26.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

8 Dhjetori, të rinjtë e FRPD në protestë

Forumi Rinor i Partisë Demokratike sot në orën 11:00 do të nisë një sërë protestash dhe aktivitetesh në përkujtim të 8 dhjetorit, dita që shënoi fillimin e protestave nga studentët dhe rënien e komunizmit më të egër në Evropë. Në Ditën e Rinisë, do të ketë protesta maratonë nga FRPD e që do të zhvillohen përpara disa institucioneve, së pari, do të zhvillohet para Ministrisë së Arsimit, për Arsimin sipas meritë-preferencës. Më pas do të jetë një protestë përpara Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar drejtësi për Arditin, 17-vjeçari që humbi jetën në landfillin e Sharrës. Po ashtu, protestë do të ketë edhe para Ministrisë së Shëndetësisë, për “vdekjen e shëndetësisë”, siç edhe  e kanë konsideruar të rinjtë e PD. Më tej do të vazhdohet para Ministrisë së Brendshme me sloganin “Droga nuk është e ardhmja jonë”. Më pas, të rinjtë do të zhvendosen përpara Kryeministrisë, ku FRPD proteston: “Rama nuk mund të pengojë të ardhmen tonë”. E në fund rreth orës 14:00 të rinjtë e FRPD kanë organizuar një takim në Qytetin “Studenti” ku nisi lëvizja studentore, ku do të marrë pjesë dhe kryetari i PD, Lulzim Basha. Kujtojmë që 8 Dhjetori është Dita e Rinisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare. Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, banorë të Qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë të protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe ardhjen e demokracisë.

Vendimi i “Venecias” mbi ligjin e manipuluar nga Euralius

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pohuar dje nga Brukseli se, varianti i ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve mbi të cilin ka punuar Komisioni i Venecias, është ai i gabuari. Deklarata e Bashës vjen një ditë, pasi zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç u shpreh se EURALIUS dhe delegacioni i BE-së në Tiranë nuk ka gisht në manipulimin që i është bërë draftit të Vettingut. Nga Brukseli, ku mori pjesë në një aktivitet të zhvilluar nga “Miqtë e Europës”, Basha tha se opozita e ka shpalosur të vërtetën me fakte se varianti në anglisht, që është përdorur nga Komisioni i Venecias është ai i gabuari dhe se ka qenë kryetari i Gjykatës Kushtetuese që ka pohuar se në Venecia është dërguar përkthimi i EURALIUS. “E vërteta është ajo që ne e kemi shpalosur me fakte, e kemi treguar dhe dje. Zoti Bylykbashi e ka nxjerrë para opinionit publik. E vërteta është ajo që vetë Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dhe që vetë Komisioni i Venecias ka pranuar. Përkthimi i përdorur nga Komisioni i Venecias ka qenë i gabuari dhe kjo është përtej çdo dyshimi”. Ligji me gabime, sipas opozitës, tashmë është hequr nga faqja zyrtare e EURALIUS. Basha thotë se nuk është detyrë e opozitës të përcaktojë se cila është përgjegjësia e misionit EURALIUS në këtë çështje, por e institucioneve të Bashkimit Europian. “Nuk është detyra jonë të përcaktojmë përgjegjësitë e EURALIUS apo institucioneve të tjera që financohen nga Bashkimi Europian në këtë çështje. Qëndrimet e tjera i takojnë vetë institucioneve të Bashkimit Europian që të përcaktojnë se cila është përgjegjësia e EURALIUS dhe cilat janë hapat që do të rimarrin në këtë drejtim. Kjo nuk është puna jonë”. Partia Demokratike u kërkoi institucioneve të japin shpjegime se kush ka çuar në Komisionin e Venecias, edhe një variant të gabuar të Kushtetutës së përkthyer në anglisht. Nga ana tjetër në draft shihen qartë gabimet në përkthim, të cilat janë bërë qëllimisht për të manipuluar opinionin e Komisionit të Venecias. Opozita u shpreh se, “Duke gjykuar mbi një ligj me gabime thelbësore dhe duke e krahasuar atë me një Kushtetutë gjithashtu të përkthyer me gabime, opinioni i Venecias nuk do të mund të ishte i drejtë”. Nga ana tjetër, ishte vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja që u shpreh se Komisionit të Venecias, i është dërguar drafti i përkthyer nga EURALIUS. Pas zbulimit të këtij fakti skandaloz, Gjykata Kushtetuese e përktheu edhe një herë ligjin dhe e dërgoi në Komisionin e Venecias, i cili gjithsesi vendimin do ta japë në datën e përcaktuar përpara daljes në dritë të këtyre fakteve, më 9 dhjetor. Vendimin final nëse ligji e cenon apo jo Kushtetutën do të jepet nga Gjykata Kushtetuese, pasi të përkthehet dhe shqyrtohet opinioni i Venecias.

Policia duhet ta kishte arrestuar që në maj Balilin

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi dje se policia duhej ta kishte arrestuar që në maj Kelment Balilin, i cili ishte shpallur në kërkim nga drejtësia greke për trafik ndërkombëtar droge. Në një postim në Facebook ministri Manjani shprehet se është I surprizuar nga një lajm të publikuar nga Top Channel se Ministria e Drejtësisë nuk e ka dërguar në Prokuroi dosjen e mbërritur nga Greqi për Klement Balilin.
“I surprizuar (jo për herë të parë) nga përhapja e një lajmi me burim Top Channel, mbi vonesat e dosjes se Klement Balilit, dua tu bëj me dije se:
1. Që prej ditës së djeshme, pra para se të bëhej lajmi Prokuroria Shqipëtare ka në dispozicion dosjen e përkthyer zyrtarisht. Ministri i Drejtësisë është autoriteti ligjor që përkthen dhe çertifikon përkthimet ligjore.
2. Dokumentat origjinale në gjuhën Greke ne i kemi marrë zyrtarisht, më datë 14 Nëntor 2016. Kjo dosje ju përcoll ashtu siç ishte brenda ditës Prokurorisë. Kjo e fundit i regjistron këto dokumenta në dosjen hetimore.
3. Më datë 16 Nëntor, është sjellë në Ministri, nga Prokuroria kopja e dosjes për tu përkthyer zyrtarisht. Procedurë e kërkuar nga ligji.
4. Menjëherë zyra e përkthimeve ligjore në Ministri, si për çdo rast tjetër ka filluar punën për përkthimin dokumentave. Fillimisht u angazhuan 10 përkthyes dhe në vijim u shtuan edhe 5 të tjerë.
Praktika ime e punës është veprim sa më i shpejtë, veçanërisht në çështjet ë marrëdhënieve juridiksionale me jashtë. Kjo zyrë administron të dhëna konfidenciale në shërbim të proceseve hetimore dhe jo vetëm.
5. Koha që u harxhua për përkthim ishte rekord! Përkthime të kësaj natyre janë të vështira sepse kërkojne nivel profesional. Kjo vështirësi shtohet kur volumi është i madh! Sidoqoftë tashmë dosja e përkthyer zyrtarisht është dërguar dje, datë 06.12.2016.
Kjo është kronologjia e kësaj dosje, për të gjithë ju që doni të dini të vërtetën.
Kjo është kronologjia zyrtare e faktuar për të gjithë ata që bëjnë lajme në emër të “burimeve” gjithfarësh! Me këtë rast le të njoftohen edhe “burimet”…
Kjo është e vërteta edhe për ata që zhvillojnë skenarë e teori konspiracioni me “mbrojtje” për të kërkuar apo të dyshuar!
Madje këtij grupi dua ti sjell në vemendje se Ministri i Drejtesisë nuk është as Prokuror, as Gjykatës e as Polic! Që do të thotë kushdo që e ka në dorë për ta arrestuar e gjykuar ligjërisht Klement Balilin dhe këdo tjetër bën mirë ta bëjë!
Këtë gjë e kam thënë që në muajin maj të këtij viti dhe nuk e ndryshoj aspak qëndrimin!
Punë të mbarë drejtësisë! Të tjerat skanë më asnjë rëndësi!”, përfundon Manjani.

Si u fsheh dosja e Klement Balilit?
Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani pranoi sot (7 dhjetor) për herë të parë se autoritetet greke kanë kërkuar arrestimin e ish-zyrtarit të shtetit shqiptar Klement Balili, i dyshuar si drejtues i një organizate ndërkombëtare të trafikimit të lëndëve narkotike.
Manjani shkroi në faqen e tij në Facebook se dosja që përmban provat greke kundër Balilit ka mbërritur me të vërtetë në Shqipëri më 14 nëntor 2016 dhe se ministria e tij kishte angazhuar një numër të madh përkthyesish të licencuar për ta bërë gati dosjen për prokurorinë shqiptare.
“Dokumentat origjinale në gjuhën greke ne i kemi marrë zyrtarisht, më datë 14 nëntor 2016. Kjo dosje ju përcoll ashtu siç ishte brenda ditës Prokurorisë. Kjo e fundit i regjistron këto dokumenta në dosjen hetimore”, deklaroi Manjani.
Policia greke kreu një operacion masiv në fillim të majit, duke konfiskuar qindra kilogramë marijuanë dhe duke arrestuar një numër të konsiderueshëm trafikantësh si pjesë e një hetimi ndërkombëtar të shtrirë në shumë vende. Media greke raportoi për një zyrtar shqiptar, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë, konsiderohej kreu i organizatës kriminale, por ky rezultonte figurë tepër e fuqishme për t’u arrestuar për shkak të lidhjeve të tij politike. Autoritetet shqiptare heshtën, ku Prokuroria e Përgjithshme as e konfirmoi dhe as e mohoi që një person me këto tipare qe në kërkim, ndërsa Ministria e Brendshme u përpoq të mbrojë veten, duke përgënjeshtruar lajmet e medias greke dhe duke argumentuar se kishte bashkëpunuar me operacionin ndërkombëtar, por sërish heshti në lidhje me Balilin. Përgjatë të gjithë ditës së 11 majit, ndërsa media greke raportonte mosveprimin e autoriteteve shqiptare për arrestimin e tij, ndërsa këto të fundit heshtnin, vetë Balili u shfaq në media duke deklaruar se qe i pafajshëm dhe se qe sulmuar politikisht nga Partia Demokratike.
Mbrëmjen e 11 majit, BIRN siguroi dokumentat e policisë greke, në të cilat Klement Balili rezultonte person i shpallur në kërkim, si financues dhe organizues i trafikut të drogës në sasi të mëdha. Sipas dokumenteve, sasi të mëdha marijuane niseshin nga zona e Sarandës në Shqipëri me det për mbi 100 kilometra deri në gjirin e Korinthit në Greqinë qendrore, nga ku dërgoheshin nëpër Europë, duke përdorur kompani false transporti. Në Belgjikë, autoritetet zbuluan hallkën belge të drejtuar nga një shqiptar, i dyshuar dhe hetuar pa sukses më herët nga Prokuroria shqiptare për pastrim parash.
As në kërkim dhe as i lirë
Zyrtarisht Balili është shkarkuar nga detyra si drejtor në Ministrinë e Transportit në Shqipëri dhe ai nuk është parë publikisht që nga maji. Por autoritetet shqiptare ende nuk kanë thënë nëse Balili është apo jo person në kërkim.
Situata ndryshoi mbrëmjen e kaluar (6 dhjetor), kur Top Channel se burime diplomatike greke i kanë thënë se dosja voluminoze prej 10 mijë faqesh është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri. Sipas Top Channel, grekët e kanë dorëzuar dosjen në gjuhën shqipe, për të shmangur zvarritjen e përkthimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Manjani, i cili i përket Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, me të cilën familja Balili ka lidhje të shumta, reagoi sot duke përgënjeshtruar supozimin se ministria e tij ka zvarritur përkthimin e dokumenteve greke për Balilin. Ai deklaroi në faqen e tij në Facebook se, dosja voluminoze është “përkthyer në kohë rekord”, dhe është dorëzuar në Prokurorinë shqiptare sakaq.
“Koha që u harxhua për përkthim ishte rekord! Përkthime të kësaj natyre janë të vështira, sepse kërkojnë nivel profesional. Kjo vështirësi shtohet kur volumi është i madh! Sidoqoftë tashmë dosja e përkthyer zyrtarisht është dërguar dje, datë 06.12.2016”, deklaroi Manjani.
Ai hodhi poshtë aludimet se ministria e tij po pengon në çështjen Balili, duke i konsideruar ato “teori komploti”.
“…Ministri i Drejtësisë nuk është as prokuror, as gjykatës e as polic! Që do të thotë kushdo që e ka në dorë për ta arrestuar e gjykuar ligjërisht Klement Balilin dhe këdo tjetër bën mirë ta bëjë!”, tha Manjani.
Por ndërsa Ministria e Brendshme aludon për vonesa mbi çështjen Balili në Ministrinë e Drejtësisë dhe kjo e fundit, thotë se ia ka dërguar dosjen Prokurorisë, Prokuroria e Përgjithshme ruan heshtjen dhe nuk pranon të deklarojë asgjë mbi këtë çështje, ndërsa Balili zyrtarisht vijon të jetë i lirë nga çfarëdolloj akuze në Republikën e Shqipërisë.
Njeriu më i kërkuar nga vendet partnere përfshi edhe DEA-n amerikane për trafikun ndërkombëtar të drogës është me pushime në Shqipëri. Klement Balili, të cilit i është vënë edhe epiteti si “Eskobari” i Ballkanit jo vetëm që nuk është në kërkim nga policia shqiptare, por është nën mbrojtjen direkte të Ramës dhe po kalon pushimet në një nga hotelet e Sarandës.
Fotot tregojnë Balilin duke shijuar rrezet e diellit nga një skaf luksoz, ndërsa një video e transmetuar në orët e mbrëmjes nga ish-Kryeministri Berisha e tregon Balilin duke shijuar motorët e ujit.
Para pak kohësh PD bëri publike fakte të rënda për lidhjet kriminale të policisë me kreun e një prej karteleve të drogës më të fuqishme në Ballkan. Në deklaratën e PD thuhej se, Eskobari i Ballanit ka qenë në shoqërinë e nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Rebani Jaupaj, i cili po pushonte në të njëjtin hotel ku qëndron edhe Klement Balili.

Prokurori i regjimit komunist dënon aktivistin pse protestoi

Një i ri është dënuar nga Gjykata e Tiranës pse protestoi kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial në muajin shkurt të këtij viti. Vendimi për dënimin e aktivistit të PD, Saimir Rrahmani është dhënë pas kërkesës së prokurorit të çështjes. Prokuror i çështjes ishte Bilbil Mete, një ish-kryehetues i regjimit komunist dhe njëkohësisht babai i zëvendësministrit të Ekonomisë, Ervin Mete. Pas publikimit të fakteve kompromentuese, Mete dha dorëheqjen, duke ia besuar çështjen prokurores Elida Celani, edhe kjo e bija e një ish-operativi të sigurimit të Degës së Brendshme të Burrelit gjatë regjimit komunist, Haziz Celani.
Prokurorja Celani ka kërkuar 6 muaj burg për protestuesin paqësor Sajmir Rrahmani, por Gjykata seancë pas seance me presione nga lart nga prokurori me të birin zëvendësministër më 06.12.2016 gjykatësja Shefkie Demiraj e dënon me 1.2 milion lekë gjobë. Dënimi ndaj aktivistit të PD bëhet për të shtypur protestat. Prokurorët politikë i binden verbërisht urdhërit të Ramës për të dënuar cilindo që del e proteston kundër qeverisë së tij që po e varfëron çdo ditë e më tepër popullin. Lirohen nga burgu vrasës dhe kriminelë dhe dënohen qytetarë të pafajshëm vetëm pse protestojnë paqësisht. Rrahmani u dënua me urdhër të regjimit për të bërë shembull që qytetarët të mos ngrihen më në protestë.
Saimir Rrahmani është akuzuar për “shkatërrim të pronës private të firmës “Kaseli”, ndonëse ndaj tij nuk kishte asnjë provë. Gjatë ditës së protestës, Rrahmani nuk është afruar fare tek makineritë e firmës “Kaseli” dhe ky fakt tregohet edhe nga pamjet filmike të shfaqura në televizione të ndryshme. Saimiri dhe të akuzuarit e tjerë janë dhunuar barbarisht gjatë protestës nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake, vetëm pse po protestonin kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial.
Gjatë protestave disa protestues përfunduan në spital si pasojë e dhunës policore. Ndërsa mjaft të tjerë u arrestuan nga policia dhe u dhunuan barbarisht edhe në furgonët e policisë. Ata u mbajtën 72 orë në birucat e komisariateve të Policisë së Tiranës dhe më pas u liruan me urdhër të Prokurorisë për arrestim të paligjshëm. Por seancat gjyqësore nuk u ndrprenë edhe pas lirimit nga birucat e policisë. “Gjatë kësaj kohe më thirri oficeri i Policisë Gjyqësore në Komisariatin Nr.1 të Tiranës. U paraqita bashkë me avokatin, ku u njohëm me provat që kishte paraqitur Prokuroria. Në një foto që na paraqiti oficeri i policisë isha thjesht pjesëmarrës në protestë. Kurse në video nga shtyrja e personave që kisha mbrapa në protestë dukej që kisha nxjerrë dorën para për t’u mbajtur tek mjeti që të mos rrëzohesha dhe më shtypnin protestuesit. Nuk kishte asnjë sekuencë dhune apo shkatërrim të fadromës siç më akuzonte policia”, tregon Sajmir Rrahmani.
Në fakt, procesi ndaj Saimir Rrahmanit ka nisur për motive krejtësisht politike. Rrahmani publikoi një shkrim në një gazetë kundër kryeministrit Rama dhe për këtë ndaj tij nisën sulmet politike, duke i bashkangjitur edhe pjesëmarrjen në protestat tek Liqeni Artificial.
“Gjyqi më është bërë për shkak të një kritike, që unë i bëra në një gazetë kryeministrit Rama. Mjaftoi kjo për t’u targuar nga qeveria e krimit se më njihnin si organizues të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, për të protestuar kundër importit të armëve kimike nga Siria në Shqipëri. Dhe si anëtar i Partisë Demokratike dhe aktivist i FRPD, menjëherë pas disa ditëve mjaftoi pjesëmarrja në protestën kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial, si shkak për të më shpallur në kërkim dhe për të më ndaluar nga policia, duke më mbajtur në dhomat e paraburgimit për 72 orë rrjesht. Prokuror më kishin caktuar ish-kryehetuesin e regjimit komunist, Bilbil Mete dhe njëkohësisht babai i zëvendësministrit të Ekonomisë, Ervin Mete”, shprehet Rrahmani.
Rrahmani thotë se, revolta e rinisë nuk mund të ndalet as me burg e as me dënime. “Pavarësisht burgosjes, dënimit e persekutimit politik që po më bën qeveria e kanabisit, mua po më motivojnë akoma më shumë për të luftuar fort me çdo mjet demokratik për ta shporrur këtë qeveri narkotrafikantësh sa më shpejt. Revolta e rinisë nuk mund të ndalet as me burg e as me dënime. Për mua s’ka asnjë ndryshim rregjimi komunist me këtë qeverinë e “rilindjes”. Atëherë kishte luftë klasash, dënime politike, duke shtypur fjalën e lirë edhe sot kjo po ndodh fatkeqësisht në Shqipëri”, përfundon Rrahmani.

R.POLISI

Presidenti Buquicchio: S’ka asnjë vendim, vettingu shqyrtohet në datat 8-9 dhjetor

Komisioni i Venecias, nuk ka marrë asnjë vendim në lidhje me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, për çështjen e rivlerësimit të gjyqtarëve, ose të quajtur ndryshe Vetting. Këtë e bëri të ditur presidenti i këtij Komisioni, Gianni Buquicchio, me anë të një njoftimi në rrjetin social Twitter. “Çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me Shqipërinë, Armeninë, Moldavinë, Marokun, Turqinë dhe Ukrainën në rendin e ditës në Komisionin e Venecias në 8-9 dhjetor”, shkruan Buquicchio në adresën e tij personale. Pra, komisioni pritet të mblidhet sot, ose nesër për të marrë një vendim rreth kësaj çështjeje. Ndërkohë që prej ditësh, mediat e aturazhit të Ramës, kanë lajmëruar, duke përdorur “burime brenda komisionit”, se vendimi është marrë dhe i është dërguar Gjykatës Kushtetuese. “Burimet” këto media i kanë paraqitur si vendim zyrtar të komisionit, ndërkohë që vetë ky institucion nuk është mbledhur akoma. Ligji për vettingun u ankimua nga Partia Demokratike, në Gjykatën Kushtetuese për një sërë arsyesh. Së pari, për ndërhyrjen e institucioneve të treta, ku në krye të tyre qëndrojnë të emëruarit e Ramës, siç janë Shkolla e Magjistraturës, ku i emëruar është Sokol Sadushi, kunati i Fatmir Xhafës. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar me drejtor Alket Hyseni, njeriun që mbron Ramën nga përballjet statuore në PS, Ministria e Brendshme e kështu me radhë. Nga ana e saj, vetë kushtetuesja e çoi për mendim këtë çështje në Komisionin e Venecias.

Vjedhja e shekullit me CEZ, pse Gjiknuri gënjeu për avokatin?

Partia Demokratike publikoi dje fakte që tregojnë se qeveria dhe ministri Damian Gjiknuri gënjejnë për marrëveshjen me CEZ. I pyetur dy ditë më parë në Komisionin Hetimor për faktin nëse avokati ndërkombëtar ishte dakord me marrëveshjen, Gjiknuri tha po, dhe se ishte avokati që e shkroi tekstin. Por, dje Partia Demokratike publikoi dokumente që tregojnë se avokati ndërkombëtar e ka kundërshtuar këtë marrëveshje.

Deklarata e Spahos

Dje në Komisionin Hetimor për marrëveshjen e Republikës së Shqipërisë me CEZ-in, ministri Damian Gjiknuri gënjeu për dy çështje të rëndësishme.
Së pari, gënjeu kur tha se avokati ndërkombëtar i ka këshilluar qeverisë shqiptare që të hyjë në negociata me CEZ-in.
Dhe së dyti, gënjeu kur tha se memorandumi i mirëkuptimit mbi bazën e të cilit u zhvilluan negociatat është hartuar nga avokati ndërkombëtar.
Ministri gënjeu kur tha se memorandumi është hartuar nga avokati dhe për rrjedhojë mbi këshillën e tij janë zhvilluar negociatat.
Unë po lexoj tekste nga të dyja letrat, të cilat avokati ndërkombëtar ka takuar direkt ministrin Gjiknuri. Në datën 23 nëntor, pasi i shpjegon arsyet se përse nuk duhet nënshkruar memorandumi konkludon: Për arsyet më sipër këshilloj kundër nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit siç është dërguar nga CEZ as. Dhe këtu shikoni edhe elementin e dytë që memorandumi nuk është nënshkruar nga avokati, por i është dërguar qeverisë shqiptare nga CEZ-i.
Rekomandoj që të mbledhim provat e ekspertit teknik dhe financiar që të kërkojmë së bashku me prova dhe dokumente të mbetura, të kërkuara për të depozituar pretendimet në IÇ dhe më pas kur pozita negociuese të pranojë në favorin tonë dhe pozicioni, pretendimet tona të jenë parashtruar qartë të vlerësojmë nëse mund të kthehemi në tavolinën e negocimeve.
Po ju lexoj edhe një letër të dytë. Pasi u lexua edhe memorandumi i mirëkuptimit, avokati i përgjigjet z. Gjiknuri: Drafti i rishikuar nuk është në interesin tonë, në fakt është kundër interesit tonë pasi jemi detyruar të mbajmë të pezulluar paraqitjen e pretendimeve në Arbitrazhin e ICC-së për të baraspeshuar ngjarjet e mëposhtme ne mund të ankimohemi në Arbitrazhin e ICC-së në formë të përmbledhur në dhjetor 2013, pa raportet e ekspertëve, kjo mund të bëhet brenda 15 ditëve nëse nevojitet. Në momentin e negociatave ose në momentin e fillimit të Arbitrazhit ne do të kemi raportet e ekspertëve dhe mund t’i përdorim gjatë negociatave ose parashtrimeve vijuese në Arbitrazh.
Dhe më tej i sugjerohet që CEZ-it t’i dërgohet një letër ku në thelb të thuhet:
“Republika e Shqipërisë shpreh keqardhjen për zgjedhjen tuaj për të mos zgjidhur çështjen pranë Abitrazhit të ICC-së, ku Republika e Shqipërisë është paditësi i vërtetë në këtë çështje. Por përkundrazi nxitoni të paraqisni pretendimet sipas Traktatit të Energjisë në Vjenë. Në këto rrethana ku CEZ nuk po ndërmerr me minimumin e mirëbesimit përpjekje bashkëpunuese me keqardhje ju informojmë se nuk mund të biem dakord të heqim dorë nga konflikti në Arbitrazhin sipas Traktatit të Energjisë, përveçse nëse ju do të bini dakord për hapjen e Abitrazhit sipas Traktatit të Energjisë në ICC”.
Pra, qeveria shqiptare, KM Edi Rama, ministri Gjiknuri përveçse i dhanë CEZ-it mundësinë që t’i falen 400 milionë euro detyrime të njohura dhe të pranuara nga KESH-it dhe OST-së, përveçse ulën nën nivelin 0,24% të pjesës së aksioneve të Republikës së Shqipërisë në këtë kompani, përveçse morën përsipër pretendimet e DIA-s ndaj CEZ-it për rreth 150 milionë euro, përveçse nuk mbërritën në Arbitrazh pretendimet e palës shqiptare nga moszbatimi i marrëveshjes së privatizimit të KESH-it më 2008, në lidhje me arritjen e uljes së humbjeve në rrjet, rritjen e arkëtimeve dhe rritjen e investimeve në rrjet, të cilat ekspertët e huaj i vlerësojnë 1-3 miliardë euro. U detyruan të pranojnë dhe t’u japim atyre edhe 92 milionë euro pagesë, e cila së bashku me pagesat kalon 100 milionë euro të përfituara nga CEZ në mënyrë të padrejtë.
Prandaj edhe PD e ka cilësuar aferën e CEZ vjedhja e shekullit dhe në ditët në vijim të komisionit hetimor ne do ju njohim ju me fakte të tjera, të cilat tregojnë që kjo është ashtu siç ne e kemi cilësuar në korrik 2014 kur u nënshkrua në Parlament marrëveshje si vjedhja e shekullit ndaj shqiptarëve.

Drejtori i CIA-s viziton Tiranën

Ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar se drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), John Brennan ka qëndruar dje në kryeqytetin shqiptar, raporton “Zëri i Amerikës”.
Brennan është takuar me Kryeministrin Rama, Presidentin Bujar Nishani, ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe udhëheqësit e komunitetit të inteligjencës.
Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, Shefi i CIA-s ka diskutuar me zyrtarët shqiptarë, “një gamë çështjesh përfshi sigurinë rajonale, bashkëpunimin kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, si dhe çështje të tjera dypalëshe”.

Transport hashashi me furgona të vjedhur, policia fsheh ngjarjen

Policia e Tiranës njoftoi dje se kishte goditur një grup që merrej me vjedhjen e furgonëve. Në operacionin “Spriter” ra në pranga Erion Mazhi, 25 vjeç, banues në fshatin Renxë, Dibër, ndërsa bashkëpunëtori i tij H. Elezaj, 48 vjeç është shpallur në kërkim. Policia thotë se ka dokumentuar 11 raste vjedhje furgonash. Sipas saj, H. Elezaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kryente vjedhjen e automjeteve të tipit “Mercedes Benz”, kategoria furgon, në qytetin e Tiranës dhe i dërgonte në rrethin e Dibrës, në një pikë grumbullimi mjetesh të përdorura, ku dhe më pas çmontoheshin dhe shiteshin për pjesë këmbimi.
Por një burim nga grupi hetimor tha se, furgonët nuk vidheshin për t’u çmontuar dhe për t’u shitur për pjesë këmbimi, por pasi modifikoheshin, mjetet përdoreshin për transportin e hashashit, më pas braktiseshin. Një furgon i tillë i braktisur u gjet në Shëngjergj të Tiranës pas vrasjes së 36-vjeçarit Besnik Pudja në një magazinë me hashash.
Policia thotë se, furgonët vidheshin në Tiranë, në zona të ndryshme. Burimi i mësipërm tha për lapsi.al se, policia e ka fshehur qëllimisht faktin se furgonët vidheshin për t’u përdorur për transportin e kanabisit. Prej disa javësh, policia ka njoftuar vazhdimisht se ka kapur sasi kanabisi nëpër furgonë.
Grupi i goditur së fundi i kryente vjedhjet në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa modifikimet i kryente në Dibër, një prej zonave problematike këtë vit të kultivimit të kanabisit.
Policia publikoi disa nga vjedhjet e furgonave. Vjedhjet në juridiksionin e Komisariatit Nr.1. Më datë 05.09.2016, në rrugën “Qemal Stafa”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit D.H. Më datë 20.11.2016, në rrugën “Fuat Toptani”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit A.Sh. Më datë 05.12.2016, në rrugën “Sotir Koleja”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit E.B.
Në juridiksionin e Komisariatit Nr.2, më datë 23.11.2016, në rrugën “Vaso Pasha”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit B.S. Më datë 24.11.2016, në rrugën “Tish Dajia”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit I.M. Juridiksioni i Komisariatit të Policisë Nr. 4. Më datë 26.11.2016, në rrugën e “Dajtit”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit F.K. Më datë 23.10.2016, në rrugën “Myslym Keta”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të një firme për produkte ushqimore.
Në juridiksionin e Komisariatit Nr.5, më datë10.11.2016, në rrugën “Skënderbeu”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit A.B. Më datë 04.11.2016, në Bulevardin “Blu”, është vjedhur kamionçina e tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit Z.M. Juridiksioni i Komisariatit të Policisë Nr. 6. Më datë 20.02.2016, në rrugën “Teodor Keko”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit R.U. Më datë 13.05.2016, në rrugën “Sokrat Mihi”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit E.M.

Islami: Borxhi i Ramës, 10 mijë euro për çdo familje

Deputeti i Partisë Demokratike Kastriot Islami, ka bërë një përllogaritje të borxhit përgjatë katër viteve të qeverisjes Rama. Sipas tij, në fund të mandatit të qeverisjes, çdo familje shqiptare do të ketë në kurriz një borxh prej më shumë se 10 mijë euro. “Kur Rama është ulur në karrigen e Kryeministrit, ka gjetur një borxh të grumbulluar gjatë 21 vjetëve në vlerën 898 miliardë lekë ose rreth 6.6 miliardë euro. Vetëm në katër vitet e qeverisjes së Rilindjes të drejtuar nga Rama, borxhi total arrin në 1104 miliardë lekë ose 1.104 trilionë lekë. Rritja në këto katër vite është 206 miliardë lekë ose 1.51 miliard euro. Ndryshe rritja e borxhit në katër vjet është me rreth 23 për qind ose me një të katërtën e borxhit 21-vjeçar. Me këto shifra, borxhi për çdo qytetar arrin në 2706 euro duke u rritur vetëm gjatë katër viteve të Rilindjes me 505 euro. Kurse një familje me 4 vetë do të ketë në fund të qeverisjes së Rilindjes një borxh në vlerën 10824 euro, duke u rritur në këto katër vite me 2020 euro. Këto janë rritjet më të mëdha në 25 vjet demokraci që kanë ndodhur gjatë një qeverisje 4-vjeçare. Paradoksi është se gjatë këtyre katër viteve s’janë rritur as pagat, as pensionet, as janë ndërtuar rrugë të reja, shkolla të reja, spitale të reja dhe as janë rritur ndihma sociale, asistenca e papunësisë. Shumica e parave të marra borxh kanë shkuar për makina, zyra, dieta dhe udhëtime jashtë vendit për Kryeministrinë, veçanërisht dhe ministrat e qeverisë së Rilindjes”, shprehet Islami.

Mjekët në protestë kundër koncesionit të laboratorëve spitalorë

Mjekët e laboratorit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në disa spitale rajonale të vendit kanë bojkotuar punën paraditen e djeshme, duke u hedhur në protestë për rreth një orë. Mjekët dhe laborantët thanë se kundërshtojnë nismën e Ministrisë së Shëndetësisë për të dhënë me koncesion të plotë këtë shërbim, pasi në këtë mënyrë iu rrezikohet vendi i punës dhe se monopolizimi nga një kompani private rrezikon sigurinë e shërbimit.
Njëkohësisht protestat janë zhvilluar në 18 spitale publike të vendit, duke i kërkuar ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të tërhiqet nga dhënia me koncesion e laboratorëve. Mjekët dhe laborantët thanë se po shkatërrohet një shërbim i mirëfilltë shëndetësor, duke u dhënë me koncension. Frika më e madhe për profesionistët e shëndetësisë është humbja e vendit të punës pas dhënies së laboratorëve privatit. Reagimi i laborantëve vjen vetëm pak ditë, pasi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqiti në Kuvend draftin për dhënien me koncesion 10-vjeçar të laboratorëve të 5 spitaleve terciare, 11 spitaleve rajonale dhe dy spitaleve bashkiake.
Për koncesionin e radhës sipas modelit PPP, Ministria e Shëndetësisë do t’i paguajë partnerit publik privat 800 milionë lekë të reja në vit, nga 600 milionë që shpenzon aktualisht nga buxheti i saj. Me paratë e shtetit, koncesionari premton të realizojë 160 lloje analizash kundrejt 96 të tilla që kryhen sot në QSUT, referuar kjo deklaratës së ministrit Beqaj bërë në Komisionin e Shëndetësisë.
Kundër saj është shprehur ish-ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili tha se laboratorët nuk mund të administrohen plotësisht nga privati dhe se nuk ka arsye pse të mos bëhen publike të dhënat e studimit, nga i cili mund të njihen avantazhet dhe disavantazhet e dhënies me koncesion.
Mjekët dhe laborantët lajmëruan protesta të përditshme deri në anulimin nga ministri të procedurës së nisur.