23.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Sot derbi i Romës!

Duel në fushë dhe në media, derbi i qytetit të përjetshëm ka nisur në fjalët e drejtuesve të dy pankinave. Simone Inzaghi që deri në këtë pikë të sezonit po rezulton surpriza e vërtetë e bardhekaltërve analizon me qetësi sfidën e së dielës, duke kërkuar përqendrim nga lojtarët e tij.
“Është një ndeshje shumë e veçantë, si lojtar kam luajtur shumë, por ne e kemi përgatitur si gjithë ndeshjet e tjera edhe pse sfidojmë një skuadër të fortë. Roma ka vetëm një pikë më shumë se ne dhe po bën një rrugëtim pozitiv. Unë jam përpjekur të krijoj një grup të bashkuar, ku të gjithë ta ndiejnë veten të përfshirë. Mungesa e Salah? Nuk dua të fshihem dhe e pranoj se për ne është një avantazh, por ai që do të luajë në vendin e tij do të japë maksimumin. Ne kemi respekt për Romën, pasi kanë një skuadër cilësore dhe një trajner të aftë. Kjo ndeshje nuk do të influencojë në vazhdimësinë e sezonit. Ajo që u kërkoj djemve të mi është një ndeshje perfekte në çdo aspekt”, u shpreh Inzagi.
Nuk mungojnë elozhet për kundërshtarin edhe në krahun tjetër të qytetit. Luciano Spalletti ka vetëm fjalë mjalti për Inzaghin, por ai e vë theksin te rëndësia që ka kjo ndeshje. “Inzaghi është treguar shumë i zoti me djemtë e tij, duke na dhuruar një derbi për vendet e para. Dy skuadrat po bëjnë një kampionat shumë të mirë, prandaj ky derbi është disi i tensionuar. Mungesa e Salah nuk do të ndikojë, sepse ne kemi edhe lojtarë të tjerë si Totti e Iturbe që mund të bëjnë diferencën. Derbi është një ndeshje e veçantë, por mund të fitohet si një ndeshje normale. Sipas meje, lojtarët e Romës i kanë të gjitha cilësitë për ta fituar këtë ndeshje. Duhet të jemi vetvetja dhe të lexojmë mirë momentet kyçe. Kundërshtarët e dinë mirë si të vendosen në fushën e lojës, por ne duhet të zgjedhim momentin për të bërë diferencën”, tha Spaleti.

Si nisi historia e manipulimit të votave në 1945

Nga Luljeta PROGNI

Vjedhja e votave, modeli komunist si mallkim që e përndjek Shqipërinë deri në ditët e sotme. Bajram Isufi, Xhafer Muja, Ramadan Halilaj në Kukës dhe Kleanth Mineu, Sul Ferçani, Maliq Eleni Balo Veliu në Kavajë, personat që morën “kokrrat” dhe i hodhën në kutinë e Frontit.
71 vite më parë, më datë 2 dhjetor 1945, Shqipëria e dominuar nga komunistët, hyri në zgjedhjet e para për të përcaktuar sistemin politik që do të qeveriste vendin. Është pikërisht kjo ditë, nga ku e ka origjinën edhe manipulimi i zgjedhjeve, një mallkim që e ndjek Shqipërinë edhe sot. Diktatori Enver Hoxha, u kujdes që menjëherë pas luftës të krijonte mekanizmat e duhur për të ushtruar presion në popull që të mos lejohej vota për asnjë parti apo individ, që mendonte ndryshe nga komunistët. Nën ndikimin e fuqive aleate, u vendos të bëheshin zgjedhjet, për të cilat Enver Hoxha dhe komunistët e tjerë i premtuan SHBA-së dhe Britanisë se do të ishin “pluraliste, të lira e të kontrolluara dhe nga bota”. Ishin zgjedhjet e para që zhvilloheshin në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore.

Votimi me kokrra

Votimet, u vendos të bëheshin të fshehta. Ndërsa votat, që ishin kokrra me ngjyra të veçanta, hidheshin në dy kuti të ndryshme. Njëra kuti ishte e komunistëve, ndërsa kutia tjetër ishte e opozitarëve ose siç quhej ndryshe, kutia pa kandidat. Sipas dëshmive, dokumenteve të kohës dhe materialeve të botuara në shtypin e huaj të asaj kohe, me kutitë u bë loja e komunistëve me votat dhe me presionin psikologjik ndaj votuesve, të deklaruar e të cilësuar “kundërshtarë të regjimit komunist”. Kutia ku do të hidheshin votat (kokrrat) e opozitës, ishte bërë e tillë nga komunistët, që në fund të saj, kishte një shtresë prej metali, në të cilin pasi të binin “votat” prej kokrrash, të shkaktonin tingull. Ky tingull, sipas “provave” të bëra, dëgjohej nga anëtarët e komisionit dhe kështu, ata kishin mundësinë e plotë, për të zbuluar, se cilët votonin kundër komunistëve dhe cilët pro tyre, duke evidentuar me emra kundërshtarët politikë të Partisë Komuniste dhe të pushtetit të Enver Hoxhës. Kjo lojë e bënte pa vlerë deklarimin e komunistëve, për “votime të lira e të fshehta”.

Manipulimi

Megjithëse kishin të gjithë situatën në dorë, përmes presionit për të mos e lejuar popullsinë të votojë për kandidatët jokomunistë të opozitës, e cila ishte jo shumë e organizuar, komunistët patën nevojë të manipulojnë zgjedhjet. 27.al, sjell dy dokumente zyrtare, të cilat vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve në dy qendra votimi, në një fshat në Kukës dhe në një tjetër në Kavajë. Në dokumente identifikohen emrat që ishin ngarkuar të hiqnin kokrra nga kutia pa kandidat, dhe t’i hidhnin tek kutia e Frontit Demokratik, pra atë të PKSH-së së Enver Hoxhës. Shihni më poshte detajet e këtyre dy letrave dhe përpjekjet e komunistëve për të mbajtur të fshehur manipulimin.

Koçi Koke

Jemi informuar se në katundin Loine të Lurës, Këshilli Mbikëqyrës ka marrë 53 vota nga kutia pa kandidat dhe i ka hedhur në të Frontit Demokratik, tue pasë dijeni vetëm tre persona të këshillit në fjalë. Elementi që ka dhënë këtë informatë është një nga tre anëtarët e këtij këshilli, Bajram Isufi, sekretari i tretë i nënprefektuarës së Bicajt. Ky i ka deklaruar sekretarit të pushtetit Bicaj, se i ka bindë dy shokët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës për ta bërë këtë. Shokëve të tij të Këshillit Mbikëqyrës u ka thënë kështu: se ju nuk keni punue mirë në popull dhe nuk i kini skjarue se cila është kutia e frontit dhe prandaj do të jeni përgjegjës e në sy të keq. Ata janë përgjegjur: rregulloje si të mundesh se ne nuk kemi dashur të votohet kundër Frontit. Së fundi, kanë rënë dakord dhe kanë kalue 53 vota nga kutia pa kandidat në atë të frontit. Me sa deklaron Bajram Isufi, kjo çështje është e kufizueme në mes të këtyre personave të Këshillit Mbikëqyrës. Proceset dhe dokumentet e tjera ligjore në lidhje me votimet e atij katundi, kanë ardhur në komisionin e qarkut në rregull dhe nuk lënë asnjë dyshim ligjor. Tash po u përshkruajmë  shkurtazi biografinë e Barjam Isufit: Element aventurier, i lëkundshëm, frikacak, don të duket. Element i palidhur me Frontin, por as që e don reaksionin.  Indiferent. Me sa kuptojmë ne këtë punë, e grupi-i-deputetëve ka bërë gjoja për të fituar kredi kundrejt Frontit. Anëtari tjetër Xhafer Muja Afëzi, 19 vjeç mësues filloreje në katundin Lojë, element i padjallzuar. Ungji është Din Muja katundar i mesëm, i squet dhe ka kaluar një jetë politike aventurierësh. Dyshojmë se djali mund t’i tregojë ungjit të tij. Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës, katundari i thjeshtë nga Loja, Bajram Isufi, është porositë nga sekretari i Komitetit Ekzekutiv, Ramadan Alilaj, që çështja rigorozisht të mbetet konspirative tue ia heq vërejtjen se ka bërë gabim të madh dhe se Fronti nuk ndihmohet në këtë mënyrë. Shoku Ramdan Halilaj është edhe sekretar i Komisionit të Zgjedhjeve të një rrethi tjetër elektoral e jo për katundin Lojë. Jemi lajmëruar për këtë mbrëmë natën. Lutemi urgjentisht na njoftoni mënyrën e veprimit. Ne jemi në dilemë e nuk dimë si të veprojmë.

Çështja është konspirative dhe e kufizueme deri më tash. Presim përgjigje shumë urgjente.

Abedini!

Komitetit Qendror  të Partisë Komuniste Shqiptare

Në lidhje me ç’fjalosëm dje, puna qëndron ndryshe. Është bërë ngatërresë në emër të Kleanth Mineut dhe të Kleanth Vorfit. Në qendrën e Kavajës na kanë futur për të vëllain e Klenath Mineut, Piero Mineu. Kiçua që ishte në Kavajë e tregon në këtë mënyrë çështjen: Piero Mineu në bashkëpunim dhe në dijeni të Këshillit Mbikëqyrës ku ka qenë edhe një anëtar partie, Balo Veliu, kanë fshehur kokrrat e kutisë pa kandidat. Piero Mineu ai me mburrje i është fjalosur sekretarit të Frontit, Jemlush Thaçi, se ka bërë një punë të tillë dhe kështu i kishte bërë mirë gjoja Frontit. Jemlushi i dha përgjigjen e duhur, duke i vënë në dukje se kjo ishte një shkelje ligji dhe se për këtë ligji të dënon dhe bile rreptë. Piero Mineu është tronditur për këtë dhe e pret ndonjë dënim se shihet i shqetësuar. Por Pjero ka folur dhe me Maliq Elenin sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Nënprefekturës për këtë punë. Tani çështja është në dijeni të Këshillit Mbikëqyrës të Jamlushit, Maliqit, Sul Ferçanit. Qëndrimi i Piero enver-qeniMineut  nuk është plotësisht me frontin, por këtë e ka bërë për të fituar kredi në Front.

Ka mundësi që ky t’iu thotë dhe tjetër kujt. Ne shokëve të Kavajës i kemi porositur që të mos e trumbetojnë një gjë të tillë përderisa vetë Komisioni i Zgjedhjeve për nënprefekturën nuk e ka ngritur këtë si problem. Si dhe Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka se ku bazohet se ka bërë një punë të tillë. Karshi Piero Mineut ne u mjaftuem vetëm me qëndrimin që mbajti që në fillim, Jamlush Thaçi, duke e quajtur të gabuar veprimin e tij, në qoftë se e kishte bërë. Që ta thërrasim përsëri Piero Mineun në formë gjyqi, ose për ta këshilluar që të mos e hapë një gjë të tillë, nuk na u duk e arsyeshme. Meqenëse s’është anëtar partie dhe se ne dyshojmë të jetë provokator. Anëtari i partisë, Seit Veliu, që bënte pjesë në Këshillin Mbikëqyrës është një element mjaft i dobët që me revizionimin në parti mbetet jashtë. Megjithkëtë ky u thirr nga shokët në Kavajë (Jamlushi), dhe iu bë një vërejtje e rëndë për gabimin e madh që ka bërë. Gjithashtu u porosit që të mos e pëshpëritë asnjë gjysëm fjale mbi këtë çështje dhe me Piero Mineun të mos provokojë asnjë bisedë rreth këtij problemi asnjëherë. Çështja megjithëse nuk është siç neve e biseduam dje me shokët e Kavajës, pa të ngatërruar, Klenath Vorfin me Kleanth Mineun, por më e ngatërruar akoma, neve na duket që të jetë e kufizuar.  Dhe nuk besojmë që të përgjithësohet dhe të merret vesh nga populli.

Megjithkëtë shikojeni edhe ju përsëri dhe na këshilloni ndonjë qëndrim më të mirë që neve duhet të mbajmë karshi kësaj çështje.

Durrës 9.12 1945
Marrë nga 27.al

Ramos barazon në fund golin e Suarezit

Barcelona dhe Reali i Madridit janë ndarë në barazim 1-1 në “El Klasikon” e vlefshme për javën e 14 të La Liga-s të zhvilluar në “Kamp Nou”. Ndeshja e shumëpritur nga gjithë bota e futbollit dhuroi emocione të mëdha, teksa u zhvillua një lojë mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat.
Pjesa e parë e takimit ishte disi nën rimtin e zakonshëm të historikut të kësaj ndeshjeje dhe u mbyll pa gola. Ndërkohë, në pjesën e dytë ishte Luis Suarez, që kaloi katalanasit në avantazh në minutën e 53-të, teksa realizoi duke goditur me kokë një top të krosuar nga Nejmar me goditje dënimi.
Reali nuk u dorëzua dhe kërkoi të barazonte shifrat deri në fund të takimit. Golin e gjeti i zakonshmi i minutave të fundit, Serxhio Ramos, i cili në të 90-n, goditi saktë me kokë një top të krosuar nga Modriç ekzekutimit të një goditjeje dënimi.
Pas këtij takimi, Reali vazhdon të mbetet i pamposhtur, duke kryesuar klasifikimin me 34 pikë të grumbulluara. Ndërkohë Barcelona e ndjek në vendin e dytë me 28 pikë.

Konte mund edhe Guardiolën

Britain Football Soccer - Manchester City v Chelsea - Premier League - Etihad Stadium - 3/12/16 Chelsea manager Antonio Conte and players applaud fans after the game Action Images via Reuters / Jason Cairnduff Livepic EDITORIAL USE ONLY. No use with unauthorized audio, video, data, fixture lists, club/league logos or "live" services. Online in-match use limited to 45 images, no video emulation. No use in betting, games or single club/league/player publications. Please contact your account representative for further details.

Manchester City-Chelsea, një nga ato duele që mund të të ndryshojë rrjedhën e sezonit dhe kështu mund të rezultojë për skuadrën e Antonio Contes vazhdon të thyejë çdo kundërshtar që i del në rrugën drejt titullit. Fitorja e tetë rresht për “Blutë e Londrës” vjen pas një 90 minutëshi të çmendur në Manchester, ku cinizmi i italianit triumfoi ndaj futbollit total të Guardiolës, skuadra e të cilit shpërdoroi deri në abuzim. 3-1 trimfuan londinezët në duelin e kreut, duke kthyer në favorin e tyre disavantazhin e pjesës së parë dhe duke e çuar në +4 diferencën me “Citizens”. Skuadrat të kujdesshme nuk dhanë pika referimi në minutat e para, por në të 15-ën ishte Hazard që lëshoi një goditje të fortë, duke drithëruar të pranishmit në “Etihad Stadium”. 6 minuta më vonë ishte radha e Kun Agueros, i cili u ndal nga Thibaut Courtois me një pritje spektakolare. Goli i parë u shënua nga Fernandinho, por sa keq që ajo rrjetë e brazilianit ishte në pozicion të parregullt, ndërsa Aguero shpërdoroi një rast të artë që ilustron mungesën e qetësisë së “Citizens” përpara portës. Armata e Pep Guardiolës u bë më kërcënuese me kalimin e minutave, duke rrezikuar sërish me argjentinasin që pas asistit të marrë nga De Bruyne nuk arriti të shënjestronte saktësisht. Sa shumë raste të shpërdoruara nga Manchester City, por çfarë gare ajo e Gary Cahill në fundin e pjesës së parë. Mbrojtësi i Chelseat me një devijim të pafat u dhuroi bardhekaltërve avantazhin.
Pushimi i pjesës së parë nuk i ftohu gjakrat, sepse City kërkoi golin e dytë që në të 48-ën, kur De Bruyne nuk u tregua aspak altruist, duke shpërdoruar një tjetër rast. 5 minuta më vonë, Aguero ia ktheu me të njëjtën resto belgut, duke zgjedhur goditjen personale që u ndal sërish nga Courtouis. Momenti kulminant i monologut të “citizens” me portën e bluve kulmoi me traversën e De Bruyne (57), i cili bëri më të vështirën, duke mos e shtyrë topin në rrjetë dhe ky ishte momenti që shkatërroi ëndrrat e skuadrës së Pep Guardiolës. Chelsea fitoi oksigjen dhe si një skuadër eksperte e thumboi kundërshtarin në dy raste, fillimisht me Diego Costën që ngriu vendasit me golin e barazimit.
Goli i dytë është një manual për futbollin e Antonio Conte, dy pasime dhe Willian i vetëm përballë Bravos tregohet i pamëshirshëm. Çfarë dueli, Manchester City nuk arrin të kuptojë absurdin e një momenti të tillë, ndërsa “Blutë” me eksperiencë ndërtuan një tjetër gol fotokopje me të dytin në minutën e fundit të takimit. Një 3 pikësh ky që e konfirmon Chelsean forcën kryesore dhe rivalin për t’u mundur nga të gjithë në Premier League.

Shokon Rosberg, tërhiqet nga Formula 1

Lewis Hamilton, nuk është befasuar nga vendimi i Nico Rosberg për t’i dhënë lamtumirën Formula 1. Diçka e pazakontë kjo edhe pse britaniku që ka ndarë me ish-shokun e tij të skuadrës një rivalitet të jashtëzakonshëm e plot shkëndija për titullin kampion në këto dy sezonet e fundit, është i vetëdijshëm për diçka të tillë.
“Me shumë mundësi jam një ndër të paktët që nuk jam surpizuar, por ndoshta kjo ndodh pasi e njoh Nico-n prej shumë kohësh. Është hera e parë që fiton ai, ndaj dhe nuk më surprizon zgjedhja e tij. Pastaj edhe ai ka një familje, ka një vajzë dhe Formula 1 të merr shumë kohë. Kemi sfiduar njëri-tjetrin që kur ishim 13 vjeç dhe gjithmonë kemi ëndërruar të bëheshim kampionë. Kur erdha te Mercedes dhe e gjeta në skuadër ishte si të rinisnin diskutimet që kishim patur kur ishim fëmijë. 2017 do të jetë e çuditshme dhe do të jetë paksa e trishtueshme që nuk do ta kem në skuadër. Ai do t’i mungojë kësaj gare dhe i uroj gjithë të mirat”, tha ai.
Pas vendimit të Rosberg janë të shumta alternativat se kush mund ta zëvendësojë, por Hamilton nuk deshi të bëjë shumë hipoteza mbi faktin se cili do të jetë shoku i tij i ardhshëm i skuadrës. “Unë gjithmonë kam kërkuar vetëm që të jem në kushte të barabarta me shokun e skuadrës dhe derisa trajtohem në mënyrë korrekte nuk kam pse shqetësohem se cili do të jetë shoku i skuadrës. Kemi drejtues të shkëlqyer dhe jam i sigurt se do të bëjnë zgjedhjet e duhura. Unë jam te Mercedesi për të garuar, e dashuroj këtë, ndaj dhe mendoj vetëm të nis sezonin e ardhshëm, natyrisht duke shpresuar rezultate më të mira”, përfundoi Hamilton.
Gjermani njoftoi tërheqjen nga Formula 1. Një vendim që i kapi të gjithë të papërgatitur, sepse vetëm të dielën e kaluar në Abu Dhabi, 31-vjeçari sapo festoi titullin botëror për pilotë. Njoftimi nga kampioni i botës u dha për Mbrëmjen Gala të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit në Vjenë, ku do të dorëzohen çmimet tradicionalë të fundit të sezonit.
“Dëshiroj të përfitoj nga ky rast për t’ju njoftuar se kam vendosur që të mbyll karrierën time në Formula 1”, shkruante Rosberg, që theksonte se “prej moshës 6-vjeçare ka ëndërruar të shpallej kampion i botës në Formula 1. Dhashë gjithçka për të realizuar këtë objektiv në 25 vjet, që tashmë e realizova falë ndihmës së njerëzve që më rrethojnë, tifozëve, familjes dhe miqve të mi”.

“Tërmet” tek Interi!

Napoli rikthehet te fitorja në kurriz të Interit që nuk shikon dritë në fund të tunelit. Një 3-0 në ndeshjen që çelte javën e 15 që shkatërron ëndrrat e zikaltërve, pasi ajo çka bënë mirë ndaj Fiorentinës u rrënua brenda pak minutash në “San Paolo”. Napolit ku Hysaj e niste si titullar pavarësisht raportimeve se do të qëndronte pushim këtë ndeshje, ju deshën më pak se dy minuta për të kaluar në avantazh, me Zielinskin që nga brenda zonës mposhti Handanoviç.
Inter në disavantazh brenda dy minutash me skuadrën e Piolit që nuk arriti të marrë veten nga shokimi dhe pësoi edhe të dytin në minutën e 5, me Hamsik që befasoi mbrojtjen e Piolit për të dyfishuar rezultatin.
Dy gola brenda pesë minutash, më keq se kaq nuk bëhet dhe Interi tentoi të reagojë, në të 21 mbrojtja e Napolit gaboi, por ishte Reina që shpëtoi portën duke bllokuar tentativën e Ikardit. Edhe në pjesën e dytë Inter e nisi duke u përpjekur të rihapë ndeshjen, me të djathtën e Perisiç që nuk gjeti dot portën në të 48, por pikërisht në momentin më të mirë të Interit, Napoli e ndëshkoi sërish me Insignen që gjeti rrjetën në minutën e 51.
3-0 dhe asgjë për të bërë për Interin, në minutën e 61 përfundoi ndeshja e Hysajt që i la vendin Maxhios mes duartrokitjeve, ndërsa momenti negativ i Interit fotografohet dhe në minutën e 90, kur Perisiç është i vetëm para portës, por nuk arrin të shënojë dot një gol të sigurt.
Elseid Hysaj ishte një ndër më të mirët e Napolit për 60 minutat që luajti në fitoren 3-0 kundër Interit të premten mbrëma. Por mbrojtësit të kombëtares shqiptare iu desh të linte fushën pas një problemi, duke u zëvendësuar nga Kristian Maxho në të djathtë të prapavijës napolitane.
Sipas mediave italiane, 22-vjeçari ishte në dyshim për këtë ndeshje, për shkak të një goditjeje të pësuar kundër Sasuolos të hënën. Megjithatë, arsyeja e zëvendësimit është krejt tjetër.
“Mediaset Premium” raporton se Hysaj kërkoi të linte lojën pasi ndiente dhembje në stomak. Gjithnjë sipas televizionit italian, lojtari u kthye menjëherë në shtëpi. Për fat të mirë, ky problem nuk pritet ta kushtëzojë Hysajn për transfertën e të martës kundër Benfikës.

Bayerni përmbys Mainz, Lewandowski në histori

Bayern Munchen konfirmon se nuk po përjeton momentin më të mirë, megjithatë skuadra e Carlo Ancelotti-t arriti të fitonte 3-1 me përmbysje në fushën e Mainz, në ndeshjen që hapi javën e 13-të të Bundesligës. Sfida nisi në ngjitje për bavarezët, që e panë veten në disavantazh pas 4 minutave lojë, me Mainz që shënoi me Cordoban që shfrytëzoi shpejtësinë e tij për të kaluar Hummels dhe mposhti Neuer. Një dush i ftohtë për Bayernin që me golin e pësuar në ndeshjen e pestë radhazi në kampionat, barazoi rekordin negativ të dhjetorit 2011.
Megjithatë, reagimi ishte ai prej një ekipi kampion. Avantazhi i Mainz zgjati vetëm 4 minuta, sepse Robert Lewandowski riktheu baraspeshën, pas asistit të Robben. Për të kthyer qetësinë te Bayerni mendoi holandezi fluturues në minutën e 21-të. I pambuluar në zonë, Arjen Robben realizoi me kokë, pas harkimit të Muller dhe i dha bavarezëve avantazhin. Megjithatë, me Mainz-in që nuk u dorëzua deri në fund, ku Neuer u tregua i vëmendshëm në tentativën e Latza-s, ndërsa goli i qetësisë u realizua nga Lewandowski në minutën e parë shtesë.
Ekzekutim i jashtëzakonshëm i polakut nga goditje standarde, që vulosi suksesin 3-1 të Bayernit. Me rrjetat e realizuara, Lewandowski i ka shënuar të paktën dy gola Mainz-it në 4 ndeshjet në “Opel Arena”, duke u bërë lojtari i parë në historinë e Bundesligës që e realizon këtë në ndeshjet radhazi jashtë fushe përballë të njëjtit kundërshtar. Me fitoren e arritur, Bayerni u rikthye në krye të Bundesligës, në kuotën e 30 pikëve, aq sa ka edhe surpriza Leipzig që këtë të shtunë luajti përballë Schalkes.

Guardiola: Konte trajneri më i mirë në botë

Pep Guardiola, trajneri i Manchester City-t, i ka thurur lëvdata trajnerit të Chelsea-t, Antonio Konte. Guardiola ka thënë se Antonio Konte është trajneri më i mirë në botë. “Konte është pa dyshim një nga më të mirët, ndoshta edhe trajneri më i mirë në botë për momentin. Për ne është hera e parë që ne do të përballemi me njëri-tjetrin”, ka deklaruar Guardiola. “Ai bëri një punë të jashtëzakonshme me Juventusin dhe në punën e ekipit kombëtar të Italisë”, ka theksuar ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munichut.
Çmimi i FIFA-s “Trajneri i Vitit” për 2016-n ka njohur tashmë 3 finalistët e tij. Pas votave të shumta të fansave të futbollit në faqen e internetit “FIFA.com”, institucioni qeverisës i futbollit botëror ka publikuar emrat e 3 kryesuesve.
Trajneri kampion i Anglisë në drejtimin e Leiçesterit, Klaudio Ranieri, trajneri fitues i Ligës së Kampionëve në drejtimin e Realit të Madridit, Zinedin Zidan, si dhe trajneri kampion i Europës në drejtimin e Portugalisë, Fernando Santos, do të garojnë me njëri-tjetrin për të fituar çmimin prestigjioz.
Italiani, francezi dhe portugezi arritën suksese mjaft të rëndësishme gjatë këtij viti që po mbyllet, çka bëri që dhe fansat të mos kishin dyshime në hedhjen e votës së tyre.

Football Leaks trondit futbollin botëror

Football Leaks. Kështu quhet skandali më i fundit që ka tronditur futbollin botëror. Miliona dokumente me të dhëna të fshehta, zbulojnë anën e errët të sportit më popullor, ku të përfshirë janë emrat më të mëdhenj, nga klubet, te yjet e futbollit e për të vazhduar me trajnerët dhe menaxherët.
Dokumentet pritet të publikohen këtë të dielë, duke evidentuar sesi personazhet më të rëndësishëm, që kanë më tepër influencë dhe paguhen në shifrën e miliona eurove në vit, arrijnë të shmangin taksat duke krijuar kompani në parajsat fiskale. Hetimi i realizuar nga 12 media europiane zbulon sekretin e biznesit të topit. Edhe pse emrat e parë të përfshirë ende nuk janë publikuar zyrtarisht, zbulohet se mes personazheve të përfshirë janë Cristiano Ronaldo dhe Jose Murinjo.
Sipas të dhënave, nga viti 2009 deri më 2014, Cristiano Ronaldo ka transferuar mbi 70 milionë euro të përfituara nga sponsorët, në llogaritë bankare të Tollin, një kompani e regjistruar në Ishujt Virgjin britanikë, një parajsë fiskale në Karaibe. 74 milionë euro të tjera, ylli i Realit i ka transferuar në një llogari bankare në Zvicër, deri në vitin 2014, kur i shiti të drejtat e imazhit nga viti 2015 deri më 2020 te Peter Lim, një biznesmen nga Singapori. Në këtë mënyrë, Ronaldo i ka paguar taksave një shifër minimale nga të ardhurat stratosferike, ndërsa përllogaritet që i ka fshehur tatim taksave rreth 150 milionë euro.
Në qendër të evazionit fiskal është portugezi Jorge Mendes, menaxheri i Cristiano Ronaldos, që ka një tjetër klient mjaft të njohur në futboll dhe po aq të paguar si Jose Murinjo. Ndërmjet vitit 2010 deri më 2013-ën, përpara se të transferohej në Angli te Chelsea dhe më pas te Manchester United, “Special One” drejtoi Realin e Madridit dhe në vitin 2014 ishte nën hetim nga Zyra e Taksave në Spanjë, ku për të mbyllur çështjen pagoi 5,5 milionë euro taksa të prapambetura dhe gjoba.
Të tjerë të akuzuar nga yjet e futbollit janë Radamel Falcao, Mesut Ozil, ndërsa në Itali të përfshirë në skandal janë 6 skuadra të Serisë A: Juventusi, Interi, Milani, Roma, Napoli dhe Torino. Tashmë të gjithë presin me ankth të dielën, për të zbuluar detaje nga skandali me emrin Football Leaks.

Bunk’Art 2: Goditje ndaj historisë

Vincent W.J. van Gerven Oei

Më 19 nëntor, Kryeministri Rama, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe sipërmarrësi i medias Shqiptarja.com Carlo Bollino përuruan Bunk’Art 2, një hapësirë për të ekspozuar, e menaxhuar nga Zoti Bollino.
Sipas Kryeministrit Rama, Bunk’Art 2 është “hyrja në të parin memorial, deri më sot i konceptuar dhe i ngritur me themelet, me zemër dhe me sy ndaj viktimave të terrorit komunist.” Ky është një pohim i çuditshëm sepse në Muzeun Kombëtarë ekziston një pavion i dedikuar “terrorit komunist”.
Gjithashtu, sikurse mund ta ketë vënë re edhe vetë kryeministri, përballë zyrës së tij gjendet një monument dhe një bunker: përmendorja “PostBllok” e Ardian Isufit dhe Fatos Lubonjës. Në Shkodër ndodhet “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, një tjetër muze i ngritur për të përkujtuar viktimat e regjimit komunist.
Ndaj, mund të themi me siguri se Bunk’Art 2 është përmendorja e katërt e këtij lloji, por në shumë aspekte më pak e suksesshmja.
Teksa i afrohem bunkerit të rremë, dëgjoj thirrjen e hoxhës. Në të djathtë, Carlo Bollino ka vendosur një kullë vrojtimi të rrethuar me tela me gjemba, sigurisht dhe kjo e rreme, e cila funksionon si reklamë për një kupolë më të madhe të ndodhur pranë saj.
Mospërputhja e përmasave e bën të gjithë instalacionin të duket absurd; absurdi dhe mungesa e përputhshmërisë logjike do të vazhdojnë dhe brenda.
Kupola hyrëse e bunkerit është e mbushur me fotografi të viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në brendësi të saj. Insatalacioni është ide e vjedhur pa shije nga Muzeu i Holokaustit Yad Vashem. Një kopje e keqe e bunkerit komunist i mbushur me një kopje të keqe të instalacionit përkujtimor për viktimat hebreje. Një fillim i mbarë.
Disa qytetarë, të cilët po qëndronin para meje në radhë, nuk pranuan të hynin kur morën vesh se bileta kushtonte 500 lekë. Por në katin e poshtëm, kur hyra brenda, mësova se hyrja është falas për të persekutuarit nga regjimi komunist. “A duhet të paraqes ndonjë vërtetim për këtë?” pyeti një zotëri i moshuar vajzën pas banakut. “Nëse keni qenë i persekutuar, mund të hyni,” iu përgjigjë vajza. Zotëria vazhdoi.

Si për fillim, dy gabime të dhimbshme

Mbi banak është një citim i Primo Levit: “Të gjithë ata që harrojnë të shkuarën e tyre, janë të dënuar ta rijetojnë atë”. Kryeministri Rama në disa raste të ndryshme e ka përdorur këtë shprehje në publik. Madje e ka përdorur edhe si titull në fjalimin përurures të tij, në të cilin me arrogancë i kërkoi kritikëve të tij të “qepnin gojën”. Fatkeqësisht për Ramën dhe për të ashtuquajturin intelekt të tij, Primo Levi nuk e ka thënë kurrë një gjë të tillë. Ky citim është i George Santayanas në veprën Jeta e Arsyetimit (The Life of Reason). Citimi i saktë është “Ato të cilët nuk mund të kujtojnë të shkuarën janë të dënuar ta përsërisin atë,” shprehja ka shumë perifrazime të ndryshme (sepse është një klishe). Për shembull, ajo gjendet e gdhendur dhe korrektësisht e përcaktuar, mbi një stemë në Aushviç (Auschwitz).
Një fotografi e pllakatës jashtë kampit të përqendrimt Auschwitz. Burimi: Flickr/Jorge González.
Por, ky nuk është i vetmi gabim i dukshëm. Një shënim përgjatë banakut më njofton se ndodhem në “ ish – bunkerin atomik të Ministrisë së Punëve të Brendshme.” Gjithashtu edhe kjo është e pasaktë.
Pavarësisht se struktura mund t’i këtë mbijetuar sulmeve të artilerisë, ajo nuk do të mundej të përballonte një sulm atomik, dhe në fakt, asnjëherë nuk u ndërtua me këtë qëllim. Sidoqoftë, cfarëdo që i bënë turistët e lumtur!
Por këto dy gafa gjigante në hyrje, të bëjnë të mendosh: cfarë gabimesh të tjera janë bërë?

Kontraditat logjike si estetikë

Si fillim, ekspozita nis, në mënyrë të pashpjegueshme, me një sqarim të gjatë për origjinën e policisë shqiptare të vitit 1913. Më informojnë po ashtu, për policinë rrugore dhe zjarrëfikësit. Një armatim i policisë për protesta (skafadra) ishte varur në mur, dhuruar nga italianët në vitin 1989. Asnjë nuk ka lidhje me “terrorin komunist”.
Shumica e dhomave, pavarësisht nga shenjat emërtuese, të cilat sugjeronin një farë lidhje logjike, janë në fakt një kolazh historik shpesh i objekteve të palidhura me njëra-tjetrën.
Për shembull, 1) një dhomë përmban informacion për Laboratorin Kombëtar të Mjekësisë Ligjore nga viti 1946 deri në vitin 2000 (përse 2000???); 2) një video ku shfaqen kryengritjet e studentëve në vitin 1990, me një logo të madhe të Bunk’Art 2 në të majtë të videos; 3) në një mur janë vënë disa pajisje radiofonike, shoqëruar me një manual kinez (?). Në një dhomë tjetër, me derën pakëz të hapur, dëgjohet një burrë i cili rrëfehet me pëshpëritje, një krevat marinari, tavolinë dhe një hartë ruse të Berlinit. Ku jam unë?
Kryeministri Rama pohoi se ne do të duhet të kujtojmë me “mendje, zemër dhe sy”, por ka harruar veshët. Fonia brenda bunkerit është një kakofoni gati e padurueshme.
Përveç dokumentarëve të ndryshme që luhen në dhomat ngjitur (të githa me dyer të hapura), aty ka regjistrime të emrave të viktimave nën një sfond zhurmash kërcënuese, himni kombëtar, sirena policie, rrahje zemre, njoftime në radio dhe muzikë sentimentale nga të gjitha anët. Ndëkohë nga çdo anë, informohem për “një eksperiencë më të zgjeruar të realitetit” e mundësuar përmes aplikacionit falas të Bunk’Art, i cili së bashku me materialet e tjera të paraqitura, me siguri duhet të më drithërojë.
Tingujt çorientues dhe organizimi kaotik i hapësirës dhe kohës bën që epoka të ndryshme – fashiste, komuniste, pluraliste – të cilat duket se përzihen në një “supë” të madhe historike, deri në pikën ku ndërhyrjeve të caktuar duket se i mungon çdo formë arsyetimi. Për shembull, çfarë kuptimi ka tubi i zjarrfikësve që del nga tavani? Dhe çfarë do të thotë “trupi liruar nga vdekja…”??
Gjithsesi, ajo që është koherente në gjithë ekspozitën është “brendimi”i çdo gjëje që ndodhet aty. Çdo shfaqje, dokumentarë, madje edhe shënimi se “Armët e paraqitura në këtë dhomë janë çaktivizuar dhe shndërruar në një objekt muze”, apo tabela “STOP SMOKING” kanë logon Bunk’Art2.

Ndërhyrjet artistike

Natyrisht këtu ka hapësirë edhe për art “bashkëkohor”, si pjesë e eksperiencës së Bollinos për ta kthyer në të shkuarën në një Disney-park.
Raimonda Zajmi Avignon ka bërë një “instalacion artistik” me titull “përbindëshi i diktaturës.” E pranoj se si skulpturë, kjo sigurisht ia kalon edhe veprës së fundit të Edi Ramës. Por në gjithë këtë hapësirë vepra e Rajmondës duket si një grumbull fëminor metalesh dhe mbeturinash. Teksti në mur më informon se përbindëshat përdorin median si perde tymi për krimet e tyre. Ndoshta një nga fjalitë e pakta të vërteta në gjithë këtë ekspozitë.
Instalacioni artistik “Miqësia”, bërë nga Yllka Gjollesha dhe Rubin Beqo, është i mbyllur, ose ndoshta unë thjesht nuk munda ta gjej, ta shikoj apo ta dëgjoj. Teksti në mur flet për “një mikun tonë kinez”, i cili “mund të na ndihmojë për të hedhur dritë mbi këto pllaka gramafoni me muzikë”. Rubin, nëse e lexon këtë, më telefono!
Për më shumë, ka dhe një video të punuar nga Driant Zeneli. Edhe pse është vepra më e mirë, është plotësisht e palidhur me çdo gjë tjetër e deri diku skandaloze në mënyrën se si poezia mundohet të jetësohet në mes të “terrorit të komunizmit”.
Në fund, instalacioni i Ledia Kostandinit, “Incube”, është zhgënjyes, me drita jo aq verbuese në një dhomë boshe. As “halucinacione” dhe as “mjedis surreal” nuk shkaktohen nga kjo punë, megjithëse kur pashë veprën e Kostandinit i kisha përjetuar të dyja.

Mungesa e interpretimit

Nuk ka absolutisht asgjë në Bunk’Art2, e cila të më shpjegojë rëndësinë apo domethënien e objekteve, fotografive, zërave, zhurmave apo punëve të artit që pashë. Kjo është çështja kryesore dhe më problematike me ekspozitën. Sigurisht, asnjë kurator me merita nuk është përfshirë në asnjë pjesë të këtij projekti.
Të gjitha tekstet janë vetëm përshkruese dhe nuk ka në asnjë moment të vetëm kur dikush (kurator apo dikush tjetër) të ofrojë një interpretim. Dhe kjo mungesë interpretimi nuk është asgjë me shumë se shenjë e mungesës së mendimit.
Askush nga personat e përfshirë në këtë projekt, përfshirë politikanë dhe miqtë e tyre të medias, nuk ka mundur të nxjerrë një mendim, opinion apo kujtesë të vetme për diktaturën. Ata e kanë fshehur veten pas një mirazhi me objekte dhe emra, mbuluar me zhurma që parandalojnë vizitorët të dëgjojnë zërin e tyre të brendshëm: “Këtu asgjë nuk ka kuptim.”
Bunk’Art 2 e bënë të shkuarën komuniste të pakuptueshme sepse asnjë nuk do të guxojë të bëjë asnjë pyetje kritike – asnjë nuk do të di nga t’ia nisi.