Pronat, 5 ditë afat për të manipuluar 100 dosje
Një urdhër i Ramës ka ngritur në këmbë Komisionin e Kthimit të Pronave. Brenda 5 ditëve duhet të manipulohen 100 dosje të pronave që ato të shkojnë tek klientela e afërt e Ramës. Një komision tërësisht i paralizuar që nuk kishte marrë asnjë vendim në këto tri vite, befas rizgjohet nga urdhri i kreut të qeverisë, i cili në panik nga ikja e shpejtë nga qeveria po kërkon të gllabërojë pronat e qytetarëve.
Ish-kryeministri Sali Berisha në një postim në rrjetin social Facebook, ka denoncuar drejtoreshën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila sipas tij ditët e fundit ka kërkuar shqyrtimin e dosjeve në interes të miqve të Edi Ramës. Berisha, duke iu referuar një informacioni të ardhur nga një punonjëse në zyrën e kësaj agjencie, tha se drejtoresha po kërkon që ata, pra punëtorët të firmosin në kundërshtim me ligjin dosjet abuzive. Zyrtarja dixhitale denoncon: Drejtoreshën e Pergjithshme të Trajtimit të Pronave, ndrikullën Sonila Qato, e cila:
-pasi për tre vite nuk ka nxjerrë asnjë vendim, jep urdhër:
-të përgatiten për 5 ditë, duke shkelur ligjet, 100 vendime të klientelës
-detyron punonjësit të punojnë deri në ora 21:00 të darkës për përgatitjen e vendimeve të paligjshme,
-detyron punonjësit të firmosin, duke i kërcënuar me vendin e punës. “I nderuar zoti Berisha:
Jam një punonjëse e Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Po ju drejtohem juve, sepse dua të denoncoj një skandal që po bëhet me dosjet e pronave.
Me urdhër të Drejtoreshës së Përgjithshme, Sonila Qato na është kërkuar të gjithë punonjësve të punojmë me orë të zgjatura deri në 9 të darkës për të nxjerrë rreth 100 vendime për kthimin e pronave të miqve të qeveritarëve dhe drejtoreshës. Të gjitha këto dosje kanë problematika shumë të mëdha dhe ne po na bëhet presion që të firmosim, duke na kërcënuar me vendin e punës. Duhet ta dini se kjo agjenci ka 3 vjet që nuk ka nxjerrë asnjë vendim. Dhe tani papritur na është lënë afat vetëm 5 ditë për t’i përfunduar këto dosje, të cilat po t’i firmosim do na çojnë të gjithëve në burg, sepse këto dosje kanë mungesa dokumentacioni dhe probleme ligjore të jashtëzakonshme. Ju them me bindje se me pronat e shqiptarëve këtë javë po bëhet një manipulim i tmerrshëm”.
Drejtoresha e Ramës
Sonila Qato erdhi në këtë detyrë si njeri i besuar i Edi Ramës. Në fakt, në tre vitet e qëndrimit të saj në këtë detyrë, mund të thuhet se ka qenë një institucion i dështuar. Vajza e një prej zyrtarëve të lartë të regjimit, anëtar i Komitetit Qendror Llambi Gegprifti, do të mbahet mend dhe për propozimin e ligjit për kompensimin e pronës të merret si referencë vlera e saj në vitin 1945, kur është bërë dhe shtetëzimi. Pra toka në mes të Tiranës, në bregdet e të tjera të kompensohen për pak ose hiçmosgjë, dhe ato më pas t’i kalohen që t’i gëzojnë klientët e Ramës. Por me sa dihet dhe sipas denoncimit të zotit Berisha, tashmë po vihet në jetë një tjetër urdhër i Ramës, i cili i ka dërguar drejtoreshës së tij, listën e klientelës për të cilët duhet shkelur ligji me të dyja këmbët. Eshtë e pamundur nga ana e kësaj agjensie të përgatiten për pesë ditë, 100 vendime kur ato kërkojnë ballafaqim faktesh dhe dëshmish mbi pronësinë e vërtetë. Në 5 ditë të verifikohen dokumentat, vendimet gjyqësore, hartat e pronave, pretendimet e palëve për 100 prona, që natyrisht bëjnë pjesë tek lista e atyre që kanë më shumë vlerë. Në këtë rast, duhet një hetim i thelluar, sepse duket qartë se prona po tjetërsohet për të paktën 100 pronarë të ligjshëm.
Enton DACI
Sekretari i PPE, Voller: I shqetësuar për integrimin, dëshmoj për drogën
Sekretari Ndërkombëtar në PPE, Patrick Voller ka shprehur shqetësim në lidhje me problemin e drogës në Shqipëri. Në një postim në rrjetet sociale, Voller shpreh shqetësimin në lidhje me zhvillimet e fundit në lidhje me procesin e Negociatave. Ai e shoqëron postimin me një foto ku trafikantët e drogës mbjellin kanabis në Shqipëri; “Shumë i mërzitur rreth zhvillimeve të Shqipërisë në rrugën drejt BE. Gjithashtu mund të dëshmoj mbi shqetësimin rreth këtij problemi në vizitën që zhvillova në Shqipëri”. Foto shoqërohet me shkrimin mbi ekonominë e kanabisit në Shqipëri.
Ku janë 5 kontratat që na kushtojnë mbi 300 milionë euro?
Vetëm 5 kontrata që i kushtojnë shqiptarëve mbi 300 milionë euro nuk bëhen publike nga qeveria. PD i kërkoi dje Ramës që të bëjë publike këto 5 kontrata. Reagimi erdhi vetëm pak minuta pasi Rama mbajti një fjalim hipokrizie në lidhje me luftën ndaj korrupsionit. Po cilat janë këto pesë kontrata.
“Korrupsioni luftohet duke bërë transparent vendimet dhe kontratat. Nëse Edi Rama do vërtet të luftojë korrupsionin, le të bëjë publike: Kontratën e tij me Vilma Nushin për check up, kontratën e stadiumit ‘Qemal Stafa’, kontratën për hemodializën, kontratën për laboratorët, për sterilizimin, kontratën për Sheshin ‘Skënderbej’, marrëveshjen me kompaninë italiane për mbetjet e Tiranës. Të tregojë pse i marrin gjithë tenderat miqtë e tij, pa garë, me fondin limit. Të bëjë publike kontratat me firmat për sheshet e qyteteve, të tregojë kush i pagoi 80 mijë dollarë që ai të bëjë një foto me Obamën”, tha në proponcimin për mediat zëdhënësja e PD, Ina Zhupa.
Po përse Rama nuk i bën publike këto deklarata? Mund të jetë një rast i paprecedent që opozita e një vendi t’i kërkojë kryetarit të qeverisë të bëjë publike kontratat që paguhen nga paratë e taksapaguesve dhe qeveria të refuzojë. Ndonëse ky duhet të ishte një detyrim, Rama refuzon të bëjë publike këto kontrata. Arsyeja është e thjeshtë. Bërja e transparencës në lidhje me këto kontrata do të ekspozonte qeverinë nga organet e drejtësisë. Për secilën nga këto kontrata Rama fsheh milionat që u grabiten shqiptarëve dhe përfundojnë në xhepat e këtyre 5 biznesmenëve që përfitojnë nga këto kontrata. Rasti më flagrant është ai kontrollit mjekësor. Prej muajsh opozita kërkon listën e të gjithë individëve që kanë kryer këto kontrolle, por qeveria refuzon të bëjë transparencën. Nëse do të shiheshin këto lista do të konstatohej edhe grabitja e dhjetëra miliona eurove. Deri tani është faktuar një dëm prej 16 milionë eurosh, por shuma konsiderohet që të jetë akoma dhe më e madhe.
Në lidhje me ndërtimin e stadiumit, PD ka kërkuar prej muajsh që të bëhet publik projekti, por deri tani ai është mbajtur i fshehtë nga qeveria.
PD ka kërkuar informacion dhe kopje të dokumentacionit të plotë zyrtar duke përfshirë: projektin e miratuar nga KKT, kontratën e partneritetit publik privat, kopje të procesverbalit të mbledhjes së shoqërisë anonime ku pasqyrohet qëndrimi i mbajtur nga përfaqësuesit e shtetit, procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e firmës fituese dhe dokumentacionin e plotë dhe procedurën e ndjekur nga KKT në miratimin e këtij projekti. Deri tani qeveria e mban sekret këtë dokumentacion.
Opozita po ashtu kërkon vënien në dispozicion të kontratës me kompaninë italiane për mbetjet, por deri tani as kjo kontratë pas të cilës qëndron një aferë e pastër korruptivo-mafioz nuk është bërë publike.
Një tjetër rast flagrant për të cilin Rama hesht është ajo e pagesës 80 mijë euro me foton me Obamën, në një kohë që njerëzit e përfshirë në këtë aferë të pastër korrupsioni kanë bërë të qartë se paratë kanë ardhur nga një burim i tretë nga Tirana, të cilin Rama nuk do të mund ta fshehë për shumë kohë.
Rama, mbi 2 milionë euro në tre muaj Vilmës
Kompania e farmaceutikës “Trimed shpk”, në pronësi të zonjës Vilma Nushi, ka fituar tendera me vlerë më shumë se 2,2 milionë euro nga gushti deri në nëntor 2016.
“Trimed” -e njohur për koncesionin e kontrollit falas të popullatës nga mosha 40– 65 vjeç (check up) – ka fituar më 30 nëntor, tenderin për furnizimin e spitaleve me pajisje dhe proteza ortopedike me një vlerë prej 772 mijë euro. Tenderi është pjesë e një projekti të gjerë të qeverisë për furnizimin falas me proteza ortopedike për qytetarët. Ky projekt u bë publik në gusht të vitit 2016.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në një intervistë për Ballkanëeb u shpreh se:
Prej muajit shtator 2016 kemi filluar të furnizojmë spitalet tona me protezat ortopedike. Vlerësuam nevojat në bazë të eksperiencës së operacioneve (ku qytetarët i kishin blerë vetë protezat) të kryera në vitin 2015 në tri spitale.
Kështu që vendosëm që të fillojmë të financojmë protezat edhe në spitale të tjerë, qoftë për të shkurtuar kohën e pritjes, qoftë për të ofruar shërbim sa më pranë vendbanimit të pacientëve, qoftë për të ulur ngarkesën në spitalet tona kryesore.
Oferta e kompanisë “Trimed” ishte vetëm 0,1 për qind më pak se vlera maksimale e buxhetit të tenderit.
Në gusht të këtij viti, “Trimed” fitoi edhe tenderin për protezat ortopedike me vlerën e rreth 1.46 milionë euro. Tenderi i fituar në gusht i dha përparësi kësaj kompanie, duke e bërë të vetmen kompani të kualifikueshme ndër pesë kompanitë pjesëmarrëse në tender.
Me një model tashmë të ditur, katër kompanitë e tjera pjesëmarrëse u skualifikuan, sepse nuk dorëzuan në kohë propozimin e plotë.
Oferta e lartë e paraqitur nga kompania “Trimed” në të dy tenderat e qeverisë dhe mungesa e çdo lloj konkurrenti tjetër tregojnë qartë se procedurat e prokurimit publik nuk përmbushin qëllimin e tyre për të krijuar një treg të hapur dhe konkurrues për të gjithë kompanitë në fushën e shërbimeve të shëndetësisë.
Sipas të dhënave të publikuara në Open Data Procurement Albania, “Trimed” ka qenë pjesëmarrësja e vetme në rreth gjysmën e tenderave të fituara nga ajo.
Të ardhurat e kompanisë janë rritur ndjeshëm me ardhjen në pushtet të qeverisë Rama. Pagesat e kryera nga Thesari i Shtetit për kompaninë “Trimed” vetëm për këtë vit janë rreth 914 mijë euro.
A.SHAHINI
Kush janë kriminelët e PS për zgjedhjet e 18 qershorit
Presidenti i Republikës, dekretoi datën 18 qershor si ditën kur do të mbahen zgjedhjet në vend. Shqiptarët do të shkojnë drejt kutive të votimit për të vlerësuar punën e deritanishme të Rilindjes. Sondazhet online, tregojnë një qasje të qartë të votuesit drejt Partisë Demokratike, kjo nisuar dhe nga situata, e cila vlerësohet si më e rënda në 25 vite të ndryshimit të sistemit. Rëndimi i taksave, trafiku, korrupsioni, mungesa e investimeve nuk kanë pasur as në ditët më të zeza këto shifra. Perceptimi i opinionit publik për shëndetësinë, ekonominë dhe rendin është në nivelet më të ulta. Në një raport të Transparence International thuhet se Shqipëria ka normën e tretë më të lartë të ryshfetit në Europë me 34%, duke lënë pas vetëm Moldavinë dhe Ukrainën. Në raport theksohet se një në tre shqiptarë e shohin korrupsionin si problemin më të madh me të cilin përballet vendi dhe paguajnë ryshfet për të marrë një shërbim. Kjo ndodh vetëm 6 muaj para zgjedhjeve.
Ardhja e Edi Ramës në pushtet në vitin 2013, do të sillte bashkë me premtimet e Rilindjes dhe furinë e emrave të personave me rekorde kriminale në çdo institucion. Deputetë, kryetarë bashkie, drejtorë të të gjitha niveleve do të drejtonin në çdo qelizë të këtij vendi, tatime, transport, dogana, pushtet lokal etj. Nisur nga kjo situatë, Partia Demokratike në fundin e vitit 2014 do të propozonte një ligj, i cili ndalonte kandidimin e personave të inkriminuartë punësoheshin në administratë. Janë rreth 80 vepra të ndryshme penale, të cilat u ndalojnë individëve pjesëmarrjen në jetën publike. Ligji për dekriminalizimin do të merrte 131 vota në Kuvend nga 140 më 17 dhjetor të vitit të kaluar. Sot, pas një viti Rama refuzon ta zbatojë, situata jo vetëm nuk është përmirësuar, por është rënduar dhe më shumë.
Në administratë të dënuar për vrasje
Eshtë e njohur tashmë tërheqja që ka kryeministri ndaj kriminelëve dhe trafikantëve të të gjitha llojeve. Me dashje, ai prej një viti ka refuzuar të pastrojë administratën, duke injoruar kështu dhe kushtet e vendosura nga SHBA dhe BE. Në administratën e Ramës, në të gjitha nivelet do të gjesh persona të dënuar për krime të ndryshme, por më shumë janë ato të trafikut të drogës, dhe vjedhjes. Por gjen aty dhe për vrasje deri edhe të punonjësve të policisë. Për shembull, ish- drejtori i Ujësjellësit të Pogradecit, ka një akuzë të tillë, por edhe kryetari i PS-së në Shkodër Martin Cubi për vrasjen e Dodë Hilës. Kjo se ka penguar aspak Edi Ramën t’i verë në poste të larta drejtuese qoftë në parti qoftë në administratë. Edhe në rastet kur janë dorëhequr “pas një vale denoncimesh që ndërmori PD në 2014-2015-ën) sërish janë ata që venë në lëvizje mekanizmin e tenderimit, duke shfrytëzuar postet e larta që kanë në kupolën e PS-së në qendër apo në rrethe. Edi Rama, duke përdorur Sajmir Tahirin, apo dhe marifete të tjera politike u mundua t’i dilte në mbrojtje, por sërish në disa raste do të dilte zbuluar.
Mbrojtja e trafikantëve
Për shembull në listën me 130 emra të Partisë Demokratike të dorëzuar për verifikim në maj të vitit 2015, ishte dhe emri i Kelmend Balilit drejtor i Transporteve në Sarandë. Nga ana e saj opozita kishte dyshimet e veta, të mbledhura në rrugë të ndryshme, se persona me të kaluar kriminale ishin infiltruar në administratë. Në po atë muaj, Kelemend Balili do të shpallej në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Kështu është dhe rasti i punonjësit të Policisë në Komisariatin Nr. 2 Gurian Lekzeqiri. Nga ana e saj, Partia Demokratike kish kërkuar verifikim të figurës së tij, por nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera sërish heshtje. Gurian Lekzeqiri do të arrestohej në flagrancë pas hetimeve të Prokurorisë, në flagrancë, duke kryer trafik kokaine. E njëjta situatë dhe me drejtorin e mjedisit në Bashkinë e Korçës, i cili megjithëse opozita dhe indiciet e saj se ky person është akuzuar për trafik klandestinësh, sërish askush se vuri ujin në zjarr. Më pas, Aleksandër Çela, që mbante detyrën e drejtorit u arrestua në Itali, duke kaluar klandestinë sirianë.
Më shumë se një vit nga ligji i dekriminalizimit
Nuk janë vetëm emrat që janë përfolur deri më tani dhe që njihen për aktivitetin e tyre kriminal, si fjala vjen Roshi i Kavajës, apo Bushi i Krujës. Janë një mori emrash në të gjitha hallkat e administratës, të cilët kanë vetëm një detyrë të mbajnë Rilindjen sa më gjatë në pushtet. Ose më saktë, janë këta ata që emërohen komisionerë të zgjedhjeve, apo që bëjnë direkt ose indirekt manipulimin e votës. Zgjedhjet janë më 18 qershor vetëm disa muaj larg, ndërsa ligji i dekriminalizimit vazhdon të flerë në sirtaret e Ramës, Tahirit dhe të gjitha institucioneve. Paguhen nga taksat e publikut për të vjedhur votën e tij. Paguhen për të legjitimuar vjedhjen që i bën rilindja pronës publike. Ligji për dekriminalizimin ndalon pjesëmarrjen në administratë publike për më shumë se 80 vepra të ndryshme penale. Ka kaluar më shumë se një vit nga miratimi i tij, dhe ska asnjë statistikë se sa janë larguar nga pozicionet e tyre, sa i janë dorëzuar ligjit. Në fakt askush! Edi Rama në filozofinë e tij burgjet i mbush me të varfër, ndërsa ata që duhen të jenë pas hekurave bëjnë fushatën për të.
Disa nga të inkriminuarit që do të bëjnë fushatën e PS
Gentjan Daja, trafik droge kreu i PS Kavajë
Edurim Teqja, në kërkim për vrasje, kryetar i PS Peqin i deleguar i Ramës, bredh i lirë
Lekë Tuna, trafik makinash drejtor OSHEE Kurbin
Ilir Berberi, ish-drejtor Ujësjellësi Pogradec, vrasje të punonjësit të policisë
Florian Qafa, Task Forcë OSHEE Tiranë, trafik droge
Sokol Bode, Shef i Kufirit Dhërmi, dyshohet se bashkëpunon me Habilajt
Genard Gjashta, trafik droge ish-shef i sektorit të shërbimeve Prefektuara Tiranë sot PS qendër
Drini Bello, trafik droge dhe armësh Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm Tiranë
Erjon Bojaxhi, transport i vlerave të mëdha, pastrim parash. Albkontroll Tiranë
Skerdilajd Dalipi, korrupsion, ish-jurist i Avokaturës së Shtetit
Alket Qëndro, për vjedhje drejtor i Tatimeve Sarandë
Kelmend Balili, trafik droge, në kërkim ndërkombëtar, ish-drejtor i Transporteve Sarandë, bredh i lirë
Roni Shqopa, shpërdorim detyre, drejtor i Shtëpisë së Pushimit Durrës
Durim Herri, shpërdorim detyre, drejtor i Spitalit Krujë
Ukë Camaj, falsifikim dokumentesh, nëndrejtor Ekonomik, Spitali Tropojë
Plator Mehmeti, korrupsion, kryeinxhinier OSHEE
Florenc Tabaku, falsifikim dokumentash, drejtor i Zyrës së Punës Korçë
Aleksandër Kalemaj, falsifikim të pijeve alkolike dhe ushqimore, ish-drejtor i AKU
Enrik Sulejmani, trafik klandestinësh, ish-drejtor i Policisë së Burgjeve
Gentian Alizoti, trafik droge, punësuar Njësia 6 Kombinat Tiranë
Gurian Lekzeqiri, trafik droge punonjës policie Komisariati Nr.2,(i denoncuar nga PD, arrestuar në flagrancë në vitin 2016 sërish për trafik droge)
Vasip Habili, kontrabandë floriri, Drejtoria e Bujqësisë Durrës
Boge Budini, trafik droge, manipulim zgjedhjes 2001-20013, drejtor i Policisë Porti Durrës
Pajtim Bezati, falsikim dokumentash, Shef Kontrolli linja Peqin-Pogradec
Estref Isufaj, falsifikim dokumentash, drejtor shkolle Këlcyrë
Arben Xhaja, falsifikim dokumentash drejtor shkolle Përmet
Klement Ndoni, trafik droge, kryetar i Bashkisë Këlcyrë
Aleksandër Çela, trafik klandestinësh, ish-drejtor i Mjedisit Korçë (e la detyrën, pasi u arrestua në Itali për të njëjtën vepër penale më 2016-ën)
Gjergj Doda, manipulim zgjedhjesh komisionier i PS-së, kreu i Antidrogës Lezhë
Martin Cubi, vrasje kryetar i PS-së Shkodër
Gentian ABAZI
Tahiri, përgjegjës për vrasjen e gruas në Fier
Zbardhet urdhëri i Gjykatës së Fierit që nuk e lejonte Ferdinand Rukon, autorin e vrasjes makabre të gruas së tij, Liljana Ruko t’i afrohej. Bëhet e ditur se, Liljana Ruko kishte fituar një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Fierit, por nuk u mor në mbrojtje nga policia. Në vendimin me 12 pika, bashkëshorti i saj, Ferdinand Ruko cilësohej rrezik dhe ndalohej t’i afrohej gruas më tepër se dy metra. Por ky urdhër mbrojtje firmosur nga gjyqtari Egys Selmani nuk u zbatua nga policia dhe të shtunën burri hodhi gruan nga kati i katërt i banesës, duke i shkaktuar vdekjen. 43-vjeçarja ishte duke bërë dush, kurse dy fëmijët ndodheshin në dhomën e gjumit.
Urdhri mbrojtës ishte lëshuar nga Gjykata e Fierit në datë 11 nëntor dhe konfirmuar me një tjetër vendim të datës 25 nëntor. Në njërën pikë është përcaktuar qartë, se me zbatimin e këtij urdhri ngarkohej policia, Zyra e Shërbimeve Sociale në Bashki dhe Përmbarimi.
Nuk dihet pse nuk ka funksionuar ky zinxhir strukturash për ta bërë urdhrin të zbatueshëm, në një kohë kur çifti bashkë me fëmijët jetonte në një shtëpi. Sipas burimeve të grupit hetimor, me daljen e këtij urdhri mbrojtës, burri 52-vjeçar largohej shpesh nga shtëpia, por tri ditët e fundit ai ishte rikthyer dhe qëndronte aty, ndërsa policia nuk ndërmori asnjë veprim për ta ndaluar ndonëse kishte një vendim Gjykate që ai duhet të qëndronte 2 metër larg gruas.
Urdhëri mbrojtës
1- Të mos ushtrojë dhunë fizike, psikologjike dhe kërcënime ndaj gruas së tij
2-Urdhërohet i padituri të mos ngacmojë apo kontaktojë paditësen
3- Të lejohet paditësja të jetojë në banesën e ndodhur në lagjen “Kryengritja e Fierit” bashkë me fëmijët.
4- Urdhëron të paditurin të mos i afrohet të paditurës përtej distancës 2 metra
5- Urdhëron të paditurin të paguajë pension ushqimor prej 270 mijë lekësh të vjetra në muaj për dy fëmijët
6- Përcaktohet afati një vit për kohëzgjatjen e urdhërit të mbrojtjes
7- I bëhet me dije të paditurit se shkelja e këtij urdhëri përbën vepër penale të parashikuar nga neni 320 i Kodit Penal
8- Vendimi u dërgohet Komisariatit të Policisë së Fierit, Zyrës së Shërbimeve Sociale në Bashki dhe Zyrës Përmbarimore
9- Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të paditurit
10- Vendimi i delegohet Zyrës Përmbarimore për ekzekutim si titull ekzekutiv.
Rrëfimi i dëshmitarëve
Vrasja e Liljana Rukos mund të ishte shmangur nëse nuk do të vazhdonte të jetonte në të njëjtën shtëpi me bashkëshortin, pasi e kishte denoncuar në polici për dhunë ndaj saj. Dëshmitarët rrëfejnë se burri e kishte nxjerrë viktimën në dritaren e banjës për ta hedhur poshtë, ndërsa ajo kacavirrej për t’i shpëtuar vdekjes. Sipas dëshmitarëve kjo skenë ka zgjatur 3 minuta dhe banorët mund ta shpëtonin vetëm po të reagonin shpejt. Përpjekjet e viktimës për t’u mbajtur nga njëra anë dhe mllefi i autorit për ta shtyrë nga ana tjetër zgjatën të paktën 3 minuta.
52-vjeçari Ferdinand Ruko ka rrëfyer motivin e krimit të rëndë. Fillimisht, ai tha se shkak ishte bërë xhelozia për bashkëshorten, por më pas e ndryshoi këtë deklaratë, duke shpjeguar se shkak për sherrin që e çoi në vrasjen e gruas ishte bërë denoncimi i saj në polici për dhunë nga bashkëshorti. Policia e Fierit konfirmoi se, një muaj më parë kur sapo ishin kthyer nga Gjermania bashkëshortët Ruko janë grindur për probleme ekonomike. 52-vjeçari e ka goditur gruan dhe kjo e ka denoncuar në polici. Nga ky denoncim 43-vjeçarja kishte marrë urdhër mbrojtjeje, megjithëse vazhdonte të jetonte në të njëjtën shtëpi me bashkëshortin. Ferdinand Ruko ishte proceduar penalisht dhe Gjykata e Fierit ku kishte nisur procesin gjyqësor ndaj tij për dhunë në familje. Vendimi i Gjykatës është dërguar instancave përkatëse në Bashki dhe në Polici, por policia nuk e zbatoi urdhërin e mbrojtjes së gruas fatkeqe dhe si pasojë, ajo u vra në mënyrë makabre nga burri i saj.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dje “arrest me burg” për burrin monstër që hodhi gruan nga dritarja. Sipas dëshmisë së tij, krimin e kreu nga xhelozia. “E qëllova, i vura duart në fyt. Në gjendje të fikti hapa dritaren e banjës e kapa nga këmbët dhe me kokë poshtë e lëshova poshtë”, ka thënë Rukaj.
Vëllai i viktimës Liljana Ruko ka kërkuar të marrë në kujdestari dy fëmijët e saj, të cilët në momentin e krimit ndodheshin në dhomën tjetër të banesës në katin e katërt të një pallati në Fier.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e shtunë, ndërsa gruaja kishte marrë urdhër mbrojtje nga Gjykata, ndonëse vazhdonte të jetonte në një banesë me bashkëshortin.
Basha: Shoqëria shqiptare ndodhet mes varfërisë dhe dëshpërimit
Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar për dy krimet makabre të ndodhura në Fier dhe në Korçë.
Basha shprehet se, shoqëria shqiptare ndodhet mes varfërisë dhe dëshpërimit, që sjellin edhe këto krime brenda familjeve.
“Jam i tronditur nga krimet e tmerrshme në familje në Fier dhe në Korçë. Jam veçanërisht i hidhëruar që këto krime kanë marrë jetë të pafajshme fëmijësh dhe grash. Këto ngjarje më shumë se krime individuale reflektojnë gjendjen e varfërisë dhe dëshpërimit ku ka hyrë shoqëria jonë, si dhe rënien e mbështetjes shoqërore për njëri-tjetrin”, shprehet Basha.
Kryetari i PD thotë më tej se, Shqipërisë duhet t’i kthehet shpresa, duhet t’i kthehen mundësitë në mënyrë që të gjithë të jetojnë të mirëqenë dhe të qetë. “Politika ka rolin kryesor për këtë gjë: ajo duhet të pushojë së punuari për pakicën dhe duhet t’u rikthehet njerëzve dhe halleve të tyre.
Ne nuk mund të vrasim njëri-tjetrin, duhet të vrasim politikën e keqe. Ne duhet të japim jetën për fëmijët tanë dhe jo të marrim jetë fëmijësh”, përfundon Basha.
PD: Policia nuk kreu detyrën për mbrojtjen e gruas në Fier
Partia Demokratike ka reaguar ashpër dje ndaj Ministrisë së Brendshme për mosmarrjen në mbrojtje të gruas që u vra nga bashkëshorti i saj në Fier, ndonëse për të kishte një urdhër mbrojtjeje. Kreu i Departamentit të Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj akuzoi ministrin Saimir Tahiri si përgjegjës direkt për vdekjen e gruas në Fier. Alibeaj tha se, policia nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës për marrjen në mbrojtje të gruas.
“Sot është zbuluar me prova e fakte, se viktima Liljana Ruko kishte urdhër mbrojtjeje nga Gjykata, pra që ta mbronte nga bashkëshorti që i mori jetën. Sot që u publikua ky vendim, që tregon se Policia nuk ka bërë detyrën, Saimir Tahiri krekoset dhe jep mend, bën si i dhembshur dhe thotë se fajin e paskan të tjerët, e paska politika! Kjo është një përgjegjësi konkrete, e tija dhe vetëm e tija. “Sepse ai mban përgjegjësi kur policia nuk zbaton një vendim Gjykate, kur nuk mbron një grua të kërcënuar në mënyrë sistematike”, deklaroi Alibeaj.
Alibeaj tha më tej se, Tahiri mban përgjegjësi për vdekjen e gruas në Fier. Me dhjetëra policë sulen për një makinë të parkuar keq, apo për t’i hapur rrugën atij dhe udhëheqësve të tjerë, por nuk gjendet një polic për të mbrojtur jetën e një gruaje. T’i lërë dënglat e të mbajë përgjegjësi, sepse është direkt përgjegjës për humbjen e jetës së gruas në Fier”, deklaroi Alibeaj.
Rritja e krimeve, Hajdarmataj: Tahiri të thirret në seancë dëgjimore
Deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Fier, ku burri vrau gruan apo dhe horrori në Korçë, ku një baba vari dy fëmijët e tij e më pas u vetëvra. Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” Hajdarmataj theksoi se, familja shqiptare po lëngon nga mosekzistenca e shtetit për gratë.
Nga ana tjetër, deputetja e djathtë i ka bërë apel Presidentit Bujar Nishani që të mbledhë KLD për të monitoruar drejtësinë e vendimeve të gjykatave për viktimat e dhunës. Sakaq, ajo bëri thirrje që të mbahet një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm për të shpjeguar dështimin e policisë në zbatimin e urdhrave të mbrojtjes për gratë e dhunuara.
“Çfarë na duhen kuotat gjinore në politikë, kur vendi është në një emergjencë kombëtare për kuotat e sigurisë së jetës, sidomos të grave? Sot, në krizën më të thellë që po lëngon shoqëria dhe familja shqiptare nga mosekzistenca e shtetit, ne grave deputete, (absolutisht të pakushtëzuara nga forca politike), duhet të shpallim me emergjencë, një mision kombëtar: “Gratë për gratë, nënat për nënat dhe mbi të gjitha, të gjitha bashkë për fëmijët, për engjëjt e pambrojtur nga instiktet mizore”.
Duke përkrahur me vlerësim, kërkesat e koleges Bregu, mendoj se zëri i saj nuk mund të mbesë vetëm një jehonë, për institucionet që janë në përgjumje ose të kapura nga korrupsioni dhe interesat e qeverisë.
Askush më mirë dhe më me kompetencë se sa Aleanca e Grave Deputete, mund të ndërmarrë nismat e theksuara nga deputetja Bregu për;
-Apel Presidentit të Republikës të mbledhë KLD për të monitoruar drejtësinë e vendimeve të gjykatave për viktimat e dhunës.
-Të thirret në seanca dëgjimore, ministri i Brendshëm për të shpjeguar dështimin e policisë në zbatimin e urdhrave të mbrojtjes për gratë e dhunuara.
-Propozime urgjente ligjore për rëndimin e sanksioneve në legjislacionin kundër dhunës në familje.
Nuk ndreqet asgjë me mallkime, sharje, trishtim apo lutje. Nevojitet një plan kombëtar veprimi konkret, për masat kundër dhunës në familje, para se këtë vend ta marrë vërtetë lumi”, shkruan Hajdarmataj.
Tmerr në Vlorë! Përdhunohen 2 fëmijë në oborrin e shkollës
Një ngjarje shokuese ka ndodhur në qytetin Vlorës gjatë fundjavës, ku dy djem në moshë të mitur kanë përdhunuar dy fëmijë më të vegjël. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur në një shkollë në lagjen “15 tetori”, në periferi të qytetit të Vlorës, ku F.N.,14 vjeç dhe shoku i tij V.R., 11 vjeç, kanë kryer marrëdhënie homoseksuale me dy fëmijë 6-vjeçarë. Sipas burimeve, ka qenë pasditja e së shtunës, kur fëmijët po luanin me njëri-tjetrin në ambientet e oborrit të shkollës të kësaj lagjeje, pasi ishte ditë pushimi.
Pasi kanë mbaruar lojën, djali më i madh në moshë, 14-vjeçari F.N., ka kapur me dhunë dy fëmijët 6-vjeçarë që ndodheshin pranë tyre. Në ndihmë të tij ka shkuar edhe shoku më i vogël, 11-vjeçari me inicialet V.R. Por sipas policisë, të përfshirë në këtë akt të rëndë kanë qenë edhe persona të tjerë.
Pasi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj të vegjëlve dhe kanë realizuar përdhunimin e tyre, dy djemtë më të rritur janë larguar me vrap për në lagjen e tyre. Ndërkohë, dy fëmijët kanë shkuar në shtëpi, duke qarë dhe kanë arritur të tregojnë se çfarë u ka ngjarë.
Të alarmuar, prindërit menjëherë kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Vlorës. Kjo e fundit ka bërë shoqërimin e dy të miturve në ambientet e Komisariatit të Vlorës.
Pasi i ka marrë në pyetje ka bërë arrestimin e 14-vjeçarit F.N, ndërsa ka lënë të lirë 11-vjeçarin me iniciale V.R., pasi ai nuk është subjekt i veprës penale. Çështja e tij i është lënë Gjykatës së Vlorës për të mitur që të vendosë për të. Mësohet se dy djemtë, autorë të përdhunimit të të miturve, janë banorë të qytetit të Vlorës dhe jetojnë në lagjen “Partizani”.
Sipas të njëjtave burime, dy dhunuesit kanë mohuar në polici të kenë bërë gjeste provokative me të vegjlit dhe kanë pohuar se gjendeshin aty vetëm për të luajtur. Ndërkohë, në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se, ata akuzohen se kanë kryer marrëdhënie homoseksuale me dhunë, vepra penale të parashikuara në nenet 100 dhe 25 të Kodit Penal.
Nga ana e grupit hetimor po kërkohen informacione për veprimet e dy djemve dhe në lagjen ku jetojnë, për të parë nëse kanë ngacmuar apo abuzuar dhe aty me djem apo vajza të mitura.
Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur Vlorën dhe mbarë opinionin publik. Qytetarët e Vlorës të shokuar nga kjo ngjarje kanë kërkuar vënien para drejtësisë të autorëve dhe rritje të sigurisë në shkolla. Shkollat janë të pasigurta dhe nxënësit kanë frikë të lozin në ambientet e shkollës. Në mjaft shkolla të vendit, përfshi edhe Tiranën janë evidentuar plagosje me armë dhe thika të nxënësve, por edhe raste dhune nga persona që nuk kanë lidhje me shkollën.
Para disa ditësh u plagos një gjimnazist në shkollën e mesme “Çajupi” në Tiranë. Rrjetet sociale publikuan një video ku shfaqej momenti pas ngjarjes ku K.Z. dergjet në tokë i plagosur rëndë në këmbë. Po ashtu, njerëzit thërrasin për ndihmë, ndërkohë që djaloshi humbet gjak.
Po në Tiranë vitin e kaluar u plagos me thikë një 16-vjeçar në Shkollën “Partizani”. Nëna e 16-vjeçarit të plagosur është tmerruar nga lajmi i plagosjes së të birit në shkollë. Djali i saj mbeti i plagosur me thikë në ambientet e shkollës, pasi u konfliktua me një bashkëmoshatarin e tij për shkak të ngacmimit të një shoqeje të tyre të klasës.
Para disa kohësh u plagos me armë një nxënës në një shkollë të Fierit. Ngjarja ndodhi në ambientet e shkollës së muzikës “Jakov Xoxa” dhe i plagosur me armë mbeti nxënësi me inicialet P.Sh, i cili në gjendje të rënduar shëndetësore u dërgua menjëherë në Tiranë për mjekim më të specializuar.
Vjen data e zgjedhjeve, por nuk ka reformë zgjedhore
Presidenti Bujar Nishani dekretoi sot (5 dhjetor) datën e zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017. Sipas dekretit, shqiptarët do të zgjedhin për përbërjen partiake të Kuvendit të ardhshëm në datën 18 qershor, e diela e parafundit e qershorit.
Sipas nenit 9 të Kodit Zgjedhor, Presidenti Nishani mund të zgjidhte mes “një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar” dhe zgjodhi të dielën e parafundit.
Zgjedhjet e vitit 2017 do të jenë rasti i nëntë i zgjedhjeve pluraliste që nga viti 1991. Shqipëria ka votuar në fund të qershorit për zgjedhjet parlamentare që nga viti 1997, ndërsa data e zgjedhjeve zakonisht ka qenë e debatuar për shkak se partitë e djathta zakonisht besojnë se një pjesë e votuesve të tyre zgjedhin një ditë në plazh në vend të një dite në votim.
Që nga viti 1997, zgjedhjet parlamentare janë zhvilluar mes 23 qershorit dhe 3 korrikut, ndërsa hapësira që iu la presidentit për të përcaktuar datën e zgjedhjeve u ngushtua në “një nga dy të dielat e fundit” në ndryshimet e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor që u kryen në vitin 2008 në bashkëpunim mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Në zgjedhjet e 18 qershorit, shqiptarët do të mund të votojnë një nga partitë pjesëmarrëse në zgjedhje në një nga 12 qarqet ku banojnë. Listat e kandidatëve fitues caktohen nga partia politike përkatëse dhe numri i deputetëve fitues nga lista e partisë përkatëse varet nga numri i votave që partia ka marrë në zgjedhje.
Sistemi aktual i njohur si “proporcional rajonal” është në fuqi që nga zgjedhjet e vitit 2009 dhe ka fuqizuar rolin e partive politike dhe kryetarëve, duke dëmtuar aftësinë e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.
Çeno: Këshilltarët e fushatës së Trump në Tiranë për ndryshimin
Endri Çeno është një nga njerëzit e angazhuar në stafin e fushatës elektorale të Presidentit të zgjedhur Trump, i cili drejton edhe një sekretariatet në PD. Ai shpjegon arsyet se përse njerëzit e fushatës së Trump erdhën në Tiranë.
“Diskutuam në Tiranë për përgatitjen e fitores së të djathtës në Shqipëri”, thotë Çeno.
“Dua të ndaj me ju mirënjohjen për të gjithë miqtë që ndoqën takimin e Tiranës me ekipin organizues të fushatës presidenciale të Donald J. Trump. Miqtë nga Amerika na treguan se duhet guxim për të shpresuar po aq sa duhet përgatitje për ta merituar fitoren. U jam mirënjohës të ftuarve amerikanë për thjeshtësinë e mesazhit të tyre, për kohën që morën nga familjet dhe punët e tyre për t’u njohur me sfidat e vendit tonë.
Zotërinjtë Michael Biundo, Andreë Boucher, Shannon Burns, Kory Ëood, Derek Dufresne, i njoha para disa vitesh në aktivitetet e Konventës së Republikanëve në SHBA. Pas ftesës së tyre pata nderin të isha pjesë aktive e fushatës në terren me komunitetin shqiptar, si dhe mbështetës i zbatimit të strategjisë politike për zgjedhjen e Presidentit Trump.
Ndihem i lumtur që munda të organizoj vizitën e parë zyrtare të një delegacioni amerikan në përbërje të fushatës Trump në vendin tim. Ardhja e fushatës Trump nuk ka sesi të mos jetë një lajm i mirë për ata që besojnë tek aftësitë që ka secili prej nesh për ta bërë sa më reale fitoren e së djathtës së vërtetë në Shqipëri.
E vlerësoj së tepërmi praninë e të gjithë atyre shqiptarëve të shquar, brenda dhe jashtë PD, në Shqipëri dhe jashtë saj, që vërtet besuan tek fitorja e të djathtës në SHBA. Miqtë amerikanë më siguruan se nuk do të harrohet zëri i atyre shqiptarëve, që në Shqipëri dhe Amerikë që u shprehën publikisht pro mundësisë dhe drejtësisë së fitores së Presidentit Trump.
Në Tiranë diskutuam aspektet e përgatitjes së një fitoreje të vështirë. Një fitore që mund të arrihet kur ke kundër mediat kryesore, spekulantët financiarë ndërkombëtarë dhe oligarkët partiakë të shkëputur nga njerëzit. Ne mund të fitojmë nëse mund të bindim shqiptarët se mund të na besohet ndryshimi. Në Shtetet e Bashkuara ndryshimi po vjen.
Duhet të bëjmë gjithçka mundemi që ta sjellim atë edhe në Shqipëri”, shkruan Çeno në Facebook.
Tani është rradha e Ramës
Renzi Ra. Binjaku i Ramës me të cilën kreu i qeverisë shqiptare mburrej se kishte shumë ngjashmëri nuk është më Kryeministër i Italisë. Italia ka votuar në një shumicë dërrmuese kundër Rezit, i cili personalizoi referendumin mbi ndryshimin e Kushtetutës. Në një editorial të saj Corriere dell Sera shpjegonte edhe arsyet e humbjes së Renzit, ku nër kryesoret ishte arroganca e Kryeministrit të ri që bëri bashkë të gjithë Italinë. “Sot e majta është në rënie në të gjithë botën. Ka nisur era e të djahtës”, shkruante Corriere Della Sera.
Ish-Kryeministri e ka kuptuar mesazhine votës së italianëve duke deklaruar se është efekti i parë i fitores Trump në Shtetet e Bashkuara. “Në Itali fiton thellë JO-ja! Efekti i parë madhor Trump në botë. Italianët votuan kundër qeverisë dhe për dinjitetin e tyre. Mateo Renzi jep dorëheqjen dhe tregoi veten shtetar. Në marredheniet me Shqipërine ai mbante qëndrim partiak! Rama do jetë viktima e radhës! Fati i mikut të vet e pret! Por pas humbjes Rama nuk do largohet nga kreu i PS.-Mjerë socialistet, po mire ua bën, e meritojne”, shkraun Berisha në facebook.
Ramës i ka humbur një tjetër aleat, i cili po ai ishte një sorosian dhe kishin të dy të imponuar të njëjtin model qeverisje. Si gjithmonë guri i fundit i dominosë së ndryshimit mbetet Shqipëria. Kështu ishte edhe në vitin 1990. U desh të rrëzoheshin të gjitha diktaturat e lindjes dhe më pas të vinte era e ndryshimit në Shqipëri. Megjithëse më vonë se në vendet e tjera, tani është rradha e Ramës për të ikur për motive të tjera dhe shumë herë më të rënda për ato me të cilat u rrëzua Renzi.