28.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Polici kërcënon me armë shoferin e furgonit të nxënësve

Një efektiv policie ka kërcënuar me armë shoferin e një furgoni që transportonte nxënës shkolle në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme tek “21 dhjetori”, ndërsa skandali është denoncuar nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital denoncon: Kërcënim me armë nga banda me uniformë!”, shkruan Berisha në Facebook ku ka publikuar një video nga qytetari dixhital.
Në video duket një efektiv policie, i cili kërcënon me armë një shofer furgoni tek “21 dhjetori”. Denoncimi është bërë nga një qytetar. “Përshëndetje doktor, këtë video e bëra vetë para 20 minutash tek “21dhjetori”. Polici me uniformë kërcënon me armë një shofer furgoni me fëmijë shkolle. Ngjarja ka ndodhur tek shkolla “Sabaudin Gabrani” në Tiranë”, shkruan qytetari.
Bëhet e ditur se Policia Rrugore e Tiranës ka ushtruar kontrolle në mjetet që transportojnë nxënës të shkollave të ndryshme të kryeqytetit, për vendosjen e rripit të sigurimit gjatë qarkullimit me mjet, si nga drejtuesi i mjetit ashtu dhe nga pasagjerët. Këto kontrolle kanë si qëllim sigurinë e jetës së nxënësve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, por gjatë ushtrimit të kontrolleve në mjaft raste forcat policore kanë ushtruar terror psikologjik ndaj drejtuesve të mjeteve dhe nxënësve.
Ndërkohë, disa persona të armatosur që lëviznin me një makinë kanë terrorizuar qytetarët mbrëmë në Tiranë, duke i kërcënuar me armë. Ka qenë një qytetar që ka telefonuar në numrin 112 të policisë dhe forcat e Policisë Tiranës janë vënë në ndjekje të makinës që tmerroi qytetarët.
Forcat e rendit janë drejtuar në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet ku është raportuar ngjarja dhe kanë arritur të pikasin makinën tip “Alfa Romeo”. Pas ndjekjes disa minutëshe, autorët e braktisën makinën tek trafikndarësja në Unazë pranë rrugës “Siri Kodra”, dhe u larguan pa lënë gjurmë.

Zyra e Romanës: Faji juaj që na besuat

Komisioni Europian ka pranuar autorësinë e përkthimit të Ligjit të Ventting-ut në anglisht, i cili rezulton me gabime e pasaktësi, që sipas opozitës, ndryshojnë kuptimin e ligjit. Duke iu përgjigjur interesit të Televizionit “Klan” mbi këtë skandal, Zyra e Delegacionit të Komisionit në Tiranë nuk e mohoi që përkthimi i ligjit është bërë nga EURALIUS, por tha se përgjegjësinë për ta verifikuar atë, e kanë autoritetet shqiptare.
“EURALIUS IV u siguron asistencë teknike institucioneve përfituese dhe palëve të interesuara lidhur me sektorin e Drejtësisë në Shqipëri, në kuadrin e praktikave më të mira të BE-së dhe standardeve përkatëse evropiane. Komisioni Evropian e përgëzon këtë angazhim. Institucionet shqiptare janë përgjegjëse për komunikimet zyrtare me palët e treta dhe sigurojnë nën përgjegjësinë e tyre transmetimin zyrtar të dokumenteve ligjore që përbëjnë një pjesë të legjislacionit të brendshëm zyrtar”.
Ligji në variantin anglisht iu dërgua Komisionit të Venecias nga Gjykata Kushtetuese. Kreu i saj Bashkim Dedja, deklaroi publikisht në media, dy ditë më parë, se ligji ishte përkthyer nga EURALIUS. Ai pranoi edhe pasaktësitë, që u evidentuan nga opozita.
Për këtë arsye ligji u përkthye edhe njëherë dhe iu ridërgua Komisionit të Venecias.
Në disa të përditshme, këtë të premte u publikua lajmi se pikërisht për këtë çështje, Shefi i Misionit të EURALIUS ishte shkarkuar nga detyra, por Zyra e Delegacionit të Komisionit Europian e hedh poshtë këtë lajm.
“Pretendimet se drejtuesi i ekipit EURALIUS IV është larguar nga posti i tij janë krejtësisht të pasakta. Drejtuesi i ekipit është aktualisht me leje”.
Sipas opozitës, gabimet prekin thelbin e ligjit dhe kjo mund të ndikojë në opinionin që do të japë Komisioni i Venecias. Ekspertë të Jurisprudencës kanë hedhur dyshime se gabimet në përkthim kanë qenë të qëllimshme, për të manipuluar opinionin e Komisionit të Venecias.
Prej ditësh në vend është hapur një debat mbi variantin që u dërgua për opinion në Komisionin e Venecias. Pas alarmit të PD-së se Kushtetuesja ka dërguar një ligj të përkthyer gabim, reagoi edhe kreu i Kushtetueses, duke thënë se është dërguar ligji i përkthyer nga EURALIUS. Mediat shkruajnë se kjo gafë mund t’i kushtojë postin Dr. Rainer Deville, Shef Misioni të EURALIUS në Tiranë.

Berisha: Falsifikim mafioz i Edi Ramës!

Ish-Kryeministri Berisha ka kërkuar hetim nga Komisioni Europian në manipulimin e tekstit që i është dërguar Komisionit të Venecias për Ligjin e Vettingut. “Falsifikimi nëpërmjet përkthimit, me shtim fjalish në anglisht që nuk ekzistojnë, në tekstin e neneve të Kushtetutës nuk është standard europian, por antieuropian. Ky është një akt mafioz korruptiv dhe i turpshëm, poshtërues për Shqipërinë, i mafies qeveritare, që meriton ndëshkim.
Ekzekutimi i këtij akti korruptiv skandaloz është realizuar nga Rama-Xhafa nëpërmjet segmenteve të caktuara të Misionit të Euralius!
Sulmet që iu bënë opozitës nga Rama, e cila konstatoi se tekstit të neneve të Kushtetutës, të dërguar në Komisionin e Venecias, në variantin anglisht i janë shtuar fjali që nuk janë votuar në Parlament, dëshmojnë se ky është një veprim mafioz korruptiv i tij.
Por dhe heshtja para këtij skandali të paprecedent i ambasadores Vllahutin, e njohur tashmë për njëanësinë e saj shembullore me qeverinë, flet jo pak dhe e akuzon dhe këtë të fundit.
I bëj thirrje Komisionit Europian të hetojë shkaqet dhe rrethanat e këtij akti korruptiv mafioz të qeverisë në bashkëpunim me segmente të Misionit të Euralius në Tiranë, që nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat dhe parimet europiane!”, shkruan Berisha.

Rama tek Putin, peng i dosjes Mitrokin të Kristaqit

Deklaratat e fundit të Edi Ramës për një devijim të rrugës së Shqipërisë nga integrimit në BE, drejt Rusisë janë parë si formë kërcënimi që ky i fundit po u bën liderëve të Unionit, pas vendimit për të mos hapur negociatat me Shqipërinë. Me një shënim të shkurtër në profilin e tij në Facebook, ish-kryeministri Sali Berisha thotë se, Ramën me Rusinë e lidhin shumë gjëra përveç dëshirës së tij personale për një takim me Vladimir Putin. Ja çfarë shkruan ish-kryeministri Sali Berisha në Facebook: “A kushtëzohet takimi i Ramës me Putin nga trashëgimia e tij direkte atërore, pra dosja Mitrokin?! Të vetmin lajm që mediat arritën të veçojnë nga monologu dy orësh i Ramës me Ballën ishte dëshira e tij për të takuar Vladimir Putinin. Analistët e interpretojnë këtë si një formë presioni ndaj BE-së për ndikimin e faktorit të tretë në Shqipëri në rast të mos hapjes së negociatave nga BE. Kjo mund të jetë e vërtetë, ndonëse një presion i tillë mund të ndikojë në të kundërt. Të tjerë mendojnë se i ati i Ramës, i shkolluar dhe më shumë se i shkolluar në Rusi është një kalorës i zi në seksionin për Shqipërinë të dosjes Mitrokin. Madje e marrin këtë si të vërtetë të mirëfilltë. Nuk mund të them se çfarë fshihet në dëshirën e Ramës për të takuar Putinin, por e vërteta është se prej shumë muajve Rama kërkon takim me Putinin dhe ky i fundit ka rënë dakord të presë Ramën sapo ky të plotësojë ca gjëra të “vogla”!

Kush ishte Mitrokin

Vasili Mitrokin, mund të thuhet se ka qenë themeluesi i Arkivës së KGB-së ruse. Ai hyri në shërbimet sekrete si oficer zbulimi në vitin 1948. Gjatë viteve ’50-të ai shërbeu në detyra të ndryshme të fshehta, jashtë vendit. Në vitin 1956, shoqëroi ekipin rus në Lojërat Olimpike të Australisë. Menjëherë pas kësaj ai u rikthye në Moskë për t’u emëruar si drejtori i parë i Arkivës së KGB-së ruse. Menjëherë pas vdekjes së Stalinit, ai do ishte ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Hrushovit në denoncimin e veprimtarisë së diktatorit që kulmoi në vitin 1967, në mbledhjen e 81 partive komuniste të Lindjes në Moskë. Në vitet 1972 dhe 1984 ishte ai që mbikëqyri lëvizjen e arkivës nga Lubyanka në Yasenevo, duke mundësuar kështu kopjimin e mijëra faqeve të shërbimit sekret rus, dhe veprimtarinë e tij jashtë vendit. Do dilte në pension në vitin 1985. Përgjatë viteve të sistemit komunist, ai nuk bëri përpjekje për të kontaktuar me shërbime të tjera inteligjente, por menjëherë pas  shpërbërjes në vitin 1991, ai do të udhëtonte drejt Letonisë, ku do të kërkonte strehim politik në ambasadën amerikane në Riga. Pas dyshimeve të CIA-s rreth veprimtarisë së tij, ai u shpërngul në konsullatën britanike dhe i tregoi dhe vendin ku kish fshehur “thesarin”e tij, që përbëhej nga 25 mijë faqe të arkivave sekrete ruse që nga viti 1930. Në to gjendeshin emra agjentësh dhe të rekrutuarish nga të gjitha vendet e botës. Për kohën u konsideruan tepër sekrete, madje Richard Tomilson, një prej zyrtarëve të MI6 angleze që u mor me mbledhjen dhe depozitimin e dokumenteve, u burgos, pasi tentoi të botonte një libër rreth kësaj çështjeje. Një libër me titull “KGB ruse në Evropë dhe Perëndim” me autorë Christofer Andreë dhe Vasili Mitrokin, u botua me informacione të pjesshme në vitin 2004, vetëm një vit pasi kish vdekur ish-drejtori i Arkivës sekrete të KGB-së ruse.

Beteja për Vjosën në Gjykatë

Ivana Dervishi

Beteja për mbrojtjen e lumit Vjosë u zhvendos të premten në Gjykatë, pasi tre organizata mjedisore dhe banorët e prekur nga hidrocentrali i Poçemit iu drejtuan me një padi Gjykatës Administrative në Tiranë, ku kërkuan pavlefshmëri absolute të koncesionit të hidrocentralit të Poçemit.
Organizatat EcoAlbania nga Shqipëria, Riverwatch nga Austria dhe EuroNatur nga Gjermania, si dhe 38 banorë të zonave të prekura paditën Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe kërkuan pavlefshmëri absolute të procedurave koncesionare, si dhe konstatimin si të paligjshëm të kontratës së lidhur me shoqërinë “Kovlu Energji” për HEC-in në Poçem.
Paditësit e konsideruan ndërtimin e hidrocentralit si plan për shkatërrimin e Vjosës dhe kërkuan përmes padisë “pezullimin e çdo vendimi apo premtimi për këtë hidrocentral”.
“Jemi të vendosur ta mbrojmë këtë kërkesë në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. Bëhet fjalë për mbrojtjen e njërës prej zonave natyrore më me vlerë jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Europën”, deklaroi Olsi Nika, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Europës” nga EcoAlbania.
Organizatat mjedisore dhe banorët thonë se, institucionet shtetërore e kanë ndërtuar procedurën dhe kontratën koncesionare në mënyrë jotransparente dhe e kundërshtojnë HEC-in në Poçem mbi disa argumente.
Në padinë e dorëzuar në Gjykatë, ata argumentojnë se vlerësimi i ndikimit në mjedis për Poçemin është jashtë standardit dhe në 60 për qind të saj përmban arsyetim të kopjuar nga projekte të tjera.
Së dyti, padia bazohet mbi pretendimin se banorët e fshatrave Kutë, Çorrush, Sevaster, Shkozë, Golimbas, Mazhar etj., të cilët preken nga projekti i HEC-it të Poçemit nuk kanë qenë pjesë e konsultimit publik paraprak, i cili është kusht për vazhdimësinë e projektit energjetik.
EcoAlbania, një organizatë mjedisore e angazhuar kundër ndërtimit të digave në lumin Vjosë, ka vlerësuar se në fshatin e Kutës, 90 persona do të detyrohen të zhvendosen për shkak të hidrocentralit të Poçemit, ndërsa pjesa më e madhe e tokave bujqësore dhe ullishteve do të përmbyten nga rezervuari i HEC-it.
Vjosa është një ndër lumenjtë e fundit të egër në Europë, që ka vlera të mëdha natyrore për Ballkanin dhe kontinentin.
Pavarësisht premtimit elektoral të kryeministrit Rama për shpalljen e Vjosës, Park Kombëtar dhe ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve, në korrik 2015 Këshilli i Ministrave i hapi rrugën procedurës për dhënien me koncesion të hidrocentralit të Poçemit.
Në nëntor 2016, Ministria e Energjisë njoftoi dhënien e lejes për ndërtimin e hidrocentralit dhe nënshkrimin e kontratës me kompaninë turke “Kovlu Energji”.
Pas zbulimeve të planeve për HEC në Poçem, mjedisorët në Shqipëri dhe Europë u angazhuan në fushata sensibilizuese ku kërkuan anulimin e planeve për shfrytëzimin hidroenergjetik të Vjosës, duke arsyetuar se zona duhet të shfrytëzohet në forma më miqësore me natyrën dhe në harmoni me banorët vendas.
228 shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës iu bashkuan në shtator përpjekjes së aktivistëve dhe studiuesve shqiptarë për të mbrojtur lumin Vjosë dhe kërkuan një moratorium 3-vjeçar për t’i dhënë kohë ekspertëve të studiojnë në thelb pasuritë ekologjike të Vjosës.
Planet e qeverisë shqiptare për të ndërtuar hidrocentrale mbi lumin Vjosë janë kritikuar edhe nga Parlamenti Europian, që i ka bërë thirrje Tiranës zyrtare të marrë në konsideratë propozimin për ta kthyer luginën në një Park Kombëtar.

Brukseli: Shifra rekord me papunësinë tek të rinjtë 38%

Mazhoranca dhe opozita i kanë hapur njëra-tjetrës një luftë retorike për të interpretuar në favor të tyre ato që i perceptojnë si “arritje të tyre” në raportet e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Vlen të theksohet se dështimet i takojnë politikanëve, kurse arritjet e Shqipërisë drejt rrugëtimit evropian janë falë atyre të rinjve dhe të rejave që nuk zhbëhen përparuar vështirësive të bashkëkohësisë, por me guxim dhe vullnet përpiqen të jenë të suksesshëm dhe investojnë në ngritjen e tyre intelektuale, janë falë atyre prindërve që sakrifikojnë për të rritur dhe shkolluar fëmijët e tyre që të bëhen të zotët e vetes dhe rrjedhimisht të dobishëm për shoqërinë dhe janë falë të gjithë atyre sipërmarrësve të ndershëm që ndërmarrin projekte të guximshme për të prodhuar punësim dhe sjellë zhvillim, duke i rezistuar “përlyerjeve” partiake dhe njëkohësisht dhe sulmeve politike që duan t’i falimentojnë.
Le t’i kthehemi kastës politike aktuale. Gjëja më minimale që mund të bëjnë në favor të integrimit evropian të Shqipërisë është të përkthejnë dhe të publikojnë në shqip raportin 2016 për Shqipërinë të Komisionit Evropian. Dhe më pas ta shpërndajnë nëpër faqet online të institucioneve dhe dikastereve. As kaq nuk kanë bërë! Por pse nuk e kanë bërë? Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Ky raport nxjerr në pah paaftësinë e kastës aktuale për të qeverisur. Gjithashtu nxjerr në pah edhe dështimin e qeverisë për të siguruar mirëqenie për qytetarët e vet.
Mungesa në sundimin e ligjit frenon investimet.
Në raportin e vitit 2016 për Shqipërinë të Komisionit Evropian thuhet se ka pasur rritje të përshpejtuar ekonomike. Kjo është pozitive. Dhe kjo është arritje e shqiptarëve të ndershëm, jo e politikanëve. Tani të shkojmë ke pjesa e dështimit të politikanëve. Po sipas këtij raporti thuhet që papunësia është e madhe, si edhe borxhi publik vazhdon të jetë i lartë dhe nuk ka filluar të ulet; kreditë e këqija rëndojnë sektorin bankar; dhe më e keqja: mungesa në sundimin e ligjit frenon investimet. Ja pse nuk kanë interes forcat politike qeverisëse të publikojnë për qytetarët shqiptarë dhe të zbërthejnë në mënyrë analitike raportin e vitit 2016 për Shqipërinë të Komisionit Evropian.
“Rritja ekonomike u përshpejtua dhe situata e tregut të punës u përmirësua, por papunësia është ende e lartë. Borxhi publik është i lartë dhe nuk ka filluar ende të ulet, ndërsa mospërmbushja e përsëritur e shpenzimeve qeveritare (investimet) vazhdon. Sektori financiar është i qëndrueshëm. Megjithatë, sektori bankar është i rënduar me kredi të këqija dhe kreditimi po rritet me ritme të ngadalta. Rregullat që lidhen me sipërmarrjen janë rënduese dhe mungesa në sundimin e ligjit vazhdon të frenojë investimet. Reforma në drejtësi, që është në proces, pritet të ketë një ndikim financiar në mjedisin e sipërmarrjes”, thuhet në faqen 5, të raportit të vitit 2016 për Shqipërinë të Komisionit Evropian.
Papunësia e të rinjve në nivel rekord.
Një qeveri quhet e suksesshme kur ndërmerr politika që lejojnë punësimin. Por siç u tha në raportin e Komisionit Evropian, mungesa në sundimin e ligjit frenon investimet. Duke frenuar investimet sipërmarrjet nuk zhvillohen. Duke mos pasur zhvillim të sipërmarrjeve, atëherë nuk ka krijim vendesh pune.
Shifrat e raportit të vitit 2016 për Shqipërinë të Komisionit Evropian tregojnë se niveli i papunësisë në vitin 2015 (17.1%) ishte më i lartë se në vitin 2011 (14.0%). Këto janë shifrat e analizës së Komisionit Evropian. Një gjë tjetër që vihet re sipas këtij raporti është se niveli i papunësisë i grave dhe vajzave në vitin 2015 (17.1%) është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2011 (14.4%).
Por ajo që është më e trishtë është fakti, që pjesa më energjike e popullsisë, pjesa e të rinjve, përjetoi nivelin rekord të papunësisë në vitin 2015 (38.9%), krahasuar me vitin 2011 (23.6%).
A ishte ky raport për Shqipërinë i Komisionit Evropian më i miri për Shqipërinë? Duke parë shifrat e borxhit publik, shifrat e papunësisë, si edhe çfarë po i ndodh sipërmarrjes, sipas këtij raporti në fjalë, arsyetimi logjik të çon në përfundimin se ky ishte një ndër raportet më pak të mirë për klasën tonë politike, për të mos thënë ndër më të këqijtë.

Andi DINE

Ndryshimi i politikës së jashtme të Trump nis nga Kuba

BIRCH RUN, MI - AUGUST 11: Republican presidential candidate Donald Trump speaks at a press conference before delivering the keynote address at the Genesee and Saginaw Republican Party Lincoln Day Event August 11, 2015 in Birch Run, Michigan. This is Trump's first campaign event since his Republican debate last week. (Photo by Bill Pugliano/Getty Images)

Në fillim të kësaj jave, Donald Trump paralajmëroi në Twitter se do të tërhiqej nga përmirësimi i marrëdhënieve me qeverinë e Kubës, nëse Havana nuk i ofron Uashingtonit një “pakt më të favorshëm”.
Mesazhi ishte i shkurtër dhe i qartë. U deshën vetëm 138 germa, për të shprehur një ndryshim të mundshëm masiv të politikës së jashtme amerikane ndaj vendit komunist. Mesazhi nuk shoqërohej nga ndonjë video ose informacion tjetër që të sqaronte se çdo të thoshte “pakt më i favorshëm”.
Nuk është hera e parë që zoti Trump ose këshilltarët e tij kanë paralajmëruar se do të kthejnë mbrapsht hapat që ka ndërmarrë Presidenti Barack Obama për afrimin me Kubën. Fushata e zotit Trump ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj kundërshtarit të Shteteve të Bashkuara.
Por ishte hera e parë që zoti Trump deklaronte një kthesë të rëndësishme në politikën e jashtme përmes Twitter-it, rrjeti i tij i preferuar social, që kur u zgjodh president.
Si kandidat për president, zoti Trump e transformoi politikën amerikane pjesërisht përmes përdorimit të debatueshëm të Twitter-it. Ai postonte mesazhe eksplozive me 140 germa, në çdo orë të ditës, që ndonjëherë ishin sulme personale ndaj kundërshtarëve politikë dhe herë të tjera komente të papërpunuara për çështjet e debatueshme të ditës.
Përkrahësit e zotit Trump, e preferojnë këtë stil komunikimi të drejtpërdrejtë. Dhe zoti Trump e ka mbrojtur stilin e tij, duke argumentuar se qëndrimet e skajshme janë pjesë e mënyrës së tij të të negociuarit.
Por diplomatët thonë se ky lloj postimi i padisiplinuar mesazhesh, nëse vazhdon gjatë presidencës, do të jetë një sfidë e pashembullt për ata përfaqësues të politikës së jashtme dhe mund të shkaktojnë keqkuptime ose edhe më keq.
“Kurrë më parë nuk jemi përballur me një skenar të tillë, të paktën jo në administratat ku kam shërbyer unë”, thotë Aaron David Miller, një negociator për çështjet e Lindjes së Mesme, për tri administrata.
Zoti Miller, zëvendëspresident i qendrës Wilson e quan sjelljen e zotit Trump gjatë fushatës, “të pashembullt”, megjithëse ai shton menjëherë se nuk është e sigurt se Presidenti Trump do të vazhdojë ta përdorë Twitter-in njëlloj si kur ishte kandidat.
“Me të vërtetë nuk e dimë, thotë ai. Është një nga ato lloj situatash ku ka shumë të panjohura”.
Një nga problemet është natyra e Twitter-it, që lejon vetëm postime shumë konçize.
“Me 140 germa nuk mund të bësh një deklaratë të plotë dhe të qartë, thotë Kathleen Hall Jamieson, një eksperte e komunikimit politik dhe politikave publike në Universitetin e Pensilvanisë. Mund të shprehesh shkurt, por nuk mund të bësh më shumë se aq”.
Komunkimi i mesazheve të rëndësishme të politikës së jashtme në Twitter, rrit rrezikun që mesazhi të keqinterpretohet, thotë zonja Jamieson. Për këtë arsye, komunikimet presidenciale formulohen dhe rishikohen me kujdes, nga ata që kanë ekspertizën e duhur.
“Ata kujdesen jo vetëm që mesazhi të jetë i shprehur qartë, por edhe që të mos krijohen pa dashje keqkuptime, kur përkthehet nga një gjuhë në tjetrën”.
Në fakt, Twitter nuk është një mjet që nuk është përdorur nga presidentë të tjerë. Presidenti Obama, i pari që mori detyrën në Shtetet e Bashkuara në kohën e medias sociale, ka përdorur Twitter, Facebook dhe rrjete të tjera.
Por llogaria e tij në Twitter, ashtu si edhe e shumë udhëheqësve të tjerë botërorë, përdoret nga personeli i tij dhe vetë presidenti rrallë boton deklarata personale.
Gjithashtu, mesazhet e tij kanë qenë kryesisht për çështje të brendshme, duke ia lënë përcjelljen e mesazheve të politikës së jashtme Departamentit të Shtetit dhe llogarive të medias sociale të lidhura me të.
Ron Christie, ish-këshilltar i Presidentit George W. Bush dhe ish-nënpresidentit Dick Cheney, thotë se zoti Trump duhet të ndjekë shembullin e zotit Obama dhe të lërë personelin e tij të kujdesen për të postuar në llogaritë e mediave sociale.

Loja me “hiperbolizimin e së vërtetës”
Këshilltarët e zotit Trump nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se ai do të fillojë ta zbusë retorikën, duke e konsideruar stilin e tij të komunikimit si diçka pozitive.
“Mendoj se një nga tiparet më pozitive të presidentit të zgjedhur është se ai nuk druhet ta shprehë mendimin e tij”, thotë drejtori i komunikimeve i ekipit të tranzicionit, Jason Miller. “Kur ka diçka për të thënë, ai nuk druhet ta thotë”, shton ai.
Por zoti But Trump, që ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm si biznesmen, ka thënë se fakti që ai është i paparashikueshëm është gjithashtu diçka pozitive, duke shtuar se një nga instrumentet më të dobishëm kur bëhet fjalë për negociata, është “hiperbolizimi i vërtetë”.
“Unë manovroj me fantazitë e njerëzve”, shkruan ai në librin e vitit 1987 “Arti i marrëveshjeve”, ku ai shpjegon se si bën deklarata të ekzagjeruara, pjesërisht për të manipuluar shtypin dhe për t’i lënë rivalët e tij pezull.
A do të përpiqet zoti Trump t’i përdorë këto taktika në marrëdhëniet ndërkombëtare? Dhe a do të jetë Twitter pjesë e një taktike të tillë? Askush nuk e di këtë përveç vetë zotit Trump.
Dhe zoti Miller, ish-diplomati për çështjet e Lindjes së Mesme, thotë se është e kotë të bëhen spekulime për hapat e mëtejshme.
“Ndryshimi ndodh më 21 janar, thotë ai. Mund të analizosh sa të duash dhe të krijosh një ide se si do të jetë apo si do të sillet presidenti i zgjedhur, por prova përfundimtare nuk ka ardhur ende”.

Kush është njeriu i Trump tek Thesari?

NEW YORK, NY - NOVEMBER 15: Steven Mnuchin, finance chairman for the Trump campaign, arrives at Trump Tower, November 15, 2016 in New York City. President-elect Donald Trump is in the process of choosing his presidential cabinet as he transitions from a candidate to the president-elect. (Photo by Drew Angerer/Getty Images)

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump bëri dje dy emërime për poste të rëndësishme në ekipin e tij të ekonomisë. Njeriu i emëruar për postin e sekretarit të Thesarit, ish-bankieri i kompanisë financiare “Goldman Sachs”, Steven Mnuchin është bërë shkak për debate, si rrjedhojë e retorikës së zotit Trump kundër Wall Street-it, gjatë fushatës elektorale.
Milioneri 53-vjeçar Steven Mnuchin është një emër jo fort i dëgjuar dhe nuk ka patur asnjëherë post publik. Por ai është diplomuar në Universitetin Yale dhe ka një CV interesante. Për 17 vjet me radhë ka qenë partner në firmën “Goldman Sachs”, krijoi firmën e tij të investimeve me risk të lartë dhe më vonë u bë i suksesshëm si producent i Hollivudit.
Por këto ditë Mnuchin thotë se është fokusuar tek çështje më të rëndësishme.
“Përparësia jonë do të jetë ekonomia, për t’u kthyer te rritja ekonomike prej 3-4 për qind. Fokusi ynë do të jetë gjendja ekonomike për shtresën e punotorëve”. Ai ka qenë këshilltar i besuar i zotit Trump që në fillimet e fushatës prandaj analistët thonë se emërimi i zotit Mnuchin ishte i parashikueshëm.
“Zoti Trump zgjedh njerëz që i pëlqejnë, njerëz që e kanë mbështetur dhe si çdo president, ai është besnik ndaj tyre, pra ai do që t’i shpërblejë besnikët e tij”, thotë analistja Cary Leahey e firmës “Decision Economics”.
Por disa thonë se si njeriu që do të merret me ndryshimin e sistemit të taksave, zgjedhja e zotit Mnuchin jep një mesazh të gabuar. Analisti Rick Claypool, thotë se zoti Trump nuk po i vë në jetë deklaratat që bëri gjatë fushatës:
“Mnuchin është pikërisht kandidati që ne prisnim të zgjidhej nga Trump”, thotë analisti.
Por Claypool e sheh emërimin e zotit Mnuchin si një kthim të rrezikshëm në të shkuarën: “Mendoj se politikat e tij mund të na çojnë në disa aktivitete të rrezikshme që sollën krizën financiare dhe recesionin”. Në Wall Street, Mnuchin konsiderohet si njeriu i brendshëm dhe i sigurtë.
“Mendoj se Wall Street-i do të jetë i kënaqur me emërimin e tij, në vend të disa kandidaturave të tjera pak a shumë konservatore, bazuar tek standardet e zotit Trump. Mendoj se aksionerët janë të kënaqur me emërimin e tij”, thotë Cary Leahey e firmës “Decision Economics”.
Sikurse edhe postet e tjera të kabinetit, kandidatura e zotit Mnuchin duhet të miratohet nga Senati. Por, duke patur parasysh se republikanët kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, analistët mendojnë se konfirmimi nga Senati i zotit Mnuchin do të kalojë pa probleme.

Mustafa: Ndryshime Demarkacionit nëse na prek

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se do të bëhen korrigjime nëse vërtetohet se me Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, vërtetohet që Kosova ka humbur territor.
Mustafa ka insistuar që të formohet një komision me ekspertë gjegjës për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar si formën më të mirë për t’u siguruar nëse demarkacioni me Malin e Zi ishte i drejtë.
“Ne nuk duam të vazhdojmë më tutje nëse vërtetohet se Kosova ka humbur territor”, ka theksuar Mustafa.
Këto komente, ai i bëri gjatë homazheve tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, me rastin e 72-vjetorit të lindjes.
Me këtë rast, ai është zotuar se nëse pas matjes vërtetohet që Kosova me Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi po humb territor, atëherë do të bëhen korrigjime.
“Nëse vërtetohet që territori i Kosovës është më i vogël se sa që e kemi pasur më herët, ju garantoi se do të bëjmë korrigjimin”, është shprehur Mustafa.
“Ndërsa nëse vërtetohet se territori është ai që e kemi pas e kemi obligim që ta respektojmë dhe të vazhdojmë me demarkimin e kufirit edhe me Serbinë”, ka theksuar Kryeministri i Kosovës.
Idenë e tij për themelimin e një komisioni për matjen e territorit të Kosovës e kanë kundërshtuar që në start partitë opozitare.

Austria në kërkim të efektit Trump

Një i gjelbër apo një i djathtë? Pas anulimit të votimit për presidentin në Austri bota ka ndryshuar – cilit kandidat do t’i vlejë kjo më 4 dhjetor? Në qebabtoren e Vjenës “Stacioni i fundit” mbretëron zemërim dhe përvuajtje. 67-vjeçarja Christa Kantor kthen e përkthen salsiçet mbi zgarë dhe thotë se thuajse asnjë nga klientët nuk flet më për zgjedhjet, “sepse ata të gjithë do të votojnë për Hoferin”. Një klient pohon në heshtje me kokë.
Pak ditë para zgjedhjeve të 4 dhjetorit nëntë nga dhjetë zgjedhës kanë vendosur se për kë do të votojnë: për populistin e djathtë Norbert Hofer të partisë FPÖ apo për të gjelbrin Alexander van der Bellen, i cili zyrtarisht kandidon si kandidat i pavarur. Sipas anketimeve pritet përsëri një rezultat i ngushtë, por jo më tepër.

Efekti i Trumpit?
Në zgjedhjet e balotazhit më 22 maj fitoi Alexander van der Bellen me vetëm 30.000 vota më tepër. Pas kësaj pati ankesa, sepse në numërimin e votave ka pasur manipulime të hapura. Gjykata Kushtetuese e pranoi ankesën e partisë FPÖ dhe i anuloi zgjedhjet.
Tani në Austri shumëkush shtron pyetjen nëse në këtë raund do të ketë ndonjë efekt të zgjedhjes së Trumpit dhe nëse po për kë?
Politologu nga Salcburgu Reinhard Heinisch thotë në bisedë me “Deutsche Wellen”, se “sikurse në SHBA zgjedhësit e Hoferit janë shumë të emocionuar dhe e dinë se përse e zgjedhin atë. Nga ana tjetër shumë nga ata që do të votojnë për kandidatin Van der Bellen e bëjnë këtë vetëm për të penguar Hoferin”. Sipas anketimeve të tij 57% e atyre që do të votojnë për Norbert Hofer e bëjnë këtë nga bindja, kurse në rastin e Van der Bellen janë vetëm 39%.

Paralele me SHBA-në
Politologu Heinisch ka jetuar 13 vjet në SHBA dhe sheh shumë paralele në fushatën elektorale dhe në gjuhën që përdor kandidati populist Hofer me atë të Trumpit. “Thirrjet për ndryshime, kundër establishmentit, tensioni mes fshatit dhe qytetit, qytetarëve me shkollim të lartë dhe më të ulët, si dhe mes burrave dhe grave”. Sikurse edhe Trumpi Hoferi i quan këta “të harruarit” dhe aty ku njerëzit janë të pakënaqur ata zgjedhin FPÖ.
Për shembull, në lagjen e Vjenës “Simmering” ku jetojnë shumë të papunë pas mbylljes së uzinës për prodhimin e armëve Steyr. Në vitin 2015 partia FPÖ arriti të fitonte ndaj partisë socialdemokrate SPÖ, e cila ishte tradicionalisht fituese në këtë zonë. Edhe vetë Christa Kantor thotë se njerëzit janë të nervozuar dhe se Hoferi të paktën do të angazhohet për austriakët.

Seriozitet përballë zemërimit
Në një lagje elegante të Vjenës në sheshin “Keplerplatz”, jo larg lagjes “Simmering”, Barbara Neuroth e veshur me një pallto elegante, shpërndan fletëpalosje për Alexander van der Bellen. Ajo thotë se tani duhet të mobilizohen të pavendosurit.
Sipas politologut Reinhard Heinisch “austriakët synojnë së tepërmi harmoninë dhe pas Brexit-it dhe Trumpit kanë ndodhur mjaft ndryshime në botë. Për këtë arsye në mesazhet e tij zgjedhore 72-vjeçari Van der Bellen transmetoi seriozitet dhe respekt. Tema të tilla si refugjatët, Turqia apo kritika ndaj BE-së ia bëjnë më të lehtë Hoferit”.
Barbara Neuroth është optimiste për fitoren e Alexander van der Bellen. Ajo angazhohet për Partinë e Gjelbër dhe thotë se jo të gjithë ata që interesohen për Alexander van der Bellen janë të gjelbër. Kjo e bën atë optimiste.

Zgjedhje të reja në pranverë?
Koalicioni i madh që qeveris në Austri nuk është tepër i preferuar në radhët e qytetarëve. Ky koalicion vazhdon të ekzistojë vetëm sepse shanset e dy partive anëtare të këtij koalicioni për të fituar në rastin e zgjedhjeve të reja janë të këqija, thotë politologu Heinisch. Sipas tij, një president Hofer do t’i pakësonte shanset e FPÖ-së për kancelarin: “Do të jetë e vështirë që për zgjedhjet të përdorësh sloganin ‘Pushteti ka nevojë për kontroll’, nëse nga kjo parti janë edhe presidenti edhe kancelari”, thotë Heinisch.
Sipas tij pavarësisht se kush fiton të dielën, strategët e partive do të shqyrtojnë që në janar, se sa të lodhur janë njerëzit prej zgjedhjeve për të organizuar zgjedhjet e reja. “Unë mendoj se në pranverë do të kemi zgjedhje të reja”, thotë politologu Heinisch.

A e kërcënon euron referendumi italian?

Tregjet financiare janë nervoze para referendumit në Itali, sepse në rrezik është edhe eurozona. Pas votës së britanikëve për Brexit-in dhe fitores së Trumpit në SHBA, referendumi i 4 dhjetorit në Itali po prezantohet si ngjarje vendimtare. Nëse italianët do të votojnë me Po, atëherë vendi mund të riformohet me themel, beson kryeministri Matteo Renzi, nëse votojnë me Jo, ky mund të jetë fillimi i fundit të eurozonës.
Shumica e anketimeve flasin për një Jo, pra për refuzimin e reformës kushtetuese, e cila do ta pakësonte pushtetin dhe madhësinë e Senatit, dhomës së dytë të Parlamentit. Bashkë me ndryshimin e ligjit zgjedhor të miratuar këtë verë, kjo do të lehtësojë punën e qeverisë, sepse partia që do të fitojë në të ardhmen 40% të votave, do të ketë në Parlament shumicën absolute. Në këtë mënyrë ajo mund të realizojë reformat urgjentisht të domosdoshme.

Dobësia e reformave
Politika italiane ka vuajtur gjithmonë prej dobësisë dhe në 70 vitet e fundit ka pasur 63 qeveri. Christian Dunstmann, profesor për ekonominë në University College në Londër, thotë për “DW” se, “qeveritë italiane kanë dështuar pikërisht, kur janë përpjekur të ndërmarrin reforma”.
Tregjet financiare janë nervoze tani para referendumit. Përqindjet e interesit për bonot e thesarit italian të shtetit janë dyfishuar me më tepër se 2% – një tregues që investitorët llogarisin se do të shtohet pasiguria. Sipas tyre një Jo në referendum do të thotë fitore e populistëve dhe kundërshtarëve të euros.

Papunësi e lartë
Renzi erdhi në pushtet para tre vitesh si reformator. Dunstmann-i thotë se ai ka bërë disa gjëra në drejtimin e duhur, si për shembull, reformimin e ligjit të punës, e cila ua bën më të lehtë sipërmarrjeve pushimin e personelit. Po ashtu, ai ka arritur edhe lehtësime fiskale për sipërmarrjet e mesme dhe të vogla.
Reforma kushtetuese është nëna e të gjitha reformave, thotë Jërg Buck, drejtor ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë gjermano-italiane në Milano, i cili thotë se qeveria i ka bërë detyrat e saj të shtëpisë. Por gjendja e vështirë ekonomike e dobëson pozitën e Renzit. Po ashtu rreth 12% e italianëve janë të papunë, kurse në radhët e të rinjve papunësia është rreth 40%.
Ekonomia është sot më e dobët se para dhjetë vjetësh dhe borxhi i shtetit është mbi 130% e PBB-së. Italia renditet kështu direkt pas Greqisë.

Problemi qëndron tek euroja
“Rreziku më i madh për Italinë nuk është referendumi, por stanjacioni ekonomik”, mendojnë analistët. “Problemi është se me anëtarët e sotëm të eurozonës, euroja nuk funksionon dhe është po ashtu tejet josociale”, thotë Charles Dumas nga LSR. Gjermanët kanë nevojë për një politikë krejt të ndryshme monetare nga italianët dhe kjo u jep populistëve një bazë solide.
Pas referendumit në Itali ata kanë disa mundësi të tjera për të tronditur Evropën. Zgjedhjet në mars 2017 në Holandë, në prill ato në Francë dhe në vjeshtë në Gjermani. Në këto vende ka parti të forta populiste të djathta që e refuzojnë euron dhe BE-në. Në Itali zgjedhjet e rregullta zhvillohen në pranverën e vitit 2018, kuptohet në rast se Renzi vazhdon ta mbajë pushtetin.