25.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Rënia e Renzit shpresë për call center-at

Eine Mitarbeiterin des Zentrums fuer Telemedizin Medgate in Basel haelt am 23. August 2010 das Magazin CallCenter in der Hand. (KEYSTONE/Martin Ruetschi)

E gjithë vëmendja e Italisë tani është përqendruar tek ajo që do të ndodhë pas fitores së “JO-së” në referendumin e dorëheqjes së kryeministrit Renzi. “Topi” i ka kaluar presidentit Sergio Mattarella, i cili për herë të parë do të thirret nga Senati për të marrë një vendim që do të jetë padyshim kompleks, që do të sjellë pasoja politike, në mesin e një furtune të vogël financiare, që po godet vendin.
Në këtë gjendje emergjence, duket se ka një “përfitim”. Projektligji për buxhetin 2017, ku përfshihen edhe amendimet për delokalizimin e shërbimit call center, që prek jo pak Shqipërinë, mund të lihet në “hije”.
Shpresa, që për momentin kjo çështje mund të “harrohet” duke qenë se Senati, po jo vetëm, ka gjëra më madhore për të diskutuar, është prezente.
Drejtuesit e shoqërive të call center në Shqipëri, por edhe përfaqësues të shoqatave të biznesit, thonë se situata politike në Itali, do të bëjë që kjo çështje të vonohet disi për t’u votuar. Në faqen zyrtare të Senatit të Italisë thuhet se ditën e martë (6 dhjetor) është përcaktuar që të mblidhet Komisioni i Buxhetit në mbledhje konsultuese për të marrë mendimin e presidentit të Senatit, Pietro Grasso. Por, ky është një nga emrat që përflitet për të marrë detyrën e kryeministrit në qeverinë teknike që do të ngrihet, së bashku me atë të ministrit të Ekonomisë, Pier Carlo Padoan.
Situata politike në Itali, në anën tjetër ka “ngrirë” edhe lobimin nga pala shqiptare, e cila do të duhej të niste një letër në Senat në lidhje me çështjen e delokalizimit të shërbimit call center. Por, tashmë thjesht do të pritet për të kuptuar se çfarë do të ndodhë me qeverinë italiane.
Projektbuxheti 2017, ku bëjnë pjesë edhe amendimet për ligjin e delokalizimit të shërbimit call center ka marrë miratimin në lexim të parë në datë 28 nëntor. Ai parashikon rregulla të forta, përjashtim nga lehtësitë fiskale, kontroll të të dhënave personale për ato shërbime call center që do të zhvendosen nga Italia, për të ardhur kryesisht në vendet jashtë BE-së, siç është Shqipëria.

Loja e qeverisë me rritjen e pagës minimale

Elona BEDALLI

Nën zë, prej kohësh flitej se qeveria ishte duke diskutuar mbi mundësinë e ndryshimit të pagës minimale për efekt të kontributeve shoqërore. Por, tashmë, duket se vendimi është marrë e se nuk do të vonojë edhe zyrtarizimi në institucionet përkatëse, më së pari në Këshillin Kombëtar të Punës e më pas, edhe në qeveri. Paga minimale pritet të shkojë në 25,000 lekë ose rreth 13.6% më shumë se sa niveli aktual, ndërsa efektet do të nisin nga janari i vitit 2017.
Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, paga minimale për efekt të kontributeve shoqërore, u bë 22,000 lekë nga rreth 19,000 lekë që ishte. Në këtë kohë u përcaktua edhe që paga minimale për efekt të sigurimeve shoqërore do të ishte e barabartë me pagën minimale për efekt punësimi të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Kjo u bë edhe për efekt llogaritjesh për ndryshimet që pësoi sistemi i pensioneve.
Por, a duhet të ndërmerret ky ndryshim? Biznesi, ekspertët e sindikalistët ndajnë mendime të ndryshme. Sektori privat do të jetë ai që do ta ndjejë më shumë këtë ndryshim, veçanërisht eksporti dhe prodhimi. Me rritjen e pagës minimale, bizneset do të përballen me kosto më të larta e që mund ta reflektojnë këtë te çmimet. Apo, më keq, siç thonë edhe vetë sipërmarrësit, mund të nxisë, me dëshirë, informalitetin.
Kjo gjë e bën diskutimin specifik. Një pjesë e ekspertëve e marrin në konsideratë këtë fenomen e disa të tjerë jo. Institucionet financiare ndërkombëtare, veçanërisht Banka Botërore, thekson se informaliteti në tregun e punës është sa 48% e tregut në tërësi. Një argumentim, i cili vendoset përballë atij mbi rritjen e pagës minimale.
Rritja e pagave minimale, në terma realë, ka qenë shumë e ulët në periudhën midis viteve 2000-2015, me qëllim për të mos nxitur efekte negative në treguesin e punësimit. Punëdhënësit kanë përdorur mekanizma rregullues në vend të angazhimit për rritjen e kostos së punës. Në anën tjetër, ekspertët thonë se norma e rritjes së pagës minimale nuk ka qenë e njëjtë me atë të normës së rritjes së çmimeve të konsumit. Ky raport në mes të rritjes së pagës minimale dhe ndryshimit të çmimeve të konsumit konfirmon se rritja e pagave nuk ka efekt të drejtpërdrejtë në normën e inflacionit. Gjithsesi, kontributi relativisht i vogël i rritjes reale të pagës minimale të sektorit formal tregon se pagat minimale nuk mund të merren si element i fortë për rritjen e ekonomisë apo të investimeve. Për ekspertin e ekonomisë, z. Selami Xhepa, pagat e ulëta në Shqipëri më shumë se konkurrueshmëri të ekonomisë, reflektojnë dobësi. “Pagat reflektojnë nivelin e produktivitetit të ekonomisë. Pagat e ulëta ishin një faktor konkurrues në fillimet e tranzicionit, atëherë kur vendi dispononte një fuqi punëtore me kualifikime të mjaftueshme dhe të pranueshme për industri të caktuara, që ishin pjesë e trashëgimisë pozitive nga sistemi i mëparshëm. Ndërsa sot, pagat e ulëta nuk mund të konsiderohen më të tilla. Fakti që shumë investitorë të huaj vitet e fundit kanë zgjedhur vendet fqinje dhe jo Shqipërinë, është dëshmi se fuqia jonë punëtore nuk ka kualifikime të mjaftueshme në raport me kërkesat e investitorëve, pra dhe nivel më të ulët produktiviteti. Nga ana tjetër, tërheqja nga Shqipëria vetëm e investimeve të tipit fason dhe call center, do ta mbajë vendin në një gjendje varfërie e pagash të ulëta”, thotë z. Xhepa. Sipas tij, vendi duhet të adoptojë një model ekonomie konkurruese me paga e produktivitet të lartë, kjo do të çonte drejt progresit dhe mirëqenies.

Linjat e qeverisë

Në projektbuxhetin e vitit 2017, qeveria tashmë ka projektuar rritjen e pagave për administratën.
Kreu i Financave, Arben Ahmetaj, e prezantoi përpara përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar këtë rritje, si reformë në administratë për të rritur eficiencën e saj. Nga ana e saj, FMN ka këshilluar qeverinë shqiptare që nëse do të rrisë performancën e administratës, duhet ta bëjë me pagat mesatare dhe jo me rritjen e pagave të vogla. Ahmetaj deklaroi se qeveria kishte vendosur që të rriste me 36% pagën minimale, pra nga 22,000 lekë në 30,000 dhe kjo do të kishte efekte detyruese edhe për sektorin privat. Numri total i përfituesve nga rritja e pagës minimale në administratën buxhetore për vitin 2017 është rreth 6,900 punonjës dhe fondi i nevojshëm nga kjo rritje ishte parashikuar në rreth 1 miliard lekë në vit.
Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, në fund të muajit shtator, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë deklaroi se debati i ndryshimit të pagës minimale për efekt të kontributeve shoqërore kishte ardhur nga vetë komuniteti i biznesit dhe i sindikatave. “Ka një debat për nivelin e rritjes. Por, padyshim, që në paketën dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm do të përpiqemi të kemi një rritje të pagës minimale, por sërish nuk do të arrijë në nivelin e dëshiruar, por të paktën do të jetë një rritje, e cila do të vihet në shërbim të të punësuarve”, pati deklaruar ministri Klosi.
E përtej këtyre deklarimeve, duket se tashmë vendimi, i cili pritet të zyrtarizohet, është marrë dhe rritja e pagës minimale do të jetë me 13.6%, duke u llogaritur në 25,000 lekë.

Biznesi: Për ne do të ishte shkatërrim

Nëse ka një sektor që do ta ndiejë fort ndryshimin e pagës minimale është fasoni.
Florjan Zekja, drejtues i një biznesi fason, thotë se nuk kanë marrë asnjë informacion për këto ndryshime. “Rritja e pagës minimale për sektorin tonë do të ishte shkatërruese. Kostot e punës do të rriteshin ndjeshëm. Kjo do të bënte që porositësit të largoheshin në vende të tjera, si në Maqedoni apo në Tunizi. Një tjetër vend konkurrues është edhe Rumania, që ka një nivel të ulët pagash. Fondi i pagave në industrinë e fasonit llogaritet në rreth 70% të shpenzimeve. Me rritjen e pagës minimale, këto shpenzime do të rriten edhe më tej. Nuk duhet të harrojmë edhe faktin se në Shqipëri është vështirë të gjesh krah pune të kualifikuar për këtë sektor. Vetëm Tirana, sot për sot, ka nevojë për 10,000 forca pune”, thotë z. Zekja.
Gjergj Liqejza, një tjetër drejtues kompanie fasoni në Shkodër, numri i punonjësve të së cilës llogaritet në rreth 700, thotë se biznesi i tij në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk do të preket, pasi siç konfirmon nuk ka asnjë punëtor që e paguan me pagë minimale. Sipas tij, paga është një element, i cili rregullohet nga vetë tregu dhe nuk është e nevojshme që të bëhet me politika diktuese e detyruese. Por, për sektorin e fasonit, një lajm i tillë do të ishte tejet negativ, pasi do të rriste tendencën për abuzime dhe informalitet. Liqejza thotë se në sektorin e fasonit, fondi i pagave zë rreth 60% të kostove dhe se rritja do të cenonte rëndë marzhin e fitimit të kompanive që operojnë. Në anën tjetër, do të nxiste ekonominë informale.
Rëndimi i situatës, shton Liqejza, mund të çojë deri atje sa të bëjë që firmat e huaja që punojnë me fasonin shqiptar të tërhiqen e të gjejnë tregje të tjera si Bullgaria (e cila ende ka pagë më të ulët në rajon) apo Maqedonia, e cila ofron edhe zona të lira ekonomike. “Në këto kushte, mund të themi qartë se po pranohet me dashje nxitja e informalitetit”. Ai thotë se nuk është kundër vendosjes së një kufiri për pagën minimale, por këtë duhet ta bëjë tregu jo qeveria. Në anën tjetër, përcaktimi i tyre pa vendosur zyrtarisht minimumin jetik, është i pastudiuar.
“Nga njëra anë, tatimfitimi 15%, po kaq edhe tatimi mbi dividentin, 9% nga rritja e pagës minimale, të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin koston e punës dhe na bëjnë jo konkurrues”, thotë z. Liqejza.
E duket se në të njëjtën linjë janë eksportuesit, si dhe prodhuesit në vend. ‎Alban Zusi, pronar i kompanisë “INCA Nord Fish”, që vepron në qytetin e Lezhës, shprehet i shqetësuar për këtë vendim që po synon të marrë qeveria, ku pak kohë më parë ishte edhe vetë pjesë.
Rritja e pagës minimale për efekt të kontributeve shoqërore, sipas tij, do ta nxisë biznesin të rrisë informalitetin.
Një tjetër efekt, sipas tij, do të ishte “taksimi i fshehtë”, pasi në fakt do të kishim të bënin me një rritje të taksës së punës. Në këto kushte, sipërmarrësit, thotë z. Zusi, ose do të pranojnë të “skllavërohen” ose do të gjejnë forma të ndryshme reagimi, ku një skenar mund të jetë ai i rritjes së pagës minimale, por punonjësi do të detyrohet që shtesën ta kthejë mbrapsht te pronari.
Zusi thotë se po kaq e vështirë, situata do të bëhej edhe për sektorin e prodhimit vendas, i cili do të gjejë mënyra “për të shkarkuar” këto shpenzime e që ka gjasa të jetë rritja e çmimeve për konsumatorët fundorë. Kjo rritje do të jetë e vështirë që të kontrollohet. “Punonjësit e varfër nuk do të kenë ndonjë përfitim. Rritja e pagës minimale do të bëjë që biznesi ta reflektojë te çmimet dhe kështu do të blihen mallra që kushtojnë më shumë”, thotë z. Zusi.
Sipas tij, prodhimi vendas gjithashtu do të konkurrohet nga importi. Në kushte të tilla, thotë Alban Zusi, nuk mund të përjashtohet edhe ndonjë mbyllje biznesi.
Një tjetër sektor që ai veçon është edhe manifaktura. Sipas tij, kostot e punës llogariten në 50% të shpenzimeve, ndërsa paga minimale do të zërë rreth 20% të 50%. Sipas tij, rritja e pagës minimale do të rrisë koston e punës rreth 10%, në një kohë kur normat neto të fitimit në këtë sektor nuk shkojnë më shumë se 15-20%. Në sektorin e fasonit, thotë z. Zusi, është e pamundur që të rrisësh çmimet, sepse të huajt nuk do të mendoheshin dy herë dhe do të iknin, do të zgjidhnin ato vende, ku krahu i punës do t’ju kushtonte më pak. Në anën tjetër, edhe reduktimi me pothuajse 50% i normës neto të fitimit do të ulte aftësinë investuese. Biznesi nuk do të nxitej që të kryente investime dhe fasoni, në këto kushte, nuk do të bënte asnjë përpjekje për të dalë në prodhim. “Shumë biznese kanë një normë fitimi neto në 10% dhe rritja e pagës minimale do të thotë më shumë vështirësi për ta. Në anën tjetër, kjo rritje mund të shkaktojë efektin e kundërt, atë të reduktimit të vendeve të punës. Pra, rritja e kësaj page (e cila realisht nuk do të jepej nga punëdhënësi) nuk do të ishte një përfitim për punonjësit, por për buxhetin e shtetit, i cili do të vilte më shumë të ardhura nga taksa e punës.
Alban Zusi tregon se, nëse mjedisi i të bërit biznes është pozitiv, nëse biznesit i lihen hapësira për t’u zhvilluar, atëherë ai është i aftë të gjejë vetë mekanizmat për të rritur pagat. Ai thotë se gjatë këtij viti i ka rritur gati tre herë pagat për punonjësit e fabrikës së peshkut në Lezhë. “Nuk ka më punonjës që të vijnë të të trokasin në derë. Asnjë eksportues nuk është më në kushte të tilla. Punonjësit për ne janë investim, pasi ne i trajnojmë dhe ndihmojmë që ata të marrin përvojë. Unë nisa të aplikoj pagesa për punë sipas njësive, duke i motivuar punonjësit që të nxiteshin për të rritur produktivitetin. Kam nisur të zbatoj edhe shtesë në paga 1% për vjetërsi në punë dhe automatikisht një pjesë e punonjësve e përfituan. Janë disa masa që i kam ndërmarrë për të motivuar krahun e punës, me qëllim që ata të mos largohen. Është biznesi ai që i krijon vetë kushtet për t’i rritur pagat punonjësve, e kjo nuk mund të ndodhë me një të rënë të lapsit nga ana e qeverisë. Kjo është një çështje që tregu e rregullon vetë. Në vitin 2008, kur nisa aktivitetin, kisha 5 punëtorë, ndërsa sot kam rreth 100. Në muajin tetor të këtij viti, gjithashtu i rrita pagat në masën 10-12% dhe këtë e bëra sepse mora rezultatet e investimeve që bëra në modernizimin e teknologjisë. Vetëm nga kjo rritje, arrita të marr në punë 13 punëtorë të rinj. Gjithashtu unë iu siguroj punëtorëve të mi edhe transportin, i cili nuk më njihet si kosto në punë. Por, kjo ndihmon që të zhvillohet zona rreth e rrotull fabrikës dhe të dalë nga varfëria”, thotë z. Zusi. Sipas tij, nuk duhet harruar që biznesi bën të mundur kualifikimin e krahut të punës, që sot është një aspekt i rëndësishëm.

Si u përcaktua paga minimale

Një studim i disa viteve më parë i Organizatës Botërore të Punës (ILO) nënvizonte se institucionet e pagës minimale në Europën Juglindore nuk janë zhvilluar në mënyrë të barabartë.
Në vitin 2009, Pakti Global i Punës, miratuar nga Konferenca Ndërkombëtare e Punës, për përgjigje me punë të denjë ndaj krizës, u bëri thirrje qeverive të konsiderojnë mundësi të tilla, si paga minimale, që kontribuojnë në uljen e varfërisë dhe pabarazisë, në rritjen e kërkesës dhe stabilitetit ekonomik). Pakti Global i Punës përmend se Konventa e ILO-s për përcaktimin e pagës minimale e vitit 1970 (Nr. 131) ofronte udhëzime në këtë drejtim.
Në studim thuhet se shumica e vendeve të Europës Juglindore kanë një pagë minimale të përcaktuar me ligj.
Në Shqipëri, paga minimale pas konsultimit në Këshillin Kombëtar të Punës, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave në nivel kombëtar dhe është e detyrueshme si për sektorin privat, ashtu dhe për atë publik.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, paga minimale u përcaktua në vitin 2005 me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, si një përqindje e lartë e pagës mesatare (50%).
Në vitin 1989, pak para ndryshimit të regjimit, Hungaria miratoi me ligj pagën minimale. Nga viti 1992 deri në vitin 2011 (me një ndërprerje katërvjeçare), paga minimale negociohej çdo vit në Këshillin trepalësh të Interesave Kombëtare të Pajtimit dhe ligjërisht, ishte detyruese për gjithë ekonominë. Në korrik të vitit 2006, Hungaria ndërmori një reformë origjinale ku paga minimale diferencohej në bazë të kërkesave të kualifikimit dhe përvojës në punë. Diferencimi, si pasojë e përvojës në punë, u hoq më 1 janar të vitit 2009.
Në Serbi, paga minimale negociohet midis qeverisë dhe organizatave përfaqësuese të punëmarrësve dhe punëdhënësve. Që nga viti 2005, ajo përcaktohet si një shumë neto për orë dhe shprehet dhe në ekuivalentë mujorë dhe vlerë bruto, sipas vendimit të marrë dy herë në vit nga Këshilli Trepalësh Ekonomiko-Social.
Sidoqoftë, nëse nuk arrihet marrëveshje në lidhje me shumën, është qeveria ajo që merr vendimin përfundimtar në lidhje me të. Paga minimale, në përgjithësi, është e ulët, nën 40% të pagës mesatare.
Bullgaria bëri përcaktimin e pagës minimale në vitin 1997. Qëllimi ishte të realizohej lidhja midis pagës reale minimale me zhvillimin ekonomik dhe kështu të arrihej një lidhje më e mirë me produktivitetin, të përmirësohej situata e punëtorëve me të ardhura të ulëta dhe të stimuloheshin nivelet e pagave në vend. Gjatë viteve 2001–2007, rritja prej 80% e pagës nominale, pati rezultat në uljen e varfërisë.
Në Rumani, deri në vitin 2011, paga kombëtare minimale ishte kompetencë e qeverisë pas konsultimit me partnerët socialë. Pritshmëritë ishin që ajo të mbulonte gjithë punëmarrësit, të përbënte një nivel bazë për negociatat mbi pagat dhe të garantonte minimumin jetik.

500 mijë euro për një konsulent hekurudhash?

Në datën 9 dhjetor pritet të përfundojë afati për dorëzimin e ofertave për tenderin e shërbimit të konsulencës për ndërtimin dhe rehabilitimin e seksionit hekurudhor Tiranë–Rinas–Durrës. Kostoja e këtij tenderi, i cili është shpallur rreth një muaj më parë është 500,000 euro.
Konsulenti do të duhet të jetë një firmë ose një konsorcium firmash me përvojë në:
– Zbatimin e projektit të ngjashme në sektorin hekurudhor;
– Projektimin, prokurimin dhe mbikëqyrjen inxhinierike të projekteve në sektorin hekurudhor të financuar nga institucionet ndërkombëtare, të tilla si: BERZH, Banka Botërore, ADB, etj);
– Sigurinë mjedisore, mbikëqyrjen e projekteve në sektorin e ndërtimit të hekurudhave dhe monitorimin e dispozitave mjedisore dhe sociale, planeve të veprimit etj.
Projekti përbëhet nga dy komponentë: rehabilitimi i linjës ekzistuese Tiranë– Durrës, si dhe ndërtimi i linjës së re që do të lidhë kryeqytetin me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit (TIA).
BERZH është financuesja kryesore e këtij projekti, pasi do të lëvrojë një kredi në vlerën 36.87 milionë euro për llogari të kompanisë hekurudha shqiptare. Kjo kredi do të përdoret për rehabilitimin e 34.7 km të linjës hekurudhore Tiranë–Durrës dhe ndërtimin e linjës së re me Rinasin me gjatësi 7.4 km.
Projekti do të bashkëfinancohet përmes granteve që do të jepen nga Western Balkans Investment Framework (WBIF) për ndërtimin, supervizimin dhe zbatimin e projektit.
Kjo hekurudhë është pjesë e asaj që njihet si “Route 2” e rrjetit bazë të ndërlidhjes së Ballkanit Perëndimor. Ajo do të lidhë qytetin e Podgoricës në Mal të Zi dhe Vlorën në Shqipëri, si një zgjatim i Trans-European Transport Networks (TEN-T) drejt Ballkanit Perëndimor.
Axhenda e Ndërlidhjes e BE-së (pjesë e së cilës ky projekt është) promovon krijimin e urave ndërlidhëse me rajonin e Ballkanit si një element kyç për zhvillimin ekonomik, rajonal dhe integrimin.

Vjedhja, OSHEE i mungojnë 11 miliardë lekë

Teksa Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka rritur arkëtimet bruto të energjisë dy vitet e fundit, shihet se arkëtimi i faturave koherente është përkeqësuar ndjeshëm më 2016.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në lidhje me bilancin energjetik janar-gusht shihet se OSHEE ka arkëtuar vetëm 75 për qind të faturave koherente të vitit 2016.
Sipas tabelës që ka publikuar ERE dhe që i referohet të dhënave të OSHEE-së mbi gjendjen debitore mësohet se energjia e faturuar më 2016 kapi vlerën e 41 miliardë lekëve për janar-gusht 2016. Nga kjo shumë shihet të jetë arkëtuar 30.9 miliardë lekë ose 75 për qind e faturimeve.
Ndërsa arkëtimet e konsumit të periudhës ka rënë, OSHEE ka arkëtuar nivele të larta të borxhit të prapambetur deri më 2015.
Siç shihet nga të dhënat për faturat e papaguara 2007-2015 janë arkëtuar gjatë 8-mujorit 2016 8.7 miliardë lekë ose 63 milionë euro. Arkëtimet e mbara të borxheve të prapambetura lidhen me disa kushte që OSHEE ka vënë për arkëtimin e këtij detyrimi. Nëse pagesa e kësteve të borxhit të prapambetur nuk shlyhet në datën e caktuar, atëherë ndërprerja e energjisë bëhet menjëherë, për faturat koherente OSHEE pret deri në tre muaj.
Arkëtimet në total të OSHEE-së në fund të periudhës tetëmujore ishin 39.6 miliardë lekë, nga të cilat 8.7 miliardë lekë ishin detyrimet të prapambetura dhe 30.9 miliardë lekë fatura korrente.
Borxhet totale në OSHEE nga energjia e papaguar arritën në fund të tetëmujorit në 68.3 miliardë lekë ose 465 milionë euro, i krijuar deri më 31 dhjetor 2015.

Schmid-Ramës: Nuk na duhet në BE një baron droge

German Agriculture Minister Christian Schmidt answers reporters questions during a Reuters interview in Berlin, Germany July 4, 2016. REUTERS/Joachim Herrmann

Christian Schmidt është nënkryetari i Unionit Christian Social të Bavarisë CSU deputet në Bundestagun Gjerman dhe njëkohësisht ministri Federal i Bujqësisënë qeverinë Merkel. Përpos kësaj është dhe zëdhënës për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në CSU. Eshtë partia kryesore e koalicionit të CDU-së, e kryesuar nga Kancelarja Angela Merkel, dhe që prej 2013 qeverisin ekonominë më të madhe Evropës. Ndoshta, i gjithë ky shpjegim do ishte i panevojshëm në rast se më datë 17 nëntor të këtij viti, ai nuk do ishte në Tiranë, dhe të kryente një takim me kryeministrin Rama, ku tema e diskutimit në veçanti nuk do ishte vetëm Bujqësia. Christian Schmidt, në një intervistë për Televizionin Gjerman ARD ka deklaruar se ia ka thënë troç dhe qartë Kryeministrit Rama, se vendi që ai drejton është kthyer në eksportuesin më të madh të drogës në Bashkimin Evropian. “Vendet importuese të kanabisit janë ato të Bashkimit Europian; domethënë problemi vjen direkt tek ne. Këtë problem duhet ta luftojmë së bashku. Prodhimi e tregtia e drogës nuk na duhet në BE”. Nga ana tjetër, zoti Schmidt ja ka bërë të qartë se shqetësim mbetet dhe gjendja e korrupsionit në vend “ka dhe gjëra që duhet të sqarohen si gjendja e korupsionit. Ne kemi edhe shqetësimin e përgjithshëm të rreziqeve nga jashtë Europës….”.

Heshtja e Kryeministrisë

Deklarata e Schmidt, ka qenë vetëm një javë përpara se të nisej Rama për në Gjermani me qëllimin për t’i mbushur mendjen Kancelares Merkel, që të hapte negociatat këtë dhjetor. Por në faqen e Kryeministrisë mungon takimi me zotin Schmidt. Ndoshta Endri Fuga, drejtori i mediave të Ramës i importuar nga shoqata “Mjaft”se ka parë të udhës të pasqyrojë qoftë dhe formalisht një takim me të dërguarin e Kancelares në Tiranë, megjithëse ai mban një post jo pak të rëndësishëm në qeverinë e atjeshme. Që nga 15 nëntori, kur është lajmëruar sjellja e 129 makinave japoneze lajmi ka kapërcyer më datë 28 nëntor ditën kur Rama takoi Merkelin. Pra, faqja e Kryeministrisë, që publikon çdo lloj lajmi dhe kur flet broçkulla Niko Peleshi, nuk publikoi lajmin e ardhjes së numrit dy të CSU. Arsyeja ka qenë e qartë! Ramës zoti Schmidt i ka thënë në sy se ska ulje në tavolinë për negociata me një qeveri, e cila është hambar kanabisi për Evropën dhe Gjermania është nga vendet më të prekura. Duket se llomotitjet për asgjësimin e 98 përqind të drogës në vend, ministrit gjerman, por edhe vetë Kancelares së Gjermanisë nga një vesh i kanë hyrë dhe nga një tjetër i kanë dalë. Trau ështëi ulur për Shqipërinë dhe nuk mjafton vettingu ifamshëm qëkështu siçështë qëi hap derën “gjuetisë së shtrigave” dhe futjen e militantëve në drejtësi, pornë radhë të parë duhen parë me prioritet lufta kundër drogës, e cila njëkohësisht është dhe luftë kundër krimit të organizuar, apo dhe e korrupsionit.

Ardhja e Krischbaum

Por me sa duket qeveria dhe Bundestagu Gjerman, e panë se Rama nuk e mori mesazhin e parë. Në fakt në këtë drejtim, kryeministri s’do ta ndajë fantazinë nga realiteti, gjë që e ka dëshmuar shpesh. Përpjekjet për ta kaluar topin në krahun tjetër a medeklaratatë tillasi “Zhbllokimi i vettingut, nga ana e PD-sëçon në hapjen e negociatave” (në fakt vettingun e bllokoi Gjykata Kushtetuese dhe jo Partia Demokratike), do tësillinin nëTiranë më datë 24 nëntor këtë herëdeputetin e CDU-së së Kancelares Merkelnjëkohësisht kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Bundestagun gjerman, Gunther Krischbaum, i cili foli dhe më qartë. Nuk ka hapje negociatash pa luftë kundër drogës, zgjedhje të lira dhe të ndershme, luftë kundër korrupsionit dhe flakjen e kriminelëve jashtë politikës. Krischbaum u shpreh qartë se kishte mandatin e qeverisë edhe të grupit parlamentar që ai përfaqëson. “Unë kam mandatin e grupit parlamentar të CDU-CSU dhe kryetarit të Grupit Parlamentar për të folur këtu. Bundestagu ka të drejtën dhe detyrimin që të shprehë qëndrimin e tij ndaj një vendi kandidat, ndaj pa marrë më parë një votë pozitive të Bundestagut, Kancelarja gjermane nuk mund të shprehet pro çeljes së negociatave të anëtarësimit me një vend kandidat”.

Djegia e të vetmes kartë që Rama donte ta përdorte

Kjo do tëishte një goditje e rëndë politike për spërdredhjet politike të Edi Ramës. Hapja e negociatave do tëishte suksesi i vetëm i tij në tre vjet qeverisje, dhe kish kohë që e shtronte fort si kartën e fundit. Megjithëse ka qenë një takim zyrtar (kryetari iKomisionit të Jashtëm të Bundestagut, nuk mund të vijë personalisht në një takim me Kryeministrin e Shqipërisë) Edi Rama nëpërmjet mediave të tij, u mundua ta pasqyronte si takim personal. Nga faqja e Kryeministrisë sërish heshtje për takimin. E vetmja deklaratë, do tëishte ajo e kryeministrit të nesërmen në faqen e tij në Facebook, ku do të akuzonte kreun e opozitës për dështimin e negociatave. Sipas asaj çka shkruante Rama më 25 nëntor, linte të kuptohej se ishte opozita ajo që kish urdhëruar Kryetarin e Komisionit të Jashtëm tëBundestagut për bllokimin e negociatave, dhe ky i fundit e kish qëndrim personal të tij. Arsyetimi më absurd që mund të vijë nga një Kryeministër. E çfarë inati personal paska Krischbaum me vendin e shqiponjave?! Ose  ku  do e gjente opozita shqiptare tërë atë fuqi satë ndikonte në një vendim kaq të rëndësishëm të Bundestagut? Këtë vetëm mendja e Edi Ramës mund ta sqarojë.Në një kohëqë opozita kishte votuar të gjitha ligjet e integrimit, ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në zgjidhjen e të gjitha problematikave në lidhje me këtëçështje, do tëbinte pre e një sulmi sa absurd dhe tëçmendur! Por me sa shihet, kryeministri e ngatërron me veten, ose mendon se të gjitha veprimet bëhen sipas asaj çka do tëbënte ai. Ndoshta iu kujtua, bllokimi i marrjes së statusit të vendit kandidat në vitin 2011-2012, me pretendimet se i ishin bërë padrejtësi Vangjel Ndrekos për kreun e Këshillit të Qarkut Fier. Një gjest qesharak, qëi kushtoi Shqipërisë statusin të paktën dhe dy vjet të tjera!

“Jo”- ja e Merkel i vuri kapakun shpresave të Ramës

Nën këtë valë refuzimi, dhe mesazhesh refuzimi Rama do tënisej më datë 26 për të takuar Kancelaren Merkel. Kjo pasi kaloi nja dy ditëweekend në Milano. Ndoshta mendoi se prezenca e tij atje, batutat e përhershme për karrierën e tij sportive dhe si piktor në kohën e komunizmit do jepnin rezultat tjetër. E dinte se përgjigja ishte jo e prerë, dhe kjo për faj vetëm qeverisë që ai drejton. Ia kishte thënë më parë dhe Ditmiri iMinistrisë së Jashtme, një fakt që e zbuloi kryetari i PD-së Lulzim Bashanë opinionin e ditës së enjte datë 1 dhjetor. Por sërish mori avionin me delirin se do të kthehej triufmator. Vetëm se u gabua në llogaritë e tij. Takimi me Merkel, nuk mund të ishte një nga takimet e përjavshme që ai bën me Metën në zyrën e Kryesisë. Vendimet e Gjermanisë, nuk janë si votat nëParlament, ku mund t’i blesh dhe t’i shesësh si në pazar. Merkel thjeshtë do i konfirmonte atë mesazh që i kish çuar me emisarët e saj në Tiranë, dhe kjo e tregoi dhe fytyra e vrerosur e kryeministrit në daljen para mediave. Fjala e Kancelares do ishte e shkurtër dhe e thatë “forcim i shtetit ligjor dhe luftë kundër korrupsionit”,  duke ia prerëçdo shteg manipulimi të Ramës,icili u mundua të vërvitej dhe një herë tek vettingui tij. Nuk kishte batuta, nuk kishte sorrollatje. Këtë herë ishte një “nein” (jo)  e prerë. As përçartjet e tij të papërgjegjshme, për influencën ruse në Shqipëri apo ndikim nga ISIS, që mund të ketëShqipëria nga mos hapja e negociatave nuk bënë punë. Në fakt, askush se merr vesh se, përse duhet të ketëndikim Rusia, apo përse duhet të vijë ISIS në vendin tonë. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, dhe kërcënime të tilla janë qesharake. Kryeministrit si mbetej gjë tjetër vetëm se të kthehej me bisht ndër shalë nga Berlini, dhe të mobilizonte dhe një herë detashmentin mediatik për tia faturuar këtë dështim të tij opozitës. Por tam tamet e tij, do binin në vesh të shurdhër. Mesazhi ishte i qartë. Lufto krimin, lufto drogën, lufto korrupsionin, mos u ul në tavolinë me kriminelë, zhvillo zgjedhje të lira e të ndershme. Bëj kryeministrin e jo karagjozin, dhe më pas flasim në vitin 2018.

7 kushtet e vëna nga Gjermania për hapjen e negociatave

Kriteri i parë, ka të bëjë me reformën në administratën publike, e cila duhet të provohet në praktikë për të treguar se sa i qëndrueshëm është zbatimi i ligjeve të miratuara.
Kriteri i dytë, ka të bëjë me reformën në drejtësi, e cila, sikurse thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim forcimin tërësor të nivelit të profesionalizmit dhe integritetit në fushën e drejtësisë.
Kriteri i tretë, thotë se në luftën ndaj korrupsionit nëpërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, e cila duhet të jetë e pavarur nga kontrolli dhe ndikimi i politikës, duhet të jenë shënuar arritje të konsiderueshme.
Kriteri i katërt, për luftën kundër krimit të organizuar është që të rritet ndjeshëm numri i dënimeve me vendime të formës së prerë, të forcohen dukshëm përpjekjet për luftën ndaj krimit të drogës dhe të shënohen suksese të prekshme.
Kriteri i pestë, ka të bëjë me atë që konsiderohet “prioriteti kyç” në fushën e të drejtave të njeriut, masave kundër diskriminimit dhe realizimit të së drejtës së pronës, për të cilin vlerësohet se Shqipëria duhet ende të përmbushë ato pika që përmend raporti i Komisionit Europian i datës 9 nëntor 2016.
Kriteri i gjashtë, është që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në lidhje me reformën zgjedhore të zbatohen deri në zgjedhjet e qershorit 2017, të cilat duhet të përmbushin standardet europiane.
Kriteri i shtatë, ka të bëjë me ligjin për Dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve qendrore e vendore, i cili, siç thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme e të plotë.

Basha:  Rama e dinte që nuk do kishte hapje negociatash

Kryetari i Partisë Demokratike tha ditën e enjte në një intervistë se Edi Rama se negociatat nuk do hapeshin. Sipas tij, burimet që kanë komunikuar me qeverinë, kanë njoftuar edhe opozitën një ditë para ardhjes së Gunther Krichbaum në Shqipëri. “Zotit Bushati i është komunikuar zyrtarisht se nuk do të ketë hapje negociatash me Shqipërinë. Shfrimi i Ramës ndaj Krichbaum tregon një gjë. Ai ka shpresuar deri ditën e fundit për ndryshimin e qëndrimit”, ka arsyetuar Basha fjalimet e Kryeministrit. Basha ka theksuar se nuk është PD-ja kundër hapjes së negociatave, por vendet anëtare të BE-së, po ashtu si shumica e shqiptarëve, e shohin me shqetësim një Shqipëri të mbytur nga droga, një politikë të deportuar nga krimi, korrupsion në nivele të larta dhe të gjitha këto, drejtpërdrejt, kanë shkatërruar standardin europian në jetën e çdo shqiptari. Ndër të tjera, ai, bëri me dije se në këto kushte BE, pavarësisht prej dëshirës tonë që të përdorë hapjen e negociatave si presion shtesë ndaj qeverisë.

Enton DACI

Lideri global i Surrelit i çon Putinit, Mirelën

Kreu i qeverisë ka nisur konktaktet me Moskën. Ministrja e tij e Kulturës, Kumbaro është nisur drejt kryeqytetit rus me një mesazh të posaçëm për presidentin Putin nga lideri global i Surrelit, Rama. Lajmi nuk është dhënë zyrtarisht nga Ministria e Kulturës, por nga ambasada ruse në Tiranë.
“Kemi kënaqësinë t’ju përcjellim informacionin për vizitën e ministres së Kulturës znj. Kumbaro në Forumin Kulturor të Shën Petërburgut;
Më 2 dhjetor, në kuadër të Forumit, ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e cila kryeson delegacionin shqiptar në Shën Petërburg, bashkë me homologun e saj rus, Vladimir Medinski, kanë nënshkruar Programin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet ministrive të kulturës së dy vendeve për periudhën 2017-2019. Gjithashtu, një ditë më parë, në një nga seancat e Forumit, ku morën pjesë përfaqësues të vendeve të ndryshme si Italia, Greqia, Sllovenia, Serbia etj., Ministrja Kumbaro mbajti një fjalim kushtuar çështjeve të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe planeve për të intensifikuar dialogun kulturor Rusi-Shqipëri.
Sipas mediave ruse këtë aktivitet pritet që sot ta vizitojë, edhe presidenti rus Putin. Kumbaro është një nga të paktat pjesëmarrëse në këtë forum në nivelin e ministres, nga vendet europiane që janë anëtare dhe aspirante për BE-në.
Përse opinioni publik duhet ta mësojë këtë vizitë jo të zakonshme, në këtë situatë të krijuar pas deklaratave të Ramës, pikërisht nga ambasada ruse?

Vettingu, kush janë tre muskëtierët e Ramës

Proçesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë, ose i quajtur ndryshe vetting, në mënyrën se si është hartuar nga qeveria rrezikon kapjen e sistemit të drejtësisë nga kryeministri Rama. Ky i fundit kërkon të zgjedhë apo rivlerësojë njerëz në institucione të pavaruara siç janë gjykatat, nga njerëz të emëruar prej tij, gjë që bie ndesh me parimet e Kushtetutës, e cila parashikon një vlerësim nga institucione të pavarura dhe të drejta të barabarta gjithsecilit për barrën e provës. Edi Rama synon ta kalojë këtë proçes nga tre institucione ku në dy prej tyre janë emëruar njerëzit e tij. Bëhet fjalë për institucione të tilla si Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ILDKP, ku drejtor është emëruar Shkëlqim Ganaj, pasi iu hoq e drejta e propozimit të Presidentit në këtë institucion. Kjo drejtori do të bashkëpunojë me Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave, ku drejtor është Alket Hyseni, ish-kryetari i Garancive Statutore në PS, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ku drejtor është Haki Çako. Një institucion tjetër hallkë në kontrollin e figurës së gjyqtarit është dhe DSIK Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ku drejtor është Arben Seferi, dhe ky një tjetër i emëruar i Ramës në krye të këtij dikasteri!

Magjistratura

Pra çfarë ndodh! Proçesi i vettingut do të kalojë nëpër tre faza. I pari, është ai i vlerësimit profesional që do të kalojë nga Shkolla e Magjistraturës. Drejtori i saj është Sokol Sadushi, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Edi Ramën nëpërmjet Fatmir Xhafës. Pra, që në nisje, proçesi është i paragjykuar, pasi vetë ky institucion drejtohet nga një njeri i emëruar dhe propozuar nga vetë Rama në këtë post. Gjyqtarë dhe prokurorë që kanë vite karrierë mund të bëhen subjekt i inateve të kryeministrit, apo interesave të ngushta partiake apo personale që në fillim të proçesit. Sokol Sadushi u emërua në këtë post në vitin 2014, pas një proçedure të dyshimtë shkarkimi të ish-drejtorit Neshat Fana. Vendimin e mori bordi drejtues i shkollës pas ndryshimeve që i bëri në emergjencë Edi Rama menjëherë me të marrë pushtetin. Deri në atë kohë emërimi i Shkollës së Magjistraturës ishte kompetencë e KLD-së, ndërsa me ndryshimet e reja kjo kompetencë i kaloi bordit drejtues të shkollës. Sokol Sadushi do ishte nga emërimet e para që Rama do të bënte në krye të Magjistraturës, një skenar i mirëmenduar për mbushjen e saj më pas me militantë nga forumet e Partisë Sociliste!

Verifikimi pasurisë

Hapi i dytë, është ai i verifikimit të pasurive. Gjyqtari duhet të dorëzojë një deklaratë në ILDKP, dhe më pas kjo e fundit fillon hetimin për pasurinë e gjyqtarit. Në lojë futen dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave si dhe Drejtoria e Policisë. Dhe këtu duket se proçesi është i kompromentuar. Në krye të ILDKP-së i pari është Shkëlqim Ganaj. Në kujtesën e opinionit publik shumëkush mund ta kujtojë se si Rama, rrezikoi ta kthente në skandal përzgjedhjen e tij, pas kompetencave që i hoqi Presidentit të Republikës për shkarkimin e Zana Zhukës dhe emërimin e ish-nëndrejtorit të këtij institucioni Ganaj. Në fakt të drejtën e propozimit të emrave në këtë institucion e ka Presidenti i Republikës dhe votohet nga Parlamenti. Por dhe këtu, Rama si në rastin e Sokol Sadushit në krye të Magjistraturës përdori forcën e kartonit dhe propozimin dhe emërimin e bëri si desh vetë! Ky njeri do të jetë ai që do të marrë në dorëzim deklaratat e pasurive të gjyqtarëve, dhe më pas do ja kalojë Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Këtu çështja do i kalojë Alket Hysenit, njeriut që është marrë me garancitë statutore në PS. Ky individ në këtë pozicion zëvendësoi Gentjan Gazhelin, dhe ky një tjetër i besuar i Ramës dhe financues i PS-së në fushatë, i cili u emërua ambasadori ynë në Turqi.
Alket Hyseni do të mbahet mend se si me urdhër të Ramës, bllokoi garën brenda Partisë Socialiste, duke mos lejuar Ben Blushin të garonte kundër Ramës për postin e kryetarit. Hyseni nga ana e tij do të bashkëpunojë për verifikimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve me Haki Çakon drejtorin e Policisë së Ramës. Për këtë të fundit nuk ka shumë nevojë për koment se njihet për devotshmërinë ndaj kryeministrit dhe urdhrave të tij. Njeriu që në bashkëpunim me Tahirin lejon kamionët e drogës drejt Italisë, lejon kultivimin e hashashit, lejon kriminelët të bredhin rrugëve, lejon Balilin të bredhë i lirë rrugëve të Sarandës, e të tjera si këto, ky do të jetë njeriu tjetër kyç që do të vendosë për fatin e gjyqtarëve. Hallka e fundit është ajo biografisë së gjyqtarit, ose e gjërave që thuhen rreth tij. Këtu futet në lojë një tjetër drejtori, ajo që quhet Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Në krye të kësaj drejtorie është një tjetër personazh besnik dhe i emëruar nga Edi Rama dora vetë. Ai quhet Arben Seferi. Kjo drejtori do të merret më shumë thashethemnajat që qarkullojnë rreth gjyqtarëve dhe do i paraqesë ato para bordit të monitorimit si informacione të klasifikuara. Fjala është e madhe, por në fakt nuk është asgjë tjetër vetëm se mbledhja e thashethemnajave sa andej këtej që fliten për gjyqtarët dhe që kanë të bëjnë me perceptimin që ka në publik x apo y gjyqtar. Eshtë hallkë, e cila mund të raportojë çfarë të dojë dhe çfarë të dojë ta fshehë. Pra dhe këtë proçes do e kryejë një tjetër i besuar i Kryeministrit Edi Rama.

Skenari për të futur në dorë drejtësinë është i mirëmenduar

Duket se skenari për të futur në dorë drejtësinë është i mirëmenduar. Drafti i vettingut një prej më të rëndësishmëve, është përgatitur nga Fatmir Xhafa, ndërsa armata e militantëve përgatitet nga Sokol Sadushi. Janë rreth 850 gjyqtarë e prokurorë që do i nënshtrohen këtij proçesi. Por më e rëndësishmja është se ku do japin llogari të gjitha këto institucione, që siç e pamë më lart, qartazi tregohet se drejtohen nga militantë të thekur. Kushtetuta parashikon, se gjyqtarët duhet të rivlerësohen nëpërmjet një proçesi të pavarur, por a mund të kryhet kjo nga njerëz partiakë dhe të intimiduar. Duke njohur praktikën e Ramës me emërimet, proçesi rrezikon të futet në një udhë pa krye dhe ta fundosë përfundimisht sistemin tonë të drejtësisë. Të katër personat që janë ngarkuar të shqyrtojnë proçedurat janë njerëz që raportojnë sistemakisht tek Edi Rama dhe nuk kryejnë asnjë lëvizje pa miratimin e tij. Duke njohur praktikat e Ramës, nuk është çudi që në fund të këtij proçesi të rrezikojmë që të gjitha vendimet e gjykatave, para se të jepet vendimi përfundimtar të kalojnë në sitën e zyrave apo kryetarëve të Rilindjues në rrethe. Opozita e kundërshtoi me të drejtë kalimin e tij në Kuvend, por kundër tij janë shprehur dhe Unioni i Gjyqtarëve. Çështja tashmë është në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kjo e fundit ja ka kaluar Komisionit të Venecias për mendim. Se çfarë do të bëhet më pas mbetet për t’u parë!

Pse PD kërkoi rrëzimin në Gjykatën Kushtetuese të Vettingut

Ndërhyrja me rol aktiv i institucioneve të treta, të varura apo nën ndikimin e politikës apo pushtetit ekzekutiv, përbën cenim të kompetencës kushtetuese të organeve të rivlerësimit, si dhe rrezik potencial të përfitimit politik nga procesi të mazhorancës aktuale, duke cenuar në këtë mënyrë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ligji ka asgjësuar thelbin dhe frymën e dispozitave kushtetuese, sepse kontrollin dhe hetimin në procesin e rivlerësimit e ka zhvendosur nga organet e krijuara rishtas dhe të konceptuara si organe të pavarura (Komisionerët Publikë, KPK dhe Kolegji i Apelimit), tek organet ekzistuese, jo kushtetuese, të pareformuara dhe të kontrolluara nga qeveria, siç janë ILDKPKI, DSIK, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme.
Organet e reja të vettingut vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e qeverisë, sepse telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të qeverisë, si psh. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Ligji cenon parimin e barazisë përpara ligjit, standardet e procesit të rregullt ligjor, si dhe parimin e llogaridhënies së organeve kushtetuese, si element thelbësor i shtetit të së drejtës. Nga mënyara sesi është konceptuar procesi i vlerësimit, ligji krijon një pseudoproces të rivlerësimit, i cili dhunon haptazi elementët dhe standardet thelbësore kushtetuese. Veçanërisht, procesi dhe standardet e kontrollit të figurës cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ligji dhunon standardin kushtetues për të mos deklaruar fajtor dikë mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, duke lënë hapësirë për subjektivizëm dhe selektivitet në procesin e vettingut.
Ligji dhunon parimin e sigurisë juridike, sepse teksti i normave të tij është i paqartë, konfuz dhe në raste të caktuara edhe kontradiktor. Ligji krijon mundësi që në praktikë të ketë ngërç institucional, zvarritje të procesit, konflikte kompetencash, ndjekje të praktikave jo uniforme dhe pengesa të tjera, që do të minojnë thelbin e procesit të rivlerësimit.

Gentian DACI

Këshilltarët e PD më afër qytetarëve

Këshilltarët e zgjedhur të Partisë Demokratike në Këshillat Bashkiakë angazhohen për një politikë më afër qytetarëve që ata përfaqësojnë. Fondacioni pёr Liri dhe Demokraci në bashkëpunim me Hanns-Seidel-Stiftung zhvilloi disa takime konsultative me mbi 200 këshilltarë të zgjedhur për të ndarë me ekspertët më të mirë të vendit mbi mirëadministrimin e bashkive, rolin e tyre për të rritur ndërgjegjen qytetare, afrimin dhe ngritjen e zërit të qytetarëve. Në takimin e fundit përmbyllës në qytetin e Kavajës, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani kërkoi nga të zgjedhurit demokratë të jenë më afër interesave të qytetarëve dhe të kthehen në zëdhënës së jetës së tyre të përdishme.
“Ne do të vijmë në pushtet vetëm në bazë të parimeve, të njerëzve të punës, të vlerësimit të djersës, të drejtësisë dhe jo mbi hajdutërinë, shpërdorimin e parasë publike, por me parimet që ka ecur çdo komb në botë. Ju si këshilltarë bashkiakë që jeni si deputetët e bashkive dhe qyteteve tuaja, është një detyrë e madhe që ne të ngrejmë frymën e fitores së Partisë Demokratike, dhe kjo bëhet me bazën e besimit. Besimi fitohet, duke u treguar njerëzve shembullin e përgjegjshmërisë, shembullin e punës, shembullin e njerëzve të aftë, të atyre që punojnë dhe interesohen për hallet e vendit. Ne do të vijmë duke i siguruar njerëzit se do të ringrejmë ekonominë shqiptare, që në pushtetin e Partisë Demokratike nuk do të ketë më qytetarë që do të vuajnë për bukë, për drita dhe për ujë, siç po vuajnë sot”, tha Ristani.
Drejtori i Departamentit të Pushtetit Vendor pranë PD-së, Adrian Turku, deputetja Dhurata Çupi dhe ekspertë të tjerë analizuan pushtetin vendor në Shqipëri. Diskutimet me këshilltarët bashkiak evidentuan se reforma e re territoriale nuk arriti të përmbushte shumë prej qëllimeve që ajo synonte të arrinte, ku ndër to ishte dhe efektshmëria e qeverisjes lokale me një numër më të vogël bashkish, më shumë shërbime cilësore dhe më pak shpenzime administrimi.
Për sa i përket fondeve të kushtëzuara nga qeverisja qëndrore, të cilat jepen në formë granti për investime në komunitetet lokale, shpërndarja e tyre është në kundërshtim me metodologjinë e parashikuar dhe në kuadrin ligjor, por mbi të gjitha në mënyrë preferenciale dhe aspak gjithpërfshirëse. Shkodra merr pothuajse 15 herë më pak fonde se Korça për çdo 1.000 votues, Pogradeci merr 12 herë më pak fonde se Divjaka dhe pse ka 30.000 banorë më shumë, 4 herë më pak se Kolonja dhe pse 45.000 banorë më shumë. Shembujt janë me dhjetëra, reforma e pushtetit vendor ishte marrja peng e demokracisë lokale për interesa partiake, korruptive e klienteliste.

Mediat italiane: Shqipëria, Las Vegasi i Call Centerave

Eine Mitarbeiterin des Zentrums fuer Telemedizin Medgate in Basel haelt am 23. August 2010 das Magazin CallCenter in der Hand. (KEYSTONE/Martin Ruetschi)

Prej muajsh, mediat italiane po ziejnë nga lajmet për problemet që po kalojnë kompanitë call center në Itali dhe rrezikun e humbjes së 80 mijë vendeve të punës. Shqipëria fajësohet hapur për këtë situatë, pasi ka ulur ndjeshëm çmimet e shërbimit, duke i bërë kompanitë që kanë aktivitetin në Itali jokonkurruese.
“Për të kuptuar se sa po vuan sektori, mjafton të shohësh se çfarë ndodh në anën tjetër të Adriatikut, ku – në Shqipëri – call center po lulëzojnë, duke ofruar të njëjtat shërbime, me çmime të ulëta. Çmimet kaq të ulëta i kanë bindur tashmë kompani të ndryshme italiane që të prishin kontratat për të emigruar në Shqipëri”, shkruan ‘La Repubblica’ në një artikull të tetorit të këtij viti. Më herët, kjo gazetë kishte publikuar një artikull me titullin “Në call center shqiptare, ku po punësohet gjithnjë e më shumë, ndërsa në Itali ka shkurtime”.
“Mirë se vini në Las Vegasin e call center, thuhet ndër të tjera në artikullin e ‘La Repubblica’.
Rreth njëzet qendra të mëdha e të mesme të thirrjeve telefonike, kryesisht me pronësi italiane, punojnë për porositë e Vodafone Group, Sky, Enel, Fastëeb, ACEA apo ndonjë institucion publik, dhe mbi treqind kompani më të vogla, shpesh mikroskopike, punojnë si nënkontraktorë. Ky është praktikisht biznesi kryesor i ekonomisë shqiptare, me një peshë të madhe në prodhimin e brendshëm bruto, dhe punëson mbi 25 mijë punëtorë të cilët çdo ditë vënë kufje dhe mikrofon për të folur në telefon me Italinë. Një ushtri e djemve dhe vajzave të cilët, me pavetëdije, janë duke luftuar në luftën e call center. Dhe ata janë duke e fituar.
Në artikull merret si shembull Fiber ICT, që ka 6 seli në Tiranë dhe 600 të punësuar. Ajo është në pronësi të një biznesmeni italian, Daniele Volpe, i cili tregon se “dëshira për të ecur para e shqiptarëve është shumë e madhe dhe janë një popull kryesisht i ri dhe me një shkallë shumë të lartë të arsimit”.
Operatorët e Fiber janë pothuajse të gjithë të diplomuar ose studentë, që flasin mesatarisht tri gjuhë dhe fitojnë (me kontrata me afat të caktuar dhe kombinime të 4, 6 dhe 8 orë), nga një minimum prej 250 eurosh në muaj (plus bonus) në një maksimum prej 500 eurosh për profesionistët. Duke pasur parasysh koston e jetesës në Shqipëri (qiraja minimale e një banese, është rreth 70 euro në muaj), me 500 euro ju mund të mendoni edhe për fillimin e një familjeje.
“Por kjo nuk është vetëm çështja e kostove më të ulëta të punës – shpjegon Volpe – këtu ju mund të mbështeteni në një fleksibilitet që në Itali e kemi ëndërr. Shqipëria është një ekonomi në rritje. Për të thënë një element, vendi është tërësisht i mbuluar me fibra optike dhe pas call center janë duke ardhur gjithashtu kompanitë e para shumëkombëshe me investimet e tyre”.
Ikja e vendeve të punës ka bër që qeveria itaiane të bëjë disa amendime në projektligjit kundër delokalizimit të shërbimeve call center, që pritet të diskutohen nga senati në 6 dhjetor.
Giampiero Falasca shkruan se rishikimi i ligjit tenton të forcojë masat ndaj fenomenit ‘dumping’ në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit.
Hartuesit e këtyre amendimeve kanë parashikuar një ndërhyrje të dyfishtë që ka të bëjë si me shërbimin inbound, ashtu edhe outbound, janë forcuar normat që rregullojnë fenomenin e delokalizimit.