16 gola të shënuar te Gaz Metan. Azdren Llullaku është lojtari i vitit në Ligën e Parë rumune. 28-vjeçari nga Istogu është golashënuesi më i mirë i kampionatit dhe njëkohësisht pozicionohet mes sulmuesve më të mirë në Europë. Kuqeziu ndodhet në vendet e larta të renditjes për Këpucën e Artë, pas Aubameyang të Borussia Dortmund e Kabaev të Kalev në Estoni, ndërsa me 24 pikë ndan vendin e tretë me Modeste të Kolnit dhe Edin Dzeko të Romës.
“Jam i kënaqur që golat e mi po ndihmojnë skuadrën që të marrë pikët. Kemi fituar kundër të gjitha skuadrave më të forta në Rumani, nga Steaua te Dinamo e Bukureshtit, skuadra që kanë një histori të madhe. Në këtë moment ndodhemi në pozita mjaft të mira dhe shpresoj që ta mbyllim sezonin sa më lart. Përsa i takon prezencës time në vendin e tretë të garës për Këpucën e Artë në Europë, natyrisht që ndihem shumë mirë. Të jesh mes këtyre emrave të futbollit është një kënaqësi shumë e madhe”, u shpreh Llullaku.
Pas rrjetave me skuadrën e tij, objektivi i Llullakut mbetet të ndihmojë edhe kombëtaren, ku pas dy ndeshjeve me Lihtenshtejnin dhe Izraelin nuk e ka festuar ende golin. “Dëshira ime më e madhe është të ndihmoj kombëtaren me gola. Ndeshja me Izraelin ishte e çuditshme, sepse mbetëm në inferioritet pas vetëm 15 minutave, ndërsa u ndëshkuam edhe me penallti. Por, shpresoj që në ndeshjet që do të vijnë do të na ndryshojë fati, ndërsa unë ta ndihmoj Shqipërinë me gola”, tha ai.
Disfata e pabesueshme me Izraelin nuk e ka demoralizuar, përkundrazi mesfushori me tipare ofensive beson se Shqipëria do t’i luajë shanset e saj deri në fund. “Normale që pozicionimi në vendin e dytë në grup duket i vështirë, megjithatë i vështirë ishte edhe kualifikimi i Shqipërisë në Europian dhe ekipi ia doli. Kombëtarja ka kaluar shumë gjëra të vështira dhe në fund ia ka arritur aty ku e ka vendin. Unë kam shpresa deri në fund, për aq kohë sa matematika na e lejon që të pretendojmë për t’u klasifikuar pse jo edhe në vendin e dytë ose të tretë”, tha Llullaku.
Me shkëlqimin e këtij sezoni, interesimi ka ardhur në rritje. Ofertat nuk mungojnë, skuadra nga ligat më të mëdha europiane e kanë në monitorim, ndërsa Azdren Llullakun dëshiron të luajë në Itali. “Kam kontratë deri në verën e ardhshme, por aty ekziston edhe një klauzolë, që nëse vijnë oferta të kënaqshme mund të largohem prej muajit dhjetor. Ka pasur interes, nga ekipe nga Rusia, por diçka po lëviz edhe nga Italia apo edhe nga ligat më të mëdha në Europë. Dëshira ime është që të kem mundësi të luaj në Itali, aty ku jam rritur dhe ku jeton familja ime, megjithatë për momentin ende nuk ka diçka konkrete”, përfundoi Llullaku.
Dua të shënoj me kombëtaren
Italia miraton ligjin për call centerat, 25 mijë vende pune drejt mbylljes

Me 166 vota pro, 70 kundër dhe 1 abstenim Senati italian miratoi pa ndryshime ligjin për buxhetin 2017, pjesë e të cilit është edhe ai për ndryshimet në shërbimin për call center. Senati e miratoi buxhetin pa ndryshime, ashtu sikundër i kishte mbërritur në datë 28 nëntor nga Dhoma. Kriza e qeverisë, e ndjekur nga referendumi kushtetues ka përjashtuar çdo tentativë për modifikime nga ana e Senatit. Qëllimi ishte që ky projektligj të kalonte sa më shpejt për t’i hapur rrugë çështjeve politike.
Masat që parashikon në ligj kanë të bëjnë me kapitullin ku trajtohen marrëdhëniet e punës dhe familja. Amendimet në ligjin për shërbimin call center synojnë frenimin e zhvendosjes së këtyre investimeve në vende që nuk janë pjesë e BE-së.
Hartuesit e këtyre amendimeve kanë parashikuar një ndërhyrje të dyfishtë që ka të bëjë si me shërbimin inbound, ashtu edhe outbound, janë forcuar normat që rregullojnë fenomenin e delokalizimit.
Masa e parë konkretizohet në rishkimin e plotë të nenit 24, që është pjesë e Ligjit 83/2012. Sipas disiplinës së re, nëse një operator ekonomik vendos të lokalizohet, qoftë edhe duke e dhënë shërbimin ndaj të tretëve në një vend që nuk është anëtar i BE-së duhet të komunikojë brenda 30 ditëve destinacionin te organet përkatëse, përfshi këtu edhe numrin e punonjësve.
Kjo normë ekzistonte edhe në ligjin e vitit 2012, por amendimet zgjerojnë listën ndaj të destinuarve të komunikimit, ku përveç komisionerit për Mbrojtjen e të Drejtave të Informimit, në dijeni duhet të vihet edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në lidhje me numrat telefonikë që do të vihen në dispozicion të publikut.
Një aspekt tjetër ka të bëjë edhe me ashpërsimin e sanksioneve për mosnjoftime apo vonesa që llogariten deri në 150,000 euro.
Njoftimi duhet të bëhet jo më shumë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit të buxhetit edhe nga operatorët që tashmë janë të delokalizuar. Nëse këta të fundit nuk zbatojnë detyrimin, atëherë mbi ta do të zbatohen sanksione administrative deri në 10,000 euro për çdo ditë vonesë.
Gjithmonë me qëllim frenimin e delokalizimit, reforma vendos (duke konfirmuar një princip që ekzistonte) përjashtimin nga lehtësitë fiskale të këtyre tipologjive.
Amendimet parashikojnë edhe forcimin e të drejtës së subjektit që merr një telefonatë nga një call center për t’u informuar vendin nga bëhet thirrja. Kjo do të bëhet e detyrueshme 90 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të buxhetit. Moszbatimi i këtij detyrimi do të shoqërohet me një sanksion administrativ prej 50,000 euro për çdo ditë të shkeljes së ligjit, pavarësisht nga numri i thirrjeve “jo të rregullta”. Po me 50,000 euro gjobë ndëshkohet edhe moskomunikimi me Ministrinë e Punës në lidhje me identifikimin e vendndodhjes të call center.
Operatorët: Sektori në rrezik
Agron Shehaj, administrator i Intercom Data Service parashikon që në Shqipëri sektori do të shkojë drejt tkurrjes në rastin më të keq, në rastin më të mirë nuk rritet ose do të zgjerohet më me vështirësi.
Znj. Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe administratore e Albacall, kompania më e madhe call center në Shqipëri, sipas të ardhurave tha se, “Hyrja në fuqi e këtij ligji, thuajse me siguri do të sjellë probleme për sektorin e call center që operon në Shqipëri, sepse shumë kompani (gati të gjitha) punojnë për llogari të klientëve italianë dhe këta të fundit mund të dekurajohen për të sjellë punë në vendin tonë dhe si rrjedhojë të spostohen në vende të tjera të BE-së”, thotë ajo.
Diego Pisa, administrator i Teleperformance, operatorit të tretë më të madh në vend, pohon se në Shqipëri, sektori do të vihet në vështirësi të mëdha. “Nuk do të ketë më asnjë nismë për të hapur kompani të reja. Nëse deri dje ky sektor është rritur me ritme të larta, tashmë kjo nuk do të ndodhë më”, thotë ai.
Ndërsa operatorët e mëdhenj pritet t’i mbijetojnë kësaj vale shtrënguese, do të jetë më e vështirë për të vegjëlit. Gentian Drenova nga Unioni i Shoqërive të Call Center pohoi se me amendimet në ligjin italian tregu do të formalizohet dhe shumë nga bizneset e vogla do të mbyllen dhe gjithashtu kërkesa për shërbime nga Italia do të bjerë.
Në Shqipëri numërohen mbi 800 kompani call center me mbi 25 mijë të punësuar. Sipas të dhënave nga tatimet, për punëdhënësit më të mëdhenj, janë tri ndërmarrje call center që renditen në mesin e 10 kompanive që kanë më shumë të punësuar. Ato janë Intercom Data Service (IDS), me rreth 3000 të punësuar, Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance), me përkatësisht rreth 2100 dhe 1800 të punësuar, sipas të dhënave nga tatimet, që i referohen vitit 2015.
Call center është sektori i katërt më i madh në vend, përsa i përket numrit të të punësuarve, pas tregtisë, shërbimeve, ndërtimit dhe industrisë që punon me material porositësi (fason), sipas të dhënave nga tatimet dhe Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve e INSTAT. Ky sektor ka sot rreth 7% të të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, sipas të dhënave nga tatimet e INSTAT.
Tregi Marketing Group, Fiber, Professional Marketing Albania, Infocall, Fastcall renditen gjithashtu në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj në vend, me nga 500-800 punonjës secila.
“Monitor”
Vjedhjet e Ramës me fondet për konsulenca, vjen reagimi
Autoriteti i Konkurrencës, nëpërmjet një vendimi të posaçëm, ka kërkuar rishikimin e sistemit të vlerësimit të ofertave për shërbimin e konsulencës, duke i dhënë prioritet kriterit që pasqyron cilësinë e eksperiencës në fushën objekt tenderimi, dhe/ose duke e përafruar edhe këtë pikë me legjislacionin e BE-së për prokurimet.
Shoqata shqiptare e Inxhinierëve Konsulentë, me anë të shkresës nr. 28 prot, dt. 15.09.2016, ka parashtruar pranë Autoritetit të Konkurrencës disa problematika të konstatuara lidhur me funksionimin e “Sistemit të vlerësimit të ofertave” në prokurimet publike në fushën e konsulencës, si dhe disa pika të veçanta në VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
Shoqata pretendon se “sistemi i vlerësimit të ofertave” dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, në mënyrë abuzive çon në eliminimin e konkurrencës dhe rrjedhimisht edhe në dëm ekonomik.
Për procedimin e mëtejshëm mbi trajtimin e ankesës së paraqitur, u zhvillua një takim me përfaqësuesin e Shoqatës shqiptare të Inxhinierëve Konsulentë, gjatë të cilit ky i fundit ofroi sqarime të mëtejshme mbi pretendimet e paraqitura në kërkesën e depozituar pranë Autoritetit të Konkurrencës, si dhe vuri në dispozicion korrespondencën e shkëmbyer midis Shoqatës shqiptare të Inxhinierëve Konsulentë dhe Agjencisë së Prokurimit Publik, si dhe depozitoi dokumentacionin e nevojshëm lidhur me të.
Në vijim të procedurave, u zhvillua një takim me ekspertë të prokurimeve mbi disa sqarime të mëtejshme rreth funksionimit të sistemit të vlerësimit të ofertave në rastet e shërbimit të konsulencës dhe VKM nr. 914, me qëllim vlerësimin e këtyre akteve rregullatore dhe të pasojave të tyre mbi konkurrencën në tregun përkatës.
Bazuar në legjislacionin e prokurimit publik, “Kontratat e konsulencës” janë kontratat për shërbime publike konsulence, të një natyre intelektuale dhe këshilluese. Procedurat e hollësishme të zhvillimit të kësaj procedure prokurimi publik parashikohen në VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” (neni 37).
Shërbim konsulence është një procedurë prokurimi me faza, ku faza e parë lidhet me kualifikimin e operatorëve ekonomikë, bazuar në kërkesat për kualifikim të vendosura nga Autoriteti Kontraktor dhe në respektim të nenit 46 të LPP dhe 37 të VKM 914, ndërsa në fazën e dytë bëhet dorëzimi i propozimeve teknike dhe ekonomike nga operatorët e kualifikuar.
Vlerësimi i propozimeve teknike kryhet duke marrë parasysh kriteret e mëposhtme: përvojën e konsulentit; cilësinë e metodologjisë së propozuar; kualifikimet e stafit kryesor të propozuar; transferimin e njohurive, nëse kërkohet.
Çdo kriter vlerësohet në një shkallë nga 1 deri në 100 e më tej, pesha e tyre konvertohet në pikë përkatëse. Minimumi i pikëve të propozimit teknik për të vazhduar me vlerësimin e propozimit ekonomik është 70 pikë. Sipas renditjes së mësipërme, si dhe formulës së përcaktuar në dokumentet standarde të tenderit, kriterit mbi cilësinë e metodologjisë së propozuar (përqasja teknike dhe metodologjia, plani i punës, aftësia organizative) i jepen më shumë pikë se kriterit mbi kualifikimet e stafit kryesor, nga cilësia e të cilit varet cilësia e projektit.
Autoritetit Kontraktor i është dhënë mundësia dhe e drejta t’i ndajë këto kritere në nënkritere të tjera dhe pesha e tyre të kthehet në pikë përkatëse. Ajo çka duhet nënvijëzuar është fakti se ky sistem vlerësimi, mbart shumë subjektivizëm dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë mund të çojë në nxjerrjen nga tregu i prokurimit të shumë operatorëve ekonomikë të interesuar, të cilët pavarësisht stafit të kualifikuar, përvojës së mëparshme etj., vlerësohen me pikë minimale duke u nisur nga metodologjia e propozuar.
Ky sistem vlerësimi përbën barrierë për hyrjen e operatorëve në treg. Për minimizimin e këtyre barrierave hyrëse është i domosdoshëm një vlerësim sa më i drejtë dhe objektiv. Kjo do të mundësohej duke i dhënë peshën e duhur çdo kriteri, nisur nga roli që ka ose duke e përafruar edhe këtë pikë me legjislacioni e BE për prokurimet, i cili, siç sqaron dhe vetë APP, e trajton procedurën “Shërbim konsulence” njëlloj si procedura e prokurimit për shërbime, ndërkohë që në legjislacionin shqiptar kjo procedurë prokurimi është e orientuar sipas procedurave të Bankës Botërore duke bërë që të dallohet nga procedura e thjeshtë e shërbimit, nga sistemi i vlerësimit që përdoret në këtë lloj prokurimi.
Sa i përket kriterit mbi përvoja pune të ngjashme të tri viteve të fundit, është barrierë për operatorët e rinj në treg, duke i penguar ata që të operojnë në tregun e prokurimeve, duke kufizuar në këtë mënyrë edhe konkurrencën në këto tregje. Rritja e këtij afati do të inkurajonte edhe krijimin e shoqërive të reja.
Në lidhje me kërkesat e veçanta për kualifikim, në respektim të nenit 46 të LPP dhe 28 të rregullave të PP, ato duhet të jenë në përpjesëtim dhe të lidhura ngushtë me objektin e kontratës dhe t’i shërbejnë autoritetit kontraktor për njohjen e gjendjes financiare të operatorëve ekonomikë dhe të mundësisë së tyre për përmbushjen me sukses të kontratës. Këto kërkesa vendosen nga AK rast pas rasti, duke mbetur në vlerësimin e AK, brenda kornizave të ligjit dhe rregullave të prokurimit.
Lidhur me problematikat e tjera të parashtruara nga ankuesi, të cilat janë të një aspekti procedural, APP ka bërë sqarimet përkatëse dhe është shprehur se do të marrë në konsideratë propozimet e shoqatës kur të rishikojë rregullat e prokurimit publik.
Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Agjencisë së Prokurimit Publik ndërmarrjen e nismave të nevojshme legjislative për ndryshime në Dokumentet Standarde të Tenderit, si dhe për t’i propozuar Këshillit të Ministrave ndryshimet e mëposhtme në VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”:
1) Rishikimin e sistemit të vlerësimit të ofertave për shërbimin e konsulencës, duke i dhënë prioritet kriterit që pasqyron cilësinë e eksperiencës në fushën objekt tenderimi, dhe/ose duke e përafruar edhe këtë pikë me legjislacioni e BE për prokurimet;
2) Rishikimin e kriterit mbi përvojën për punë të ngjashme të tri viteve të fundit, me qëllim rritjen e këtij afati dhe inkurajimin e shoqërive të reja për pjesëmarrje në procedurat e prokurimit publik.
“Monitor”
Shqipëria, ndër vendet me shpejtësi më të ulët interneti
Janë të pakta vendet e Europës që vuajnë shpejtësinë e ulët të internetit e ndër to është edhe Shqipëria. Vendi ynë, sipas një raporti të hartuar nga kompania Akamai, e cila punon për llogari të klientëve të tillë si Airbnb to Autotrader e të publikuar nga valeunomand.com për 2015-n llogarit një shpejtësi mesatare prej 5 Mbps.
Në këtë renditje, Shqipëria lë pas vetëm Malin e Zi, ku shpejtësia llogaritet në 4.6 Mbps.
Edhe Kroacia, pavarësisht se është një vend i BE-së, vuan nga ky nivel i ulët. Madje kjo ka qenë edhe një çështje e diskutuar nga Parlamentin kroat, duke qenë se është një objektiv i kërkuar nga Bashkimi Europian. Në një artikull të total- croativ news, thuhet se vendi arrin të lërë pas për nga shpejtësia e internetit vetëm Shqipërinë dhe Kosovën.
“Kroacia aktualisht ka shpejtësinë më të ulët të internetit në Europë. Vetëm Shqipëria dhe Kosova kanë internetin më të ngadaltë se ne. Sllovenia, për shembull ‘navigon’ me shpejtësi dy herë më të lartë”, tha Gordan Maras.
Bashkimi Europian që nga maji 2015 ka miratuar një strategji në lidhje me krijimin e një tregu të vetëm dixhital (Digital Single Market), sipas të cilit deri në vitin 2020 do t’i jepet çdo qytetari europian akses për internet me shpejtësi 30 Mbps. Në anën tjetër do të garantohet ofrimi i shërbimit 5G për çdo kryeqytet të shteteve anëtare të BE-së deri më 2020-n.
Renditja e disa vendeve të rajonit
Në shkallë botërore, Europa renditet ndër kontinentet që zbaton një shpejtësi të lartë sa i përket internetit falë tregjeve të hapura, infrastrukturës dhe përpjekjeve për kërkime në teknologji. Disa nga shtetet me shpejtësi të madhe të internetit gjenden në Europë. Suedia është ndër këto vende me shpejtësi mesatare ndërlidhjeje 17.5 Mpbs.
Ndërsa vendet me shpejtësi më të ulët të internetit në Europë janë:
5 – Bjellorusia
Shpejtësia e internetit: 6 Mbps
4 – Bosnjë dhe Hercegovina
Shpejtësia e internetit: 5.7 Mbps
3 – Kroacia
Shpejtësia e internetit: 5.5 Mbps
2 – Shqipëria
Shpejtësia e internetit: 5 Mbps
1 – Mali i Zi
Shpejtësia e internetit: 4.6 Mbps
Reklamat në rrjetet sociale mundin printin
Në rrjetet sociale, shpenzimet publicitare botërore parashikohet të rriten me rreth 72% mes viteve 2016-2019, nga 29 miliardë dollarë aktualisht në 50 miliardë dollarë. Agjencia e njohur e reklamave Zenith, në raportin e ri “Advertising Expenditure Forecasts”, bën të ditur se reklamat në rrjetet sociale do të zënë 20% të shumës së përgjithshme të shpenzimeve në vitin 2019, ose me rritje 16% nga viti 2016.
Reklamat në rrjetet sociale parashikohet të rriten mesatarisht në vit me rreth 20% dhe në vitin 2019, vlera e tyre do të jetë vetëm 1% më e ulët se reklamat që publikohen në të përditshmet në print (50,2 mld dollarë amerikanë për rrjetet sociale krahasuar me 50,7 mld dollarë amerikanë në të përditshmet).
Nga viti 2020 e në vazhdim, reklamat në rrjetet sociale do t’ua kalojnë atyre në variantin print. Për shumë përdorues, rrjetet sociale zënë një pjesë të rëndësishme në jetën e tyre dhe janë burimi kryesor i informimit.
Po ashtu, reklamimi online me video, që po përhapet me shpejtësi falë pajisjeve mobile, po rritet me ritme të njëjta me ato në rrjetet sociale (18% në vit). Falë kësaj ecurie, në vitin 2019 ky treg do të arrijë 35,4 mld dollarë në nivel botëror, duke kaluar me fare pak shpenzimet për reklamat në radio (35 mld dollarë).
Për sa i përket tregut të reklamave, Zenith parashikon një rritje 4.4% në vitin 2017, duke qenë se nuk do të ketë evente të mëdha sportive si ato që u zhvilluan në vitin 2016, siç ishin Lojërat Olimpike dhe Kampionati Europian i Futbollit, përfshi këtu edhe zgjedhjet në SHBA.
Për Europën Perëndimore dhe Qendrore, parashikohet një rritje 2.8% të shpenzimeve për reklama në vitin 2017 dhe një rritje vjetore me 3.9% nga viti 2016-2019.
“Rrjetet sociale dhe videot online do të ndikojnë në rritjen vjetore të shpenzimeve për reklama, pavarësisht kërcënimeve politike në zhvillimin e ekonomisë”, tha Jonathan Barnard, kreu i parashikimeve në Zenith.
…dhe yjet rrinë e vëzhgojnë!
Bledi KASMI
Ministri i Energjetikës ka rihapur mbrëmë skandalin e CEZ. I thirrur në Komisionin Hetimor parlamentar Gjiknuri u është përgjigjur me vështirësi 12 pyetjeve që mbajnë të mbërthyer fjalëkryqin e këtij skandali përmes të cilit kanë lëvizur të paktën 550 milionë euro.
Gjiknuri deklaroi mbrëmë disa kushte qesharake përse qeveria kishte preferuar më mirë t’i falte CEZ-it 550 milionë euro se sa të përballej me ta në Gjykatën e Arbitrazhit ku garant kishte dalë më parë, avokati ndërkombëtar.
Sipas tij, “për të parandaluar një kolaps absolut operacional dhe financiar, si dhe në analizë të faktorëve të tjerë të pozitës së dobësuar të shtetit shqiptar si dhe rrezikut potencial që vinte nga pretendimet e paraqitura nga CEZ pas periudhës së privatizimit e deri në heqjen e licencës, grupit të punës iu ngarkua detyra e fillimit të përpjekjeve për zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjes me shoqërinë CEZ a.s”.
Përmes kësaj fraze, Gjiknuri pranoi para opinionit se qeveria ka patur një pazar me çekët për ÇEZ. Pyetja që shtrohet është se a mund të justifikojnë këto tre rreshta me fjalë të përgjithshme faljen e 550 milionë eurove? Për ta ilustruar seriozitetin e këtyre termave të përdorur nga qeveria në akordin e arritur me CEZ shërben një tjetër rast i vizitës së Ramës në Kuvajt.
Rama udhëtoi në Kuvajt në nëntorin e 2014 dhe mori prej tyre 5 milionë euro që vetë burimet diplomatike të Kuvajtit e pohuan për “RD” në atë kohë se i ishin kërkuar nga Rama për lobistin e tij Toni Bler. Në njoftimin zyrtar të qeverisë në atë ditë u tha se; “ne kemi një ndihmë shumë bujare nga qeveria e Kuvajtit, 5 milionë euro në dispozicionin tonë për përmirësimin e procesit të reformave, si dhe për të na ndihmuar adresimin e drejtë të prioriteteve kyçe”. Cilat reforma u përmirësuan me ato 5 milionë euro? Natyrisht asnjë reformë. Ato para të dhëna për shqiptarët përfunduan në xhepat e Tonit.
Përdorimi i këtyre fjalëve të përgjithshme si në rastin e qeverisë për 5 milionët e Kuvajtit edhe në rastin e 550 milionë eurove për ÇEZ janë në të vërtetë kodet përmes të cilave devijohen dhe transferohen qindra miliona euro në parajsat fiskale të Ramës dhe klientelës së tij.
Nëse kjo do të ishte baza legjitime me të cilën operon kjo qeveri, atëhere na duhet të përgatitemi për të pranuar se një ditë të bukur Gjiknuri mund të na thotë edhe një togfjalësh tjetër mjaft sensitiv si fjala vjen; për çështje të interesit kombëtar qeveria ka vendosur të kalojë në llogaritë e një tjetër kompanie të Ramës 1 miliardë euro.
Kjo është në fakt ajo që po ndodh në realitet. Kjo ndodhi me ÇEZ, kjo ndodhi me fondin kuvajtian dhe kjo po ndodh prej tre vitesh me 480 milionë eurot e koncesioneve për Vilmat e Kryeministrit.
…dhe yjet rrinë e vëzhgojnë!
Gjiknuri fundos Ramën për paktin 550 milionë euro me CEZ

Shqipëria i ka pasur të gjitha shanset, që të fitojë në Gjykatën e Arbitrazhit ndaj kompanisë çeke ÇEZ, por ka preferuar që me një vendim politik të humbasë jo pak, po më shumë se 550 milionë euro. Ky fakt është pohuar dje në Komisionin Hetimor nga vetë ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, pas publikimit të korrespondencës që ministria që ai drejton ka pasur me avokatin e Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit, Hamid Ghavari. Ky i fundit, në më shumë se një herë ka argumentuar se Shqipërisë duhet t’i jepej e drejta në këtë gjykatë, pasi faktet siç shprehet ai janë të gjitha në favor të saj dhe përfitimi nga investimi i munguar dhe nga mosmbledhja e borxheve ishte rreth 460 milionë euro. Zoti Ghavari nga ana e tij rekomandonte që Shqipëria mos të pranojë marrëveshjen e mirëkuptimit, ku Shqipëria jo vetëm që nuk do të paguante, por do të paguante dhe 92 milionë euro për të marrë mbrapsht 76% të aksioneve të ÇEZ shpërndarje. Por, krejt papritur zoti Ghavari, ka marrë nga Entela Çipa, këshilltare e ministrit, një e-mail ku i bëhej e ditur këtij të fundit se qeveria shqiptare do të pranonte marrëveshjen e mirëkuptimit me kompaninë ÇEZ, duke humbur në total më shumë se 550 milionë euro. “Këshilloj qëndrim kundër nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit siç është dërguar nga CEZ a.s., rekomandoj që të mbledhim provat e ekspertit teknik dhe financiar që kërkojmë së bashku me provat dokumentare të mbetura të kërkuara për të depozituar pretendimet në IÇ, dhe më pas, kur pozita negociuese të anojë në favorin tonë dhe pozicioni/pretendimet tona të jenë parashtruar qartë, të vlerësojmë të kthehemi në tavolinën e negocimeve”, ka qenë këshilla e zotit Gharavi për qeverinë shqiptare. Vetë ministri i Ramës pranoi dje se marrëveshja ishte politike, duke qartësuar deri diku mjegullnajën rreth kësaj afere, dhe duke vendosur gishtin mbi fajtorin kryesor të kësaj humbje marramendëse parash. Se çfarë afere fshihet pas kësaj marrëveshje dhe se përse duhej që Rama, të pranonte një marrëveshje që ishte në disfavor të interesave të vendit, kjo do të qartësohet në ditët në vijim. Ajo çka, qartësojnë e-mail-et dhe deklarata e ministrit është fakti se Rama ka mashtruar shqiptarët kur ka thënë se nga ajo marrëveshje u shpëtuan rreth gjysmë miliardi dollarë, ndërkohë që avokatët kanë rekomanduar të kundërtën, pra refuzimin e saj. Duket se ndodhemi para një megaafere të madhe financiare që i ka kushtuar shumë vendit, duke abuzuar me vendimmarrjen dhe deri më tani kjo ka një fajtor kryesor, Edi Ramën.
Si Gjiknuri i hedh fajin vendimit të Ramës
Kur vendoset të negocioni me palën CEZ? Çfarë pozicioni keni patur në grupin e negocimit. A duhej që anëtarët e grupit negociator të deklaronin konfliktin e interesit në se kishin të tillë para përfshirjes në grupin negociator? A jeni në dijeni nëse ndonjë nga anëtarët e grupit të negocimit kanë qenë në konflikt interesi?
Këshilli i Ministrave, duke marrë në konsideratë interesin mjaft të lartë politik dhe ekonomik për zgjidhjen e kësaj çështjeje, si dhe duke analizuar me përgjegjësi situatën në të cilën ndodhej sistemi elektroenergjetik shqiptar, miratoi VKM nr. 969, datë 25.10.2013 “Për ngritjen e grupit të punës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë CEZ a.s”, për ngritjen e grupit të punës ndër institucional.
Për të parandaluar një kolaps absolut operacional dhe financiar, si dhe në analizë të faktorëve të tjerë të pozitës së dobësuar të shtetit shqiptar si dhe rrezikut potencial që vinte nga pretendimet e paraqitura nga CEZ pas periudhës së privatizimit e deri në heqjen e licencës, grupit të punës iu ngarkua detyra e fillimit të përpjekjeve për zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjes me shoqërinë CEZ a.s si dhe detyra e marrjes së masave për përfaqësimin dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë në proceset e arbitrazhit ndërkombëtar në rast se nuk do të kishte një zgjidhje me pajtim të çështjes.
Fillimi i negociatave për zgjidhjen me mirëkuptim u bazua në dispozitat e Traktatit të Kartës së Energjisë, ratifikuar me Ligjin Nr. 8261, datë 11.12.1997, konkretisht në nenin 27, e cila parashikon procesin e zgjidhjes së një mosmarrëveshje me mirëkuptim.
Gjithashtu referuar kushteve të Marrëveshjes së Shitjes së Aksioneve, miratuar me Ligjin Nr.10116, datë 23.04.2009, konkretisht bazuar në pikën 13.2 parashikohet e drejta e palëve, pra Republikës së Shqipërisë së përfaqësuar nga METE dhe Shoqërisë CEZ a.s që të zgjidhnin me mirëkuptim për mosmarrëveshjet që lindin midis tyre si pasojë apo në lidhje me këtë Marrëveshje.
Grupi i punës u konstituua me Urdhrin e Kryeministrit Nr. 228, datë 2.12.2013 “Për përcaktimin e përbërjes së grupit të punës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ a.s”, i ndryshuar.
Unë kam qenë kryetar i grupit, por s’kam pasur asnjë të drejtë më shumë se gjithë anëtarët e tjerë të grupit negociator. Nuk kishim ndonjë detyrim me ligj të shkruar për nënshkrim të deklaratave të konfliktit të interesit dhe në dijeninë time nuk ka pasur asnjë anëtar grupi konflikt interesi siç edhe e ka provuar Prokuroria në hetimin e saj.
PD në qeveri, masa urgjente ndaj të varfërve
Me demokratët e Tropojës, Lulzim Basha vuri në dukje se Partia Demokratike është sërish në mision historik për të sjellë valën e fundit të demokratizimit të vendit, të modernizimit të politikës, të kthimit të pushtetit tek qytetarët.
Liria dhe demokracia kanë humbur kuptimin, tha Basha, dhe që këto koncepte të marrin fuqi, duhet fuqizuar qytetari, duke ia kthyer atij kontrollin e qeverisjes me instrumentet që i takojnë.
“Vendi është robëruar nga një kastë, nga një klikë të korruptuarish dhe kriminelësh, të cilët kanë vetëm një interes, të përfitojnë e të pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Koha ka ardhur që Partia Demokratike t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve fazën e fundit të modernizimit të një vendi, drejt lirisë dhe demokracisë. Ashtu si demokracia dhe liria erdhën për shkak të nevojës, domosdoshmërisë për të shporrur diktaturën, atëherë kur s’kishte më ku të shkonte, nuk kishim më nga t’ia mbanim, edhe sot kjo vjen si një domosdoshmëri t’i kthejmë qytetarëve qeverisjen, të fuqizojmë qytetarin, duke i dhënë instrumentet kushtetuese dhe ligjore që ai të përcaktojë të gjitha vendimmarrjet dhe vendimmarrësit lirisht dhe jo i kërcënuar dhe as i shitblerë”, tha Basha.
Basha u kërkoi anëtarëve të Partisë Demokratike të qëndrojnë pranë njerëzve, të prekin realitetin e tyre dhe të evidentojnë hallet e qytetarët në nevojë.
“Halle konkrete, emra konkretë, fate konkrete njerëzish i njohim, i dimë, i takojmë ditë për ditë në komunitetet, por ne duhet të kemi një evidencë të plotë. Kjo është një parti politike që përgatitet nesër të marrë përgjegjësi konkrete të qeverisjes, jo demagogji, jo premtime koti. Dhe po ju them se detyra jonë kryesore, misioni ynë më i shenjtë që prej ditës së parë në qeverisje, pa asnjë alibi është të bëjmë gjithçka për njerëzit në nevojë”, pohoi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike shpjegoi se si do të përdoret buxheti i qeverisjes së tij.
“Buxheti i shqiptarëve do të shpenzohet për shqiptarët. Objektivi ynë, qëllimi ynë është që asnjë familje të mos mbetet pa bukë, pa ujë, pa drita, kjo nënkupton një sërë masash të menjëhershme; siç është pagesa për çdo familje në nevojë ekonomike e 200 kilovatëve të parë të energjisë elektrike drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit; dhe e njëjta gjë edhe për faturat e ujit, e për nevojat jetike. Po kështu rritja e ndihmës ekonomike për të bërë të mundur që ata, të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të ushqyer veten e tyre dhe fëmijët të marrin mjaftueshëm ndihmë ekonomike për të mbajtur veten gjallë, jo thjesht t’i marrin me një dorë dhe t’i paguajnë me dorën tjetër”.
Tropoja po vuan 3 vitet e braktisjes nga qeveria. Në rrugë takon njerëz me halle e probleme. “Jam në gjimnazin ‘Asim Vokshi’ dhe me një mesatare me notën mbi 9.5. Kam një kërkesë: jetoj në një familje prej gjashtë personash dhe të ardhurat ekonomike nuk janë edhe aq të favorshme sa për të mundësuar shkollimin tim dhe për të vazhduar shkollën”, thotë Ardita Celaj.
“Universitetet publike do të jenë të hapura për fëmijët e shqiptarëve. E vetmja gjë që të kërkoj ty dhe bashkëmoshatarëve tu të ‘Asim Vokshit’, Tropojës e anembanë Shqipërisë, mbajeni mendjen tek mësimet, përkushtojuni mësimeve, ndryshimi po vjen dhe ju do të shijoni, do të gëzoni këtë ndryshim, sepse ju jeni ndryshimi i vërtetë i Shqipërisë”, siguron Lulzim Basha.
Klientela e Veliajt, 6 milionë euro fitim nga rritja e biletës
Pas shkeljeve të evidentuara në Raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili konstatonte rritjen abuzive të çmimit të biletës së urbanit në Tiranë, Partia Demokratike kërkoi dje me anë të këshilltarëve bashkiakë rikthimin e çmimit fillestar për këtë shërbim. Leonard Olli kryetar i këshillatarëve të PD depozitoi dje projektvendimin, në lidhje me këtë çështje. Sipas tij vendimi për rritjen abuzive të çmimit të biletave të urbanit ka qenë i paarsyetuar dhe prek shtresën më të pambrojtur të popullsisë. “Sikurse jeni në dijeni, Bashkia e Tiranës rriti në mënyrë abuzive në një megaaferë korruptive çmimin e biletës së transportit urban me 30%, dhe ne shprehëm opinionin tonë që rritja ishte e pastudiuar dhe mbi të gjitha e pakonsultuar me qytetarët dhe grupet e interesit. Pothuajse një vit më pas edhe pse me shumë vonesë, Kontrolli i Lartë të Shtetit, fakton dhe provon absolutisht pa asnjë ekuivok të gjithë ato që ne kemi deklaruar e kontestuar, që 6 milionë dollarë të hequra nga xhepat e qytetarëve, do të shkonoin në xhepat e klientëve të kryetarit të Bashkisë Veliaj. Tashmë të ndodhur para këtij konstatimi shumë serioz dhe profesional të ekspertëve të KLSH, grupi i këshilltarëve të PD përgatiti një projektvendim, që e depozituam sot për t’u marrë në shqyrtim nga Këshilli Bashkiak ku kërkohet në mënyrë absolute rikthimi i çmimit të biletës së transportit urban në parametrat e mëparshëm pra 300 lekë të vjetra dhe, në të njëjtën kohë përjashtimin nga bileta e transportit urban të të gjithë fëmijëve që ndjekin arsimin e detyruar nëntëvjeçar”, tha Olli. Në projektvendimin e PD-së, parashikohet që bileta një përdorimshe të rikthehet në çmimin e 30 lekëve të reja, nga 40 që është sot, ndërsa aboneja për një linjë në vleftën e 900 lekëve nga 1400 që është sot. Aboneja e përgjithshme, pra për të gjitha linjat të ulet në vleftën e 1200 lekëve të reja, nga 1800 që u ngrit me vendim të Erjon Veliajt. Nga ana tjetër, këshilltarët e PD-së propozojnë që kategorive që subvencionohen nga shteti t’i shtohem dhe nxënësit e arsimit të detyrueshëm.
Raporti i KLSH-së
Raporti I KLSH i publikuar në fund të nëntorit, konstatonte se rritja me 33 për qind e çmimit të biletës nuk ishte e arsyetuar apo e bazuar në lëvizjet inflacioniste të çmimit. Sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 66, datë 30.12.2015, prezantohet edhe formula me të cilën Këshilli Bashkiak ka vlerësuar indeksimin e ri të çmimit të biletës. Kjo formulë është miratuar në 30.12.2015 dhe produkt i kësaj formule është rritja e çmimit të biletës prej 33%. Kur i kërkuam DTTRR, përllogaritjen e saktë të formulës së prezantuar në relacionin e VKB nr. 66 datë 30.12.2015, morëm përgjigjen finale se nuk është marrë në konsideratë as norma e inflacionit e deklaruar zyrtarisht dhe asnjë formulë paraprake. DTTRR konfirmon se kjo rritje çmimi prej 33% është bërë në masa emergjence. Për pasojë, rritja e çmimit të biletës së urbanit në linjat qytetëse është e pabazuar në relacionin bashkangjitur VBK nr. 66 datë 30.12.2015. Duke qenë se transporti urban përdoret nga masa e popullsisë dhe përdoruesit e këtij shërbimi përbëjnë afërsisht 36% të popullsisë, impakti që ka një rritje çmimi prej 33% e pabazuar në normën zyrtare të inflacionit dhe e pabazuar në asnjë formulë ekonomike, ndryshe nga çfarë shprehet VKB nr. 66 datë 30.12.2015, është një vendim i gabuar dhe prek në mënyrë të drejtpërdrejtë interesin publik të qytetarëve”, thuhet në Vendimin nr. 117 datë 23. 9.2016, i cili është publikuar pak ditë më parë në faqen zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka edhe tri rekomandime për bashkinë në lidhje me vendimin për rritjen e çmimit të biletës”, thuhet në raportin e grupit të punës së KLSH-së. “Bashkia e Tiranës të marrë masa e të përllogarisë defakto rritjen e mundshme të çmimit të biletës së transportit urban qytetës, mbi bazën e: 1. Normës së inflacionit të deklaruar zyrtarisht 2. Një formule të saktë dhe të qartë ekonomike 3. Një modeli të saktë dhe rasteve më të mira në vende të ndryshme. Deri në nxjerrjen e një analize të plotë e të saktë bazuar në kushtet e lartpërmendura, Bashkia e Tiranës të anulojë rritjen e çmimit të biletës së transportit urban qytetës”, thuhet në raportin e auditimit. Sipas audituesit të KLSH-¬së, Bashkia e Tiranës nuk garanton në nivel të kënaqshëm një shërbim të pranueshëm të transportit publik qytetas. “Kuadri rregullator shfaq mangësi. Mungojnë akte, të cilat duhet të ishin pjesë e kuadrit rregullativ për të siguruar një shërbim cilësor të transportit urban qytetës. Mungesa e disa prej tyre, të cilat janë mjaft të rëndësishme në vendosjen e standardeve të cilësisë dhe monitorimin e shërbimit të ofruar nga operatorët, i jep përmasa afatshkurtra marrëdhënies mes operatorëve privatë dhe bashkisë. Në kushte të tilla është e vështirë të ndërtohen strategji për ofrimin e shërbimit të duhur të transportit publik qytetës. Ekzistojnë dallime mes objektivave strategjike dhe strategjive të vendosura në këtë fushë. Gjithashtu, ka mungesa në plane taktike dhe operacionale, në përmbushje të këtyre objektivave strategjikë të miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe veprimet e ndërmarra nga drejtimi janë afatshkurtra, jokoherente dhe jo të bazuara në strategji afatgjata. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e parregulluara formalisht midis strukturave brenda dhe në varësi të bashkisë ulin ndjeshëm efektivitetin e komunikimit dhe rrjedhimisht nuk garantojnë një proces efektiv në menaxhimin dhe monitorimin e këtij shërbimi”, thuhet në raport.
Propozimet
Për biletë një përdorimshme 30 lekë
Biletë pajtimi mujor për një linjë 900 lekë
Biletë pajtimi mujor 1200 lekë
Të parashikohen në buxhetin e Bashkisë kategoritë që përfitojnë subvencionim për udhëtim falas dhe këtyre kategorive t’i shtohen dhe nxënësit e arsimit të detyrueshëm parauniversitar