Shqipëria pozicionohet e fundit në renditjen që vlerëson potencialin ekonomik të një vendi, bazuar mbi tregues të ndryshëm nga PBB-ja, si kreativiteti dhe inovacioni, sipas indeksit më të fundit të publikuar nga Indigo. Duke rënë i 79-i në renditje, vendi është shumë më mbrapa fqinjëve duke u vlerësuar me pikët më të ulëta për sa i përket inovacionit dhe kreativitetit (62.9 pikë), ndërkohë që asnjë prej fqinjëve nuk vlerësohet nën 100 pikë.
Tregues tjetër i dobët është edhe ekonomia dixhitale, ku vlerësohemi me 68.7 pikë.
Duke përdorur të dhëna nga burime si Banka Botërore, UNESCO dhe Universiteti i Havardit, studimi rendit 152 vende sipas pikëve që kanë shënuar në 5 kategori: krijimtaria dhe inovacioni, diversiteti ekonomik, ekonomia dixhitale, liria, si dhe stabiliteti me qëndrueshmërinë ligjore.
Në studim thuhet se vendet nuk mund të mbështeten vetëm tek projeksioni i PBB-së për të parashikuar performancën ekonomike në të ardhmen, duke qenë se bazohet në aktivitetin e kombinuar të miliona njerëzve të ndikuar nga shumë faktorë të ndryshëm socioekonomikë.
Ekonomia botërore po ndryshon me shpejtësi dhe e ardhmja nuk ka asnjë ngjashmëri me të kaluarën.
Në këtë epokë të re ekonomike, burimi kryesor i pasurisë së vendeve nuk është më renta për burimet natyrore, por nga infrastruktura shoqërore që i mundëson çdo njeriu që të kuptojë potencialin intelektual apo kreativ.
Në mënyrë që të masë aftësinë e një vendi për të konkurruar dhe për t’u rritur në këtë epokë të re të ekonomisë, është jetësore që të vështrohet infrastruktura socioekonomike në një rreze më të gjerë si: niveli i edukimit, infrastruktura e të bërit biznes, sistemi ligjor, të drejtat e pronës intelektuale dhe pronës së paluajtshme, mjedisi i konkurrueshmërisë, stabiliteti politik, infrastruktura dixhitale dhe ekosistemi i mijëra furnizuesve që mundësojnë shërbime të cilësisë së lartë që nga sipërmarrjet e financimit deri te Web dizajn.
Stabiliteti dhe korniza ligjore – përfshin indeksin e stabilitetit politik, kontrollin e korrupsionit, efikasitetin e qeverisë, cilësinë e ligjeve. Kreativiteti dhe inovacioni – përfshin masat në përhapjen e arsimit, normën e analfabetizmit te të rriturit, arsimin terciar, Indeksin Botëror të Kreativitetit dhe investimet në Kërkim dhe Zhvillim.
Diversiteti ekonomik – përfshin rentën për burimet natyrore, aplikimin e patentave, të drejtat e pronës intelektuale, aplikimet e markës tregtare dhe Indeksin e Diversitetit Ekonomik. Ekonomia dixhitale – përfshin eksportin e teknologjisë së informacionit, abonimet celulare, përdoruesit e internetit dhe lidhjen globale. Liria – përfshin masat ndaj lirisë së shtypit, renditjen e demokracisë dhe Indeksin e Demokracisë.
Raporti: Shqipëria pa kreativitet dhe inovacion
Lojtarët më të paguar në Angli
“Paratë nuk janë edhe aq të rëndësishme”, pohoi pak ditë më parë trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, por ndonjëherë s’është ashtu si mendon francezi. Trajneri i “Topçinjve” e kishte fjalën për Aleksis Sançez, 27-vjeçari që merr 130 mijë paundë në javë, por që klubi është gati t’i ofrojë 200 mijë paund. Ai do të bëhej futbollisti i 15-të më i paguar në Premier Ligë, pas emrave të tillë si Pol Pogba, Serxho Aguero, Eden Hazard etj., pra, asgjë e jashtëzakonshme.
Prandaj, përfaqësuesit e tij kërkojnë më shumë. Ka pasur zëra se një klub në Superligën e Kinës ka ofruar 400 mijë paund në javë për sulmuesin, dyfishi i asaj që mund të marrë tek Arsenali, trefishi i asaj që merr aktualisht.
Futbollisti më i paguar në Angli është francezi Pogba, i cili merr 290 mijë paund në javë dhe kjo do të zgjasë deri në vitin 2021. Serxho Aguero dhe Jaja Ture, janë më të paguarit te Mançester Siti me nga 240 mijë dhe 220 mijë paund në javë. Mes futbollistëve më të paguar janë edhe emra të tillë si Eden Hazard (200 mijë paundë në javë te Çelsi), David De Gea (185 mijë paund në javë te Mançester Junajtid), Rahim Sterling (180 mijë paundë në javë) dhe Çesk Fabregas (170 mijë paundë në javë).
Sançez ka shënuar 13 gola për Arsenalin këtë sezon. Pas ndeshjes ndaj Bazelit, Venger tha: “Luksi i futbollit modern do të thotë se e ardhmja e një futbollisti nuk varet vetëm nga paratë”. Koha do të tregojë nëse ka të drejtë…
Serbia flet për dialog me Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha në takimin ministror të OSBE-së në Hamburg se, “Serbia është e përkushtuar për dialogun me Prishtinën, nën përkujdesjen e BE-së, si dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura”.
Ai shprehu posaçërisht “përkushtimin në zbatimin e marrëveshjeve që ndërlidhen me krijimin e Asociacionit të Komunave serbe”.
“Vlerësojmë se një dialog i hapur dhe i sinqertë është rruga e vetme drejt përmirësimit të jetës së përditshme të çdo qytetari në Kosovë”, tha Daçiç në fjalën e tij që i është përcjellur mediave nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Daçiç tha se Serbia është e përcaktuar strategjikisht për integrimet evropiane dhe para së gjithash është e “interesuar për zhvillimin e mëtejmë të stabilitetit rajonal përmes dialogut, paqes dhe pajtimit”.
Frikë nga Juventusi
“Shpresoj që me Juventusin të përballem vetëm në finale”. Arturo Vidal nuk dëshiron të përjetojë makthet personale të sezonit të shkuar, por mbi të gjitha i trembet dëshirës për hakmarrje të ish-skuadrës:
“Shpresoj të mos takohemi në 1/16-at”, deklaroi mesfushori i Bajernit të Mynihut. Por shmangien e kampionëve të Italisë kiliani e kërkon vetëm për të mos përjetuar emocionet negative të një largimi të mundshëm të tyre nga Liga e Kampioneve, sepse, sipas tij, kampionët e Gjermanisë nuk i tremben “Zonjës së Vjetër”: “Por, në çdo rast, nëse ne duam të fitojmë Champions-in, atëherë duhet të fitojmë kundër të gjithëve”.
Bavarezët mbërritën të dytët në Grupin D dhe kjo do të thotë se, shanset e përballjes me një skuadër më të fortë janë padyshim më të mëdha. “Sigurisht që diçka ndryshon, nëse renditesh i dyti, por në të dyja vazot skuadrat janë shumë të forta”.
Një vit pas përplasjes së dyfishtë në aksin Torino-Mynih, shanset për një duel tjetër Juventus-Bajern në 1/16-at e Champions-it është diçka që të dyja skuadrat do të donin ta shmangnin, të paktën kaq herët. Në mes është Arturo Vidal, i cili tregoi preferencat e tij për shortin që do të hidhet të hënën në ora 12:00, në Nion të Zvicrës.
“Të mbërrish i dyti ndryshon diçka, sepse mund të përplasesh me skuadra shumë të forta. Shpresoj që të mos takohem me Juventusin përpara finales. Por, në çdo rast, duhet të fitojmë kundër të gjithëve nëse duam që të ngremë trofeun e ‘Champions’-it”, vijon 29-vjeçari për mikrofonat e televizionit italian “Mediaset Premium”.
Më i qetë duket trajneri i Bajernit, Karlo Ançeloti, një tjetër ish-i skuadrës bardhezi: “Të takoheshim me Juventusin do të ishte një rrezik edhe për ata, jo vetëm për ne. Jam i gëzuar që është kualifikuar edhe Napoli për të mirën e futbollit italian”.
Gjatë festës pas golit kundër Atletikos së Madridit në Champions, Robert Lewandowski i tregoi botës se ai do të bëhet për herë të parë baba. “Doja të tregoja se gruaja ime është shtatzënë. Ai gol ishte për ata, Anën dhe fëmijën në bark. Ana është 5-muajshe shtatzënë. Është një ndjesi shumë e bukur. Ka qenë gjithnjë ëndrra ime që ta tregoja në fushë, kur gruaja ime të ngelej shtatzënë”, tha sulmuesi polak pas ndeshjes së fundit në grup.
Urimeve u është bashkuar edhe pjesa tjetër e skuadrës me në krye Karlo Ançelotin dhe Mats Humelsin. “Kur bëhesh baba, je më i motivuar. Besoj se në të ardhmen, ai do të jetë më i motivuar”, tha trajneri.
Ndërkohë që Tomas Myler ruan gjithnjë rastin për të lëshuar batutën e tij kur i kërkohen komente: “Leva do të bëhet baba? Nuk e di, nuk kam qenë atje në ato momente”.
Paralajmërohen trazira në Maqedoni
Ambasada amerikane në Shkup ka paralajmëruar të enjten qytetarët amerikanë që gjenden në Maqedoni se më 11 dhjetor, të dielën, kur mbahen zgjedhjet parlamentare, të evitojnë tubimet masive, pasi ekziston mundësia e trazirave.
Në ambasadën amerikane, siç raportojnë mediat, thonë se kjo është procedurë standarde.
“Ky është një mesazh i rregullt që jepet ngado nëpër botë dhe është obligim i ambasadës të sigurohet që qytetarët amerikanë të jenë të vetëdijshëm që më 11 dhjetor mbahen zgjedhjet dhe se për këtë mund të ketë tubime masive që përmbajnë rrezik për dhunë”, ka thënë ambasada për portalin “Sakam da kazam”.
Këtë të diel, në Maqedoni mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të cilat duhet t’i japin fund krizës politike, e cila filloi në pranverën e vitit 2014, atëkohë kur opozita hodhi akuza mbi pushtetin për mashtrim në zgjedhje.
Në zgjedhje marrin pjesë pesë koalicione, në mesin e të cilave dy më të mëdhatë janë VMRO-DPMNE dhe koalicioni i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, si dhe gjashtë parti të tjera që marrin pjesë të vetme.
Fushata parazgjedhore e nisur më 21 nëntor, do të marrë fund të premten më 9 dhjetor, në mesnatë kur fillon edhe heshtja zgjedhore. Votimet në gjashtë zonat zgjedhore në Maqedoni do të përcaktojnë fituesit e 120 ulëseve të Parlamentit, ndërsa zona e shtatë, për diasporë mbahet për deri në tre ulëse të Parlamentit.
Në listën e votuesve për këto zgjedhje gjenden 1.784.416 qytetarë që jetojnë në Maqedoni me të drejtë vote, ndërsa 230 122 të tjerë janë në një listë të veçantë pasi vlerësohet se ata janë me punë të përkohshme jashtë shtetit dhe të cilët mund të vendosin se ku duan të votojnë.
Shorti, procedura për 16 skuadrat e kualifikuara
Shorti i Ligës së Kampioneve zakonisht hidhet të premten, por për të përcaktuar ndarjen në çifte të 16 skuadrave më të mira, UEFA ka caktuar datën 12 dhjetor, të hënën e ardhshme.
Sipas procedurës, skuadrat ndahen në vazon e fituesve të grupeve dhe vazon e vendeve të dyta. Rregullorja parashikon që në turin e ardhshëm, nuk mund të ndeshen skuadra që janë kualifikuar nga i njëjti grup si dhe skuadrat që i përkasin të njëjtit shtet, duke kufizuar ndjeshëm mundësitë për skuadra të ndryshme.
Ndeshjet e para luhen në fushën e skuadrave që dalin nga vazot e dyta, ndërsa ata që kryesuan grupin luajnë takimin e kthimit në shtëpi. Ndeshjet e këtij turi luhen në shkurt dhe mars 2017.
Të kualifikuar
Vazo e kryesuesve
Arsenal, Napoli, Barcelona, Atletiko Madrid, Monako, Borusia Dortmund, Leister, Juventus.
Vazo e të dytëve
PSG, Benfika, Mançester Siti, Bajern Mynih, Bajer Leverkusen, Real Madrid, Porto, Sevilja.
NATO vendos për hapësirën ajrore të Serbisë
Aleanca Veri Atlantike, NATO, i ka bërë thirrje Serbisë “që të vazhdojë të përmbushë përkushtimin e saj në kuadër të procesit të normalizimit të Hapësirës Ajrore në Ballkan”, nga i cili, siç thuhet, “do të përfitonin praktikisht që të gjithë”.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s tha se, “normalizimi i hapësirës ajrore shënon edhe një hap drejt ndërtimit të bashkëpunimit rajonal”. Deklarata e zyrtarit të NATO-s pasoi kërkesën zyrtare të Serbisë drejtuar NATO-s për marrjen nën kontroll të hapësirës ajrore të Kosovës.
Një kërkesë të ngjashme autoritetet serbe i kanë proceduar në fund të vitit të kaluar edhe Bashkimit Evropian, me synimin që të marrin kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës, pas përfundimit të mandatit prej pesë vjetësh të Hungarisë.
“Përkushtimi i Serbisë për normalizimin e hapësirës ajrore ishte një pjesë e rëndësishme e vendimit të aleatëve të NATO-s që të relaksojë plotësisht zonën e sigurisë ajrore”, tha zyrtari i NATO-s.
Ndërkohë, drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, Dritan Gjonbalaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mundësitë që Serbia ta marrë kontrollin mbi hapësirën ajrore të Kosovës, janë zero.
Mediat në Beograd kanë cituar kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ka deklaruar se një delegacion i qeverisë së tij, më 14 dhjetor, do të bisedojë në Bruksel me Aleancën Veri Atlantike që Beogradi të marrë nën kontroll hapësirën e ulët ajrore mbi Kosovën.
Hapësira e ulët ajrore shtrihet në lartësinë deri në 6,500 metra, e cila kontrollohet nga autoritetet e Kosovës. Kjo hapësirë shërben për aterime dhe ngritje nga aeroporti, për kompanitë ajrore që e kanë destinacion Prishtinën apo që nisen nga Prishtina.
Pretendimeve të Serbisë që ta marrë nën kontroll këtë hapësirë, Gjonbalaj u përgjigjet negativisht.
“Kjo pjesë e hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës, deri në 6,500 metra, menaxhohet dhe kontrollohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Republikës së Kosovës”.
“Pra, ne kemi një agjenci kompetente, e cila është duke i dhënë të gjitha shërbimet e kontrollit të trafikut ajror dhe shërbimet e tjera përcjellëse në hapësirën e ulët ajrore të Republikës së Kosovës, nën 6,500 metra. Pra, kjo është një pikë e padiskutueshme”, ka thënë Gjonbalaj.
Përveç hapësirës deri në 6,500 metra, ekziston edhe ajo mbi këtë zonë, e njohur si hapësira e lartë ajrore, e cila me vendim të NATO-s, i është deleguar Hungarisë, përkatësisht Hungaro Control-it.
“NATO ka një kontratë me Hungarinë që shërbimet për avionët me mbikalim, transit në hapësirën e lartë ajrore të Republikës së Kosovës, t’i marrë Hunagro Control nga Hungaria. Ne jemi duke u përgatitur në aspektin teknik dhe të burimeve njerëzore që nga viti 2019 të marrim përgjegjësinë e plotë edhe për hapësirën e lartë ajrore mbi 6,500 metra”, ka thënë Gjonbalaj.
SHBA reagon për autoritarizmin: Po ndryshojnë Kushtetutën për pushtet

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, paralajmëroi homologët e tij evropianë për rreziqet e rritjes së autoritarizmit në Evropë dhe në mbarë botën. Ai i bëri komentet sot në Hamburg, përpara Këshillit Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE.
Sekretari i Shtetit, John Kerry tha se, rritja e të menduarit autoritar shoqërohet me probleme në të drejtat e njeriut, kufizime mbi median e pavarur dhe me shtimin e akteve të intolerancës e të krimeve të urrejtjes.
Zoti Kerry tha se, autoritarizmi përfaqëson një largim nga parimet demokratike, nga transparenca dhe nga liria:
“Ne të gjithë e shohim se çfarë po ndodh: Rritje e korrupsionit në shumë vende, autoritarizëm në rritje, përpjekje të disa udhëheqësve për të ndryshuar Kushtetutën në mënyrë që të konsolidojnë pushtetin, përhapje e lajmeve të rreme përmes platformave të reja të medias, marrja në mbrojtje e torturës në qarqe të caktuara. Më lejoni ta them qartë: Fanatizmi, shtypja dhe lufta kundër mendimit ndryshe nuk mund të jetë normalja e re për asnjërin prej nesh. Çdo goditje që u jepet themeleve të lirisë është në fakt një gur i shëmtuar në rrugën drejt tiranisë”.
Zoti Kerry tha gjithashtu se, konflikti në Ukrainën Lindore dhe pushtimi rus i Krimesë po vazhdojnë tepër gjatë dhe kërkojnë që OSBE-ja të ngulë këmbë në përpjekjet për të negociuar një zgjidhje paqësore të këtyre çështjeve.
Ai shtoi se, përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës afatshkurtër nuk duhet të errësojnë nevojat më afatgjata të Ukrainës për të ndërtuar një demokraci të lulëzuar.
Në takimin dy-ditor të OSBE-së marrin pjesë ministrat e Jashtëm të 57 vendeve që përbëjnë organizatën.
Në rend të ditës janë gjendja në Ukrainë si dhe paqja e siguria në të gjithë kontinentin.
Mikpritës i takimit është ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, meqenëse Gjermania ka kryesinë e radhës të OSBE-së.
2 miliardë euro nga trafiku i drogës
Policia nuk mund të kontrollojë drejtësinë
– Bilanci i mandatit të parë në kërkim të mandatit të dytë. Një mandat i dytë, një rikthim në politikë?
Ky nuk duhet parë si artikulim i një qëndrimi të veçantë. Nuk i kam konsideruar asnjëherë si konflikt qëndrimet institucionale. Natyrisht mospërputhshmëria e qëndrimeve të qeverisë apo Parlamentit, kjo nuk do të thotë se ka konflikt. Prandaj janë institucionet e ndara. Presidenti jo domosdoshmërisht mund të niset nga ideja e të pasurit të konfliktit, por në reagim të qëndrimeve që ka institucioni në raport me çështjet. Unë jam edhe disa muaj në detyrë. Besoj se do të jenë interesantë. Janë zgjedhjet dhe duhet të monitorojmë procesin zgjedhor dhe të urojmë fituesit. Presidenti ka një rol të rëndësishëm monitorues.
– Jeni takuar me shefin e CIA-s. Për çfarë diskutuat?
Ishte takim shumë i rëndësishëm dhe miqësor. Ishte hera e parë që takoja një personalitet kaq të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për sa i takon proceseve që lidhen me garantimin e sigurisë, Shqipëria është angazhuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal, ku Shqipëria ka rol të rëndësishëm, çka edhe në takimin e sotëm morëm vlerësime të veçanta dhe në sfidat që janë evidente që ka të bëjë me grupet terroriste. Shqipëria ka qenë e prekur nga fenomeni i luftëtarëve të huaj. Vizita e drejtorit të CIA-s, ishte një tregues i fortë dhe sinjal i fortë i partneritetit të ngushtë dhe të bashkëpunimit që ka Shqipëria me SHBA për ruajtjen e sigurisë dhe paqes dhe ruajtjen e demokracisë.
– Institucionet shqiptare kanë bashkëpunuar mirë?
Bashkëpunimi nuk është gjithmonë i të njëjtit standard. Në shumicën dërrmuese të rasteve që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizimit, bashkëpunimi midis institucioneve ka qenë shumë i mirë.
– 104 vjet shtet. Kemi institucione të besueshme?
Shqipëria ka eksperienca nga më të ndryshmet dhe nëse krahasohemi me atë çka kemi pasur, arritjet janë të jashtëzakonshme. Nëse e krahasojmë me atë çka meritojnë shqiptarët apo me potencialet që ka shoqëria shqiptare, duhet të ishim shumë herë më të konsoliduar. Unë i vlerësoj arritjet në këto 25 vitet e fundit. Ajo që është sfida jonë është se si do të jetë e nesërmja. Ka shumë gjëra për të diskutuar, por ka edhe shumë e shumë gjëra për t’u implementuar. Këtu duhet të ngulemi fort për të qenë të suksesshme në kohën që rrjedh.
– Klasa politike ka festuar të ndara festat kombëtare. A tregon kjo mungesë serioziteti të shtetit?
28 Nëntori është festa e vetme kombëtare. Ka kontributin historik, angazhimin historik të disa gjeneratave dhe të shqiptarëve pavarësisht se ku jetojnë, brenda Shqipërisë politike apo në rajon. Të gjithë kanë kontributin e tyre. Unë mendoj se nuk mund të ketë konkurrim të 28 Nëntorit me asnjë eveniment tjetër qoftë edhe i 29 Nëntorit që unë e kam respektuar si një datë zyrtare e sanksionuar në ligj dhe Presidenti pavarësisht pikëpamjeve që mund të ketë. Këtë e kam bërë nisur nga respekti që kam për konceptin e shtetit dhe për mënyrën se si imazhi i institucioneve duhet ruajtur. E kam gjetur të paargumentuar nga autoritetet e larta të bojkotohet 28 Nëntori.
Vitin e shkuar është bojkotuar nga e gjithë qeveria, që nga Kryeministri dhe me radhë. Nuk e mendoja që Kryeministri të bojkotonte festën kombëtare. Për sa i takon 29 Nëntorit, ne duhet që të kemi një moment nderimi të rezistencës antifashiste. Sot Evropa e ka një datë që është ajo e 8 majit. Argumentet e dhëna deri më sot qoftë nga historianë dhe shpesh edhe nga politikanë që marrin se kur u largua gjermani i fundit, nuk është argument që i jep vërtetësi debatit.
Qartazi 29 Nëntori është importuar nga Jugosllavia si një datë e unifikimit të Shqipërisë me Jugosllavinë. Më pas, komunizmi u përdor për të shuar 28 Nëntorin dhe për të identifikuar vetëm një të parë që ishte partia. Është krejt e panevojshme të diskutojmë se kur është larguar gjermani i fundit. Është e vërtetë që ne kemi pasur rezistencë antifashiste. Forca kryesore që u përshtat më vonë dhe që mori pushtetin pas luftës. Unë mendoj se duhet të sillemi nga modeli evropian.
– Mendoni për 8 Majin?
Unë mendoj se kjo është nga Evropa. Edhe në Shqipëri është pranuar nga historia e shkuar se Shqipëria nuk ka pasur luftë frontale. Edhe partizanët ishin një luftë guerile. Është momenti t’i hyhet një debati pa pasione ideologjike. Ne duhet që atë moment të rezistencës antifashiste, duhet ta konkurrojmë në modelin dhe kulturën evropiane. Të jetë në një datë konsensuale.
Më shumë se sa historianët kanë qenë të angazhuar historianët politikanë. Nëse janë të angazhuar politikisht e kanë të vështirë të mbetet sipas standardeve. Ne sot kemi një ligj për Arsimin e Lartë që e përjashtoi institucionin e shkencës dhe jemi aktualisht në vakuum. Historia jonë duhet shkruar dhe jo rishkruar sepse nuk është shkruar siç duhet.
– Për sa i përket vizitës së kreut të CIA-s, janë diskutuar zgjedhjet në Maqedoni?
Jo.
– Kthehemi tek Forcat e Armatosura…
Ndoqa dje një aktivitet. Mendoj se ishte i paduhur fjalimi i Kryeministrit përballë njerëzve me uniformë të ketë artikulime të tilla. Ndodh për herë të parë në 25 vite në Shqipëri. Lufta politike është e lejuar, por jo përpara njerëzve me uniformë.
Nuk mundet kurrsesi që në takimet me njerëzit me uniformë, posaçërisht me Forcat e Armatosura të kemi artikulime politike. Lufta politike është e lejuar, por FA janë të depolitizuara, por askush nuk mund t’i provokojë dhe t’u japë atyre mesazhe politike, çka mund të bëhet në Parlament dhe atje ku është e lejuar.
– Çfarë ishte provokim?
Unë mendoj se duhet të kishte reagime. Nëse bëhet rishikim i mesazheve nuk është normale që një Kryeministër apo ministër të bëjë artikulime kundër një force tjetër. Kjo nuk është e lejuar nga Kushtetuta të ndodhë në aulën e njerëzve me uniformë. Ata njerëz vihen në situatë të vështirë, pasi janë mësuar me ligjin dhe Kushtetutën. Ata janë për t’i shërbyer vendit dhe nuk janë aty për t’i shërbyer një partie politike dhe për të urryer një tjetër.
– Kryeministri premtoi rritje page.
E vlerësoj dhe e përshëndes.
– Keni pasur shqetësime nga ushtarakët?
Nuk më pëlqeu dhe më shqetësoi.
– Çfarë ndodhi me Shefin e Shtabit. Ju e refuzuat?
Do të kishte qenë e udhës të ndiqej e njëjta praktikë siç ndodhi përpara 3 vitesh kur qeveria erdhi dhe u konsultua për Jeronim Bazon. E pranova si propozim atëherë dhe më pas paraqitën propozimin tjetër dhe unë pranova për Gjeneral Bazon. Ky propozim mungoi dhe kjo konsultë mungoi. Do të kishim evituar një diskutim publik që nuk është i shëndetshëm. Shefi i Shtabit është një figurë e lartë. Për shkak të eksperiencës që unë kam pasur nga bashkëpunimi i këtyre 3 viteve nuk e kam vlerësuar që ai të jetë edhe për një mandat tjetër në këtë detyrë për shkak se Kushtetuta parashikon disa kritere që nuk janë zbatuar.
– Cilat janë kriteret?
Ka munguar informacioni. Ai konsiderohet këshilltari i parë i Presidentit. Kam kërkuar informacione në vijimësi për një sërë dokumentesh që kanë të bëjnë me hartimin e strategjive, të strukturave, planifikimit të objekteve.
– Nga burime pranë mazhorancës, ka informuar një herë në javë dhe më pas në një herë në muaj.
Nëse bëhet fjalë për komunikatën nuk është informacion. E kemi fjalën për çështje të rëndësishme. Në lidhje me rrëzimin e helikopterit ka ardhur nga ministri i Mbrojtjes. Është një aksident i veçuar. Ka të bëjë me platformën e sigurisë së mbrojtjes dhe një çështje thelbësore që ka të bëjë me pronat e ushtrisë, që Kushtetuta kërkon me çdo kusht dhënien e lejes nga Presidenti.
– Kjo është e rëndë…
Janë shprehur rezervat dhe nuk ka pasur përgjigje. Përgjigjja e Presidenti është rrëzimi i zt. Bazo. Cilat janë perceptimet apo angazhimet, kjo është çështje personale. Duhet të kishte konsultime. Do të preferoja të mos kish pasur një çështje publike për të diskutuar.
– Çfarë prisni të ndodhë… do ta refuzoni?
Përgjigjja përfundimtare i është dhënë Gjeneral Bazos.
– Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, duhet ta ketë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këtë vit është shifra më e ulët. Keni një koment?
Anëtarësimi në NATO ka qenë një nga arritjet më madhore. Sot Shqipëria gëzon mundësi të mëdha për të garantuar sigurinë dhe lirinë. Kjo nuk mund të bëhet falas, Shqipëri duhet të bëjë përpjekjet e saj. Ka një detyrim nga NATO, por ne kemi marrë dakordësinë që ta shtrijmë ecurinë e rritjes së buxhetit për mbrojtjen në periudhë disavjeçare. Duhet të përmbushim këtë detyrim. Ky kalkulim është bërë për të pasur parasysh që FA të arrijnë nivelin e kërkuar. Duke mos pasur këtë mbështjetje financiare nuk mund të kesh këtë performancë. Në vend që të ecim, ne kemi rënë këtë vit 0.75%. Është e papranueshme.
– Si e prek buxheti performancën?
Asgjë nuk mund të zhvillohet vetëm me resurse njerëzore. Nuk mund të arrijë asnjë nivel të performancës dhe detyrimeve që ka.
– Po armatoset Greqia dhe Kroacia.
Jo vetëm Kroacia dhe Greqia, por Serbia është duke shpenzuar para për mbrojtjen. Siguria nuk është falas dhe nuk është e garantuar asnjëherë.
– Strategjia ushtarake, keni thënë që është kopje e PD?
Nuk kam pasur një koment të tillë, e kam mbështetur. Duhet të vinte më përpara për t’u diskutuar. Nuk mund të përjashtohet asnjë aktor.
– Keni bërë presion për rritjen e buxhetit të mbrojtjes?
Nuk kam bërë presion. Presidenti ka një zë në hartimin e buxhetit për mbrojtjen. Ne duhet të respektojmë angazhimet e shtetit shqiptar. Shteti nuk është pronë e një qeverie të caktuar.
– U ankuat dhe për buxhetin e Presidencës, morët gjysmën që kërkuat.
Vlerësoj reflektimin e Kuvendit. 10 milionë lekë për të pasur një sistem të tejkalimit të emergjencës nuk është kërkesë e tepërt. Fakti që është aprovuar nga Komisioni e vlerësoj. Kërkesa tjetër ka qenë për zgjedhjet.
– Si i keni marrëdhëniet me Kryeministrin?
Institucionale. Në çdo rast që qeveria dhe Parlamenti ka nevojë për angazhimin ligjor të Presidentit nuk do të mungojë dhe nuk ka munguar. Nëse janë 20 ligje të rrëzuara janë 500 të tjera të miratuara.
– Akuzat e Ramës për ndjekje të axhendës së PD.
Është akuzë politike që e ka bërë kur ka ardhur në detyrë për të krijuar perceptimin fals që ky institucion duhet mënjanuar për faktin se nuk është institucion në kontrollin e qeverisë.
– Ka pasur përputhje të axhendave tuaja me PD. Ligji për mbetjet, parku.
Çështja e ndërtimit tek parku nuk ka të bëjë me ligjet që kanë rënë ndesh me Kushtetutën. Natyrisht që mund të ketë përputhshmëri me opozitën, ka qëlluar që është PD. Lidhur me parkun, ka qenë qëndrim publik i Presidentit në përgjigje të një interesi të qytetarëve. Presidenti nuk ka bërë ndonjë gjynah të madh që ka pritur në zyrë qytetarët për t’i dëgjuar. Për këtë akt Presidenti u anatemua. Individët që e kundërshtuan kanë qenë dhe kundërshtarë të opozitës. Nëse fryma e tyre është përputhur me PD nuk është ndonjë herezi. Nuk e inspirova unë protestën, nuk kërkova takimin, por nuk mund të injoroj kërkesën. Ndërtimi i parkut tek liqeni është në rendin e ditës të një prej institucioneve shumë të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara.
– Rikthim në politikën aktive?
Qeveria thotë se unë kam qenë, nuk jam larguar nga PD. Nuk kam asnjë projekt, mandati ende është një mandat që ka mjaft kohë për të dhënë kontribute deri në korrikun e vitit të ardhshëm. Është gatishmëria për të marrë një mandat të dytë. Kam dëgjuar thashetheme kafenesh.
– Do të merrni postin e kreut të PD?
Është qesharake, PD e ka kryetarin. Është një shans për PD që ka një kryetar si zoti Basha. Reflekton pozitivitet, ka goxha eksperiencë në një moshë jo shumë të madhe. PD është e rëndësishme për vendin ashtu si PS. Nuk ka asnjë lidhje dhe asnjë bazë ngritja e hipotezave të tilla.
– Ka një perceptim se zyrtarët që punojnë në Presidencë janë familjarë apo përfaqësues të PD?
Janë disa individë që kanë qenë të angazhuar në administratën e PD kur ka qenë në pushtet. Cilat janë bindjet e brendshme unë nuk mund të ndërhyj. Nuk e di kush është i atashuar as me të majtën dhe as me të djathtën. Njerëzit që kanë qenë të angazhuar dhe kanë eksperienca janë të rëndësishëm.
– Mandati i dytë, duhen 84 vota. Ku e keni besimin se mund të mbështeteni përveçse nga PD?
Nuk lidhet me besimin dhe dëshirën time. Jam bërë President me mbështetjen dhe propozimin e PD dhe LSI. Duke qenë i bindur se i kam shërbyer interesit publik dhe interesave të vendit gjatë këtij mandati, kam deklaruar gatishmërinë që nëse shumica në Parlament do të gjykojë për një mandat të dytë unë kam deklaruar gatishmërinë për të vijuar. Vendimi do të jetë i deputetëve. Besimin që m’u dha më 2012 mendoj se e kam justifikuar duke punuar dhe shërbyer për interesin publik. Do të kishte qenë shumë më problem nëse Presidenti do të ishte një kukull e qeverisë.
– Jeni në kontakte, keni dijeni për votat e LSI?
Jo.
– Nëse nuk realizohet kjo, çfarë do të bëni?
Nuk mund të investohem në fushë tjetër. Unë jam investuar në politikë. Nuk kam ndërmend të tërhiqem në një shpellë, politika është pasioni im, por nuk bëhet vetëm në kuadrin e një partie. Votimi dhe zgjedhja ime si President ishte reflektim dhe i disa rrethanave.
– Nëse do të ketë nevojë PD për ju do t’i bashkoheni?
Mbetet për t’u parë. Asgjë nuk përjashtohet. Nuk jam investuar në fushën e biznesit, në shkencë, në art apo kulturë.
– Çfarë mund të bëjë një President?
Nuk e shoh veten të konkurroj për një post administrativ. Njerëzit në media japin kontribute të mëdha në opinionin publik, demokracia të jep të gjitha mundësitë. Do të varet nga rrethanat.
– Zgjedhjet?
Uroj të ndodhë më e mira për Shqipërinë.
– Ligji i mbetjeve ju e kthyet me argumentin se ishte në kundërshtim me ligjin evropian. Zyra ka sjellë që është në përputhje…
Ligji nuk vjen më tek Presidenti. Nuk kam ndonjë reagim nga Komisioni. Nëse ka, kjo do të thotë se ligji është amenduar. Nëse nuk do të kishte pasur të drejtë Presidenti, do ta kishte miratuar Parlamenti.
– Edhe ligji i 2011-s që e rrëzoi Rama ishte në përputhje.
Nuk e kam parë. Ka dy direktiva, majftueshmëria dhe distanca. Mjaftueshmëria e detyron që çdo vend të riciklojë mbetjet e tij. Fakti që në vend riciklohen vetëm 17%.
Ka edhe një qëndrim tjetër institucional nga morali i asaj që unë kam bërë sepse kam dekretuar referendumin. Unë në kundërshtim me interesin politik të asaj partie që thuhet se jam pranë saj.
– Reforma në drejtësi zt. President ka pasur një angazhim të madh. Dua të ndalem në disa aspekte… Ju kaluat në heshtje ligjet emergjente. Pse zgjodhët të flisnit me heshtje?
Reforma nuk mund të bëhet në kushte emergjente, sepse është një reformë delikate, sepse kërkon krijimin e institucioneve të reja, do ta shtrijë implementimin në disa vite dhe do të shtrijë ndikimin në 5 dekada. Po u bë me urgjencë bëhen gabime.
Në rastet e ligjeve i kam shpjeguar pse i kam kaluar në heshtje. Ligje të tilla duan konsensus. Për mua është kusht për demokracinë. Po i referohem adresimit që bëri Obama në fjalimin e fundit në Greqi. E citoj: Demokracia për definicion do të thotë që ti nuk i merr dot të gjitha ato që dëshiron. Që do të thotë përfshirje dhe kompromis. Unë i besoj zt. Obama.
Për mua është domosdoshmëri të kemi konsensus. Ndryshimet kushtetuese me konsensus janë garanci që të jenë funksionale. Së dyti, ndryshimet kushtetuese, por edhe ndryshimet e ligjeve i hapin rrugë reformës në drejtësi, krijojnë një sërë institucionesh. Ne kemi bërë një reformë kushtetuese që ka prekur sistemin politik në Shqipëri, sepse ka prekur balancat e pushteteve. Janë një sërë kompetencash të Parlamentit i kanë kaluar qeverisë dhe të Presidentit i kanë kaluar qeverisë. Pritet për t’u parë se si ky ekuilibër i ri do të funksionojë.
Ligji i Vettingut që përveç pjesës që nuk është arritur me konsensus, ka pasur një tendencë për të denigruar institucionin e Presidenti, sepse i kërkohej Presidentit të përmbushte disa afate ligjore që ishte e pamundur nga ana e Presidentit. Referimi i këtyre afateve në ligj nuk i bëhej në hyrje të fuqi të ligjit, por i referohej Kushtetutës që hyri në fuqi të Kushtetutës në korrik.
I kërkohej Presidentit që deri në mesin e shtatorit të përmbushte disa detyrime që ligji kishte paraparë dhe që nuk realizoheshin para mesit të tetorit. Situata të tilla që vendosin Presidentin në pozicione jo normale, përveç pjesës tjetër që vë një sërë institucionesh për të kontrolluar Prokurorinë.
Nuk arrij të kuptoj dot se si Agjencia e Inteligjencës së Policisë, do të kontrollojë integritetin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Do ta fusë procesin në një ngërç.
– Flasim për një strukturë ekzistuese… ka rezultuar problematike, inefikase. Ata kërkuan ndryshim thelbësor. Ajo çfarë juve duhet t’u bënte më bashkëpunues. Nuk mund të jepnit më shumë bashkëpunim? Ligjin e Vettingut e kaluat në heshtje.
Nuk mund të fillonte zbatimi i ligjit pa hyrë në fuqi pasi u atakua në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka asgjë të programuar.
– Nuk e dekretuat…
E votoi mazhoranca atëherë ku ajo mendoi se duhet votuar. Presidenti ishte i pari në tetor të 2014-s që inicioi procesin e reformës në drejtësi. E kam bërë në koordinim me Komisionin Evropian dhe menjëherë pas kësaj, Presidenti u përjashtua plotësisht. Gjykim sovran i Parlamentit, qeverisë, nuk kam asnjë merak. Nëse Presidenti do të përfshihej do të kishte dhënë kontribute pozitive në ndihmë të reformës. Problemi më i madh është mungesa e besimit mes palëve.
Nga njëra anë qeveria thotë se duhet të bëjmë reformën në drejtësi për të luftuar korrupsionin, nga ana tjetër opozita thotë se qeveria kërkon që nëpërmjet këtyre mekanizmave që do të kontrollojë, të emërojë militantët e tij në mënyrë që t’i shpëtojë ndëshkueshmërisë për aferat korruptive që ajo sot po bën. Kemi dy pretendime palësh që janë në të drejtën e tyre dhe në këtë mënyrë duhet të shkohet drejt konsensusit. Unë besoj që u gjet konsensusi për ndryshimet kushtetuese.
– KE e vuri kusht Vettingun për negociatat…
Konsensusi është i arritshëm pastaj të gjitha të tjerat do të jenë më eficente.
– A ishte konsensus i sinqertë ai i korrikut?
Kemi aprovuar një ligj të posaçëm për të pastruar Parlamentin nga rekordet kriminale dhe kjo nuk do të thotë se i gjithë Parlamenti ynë është i inkriminuar. Jam tërësisht kundër atyre që mendojnë se të gjithë politikanët shqiptarë janë të gjithë të inkriminuar. Atje ka njerëz me dinjitet dhe karrierë të gjatë.
Ama mbërritëm në këtë derexhe që të miratojmë një ligj të posaçëm, për deputetë me rekorde kriminale, qofshin ata të hetuar të na futen në Parlament dhe të kërkojmë që të dalin nga Parlamenti. Se sa e shëndetshme është që këta njerëz me rekorde kriminale kanë interes për reformën në drejtësi, më mirë ta gjykojë publiku. Unë besoj se qëndrimi i lidershipit ishte pro reformës.
– Lu tha se Presidenti kishte disa vërejtje për Vettingut, por nuk kishte shkelje kushtetuese…
Unë s’e kam dëgjuar ambasadorin. Ajo që unë kam shprehur ka qenë shumë e thjeshtë. Unë nuk do ta çoj në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti kishte pranuar që t’i hiqej e drejta për të gjykuar kushtetutshmërinë e këtyre ligjeve. Është Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë.
– Venecia me sa është informuar do të ketë një opinion pozitiv.
Kjo është çështje e Gjykatës Kushtetuese. Jo në të gjitha pikat i drejtohet Venecias. Për disa çështje është e qartë vetë. Di që Gjykata Kushtetuese i është adresuar për disa çështje. Gjykimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese nuk sjell asgjë të pashëndetshme. Nuk ka asgjë të keqe që Gjykata Kushtetuese t’i rregullojë. Të gjithë ata që bëjnë gjykime paraprake dëmtojnë procesin dhe vënë Gjykatën Kushtetuese para presionit publik.
– Lu flet për të frikësuar që po përpiqen ta bllokojnë, duke shpikur histori me përkthime… A po përpiqet PD ta pengojë zbatimin e Vettingut?
Unë nuk mundem dhe nuk do të lejoja të bëja gjykimin as ndaj partive politike dhe as ndaj ambasadorëve të huaj. Presidenti është strikt, për të cilat jam i detyruar, por edhe në kulturën politike për t’i respektuar. Në rastin e ligjit, Gjykata Kushtetuese ka dërguar në Venecia dy variante. Venecia ka afishuar dy variantet e përkthimit.
Kjo është e vërtetë dhe nuk po e sajojmë. Kush e ka bërë gabimin? Mbetet për t’u parë dhe nuk është e vështirë. Dimë që i vetmi institucion ligjor është Drejtoria e Përkthimeve pranë Ministrisë së Drejtësisë. Nuk e di nëse janë përkthyer nga përkthyesit zyrtarë. Janë njerëz me eksperiencë që punojnë për dokumentet zyrtare. Ka një praktikë të vazhdueshme.
– Cilado qoftë tregon mungesë serioziteti të Gjykatës Kushtetuese…
Keni të drejtë këtu. Mbetet për t’u sqaruar.
– Duke dashur të mos themi për manipulime….
Po konfirmoj një fakt. Jemi njohur që Gjykata Kushtetuese ka dërguar një variant para disa kohësh dhe ka ridërguar një variant të dytë. Nëse s’do të kishte gabime pse duhej dërguar.
Vettingu në Shqipëri do të bëhet, duhet bërë dhe duhet të fillojë sa më parë. Procesi të bazohet në një legjislacion transparent, të garantojë pavarësi. Në këtë kontekst jam i bindur që Vettingu do të zhvillohet dhe shqiptarët janë të interesuar për proces të shëndetshëm.
– A janë në konflikt interesi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese?
Kjo është një pyetje që i është drejtuar Komisionit të Venecias.
– Reforma në drejtësi, roli i ambasadorëve. Pati deklarata që u shqetësuan për cenimin e sovranitetit.
Është angazhim miqësor. Reformat do të na i bëjnë shqiptarët, por asistenca e tyre është e mirëpritur. Nuk është hera e parë. Por në fund të fundit nuk janë ambasadorët ata që do të bëjnë shtetin shqiptar dhe as që kanë përgjegjësi për dështimet. Janë politikanët shqiptarë, intelektualët, ekonomistët, biznesmenët, artistët, janë shqiptarët që do të menaxhojnë jetën e tyre.
– KLD do të shkrihet. Në mbledhjen e fundit transferoi dy gjyqtarë që kishin lidhje me dy anëtarë të KLD.
Ne çuam në Strasburg familjarë të qeverisë dhe nuk e konsideruam konflikt interesi. Çështja e gjyqtarëve nuk kishte konflikt interesi, të afërmit u larguan dhe nuk ishin prezent. Ka marrë vendin ai që ka marrë më shumë vota. Presidenti është i përjashtuar nga votimi.
– KLD transferoi 6 gjyqtarë në Gjykatën e Apelit. Tre vjet për të plotësuar këto vende bosh.
Është një rast ku mund të shohim konfliktin e institucioneve. Parlamenti dhe qeveria sapo erdhën u fokusuan tek kontrolli i KLD. Ndërprenë mandatet e anëtarëve, nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Synonin ta fusnin në ngërç institucional dhe në fakt u arrit për njëfarë kohe. Nuk arrinte KLD të plotësonte këto vakanca. Kushtetuesja e gjeti antikushtetues ndërprerjen e mandateve, Parlamenti nuk i riktheu në detyrë. Synimi ishte për të futur në ngërç KLD, qëllim i pastër politik.
– Edhe Ina Rama nuk u emërua…
E futëm në rendin e ditës, por nuk u votua.
– Komisioni për Vlerësimet e Gjyqtarëve, si u emëruan gjyqtarët pa kaluar në këtë komision?
Nuk është kriter ndalues që nëse nuk është nënkryetari nuk mund të mblidhet. Në këtë situatë KLD iu referua ligjit të organeve kolegjiale, një ligj konkurrues në ligjin për KLD. Kur nuk është nënkryetari e drejton anëtari më i vjetër.
– Ka pretendime se në këtë mbledhje ju nxitët që ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të çohet në gjykatë.
Nuk mund ta kërkoja unë këtë. Njëri nga anëtarët e KLD paraqiti shqetësimin. U kam thënë që kush ka rezerva të shkojë në Kushtetuese. Gjyqtarët kanë kapacitetet e tyre për të vlerësuar se çfarë do të bëjnë në aspektin kushtetues dhe legal. Është debat i stisur, shterpë për konsum të ditës. Kjo vjen për një arsye, gjatë gjithë këtyre viteve nuk arritën të vinin nën kontrollin e plotë KLD. Jo se është pronë e Presidentit, në shumë raste Presidenti ka dalë në minorancë.
– Ka të frikësuar në sistem?
Patjetër, kanë frikë nga gjykimet dhe hakmarrja politike.
– Po nga pasuria?
Ata që kanë pasuri të paligjshme duhet të jenë të shqetësuar.
– Institucionet e reja e kanë larguar politikën nga vendimmarrja.
Njëra palë pretendon këtë, tjetra të kundërtën. Unë besoj që SHBA dhe BE mbështetin reformën në drejtësi. Nuk besoj se janë të përfshirë në debatin politik të palëve. Presidenti nuk merr në analizë deklaratat e trupit diplomatik dhe askujt. Pretendimet e palëve kanë vetëm një derë për t’u adresuar, Gjykata Kushtetuese. Ka dy ligje, Vettingu dhe statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.
– Optimist për hapjen e negociatave?
Nuk shikoj se është një situatë për të festuar, por as për ta dramatizuar. Ka një vlerësim pozitiv të një progresi të përgjithshëm. Shqipëria e ka merituar prej kohësh hapjen e negociatave. Palët politike duhet të gjejnë konsensus, të bëjnë kompromis. Askush nuk mund të marrë të gjitha që dëshiron, oreksi mund të jetë shumë i madh, por kjo është demokracia.
– Jo gjithmonë konsensusi është zgjidhja më e mirë, ndryshimet kushtetuese të 2008?
Nuk mendoj se solli ndonjë problematikë. Ka vende plot që Presidentin e zgjedhin me shumicë të thjeshtë. Presidenti ka vlerë kur vendi ka një krizë të madhe.
– E realizuar ndonjëherë gjatë mandatit tuaj?
Ka pasur, por nuk ka pasur krizë të fortë që të duhej ndërhyrje. Për Vettingun u them palëve të dëgjojnë çfarë tha Merkel, progres raporti i BE. Integrimi nuk është domen i një partie të caktuar politike. Procesi i integrimit është një proces që do të kërkonte një kompromis të madh, do të marrë shumë kohë dhe kërkon sakrifica politike. Këto duhet t’i bëjnë të gjitha palët. Kjo bëhet përmes arritjes së kompromisit. Kam parë që nga dy krahët e politikës ka përgjegjshmëri në momente të caktuara.
– Prokuroria, konflikti me ILDKPI.
I kam ndjekur vetëm nga media. Nuk kam informacion. Prokuroria është një institucion investigues dhe hetues, nuk mund t’i fshihen dokumentet që kërkon. Prokuroria ngre hetimin nuk përcakton fajësi. Duhet respektuar vendimi i gjykatës.
– Kanabisi?
Thirra mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Informacionet që vijnë tek Presidenti tregojnë se mesatarisht është një përfitim për këtë vit prej 2 miliardë eurosh nga trafikimi i lëndëve narkotike. Informacionet që vijnë informacione zyrtare të shtetit shqiptar. Është ekonomi e zezë. Nëse dikush mendon që nuk duhet të alarmohemi sepse kjo mund të kthehet në pjesë të debatit politik, kjo nuk funksionon tek unë. Ne buxhetin e kemi 5 miliardë dollarë.
– E ka Policia e Shtetit këtë informacion?
Nuk e di. Nëse më 2008-2009 sasia e deklaruar zyrtarisht nga autoritetet italiane e kanabisit të sekuestruar ishte 1.6 tonë në vit, tani kemi 3-4 tonë në javë. Kjo do analizë. Duhet të ulemi dhe të tregojmë platformë dhe aksion konkret. Situata është serioze. Nishani nuk ka tagër për t’u përfshirë. Nuk kam ndërmend të ul zërin dhe jo e jo të shuaj zërin institucional.
– Reforma zgjedhore?
Kjo është çështje që i takon Parlamentit, e ka detyrim. Kam shpallur datën e zgjedhjeve. Ditën e premte hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Kolegjit Zgjedhor. Gjithsecili duhet të bëjë detyrën e tij.
Intervistoi Ilva TARE
“Ora News”
Nis Botërori i Klubeve, Kashima në çerekfinale
Botërori i Klubeve ngriti zyrtarisht siparin me sfidën e parë, atë play off mes Kashima Antlers dhe Auckland City. Ekipi japonez fitoi 2-1 këtë sfidë, duke eliminuar nga turneu, kampionen e zonës së Oqeanisë, duke siguruar njëkohësisht dhe një vend në çerekfinale. Në stadiumin e Yokahomas, takimi nisi me një minutë heshtje në nder të lojtarëve të Chapoconeses, që humbën jetën në fundin e muajit nëntor pas një aksidenti ajror. Fillimisht, Auckland ishte më superior, duke krijuar disa mundësi të mira shënimi. Goli i skuadrës neozelandeze, megjithatë erdhi vetëm në minutën e 50-të, kur Dae Wook Kim i dha epërsinë të tijve. Kashima megjithatë e shtyrë dhe nga publiku i saj mundi të barazojë rezultatin me Akasakin në të 67-ën. Atëherë, kur u mendua se ndeshja do të shkonte në shtesë ishte Kanazaki, që në minutën e 88-të i dha fitoren të tijve, duke eliminuar kampionët e Oqeanisë nga turneu. Falë këtij suksesi, Kashima siguroi një vend në çerekfinale ku do të ndeshet me kampionen e Afrikës, klubin afrikano-jugor të Mamelodi Sundoëns, ndërsa sfida tjetër çerekfinale do të jetë ajo mes koreanëve të Jeonbuk Hyundai dhe America të Meksikës.