27.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025

Përplasje me armë në një piceri në Tiranë

Një përplasje me armë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm mes punonjësve të një picerie në Tiranë. Burime nga policia thanë se është shpallur në kërkim një i ri. Të njëjtat burime policore thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 minuta të mëngjesit tek sheshi “Willson”.
Sipas policisë, 18-vjeçari me inicialet E. I., që punonte si motorist në një piceri në Tiranë, në orën 01:30, tek rruga “Gjin Bue Shpata”, pranë sheshit “Willson”, ka kanosur me armë zjarri, pistoletë, kolegun e punës F. L., 23 vjeç. Kanosja mësohet se kishte ardhur pas një sherri që kishin pasur dy kolegët në lidhje me shpërndarjen e picave.

Shpërthen një makinë në Tiranë

Një makinë e llojit “Benz C Class” ka shpërthyer dhe ka marrë flakë në rrugën e “Elbasanit” përballë restorantit “Sofra e Ariut” në Tiranë. Nuk dihen ende shkaqet e shpërthimit, por fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar. Bëhet e ditur se, flakët kanë shpërthyer nga pjesa e pasme e automjetit. Policia e mbërritur në vendngjarje po mundohet të kontrollojë trafikun. Ngjarja ka krijuar frikë dhe panik tek kalimtarët, por edhe tek banorët që ndodhen në atë zonë të mbipopulluar sidomos në orët e pasdites kur edhe ka ndodhur ngjarja.

Vdekje fashizmit, rroftë fashistja!

Frank SHKRELI

Historiani shqiptar Kastriot Dervishi ka botuar ditët e fundit një dokument, sipas të cilit provohet se Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e diktatorit komunist shqiptar, Enver Hoxha, në rininë e saj, para se të bëhej komuniste e devotshme, na paska qenë e regjistruar në Partinë Fashiste. Megjithëse dokumenti konsiderohet origjinal, disa janë shprehur se Nexhmije Hoxha nuk ka qenë fashiste, por vetëm e regjistruar në Rininë Fashiste. Ky pretendim është sikur të thuash se, “pionerët e Enverit” nuk ishin komunistë dhe nuk mbështesnin regjimin e tij brutal.
Dihet se organizata të tilla kishte nën fashizëm dhe nën komunizëm. Më kujtohen zgjedhjet e para “pluraliste” të vitit 1991, kur isha në Tiranë me delegacionin e parë të Departmentit të Shtetit për të hapur ambasadën e parë amerikane atje dhe për të marrë pjesë si vërejtës në ato zgjedhje. Kujtoj rastin kur për herë të parë, me të arritur në Tiranë, na ra në dorë lista e partive të regjistruara që do të merrnin pjesë në zgjedhje, ku përveç Partisë së Punës, Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane ishin të renditura edhe Fronti Demokratik, Bashkimi i Grave, Bashkimi i Rinisë, Partia Agrare, Komiteti i Veteranëve dhe kandidatë të “pavarur”. Reagimi i parë i kolegëve të mi amerikanë ishte pozitiv se në sipërfaqe dukej si një garë elektorale me të vërtetë pluraliste, por entuziazmi i tyre u shua shpejt kur u thashë se këto organizata ishin satelite të Partisë së Punës dhe se garonin me të njëjtit kandidatë koalicioni të PPSH-së dhe si të tilla ishin krejtësisht të varura nga PPSH-ja. Me këtë dua të them se në këtë mënyrë vepronte edhe fashizmi në rininë e Nexhmijes, ndërsa krijonte organizata të ngjashme satelite si këto të Partisë së Punës së Shqipërisë më vonë për t’u dukur më “demokratike” dhe më “gjithëpërfshirëse”.
Nuk ka aq shumë rëndësi nëse Nexhmije Hoxha e pranon vërtetësinë e dokumentit që provon anëtarësimin e saj në Partinë Fashiste, ose jo. Është e natyrshme që ajo do të përgënjeshtrojë një gjë të tillë. Ç’pret tjetër. Por ajo nuk mund të mohojë gjërat e përbashkëta që, sipas studiuesve dhe historianëve perëndimorë, ekzistojnë midis komunizmit dhe nacizmit. Me Nexhmijen dhe me anëtarësimin e saj në Partinë Fashiste le të merren historianët, por deshta vetëm të vë në dukje atë që me qindra historianë dhe ekspertë perëndimorë, të cilët me librat, me dokumentarët, me studime dhe analiza të ndryshme kanë dokumentuar historikisht dhe shkencërisht, se këto dy regjime ekstremisht brutale të shekullit të kaluar, kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe si diktatura, pavarësisht se përpiqen të dallohen nga njëra-tjetra, në të vërtetë janë njësoj, sidomos për nga brutaliteti që kanë përdorur ndaj kundërshtarve të vet dhe të tjerëve.
Prandaj nga ky këndvështrim nuk është vështirë të shihet se kalimi i Nexhmije Hoxhës nga Partia Fashiste në Partinë Komuniste, duhet të ketë qenë një vendim jo vetëm oportunist, por edhe krejtësisht i natyrshëm për të, kur të merren parasysh ngjashmëritë midis dy ideologjive totalitare, komunizmit dhe fashizmit. Siç thashë më lartë, në botën perëndimore ka një literaturë të pasur, librash, studimesh dhe analizash mbi barazvlerat dhe ngjashmëritë-si në teori ashtu edhe në praktikë-midis këtyre dy ideologjive radikale, të cilat gjatë shekullit të kaluar sollën pasoja të tmershme katastrofike për Europën dhe për mbarë botën, me pasoja të cilat shihen edhe sot e kësaj dite në shumë vende ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë.
Një ndër këto studime akademike është edhe libri i botuar para dy-tre vitesh nga Profesori i Shkencave Politike të Universitetit Maryland këtu në Shtetet e Bashkuara, Vladimir Tismeanu, me titull, “Djalli në Histori – Komunizmi dhe Fashizmi”. Në këtë studim, Profesori amerikan Tismeanu, me origjinë nga Rumania, krahason komunizmin me fashizmin, si dy sisteme garuese me njëri-tjetrin, por gjithashtu edhe si dy sisteme që për nga zhvillimi dhe ushtrimi brutal i pushtetit, puqen në ideologjinë e tyre të totalitarizmit djallëzor, në emër të parimit të një nënshtrimi të përgjithshëm skllavërues të njeriut ndaj regjimit. Profesori Tismeanu krahason ngjashmëritë midis këtyre dy sistemeve politike më të përgjakshme që ka njohur historia.
Në librin e tij, “Djalli në Histori”, Profesori i Universitetit Maryland shqyrton, ndër të tjera, se si është e mundur që frymëzimet utopike që u propaganduan nga regjimet komuniste dhe fashiste në Europë fillim shekullin e kaluar për një revolucion botëror dhe rilindje kombëtare, të ktheheshin në regjime vrasëse. Si është e mundur që një gjë e tillë të ndodhte? Si është e mundur që dy sisteme, që në sipërfaqe dukeshin si krejtësisht ndryshe nga njëri-tjetri, të bënin krime të përmasave të tilla kundër njerëzimit, duke krijuar Auschwitzin nazist dhe gulagë komunistë anë e mbanë Europës. Libri në fjalë u përgjigjet disa pyetjeve themelore mbi moralin dhe politikën, që do e s’do, janë pyetje që rrjedhin nga krahasimi i ngjashmërive midis nacizmit dhe komunizmit, dy sisteme që më në fund, nënvijon autori, dështuan mizorisht ekonomikisht dhe politikisht, por që përfunduan në humbje të mëdha në jetë njerëzish të pafajshëm. Një ndër shqetësimet e tij është përballimi ose mungesa e përballimit me historinë. Profesori Tismeanu shkruan se është me rëndësi të përballohemi me të kaluarën. Për t’u marrë me të kaluarën, sado e vështirë të jetë ajo, është një lloj terapie për individët dhe për shoqërinë, thotë ai. Tismeanu thekson se, nuk mund të ketë heshtje ose të ndërtohet një mur që të ndajë të tashmen nga e kaluara e turbullt, nëqoftëse një shoqëri është serioze dhe dëshiron t’a distancojë veten nga tmerret e nacizmit dhe të komunizmit.
Profesori Tismeanu shkruan se, megjithëse regjimet totalitare të shekullit të kaluar identifikohen me emrat e Leninit, Hitlerit, Stalinit dhe adhurueseve të tyre komunistë anë e mbanë Europës dhe ndonëse këta ishin të pa moral dhe vrarës psikopatë, është e vështirë, thotë ai, të shpjegohet mbështetja ndaj këtyre diktatorëve, të cilët konsideroheshin si perëndi nga turma të mëdha të popullit. Është vështirë të shpjegohej, jo vetëm atëherë, por edhe sot, përkrahja që vihet re nga një numër nostalgjikësh, sidomos ndaj komunizmit dhe ndaj këtyre diktatorëve të mëdhej dhe atyre më të vegjël, si Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha. Për të kuptuar barbarizmin e këtyre dy regjimeve – komunizmit dhe nacizmit – profesori Tismeanu thotë se është e nevojshme, që sot të përballemi me teoritë dhe praktikën e këtyre regjimeve si dhe me mendimet dhe ideologjitë që frymëzuan një shkatërrim të tillë në masë, nga dy sisteme: komunizmi dhe nacizmi, njëri i të majtës ekstreme dhe tjetri i të djathtës ekstreme, por të cilët në fund të fundit, kanë aq shumë gjëra të përbashkëta midis tyre.
Prandaj, debati aktual nëse Nexhmije Hoxha ishte anëtare e Partisë Fashiste, e Rinisë Fashiste apo e Partisë Komuniste, nuk ka asnjë rëndësi fare, pasi këto sisteme nuk dallohen shumë nga njëri-tjetri. Njëri sistem nuk ishte më i mirë se tjetri, përkundrazi, ata puqen me njëri-tjetrin për nga brutaliteti dhe për nga krimet kundër njerëzimit. Shoqja Nexhmije duket se e paska ndjerë veten rehat si në njërën ashtu edhe në tjetrën. Me rëndësi ka zhvillimi i një debati serioz se si të shkëputet Shqipëria dhe shqiptarët njëherë e mirë nga trashëgimia e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe Nexhmije Hoxhës. Kur do të marrë fund periudha e ashtuquajtur “post-komuniste”? Kur do të ndahet kjo klasë politike, qeveritë dhe autoritetet post-komuniste shqiptare të 25 viteve të fundit nga sjelljet autoritare të paraardhësve të tyre komunistë? Kur do të hapen dosjet, që e vërteta të dalë në dritë, që e bardha të ndahet nga e zeza, më në fund. Njëri nga deputetët socialistë shqiptarë u shpreh ditët e fundit se antifashizmi është një vlerë perëndimore, gjë që është e vërtetë. Por deputeti socialist dështoi të thonte njëkohësisht se edhe antikomunizmi është një vlerë perëndimore. Pa vlerat perëndimore antikomuniste dhe antifashiste dhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, zor se ishte fituar lufta kundër fashizmit dhe komunizmit. Vlerat perëndimore nuk mund të pretendohen, duke ruajtur me fanatizëm trashëgiminë e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës. Për hir të vlerave perëndimore, kemi nevojë për pak më shumë dritë nga ajo periudhë e errët, ju lutem!

Merkel prezanton vizionet e CDU-së

Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbajti një fjalim të zjarrtë në Kongresin e CDU-së. Rreth 1000 delegatët e mbledhur e përshëndetën me një duartrokitje prej 11 minutash. Bota ka ndryshuar në vitin 2016: kancelarja Angela Merkel u përpoq në fjalën e saj në Kongresin e CDU-së që të mobilizojë partinë e saj përballë sfidave që e presin vitin e ardhshëm kur mbahen zgjedhjet parlamentare. Merkeli në fjalën e saj në Esen u koncentrua tek disa nga çështjet më të rëndësishme me të cilat po përballet CDU dhe Gjermania: siguria, ekstremizmi islamik dhe migrimi. Si boshtet më të rëndësishme të politikës së CDU-së ajo përmendi ekonominë e fuqishme, vendet e sigurta të punës, bashkëveprimin në shoqëri, veprimin e fuqishëm të shtetit juridik kundër dhunës dhe terrorit, si dhe përgjegjësinë ndërkombëtare kundër luftës, varfërisë, urisë dhe ndryshimit të klimës.

Ndalimi i burkës
Merkel foli shumë qartë kundër mbulimit të plotë të femrave, në vendet ku atë e ndalon ligji. “Tek ne thuhet: duhet të tregosh fytyrën, ndaj mbulesa e plotë nuk është në rregull dhe duhet të ndalohet, në vendet ku është e mundur”, theksoi Merkel. Kjo deklaratë u përshëndet me duartrokitje të fuqishme të 1000 delegatëve prezentë.
Populizmi nuk është kurrfarë alternativë. “Kush është populli dhe kush paraqet popullin, këtë e vendosim ne, këtë e vendos populli, pra ne të gjithë. Dhe jo një grusht njerëzish, pavarësisht sa të zëshëm janë ata”, theksoi shefja e CDU-së, e cila këtu mendonte tek demonstruesit e lëvizjes Pegida, të cilët çdo të hënë mbajnë protesta nën moton “Ne jemi populli”.

“Integrimi i të djashtës”
CDU gjendet para një fushate shumë të vështirë, për shkak të sulmeve nga e djathta dhe e majta. “Nuk do të jetë fare e lehtë”, tha Merkel duke shtuar se detyra kryesore tani është të evitohet krijimi i një koalicioni kuq-kuq-gjelbër (SPD, E Majta, Ekologjistët). Me rëndësi është, siç tha, “integrimi i forcave të djathta”. Merkel bëri thirrje për veprimin e përbashkët të kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve CDU/CSU, ku kohët e fundit ka pasur mospajtime të mëdha, në veçanti në çështjen e refugjatëve.

“Së pari duhet të forcojmë Evropën”
Merkel paralajmëroi për dobësimin e Evropës. Ajo rikujtoi fjalët e ish-kancelarit Helmut Kohl se, “Evropa është një çështje e luftës dhe paqes”. “Gjermania mund të jetë mirë vetëm nëse Evropa i ka punët mirë”, tha Merkel duke shtuar se bota është destabilizuar në vitin 2016. Tani duhet të angazhohemi me të gjitha forcat për forcimin e Evropës, në mënyrë që të dalë sa më parë nga kriza. Kancelarja konkretisht përmendi Brexit-in, sepse dalja e Britanisë së Madhe e ka dobësuar tregun e brendshëm. Por qasja tek tregu i brendshëm mund të garantohet vetëm nëse respektohen liritë elementare në BE.
Merkel u tregua e mllefosur me zhvillimet në Siri, e cila po fundoset në luftë. Shembulli më i mirë për këtë është qyteti Alepo. Zhvillimet atje janë një “turp”. Merkel sërish kundërshtoi mbështetjen nga Rusia të regjimit të Bashar al-Assadit.

“Nuk do të përsëritet”
Lidhur me krizën e refugjatëve Merkel tha se një katastrofë e ngjashme si ajo në vitin 2015 nuk guxon të përsëritet. Në një gjendje të këtillë të rëndë, Gjermania është “treguar nga ana e saj më e mirë”, me solidaritetin e treguar ndaj refugjatëve. Refugjatët e ikur nga lufta, përndjekjet dhe mangësia e perspektivës kanë gjetur mbështetje në Gjermani. Ata që kanë nevojë për mbështetje duhet të mbeten në Gjermani, ndërsa të tjerët duhet të largohen nga vendi.
Merkel ka kandiduar për rizgjedhje në krye të partisë CDU. Ajo është kryetare e partisë që 17 vjet. Merkel ka vendosur të rikandidojë për të katërtën herë me radhë për postin e kancelares në Gjermani. Fjalimi i kancelares Merkel u përshëndet me duartrokitje të gjatë prej 11 minutash. Pasdite do të votohet për postin e kryetares dhe do të shihet nëse Merkel do ta ketë mbështetjen e plotë të partisë.

Refugjatët të pashpresë në Serbi

Mijëra refugjatë qëndrojnë në Ballkan të frenuar në rrugën e tyre drejt Europës. Dëshpërimi rritet dita-ditës, sidomos në Beograd. Një reportazh nga zonat e braktisura të kryeqytetit serb. “Sa vjeç je?”, “Pesëmbëdhjetë!”. “Vetëm e ke marrë rrugën?”, “Po, vetëm!”, “Askush nuk kujdeset për ty?”, “Jo, askush!”, “Ke familje në Gjermani?”, “Jo. Familja më ka dërguar këtej, ndoshta mund ta dish si është gjendja në Afganistan. Babai im nuk donte, që të bëhesha bujk si ai”.
Sohail është një djalë i ri, me sy të mëdhenj dhe mjekër adoleshenti. Ai është njëri nga mijëra refugjatët që kanë zbarkuar në Serbi. Ata u frenuan për të vazhduar itinerarin e Ballkanit, sepse erdhën vonë, kur ishin ngritur gardhet, kur u vendosën kontrollet dhe dëbimet u kthyen në modë në Europë. Serbia e ndjek me zell këtë politikë, e nuk ka zgjidhje tjetër: Vendet fqinje i kanë mbyllur kufijtë, Hungaria lejon rreth 20 vetë në ditë të kalojnë kufirin. Sohail nuk ka shans. Megjithëse nuk mund të thuash me siguri, sipas cilave kritere vendosin hungarezët, kush lejohet të kalojë kufirin. E sigurtë është: vetëm familjet lejohen të kalojnë.

Etapa e torturës që mban emrin “Beograd”
Adoleshenti nga Afganistani ka gjetur strehë në një magazinë të braktisur pas stacionit të trenit në Beograd, një ndërtesë që kutërbon nga urina, tymi, myku dhe djersa e shumë kilometrave të lënë pas. Plehrat sundojnë kudo, mes tyre burra që falen, të tjerë që flenë, diku më tej një zjarr për t’u ngrohur.
Etapa e torturës që mban emrin “Beograd”. Sohail thotë se nuk mund të jetojë kështu. Po pse nuk regjistrohet tek autoritetet për të kaluar në një qendër azili? 12 syresh ka në Serbi, me kapacitet për 7.000 vetë, sigurisht nuk janë hotele luksozë, por të paktën aty është ngrohtë dhe refugjatëve u jepet ushqim. Janë përhapur zëra se kampet janë tejmbushur dhe se në Preshevë për shembull refugjatët nuk mund të dalin jashtë thotë Sohail. “Kam dëgjuar që shumë refugjatë kthehen në Maqedoni, miqtë e mi e kanë pësuar kështu”.

Mrekullia ka shteruar
Rados Durovic nga Qendra e Beogradit për Ndihmën ndaj Refugjatëve, thotë se kampi i Preshevës është një qendër e izoluar, askush nuk lejohet të dalë jashtë. “Justifikimi për këtë është përhapja e morrave dhe zgjebës. Por nuk mund t’i kufizosh dikujt lirinë e lëvizjes për kërë arsye, këtë e ndalon edhe Kushtetuta serbe”, thotë Durovic në bisedë me “DW”.
Durovic është një nga të paktët që kritikon hapur, shumë të tjerë kanë frikë. Në fillim të nëntorit shteti u ndaloi organizatave humanitare shpërndarjen e ushqimeve në rrugë. Në rast të tillë ato rrezikojnë të mos lejohen të hyjnë në qendrat e azilit. Mrekullia serbe e vitit të kaluar, ku në parqe shihje vullnetarë që shpërndanin supë dhe byrek apo ofronin veshje për refugjatët ka shteruar. Qeveria po ndjek një politikë të ashpër, termi “refugjat” është zhdukur nga përdorimi, në vend të tij flitet për “emigrantë ekonomikë”.
Kufiri me Bullgarinë kontrollohet nga ushtria. Ata që gjejnë një hapësirë kalimi duhen dërguar në qendrat e azilit, thotë i ngarkuari serb për refugjatët, Vladimir Cucic. “Refugjatët duhen larguar nga rrugët e Beogradit, ky është hapi i parë”.

Njerëz të padukshëm
Hipokrizi, kritikon Durovic. “Me deklarata të tilla po e ndryshon qëndrimin edhe opinioni publik serb”. Sipas tij një politikë e tillë e dorës së fortë ndihmon vetëm bandat e kontrabandistëve. “Ato janë bërë korporata të vërteta, edhe disa serbë e përdorin mundësinë për të bërë para shpejt. Rrjetet e kontrabandistëve nuk goditen dot kollaj”.
Sipas disa burimeve të “Deutsche Welles” këto rrjete veprojnë edhe në Beograd. Sipas një punonjësi të një organizate humanitare, që nuk do të përmendet me emër dhe që rregullisht është në kontakt me refugjatët, mijëra vetë bëjnë pjesë tek “të padukshmit”. “Ata ose kanë kaluar në banesa private, sepse kanë para, ose kanë gjetur një strehë falë kontrabandistëve. Duket sikur policia i toleron këto; e vërteta është disa arrijnë të dalin nga ky vend me ndihmën e kontrabandistëve”. Disa burime të thonë se rruga nga Maqedonia në Serbi kushton nga 300 deri në 500 euro. Magazina e braktisur pas stacionit të trenit është strehë për ata kontrabandistë që vetëm mund të ëndërrojnë për kontrabandistët, sepse nuk i kanë paratë për të paguar.

“Jo vetëm tranzit”
Në Ballkan po rritet dita-ditës dëshpërimi. Në javët e kaluara mediat publikuan lajmin se si dy grupe migrantësh u sulën me thika kundër njëri-tjetrit, një afgan humbi jetën. Një tjetër u vetëvra jo larg një qendre azili, pasi ishte përpjekur disa herë të hynte në ndonjë vend perëndimor. Një tjetër rrezikoi jetën hipur lart në një tren që shkonte drejt Hungarisë.
Në Bullgari dhe Maqedoni me mijëra janë në pritje të hyjnë në Serbi, në Greqi janë ngujuar rreth 60.000 vetë, më tej miliona presin në Turqi, kur Ankaraja kërcënon të hapë portat. Sasa Jankovic, Avokati i Popullit në Serbi, thotë për “DW” se, “Bashkimi Europian ka tradhtuar parimet e veta”. Sipas tij edhe në “Serbi duhet të kuptohet që nuk do të mbetemi vetëm një vend tranziti. Bota është në ndryshim e sipër, miliona janë në rrugë si refugjatë”.
15-vjeçari afgan, Sohail nuk interesohet për gjeopolitikën. Ai thjesht nuk mund të mësohet dot me idenë që të qëndrojë në Serbi. Synimi i tij: Të vazhdojë rrugën drej Europës. “Winter is coming”. “Dimri po vjen”, thotë ai.

Merkeli kundër populizmit

Refugjatët dhe populizmi – çështje kryesore në kongresin e partisë së kancelares Angela Merkel, CDU.
Partia Kristian-Demokrate gjermane, CDU, po zhvillon kongresin e saj vjetor në Essen. Të dhënat e anketimeve tregojnë se CDU-ja ka dalë prej shifrave të ulëta prej 30% të votave, që lidheshin me qëndrimi ndaj azilkërkuesve. Por nga ana tjetër partia populiste e djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD, ka shënuar rritje jo vetëm në lindje të Gjermanisë.

Probleme me partinë simotër nga Bavaria
Pasojat e krizës me refugjatët shprehen edhe në marrëdhënien me partinë simotër bavareze CSU-në. Si zakonisht edhe kësaj here në kongresin e CDU-së do të mbante një fjalim përshëndetës edhe kryetari i partisë CSU, Horst Seehofer. Por për shkak se ai dhe kancelarja Merkel kanë më tepër se një vit që kanë mosmarrëveshje për qëndrimin ndaj azilantëve dhe kufirin e sipërm për numrin e atyre që duhet të lejohen të hyjnë në Gjermani, ata vendosën që të mos shkojnë për të mbajtur fjalime tek kongreset respektive për të mos e shpalosur hapur luftën mes tyre.
Por këto parti nuk mund t’i lejojnë vetes një konflikt të vazhdueshëm. Sepse pa partinë CSU, e cila është më konservatore se CDU-ja një numër zgjedhësish mund të kalonin tek partia populiste e djathtë AfD. Prandaj në kongres do të përshëndesin funksionarë të lartë të CSU-së.

Përgatitje për zgjedhjet parlamentare
Për momentin në shumë vende të BE-së dhe në disa lande gjermane populistët po fitojnë gjithnjë e më tepër vota. Taktika e re që po ndjek Merkeli në prag të zgjedhjeve është të dëgjojë në vend që të dënojë. Me këtë taktikë ajo synon të kapërcejë të ashtuquajturin hendek mes establishmentit dhe popullit për të cilin pretendojnë populistët.
Po ashtu duket se partia do të orientohet disi më tepër djathtas. Për këtë flasin projektpropozimet për rregulla më të ashpra për azilin dhe dëbimin në rast mosmiratimi të azilit. Apo dokumenti i përgatitur nga baza për kryesinë e partisë me titullin “Orientim në kohë të vështira”, në të cilin bëhet fjalë kryesisht për tema të tilla si refugjatët, migrimi dhe integrimi. Javën e kaluar edhe vetë Angela Merkel tha se një situatë me refugjatët si ajo e vitit 2015 nuk duhet të përsëritet.
Një sërë kërkesash ka parashtruar në konges edhe organizata rinore e kësaj partie “Junge Union”, e cila është tejet konservatore. Ndër të tjera është fjala për ndalimin e ferexheve, ligje të reja për dëbimin e të huajve apo ndalimin e tubimeve publike në të cilat fjalimet mbahen në gjuhë të huaj. Më saktë pra CDU-ja do të largohet disi nga zona e rehatshme e qëndrimeve politike drejt qendrës.

Jo surpriza në drejtimin e partisë
Delegatët do të përqendrohen vetëm në diskutime përmbajtësore, sepse sa i përket personelit drejtues të partisë në kongresin e Esenit nuk priten surpriza. Krahas Merkelit që kandidon për postin e kryetares së partisë, ka edhe pesë kandidatë që kandidojnë për pesë postet e nënkryetarit të partisë. Të gjithë kandidatët për nënkryetarë partie janë përkrahës të vijës së kancelares Merkel.

Italia mes pasigurive politike dhe ekonomike

Kryeministri italian, Matteo Renzi u takua me presidentin Sergio Mattarella të hënën për të diskutuar mbi dorëheqjen e tij pas humbjes së thellë në një referendum mbi reformat kushtetuese.
Zoti Renzi ra dakord të mos e japë dorëheqjen para se të miratohet buxheti, që pritet brenda dy ditëve të ardhshme.
41-vjeçari Renzi pranoi humbjen dhe shpalli dorëheqjen në një konferencë të shkurtër dhe emocionale për shtyp, brenda dy orësh pas mbylljes së qendrave të votimit.
Lëvizja populiste Pesë Yjet e udhëhequr nga komediani Beppe Grillo, që ishte në krye të fushatës kundër referendumit, bëri thirrje – ashtu si edhe forcat e tjera të opozitës – për zgjedhje të parakohshme, pasi zoti Renzi deklaroi dorëheqjen.
“Është koha për të bashkuar vendin që u përça nga referendumi dhe për të deklaruar zgjedhje të parakohshme, si edhe për të marrë një vendim”.
Lëvizja Pesë yjet është rivalja kryesore e demokratëve të zotit Renzi dhe po bën të gjitha përpjekjet për të arritur sukses në skenën politike kombëtare për herë të parë.
Pjesëmarrja prej 67 për qind ishte veçanërisht e lartë për një referendum dhe më e ngjashme me një pjesëmarrje për votim në Parlament. Rreth 60 për qind e italianëve që hodhën votën, ishin kundër reformës.
Senatori Lucio Malan, i grupit Forza Italia, tha se hapat e mëpasshme do të varen nga zoti Renzi megjithëse po jep dorëheqjen, sepse është udhëheqësi i partisë më të madhe.
“Shpresoj që zgjidhja të jetë një kabinet i ri dhe një ligj i ri zgjedhor, sepse aktualisht falë kryeministrit Renzi kemi dy variante krejt të ndryshme ligji në Dhomën e Ulët dhe në Senat, gjë që e bën një qeveri të re pothuajse të pamundur pas zgjedhjeve. Prandaj na duhet një ligj i ri, në muajt në vazhdim dhe pastaj të kemi zgjedhje të reja siç ndodh shpesh në një demokraci”.
Italianët reaguan kur u bë e qartë që ndryshimet kushtetuese u hodhën poshtë.
“Mendoj se jemi një vend që dimë shumë mirë të shkatërrojmë, kemi prirjen të bashkohemi për të prishur anijen që po ndërtohet. Tani duhet të presim për anijen tjetër, por nuk mund të vazhdojmë kështu përgjithmonë”, thotë Stefania Falcone.
“Ne fituam. Nuk mund të vazhdonim më ashtu. Populli italian nuk duron dot më. Ata vendosën për ndryshim dhe e shprehën në këtë mënyrë. Nëse nuk e kuptojnë mesazhin, ne do t’i bëjmë që ta kuptojnë”, thotë një banor.
“Është shumë e vështirë. Për momentin nuk shoh asnjë udhëheqës që të spikasë. Nuk jam e frymëzuar të votoj për asnjë prej tyre”, thotë një banore.
Vendimi i zotit Renzi për të dhënë dorëheqjen është një goditje edhe për Bashkimin Evropian, që është në mes të disa krizave dhe që po përpiqet të frenojë fuqizimin e forcave politike me pikëpamje të skajshme që kanë tronditur botën perëndimore këtë vit.
Matteo Salvini, udhëheqësi i Partisë Lidhja Veriore në Itali, një forcë antiimigracion, aleat i udhëheqëses së të djathtës së skajshme në Francë, Marie le Pen, iu referua këtyre zhvillimeve kur e lidhi rezultatin e referendumit, me prirjet politike që janë shfaqur në Evropë.
“Është e qartë se përsa i përket Evropës, qëndrimi italian nuk është më që t’i shërbejnë Bashkimit Evropian, por të veprojmë si të barabartë. Ne do të jemi të rëndësishëm për ata që duan të jenë aleatët tanë. Asnjëherë më qeveri me këta socialistë të Bashkimit Evropian. Kjo është e qartë. Asnjëherë më shërbëtorë të një monedhe të gabuar ose një sistemi bankar të çmendur”.
Por zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, shprehu një qëndrim të ndryshëm në Bruksel.
“Ne mendojmë se referendumi në Itali ishte për një ndryshim në Kushtetutën italiane, nuk kishte lidhje me Evropën”.
Zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel tha se asaj i vjen keq për dorëheqjen e zotit Renzi, pasi kishte pasur një bashkëpunim shumë të mirë me të, por shtoi se vendimi demokratik i votuesve italianë duhet respektuar.
Përmes referendumit zoti Renzi, donte të zëvendësonte dhomën e sipërme të Parlamentit, Senatit, me një dhomë të përfaqësuesve rajonalë, që do të kishin shumë më pak kompetenca.
Ai ishte shprehur se ndryshimet do t’i jepnin fund bllokimeve të Parlamentit dhe do ta nxirrnin ekonominë nga stanjacioni i gjatë. Por kundërshtarët kishin thënë se ato do të dobësonin demokracinë dhe do të përqendronin shumë pushtet në duart e kryeministrit.

Bernard Cazeneuve, emërohet kryeministër i Francës

Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, është emëruar në postin e kryeministrit të Francës.
Presidenti François Hollande i besoi atij qeverinë pas vendimi të kryeministrit të deritashëm, Manuel Valls, për të dhënë dorëheqjen, në mënyrë që të konkurrojë në zgjedhjet paraprake të Partisë Socialiste për t’u bërë kandidat i saj në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Valls, 54-vjeçar, vendosi të konkurrojë për të trashëguar presidentin Hollande, i cili javën e kaluar tha se nuk do të kërkojë një mandat të dytë.
Si ministër i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, ishte në krye të përballjes me ekstremistët islamikë që vranë në disa sulme gjatë dy viteve të shkuara mbi 200 veta, përfshirë edhe sulmet e bashkërenduara të vitit të kaluar në Paris, që lanë pas vetes 130 të vrarë.
Nëse Valls fiton në zgjedhjet paraprake të socialistëve në muajin janar, do të përballet me ish-kryeministrin, François Fillon, kandidatin 62-vjeçar të Partisë Republikane të qendrës së djathtë, i cili javën e shkuar fitoi në zgjedhjet paraprake të kësaj partie.
Zgjedhjet presidenciale franceze mbahen në pranverë.

Trump emëron Ben Carson si kreun e Departamentit të Strehimit

U.S. Republican candidate Dr. Ben Carson speaks during the Heritage Action for America presidential candidate forum in Greenville, South Carolina September 18, 2015. REUTERS/Chris Keane

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka emëruar ish-neurokirurgun Ben Carson për të drejtuar Departamentin e Strehimit dhe Zhvillimit Urban.
Zoti Carson ishte një ndër rivalët e tij kryesorë në betejën për të marrë emërimin e Partisë Republikane gjatë fushatës së zgjedhjeve paraprake.
Zoti Carson u largua nga gara në muajin mars dhe pas kësaj mbështeti zotin Trump.
Presidenti i zgjedhur vazhdon punën për të ndërtuar kabinetin e ri, i cili duhet të miratohet nga Senati, ku republikanët do të kenë shumicën.
Ai ende nuk ka emëruar një sekretar Shteti dhe kërkimi i kandidatit për këtë post është zgjeruar. Takimet e zotit Trump me katër kandidatët kryesorë nuk kanë rezultuar në një vendim.

Rusia kritikon reagimet ndaj sulmit në spitalin e Alepos

Rusia i ka kritikuar “reagimet modeste” të komunitetit ndërkombëtar pasi dy mjeke ruse janë vrarë në një sulm me granatë në një spital fushor në Alepo të Sirisë.
Rusia iu vë fajin rebelëve antiqeveritarë për sulmin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e ka përmendur veçanërisht SHBA-në më 6 dhjetor kur ka thënë se ka bërë reagim të vobektë për “tragjedinë”.
Ministria e mbrojtjes së Rusisë ka thënë se dy mjeke janë vrarë dhe një tjetër ka pësuar lëndime serioze.
Zëdhënësi i kësaj ministrie ka thënë se sulmi ka qenë i planifikuar, duke aluduar se koordinatat e spitalit fushor janë dhënë tek rebelët nga shtetet e huaja.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner ka thënë se çfarëdo akuze pse SHBA-të e kanë bërë këtë janë “tërësisht të pavërteta”.
Televizioni shtetëror rus, “RT” e ka raportuar reagimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ku thuhet se incidenti tregon që “të gjitha palët e përfshira në konfliktin e Sirisë po dështojnë të respektojnë dhe mbrojnë punonjësit shëndetësorë, pacientët dhe spitalet dhe të bëjnë dallimin në mes tyre dhe objektivave ushtarake”.
Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një komunikate e ka cilësuar këtë deklaratë “cinike”, e cila tregon se organizata në fjalë është “indiferente ndaj vrasjes së mjekeve ruse në Alepo”.
Rusia është duke përkrahur qeverinë siriane edhe ushtarakisht prej nisjes së konfliktit para pesë vjetësh. Sulmet ajrore kundër rebelëve i ka nisur në shtator të vitit 2015.