30.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Mediat sociale i shpallin luftë terrorizmit

Facebook, Twitter, Microsoft dhe YouTube duan të luftojnë së bashku propagandën terroriste. Por nisma e tyre duket si me gjysmë zemre. Fotografitë kanë fuqi të madhe simbolike dhe duhet të përhapin tmerr: flamuri i “Shtetit Islamik” -IS-it që valëvitet në teatrin antik romal të Palmirës në jug të Sirisë. Në të njëjtin vend ekstremistët filmuan në korrik 2015 ekzekutimet e një numri ushtarësh të qeverisë. Propaganda e IS-it, e cila inskenon ekzekutime, qarkullon në internet, pjesërisht edhe në platforma të mëdha si YouTube apo Facebook.
Kjo pritet të marrë tani fund. Facebook, YouTube, Microsoft dhe Twitter njoftuan se do të angazhohen bashkërisht kundër përmbajtjeve terrroriste. Për këtë ato do të krijojnë një bankë të përbashkët të dhënash në lidhje me materialet fotografike me përmbajtje terroriste.
Fotografitë me përmbajtje të dhunshme të grumbulluara në këtë bankë të dhënash, do të pajisen me një “hashs” pra me një shenjë dixhitale dhe në këtë mënyrë ofruesit e këtyre shërbimeve mund ta bllokojnë përhapjen e tyre në rrjetet sociale. E reja është pra, që shenja dixhitale do të regjistrohet në bankën e përbashkët të të dhënave dhe mund të përdoret nga të gjithë, pra Facebook, YouTube, Microsoft dhe Twitter.

Kritere individuale
Por secila prej këtyre sipërmarrjeve ka kritere të ndryshme për t’i klasifikuar si apo jo si terrorriste përmbajtjet e ndryshme. YouTube për shembull, shuan nga rrjeti materiale të ndryshme vetëm në rast se përdoruesit lajmërojnë për përmbajtje të tillë. Në vitin 2014 kur IS-i ekzekutoi gazetarin James Foley dhe e publikoi videon e ekzekutimit online, ajo qëndroi në rrjet shtatë ditë me radhë dhe u pa nga mëse 10 milionë vetë. YouTube, si dhe sipërmarrjet e tjera jetojnë prej klikimeve.
Avokati Chan-Jo Jun i sheh me rezervat masat e reja të firmave Facebook, YouTube, Microsoft dhe Twitter. Në fillim të nëntorit ai ngriti padi ndaj shefit të Facebook-ut, Mark Zuckerberg, sepse sipas tij FB i fshin përmbajtjet e dhunshme dhe propagandën nga faqet e veta, vetëm në rast se ato mbështeten nga konteksti. Për shembull, një fotografi e një vajze që i kanë prerë kokën, FB nuk e heq nga faqet në rast se teksti që shoqëron fotografinë e dënon këtë vepër.

Strategji e paqartë
Twitter, Facebook, YouTube dhe Microsoft përqendrohen në nismën e tyre vetëm tek fotografitë dhe videot. Në deklaratë nuk përmendet se si do të veprojnë ato me tekstet që përcjellin propagandë terroriste, racizëm, seksizëm apo lajme të rreme. Rrjetet sociale janë kritikuar kohët e fundit sidomos për përhapjen e të ashtuquajturave “fake news”.
Po ashtu, në Gjermani propaganda terroriste nuk përhapet direkt nga IS-i, por nga faqe me përmbajtje radikale të djathtë, që i shpërndajnë këto materiale pa asnjë lloj konteksti objektiv për të nxitur urrejtjen.

Kryediplomatët e OSBE-së takohen për Sirinë dhe Ukrainën

Ministrat e Jashtëm nga shtetet anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) janë mbledhur në Hamburg të Gjermanisë, për takimin vjetor që kësaj radhe do të përqendrohet në konfliktet në Ukrainë dhe Siri.
Para takimit dyditor, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier i ka bërë thirrje Rusisë që të ndihmojë në zbutjen e tensionit në Evropë dhe për “armëpushim humanitar të menjëhershëm” në Siri.
Zyra e Steinmeierit ka thënë se ai i ka bërë këto thirrje gjatë takimit me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Në një editorial të përbashkët që është botuar në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, nga Steinmeier dhe homologët e tij austriakë dhe italianë, e kanë akuzuar Rusinë se po “minon themelet e arkitekturës së paqes në Evropë” përmes veprimeve të saj në Ukrainë.
Lavrov gjithashtu është takuar në Hamburg edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili ka thënë se ai dhe ministri i Jashtëm rus kanë biseduar për “situatën jashtëzakonisht të rëndë në Alepo”.
Lidhjet e Moskës dhe Perëndimit janë dëmtuar shumë pas aneksimit që Rusia i ka bërë gadishullit ukrainas të Krimesë në muajin mars të vitit 2014 dhe përkrahjes që po iu jep separatistëve në Lindje të Ukrainës në luftën që deri më tash ka marrë jetën e 9600 personave.

Ratko Mlladiç “vlerësoi spastrimin etnik” në Hagë

Prokurori Arthur Traldi tha në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë të martën se pretendimet nga mbrojtja se Ratko Mlladiç mbrojti popullsinë jo serbe të Bosnjës gjatë luftës dhe ndëshkoi autorët e krimeve ishin të rreme.
Traldi tha se provat e paraqitura gjatë gjykimit prej katër vitesh e gjysmë të Mlladiçit treguan pikërisht të kundërtën – se komandanti i Ushtrisë serbe të Bosnjës nuk i ndëshkoi, por i ngriti në detyrë vartësit që ishin përgjegjës për spastrimin etnik dhe vrasjet.
Prokurori përmendi shembullin e Rajko Kusiç, komandant i Brigadës së Rogaticës të Ushtrisë serbe të Bosnjës, të cilin Mlladiç e ngriti në detyrë pavarësisht krimeve që ushtarët e tij kryen në Komunën e Rogaticës.
Ai tha gjithashtu se një oficer që i dërgoi një letër zyrtare Kusiçit, duke i bërë thirrje atij “të ndalonte masakrat, u hoq nga detyra”.
Sipas Traldit, Kusiç vazhdoi të kryente krime në zonën e Rogaticës deri në vitin 1995, ndërsa Mlladiç e vlerësoi atë.
Ai vuri në sallën e gjyqit një regjistrim, në të cilin Mlladiç thoshte: “Të lumtë, Kusiç” dhe e quante atë “një oficer me merita”.
“Që dikush të ngrihej në detyrë brenda radhëve të Ushtrisë serbe të Bosnjës, ai duhet të ishte i suksesshëm në spastrimin etnik”, tha Traldi.
Si provë që Mlladiç ishte në dijeni të krimeve që janë kryer dhe dha urdhra për t’i mbuluar ato, Traldi përmendi një shënim nga ditari i kohës së luftës të gjeneralit, ku tregonte se informacionet në lidhje me një varr masiv në minierën e Tomasicës, pranë Prijedorit, duhet të fshiheshin.
“Mlladiç vlerësoi fushatën e suksesshme të spastrimit etnik dhe ai nuk i ndëshkoi autorët e krimeve”, tha prokurori.
Traldi gjithashtu hodhi poshtë urdhrat e Mlladiç për respektimin e rregullave ndërkombëtare të luftës dhe konventat e Gjenevës, duke thënë se ato ishin “jo efektive dhe sa për sy e faqe”.
Prokurori tha se, “askush nuk ishte ndëshkuar edhe autorët e krimeve pranuan krimet dhe armët dhe trupat e viktimave ishin ende në dispozicion … sepse ushtarët bënë atë që duhet të bënin – kryen një spastrim etnik të territoreve”.
Duke iu përgjigjur pretendimeve nga pala mbrojtëse e Mlladiçit se 3,000 jo serbë qëndruan në Komunën e Sanski Mostit gjatë luftës, prokurori tha se para konfliktit atje jetonin 28,000 të tillë.
Traldi më pas citoi dokumentet e lëshuara nga autoritetet serbe të Bosnjës që përmendnin “nevojën për të larguar jo serbët”.
“Ata njerëz u zhvendosën nëpërmjet kryerjes së krimeve të tmerrshme, arrestimeve masive, masakrave, shkatërrimit të fshatrave”, tha prokurori, duke përmendur vrasjen e 29 grave dhe fëmijëve në fshatin Hrustovo, pranë Sanski Mostit në maj 1992 si shembull.
Mlladiç akuzohet për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila dyshohet se arriti shkallën e gjenocidit në disa komuna të tjera në vitin 1992, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë 44 muajve të rrethimit të kryeqytetit boshnjak dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Masakra e Srebrenicës pa vrasjen e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës, ndërsa rreth 10,000 persona vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevës për shkak të sulmeve me snajper, bombardimeve dhe privimeve të tjera.
74-vjeçari është shprehur se është i pafajshëm për këto akuza.
Prokuroria mbajti deklaratat e saj mbyllëse deri të mërkurën, ndërsa mbrojtja nga data 9 deri më 13 dhjetor.
Të dyja palët do të kenë mundësi të komentojnë deklaratat mbyllëse të secilës më 15 dhjetor në gjykatën e OKB-së.
Gjyqi filloi në maj 2012 dhe vendimi pritet të jepet në vitin 2017.

Liria e medias e rrezikuar

“Easst Journal”

A rrezikohet liria e medias në Shqipëri? Kjo është pyetja që shtron “East Journal”, një rrjet kushtuar çështjeve të Ballkanit dhe Lindjes, ku i ka lënë një hapësirë të veçantë vendit tonë dhe problemeve me lirinë e medias. Në artikull renditen disa nga çështjet kryesore të kohëve të fundit që kanë shtuar vëmendjen e mediave dhe autoriteteve ndërkombëtare.
Një rast i ri censure rihapi debatin për lirinë e medias në Shqipëri. Në të njëjtën kohë vëzhguesit më të rëndësishëm ndërkombëtarë denoncojnë ndrydhjen e lirisë së shprehjes në vend dhe në mënyrë të veçantë autocensurën në rritje mes gazetarëve.
Kështu nis artikulli i “East Journal”, kushtuar problemeve të lirisë së medias në vendin tonë. Fillimisht përmendet se në muajin tetor emisioni investigative “Publicus” u pezullua pak orë para transmetimit dhe producenti saj Artan Rama, akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë televizionin “Vizion Plus” për censurë. Seria u pezullua, pasi reportazhi pasqyronte lidhjet e dyshimta mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Velia dhe shoqërisë 3R s.r.l., e cila deri disa muaj më parë menaxhonte pikën më të madhe të grumbullimit të mbeturinave në vend, atë të Sharrës, pa marrë pjesë në asnjë tender dhe pa pasur një kontratë transparente me bashkinë, vijon më tej artikulli i “East Journal”. Sipas saj “skandali nxorri në dritë probleme të mëdha me kontratën e bashkisë”. E njëjta çështje goditi edhe një drejtore lajmesh. Alida Tota e “A1News” u pushua nga puna për shkak të hetimeve për këtë çështje.
Pas përçarjes së opinionit publik në vend, ku shumë akuzonin gazetarët e emisionit se punonin për Partinë Demokratike në Shqipëri, opozitën në vend. Ndërsa nga ana tjetër shumë gazetarë, organizata dhe vëzhgues ndërkombëtarë denoncuan mungesën e pavarësisë së mediave në vend.
Sipas Reporters Uithout Borders e Freedom House, organizata që monitorojnë çdo vit lirinë e medias, Shqipëria është një vend pjesërisht i lirë, ku shumë media i nënshtrohen influencave të vazhdueshme politike dhe ekonomike; qofshin këto direkte apo indirekte. Raporti i fundit i Komisionit Europian për vendin nënvizon ndër të tjera se nuk është shënuar asnjë progres vitet e fundit, duke renditur ndër arsyet kryesore transparencën e munguar për fondet e qeverisë.
Kjo situatë paqëndrueshmërie, shkruhet më tej në artikull, favorizon praktikën e autocensurës një nga aspektet që influencon më shumë në lirinë e shtypit në Shqipëri dhe që është më e vështirë për t’u monitoruar.
Në një hetim të vitit 2015 nga Balkan Investigative Reporting Network (BIRN), 85% e gazetarëve të intervistuar pranojnë se të paktën një herë gjatë karrierës së tyre kanë hequr dorë nga një lajm, pasi mund të dëmtonte lidhjet e punës.
“East Journal” përfundon shkrimin duke thënë se, hetimi i Birn tregon se si autocensura po kthehet në një faktor kulturor në Shqipëri.

Amnesty International: Turqia po dëbon kurdët

Amnesty International akuzon Turqinë për dëbimin dhe zhvendosjen e rreth gjysmë milioni kurdësh. Ata janë tani të varur nga ndihmat e organizatave ndërkombëtare. Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International akuzon Turqinë për dëbimin dhe zhvendosjen e rreth gjysmë milioni njerëzve. Veçanërisht i prekur është Suri, një lagje e vjetër e populluar nga kurdët në qytetin milionësh Dijarbakir. Shumë shtëpi janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë. Përveç kësaj ka pasur shpronësime të shumta. Amnesty u bën thirrje autoriteteve turke që të paguajë dëmshpërblime dhe kompensime adekuate për shpronësimet apo pronat e  shkatërruara. Përveç kësaj, autoritetet duhet t’u sigurojnë ish-banorëve mundësinë për t’u kthyer në lagjen e tyre. Qeveria turke nuk është shprehur deri tani konkretisht për të ardhmen e lagjes Sur.

Gjendje shtetrrethimi
Në shtator 2015 në Sur u vendos për herë të parë gjendje shtetrrethimi për të luftuar terroristët, sikurse u tha. Të rinj përkrahës të PKK-së e shpallën asokohe lagjen Sur si zonë të vetadministruar dhe ngritën barrikada në rrugë. Gjatë luftimeve rrugëve të kësaj lagjeje u vranë edhe 321 civilë të pafajshëm, ndër ta edhe 79 fëmijë. Andrew Gardner nga Amnesty International, thotë se pas këtyre luftimeve u zhvendosën dhe u dëbuan me dhunë nga Suri të paktën 24.000 banorë.

Të varur nga ndërkombëtarët
Kush nuk donte të largohej i duhej të përballej me rreth 20 ditë pa rrrymë elektrike dhe ujë. Shumica e të shpërngulurve jetojnë në banesa të vogla në periferi të qytetit dhe shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë qiranë. “Shumë familje jetojnë në varfëri dhe janë të varura nga ndihmat e organizatave ndërkombëtare”, thotë Gardner.
Dëbime me forcë ka pasur edhe në qytete të tjera kurde si Sirnak dhe Cizre. Amnesty International bën thirrje që popullsia të kthehet në lagjet dhe vendbanimet e saj të origjinës. Por qeveria turke nuk tregon se cilat janë planet e saj për lagjen Sur.

A refuzoi shefi i CIA-s takimin me Tahirin?

Të mërkurën u njoftua se drejtori i CIA-s zoti John Brennan, kishte zhvilluar në Tiranë disa takime me personalitete shtetërorë.
Shumicën e orëve të paradites, zoti Brennan e kaloi me homologun e tij Visho Ajazi, ndërsa takimet vijuan me Presidentin Nishani, Kryeministrin Edi Rama, ministren e Mbrojtjes, Kodheli dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, zotin Haki Çako.
Zoti Çako dukej si një përjashtim nga rregulli, ndërsa një burim konfidencial i informuar me përgatitjet e vizitës, i tha Hashtag.al se ka qenë ministri Tahiri ai që ka synuar një takim me Shefin e CIA-s, por kërkesa është shmangur me lezet.
Në momentin kur po rakordohej axhenda e takimeve, përfaqësues të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë kishin sugjeruar dhe një takim me ministrin Tahiri. Por nga stafi i zotit Brennan u përgjigjën me diplomaci se nuk ishte i nevojshëm ky takim, meqenëse Tahiri do të ishte prezent në takimin që Brennan do të zhvillonte me kryeministrin Rama. Përfaqësuesit e ambasadës nuk këmbëngulën më tej, pas kthimit të përgjigjes refuzuese, ndonëse mund të kenë mbetur të zhgënjyer nga përgjigja që morën”,  tha burimi konfidencial për Hashtag.al.
Vizita e zotit Brennan në Tiranë ka pasur një vëmendje të gjerë mediatike. Disa media dhe aktorë politikë kanë hedhur pista mbi arsyet e kësaj vizite. Pistat duken interesante, por ka pak gjasa që media të zbërthejë motivet e një vizite të këtij rangu brenda 24 orësh.

Ina tërhiqet nga Gjykata e Strasburgut

Prokurorja e re e Pergjitshme e Shqiperise, Ina Rama e cila eshte votuar sot ne parlament me 83 vota pro, 33 kunder dhe 5 abstenim.

“Ora News” ka zbardhur listën e kandidatëve nga Shqipëria për në Gjykatën e Strasburgut. Ajo që vihet re është se në listën e kandidatëve nuk është emri i ish-Kryeprokurores Ina Rama, ndërsa kandidojnë sërish Gent Ibrahimi dhe Sokol Berberi.
Në garë janë Gent Ibrahimi, Sokol Berberi, Aleksandër Musja, Asllan Karaj, Aurela Anastasi, Elira Kokona, Ermal Frashëri, Marjana Selimi Tutulani, Markeljan Koça, Oriona Muçollari dhe Suela Mëneri.
Më 1 nëntor 2016, qeveria shqiptare rihapi aplikimin për kandidaturën për gjyqtar të ri të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Ndërsa në shtator Gent Ibrahimi, Sokol Berberi, Ina Rama, u skualifikuan nga Këshilli i Evropës, si kandidatë për gjykatës në Gjykatën Europiane. Burimet i thanë “Ora News”, se emrat nuk ishin hedhur në votim, ndërsa skualifikimi ishte bërë nga  Komisioni i Seleksionimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës dhe arsyet zyrtare lidhen me procedurën e përzgjedhjes dhe shkeljen e afateve të dorëzimit të emrave të kandidatëve shqiptarë.
Mandati i gjyqtarit është për një afat prej 9 vjetësh dhe mbaron pas përfundimit të këtij afati ose kur ai/ajo arrin moshën 70 vjeç. Kandidatët nëse zgjidhen, duhet të jenë në gjendje të mbajnë këtë detyrë për të paktën sa gjysmën e mandatit 9-vjeçar, para se të arrijnë moshën 70 vjeç.

Dilema, a do të zbatohet Brexit-i apo jo?

Fillimi i gjykimit katërditor në lidhje me Brexit-in përpara Gjykatës së Lartë i ka ndezur sërish gjakrat në Britaninë e Madhe.
Në fillim të nëntorit një gjykatë në Londër vendosi që qeveria e kryeministres Theresa May nuk ka të drejtë të vendosë pa pëlqimin e Parlamentit për tërheqjen e Britanisë nga BE-ja, tani kjo çështje kalon në raundin e dytë. Qeveria apeloi ndaj vendimit të mësipërm dhe tani për të do të vendosin njëmbëdhjetë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.
“Normalisht gjykata duhet të ketë prova ose dëshmitarë të rinj që të mund të presim një vendim të ndryshëm nga Gjykata e Londrës”, thotë Matthew Cole, profesor i historisë në Universitetin e Birmingham. Në këtë rast, nuk ka të tilla dhe Cole thotë se “Gjykata thjesht do të shohë nëse provat që janë paraqitur tashmë në gjykimin e mëparshëm, janë interpretuar si duhet”.
Në Britaninë e Madhe gjykimi shihet nga shumë si një vendim nëse i ashtuquajturi Brexit do të vazhdojë të zbatohet apo jo. Shumica e deputetëve do të votojë në Parlament për daljen. Por qeveria ka frikë se procesi mund të shtyhet prej propozimeve për ndryshime të mundshme ligjore.
Oliver Patel, punonjës shkencor pranë University Colleges në Londër mendon se Gjykata e Lartë nuk do ta ndryshojë vendimin e Gjykatës së Londrës. Sipas ligjit, i cili ka bërë të mundur referendumin për Brexit-in, vota e këtij referendumi ka vetëm karakter këshillues dhe jo detyrues.
Vendimin për anëtarësimin e Britanisë së Madhe në BE në vitin 1972 e ka marrë Parlamenti, pra për përmbysjen e këtoj vendimi dhe daljen nga BE-ja mund të vendosë vetëm një statut ose rezolutë e Parlamentit, sqaron Matthew Cole. Parlamenti mund të vendosë edhe nëse do ta injorojë vendimin e referendumit apo ta shtyjë zbarimin e tij, thotë Matthew Cole.
Mediat: “Gjyqtarët janë armiq të popullit”
Vendimi i Gjykatës së Londrës shkaktoi shumë kritikë në media. Gazeta bulevardeske “The Daily Mail” i quajti gjyqtarët si “Armiq të popullit”. Mendime të ngjashme u botuan edhe në gazetat e tjera tabloide.

47% e shqiptarëve preferojnë informalitetin për kursimet

Shqipëria është vendi me informalitetin më të lartë të kursimeve të individëve.
Nga një studim i Bankës Botërore për “Rreziqet dhe fitimet nga menaxhimi i financave personale në 10 vende të Europës Qendrore dhe Ballkanit”, shihet se rreth 47% e popullsisë janë të prirë t’i mbajnë kursimet e tyre jashtë institucioneve zyrtare të licencuara për të administruar kursimet e tyre, si bankat, institucionet financiare, fondet e investimit dhe fondet e pensioneve. Të dhënat i referohen një kërkimi të bërë në vitin 2012-2013.
Preferenca për të mbajtur kursimet jashtë institucioneve të ligjshme arsyetohet me kulturën e dobët financiare. Në vende të tilla si Hungaria, kultura financiare karakterizon mbi rreth 70% të popullsisë së rritur, ndërsa në ekstremin tjetër qëndron Shqipëria, ku shihet se vetëm 14% kanë njohuri financiare.
Në Europën Qendrore, përqindja e individëve që preferojnë të ruajnë kursimet në informalitet është rreth 25%, përveç Çekisë që e ka këtë tregues shumë të lartë, mbi 60%. Ndërsa në Ballkanin Perëndimor, kjo përqindje është shumë më e lartë.
Ekspertët e Bankës Botërore shpjegojnë se përqindja e lartë e kursimeve informale mund të nënkuptojë se aksesi i qytetarëve në banka është i ulët. Por në Shqipëri dhe Maqedoni, ky arsyetim nuk qëndron pasi në këto vende, numri i qytetarëve që kanë llogari në banka është i lartë, por gjithashtu numri i atyre që duan t’i menaxhojnë kursimet në informalitet është i lartë.
Kjo vjen edhe për shkak të hapësirave të kufizuara për diversifikimin e kursimeve.
Republika Çeke ka nivelin më të lartë të diversifikimit, ndërsa Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Rumania dhe Serbia janë dukshëm nën mesataren.
Si në shumë ekonomi në tranzicion, pjesa e depozitave të kursimit në valutë të huaj është e lartë.
Mesatarisht, 42% e depozitave të kursimit dhe 45% e parave të gatshme janë në monedhë të huaj. Në Serbi, kursimet në valutë janë 90%. Pjesa e depozitave në valutë është rritur fuqishëm në Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor gjatë krizës nga 1990 dhe ka mbetur e lartë edhe në vitet në vijim.

“Liverpooli gabon nëse e largon Sturridgen”

Legjenda e “Të Kuqve”, Ian Rush, ka këshilluar klubin anglez që mos ta shesin sulmuesin Daniel Sturridge, për të cilin spekulohet se mund të largohet nga “Anfield”. Sipas Rush, largimi i ish- sulmuesit të Chelseat, do të ishte një gabim shumë i madh nga ana e Liverpool. “Mendoj se do të jetë shumë gabim nëse Liverpool e largon atë, Sturridge është një finalizues i mirë”, tha fillimisht Rush, i cili ka shënuar 346 gola në karrierë për Liverpoolin.
“Në një ekip janë më shumë se 20 lojtarë, e jo vetëm 11 të formacionit të parë. Ashtu si Roberto Firmino, Philippe Coutinho, Origi dhe Sadio Mane, po ashtu nevojitet edhe Sturridge”, shtoi ai.
“Jam i sigurt se ai do të ketë shanset e tij, pasi Sturridge së pari është lojtar ekipor dhe është shumë i rëndësishëm për këtë ekip”, përfundoi legjenda e “Redsave”.