthyer lirinë dhe demokracinë që është e tyre dhe sot është tjetërsuar, është privatizuar.
Nga ky shesh nisi ëndrra për liri, por sot liria është privatizuar dhe i takon vetëm një grushti njerëzish që pasurohen ditë për ditë në kurrizin e mijëra, miliona shqiptarëve që varfërohen ditë për ditë. Njëqind mijë shqiptarë janë larguar vetëm vitin e kaluar, shumica prej tyre të rinj, janë larguar nga vendi i tyre, nga shtëpitë e tyre, nga komuniteti i tyre, për në vende ku shpeshherë nuk kanë njohur as gjuhën, ndoshta shpeshherë pa bekimin e Zotit me këtë diell dhe këtë kohë dhe këtë bukuri natyrore dhe këto resurse që ka Shqipëria, por kanë shkuar në vende ku ka liri! Liri për ecur përpara! Ku ka demokraci, ku qytetarët kanë në dorë fatin e tyre, janë zotër të fatit të tyre dhe jam i bindur se beteja e rinisë shqiptare që sot i dhatë zë me pjesëmarrjen tuaj të mrekullueshme në këtë shesh dhe para këtij sheshi, me protestat tuaja anembanë Shqipërisë dhe këtu në Tiranë, është t’ia kthejmë këtë liri shqiptarëve, t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve, t’i kthejmë qeverisjen shqiptarëve përmes demokracisë dhe fuqizimit të shqiptarëve!
Lindëm jo si parti e parisë, jo si parti e një grupi njerëzish që duan të vijnë me çdo kusht në pushtet, lindëm si një parti e shpresës për çdo shqiptar, si parti e lirisë për çdo shqiptar, jemi prapë ajo parti pas 26 vjetësh. Me arritjet tona për të cilat jemi krenarë, me gabimet tona për të cilat reflektojmë dhe duhet të reflektojmë, por jemi prapë parti e shpresës për çdo shqiptar, parti e çdo shqiptari dhe parti e Shqipërisë.

35% e kandidatëve për deputetë të PD nga rinia
Që çdo shqiptar ta dijë e ta besojë dhe ta gëzojë këtë që po them, ne duhet të ndryshojmë edhe mënyrën se si funksionojmë në shtëpinë tonë, ne duhet të forcojmë demokracinë e brendshme, ne duhet t’i japim mundësinë çdokujt që ka një ide, një vizion, një platformë, një vlerë për të ndarë, të konkurrojë lirshëm dhe të përfaqësojë lirshëm interesat e demokratëve dhe interesat e Shqipërisë. Reflektimi im përsa i përket rinisë është i qartë. 35% e kandidatëve për grupin e ardhshëm parlamentar të Partisë Demokratike do të vijnë nga ju. Dhe ju do të jeni ata që do t’i zgjidhni lirisht me votën tuaj, sipas aftësive të tyre, sipas vlerave të tyre, sipas bindjes që do të krijoni se ata do të përfaqësojne interesat tuaja dhe të mbarë Shqipërisë. Jo interesat e kryetarit, as të madhit, as të kryetarit të rrethit, por interesat e Shqipërisë, interesat e shqiptarëve, interesat e rinisë.
Nëse kemi ardhur sot në një Shqipëri me emigracion masiv, me pushtet arrogant dhe autokrat, të korruptuar dhe të inkriminuar, kjo do të thotë që kemi mbyllur një cikël 26-vjeçar, dhe ende kemi shumë probleme të njëjta, me ato që ngritën peshë në këtë shesh rininë, 26 vite më parë. 26 vite më parë heronjtë tanë me forcën e ideve dhe vlerave e hapën rrugën. Sot pas 26 vitesh, ajo që kërkoj, ajo që pyes, ajo për të cilën ju bëj apel ju dhe çdo të riu shqiptar është: A jeni gati përsëri të merrni në dorë fatin e Shqipërisë, fatin tuaj? Sepse vetëm kështu, liria do të marrë kuptimin që ka në Europë. Vetëm kështu demokracia do të thotë me të vërtetë pushtet për qytetarët dhe jo për kryetarët. Pushtet për njerëzit dhe jo për politikën. Pushtet për një ndryshim të vërtetë që qytetarët ta besojnë, ta shijojnë, ta prekin e ta gëzojnë dhe jo të jetë monopol për një grup njerëzish, të cilët sot jetojnë si sheikë mbi djersën, mundin dhe varfërinë e shumicës. Dy botë para 26 vitesh ekzistonin. Bota e bllokut, bllokut të mbyllur komunist pak më larg se këtej dhe Shqipëria e vërtetë, e prapambetur, e ndrydhur, e shtypur, e terrorizuar. Edhe sot ka dy botë. Edhe sot ka një bllok, ndonëse nuk jetojnë të gjithë në një vend. Por janë një grusht njerëzish, një kastë, një moçal, një kënetë jo me bretkosa, por me krokodilë të korrupsionit dhe të krimit. Dhe një botë e Shqipërisë së vërtetë me ekonomi anemike, pa konkurrencë, me sipërmarrës që vetëm paguajnë taksa që nuk ju kthehen kurrë si shërbime. Me shëndetësi të falimentuar. Me rini të lënë midis dy zgjedhjeve, të dëshpërimit apo largimit nga vendi. Me fermerë të lënë midis dy alternativave, falimentimit apo mbjelljes së hashashit. Dy botë dhe njësoj si para 26 vitesh kur udhëheqësi komunist krenohej se jemi populli më i mbiushqyer në botë, ndërkohë që shqiptarët nuk merrnin dot as vlerat elementare ushqimore të një ekonomie të rraskapitur, edhe sot Kryeministri na kujton, ndërkohë që ju ishit në protestë, të lexoni raporte. Populli nuk jeton duke lexuar raporte. Rinia nuk arsimohet duke lexuar raporte. Aq më pak, raporte të porositura e të paguara për ta bërë të zezën të bardhë. E zeza nuk bëhet kurrë e bardhë me propagandë. Nuk bëhet kurrë me mashtrim.

Rinia përcaktuese për fatet e vendit
Fati i shqiptarëve është në duart e shqiptarëve. Por fatin e shqiptarëve gjithmonë e ka përcaktuar rinia. Liria dhe rinia janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Sot thirrja për liri është në fakt apeli ndaj rinisë për t’u ngritur përsëri, për të refuzuar kastën, për të refuzuar pushtetin e pakufizuar, për të refuzuar dogmën, për të refuzuar padrejtësinë, për të refuzuar korrupsionin, për të refuzuar krimin dhe për të përqafuar vlerat europiane.
Të gjithë të barabartë para ligjit. Mundësi për të gjithë, në një Shqipëri që i ka të gjitha mundësitë për t’i mbështetur të gjithë. Por për këtë, na duhet një qeverisje për qytetarët. Për këtë, na duhet një Parti Demokratike për shqiptarët, një Parti Demokratike për rininë, një Parti Demokratike për të rinjtë.
Liria ështe vlera me të cilën do të ecim përpara. Unë do të bëj gjithçka që liria në Partinë Demokratike t’u japë mundësinë gjithsecilit prej jush të shpalosë vlerat tuaja më të mira e të merrni përgjegjësitë më të larta pa asnjë kufizim. Duke përfshirë, jam i sigurtë, një ditë jo shumë larg, edhe përfaqësimin e Partisë Demokratike në nivelin më të lartë, edhe në nivelin e  kryetarit të Partisë Demokratike. Dhe dua t’i them çdo të riu e të reje shqiptare, se ky është misioni im. Ky do të jetë misioni im në qeverisje nesër. Asgjë nuk do të na bjerë nga qielli. Asgjë nuk do të ndryshojë po nuk e ndryshuam ne. Dhe ne mund dhe do ta ndryshojmë vetëm përmes lirisë, vetëm përmes demokracisë, vetëm përmes vlerave që i bëjnë vendet europiane të dëshirueshme, të përparuara, destinacionin e çdokujt, që sot sheh me dëshpërim një Shqipëri të rrënuar.
Nuk dua të zgjatem në këtë bashkëbisedim, sepse jam i sigurt që ju keni shumë për të thënë dhe për të dhënë mendimet tuaja dhe shqiptarët presin, unë pres, pres nga ju, pres nga gjithsecili prej jush, nga mijëra e mijëra të rinj të mos largohen, por të qëndrojnë e të luftojnë, të përballen e të fitojnë. Shqipëria është e juaja, e askujt tjetër. Dhe së bashku, së bashku me çdo shqiptar të ndershëm pavarësisht prej kredos politike, pavarësisht prej bindjes dhe formimit, jam i sigurt se shkëndija e shpresës që ndizni sot nga ky shesh, do të kthehet në një zjarr të madh besimi që do të përvëlojë kastën e do t’i kthejë shqiptarëve të drejtat që u janë mohuar, të drejtën e pronës, të drejtën e punës me djersën e ballit, të drejtën e votës. Dua të ndaj me ju, i sapokthyer nga Brukseli dhe Berlini, se në krahun tuaj nuk do të jem vetëm unë e çdo demokrat i ndershëm e çdo dhjetorist me shpirt e trup, por do të jenë të gjithë miqtë dhe aleatët tanë, të gjithë ata që na kanë ndihmuar këto 26 vite të vështira të tranzicionit, që më dhanë mesazhin se presin nga demokratët, se presin nga rinia shqiptare jo thjesht një hap më shumë, por një ndryshim rrënjësor, një ndryshim rrënjësor për t’i kthyer qeverisjen qytetarëve, për t’i kthyer buzëqeshjen shqiptarëve, për t’i kthyer Shqipërisë shpresën dhe besimin se do të jetë si gjithë Evropa, me liri me demokraci me përparim, zhvillim dhe punësim. Gëzuar 8 Dhjetorin! Zoti e bekoftë rininë shqiptare!

Të rinjtë protestojnë para qeverisë dhe bashkisë

Dita e Rinisë është shndërruar dje në një ditë protestash masive para katër institucioneve qeveritare nga ana e të rinjve të Forumit Rinor të PD-së, nën moton “Rama ik”. Thasë të improvizuar me plehra, apo pako me kanabis u vendosën para Kryeministrisë, si simbol i kanabizimit të vendit apo idetë e Ramës për të importuar plehra nga jashtë. Protesta e djeshme, e zhvilluar në ditën kur 26 vjet më parë, të rinjtë e këtij vendi u ngritën për të rrëzuar diktaturën, erdhi me një mesazh. Të rinjtë e këtij vendi, nuk duan kanabis, nuk duan të largohen, nuk e pranojnë korrupsionin në arsim, në shëndetësi. Ata duan të jetojnë në një vend të shëndetshëm dhe pa plehra, ku të rinj si Arditi mos bëhen viktima të varfërisë dhe makutërisë së Erion Veliajt, apo dhe të tjerëve si ai. Simbolika ishte e qartë, të rinjtë e këtij vendi duan ndryshim. Dhe ky ndryshim nuk mund të vijë me Edi Ramën, Erion Veliajn, apo të gjithë të tjerët përgjegjës për rrënimin e këtij vendi. Të rinj me pankarta në duar u pozicionuan para Bashkisë, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Brendshme në të njëjtin orar. Duke rikujtuar 8 dhjetorin, ditën e ndryshimit të madh që solli forca e të rinjve, ata kanë kërkuar dorëheqjen e drejtuesve e të institucioneve. Protesta nisi në orën 11:00, dhe nën parulla të tilla si  “Kundër reformës në arsim” apo  “Dorëheqje ministrja Nikolla” një pjesë e të rinjve protestuan para Ministrisë së Arsimit. Kundër importit të mbetjeve, kundër taksave, apo drejtësi për Arditin, që u vra në Sharrë apo “Erion thuaj një herë shefit jo””, ishin  thirrjet që  u dëgjuan  nga protesta që u mbajt para Bashkisë së Tiranës. Vëllai i Ardit Gjoklajt, 17-vjeçarit që humbi jetën në landfillin e Sharrës iu bashkua protestës së Partisë Demokratike përpara Bashkisë. Në një fjalim të shkurtër të mbajtur para protestuesve, ai akuzoi Veliajn për vrasjen e vëllait. “Në Ditën e Rinisë askush nuk i ka kërkuar falje familjes sime. Në Ditën e Rinisëm dua të kërkoj ty Veliaj, dil përpara drejtësisë dhe jep llogarim sepse e thirre vëllain tim për punë dhe pastaj e vrave. Familja ime nuk ta fal kurrë”m tha ai. Ndërsa tek Ministria e Shëndetësisë të rinjtë protestuan me arkivol në krah si simbolikë të shëndetësisë që nuk është për qytetarët.  Protesta e të rinjve demokratë kulmoi përpara Kryeministrisë. Nuk munguan veprimet simbolike për situatën e kanabizimit në vend, keqmenaxhimin në landfillin e Sharrës, koncesionet, duke ju rikthyer edhe thirrjes historike të vitit 1990: “Liri Demokraci”.
“Përpara me Lulzim Bashën do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Rama rinia nuk të do më. Ti je e shkurara ne jemi e ardhmja”, tha kreu i FRPD, Belind Këlliçi. Në të njëjtën kohë protesta nga të rinjtë u zhvilluan dhe në Kukës, Sarandë, Delvinë e Korçë. Ashtu si në Tiranë dhe në këto qytete, të rinjtë demokratë hodhën thirrje kundër varfërisë, mungesës së investimeve në shëndetësi apo arsim, si dhe kërkuan dorëheqjen e Edi Ramës, nga posti i kryeministrit.

Transport hashashi me furgona të vjedhur, policia fsheh ngjarjen

Policia e Tiranës njoftoi dje se kishte goditur një grup që merrej me vjedhjen e furgonëve. Në operacionin “Spriter” ra në pranga Erion Mazhi, 25 vjeç, banues në fshatin Renxë, Dibër, ndërsa bashkëpunëtori i tij H. Elezaj, 48 vjeç është shpallur në kërkim. Policia thotë se ka dokumentuar 11 raste vjedhje furgonash. Sipas saj, H. Elezaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kryente vjedhjen e automjeteve të tipit “Mercedes Benz”, kategoria furgon, në qytetin e Tiranës dhe i dërgonte në rrethin e Dibrës, në një pikë grumbullimi mjetesh të përdorura, ku dhe më pas çmontoheshin dhe shiteshin për pjesë këmbimi.
Por një burim nga grupi hetimor tha se, furgonët nuk vidheshin për t’u çmontuar dhe për t’u shitur për pjesë këmbimi, por pasi modifikoheshin, mjetet përdoreshin për transportin e hashashit, më pas braktiseshin. Një furgon i tillë i braktisur u gjet në Shëngjergj të Tiranës pas vrasjes së 36-vjeçarit Besnik Pudja në një magazinë me hashash.
Policia thotë se, furgonët vidheshin në Tiranë, në zona të ndryshme. Burimi i mësipërm tha për lapsi.al se, policia e ka fshehur qëllimisht faktin se furgonët vidheshin për t’u përdorur për transportin e kanabisit. Prej disa javësh, policia ka njoftuar vazhdimisht se ka kapur sasi kanabisi nëpër furgonë.
Grupi i goditur së fundi i kryente vjedhjet në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa modifikimet i kryente në Dibër, një prej zonave problematike këtë vit të kultivimit të kanabisit.
Policia publikoi disa nga vjedhjet e furgonave. Vjedhjet në juridiksionin e Komisariatit Nr.1. Më datë 05.09.2016, në rrugën “Qemal Stafa”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit D.H. Më datë 20.11.2016, në rrugën “Fuat Toptani”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit A.Sh. Më datë 05.12.2016, në rrugën “Sotir Koleja”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit E.B.
Në juridiksionin e Komisariatit Nr.2, më datë 23.11.2016, në rrugën “Vaso Pasha”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit B.S. Më datë 24.11.2016, në rrugën “Tish Dajia”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit I.M. Juridiksioni i Komisariatit të Policisë Nr. 4. Më datë 26.11.2016, në rrugën e “Dajtit”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit F.K. Më datë 23.10.2016, në rrugën “Myslym Keta”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të një firme për produkte ushqimore.
Në juridiksionin e Komisariatit Nr.5, më datë10.11.2016, në rrugën “Skënderbeu”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit A.B. Më datë 04.11.2016, në Bulevardin “Blu”, është vjedhur kamionçina e tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit Z.M. Juridiksioni i Komisariatit të Policisë Nr. 6. Më datë 20.02.2016, në rrugën “Teodor Keko”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit R.U. Më datë 13.05.2016, në rrugën “Sokrat Mihi”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit E.M.

15 ton drogë nga Shqipëria në 1 vit është futur në Itali

Për rreth një vit, që nga nëntori i vitit të kaluar deri në nëntorin e vitit 2016, policia italiane në 4 provinca Bari, Brindisi, Lecce dhe Foggia, ka sekuestruar mbi 15 ton marijuanë. Kjo është shifra e dhënë nga Drejtoria Qendrore e Shërbimit dhe Kontrollit të Drogës, megjithatë dhe kjo nuk është strikte, pasi të dhënat janë në përditësim.
Në Lecce janë bllokuar mbi 7 ton marijuanë, pothuajse 4 ton në Brindisi, në Bari rreth 3 ton dhe në Foggia rreth 1 ton e gjysmë. E gjithë kjo sasi droge është Made in Albania, që sipas autoriteteve italiane trafikantët shqiptarë kanë tentuar ta fusin ose me avionë të vegjël ose me gomone.
Gjithashtu shqiptarët kanë tentuar të fusin drogë me gomone që nisen dhe nga Greqia. Sipas autoriteteve italiane, gjatë kësaj periudhe shqiptarët mbajnë numrin e parë të personave që janë arrestuar si trafikantë droge.
Në këtë raport nuk është përfshirë droga e kapur gjatë ditëve të fundit në Itali. Para katër ditësh, policia italiane sekuestroi në Leçe 1 ton kanabis dhe një armë automatike tip Kallashnikov. Gjatë katër operacioneve të ndryshme u arrestuan 4 shqiptarë dhe një shtetas italian. Sipas mediave italiane, sasia më e madhe e lëndës narkotike është kapur në fshatin e Akajas, ku policia sekuestroi rreth 5 kuintalë marijuanë. Policia italiane ka vënë në pranga dy shqiptarë, të cilët u kapën në një veturë me një kallashnikov si dhe me 70 kg marijuanë.
Ndërkohë që një shqiptar tjetër u vu në pranga, pasi gjatë kontrollit që iu bë karroatresit me të cilin punonte, iu gjetën 130 kg marijuanë. Ndërkohë që shqiptari i katërt i arrestuar ishte një 23-vjeçar shqiptar, të cilit iu kapën në makinë 1 kuintal marijuanë. Një pjesë e drogës u gjet në tre automjete të ndryshme. Pjesa tjetër u gjet në një zonë me shkurre pranë bregut të detit. Droga, sipas autoriteteve, ka mbërritur në Itali nga Shqipëria, përmes skafeve të fuqishëm. Në Burgun e Leçes është dërguar edhe një 47-vjeçar rezident në Racale, pasi policia i gjeti 250 gram heroinë.
Ndërsa një javë më parë u sekuestrua 1 ton marijuanë në Katania. Droga, e cila nëse do të hidhej në treg do të jepte një fitim prej më shumë se 3 milionë eurosh vinte nga Shqipëria. Policia italiane ka bërë të ditur për mediat, se kjo është sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar brenda vitit 2016 në Siçili. Përveç pronarit të apartamentit ku ishte fshehur droga u arrestuan dhe pesë persona të tjerë, që sipas autoriteteve italiane janë emra të njohur të trafikut të drogës në vend. Ata kryesisht merren me transportimin e drogës nga Ballkani, dhe më pas ua shisnin trafikantëve të vegjël në Itali. Hetuesi italian Marcelo Kardona u shpreh për mediat se, ky ishte një operacion shumë i rëndësishëm, pasi nuk bëhet fjalë për organizata të vogla italiane, por për persona që punojnë me të tjerë trafikantë jashtë kufijve.
Ndërsa para dhjetë ditësh, Policia italiane sekuestroi në Bari një gomone me 1.6 ton marijuanë dhe arrestoi tre skafistët, dy prej tyre nga Vlora. Mediat italiane raportuan se, Guardia di Finanza zbuloi një gomone 10 metra të gjatë, që udhëtonte në brigjet mes Monopoli dhe Mola. “BrindisiOggi” raporton se, pasi roja bregdetare italiane nisi ta ndjekë gomonen, arriti ta bllokojë atë dhe në bordin e saj sekuestroi 1650 kg marijuanë dhe një pistoletë me 5 plumba.
Sasia e marijuanës së sekuestruar ishte e ndarë në pako. Megjithatë, shqiptarët kur vunë re ndjekjen nga policia, disa pako i hodhën në det. Nga hetimet e para të policisë rezultoi se, gomonia e tre skafistëve shqiptarë ishte e vjedhur. Sipas mediave italiane, të cilat i referohen policisë, tre shqiptarët u përpoqën të largohen, duke u hedhur në det, por u arrestuan. Droga e nisur nga Shqipëria kishte si destinacion, Lombardinë. Vlera e saj në treg është 16 milionë euro.

200 euro për person, polici drejtonte trafiku klandestin

Një punonjës policie dhe tre persona të tjerë u arrestuan nga Policia e Beratit. Ata dyshohet se janë të përfshirë në trafikun e njerëzve me Greqinë. Të arrestuarit janë Kreshnik Kotollaku, Gëzim Kapllani, Valentin Gremi dhe punonjësi i Policisë Kufitare Drini Çaçi. Ata u kapën në pikën kufitare të Kakavijës në Gjirokastër, duke kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Greqisë dy persona në këmbim të një shume monetare prej 200 euro për person. Gjatë operacionit u sekuestruan dy makina, 11 aparate celularë.
Në njoftimin e policisë thuhet se, më datë 08.12.2016, nga ana e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektorin për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe SHÇBA, mbi bazën e një hetimi 3-mujor u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Azilanti5”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 4 shtetasit, Kreshnik Kotollaku 34 vjeç, banues në Urë Vajgurore, Gëzim Kapllani  55 vjeç, banues në Berat, Valentin Gremi 35 vjeç, banues në Fier, Drini Çaçi, 39 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë trup shërbimi në vijën e gjelbër në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë mbi bazën e një pune të mirëfilltë hetimore, ku si rezultat i të cilës ditën e sotme këta shtetas janë kapur në flagrancë në pikën kufitare të Kakavijës, Gjirokastër duke kaluar në mënyrë të paligjshme drejt shtetit grek, 2 shtetas shqiptarë në këmbim të një shume monetare prej 200 euro për person.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2 automjete, 11 aparate celulare, si dhe 550 euro.

Aksident i rëndë rrugor, humb jetën këmbësori

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin Fier-Seman, ku një 57-vjeçar humbi jetën. Nga të dhënat paraprake, mësohet se ngjarja ndodhi rreth orës 18:10 në fshatin Fermë Çlirim. Bëhet e ditur se 32-vjeçari Saimir Llakaj, teksa drejtonte makinën “Volkswagen”, me targë AA 342 KV, ka aksidentuar Sh.K, 57 vjeç, banues në fshatin Fermë Çlirim. Të njëjtat burime theksojnë se viktima ishte duke kaluar rrugën gjatë kohës kur u përplas fatalisht nga mjeti. Ndonëse ai u dërgua menjëherë në spital, 57-vjeçari nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici.

Ekzekutohet me disa plumba në kokë shqiptari në Kanada

Një shqiptar është ekzekutuar në zonën East York, në Toronto të Kanadasë. Sipas mediave kanadeze viktimë ka mbetur 46-vjeçari Ardian Kaloshi. Hetuesi Mike Patterson ka thënë se, rreth orës 22:00 të ditës së mërkurë (mbrëmje), sipas orës lokale, është raportuar për disa të shtëna në këtë zonë. “Kur policia arriti në vendngjarje një viktimë mashkull, më vonë i identifikuar si Kaloshi, është gjetur me lëndime të dukshme në kokë”, ka thënë Patterson.
Ardian Kaloshi është dërguar me urgjencë në spital, por disa minuta më vonë mjekët e shpallën të vdekur. Hetuesi u tha gazetarëve se, Kaloshi ka jetuar në veri të qytetit, por nuk ka një vendqëndrim të qartë. Patterson gjithashtu konfirmoi se, Kaloshi ishte i njohur për policinë, pasi kishte një të kaluar kriminale.
46-vjeçari Ardian Kaloshi u vra në një zonë, ku njerëzit mblidhen për t’u argëtuar. Dyshohet se ai shkonte shpesh në këtë zonë dhe vrasësit mund të kenë mësuar itinerarin e tij. Autoritetet iu kanë bërë thirje dëshmitarëve që ishin aty të dalin dhe të tregojnë atë që kanë parë, për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes.

Ndërpritet energjia elektrike edhe në spitale

Mungesa e energjisë elektrike është kthyer në një makth për pacientët dhe mjekët në spitalet e Tiranës. Në repartin e “Infektivit” në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ikja e dritave ia ka bërë edhe më të vështirë punën mjekes së turnit, e cila e gjendur në këtë situatë aspak normale është detyruar që të ndezë dritën e telefonit për të vizituar pacientin.
E si të mos mjaftonte kjo, në këto kushte mjekja ka bërë edhe gjilpërën si dhe i ka vendosur serumin pacientit. Në një video të siguruar nga JOQ-ja i afërmi i pacientes i thotë mjekes se në këto kushte as kafshët nuk mund të vizitohen, ndërsa mjekja thotë se fajin për errësirën e ka kondicioneri, që sipas saj ka bërë masë.
Ndërkohë në dhomë, që duket se ndodhen disa persona të shtruar, dëgjohen zërat e të sëmurëve, dikush që thërret “doktor”, ndërsa dy të rinj komentojnë këtë situatë të turpshme. Imagjinoni nëse kjo situatë të ndodhë gjatë një operacioni?

Kush është Gjenerali Flynn, Makiaveli i Trump?

Presidenti i ri republikan, Donald Trump nuk e ka zgjedhur ende sekretarin e Shtetit të ri, por emërimin më të rëndësishëm të këshilltarit për politikën e jashtme tashmë e ka bërë. Është këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Gjenerali Michael T. Flynn.
Po kush është në të vërtetë Michael Flynn? Sigurisht një njeri pak diplomat, duke qenë se është shkarkuar nga Obama pasi thoshte hapur se Shtetet e Bashkuara kishin gabuar qasjen strategjike të luftës kundër xhihadizmit dhe pikërisht kjo qasje do t’i çonte tek humbja në Lindjen e Mesme. Pikërisht ky rajon qe pika e fortë e karrierës së tij, ku shërbeu si oficer i inteligjencës ushtarake fillimisht në Irak e më pas në Afganistan. Pikërisht këtu u bë kreu i DIA-s (Defence Intelligence Agency), përpara se të nxirrej në pension. Idetë e tij ai i ka përmbledhur në një libër të botuar bashkë me Michael Ledeen, me titull “The Field of Fight: How We Can Win the Global War Against Radical Islam and Its Allies”. Në të ai thekson se luftërat në Lindje të Mesme janë thellësisht të rrënjosura në historinë e rajonit dhe në historinë e islamit, se inteligjenca duhet të studiojë historinë, të lexojë libra, t’i mësojë shoqëritë lokale nga historianë dhe antropologë, të marrë seriozisht atë që vetë xhihadistët thonë për veten e motivacionet e tyre dhe të kuptojnë sesa është e thellë dhe e shtrirë mbështetja e popullsisë ndaj xhihadistëve. Vetëm mbi këto baza do të mund të mendohet dhe të vihet në zbatim një strategji suksesi, duke mos mohuar realitetin historik dhe social.
Sipas Christopher J. Fettweis, docent i Shkencave Politike në Tulane University dhe autor i librit “Making Policy Decisions”, Flynn është Makiaveli i Trump. Katër ide qendrore e dominojnë vizionin e tij të sigurisë. “Armiqësia ndaj Shteteve të Bashkuara ka bërë bashkë një tërësi laramane të madhe aktorësh dashakeqës në një aleancë antiperëndimore. Regjime të ndryshme autoritare të botës gjenden shpesh në kauzë të përbashkët midis tyre dhe me islamistët radikalë që kërcënojnë mënyrën amerikane të jetesës. Al Qaeda, ISIS dhe partnerët e tyre fondamentalistë janë të mbështetur aktivisht nga Rusia, Irani, Kina, Koreja e Jugut, Kuba, Venezuela. Urrejtja e tyre ndaj lirisë i bashkon kundër Perëndimit. Na pëlqen apo jo, Shtetet e Bashkuara do të jenë në luftë kundër kësaj aleance për gjeneratat që do të vijnë”.
Irani i ajatollahëve është në qendër të kësaj aleance: “Irani është bërë për shekullin XXI ajo që Bashkimi Sovjetik ishte për gjysmën e dytë e shekullit XX: origjina dhe mbështetësi i problemeve të botës, nga terrorizmi tek radikalizmi dhe tek proliferimi. “Rruga drejt fitores” në luftën kundër terrorit kalon kështu nga Teherani”. Regjimi i Teheranit është thelbësisht i brishtë, vazhdon Flynn. “Bashkimi Sovjetik është ulur poshtë nga brenda, pse jo Irani? Mbështetja e munguar ndaj ‘revolucionit të gjelbër’, sipas mendimit të tij, është një prej vendimeve të pafalshme të Presidentit Obama”.
Ideja e katërt dhe e fundit: Amerika është në rrezik real të humbasë luftën kundër terrorit. “Shtetet e Bashkuara po e humbasin luftën kundër Aleancës të së Keqes. Në njëfarë mënyre jemi një hap larg nga një rrëshqitje e pakontrolluar drejt sharias dhe despotizmit totalitar. Pa një veprim të vendosur, jemi të destinuar që ta humbasim luftën kundër aleancës armike, të destinuar që “të qeverisemi nga njerëz që pijnë me etje gjakun e armiqve të tyre të vdekur”.
Konkludon Fettweis: “Realistët mund të shpresojnë që Flynn të kuptojë se roli më i rëndësishëm i këshilltarit për Sigurinë Kombëtare është ai që ta ndjekë procesin në mënyrë neutrale, për t’i paraqitur Presidentit opsionet e qarta në marrjen e vendimeve. Shikohet roli i tij në rast të kundër si Makiaveli i Trump për të hartuar politika që i përshtaten vizionit të tij për botën, atëherë Shtetet e Bashkuara dhe bota bashkë me të mund të kalojë nga një periudhë e gjatë dhune në vitet në vazhdim. Përveç intimitetit të natyrshëm me Kremlinin, ish-gjenerali ka zbuluar një tjetër tendencë të habitshme, në favor të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Flynn punon për një studio holandeze, “Inovo BM”, që shërben si lobiste në Uashington për llogari të qeverisë turke dhe më 8 nëntor, të martën e zgjedhjeve, ka botuar në uebsajtin “The Hill” një editorial në të cilin kërkon që Uashingtoni të pushojë së ofruari mbrojtje Fethullah Gylenit dhe e ka krahasuar atë me Osama bin Laden.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Turqia dhe Rusia po e diskutojnë armëpushimin në Alepo

Turqia është duke zhvilluar bisedime intensive me Rusinë për arritjen e një armëpushimi në qytetin sirian, Alepo, raporton “Reuters” duke u mbështetur në deklaratën e Ibrahim Kalin, zëdhënësi i presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Sipas Kalin, Turqia po diskuton me Rusinë edhe për lejimin e ndihmave humanitare në qytetin e shkatërruar nga lufta, Alepo.
Gjatë një konference me gazetarë në Ankara, Kalin gjithashtu ka thënë se forcat qeveritare siriane janë duke kryer krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës në Alepo.