Stefano Pioli nuk është aspak i shqetësuar nga fjalët e Diego Pablo Simeones, i cili është shprehur se në të ardhmen do të drejtojë Interin. Trajneri aktual i zikaltërve mendon se kolegu i tij argentinas thjesht ka bërë publike një dëshirë, ndërkohë që ai vetë do të qëndrojë për një kohë të gjatë në detyrën që mban.
“Unë jam i përqendruar në punën time. Kam besimin e drejtuesve dhe po punoj për ta çuar Interin aty ku e meriton. Mendoj se Simeone ka shprehur thjesht një dëshirë. Ju e dinë se synimi im është të qëndroj sa më gjatë që të jetë e mundur në krye të Interit. Jam pjesë e një klubi të madh e që ka në përbërje lojtarë të mëdhenj. Kemi ende mundësi dhe potencial për të arritur objektivat që na kanë mbetur, edhe pse jemi prapa në renditje. E vërteta është se unë stërvis Interin, ndërsa Simeone Atleticon, të dy jemi të përqendruar në gjërat tona”, u shpreh Pioli.
Interi do të luajë ndaj Spartës së Pragës në “San Siro” takimin e fundit në Europa League, pasi zikaltrit matematiksiht janë jashtë këtij kompeticioni. “Tashmë jemi jashtë Europa Leagues, kështu që kjo ndeshje e fundit do të jetë një shans për ata që kanë luajtur më pak. Duhet të bëjmë atë që nuk kemi arritur ta bëjmë deri tani në këtë kompeticion”, tha trajneri i Interit.
Rezultatet zhgënjyese të Interit në këto javë të shoqëruara edhe me deklaratën publike të Diego Pablo Simeones se do të ulet në stolin e zikaltërve në të ardhmen, nuk kanë kënaqur edhe aq trajnerin aktual të kësaj skuadre, Stefano Piolin. I pyetur në konferencën për shtyp para ndeshjes së Ligës së Europës rreth deklaratës së argjentinasit, tekniku aktual ishte dukshëm i bezdisur nga situata.
“Unë mendoj vetëm se, gjëja reale aktualisht është se unë drejtoj Interin dhe Simeone drejton Atletikon. Të dy duhet të rrimë të përqendruar dhe të mendojmë për punën tonë”, ishin fjalët e trajnerit të Interit që duket se është i ndërgjegjshëm se në momentin kur argjentinasi të trokasë në dyert e zikaltërve, ai do të largohet menjëherë nga drejtimi.
Por për çfarë mund të luftojë Interi, i cili gjendet jashtë Europës dhe shumë larg kreut në Serinë A nën drejtimin e Piolit? “Nuk jemi as në gjysmën e sezonit. Është e vërtetë që duhet të ndjekim të tjerët dhe ka shumë pikë diferencë me ekipet e para. Por kemi potencialin për të fituar shumë ndeshje. Pastaj është edhe Kupa e Italisë…”, ishte përgjigja e Piolit.
Të paktën, ai ka marrë konfirmimin se një nga lojtarët më në formë, Marcelo Brozoviç, nuk do të largohet shpejt nga klubi, pasi ka vendosur të rinovojë kontratën e tij. Zyrtarizimi erdhi nga klubi në rrjetet sociale, ku u bë publike firma e kroatit për zgjatjen e marrëveshjes deri në vitin 2021.
Interi jashtë gare
Deshamp: “Pogba nuk ka për ta fituar kurrë “Topin e Artë”
Pol Pogba e ka deklaruar vazhdimisht se ëndrra e tij është që një ditë ta fitojë “Topin e Artë”. Megjithatë, për trajnerin e tij te kombëtarja e Francës, Didier Deshamp, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë.
“Pol është mesfushor, ndërsa ‘Topi i Artë’ u jepet sulmuesve ose numrave 10, me përjashtime të rralla. Këta janë lojtarë që shënojnë një mal me gola, kurse Pogba e bën ndonjë, por jo dy-tre për ndeshje. Nuk është kjo detyra e tij”, u shpreh tekniku Deshamp për “RMC”.
Në fakt, ky mendim është i njëjtë me atë të shprehur disa muaj më parë nga trajneri tjetër i mesfushorit, Zhoze Murinjo: “Kur flitet për lojtarët më të mirë në botë, mendja shkon menjëherë tek ata që shënojnë shumë. Në 2006-ën, Kanavaro triumfoi vetëm se ishte kapiten i Italisë kampione bote dhe se nuk kishte fenomenë si sot. Maldini nuk e ka fituar, as Zaneti”.
“Pogba, theksonte Murinjo, nuk mund të shënojë kurrë aq sa Ronaldo e Mesi. Nuk mund të arrijë dot as çerekun. Po flasim për një ndër mesfushorët më të mirë në botë, por në një sezon të vetëm, vështirë të arrijë kuotën e 20 golave”.
Thiago Silva te PSG, luks dhe miliona në akordin e ri
Në Paris po zbulohen detaje të shumta të kontratës së re që firmosi Thiago Silva me skuadrën kampione të Francës në futboll. “Mediapart” dhe “Football Leaks” kanë renditur një sërë privilegjesh dhe bonusesh që mbrojtësi qendror i PSG fiton nga pronari i skuadrës Naser Al Khelaifi, i aftë të joshë përmes milionave shumë prej yjeve më të njohur. Thiago Silva fiton 8 milionë euro në vit nga parizienët që japin gjithashtu premio të ndryshme. 400 mijë euro për titullin, 300 mijë çdo sezon për kualifikimin në Champions, 250 mijë për Kupën e Francës, por jo vetëm kaq.
Nëse mbrojtësi i kombëtares braziliane merr pjesë në 60% të ndeshjeve sezonale, përfiton 350 mijë euro të tjera shtesë nga akordi me PSG. Gjithsesi, skuadra e kryeqytetit transalpin ka në bilancin e saj financiar edhe shumë favore për Thiago Silvën. PSG i garanton futbollistit 12 mijë euro në muaj për shtëpinë në një prej lagjeve më shik të Parisit, fluturime luksi drejt Brazilit thuajse çdo muaj, bileta në lozhën VIP, dhe e fundit… 33 mijë euro për respektimin e rregullave etike. Por çfarë do të thotë kjo në kontratën me PSG. Nëse kapiteni eviton kritikat publike ndaj skuadrës dhe shuan konfliktet e brendshme, atëherë vlerësohet me një çek të majmë në llogarinë bankare që është kthyer në minierë ari.
Nga Kina: 400 mijë paundë në javë për Alexis Sanchez
Alexis Sanchez ende nuk ka rinovuar kontratën me Arsenalin, një situatë kjo që po monitorohet me vëmendje në Kinë. Sipas tabloidit “Daily Mirror”, disa klube të Superligës kineze do të tentojnë të sjellin sulmuesin kilian në Lindjen e Largët. Gjithnjë sipas “Daily Mirror”, drejtuesit e këtyre ekipeve janë gati t’i ofrojnë Sanchezit kontratë me një pagë prej 400 mijë paundësh në javë, që e bën atë futbollistin më të paguar.
Te Arsenali janë të ndërgjegjshëm për këtë interes të klubeve kineze dhe shqetësimi nuk mungon. Kjo për arsye se, “Topçinjtë” nuk mund të konkurrojnë me ta përsa i përket ofertës financiare në drejtim të Sanchezit, që në fund mund të vendosë të mos e zgjasë kontratën me londinezët.
Kontrata aktuale e Sanchezit me Arsenalin skadon në vitin 2018, me kilianin që paguhet 130 mijë paundë në javë. Kiliani kërkon që të jetë ai futbollisti më i paguar te Arsenali me klubin që është në një situatë të vështirë. Gjithsesi, Arsenali ka menduar për alternativën e Sanchezit, nëse ky vendos të largohet. Klubi londinez do të tentojë të sjellë në “Emirates Stadium”, Marko Reus nga Borussia Dortmund.
Shtyhet për në mars shitja e Milanit
Tashmë është zyrtare, shitja e aksioneve të Milanit shtyhet për të disatën herë. Gjatë muajve të fundit ishte folur për zyrtarizimin e marrëveshjes me kinezët e “Sino Europe Sports” në 13 dhjetor, por tashmë ka një datë të re, 3 marsi i vitit 2017. Dy vjet nga nisja e bisedimeve, kjo histori po shtyhet vazhdimisht, duke u kthyer në një telenovelë të vërtetë, sepse fondi kinez ka nevojë për kohë që të arrijë të grumbullojë të gjithë shumën e kërkuar nga Silvio Berlusconi. Fillimisht, kërkohet që pronarët e rinj të derdhin një kapar prej 100 milionë eurosh pas 100 të tjerave që janë derdhur fillimisht për firmën paraprake që u siglua në datën 5 gusht.
Në parim, pronari i Fininvest ka rënë dakort që të shesë 99.93% të aksioneve për 520 milionë. Por çfarë do të ndodhë deri në mars? Merkatoja e janarit është shumë pranë dhe Milani duhet të mendojë për të forcuar sa më shumë ekipin aktual që është në garë për një vend në Champions League. Berlusconi nuk ka ndërmend të bëjë investime të rëndësishme në merkato dhe paratë në arkën e klubit mungojnë. Lëvizjet e pakta në merkato do të jenë të detyruara nga shitjet që do të bëjë klubi. Në këtë mënyrë, Milani vazhdon të mbetet në një udhekryq të rrezikshëm dhe në rast se drejtuesit aktualë nuk do ta zgjidhin problemin as në muajin mars, atëherë për kuqezinjtë mund të jetë fillimi i një tjetër cikli krizash.
CAS lë në fuqi pezullimin për Sepp Blatter
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës konfirmoi këtë të hënë vendimin e marrë nga Komisioni i Apelit në FIFA për pezullimin e ish-presidentit të FIFA-s, Sep Blatter nga të gjitha aktivitet sportive për 6 vitet e ardhshme.
Anëtarët e shkallës më të lartë të drejtësisë sportive vendosën ta hidhnin poshtë apelimin e Blatter, i cili është akuzuar për një pagesë të paligjshme prej 2 milionë frangash zvicerane për llogari të ish-presidentit të UEFA-s, Michel Platini për një shërbim konsulence në vitet 1998-2001.
Për këtë akuzë Blatter u detyrua të jepte dorëheqjen nga FIFA-për të mos u lejuar më pas që të mbante një post drejtuesi në organet sportive për një periudhë 6-vjeçare.
Zvicerani 80-vjeçar deklaroi pas këtij vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv se gjatë 41 viteve në FIFA kishte mësuar që në sport mund të fitosh dhe të humbasësh. Duke parë sesi rrodhën ngjarjet, Blatter theksoi se nuk priste të ndodhte ndryshe, por gjithsesi ishte i kënaqur për kontributin që kishte dhënë për futbollin dhe FIFA-n për më shumë se 4 dekada.
Siti befasohet nga Sëlltik në shtëpi
Sëlltikut i mjaftuan vetëm katër minuta për të befasuar Mançester Sitin në ndeshjen që u luajt dje. Formacioni skocez gjeti golin me 19-vjeçarin Patrik Roberts, i cili në fakt është lojtar në pronësi të “Qytetarëve”. Këta të fundit e kanë huazuar mesfushorin me tipare sulmuese, madje i paguajnë edhe rrogën.
Siti e lejoi futbollistin të zbriste në fushë, pasi për ta kjo ndeshje nuk ka rëndësi. Cilido qoftë rezultati, ekipi i Pep Guardiolës kualifikohet si i dyti në Grupin C, pas Barcelonës.
Megjithatë, skuadra nga Mançesteri ka në gjirin e vet një tjetër talent, Keleçi Iheanaço, i cili barazoi rezultatin vetëm katër minuta më pas.
Hakmerret Bajerni
Bajerni i Mynihut arriti të “hakmerrej” ndaj Atletikos së Madridit duke fituar me rezultatin 1-0 falë një supergoli të Robert Levandovskit nga goditja e dënimit në minutën e 28. Kjo ndeshje luhej thjesht për statistikë pasi dy ekipet e kishin siguruar kualifikimin. Atletiko e mbylli në vendin e parë me 15 pikë, ndërsa Bajerni i dyti me 12 pikë.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër mes PVS Eindhovenit dhe Rostovit nuk pati gola duke bërë që ndeshja në Holandë të mbyllej në barazim 0-0. Me këtë rezultat Rostov arrin të mbajë vendin e 3-të me 5 pikë duke u kualifikuar për në Ligën e Europës, ndërsa PSV-ja e mbyll këtu aventurën europiane duke grumbulluar vetëm 2 pikë për t’u renditur e fundit në grup.
Napoli dhe Benfica janë dy ekipet që kualifikohen në fazën e 1/8 të UEFA Champions, me jugorët që mundën të zënë vendin e parë në grup pasi triumfuan 2-1 në “Da Luz”. Callejon dhe Mertens ishin protagonistët e jugorëve në këtë sukses, teksa realizuan të dy në pjesën e dytë të sfidës ndërsa Raul Jimenez shkurtoi diferencën. Turqit e Beshiktashit shkatërruan vetë çdo mundësi kualifikimi pasi morën një humbje turpëruese përballë Dinamos së Kievit me rezultatin 6-0, ku shënuan 6 lojtarë të ndryshëm. Beshiktash e mbylli ndeshjen me 9 vetë pas daljes me të kuq të Beck dhe Aboubakar. Gjithsesi pavarësisht këtij suksesi në Europa League do të shkojë Beshiktashi që e mbylli grupin me 7 pikë, ndërsa ukrainasit me pesë.
Në Grupin A, Arsenali arriti të sigurojë vendin e parë pas një fitoreje 4-1 në transfertë me Bazelin, ku Lucas Perez ishte heroi i sfidës me një 3 golësh, ndërsa një tjetër e realizoi Iwobi në të 54-trën. Për vendasit golin e vetëm e shënoi Doumbia. PSG që thjesht duhet të fitonte për të patur vendin e parë “ngeci” në shtëpi kundër Ludogoretsit pasi barazoi 2-2, me bullgarët që falë kësaj pike kualifikohen në Europa League. Barcelona e mbylli me një fitore të thellë ndaj Gladbach fazën e grupeve duke mundur 4-0 Gkladbach në shtëpi. Protagonisti kryesor megjithatë ishte Arda Turan që shënoi një 3 golësh në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa golin e parë të sfidës e realizoi Messi. Celtic mundi të barazonte 1-1 në transfertë me City, por gjithsesi nuk arriti të kalojë në Europa League pasi ky vend i takoi formacionit gjerman. Ndeshja u vendos mjaft shpejt, me miqtë që shënuan në të 4-trën me Roberts ndërsa Ihenacho barazoi rezultatin në të 8-tën.
Ventura: Itali-Shqipëri ndeshja më e vështirë!
Trajneri i kombëtares italiane të futbollit, Xhampiero Ventura, ka qenë ditën e djeshme për një vizitë në Palermo, qyteti ku do të zhvillohet ndeshja e 24 marsit për kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018” mes axurrëve dhe kombëtares shqiptare të drejtuar nga De Biazi. Në një prononcim për sajtin zyrtar të klubit të Palermos, ai e cilësoi ndeshjen Itali-Shqipëri si ndeshjen më të vështirë të të gjithë edicionit kualifikues. “Uroj që faktori fushë të ndjehet në këtë stadium. Sa herë që kam luajtur në Palermo si kundërshtar më ka bërë gjithmonë përshtypje ngrohtësia e publikut në stadium. Do të ishte shumë bukur nëse Palermo do na jepte një dorë në këtë drejtim. Kjo do të jetë ndeshja më e vështirë e të gjithë grupit. Nëse nuk mundim Shqipërinë, atëherë bëhet e vështirë të shpresojmë të kalojmë grupin në vendin e parë.
Në këtë pikë, një fitore në Spanjë nuk do të na shërbente më. Itali-Shqipëri është ndeshja më e rëndësishme e këtyre dy viteve. E zhvillojmë në Palermo sepse Palermo ka treguar gjithmonë dashuri të madhe ndaj kombëtares. Shpresoj që kjo ndeshje të jetë një ogur i mirë edhe për klubin që nuk po kalon një periudhë edhe aq të lehtë dhe po ndjek mbijetesën”, tha Ventura.
Basha pezullohet për dy javë
Prova televizive dënon Migjen Bashën. Mesfushori shqiptar i skuadrës së Barit është vënë në qendër të vëmendjes nga ana e Gjykatësit Sportiv të Serie B, i cili e ka dënuar me dy ndeshje lojtarin. Sipas vendimit të shpallur nga disiplina, Basha rezulton fajtor pasi në minutën e 29 të pjesës së dytë ka penguar qëllimisht topin me dorë dhe në këtë rast nuk ka lejuar që sfera të shkonte në rrjetë. Bëhet fjalë për ndeshjen e javës së 17 të Serie B mes Barit dhe Salernitanës ku skuadra puljeze fitoi pastër 2-0.
Në vendim theksohet gjithashtu se ky është një gjest antisportiv që nuk u pa nga gjyqtari gjatë ndeshjes dhe në këtë mënyrë, Gjykatësi Sportiv ndërhyri nëpërmjet provës televizive që në Itali ka nisur të aplikohet prej disa vitesh. Në këtë mënyrë, Basha do të humbasë dy ndeshjet e radhës, transfertën e Pisas dhe takimin që do të luhet në datën 17 dhjetor në “San Nicola” të Barit. Aktualisht skuadra puljeze renditet në vendin e 9 të klasifikimit të Serie B me vetëm 2 pikë më pak se Virtus Entella që mban vendin e fundit të përballjeve play off. Gjatë këtij sezoni Basha është aktivizuar titullar në 9 ndeshje ku ka shënuar edhe 1 gol.