32.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Gabimet e Renzit, era e të djathtës në të gjithë botën

Aldo Cazzullo, “Corriere della Sera”

Në fund Matteo Renzi e gjeti veten i vetëm përballë të gjithëve. Në fund doli në duel me Zagrebelsky dhe De Mita, sfidoi Grillon dhe D’Alemën dhe nëse Maciste do të ishte shprehur në favor të përgjigjes “jo”, do ta kishim parë Renzin edhe kundër Macistes. Nga Napolitano kishte marrë detyrën e qeverisjes me zotimin se do të bënte refoma institucionale, duke risjellë në tavolinë Berlusconin, duke rimbledhur Partinë Demokratike dhe duke izoluar Grillon.
Por Berlusconi u distancua shpejt nga marrëveshja – siç ka bërë gjithmonë që kur ka hyrë në politikë – e majta, pasi kishte thënë gjashtë herë “po” në Parlament, në fund mbështeti përgjigjen “jo” dhe Grillo nuk ka qenë kurrë më i fortë se tani. Mision i parealizuar, madje i dështuar, përtej çdo parashikimi.
Por, nuk ishte tërësisht e pamundur të parashikohej. Çdo qeveri që ka shpalosur linjën e saj politike përpara zgjedhësve ka marrë përgjigjen “jo”, në çdo kontekst, nga Londra, në Bogota e në Budapest. Gabimi më i madh i Renzit ka qenë personalizimi i referendumit dhe fakti që reformat i ka quajtur “reformat e Renzit”. Duhet theksuar edhe një herë se referendumi nuk ishte i domosdoshëm sepse Kushtetuta italiane nuk e impononte, por e lejon në rast se mungon mazhorancë prej 2/3 e anëtarëve të Parlamentit, në rast se e kërkojnë 1/5 e anëtarëve ose 500 mijë zgjedhës.
Renzi nuk priti as që të ishin kundërshtarët ata që kërkonin votën plebishitare, por e kërkoi vetë, si për t’i dhënë vetes shansin për të fituar edhe ai një zgjedhje politike. Problemi është se Renzi nuk mbrojti punën e tij nga forcat kundërshtare, por kërkoi mbajtjen e referendumit mbi veten e tij, më shumë se mbi reformat.
Presidenti i këshillit ka vepruar sikur të ishte plotësisht në dijeni të asaj çfarë mendonin italianët. Ai ka mbivlerësuar mbështetjen e popullit për të dhe ka nënvlerësuar pakënaqësinë e tyre. Megjithatë, i duhet njohur deri diku merita pasi është përpjekur t’i rikthejë italianëve besimin tek vendi dhe tek e ardhmja e tyre. Megjithatë për tri vite me radhë ka përsëritur të njëjtin diskutim: Italia që bëhet përsëri Itali, Italia që bëhet më mirë se Gjermania, Italia që bëhet lokomotiva e Europës.
Renzi e ka recituar këtë slogan vazhdimisht, por do të duhet të ishte mbështetur edhe nga një ripërtëritje e fuqishme ekonomike, ripërtëritje që nuk ekziston. Renzi mund të pretendojë se e ka nisur rrugën drejt rritjes ekonomike, se ka gjetur një Itali më minus dhe po e lë në plus. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme, të paktën kjo ide u përçua nga shumica e italianëve që votuam në referendum.
I duhet njohur edhe merita se nuk ka humbur kohë, por e ka pranuar menjëherë humbjen. Fjalimet e pranimit të dështimit në fakt i shkojnë shumë: i kishte ndodhur edhe në dhjetor të vitit 2012 kur Bresani e mundi në zgjedhjet paraprake. Perspektiva e hapit mbrapa taktik është e kapërcyer nga faktet. Më realiste është rruga në mes të shkretëtirës, e cila nuk do të jetë e gjatë pasi legjislaturës së tij i ka mbetur më pak se një vit, por një vit i mbushur me rreziqe.
Renzi mund të përpiqet përsëri të ngrihet në këmbë, por do të duhet të vendosë dyfish bast mbi veten e tij. Së pari, në zgjedhjet e reja paraprake të Partisë Demokratike, të cilat nuk do të jenë aq të thjeshta nga sa mendohej pak më parë dhe më pas në zgjedhjet politike, të cilat nuk do të jenë aq të parashikueshme saç mendonte Renzi. “Dua një sistem të zgjedhur me të cilin natën e zgjedhjeve të kuptohet se kush ka humbur e kush ka fituar”, i pëlqente atij të përsëriste.
Por me sistemin proporcional, pothuajse gjithmonë, fitojnë pothuajse të gjithë dhe nuk humbet asnjë plotësisht. A ka ende forca Renzi të shmangë një rikthim të së shkuarës? Bashkëpunimi me Berlusconin është një kartë rezervë që nuk është luajtur akoma apo përfaqëson një dorëheqje që do të duhet të trajtohet nga dikush tjetër?
Do të ketë ditë në dispozicion për t’i diskutuar të gjitha këto çështje. Kush ëndërron një Renzi të zbutet, të reflektojë dhe të mos përzihet, atëherë nuk e njeh mirë si personazh. Ai mund të ndryshojë strategjinë, por jo natyrën e tij. Renzi mund të ketë edhe një shans tjetër, por një fazë e karrierës së tij është mbyllur përfundimisht dhe është mbyllur me një dështim të jashtëzakonshëm.
Jo vetëm që nuk ka arritur të rrëmbejë votat e Grillos apo të kapitalizojë ato të Berlusconit, por pjesëmarrja e madhe në votime që në teori duhet të forconte qeverinë, duket më shumë si një ndëshkim personal kundër kryeministrit. Një gjë është e sigurt: Grillo ka të drejtë të gëzohet. Edhe Berlusconi mund të ndihet tashmë i vetëkënaqur, por gëzimi i së majtës italiane do të jetë shumë afatshkurtër.
Kundërshtarët e Renzit nuk kanë një lider të vërtetë në krye dhe as një kandidat të gatshëm për ta sfiduar. Ata janë të bashkuar vetëm nga mllefi personal kundër uzurpuesit, nga asgjë tetër. Në fund kanë bërë figurë më të mirë Letta dhe Prodi që janë shprehur për rezultatin “po” pa ndonjë entuziazëm të madh, ndryshe nga Bersani dhe D’Alema që u hodhën në sulm për “jo” dhe për të rrëzuar qeverinë e qendrës së majtë, në një kohë kur era e së djathtës është duke fryrë në të gjithë botën.

Trump, paralajmërim për kompanitë amerikane që duan të largohen nga vendi

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, paralajmëroi ashpër dje bizneset amerikane se nëse zhvendosen në vende të tjera, do të përballen me një taksë prej 35% nëse përpiqen të shesin produktet e tyre në Shtetet e Bashkuara.
Nëpërmjet disa komenteve në Twitter, zoti Trump tha se ai synon të reduktojë ndjeshëm taksat dhe rregullat shtrënguese ndaj bizneseve. Por, ai shtoi se çdo kompani që shkarkon punonjësit e saj, ndërton qendër të re në një vend tjetër dhe pastaj mendon se do të shesë produktet e saj në SHBA pa pasoja, e ka gabim.
Zoti Trump, i cili merr detyrën më datë 20 janar, thotë se vendosja e taksës kufitare për produktet e prodhuara në vende të tjera, do ta bëjë largimin të vështirë financiarisht dhe se tashmë kompanitë janë të paralajmëruara ndaj një gabimi të tillë që do t’u kushtojë.
Shtetet e Bashkuara kanë humbur 5 milionë vende pune manifakture që nga viti 2000, një pjesë për shkak të automatizimit dhe një pjesë prej largimit drejt vendeve të tjera ku pronarët i paguajnë punëtorët shumë herë më pak se sa në SHBA.
Zoti Trump përmend si histori të hershme suksesi ofertën prej 7 milionë dollarë uljesh në taksa për kompaninë e kondicionerëve “Carrier” që ajo të mbajë të 1069-të vendet e punës në shtetin Indiana, për të cilat “Carrier” pati njoftuar se do të zhvendoseshin drejt Meksikës. Por, zoti Trump nuk përmend se sidoqoftë kompania do të zhvendosë 1100 vende të tjera pune drejt Meksikës. Ai përmendi si një sukses rastin e kompanisë “Carrier”, megjithëse në të kaluarën pati denoncuar pakte të tilla të ngjashme me favorizime në taksa. Presidenti i zgjedhur sulmoi në vazhdim kompaninë e kuzhinetave “Rexnord”, për të cilën tha se po shkarkon pa mëshirë të 300 punonjësit dhe po largohet drejt Meksikës.
Kritikët e marrëveshjes me kompaninë “Carrier” thonë se kjo do të shtyjë kompani të tjera të kërkojnë favorizime në taksa për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara.
Por, një nga këshilltarët ekonomikë të zotit Trump, Anthony Scaramucci, u shpreh se, “kompanitë sidoqoftë do të kenë ulje taksash. Ne kemi nivelin më të lartë të taksimit të korporatave në botën e industrializuar; duhet t’i ulim këto taksa në një nivel konkurues… Shpresoj që çdo drejtues biznesi në Amerikë po e merr sinjalin e fanarit të administratës së re Trump”.
Taksa për korporatat në SHBA është zyrtarisht në nivelin 35%, por shumica e kompanive paguajnë shumë më pak, pas zbritjes së shpenzimeve të tyre të biznesit.
Hector Castillo-Olivares, kryebashkiak i qytetit Santa Catarina, në Meksikë, ku planifikohej të zhvendosej kompania “Carrier”, i tha “Zërit të Amerikës” se nuk është i shqetësuar prej ndryshimit në planet e kompanisë.
Ai tha se “nuk na shqetëson, pasi ne vazhdojmë të përmirësojmë kushtet që i bëjnë bizneset të vijnë këtu. Boshllëku i lënë nga një investitor do të mbushet nga një tjetër”.

Rriten tensionet për seancën gjyqësore të Brexit

A mund ta nisë qeveria britanike Brexit-in pa miratimin e Parlamentit? Kjo është pyetja për të cilën do të vendosë gjykata më e lartë e Britanisë. Fillimi i gjykimit katërditor në lidhje me Brexit-in përpara Gjykatës së Lartë i ka ndezur sërish gjakrat në Britaninë e Madhe.
Në fillim të nëntorit një gjykatë në Londër vendosi që qeveria e kryeministres Theresa May nuk ka të drejtë të vendosë pa pëlqimin e Parlamentit për tërheqjen e Britanisë nga BE-ja, tani kjo çështje kalon në raundin e dytë. Qeveria apeloi ndaj vendimit të mësipërm dhe tani për të do të vendosin njëmbëdhjetë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.
“Normalisht gjykata duhet të ketë prova ose dëshmitarë i rinj që të mund të presim një vendim të ndryshëm nga Gjykata e Londrës”, thotë Matthew Cole, profesor i historisë në Universitetin e Birmingham. Në këtë rast, nuk ka të tilla dhe Cole thotë se, “Gjykata thjesht do të shohë nëse provat që janë paraqitur tashmë në gjykimin e mëparshëm, janë interpretuar si duhet”.

A do të zbatohet Brexit-i apo jo?
Në Britaninë e Madhe gjykimi shihet nga shumë si një vendim nëse i ashtuquajturi Brexit do të vazhdojë të zbatohet apo jo. Shumica e deputetëve do të votojë në Parlament për daljen. Por qeveria ka frikë se procesi mund të shtyhet prej propozimeve për ndryshime të mundshme ligjore.
Oliver Patel, punonjës shkencor pranë University Colleges në Londër mendon se Gjykata e Lartë nuk do ta ndryshojë vendimin e Gjykatës së Londrës. Sipas ligjit, i cili ka bërë të mundur referendumin për Brexit-in, vota e këtij referendumi ka vetëm karakter këshillues dhe jo detyrues.
Vendimin për anëtarësimin e Britanisë së Madhe në BE në vitin 1972 e ka marrë ‘Parlamenti, pra për përmbysjen e këtij vendimi dhe daljen nga BE-ja mund të vendosë vetëm një statut ose rezolutë e Parlamentit, sqaron Matthew Cole. Parlamenti mund të vendosë edhe nëse do ta injorojë vendimin e referendumit apo ta shtyjë zbatimin e tij, thotë Matthew Cole.

Mediat: “Gjyqtarët janë armiq të popullit”
Vendimi i Gjykatës së Londrës shkaktoi shumë kritikë në media. Gazeta bulevardeske “The Daily Mail” i quajti gjyqtarët si “Armiq të popullit”. Mendime të ngjashme u botuan edhe në gazetat e tjera tabloide.
Procesi i tanishëm është edhe një provë se sa do të jenë në gjendje gjyqtarët të vendosin në mënyrë të pavarur prej presionin publik, thotë Matthew Cole. “Drejtësia britanike është e njohur se nuk ndikohet prej gjërash të tilla”, thotë ai, por ky rast do të tërheqë me siguri vëmendje mjaft të madhe.
Oliver Patel thotë se, “organet e drejtësisë përbëjnë një shtyllë të fortë të demokracisë britanike dhe se britanikët i respektojnë ato. Do të ishte mjaft alarmuese nëse respekti publik dhe besimi i tyre në një rast të tillë do të përkeqësohej”.
Tani të gjitha sytë janë të drejtuara nga qeveria dhe se si do të reagojë ajo ndaj vendimit që pritet të shpallet në fillim të janarit.

Abe dhe Obama së bashku në Pearl Harbor

Kryeministri japonez, Shinzo Abe ka thënë dje se në Hawai së bashku me presidentin amerikan, Barack Obama, dëshiron të kujtojë viktimat e sulmit japonez në Pearl Harbor, të kryer para 75 vjetësh. Abe udhëton drejt Hawait edhe për të marrë pjesë në një samit që do të mbahet më 26 dhe 27 dhjetor.
Vizita e Abes do të kryhet pasi Obama udhëtoi drejt Hiroshimës në muajin maj, duke u bërë i pari president amerikan në detyrë që e viziton qytetin japonez ku forcat amerikane kanë kryer sulm me bombë bërthamore, në vitin 1945.
Japonia ka sulmuar forcat amerikane në Pearl Harbor në dhjetor të vitit 1941.

Rrëzohet një aeroplan rus mbi Detin Mesdhe

Një aeroplan luftarak rus, Su-33 është rrëzuar derisa ka tentuar të ulët në aeroplanmbajtësen ruse “Admirali Kuznetsov” në Mesdhe, raporton “Reuters”, duke u mbështetur në njoftimet e agjencive ruse të lajmeve.
Rasti ka ndodhur më 5 dhjetor, ndërsa për këtë ka pasur edhe një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.
Piloti ka arritur të dalë nga aeroplani para rrëzimit, thuhet më tej në komunikatën e ministrisë ruse.

Austri, Norbert Hofer pranon humbjen

Kandidati i së djathtës në Austri, Norbert Hofer pranoi humbjen në zgjedhjet presidenciale të së dielës, pak pasi sondazhet treguan se rivali i tij Alexander van der Bellen, shënoi fitore.
Sondazhet që u publikuan nga televizioni publik, “ORF”, treguan se Van der Bellen ka fituar 53.6 për qind të votave.
Menaxheri i fushatës së zotit Hofer, Herbert Kickl, tha se sistemi ja doli mbanë sërish të bllokojë dhe të shmangë rinovimin.
Austriakët iu drejtuan ditën e diel kutive të votimit në përsëritje të procesit zgjedhor të muajit qershor, rezultati i të cilit u anulua për shkak të parregullsive.
Sondazhet fillestare të ditës së djeshme tregonin për një përparësi të ngushtë të pretendentit të së djathtës, Norbert Hofer, i cili si kandidat i Partisë së Lirisë, zoti Hofer pati marrë pozicione të forta antiemigracion, si dhe pati bërë thirrje fillimisht për një dalje të Austrisë nga Bashkimi Evropian, ku u anëtarësua në vitin 1994. Pas vendimit të Britanisë për të dalë nga BE-ja, zoti Hofer e zbuti retorikën e tij kundër bashkimit, gjë që e konfirmoi edhe ditën e diel pasi votoi në qytetin e tij të lindjes, Pinkafeld.
Rivali kryesor i tij, Alexander van der Bellen, i Partisë së Gjelbërt, fitoi ngushtë në zgjedhjet e qershorit, rezultatin e të cilave Gjykata e Lartë austriake vendosi ta anulojë për shkak të parregullsive në procesin e numërimit të votave.
Fushata elektorale në Austri ka qenë e gjatë dhe e ngarkuar me tensione. Shtypi lokal e përshkruan madje si “zgjedhjet e urrejtjes”, për shkak të irritimit në radhët e mbështetësve të djathtë të zotit Hofer dhe të frikës dhe zemërimit të kundërshtarëve të tij të majtë që e kanë quajtur ndonjëherë edhe nazist, për shkak të qëndrimeve të tij antiemigracion.

Gjermani, kundërsulme ndaj sulmeve kibernetike

Ministria e Brendshme gjermane do të ngrejë një njësi të veçantë specialistësh të IT-së që mund t’u përgjigjen me kundërsulme sulmeve kibernetike ndaj Gjermanisë.
Nëse preken elemente shumë të ndjeshme të infrastrukturës, sidomos termocentralet apo sistemi i furnizimit me ujë, është e nevojshme “të paralizohen mjetet e sulmit” dhe të nxirren jashtë përdorimit serverat e kundërshtarëve jashtë vendit, citon gazeta “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” ekspertë që po merren me planet e qeverisë gjermane për të reaguar në raste sulmesh kibernetike. Një potencial i tillë është i nevojshëm nëse një vend nga i cili burojnë sulmet, nuk është i gatshëm për të bashkëpunuar. Ministria e Brendshme gjermane do të ngrejë një njësi të veçantë specialistësh të IT-së që mund t’u përgjigjen me kundërsulme sulmeve të tilla kibernetike ndaj Gjermanisë, shkruan “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”.
Projekti konsiderohet në radhët e koalicionit ende si i diskutueshëm, thuhet në raport. Por Ministria e Brendshme është, sipas gazetës, optimiste se një njësi e tillë mund të ngrihet dhe të nisë nga puna brenda dy deri tre vjetësh.
Javën e kaluar ka pasur një sulm spektakolar në routerin e internetit të Deutsche Telekom. 900,000 konsumatorë qenë të prekur nga ky sulm, i cili mesa duket kishte edhe objektiva të tjera.

Parandalim dhe mbrojtje
Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere prezantoi së fundmi vendimet e kabinetit për një “Strategji kibernetike për Gjermaninë”. Përveç parandalimit fjala është edhe për ekipet për rastet e “krizave dhe të zjarrfikësve” për mbrojtjen gjatë dhe pas sulmeve, shpjegohet politikani i CDU-së.
Qendra e Mbrojtjes Kibernetike, e themeluar në vitin 2011, do të zgjerohet në një qendër të vërtetë dhe efektive koordinuese.
Sistemi i rrjetit elektronik të qeverisë gjermane sulmohet çdo ditë rreth 6.500 herë, pjesërisht me ndihmën e sulmeve të automatizuara, tha kohët e fundit ministrja Federale e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. 20 deri 30 sulme kryhen në “një formë shumë të specializuar që na krijon shumë probleme”, tha ajo. Prandaj Bundeswehr investon tani çdo vit rreth një miliard euro në fushën e sigurisë së IT-së, tha ministrja. Në vitin 2017 do të fillojë nga puna edhe një sektor ushtarak “në fushën e kibernetikës” ku do të punësohen rreth 13,500 ushtarakë dhe punonjës civilë, sepse, siç theksoi ministrja Von der Leyen: “Fushëbeteja e së ardhmes shtrihet në hapësirën kibernetike”.

Evropa e kënaqur për fitoren e Van der Bellen

Shenjë e mirë kundër populizmit në Evropë – lehtësim për fitoren e Van der Bellen në zgjedhjet presidenciale në Austri.
Në zgjedhjet presidenciale në Austri fitues doli ish-kryetari i Partisë së Gjelbër, Alexander van der Bellen. Ai fitoi ndaj kandidatit populist të djathtë, Norber Hofer.
Në reagimet e politikanëve evropianë u ndje lehtësimi për fitoren e Van der Bellen. Tani ka për detyrë “të bashkojë sërish shoqërinë austriake pas kësaj fushate të gjatë dhe të fortë elektorale”, tha sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber në Berlin.

Shenjë e mirë kundër populizmit në Evropë
“Rezulati është një shenjë e mirë kundër populizmit në Evropë”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier (SPD).
Kjo është një ditë e mirë për Austrinë, por përfundimi i zgjedhjeve nuk do të thotë se duhet të ulim shkallën e gatishmërisë, tha për gazetën “Berliner Zeitung” sekretarja e Përgjithshme e Partisë Socialdemokrate, Katarina Barley. “Populistët e djathtë apelojnë në të gjithë Evropën ndaj instinkteve të ulëta dhe shfrytëzojnë madje edhe shqetësimet e njerëzve dhe nxisin frikëra”, tha ajo.
Fitorja e Van der Bellen është “një humbje e rëndë për nacionalizmin, prapambetjen dhe populizmin antievropian”, shkroi në Twitter presidenti i Parlamentin Evropian, Martin Schulz (SPD).
“Në një kohë kur ne gjendemi përpara sfidash të vështira, kontributi i mëtejshëm konstruktiv i Austrisë për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta evropiane mbetet me rëndësi vendimtare”, tha në Bruksel presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk.

Hyka dhe Ajeti, më të mirët e javës

Dy futbollistët shqiptarë Jahmir Hyka dhe Albian Ajeti janë përzgjedhur nga e përditshmja zvicerane “Blick” në formacionin më të mirë të javës së 17 të Super Ligës zvicerane. Të dy realizuan nga një dopietë personale, duke u bërë protagonistë në fitoret e ekipeve të tyre.
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka, realizoi dy herë në fitoren 3-0 të Luzernës në shtëpi ndaj Vaduzit. Ai shënoi golin e dytë dhe të tretë në minutat 51 dhe 58. Në minutën e 65-të u zëvendësua nga trajneri i tij. Me këto dy gola, Hyka arriti kuotën e 5 golave në këtë sezon.
Ndërkohë sulmuesi i St. Gallenit, Albian Ajeti, me dy golat e tij përmbysi shifrat, duke i dhënë fitoren 2-1 në shtëpi ekipit ku aktivizohet ndaj Sionit. Ai shënoi në minutën e 63-të dhe në të 3-ën e shtesës. Falë këtyre dy golave, Ajeti tashmë numëron 5 gola në kampionat në këtë sezon. Ai është aktivizuar deri më tani me ekipet kombëtare të moshave të Zvicrës, ndërsa nuk ka bërë ende një zgjedhje sa i përket ekipit të parë. Albiani është vëllai i mbrojtësit të kombëtares shqiptare dhe Torinos, Arlind Ajeti.

Viti i “rrëzimit” nga ana e popullit

Që nga David Cameron tek François Hollande, nga Matteo Renzi tek Rajoy dhe më tej, tek skandinavët: për shumë udhëheqës europianë, demokratikë tradicionalë të të gjitha ngjyrave, viti 2016 ishte annus horribilis. Ishte viti i rënies, i “rrëzimit” nga ana e popullit, i triumfit të paralajmëruar të sfidantëve të tyre populistë. Dhe 2017 nuk pritet të jetë më mirë. Ja situata, e parë rast pas rasti.

FRANCA
Panorama në Francë shpërfaqet ndoshta më e rrezikshme, po të kesh parasysh që Parisi është anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit dhe zotëron forca të armatosura të fuqishme, mbi të gjitha me treqind bomba atomike. Kriza sociale, rënia industriale, tensionet etnike dhe ekonomike mes lagjeve të varfëra dhe qendrave të shtresave të larta, kanë përkeqësuar mungesën e lidershipit të François Hollande, i cili ishte zgjedhur president i shpresës, pas largimit të Sarkozy-së. Mirëkuptimi me Angela Merkelin nuk e shpëtoi, brenda vetë partisë së tij shpërthyen rivalitetet. Bota ka frikë se një ditë do të ulet në pallatin presidencial, me valixhen e kodeve të treqind bombave atomike me rreze veprimi ndërkombëtare, Marine le Pen, udhëheqësja populiste dhe pjesërisht trashëgimtare kulturore-politike e Petain dhe Laval, domethënë e Vichy-së. Dhe kështu, presidenti i “arrative” me motor Vespa ka hedhur përtokë peshqirin. Partia Socialiste mbetet në kaos, shpresa e demokratëve të terrorizuar nga Fronti Nacional është neogolisti superkonservator François Fillon. Sigurisht, jo një shembull i europeizmit.

MBRETËRIA E BASHKUAR
David Cameron bëri gabimin që vuri bast gjithçka për referendumin duke e lidhur fatin e tij me rezultatet. Ai nënvlerësoi, larg të qenit një ish-student elitist model, gjendjen e vërtetë shpirtërore të popullit: frikën nga emigrantët, varfërinë në periferi. Dhe kështu, kur rivali i tij brenda konservatorëve, Boris Johnson dhe Nigel Farage e të tjerët e UKIP tjerë “kalëruan” tigrin e Brexit, të largimit nga BE për t’u rikthyer sovranë, ata fituan. Dhe Cameronit, me atë fjalim të ndjerë e dinjitoz, mu përpara zyrës kryeministrore, nuk i mbeti vetëm se të paraqesë dorëheqjen. Edhe këtu, karriera politike mori fund.

SPANJË
Mariano Rajoy, udhëheqës i Partisë Popullore (anëtar i Popullorëve Europianë, pra demokristian) duke ndjekur këshillat gjermane të rreptësisë fiskale dhe këshillat e Mario Draghit, kishte nisur ta rimëkëmbte ekonominë spanjolle. Por papunësia mes të rinjve mbeti shumë e lartë, ashtu sikurse barra e rëndë e pasojave të flluskës së pasurive të paluajtshme mbeti shumë e rëndë, për miliona familje. Dhe struktura industriale nuk ishte mjaftueshëm e fortë për të kompensuar. Kështu, në zgjedhjet e parakohshme u sfidua nga populistët e majtë (Podemos) dhe centristët (Ciudadanos). Por asnjëri prej tyre nuk arriti që të bëjë bashkë një shumicë, pavarësisht zgjedhjeve që u përsëritën dy herë, pa arritur ende në një qartësi mbi formulat e qeverisjes. Populistët spanjollë sidoqoftë nuk përdorin tone ekstremiste apo ksenofobe, ndryshe nga të tjerët.

GJERMANI
Angela Merkel ka vendosur të rikandidojë, por rrezikon shumë. Që kur në vitin 2015 (pa u konsultuar me të tjerët në BE) kishte thënë që “do ia dalim”, duke vendosur që të presë miliona imigrantë në të gjithë Kontinentin e Vjetër, ka shkaktuar humore dhe frikëra ksenofobe në shtëpi, ashtu sikurse në Austri dhe Skandinavi, ku imigrantët synonin të shkonin. Me Alternative fuer Deutschland u shfaq për herë të parë një parti nacionaliste dhe antieuropiane, në të djathtë të CDU-CSU. Në radhët e demokristianëve dhe kristian-socialëve bavarezë, fronti kundër kancelares forcohet. Por nuk ka një sfidant. Dhe ajo duket e vendosur të mos lëshojë. Në takimin e fundit me Obamën, presidenti pothuaj i besoi detyrën që të mbrojë vlerat e botës së lirë.

AUSTRI
Fluturim i të djathtës prej frikës nga imigrantët, të ndara dhe mundura në zgjedhje partitë historike që qeverisnin bashkë me kancelarin socialdemokrat Verner Feymann prej dekadash, pra pikërisht socialdemokratët dhe kristian popullorët. Fluturoi edhe Fpoe, e djathta radikale e Heinz Christian Straches, në një vend që ka tregues ekonomikë shumë të mirë të rritjes ekonomike dhe punësimit, si dhe një shtet social bujar. Por në momentet e fundit, Alexander van der Bellen, ish-udhëheqës i të gjelbërve tashmë i pavarur, shpëtoi vlerat historike. Do të shohim si do të shkojë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2018.

HOLANDË
Zgjedhjet janë në prill të vitit tjetër, është i fortë rreziku i një fitoreje të populistëve të Gert Vildersit.

EUROPA QENDRORE E LINDORE
Nacionalkonservatorët populistë dhe euroskeptikë si polaku Jaroslav Kaczynski dhe hungarezi Viktor Orban, dhe këtë herë kanë përfituar nga humori i përgjithshëm për të konsoliduar tendencat e tyre autoritare: mbyllje gazetash, linja edhe më të ashpra ndaj imigrantëve, dhe në Poloni ligje shumë të forta kundër manifestimeve në sheshe dhe kontroll në stilin turk, iranian apo kinez, mbi këdo që përdor internetin. Në Poloni shoqëria civile reziston, por pothuaj kudo në pjesën tjetër mbizotërojnë nacionalizmat ksenofobe dhe “JO”-ja ndaj BE-së, edhe pse kjo ka hedhur në ish-kolonitë e Moskës miliarda euro ndihma.

REPUBLIKA ÇEKE
Në tetor do të votohet në Republikën Çeke. Sondazhet i japin 10 pikë avantazh socialdemokratëve të Andrej Babis, një lloj Berluskoni vendas, i cili udhëheq një parti të themeluar pesë vjet më parë, me emrin superpopulist Aksioni i Qytetarëve të Pakënaqur. Ministër i Financave, sipërmarrës miliarder, ka fituar zgjedhjet rajonale dhe për Senat duke marrë 9 nga 13 rajonet, ndërkohë që demokratët socialë të kryeministrit Sobotka kanë fituar vetëm në dy rajone. “Pas tetë vitesh, njerëzit kërkuan ndryshimin në rajone. Duhet të gjejmë objektiva të rinj për të fituar më shumë mbështetje”, tha Kryeministri.

SKANDINAVIA
Populistët, që nga viti 2015 janë në ngjitje kudo. Në dy vende, pra Norvegji dhe Finlandë partitë ksenofobe janë partnerë të qeverive konservatore, të udhëhequra respektivisht nga Erna Solberg dhe Juha Sipila. Në Danimarkë, populistët antiimigrantë të Dansk Folkeparti  kushtëzojnë nga jashtë në Parlament zgjedhjet e qendrës së djathtë të udhëhequr nga kryeministri Lars Lokke Rasmussen.
Prova e zjarrit do të jenë zgjedhjet parlamentare të 2017: populistët ksenofobë dhe euroskeptikë të udhëhequr nga i riu Jimmie Akesson, SverigeDemokraterna (demokratët e Suedisë) mund të dalin madje parti e parë apo e dytë, të rrëzojnë qeverinë e majtë reformatore të kryeministrit Stefan Loefven dhe të ministres së Jashtme, Margot Vallstroem dhe të krijojnë një aleancë me katër parti të qendrës së djathtë – që tani mbështet qeverinë progresiste. Kjo, pavarësisht rritjes së fortë ekonomike, më e madhja në BE.

“La Repubblica”