Një oficer i Policisë së Shkodrës denoncon skandalin e uniformave të policisë. Në një mesazh drejtuar ish-kryeministrit Berisha, ai shkruan se uniformat janë jashtë standardeve dhe punonjësit e policisë duhet të paguajnë 20 mijë lekë të vjetra për t’i përshtatur për veshje. “Oficeri dixhital denoncon: Mashtrimin e madh me uniformën e re të policisë.
-Policët detyrohen t’ju paguajnë rrobaqepseve për rregullimin e saj, 15-20 mijë lekë të vjetra
-kurse për gratë police, rrobaqepësit nuk e marrin përsipër rregullimin.
-problem i madh mbeten këpucët, pasi numri më i vogël i tyre është 41”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e punonjësit të policisë.
“Jam D.G., punonjës policie në strukturën e Policisë së Përgjithshme Shkodër. Dua t’iu informoj me përgjegjësi të plotë rreth një problemi mjaft konkret rreth uniformës së re. Ajo u shpërnda dhe një pjesë ju ra taman, por shumica ju ka rënë shumë e madhe numra 56-58. Jemi detyruar të paguajmë 15-20 mijë lekë të vjetra për t’i rregulluar, por halli më i madh qëndron tek policet femra se rrobaqepëset në Shkodër nuk marrin përsipër rregullimin e tyre, problem tjetër për ne dhe këpucët, pasi numri më i vogël i tyre është dyzet e njëshi”, përfundon mesazhi i oficerit të policisë.
Skandal me uniformat, policët 20 mijë lekë për t’i rregulluar
Shqiptari kapet në portin e Ankonës me 91 kg drogë
Punonjësit e Policisë Financiare kanë sekuestruar dje 90 kg marijuanë në portin e Ankonës. Mediat italiane raportojnë se droga ishte fshehur në bordin e një kamioni që kishte zbarkuar në Itali, ndërsa lënda narkotike vinte nga Shqipëria. Ndërkohë, në pranga ra drejtuesi i kamionit që transportonte rroba, një shqiptar, identiteti i të cilit nuk dihet ende. Mësohet se droga ishte fshehur në rimorkio, në 4 çanta, ndërsa ishte ndarë në 94 pako, e sipër tyre ishin vendosur rroba, të cilat kishin destinacion pjesën veriore të Italisë.
Ndërkohë, policia italiane ka arrestuar dje tre shqiptarë, të cilët akuzohen për trafik droge. “Ansa.it’ shkruan se shqiptarët, të moshave 34 dhe 37 vjeç konsideroheshin si “njerëzit e fortë” të drogës në zonën e Ternit.
Të njëjtat burime theksojnë se, ndonëse ata ishin dëbuar nga Italia, ata ishin rikthyer sërish në këtë zonë, ku jetonin në një shtëpi-fermë, mes Ternit dhe Spoleto-s. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, atyre trafikantëve iu gjetën 20 gram kokainë, e më pas pranë një stalle derrash u gjetën edhe 60 gr të tjera kokainë.
Po ashtu, mësohet se një prej të arrestuarve ishte përfshirë më herët në një përplasje me armë në qendër të Ternit, pas konflikteve për kontrollin e shitjes së kokainës.
Dënimi i Sajmirit
Nga Aulon KALAJA
Po jetojmë në morinë e lajmeve të krimeve në familje, makabriteteve, histerive, psikopative, si pasojë e depresionit dhe humbjes së shpresës. Pas lajmit që edhe kreu i bandës së Durrësit la qelinë, mora vesh dhe lajmin, që një i ri 28-vjeçar i quajtur Sajmir Rrahmani është dënuar.
Dhe Sajmiri nuk ka vrarë njeri, nuk i ka prerë kujt kokën, nuk ka hedhur askënd nga ballkoni, nuk ka masakruar fëmijët, nuk është as kreu i ndonjë bande famëkeqe, por Sajmir Rrahmani ka protestuar kundër betonizimit të Parkut të Liqenit.
Ishte një nga ato të rinj, që bashkë me mua dhe shume të tjerë të pashitur dhe të shitur, ishim kundër prerjes së pemëve tek Liqeni Artificial i Tiranës, kundër betonit mbi dhe, kundër hekurave në park dhe kundra një vendimmarrje personale dhe klienteliste, pa dëgjesa publike, pa transparencë nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Sajmir Rrahmani, ky i ri 28-vjeçar, fizioterapist i papunë, i cili ka probleme me shikimin dhe është përfaqësues i “Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë”, ishte koka e turkut, sepse Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin me 6 muaj burg, ndërkohë Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 120.000 lekë të reja gjobë.
Dhe këtu nuk jam për të diskutuar vendimin e Gjykatës, nuk e kam bërë asnjëherë dhe nuk do e bëj, sepse nuk është në kulturën time juridike! Por jam këtu për të denoncuar urdhëruesin e këtij dënimi, që për fat të keq nuk është gjyqtar, madje ai është profan në fushën e ligjeve. Është ai që mban pozicionin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Po, po, i njëjti që duke mbajtur këtë post, këtu e disa muaj të shkuar organizoi një protestë me militantë, përpara Gjykatës Administrative. Ironike apo jo?!
Njeriu që përdor fëmijët, ai që të bind se kjo punë është bërë, maniaku i medias, por që nuk lejon median të jetë e pranishme në takimet e tij, njeriu që bën dëgjesa me stafin e Bashkisë, prestigjatori që po eliminon kundërshtarët e tij, puthadori servil i Ilir Metës, vrasësi i Ardit Gjoklës në landfillin e Sharrës, urdhëruesi i shkarkimit nga puna të drejtoreshës së lajmeve në “A1 Neës” gazetares Alida Tota, urdhëruesi i shkarkimit nga puna të stafit të “Publicus”, emisionit investigativ në “Vizion+” për arsye se këta zbardhën të vërtetën e vrasjes së 17-vjeçarit Gjoklaj në Sharrë, ka hequr nga puna Artanin producent, Jetmirin gazetar, Endritin gazetar, Envin moderatore, njeriu që jep urdhër që seanca dëgjimore për censurën në media në Komisionin parlamentar të Medias të dështojë për të 5 herë radhazi, për shkak se deputetët e mazhorancës nuk na dëgjojnë dhe bojkotojnë mbledhjen edhe atëherë kur BE e njeh si problem shqetësues, njeriu që me paranojën e tij po na përndjek të gjithëve.
Kryetari i Bashkisë Tiranë pra, si një vrasës gjakftohtë, me urdhër primitiv politik, dënoi një të ri të papunë, protestues, Sajmirin, në kufijtë e varfërisë me 1 milion e 200 mijë lekë gjobë. Kurrë nuk e kisha menduar se ky njeri që vinte nga “Shoqëria Civile” do të dënonte tanimë edhe një njeri në kufijtë e verbërisë.
Qesharake apo jo?! Sa qesharake, aq dhe e trishtueshme, sa ironike aq edhe e dhimbshme. Sepse me dënimin e Sajmir Rrahmanit, Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe marionetat e tij na kanë dënuar të gjithëve. Kryetari ka dënuar me vdekje shpirtin e lirë të protestës, ka krijuar policimin e protestave, përçarjen e Shoqërisë Civile dhe drejtimin e një pjese me urdhër politik të tij me filozofinë e vjetër romake “përça dhe sundo”.
Dënimi i Sajmirit është një kronikë e paralajmëruar përballë dhunës së paprecedente të policisë me protestuesit tek liqeni, të përleshjes së policisë me deputetët e PD, të tërheqjes zvarrë nga policia dhe të arrestimit të vëllezërve dhe motrave tona, vetëm se Kryetari i Bashkisë Tiranë donte t’i tregonte muskujt me anë të policëve të zellshëm, pikërisht ish-bashkëluftëtarëve të tij në kauzat e mëparshme, kur ai përfaqësonte “Shoqërinë Civile”. Ky akt burracakërie nuk tregon asgjë tjetër veçse kompleksin e inferioritetit dhe frikën që ka Kryetari ndaj qytetarëve. Ky shtet dhe kryetar që shtyp të dobëtin, të verbërin, të papunin, të pamundurin, hallexhiun dhe që ul kokën përballë të fortit, kriminelit, trafikantit, vrasësit dhe pushtetarit.
Dënimi i Sajmir Rrahmanit është një këmbanë alarmi, për të gjithë ne që protestojmë dhe jemi kundër shtypjes. Kryetari kërkon të na tregojë se tani është koha e tij. Unë mund t’ju rrah dhe nuk ju lejoj të qani. Unë ju denigroj dhe ju gjobis. Unë ju shtyp dhe ju nuk mund të lëshoni zë. Ai kërkon të na tregojë se erërat e një kohe tjetër po fryjnë, ku përballë shtetit dhe kryetarit nuk mund të ketë asnjë zë ndryshe, nuk ka protestë, nuk ka kundërshtim, ka vetëm miratim dhe duartrokitje robotike, ka vetëm kronika të porositura nga gazetarët e Bashkisë dhe shpifje nga stafi i baltës i punësuar në Bashki që helmojnë dhe kafshojnë në rrjetet sociale dhe që paguhen nga taksat tona.
Dënimi i Sajmirit duhet të na shërbejë për bashkim, për kundërshti dhe protestë. Nuk ka më kokëulje, por vetëm zgjim dhe reagim. Dhe nuk jam këtu për të nisur një fushatë bamirësie, për të thënë që të mbledhim fonde dhe t’i paguajmë gjobën të pamundurit, fizioterapistit të papunë dhe përfaqësuesit të “Shoqatës së të Verbërve”, por të detyrojmë Kryetarin e Bashkisë Tiranë të tërheqë mbrapsht urdhrin politik të tij, për dënimin e Sajmir Rrahmanit. Të detyrojmë Kryetarin që të mos guxojë më, të intimidojë dhe të ushtrojë presion e frikë mbi protestat e lira të shqiptarëve të zakonshëm.
Takimi Basha-Merkel, një kapitull i ri po hapet
Kancelarja Merkel do të jetë një garante e fortë e demokracisë dhe zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Kryetari i opozitës Basha është takuar në Essen të Gjermanisë me Kancelaren Merkel ku i ka shprehur nevojën që ka vendi në mbështetjen gjermane për të garantuar demokracinë dhe për të trimfuar mbi krimin dhe korrupsionin. “Me ftesë të Kancelares Merkel, mora pjesë në punimet e Kongresit të CDU-së, në Essen të Gjermanisë. Gjatë Kongresit pata mundësinë të bisedoj me Kancelaren Merkel. E falenderova zonjën Merkel për ndihmën ndaj Shqipërisë dhe shpreha nevojën që ka vendi ynë për mbështetjen gjermane jo vetëm për integrimin në BE, por edhe për të luftuar krimin, korrupsionin dhe për të garantuar demokracinë në vend. Dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët se mbështetja e Kancelares Merkel për Shqipërinë dhe shqiptarët do të jetë e palëkundur”, u shpreh Basha.
– Ju sot keni marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga “Miqtë e Europës”, është një aktivitet që organizohet për vit. Në Esen ju jeni takuar edhe me kancelaren gjermane, për çfarë keni diskutuar me të?
Unë vij nga Esen, ku isha i ftuar nga kancelarja Merkel në Kongresin e CDU-së, ku ajo u rizgjodh dhe shpalli kandidimin për Kancelare të Gjermanisë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017. Pata mundësinë të takohem me kancelaren Merkel, ta falënderoj për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë, për mbështetjen që vazhdon t’i japë vendit tonë jo vetëm për integrimin në Bashkimin Europian, por edhe luftën kundër korrupsionit, kundër krimit dhe për demokracinë, për zgjedhjet e lira në vend. Dhe dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët se, kancelarja Merkel do të mbështesë pa asnjë lëkundje Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në këto sfida të jashtëzakonshme, në veçanti sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit, dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si një sfidë imediate për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sot në Bruksel kam pasur takime dhe do të vazhdoj të kem takime të nivelit të lartë me anëtarë të Komisionit Europian, me drejtuesit më të lartë të Partisë Popullore Europiane, eurodeputetët, ku në qendër të bisedimeve është padyshim sfida që Shqipëria ka në raport me luftën kundër krimit, korrupsionit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Partia Demokratike dhe unë jemi fare të qartë në qëndrimin tonë, ne kërkojmë hapjen e negociatave në momentin më të parë të mundshëm edhe si një vlerë shtesë, dhe si një presion shtesë ndaj një qeverie deficente në sundimin e ligjit. Shqipëria mund dhe do të ecë përpara, qytetarët shqiptarë mund dhe do të përfitojnë nga integrimi europian, vetëm kur të kenë një qeverisje që lufton për kauzat e tyre përmes luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit, luftës kundër drogës dhe garantimit të një demokracie funksionale, ku në themel janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
– Në konkluzionet e shteteve anëtare mund të shohim që ka më shumë se pesë kritere për t’u përmbushur nga Shqipëria për hapjen e negociatave të anëtarësimit, ndërkohë në takimin e “Miqve të Shqipërisë”, kryeministri Rama tha që negociatat janë hapur dhe ishte vetëm kushti i Vetting-ut nëse mund të konsiderohet i tillë, duke konsideruar gjithashtu se zgjedhjet janë thjesht një përrallë për një fëmijë. Ç’mendoni për këtë?
Mendoj se është e qartë në Bruksel, në Berlin, në Tiranë që zoti Rama gënjeu. Gënjeu, sepse nuk do të pranojë për përgjegjësinë që ka në moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit, për largimin e kriminelëve nga Parlamenti, nga bashkitë. Disa prej këtyre vendimeve zoti Rama mund t’i marrë vetë siç është largimi i Elvis Rroshit, por ai zgjedh të mos e marrë këtë vendim. Dhe kur pyetet nga partnerët pretendon se problemi nuk ekziston. E njëjta gjë edhe për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, zoti Rama ka prej majit që bllokon Reformën Zgjedhore. E njëjta gjë për problemin e drogës që zoti Rama e refuzon, e përqesh apo e minimizon, por vendet anëtare, shtetet e Bashkimit Europian, shtetet serioze kanë të gjithë informacionin në dispozicion. Dhe këtu në Bruksel dhe në Berlin, Partia Demokratike dhe unë kemi marrë përgjegjësitë sot si opozitë dhe nesër si qeverisje për t’i trajtuar këto probleme të rënda për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo vetëm për BE, me seriozitet dhe për t’i zgjidhur ato. Me Partinë Demokratike ligji për dekriminalizimin do të zbatohet deri më një, do të largohen kriminelët nga Parlamenti, nga bashkitë dhe nga çdo funksion drejtues. Me Partinë Demokratike do të ketë luftë të hapur dhe pa kompromis kundër drogës, kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit. Ne do të zbatojmë Reformën në Drejtësi që e votuam me konsensus të plotë më 22 korrik dhe nuk do të gjejmë pretekste për të kontrolluar procese kyçe, siç janë pastrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas Kushtetutës, jo sipas Kryeministrit, apo nisja nga puna e Byrosë së Veçantë të Hetimit dhe të ndjekjes penale për zyrtarë të korruptuar.
Berisha: Me zgjedhjen e Trump bota do të ndryshojë
Ish-Kryeministri Berisha e ka konsideruar zgjedhjen e Trump si “Njeriun e vitit” nga prestigjiozja “TIME” si një lajm frymëzues, ndërsa shtoi se presidenti i zgjedhur amerikan drejtoi revolucionin paqësor më të madh në histori pas rënies së Perdes së Hekurt.
“Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump, udhëheqësi i revolucionit botëror paqësor më të madh pas rënies së perdes së hekurt, zgjidhet nga revista prestigjioze ‘TIME’ si ‘Personi i vitit 2016’! Lëvizja Trump është njëra prej lëvizjeve revolucionare paqësore më të fuqishme në historinë e botës, që do të udhëheqë këtë të fundit drejt hapësirave të dekadave që vijnë.
Revolucioni paqësor demokratik, që shembi Murin e Berlinit, ridimensionoi hapësirën e lirisë në botë dhe plagosi për vdekje të majtën botërore, që me dogmën mbi të cilën mbështetet, ka një problem madhor me të vërtetën.
Lëvizja Trump, që në këtë aspekt është si të thuash një cunam, vazhdim i asaj lëvizje në hapësira të tjera, do ta përcjellë të majtën në arkivat e historisë dhe ky është një shërbim madhor për njerëzimin.
Në të vërtet, revolucioni botëror Trump fillon në dheun e revolucioneve paqësore të qytetërimit perëndimor, Mbretërinë e Bashkuar, me votën për Brexit, kulmoi me fitoren e lëvizjes demokratike më të fuqishme në historinë e kohërave moderne, lëvizjen Trump, vazhdoi në Itali me përmbysjen e ‘çmontuesit’ Mateo Renzi, që çmontoi veten dhe do të vazhdojë pandalshëm në Shqipëri dhe vende të tjera. Pas inaugurimit të udhëheqësit të kësaj lëvizje, Donald Trump më 20 janar 2017 në postin e njeriut më të fuqishëm të planetit, bota nuk do të jetë kurrë më ajo që ishte më parë. Pjellë e lirisë, aspiratave dhe idealeve të saj, të njerëzve, kjo lëvizje, ndofta, si dhe vetë reformacioni dikur, do të frymëzojë, promovojë reforma të mëdha që do të rrisin transparencën dhe stabilitetin, në interesin më të mirë të qytetarëve në mbarë botën!”, shkruan Berisha në Facebook.
Uragani i studentëve dhe Azemi
Replikë me “mikun” tim Edi Rama
Ilir Kaduku
Janë katër ditë me aq shumë ngjarje dhe aq protagonistë, sa do të duheshin kapituj të tërë për ta përshkruar, që nga nisja e protestës së studentëve më 8 dhjetor dhe deri në themelimin e Partisë Demokratike më 12 dhjetor 1990. Është periudha e kthesës së madhe të Shqipërisë, rrëzimi i mureve të diktaturës, hapat e parë drejt lirisë së munguar. Ishin ata djem e vajza të Qytetit “Studenti”, që guxuan pikërisht atë natë të 8 dhjetorit, të mblidheshin bashkë për të protestuar, për të ringjallur shpirtin e lirisë edhe në kryeqytetin shqiptar, atje ku e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, jetonte monotoninë e zakonshme. Për të gjithë ata që e jetuan nga afër këtë natë dhe të tjera që pasuan, imazhet e asaj ngjarjeje të vrullshme, që gjunjëzoi përfundimisht diktaturën komuniste, mbeten të pashlyera në kujtesë. Edhe pse pas këtyre viteve, disa detaje kanë humbur nga kujtesa e tyre, imazhet dhe emocionet për secilin prej pjesëmarrësve mbeten po ato: frika ndaj regjimit e përzier me madhështinë e momentit historik që po jetonin.
Kur shohim sot imazhet dhe fotot e atyre momenteve, dallojmë varfërinë dhe gjendjen e vështirë ekonomike, që kishte pllakosur gjithë familjet shqiptare, por edhe aspiratën për të jetuar të lirë si gjithë popujt e tjerë evropianë. Aspiratë, që lexohej lehtë te fytyrat e atyre studentëve, të cilët veshën atë natë kostumin e rëndë të protagonizmit, që historia kishte rezervuar për ta. Ata ia dolën të shtyjnë drejt greminës, sistemin e rrënuar komunist.
Si një dëshmitar okular dhe si një pjesëmarrës aktiv i atyre ditëve historike më poshtë po rendis kronologjisht katër ditë që kulmuan me themelimin e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare pas gjysmë shekulli. Në shkrimin modest timin shfaqen sërish emocionet e asaj kohe me të gjithë dimensionin historik dhe me dyshimin nëse kemi vepruar drejt dhe mirë gjatë këtyre viteve. Kam dyshime në përgjithësi, për momente të caktuara gjatë rrjedhës së ngjarjeve, për rolin e “shokut” të dhomës apo fakultetit, pedagogut apo intelektualit. Dyshimet lidhen kryesisht për mundësinë e rolit të Sigurimit të Shtetit apo të Ramiz Alisë në ato ngjarje. Sekuenca të veçanta rrëfejnë rrugën drejt destinacionit final, drejt projeksionit dhe ëndrrës të madhe që quhet “Demokraci”.
Dyshimi më i madh është se nëse kemi qenë të pirë apo jo? Ky dyshim më është shtuar sidomos pas intervistës të liderit global dhënë në Neë York. Ti, “miku” im Edi Rama je i njohur për deklaratat dhe veprimet e papërgjegjshme. Po të mos ishe kryeministër i vendit tim as që do të më shkonte mendja për të lodhur gishtat mbi tastierë për të bërë replikë me një njeri të mbytur në vese dhe perversitete. Nga Neë York-u ke deklaruar: “Studentët e dhjetorit dolën në rrugë pasi kishin pirë”. S’do ta kisha marrë seriozisht deklaratën e tij sikur ajo të mos vinte nga përtej oqeani, ku vetëm pak muaj më parë kryeministri ynë në rrjetin televiziv “CNN” në ato pak minuta që ju dha mundësia të fliste për vendin e tij i konsumoi duke stigmatizuar me fyerje dhe denigrime njërin prej njerëzve më të suksesshëm të botës së biznesit, që para disa javësh u zgjodh presidenti i vendit më të fuqishëm të botës, aleatit dhe partnerit tonë strategjik.
Unë s’do ta merrja seriozisht deklaratën e tij në adresën tonë sepse na ke mësuar të mos e marrim seriozisht, pasi kur shkon në gjykatë dëshmon që djali s’është i tij, por i babait të tij. Kur është në Kishën Katolike thotë jam katolik, kur është në xhami bëhet mysliman, në Kishën Ortodokse jam ortodoks, prej lidhjeve me Sorosin që i ka siguruar nga lidhja në martesë të kushtëzuar thotë që jam hebre, në mjedise veteranësh dhe komunistësh rreh gjoksin duke u mburrur që jam nipi i Spiro Kolekës dhe kur gjendet në rrethe të djathtish aludon jam nip i Mbretit Zog (sipas Kastriot Myftarajt). A mund të merret seriozisht një tip i tillë sikur të mos ishte kryeministri i vendit tim?!
Në deklaratën tuaj për ne idealistët e Dhjetorit ‘90 ka diçka shumë të vërtetë: ne kemi qenë realisht të dehur nga aroma e lirisë dhe demokracisë. Na kishte dehur shembja e Murit të Berlinit, na kishte dehur çlirimi prej diktature i hungarezëve, i çekëve, i rumunëve. Ishte koha kur ti po eglendiseshe nëpër Greqi me një bursë shteti i dërguar si djali i babait që kishte nënshkruar varjen e poetit disident Havzi Nela vetëm një vit më parë se të binte muri që na kishte dehur ne.
Ishte koha kur ti dhe plehrat që të rrethonin ulërisnit: “Komunistët në litar”. Dhe në vërtet i ke “varur”. Në krah të djathtë ke sygjaksin Gramoz Ruçi, majtas atë tranvestitin Bushati, midis këmbëve ke pinjollët e Lenka Çukos, Xhelil Gjonit, Spiro Kolekës, Bilbil Klosit, Manush Myftiut e me qindra të tjerë që i ke në kupolën tënde të shtetit më kriminal që ka patur kombi ynë në histori. Ishte koha jonë e artë e përplasjes me diktaturën, kur ti bëje sehir nga veranda e Hotel “Tirana” bashkë me Pranvera Hoxhën dhe me “ajkën” e shoqërisë shqiptare. Ishte koha kur të përshpëriste në vesh Ramizi për të marrë kapital politik dhe për t’u zgjedhur diku në partinë që e gjete të krijuar. Nuk ja arrite me PD-në ju turre PS-së. Te partia e baballarëve ja dole, veçse e ke bërë atë parti “si gosti ujqërish të uritur”.
Ne ishim vërtet të dehur nga aroma e lirisë dhe demokracisë në atë dhjetor të ‘90-tës, por ju dhe trashëgimia juaj e keni kalbur atë aromë lirie, e keni ndryshkur demokracinë e brishtë që solli ai dhjetor i lavdishëm.
Lëvizja Studentore është një moment shumë historik dhe në të njëjtën kohë kritik në historinë moderne shqiptare. Diku tjetër i kam zbërthyer me qetësi arritjet e saj historike. Mirëpo, në këtë moment delikat në të cilin po shihet qartë se ku po na gremis qeverisja e sotshme kriminale, ku shoqëria është e kriminalizuar, sistemi politik është oligarkik, ekonomia është në grushtin e disa monopolistëve, kur administrata është e korruptuar, vendi nuk ka sovranitet dhe pyetja shtrohet, se cili do të jetë niveli i përplasjes shoqërore të nesërmen e zgjedhjeve, është e dobishme të reflektohet mbi momente e lëvizje të tilla shoqërore. Më shumë se kurrë kemi nevojë për t’iu drejtuar të shkuarës për të gjetur shembuj të mirë. Mendoj se gjatë periudhës tepër të vështirë të tranzicionit shembullin më të mirë e pasqyron Lëvizja Studentore e viteve 1990-1991.
Duke lënë mënjanë shumë individë, elemente e kontribute, do të thoja se arritjet e mëposhtme të Lëvizjes Studentore e meritojnë vëmendjen e analistëve dhe të historianëve. Së pari, e para të gjithave vlera themelore e Lëvizjes Studentore ishte mesazhi thellësisht patriotik e kombëtar. Edhe pse kishte ideologji e besime të tjera, fryma kombëtare ishte përcaktuese në momentet më kritike dhe në vendimet që u morën. Kjo e bëri lëvizjen një kontribut të veçantë e të dallueshëm në atë periudhë kritike dhe pikërisht për këtë arsye, ai kontribut është themeli i respektit dhe vlerësimit që shprehet nga të gjithë shqiptarët për lëvizjen e për pjesëmarrësit e saj. Së dyti, ishte mobilizimi e strukturimi i studentëve në masën kritike që e gjeti dhe e fitoi zgjidhjen e duhur politike në një moment historik kur paria e Tiranës dhe intelektualët ishin krejtësisht të paralizuar e të pazotët që të vepronin si duhet. Së treti, ishte ruajtja e dallueshmërisë së Lëvizjes Studentore nga partitë politike. Shumë nga studentët u përfshinë në politikë, por karakteri, individualiteti dhe besimi politik i lëvizjes u ruajt i patjetërsueshëm përmes organizatave dhe individëve të veçantë. Ishte fitimi i pluralizmit nga ana e vetë studentëve dhe dhënia e shembullit të sjelljes së vërtetë demokratike e kombëtare. Së katërti, ishte themelimi, drejtimi dhe mbështetja që iu dha partisë së parë opozitare si një formë moderne kundërvënie ndaj një sistemi ende shumë të fuqishëm. Së pesti dhe e lidhur pazgjidhshmërisht me kontributin e mësipërm ishte planifikimi, organizimi, drejtimi dhe mbyllja në sukses e grevës historike të urisë që e detyroi sistemin të hiqte statujën dhe emrin e themeluesit të vet, Enver Hoxhës dhe të pranonte humbjen e legjitimitetit. Kjo edhe çliroi masat e gjera të popullit dhe të gjithë shtresat nga kontrolli, frika, detyrimi dhe dyshimi.
Jemi dëshmitarë për përpjekje të mahnitshme për të manipuluar me Lëvizjen Studentore. Politika nuk na lë që ta harrojmë Lëvizjen Studentore. Janë edhe disa të korruptuar e të degjeneruar nga të gjithë krahët që na shiten si liderë të dhjetorit. Duke e parë këtë manipulim të pashembullt, duke e vlerësuar si duhet momentin kritik në të cilin gjendemi, mendoj se duhet të ndahemi me këta matrapazë e manipulues të së vërtetës. Ashtu si edhe është e kam vënë në dukje disa herë duhet që të sqarohen si motivet ashtu edhe e vërteta lidhur me Lëvizjen Studentore. Duhet të sqarohet se këta matrapazë dhe kameleonë politikë nuk kanë të bëjnë asgjë me lëvizjen e kontributet e saj. Megjithatë këta janë shkaku pse kjo lëvizje historike është persekutuar pa mëshirë.
Pse e them këtë? E them sepse Lëvizja Studentore është burimi kryesor i legjitimitetit të Edi Ramës, Pandelush Majkos, Ilir Metës e të shumë prej figurave tashmë të diskredituara që ende duan të shiten si “dhjetoristë” dhe e shumë pseudomilitantëve të PD-së që janë në gjendje të cicërojnë se çfarë kanë bërë në ato ditë të stuhishme.
26 vite më parë, në kryeqytetin e Shqipërisë, e pikërisht në Qytetin “Studenti”, studentët e Universitetit të Tiranës ngritën krye kundra këtij regjimi famëkeq. Ata në datën 8 dhjetor 1990 vendosën të bojkotonin mësimin dhe të protestojnë kundra regjimit, fillimisht për ndërprerjen e energjisë elektrike, kushtet e vështira ekonomike që po kalonte Shqipëria në ato momente, kushtet tepër të vështira që kishin studentët në konvikte e në shkolla. Ata organizuan një protestë, në të cilën ndodhi që policia e ushtria përdorën dhunë për të shpërndarë studentët dhe disa protestues morën plagë nga dhuna që përdorën forcat e pushtetit komunist. Kjo do të sillte dhe irritimin e mëtejshëm të studentëve dhe kërkesat e tyre u zgjeruan. Përveç kërkesave për plotësimin e kushteve të jetesës ata kërkuan lejimin e pluralizmit, si dhe dënimin e dhunuesve të studentëve.
Ngjarjet rodhën shumë shpejt dhe pas shumë protestave ku zëri kryesor që dëgjohej ishte “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, një përfaqësi studentësh e kryesuar nga Azem Hajdari, iu drejtua më 11 dhjetor 1990, Pallatit të Brigadave ku priteshin në takim nga sekretari i Parë i Partisë së Punës të Shqipërisë, Ramiz Alia, njëkohësisht edhe president i vendit. Ky është dhe momenti më kyç i Lëvizjes Studentore. Në atë mbledhje, Ramiz Alia, duke parë që studentëve u ishin bashkëngjitur tashmë dhe qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria dhe pushteti nuk kishte më fuqinë t’i bënte ballë Lëvizjes për Demokraci, pranoi pa kushte pluralizmin politik në Republikën e Shqipërisë.
Lëvizja Studentore shqiptare lindi si rezultat i një serie protestash studentore e demonstratash që u përshkallëzuan në një konflikt të hapur me sistemin totalitar e partinë-shtet. Ndërmjet arritjeve të shënuara të kësaj lëvizjeje janë mbajtja e zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri, formulimi i qartë i kërkesave politike që sollën pluralizmin në Shqipëri, galvanizimi i masave të popullit në mbështetje të forcave politike opozitare që lindën më pas, organizimi i grevës së urisë, që çoi në rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës dhe kontributi i jashtëzakonshëm në shmangien e luftës civile në një moment shumë kritik të tranzicionit të Shqipërisë prej sistemit totalitar.
Sot, pas 26 vitesh, ne jetojmë në një vend të lirë e demokratik dhe për këtë një meritë të padiskutueshme ka Lëvizja Studentore e 8 Dhjetorit të vitit 1990, e kryesuar nga Lideri i Demokracisë, “Nderi i Kombit”, Azem Hajdari, si dhe mijëra studentët e intelektualët që me uraganin studentor përmbysën regjimin më gjakatar që kishte njohur Europa.
8 Dhjetori i vitit 1990, kjo datë historike, do të mbetet në memorien e shqiptarëve si prelud i ndryshimit të sistemit shoqëror në Shqipëri, nga komunizmi njëpartiak në demokraci pluraliste.
Dhjetori i vitit ’90 vendosi në axhendën e shqiptarëve ballafaqimin. Dhjetoristët dhe gjithë populli shqiptar, në këtë ditë historike, nderojnë kujtimin e liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, i cili u vra më 12 shtator 1998 nga socialkomunistët që u rikthyen në pushtet nëpërmjet rebelimit mafiozo-komunist të ’97-ës. Rrugën për fitoren e demokracisë e të pluralizmit shqiptar, rinia studentore e nisi 26 vjet më parë nga ai vend që sot quhet Sheshi “Demokracia”, në krye të së cilës ishte tribuni Azem Hajdari. Studentët e udhëhequr nga Azemi mbushën rrugët e Tiranës, sheshet dhe shpirtrat e shqiptarëve me dritën e lirisë. Në dhjetor të vitit 1990, Shqipëria ishte i vetmi shtet totalitar policor në Europë. Në atë kohë të acartë, kur bisha komuniste ishte në përpëlitjet e fundit, barra e përplasjes me regjimin më gjakatar që kishte njohur njerëzimi ra mbi studentët e universiteteve të Tiranës dhe të qendrave të tjera të arsimit të lartë në Shkodër, Korçë, Elbasan e në Gjirokastër. Në periudhën ndërmjet dhjetorit 1990 dhe prillit 1991, studentët shqiptarë demonstruan ndjenjë të lartë përgjegjësie politike dhe dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në proceset e tranzicionit prej sistemit totalitar në një sistem demokratik. Këto ngjarje kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimet e mëvonshme politike, ekonomike e shoqërore në shtetin shqiptar. Studentët që morën pjesë në veprimtaritë e Lëvizjes Studentore kanë qenë kontribues shumë aktivë në të gjitha nivelet e politikës shqiptare.
Nuk ka më kohë për të humbur
Kombi shqiptar nuk ka më kohë për të humbur. Edhe më “nostalgjikët” e parajsës së humbur, tanimë e kanë kuptuar se koha e tyre ka mbaruar. Ka ardhur koha që “kongresmenët e kuq”, ta ngulin mirë në mendje, se nuk janë gjë tjetër veçse “një jashtëqitje” e komunizmit, e regjimit më antishqiptar dhe më kriminal të historisë të popullit shqiptar. Çdo makijazh, çdo aleancë hibride me fitimtarët, çdo “kameleonizim” i radhës për të cilat rilindasit janë mjeshtra, është fare i pashpresë në përballjen me faktet që do t’i servirë realiteti shqiptar në të ardhmen. Ora e historisë po afron, është ora e vërtetë e shqiptarëve.
Rikthimi i demokratëve
Rikthimi i demokratëve në pushtet është një emergjencë kombëtare, duke mbartur me vete dhe shpresën e mbarë shqiptarëve për një ndryshim të thellë, për një Shqipëri më të mirë. Invadorët rilindas, protagonistë të një pushtimi korruptiv total, po tentojnë të sundojnë “qetësisht” duke lënë pas një shtet me një trashëgimi mjaft të hidhur politike dhe një faturë ekonomike të kalkuluar në mënyrën më diabolike në dëm të shqiptarëve. Ja kush është skaneri i Ramës dhe i ortakëve të tij të “Rilindjes” gjatë 1140 ditëve të qametit koncesionar:
– një shtet të renditur në parajsën europiane të prostitucionit, trafikut të drogës, të armëve dhe krimit të organizuar;
– një shtet antikombëtar i konvertuar në një makinë shtetërore për denigrimin politik dhe ekonomik të kombit të vet;
– një shtet që përdor dhunën politike, ekonomike, policore dhe sociale ndaj fisnikërisë të shoqërisë shqiptare;
– një shtet të “droguar” ku indeksi i zbatimit të ligjit është tronditës dhe absurd;
– një shtet me nivelin më të lartë të korrupsionit. Shteti shqiptar është i vetmi shtet ndër vendet në tranzicion me fenomenin kanceroz “state chapture”.
Fatura e “taksës“ së ryshfetit kryeministror arrin masën 1.6 miliardë euro;
– një shtet me informalitetin më të madh në Europë;
– një shtet me absorbimin më të vogël të të ardhurave fiskale në raport me PBB;
– një shtet që ka diskriminuar totalisht iniciativën kombëtare në privatizimet strategjike;
– një shtet ku i “zoti i shtëpisë” ditën e përmbytjes biblike, e kalon duke parë ndeshjet e NBA-së në USA;
– një shtet ku qeveria ikën si klandestine ditëve të revoltave popullore;
– një shtet policor (Shqipëria ka numrin më të madh të policëve për frymë të popullsisë në Europë);
– një shtet që shpall si parësore të zhvillimit ekonomik, koncesionet;
– një shtet që ushtron gjenocid politik ndaj kundërshtarëve të regjimit të tij;
– një shtet shpikës dhe zbatues të teorisë “së tokës së djegur”, “përdhunues” konstant i pasurisë kombëtare të shqiptarëve, popullit më të varfër të Europës;
– një shtet me një politikë antikombëtare të “portave të shqyera” bankare;
– një shtet që ka varfëruar në mënyrë origjinale popullin e vet (5% e popullsisë zotëron 95% të pasurisë kombëtare);
– një shtet që e ka shndërruar sistemin bankar dhe financiar në “lavatriçen” më të madhe të pastrimit të parave në rajon;
– një shtet që “plaçkit” thesarin e shtetit ditën për diell;
– një shtet, që “plaçkit” identitetin ekonomik të qytetarit;
– një shtet që “plaçkit” identitetin fizik të qytetarit (200 000 kërkesa për “green card” vetëm pranë ambasadës amerikane);
– një shtet që i katandisi shqiptarët në borxhlinj të bankave të botës me anë të borxhit publik;
– një shtet që premton 300 000 mijë vende të reja pune dhe zyrtarisht ka bërë gati gomonet për punësim matanë detit.
Ky është testamenti politik dhe ekonomik i qeverisjes së “Rilindjes” tënde, o i madhi dhe i gjati Edi Rama. Përpara se të fillosh të “nanurisish” për 1140 ditët tuaja të “qametit”, merr mundimin dhe jep llogari për “hyneret” e tua dhe të koncesionarëve tuaj. Besoj se e ke lexuar mikun tonë të përbashkët, të pavdekshmin Dante Aleghieri. Ti dhe skota jote, e dini mjaft mirë se jeni në shkallën e nëntë të ferrit. Si “mik” të ngushtë që të kam, e shoh të udhës të të këshilloj që mbaro një herë punë me ferrin dhe pastaj mund të të vijë radha për purgatorin e famshëm. “Mballoma” e Gandhit të Ballkanit dhe e sekretarit të Parë të Partisë-Shtet që dëshiron të veshësh ti është tepër e hollë për të mbuluar bëmat e “Rilindjes” tënde.
Për fund dua t’jua bëj me dije zoti kryeministër i varfërimit të shqiptarëve që nuk ke lënë grup interesi në Shqipëri pa fyer e nëpërkëmbur, me ne brezin e studentëve të ‘90-ës e paske lënë për në fund, ndoshta për të nënshkruar fundin tënd.
Ne mund të jemi të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga ata që na e vodhën lirinë dhe nga hienat e demokracisë në vendit tonë, por të sigurojmë ty dhe gjithë lukuninë tënde se shqiptarët do të gjejnë shpejt rrugën për të rifituar lavdinë dhe dinjitetin që u është grabitur.
I nderuar i Pari i Gubernës shqiptare,
I nderuar Shoku Kryerilindas!
I nderuar Shoku Sekretari i Parë i Partisë-Shtet,
Të më ndjejnë “Rilindasit”, pushtetarët më antishqiptarë dhe më kriminelë të historisë tragjike të kombit tonë. Besoj se e kuptojnë “me qetësi dhe dashuri” që koha e tyre ka mbaruar. Ora e historisë po afron, është ora e vërtetë e shqiptarëve. Uroj që të jeni i “plotfuqishëm” në misionin historik që Ju kanë ngarkuar 1 000 000 shuplakat. Ftoj bashkëkombasit e mi kudo që janë, të shporrim sa më parë këtë “Rivdekje”, këtë fatkeqësi kombëtare. Të bashkohemi si kurrë ndonjëherë për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!
Intervista e parë e Azemit për “Zërin e Amerikës” 9 Janar ‘91
Zoti Hajdari përse u vutë në krye të lëvizjes studentore?
“Ja pse u vura në krye të Lëvizjes Studentore. Kam dëgjuar se, kanë thënë se kushedi se kush jam. Jam thjesht një student në vitin e tretë të Fakultetit të Filozofisë. Shkollën e mesme e kam mbaruar me mesatare 9 dhe këtu nuk jam keq me mësime. Kam qenë sekretar i sektorit të vullnetarëve studentë vitin e kaluar në Priskë. Si të të them. Më duket se këta që flasin këto fjalë nuk bëjnë mirë edhe ndaj shokëve të mi studentë që më kanë zgjedhur në këtë punë. Edhe familja ime është një familje e ndershme e patriote. Babai është dekoruar disa herë. Veçse këto kohët e fundit po heq keq për shkak se unë u vura në krye të demonstratës së studentëve dhe u radhita në radhët e komisionit organizues të Partisë Demokratike. Ja për shembull, vëllai im, ish-anëtar i PPSH dhe instruktor në Komitetin e Partisë së Rrethit, mbasi dorëzoi teserën e partisë e anëtarit të partisë e morën inat dhe e dërguan në një punë nja katër orë larg.
Thonë se jam shumë i pasur dhe se kam para në libreza kursimesh. I pasur? Kam punuar gjithnjë punëtor. Sigurisht aty realizoja dhe tri norma dhe nuk kam jetuar keq. Ndërsa tani jetojmë me 400 lekë rrogë të gruas sime dhe 240 lekë që marr unë si student, bursën.
Unë dhe studentët nuk dolëm në demonstratë me kërkesa të thjeshta vetëm për bukën e gojës e për ca kushte minimale. Ne dolëm për demokraci për pluralizëm politik që i mungonte njësoj gjithë popullit shqiptar. Meqë erdhi fjala tek jeta ime personale, po ju them se dëgjohen disa fjalë sikur unë merrem me femra, se paskam ndarë tri gra etj. Ja pra, që kam vetëm një grua me të cilën jam rritur. Jemi martuar, unë isha 17 vjeç dhe ajo 15. Fëmijët do të na bëhen shokë.
Të gjithë thonë se në familjen tonë sillemi mirë me njëri-tjetrin. Unë, gruaja dhe dy fëmijët. Dobësi të veçantë kam nënën e babën. Më kanë rritur me një mijë mundime, njëri punëtor dhe tjetra pastruese. Nuk e di sesa do ta plotësoj dëshirën e tyre për t’u shërbyer atyre sa më mirë.
Kam edhe unë të metat e mia padyshim. Por nuk më ka rastisur kurrë që të më dërgojnë në Degën e Punëve të Brendshme ose të dënohem ndonjëherë nga organet e gjykatës. Shokë kam shumë, shumë. I dua të gjithë dhe më duan shumë. Kjo besoj se nuk është e metë. E thashë këtë të shokëve edhe me synimin për të sqaruar atë moment të kohëve të fundit të jetës sime, çastin e demonstratës, kur u ndodha në krye të masës të studentëve. Aty më nxorën dëshira të mëdha demokratike, forca shpirtërore krejt të pastra dhe studentët që më besojnë si shok. Nuk kam menduar kurrë për t’u bërë udhëheqës i kësaj lëvizjeje.
Ndjeva se kërkesat e studentëve ishin të sinqerta dhe i mbështeta me jetën time. Unë atyre jua di për nder që më besuan që ta vë jetën dhe sinqeritetin tim në shërbim të çështjes së tyre të lartë. Dua të flas edhe për problemin e studentëve dhe të shpreh një dëshirë. Dëshira është që të jem gjithmonë i lidhur me ta. Shkoj çdo ditë në Qytetin ‘Studenti’ dhe i takoj. Më vjen keq që nuk mund të jem në auditor me ta.
Kam vendosur ta lë shkollën. Unë studioj filozofi, por e shoh se në të vërtetë mësoj vetëm politikë. Politika e PPSH është futur në çdo rresht të leksioneve të filozofisë. Po studentët i kuptoj dhe do t’i kuptoj gjithnjë. Por dua të theksoj se kjo nuk kuptohet mirë nga disa qarqe burokratike. Por vazhdon që studentët të mos përfillen në kërkesat e tyre të drejta e nuk ka asnjë ndryshim në jetën e studentëve nga ajo ditë kur ata u ngritën në demonstratë. Po ai ushqim, po ato baltra si kantier ndërtimi në degradim. Kam edhe një dëshirë, që të vazhdoj më vonë studimet në degën e filozofisë, por vetëm atëherë kur kjo të jetë vërtet shkencë filozofike”.
Si e zgjodhën studentët, Azemin, kronologjia e orëve historike
Ora 10:00
Kryeministri Çarçani shkon pa njoftuar për vizitë tek studentët në Qytetin “Studenti”. Kalimi i tij nga godina 27-28 krijoi ilaritet të madh, pasi baltës nuk i rezistuan as çizmet që Çarçanit ia dërgoi me shpejtësi policia. Në godinën 10-11, ai priti një grup studentësh. Gjysma e sallës ishte mbushur me sampistë. Studentja A.B., iu drejtua Çarçanit me fjalë dhe tone të ashpra. Ajo tha se, “unë nuk mund të lind kurrë fëmijë për ju dhe partinë tuaj…”.
Ora 20:30
Kabina elektrike në Qytetin “Studenti” merr flakë. Gjithçka fillon nga e para. Fillojnë parullat kundër diktaturës, të thirrurat dhe të sharat ndaj qeverisë komuniste dhe thirrjet për të lëvizur të organizuar. Për herë të parë u këndua nga të gjithë kënga: “Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri/ O djem rrëmbeni pushkët/ Ja vdekje, ja liri”! Pastaj u hodhën parullat: “Poshtë komunizmi” dhe “Komunistët në litar”.
Ora 21:00
Nga godina 20-21 erdhën thirrjet për t’u mbledhur të gjithë. Brenda 10-15 minutave u mblodhën rreth 200-300 studentë, të cilët filluan marshimin drejt drejtorisë. Kur u arrit tek godina 17, u pa se i gjithë trupi pedagogjik i universitetit kishte ardhur i shoqëruar me autoblinda të policisë në përpjekje për të ndërprerë demonstrimin. Meqenëse sheshi para drejtorisë ishte i mbushur plot me vetura qeveritare, studentët morën rrugën për në sheshin që sot quhet “Demokracia”.
Ora 21:00
Në përpjekje për të pasur sa më shumë solidaritet, demonstruesit shkuan drejt godinës 15 për të kërkuar bashkimin e tyre. Ndërkohë, dritat kishin ardhur, por askujt nuk i binte ndërmend për to. Pas godinës 15, studentët shkuan tek godina 14. Aty një moment qetësie u kërkua që dikush të zgjidhej për drejtues. Ishin 6-7 djem të tillë. Si më i vjetri, si i vetmi prind u zgjodh pa asnjë diskutim Azem Hajdari. Pastaj itinerari për solidaritet kaloi godinat 6, 13, 11, 12, 9-10, 7-8 dhe uragani i studentëve mori drejtimin e bulevardit qendror të daljes nga Rruga e “Elbasanit”, me synimin për takim me R.Alinë ose demonstrim në Sheshin “Skënderbej”.
Ora 22.00
Në hyrje të lagjes, afër çerdhes, policia kishte vënë postbllok. Aty foli Pirro Kondi. Dikush e goditi me kokrrat e pemës zbukuruese, të tjerët fishkëllyen. Dikush e pyeti Pirron se sekretari i cilës parti ishte.
Ora 24.00
Tek studentët shkon Hekuran Isai, i cili filloi të qeraste studentët me cigare. I bombarduar me pyetje provokuese, ai u acarua së tepërmi më shumë se një herë. Në këtë orë, 14 studentë u nisën për takim me R.Alinë. Delegacionit iu la afat 30 minuta për kthim, ndryshe ata do të ishin të arrestuar.
Zgjidhet njeriu i vitit i “TIME”, Trump: Do bashkoj vendin
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump pranoi dje se ai ka për ta marrë drejtimin e vendit, në kushtet kur amerikanët janë të ndarë politikisht, por i hodhi poshtë thëniet se ai ka kontribuar në këtë ndarje.
Në një intervistë që ai dha për rrjetin televiziv “NBC”, pas njoftimit se revista “TIME” e kishte cilësuar atë “Njeriun e vitit” dhe si udhëheqësin e zgjedhur të “Shteteve të Përçara të Amerikës”.
“Ekzison një përçarje e madhe, por ne kemi për ta bashkuar vendin. Ne do t’ja shërojmë plagët, kemi për t’u bërë një forcë e madhe ekonomike dhe do të forcojmë ushtrinë dhe masat e sigurisë në vend. Kemi për të bërë gjëra të mëdha”, tha zoti Trump.
Miliarderi Donald Trump, një manjat i pasurive të patundshme, që u bë politikan republikan, i fitoi zgjedhjet presidenciale, pasi siguroi shumicën e votave të Kolegjit Elektoral, që bazohen tek rezultati i zgjedhjeve në 50 shtete amerikane dhe kryeqyteti Washington, edhe pse rivalja e tij, demokratja Hillary Clinton, fitoi votën popullore, duke siguruar rreth 2.7 millionë vota më tepër se zoti Trump.
Donald Trump tha në intervistë se ekziston një ndjenjë pëlqimi të dyanshëm mes tij dhe Presidentit demokrat, Barack Obama, të cilit ai do t’i zerë vendin më 20 janar; zoti Obama e mbështeti me forcë zonjën Clinton gjatë fushatës elektorale dhe e cilësoi zotin Trump si një njeri të papërshtatshëm për t’u bërë president.
Trump tha se e pëlqen Barak Obamën, edhe pse ata nuk janë dakord për një numër politikash. Ai shtoi se në takimin që patën dhe në disa biseda telefonike, ata kishin patur një dialog shumë të mirë dhe se i merr shumë seriozisht rekomandimet e zotit Obama.
Donald Trump shprehu në intervistën me “NBC News” disa mendime të tij për çështje të ndryshme.
Gjatë fushatës elektorale ai kritikoi disa marrëveshje tregtare të Shteteve të Bashkuara, se ato ishin në dëm të punonjësve amerikanë, por në intervistë ai tha se, “beson tek tregtia e lirë, por jo tek tregtia e pazgjuar. Politikat e mia tregtare kanë për të qenë të shkëlqyera”, tha ai.
Në fillim të javës, zoti Trump kërkoi vënien e një takse prej 35 për qind ndaj prodhimeve të kompanive që janë zhvendosur jashtë Shteteve të Bashkuara për në vende të tjera, ku krahu i punës është më i lirë dhe që përpiqen t’i sheshin prodhimet e tyre në tregun amerikan.
Trump tha se i pëlqen shumë komunikimi thuajse i përditshëm me publikun amerikan përmes Twitter-it. Ai shtoi se ka 40 milionë ndjekës në Twitter dhe në Facebook, duke i cilësuar këto forma komunikimi “si forma moderne të komunikimit”. Ai tha se në këtë mënyrë ai i transmeton mesazhet e tij më shpejt se sa përmes konferencave të shtypit dhe se mund t’i paraqesë mendimet e tij “më me ndershmëri se sa ato që jepen nga gazetarë të pandershëm”.
Do të tregojmë forcën e ushtrisë ku na preken interesat
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump ritheksoi dje vizionin e tij për një politikë të jashtme amerikane jo ndërhyrëse, duke përsëritur ato që tha gjatë fushatës elektorale, se ai nuk dëshironte që forcat amerikane të luftonin, siç u shpreh ai, “në zona që ne nuk duhet të përfshihemi”. Duke folur gjatë një tubimi falënderimi për mbështetësit e tij në Karolinën e Veriut, zoti Trump tha se fokusi i tij do të jetë mundja e terroristëve, përfshi këtu grupin e vetëquajtur Shteti Islamik.
“Unë do ta autorizoj përdorimin e forcës ushtarake vetëm kur bëhet fjalë për interesat jetike të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Nuk duam një ushtri të dobësuar, të shpërndarë kudo në botë, në zona ku nuk duhet të ishim të angazhuar. Tani e tutje, Amerika do të jetë e para. Nuk do të nxitojmë për të përmbysur regjime të huaja, për të cilat nuk dimë asgjë, ku nuk duhet të jemi të përfshirë”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund asaj që ai e quajti “cikël shkatërrimtar ndërhyrjesh dhe kaosi”.
Zoti Trump premtoi të forcojë ushtrinë, por tha se qëllimi do të jetë për të treguar forcë dhe jo agresion.
Gjatë fushatës elektorale, ai kishte përmendur disa herë se NATO dhe aleatët e tjerë nuk po mbajnë barrën financiare që u takon, dje zoti Trump u shpreh se ai kërkon të forcojë miqësitë e vjetra dhe krijojë miqësi të reja.
Në të njëtin tubim, zoti Trump njoftoi zyrtarisht se ka zgjedhur gjeneralin në pension, James Mattis për postin e sekretarit të Mbrojtjes.
Zoti Mattis ka shërbyer në krye të Komandës Qendrore amerikane që drejton operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, si dhe ka qenë komandant Suprem i NATO-s.
Gjenerali në pension do të ketë nevojë për një autorizim të posaçëm nga Kongresi për t’u konfirmuar në krye të Departamentit të Mbrojtjes. Përndryshe, ai nuk mund të shërbejë si sekretar i Mbrojtjes pasi ligji kërkon një pauzë shtatë vjeçare për ish-ushtarakët që të shërbejnë në këtë post. Ai ka më pak se katër vjet që ka dalë në pension.
I përqendruar tek hapja e vendeve të punës
Zoti Trump, në rrugën e tij të pazakontë drejt Shtëpisë së Bardhë, bëri fushatë për të sjellë më shumë vende pune në Amerikë, veçanërisht në rajonet e goditura nga recesioni dhe globalizimi.
Marrëveshja me kompaninë “SoftBank” është e dyta që zoti Trump ka përdorur për të theksuar se po mban premtimin e votuesve. Javën e kaluar, ai njoftoi se kompania “Carrier Manufacturing Corporation” do të mbante 800 vende pune në Indiana në vend që t’i dërgonte ato në Meksikë. Kompania “Carrier” ende ka në plan të dërgojë qindra vende pune atje nga një tjetër uzinë në Indiana.
Ai shkroi gjithashtu në Twitter se kërkon të anulojë një porosi pune për një avion të ri Air Force One, avioni me të cilin fluturon presidenti amerikan përreth botës. Qeveria ka kontraktuar kompaninë Boeing për të ndërtuar të paktën dy avionë të rinj që do të fillonin shërbimin në vitin 2024. Kostoja totale pritej fillimisht të ishte 3 miliardë dollarë.
Zoti Trump shkruajti se, “kostoja është jashtë kontrollit, më shumë se 4 miliardë dollarë”.
Kompania Boeing u përgjigj ndaj kritikave të zotit Trump përmes një deklarate ku thuhet se në këtë fazë të procesit është përfshirë një shumë shumë më e vogël fondesh.
“Ne jemi aktualisht në një kontratë prej 170 milionë dollarësh për të ndihmuar në përcaktimin e aftësive të këtyre avionëve kompleksë ushtarakë që u shërbejnë kërkesave unike të presidentit të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.
Deklarata nga gjiganti i hapësirës sugjeron se projekti është thjesht në një nga disa fazat që duhen kryer gjatë procesit të zhvillimit dhe të ndërtimit. “Ne presim të punojmë me Forcave Ajrore amerikane në fazat e mëvonshme të programit, për të ofruar avionët më të mirë për presidentin në vlerën më të mirë për tatimpaguesit amerikanë”.
Një tjetër gjerneral do drejtojë Departamentin e Sigurisë
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump ka caktuar Gjeneralin në pension, John Kelly për të kryesuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare. Kelly ka një karrierë 40-vjeçare me trupat e Marinsave dhe djali i tij është vrarë në luftën në Afganistan.
Zoti Trump tha dje se ish-kandidati republikan për president Mitt Romney është ende në listën e personave që ai po shqyrton si kandidatë për sekretar Shteti, duke përforcuar njoftimet se zoti Romney mbetet pretendenti kryesor për këtë post.
“Kam biseduar shumë me të. Mendoj se kemi bërë një rrugë të gjatë”, tha zoti Trump në një intervistë telefonike për programin “Today” të rrjetit “NBC”. Ai tha se mund ta shpallë kandidatin e tij për postin më të lartë dipomatik të vendit javën e ardhshme.
Presidenti i zgjedhur ka emëruar gjithashtu guvernatorin e shtetit Ajova, Terry Branstad si ambasadorin e ardhshëm të SHBA në Kinë. Branstad është mik i vjetër i Presidentit kinez, Xi Jinping dhe emërimi i tij u mirëprit nga Pekini.