28.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Call center: Gjobat deri 150 mijë euro nga Italia

Eine Mitarbeiterin des Zentrums fuer Telemedizin Medgate in Basel haelt am 23. August 2010 das Magazin CallCenter in der Hand. (KEYSTONE/Martin Ruetschi)

Flet Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe administratore e Albacall.
Hyrja në fuqi e ligjit të ri që shtrëngon aktivitetin e call center jashtë BE-së pritet të sjellë probleme të shumta te kompanitë që e ushtrojnë këtë aktivitet në Shqipëri, teksa klientët italianë mund të dekurajohen për të sjellë punë në vendin tonë dhe si rrjedhojë të spostohen në vende të tjera të BE-së. Ndërsa operatorët e rinj do të kenë pengesa të mëdha për të hyrë në treg. Në një intervistë për “Monitor”, Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe administratore e Albacall, operatorit më të mëdha call center sipas të ardhurave në Shqipëri, flet për të ardhmen e këtij sektori.

– Çfarë parashikon projektligji që u miratua në Itali në lidhje me delokalizimin e kompanive call center?
Do të doja të saktësoja që propozimi ligjor kundër delokalizimit trajton vetëm veprimtarinë e kompanive call center dhe asnjë veprimtari tjetër. Ky propozim ka për qëllim të forcojë masat kundër fenomenit të delokalizimit në sektorin call center, i cili ka prodhuar në Itali krizë papunësie dhe rënie të vazhdueshme të fitimeve.
Sipas këtij propozimi, subjektet italiane, që vendosin të delokalizojnë aktivitetin e call center në vendet jashtë BE-së, duhet të dërgojnë një njoftim, brenda 30 ditëve, në Ministrinë e Punës italiane dhe Inspektoratin Kombëtar të Punës lidhur me numrin e punëtorëve të përfshirë, si dhe pranë komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Mungesa ose refuzimi i këtij komunikimi do të sjellë aplikimin e një sanksioni administrativ prej 150,000 eurosh. Përveç kësaj parashikohet se kompanitë call center, që kanë vendosur të delokalizojnë në një vend jashtë BE-së, të mos kenë më asnjë ndihmë ekonomike.
Për sa u përket kompanive që aktualisht punojnë në Shqipëri, propozimi ligjor sjell detyrimin që ato duhet të deklarojnë transferimin dhe numrin e punëtorëve të përfshirë pranë institucioneve të cituara më sipër brenda një afati 60-ditor nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në rast vonese apo refuzimi do të aplikohet një sanksion administrativ prej 10,000 euro për çdo ditë vonese.
Normativa e re parashikon të drejtën e subjektit, që kontakton me një call center që gjendet jashtë BE-së, të informohet paraprakisht mbi vendndodhjen fizike të operatorit që përgjigjet. Në këtë rast, subjektit i njihet mundësia që këtë shërbim ta marrë nga operatori telefonik që gjendet jashtë BE-së ose të kërkojë që ky shërbim t’i ofrohet nga një operator me vendndodhje në territorin e Bashkimit Europian. Mosrespektimi i këtij kushti procedural parashikon sanksione administrative në vlerën 50,000 euro në ditë.

– Çfarë ndikimi do të ketë te kompanitë që operojnë në Shqipëri?
Hyrja në fuqi e këtij ligji, thuajse me siguri do të sjellë probleme për sektorin e call center që operon në Shqipëri, sepse shumë kompani (gati të gjitha) punojnë për llogari të klientëve italianë dhe këta të fundit mund të dekurajohen për të sjellë punë në vendin tonë dhe si rrjedhojë të spostohen në vende të tjera të BE-së.

– A do të ndikojë ky ligj te hapja e kompanive të reja apo nuk do të ketë më tentativa të tilla?
Hyrja në fuqi e këtij ligji me siguri do të jetë një pengesë e madhe për kompanitë e tjera që duan të hyjnë në këtë treg.

– A mund të shërbejë kjo si një shtysë për kompanitë call center që do të kalojnë në një stad tjetër, për t’u diversifikuar?
Për sa i përket diversifikimit në fushën e call center mund edhe të kërkohet që të zhvillohen shërbime në gjuhë të tjera, përveç asaj italiane, por sigurisht ky do të ishte një proces i gjatë. Unë mendoj se nuk do të jetë e mundur të zëvendësohen të gjitha shërbimet që sot zhvillohen në gjuhën italiane.

Lapadula: Milani fiton titullin

Shënon gola decizivë, ka vullnet të hekurt dhe dëshirë për të “ndarë” në dysh botën. Lapadulës nuk i është dashur kohë në dispozicion që të fitojë zemrat e tifozëve të Milanit. Sulmuesi që bëri hapin e madh (kaloi në Serinë A) vetëm në moshën 26-vjeçare është emblema e shoqërisë kuqezi, e cila, ashtu si ai, po tenton që të ngjitet në elitën e futbollit…
-Në ditët e fundit, ke qenë përcaktues për Milanin, por sërish nuk kemi parë shenja mendjemadhësie…
Sigurisht që tani po kaloj kohë të bukura, por mua më duhet të them se kam përjetuar kohë edhe më “të rëndësishme” në të shkuarën. I referohem kohës, kur isha i dëmtuar dhe kur disa mendonin se nuk bëja për Milanin. Në ato çaste kam kuptuar se po vinte koha ime.
I pari që të ka ndihmuar ka qenë Masimo Odo (trajneri që e stërviti te Peskara).
E telefonoj shpesh. I kam shumë borxhe, pasi më ka ndihmuar shumë vitin e kaluar. Nëse u transferova në Serinë A vetëm në moshën 26-vjeçare do të thotë se nuk kam qenë gati që të bëja një hap të tillë më parë.
-Kush është personazhi yt i preferuar?
Kur isha i vogël pashë “Braveheart” (film i ndërtuar rreth patriotit dhe të heroit popullor skocez, Uilliam Uollas, i cili luftoi kundër tiranisë angleze) dhe nuk e di si m’u fiksua. Deri më tani e kam riparë edhe 100 herë të tjera atë film. Ai rol më pëlqen shumë.
-Si e komenton aktivizimin tënd në derbi?
Mezi prisja që të futesha. Trupi më kishte mbledhur shumë adrenalinë dhe brohoritjet e tifozëve në momentin që u futa ishin diçka që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Më vjen keq që nuk e fituam atë takim.
-Të dielën u konfrontove me Niangun për shkak të penalltisë…
Vitin e kaluar nuk kam ekzekutuar asnjë penallti, por të dielën doja që ta godisja unë topin, pasi kisha dëshirë të shënoja në “San Siro”. Për fatin e keq bëra diçka që nuk duhej bërë, pasi kështu futa në telashe edhe Niangun. Ai është caktuar nga grupi që të godasë penalltitë dhe nuk ishte e drejtë që të shkoja t’i kërkoja topin.
-A mund të na tregosh mënyrën si u transferove te Milani?
Më kanë kërkuar shumë skuadra, mes tyre ishte edhe Napoli. Por unë vendosa që të transferohesha në Milano. Ishte një vendim që mora brenda pak minutash.
-Sigurisht që ke marrë parasysh edhe konkurrencën e madhe. Çfarë raporti ke me Bakën?
Kam raport të mirë, ashtu si me të gjithë sulmuesit e tjerë.
-Që pas largimit të Inzagit, fanella me numër 9 është kthyer në një mallkim për sulmuesit…
Unë doja numrin dhjetë, por ishte i zënë kështu mora 9-ën.
-Çfarë trajneri është Montela?
Nuk është e lehtë të stërvitësh një ekip si Milani. Ardhja e tij në pankinën zikaltër u pasua nga bashkimi i grupit të lojtarëve. Sot Milani ka dhe një identitet të qartë. Kemi shanse për titullin.
-Çfarë i ke zili Ikardit?
Lëvizjet, mendoj se është një sulmues i madh pasi sulmon shumë në thellësi.

Kosova e përmbajtur për murin ndarës në Mitrovicë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se qeveria e tij do ta trajtojë murin që po ngrihet nga autoritetet lokale serbe në veri të Mitrovicës sipas ligjeve në fuqi.
Këto komente, Mustafa i bëri në një konferencë për media ku ka prezantuar arritjet e Kosovës në raport me organizatat ndërkombëtare.
“Çështja e murit do të trajtohet sipas ligjit nga organet kompetente, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe komuna, e cila është e detyruar ta zbatojë ligjin. Po ashtu edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka projektin komplet për rikonstruktimin e urës”, ka deklaruar në këtë konferencë Mustafa.
Në çdo rast, Mustafa ka thënë se nuk do të ndërmerren hapa të ngutshëm, por gjithçka do të trajtohet sipas akteve ligjore.
“Ne nuk do ta qesim gjoksin dhe nuk do t’i tregojmë muskujt, sepse muskujt dhe gjoksin e qet ligji dhe ne duhet ta respektojmë ligjin”, ka thënë ai.
Ministria e Mjedisit, ka nënvizuar Mustafa, përmes inspektoratit, po e trajton gjendjen, e po ashtu edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri po e vërteton se a është ky mur në harmoni me projektin e BE-së atje.
Ndërkohë, kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiç, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, “muri mbajtës”, që është ndërtuar, është pjesë e projektit të revitalizimit të urës dhe zonës për këmbësorë.
Rakiç ka thënë se muri me siguri do të mbetet ashtu si është, me mundësi të korrigjimit. Për këtë çështje, ai ka deklaruar se ka kontakte dhe se do të bisedojë edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
Kurse, kryetari i Komunës nga Mitrovica Jugore, Agim Bahtiri, tha për Radion Evropa e Lirë se muri – i cili është ndërtuar në veri, pranë lumit Ibër – nuk është i paraparë me plan që të ndërtohet.
Ai tha po ashtu që janë duke u bërë përpjekje që puna për revitalizimin e urës të mos ndalet, por jo në mënyrën se si është duke u punuar aktualisht.
“Ai (muri) është ilegal për mua dhe jemi duke punuar në mënyrë institucionale që të bëjmë gjithçka në të mirë të asaj që të jetë mirë për të gjithë qytetarët. Po punojmë ngushtë edhe me BE-në, edhe me faktorë të tjerë politikë ndërkombëtarë e vendorë, pra qeverinë e Kosovës dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të mos ndalet puna, por jo të vazhdohet në atë formë”, tha Bahtiri.
Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, tha po ashtu se vazhdimi i punimeve në atë mur është ndaluar nga autoritetet kompetente në Kosovë. “Janë masat më të mëdha që janë duke u ndërmarrë nga Kosova dhe nga ndërkombëtarët”, tha Bahtiri.
Muri në veri të qytetit të Mitrovicës po ndërtohet në kohën kur tensionet ndërmjet grupeve etnike në qytet u zvogëluan dhe u vlerësua se po niste një periudhë e relaksimit të marrëdhënieve, përfshirë edhe procesin e revitalizimit të urës së Mitrovicës.
Ky proces u parapa me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të arritur më 25 gusht 2015, në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Juventusi merr vendin e parë

U luajtën dy ndeshjet e fundit në Grupin H të Ligës së Kampionëve. Juventusi mposhti me rezultatin 2-0 Dinamon e Zagrebit duke siguruar në këtë mënyrë vendin e parë në grup me 14 pikë. Golat e fitores u shënuan nga Higuain dhe Rugani. Në ndeshjen tjetër Lioni dhe Sevilja u ndanë në barazim 0-0, çka i siguroi spanjollëve vendin e dytë në grup me 11 pikë.
Francezët e Lionit e mbyllën të 3-tët me 8 pikë dhe do të vazhdojnë të luajnë në Ligën e Europës, ndërsa Dinamo e Zagrebit u rendit e 4-ta pa marrë asnjë pikë.
Në Grupin G të Ligës së Kampionëve Porto shpartalloi me rezultatin 5-0 kampionët anglezë të Lestërit duke siguruar kualifikimin për më tej si e dyta e grupit me 11 pikë. Ndërkohë Lestëri e kishte siguruar vendin e parë që në javën e kaluar dhe e mbylli grupin me 13 pikë.
Në ndeshjen tjetër Kopenhagen arriti të fitojë me rezultatin 0-2 në transfertë ndaj Klub Bryzhit, duke e mbyllur grupin në vendin e 3-të me 9 pikë, çka do të thotë se do të vazhdojnë aventurën europiane në Ligën e Europës. Ndërkohë belgët e Bryzhit e mbyllën grupin në vend të fundit pa grumbulluar asnjë pikë.
Ndeshja mes dy kryesuesve të Grupit E, Monako dhe Bajer Leverkusen, ishte thjesht për statistikë, pasi francezët kishin siguruar vendin e parë në grup dhe gjermanët të dytin.
E rëndësishme ishte ndeshja mes Totenhemit dhe CSKA të Moskës që do të përcaktonte kush shkonte në Ligën e Europës dhe ajo nxori fituese skuadrën angleze që do të vazhdojë kësisoj të qëndrojë në Europë, edhe pse në një turne dytësor.

Tronditet Reali

Borussia e Dortmundit barazoi 2-2 me Realin e Madridit në “Santiago Bernabeu”, duke ruajtur kryesimin në Grupin F. Verdhezinjtë zhvilluan një pjesë të dytë fantastike, duke rikuperuar dy gola të shënuar nga Benzema në minutat 28 dhe 53. Aubameyang ktheu në lojë Dortmundin në minutën e 61-të, ndërsa Reus 2 minuta para përfundimit të kohës së rregullt shënoi golin që mbajti gjermanët në vendin e parë.
Ndërkaq, Legia Varshavë mundi 1-0 Sporting Lisbonën dhe në mënyrë të paparashikuar siguroi kualifikimin në Ligën e Europës edhe pse ka një golavarazh të përgjithshëm -15.
Në Grupin F, Bayer Leverkusen mposhti 3-0 Monacon, duke siguruar vendin e dytë me një pikë më pak se skuadra nga principata. Për Aspirinat shënuan Yurchenko dhe Brandt, ndërsa në të 82 portieri De Santis ishte i pafat pas 11-metërshit të Wendell, me topin që pas traversës iu përplas në shpinë për të përfunduar më pas në rrjetë. Në takimin tjetër të këtij grupi Tottenhami fitoi 3-1 me CSKA e Moskës dhe kualifikohet në Europa Leage.
Leicester City zhvilloi një ndeshje të dobët në transfertë me Porton, duke humbur me rezultatin e thellë 5-0. Dy herë Andre Silva, Corona, Brahimi dhe Jota ishin autorët e golave për portugezët, që kualifikohen si të dytët.
Vendi i tretë për Kopenhagen, që mposhti Club Brugge 2-0 me autigolin e Mechelle dhe finalizimin e Jorgensen. Sevillas i mjaftoi barazimi 0-0 me Lyonin, për të ruajtur vendin e dytë, me francezët që do të vijojnë aventurën në Europa League, ndërsa Juventusi kaloi lehtësisht 2-0 Dinamon e Zagrebit, me gola të Higuain dhe Ruganit.
Humbja e Dinamos së Zagrebit 2-0 kundër Juventusit ishte lajm i mirë edhe për… Levskin e Sofies. Deri mbrëmë, bullgarët ishin ekipi më i dobët që kishte luajtur ndonjëherë në grupet e Ligës së Kampioneve, pasi kishin shënuar vetëm një gol më 2006-n.
Por këtë rekord e theu formacioni nga kryeqyteti kroat, që e mbylli Grupin H pa asnjë pikë dhe për më tepër, pa e çuar asnjëherë topin në rrjetën kundërshtare.
Pasi eliminoi Dinamon e Tbilist dhe Salzburgun, skuadra nga Zagrebi regjistroi humbje të njëpasnjëshme duke pësuar 15 gola: 3-0 me Lionin, 4-0 me Juventusin, 1-0 dhe 4-0 me Seviljen, 1-0 me Lionin dhe 2-0 me Juventusin.
E sikur të mos mjaftonte kjo, dje kanë menduar edhe tifozët që ta njollosin më tepër imazhin e Dinamos. Dy grupime, prej diçka më shumë se 1000 vetash, kishin udhëtuar në Torino. Por pasi policia u shmangu tentativën për t’u përleshur me rivalët juventinë, papritur dy grupet e mbështetësve kroatë u përleshën mes tyre. Forcat e rendit arritën ta qetësojnë situatën me gaz lotsjellës. Ndërkohë, Dinamos së Zagrebit nuk po i ecin punët mbarë as në kampionat. Pas 11 titujve radhazi, kryeqytetasit sivjet e shohin veten gjashtë pikë pas Rijekës në renditjen e Ligës së Parë.

Zyrtare, caktohet dita kur Milani kalon tek kinezët

Kalimi i pronësisë së Milanit nga grupi “Fininvest” i Berluskonit te “Sino Europe”, që kontrollohet nga kinezët, është shtyrë përsëri. Milani, me shumë gjasa, do të bëhet kinez në vitin 2017. Palët mësohet kanë arritur marrëveshjen për mbylljen përfundimtare të shitjes së klubit kuqezi më 3 mars 2017.
Zyrtarizimi erdhi me një komunikatë të nxjerrë nga të dyja kompanitë, në të cilën bëhet me dije se brenda datës 12 dhjetor, “Sino-Europe” do të derdhë në arkat e “Fininvest” edhe 100 milionë euro të tjera si kapar, që u shtohen 100 milionë eurove të derdhura në momentin e firmosjes së kontratës paraprake. Deri më 3 mars 2017 do të paguhen edhe rreth 500 milionë euro të tjera dhe Milani do të ndryshojë pronar në pranverë.
Në komunikatë shkruhej: “‘Fininvest’ dhe ‘Sino-Europe Sports’ kanë arritur marrëveshjen që e cakton më 3 mars 2017 datën kur do të bëhet transferimi përfundimtar i pronësisë së Milanit. ‘Sino-Europe Sports’ do të paguajë një shumë prej 100 milionë eurosh kapar”.

Benitez kërkon te Newcastle Herrera-n

Rikthehen zërat e merkatos për të ardhmen e Hector Herrera-s. Gjatë verës u përfol shumë për transferimin e mesfushorit nga Porto te Napoli, por në fund nuk u arrit akordi. Megjithatë kësaj radhe destinacioni është i ndryshëm, pasi së fundmi 26-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e Newcastle që drejtohet nga Rafael Benitez. Lojtari meksikan është kthyer në objektivin parësor të teknikut 56-vjeçar. Për të siguruar shërbimet e Herrera-s, Newcastle është gati t’i ofrojë portugezëve 17 milionë paund.

Gashi, ndër 50 lojtarët më me influencë në MLS

Shkëlzen Gashi ka patur një sezon të shkëlqyer këtë vit me Colorado Rapids në SHBA dhe këtë e konfirmojnë jo vetëm statistikat e tij, por gjithashtu dhe një nga rrjetet më të mëdha mediatike në këtë vend, “Fox Sport” që e ka përfshirë sulmuesin kuqezi në listën e 50 lojtarëve më me influencë në Major League Soccer. Gashi është renditur i 19-ti në këtë klasifikim të veçantë. Në përshkrimin e “Fox Sport” për Gashin lexohet:
“Finalizimi i tij i mrekullueshëm ndaj LA Galaxy në play off nuk do të harrohet lehtë dhe ky nuk ishte i vetmi gol i rëndësishëm i shënuar prej tij në këtë sezon. Gashi është shfaqur shpesh në momente të rëndësishme dhe pse mund të kishte qenë pak më shumë pragmatist përpara portë”. Sipas “Fox sports”, Gashi mund të renditej më sipër nëse do të kishte realizuar më tepër gola për skuadrën e Colorados, por gjithsesi mbetet një prej yjeve të skuadrës, në një kampionat ku kampionët e mëdhenj nuk mungojnë. Sulmuesi shqiptar është renditur vetëm një pozicion më lart se Steven Gerrard, ndërsa ka lënë pas emra si Didier Drogba, Clint Dempsey apo Nelson Valdez. Me skuadrën e tij të Colorados, Gashi luajti deri në finale e Konferencës, por pa mundur dot të sigurojë një vend në finalen e madhe të Major League Soccer.

Menaxheri: Hysaj i lumtur te Napoli

Pas intensifikimit të zërave për interesimin e Manchester United dhe Chelsea-t për Elseid Hysajn, menaxheri i mbrojtësit shqiptar, Mario Giuffredi këmbënguli se lojtari është i lumtur te Napoli.
Dy gjigantët e Premier League-s kanë nisur një duel në distancë, për të siguruar shërbimet e 22-vjeçarit prej merkatos së janarit. Jose Mourinho dëshiron të përforcojë krahun e djathtë të mbrojtjes te United, ndërsa Antonio Conte e ka në listën e dëshirave për revolucionin që po përgatit në “Stamford Bridge”.
Megjithatë, gjatë një interviste për radion “Kiss Kiss”, përfaqësuesi i kuqeziut sqaroi pozicionin e Hysajt, duke deklaruar se “Elseidi është shumë i lumtur te Napoli”.
“E shoh jashtëzakonisht të qetë, ashtu sikurse ka ndodhur përgjatë gjithë karrierës së tij”, deklaroi Giuffredi. Ai ishte personi që gjatë muajit të kaluar foli për interesimin e Manchester United, duke deklaruar se, “Hysaj do të ishte një vlerë e shtuar për ‘Djajtë e Kuq’ dhe një përforcim cilësor”.
Pasi sqaroi pozicionin e futbollistit nga Shkodra, që sezonin e kaluar u shpall mbrojtësi më i mirë i krahut të djathtë në Serinë A italiane dhe javët e fundit rinovoi kontratën me Napolin, duke përfshirë një klauzolë shitjeje në vlerën e 50 milionë eurove, menaxheri la të hapur çdo mundësi.
“Nëse një ofertë e madhe vjen në adresë të klubit dhe futbollistit, padyshim që do ta shqyrtojmë në kohën e duhur”, ishin fjalët e Giuffredi-t.