18.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Problemet e bankave italiane

Me “JO”-në në referendum, italianët e rrëzuan qeverinë e tyre. Kjo rrit presionin mbi bankat. Ndryshe nga ç’pritej tregjet financiare dhe bursat nuk u tronditën prej referendumit në Itali. Indekset e bursave në Londër, Frankfurt dhe Paris shënuan plus dhe madje edhe humbjet në bursën e Milanos me më pak se 1% ishin të papërfillshme. Mesa duket investorët u surprizuan pak si nga “JO”-ja e referendumit edhe nga deklarata për dorëheqje e kryeministrit Matteo Renzi.
Por megjithatë problemet mbeten. Dhe Italia duket se është më larg se kurrë një zgjidhjeje. Bankat italiane vuajnë prej kredish të këqija, të cilat sipas FMN-së kapin një vlerë rreth 360 miliardë euro.

Bankave u nevojiten miliarda?
Dy bankat më të mëdha të Italisë, banka më e madhe e vendit Unicredit dhe banka Monte dei Paschi di Siena (MPS), që renditet e treta, duan të grumbullojë javët e ardhshme disa miliarda për të arritur një rritje të kapitalit. Atyre u duhen të holla për të mundur t’i transferojnë disa nga kreditë e tyre të këqija në një fond ndihme. Por gjetja e investitorëve tani mund të bëhet edhe më e vështirë. Në bursën e Milanos aksionet bankare ishin të hënën humbëset e mëdha.
Banka Monte dei Paschi di Siena ka nevojë për pesë miliardë para të freskëta – gati nëntë herë më shumë se sa vlen vetë kjo bankë aktualisht në treg. Unicredit shpreson të mbledhë deri në 13 miliardë euro, pra aq sa e ka vlerën e saj aktuale në treg.
Në rast se bankat nuk e mbledhin dot kapitalin që u nevojitet do të duhet që ato t’i shpëtojë shteti italian. Por kjo është mjaft e vështirë për shkak se borxhi i Italisë është rreth 130 për qind.

Krizë e re për Eurozonën?
Carsten Brzeski, kryeekonomist i bankës ING Diba thotë se sa i përket Eurozonës nuk ka pse të kemi shumë frikë, sepse borxhet e shtetit italian mbarten kryesisht prej italianëve dhe prandaj ata nuk do t’i shesin bonot e tyre të thesarit. Po ashtu përqindjet e interesit për momentin janë tepër të ulëta.
Brzeski është po ashtu optimist, se nëse qeveria e re italiane do të drejtohet prej ndonjë teknokrati që do të ketë mbështetjen e gjerë në Parlament, ai mund të nisë edhe një reformë në sektorin bankar dhe do ta bëjë këtë ndoshta edhe më mirë se Renzi.
Kurse Marcel Fratzscher, shef i institutit më të madh studimor ekonomik gjerman “DIW” në Berlin, mendon se gjendja në Itali përbën rrezik për të gjithë eurozonën, dhe se Italia mund të jetë guri i parë i dominosë për një Evropë më të dobët, me më pak rritje ekonomike dhe paqëndrueshmëri më të madhe në tregjet financiare.

Van der Bellen: Do të jem president pro evropian

Ish-udhëheqësi i partisë së gjelbërt me prirje të majta Alexander van der Bellen fitoi të dielën zgjedhjet presidenciale në Austri përballë kandidatitit të ekstremit të djathtë Norbert Hofer. Fitorja shihet si një goditje ndaj një vale në rritje të populizmit në Evropë të ndikuar prej dy zhvillimesh të rëndësishme siç ishte largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe zgjedhja e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara.
45-vjeçari Hofer, që synonte të bëhej kandidati i parë i krahut të djathtë ekstrem, që fitonte zgjedhjet në mënyrë demokratike, që prej Luftës së Dytë Botërore, pranoi humbjen përballë profesorit të ekonomisë në pension, 72-vjeçarit Van der Bellen, menjëherë pas daljes së rezultatit.
Van der Bellen u tha gazetarëve se do të përpiqet të mbajë dyert e ekonomisë së Austrisë të hapura, si dhe shtoi se do të jetë një president pro evropian.
“Do të jem i hapur ndaj botës, një president pro evropian. Do të përpiqem të jem një president për ata që votuan pro dhe kundër meje, që votuan për mua pa hezitim apo u menduan për ta bërë. Do të përpiqem ashtu sikurse Heinz Fischer (ish-presidenti austriak) të mbaj të hapura dyert e ekonomisë për Austrinë dhe ç’është më kryesorja do të jem një president i pavarur sikurse u përpoqa të jem një kandidat i pavarur përgjatë gjithë fushatës”, tha presidenti i zgjedhur Alexander van der Bellen.
Ndërsa roli i presidentit në Austri është më shumë ceremonial, procesi kishte marrë shumë vëmendje ndërkombëtare duke u konsideruar si tregues i përhapjes së populizmit dhe lëvizjes kundër klasës së vjetër politike që pason votimin në qershor për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe fitoren e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë një konference për shtyp në Athinë, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier e komentoi humbjen e zotit Hofer si një zhvillim pozitiv kundër një vale populizmi që ka përfshirë Evropën.
“Nëse ky është rezultati, kjo është një shenjë e mirë ndaj populizmit në Evropë. Jam veçanërisht i lumtur ta marr këtë lajm në djepin e demokracisë, në Greqi”, u tha gazetarëve ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Kur mbeteshin vetëm votat e hedhura nëpërmjet postës për t’u numëruar, sondazhet treguan se Van der Bellen fitoi 53.3% të votave ndërsa Hofer 46.7%. Rezultati, përfshirë votat e mbetura, pritet të dalë jo më vonë se dita e martë.
Van der Bellen, i cili mbështet fuqishëm Bashkimin Europian dhe është avokat i politikave liberale të migracionit, do të betohet më 26 janar.

Interi bën gati skarcimet në janar

U duk e çuditshme zgjedhja e Stefano Piolit për t’i besuar çelësat e mesfushës mesfushorit francez Kondogbia, por me kalimin e ditëve kuptohet pse trajneri i ri i zikaltërve e aktivizoi si titullar. Ai ka dashur ta provojë dhe kaq pak ndeshje i kanë mjaftuar që Kondogbia është një investim i gabuar. Kohët e arta kur luante te Monako duken si një kujtim i largët, sepse tek Interi ai është thjesht një fantazmë.
Nuk mbron, nuk ndërton dhe nuk ofron ekuilibra në fushë. Ai nuk mund ta bëjë kurrsesi Medelin, mungesa e të cilit po ndihet shumë në mesfushë. Kondogbia i ka ditët e numëruara në Milano dhe shumë shpejt, ndoshta në merkaton e janarit do të sakrifikohet.
Problemi i vetëm është se për francezin nuk ka shumë skuadra të interesuara dhe Interi mund ta ketë të vështirë për t’i gjetur ekipin e së ardhmes. Deri tani, Marseja dhe Liverpuli kanë kërkuar informacione. Interi është gati ta japë në huazim me detyrim blerjeje, për afro 22 milionë euro.
Mirëpo, Kondogbia nuk është i vetmi që do të largohet nga Interi në janar. Drejtori sportiv, Auzilio ka shumë punë për të bërë sepse grupi i futbollistëve është shumë i fryrë dhe gjatë këtyre javëve nuk kanë luajtur të gjithë. Duke nisur nga sulmi, do të largohen Biabiani, Jovetiç dhe Palasio, ndërsa në mesfushë një tjetër emër që lakohet për t’u larguar është ai i Felipe Melos.
Edhe mbrojtja ka shumë futbollistë, prandaj Santon mund të jetë lojtari që do të bëjë valixhet gati. Vetëm pasi të bëhen këto largime, skuadra e Interit dhe drejtuesit do të futen në garë për të afruar futbollistë të tjerë. Darmian është i pari në listën e dëshirave të zikaltërve, por nëse dështon ai, drejtuesit do të nisin sulmin për Krishiton.
Në merkaton e janarit, kinezët nuk kanë premtuar ndonjë goditje të madhe, ndërsa emrat “big” duket se do të ruhen për në merkaton e verës. Fillimisht Interi duhet të arrijë objektivat për të marrë dhurata nga Zhang Jindong.

Gati “tredhëmbëshi”

Na ishte dikur një “tredhëmbësh” që bashkonte klasin, forcën fizike, zgjuarsinë dhe intuitën e golit. Ai formohej nga Del Piero, Viali dhe Ravaneli. Me këto tre personazhe, trajneri i asokohe, Marçelo Lipi, shkroi një nga përrallat më të bukura në historinë e Juventusit, duke e çuar “Zonjën e Vjetër” në majën e botës.
Çfarë ka mbetur sot nga ky tregim i bukur? Vetëm një vizatim në letër që mund të kopjohet nga trajneri aktual. Masimiliano Alegri do të ketë më në fund në dispozicion Paulo Dibalën, i cili është gati të luajë sfidën e radhës në Ligën e Kampioneve kundër Dinamos së Zagrebit. Mirëpo, lind pyetja se kush do t’i bëjë vend në sulm argjentinasit? Higuain ka kushtuar shumë për të qëndruar në stol, edhe pse në periudhën e fundit nuk ka gjetur dot rrugën e rrjetës, ndërsa Mario Manxukiç, me rendimentin që ka treguar deri më tani, nuk e meriton stolin.
Lidhur me këtë çështje, trajneri i kampionëve të Italisë, Masimiliano Alegri, në përfundim të ndeshjes kundër Atalantës, la të hapur mundësinë që bardhezinjtë të rreshtojnë tredhëmbëshin: “Gjithçka varet nga shpirti i sakrificës dhe rreshtimi i mesfushës, por ideja për të aktivizuar në sulm Manxukiçin, Higuainin dhe Dibalën, më intrigon, pasi do të ishin shkatërrimtarë përpara”.
Në sezonin që tifozët bardhezi i bashkon ëndrra “Champions”, Alegri mund të provojë të imitojë Lipin, që aktivizoi në finalen kundër Ajaksit, Vialin, Ravanelin dhe Del Pieron, protagonistët që sollën Champions-in e fundit në Torino. Ky eksperiment mund të kthehet në aktualitet me aktivizimin e Dibalës, Higuainit dhe Manxukiçit, duke filluar që nga sfida e radhës kundër Dinamos së Zagrebit. Nëse përballë kroatëve do të funksionojë si eksperiment, ideja e “tredhëmbëshit” pritet të materializohet gjatë sezonit.
Juventusi nuk arrin t’i shmangë kritikat edhe atëherë kur fiton. Edhe pse bardhezinjtë dominuam me një fitore të thellë 3-1 ndaj Atalantës, sërish gjenden mangësi tek skuadra e Alegrit. Ajo që shqetëson më shumë është mungesa e golit për Higuain, që në 8 sfidat e fundit e ka dërguar vetëm një herë topin në rrjetë. Në krah të argjentinasit del trajneri Alegri, për të cilin më e rëndësishme është që skuadra të fitojë.
“Higuain nuk po shënon? Nuk është problem. Ai është mësuar të realizojë në çdo takim, por tek Juventusi e gjejnë golin edhe futbollistët e tjerë. Zhvilloi një ndeshje të mirë dhe ka patur disa raste. Jam i bindur se do të shënojë në ndeshjet në vazhdim. Gonzalo duhet të ruajë qetësinë, pavarësisht se ka realizuar vetëm një gol në 8 ndeshjet e fundit”, u shpreh Alegri.
Por 49-vjeçari nuk ndalet me kaq. Ai ka argumentet e tij për të hedhur poshtë kritikat ndaj “El Pipitas”. “Te Juvja çdo tri ditë e gjejnë një problem. Në fillim thoshin se po luanim keq, ndërsa humbjen me Genoan e konsideruan si një tragjedi. Ne heshtëm, sepse humbëm, ndonëse ishim të parët në klasifikimin e përgjithshëm në kampionat dhe në Champions. Tani na del dhe çështja ‘Higuain’. Në sezonet e fundit ka mundur të shpallet golashënuesi më i mirë, por nuk e ka fituar kampionatin. Pra, më mirë le të mos shënojë si më parë, por ne ta fitojmë sërish titullin. Për paraqitjet e futbollistëve flasim më mirë rezultatet. Gjithsesi kritikat na bëjnë mirë, sepse na nxisin të punojmë më shumë”, tha trajneri i Juventusit.

Montela: Kam lindur “i djallëzuar”

Disa muaj më parë, askush nuk do ta kishte parashikuar një Milan në vendin e dytë në klasifikim dhe -4 pikë nga Juventusi në këtë moment të kampionatit. Dhe kujtdo, që fliste për objektivin e kualifikimit në Ligën e Europës, Vinçenco Montela me shumë mundësi do t’i ishte përgjigjur me një buzëqeshje. Por, në fakt, ky është realiteti aktual i Milanit, që ndjek ëndrrën “Champions”.
“Qysh i vogël, zemra ime rrihte për Milanin, nuk e kam fshehur kurrë që jam tifoz me kuqezinjtë dhe sigurisht fakti që sot jam në stolin e ekipit të zemrës më bën krenar. Berluskoni? Hera e parë që shkuam për darkë ma bëri ai formacionin, buzëqeshi Montela, ishin të gjithë italianë…
Ky është një projekt shumë i dëshiruar, presidenti ka besuar gjithnjë te ky projekt, edhe pse nuk diskutohet që të rinjtë duhet të kenë disa kualitete. Sulmuesit? Më ka kërkuar të luaj me dy. Ndërsa unë iu përgjigja: “Por unë do të hedh në fushë tre…’”.
Montela ka folur edhe për një lamtumirë të mundshme të Adriano Galianit: “Çfarë do të bëj me shoqërinë kineze? Nuk e di. Gjithsesi, besoj se po tregon që është ende i aftë të drejtojë një klub të madh si Milani. Juventusi? Ne duhet të shikojmë veten tonë, pa mbajtur shpresat që të tjerët të humbasin pikë, shtoi tekniku 42-vjeçar.
Ambicia jonë është që të vazhdojmë të përmirësohemi”. Dhe, në fund, një mendim për supersfidën e 12 dhjetorit ndaj Romës, rivalja direkte për vendin e dytë: “Do të jetë një sfidë e bukur, do të ritakohem me shumë miq. Shpresoj që djemtë të më bëjnë fitues. Me Romën më lidhin shumë kujtime, por tani jam në stolin e Milanit dhe sigurisht dua që të konkretizoj me sukses objektivat që kemi”.

Udinese thyen Bolognën

Një festë fantastike. Udinese fitoi 1-0 ndaj Bologna-s në frymën e fundit, me golin e kapitenit Danilo në minutën e tretë të kohës shtesë. Rrjeta e çmendur e mbrojtësit ishte mënyra më e mirë sesi skuadra e Delnerit festoi 120-vjetorin e themelimit të klubit. Ky episod mjaftoi për të thyer Bolognan edhe pse Udinese dominoi në fushë. Një gol akrobatik që i ngjit bardhezinjtë në kuotën e 18 pikëve, duke parakaluar pikërisht Bolognan në renditje, me kuqeblutë që luajtën në inferioritet numerik prej minutës së 68-të, pas kartonit të kuq të Pulgar.
Shumë emocione, por asnjë gol në sfidën tjetër që mbylli javën e 15-të të Serisë A italiane. Chievo dhe Genoa u ndanë në barazim 0-0, pavarësisht se rastet për gol nuk munguan. Në “Bentegodi” veronezët i kishin të gjitha shanset për të fituar, por Meggiorini goditi traversën, ndërsa Birsa shpërdoroi shansin më të mirë, duke humbur një 11-metërsh. Ndërkohë, edhe Genoa ishte pranë fitores, por Ninkoviç ishte i pafat, pasi goditja e tij u devijua nga Sorrentino dhe u përplas në shtyllë. Skuadrat ndanë nga një pikë, për t’u konfirmuar në mesin e renditjes.

Strakosha, Inzagi nuk donte ta digjte në derbi

Mediat italiane gjejnë argumenta se përse Thomas Strakosha nuk u preferua titullar në derbin me Romën, të cilin bardhekaltrit e humbën me rezultatin 0-2, edhe pse në ndeshjet ku është aktivizuar ka marrë vetëm vlerësime pozitive. Simone Inzaghi, në një sfidë kaq delikate, nuk ka dashur ta ngarkojë me shumë përgjegjësi apo ta djegë portierin shqiptar, duke i besuar hierarkisë dhe eksperiencës Marchettit.
Rezultati? Portieri italian mori kritika të ashpra nga tifozët dhe opinionistët për rastin e golit të dytë të shënuar nga Radja Nainggolan. Reagimi i 33-vjeçarit la për të dëshiruar, pasi goditja nuk ishte shumë fortë dhe shpejtë, si dhe erdhi nga një distancë e largët. Tashmë Marcchetti është shndërruar në çështje, pasi dëmtimet e shpeshta kanë ndikuar drejtpërdrejtë në formën e tij. Edhe pse Inzhagi ia dha menjëherë shansin sapo u kthye nga problemi i radhës fizik, përsëri paraqitja e tij linte për të dëshiruar.
Trajneri i Lazios, Simone Inzaghi është në dilemë: ta provojë sërish me Marcchettin, apo të konsiderojë zgjedhje të parë portierin kuqezi? Strakosha e ka fituar bastin e vet. Në ndeshjet ku është aktivizuar nuk ka pësuar asnjë gol për faj të tij, madje në shumë raste ka qenë vendimtar në ndërhyrje dhe më i saktë në lojën me këmbë. Përgjegjësia për të vendosur se cili do të luajë titullar, është e Inzaghit.

Llullaku 2 gola në fitoren Gaz Metanit

Azdren Llullaku protagonist absolut në fitoren e thellë 4-0 të Gaz Metanit ndaj Dinamos së Bukureshtit në javën e 19-të të kampionatit rumun. Futbollisti i Kombëtares Shqiptare realizoi dy herë nga pika e bardhë e penalltisë, duke hapur dhe mbyllur serinë e golave për vendasit, por ajo që vlen të theksohet se në të dy rastet ishte vetë Llullaku që u pengua në zonën kundërshtare. Pas gjysmë ore lojë 28-vjeçari u pengua nga një mbrojtës në hyrje të zonës, me gjyqtarin që nuk hezitoi të akordonte 11-metërsh, ndonëse pamjet e përsëritura tregojnë se ndërhyrja ishte jashtë.
Futbollisti i Kombëtares Shqiptare u tregua i saktë përballë portierit Penedo, duke zhbllokuar sfidën. Në pjesën e dytë për Gaz Metanin realizoi një dygolësh Axente në minutat 77 dhe 81, ndërsa në limitet e kohës së rregullt, Llullaku fitoi një tjetër penallti, të cilën e shndërroi po vetë në gol. Kjo fitore e ngjit Gaz Metanin në vendin e tretë me 34 pikë, 3 pikë më pak se kryesuesit e Steauas së Bukureshtit. Sezoni aktual po rezulton më i miri në karrierën e Llullakut, i cili kryeson edhe listën e golashënuesve të kampionatit rumun me 16 finalizime, thuajse dyfishin e ndjekësit më të afërt, Bud te Kluzhit, që ka shënuar vetëm 9 gola.

Në “Camp Nou” më keq se në transfertë

Barcelona humbi një mundësi të mirë në “Camp Nou” për ta ngushtuar në vetëm tri pikë diferencën me Realin e Madridit. Shpërdorimi i disa rasteve të pastra para portës sidomos nga Messi e Neymar, rezultoi një vetëvrasje për bluagranat, që u ndëshkuan në minutën e fundit të kohës së rregullt nga Sergio Ramos.
Në fakt, duke iu referuar statistikave të këtij sezoni dallohet qartë se “Camp Nou” po rezulton një fushë e “huaj” për formacionin e Luis Enrikes. Në shtatë ndeshje të La Ligas të luajtura në këtë impiant, Barça ka grumbulluar vetëm 12 pikë nga 21 të mundshme, ecuri kjo që i shkon për shtat një skuadre të mesit të tabelës.
Në “Camp Nou” Barça ka mundur të triumfojë vetëm ndaj tri kundërshtarëve, Betisit, Deportivo La Corunias dhe Granadas, ka humbur çuditërisht me Alavesin, si dhe ka barazuar me Malagan e Atleticon e Madridit, e së fundmi ndaj Realit. Luis Enrike e përsëriti shpesh në konferencën për shtyp pas El Clasicos se ekipi i tij po lë shumë pikë në shtëpi, ndaj duhet të përmirësohet. Blaugranat i kanë dhënë kënaqësi publikut vendas në fitoret bindëse 6-2 me Betisin e 4-0 me Deportivon, ndërsa suksesi minimal me Granadan nuk i përmbushi pritshmëritë e tifozëve.
Me 42% të pikëve të lënë në ndeshjet shtëpiake, Barcelona nuk është për titull, ndonëse diferenca prej gjatë pikësh me Realin është e rikuperueshme pas vetëm 14 javëve kampionat. Kjo ecuri negative në “Camp Nou” mund të shoqërohet edhe me sanksione ndaj klubit katalanas për sjellje homofobike të tifozëve vendas ndaj Cristiano Ronaldos. Gjatë El Clasicos, në disa raste portugezi u vu në shënjestër të të 98 mijë të pranishmëve, reagimi i të cilëve nëse interpretohet si e dënueshme nga zyrtarët e ndeshjes, do të shoqërohet me masë ndëshkimore nga komisionet juridike në Federatën spanjolle të Futbollit.

United jashtë garës

Pep Guardiola thumbon Jose Murinjon. Trajneri i Manchester City-t, ka shprehur dyshime në lidhje me mundësitë që ka Manchester United për të rivalizuar për titullin kampion në Premier League. Spanjolli i kujton kolegut të tij portugez se gjithsesi ka shanse reale të renditet mes katërshes më të mirë, për të siguruar pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm.
“Sigurisht që 13 pikë diferencë me Chelsean e vendit të parë janë shumë. Skuadra e Contes është eksperte dhe shumë cilësore dhe po i fiton njëra pas tjetrës të gjitha ndeshjet. Prandaj e them që e shoh të vështirë që United të mendojë ende për titullin. Vendi i katërt po, është i mundur. I kam parë ndeshjet e United ndaj Stoke dhe Burnley-t dhe meritonte të fitonte, por futbolli i tillë është. ‘Djajtë e Kuq’ kanë cilësi, historinë, futbollistët dhe trajnerin e duhur për të siguruar një vend në Champions League sezonin e ardhshëm”.
Duke iu kthyer analizës së ndeshjes së humbur me “Blutë” e Londrës, Guardiola theksoi në momente të caktuara të lojës, skuadra e tij ishte edhe më mirë se Barcelona e tij e famshme apo Bayerni i Mynihut. Ndaj 45-vjeçari nuk është aspak i shqetësuar për vazhdimësinë e kampiontit. Përderisa skuadra po u përgjigjet kërkesave të tij, gjithçka është “ok” dhe as që mund të flitet për krizë.
Lajmet e këqija për Pep Guardiolën nuk kanë të mbaruar. Si të mos mjaftonte humbja kundër Chelsea-t në fundjavë, trajneri i “Citizens” do t’i duhet që për 4 javët e ardhshme të bëjë pa sulmuesin e tij kryesor Sergio Aguero. Federata e Futbollit në Angli ka vendosur masa ndëshkimore kundër disa lojtarëve të Man.City, të cilët u përfshinë në përplasje fizike me ata të Chelsea-t të shtunën në “Etihad Stadium”. Ai që do ta vuajë më shumë pjesën ndëshkimore është argjentinasi Aguero, i cili bëri një ndërhyrje shumë të ashpër kundër mbrojtësit David Luiz.
Ky është kartoni i dytë i kuq sezonal për Kun Aguerron, që do të mungojë në katërt takimet e ardhshme, më konkretisht kundër Leicester, Watford, Arsenal dhe Hull City. Por 28-vjeçari nuk është i vetmi futbollist i ndëshkuar nga radhët e “Citizens”. Mesfushori Fernandinho është pezulluar me 3 javë për shkak të një debati të ashpër me Cesc Fabregas. Ndërkohë që federata ka akuzuar të dyja klubet si përgjegjëse për mosmbajtjen nën kontroll të lojtarëve të tyre. Man.City dhe Chelsea kanë kohë deri më 8 dhjetor për të paraqitur argumentet e tyre mbrojtëse, sigurisht nëse do të vendosin ta apelojnë vendimin.