29.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025

Po hapen burgjet, lirohet Lul Berisha

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka vendosur të lirojë nga burgu kreun e “bandës” famëkeqe të Durrësit, Lulzim Berisha. Kapobandës i kishin mbetur edhe 5 vite burg, por këto vite i janë falur dhe tani ai ndodhet në liri me kusht. Vendimi është marrë gjatë ditës së hënë, pas pretendimit të tij se është i sëmurë. Vendimi ka ardhur, pasi Gjykata e Lartë kishte rrëzuar një kërkesë të Prokurorisë, për ta dënuar Lulzim Berishën me burgim të përjetshëm. Me vendim të Gjykatës së Apelit, ai ishte dënuar me 25 vjet burg dhe i kishin mbetur edhe 5 vjet për të shlyer.
Një muaj më parë, kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha i ishte drejtuar Gjykatës me kërkesën e lirimit nga burgu, me pretendimin se është i sëmurë rëndë. Kërkesa, është bërë përmes avokatit mbrojtës, i cili e kishte depozituar atë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrrës.
Pas hedhjes së shortit, kërkesa u caktua të shqyrtohej nga gjykatësi Tristan Hamitaj. Sipas vetë trupit gjykues, Lulzim Berisha ka kërkuar lirimin nga burgu me arsyetimin se “vuan nga një sëmundje e rëndë dhe i rrezikohet jeta po të qëndrojë në qeli”. Ai u arrestua në prill të vitit 2006 dhe që nga ajo kohë ndodhej në burg deri ditën e hënë kur la qelinë. Ai ishte dënuar me 25 vite burgim me vendim të formës së prerë.

6 vrasjet e “Bandës së Durrësit”

Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun funksiononte prej vitit 1994 në qytetin bregdetar dhe merrej me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Banda është autore e një sërë vrasjeve dhe krimesh të tjera të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 deri në 2008. Banda e Durrësit akuzohet për 6 vrasje. Vrasja e Dritan Sallakut më 17 tetor 1998 në qytetin e Durrësit, vrasja e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit. Vrasja e Marsel Sotirit, 22.08.1999 në plazh, Durrës; Vrasja e Dritan Dishës, 09.07.2000 në Shënavlash, Durrës; Vrasja e Ervin Lames, 14.01.2002 në lagjen numër 3, Durrës.
Ai ishte dënuar nga Gjykata e Apelit me 25 vite burg, por pas vendimit të Gjykatës, Lul Berisha ka lënë qelinë për të shkuar në banesë.
12 vjet pasi qëndroi në qeli, kreu i bandës së Durrësit, një nga bandat më të përgjakshme në vend, kërkoi lirinë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës dhe ajo e Apelit. Berisha kërkoi në bazë të nenit 478 të Kodit të Procedurës Penale lirimin e tij nga burgu me arsyetimin se “vuan nga një sëmundje e rëndë dhe i rrezikohej jeta po të qëndrojë në qeli”. Prej vitit 2015, Lulzim Berisha vuante dënimin në burgun e sigurisë së zakonshme në Durrës.
Pas hedhjes së shortit, kërkesa u caktua të shqyrtohej nga gjykatës Tristan Hamitaj. Ai u arrestua në prill të vitit 2006 dhe që nga ajo kohë ndodhej në burg deri diten e djeshme.

Si u arrestua kapobanda

Lulzim Berisha, njeriu që e drejtoi për 10 vjet me radhë “Bandën e Durrësit” mes vrasjesh e trafiqesh droge dhe armësh, u kap në Maqedoni pas një urdhëri ndërkombëtar arresti të lëshuar nga Shqipëria. 6 pjesëtarë të bandës që ishte ndarë në dy fraksione rivale, që do të sillnin një zinxhir vrasjesh, ishin kapur një muaj më parë. Në grupin që kishte vënë nën këmbë qytetin bregdetar për një dekadë do të merrte kthesë me vrasjen e një prej kapove të tij, Klodian Saliut.
Mbrëmjen e 26 shkurtit të vitit 2005 Klodian Saliu, së bashku me mikun e tij Osman Truma, ranë pre e një atentati në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të fshatit Kozhas në Maminas. I riu i lindur në Spitallë, pronar i lokalit “Cikloar” u qëllua nga disa persona të paidentifikuar që po ndiqnin makinën e tij të tipit “Mercedes-Benz”. Miku i tij mundi të mbijetonte, por nuk i kishte parë atentatorët.

Përplasjet mes Lul Berishës dhe Klodian Saliut

Banda e Durrësit ishte ndarë që prej vitit 2003 pas përplasjeve të Lul Berishës dhe Klodian Saliut. Pas vrasjes së Saliut, krahu i tij i drejtuar nga Idrit Dokle organizoi dy atentate për ta vrarë Lul Berishën, pasi e konsideronte si personin që kishte dhënë urdhërin për ekzekutimin e ish-mikut të tij, edhe pse ditën e vrasjes ai gjendej në Turqi. Në të dy rastet, vrasësit me pagesë nga Burreli, dështuan.
Një vit më vonë, në fillim të 2006, dy degët e bandës do të goditeshin nga autoritetet. Adriatik Coli, një anëtar i bandës, do t’i fundoste krerët dhe anëtarët e saj me dëshmitë e tij si bashkëpunëtor i drejtësisë.
Coli e fajësoi Berishën për vrasjen e Dritan Sallakut më 17.10.1998 në Durrës; për vrasjen e Viron Currit e Arjan Pajës dhe plagosjen e Marsel Sotirit më 29.10.1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit; për vrasjen Marsel Sotirit më 22.08.1999 në plazh, Durrës; për vrasjen e Dritan Dishës më 09.07.2000 në Shënavlash, Durrës; për vrasjen e Ervin Lames më 14.01.2002 në lagjen numër 3, Durrës dhe për trafik armësh dhe droge.
Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me burg përjetë në të dy shkallët e saj, për vrasjet e mësipërme dhe për krijim të organizatës kriminale. Gjykata e Lartë, në korrik të vitit 2014 ia hoqi dënimin përjetë me argumentin se ky dënim nuk ekzistonte në kohën kur ai kishte kryer krimin. Po ashtu, nuk kishte as ligj për krijim të organizatës kriminale në atë kohë. Por për Lul Berishën u fol gjatë prej kohës kur u arrestua deri tek heqja e dënimit përjetë. Arrestimi i tij dhe i anëtarëve të grupit rival që lindi nga banda e tij, nuk i ndalën gjakderdhjet në Durrës.
Emri i tij u përmend në vrasjen e vëllait të Klodian Saliut, Ndriçimit më 23 korrik të vitit 2007. Ai u qëllua me dy plumba në gjoks në një lokal në lagjen 18 nga dy persona me motor.
Lul Berisha u përfol se qëndronte edhe pas disa ngjarjeve të tjera. Më 19 nëntor të 2014 u ekzektua Leonard Murataj, një ish-rival i Lul Berishës. Ai u qëllua pranë lokalit të tij në afërsi të portit.
Shumë ngjarje kriminale që ndodhën në qytetin e tij të lindjes gjatë qëndrimit në burg lidhen fort me emrin e Lul Berishës.
Një raport i Ministrisë së Brendshme, i publikuar në prill të këtij viti, tregonte se ai nuk kishte qëndruar pasiv në burg. Raporti fliste për bashkim të tij me Emiljano Shullazin. Në të jepeshin të dhëna se aktiviteti i dy kapobandave ishte ai i gjobitjes së disa personave, biznesmenë të njohur në fushën e basteve sportive, tregtisë së kafesë dhe tregtisë së naftës.
Dokumenti sekret saktësonte se Lul Berisha e drejtonte bandën e tij nga burgu dhe i delegonte urdhërat tek njerëz të besuar si Julian Meçaj e Marjel Fierza, Mond Çekiçi e Plarent Dervishaj, për të cilin në prill të 2015 Apeli i Krimeve të Rënda i ka pushuar të gjitha akuzat.
“Pjesë e gupit të bashkuar janë Lulzim Berisha “Luli”, Emiljano Shullazi “Mili”, Plarent Dervishaj “Lenti”, Edmond Koçi, ose “Mond Çekiçi”, Marjel Fierza, Julian Meçaj, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi”, thuhet në raport, të botuar fillimisht në Shqiptarja.com.
Dyshohet se Shullazi dhe Dervishaj, nën drejtimin e Berishës, u kanë vendosur gjobë shtetasve, Xh.T. i cili ka biznes në qytetin e Durrësit, A.B, i cili është pronar i disa lokaleve në qytetin e Durrësit dhe përfaqësues ekskluziv i një marke kafeje në Durrës, Sh.K, biznesmen i njohur nafte në Shqipëri. Ata po bënin përpjekje për të privatizuar edhe “Parkun Sportiv”, që ndodhet në lagjen nr.5 në krah të Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” në Durrës.
Në raport thuhej se, kontaktet me grupin, Lul Berisha i mbante përmes një telefoni që e kishte në qeli. Edhe pse ky raport u botua në prill, Gjykata e Durrësit vendosi ta lërë të lirë me kusht, për arsye shëndetësore. Edhe pse drejtues për afro 2 dekada i një prej bandave më të rrezikshme në vend, ai është i lirë, ndërsa anëtarët e tjerë janë të gjithë në qeli.

Loja me HEC-et për ti falimentuar dhe grabitur

Ministri i Energjisë iu përgjigj shqetësimeve të ngritura nga investitorët privatë ekzistues të hidrocentraleve, mbi çmimin me të cilin shteti u garanton blerjen e energjisë. “Në çdo rast nuk do të ketë një tarifë më të ulët nga sa e kemi sot. Pra, do të vendosim një çmim mbrojtës, dysheme”, u shpreh Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.
HEC-et private kundërshtuan nënshkrimin e kontratave të reja, që transferojnë shitblerjen e energjisë nga KESH tek OSHEE me argumentin se kontrata e re i bënte subjekt të ndryshimeve në ligj që do të çonin në një çmim të pafavorshëm për investimet e tyre.
Kontrata e re, që kalon marrëdhënien e prodhuesve të vegjël të energjisë nga KESH tek OSHEE për shitjen e energjisë, duket se do të vazhdojë të prodhojë përplasje. Ministria nga ana e saj thekson se nuk ka ndryshim, kurse sipas Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme, ndryshimi është drastik. Në një intervistë televizive, nënkryetari i Bordit të AREA, Sokol Meqemeja vlerëson se ata që nuk kanë firmosur janë pikërisht investitorët e mëdhenj, të huaj dhe shqiptarë, që kanë fuqinë kryesore të instaluar. Investitorët janë duke studiuar opsionet për të gjetur një zgjidhje mbi ngërçin e krijuar, pasi kjo situatë mund të sjellë probleme më të mëdha për të gjitha palët. E para, për investitorët që janë në marrëdhënie me bankat, ku kanë marrë financimin dhe duhet të paguajnë këstet e kredive dhe e dyta, ka të bëjë me arbitrazhin kundër vendimmarrjes së qeverisë. Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) e vlerëson si qëllimisht të pasaktë deklaratën e bërë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë për prishjen e kontratave me investitorët e huaj e shqiptarë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme. Në një intervistë televizive, përfaqësuesja e shoqatës AREA, deklaroi se prishja e njëanshme e kontratave ekzistuese me KESH sh.a me anë të një VKM dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE i ka vendosur në një marrëdhënie të re, të dëmshme dhe të pasigurt investimet prej qindra miliona eurosh, të bëra nga investitorë të huaj e shqiptarë. Sipas Kokoshit, qëllimi i vetëm i investitorëve është mbrojtja e investimeve të tyre, të bëra sipas ligjeve në fuqi të shtetit shqiptar. Përfaqësues të AREA-s theksojnë se, thelbi i kontratës së re të hartuar në mënyrë të njëanshme është roli që qeveria u jep investitorëve të huaj e shqiptarë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme, duke mos i trajtuar më ata si prodhues të energjisë, por si tregtarë të saj dhe duke mos u siguruar blerjen e të gjithë energjisë së prodhuar, siç parashikohej në kontratat e nënshkruara përpara se të nisnin investimet. Sipas AREA, kërkohet që investitorët e huaj e shqiptarë të pranojnë një kontratë, kushtet specifike të së cilës do të përcaktohen në një ligj që nuk është miratuar ende dhe që është në proces draftimi. Përgjigjja e Ministrisë së Energjisë pak ditë më parë nuk e ka shuar debatin me prodhuesit privatë të energjisë elektrike. Në një reagim të dytë për mediat, Shoqata e Prodhuesve të Energjisë ka kundërshtuar qëndrimin e ministrisë, duke e quajtur atë qëllimisht të pasaktë. Prodhuesit privatë të energjisë elektrike thonë se po fshihet e vërteta. Sipas tyre, qeveria ka vendosur t’u heqë investitorëve të drejtat ligjore të fituara më parë dhe t’i zëvendësojë me kontrata që sipas prodhuesve cenojnë hapur të drejtat e tyre. Prodhuesit pretendojnë se prishja e kontratave të shitjes me KESH dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE u sjell atyre pasiguri në investime. Prodhuesit e HEC-ve kanë kontrata koncesionare, ku kushti për investimin në vlera të larta shoqërohej me garanci nga ana e qeverisë për të blerë energjinë e prodhuar, madje me një çmim mbi vlerën e tregut. Ndërkohë, Ministria e Energjisë, prej dy vitesh po punon për të liberalizuar tregun. Me ndryshimet e fundit, sipërmarrësit e HEC-ve trajtohen si tregtarë e jo prodhues të energjisë. Rrjedhimisht atyre nuk u sigurohet blerja e të gjithë energjisë së prodhuar. Investitorët shprehen të shqetësuar nga nxitimi sipas tyre i qeverisë për të firmosur kontratat e reja. Pasiguritë lidhen edhe me masat e ndërmarra tre vitet e fundit, ku si fillim u ul 20% çmimi i blerjes së energjisë tek prodhuesit e HEC-ve. Ministria e Energjisë iu përgjigj prodhuesve, duke theksuar se kontratat e reja nuk cenojnë të drejtat e parashikuara me kontratat koncesionare, duke theksuar se i gjithë liberalizimi i tregtisë është i domosdoshëm për reformën që po ndërmerret në sektorin e energjisë.
Loja në fakt e ministrisë së Energjitikës me kontratat e reja është e pistë. Ndryshimi i rregullave pasi kontratat janë firmosur synon falimentimin e kompanive që kanë investuar në këto HEC-e dhe pas falimentimit ti grabisë investimet që ato kanë bërë në këto HEC-e duke ja dhënë klientelës së zakonshme të kreut të qeverisë.

Arben SHAHINI

Pse Ramën e tremb largimi i Renzit?

Rezultati kundër referendumit kushtetues ishte një humbje politike e Matteo Renzit, e cila e detyroi të jepte dorëheqjen jo vetëm nga detyra e kryeministrit, por ndoshta edhe nga detyra e Sekretarit të Partisë Demokratike italiane.
Çfarë ndryshon për Shqipërinë?
E majta botërore e të qenit “politikisht korrekt”, pas Hillari Klinton dhe Hollande, humbi një tjetër protagonist, Matteo Renzin.
Ish-kryeministri italian i deklaruar publikisht mik i Kryeministrit Rama, me të cilin ka ndarë, përveç selfit, një mënyrë qeverisje të bazuar në deklarata dhe propagandë. Të dy kanë lënë në plan të dytë rezultatet e prekshme, të cilat shpesh herë kanë rezultuar më të ulta se sa pritshmëritë e zgjedhësve.
Sipas Kushtetutës, Renzi nuk ishte i detyruar të thërriste referendum. Por ai e bëri atë, sepse besonte se në një fitore të thellë, e cila do të shërbente për të mbyllur zërat kundra brenda partisë së tij. Ky gabim e ktheu votën për referendumin në një votë kundër qeverisjes Renzi.
Personalizimi i zgjedhjeve është gjithmonë shumë i rrezikshëm, por personalizimi i një referendumi është akoma më shumë, sidomos në kohë krize ekonomike.
Në rastin e Italisë, pakënaqësia e pjesës më të madhe të popullatës, e lodhur nga kriza e gjatë dhe e thellë ekonomike, nga njëra anë e zhgënjyer nga premtime boshe dhe njoftime për refomra me rezultate gati të paperceptueshme, por me kosto të prekshme, dhe nga ana tjetër e irrituar nga prania e miqve dhe të njohurve, të cilët pa meritë ishin në sistemin e pushtetit të ndërtuar nga Renzi, në fund u kthye në një dënim masiv për qeverinë.
Këto pakënaqësi janë të pranishme edhe në Shqipëri. Edhe personalizimin e garës politike, Kryeminsitri Rama e ka filluar prej kohësh. Ai mbron këdo nga ministrat e tij, gati të gjithë të përfolur, duke marrë personalisht përgjegjësinë politike të veprimeve të tyre.
Pika tjetër ku bashkohen Renzi dhe Rama është sulmi ndaj opozitës në momentin kur argumentat në favor të qeverisë mungojnë.
Rama e ka filluar këtë strategji, dukshëm, gjatë diskutimit të Reformës në Drejtësi. Ai kërkoi me çdo kusht të miratojë me shumicë votash ndryshimet kushtetuese për t’i kthyer ato në një humbje të Partisë Demokratike. Ndërsa, tani, ai po përdor pezullimin e ligjit të vetingut nga Gjykata Kushtetuese për t’i ngarkuar PD-së të gjithë koston politike të ndalimit të hapjes së negociatave me BE-në.
Kjo mënyrë qeverisje vetëm me anë të propagandës, e cila solli fitoren e Donald Trump në Amerikë e tani shkaktoi votën masive kundër qeveris Renzi, mund të sjellë edhe në Shqipëri humbjen e Partisë Socialiste, dhe favorizimin e partisë së re të formuar nga Ben Blushi.

Deputetet e PD: Në 3 muaj 3 mijë raste dhune në familje

Vrasjet brenda familjes kanë tronditur opinionin publik. Gratë demokrate e shohin të lidhur këtë dramë me pasojat e varfërisë së tejskajshme, papunësisë dhe depresionit që po përjeton shoqëria shqiptare vitet e fundit. Në një takim të mbajtur në Shkodër, Albana Vokshi bëri përgjegjëse qeverinë për gjendjen e krijuar.
“Është një rritje e tmerrshme e nivelit të dhunës në Shqipëri. Varfëria e tejskajshme është një prej arsyeve të kësaj dhune. Kjo qeveri e ka rritur nivelin e varfërisë nga 12.5% sa ishte më 2013, në 50%. Dhe këto statistika pasqyrohen në raportin e Bankës Botërore. Shteti ka për detyrë të sigurojë dhe mbrojë jetën e qytetarëve të saj, jetën e grave, burrave dhe familjes. Ministri ka larë duart duke thënë që nuk ka përgjegjësi. Hallkat e mekanizmit të mbrojtjes për gratë dhe fëmijët nuk funksionojnë dhe Rama është përgjegjës. Në një vit, 7 gra janë vrarë prej dhunës në familje, 5 prej tyre me urdhër mbrojtje. Si nënë jam shumë e revoltuar sepse nuk kemi mbrojtje për fëmijët. Janë regjistruar më shumë se 3 mijë raste dhune në 3 muajt e fundit të 2015, 80% e saj vjen prej varfërisë. Është rritur dhuna ndaj fëmijëve. Kam një apel për gratë. Të reagojmë jo për partitë politike, por për sigurinë e familjeve tona”, tha Vokshi.
Ajo theksoi se shumë gra dhe vajza kanë kërkuar azil për shkak të këtij depresioni dhe varfërie që po jeton sot shoqëria shqiptare.
“Vitet e fundit është rritur prezanca e dhunës, prej rritjes së depresionit nga ekonomia, mungesa e sigurisë. Në Bashkinë Shkodër janë rreth 47 raste ekstreme të grave dhe të rejave që janë trajtuar në sistemin e referencës, ndërkohë sistemi nuk funksionon. Në Shkodër varfëria është shumë e madhe, 571 gra marrin ndihmë ekonomike”, tha Ademi.
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë në bashkëpunim me Konrad Adenauer Stiftung do të organizojnë në të gjithë Shqipërinë takime me gratë dhe vajzat me qëllim përfaqësimin e gruas në politikë.

Njerëzit e Tahirit, skaf super të shpejtë për të trafikuar kanabis

Njerëzit e Tahirit përdorin një skaf super të shpejtë për të trafikuar kanabis nga Shqipëria për në Itali dhe Greqi. Denoncimi publik është bërë nga një oficer policie, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha.
“Oficeri dixhital denoncon:
– Superskafin super të shpejtë të Saje qorrit që transporton ditë e natë drogë pa i hyrë ferra në këmbë!
– Shitjet e deritanishme janë bërë vetëm për 30% e policisë”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të policisë.
“Në vijën bregdetare nga zona e Durrësit e deri në Sarandë është në lëvizje një super skaf me fuqi katër motorësh dhe me një mundësi ngarkese deri 5 ton lëndë narkotike e që njihet me nofkën “skafi i qorrit” me një skafist nga Vlora e që jeton në Itali. Ky grup kriminal me mbështetje të drejtuesve të lartë të policisë dhe Ministrisë së Brendshme trafikojnë sasira të mëdha të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë dhe Italisë dhe kanë bërë marrëveshje me drejtusit e policisë që fillimisht të trafikojnë 30 përqindëshin e tyre, dhe këta t’i sigurojnë në magazinat e tyre pjesën tjetër deri në momentin e trafikimit”, shkruan oficeri i policisë.
Trafiku i drogës drejt Italisë vazhdon pandërprerje nën hundën e policisë. Bëhet e ditur se, trafikantët që kanë lidhje me policinë lejohen që të kalojnë skafet me drogë nga brigjet shqiptare drejt Italisë. Ndërsa policia godet vetëm ata njerëz që nuk kanë bashkëpunuar me forcat e rendit për kultivimin e kanabisit.

I Çmenduri ka çmendur vendin/ Drama e depresionit, tre të vrarë vetëm dje

Drama shqiptare e vrasjeve dhe vetëvrasje nga depresioni dhe dëshpërimi për shkak të krizës ekonomike thellohet nga dita në ditë. Vetëm ditën e djeshme u vranë tre persona në Tiranë, Kavajë dhe Golem. Në Tiranë u gjet i therur me thikë në fyt një i moshuar. I moshuari u gjet rreth orës 06:35 të mëngejsit të djeshëm poshtë urës së Lanës i mbuluar me gjak. Viktima u identifikua si Hekuran Zeqo, 71 vjeç, ndërsa policia tha se dyshon se ai është vetëvrarë, duke u prerë me thikë në fyt. Eshtë absurd se si mund të presë fytin me thikë deri në vdekje një i moshuar?! Por policia për t’iu shmangur përgjegjësisë së rritjes së kriminalitetit bën deklarata për vetëvrasje. Bëhet e ditur se i moshuari jetonte në zonën e Xhamllikut në kryeqytet, me bashkëshorten, por mbetet ende mister pse ka zgjedhur t’i japë fund jetës në këtë mënyrë.
Ndërsa një person u vra pas një konflikti të ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Cikallesh të Kavajës. Burimet e policisë bënë të ditur se, është vrarë shtetasi Fatmir Çeletaj. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40, ku viktima është përleshur me mjete të forta me Qamil Çeletaj, me të cilin ka lidhje gjaku.
Sherri brenda fisit Çelataj mësohet se ka ndodhur për shkak të një lisi. Personat e përfshirë në ngjarje mësohet se kishin kohë që ishin në sherr për lisin, që ka sjellë dje edhe një viktimë. Po ashtu nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur edhe një tjetër person. Ai është Vilson Isufi, i cili është dërguar në Spitalin e Tiranës për të marrë ndihmën mjekësore. Eshtë për t’u theksuar se për konfliktin disa mujor mes dy kushërinjve Çeletaj ishte njoftuar edhe policia, por nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e vrasjes.
Ndërkohë, një tjetër vetëvrasje ka tronditur opinionin publik ditën e djeshme. Tragjedia ka ndodhur në Golem, ku 54-vjeçari Arben Tahiraj ka kryer vetëvrasje. Burimet e Policisë bëjnë me dije se ai është vetëvarur në shkallët e brendshme të shtëpisë së tij në Golem. Dyshohet se aktin ekstrem viktima e kishte marrë sapo ishte kthyer nga Gjermania nga depresioni, pasi e kishte lënë gruaja.
Tahiraj kishte lënë një letër para se të ndërmerrte aktin e vetëflijimit. Mes shpjegimit se pse po kryente vetëvrasje, viktima ka kërkuar që gruaja mos t’u trengonte fëmijëve të vërtetën e hidhur.
“Nexhi, Lume, Halil, Artur. Ju kërkoj falje për veprimin tim, por më mirë kështu sesa të jetë vonë dhe të më krijohet ndonjë sëmundje nga problemet e mëdhaja që më janë krijuar me realitetin e jetës që m’u servir nga fati im i keq. Unë humba familjen që për mua ishte gjithçka në jetën time. Tani nuk kam më asgjë për të humbur prandaj nuk gjej forca për të vazhduar më tej dhe të merrja këtë vendim të shëmtuar.
Më vjen shumë keq për shqetësimin që po ju sjell. Ju lutem, fëmijët mos i njoftoni, kur të vijë momenti më vonë, kur të jenë të rritur tregojani dhe u thoni se babi i donte shumë që të tre. Jonin, Glorian dhe Julian, por fati e solli që të ndaheshim nga njëri-tjetri që ishte shumë e rëndë. Ju kërkoj të falur të gjithë familjeve tuaja sëbashku me fëmijët kushërinjve, miqve dhe të gjithëve që më janë gjendur pranë dhe më kanë mbështetur në ditët e mia të vështira. Ju përqafoj fort të gjithëve duke iu thënë të ma falni veprimin e dobët të vetëvrasjes. Në portofol janë 265 euro dhe 20 mijë lekë të reja shqiptare. Nuk janë shumë, por përdorini në fatkeqësinë time. Nuk kam më shumë se kaq. 6.12.2016. Vëllai juaj Arben Tahiri.
Janë dhe dy letra të vajzave. Ruajini si kujtim kur të rriten. Janë në gjermanisht”, shkruhej në letrën e lënë nga viktima.
Viktimat e djeshme u shtohen atyre të ndodhura një ditë më parë në Korçë, ku një 41-vjeçar mbyti dy fëmijët e tij të mitur dhe më pas vari edhe veten. Ndërsa të shtunën një grua u vra nga burri i saj në Fier, ndonëse për të kishte një urdhër mbrojtje nga Gjykata. Burri e hodhi gruan nga ballkoni, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Këto ngjarja makabre ngjallën revoltë dhe indinjatë në opinionin publik. Për ngjarjen e Fierit mban përgjegjësi direkt policia, pasi nuk e mori në mbrojtje gruan fatkeqe ndonëse kishte një vendim gjykate për të.
Varfëria ekstreme dhe mjerimi që ka pllakosur të gjithë vendin, janë shkaqet kryesore që e ka çuar shoqërinë shqiptare në një depresion shokues. Përditë ndodhin vrasje e vetëvrasje, ndërsa qeveria jo vetëm që nuk siguron bukën e gojës, por nuk jep asnjë zgjidhje për njerëzit e pashpresë dhe të dëshpëruar nga mosgjetja e një rruge për të mbijetuar.

R.POLISI

Raporti i OBSH, 202 të vdekur në aksidente për 9 muaj

Aksidentet rrugore janë kthyer një kërcënim serioz dhe një problem madhor për jetën e qytetarëve në Shqipëri. Edhe pse ende nuk është mbyllur viti 2016, të dhënat e fundit që i përkasin periudhës janar-shtator, tregojnë se numri i personave të vdekur në 9 muajt e këtij viti, i është afruar totalit të personave të vdekur gjatë gjithë vitit të kaluar.
Kështu, sipas shifrave zyrtare, më 2015-ën, në rrugët e Shqipërisë vdiqën 270 persona nga aksidentet, ndërsa deri në shtator 2016, humbën jetën 202 persona. Sipas renditjes së bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si pasojë e aksidenteve rrugore në Shqipëri janë 15.1 për 100 mijë banorë. Shqipëria, renditet në këtë mënyrë e parafundit në rajon, duke lënë pas vetëm Bosnje e Hercegovinën.
Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, Rusisë dhe ish-Republikave Sovjetike, vendi ynë renditet i katërti përsa i përket rrezishmërisë së rrugëve.
Të dhënat e përmbledhura tregojnë se gjatë vitit të fundit ka patur afërsisht 2.000 aksidente, nga të cilët ka rezultuar që 2.692 persona janë përfshirë në mënyrë direkte apo indirekte. Nga ta, 270 kanë ndërruar jetë.
Përveç humbjeve të mëdha në njerëz dhe plagëve në familjet shqiptare si pasojë e këtij fenomeni, aksidentet janë një kosto edhe për buxhetin e shtetit, ku përllogariten shpenzime të tipit: shëndetësore, infrastrukturë rrugore, transport logjistik, burime njerëzore.
Totali i dëmit ekonomik, sipas ekspertëve, arrin shifrën prej afërsisht 3% të Prodhimit Kombëtar Bruto, ose afro 343.500.000 USD, vetëm për vitin 2015.
Si shkak kryesor i përgjakjes së rrugëve nga aksidentet mbetet shpejtësia e lartë, që vjen si pasojë e mosrespektimit të sinjalistikës rrugore.

Aksidentohet për vdekje 78-vjeçari

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në unazën e qytetit të Korçës, në vendin e quajtur “Ura e Fajancës”. Viktima është një i moshuar që udhëtonte me biçikletë. Sipas policies, mjeti tip furgon (mallrash) me targa AA 274 KI, me drejtues shtetasin R.Sh, 36 vjeç, banues në Korçë, ka aksidentuar me vdekje, shtetasin Th.Q, 78 vjeç, banues në fshatin Ravonik, i cili po udhëtonte me biçikletë në rrugë.
Ndërkohë fillimisht autori së bashku me mjetin e tij, është larguar nga vendi i ngjarjes. por pas më pas ai u ndalua nga policia dhe aktualisht ky shtetas ndodhet në ambientet e Komisariatit të Korçës, për të kryer proçedurat e mëtejshme.

Dhuna në familje, tjetër rast urdhër mbrojtjeje në Fier

Urdhëri i mbrojtjes së Liljana Rukos, vrarë nga bashkëshorti i saj tri ditë më parë, ka çuar për hetim penal një gjyqtar dhe shefen e Përmbarimit në Fier. Por rasti i Liljana Rukos nuk është i vetëm. Zyra e Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Fierit bashkë me urdhërin e mbrojtjes së Liljana Rukos, ka marrë një ditë më parë në dorëzim edhe një tjetër rast, me jo pak, por katër muaj vonesë.
Rasti në fjalë është trajtuar nga Gjykata e Fierit në muajin gusht, por nuk i ka shkuar Shërbimeve Sociale deri ditën e djeshme. Tani gruaja e dhunuar do të merret në trajtim nga Shërbimet Sociale në Bashki ashtu si do të ndodhte edhe me Liljana Rukon, nëse urdhëri i mbrojtjes së saj mbërrinte në kohë pranë institucioneve.
Urdhri i mbrojtjes së muajit gusht për një tjetër grua të dhunuar është dhënë nga i njëjti gjyqtar Ergys Selmani. Ky i fundit po hetohet për shpërdorim detyre pas sekuestrimit të dosjes së Liljana Rukos. Bashkë me gjyqtarin po hetohet edhe Lindita Shabani, shefe e Përmbarimit, e cila pretendon se e ka marrë urdhrin në kohë, por ka harruar ta protokollojë dhe zbatojë. Hetimi ka nisur pas vrasjes së Liljana Rukos nga bashkëshorti i saj të shtunën që shkoi.
Ferdinand Ruko e hodhi 43-vjeçaren nga kati i katërt. Viktima ishte me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata, por jetonte në një shtëpi me dhunuesin e saj. Pas ngjarjes rezultoi se nuk kanë funksionuar mekanizmat rehabilitues, sepse nuk ishin njoftuar.
Gjykata e Krimeve të Rënda lë në burg vrasësin Rukaj
Mbetet në burg pa afat, Ferdinand Rukaj, burri që tronditi mbarë opinionin publik, duke hedhur nënën e dy fëmijëve të tij nga dritarja e katit të katërt. Mesditën e sotme, Rukaj ka dalë para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, nën kopetencën e së cilës janë shqyrtimi i krimeve në familje. Kjo gjykatë e la Rukajn nën masën e sigurisë burg pa afat, ashtu siç edhe kishte kërkuar Prokuroria.
Vetë 52-vjeçari nuk ka folur asnjë fjalë gjatë seancës së masës së sigurisë, ndërsa avokati mbrojtës mësohet se ka kërkuar ekspertim psikiatrik për klientin e mbrojtur prej tij. Gjykata e Prokuroria nuk janë shprehur në lidhje me këtë kërkesë, pasi vendimi për të bërë ose jo ekspertizën psikike pritet të merret gjatë hetimit.
Fundjavën e kaluar, Ferdinand Rukaj, pas një debati me gruan e tij, Liljanën, e ka marrë forcërisht këtë të fundit dhe e ka hedhur nga dritarja e banjos së apartamentit të tyre në katin e katërt të një pallati në lagjen “Kryengritja e Fierit”. Krimi i rëndë ndodhi, ndërkohë që dy fëmijët e çiftit ishin në shtëpi. Vetëm pak ditë para tragjedisë, 43-vjeçarja Liljana Rukaj, ishte pajisur me urdhër mbrojtje nga Gjykata pas padisë së bërë prej saj për ushtrim dhune nga ana e bashkëshortit.

Tenton të mbysë babain në spital

Një 28-vjeçar ka tentuar të vrasë babain e tij mbasditen e djeshme. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ambientet e Spitalit të Korçës rrth orës 19:30. I riu Petrika Ceco ka hyrë në ambjentet e spitalit dhe pasi ka ushtruar dhunë ndaj të atit ka tentuar ta mbysë me një rrip. Tragjedia u shmang falë ndërhyrjes së personelit në pavionin e patologjisë. 28-vjeçari është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Ai u arrestua në banesën e gjyshërve ku ishte fshehur.
“Arrestimi i tij u bë pasi, më datë 05.12.2016 rreth orës 19:30 ky shtetas në ambientet e Spitalit Rajonal të qytetit të Korçës, për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë fizike si edhe ka tentuar të mbytë me një rrip (material sintetik) babanë e tij, shtetasin M.C, 61 vjeç, i cili ndodhej i shtruar në pavionin e patologjisë, për të marrë ndhimë mjekësore. Pasi ka kryer këtë veprim, Petrika Ceco, është larguar nga vendngjarja. Shërbimet e policisë menjëherë kanë lokalizuar vendndodhjen e tij (ishte fshehur në banesën e gjyshërve në lagjen nr. 1) e më pas kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të tij.

Dy shqiptarë kapen me kokainë në Itali

Dy shqiptarë, një mashkull dhe një femër, janë arrestuar nga policia italiane në qytetin e Modenas, Itali. Mediat italiane raportojnë se shqiptarët e arrestuar ishin klandestinë, të moshave 36 dhe 27 vjeç.
Gjatë momentit të arrestimit, dy shqiptarëve u janë gjetur 6 kilogramë kokainë dhe një sasi tjetër prej 1 kilogramësh heroinë, me vlerë në treg prej 60 mijë eurosh. Gjatë kontrollit u gjetën gjithashtu edhe 5 mijë euro para kesh. Siç thuhet nga mediat italiane, droga e kishte prejardhjen nga qyteti i Milanos dhe shpërndahej në zona të ndryshme të qytetit të Modenas.
Po ashtu një 45-vjeçar shqiptar me iniciale X.A. është arrestuar së fundmi në Itali. Ai u kap me disa doza heroinë dhe një dozë kokainë, për të cilat ka deklaruar se e kishte për përdorim personal. Policia zhvilloi kontrolle në banesën e tij në Grieco të Avezzano-s, një zonë malore, duke gjetur një peshore, material për paketimin e dozave, një dozë tjetër kokaine, të gjitha të fshehura në banjo brenda kabinës së lavamanit.
Në dhomën e ngrënies, policia ka gjetur një vend të posaçëm prapa TV në mur, një sasi prej 6 gram marijuanë dhe 11.00 euro, para të ardhura nga aktiviteti i drogës. Shqiptari ka pretenduar se paratë i ka fituar nga shitja e makinave, por ai nuk ka paraqitur asnjë dokument që mund të vërtetojë origjinën ligjore të parave.