28.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Marketi zhgënjen, Strakosha e “kërcënon”

Federicco Marchetti rikthehet në portë, Lazio rikthehet te humbja. Gardiani i skuadrës bardhekaltër që humbi dy ndeshjet e fundit përpara derbit të Romës, u rikthye në katërkëndësh për sfidën më delikate të sezonit, por për fat të keq, ai zhgënjeu duke treguar një nivel mjaft të dobët, çka i lejoi Romës të arrinte një tjetër fitore ndaj rivalëve të të njëjtit qytet. Ish-portieri i Italisë prej kohësh po shfaq një rendiment të dobët, por derbi ishte pika që mbushi gotën për tifozët bardhekaltër. Mediat pranë klubit lacial kritikojnë paraqitjen e Marchettit, i cili mund të bënte më shumë te goli i parë, ndërsa e fajësojnë tërësisht në rastin e golit të dytë të shënuar nga Nainggolan. Në këtë mënyrë, Tomas Strakosha konsiderohet një alternativë më e besueshme për tifozët dhe ndoshta i tillë do të jetë edhe për trajnerin Inzaghi në të ardhmen.
Strakosha është aktivizuar titullar në 5 ndeshje të këtij sezoni, duke përfituar nga dëmtimet e shumta të Marchettit dhe ai ka arritur të bindë plotësisht stafin drejtues, por edhe tifozët. Edhe pse e nisi aventurën në Serinë A me një humbje ndaj Milanit, më pas ai tregoi vlerat e vërteta në 4 ndeshje, ndaj Empolit, Udineses, Genoas dhe Palermos. Tre janë golat e pësuar në total nga gardiani kuqezi, por në asnjë rast ai nuk ka pasur faj, madje me daljet e tij ka arritur të shpëtojë portën bardhekaltër ndaj Empolit dhe Udineses. Statistikat flasin qartë, me Strakoshën, Lazio është më e sigurt në repartin e tërhequr dhe arrin të dominojë kundërshtarët. Sirenat e alarmit për Inzaghin sapo kanë filluar të bien, ndoshta ky është momenti që në katërkëndëshin e Lazios, trajneri italian të mendojë për një rokadë edhe pse momentalisht Marchetti vazhdon të mbetet numri 1.

Morati pa “frena”

Masimo Morati flet pa frena rreth Interit të tij. Në një intervistë për “Quotidiano Sportivo”-n, ish-presidenti zgjon edhe njëherë sukseset e skuadrës nën menaxhimin e tij, duke e nisur padyshim nga tripleta e titujve.
“Zhoze Murinjo diti të ndërtojë një skuadër fantastike, e cila varej nga fjalët e tij dhe që pranonte të bënte çdo sakrificë. Dhe kështu mundi që të fitojë gjithçka, nis deklaratën e tij miliarderi milanez, i cili më pas shpreh të gjithë besimin e tij në lidhje me presidencën aktuale. Dëgjoj vetëm që flitet për pasurinë e grupit ‘Suning’, por unë kam njohur personalisht zotin Zhang Jindong, i cili më foli për programet e tij dhe për të ardhmen e Interit me një njëjtin pasion që kisha edhe unë për sa kohë qëndrova në drejtimin e skuadrës.
Ai nuk është i interesuar me spekulimet financiare, që ta përdorë Interin për reklamimin e markës së tij, por për ta bërë skuadrën tonë edhe më të madhe sesa është sot, ta bëjë një lider edhe në vendlindjen e tij, të ringjallë mitin zikaltër”.
Masimo Morati gjithsesi nuk tërhiqet nga kritikat që meriton skuadra e sotme, pas rezultateve me të cilat jeton sot, ndonëse shpëton nga përgjegjësitë trajnerin Stefano Pioli. “Kur u bë emri i tij, unë mendova se ai ishte personi i duhur për t’i dhënë shkëndijën e duhur skuadrës. Pioli është një interist i apasionuar, por aktualisht nuk është ai fajtori për situatën. Cilët janë fajtorët? Lojtarë me emër kemi mjaft, shumë madje, por asnjëri nuk është deciziv si Mauro Ikardi, i vetmi që bën sakrifica për skuadrën e tij.
Një gjë është të kesh emra të mëdhenj, një gjë tjetër është që të gjithë këta të vendosin të luajnë si skuadër. Si zgjidhet kjo situatë? Nuk e di, jo gjithçka varet nga trajneri. E mbani mend Italo Alodin… Ai ishte një lojtar që nuk linte asgjë t’i shpëtonte. Ai ishte tutori i skuadrës, por edhe i trajnerit. Bluza e Interit i vishte kompetenca dhe pasion dhe këtë duhet të nisin të kenë lojtarët aktualë”.
Ish-padroni zikaltër bën edhe një pasazh të historisë së trajnerëve zikaltër, nga Helenio Herrera që donte me çdo kusht shitjen e Mario Korsos deri te Marçelo Lipi, që nuk pati një raport të mirë me Roberto Baxhon.
“Dhe të mendosh se Baxho bëri dy gola në Verona që na dërguan në Champions, por të dy së bashku nuk e gjetën kurrë gjuhën e përbashkët dhe kështu që u ndamë. Po Maxarri e De Bur? Valter Maxarri më pëlqente, dinte të punonte mjaft mirë, por nuk pati fat. Milano është një qytet i ashpër për trajnerët. Ndërsa Frenk De Bur ishte një ide e re, ndoshta shumë e re dhe moderne për gustot e italianëve”, përfundoi 71-vjeçari.

Mesi, në ndjekje të Kristiano Ronaldos dhe golit numër 100

Barcelona ka siguruar vendin e parë në Grupin C të Ligës së Kampioneve dhe Luis Enrike ka premtuar se do të bëjë rotacion ndaj Borusia Mynshengladbah. Por ai konfirmoi se një lojtar është i paprekshëm mes titullarëve: Lionel Mesi.
Argjentinasi i ka vënë si qëllim vetes që të shënojë sa më shumë në Ligën e Kampioneve, për të vendosur disa rekorde të reja në këtë sezon. Mesi ka realizuar 9 gola në 5 ndeshjet e para në fazën në grupe, por synon që ndaj klubit gjerman nesër të arrijë të shënojë edhe të paktën 2 të tjerë, për të barazuar rekordin e 11 golave në fazën e grupeve që mbahet nga Kristiano Ronaldo.
Portugezi është objektiv i tij edhe në garën për të marrë vendin e parë në renditjen e të gjitha kohëve për golashënuesit e Ligës së Kampioneve. Ronaldo kryeson aktualisht me 95 gola, ndërsa Mesi ka 92. Nuk bëhet fjalë vetëm për faktin se kush do të marrë vendin e parë përkohësisht, sepse të dy janë të ndërgjegjshëm që kryesimi do të ndryshojë herë pas here edhe në edicionet në vazhdim.
I gjithë diskutimi është mbi atë që do shkruajë emrin si i pari që shënon 100 gola në turneun më të rëndësishëm për klube në Europë.

Federata dënon Agueron dhe Fernandinjon

Serxhio Aguero do të mungojë për katër ndeshjet e ardhshme të Mançester Sitit. Dënimi është dhënë nga Federata Angleze e Futbollit pas ndëshkimit të lojtarit me karton të kuq për faullin kundër David Luiz, nga i cili erdhi si pasojë edhe zënka masive me lojtarët e Çelsit. Në atë zënkë u përfshi edhe Fernandinjo, i cili u ndëshkua gjithashtu me karton të kuq, pasi i vuri duart në fyt Fabregasit dhe e shtyu atë mes tifozëve.
Ndërkohë, do të ketë hetim për të dy skuadrat dhe dënime të mundshme për ta, pasi nuk arritën të ndalonin sjelljet e pahijshme të lojtarëve të tyre. Edhe Fabregas mund të përballet me pasoja, sepse pamjet filmike tregojnë se ai goditi Fernandinjon, duke sjellë reagimin e pakontrolluar të brazilianit. Aguero do të mungojë në ndeshjet e Sitit kundër Leister, Uotford, Arsenal dhe Hall, ndërsa Fernandinjo do të jetë i gatshëm për ekipin e tij për këtë ndeshje të fundit.

Atletiko do pikë në Mynih

Atletico Madrid's French forward Antoine Griezmann (C) runs during the UEFA Champions League semifinal first leg football match Club Atletico de Madrid vs Bayern Munich at the Vicente Calderon stadium in Madrid on April 27, 2016. / AFP / GERARD JULIEN (Photo credit should read GERARD JULIEN/AFP/Getty Images)

Bajerni i Mynihut ka humbur shkëlqimin e lojës së tij nën drejtimin e Karlo Ançelotit. Në këtë përfundim ka arritur ylli francez Antuan Grizman gjatë një interviste për “Sky Sport HD”. Finalisti i “Topit të Artë” do zbresë në “Allianz Arena” mbrëmjen e së martës, ku synon të paktën një barazim 1-1 përballë Bajernit në ndeshjen e fundit të fazës në grupe të Champions-it.
Më të fortë me Pepin
Sipas Grizman, Bajerni ka humbur klasin dhe dominancën, ndryshe nga koha e Guardiolës. “Bavarezët nuk janë më aq të fortë sa me Guardiolën. Kjo është e thjeshtë për t’u evidentuar”, nënvizoi 25-vjeçari francez duke nxjerrë në pah armët e forta të lojës së italianit: “Vërtet s’janë më aq të fortë, por janë bërë më të rrezikshëm në një drejtim tjetër. Ndoshta janë bërë më të paparashikueshëm. Ata lëvizin sa nga e djathta në të majtë si dhe nga qendra. Kjo lloj lëvizje i bën ata të vështirë për t’i ndalur mbrojtja”.
Lewa, një monstër
Sulmuesit të Atletikos i pëlqen shumë atmosfera e stadiumit “Allianz-Arena”. Atletiko dhe Bajerni janë kualifikuar në 1/8-at ku spanjollët kanë blinduar vendin e parë dhe bavarezët të dytin. “Stadiumi i Mynihut ofron atmosferë brilante. Bajerni ka lojtarë shumë cilësorë. Lewandowski më pëlqen shumë. Para portës ai është një monstër. Kam simpati edhe për Mylerin. Për të nuk flasin shumë, por Tomasi është superlojtar. Më pëlqen shumë ta shoh. Kam respekt për të”.
Por, ylli i Atletikos vlerëson në veçanti dy lojtarë të tjerë të Bajernit. Ata janë portieri Manuel Nojer dhe mesfushori francez Tiago Alkantara. “Në ndeshjen e parë penalltinë e gjuajta në traversë, pasi Nojer nuk të lë shumë hapësira. Nojeri është shumë i fortë në dyluftime, sepse është i madh në trup. Duhet të kesh pak fat ta ndëshkosh.
Por, te Bajerni adhuroj së tepërmi teknikën dhe trurin e Tiago Alkantarës. Ai është mjeshtër. Bën çudira me topin. Të bën për vete me thjeshtësinë e tij. Të zotërosh topin në atë formë, duhet të kesh teknikë të niveleve të larta si dhe për më tepër truri i tij punon shumë shpejt. Më impresionon”, nënvizoi 25-vjeçari francez.
Barazim 1-1
Atletiko ka siguruar vendin e parë në grup. Nëse fituan 1-0 në Madrid, Grizman do ishte i kënaqur edhe me një barazim të bukur 1-1 në Mynih. “Do bëjmë të pamundurën të marrim të paktën një pikë. Do e pranoja një barazim 1-1 me lojë të bukur”, deklaroi Grizman, duke parashtruar edhe qëllimet këtë sezon: “Fitorja e Champions-it është qëllimi ynë primar. Finalja e humbur kundër Realit më ka dhembur shumë”, përfundoi ai.

Higuain nuk shënon? Do fitojë titullin

Juventusi nuk arrin t’i shmangë kritikat edhe atëherë kur fiton. Edhe pse bardhezinjtë dominuam me një fitore të thellë 3-1 ndaj Atalantës, sërish gjenden mangësi tek skuadra e Alegrit. Ajo që shqetëson më shumë është mungesa e golit për Higuain, që në 8 sfidat e fundit e ka dërguar vetëm një herë topin në rrjetë. Në krah të argjentinasit del trajneri Alegri, për të cilin më e rëndësishme është që skuadra të fitojë.
“Higuain nuk po shënon? Nuk është problem. Ai është mësuar të realizojë në çdo takim, por tek Juventusi e gjejnë golin edhe futbollistët e tjerë. Zhvilloi një ndeshje të mirë dhe ka patur disa raste. Jam i bindur se do të shënojë në ndeshjet në vazhdim. Gonzalo duhet të ruajë qetësinë, pavarësisht se ka realizuar vetëm një gol në 8 ndeshjet e fundit”, u shpreh Alegri.
Por 49-vjeçari nuk ndalet me kaq. Ai ka argumentet e tij për të hedhur poshtë kritikat ndaj “El Pipitas”. “Te Juvja çdo tri ditë e gjejnë një problem. Në fillim thoshin se po luanim keq, ndërsa humbjen me Genoan e konsideruan si një tragjedi. Ne heshtëm, sepse humbëm, ndonëse ishim të parët në klasifikimin e përgjithshëm në kampionat dhe në Champions. Tani na del dhe çështja ‘Higuain’. Në sezonet e fundit ka mundur të shpallet golashënuesi më i mirë, por nuk e ka fituar kampionatin. Pra, më mirë le të mos shënojë si më parë, por ne ta fitojmë sërish titullin. Për paraqitjet e futbollistëve flasim më mirë rezultatet. Gjithsesi kritikat na bëjnë mirë, sepse na nxisin të punojmë më shumë”, tha trajneri i Juventusit.
Në fund trajneri i bardhezinjve vlerësoi edhe paraqitjen e Mandzikuc, që po i intepreton shumë mirë ndeshjet në të dyja fazat e lojës, ndërsa për Ruganin u shpreh se do të jetë një nga pikat më të forta të Juventusit, por edhe të përfaqësueses italiane në të ardhmen.

United s’di të fitojë

Mançester United vazhdon të mos fitojë duke humbur terren dhe me zonën e Europës. “Djajtë e kuq” regjistruan të tretin barazim radhazi duke u ndalur në 1-1 në transfertën e Liverpulit. Një gol i pësuar sërish në fund nuk i dha “Djajve të kuq” mundësinë për të marrë 3 pikë në “Goodison Park”.
Baines ishte ai që realizoi për Evertonin duke i dhënë një pikë të merituar vendasve. Në fakt ekipi i Mourinhos në pjesën e parë, e cila ishte përgjithësisht pa shumë raste arriti të kalojë në epërsi falë Zlatan Ibrahimoviçit, goditja e të cilit goditi shtyllën dhe traversën bashkë përpara se të kalonte vijën e portës.
Rastet e krijuara më pas nga Evertoni në pjesën e dytë u konkretizuan një minutë para fundit, kur Baines u tregua i saktë nga pika e bardhë. Një barazim që pavarësisht se çon në katër serinë e ndeshjeve pa fitore për blutë e Liverpulit gjithsesi shërben për moral pasi arrihet ndaj një skuadre të fortë, ndërsa për United pritet të sjellë një tjetër javë tensioni për Mourinhon.
Mançester United është ndalur në barazimin e tretë radhazi në kampionatin anglez duke humbur hapin e kreut të klasifikimit. “Djajtë e kuq” lanë t’u ikte fitorja nga duart në minutat e fundit të ndeshjes pas një penalltie fatkeqe të Fellainit të sapofutur në lojë.
Në një pjesë të parë ku Mançester United luajti më mirë, skuadra e Mourinhos gjeti avantazhin në fund të 45 minutave me anë të Zlatan Ibrahimoviç, i cili dënoi Stekelenburg për një dalje të pastudiuar. Në fillimin e pjesës së dytë, Herrera goditi edhe traversën, por më pas Mançester u zhduk nga fusha e lojës.
U deshën disa pritje të De Geas për të mbajtur në lojë skuadrën e Mourinhos, derisa në fushë hyri Fellaini. Mesfushorit iu deshën vetëm 2 minuta për të shkruar emrin e tij mes protagonistëve, duke shkaktuar penallti kur regjistrohej minuta e 89-të e takimit. Beins ekzekutoi me qetësi duke çuar në 1-1 rezultatin dhe vulosur fatin e ndeshjes. Me këtë barazim, Mançester United mbetet 9 pikë pas Sitit të vendit të katërt që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.
Edhe Liverpuli hedh një tjetër hap të gabuar në garën për titullin kampion. Në javën e 14-të të Premier Ligës, të kuqtë u mposhtën 4-3 nga Bërnmuthi në një duel triller. Pas golave të shpejtë të Manes dhe Origit (20’, 22’), dukej se gjithçka do të shkonte vaj për ekipin e Jurgen Klopit. Megjithatë vendasit u zgjuan pas pushimit dhe ngushtuan disavantazhin me një penallti të Kallum Uilliamsit (56’).
Në të 64-n Emre Xhan e thelloi përsëri epërsinë e miqve, për të cilët në fakt ndeshja mbaroi në këtë moment. Golat e njëpasnjëshëm nga Frejzër (76’) dhe Kuk (79’) rivendosën baraspeshën, ndërsa Natan Ejk ndëshkoi Liverpulin në minutën e tretë shtesë. Kjo disfatë i zbret të kuqtë në pozitën e tretë me 30 pikë, 4 më pak se Çelsi kryesues dhe -1 nga Arsenali.

Cila do të jetë skuadra antiJuve?

Cila do të jetë skuadra antiJuve? Ekipi i Romës feston fitoren e katër radhazi në derbi kundër Lazios, nga ana tjetër Milani po i kënaqet një bomberi si Lapedula duke hequr qafe dhe pengesën Crotone. Pavarësisht se kuqezinjtë nuk shkëlqyen ata janë aty në vendin e tretë, 32 pikë të grumbulluara aq sa verdhekuqtë e vendit të dytë. Të dy skuadrat kanë 4 pikë distancë nga Juventusi kryesues. Cili do të jetë rivali i vërtetë i bardhezinjve, ndoshta do të mund të kuptohet të hënën e ardhshme, kur Roma dhe Milan do të përballen me njëri-tjetrin në “Olimpico”. Të dy ekipet janë duke kaluar një moment pozitiv.
Futbollistët e Luciano Spalettit arritën të triumfonin në derbi, falë golave të mesfushorëve Kevin Strootman dhe Radja Naingolan. Ata festuan dhe rrjetat e tyre të para në një derbi. Holandezi Strootman, i cili pësoi një dëmtim të rëndë në vitin 2014, duket se e ka lënë pas këtë moment të hidhur dhe tashmë fokusi i tij është kampionati. Këtë fakt ai e shprehu dhe para mediave, duke deklaruar se si fillim duhet të mundim Milanin e më pas të mendojmë për Juventusin. Verdhekuqtë kanë sulmin më të mirë në kampionatin italian, me 35 gola të realizuara. Ndërkohë që nga kampi tjetër, ai i Milanit, do të udhëtojnë në transfertën e “Olimpicos” me një bilanc pozitiv. Në pesë sfidat e fundit “Djalli” ka katër fitore dhe 1 barazim. 32 pikë në 15 javët e para të kampionatit, Milani nuk i arrinte që nga sezoni 2010-2011. Kështu që e hëna e ardhshme po pritet me interes të madh, për të parë se kush do të jetë rivali i Juventusit për këtë sezon.

Derbi është i Romës, fiton dhe Milani

Është i Romës derbi i qytetit të përjetshëm. Verdhekuqtë e Luciano Spalettit ruajtën traditën e viteve të fundit duke triumfuar me shifrat 2-0 ndaj Lazios në një nga sfidat më të ndjera të botës së futbollit. Strotmann dhe Nainggolan përfituan nga dy dhurata të Wallace që u preferua nga Simone Inzaghi përpara De Vrij dhe Marchettit të rikthyer në formacionin titullar për të realizuar dy golat që vendosën sfidën.
Një trepikësh me aromë Championsi për Romën që me fitoren në derbin e kryeqytetit italian barazoi Milanin në kuotën e 32 pikëve dhe e ngushtoi në 4 pikë disavantazhin ndaj Juventusit kryesues. Për Lazion derbi vazhdon të mbetet një tabu edhe pas sfidës së kësaj të diele me skuadrën bardhekaltër që nuk e përjeton shijen e fitores që nga 26 maji i vitit 2013 kur fitonte ndaj Romës në Kupën e Italisë.
Pjesa më e madhe e stadiumit u përkiste tifozëve të Lazios si skuadër pritëse, por në “Olimpico” nuk ishin më shumë se 30 mijë persona mes tyre edhe 9 mijë romanistë, pasi fansat e të dyja skuadrave vazhdojnë të protestojnë për barrierat mbrojtëse duke bojkotuar sërish derbin. Në 4-3-3 e Simone Inzaghit përpara luanin Keita e Anderson në mbështetje të Imobbiles, ndërsa në krahun tjetër pa Salah të dëmtuar i takonte belgut Radja Nainngolan t’u qëndronte pas shpine dy sulmuesve Perotti dhe Dzeko.
Pjesa e parë në fakt nuk prodhoi shumë emocione dhe episodi i vetëm për t’u përmendur ishte ai i minutës së 29-të, kur Biglia pengoi Bruno Peres me gjyqtarin Banti që fillimisht akordoi penallti në favor të Romës dhe pasi u konsultua me asistentët e tij dha vetëm një goditje standarde në limitet e zonës. Për të parë golin e parë në këtë derbi duhej pritur minuta e 64-t, kur Wallace i serviri Strottman-it një asist perfekt, me holandezin që e falënderoi duke ndëshkuar Marchettin. Roma në avantazh, por vetëm disa sekonda më pas në fushë nisi një zënkë masive mes futbollistëve të të dyja skuadrave, me gjyqtarin Banti që për të qetësuar gjakrat ndëshkoi me karton të kuq Cataldin që ishte i ulur në stol dhe me karton të verdhë Kevin Strottman-in.
Gjithçka si rrjedhojë e një zënke mes të dyve me holandezin që në entuziazëm e sipër e provokoi mesfushorin italian duke e lagur me ujë me Cataldin që reagoi keq duke e plasur në tokë, autorin e golit. Për të vulosur fitoren e skuadrës së Luciano Spalletit mendoi Radja Nainggolan që me një tentativë pa shumë pretendime nga distanca përfitoi nga përgjumja e Marchettit duke i çuar shifrat në 0-2.
Me shumë vështirësi Milani në mesditë mposhti 2-1 Crotonen e vendit të fundit duke u ngjitur në kuotën e 32 pikëve. Falcinelli në minutën e 26-të kaloi në epërsi miqtë, por Pasalic barazoi shifrat në pjesën e parë duke realizuar golin e tij të parë me fanellën e skuadrës kuqezi. Niang në të 53-tën humbi një 11-metërsh, ndërkohë që për t’i dhënë 3 pikët Milanit mendoi njeriu i momentit, Gianluca Lapadula që 4 minuta përpara fundit realizoi golin e fitores për skuadrën e Montellës.
Vazhdon të mos fitojë Pescara që me Ledian Memushaj si titullar dhe Rey Manajn që hyri në fushë nga stoli iu fal një goli në fund të Caprarit për të marrë një pikë ndaj Cagliarit që kaloi fillimisht në avantazh me Borrielon.
U rikthye te suksesi Sassuolo që në Reggio Emilia mposhti 3-0 Empolin, me golat e Pellegrinit, Riccit dhe Ragusës. Skuadra toskane në këtë sfidë nuk kishte shërbimet e mbrojtësit shqiptar Frederik Veseli.

Kostot e ndërtimit rriten sërish

Me fillimin e muajit dhjetor duket se ka filluar zyrtarisht edhe sezoni i skive. Ato pak resorte që gjenden në Shqipëri, kryesisht në rajonin e Korçës janë bërë gati të presin pushuesit me ardhjen e borës së parë. E tillë është pista e Bigëllit, në Dardhë apo edhe Voskopoja. Boga, gjithashtu është një destinacion i favorshëm për të bërë ski. Edhe pse mungojnë resortet e mirëfillta të skive, ka përpjekje nga biznese lokale për të ofruar këtë përvojë, e cila tërheq jo pak turistë, veçanërisht kryeqytetasit.
Kosova me qendrën e saj të madhe Brezovica, mund të jetë gjithashtu një mundësi, e cila siguron një përvojë më vete.
Qëndrimet në këto destinacione kushtojnë mesatarisht nga 40–60 euro për person (all inclusive) përfshirë këtu edhe pajisjet për ski, si dhe shoqërimin me instruktor.
Timeout.com ka realizuar një renditje të destinacioneve ekonomike për të bërë ski dhe në të është përfshirë edhe Shqipëria, por duke theksuar se nuk ka resorte të mirëfillta. Më të “mëdhenjtë” për realizimin e këtij sporti mbetet padyshim Zvicra, Austria, Franca, Italia dhe Gjermania.
Ndërsa sipas tourismreview.com ky sezon dimëror pritet të jetë më i shtrenjë në krahasim me një vit më parë. Në Europë mesatarisht një ditë qëndrimi në një resort dimëror skish do të kushtojë rreth 54 euro.
Në Austri, çmimi për një ditë qëndrimi për të rritur do të rritet me 1.14 euro ose rreth 2.72%. Mesatarisht, një austriak do të paguajë 43 euro në ditë.
Në Zvicrës, çmimet do të rriten me rreth 0.65 euro ose me 1.13%, për një total prej 43 eurosh.
Italia, parashikon rritje të çmimeve për qëndrimin një ditor në restortet dimërore me rreth 2.37 euro, për një total prej 43 eurosh. Në SHBA dhe Kanada gjithashtu çmimet do të shënojnë rritje mesatarisht me 6.04% dhe 6.81%. Në SHBA një ditë qëndrimi do të kushtojë mesatarisht 84 euro, ndërsa në Kanada rreth 65 euro.
Por, në krye të klasifikimit si destinacioni më i lirë këtë vit është Republika Çeke, ku një vizitor do të paguajë mesatarisht 27 euro për një ditë qëndrimi.