25.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Prokuroria zbardh vjedhjen qindra miliona euroshe në TEC-in e Fierit

Prokuroria e Fierit zbardh skemën e abuzimit qindra miliona euroshe të ish-drejtuesve të TEC-it, të arrestuar gjatë ditës së djeshme për favorizime të një firme në ankandet publike. Në pranga kanë përfunduar Në pranga kanë përfunduar Qemal Vrenozi, ish-drejtori i TEC-it të Fierit, Flamur Fejzulla, ish-përgjegjës i TEC-it dhe Artem Rusto, ish-magazinier pranë këtij TEC-i.
Sipas organit të akuzës, shtetasi Artem Rusto deklaron se, gjatë kohës që ai ka qenë në detyrën e magazinierit janë zhvilluar 3 ankande për shitjen e materialeve të ndryshme, ku ankandi i parë është zhvilluar për shitjen e mazutit, për të cilin ai ka mbajtur dokumente të rregullta, ankandi i dytë është zhvilluar për shitjen e aseteve të ndryshme, ku ndër personat që kanë fituar në këtë ankand ka qenë edhe shtetasi Taip Bardhi nga Tirana, i cili ka blerë tubo të llojeve të ndryshme, kushineta, tubo bronzi, tubo bakri, transformator rryme, etj.
Ankandi i tretë është zhvilluar për blerjen e telave të rrymës me vlerë shumë të shtrenjtë, elektromotorë, etj., i cili është fituar nga shtetasi Mehmet Dyrmishaj. Rusto deklaron se shoqëritë që kishin fituar ankandin, paraqiteshin tek ai dhe në bazë të mallrave të përshkruar në kontratë, ai bënte daljen e mallit nga magazina, nëpërmjet faturave që nënshkruheshin nga të dy palët, si dhe priste edhe faturë tatimore shitje me TVSH.
Sipas tij, në periudhën kur është paraqitur shtetasi Taip Bardhi, janë prerë 3 apo 4 fatura tatimore shitje, por në vijim Shefi i Financës shtetasi Petrit Perhati i ka thënë se: “Faturat tatimore i ke prerë gabim dhe prandaj ato do anulohen, por t’i jepi mall Taip Bardhit se në fund do të bëjmë rakordimin dhe do t’i mbledhim në një faturë të vetme me TVSH”, dhe i anuloi faturat tatimore që ishin prerë deri në atë moment.
“Ai deklaron se në vijim, shtetasi Petrit Perhati nuk e ka thirrur më në zyrë për të bërë rakordimet. Ai deklaron se, gjatë kësaj periudhe shtetasi Petrit Perhati i ka kërkuar që shtetasi Taip Bardhi të marrë edhe materiale jashtë kontratës, por ai fillimisht nuk ka pranuar, pastaj me urdhër i ka shitur shtetasit Taip Bardhi disa tubo me vlerë të shtrenjtë dhe për këtë fakt janë mbajtur fletëdaljet, të cilat janë nënshkruar nga ai dhe shtetasi Taip Bardhi”, bën me dije organi i akuzës.
Ish-magazinieri Artem Rusto pretendon se sasia e mallrave të bëra dalje nga magazina për subjektin Taip Bardhi nuk është ajo që pasqyrohet në bllokun e faturave tatimore, por në vlera shumë më të mëdha.
Për të vërtetuar këtë, thotë Prokuroria, ai ka vënë në dispozicion fletëdaljet origjinale të vulosura dhe të nënshkruara nga shtetasi Taip Bardhi. Ai deklaron se në periudhën e ndryshimit të qeverive në vitin 2013, ka shkuar në zyrën e shtetasit Petrit Perhati dhe e ka pyetur se çfarë do të bënin për ato tubat që ka marrë jashtë kontrate shtetasi Taip Bardhi, por shtetasi Petrit Perhati i ka deklaruar se: “Gjej ca tubo andej nga TEC-i dhe futi brenda në magazinë sa për të justifikuar”.
Ai deklaron se fatura me TVSH shoqëronte mallin, por sipas urdhrit të shtetasit Petrit Perhati, i cili i ka deklaruar se do i prisnin në fund, ai nuk i ka prerë këto fatura për subjektin Taip Bardhi.
Ai deklaron se për një periudhë është ndaluar dhënia e materialeve për shtetasin Taip Bardhi, por me një urdhër të likuidatorit të ri Ardian Kokalari, ai ka vijuar të furnizojë përsëri shtetasin Taip Bardhi. Rusto deklaron se në këtë periudhë për evadimin e mallrave nga magazina ai ndihmohej edhe nga shtetasit Qemal Vrenozi dhe Arti Matohiti, si dhe ndihmës magazinieri Kasëm Saliaj.
Me kërkesë të Prokurorisë, Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “TECI”. Në pranga kanë përfunduar Qemal Vrenozi, 41 vjeç, ish-drejtori i TEC-it të Fierit, Flamur Fejzulla, 49 vjeç, ish-përgjegjës i TEC-it dhe Artem Rusto, 43 vjeç, ish- magazinier pranë këtij TEC-i.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur ish-shefi i Financës, 53-vjeçari me iniciale P.P dhe 65-vjeçari me iniciale T.B, administrator në një firme private.
Sipas burimeve zyrtare, këta persona në bashkëpunim me njëri–tjetrin, gjatë periudhës së viteve 2012-2013 kur kanë qenë në detyrë i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 209 milionë lekësh, si rezultat i ankandeve publike të kryera në atë periudhë, ku kanë favorizuar firmën private të administratorit të shpallur në kërkim, T.B. Për të ndaluarit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa për ish-drejtorin Qemal Vrenozi, masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Ekspertiza: Inxhinieri i uzinës në Ballsh është vrarë dhe djegur

Katër ditë pas gjetjes së kufomës së 57-vjeçarit nga Mallakastra në pyll, mjekët ligjorë kanë konfirmuar vrasjen e tij. Dyshimet e para të Policisë së Fierit se 57-vjeçari Shefo Duraj është vrarë rezultuan të vërteta. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur në 14 nëntor, kur Duraj me profesion teknolog në uzinën e Ballshit komunikoi me familjarët në telefon, duke i njoftuar se do të udhëtonte drejt Skraparit me disa shokë, por humbi çdo kontakt, ndërsa trupi i tij u gjet dy javë më vonë. Ekspertiza mjeko logjore saktësoi se viktima është vrarë me mjet prerës. Burime nga grupi hetimor thanë se, autori ka dashur të humbë gjurmët, duke tentuar të djegë kufomën. Po ashtu, burimet thanë se pista e hetimeve është ajo e hakmarrjes për një vrasjeje të përpara viteve ’90, ku ka qenë i përfshirë një i afërm i viktimës.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, teknologu Shefo Duraj, trupi i të cilit u gjet para dy ditësh në një pyll, është vrarë dhe djegur. Burime nga Policia e Fierit thanë se, nga hetimet e bëra në trupin e pajetë të 57-vjeçarit Duraj, janë gjetur plagë thike dhe hekuri, si dhe djegie nëpër trup të shkallës së parë. Pas këtyre detajeve të reja, kjo ngjarje është duke u hetuar si “Vrasje me dashje”.
Trupi i tij u gjet mbrëmjen e së martës në pyllin e fshatit Kalenjë në gjendje të dekompozuar, por paraprakisht ekspertët thanë se viktima nuk ka vdekur për shkaqe natyrale. Pas kryerjes së hetimeve, rezultoi se ai është vrarë me sende të forta dhe më pas është djegur. Ende nuk dihen shkaqet e kësaj vrasjeje makabër, por burimet bëjnë të ditur se po hetohet për vrasje për shkak të detyrës.

Vrasja e 19-vjeçarit në Elbasan, hidhen dyshime për kanabisin

Dalin në dritë detaje të reja për vrasjen e 19-vjeçarit Gazmend Sllami në fshatin Gur i Zi Elbasan. 19-vjeçari Sllami u gjet i vrarë pak ditë më parë në kodrën afër banesës në fshatin Gur i Zi Elbasan. Ai u vra, 2 orë pasi kishte marrë një telefonatë të dyshimitë, ndërsa një ditë pas ngjarjes policia arrestoi Altin Hazizin, 21 vjeç, i cili deklaroi se e vrau nga pakujdesia mikun e tij, teksa kishin dalë për gjah.
Por Prokuroria ka zbuluar se 21-vjeçari fsheh shkakun e vrasjes, ndërsa ka dyshime se vrasja mund të jetë kryer për kanabis. Ndërkohë, dje është arrestuar një 27-vjeçar i cili mësohet të ketë penguar në zbardhjen e së vërtetës të vrasjes. Policia ka sekuestruar edhe armën e gjahut me të cilën është kryer krimi. Policia thotë se, arma u gjet e fshehur në vendin e quajtur “Guri i Keq”. Fshehja e armës së krimit dhe deklarata kontraditore të autorit të vrasjes hedhin dyshime se kemi të bëjmë me një vrasje të qëllimshme dhe jo nga pakujdesia.
Ka dyshime se krimi mund të jetë kryer për drogën, pasi në këtë zonë kanë qenë disa parcela të mbjella me kanabis. Grupi hetimor ka zgjeruar hetimet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë vrasje. Janë bllokuar 5 telefona celularë që u gjetën në vendin e ngjarjes dhe është kërkuar zbardhja e tabulateve prej nga pritet të dalin bisedat e kryera mes viktimës dhe personave të tjerë, pronarë të celularëve.
Burimet policore thonë se, Naim Hazizi, 27 vjeç është nga fshati Guri i Zi dhe u ndalua, “pasi dyshohet të ketë penguar në zbulimin e së vertëtës për vrasjen e ndodhur më datë 26.11.2016 në një kodër në fshatin Guri i Zi”. Ai po hetohet nga Prokuroria për veprën penale “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës”. Ndërkohë, burimet nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, pritet që nga dëshmia e të arresturit të zbulohet shkaku i vrasjes.
I riu i vrarë me plumb në zemër merrej me bujqësi, pasi nuk kishte mundur të vijonte gjimnazin, për shkak të rezultateve të dobëta dhe largësisë së shtëpisë nga shkolla. Edhe pse me arsim 8-vjeçar në fshat e njihnin si një djalë të sjellshëm dhe që nuk konfliktohej me njeri. 19-vjeçari u gjet i vrarë me çifte nga familjarët e tij, rreth orës 16:00 të pasdites së 26 nëntorit, rreth 200 metra larg banesës së tij në një kodër në fshatin Guri i Zi në Elbasan. Kanë qenë të shtënat e një arme gjahu çifte që trembën familjarët e tij. Menjëherë, ata u drejtuan nga ana ku edhe janë dëgjuar të shtënat, dhe më pas në kodrinë kanë gjetur të shtrirë djalin e tyre, të cilin e kishin të dytin në familje.
Të tmerruar nga ajo që kanë parë, familjarët menjëherë kanë tentuar ta lëvizin nga vendi me qëllim që t’i japin ndihmën e parë, duke e çuar atë në spital. Por i riu ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Edhe pse kanë shkuar në spital, mjekët pohojnë se ai ka shkuar i pajetë. “Djali nuk ka thënë në shtëpi se ku po shkonte, por menjëherë pas telefonatës ai doli, dhe ne nuk është se dyshuam se kjo telefonatë ishte e fundit për djalin tonë”, thanë në Polici familjarët e 19-vjeçarit.
Familjarët e Gazmendit tepër të hidhëruar dhe tronditur, kanë pohuar ndër të tjera në Polici, se djali i tyre ishte shembullor, dhe nuk njihej në fshat për ndonjë sherr apo konflikt mes shokëve të tij. Ata kanë pohuar se, Gazmendit i ka rënë telefoni rreth orës 2:00, dhe pas kësaj ai ka dalë pa thënë se ku do të shkonte. Vetëm rreth dy orë pasi ai ka dalë, dëgjuan të shtënat që erdhën nga kodrina, dhe menjëherë shkuan aty. Vrasja është e mbuluar me mister, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e saj.

Vret gruan duke e hedhur nga kati i katërt

“Debatuam me njëri-tjetrin. Në gjaknxehtësi e sipër e shtyva. Ajo ra nga dritarja”. Kështu ka deklaruar për policinë Ferdinand Ruko, i cili vrau bashkëshorten e tij Lilianën, duke e hedhur nga dritarja e banjës së banesës së tyre në katin e katërt. Ruko është marrë në pyetje nga Policia e Fierit dhe ka deklaruar se nuk ka patur qëllim ta vriste, por e kishte bërë në gjaknxehtësi e sipër.
Çifti kishte patur një sherr të fortë pak minuta para ngjarjes dhe burri më pas ka ndërmarrë aktin ekstrem. duke e hedhur gruan nga dritarja. Fillimisht ngjarja u raportua si vetëvrasje, por dëshmitarët dhe fqinjët e familjes Ruko deklaruan se kishte qenë Ferdinandi ai që e kishte shtyrë nga dritarja dhe gruaja kishte qenë lakuriq. Madje 43-vjeçarja ishte përpjekur të mbahej, por ai e kishte shtyrë me këmbë.
Megjithatë burri-vrasës ka thënë krejt të kundërtën në polici se, “nuk kishte asnjë qëllim ta vriste”. Çifti ishte kthyer dy javë më parë nga Gjermania ku kishin kërkuar azil, por nuk e kishin fituar. 43-vjeçarja ishte nënë e dy fëmijëve. Edhe pse në vendngjarje ka shkuar menjëherë ambulanca për t’i dhënë ndihmën e parë 43-vjeçares, ajo sërish nuk ka mundur të mbijetojë.
Sipas fqinjës së çiftit, e cila ishte dëshmitare, Liliana Rukon e ka hedhur i shoqi nga dritarja e banjës. “I shoqi e shtyu me këmbë nga dritarja e banjës, ndërsa ajo tentoi të mbahej. Ne nuk dimë të kenë pasur probleme”, ka thënë ajo. 40-vjeçarja është dërguar menjëherë në spital, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rrugës. Policia ka shoqëruar si të dyshuar bashkëshortin e gruas 40-vjeçare, F.R i cili do të merret në pyetje. Mësohet se çifti sapo ishte kthyer nga Gjermania ku kishin qenë për azil.

6 aksidente vetëm dje në rrugën e “Kombit”, firma e mirëmbajtjes së rrugëve inekzistente

Vetëm ditën e djeshme janë shkaktuar 6 aksidente rrugore në rrugën e “Kombit”, ndërsa firma që merret me mirëmbajtjen e rrugëve nuk kryen asnjë punim, ndonëse merr miliona lekë. Ky skandal është denoncuar nga një qytetar nga Kukësi, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke i dërguar edhe fotot e aksidenteve. “Qytetari dixhital denoncon: 6 aksidente vetëm sot në rrugën e “Kombit”, pasi kompania e mirëmbajtjes thjesht nuk ekziston. Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot që ka dërguar ai!”, shkruan Berisha në Facebook.
“Një mëngjes me 6 aksidente që për fat të mirë nuk pati të lënduar. Kjo ndodh nga mosmirëmbajtja e rrugës së “Kombit” nga firma “AEK Munellla” (Zef Kaza). Kjo firmë nuk bën asnjë punim në këtë rrugë, sa mbizotëron akulli e dëbora në këto ditë dimri. Kaza mbrohet nga kryetari i Bashkisë Mirditë, Ndrec Deda, i cili ka dhënë çdo tender në këtë bashki për riparim rrugësh dhe pastrim, por asnjë punë nuk është kryer, vetëm marrin lekët e popullit, duke e kthyer Bashkinë në një biznes të vërtetë”, shkruan qytetari.

Tjetër aksident i frikshëm në Lungomare

Një aksident i frikshëm ka ndodhur paraditen e djeshme rreth orës 11:20, në rrugën e njohur si Transballkanikja e Vlorës, ku një automjet ka përplasur një qytetar që lëvizte me biçikletë. Sipas policisë, në vendin e quajtur “Ish-Agjensia e Vjetër” pranë një mobilerie, automjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin H.B., ka goditur aksidentalisht një burrë rreth të 60-ve, me iniciale E. R, i cili ka mundur të shpëtojë mrekullisht nga përplasja, siç thotë edhe policia.
Banorët atje ankohen se vendi ku ka ndodhur aksidenti është shumë i rrezikshëm, pasi mungon rotondoja, duke u bërë shpeshherë shkak për aksidente. Ndërkaq, grupi hetimor ndodhet ende në vendngjarje dhe po punon për zbulimin e shkaqeve të aksidentit.

Zhdukjet me forcë, ekspertët e OKB zbarkojnë në Shqipëri

Grupi i Punës i Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Forcë ose Kundër Dëshirës, do të zhvillojë vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri në datat 5-12 dhjetor.
Sipas njoftimit për shtyp nga PNUD, gjatë këtij misioni, ekspertët e OKB-së do të shqyrtojnë masat e miratuara nga shteti shqiptar për parandalimin dhe çrrënjosjen e zhdukjeve me forcë, duke përfshirë çështjet që lidhen me të vërtetën, drejtësinë dhe dëmshpërblimin e viktimave të zhdukjes me forcë.
Ky grup ekspertësh, i cili do të vizitojë Shqipërinë me ftesë të qeverisë shqiptare, do të takohet me zyrtarë të lartë shtetërorë, me të afërm të personave të zhdukur, me përfaqësues të organizatave të Shoqërisë Civile dhe të agjencive përkatëse të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.
Grupi i Punës përfaqësohet nga Krye-Raportuesja e tij aktuale, Houria Es-Slami dhe nga  Henrikas Mickevicius.
Në përfundim të vizitës së tij delegacioni i Grupit do të zhvillojë një konferencë për shtyp. Ndërsa raporti përfundimtar për vizitën në Shqipëri do t’i paraqitet Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB, në shtator 2017.
Grupi i Punës është themeluar në vitin 1980 nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, për të ndihmuar familjet në përcaktimin e fatit dhe të vendndodhjes së të afërmve të tyre të zhdukur. Ai bën çdo përpjekje për të vendosur një urë komunikimi midis familjeve dhe qeverive përkatëse për të garantuar që rastet individuale të hetohen, me synimin për të qartësuar vendndodhjen e personave, të cilët pasi janë zhdukur, përjashtohen nga mbrojtja që ofron ligji.
Grupi i Punës e ndjek trajtimin e çështjeve të personave të zhdukur deri në zgjidhjen e plotë të tyre dhe ofron gjithashtu ndihmën e tij në zbatimin nga shtetet palë të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë.
Grupi i Punës për Zhdukjet me Forcë ose Kundër Dëshirës përbëhet nga pesë ekspertë të pavarur nga të gjitha rajonet e botës. Krye-Raportuese është Houria Es-Slami (Marok) dhe zëvendës i saj është  Bernard Duhaime (Kanada); anëtarë të tjerë janë  Tae-Ung Baik (Republika e Koresë), Ariel Dulitzky (Argjentinë) dhe  Henrikas Mickevicius (Lituani).

Shpërthen bombola e gazit, plagoset çifti

Dy të moshuar, burrë e grua, janë plagosur si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në Durrës. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 19:02 në banesën e të moshuarave, pranë pallatit të sportit “Ramazan Njala”.
Nga shpërthimi është plagosur S.M. 77 vjeç dhe bashkëshortja e tij, S. M. 73 vjeçe, të cilët janë transportuar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë për shkak të djegieve që kanë marrë. Bëhet e ditur se banesa e çiftit është shkatërruar pothuajse plotësisht. Sipas policisë, bombola që shpërtheu shërbente për ngrohje nga dy të moshuarit, ndërsa nisin hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve.

Mësuesit, grevë po nuk marrën rrogën e 13-të

Federata e Sindikatave të Arsimit paralajmëron pezullim të procesit mësimor në ditët e fundit të dhjetorit nëse nuk do të arrihet konsensusi për shpërblimin e fundvitit për mësuesit e sistemit parauniveristar. “Një kërkesë specifike është dhënia e shpërblimit që u paguhet punonjësve të sistemit parauniversitar në fund të vitit. Është tashmë një detyrim ligjor dhe kontraktual, pasi është arritur në mënyrë të njëpasnjëshme pas negociatave dhe kontratave kolektive me ministrinë e Arsimit dhe është sanksionuar dhe në Kodin e Punës”, thotë Arjan Dyrmishi, kreu i Federatës së Sindikatës së Arsimit.
Ai thotë se janë në pritje të përgjigjes nga ministri i Financave dhe ajo e Arsimit, ndërkohë që përgjigja negative do të sjellë reagim sipas hapësirave ligjore. “Organizata të caktuara në qytete të caktuara kanë shprehur qëndrimin e tyre më të avancuar, për të ndërprerë mësimin në shenjë proteste apo qëndrime që janë për të tërhequr vëmendjen po dhe për të rritur presionin”, thotë Dyrmishi.
Sindikalistët nuk janë kundër shpërblimit të mësuesve në bazë të perfomancës, por ata kërkojnë shpërblimin prej 10 mijë lekësh për të gjithë mësuesit.

Elbasan, protestë kundër plehrave

Zhvillohet në Elbasan protesta kundër ndërtimit të fabrikës së djegies të plehrave në këtë qytet. Protestuesit u grumbulluan para sheshit në mes Prefekturës dhe Bashkisë Elbasan. Ata mbanin në duar pankarta ku kërkonin kundërshtimin e inceneratorit (furra djegëse e mbetjeve). Në mbështetje të prostestës ishin ambientalistë dhe përfaqësues të PD-së së Elbasanit. Të rinjtë dhe qytetarët e tjerë në protestë kërkuan që qeveria dhe institucionet përkatëse të ndalojnë menjëherë ndërtimin e kësaj fabrike të rrezikshme për shëndetin e banorëve. Më pas qytetarët i vendosën pankartat para dyerve të Bashkisë Elbasan.

Merret peng një person në Tiranë

Një person u mor peng dhe u dhunua për 24 orë në zonën e ‘Uzinës së Autotraktorëve’ në Tiranë. Sipas policisë së kryeqytetit, ditën e premte forcat e policisë u njoftuan nga një qytetare me iniciale M.F, e cila deklaroi se bashkëshorti i saj me iniciale G.F ishte marrë peng nga Besnik Sylaj. Sipas informacioneve, qytetari me iniciale G.F po mbahej peng në banesë dhe po keqtrajtohej. Policia ndërhyri në apartament, por nuk gjeti asnjë person. Nga ekzaminimet u zbuluan disa njolla gjaku që dyshohet se mund të ishin të personit që ishte marrë peng.
Pas hetimeve të policisë, pengu me inicialet G.F u gjet mëngjesin e djeshëm rreth orës 07:00 në ambientet e ish-Uzinës së Autotraktorëve dhe me dëmtime në pjesën e fytyrës dhe brinjëve. Në flagrancë u arrestua edhe pengmarrësi Besnik Sylja 34 vjeç. Ai ka qenë më parë i dënuar për shfrytëzim prostitucioni. Ndërkohë, personi që u mor peng u dërgua në spital jashtë rrezikut për jetën. Shkaqet e pengmarrjes nuk dihen, ndërsa paraprakisht dyshohet se mund të ketë ndodhur për ndonjë borxh të pashlyer.

KLSH i kërkon Veliajt të anulojë rritjen e çmimit të biletave të urbanit

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës të anulojë rritjen e çmimit për transportin publik në kryeqytet, rritje që u krye nga Këshilli Bashkiak në fund të vitit 2015 vetëm me votat të të majtëve. Sipas raportit të KLSH, Bashkia Tiranë nuk ka pasur asnjë studim ekonomik dhe asnjë formulë mbi të cilën është rritur çmimi.
“Indeksimi i çmimit të biletës së udhëtimit nga 30 lekë në 40 lekë nuk ka patur një studim ekonomik nga ana e Bashkisë Tiranë dhe nuk ka pasur një formulë, mbi të cilën është rritur çmimi”, shkruhet në raportin e KLSH.
Sipas audituesit të KLSH-së, Bashkia e Tiranës nuk garanton në nivel të kënaqshëm një shërbim të pranueshëm të transportit publik qytetas. “Kuadri rregullator shfaq mangësi. Mungojnë akte, të cilat duhet të ishin pjesë e kuadrit rregullativ për të siguruar një shërbim cilësor të transportit urban qytetës. Mungesa e disa prej tyre, të cilat janë mjaft të rëndësishme në vendosjen e standardeve të cilësisë dhe monitorimin e shërbimit të ofruar nga operatorët, i jep përmasa afatshkurtra marrëdhënies mes operatorëve privatë dhe bashkisë.
Në kushte të tilla është e vështirë të ndërtohen strategji për ofrimin e shërbimit të duhur të transportit publik qytetës. Ekzistojnë dallime mes objektivave strategjike dhe strategjive të vendosura në këtë fushë. Gjithashtu, ka mungesa në plane taktike dhe operacionale, në përmbushje të këtyre objektivave strategjikë të miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe veprimet e ndërmarra nga drejtimi janë afatshkurtra, jokoherente dhe jo të bazuara në strategji afatgjata. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e parregulluara formalisht midis strukturave brenda dhe në varësi të bashkisë ulin ndjeshëm efektivitetin e komunikimit dhe rrjedhimisht nuk garantojnë një proces efektiv në menaxhimin dhe monitorimin e këtij shërbimi”, thuhet në raport.
Deri në nxjerrjen e një analize të plotë e të saktë bazuar në kushtet e lartpërmendura, KLSH rekomandon Bashkinë e Tiranës të anulojë rritjen e çmimit të biletës së transportit urban qytetës.
Pas kërkesës së KLSH ka reaguar edhe kreu i këshilltarëve të djathtë Leonard Olli. “Për fat te keq, çdo gjë që kemi thënë publikisht në mbledhjet e Keshillit Bashkiak për vendime antiligjore dhe në kundërshitm me interesat e qytetarëve nga Veliaj, dhe në veçanti për ngritjen e padrejtë të çmimit të biletës të transportit publik, tashmë po vërtetohet edhe nga organet kompetente. Afera 6 milionë dollarëshe që ngriti me 33% çmimin e biletës, me një të rënë të lapsit, duke gëdhirë 31 dhjetor 2015, ishte një vjedhje e pastër. Tashmë ky skandal vërtetohet edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Për më tepër, tashmë i kapur nga klienët e vet, Veliaj ka hequr dorë nga kërkesa e llogarisë për standardet e transportit publik. Sot, qytetarët paguajnë më shumë dhe kanë një shërbim mjeran, në cilësi, në kohë shërbimi dhe kohëzgjatje udhëtimi. Koha që banorët e Tiranës të kërkojnë kthimin e lekëve të grabitura padrejtësisht nga Veliaj&Co!”, shprehet Olli