17.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Shtypi spanjoll: Ronaldo, fituesi i “Topit të Artë”

Cristiano Ronaldo është fituesi i “Topit të Artë”. Lajmin e bën të ditur gazeta spanjolle “Mundo Deportivo”, e cila në një artikull të saj shuan kureshtjen e tifozëve. Sipas asaj që raporton kjo e përditshme, ylli portugez i Realit të Madridit është duke u përgatitur për të enjten e ardhshme, për të realizuar setin fotografik me trofeun aq shumë të dëshiruar prej tij, çmim ky që këtë vit do të jepet nga revista “France Football”, pas prishjes së marrëveshjes me organin më të lartë të futbollit botëror FIFA. Prej kohësh përflitej që Ronaldo do të ishte fituesi i këtij trofeu, pas triumfeve të arritura në Champions League dhe Kampionatin Europian me kombëtaren portugeze dhe tashmë duket se nuk ka më vend për hamendësime. Verdikti final pritet të jepet më 12 dhjetor, “France Football” nëpërmjet rrjeteve sociale do të paraqesë dhe pozicionimin final të 30 kandidatëve, ku në podium pritet të ngjitet Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi në vend të dytë. Për numrin 7 të Real Madrid, kjo do të jetë hera e katër që e fiton “Topin e Artë”, pas atyre të arritura në vitin 2008, 2013 dhe 2014. Një tjetër objektiv i sulmuesit është të fitojë dhe çmimin “FIFA the best”, edhe në këtë garë 30-vjeçari shihet si favorit kundrejt rivalëve Lionel Messi dhe Antoine Griezamann. Ky titull do të dorëzohet më 9 janar në Zyrih të Zvicrës.

Bacca ose Adriano do të “sakrifikohen” në janar

Tratativa për kalimin e aksioneve të Milan nuk po zhbllokohet, me fazën finale që u shty për në fund të shkurtit, kur merkatoja e janarit do të ketë përfunduar. Padyshim që një shtyrje e tillë do të ketë efektin e saj në merkaton e dimrit dhe siç bëjnë të ditur mediat italiane edhe ajo e janarit ashtu si merkatoja e verës së kaluar, do të bazohet në vetëfinancim, që do të thotë se mund të blihen lojtarë të rinj vetëm nëse shitet dikush nga futbollistët aktualë. Milani dhe Finivest që ka pronësinë aktuale duhet të bëjë propozimet, ndërsa kinezët që do të blejnë klubin duhet të japin miratimin e tyre.
Galliani e tha qartë, “merkaton do ta bëj sërish unë, por çdo vendim duhet dakordësuar”. Vështirësi e dyfishtë kjo për administratorin e deleguar, i duhet të mbyllë transferime pa shpenzuar asnjë euro dhe të ketë miratimin e gjithë palëve. Në këtë mënyrë përsëritet situata e verës së kaluar me mediat italiane që shkruajnë se Carlos Bacca duhet sakrifikuar në merkato për të krijuar fondin e nevojshëm, por ende asnjë klub, madje as PSG nuk ka bërë ndonjë ofertë konkrete. Një tjetër kandidat për merkaton në dalje mund të jetë Luiz Adriano që pëlqehet ende nga disa klube në Rusi e Kinë, ndërsa për emrat e tjerë të mundshëm si De Scigglio apo Niang është ende herët për të folur.
Rreziku konkret është që Milani të përjetojë një periudhë stanjacioni në merkaton e janarit, që sigurisht nuk ndihmon trajnerin Montella dhe skuadrën. Së shpejti kompania kineze që do të blejë Milanin, Sino Europe Sports do të bëjë një komunikatë zyrtare në lidhje me kërkesën formale që do i dërgojë Finivest që u tregua e gatshme nga ana e saj të zgjaste kohën e realizimit të operacionit në shkëmbim të një kësti të dytë apo të një kapari prej 100 milionë eurosh. Në javën e ardhshme, Galliani do të takohet me Marco Fassonen, pikën e referimit të kompanisë kineze, për të diskutuar në lidhje me strategjinë e merkatos së dimrit, si dhe për menaxhimin e lojtarëve aktualë dhe kontratat që duhen rinovuar.

Gabigol nuk është i lumtur te Interi

Siç edhe mund të pritej, te Interi plas çështja Gabigol. Edhe pse momentalisht zikaltërit përballen me shumë probleme, trajneri Stefano Pioli dhe drejtuesit duhet t’i kushtojnë vëmendje çështjes së sulmuesit brazilian, një nga dy blerjet e mëdha të verës që këtë sezon e ka veshur fanellën zikaltër për më pak se 20 minuta në total. Që nga Brazili, agjenti i futbollistit Wagner Ribeiro, u ankua publikisht për aktivizimin e paktë të futbollistit.
“Gabriel nuk është i kënaqur te Interi, përtej raportit shumë të mirë që ka me shokët e skuadrës. Problemi ka të bëjë me fushën, pasi nuk po shikon ende asnjë shans për të luajtur. Do të kthehem në Itali në janar për ta zgjidhur këtë situatë njëherë e mirë”, u shpreh ai.
Agjenti i Gabigol në intervistën e tij u shfaq mjaft kritik ndaj të dy trajnerëve që kanë drejtuar Interin këtë sezon. “Fola me Kia Joorabchain dhe ai më tha se kishte patur një bisedë me Frank de Boer, pak para se të largohet me Interin duke e pyetur se çfarë kishte ndodhur me Gabigol dhe holandezi i ishte përgjigjur se nuk kishte asnjë problem. Shpjegimi nuk ishte shumë bindës. Pastaj erdhi Pioli, trajneri i ri tha se do t’i jepte një shans, por deri më tani asgjë. Javën e kaluar Interi humbi 3-0 dhe Gabriel mbeti në stol pa hyrë në fushë, atëherë kur do të luajë?”.
Më pas vështrimi hidhet nga e ardhmja. Në Brazil do të donin një rikthim të sulmuesit te Santos, por siç shpjegon agjenti është më i mundshëm një huazim në Itali.
“Mundësia për t’u kthyer më 2017 në Brazil ekziston, edhe pse është diçka shumë e vështirë. Kjo do të thoshte të kthehej si një humbës dhe mbi të gjitha nëse do t’i duhej të linte Interin e të kthehej në huazim, do të humbiste vendin e ekstrakomunitarit që fitoi kur u ble. Tani nëse shkon në një skuadër tjetër italiane mund të kthehet në qershor te Interi si komunitar dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qëndron në Itali”.

Kuba nuk është Suedia

Johannes ESTRADA

Pak pas Revolucionit Iranian të vitit 1979, i gjendur përballë pakënaqësisë së popullit për shkak të përkeqësimit të standardeve të jetesës, Ayatollah Khomeinideklaroi se: “qëllimi i këtyre sakrificave nuk ishte thjesht për të ulur çmimin e pjeprave”.
Për Khomeinin dhe pasuesit e tij, pastërtia ideologjike ishte më e rëndësishme se mirëqenia e popullit të tij. Është ironike kur sheh se pas vdekjes së Fidel Kastros, presidentit jetëgjatë të Kubës, të majtë të llojeve të ndryshme kanë adoptuar të njëjtat argumente që dikur përdoreshin dikur nga një teokrat.
Në fakt, argumenti nuk qëndron aspak pasi ishte pikërisht përkeqësimi i kushteve të jetesës që nxiti njerëzit të mbështesnin revolucionet që sollën si Kastron dhe Khomenein në pushtet. Siç shihet dhe në Grafikun 1, Kuba dhe Irani po kalonin një periudhë stanjacioni ose rënieje ekonomike përpara se të nisnin revolucionet respektive. Më e rëndësishmja, ngritja e një regjimi diktatorial pas revolucionit, pavarësisht ideologjive në dukje të kundërta, çoi në rezultate të krahasueshme me njëra-tjetrën. Një tjetër shtet diktatorial aty pranë, Iraku, i udhëhequr nga një ideologji në dukje nacionaliste, nuk shfaqi rezultate më të mira në ekonomi gjithashtu.
(PBB për frymë kritikohet shpesh si një indikator tejet i përgjithshëm i mirëqenies dhe ka probleme matje sidomos për vendet e varfra. Gjithsesi ai mbetet indikatori më i mirë për krahasimin mes vendesh. Të dhënat e përdorura në këtë artikull janë nga projekti i Agnus Maddison për krijimin e serive kohore historike për ekonominë botërore).
Evolucioni i ekonomisë kubane është edhe më i trishtueshëm kur sheh se para revolucionit ky ishte një ndër vendet më të suksesshme të Amerikës Latine. Standardi i jetesës në Kubë ishte një ndër më të lartët në rajon; treguesit social-ekonomikë, po ashtu, ishin në nivele të kënaqshme. Për shembull, Kuba kishte një nga nivelet më të larta të alfabetizmit të popullsisë.
Por, siç thuhet në këto raste, “oreksi vjen duke ngrënë”, dhe kubanët kërkonin më shumë nga qeveria kur përmbysën regjimin e diktatorit të mëparshëm Fulgencio Batista. Fatkeqësisht, me instalimin e një regjimi diktatorial edhe më të egër , vendi nuk u zhvillua më tej. Siç e tregon dhe grafiku, Kuba mbeti mbrapa vendeve të tjera të rajonit, për të cilat më parë kishte shërbyer si pikë referimi.
Shtetet e tjera të rajonit, që deri në vitin 1960 kishin nivel të njëjtë zhvillimi me Kubën, nuk krijuan sisteme perfekte demokratike, por në to opozita u lejua të ishte aktive. Në të njëjtën kohë, këto shtete, ndërmorën shpesh politika me prirje të “majta”. Duke krahasuar ecurinë e ndryshme të rritjes ekonomike që këto vende morën, mund të shohim se ishin institucionet demokratike ekonomik, e jo ideologjia e majtë, arsyeja që ua mundësoi rritjen ekonomike. Për më tepër, pika ku shtetet ndërmorën rrugë të ndryshme për rritjen ekonomike duket pikërisht të jetë Revolucionit Kubanez. Ekonomistët, që kanë kryer analiza statistikore më formale të këtij lloji, kanë arritur në rezultate të ngjashme.
Historia ekonomike e Kubës kthehet në tragjike kur kryhet një krahasim me demokracitë e zhvilluara. Përtej atyre që mund të dëgjoni shpesh, edhe shtetet demokratike mund të ndërmarrin politika me prirje të majta. Suedia p.sh. është konsideruar shpesh si një model për socializmin për shkak të rrjetit të saj të gjerë të sigurisë sociale, por çdokush e di që zhvillimi ekonomik i Suedisë nuk ka asgjë të ngjashme më atë të Kubës. Po ashtu, shtete evropiane që kanë pasur zhvillim të ngjashëm me Kubën në vitet 1950 (nuk është gabim, shihni të dhënat për vendet mesdhetare), e kanë tejkaluar ishullin e Karaibeve duke ngritur në të njëjtën kohë sisteme të sigurisë sociale.
Si mund t’i shpjegojmë këto rezultate të ndryshme? Si është e mundur që disa shtete me politika të majta janë në gjendje të përmirësojnë standardin e jetesës për popullsinë e tyre, ndërsa disa të tjera dështojnë krejtësisht?
Përgjigja është e qartë: institucionet politike, dhe jo ideologjia ekonomike, janë përcaktuesit kryesorë të rritjes ekonomike. Nuk ka rëndësi retorika apo diferencat në shpenzimet për politika sociale. shtetet diktatoriale nuk mund të krijojnë kushtet për zhvillim sepse ato paracaktojnë fituesit ekonomikë. Nëse jeton në Iranin “teokratik”, në Kubën “socialiste” apo në Rusinë “nacionaliste”, e vetmja gjë që ka rëndësi për suksesin ekonomik është vendimmarrja politike e njerëzve që kontrollojnë shtetin. Vetëm duke zhvilluar institucione demokratike, vendet mund të kufizojnë këtë sjellje të liderëve të tyre dhe të lejojnë njerëzit e zakonshëm të ndjekin suksesin dhe mirëqenien e tyre.
Jeta e Fidel Kastros mund të jetë burim krenarie për disa romantikë. Përmbysja e një diktatori të korruptuar është një sipërmarrje që rezonon me shumë kënd. Të ngrihesh kundër një fuqie të madhe si SHBA-të, po ashtu mund të lumturojë disa. Por kjo është vetëm histori e një suksesi personal, jo kolektiv. Fidel Kastro u kthye në një nga personazhet më të famshme të shekullit të 19-të, por populli i Kubës pagoi një çmim të lartë për këtë, pa parë asnjë përfitim.

OECD: Performancë të ulët në arsim

Nxënësit shqiptarë janë poshtë nivelit mesatar të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për sa i përket performancës së tyre në lëndë shkencore, lexim dhe matematikë. Megjithatë, ka një përmirësim të ndjeshëm të nivelit, krahasuar me vitin 2006.
Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe i gjithë rajoni i Europës Juglindore kanë një performancë shumë më të ulët se mesatarja e vendeve të OECD-së.
Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve, PISA 2015 nga OECD testoi rreth 540 mijë 15-vjeçarë në 72 vende dhe ekonomi për sa i përket lëndëve shkencore, leximit, matematikës dhe zgjidhjes së problemave. Fokusi kryesor ishte mbi lëndët shkencore, si një pjesë me rëndësi në rritje i ekonomisë dhe shoqërisë sot.
Ndërsa shpenzimet për nxënësit në shkollat fillore dhe nëntëvjeçare janë rritur me rreth 20% që nga 2006 në vendet e OECD, vetëm 12 nga 72 vendet dhe ekonomi vlerësuar nga PISA kanë pasur përmirësim të performancës në lëndë shkencore gjatë kësaj periudhe. Këto përfshijnë sisteme arsimore me performancë të lartë, siç është Singapori dhe Kina, dhe me performancë të ulët si Peruja apo Kolumbia.
1 në 10 studentë në vendet e OECD dhe 1 në 4 në Singapor, performojnë në nivelet më të larta në lëndë shkencore. Në vendet e OECD, më shumë se 1 në 5 studentë dështojnë në përvetësimin e njohurive bazë: vetëm në Kanada, Estoni, Finlandë, Kinë, Japoni, Singapor dhe Vietnam, 9 nga 10 nxënësit 15-vjeçarë zotërojnë bazat që çdo i ri duhet të dijë përpara se të mbyllë këtë cikël shkollor.
Kjo thekson sfidën e të gjithë vendeve, përfshirë dhe ato më të pasurat, që të arrijnë arsimin gjithëpërfshirës dhe me cilësi të barabartë për të gjithë.
Raporti tregon politikat që kanë ndarë vendet e suksesshme: pritshmëri të larta për të gjithë studentët, fokus të lartë në mësimdhënie, burime të fokusuara te studentët dhe shkollat dhe një angazhim koherent, si dhe strategji afatgjata.
Kanadaja, Danimarka, Estonia dhe Kina kanë arritur standarde të larta të ekselencës dhe barazi në arsim. Veçanërisht Shtetet e Bashkuara kanë përmirësuar barazinë.

Mjaft mashtruat me Vettingun

Partia Demokratike shpjegoi dje deformimet që kanë ndodhur në përkthimin e materialit që i ka shkuar Komisionit të Venecias në lidhje me çështjen e Vettingut, çka sipas Oerd Bylykbashit dhe ekspertit Gazmend Bardhi ndikojnë në keqorientimin e këtij institucioni në dhënien e opinionit.
Bylykbashi dhe Bardhi u ndalën në 3 momente kyçe se si përkthimi gabim i dispozitave të Kushtetutës ndryshon thelbësisht përmbajtjen e ligjit themelor, duke e vënë Komisionin e Venecias para një realiteti të ndryshëm nga ai i miratuar me ndryshimet kushtetuese të 22 korrikut.
Po ashtu, Bylykbashi dhe Bardhi publikuan provat dhe faktet konkrete se si Komisionit të Venecias, autoritetet shqiptare i kanë dërguar dokumente me përkthime të manipuluara. Përfaqësuesit e PD, kërkuan që të gjenden autoritetet që kanë kyer këtë manipulim, që nuk i shërben drejtësisë.
Duke u ndalur tek momentet konkrete, Gazmend Bardhi shpjegoi: “Mospërputhjet midis tekstit të Kushtetutës dhe ligjit, dhe versionit të tij të parë anglisht dhe ligjit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, janë bërë evidente edhe në media. Ne duam thjesht të evidentojmë disa shembuj për të kuptuar që ndryshimet apo manipulimet në versionin anglisht kanë rëndësi për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje dhe dhënien e një opinioni të saktë dhe të bazuar në atë që është miratuar.

Në nenin ‘Ç’ të Kushtetutës, Kushtetuta ka përcaktuar formën se si realizohet bashkëpunimi midis organeve të Vettingut dhe institucioneve të tjera shtetërore. Dhe Kushtetuta e specifikon që bashkëpunojnë duke vënë në dispozicion informacionet e kërkuara. Pra, duhet të ketë një kërkesë nga organet e rivlerësimit që institucionet e treta, pra institucionet qeveritare, të vënë në dispozicion të tyre informacionet që institucionet disponojnë.
Ndërkohë që në versionin e përkthyer gabim dhe dërguar në Komisionin e Venecias, hiqet mënyra dhe forma e bashkëpunimit duke e lënë të paspecifikuar mënyrën se si bashkëpunojnë organet e rivlerësimit me institucionet qeveritare. Në këtë dispozitë bazohet i gjithë roli që mazhoranca në ligjin e Vettingut i ka njohur DSIK-së, ILDKP-së, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme apo Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, bazuar në këtë dispozitë.
Ju keni ndjekur edhe debatin që është zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese, ku të gjitha parashtrimet e Kuvendit, pra të mazhorancës janë bazuar pikërisht në këtë dispozitë që ka shkuar në Komisionin e Venecias e deformuar.
Dhe duhet të evidentojmë që gabimet me deformime të rënda në tekst kanë ndodhur vetëm tek dispozitat që kanë lidhje thelbësore me çështjen. Ndërkohë që, të njëjtat gabime nuk janë vërejtur tek dispozitat e tjera të ligjit, pra që janë irrilevante në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.

Në nenin ‘B’, i cili mund të evidentohet lehtësisht edhe nga njerëz që nuk kanë njohuri me gjuhën angleze, në versionin shqip të miratuar të Kushtetutës, kompetenca e Vëzhguesit Ndërkombëtar është ezauruese në tekstin e Kushtetutës, ndërkohë që në dispozitën e përkthyer të dërguar nga autoritetet shtetërore shqiptare të paidentifikuara për momentin, është shtuar që rregullat e detajuara se si do të kryhet kjo kompetencë ezauruese, kushtetuese, në tekstin e miratuar, do të përcaktohen me ligj. Kjo është një shtesë, e cila ka patur për qëllim t’i japë të drejtë Kuvendit të detajojë, ndryshe nga sa ka përcaktuar Kushtetuta, kompetencat e përcaktuara nga neni ‘B’.
Për të kaluar në dy shembuj të ligjit, debati që ne kemi mbi rolin e ILDKP-së ka të bëjë me faktin se ILDKP do të bëjë verifikimin e deklaratës, siç thotë Kushtetuta apo do të jetë autoritet përgjegjës për të bërë kontrollin e pasurisë, që është një koncept më i gjerë se sa kaq.

Neni 33. Në versionin në shqip të miratuar, neni 33 thuhet që: ILDKP pasi kontrollon pasurinë bën konstatimet e mëposhtme. Ndërkohë që, në versionin e ligjit dërguar Komisionit të Venecias dhe të përkthyer gabim, është thënë që pasi bën renditjen apo verifikimin e deklaratës, bën verifikimet e mëposhtme. Pra, ka një zbutje në versionin anglisht të përkthyer gabim, një zbutje të rolit të ILDKP-së që në fakt në versionin siç është përkthyer gabim përputhet edhe me qëndrimin tonë dhe me rolin që ne themi që ILDKP-ja ka në Kushtetutë.

Neni 36. Një tjetër rast është ai i nenit 36, që ka të bëjë me rolin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ku ligji në versionin shqip e bën DSIK-në autoritet përgjegjës për kontrollin e figurës, ndërkohë që në versionin anglisht të përkthyer gabim, DSIK i njihet roli si autoritet që menaxhon apo administron strukturat e tjera të dhënies së informacionit. Në fakt ky nuk është një rol sipas ligjit që është miratuar. DSIK-ja sipas ligjit është autoritet përgjegjës për të bërë kontrollin e figurës. Konstatimi jonë ka qenë se DSIK-ja nuk mund ta ketë këtë rol sepse kontrollin e figurës e bëjnë organet e vlerësimit. Duke deformuar përkthimin, pra duke i dhënë rol DSIK-së, thjesht si autoritet që administron agjencitë e tjera ka një zbutje të rolit në ligj të DSIK-së. Të gjitha diferencat që janë vërejtur në versionin gabim të përkthyer në dispozitat thelbësore të ligjit.

Bylykbashi: Nuk na është dhënë versioni në anglisht i ligjit

Pra siç ju shpjegoi zoti Bardhi, gabimet janë në dispozita thelbësore dhe gabimet janë thelbësore, janë gabime, të cilat e çojnë në drejtim të gabuar këdo që interpreton me qëllimin e vetëm që të merret një opinion, i cili nuk vë në pah problemet që ka ky ligj. Ajo që dua të theksoj gjithashtu është që në çdo rast ne jemi të qartë dhe konfidentë jo vetëm në atë që do të thotë Komisioni i Venecias, por dhe për çështjen përpara Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i Venecias është investuar me tri pyetje nga Gjykata Kushtetuese, të cilat nuk kanë të bëjnë me kërkesat për antikushtetueshmëri të shtruara nga Partia Demokratike para gjykatës, por për çështje të tjera, sepse nuk mund të jetë Komisioni i Venecias që të vendosë nëse një ligj është kushtetues apo jo. Këtë rol, si gjithmonë Komisioni i Venecias ia lë autoriteteve kompetente. Edhe një herë e theksoj nuk bëhet Vettingu dhe nuk pastrohet korrupsioni në gjyqësor dhe më pas në politikë, as duke bërë ligj antikushtetues, me çfarëdolloj bekimi kjo antikushtetueshmëri dhe as duke bërë manipulime në përkthim, aq më pak duke sulmuar dhe etiketuar opozitën, siç bën kjo mazhorancë dhe kushdo tjetër. Këto janë fakte kokëforta, të provueshme, do t’i keni të gjithë në dorë, janë të aksesueshme në faqen e palëvizur dhe të paprekur të Komisionit të Venecias. Nuk ju garantoj që e njëjta gjë është në faqet e tjera, në faqen e EURALIUS sot nuk ka asnjë përkthim në anglisht, gjatë paradites. Në këto kushte, kur faktet janë kaq të qarta dhe kaq të pastra, mbetet për të gjetur ju dhe opinioni publik, kush janë ata që gënjejnë, sepse opozita po tregon këto fakte, mbi të cilat ka bazuar këtë shqetësim. Pra, kush po gënjen, arsyet për të cilat po gënjen dhe cili është qëllimi?
Siç e thotë një shprehje djalli qëndron në detaje, si rregull qëndron në detajet e ligjit, kësaj radhe qëndroi edhe në detajin e përkthimit, por sigurisht që me këtë nuk bëjnë gjë tjetër veçse dëmtojnë procesin e reformës në drejtësi. Ajo që të gjithë ne presim është që, shpejt, jo vetëm të ekzekutohet Vettingu, por të ngrihet menjëherë SPAK, pra Struktura e Posaçme Antikorrupsion që Kryeministri dhe ministrat e tij mos të vazhdojnë të bëjnë më deklarata në simpoziume antikorrupsion, por të përballen me drejtësinë, me dosjet skandaloze të korrupsionit që janë përpara Prokurorisë.

– Ju thatë që: cili është ai autoritet që i është drejtuar më herët Komisionit të Venecias, por nuk e di nëse keni komunikuar me Komisionin e Venecias për të marrë një informacion se kush i është drejtuar për Kushtetutën?
Atëherë, Komisioni i Venecias ka pranuar që dokumentet që i kanë shkuar i kanë shkuar në mënyrë zyrtare. Komisioni i Venecias gjithashtu, përfshirë dhe ç’thotë Gjykata Kushtetuese, pranon që dokumenti i dërguar nga Gjykata Kushtetuese, pra ligji i përkthyer bashkëlidhur me kërkesën është ky version që më pas rezulton me probleme. Por ajo që verifikohet në faqen e Komisionit të Venecias dhe nuk ka nevojë për të kontaktuar askënd, është që ligji i përkthyer gabim, në të njëjtin version që i është dërguar edhe nga Gjykata Kushtetuese, është përkthimi i bërë nga EURALIUS, por që daton në datën 16 tetor. Dërgimi në Komisionin e Venecias është bërë më 16 tetor, 9 ditë përpara vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullim dhe për të kërkuar opinion dhe 12 ditë mbas momentit kur Gjykata Kushtetuese dërgoi ligjin. Këto janë fakte të verifikueshme, një pjesë e tyre janë pranuar dhe konfirmuar edhe nga kontaktet me Komisionin e Venecias dhe nga institucionet e tjera shqiptare.

– Një ditë më parë ambasadori amerikan, Donald Lu foli për frikacakë të politikës shqiptare për ligjin e Vettingut ose më saktë ishte një adresim për Partinë Demokratike, e cila ka kërkuar ose po e zvarrit në njëfarë mënyre ligjin e Vettingut, duke pretenduar për përkthimin e gabuar, siç po flisnim sot. A është vërtet e frikësuar Partia Demokratike nga implementimi i ligjit të Vettingut z. Bylykbashi?
Unë besoj që duke përfshirë atë që thashë që në fillim, që ne presim zbatimin e menjëhershëm të ligjit të Vettingut në përputhje me Kushtetutën, pa humbur kohë dhe oferta jonë është ta ndryshojmë tani në përputhje me Kushtetutën ligjin dhe ta fillojmë çështjen pa pritur asnjë lloj vendimi tjetër të Gjykatës Kushtetuese, përtej kësaj, këto fakte tregojnë që ne nuk gënjejmë, që do të thotë, duke qenë se gënjeshtarët janë frikacakë, ne nuk kemi frikë nga kjo! Le ta gjejë kushdo, ju ftoheni të parët, prandaj është ky komunikim me ju sot, që të gjeni kush janë autoritetet shtetërore, të cilët nga frika në lidhje me antikushtetutshmërinë e këtij ligji dhe ndoshta dhe vullneti për të penguar procesin e Reformës në Drejtësi, ka dërguar tekste të manipuluara qartazi dhe haptazi të përkthimit të Kushtetutës dhe të ligjit të Vettingut.

– Ju thatë që Komisioni i Venecias nuk shprehet për kushtetueshmërinë e një ligji ose jo, duke iu referuar fjalës tuaj gjithmonë, kjo është një deklaratë që ndoshta ju keni informacion që Komisioni i Venecias ka të dhëna përtej pritshmërive tuaja?
Atëherë, unë këtë e bazoj te kërkesa që i është bërë Komisionit të Venecias në datë 28 tetor, nga Gjykata Kushtetuese, nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Ai ka ngritur një numër pyetjesh specifike, të cilat nuk kanë të bëjnë me kushtetueshmërinë dhe antikushtetueshmërinë e ligjit sepse kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata nuk ka hequr dorë nga e drejta e saj për të gjykuar në lidhje me këtë. Komisioni i Venecias do t’i përgjigjet këtyre pyetjeve sepse është kërkuar që t’i përgjigjet këtyre çështjeve dhe këto nuk kanë lidhje me kërkesën tonë për antikushtetueshmëri. Kjo është arsyeja e deklaratës time.

– Zoti Bylykbashi, ju pyesni kush gënjen. Ambasadori amerikan thotë se gënjen Partia Demokratike, madje dhe ka stisur historinë e përkthimit dhe ai citoi kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të thotë se ndryshimet në përkthim nuk janë thelbësore. Keni ju një reagim të qartë për këtë?
Së pari, faktet tregojnë cila është e vërteta. Këto janë dokumente, të cilat janë dërguar nga autoritetet shtetërore shqiptare në Komisionin e Venecias. Problemin me këto fakte dhe këto të vërteta duhet ta zgjidhë kushdo në mënyrë individuale, por nuk lënë vend për interpretime. Përkthimi i dërguar në datën 16 tetor në Komisionin e Venecias nga një autoritet shtetëror shqiptar, është ai që më pas vërteton edhe Gjykata Kushtetuese, që është përkthimi i bërë nga EURALIUS. Duhet ta zgjidhin ata që e kanë dërguar dhe ta gjejë kushdo që ka interes, cila është e vërteta pas këtij manipulimi. Ne kemi konstatuar faktet, kemi pritur për më shumë se një javë pa e bërë publike që të gjendet zgjidhja e kësaj çështjeje, dhe ka një tentativë shumë të fortë që në mënyrë publike apo edhe nën rrogoz, të manipulohet opinioni publik sikur gjoja Partia Demokratike po përdor një version më të vjetër, por kjo nuk është e vërtetë. Ju të gjithë e dini që Partia Demokratike dhe opozita i kanë marrë gjithmonë, vetëm 24 orët e fundit përpara miratimit, draftet në shqip dhe kurrë në anglisht. Kështu që, këto janë fakte që duhet t’i investigoni ju dhe kushdo tjetër për të gjetur kush ka interesin dhe frikën. Por dua të them edhe diçka tjetër. Në ligj, siç të gjithë e dimë, vlen jo fjala, por vlen presja. Dhe një fjalë e vetme përpara Gjykatës Kushtetuese, mund të përfshijë paragrafe të tëra interpretimi kushtetuese. Për rrjedhojë, gabime kaq të rënda përpara një organi kaq autoritar si Komisioni i Venecias, nuk bën gjë tjetër veçse e çon këtë Komision në drejtim të gabuar. Kush kishte interes duhet të gjendet dhe t’i vihet gishti. Partia Demokratike nuk ka çuar asnjë nga këto versione.

– A keni menduar ndonjëherë çfarë interesi ka ambasadori amerikan për të manipuluar Venecian? Apo opinionin publik?
Nuk është kjo çështja që duhet të zgjidhim ne dhe që na preokupon ne. Këto dokumente janë dërguar nga autoritetet shtetërore shqiptare që kanë interes që në fund fare, ligji të kalojë si antikushtetues. Pra, të miratohet dhe të qëndrojë në fuqi ashtu siç është, me këto shkelje antikushtetueshmërie. Siç e shpjegoi zoti Bardhi, përkthimi zbut antikushtetueshmërinë e tekstit në shqip, duke i hedhur hi syve Komisionit të Venecias. Më pas, kushdo që ka një opinion të ndryshëm në lidhje me këtë, është problemi i tij. Këto janë faktet. Le t’i verifikojë kushdo. Është shumë e thjeshtë që të klikohet në faqen e Komisionit të Venecias.

– Ju thatë që EURALIUS ka hequr çdo përkthim nga faqja. Keni kontaktuar ju me kreun e EURALIUS, Deville për të sqaruar këtë fakt?
Ne, këto verifikime në lidhje me dokumentacionin i kemi bërë para Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Kushtetuese. Aktualisht kreu i këtij Misioni, nga ajo që dimë nga mediat, nuk është në Shqipëri dhe një person tjetër jep informacione në lidhje me draftet që janë publikuar dhe se kur janë publikuar. Por ky nuk është problemi ynë. Fakti është që në këtë moment, në faqen e këtij misioni nuk ka një përkthim në anglisht. Por po ashtu, mbetet fakti i pohuar nga kryetari i gjykatës që përkthimi i dërguar, është ai i EURALIUS. Kaq janë në dispozicionin tonë si fakte. Besoj se mjaftojnë për të hedhur dritë mbi të vërtetën.

Ndryshimet nga origjinali në përkthim, si u deformua

Neni Ç, pika 3 i Kushtetutës
Origjinali
Institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë BASHKËPUNOJNË me Komisionin dhe Kolegjin e Apelimit, DUKE VËNË NË DISPOZICION të tyre informacionin e kërkuar, si dhe duke siguruar akses të drejtpërdrejtë në të dhënat. Ata mund të japin mendime ose të bëjnë propozime konkrete, sipas ligjit.

Si është përkthyer në anglisht
Institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë BASHKËPUNOJNË me Komisionin dhe Kolegjin e Apelimit DHE VËNË NË  DISPOZICION të tyre informacionin e kërkuar, si dhe duke siguruar akses të drejtpërdrejtë në të dhënat. Ata mund të japin mendime ose të bëjnë propozime konkrete, sipas ligjit.
Kushtetuta ka krijuar marrëdhënie vartësie të institucioneve shtetërore ndaj Komisionit të Vettingut (në ushtrimin e detyrave të komisionit) ndërsa teksti i përkthyer krijon përshtypjen sikur Kushtetuta ka vendosur marrëdhënie barazie funksionale mes tyre, duke krijuar përshtypjen tjetër se nuk është shkelje e Kushtetutës që ato të ushtrojnë kompetencat që u jep ligji i Vettingut.

Neni B, pika 3 i Kushtetutës

Origjinali
Vëzhguesi ndërkombëtar ushtron këto detyra:
a. i jep rekomandime Kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të Komisionit, gjyqtarit të Kolegjit të Apelimit dhe Komisionerit Publik;

Si është përkthyer në anglisht
Vëzhguesi ndërkombëtar ushtron këto detyra:
a. i jep rekomandime Kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të Komisionit, gjyqtarit të Kolegjit të Apelimit dhe Komisionerit Publik, NË PËRPUTHJE ME RREGULLAT E PËRCAKTUAR ME LIGJ.
Shtesa që i është bërë në përkthim kësaj pike të nenit B, i keqinformon sikur Kushtetuta i ka dhënë Kuvendit, të cilat ajo në fakt i ruan për vete dhe nuk ja ka deleguar askujt. Në këtë mënyrë, duket sikur Kuvendi ka të drejtën të krijojë me ligjin e Vettingut rregulla dhe përcaktime shtesë nga ato të Kushtetutës në lidhje me këtë proces.

LIGJI NR. 84/2016
Neni 36, pika 1
Institucionet e rivlerësimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar janë AUTORITETI PËRGJEGJËS PËR KONTROLLIN E FIGURËS. Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar KA TË DREJTË TË CAKTOJË NJË PERSONEL SHTESË, për të kryer kontrollin e figurës për qëllim të këtij ligji. Personat që kryejnë kontrollin e figurës përmbushin standardet e zbatueshme për mbrojtjen e privatësisë dhe të konfidencialitetit në detyrë.
Institucionet e rivlerësimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar janë AUTORITETI PËRGJEGJËS PËR ADMINISTRIMIN E KONTROLLIT E FIGURËS. Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar CAKTON PERSONAL të mjaftueshëm BRENDA DEPARTAMENTIT TË SAJ PËRGJEGJËS PËR RIVLERËSIMIN PËR TË ADMINISTRUAR KONTROLLIN E FIGURËS. Personat që kryejnë kontrollin e figurës përmbushin standardet e zbatueshme për mbrojtjen e privatësisë dhe të konfidencialitetit në detyrë.
Në kundërshtim me Kushtetutën, ligji përcakton se drejtoria (nën varësi të Kryeministrit) është institucion përgjegjës drejtpërdrejt për kontrollin e figurës dhe jo institucion që thjesht administron të dhëna nga palë të treta, të cilat ja vë në dispozicion Komisionit të Vettingut. Por ky lloj tejkalimi antikushtetues kompetencash, është fshehur në përkthimin anglisht ku, ndryshe nga ligji, drejtoria përcaktohet si administrator i të dhënave që përdoren në proces.

Neni 37 i Ligjit të Vettingut
Origjinali
Grupi i punës, gjatë procedurave të kontrollit të figurës, duhet t’u përmbahet kërkesave të përgjithshme si më poshtë:
c) Vlerësimi i përgjithshëm, nëse individi MUND TË VIHET NËN PRESION nga struktura kriminale;

Si është përkthyer në anglisht
Grupi i punës, gjatë procedurave të kontrollit të figurës, duhet t’u përmbahet kërkesave të përgjithshme si më poshtë:
c) Vlerësimi i përgjithshëm, nëse individi ËSHTË NËN PRESION nga struktura kriminale;
Ligji i Vettingut i referohet ekzistencës së potencialit për të qenë nën presion, ndërkohë që Kushtetuta i referohet vetëm rastit faktik të qenies nën presion. Kjo do të thotë se ligji ka kufizuar më shumë se Kushtetuta një të drejtë kushtetuese, çfarë është antikushtetuese. Por ky kapërcim i ligjit fshihet në përkthimin anglisht pasi në përkthim përdoret formulimi kushtetues (është në presion) dhe jo formulimi i vërtetë i ligjit (mund të vihet nën presion).

Neni 54 i Ligjit të Vettingut
Origjinali
4. Nëse arrihet marrëveshja e bashkëpunimit, bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë SI PROVA VENDIMTARE për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit. Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit, PËRBËN NJË PROVË THELBËSORE për procesin e rivlerësimit dhe procese të tjera ligjore.

Si është përkthyer në anglisht
4. Nëse arrihet marrëveshja e bashkëpunimit, bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë SI PROVA zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit. Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit, PËRBËN NJË PROVË TË VLEFSHME për procesin e rivlerësimit dhe procese të tjera ligjore.
Ligji i jep deklaratës para prokurorit të një bashkëpunëtori të drejtësisë vlerën e provës VENDIMTARE, pra superiore në raport me provat e tjera, në procesin e Vettingut, ndërkohë që e njëjta deklaratë në një proces normal të drejtësisë i nënshtrohet gjykimit gjyqësor për të përcaktuar vlerën e saj. Ky kapërcim i ligjit, është fshehur në përkthimin anglisht duke përdorur terma më të zbutur në lidhje me deklaratën e bashkëpunëtorit.

Përkthimi sekret i ligjit të Vettingut

Gjatë ditëve të fundit është diskutuar shumë për përkthimin e “gabuar” të ligjit të Vettingut në anglisht të dërguar në Komisionin e Venecias nga Gjykata Kushtetuese.
Ekspertët e Partisë Demokratike zbuluan, më 25 nëntor, se disa terma thelbësore të ligjit janë përkthyer gabim me dashje. Deputeti Oerd Bylykbashi deklaroi dje se “deformimi u zbulua duke mbikëqyrur fletët e ligjit në faqen e Komisionit të Venecias”.
Ato i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të rregullojë gabimet. Varianti i përkthyer me gabime ishte përkthyer nga specialistët e misionit të BE-së EURALIUS në Tiranë, por asnjë institucion deri më tani nuk ka pranuar përgjegjësinë për përkthimin e gabuar.
Më 30 nëntor, Gjykata Kushtetuese i dërgoi Komisionit të Venecias një përkthim tjetër, tashmë të korrigjuar, të ligjit të Vettingut.
Nga ana e Delegacionit Evropian në vend ende sot nuk ka një reagim publik mbi të. I vetmi reagim ishte ai i ambasadorit Donald Lu gjatë një konference mbi korrupsionin, ditën e hënë, i cili u shpreh se: Ata (partitë politike, gjykatës dhe prokurorë) po sajojnë histori dhe kërkojnë përkthim të rishikuar në Komisionin e Venecias dhe asnjë nga dallimet e përkthimit nuk ishte thelbësore.
Një fakt i çuditshëm me këtë “krim juridik gjuhësor”, i cili mund të ketë ndikuar në vonesën e zbatimit të ligjit më të rëndësishëm të reformës në drejtësi, është se asnjë dokumet nuk është bërë publik. Ato janë mbajtur të fshehura.
Përveç disa deklarimeve sporadike, ndoshta edhe qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse ka apo jo një gabim në përkthim. Nëse ky gabim është me të vërtetë thelbësor apo është thjesht një vonesë e kotë.
Publikimi i të dyja varianteve të ligjit do të lehtësonte zbatimin e reformës. Madje edhe shumë akuza të përgjithshme dhe jo të vërtetuar ndoshta do të binin poshtë.

Renzi do të largohet pas votimit të buxhetit dhe Cal Ceneterva

Kryeministri italian, Matteo Renzi, nuk do të dorëhiqet menjëherë, do ta bëjë pas disa ditësh. Kreu i qeverisë ende në detyrë vendosi të ‘ngrijë’ dorëheqjen për të mos penguar miratimin e ligjit të Buxhetit 2017 që është vënë në kalendarin e punës së Senatit. Vendimi erdhi pas diskutimit që Renzi pati deri në orët e para të mëngjesit me kreun e shtetit, në lidhje me mënyrat e mundshme të menaxhimit të krizës politike. Ishte vetë Mattarella që i kërkoi Renzi-t që të mos largohej menjëherë nga timoni i Palazzo Chigi, për të bërë të mundur kalimin e një ligji më të rëndësishëm për financat e këtij shteti.
Mediat italiane raportojnë se miratimi i projektbuxhetit 2017 do të bëhet brenda javës, e menjëherë pas kësaj do të vijë edhe dorëheqja zyrtare e Renzi-t. Por, miratimi i këtij ligji do të thotë edhe kalim i amendimeve që kanë të bëjnë me zhvendosjen e shërbimit call center, që prek ndjeshëm Shqipërinë. Ndryshimet parashikojnë rregulla të forta, përjashtim nga lehtësitë fiskale, kontroll të të dhënave personale për ato shërbime call center që do të zhvendosen nga Italia, për të ardhur kryesisht në vendet jashtë BE-së, siç është Shqipëria. Vendi ynë numëron rreth 25,00 persona të punësuar në këtë sektor, kryesisht të rinj, ku një pjesë e tyre rrezikojnë të humbasin vendet e punës për shkak se kompanitë nuk do të arrijnë dot të përballojnë presionin e masave shtrënguese.
Në Itali, aktualisht po qarkullojnë hipotezat për krijimin e një qeverie teknike ose të ashtuquajtur “të qëllimit” dhe për drejtimin e tyre artikulohen dy emra: ai i ministrit të Ekonomisë, Pier Carlo Padoan, dhe i presidentit të Senatit, Pietro Grasso.
Nuk përjashtohet edhe mundësia e krijimit të një qeverie më shumë me karakter politik, që mund t’i besohet ndonjë ministri të PD-së, që mund të garantonte vazhdimësi. Emrat më të përfolur janë: Graziano Delrio e Paolo Gentiloni.

Bankat përgatiten në rastet e falimentimeve

Në Komisionin e Ekonomisë u diskutua dje projektligji në lidhje me rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në bankat. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dhe zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, shpjeguan disa nga risitë.
Ky ligj, i cili ka marrë formë që në vitin 2012, është hartuar për të garantuar ndërhyrjen në banka, në rast se do të ketë ngjarje të jashtëzakonshme, ka thënë ministri.
Synimi është që të sigurohet një bazë e qartë ligjore, që synon dhe të përafrohet dhe më tej me direktivat e BE-së. Kriza e shfaqur pas 2008-ës ka evidentuar nevojën e një ligji të tillë. Kriza tregoi se instrumentet ekzistuese ishin të pamjaftueshme për të trajtuar në mënyrë të efektshme bankat, të cilat nuk janë në pozita të shëndosha financiare ose që janë në kolaps.
Në fjalën e tij, Ahmetaj tha se qëllimi kryesor do të jetë shmangja e rreziqeve që kërcënojnë stabilitetin financiar dhe se ky ligj synon mbrojtjen e depozituesve.
Fillimisht banka do t’i nënshtrohet rimëkëmbjes dhe, në rast se kjo nuk do të funksionojë, banka do të hyjë në procedurat e likuidimit, ku pesha kryesore do të mbartet nga aksionerët. Sipas zëvendësguvernatores, Natasha Ahmetaj, niveli i stresit financiar në Shqipëri është i qëndrueshëm dhe duhet të sigurohemi se korniza ligjore për raste të tilla është e plotë.
Ligji, tha zëvendësguvernatorja, vendos për autoritetin që do të angazhohet për procesin e rimëkëmbjes dhe të likuidimit, që do të jetë Banka e Shqipërisë, si dhe për formatimin e instrumenteve që do të përdoren.
Sipas nënkryetarit të Komisionit të Ekonomisë, diskutimi i këtij projektligji me procedurë të ngutshme për t’u miratuar vjen në një kohë kur nuk ka rrezik të shtuar në sistemin bankar të Shqipërisë, ndërkohë që shqetësimi duhet të jetë si t’i bëjmë bankat më aktive. Për Boden, kjo do t’i shtojë kosto të tjera bankave që operojnë në vend, në kushtet ku përfitueshmëria e bankave dhe normat e interesit janë të ulëta.
Sipas relacionit, projektligji synon të vendosë në dispozicion të Bankës së Shqipërisë (Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme) një tërësi instrumentesh ligjore për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshmërisht e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha ose në gjendje kolapsi, në mënyrë që të sigurohet vijueshmëria e funksioneve financiare dhe ekonomike me rëndësi kritike të bankës, gjithmonë duke minimizuar efektin që ka kolapsi i saj tek ekonomia dhe sistemi financiar.
Këto instrumente sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps të tillë të jenë aksionerët dhe pas tyre kreditorët, me kusht që asnjë kreditor të mos mbartë humbje më të mëdha se humbjet që do të pësonte nëse banka do të ishte likuiduar sipas procedurës së zakonshme të likuidimit të detyruar në zbatim të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.
Për këtë, projektligji parashikon krijimin e një fondi me kontribute kryesisht të vetë bankave, i cili synohet të konsolidohet në disa vjet dhe në rast të një rreziku në përputhje me kushtet e përcaktuara në projektligj të përdoret për të “shpëtuar” një apo disa banka. Ky fond do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave.
Termi i përdorur në ndërhyrjen e jashtëzakonshme është “bail in” në krahasim vetëm me ndërhyrjen shtetërore, duke përdorur para publike dhe duke ngarkuar tatimpaguesit me barrën e “shpëtimit” të bankave, të ashtuquajturën “bail out”. Instrumente të tilla si “bail in” apo dhe të tjera të parashikuara në projektligj i japin mundësi Autoritetit të Ndërhyrjes (Bankës së Shqipërisë) për të ruajtur mundësinë e pandërprerë për grumbullimin e depozitave dhe për të kryer transaksione pagesash, duke shitur pjesët rentabël të bankës, kur është e nevojshme, dhe për të mbuluar humbjet në mënyrë të atillë që të shmangin destabilizimin e tregut financiar dhe minimizimin e kostove për tatimpaguesit.