29.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Aneksimi pa luftë i Veriut të Mitrovicës

Enver BYTYÇI

Historikisht pushtimet dhe aneksimet janë shoqëruar me konflikte e luftëra të pandërprera. Por Beogradi ka gjetur një mënyrë të re aneksimi e pushtimi të Kosovës. Ndërtojnë një mur ndarës?! Kaq u mjafton atyre që “të mbrohen nga shqiptarët”!
Serbët me ndihmën e Beogradit kanë filluar prej dy ditësh të ndërtojnë një mur të madh ndërmjet Veriut dhe Jugut të Mitrovicës. Lumi Ibër është i përshtatshëm për ta që të ndërmarrin akte të tilla të ndarjes së territorit të Kosovës me dhunë dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Edita Tahiri thotë se ky akt bie në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, por sa kohë që Brukseli bën sehir dhe lejon një mur në kontinentin e vet, le të kuptojë se Bashkimi Europian është një utopi e skicuar në disa dokumente, të cilat askush nuk i merr seriozisht, përveç elitave të korruptuara në Ballkanin Perëndimor dhe banorët e varfër të tij. I merr seriozisht edhe Edita Tahiri në Prishtinë dhe Majlinda Bregu në Tiranë.
Një mur betoni në mes të një qyteti, i cili deri në vitin 1999 banohej në shumicë dërmuese nga shqiptarët etnikë. Një mur i projektuar me ndihmën e KFOR-it francez dhe disa hajnave në drejtim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas qershorit 1999, kur Veriu i Mitovicës u spastrua etnikisht nga shqiptarët me dhunë, vendin e të cilëve e zunë serbët e shpërngulur nga zonat e brendshme të varfëra të Serbisë. Muri etnik ekziston te lumi Ibër prej gati 18 vitesh, atëherë kur gjeneralët dhe oficerët francezë nuk lejonin gazetarët shqiptarë as të fotografonin urën e bllokuar të këtij lumi.
Thaçi e Mustafa kanë folur aq shumë në Bruksel e vende të tjera me Daçiçin e Vuçiçin për këto çështje sa ia kanë mbushur mendjen vetes se këta të dy udhëheqësit e Beogradit janë “pro Kosovës së pavarur”, por që “nuk kanë mundësi të veprojnë, sepse nacionalistët ekstremistë nuk do t’i mirëkuptonin”. Udhëheqësit serbë të Beogradit u thonin liderëve shqiptarë të Prishtinës e Tiranës se, “Pse mërziteni ju, Kosova është e pavarur. Këtë ne e dimë, por çdo gjë ka kohën e vet”. Dhe këta matufët tanë kënaqeshin me mashtrimin e madh e të përsëritur të Serbisë, derisa erdhi puna te aneksimi me dhunë i territorit të Kosovës. Daçiç e ka luajtur lojën politike me Brukselin dhe Prishtinën më mirë sesa të luante në telat e violinës në ditëlindjen e udhëheqësit botëror, naltgjatësisë së tij, kryeministrit tonë të nderuar, Edi Rama!
Derisa erdhën te muri i betonit dhe moskokëçarja e askujt në botë për atë që po ngjet në zemër të Europës. Në fakt, Beogradi dhe serbët e Veriut të Kosovës e dijnë se çfarë bëjnë. Pse elita politike shqiptare e Kosovës është, pse drejtuesit e ekzekutivit shqiptar bëjnë lojën e Beogradit me shfaqjen e shtirur të ekstremizmit verbal, kjo nuk e ngarkon me përgjegjësi udhëheqjen politike në Beograd, madje as Presidentin Nikoliç e as ekstremistin e shfajësuar në Hagë, Shejshel. Përgjegjësia për çfarë po ndodh aktualisht në Kosovë është e institucioneve dhe liderëve të Kosovës, përfshi opozitën “nacionaliste”, e cila prej tri ditësh hesht para një akti të tillë, i cili cenon rëndë integritetin territorial të Kosovës. Përgjegjësia është gjithashtu e liderëve të shtetit shqiptar, të cilët prej gati tri vite punuan fort për ta rehabilituar lidershipin serb përballë komunitetit ndërkombëtar, duke i dhënë mundësi atij që para botës të paraqitet si elitë politike “e përgjegjshme, e gatshme për kompromise dhe për pajtim me shqiptarët”.
Nesër Edi Rama mund të bëjë një konferencë shtypi e të thotë se “kryeministri i Serbisë më preu në besë”, çka do të evidentonte risinë e kundërt në rastin e Ahmet Zogut, aq shumë të anatemuar për “tradhëti” dhe “marrëveshje” me Nikolla Pashiq nga ana e së majtës shqiptare, të cilën e udhëheq me “shpatë në dorë”, nga dështimi në dështim lideri ynë global. Së paku, Pashiq plasi prej marazi nga “tradhtia” që i bëri Ahmet Zogu, po Edi Rama do të përpiqet që të shfajësojë veten përballë “tradhtisë” që ia bëri miku i tij i ngushtë, Aleksandër Vuçiç. Ajo që po ndodh në Veri të Kosovës, aty ngjit me Urën e Ibrit, aty ku prej 18 vitesh qyteti është i ndarë, ka zbuluar mashtrimin e madh të liderëve të Kosovës, të Brukselit dhe të Tiranës zyrtare të sotme për të ashtuquajturin “Proces të pajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve” si dhe “normalizim të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”. Ura e Ibrit është sinonimi i Urës së Drinos në Bosnjë, për të cilën ka shkruar Ivo Andriç, por ajo që shkruan Andriç nuk e shqetëson Beogradin, ndërkohë që e frymëzon liderin tonë kryeministër.
Ky mashtrim i madh nuk justifikohet me deklarata si ato të kreut të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kur thotë se, “muri nuk ishte i planifikuar”. Eshtë idiotësi të presësh që Beogradi t’ia shpalosë planet e veta Agimit, Thaçit apo Mustafës. Mundet që se humta Edi Ramës e Baton Haxhiut t’ia kenë përshpërit në një farë mënyre aksionin që sot Beogradi zyrtar ka ndërmarrë në këtë territor. Por jo më shumë se kaq. Edhe në Bruksel ka mundësi që dikush të ketë pasur njohuri për planet serbe të ndërtimit të një muri të tillë si ai i Gazës dhe në Cisjordani. Njësoj si atje, në rastin e murit te Ura e Ibrit agresorët serbë, ndërtojnë urë “për t’u mbrojtur” nga viktimat e veta, shqiptarët.
Si gjithmonë, miti dhe loja e viktimizimit është burim i nxitjes së nacionalizmit serb e njëkohësisht burim i një konflikti të ri në Ballkan. Ndoshta zotit Rama i konvenon një ndërmarrje e tillë nga ana e Serbisë dhe e serbëve, sepse do të ketë një aset më shumë në dorë për ta “frikësuar’ Angjela Merkelin dhe për t’i bërë asaj presion që në takimin e pas disa ditëve të krerëve të shteteve e të qeverive të vendeve të Bashkimit Europian, kur aty të shqyrtohet dosja shqiptare e integrimit dhe raporti i KE-së për hapjen e negociatave, të shprehet pozitivisht për “sukseset madhështore” të qeverisë së kryeministrit shqiptar.
Serbët prej vitesh propagandojnë se ata janë “viktimat” e shqiptarëve, njësoj si në Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Beograd të vitit 1986, kur vetëplagosjen e serbit Martinoviç e shitën si akt dhune barbarizmi të shqiptarëve kundër serbëve. Prandaj dhe në përgjigjen që do t’i japin Europës do t’i thonë asaj se “po mbrohen prej shqiptarëve”. Ndërsa shqiptarët prej 1999-ës e këtej u sollën si “fitimtarë”, duke hequr dorë nga realiteti i hidhur i të qenit viktimë reale e agresionit, dhunës e terrorit serb në Kosovë. Ndërsa ndarjen faktike të Veriut të Kosovës e realitivizuan, duke krijuar një frymë euforie të pabazë, aq sa vunë në gjumë veten dhe komunitetin ndërkombëtar. E njëjta psikologji e politikë në Prishtinë e në Tiranë dhe i njëjti mentalitet hoxhist po ashtu në Shqipëri e në Kosovë. “E natyrshëm” tash Beogradi është në pozitë të favorshme përballë komunitetit ndërkombëtar. Ndryshe nuk do të kish ndërmarrë atë veprim banditesk që ndërmori para dy ditësh me fillimin e ndërtimit të murit ndarës midis shqiptarëve dhe serbëve.
Tashmë aksioni serb i pushtimit të territoreve shqiptare ka nisur. Ndërsa shqiptarët bëjnë sehir. Bëjnë sehir, ata që mburren se “kanë bërë luftën”, kur u thua se “Luftën e bëri NATO”. Dhe NATO nuk ka ndërmend të ndërhyjë edhe për t’u dhënë një mësim këtyre mburracakëve tanë shqiptarë. Bëjnë sehir, ata që nuk morën pjesë në luftë, edhe pse nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të dëshmuar në Perëndim mosreformimin dhe mosgatishmërinë e Beogradit për vendosjen e paqes e të sigurisë në rajon. Bën sehir opozita “nacionaliste”, edhe pse është një opozitë “trimëreshë” dhe e “pamposhtu” në luftën kundër institucioneve të Kosovës. Më në fund bëjnë sehir qytetarët e Kosovës, sepse politika i ka çuar në atë derexhe, që të mos kenë më forcë për të reaguar edhe kur kërcënohet jeta dhe territori. Nga Tirana nuk ka prit ndonjëherë Kosova, që të presë tani, nëse nuk i marrim seriozisht nostalgjikët hoxhistë, të cilët nuk e kanë mendjen te mbrojtja e territorit të vendit, por te mundësia për t’i thur këngë, lavde dhe ngritur monumente diktatorit Hoxha.
Ne merremi me të kaluarën, luftojmë njëri-tjetrin me biografitë e shkuara, ndërsa serbët merren me të tashmen e të ardhmen. Ne bëhemi copë-copë me njëri-tjetrin për një karrige pushteti e një grusht para, serbët bashkohen edhe me djallin që të na shkoqin e të na bëjnë copë-copë. Ne vrasim vëllain për një copë arë, ndërsa bëjmë sehir për 20 për qind të territorit të shtetit të Kosovës, të cilën po e merr me hir ose pahir Serbia. Ne “luftojmë” me Malin e Zi, e ndërkohë “flemë në një krevat” me Serbinë. Ne jemi ata që nuk duhet të jemi. Dhe më e keqja, ne kurrë nuk mbushemi me mend. Edhe ndonjë të mençëm që kemi pasur si Ibrahim Rugovën ose mund ta kemi (nuk jam i sigurt se mund të gjendet ndonjë, edhe po u gjend ai është në izolim “në çmendinë), e gjuajmë me gurë. Ne jemi shkaku kryesor i aksionit më të fundit të Serbisë për aneksimin e territorit të Kosovës dhe ne jemi fajtorët e vetëm para brezave që do të vijnë. Pastaj është Europa e At Gjergj Fishtës e më në fund mund ta çojmë zinxhirin deri te ndikimi gjeopolitik i Vladimir Putin. Por ky i fundit ndërsa ka rihyrë në vathën e shqiptarëve, nuk kemi pse presim të dalë nga vatha e serbëve.
Gjithë sa shkrova është një elegji vaji për atë çfarë përfaqësojmë e çfarë jemi si komb e si rracë e deformuar nga mosntra të regjimeve të shkuara dhe politikanë sharlatanë të kohëve të sotme moderne. Megjithatë, asgjë në këtë botë nuk mund të shihet pa rrugëdalje e pa zgjidhje. Eshtë koha që rinia ta marrë në dorë fatin e kombit, fatin e shteteve tona shqiptare, fatin e vetvetes. Po pati vullnet dhe bashkim, gjithçka është e mundshme. Po të bashkohemi si shqiptarë pa dallim, atëherë muri serb i Mitrovicës bie për 24 orë. Mjafton një organizim modest dhe të krijohet fryma e përgjegjësisë për t’i dalë zot atdheut! Asgjë më shumë! Diaspora ndoshta ka fuqi që edhe njëherë të bëhet zot i atdheut të vet të nëpërkëmbur shumëfish nga tanët e fqinjët tanë.

Serbët po ndajnë Mitrovicën me mur

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, thanë të mërkurën se ‘muri që po ndërtohet në afërsi të urës mbi lumin Ibër, në pjesën veriore të Mitrovicës do të rrënohet’.
Ata e cilësuan ndërtimin si një veprim të paligjshëm dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër.
Nëpërmjet një komunikate për media ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se ngritja e një muri në Veri të Mitrovicës është në kundërshtim me ligjet e Kosovës.
“Zhvillimet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës në lidhje me ndërtimin e një muri, janë zhvillime shumë shqetësuese dhe mund të kenë pasoja destabilizuese për gjendjen në atë pjesë të vendit tonë, duke cenuar gjithë arritjet e deritashme për të vendosur normalitet, stabilitet dhe rend”, citohet të ketë thënë ministrja Tahiri.
Tahiri ka bërë të ditur se qeveria e Kosovës do të veprojë për të ndaluar këtë ndërtim ilegal dhe për të mposhtur logjikën e mureve dhe barrikadave që janë në kundërshtim me Ligjet e Kosovës dhe standardet e BE-së për lëvizjen e lirë.
“Po ashtu, kam biseduar me shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova së cilës ia ngrita këto shqetësime. Një delegacion i BE-së do të arrijë sot në Kosovë dhe kjo do të jetë tema kryesore e takimit tonë”, theksoi ministrja Tahiri.
Mirëpo, Goran Rakiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore ju tha mediave serbe se, nuk bëhet fjalë për ndërtimin e një muri, por për shëtitore përgjatë lumit.
“Gjithçka që këtu po punohet është në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel. Ai ka thënë se bëhet fjalë për nivelizimin e shëtitores gjegjësisht për në rrugën “Mbreti Pjetër” në këtë qytet”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, zyrtarët komunal në pjesën jugore të Mitrovicës, thonë se ndërtimi i një muri si ai që po ndërtohet pranë urës mbi lumin Ibër në Veri, është shqetësim për ta dhe qytetarët.
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Safet Kamberi, tha për Radion “Evropa e Lirë” se, ndërtimi i murit nuk është çështje e komunës së jugut, por siç tha ai, vetë pamja e tij është e papranueshme.
“Ndërtimi që ka filluar, ka krijuar një përshtypje dhe një ndjenjë të keqe për të gjithë qytetarët, duke pasur parasysh se filloi këto ditë një lloj aktivizimi rreth rivitalizimit të urës dhe një qarkullimi, të them kështu, në numër të kënaqshëm të qytetarëve që shkonte çdo ditë duke u rritur. Nga dita e djeshme kjo thënë të drejtën është një ndjenjë e keqe tek qytetartët e Mitrovicës”, tha Kamberi.
Ai tha po ashtu se, ndërtimi i murit rrezikon qarkullimin e lirë të qytetarëve me automjete në disa drejtime.
“Muri e rrezikon qarkullimin e mjeteve në të dy krahët në pjesën veriore edhe në drejtimin e lagjes së Boshnjakëve edhe në drejtim të tre rrokaqiejve dhe Suhodollit”, ka shpjeguar Kamberi.
Muri në Veri të qytetit të Mitrovicës erdhi pikërisht në kohën kur tensionet ndërmjet grupeve etnike në qytet u zvogëluan dhe u vlerësua se po niste një periudhë e relaksimit të marrëdhënieve, përfshirë edhe procesin e rivitalizimit të urës së Mitrovicës.
Ky proces u parapa me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015 në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Fundi i elitave europiane

Paul Mason
“Lajme të mira për Europën”, është fjalia e parë e një komenti të një analize ekonomike. Nëse ju them që e ka shkruar një bankë investimesh, e cila ka mbështetur rreptësinë fiskale në eurozonë, mund ta imagjinoni se çfarë lloj lajmi i mirë është.
Pikërisht kështu, François Fillon (Thatcheri francez) është i gatshëm për një balotazh të mundshëm me Marine le Pen (Musolini francez) në zgjedhjet presidenciale të vitit tjetër. Berenberg, banka private që ka përhapur këtë koment, nuk ka humbur kohë për të festuar suksesin e Fillon në zgjedhjet primare të së djathtës franceze. “Me pakëz fat”, ka siguruar kryeekonomisti i institutit, Holger Schmieding, “2017 mund të sjellë më shumë shanse se sa risqe”. Shansi do të ishte një qeveri Fillon, pa një opozitë të besueshme socialiste, në gjendje të vërë në zbatim masa “në favor të rritjes”, duke sulmuar pagat, oraret e punës dhe shtetin social dhe duke pasuruar ata që zotërojnë dyzet miliardë euro në këtë bankë private. Kjo gjë tregon shumë për gabimet e mëdhaja në llogaritje që bëjnë elitat politike europiane.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i ka deklaruar një të përditshmeje austriake se nuk do të ketë hapa prapa në projektin federativ të Europës dhe se asnjë vend nuk mund të sprapset nga ekonomia e stanjacionit e administruar prej Brukselit. Të shohim nëse strategjia “largohu ose dyfisho bastin” e centristëve europianë do të japë fryte ose jo.
Për të kompletuar panoramën, sipas burimeve nga qeveria greke, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vendosur që të bëjë presion, me qëllim që Greqia të shkurtojë më tej shpenzimet e veta publike, nëse nuk dëshiron të rrezikojë një tjetër kolaps të sistemit bankar. E pavëmendshme ndaj sulmeve neonaziste në kampet për imigrantët në ishujt grekë, FMN (ashtu si dhe Komisioni dhe Banka Qendrore Europiane) arrin të shohë nga Uashingtoni, vetëm rregullat e shkruara dhe dokumentet e llogarive.
Për të qenë të qartë, duket se elita centriste europiane ka një makinë të vdekjes. Dhe nëse njihet kultura europiane, një eventualitet i tillë nuk duket dhe aq i largët. Në romanin e tij të vitit 1912, “Vdekja në Venecia”, Thomas Mann përshkruan dëshirën e vdekjes të kulturës kozmopolite europiane, përmes fiksimit dashuror të një të moshuari të sëmurë. Protagonisti, Aschenbach, banon në një hotel të madh në një Venecia të goditur prej murtajës. Duke shkruajtur dy vite përpara vdekjes së kozmopolizmit europian, Mann i njihte mirë tashmë arsyet përse multikulturalizmi do të mund të zhdukej. Në roman, autoritetet e qytetit mohojnë ekzistencën e murtajës dhe kështu krijojnë kushtet për përhapjen e saj. I lexuar shpesh thjesht si një parabolë mbi dashurinë dhe vdekjen, romani në të vërtetë flet në mënyrë eksplicite për tendencat vetëshkatërruese të atij që Mann e quan “shpirti europian”. Sot, multikulturalizmi ynë nuk është i brishtë si në belle epoque. Liritë e Schengenit janë, të paktën për qytetarët e bardhë, realë. Programi i shkëmbimit Erasmus ka pasuruar jetën e tre milionë studentëve europianë.
Por edhe kjo kulturë e globalizimit nga poshtë mund të shkatërrohet, sepse mund të ekzistojë vetëm në një mjedis të izoluar nga politika zyrtare. Nacionalizmi ka nisur të trokasë në derë. Dhe në fillim ka prodhuar paralizë dhe frikë. Kur pyeta të rinjtë që takova në festivalin ndërkombëtar të Ferrarës, në shtator, se si do i përgjigjeshin valës së re të ksenofobisë, më folën për Klandestinin e mirë, një lëvizje e rikthimit tek toka, që promovon shkëputjen nga ekonomia zyrtare, si një strategji mbijetese kundër masave të shtrëngimit. Nuk jemi më përballë një elite transnacionale e të sigurtë në vetvete, si ajo e përshkruar nga Samuel Huntingtoni, i cili i quante qeveritë “mbetje të të kaluarës, dobia e vetme e të cilave është lehtësimi i operacioneve globale të elitave”. Sot, klasat drejtuese duhet të bëjnë llogaritë me një lëvizje ndërkombëtare të të djathtës ekstreme, kompaktësia e të cilës rritet me të njëjtin ritëm që bie ajo e globalistëve. Mund t’i japim fund gjithë kësaj. Por vetëm nëse heqim dorë nga kërkesat për rreptësi fiskale, privatizime, orare pune më të gjata, paga më të ulëta dhe shkatërrimin e të ardhmes së të rinjve. Për këtë arsye qendra e djathtë franceze, në atë pak kohë që i mbetet, duhet të gjejë diçka më të mirë se sa Fillon.

NATO-BE, nis e epoka e bashkëpunimit të ngushtë

John Kerry u premton aleatëve të NATO-s, se SHBA-ja do të jetë një aleat i besueshëm edhe nën drejtimin e presidentit Donald Trump. Manovrat paralele, shkëmbim më i fortë informacioni dhe koordinim i ngushtë në rastet e sulmeve të hakerëve dhe krizave: NATO dhe BE-ja do të bashkëpunojnë më ngushtë. Ministrat e Jashtëm të NATO-s miratuan rreth 40 projekte për mbështetjen e ndërsjellë mes tyre. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e sheh këtë si një element të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes Evropës dhe SHBA-së.
Stoltenberg e quajti marrëveshjen si një “moment historik” në bashkëpunimin dypalësh. Kjo marrëveshje për të cilën u ra dakord në parim në korrik në samitin e NATO-s në Varshavë ngrihet mbi një bashkëpunim “shumë konkret dhe pragmatik”. Në të njëjtën kohë “lidhjet e forta ndërmjet NATO-s dhe BE-së” dhe “i afrojnë Amerikën e Veriut dhe Evropën edhe më tej”, tha Stoltenberg.

Bashkëpunim në fushën e kërcënimeve hibride dhe refugjatëve
Të dyja palët kanë për qëllim të bashkëpunojnë në një “Qendra Evropiane për Mbrojtjen e kërcënimeve hibride”, e cila do të themelohet vitin e ardhshëm. Perëndimi e akuzon Rusinë se ka përdorur taktika të tilla në konfliktin në Ukrainë. Ato bazohen tek mashtrimi dhe turbullimi dhe jo tek përdorimi i mjeteve ushtarake konvencionale. Fjala është për përdorimin e mjeteve të propagandës dhe të dezinformimit, si dhe për presion ekonomik dhe sulmeve të hakerëve dhe i njësive ushtarake që veprojnë në fshehtësi.
Po ashtu, së bashku NATO dhe BE-ja duan të mbështesin vendet partnere periferike për shembull, në Lindjen e Mesme ose Afrikë për ndërtimin e strukturave të sigurisë. NATO-ja po e mbështet BE-në në krizën e refugjatëve. Në Detin Egje patrullon një mision detar i NATO-s që mbikëqyr situatën në bregdetin turk.

Trumpi dhe raporti me Rusinë
Marrëdhënia me Rusinë ishte tema e dytë e madhe në takim. Stoltenberg tha se ndaj Moskës do të vazhdojë të ndiqet një “qasje me dy shina”: NATO-ja do të vazhdojë nga njëra anë të tregojë forcën dhe aftësinë e saj për mbrojtje kolektive, por do të vazhdojë t’i mbajë të hapura kanalet për dialog me Rusinë.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u premtoi aleatëve të NATO-s, se vendi i tij do të jetë një aleat i besueshëm edhe nën drejtimin e presidentit Donald Trump. “Ndryshimi i qeverisë në Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndryshojë faktin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të patundura ndaj idealeve dhe angazhimeve kundrejt NATO-s”, tha ai.

Obama: Lufta kundër terrorit nuk është luftë kundër islamit

Në fjalimin e tij të fundit mbi sigurinë kombëtare, presidenti Barack Obama falënderoi trupat amerikane për ruajtjen e sigurisë në Amerikë dhe pa përmendur emrin e tij, hodhi poshtë thirrjet e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në SHBA dhe mbështetjen e shprehur gjatë fushatës së tij për përdorimin e torturës.
Në fjalimin e tij para trupave në bazën ajrore MacDill në shtetin juglindor të Floridës, presidenti Obama tha se, “gjatë tetë viteve të shkuara asnjë organizatë terroriste nuk ka arritur të planifikojë dhe të përmbushë ndonjë sulm në atdheun tonë”, duke nënvizuar se kjo nuk do të thotë që nuk ka pasur përpjekje. “Kjo është rezultat i punës suaj”, u tha ai trupave.
Para fjalimit ai takoi dhe falënderoi komandën qendrore dhe udhëheqësit e operacioneve të posaçme në MacDill.
Presidenti Obama shpalosi pikëpamjet e tij për gjendjen e luftës kundër terrorizmit, pas dy mandateve të tij, duke marrë duartrokitje të fuqishme kur tha se udhëheqësi i Al-Kaidës, Osama bin Laden, është i vdekur.
Ai tha me krenari që kur kishte marrë postin, 180 mijë trupa amerikanë ishin në Irak e Afganistan, ndërsa ky numër tashmë ka zbritur në 15 mijë.
Ai tha se shkurtimi i trupave tokësore në zonat e luftës, shënon ndryshimin e strategjisë për t’u mbështetur më shumë në ngritjen e koalicioneve të fuqishme ndërkombëtare dhe mbështetjes në partnerët lokalë, me qëllim të zvogëlimit të viktimave amerikane dhe të shpenzimeve.
Presidenti Obama theksoi përparimin e arritur në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik. “Kryesorja ne po i thyejmë kurrizin ISIS-it”. Ai tha se kostoja ishte shumë më e ulët sesa gjatë administratave të mëparshme.
Ai tha se me gjithë përparimin e arritur, puna nuk është kryer, ndërsa theksoi se gjatë viteve të fundit, sulmet më vdekjeprurëse në vend janë kryer nga “individë vendas të izoluar dhe të radikalizuar nëpërmjet internetit”.
“Terroristët e sotëm mund të vrasin njerëz të pafajshëm, por nuk paraqesin kërcënim ekzistencial për kombin tonë”, tha presidenti Obama, duke theksuar se terroristët janë vrasës e banditë dhe si të tillë duhet të trajtohen.
Presidenti Obama tha se administrata e tij e ka ndaluar torturën. “Mbështetja e vlerave tona dhe respektimi i sundimit të ligjit, nuk është dobësi. Në fakt është fuqia jonë më e madhe”, tha ai.
Gjatë fushatës, Donald Trump, u zotua për qëndrim më të ashpër ndaj terroristëve dhe familjeve të tyre dhe se e mbështet torturën.
Presidenti Obama tha se është koha e fundit për të mbyllur burgun në Gjirin e Guantanamos, duke e cilësuar atë “një njollë” për Amerikën.
Duke kritikuar thirrjet e zotit Trump për ndalimin e myslimanëve, presidenti Obama tha se lufta kundër terrorit nuk mund të jetë luftë kundër islamit, duke shtuar se, “mbrojtja e lirisë është diçka që e bëjmë për të gjithë amerikanët, jo vetëm për disa”.

Trump: Të anulohet blerja e avionit të ri presidencial

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump i kërkoi qeverisë të anulojë blerjen e një avioni të ri presidencial Boeing, duke thënë se kushtonte shumë shtrenjtë dhe ishte diçka “qesharake”.
“Boeing, shkruante zoti Trump në Twitter, është duke ndërtuar një avion të ri 747 për presidentët e ardhshëm, por shpenzimet janë jashtë kontrollit, më shumë se 4 miliardë dollarë. Të anulohet porosia!”. Forca Ajrore amerikane njoftoi janarin e kaluar se një avion i ri Boeing 747 seria 8 do të përdoret për të zëvendësuar dy avionët që përdoren tani për të transportuar presidentin.
Avionët presidencialë të njohur me emrin “Air Force One” janë ndër simbolet më të njohura të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit. Hollësitë rreth çmimit të kontratës së re nuk janë bërë publike, por Forca Ajrore kishte njoftuar më parë se kishte planifikuar 1.65 miliardë dollarë për zëvendësimin e dy avionëve.

Kush është Gjenerali James Mattis?

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump emëroi Gjeneralin James Mattis për postin e sekretarit të Mbrojtjes. Gjenerali në pension ka një karrierë të gjatë në ushtri dhe njihet edhe si studiues.
Njeriu i zgjedhur nga zoti Trump për sekretar të Mbrojtjes është Gjenerali në pension James Mattis. Ai ka shërbyer si komandant i Komandës Qendrore amerikane, e cila drejton operacionet në Lindjen e Mesme, si dhe si komandant i Forcave Supreme të NATO-s.
Përkushtimi ndaj misionit që ka treguar përballë forcave armike në Afganistan dhe Irak u bë shkaku që mori nofkën “qen i zemëruar” – një epitet që në gjuhën angleze reflekton reputacionin dhe respektin që ai gëzonte si një komandant që nuk njihte sprapsje, që nuk epej kollaj.
“Si ushtarak, si marins, ai ka vepruar gjithnjë me besnikëri ndaj kontigjentit të tij; ndaj ushtarëve që shërbenin me të. Kur e takova për herë të parë në Nangahar të Afganistanit, në një kohë që kishte plasur një betejë e ashpër më 2006, pashë që ishte një komandant me një fuqi të madhe frymëzuese. E di që unë gjeja frymëzim prej tij”, thotë Gjenerali John Nicholson.
Ekspertët vënë në dukje që ai është edhe ushtarak, edhe studiues.
“Ai konsiderohet si një ndër njerëzit me bagazhin më të madh të njohurive nga librat, si dhe nga eksperienca në terren në këtë brez gjeneralësh”, thotë Michael O’Hanlon i Institutit Brookings.
Analisti Michael O’Hanlon beson se eksperienca dhe përgatitja e tij e kanë bërë Gjeneralin Mattis më praktik se shumë komandantë të tjerë lidhur me vlerën dhe të metat e fuqisë ushtarake.
“Është gjë e mirë që një ushtarak me përvojën dhe kredibilitetin e Gjeneralit Mattis po këshillon Donald Trumpin, pasi zoti Trump do t’ia dëgjojë fjalën një njeriu të tillë dhe mendoj se do të jetë më i prirur të bindet nga argumentet për të mos përdorur forcën, nëse ia sugjeron dikush si Gjenerali Mattis”.
Para se të konfirmohet kandidatura e tij, Kongresi duhet të miratojë një përjashtim nga ligji që ndalon emërimin e gjeneralëve në postin e shefit të Pentagonit, pa mbushur shtatë vjet në pension nga karriera ushtarake. Mattis ka qenë në pension prej tre vjetësh.
Ligji synon të krijojë një shkëputje kohore mes shërbimit ushtarak dhe udhëheqjes civile të departamentit.
Kongresi e ka bërë më parë një përjashtim të tillë kur lejoi Gjeneralin e Luftës II Botërore, George Marshall të shërbente si sekretar i Mbrojtjes më 1950.

I pandalshmi Donald Trump

Telefonata me Taivanin, udhëtimi në Indianapolis, fluturimi tek Nigel Farage, takimi me Al Gore, nuk janë gjë tjetër veçse fillimi. Për të qenë të sigurtë, lidhni rripat e sigurimit. Nga sot e deri më 20 janar, do të kemi dëgjime ankesash, alarme krizash të afërta, pakënaqësi të përhapura lidhur me paedukatë diplomatike, do të dëgjojmë me dhjetëra, por Trump është Trump dhe për faktin që si Trump është bërë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Trump do të vazhdojë të sillet për të bërë pikërisht Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Për ata që kanë ankesa, më mirë të hapin krahun.
Presidenti i sapozgjedhur e trajton politikën e jashtme në mënyrë krejtësisht heterodokse, e trajton Partinë Republikane në mënyrë krejtësisht ndryshe, e trajton grupin e familjes dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë në mënyrë krejtësisht pa paragjykime, pa pasur aspak frikën se po shkel këmbë apo se po uzurpon rolet e dikujt. Përgatituni për fishekzjarre me Bashkimin Europian.
Le të marrim ndodhinë e telefonatës me Taivanin, vend të cilit, për të thënë një gjë të vetme, Obama i shet 2 miliardë dollarë në vit, por me të cilin një president nuk flet prej 36 vitesh për të mos e sëkëlldisur Kinën unike. Ky problem nuk i takon Donald Trump, që e prish traditën pa pritur aspak as përfundimin e fazës së tranzicionit siç e do zakoni, domethënë ai rregulli i pashkruar, që Barack Obama e ka kujtuar me keqardhje dy ditë më parë, që e do që të ketë vetëm një president për radhë. Jo, Donald Trump futet në tavë me të dyja këmbët e tij.
Pranon një telefonatë sigurisht jo të rastësishme nga presidenti i Taivanit dhe kur nisin polemikat nëpërmjet shtypit të fryra nga Pekini dhe nga Departamenti i Shtetit në detyrë, ai çfarë bën? Bën një tweet të bukur: “Interesante sesi Shtetet e Bashkuara i shesin Taivanit miliarda dollarë në furnizime ushtarake, por unë nuk do të duhet të pranoj një telefonatë përgëzimi”. 140 karaktere për t’i bërë të gjithë të parëndësishëm, siç edhe janë tashmë dhe jo vetëm në Shtetet e Bashkuara.
Trump dhe zëvendësi i tij Mike Pence shkojnë në Indiana, shteti i të cilit zëvendëspresidenti ishte senator dhe bllokojnë një transferim kompanie në Meksikë, domethënë bindin fabrikën e kondicionerëve “Carrier” që të mbajnë 1000 vende pune. Për ta bërë, natyrisht që premtojnë miliona dollarë në stimulues, konfirmojnë se administrata e re do t’i ulë në mënyrë drastike taksat ndaj kompanive, kërcënojnë për hakmarrje lidhur me furnizimet ushtarake për shtëpinë nënë dhe marrëveshja është përfunduar gjatë tranzicionit.
Nuk përfundon këtu, pasi Donald Trump përderisa bën sipas mënyrës së vet dhe siç duket do të bëjë saktësisht ashtu siç ka fituar, përgatit një tweet tjetër kushtuar kushërinjve anglezë dhe i destinuar që të përcëllojë. “Shumë njerëzve nuk do t’u pëlqente ta shihnin Nigel Farage që ta përfaqësonte Britaninë e Madhe si ambasadorin e saj, do të bënte një punë të madhe”.
E kotë të nënvizohet se një ambasador në Uashington është dhe ideja e një ndërhyrjeje e presidentit të ardhshëm bën të cenohet ndjeshmëria e Londrës së vjetër, por kjo nuk e ndalon të sapozgjedhurin Donald Trump. Dikush e kupton, të tjerë jo, por rregullat e shenjta vlejnë çdo ditë e më pak dhe siç e shpjegon me dy fjalë Ari Fleischer, i cili ka qenë bashkëpunëtor i afërt i George W. Bush e që tani është në numrin e pafundëm të kandidatëve për sekretar Shteti, “Donald Trump është zgjedhur për të ndryshuar mënyrën sesi ecnin gjërat. Mua më pëlqen dhe kënaqem ta shikoj sesi e bën”.
Bën sa nuk ta merr mendja, si të presë tashmë shumë të plakurin dhe të rënin Al Gore, i cili qe zëvendëspresident i suksesshëm me Bill Clinton, humbi keq ndaj Bush dhe u transformua me kalimin e viteve në një kalorës tejet fanatik të lëvizjes ekologjike dhe të gjelbër. Gjatë këtyre ditëve Jill Stein, kandidatja e Partisë së Gjelbër, udhëheq kryqëzatën për rinumërimin e votave në 3 shtete, që është një mënyrë si një tjetër për të të çarë dërrasat gjatë tranzicionit, faktikisht e bën me paratë e demokratëve të paepur të kryesuar nga George Soros.
Çfarë të bën atëherë Donald Trump? Pret krye të Gjelbërin, flet gjatë me të, i jep premtime të pamundura ose të mundura, kush e di?, lidhur me marrëveshjet për klimën, mbrojtjen e mjedisit dhe ajo që ja sjell demokratin në një pjatë të argjendtë është e bija Ivanka, në dëshmi të frikës së dytë të madhe që mbretëron në tavolinat e punës të Departamentit të Shtetit.
Është e vërtetë që fëmijët dhe dhëndri do të bëjnë ambasadorët ad personam dhe se në këtë mënyrë do të arrijnë të mashtrojnë rregullat e shenjta që ndajnë çështjet e politikës së jashtme, rregulla veç të tjerash të plaçkitura pa shumë pretekste nga Hillary Clinton. Sigurisht, Ivanka është kudo, nga takimi me kryeministrin japonez në të tjerë më të rezervuar me personazhe të rëndësishëm të dërguar nga Vladimir Putin, pa llogaritur raportin e privilegjuar që dhëndri Jared Kushner ka pasur gjithmonë me Izraelin dhe që tani mediat e të gjithë botës e kanë zbuluar papritur.
Nuk bëhet kështu, sokëllijnë në Foggy Bottom dhe “politico.com” e përcjell menjëherë, dikush t’ia kujtojë Trump se ka 1000 punonjës që punojnë në politikën e jashtme amerikane. Por presidenti i sapozgjedhur nuk ka takuar ende as edhe një prej tyre.
Nga ana tjetër, është pikërisht ai i sekretarit të Shtetit vendi ende për t’u mbushur, ndërsa lista e kandidatëve zgjatet çdo ditë dhe duket se Presidenti nuk e ka ndërmend ta mbushë me ngut. Më në përgjithësi, Donald Trump është preokupuar që të kompletojë sa më shpejt pothuajse të gjithë pjesën qeveritare lidhur me administratën e tij dhe merr më shumë kohë për emërimet e të ashtuquajturit kabinet.
Së fundi, gjendja e Partisë Republikane, që po të dëgjojë disa eksponentë të saj dhe pothuajve të gjitha mediat deri në zgjedhje, ose nuk ishte me Trump, ose gjithsesi do të revoltohej ndaj tij. Kurse të gjithë tani janë vënë në rresht për të lypur një post, t’i kërkojnë që të ruajnë atë që kanë, t’i luten sepse po bëhet gati t’i largojë. Por kjo meriton një shkrim tjetër, tranzicioni është në mesin e tij. E rëndësishme është që në New York do të bëhet takimi me Henry Kissinger, i cili është kthyer nga Pekini dhe të premten ka takuar edhe presidentin Xi Jinping, pikërisht në momentet kur shpërthente polemika e telefonatës së Trump me presidentin e Taivanit.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Robben zbulon zakonin e keq të Vidalit

Arturo Vidal ka fituar zemrën e tifozëve të Bajernit të Mynihut dhe dashurinë e shokëve të skuadrës, që kur u transferua në klubin gjerman nga Juventusi, një vit e gjysmë më parë. Por, kjo nuk do të thotë se mesfushori nga Kili nuk ka defekte dhe një nga këto u zbulua nga Arjen Robben, i cili, në një intervistë për CNN nxori në dritë disa nga të “palarat” e ekipit.
Kur holandezi u pyet për lojtarin më të çrregullt në dhomat e zhveshjes, ai tha: “Pa dyshim, Arturo Vidal”. Robben, i cili ka më shumë se 7 sezone në radhët e Bajernit, veçoi Boatengun dhe Alabën si shokët që ndjekin më shumë modën, ndërsa Ribery dhe Muller ishin ata që kishin më shumë humor.

Aubameyang: Një ditë do të shkoj te Reali

Pierre Emerick Aubameyang deklaron se, një ditë mund të jetë pjesë e Realit të Madridit. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “AS”, sulmuesi i Borusia Dortmund i ka bërë një premtim gjyshit të tij të ndarë nga jeta në vitin 2014, se do të bëjë gjithçka që një ditë të veshë fanellën e Los Blancos. Aubameyang nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të qenë pjesë e Realit të Madridit dhe të mërkurën në “Santiagio Bernabeu” do të bëjë të pamundurën për të rënë akoma më shumë në sy në përballjen që verdhezinjtë do të kenë ndaj kampionëve në fuqi të Europës.
Ndërkaq, vetë Reali i Madridit e ka identifikuar Aubameyang si blerjen galaktike për t’u kthyer në merkato pas bllokimit të saj nga ana e FIFA, ndërkohë që te Dortmundi dëshira më e madhe është që ta mbajnë në Gjermani futbollistin nga Gaboni.
Nëse ndonjë klub do të bëjë ofertë për Aubameyang, do ta marrim në konsideratë atë, por nuk do të jetë e lehtë të arrihet një marrëveshje me ne. Duam qëndrimin e Aubamyang që ka rinovuar deri në 2020”, deklaroi përpara pak kohësh drejtori i përgjithshëm i Dortmundit, Watzke. Vlera e kartonit të Aubameyang është përcaktuar mbi 80 milionë euro, një shifër kjo që nuk përbën ndonjë pengesë të madhe për Realin e Madridit.